VOAL

VOAL

65 milionë dollarë për të drejtat botuese të dy librave nga çifti Obama

Shtëpia botuese Penguin Random House ka arritur të sigurojë të drejtat për të publikuar dy libra të ardhshëm nga ish-presidenti amerikan Barack Obama dhe ish-zonja e parë, Michelle Obama. Secili prej tyre do të shkruajë një vëllim, tha shtëpia botuese të martën.

Sipas gazetës Financial Times, marrëveshja është për 65 milionë dollarë, duke thyer rekorde të mëparshëm të botimeve të librave të ish-presidentëve të tjerë.

Financial Times tha se shuma për librat e çiftit Obama është 6 herë më e lartë se ajo që siguroi ish-presidenti George W. Bush me librin e tij “Decision Points”. Ai u pagua 10 milionë dollarë për librin.

Ndërsa për librin “My Life” të ish-presidentit Clinton, shuma ishte 15 milionë dollarë.

Por, në përputhje me praktikën e tyre të mëparshme, çifti Obama kanë në plan të dhurojnë një “pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të tyre autoriale për bamirësi”, duke përfshirë Fondacionin Obama, tha shtëpia botuese në deklaratën ku u njoftua për marrëveshjen.

Penguin Random House më parë ka botuar tre libra të ish-presidentit Obama: “Ëndrrat e Atit Tim”, “Guximi i Shpresës”, “Për ju këndoj: Një Letër Vajzave të Mia”.

Shtëpia botuese nuk e bëri të ditur se kur do të dalin në treg librat.

Këshilltari i Trumpit: Luftën e Kosovës nuk e fitoi NATO, por Millosheviçi

Këshilltari për Sigurinë i presidentit të ri të SHBA-ve Donald Trump, gjenerali Raymond McMaster ka shokuar me analizën e tij se në luftën e Kosovës nuk fitoi NATO, por forcat e Sllobodan Millosheviçit.

Gazetarja e njohur gjermane, Renate Flottau, që ka mbuluar rajonin tonë prej 30 vitesh, shkruan në ‘Huffington Post Deutschland’, se McMaster mendon se fitues i luftës në vitin 1999 nuk ka qenë NATO, por Millosheviçi.

Sipas analizës së publikuar nga McMaster në vitin 2003, fushata e bombardimit e NATO-s u kthye në një makth për aleancën.

McMaster thotë se NATO u mundua ta mbulojë humbjen me një seri ‘lajmesh false’.

Kështu, edhe pse NATO deklaroi se ka shkatërruar 450 raketa serbe, në fakt shkatërroi vetëm 20 të tilla.

Pavarësisht se u tha se janë shkatërruar 120 tanke serbe, u shkatërruan vetëm 14 të tillë.

Pas një fushate prej 78 ditësh, shoqëruar nga 40 mijë fluturime, nuk u shkatërrua as 5 përqind e makinerisë luftarake serbe.

McMaster shkruan se zyrtarët e NATO-s fërkuan sytë me mosbesim kur në fund të luftës panë se si e gjithë flota ajrore serbe doli e paprekur nga një hangar në Prishtinë dhe nisi udhëtimin për në Beograd.

McMaster thotë se ishte një dështim i teknologjisë më të avancuar në planet ndaj improvizimeve serbe.

Sa herë një avion spiun i NATO-s fluturonte mbi pozicionet serbe, ata fshihnin tanket e makineritë ushtarake dhe nxirrnin në pritë tanke kartoni.

Lokalizimi i serbëve ishte i vështirë edhe për shkak se mbrojtja ajrore serbe i detyronte avionët e NATO-s të fluturonin mbi 15000 këmbë lartësi.

Edhe radarët serbë ishin shumë të vështirë për t’u pikasur, pasi fshiheshin në gropa, duke shënuar kështu një dështim spektakolar të NATO-s.

Edhe më e rëndë bëhet situata, shkruan McMaster, po të mendosh se Serbia kishte shumë spiunë brenda aleancës.

Një tjetër dështim ishte vendosja e helikopterëve Apache në Shqipëri. Pista ku u vendosën ishte me baltë dhe ujë të ndenjur. Fluturimi i parë i testimit solli rrëzimin e dy pilotëve dhe fluturimet natën ishin të vështira për shkak të terrenit malor dhe mungesës së mbështetjes tokësore.

Por përse erdhi dorëzimi i Millosheviç?

Autori shkruan se jo vetëm prej kërcënimit se do ndërhyhej me trupa tokësore, por më së shumti për shkak se Moska tërhoqi mbështetjen ndaj Millosheviç, duke sjellë kapitullimin e tij.

Ndërkohë seti i mësipërm i fotove është bërë në vitin 1999 nga Peter Marloë dhe tregon se si përgatitej NATO për fluturimet luftarake.

Bota reagon ndaj fjalimit të Presidentit Trump në Kongres

Udhëheqësit botërorë ndoqën me vëmendje fjalimin e parë të Presidentit amerikan Donald Trump në Kongres. Zoti Trump foli për angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s dhe planin e tij për të ndërtuar një sistem të ri të tregtisë globale.

Fjalimi i presidentit Trump i drejtohej një audience të brendshme, me premtimet e shpeshta për t’u përqendruar tek Amerika, por e gjithë bota e ndoqi atë me interes.

“Ne ndajmë me aleatët në gjithë globin idenë e një udhëheqjeje amerikane, mbështetur në interesa jetike sigurie. Ne mbështesim fuqimisht NATO-n, një aleancë e konsoliduar përmes lidhjeve të dy Luftrave Botërore që përmbysën fashizmin dhe një Lufte të Ftohtë që mundi komunizmin. Por partnerët tanë duhet të plotësojnë detyrimet e tyre financiare”, tha Presidenti Trump.

Zbutja e tonit ishte e mirëpritur, thotë Ian Bond i Qendrës për Reformë Evropiane me seli në Londër. Ai foli me Zërin e Amerikës përmes Skype-it.

“Ai nuk tha përsëri se NATO-s i ka ikur koha. Megjithatë, ai vazhdon të flasë për vendet e NATO-s që duhet të paguajnë faturat, sikur Amerika të jetë ndonjë shërbim truprojash”, tha zoti Bond.

Presidenti Trump premtoi rritjen më të madhe të shpenzimeve për mbrojtjen në historinë e Amerikës:

“Mendoj se edhe shumë republikanë po i thonë se është gabim të shkurtosh ndihmën amerikane për zhvillimin jashtë vendit dhe buxhetin e Departamentit të Shtetit, për të financuar këtë rritje të madhe në shpenzimet ushtarake”, tha zoti Bond.

Një reduktim i angazhimit amerikan jashtë vendit, mund të shihet si një mundësi për ekonominë e dytë më të madhe të botës, thotë David Kelly, drejtor kërkimesh në organizatën “Politikat e Kinës”, me qendër në Pekin.

“Edhe një herë, zoti Trump po krijon hapësira për Kinën, që në një farë kuptimi mund të shfrytëzohen në drejtimin diplomatik”.

Presidenti Trump përmendi veçanërisht Pekinin, ndërsa përsëriti akuzat se sistemet e tregtisë globale nuk janë në të mirë të Amerikës.

“Kemi humbur 60 mijë fabrika që kur Kina hyri në Organizatën Botërore të Tregtisë në vitin 2001”.

Zoti Trump nuk e përmendi direkt urdhrin ekzekutiv për ndalimin e udhëtarëve nga shtatë vende me shumicë myslimane që u bllokua nga gjykatat.

Përveç premtimit për të shfarosur organizatën terroriste Shteti Islamik, ai nuk e përmendi Afrikën, një nga përparësitë e ish-presidentit Barack Obama.

“Nuk kemi parë asnjë sinjal muajin e parë të kësaj administrate se si do të jetë politika për Afrikën. Nuk ka ende një ndihmës Sekretar Shteti për atë rajon. Shumë poste ambasadorësh janë të zbrazëta, përfshirë atë të Afrikës së Jugut”, thotë Steven Gruzd i Institutit afrikano-jugor për Çështje Ndërkombëtar.

Toni më i matur i fjalimit, në përgjithësi është mirëpritur. Por analistët thonë se shumë udhëheqës botërorë duan më shumë detaje për politikat lidhur me premtimin e Presidentit Trump për “një kapitull të ri të madhështisë amerikane”.

Fjalimi i presidentit, reagojnë amerikanët

Në fjalimin e parë që mban para Kongresit, Presidenti Donald Trump prezantoi hollësi për politikat që synon të ndjekë administrata e tij për të bashkuar vendin pas zgjedhjeve përçarëse. Në komunitete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, korrespondentë të Zërit të Amerikës ndoqën fjalimin në televizor, së bashku me banorë lokalë dhe morën përshtypjet e tyre mbi politikat që theksoi presidenti.

Në Holmes të Pensilvanisë, jo larg Filadelfias, një grup banorësh janë mbledhur për të luajtur bowling.

Televizioni po transmeton fjalimin e Presidentit Trump para Kongresit, drejtuar popullit amerikan:

“Të gjitha vendet e botës, miq dhe armiq, do ta kuptojnë se Amerika është e fortë, krenare dhe e lirë,” thotë presidenti.

Por ashtu si politikanët që kanë dërguar në Uashington si përfaqësues të tyre, edhe vetë amerikanët janë të ndarë mbi mesazhin që përcolli mbrëmë presidenti.

“Ai flet për rikthim të fitimeve dhe të vendeve të punës në Amerikë. Më në fund dikush po flet për ekonominë dhe punëtorin amerikan. Ç’të keqe ka këtu?” thotë Bryan Gallagher, përkrahës i presidentit Trump.

“Si do ta rindërtojë infrastrukturën kur shkurton taksat? Për të rindërtuar infrastrukturën duhet t’ua rrisësh taksat të pasurve. Ashtu përmirësohet infrastruktura e një vendi,” thotë Pete Harwan, përhrahës i ish-kandidates Clinton.

Në skajin tjetër të Shteteve të Bashkuara, në Las Vegas të Nevadës ku janë mbledhur për të ndjekur fjalimin një grup kinezo-amerikanësh që përkrahin zotin Trump, ngrihen pyetje për vizionin e presidentit për vendin:

“Deri tani ka thënë fjalë të mira, por ende nuk është bërë asgjë. E kanë prezantuar, por vazhdojnë të ndërrojnë herë një gjë, herë një tjetër. Dua të shoh që po bëhet diçka,” thotë Chris Villasenor.

Në Teksas, veterani Jeff Olsen thotë se i mirëpret propozimet e presidentit.

“Sa mirë do të ishte sikur këtë fjalim ta kishim dëgjuar pesë javë më parë. Të gjithë jemi amerikanë. Të gjithë ia duam të mirën Amerikës; mendoj se sonte ai foli me një ton shumë më pajtues se më parë”.

John, një banor i Ajovas, thotë se nuk është përkrahës i zotit Trump por shpreson që punët të shkojnë sa më mirë:

“Nuk jam republikan. Nuk më pëlqen Donald Trumpi, por duhet t’i japim mundësi të qeverisë. Ai fitoi, nuk vihen në dyshim kjo. Tani duhet ta mbështesim dhe të shpresojmë se do të bëjë një punë të mirë”.

Në Uashington, demonstruesit u mblodhën në mot me shi për të protestuar kundër presidentit. Sheldon Cohen ka kancer. Ai konsiderohet pacient me probleme ekzistuese shëndeti, por nën programin e Presidentit Obama për kujdes shëndetësor mund të gjente sigurime për shëndetin. Tani ky program është në rrezik nga administrata Trump:

“I jap notën më të lartë për cilësitë e argëtuesit dhe për kaosin presidencial. Por i jap notë ngelëse për punën që ka bërë si udhëheqës dhe për të bashkuar vendin,” thotë aktivisti Cohen.

Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara ka ardhur në Shtëpinë e Bardhë prej një muaji. Ai ka bërë miq e armiq me programin e tij qeverisës bazuar në premtimet e fushatës. Nëse do të arrijë ai ta vërë në jetë këtë program do të varet nga anëtarët e Kongresit dhe votuesit në të gjithë vendin që i zgjedhin këta anëtarë.

Plani i ri i Trumpit nuk prek poseduesit e “green card”

Rregullimi i ri i vizave që pritet të nënshkruhet nesër nga Presidenti i SHBA-ve Donald Trump, nuk prek poseduesit e “green card”-ës të cilët kanë leje të përhershme qëndrimi

UASHINGTON – Rregullimi i ri i vizave që pritet të nënshkruhet nesër nga Presidenti i SHBA-ve Donald Trump, nuk prek poseduesit e “green card”-ës të cilët kanë leje të përhershme qëndrimi si dhe personat të cilët aktualisht posedojnë vizë të vlefshme amerikane, raporton Anadolu Agency (AA).

Pohimi se rregullimi i ri i vizave do të ndikojë vetëm tek personat të cilët tani e tutje do të aplikojnë për viza, për herë të parë është bërë në artikullin e gazetës amerikane Wall Street Journal duke u bazuar në burime të afërta me qeverinë e Presidentit Trump.

Për dallim nga dekreti i 27 janarit i cili ka ndaluar hyrjen e shtetasve të 7 shteteve me shumicë muslimane në SHBA për 90 ditë, njoftohet se me rregullimin e ri që do të nënshkruhet nesër, kjo ndalesë nuk do të ndikojë ndaj personave të cilët kanë leje të përhershme qëndrimi si dhe personat të cilët aktualisht posedojnë vizë të vlefshme amerikane.

Pas ndalimit të ekzekutimit të dekretit të tij nga ana e një gjyqtari federal, bëhet e ditur se Trump nuk dëshiron që rregullimin i ri të hasë në ndonjë pengesë juridike, dhe se ai është duke punuar në mënyrë të afërt me juristët e ekipit të Shtëpisë së Bardhë.

Ristrukturimi do të ndikojë ndaj qytetarëve të shteteve të njëjta

Më tej thuhet se në mënyrë të ngjashme me dekretin e mëparshëm, edhe ky rregullim do të ndikojë ndaj qytetarëve të 7 shteteve (Siria, Iraku, Irani, Libia, Sudani, Jemeni, Somalia).

 – Pretendohet se Iraku nuk do të përfshihet në rregulloren e re të vizave nga Trump

Përveç kësaj, pritet që të hiqet dispozita e cila parashesh që refugjatët që hyjnë në SHBA, t’u jepet më shumë përparësi krishterëve dhe në këtë mënyrë, që në fillim të tejkalohet çdo pengesë e mundshme juridike.

Një çështje tjetër e cila ka tërhequr mjaft vëmendje në këtë artikull është se për dallim nga dekreti i parë i cili ka pezulluar programin e refugjatëve për 4 muaj si dhe ka sjellur ndalesë për sirianët deri në një vendim të dytë, edhe në rregullimin e ri, programi i refugjatëve përsëri do pezullohet për një perudhë të caktuar, mirëpo edhe sirianët do të trajtohen njëjtë sikur refugjatët e shteteve tjera.

Bëhet e ditur se do të vendoset një interval i caktuar kohor ndërmjet nënshkrimit dhe fillimit të aplikimit të rregullimit të ri, që në këtë mënyrë do të parandalohen paraqitjet në hyrjen e aeroporteve siç ishte rasti me aplikimin e vjetër.

Dekreti i Trump, të cilin e nënshkroi më 27 janar dhe i cili ka mbyllur dyert e SHBA-ve për 3 muaj ndaj qytetarëve të 7 vendeve me shumicë muslimane, ka ndaluar pranimin e refugjatëve nga Siria deri në një vendim të dytë, ndërsa ka pezulluar për 4 muaj edhe programin SHBA-ve për refugjatët.

Gjyqtari me detyrë në Seattle, James Robert, më datën 3 shkurt, ka vendosur pezullimin e ndalesës së vizës në mbarë shtetin ndërsa është refuzuar edhe kërkesa e Trumpit që ka bërë në Gjykatën e Apelit.

Ryan: përgjigje për lidhjet e mundshme mes ekipit të Trumpit dhe Rusisë

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan, Paul Ryan, tha se ka nevojë për përgjigje lidhur me kontaktet e papërshtatshme të zyrtarëve që drejtuan fushatën e presidentit Donald Trump dhe Rusisë, gjatë garës presidenciale.

Kemi nevojë për përgjigje. Kemi nevojë të sigurohemi se nuk ka ndodhur asgjë që nuk duhej ndërsa ecim përpara”, tha zoti Ryan sot gjatë një interviste për rrjetin mediatik NBC.

Tri hetime të nisura nga Kongresi mbi lidhje të mundshme mes zotit Trump dhe Rusisë janë në proces. Zoti Ryan nuk tha nëse do të ishte e nevojshme përfshirja e një prokurori në hetime, por theksoi se një hetim dy palësh është i nevojshëm për të garantuar që informacioni i mbledhur i komunitetit të zbulimit nuk është kompromentuar.

Demokratët kërkojnë një prokuror të posaçëm, ose zgjedhjen e një komisioni të kongresit, që të hetojë më tej pretendimet për ndërhyrje të Rusisë në zgjedhjet e fundit presidenciale. Por kryetari i Komisionit të Zbulimit, ligjvënësi republikan Devin Nunes, që drejton një nga proceset hetimorë që po kryen Kongresi, thotë se nuk ka gjetur asnjë provë për kontakte të papërshtatshme dhe nuk ka në plan të zgjerojë një hetim që është ndërkohë në proces.

Nuk mund të bëjmë gjueti shtrigash”, u tha gazetarëve ligjvënësi Devin Nunes.

Megjithatë, ligjvënësi kryesor demokrat në Komisionin e Zbulimit, Adam Schiff, tha se nuk është arritur ende në një përfundim, nëse ndihmësit e zotit Trump kanë patur kontakte me zyrtarë rusë gjatë fushatës presidenciale.

Ligjvënësit në të dyja dhomat: në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, përpiqen të kuptojnë detajet e gjetjeve të komunitetit të zbulimit amerikan, se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale, në një përpjekje për ta ndihmuar zotin Trump të mundë demokraten Hillary Clinton, ish sekretaren amerikane të shtetit.

Hebrejtë në SHBA: t’u jepet fund krimeve të urrejtjes

Disa grupe hebrejsh po i kërkojnë Presidentit Trump të shtojë përpjekjet për t’i dhënë fund krimeve të urrejtjes nëpër varrezat e hebrejve dhe të ndalojë kërcënimet për bomba në shkolla.

“Kush diskriminon hebrenjtë duhet ta ketë të qartë se qeveria federale do përdorë gjithë fuqinë dhe pushtetin e saj kundër intolerancës e dhunës”, tha në një pronocim për VOA-n Jonathan Greenblatt, drejtori kombëtar i “Shoqatës Kundër Shpifjeve”.

Përveç kërcënimeve me bomba, vandalët shkatërruan gjatë fundjavës qindra varre në varrezat hebraike në Filadelfia, disa prej të cilave i përkisnin viteve 1800. Policia tha se, në këtë rast, mendohet se nën shënjestër ishte komuniteti hebre, por ky nuk është një version përfundimtar zyrtar.

Greenblatt i “Shoqatës kundër Shpifjeve” nuk është i sigurtë nëse gjithë këto incidente kanë lidhje me njëri-tjetrin, por fajësoi për shtimin e tyre frymën antisemite që pasoi zgjedhjen e presidentit Donald Trump.

Edhe pse deklaratat e zotit Greenblatt nuk mbështeten në statistika zyrtare, ai i kërkoi qeverisë federale të krijojë një grup pune për të luftuar antisemitizmin; i kërkoi FBI-së që të ofrojë trajnime mbi krimet e urrejtjes dhe Departamentit të Arsimit i kërkoi të fusë në shkolla materiale kundër paragjykimeve dhe urrejtjes.

Greenblatt tha se ishte “i prekur dhe ndjente mirënjohje” që Zëvendës Presidenti Mike Pence vizitoi javën e shkuar kampin nazsit të Dachau-t në vizitën e parë jashtë vendit. Ai shkoi gjithashtu në varrezën hebraike të sulmuar nga vandalët në St. Louis, ku ofroi ndihmën e tij për zgjidhjen e këtyre problemeve.

“Është diçka e mirë që nënpresidenti foli për këtë problem, por tani ka ardhur momenti të kalojmë nga fjalët te veprat”, përfundoi Greenblatt.

Presidenti Trump flet përpara Kongresit

Presidenti Donald Trump mbajti fjalimin e tij të parë përpara të dyja dhomave të Kongresit, ku bëri thirrje për reformimin e sistemit shëndetësor dhe për rigjallërimin e ekonomisë.

Fjalimi vjen në një moment të rëndësishëm për një president të ri, të zgjedhur me synimin për të shkundur me shpejtësi Uashingtonin dhe për të bërë realitet premtimet e dështuara të politikanëve të karrierës.

Presidenti tha se ai dëgjoi “lutjet” e popullit amerikan dhe filloi zbatimin e ligjeve të emigracionit, të cilat ai tha se do të rrisin rrogat, do të ndihmojnë të papunët, do të kursejnë miliarda dollarë, dhe do ta bëjnë vendin më të sigurtë për të gjithë.

Presidenti premtoi sërish se do të ndërtojë një mur përgjatë kufirit SHBA – Meksikë, duke e quajtur atë një armë të efektshme kundër drogave dhe krimit.

MBROJTJA E VENDIT NGA “SHTETI ISLAMIK”

Ai tha se ai po ndërmerr masa të forta për të mbrojtur vendin nga “terrorizmi radikal islamik” me shtimin e kontrollit të emigrantëve të mundshëm. Presidenti tha se SHBA nuk mund të bëhet një bazë terrorizmi dhe një foltore për ekstremistët.

Zoti Trump tha se ka udhëzuar Pentagonin të hartojë një plan për të mundur Shtetin Islamik, të cilin e quajti një “rrjet egërsirash të paligjshme” që kanë masakruar myslimanë dhe të krishterë, gra dhe fëmijë.

BUXHETI USHTARAK

Presidenti Trump tha se po i dërgon Kongresit një projektbuxhet që përmban një nga rritjet më të mëdha në shpenzimet e mbrojtjes në historinë amerikane.

Ai tha se burrat dhe gratë e ushtrisë kanë nevojë për mjete për ta mbajtur Amerikën të sigurt dhe për mjetet e nevojshme për të parandaluar luftën. Por, në qoftë se atyre do t’u duhet të luftojnë, – tha ai, – ata duhet të luftojnë për të fituar.

Presidenti bëri thirrje për më shumë shpenzime për veteranët.

Ai prezantoi gruan e një ushtaraku forcave SEAL të marinës që u vra gjatë një sulmi në Jemen, në muajin janar. William “Ryan” Owens ishte ushtaraku i parë i vrarë në betejë gjatë administratës Trump. Gruaja e tij Carryn Owens, i kishte sytë të mbushura me lot, ndërsa u prit me duartrokitje, që zgjatën të paktën një minutë.

Nëse aleatët e Amerikës duan të dinë se çfarë miku do të kenë, – tha zoti Trump, – mjafton të shihni këta heronj në uniformë ushtarake”.

POLITIKA E BRENDSHME

Presidenti Trump tha se ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë harxhuar triliona dollarë në vende të tjera, vetë infrastruktura amerikane është rrënuar.

Presidenti tha se “Amerika mund të bëhet sërish madhështore vetëm nëse vendos të parët vetë shtetasit e saj.”

Brenda vendit, Presidenti tha se industritë që po zhduken do të rikthehen sërish në jetë, ndërsa veteranët ushtarakë heroikë do të marrin ndihmën që u nevojitet me dëshpërim. Rrugë të reja dhe ura të reja do të zëvendësojnë infrastrukturën e rrënuar, tha ai.

Presidenti u zotua t’i japë fund epidemisë së drogave në vend, dhe t’i japë shpresë dhe rilindje qyteteve dhe rinisë amerikane.

Presidenti bëri një përmbledhje të progresit të bërë që nga inaugurimi i tij, përfshirë angazhimin e kompanive kryesore për hapje vendesh të reja pune, ngrirjen e punësimit në qeverinë federale, si dhe nxjerrjen e SHBA nga Marrëveshja e Tregtisë së Trans-Paqësorit, që ai e quajti “një marrëveshje që vret vendet e punës”.

Fillimi kaotik i Presidentit Trump në detyrë ka bërë që deri tani miratimi i publikut të jetë historikisht i ulët për një president të ri. Vetëm 44 për qind e amerikanëve e miratojnë punën e bërë prej tij, sipas një sondazhi të ri të NBC News / Wall Street Journal.

POLITIKA E JASHTME, MBËSHTETJE PËR NATON

Lidhur me politikën e jashtme, Presidenti bëri thirrje për një angazhim më të madh dhe të drejtpërdrejtë me botën. Kjo, – tha ai, – është një politikë e rolit udhëheqës amerikan në bazë të interesave jetike të sigurisë që SHBA ndajnë me aleatët.

“Ne mbështesim fuqimisht NATO-n, një aleancë e farkëtuar përmes lidhjeve gjatë dy luftërave botërore që rrëzuan fashizmin dhe Luftës së Ftohtë që mundi komunizmin. Por partnerët tanë duhet të përmbushin detyrimet e tyre financiare. Dhe tani, bazuar në diskutimet tona shumë të fuqishme dhe të sinqerta, ata kanë filluar të bëjnë pikërisht këtë,” – tha Presidenti Trump.

Presidenti tha se pret që partnerët e SHBA, qoftë në NATO, në Lindjen e Mesme, apo në Paqësor – të luajnë një rol të drejtpërdrejtë dhe kuptimplotë si në operacionet strategjike dhe ushtarake si dhe të paguajnë pjesën e tyre të shpenzimeve.

Zoti Trump tha se SHBA do të respektojnë të drejtat sovrane të popujve:

“Vendet e lira janë mjeti më i mirë për të shprehur vullnetin e popullit dhe Amerika respekton të drejtën e të gjitha vendeve që të hartojë rrugën e tyre. Detyra ime nuk është të përfaqësoj botën. Detyra ime është të përfaqësoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Presidenti Trump tha se Amerika është më mirë kur në botë ka më pak konflikt dhe se duhet mësuar nga gabimet e së kaluarës; “Ne kemi parë luftra dhe shkatërrimet që ato kanë sjellë në botë,” – tha Presidenti.

PËRGJIGJA E DEMOKRATËVE

Në përgjigjen në emër të demokratëve, ish guvernatori i shtetit Kentucky, Steve Beshear tha: “Presidenti Trump ka injoruar kërcënimin serioz ndaj sigurisë sonë kombëtare nga ana e Rusisë, e cila nuk është mikja jonë, duke na larguar nga aleatët, të cilët kanë luftuar me ne krah-për-krah dhe janë miqtë tanë në një botë të rrezikshme.”

Zoti Beshear tha se presidenti mundet dhe duhet të zbatojë ligjet e imigracionit. Por ne, – tha ai, – mund ta mbrojmë Amerikën pa braktisur parimet tona dhe detyrimin tonë moral për të ndihmuar ata që ikin nga lufta dhe terrori, pa ndarë familjet dhe pa kërcënuar në mënyrë të panevojshme ushtarakët tanë, burra e gra, që luftojnë jashtë vendit.

Në emër të demokratëve u përgjigj edhe Astrid Silva, aktiviste e imigracionit, e cila foli spanjisht. Ajo tha se emigrantët dhe refugjatët janë shpirti dhe premtimi i këtij vendi. “Ne nuk jemi vetëm,” – tha ajo.

SHBA thirrje Maqedonisë të krijojë pa vonesë qeverinë

Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje të martën udhëheqësve të Maqedonisë të formojnë pa humbur kohë qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet e 11 dhjetorit.

Qeveria e re, shprehet përmes një deklarate zëdhënësi në detyrë i Departamentit të Shtetit, Mark Toner, do të ndihmojë për t’i dhënë fund krizës politike, që ka dëmtuar rëndë përparimet ekonomike dhe demokratike të vendit, si dhe integrimin Euro-Atlantik.

Uashingtoni u bën thirrje gjithë partive të vënë në radhë të parë interesat e Maqedonisë dhe qytetarëve të saj dhe të zbatojnë plotësisht angazhimet që rrjedhin nga marrëveshja e Përzhinës.

Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët e Bashkimit Evropian dhe NATO-n, po ndjekin nga afër procesin e formimit të qeverisë së re, thekson zëdhënësi i Demartamentit të Shtetit.

Kryetari i Partisë Social Demokrate, Zoran Zaev, i dorëzoi dje presidentit Gjeorgje Ivanov listën me numrin e duhur të deputetëve për të formuar qeverinë, pas dështimit të kryetarit të VMRO-DPMNE-së, që ndonëse fitoi në zgjedhje, nuk arriti të krijonte një koalicion qeverisës.

Zoti Zaev, është në pritje të marrjes së mandatit për formimin e qeverisë nga presidenti Ivanov, kabineti i të cilit tha të hënën se presidenti pritet të marrë një vendim së shpejti në se do t’ia japë apo jo mandatin zotit Zaev. Presidenti Ivanov ka thënë më parë se partia që pretedon të formojë qeverinë, përveç sigurimit të 61 deputetëve, duhet të dorëzojë edhe programin përmes të cilit të garantojë ruajtjen e sistemit unitar të shtetit.

Fati i qeverisë së ardhshme në Maqedoni është në duart e partive shqiptare, nga të cilat Bashkimi Demokratik për Integrim ka marrë numrin më të madh të vendeve në parlament. Përmes një qëndrimi të përbashkët, 3 parti shqiptare kanë paraqitur një sërë kushtesh për të mbështetur koalicion qeverisë, ku kryesorja është avancimi i përdorimit të gjuhës shqipe.

Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim bënë të ditur se qëndrimet e tyre ishin përafruar, por marrëveshja nuk është bërë ende e ditur.

Negociatat mes tyre pritet të vazhdojnë pas dhënies së mandatit nga presidenti. BDI ende nuk e ka shprehur të qartë qëndrimin e saj në se do të jetë pjesë e qeverisë, apo vetëm do të japë mbështetjen për krijimin e saj, por pa u bërë pjesë e bashkë-qeverisjes, duke e lënë partinë social demorkate si një qeveri të pakicës.

Përkrahës të partisë VMRO-DPMNE ndërkohë kanë filluar prej dy ditësh protesta në Shkup kundër asaj që e quajnë federalizim të Maqedonisë, duke kundërshtuar zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe.

Trumpi, për herë të parë, mban fjalim para Kongresit

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë premtuan se adresimi i parë i presidentit Donald Trump në Kongres, “do të bazohet fuqishëm në zgjidhjen e problemeve të vërteta për njerëzit e vërtetë”.

“Presidenti do t’ua bëjë me dije se ndihma është në rrugë e sipër”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.

Trump do t’iu adresohet të dyja dhomave të Kongresit të martën në mbrëmje.

Adresimi, i titulluar “Përtëritja e frymës amerikane”, do të jetë në radhë të parë për “mundësitë ekonomike dhe mbrojtjen e popullit amerikan”, tha Spicer.

“Do të dëgjoni shumë edhe për emigrimin”, tha ai.

Rezistenca ndaj presidentit Trump

Pushimi i parë i kongresit gjatë administratës së presidentit Trump, i vendosi shumë ligjvënës republikanë në pozita të vështira, pasi në takimet në bazë, u përballën me pyetje të vështira nga votuesit e zemëruar me propozimet për të ndryshuar ligjin për shërbimin shërndetësor dhe të tjera çështje. Korrespondetja e “Zërit të Amerikës” Katherine Gypson udhëtoi drejt Arizonës, një nga bastionet e republikanëve, për të parë nëse kjo lëvizje në rritje qytetare, do të ketë ndikim kur ligjvënësit të rikthehen në Kongres.

Grupe demokratësh po zhvillojnë protesta të rregullta përpara zyrës së senatorëve republikanë Jeff Flake dhe John McCain, në atë që njihet si “Qëndresa ndaj Trumpit” që zhvillohet çdo të martë.

Legjislativi duhet t’i kërkojë llogari dhe t’i kujtojë atij se ai nuk është biznesmen por presidenti i Shteteve të Bashkuara.

Por në kushtet kur senatorët nuk zhvillojnë asnjë aktivitet publik gjatë këtyre ditëve të pushimit, mundësia e vetme e protestuesve është të shkojnë në zyrat e tyre për përgjigje.

Tensioni shtohet kur drejtuesja e këtij grupi protestuesish Tanya Luken përpiqet të bëjë pyetje lidhur me shërbimin shëndetësor, të emëruarit e kabinetin dhe lidhjet e presidentit Trump me Rusinë.

Frymëzim për protestuesit, në përbërje të të cilëve ka shumë që protestojnë për herë të parë, është lëvizja republikane “Tea Party”. Kjo lëvizje përdori të njëjtat taktika ndaj ligjvënësve gjatë administratës së presidentit Obama.

Ata duhet të përfaqësojnë të gjithë njerëzit, jo vetëm ata që votuan për ta”.

Në shtete të njohura për mbështetjen e fortë ndaj Partisë Republikane është e pazakontë që ligjvënësit të kundërshtojnë zotin Trump. Por grupet e protestuesve në gjithë vendin argumentojnë se ata meritojnë të dëgjohen.

Protestuesit mbushën takimet e ligjvënësve në bazë, për të kërkuar përgjigje. Por 200 ligjvënës republikanë nuk pranuan të zhvillojnë takimet publike. Aktivistët i vazhduan protestat e tyre gjithsesi.

Demokratët në distriktin konservator të ligjvënësit Paul Gosar dolën në rrugë pasi ai anuloi takimin me bazën.

Marshimi i tyre drej zyrës së ligjvënësit tërhoqi dhe mbështetës të tij, që thanë se zoti Gosar dhe presidenti Trump përfaqësojnë vlerat e kësaj zone.

I gjendur rastësisht aty, Terry Curtin votues i zotit Trump tha se ndaloi për të dëshmuar mbështetjen ndaj presidentit.

Lëvizja “Tea Party” u krijua për të ndryshuar Partinë Republikane nga brenda, kjo nuk ka fare të bëjë me atë. Kjo është vetëm për të sulmuar Trumpin dhe kaq.

Por organizatori Dave Coward thotë se lëvizja do të shpërndajë apelin e saj tek republikanët e moderuar dhe të pavarurit.

Nuk mendoj se do të durojnë gjatë. Nuk mendoj se ai apo ndonjë republikan në këtë shtet duhet të ndihet i qetë sepse do të ketë rplasje të ashpër”.

Këto janë ato çfarë mbeten nga një javë proteste. Votuesit shpresojnë se shqetësimet tyre do të jenë shqetësimet e ligjvënësve kur ata të rikthen në punë në Washington.

Trumpi thotë se Obama qëndron prapa disa protestave politike

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka thënë se beson që ish-presidenti Barack Obama, qëndron pas disa protestave të organizuara kundër republikanëve në mbarë vendin.

Gjatë një interviste televizive më 28 shkurt, pak orë para se t’i adresohet Kongresit, Trump është përgjgjur në pyetjen lidhur me protestat, duke thënë se “besoj se presidenti Obama është prapa sepse njerëzit e tij, sigurisht janë prapa” protestave, ka thënë presidenti Yrump.

Gjatë intervistës, presidenti ka mohuar se në Shtëpinë e Bardhë është në zhvillimin e sipër procesi i rrjedhjes, pas raporteve se sekretari për media Sean Spicer, i ka kontrolluar telefonat e stafit të Shtëpisë së Bardh5, për dyshime për rrjedhje.

Trump, duke folur për Fox News ka shtuar se beson që besnikët e Obamës qëndrojnë pas këtyre rrjedhjeve të Shtëpisë së Bardhë.

“Gjithashtu e kuptoj se kjo është politike. Në kuptimin që ai po qëndron prapa gjërave, kjo është politikë. Kjo gjë me gjasë do të vazhdojë”, ka shtuar Trump.

Presidenti Trump kërkon rritje me 10 për qind të buxhetit për mbrojtjen

Presidenti Donald Trump kërkoi të hënën një rritje vjetore prej 54 miliardë dollarësh për shpenzimet e mbrojtjes, duke e përshkruar rritjen prej 10 për qind nga buxheti i mëparshëm i mbrojtjes, si një ngjarje historike. Ky është një mesazh që synon ta sigurojë botën për “fuqinë, sigurinë dhe vendosmërinë e Amerikës”, – tha ai.

Duke folur në një takim që pati në Shtëpinë e Bardhë me guvernatorët e shteteve amerikane, presidenti Trump tha se “Ne duhet të sigurohemi që burrat dhe gratë, pjesëtarë të forcave tona të armatosura t’i kenë mjetet e nevojshme që kur të thirren për të luftuar në emrin tonë, të shënojnë vetëm fitore”.

Presidenti i ri amerikan tha se Shtetet e Bashkuara duhet të fillojnë përsëri t’i fitojnë luftrat, duke kujtuar që në vitet e rinisë të tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, amerikanët mburreshin se vendi “nuk kishte humbur kurrë në luftë”.

“…Dhe tani ne nuk e fitojmë asnjëherë luftën”, tha zoti Trump. Vitet e fundit ne nuk kemi luftuar për të fituar, prandaj këtej e tutje ne do të luftojmë vetëm për të fituar”, – tha ai.

Zoti Trump tha se ai do t’i saktësojë më mirë përparësitë e buxhetit, gjatë fjalimit që do të mbajë të martën në mbrëmje para Kongresit. Ai shtoi se “rritja e buxhetit të Pentagonit do të shërbejë për fuqizimin e ushtrisë amerikane të lënë pa mjetet e nevojshme, në një kohë kur vendi ka shumë nevojë.”

Zyrtarë të buxhetit i thanë gazetarëve se me rritjen e madhe të shpenzimeve për mbrojtjes, do të ketë shkurtime të disa programeve të ndihmave brenda dhe jashtë vendit. Administrata Trump ka në plan t’i bëjë të njohura nivelet e shpenzimeve për disa agjenci qeveritare në një dokument që do t’ja paraqesë Kongresit muajin e ardhshëm dhe më vonë do të paraqesë propozime për shkurtimin e taksave.

Trump tha se shifrat e buxhetit janë të komplikuara, pasi Kongresi fillimisht do të duhet të merret me zhbërjen dhe zëvendësimin e reformës së shërbimit shëndetësor të Presidentit Obama, të njohur si Obamacare, për të përcaktuar shpenzimet e qeverisë për shërbimin shëndetësor në vitin fiskal që fillon më 1 tetor.

Zoti Trump tha se “Obamacare është një plan i dështuar.”

Por zhbërja dhe zëvendësimi i ligjit është i komplikuar dhe fati i tij në Kongres është i paqartë. Zoti Trump nuk është shprehur për detajet, sipas të cilave ai do ta ndryshojë ligjin.

Gjatë fushatës, zoti Trump premtoi në mënyrë të përsëritur mbështetjen për ushtrinë dhe të premten ai u zotua të zbatonte “një ndër fuqizimet më të mëdha ushtarake në historinë e Amerikës”.

Presidenti tha se nuk do të ketë shkurtime të programeve në mbështetje të të moshuarve me pensione dhe kujdes shëndetësor.

Propozimet që dolën sot mund të ndryshojnë gjatë procesit të gjatë të hartimit të projekt-buxhetit për vitin fiskal 2018 që fillon në tetor të këtij viti.

Agjencitë amerikane paraqesin propozimet e tyre mbi nevojat e tyre dhe buxhetin që u nevojitet për të përmbushir misionet e tyre; fjala e fundit i takon Kongresit për të miratuar shpenzimet federale.

Uashington, thirrje për hetime mbi ndikimin e Rusisë në zgjedhjet amerikane

Në Uashington, po shtohen thirrjet nga të dyja partitë për një hetim të pavarur mbi përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në zgjedhjet amerikane dhe mbi çdo lidhje mes Moskës dhe rrethit të ngushtë të presidentit Donald Trump. Shtëpia e Bardhë po përpiqet të shmangë shkallëzimin e polemikave, ndërkohë që presidenti përgatitet të flasë për herë të parë përpara Kongresit.

Në fjalimin e përjavshëm të shtunën, presidenti Donald Trump foli për mesazhin që do të japë nesër mbrëma mbi ekonominë.

“Ne do të punojmë për të rikthyer vendet e punës, e kam fjalën për vende pune të paguara mirë.”

Por vemendja vazhdon të jetë tek probleme të tjera të mëdha, si Rusia.

“Ne duhet të hetojmë aktivitetet e tyre dhe duhet ta bëjmë këtë, sepse janë njerëz të këqij,” shprehet Kongresmeni republikan Darrell Issa, i cili u është bashkuar demokratëve në thirrjet për një hetues të posaçëm, të pavarur nga Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions, që është njeri i besuar i zotit Trump.

“Zoti Jeff Sessions ishte mbështetës i zotit Trump në fushatë, prandaj duhet një hetues i posaçëm. Nuk mjafton vetëm tërheqja e zotit Sessions, çështja nuk mund t’i lihet as zëvendësit të tij,” tha zoti Issa.

“Jemi jashtëzakonisht të sigurt se, çfarëdo hetimi që të bëhet, ata të gjithë do të arrijnë në të njëjtin përfundim; se ne nuk jemi përfshirë në një ndërhyrje të rusëve në zgjedhje,” tha një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Shtëpia e Bardhë thotë se është koha për ta lënë pas këtë çështje.

“Vjen një pikë kur ne duhet të ecim përpara dhe të përqendrohemi te gjërat që i interesojnë popullit amerikan. Kemi folur kaq herë për këtë çështje, jemi pyetur dhe jemi përgjigjur.”

Por demokratët nuk pajtohen.

“Prokurori i Përgjithshëm duhet të tërhiqet vetë nga hetimi. Le të bëhet një hetim për të gjetur të vërtetën,” thotë demokratja Nacy Pelosi.

Disa komisione të Kongresit të udhëhequra nga republikanët kanë filluar të hetojnë rreth aktiviteteve ruse.

“Le të shohim si do të shkojë. Debatet janë mënyra e duhur për të vazhduar,” thotë kongresmeni republikan Jim Jordan.

Ndërkohë, Presidenti Trump nuk po e fsheh zemërimin rreth kësaj polemike që nuk po i ndahet si dhe rreth mbulimit të saj nga mediat.

Ish-presidenti Bush flet për Trumpin dhe Rusinë

Ish-presidenti i SHBA-së, George W. Bush, ka thënë sot se “të gjithë ne kemi nevojë për përgjigje” në lidhje me shtrirjen e kontakteve mes presidentit Donald Trump dhe Qeverisë së Rusisë.

Po ashtu, Bush e ka mbrojtur rolin e mediave për t’i mbajtur nën kontroll liderët botërorë, transmeton Express.

Në një intervistë me NBC, Bush ka thënë se do t’i besojë kryetarit të panelit të Senatit të Inteligjences, Richard Burr, për të vendosur nëse prokurori special është i nevojshëm për t’i hetuar kontaktet e dyshuara të Trumpit me rusët.

“Mendoj se të gjithë ne kemi nevojë për përgjigje… nuk jam i sigurt se cila është rruga e drejtë për t’u marrë. Por, megjithatë jam i sigurt se në këtë pyetje duhet përgjigjur,” ka thënë Bush.

Bush e ka mbrojtur edhe rolin e mediave për t’i mbajtur nën kontroll liderët botërorë, gjithashtu.

“Pushteti mund të jetë adiktiv. Është e vështirë t’u thuash të tjerëve që të kenë një shtyp të pavarur dhe lirë, kur vetë nuk e ke vullnetin për ta pasur një të tillë,” ka shtuar Bush.

Rriten tensionet, Trumpi i jep ultimatum Putinit

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Rusisë “që menjëherë” ta monitorojë marrëveshjen për armëpushim në pjesën lindore të Ukrainës, duke thënë se forcat e kombinuara të ushtrisë ruse dhe separatistët e mbështetur nga Rusia atje, i kanë marrë në shënjestër vëzhguesit ndërkombetarë.

Në kumtesën e sotme, Departamenti amertikan i shtetit, i ka bërë thirrje “Rusisë dhe forcave separatiste, që ajo i mbështet, që menjëherë të monitorohet armëpushimi, të tërhqien armatimet e rënda dhe të lejohet qasje e plotë dhe e papenguar”, në rajon për vëzhguesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Kjo thirrje e Uashingtonit u bë një ditë pasi misioni monitorues i OSBE-së tha se personat e armatosur në territorin nën kontroll të separatistëve, në pjesën veriore të Donjeckut, e kanë konfiskuar një fluturake pa ekuipazh, të cilën monitoruesit e përdorin për regjistrimin e shkeljeve të armëpushimit.

Kjo ndodhi një ditë pasi qeveria e Ukrainës tha se 16 ushtarë të saj ishin plagosur brenda 24 orëve të mëparshme, nga luftimet e ripërtria kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia, në pjesën lindore të Ukrainës, përkundër armëpushimit të ri, që mendohej se kishte hyrë në fuqi më 20 të këtij muaji.

Kievi dhe separatistët e mbështetur nga Rusia e fajësojnë njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit.

REL

Shtëpia e Bardhë përpiqet të hedhë poshtë thirrjet për hetim për Rusinë

Ndërsa Presidenti Donald Trump përgatitet për fjalimin e tij të pare para Kongresit amerikan, Shtëpia e Bardhë u përpoq të dielën që të zmbrapste thirrjet më të fundit për një hetim të pavarur të përpjekjeve ruse për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit që kaloi dhe të çdo lidhjeje të mundshme mes Moskës dhe rrethit të afërt të Presidentit.

“Ne jemi jashtëzakonisht të bindur që çfarëdo analize të bëhet, të gjithë do të arrijnë në të njëjtin përfundim: se ne nuk kishim asnjë rol në ndërhyrjen ruse”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders në emisionin “This Week” të televizionit ABC.

Të premten, kongresmeni republikan nga Kalifornia, iu bashkua demokratëve në thirrjen për një prokuror të posaçëm që të mos jetë i ekspozuar ndaj ndikimit të Prokurorit të Përgjithshëm, Jeff Sessions, një njeri i besuar Presidentit Trump.

“Sessions, mori pjesë në fushatë dhe është i emëruari i tij. Duhet të përdoret statuti i një prokurori të posaçëm dhe jo vetëm të përjashtohet Sessions nga mundësia e hetimit, por që të mos mund t’ia japë këtë rol as zëvendësit të tij”, tha zoti Issa në emisionin “Real Time with Bill Maher” të televizionit HBO.

“Ne duhet të hetojmë aktivitetet ruse, sepse bëhet fjalë për njerëz të këqinj”, tha ai.

Shtëpia e Bardhë tha se amerikanën kanë shqetësime më urgjente.

“Vjen një moment kur duhet ta lëmë pas këtë çështje dhe të fillojmë të merremi me çështje që kanë rëndësi për popullin amerikan. Dhe nuk mendoj se kjo është një prej tyre. Ne kemi folur vazhdimisht për këtë temë. Jemi pyetur dhe jemi përgjigjur”, tha zonja Sanders.

Demokratët nuk po tërhiqen.

“Prokurori i Përgjithshëm duhet ta përjashtojë veten. Le të kemi një hetim dhe të zbulojmë të vërtetën”, tha udhëqësja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi në emisionin “This Week”.

Disa komisione të kongresit të drejtuara nga republikanët por i hetojnë aktivitetet e rusëve, ashtu si edhe Departamenti i Drejtësisë.

Sido që të jetë ecuria e hetimeve, zoti Trump nuk e ka fshehur zemërimin lidhur me këtë debat ose me pasqyrimin e tij në media.

“Këto zëra për Rusinë janë LAJME TË RREME të nxitura nga demokratët dhe të fryra nga media, për të maskuar disfatën e thellë në zgjedhje dhe rrjedhjet e paligjshme të informacionit”, shkruante presidenti të dielën në Twitter.

Agjencitë amerikane të zbulimit kanë arritur në përfundimin se Rusia ndërhyri në zgjedhjet amerikane duke depërtuar në emailet e Komitetit Kombëtar Demokrat dhe duke i bërë ato publike, si edhe duke përhapur njoftime të rreme që kishin si synim të dëmtonin reputacionin e kandidates demokrate për Presidente, Hillary Clinton.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Michael Flynn dha dorëheqjen vetëm 24 ditë pasi kishte marrë detyrën, pasi u kishte dhënë informacion jo të saktë nënpresidentit Mike Pence dhe zyrtarëve të tjerë të Shtëpisë së Bardhë lidhur me kontaktet e tij të shpeshta me ambasadorin rus Sergey Kislyak gjatë periudhës së tranzicionit para inaugurimit të Presidentit Trump.

Presidenti Trump nuk merr pjesë në darkën e korrespondentëve

Presidenti Trump në zyrën e tij në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti amerikan, Donald Trump, i përfshirë në raporte kundërthënëse me media, e ka thyer traditën duke thënë se nuk do të merr pjesë në Darkën e korrespondentëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Nuk do të marrë pjesë në Darkën e Asociacionit të Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë këtë vit”, ka shkruar dje Trump në rrjetin Twitter dhe ka shtuar se “uron që të gjithë të kenë një mbrëmje të mrekullueshme”.

Zoti Trump disa herë i ka sulmuar organizatat udhëheqëse mediale në Shtetet e Bashkuara, duke i akuzuar ato për raportim të “lajmeve të rrejshme” dhe shumë prej tyre i ka quajtur “armiq të popullit amerikan”.

Duke pasur parasysh raportet problematike, shumë gazetarë kanë thënë se po e shqyrtojnë mundësinë që të mos marrin pjesë në darkën, që organizohet më 29 prill në Uashington.

Njoftimi i presidentit Trump për mospjesëmarrje në këtë darkë, u bë një ditë pasi Shtëpia e Bardhë i ka përjashtuar disa gazetarë të mediave udhëheqëse nga një takim joformal në Shtëpinë e Bardhë. Ky veprim është kritikuar ashpër nga shumë organizata të lajmeve.

Nju-Orlins: Një shofer me makinë e goditi turmën e njerëzve

Ilustrim nga parada Mardi Gras

Policia në Nju-Orlins të Shteteve të Bashkuara thotë se një person, që duket se ishte “i dehur në shkallë të lartë” me makinën e tij e ka goditur turmën e njerëzve që e shikonin një paradë, duke i lënduar 28 vetë.

Shefi i policisë, Michael Harrison, tha mbrëmë vonë se i dyshuari është arrestuar dhe ndaj tij po zhvillohen hetime për drejtim të makinës në gjendje të dehur.

“Ne kemi dyshime se ky person ishte i dehur në shkallë të lartë”, tha zoti Harrison, i pyetur se a mendon se incidenti ishte i ndërlidhur me terrorizëm.

Zyrtarët thanë se 21 persona janë dërguar në spitalet lokale, ndërsa të tjerët janë nën kontroll.

Një zyrtar mjekësor tha se në mesin e të lënduarve ka edhe fëmijë të moshës 3 – 4 vjeçare.

Mijëra njerëz tubohen në rrugët e Nju-Orleansit për festimet tradicionale të njohura me emrin, Mardi Gras.

Tom Perez, kreu i ri i demokratëve amerikanë

Partia Demotratike në Shtetet e Bashkuara zgjodhi si kryetar të saj, ish-Sekretarin e Punës në administratën e ish-Presidentit Barack Obama, Tom Perez.

Ai do të ketë detyrën e vështirë të rikonsolidimit të Partisë Demokrate, pas disfatës në zgjedhjet presidenciale, që i fitoi Republikanë Donald Trump.

447 anëtarë të Komitetit Kombëtar Demokrat votuan të shtunën në Atlanta. Një nga kandidatët e tjerë kryesorë ishte kongresmeni nga Minnesota Keith Ellison.

Fitorja e zotit Perez, bir emigrantësh domenikanë, shihet si një humbje për krahun më liberal të partisë, pasi ai ishte kandidati i pjesës më konvencionale të partisë.

Disa analistë politikë e kishin konsideruar votën si një betejë mes krahur të ish-rivalëve presidencialë Hillary Clinton dhe Bernie Sanders.

McMaster: Terroristët po korruptojnë Islamin

Gazeta New York Times shkruan se këshilltari i ri i Sigurimit Kombëtar i ka thënë stafit të tij se myslimanët që kryejnë akte terroriste korruptojnë Islamin; një largim nga pozita ideologjike e mbajtur nga këshilltarë të tjerë të lartë të presidentit Donald Trump.

Sipas gazetës New York Times, gjeneral-lejtnanti H.R. McMaster u tha anëtarëve të Këshillit të Sigurimit Kombëtar se përdorimi i termit “terrorizëm islamik radikal” ishte kundërproduktiv, sepse veprimet e terroristëve janë jo-islamike.

Sipas njerëzve që morën pjesë në takim, zotit McMaster i bëri këto vërejtje të enjten në mbledhjen e parë me stafin e tij.

Komentet e tij janë shenjë e hershme se ai mund ta distancojë Këshillin e Sigurimit nga pikëpamjet ideologjike të paraardhësit të tij, Michael Flynn.

Shkalla e ndikimit të zotit McMaster për këtë çështje mbetet për t’u parë në Shtëpinë e Bardhë, ku disa këshilltarë të lartë të presidentit kanë perceptim të ndryshëm të Islamit. Strategu kryesor Stephen Bannon, për shembull, ka paralajmëruar për një betejë të afërt mes botës judeo-të krishterë dhe Islamit.

Dallimet në qëndrimet e mbajtura nga këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë mund të ekspozohen publikisht vetëm nëse Komisioni i Senatit për forcat e armatosura vendos të mbajë një seancë konfirmimi për zotin McMaster. Këshilltari i sigurimit kombëtar nuk kërkon konfirmimin e Senatit, por senatorëve u duhet të votojnë për miratimin e gradës së tij të gjeneralit me tre yje për pozitën e re. Kryetari i Komisionit, senatori John McCain, nuk ka thënë nëse do të zhvillojë një seancë të tillë konfirmimi.

SHBA: Diplomati Fried ka tërhequr vërejtjen për izolacionizëm dhe agresion rus

Diplomati amerikan, Daniel Fried, që ka shërbyer një kohë të gjatë, ka tërhequr vërejtjen kundër izolacionizmit dhe agresionit rus, gjatë fjalimit me rastin e pensionimit të tij.

Ambasadori Daniel Fried, tha mbrëmë vonë se përfitimet për liri dhe demokraci, që u arritën nga perëndimi pas “fitores së pabesueshme në Luftën e Ftohtë”, tash janë në rrezik për shkak të kombinimit të dobësimit të besimit dhe unitetit në perëndim dhe për shkak të agresionit rus.

“Institucionet e mëdha perëndimore, NATO-ja dhe BE-ja, u zhvilluan për t’i mbështetur 100 milionë evropianë të çliruar”, tha Daniel Fried, i cili ka shërbyer për afro 40 vjet në detyrën e ambasadorit në ish-Bashkimin Sovjetik dhe Poloni, para se të bëhej ndihmës sekretar shteti për Evropën.

“Kam mëusar që asnjëherë të mos nënçmohet mundësia e ndryshimit”, tha ai dhe shtoi se “asgjë nuk mund të merret si e garantuar dhe kjo e arritur e madhe tash është nën sulm nga Rusia”.

“I takon gjeneratës aktuale për tu mbrojtur dhe, kur përsëri të jetë koha, ta zgjeroj lirinë në Evropë”, tha zoti Fried.

Ai ka tërhequr vërejtjen, po ashtu, kundër asaj që Shtetet e Bashkuara të fokusohen përbrenda vetvetes, duke e lejuar dëshirën e Rusisë dhe Kinës për të dominuar në rajonet e tyre të botës.

“Sferat e ndikimit…do të nënkuptonin pranim të heshtur kur fuqitë e mëdha, duke filluar nga Rusia dhe Kina, i dominojnë fqinjët e tyre nëpërmjet forcës dhe frikës, derisa krijojnë perandori të mbyllura ekonomike”, tha Daniel Fried.

Kritikohet Shtëpia e Bardhë, përjashton disa media nga takimi me gazetarët

Shtëpia e Bardhë u vu në shënjestër të kritikave të ashpra, për shkak se nuk lejoi një numër mediash të merrnin pjesë në një sesion të përditshëm me pyetje-përgjigje me sekretarin e shtypit, Sean Spicer.

Disa organizata lajmesh, kritike ndaj presidentit Donald Trump, si CNN dhe New York Times, ishin mes mediave që nuk u lejuan të mbulonin konferencën me gazetarët.

Ndërkaq u lejuan disa organizata mediatike që shihen si më të favorshme ndaj zotit Trump, duke përfshirë Breitbart News, One Amerika News Network dhe Washington Times.

U lejuan gjithashtu disa media si ABC, CBS, NBC dhe Fox. Të tjerë, si Associated Press, refuzuan të marrin pjesë, në solidaritet me ata që u përjashtuan.

Takimi me gazetarët, ku nuk u lejuan kamerat, u mbajt në zyrën e zotit Spicer dhe zëvendësoi konferencën e përditshme të shtypit që jepet në prani të kamerave dhe ku marrin pjesë të gjitha mediat e akredentuara.

Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, organizatë e gazetarëve që mbulojnë presidentin, publikoi një deklaratë ku qortonte ashpër Shtëpinë e Bardhë.

“Bordi i Shoqatës proteston me forcë ndaj mënyrës se si po organizohet takimi i sotëm me gazetarët nga Shtëpia e Bardhë,” tha presidenti i Shoqatës, Jeff Mason. “Ne inkurajojmë organizatat që u lejuan të ndajnë materialet e tyre me përfaqësuesit e tjerë të shtypit që nuk ishin të pranishëm. Bordi do ta diskutojë çështjen më tej me stafin e Shtëpisë së Bardhë,” thuhej në deklaratë.

Editori ekzekutiv i gazetës New York Times, Dean Baquet, tha: “Asgjë e këtij lloji nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë në Shtëpinë e Bardhë, në historinë tonë të gjatë të mbulimit të administratave të shumta të partive të ndryshme.”

Në një deklaratë, drejtori për marrëdhëniet me median i agjencisë së lajmeve Associated Press tha: “Associated Press beson se publiku duhet të ketë sa më shumë qasje që është e mundur tek presidenti.”

Administrata Trump është kritikuar edhe më parë se është përpjekur të anashkalojë disa media që i sheh si jo miqësore.

Në një koment në Twitter javën e kaluar, zoti Trump përfshiu organizatat e lajmeve New York Times, NBC, ABC, CBS, CNN në një listë mediash që ai i quajti “armike të popullit.”

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk i janë përgjigjur kërkesës së Zërit të Amerikës për koment.

Trumpi përsërit sulmet ndaj medias. Reagon “Washington Post”

Presidenti Donald Trump përsëriti sulmin ndaj medias gjatë fjalimit në Konferencën Konservatore për Veprim Politik, duke thënë se gazetarët nuk duhet të lejohet të përdorin burime anonime në njoftimet e tyre.

Duke folur para një audience prej mijëra mbështetësish në takimin më të madh vjetor të konservatorëve, zoti Trump akuzoi përfaqësuesit e medias se kanë sajuar burime anonime për lajmet e tyre kritike në adresë të presidentit, sipas tij, për t’a bërë atë të duket keq.

Jam kundër njerëzve që shpikin lajme dhe burime. Ata nuk duhet të lejohen të përdorin burime, përjashtuar rastet kur publikojnë emrat e tyre”, tha zoti Trump duke shtuar se “nuk do të ketë më burime”.

Zakonisht gazetarët përdorin burimet anonime në lajme ku subjekti është i një natyre konfidenciale, në mënyrë që burimi të mund të shmangë pasojat mbi të.

Zoti Trump iu referua në mënyrë specifike një shkrimi të publikuar këtë muaj në “Washington Post”. Në të citohen 9 zyrtarë të administratës, të tanishëm dhe të kaluar, të kenë thënë se ish-këshilltari për sigurinë kombëtare Michael Flynn keqinformoi lidhur me bisedën që zhvilloi me ambasadorin rus në Uashington, për sanksionet amerikane ndaj Rusisë.

Zoti Trump tha se 9 burimet u shpikën nga gazetarët që bënë shkrimin.

Ata sajojnë burime. Ata janë njerëz vërtet të pandershëm”, tha zoti Trump.

Presidenti tha se askush nuk e do më shumë sesa ai amendamentin e parë të Kushtetutës amerikane, por ai shtoi se gazetarët fshihen pas mbrojtjes që garanton Kushtetuta për të publikuar gënjeshtra ndaj tij.

Shumë prej këtyre grupeve mediatike, janë pjesë e korporatave të mëdha të medias që kanë agjendën e tyre, që nuk është e juaja”, tha zoti Trump. “Nuk përfaqëson popullin, nuk do t’a përfaqësojë ndonjëherë dhe ne do të bëjmë diçka për këtë”.

Përgjigjet “Washington post”

Menjëherë pas fjalimit të presidentit, drejtori i gazetës “Washington post” Marty Baron iu përgjigj komenteve të zotit Trump, duke dalë në mbështetje të shkrimit që është provuar, sipas tij, nga raportime të regjistruara. ‘

Shkrimi çoi menjëherë në shkarkimin e këshilltarit të sigurisë. T’i quash raportet e gazetarëve të rreme, kjo nuk i bën ato të tilla”, shkruan zoti Barron.

Mbështetës të zotit Trump me të cilët “Zëri i Amerikës” foli pas fjalimit të tij thanë se ata janë dakord me presidentin kur shprehet se disa gazetarë sajojnë burime me qëllim dëmtimin e tij.

Hunter Dworksy, ish drejtor për fushatën e zotit Trump në Delaware, tha se fjalët dhe veprimet e zotit Trump janë keqinterpretuar në mënyrë të vazhdueshme nga korporata të tilla mediatike si CNN dhe NBC. Ai tha se zoti Trump u drejtohet atyre, sepse ata po dëmtojnë pasurinë e tij më të madhe, aftësinë për t’u lidhur me njerëzit.

Ai flet me ty. Ai të godet në zemër dhe pikërisht kështu e përcjell ai mesazhin,” tha Dworksy.

Ariel Kohane, zyrtar i republikan nga Manhattani dhe anëtar i grupit të hebrejve për Trumpin, tha se është i kënaqur të ketë një udhëheqës që është i gatshëm të kritikojë gazetarët, kur ai mendon se kanë keqinterpretuar të vërtetën.

Le të merremi me faktet dhe ne do t’i kërkojmë medias llogari për këtë,” tha ai.

Zoti Trump specifikoi se ai nuk mendon se e gjithë media është siç e cilësoi “armik i popullit”, por vetëm “media e lajmeve të rreme”, e cila siç tha, përfaqëson një pjesë të vogël të gazetarëve, që në mënyrë të vazhdueshme deformojnë fjalët e tij.

Në fakt, në mbulimin e komenteve të mia, mediat e pandershme nuk e shpjeguan që unë quajta lajmet e rreme armik të popullit, lajmet e rreme“, tha Trump.” Ata hoqën fjalën ‘e rreme’ dhe papritur lajmi u bë media është armiku“, u shpreh presidenti.

Vizioni konservator

Pas sulmeve mbi përfaqësues të medias, zoti Trump shpalosi vizionin e tij lidhur me lëvizjen konservatore. Ai tha se përfaqëson idenë se “ne jemi një vend, që vendos dhe do të vazhdojë të vendosë të parat, interesat e qytetarëve të vet”.

Kjo entuziazmoi pjesmarrësit në konferencë që shpërthyen në duartrokitje dhe thirrje mbështetëse.

Zoti Trump tha se ndërtimi i murit në pjesën jugore të vendit do të nisë shumë shpejt dhe se ndërtimi i tij do të nisë shumë më herët seç është parashikuar.

Presidenti foli shkurtimisht mbi politikën e tij të imigracionit që synon, siç tha, të largojë kriminelët nga vendi, trafikantët e drogës, vrasësit.

Nuk do të lejojmë kthimin e tyre”, tha zoti Trump për ata njerëz të cilët janë deportuar sipas rregullave të reja të administratës së tij mbi emigracionin e paligjshëm. “Nëse ata kthehen, do t’a pësojnë më keq seç e kanë imagjinuar”, tha ai.

Fjalimi i zotit Trump ishte pjesa më e rëndësishme konferencës dhe i dha asaj një frymë të re më energjike, nisur dhe nga fakti që republikanët kontrollojnë për herë të parë pas 10 vitesh si Shtëpinë e Bardhë ashtu edhe Kongresin.

SHBA, myslimanët kërkojnë që Trumpi të trajtojë shqetësimet e tyre

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dënoi haptazi këtë javë anti-semitizmin, pas një sërë kërcënimesh me bombë ndaj qendrave komunitare hebraike. Por, shumë amerikanë myslimanë janë të zemëruar që Presidenti nuk ka vepruar kështu edhe për të trajtuar shqetësimet nga ndjenjat në rritje kundër myslimanëve.

Presidenti Donald Trump ishte kritikuar se nuk pati shfrytëzuar disa mundësi për të dënuar një rritje të anti-semitizmit. Ditën e martë, ai u tregua i drejtpërdrejtë:

“Kërcënimet anti-semite që kanë në objektiv komunitetin tonë hebraik dhe qendrat komunitare, janë të tmerrshme dhe të dhimbshme.”

Shumë myslimanë amerikanë shpresojnë tashmë që Presidenti të veprojë në mënyrë të ngjashme për të trajtuar shqetësimet për incidentet në rritje anti-myslimane në mbarë vendin. Por, ata nuk janë optimistë.

“Presidenti ka qenë i heshtur dhe që nga zgjedhjet ka patur një seri krimesh urrejtjeje ndaj minoriteteve fetare, etnike dhe racore, që u tregojnë njerëzve se duhet bërë më shumë”, thotë Corey Saylor, i Këshillit mbi Marrëdhëniet Myslimano-Amerikane.

Zoti Saylor thotë se fjalët duhet të shoqërohen edhe me gjeste, si p.sh. kur Nënpresidenti amerikan Mike Pence ndihmoi në pastrimin e një varreze hebraike që ishte përdhosur në Mizuri.

“Nuk ka vend në Amerikë për urrejtje, akte paragjykimi, dhune apo anti-semitizmi”, deklaroi Nënpresidenti Pence.

Pjesë e këtij pesimizmi, në veçanti nga myslimanët, lidhet me deklaratat publike të Presidentit dhe disa këshilltarëve të tij, të cilët e kanë ravijëzuar luftën kundër terrorizmit në terma fetarë, përfshirë një propozim fushate i zotit Trump për të mbajtur myslimanët jashtë vendit.

“Donald Trump kërkon një mbyllje totale dhe të plotë për myslimanët që hyjnë në SHBA, derisa përfaqësuesit e vendit tonë të gjejnë se ç’po ndodh”, pati deklaruar ai gjatë fushatës.

Megjithëse zoti Trump është tërhequr prej asaj deklarate, ajo vazhdon të ndodhet në faqen e tij në internet.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk e pranojnë se këto komente reflektojnë paragjykim ndaj myslimanëve. Zëdhënësi Michael Short i tha Zërit të Amerikës se “të pranosh ekzistencën e rrezikut nga terrorizmi radikal islamik, nuk të bën anti-mysliman”.

Trump kritikon FBI-në për rrjedhje informacioni

Presidenti amerikan Donald Trump kritikoi Byronë Federale të Hetimeve sepse nuk po pengon, sipas tij, rrjedhjen e informacionit për mediat.

Në komentet e bëra sot në Twitter, ai tha se informacioni që po raportohet është sekret dhe mund të ketë pasoja shkatërrimtare për vendin.

Komentet vijnë pas njoftimeve se shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Rajns Pribus, i ka kërkuar një zyrtari të lartë të FBI-së të hidhte poshtë njoftimet e medias se këshilltarët e fushatës së zotit Trump kishin qenë në kontakte të shpeshta me agjentët e inteligjencës ruse gjatë zgjedhjeve.

FBI-ja, komenton Presidenti Trump në Twitter është krejtësisht e paaftë të frenojë nxjerrësit e informacioneve që lidhen me sigurimin kombëtar, të cilët, sipas tij, kanë depërtuar në qeveri prej një kohe të gjatë.

FBI-ja, shkruan zoti Trump, nuk është në gjendje as të ndalë rrjedhjet e informacionit brenda saj.

Shtëpia e Bardhë ka kërkuar që FBI-ja t’i diskreditojë raportet për kontaktet Trump – Rusi

Shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë, Reince Priebus, ka kërkuar nga agjencia FBI, që t’i diskreditojë raportet në media se këshilltarët e fushatës së presidentit, Donald Trump, kishin kontakte të shpeshta me agjentët e inteligjencës së Rusisë gjatë zgjedhjeve presidentiale amerikane, kanë raportuar mbrëmë mediat në Shtetet e Bashkuara.

Agjencia Associated Press, duke cituar burime të paidentifikuara në Shtëpinë e Bardhë, tha se kërkesa e zotit Priebus ndaj drejtorit të FBI-së, James Comey, dhe zëvendësdrejtorit, Andrew McCabe, ishte bërë pasi FBI i tha Shtëpisë së Bardhë se kishte besuar se një raport i së përditshmes, New York Times, ku përshkruheshin kontaktet e këshilltarëve të Trumpit me Rusinë, ishte i pasaktë.

Në raporte theksohet se Priebus kishte kërkuar nga udhëheqësit e FBI-së që së paku të flasin me reporterët për ta kontestuar raportin e New York Times-it, dhe artikujt që dalin nga ai, por ata e kishin refuzuar kërkesën dhe nuk kanë thënë asgjë publikisht për këtë çështje.

Rrjeti CNN, që fillimisht kishte raportuar për kërkesën e zotit Priebus, tha se Comey e kishte refuzuar atë për shkak se kontaktet e dyshuara ndërmjet rusëve dhe ndihmësve të Trumpit ishin subjekt i një hetimi të FBI-së që po vazhdon.

Reince Priebus, ndoshta, u është afruar agjencive të tjera të inteligjencës me kërkesn e njejtë për të intervenuar në media, raporton CNN.

Shtëpia e Bardhë e ka hedhur poshtë artikullin në New York Times, derisa Priebus e ka quajtur “mbeturinë komplete”.

Në rrjetin Fox News, më 19 shkurt, Priebus e hodhi poshtë arikullit e gazetës, New York Times, si “akuza të tipit për tradhti”.

“Nivelet më të larta të komunitetit të inteligjencës më kanë siguruar se ai artikull, jo vetëm që nuk është i saktë, por është i tejzmadhuar dhe ishte i gabueshëm. Nuk ka asgjë në të”, tha Priebus.

Trumpi paralajmëron rritjen e arsenalit bërthamor të Amerikës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të enjten se dëshiron rritjen e arsenalit bërthamor të Amerikës, për t’u siguruar që ajo të jetë e para nga të gjithë, duke shtuar se SHBA’ja ka ngecur për sa i përket kapacitetit të armëve bërthamore.

Në një intervistë për Reuters, Trump po ashtu është ankuar për dislokimin e një rakete nga ana e Rusisë, në shkelje të një traktati për kontrollin e armëve, dhe ka thënë se do të flasë për këtë çështje me presidentin rus, Vladimir Putin, kur ata të takohen, transmeton Gazeta Express.

Numri një i Amerikës po ashtu ka thënë se Kina mundet “shumë lehtë, nëse do” që ta zhdukë rrezikun që i kanoset SHBA’së nga Koreja e Veriut, duke i bërë kështu trysni Pekinit që të ushtrojë më shumë ndikim mbi Phenianin, për të frenuar veprimet e saj gjithnjë e më provokuese.

Duke folur nga tavolina e tij në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, Trump po ashtu është shprehur “shumë i zemëruar” nga testet raketore bërthamore të Koresë së Veriut, dhe ka thënë se ndërtimi i një mburoje bërthamore për aleatët e SHBA’së, si Japonia dhe Koreja e Jugut, është një prej shumë opsioneve të mundshme. /Express/

Conway: Trumpi ka marrë drejtimin e lëvizjes konservatore

Presidenti Donald Trump ka marrë vendosmërisht drejtimin e lëvizjes politike konservatore në Shtetet e Bashkuara dhe po e çon atë përpara, sipas filozofisë së tij, tha sot një prej këshilltareve kryesore të presidentit.

Duke folur në Konferencën për Aksionin Konservator Politik, takimi më madh i amerikanëve me bindje konservatore, Kellyanne Conway tha se zoti Trump i ka hyrë një rruge që konservatorët e lëkundur pas tij e shohin jo në një linjë me atë që ata besojnë.

“Ai iu drejtua direkt bazës dhe e përqafoi atë -tha ajo. Ai bëri që shumë njerëz të ndihen që janë pjesë e një lëvizjeje”, tha zonja Conway.

Ajo shtoi se zoti Trump e fitoi garën për të qenë kandidati republikan për president, duke e nisur “nga poshtë-lart dhe jo nga lart-poshtë” ndryshe nga shumë politikanë të cilët kanë vite përvojë dhe janë emra të njohur të jetës publike.

Zonja Conway tha se zoti Trump gjeti mbështejen e konservatorëve pasi ata u ndjenë të përfshirë që prej fillimit. “Ai ishte aty sepse donte të ishte, sepse beson tek potencialet e vendit, tek njerëzit e tij, beson tek shpirti i lirë dhe ju e shihni kur jeni me të”.

Ndikimi i presidentit Trump

Fjalimi presidenit Trump të premten do të jetë momenti kryesor i konferencës së këtij viti, që merr dhe me shumë forcë nisur nga fakti se republikanët kontrollojnë si Shtëpinë e Bardhë ashtu edhe Kongresit për herë të parë në 10 vjet.

Tubimi i këtij viti i mijëra konservatorëve po zhvillohet në një hotel në Maryland, shumë pranë Uashingtonit dhe nxiti debate ende pa filluar.

Udhëheqësi i saj Matt Schlapp i tha “Zërit të Amerikës” se ai vuri re një “qasje më shumë populiste” këtë vit, me zotin Trump si forcë shtytëse.

“Pajtohem se ka pak më shumë shtrirje populiste të konservatorëve këto ditë. Nuk e di nëse kjo është një ndryshim në filozofi, por di që kjo është për shkak se ata janë të shkurajuar me atë që ka ndodhur në Washington gjatë gjithë këtyre viteve “, tha ai.

Tre linja konservatorësh

Udhëheqësi i konferencës Schlapp tha për “Zërin Amerikës” se egziston një koalicion “i gjallë dhe vibrant” i përbërë nga tre linja të konservatorëve: ata që kujdesen për kulturën, ata që thjesht duan më pak ndikim të qeverisë dhe taksa më të ulëta dhe të tjerët që thonë se vendi ka nevojë për një mbrojtje të fortë.

Ndërsa republikanët konservatorë mblidhen në Maryland, demokratët në opozitë do të takohen në Atlanta për të zgjedhur një udhëheqës të ri të Komitetit Kombëtar Demokratik.

SHBA shtyn publikimin e ndalesës së re të udhëtimit

Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka shtyrë publikimin e ndalesës së re të udhëtimit deri javën e ardhshme.

Presidenti Donald Trump tha se urdhri i ri ekzekutiv do të publikohet këtë javë, por zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë u thanë gazetarëve se ai është shtyrë.

Urdhri fillestar u ka ndaluar hyrjen në SHBA refugjatëve dhe emigrantëve nga shtatë vende me shumicë myslimane.

Urdhri ka shkaktuar protesta masive dhe konfuzion në aeroporte, ndërsa gjykatat amerikane e kanë bllokuar përkohësisht.

Shtëpia e Bardhë tha se urdhri i rishkruar do të adresojë disa çështje të ngritura nga gjykatat, ndërsa sekretari për siguri kombëtare, John Kelly, tha se ai “do të jetë më i fortë dhe më efektiv se urdhri i parë”.

Trumpi mund të detyrohet të deklarojë taksat

Një anëtare republikane e Komitetit të Inteligjencës në Senatin e Shteteve të Bashkuara tha se është e hapur ndaj shfrytëzimit të urdhrit të shkruar ligjor, për të hetuar deklarimet tatimore të presidentit Donald Trump, për lidhje të mundshme me Rusinë. Me këtë urdhër, Trump do të duhej të dëshmonte para gjykatës ose ndonjë tjetër organi.

Susan Collins, në një intervistë për radion publike, tha po ashtu se shumë anëtarë të komitetit, i cili udhëheq hetimet e Kongresit për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016, do të kërkojnë formalisht që këshilltari i larguar për sigurinë kombëtare, Michael Flynn, të dëshmojë përpara panelit.

“Të gjithë jemi të vendosur për të marrë përgjigje”, tha Collins.

Ajo shtoi se republikanët mbajnë vetëm një ulëse shumicë në Komitetin e Inteligjencës. Vota e saj për thirrjen për dëshmi mund të jetë vendimtare, pasi demokratët, për muaj të tërë, i kanë bërë thirrje Trumpit të publikojë taksat.

Refuzimi i Trumpit është një thyerje e traditës së presidentëve amerikanë. Ai ka thënë se do t’i publikonte ato pas përfundimit të një auditmi nga Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme.

Përdorimi i thirrjes për dëshmi, për të siguruar qasje në deklarimet tatimore, do të ishte një hap më agresiv, që republikanët në Kongres, deri më tash, nuk kanë qenë të gatshëm ta bëjnë në hetimet për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhje.

Javën e kaluar, republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë bllokuar një përpjekje të demokratëve për të përdorur një ligj të paqartë, për sigurimin e deklarimeve tatimore nga Thesari amerikan. Demokratët e kanë përshtatur këtë çështje si problem për sigurinë kombëtare, duke vënë në dyshim nëse Trump ka investime në Rusi.

Duke thënë se Komiteti i Inteligjencës do të kërkojë dëshminë e Flynnit, Collins nuk qartësoi nëse paraqitja e tij do të ishte publike apo prapa dyerve të mbyllura.

Flynn ka dhënë dorëheqje javën e kaluar, pas raporteve se ai ka keqinformuar nënpresidentin Mike Pence, në lidhje me disa biseda telefonike që ka pasur me ambasadorin e Rusisë në SHBA, Sergei Kislyak.

Collins tha se komiteti është duke bërë hetime të gjera në lidhje me ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhje dhe se është ende herët të spekulohen rezultatet.

Drejtori i FBI-së, James Comey, më 17 shkurt, ka njoftuar komitetin për hetimet e kësaj çështjeje nga agjencia e tij.

Rusia dyshohet se ka pirateruar kompjuterë të Partisë Demokratike në SHBA dhe të tjerë, në favor të zgjedhjes së Trumpit president kundrejt rivales së tij demokrate, Hillary Clinton.

Përgatiti: Valona Tela

Këshilltari i ri i sigurisë kombëtare amerikane alarmon Moskën

Këshilltari i ri i sigurisë kombëtare amerikane, H.R. McMaster

Këshilltari i ri i Sigurisë Kombëtare amerikane i përzgjedhur nga presidenti Donald Trump, H.R. McMaster, në Uashington dhe në Moskë shihet si person me qëndrime shumë më të ashpra ndaj Rusisë se sa parardhësi i tij, Michael Flynn.

Në një fjalim të mbajtur vitin e kaluar, McMaster ka thënë se Rusia ka arritur të aneksojë gadishullin ukrainas të Krimesë dhe të ndërhyjë në Ukrainën lindore pa paguar asnjë çmim.

McMaster ka thënë se qëllimi i gjërë i Moskës është të fundosë rregullin politik, ekonomik dhe atë të sigurisë së Evropës së pas Luftës së Ftohtë duke e zëvendësuar atë me diçka të re që sheh me pozitivitet drejt interesave ruse.

Rusia ka përdorur “luftë hibride” në Krime dhe Ukrainën lindore, diçka që është pjesërisht politike, pjesërisht shpërndarje e informacioneve të rreme dhe pjesërisht ushtarake, ka thënë më tej ai.

Derisa Kremlini nuk ka bërë ndonjë koment për përzgjedhjen e Trumpit në këtë post, një deputet rus duket se është alarmuar nga zëvendësimi i Flynnit me McMasterin.

Ligjëvënësi Frants Klintsevich i ka thënë agjencisë, RIA Novosti se McMaster “është 100 përqind fajkua” që paraqet kërcënim.

“Krahu i mbrojtjes dhe inteligjencës së Uashingtonit do të bëjnë politikë rusofobe”, ka thënë ai.

Deputeti tjetër, Viktor Ozerov ka kërkuar kujdes, megjithatë duke thënë se se pavarësisht se çfarë këshille të jap McMaster Trumpit, presidenti është ai që vendos për politika.

SHBA: Protesta kundër Trumpit me rastin e Ditës së Presidentit

Pamje nga një protestë e mëparshme kundër Donald Trumpit në Nju Jork

 

Mijëra demonstrues e kanë shfrytëzuar Ditën e Presidentit në Shtetet e Bashkuara për të protestuar kundër Donald Trumpit, me moton “Nuk Është Dita e Presidentit Tim”.

Në këto protesta të mbajtura dje në 28 qytete në Shtetet e Bashkuara, kanë marrë pjesë dhjetëra mijëra njerëz.

Mijëra vetë në rrugët afër ndërtesës Trump Tower në Nju Jork kanë brohoritur “jo ndalesë, jo mur” dhe “regjimi Trump ka dështuar”.

Ata, po ashtu, mbanin parulla ku shkruante “mbajeni kushtetutën tash” dhe “shkarkojeni gënjeshtarin”.

Në tubimin në qendër të Los Anxhelosit, mijëra vetë kanë protestuar ndaj politikave të presidentit Trump kundër migrimit, ndryshimeve klimatike dhe rregullimeve të ambientit.

Në Çikago, afro 1,200 vetë janë tubuar përgjatë lumit afër ndërtesës Trump Tower, duke brohoritur “Donald Trump duhet të shkoj”.

Protesta janë mbajtur edhe në Uashington, Atlanta, Salt Lejk Siti dhe Portlend, e në qytete të tjera.

Trumpi emëron Gjeneralin McMaster si Këshilltar të Sigurisë Kombëtare

Presidenti Donald Trump ka emëruar Gjeneralin e ushtrisë H.R McMaster si këshilltarin e ri të sigurisë kombëtare.

Presidenti e quajti McMaster “nje njeri me talent dhe eksperiencë të jashtëzakonshme”.

54-vjecari McMaster ka mbaruar Akademinë Ushtarake West Point dhe zëvendëson ish-këshilltarin Michael Flynn, i cili dha dorëheqjen pasi kishte dhënë informata të pavërteta për një bisedë që kishte zhvilluar me ambasadorin rus para se të fillonte mandatin administrata e re.

Dje presidenti Trump intervistoi katër kandidatë për këtë post, Gjeneralin McMaster, këshilltarin Keith Kellogg, gjeneral në pension; John Bolton, ish-ambasador i SHBA në OKB si dhe Gjeneralin Robert Caslen.

Nju Jork: Protestë kundër politikave emigruese të presidentit Trump

Pamje e një proteste të mëparshme kundër politikave të emigrimit të presidentit Donald Trump në Nju Jork

Më se një mijë njerëz të religjioneve të ndryshme kanë marër pjesë në protestën për mbështetje të myslimanëve amerikanë dhe për t’i kundërshtuar politikat imigruese të presidentit amerikan, Donald Trump.

Tubimi me moton “Unë jam mysliman, po ashtu”, është mbajtur dje në qendër të Nju Jorkut dhe ishte organizuar nga disa grupe, përfshirë Fondacionin për mirëkuptim etnik, raporton agjencia AP.

Protestuesit kanë bartur flamuj amerikanë dhe parulla në të cilat shkruante “jo ndalesë për myslimanët” dhe “ne jemi një”.

Kryetari i qytetit të Nju Jorkt, Bill de Blasion, anëtar i Partisë Demokratike, tha në këtë tubim se “ne duhet t’i eliminojmë stereotipet” dhe se Amerika është vend i themeluar për t’i mbrojtur të gjitha fetë dhe të gjitha besimet”.

Raportohet se tubime të tilla gjatë fundjavës janë mbajtur edhe në Oregon dhe Dallas.

Në Dallas, afër protestës, dhjetëra njerëz kanë marrë pjesë në tubimin në mbështetje të presidentit Donald Trump.

Telefoni i Hitlerit shitet për qindra mijë dollarë

Telefoni i udhëheqësit nazist, Adolf Hitler

Një shtëpi e ankandeve në SHBA tha se telefoni personal i Adolf Hitlerit është shitur për 243,000 dollarë.

Alexander Historical Auctions në Merilend nuk e zbuloi emrin e blerësit.

Telefoni është marrë nga bunkeri i Hitlerit në Berlin nga zyrtarët rusë, pak ditë pas rënies së kryeqytetit gjerman, më 1945.

Sipas shtëpisë së ankandeve, telefoni i është dhënë ushtarit britanik, Ralph Rayner.

Djali i Raynerit e ka nxjerrë atë në shitje.

Telefoni, të cilin Hitleri thuhet se e ka përdorur për të diktuar urdhra vdekjeprurës gjatë dy vjetëve të fundit të luftës, është krijuar nga kompania Siemens në Berlin.

Në të është i gdhendur emri i Hitlerit, së bashku me një svastikë dhe një simbol të shqiponjës të Rajhut të Tretë.

Dachau: Pence e viziton ish kampin nazist që është çliruar nga trupat amerikane

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence me bashkëshorten dhe vajzën e tij, Charlotte, e kanë vizituar kampin e kohës së nazistëve të Dachau, në periferi të Mynihut në Gjermani.

Ai shoqërohej edhe nga një i mbijetuar i kampit, Abba Naour. Pence e ka vendosur një kurorë me lule në monumentin në qendër të kampit para se të shkonte edhe te pjesa ku gjenden furrat brenda krematoriumit të kampit.

Kampi i Dachau është krijuar nga qeveria e Adolf Hitlerit në vitin 1933.

Mbi 200 mijë njerëz nga e tërë Evropa janë mbajtur në kamp, ndërsa 40 mijë njerëz kanë vdekur aty. Shumica e viktimave kanë qenë hebrenj, homoseksualë, romë, aktivistë të krishterë dhe disidentë politik.

Kampi është çliruar nga trupat amerikane në prillin e vitit 1945.

Më vonë gjatë ditës, Pence do të udhëtoj drejt Brukselit për takime në NATO dhe me zyrtarë të Bashkimit Evropian.

Graham: Këtë vit do ta ndëshkojmë më shumë Rusinë

Senatori amerikan, Lindsey Graham është zotuar se do të kërkojë ndëshkim më të madh për Rusinë për shkak të dyshimit se ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane, duke thënë se viti “2017 do jetë koha kur në Kongres do e godasim Rusinë në fundshpinë”.

Republikani Graham e ka bërë këtë koment në konferencën e sigurisë në Mynih më 19 shkurt.

Agjencitë amerikane të inteligjencës në muajin janar e kanë publikuar një raport që vlerëson se presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar një “fushatë ndikimi” që kishte qëllim minimin e besimit në sistemin zgjedhor amerikan. Kjo është bërë duke e denigruar kandidaten demokrate, Hillary Clinton.

Raporti thotë se Rusia ka zhvilluar fushatë preferuese për Donald Trump i cili ka fituar zgjedhjet e 8 nëntorit dhe është inauguruar si president më 20 janar 2017.

Graham ka thënë se kur të tejkalohen konfliktet e brenda pas zgjedhore, Kongresi “do të merret me gjëra të tjera, dhe në krye të prioriteteve do të jenë sanksionet kundër Rusisë”.

Ai ka thënë se shpreson që të fitoj përkrahje dypartiake për një ligj përmes së cilit do të vendoseshin sanksione shtesë kundër Rusisë “për ndërhyrje në zgjedhjet tona”.

Pence: SHBA nuk do të lejojë që Irani të kërcënojë stabilitetin rajonal

Zëvendëspresidenti i SHBA-ve është takuar me kryeministrin e Irakut, Haidar al-Abadi dhe me presidentin e Vetëqeverisjes Rajonale Kurde në veri të Irakut, Mesut Barzani

UASHINGTON– Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Mike Pence, ka deklaruar se Washingtoni nuk do të lejojë që Irani të kërcënojë sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.

Gjatë Konferencës së 53-të të Sigurisë në Mynih, Pence ndaras është takuar me kryeministrin e Irakut, Haidar al-Abadi dhe me presidentin e Vetëqeverisjes Rajonale Kurde në veri të Irakut, Mesut Barzani.

Në njoftimin me shkrim të Shtëpisë së Bardhë theksohet se Pence gjatë takimit me kryeministrin Abadi lavdëroi përpjekjet dhe përparimin të cilët forcat e bashkuara irakiane e realizojnë në kuadër të luftës kundër organizatës terroriste DEASH.

“Zëvendëspresidenti Pence tha se nuk do të lejojmë që Irani të kërcënojë sigurinë e aleatëve tanë, përfshirë edhe Irakun dhe të kanosë këtë rajon”, theksohet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë. Pence dhe Abadi biseduan edhe për vazhdimin e bashkëpunimin amerikano-irakian, me theks mbi bashkëpunimin në sektorët e mbrojtjes dhe ekonomisë.

Zëvendëspresidenti amerikannë Mynih u takua edhe kreun e Vetëqeverisjes Kurde në Irakun Verior, Barzai, ndërsa me këtë rast theksoi se është me rëndësi që autoritetet kurde nga Erbili të vazhdojnë bashkëpunimin konstruktiv me qeverinë irakiane në Bagdad. “SHBA do të vazhdojë mbështetjen e plotë të Irakut të bashkuar, federal dhe demokratik”, u shpreh Pence.aa


Send this to a friend