Gazetarja Klodiana Lala tha sot se Altin Ndoci ka pasur jo vetëm bashkëpunëtorë të jashtëm për arratisjen e tij me makinë luksoze nga spitali i Durrësit dy ditë më parë, por edhe informatorë dhe ndihmës nga brenda burgjeve dhe sistemit.
E ftuar në studion e “News 24”, ajo nënvizoi se duhet të hetohej e gjithë procedura duke nisur nga arsyet përse një i paraburgosur me rrezikshmëri të lartë ndodhej në një burg të sigurisë së zakonshme dhe deri tek anashkalimi i protokollit të masave dhe sigurisë.
Lala komentoi se edhe Policia ka përgjegjësi, pasi duhet të shtonte masat, si para arratisjes, ashtu edhe pas saj, në ndjekjen e gjurmëve të Ndocit, duke përdorur deri në qentë me nuhatje.
“Nuk duhet të ishte aty në Burgun e Durrësit, duhet të hetohet e gjithë procedura pse ndodhej aty dhe përgjegjës janë të gjithë zyrtarët e përfshirë prej vitesh, deri te zyrtarët e lartë”, tha Lala.
Kurse për ndihmën që i akuzuari i dosjes “Plumbi i artë” ka pasur, ajo shpjegoi se:
“Ka pasur bashkëpunëtorë nga jashtë që e ndihmuan të arratiset me Audi luksoz nga spitali. Por unë mendoj se ka pasur bashkëpunëtorë dhe informatorë edhe nga brenda burgut dhe sistemit dhe duhet të hetohet”.

Lala vuri në dukje indiferentizmin e Policisë në rast, madje duke ironizuar se tani bluve u ka mbetur vetëm të numërojnë gëzhojat e Ndocit dhe makinat e djegura, duke iu referuar krimeve të të dyshuarit.
“Policia duhet të merrte masat e saj, duhet të nxirrte patrullat. Duhet të nxirrte edhe qentë për kontroll dhe ndjekje. Nuk kanë funksionuar shumë gjera. Do duhej që Policia e Shtetit dhe institucionet e tjera. Por çfarë mund të bëjë Policia, asgjë tjetër përveçse të duhet të mbledhë gëzhojat e Altin Ndocit dhe të numërojë makinat e djegura pas”, përfundoi gazetarja.