Për kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaratat e ish zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj, janë një “autopsi” për vjedhjet dhe korrupsionin e Edi Ramës, ndërsa i cilësoi gjithashtu si një aktakuzë të rëndë ndaj sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së, Berisha u shpreh se faktet e bëra publike nga Ahmetaj tregojnë se shteti shqiptar, sipas tij, është vënë nën kontrollin e grupeve kriminale të lidhura me pushtetin. Ai përmendi konkretisht grupin e Troplinëve, të cilët, sipas Berishës, me Duranën dhe me Ergys Agasin kanë ushtruar kontroll mbi të dhëna të rëndësishme shtetërore.
“Intervista e zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj ishte autopsia më e thellë e vjedhjeve dhe korrupsionit të Edi Ramës me dosje, me dokumente dhe fakte. A mund të imagjinoni ju, Durana zona teknologjike e Durrësit, de facto territor komplet i Troplinëve, të cilët me Agasin kanë kontrolluar çdo të dhënë të këtij shteti nga dosjet më sekrete të prokurorive, gjykata, shërbimit të fshehtë tek çdo lloj e dhënë tjetër .Durana e Edi Ramës me Troplinët. Ato dosje janë një aktakuzë më e rënda edhe për sistemin e kapur të drejtësisë.”, u shpreh Berisha.
Berisha theksoi se dosje përbëjnë një aktakuzë të rëndë edhe për sistemin e drejtësisë, që sipas tij, ka dështuar të veprojë pavarësisht denoncimeve të shumta. Berisha përmendi si shembuj çështjet e Porto Romanos dhe Ekoparkut në Durrës, të cilat, sipas tij, janë denoncuar dhjetëra herë me dokumente dhe prova, pa asnjë reagim nga institucionet.
“Sa herë është denoncuar dosja e Porto Romanos? E Ekoparkut në Durrës? Me dhjetëra, në mos qindra herë. Me dokumente, me çdo gjë. Asgjë nuk ndodh. Pse? Se është direkt Edi Rama dhe thjeshtra të implikuar në të. E njohur kjo. 15 mijë euro kamera e policit, u garantoj që kush në botë në asnjë vend nuk e vendosin policët 15 mijë euro kamera. Po ka kjo? Është njëlloj si historia e kapeles së policit. Polici suedez, kapelja e tij 15 euro. Kapelja e policit shqiptar 320 euro me Plarentin që kalon nga një studio në tjetër, një hajdut i shpifur që ka ndarë paratë me Ramën. Të gjitha këto kanë vetëm një konkluzion.”, u shpreh ai.
Në fund, shtoi se është vetëm populli që duhet t’i japë përgjigjen e merituar kryeministrit.
“Është populli dhe vetëm populli ai që duhet t’i japë Edi Ramës ndëshkimin e merituar, largimin e tij një minutë e më parë nga pushteti.”, tha Berisha. Panorama