VOAL

VOAL

Trumpi i jep dritën jeshile naftësjellësit Keystone XL

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar urdhrin ekzekutiv për të ecur përpara me projektin Keystone XL më 24 janar, 2017

 

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, i dha leje kompanisë energjetike TransCanada të ndërtojë naftësjellësin Keystone XL.

Departamenti i Shtetit tha se projekti, i cili është bllokuar nga ish-presidenti amerikan, Barack Obama, është në interesin kombëtar të SHBA-së.

Tubacioni prej 1,900 kilometrash do të bartë naftën nga Kanadaja në rafineritë në bregdetin e Teksasit.

Leja është nënshkruar nga nënsekretari i shtetit për çështje politike, Tom Shannon.

Ish-sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, duke kundërshtuar projektin në vitin 2015, ka thënë se ai as nuk do ta nxisë rritjen ekonomike, as nuk do ta ndihmojë SHBA-në të arrijë pavarësinë energjetike.

Grupet mjedisore po ashtu kanë kritikuar projektin.

Tubacioni pritet të bartë mbi 800,000 fuçi naftë të papërpunuar në ditë, nga provinca Alberta e Kanadasë në Gjirin e Meksikës.

SHBA forcon kontrollin për aplikantët e vizave

Departamenti amerikan i Shtetit u ka kërkuar ambasadave dhe konsullatave amerikane në botë të identifikojnë grupe të caktuara që duhet t’i nënshtrohen një analize më të hollësishme kur kërkojnë vizë.

Direktiva instrukton misionet diplomatike amerikane të kontrollojnë postimet e aplikantëve në median sociale, në rastet kur ata dyshohen për lidhje terroriste apo për udhëtime që mund të kenë bërë në zona të kontrolluara nga ISIS.

Direktivat që Sekretari i Shtetit Rex Tillerson u dërgoi ambasadave instruktojnë personelin diplomatik të krijojë grupe pune me specialistë zbulimi dhe sigurie, të cilët të hartojnë “një listë me kritere ku identifikohen grupe të popullatës në vendin ku ndodhet ambasada përkatëse”, për të cilat kërkohen kontrolle shtesë të biografisë.

Edhe në rastet kur aplikanti i përmbush kushtet për të marrë vizë, në rast se ai individ është brenda kategorisë që kërkon kontroll më të imtësishëm, rasti i tij do t’i nënshtrohet analizës shtesë, ose personit mund t’i mohohet viza.

Ky udhëzim është dëshmia e parë e “vetingut ekstrem” të shtetasve të huaj që vijnë në Shtetet e Bashkuara, një politikë që Donald Trump premtoi gjatë fushatës se do ta vinte në zbatim.

Zyrtarët e ambasadës duhet tani të analizojnë imtësisht një numër më të madh aplikantësh për të parë nëse përbëjnë rrezik për SHBA, siç del nga udhëzimet dërguar ambasadave nga 10-17 mars.

Direktiva, që fillimisht u bë e njohur nga Reuters, u kritikua nga grupe të të drejtave të njeriut dhe të tjerë, të cilët e kanë akuzuar Presidentin Trump për diskriminim kundër myslimanëve pas urdhrit për të ndaluar udhëtarët nga gjashtë vende me shumicë myslimane. Për momentin urdhri është pezulluar nga gjykata.

Dje, organizata Amnesty International i bëri thirrje Departamentit të Shtetit të bëjë publike udhëzimet.

“Kjo masë mund të hapë rrugën për diskriminime në baza të origjinës etnike dhe besimit fetar,” tha organizata në një letër dërguar sekretarit të shtetit. “Ajo mund të shërbejë si pretekst për të mos lejuar individë të vijnë në SHBA, bazuar në bindjet dhe deklaratat e tyre pa dhunë. Kontrollet në median sociale, si dhe kërkesa që njerëzit të dorëzojnë fjalëkalimet për median sociale në kufirin e Shteteve të Bashkuara, kanë implikime të ndjeshme në të drejtat e privacisë dhe lirisë së shprehjes,” shkruan Amnesty International.

Presidenti Trump vazhdon t’iu përmbahet deklaratave të tij politike

Pas dy muajve të presidencës së tij, Presidenti Donald Trump vazhdon t’u përmbahet plotësisht deklaratave të tij politike, megjithëse zyrtarë të Uashingtonit, ekspertë dhe verifikues të fakteve thonë se ato nuk qëndrojnë.

Në një intervistë dje me revistën “Time”, zoti Trump refuzoi të tërheqë një sërë akuzash të pavërtetuara, ndër to edhe atë që ish-Presidenti Barack Obama përgjoi zyrat e tij në Kullën Trump në Nju Jork gjatë javëve përpara zgjedhjeve të nëntorit, apo se në zgjedhje votuan edhe 3 milionë emigrantë pa dokumenta, ose që myslimanë në Nju Xhersi kanë festuar për sulmet terroriste të vitit 2001 në Nju Jork.

Zoti Trump nuk ka provuar asnjë nga të tre pretendimet dhe shumë njerëz janë shprehur se ato janë thjesht të pavërteta.

“Jam person shumë instiktiv, por instiktet e mia rezultojnë të jenë të drejta”, tha zoti Trump. “Kur të gjithë thanë se unë nuk do t’i fitoja zgjedhjet, unë thashë se mund t’i fitoj.”

Në lidhje me akuzën për përgjimin, presidenti i 45-të i vendit tha: “Le të shohim çdo të ndodhë. Unë kam parashikuar shumë gjëra për të cilat u desh pak kohë të vërtetohen.”

Zoti Trump foli për revistën “Time”, ndërkohë që lajmi i ditës në Uashington ishin komentet e kryetarit republikan të Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve Devin Nunes se këshilltarë të zotit Trump dhe ndoshta edhe vetë zoti Trump, ishin përfshirë rastësisht në një përgjim të ligjshëm bisedash, ndërsa zoti Trump ishte në procesin e tranzicionit të pushtetit pas zgjedhjeve. Por nga ana tjetër, si zoti Nunes, apo drejtori i FBI-së James Comey dhe disa zyrtarë të sigurisë kombëtare kanë thënë se zoti Obama nuk e ka përgjuar zotin Trump.

Në lidhje me njoftimin e zotit Nunes për përgjimin, zoti Trump tha: “Ende nuk dihen shumë gjëra. Ai sapo e mori këtë informacion. Ky është informacion i ri, që zyrtarët ishin përgjuar nga administrata Obama pas zgjedhjeve të nëntorit. Kjo sapo u bë ditur.”

Pasi u takua më vonë me zotin Nunes, Presidenti tha se në një farë mënyre pretendimet e tij që është përgjuar nga zoti Obama po vërtetoheshin disi, ndonëse të dhënat e reja nuk përputhen me ato që ai shkroi përmes Twitter-it më 4 mars.

Ndërsa, në lidhje me 3 milionë votuesit e paligjshëm, zoti Trump tha: “Mendoj se do të dalë që kam të drejtë edhe për këtë. Njerëz të mitë thonë se ishin më shumë se aq. Po krijojmë një komision. Dhe do ta studiojmë këtë problem shumë serioz.”

Ai gjithashtu citoi një artikull të vitit 2001 në gazetën “The Washington Post”, në të cilin përmendej shkurtimisht një pretendim i paverifikuar se myslimanë kishin festuar në ditën e sulmeve terroriste të 11 shtatorit, por policia në Nju Xhersi tha se nuk pati festime. Gjatë fushatës elektorale, zoti Trump pati pretenduar gabimisht se një gjë të tillë e kishte parë në televizion.

Krahas fitores së tij, zoti Trump tha se ka parashikuar saktë, ndër të tjera, daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, trazirat mes emigrantëve në Suedi dhe, se email-et e rivales demokrate, ish-Sekretares së Shtetit Hillary Clinton, do të gjendeshin në kompjuterat e një kongresmeni, ish-bashkëshort i një ndihmëseje të zonjës Clinton.

Për raste të tjera, zoti Trump tha se ai më tepër ka përcjellë pretendime të paqarta të shfaqura në botime që ai lexon ose dëgjon, si p.sh. pretendimi se babai i Senatorit Ted Cruz, rivali kryesor i zotit Trump gjatë garës së vjetshme për nominimin republikan, ishte mik i Lee Harvey Oswald-it, personit që vrau Presidentin John F. Kennedy në vitin 1963.

“Pse më thonë se duhet të kërkoj ndjesë?”, pyeti zoti Trump. “Unë vetëm citoj gazetën”.

I pyetur nëse shqetësohet se i dëmtohet besueshmëria me këto pretendime false, zoti Trump u përgjigj: “Ju lutem më thoni çfarë është gabim!”

“Çfarë t’ju them?”, përfundon zoti Trump. “Zakonisht kam të drejtë. Jam një person instiktiv. Ka qëlluar të jem një person që e di se si funksionojnë gjërat në jetë.”

Trumpi vendos rregulla të reja: Statuset në “Facebook” apo “Twitter” mund t’ju lënë pa vizë amerikane

Tashmë për një vizë drejt SHBA do të kontrollohen edhe rrjetet sociale. Urdhrat diplomatikë që janë dërguar javën e fundit nga sekretari i shtetit Rex Tillerson për të gjitha ambasadat amerikane i jepen instruksione konsullatave që të rrisin kontrollet e tyre. Në radhë të parë kërkohet ‘verifikim ekstrem’, një gjë që Trump e kishte kërkuar gjatë fushatës presidenciale. Rregullat shtesë do të kërkojnë nga aplikantët për të kaluarën e tyre, do t’i bëhet një kontroll në historinë e tyre të rrjeteve sociale si dhe të shikohet nëse ata kanë kaluar ndonjëherë në ndonjë territor që kontrollohet nga Shteti Islamik.

Rregullat e reja nuk do të aplikohen vetëm për 38 vende  ku përfshihen shumica e vendeve evropiane dhe aleatëve si Australia, Zelanda e Re, Japonia dhe Koreja e Jugut, qytetarët e të cilëve mund të marrin viza me procedurë të shpejt nëpër mes programit për heqjen e vizave. Asnjë vend nga Lindja e Mesme apo Afrika s’do të jenë pjesë e këtij programi. Më 2016, SHBA kishte lëshuar më shumë se 10 milion viza për vizitorët e huaj, por për vitin 2017 administrata e Trump do ta bëj edhe më vështirë hyrjen e miliona vizitorëve në Amerikë pasi që do të kërkojë nga ta kontrolle të reja sigurie për të dhënë viza turistike, biznesi apo për vizita të të afërmve.

SHBA: Senati do të votojë javën e ardhshme për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO

Lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnell

Senati i Shteteve të Bashkuara javën e ardhshme do të votojë për propozimin që Mali i Zi të bëhet anëtari më i ri i aleancës së NATO-s, ka thënë lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnell.

Vendimi për të shkuar në votim erdhi pasi administrata e Trumpit u bëri thirrje ligjvënësve që të lëvizin më shpejt për këtë çështje.

Agjencia Reuters më 21 mars raportoi se Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson u kishte shkruar letër udhëheqësve të Senatit, duke thënë se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO ishte “fuqishëm në interes të Shteteve të Bashkuara”.

Të gjithë 28 anëtarët e NATO-s, duhet të ratifikojnë pranimin e Malit të Zi, përpara se vendi zyrtarisht t’i bashkohet aleancës. Deri më tani vetëm katër shtete nuk kanë miratuar pranimin e Malit të Zi.

Votimi në Senatin amerikan ishte bllokuar për muaj të tërë nga dy seantorë republikanë, Rand Paul dhe Mike Lee, të cilët kundërshtojnë zgjerimin e aleancës ushtarake.

McConnell më 23 mars ka njoftuar se ai do të caktojë që votimi procedural për këtë çështje të bëhet më 27 mars në Senat.

Ndihmësit në Senat thonë se presin që kur pengesat procedurale të jenë tejkaluar, Senati do të miratojë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Dhoma e Përfaqësuesve shtyn votimin për shfuqizimin e “Obamacare”

Burime të udhëheqësve republikanë në Kongres thanë se të enjten Dhoma e Përfaqësuesve e ka shtyrë votimin për shfuqizimin dhe zëvendësimin e ligjit për shërbimin shëndetësor, që njihet si “Obamacare”.

Burime të paidentifikuara komentuan të enjten me disa media amerikane, vetëm disa orë para votimit të pritshëm.

Anëtarë të bllokut të ekstremit të djathtë të Dhomës së Përfaqësuesve, të njohur si “Komiteti i lirisë” , thanë pas takimit me Presidentin Donald Trump, se nuk kanë arritur marrëveshje lidhur me shfuqizimin e programit “Obamacare”.

Ligjvënësi Mark Meadows, kryetar i “Komiteti i lirisë”, konfirmoi se grupi i tij dhe presidenti nuk kishin arritur marrëveshje për këtë çështje.

Megjithatë, Shtëpia e Bardhë pati një interpretim të ndryshëm lidhur me bisedimet me konservatorët në Kongres, duke bërë një deklaratë, ku thuhej se të dyja palët kishin ndërmarrë “një hap pozitiv” drejt shfuqizimit së ligjit për kujdesin shëndetësor.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, i tha gazetarëve se shumë ligjvënës kishin lënë të kuptohet se do të votojnë për shfuqizimin e Obamacare. Por, ai shtoi se “në fund të fundit, ne nuk mund t’i detyrojmë njerëzit të votojnë.”

Dukshëm kjo çështje ka përçarë partinë republikane dhe presidenti Trump si dhe udhëheqësit republikanë në Kongres po përpiqen të gjejnë votat e mjaftueshme për shfuqizimin e kujdesit shëndetësor të miratuar nga administrata e presidentit Obama dhe për ta zëvendësuar atë me një sistem të ri shëndetësor.

“Shfuqizimi dhe zëvendësimi”, ashtu siç shprehen republikanët, i planit të presidentit Obama, ishte një nga premtimet dhe temat krysore mbi të cilën u bazua fushata e presidentit Trump dhe e republikanëve. Por sot që pritet votimi në Kongres, republikanët deri tani duket se nuk i kanë votat e mjaftueshme. Ndërsa ata janë të bashkuar për ta shfuqizuar sistemin e kujdesit shëndetësor të presidentit Obama, ata janë të përçarë përsa i përket sistemit të ri me të cilin do ta zëvëndësojnë atë. Ndarjet më të mëdha janë mes republikanëve konservatorë, që thonë se ligji i ri nuk bën shkurtime sa duhet dhe republikanëve më të moderuar që thonë se shkurtimet e parashikuar janë shumë të thella.

Para disa ditësh presidenti Trump i paralajmëroi ligjvensësit republikanpë që ende hezitojnë se në se ata nuk votojnë për ta shfuqizuar Obamacare, kjo do t’i zemëronte zgjedhësit dhe mund t’u kushtonte ligjvënësve vendet e tyre në Kongres, në zgjedhjet e 2018. Ligji i ri në se kalon në Dhomën e Përfqësuesve duhet të miratohet edhe nga Senati, ku fati i tij është po ashtu i i pasigurt.

Zoti Trump dhe republikanët e kanë kundërshtuar prej kohësh programin 7 vjeçar të ish presidentit Obama për shëndetsinë. Programi ka rritur me 20 milionë numrin e amerikanë të siguruar, por republikanët pretendojnë se në formën e tanishme pagesat për të do të rriten aq shumë sa do të bëhen të papërballueshme.

Zyra e pavarur e buxhetit në Kongres arriti në përfundimin se 24 milionë amerikanë do të humbasin sigurimin shëndetësor gjatë dekadës së ardhshme, nëse miratohet plani republikan. Presidenti Trump dhe udhëheqësit republikanë mbrojnë fort argumentin se plani i tyre, ndryshe nga “Obamacare”, do t’u japë njerëzve mundësinë të blejnë një plan që mbulon nevojat e tyre dhe që ata mund t’a përballojnë financiarisht.

Sot paradite, ish presidenti Obama përmes një deklarate u bëri thirrje ligjvenësve të mos miratojnë ndryshime që nuk do ta përmirësonin sistemit e kujdesit shëndetësor për amerikanët. Në se republikanët duan t’i bëjnë përmirësime sistemit aktual, thotë ish presidenti, ata mund të negociojnë me demokratët dhe të miratojnë ndryshimet përkatëse.

Gjenerali i NATO-s thotë se Rusia mund të jetë duke furnizuar talibanët

Një komandant i lartë i NATO-s, ka thënë se Rusia mund të jetë duke i ndihmuar me furnizim militantët talibanë, të cilët po luftojnë kundër forcave qeveritare që mbështeten nga SHBA-ja.

Gjenerali i ushtrisë amerikane, Curtis Scaparrotti, i ka thënë Komitetit për Shërbim të Armatosur të Senatit amerikan, se ai ka parë të dhëna që dëshmojnë rritjen e përpjekjeve të Rusisë për të ndikuar te talibanët dhe “ndoshta furnizon” grupin militant.

Scaparrotti nuk ka specifikuar se për çfarë lloji të furnizimit ai mendonte se Rusia mund të jetë duke iu siguruar talibanëve.

Zyrtarët rusë kanë mohuar se ndihmojnë talibanët.

Zyrtarët talibanë i kanë thënë Reuters se kanë pasur kontakte të rëndësishëm me Moskës që prej vitit 2007, por kanë thënë se përfshirja e Rusisë nuk shkon përtej “mbështetjes morale dhe politike”.

Komisioni i Zbulimit i Kongresit takim me dyer të mbyllura

Komisioni i Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan u mblodh sot pas dyerve të mbyllura, një ditë pas konfuzionit të krijuar lidhur me hetimet rreth akuzave të Presidentit Donald Trump se ai ka qenë përgjuar nga paraardhësi i tij, ish-presidenti Barack Obama.

Kongresmeni republikan Devin Nunes, kryetar i komisionit, i doli në mbrojtje deklaratave të bëra dje se bisedat e përgjuara në mënyrë të ligjshme të agjentëve të huaj, të cilët flisnin me zyrtarë të fushatës së zotit Trump pas zgjedhjeve të nëntorit, por para inaugurimit të tij, kishin çuar në interceptim rastësor të komenteve të bëra nga ndihmësit e zotit Trump, dhe ndoshta nga vetë zoti Trump.

Kongresmeni Nunes foli me gazetarët dhe me vetë presidentin në lidhje me këto materiale, pa informuar asnjërin prej 21 anëtarëve të Komisionit.

Zoti Nunes tha se dhënia e informacioneve shpjeguese dhe një takim që ai pati më vonë me Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë ishte thjesht një gjykim i tij personal.

Pas seancës me anëtarët e tjerë të Komisionit, zoti Nunes kërkoi ndjesë për nxjerrjen e informacionit në mënyrë të njëanshme.

Kreu i FBI-së James Comey ka thënë se nuk ka asnjë informacion që mbështet akuzat e zotit Trump në Twitter se ish-Presidenti Obama ka përgjuar kullën Trump në javët para zgjedhjeve të nëntorit.

Kongresmeni Eliot l. Engel fjalim të fuqishëm në Kongresin amerikan mbi politikën amerikane ndaj Kosovës Nga Frank Shkreli

Përfaqsuesi demokrat në Kongresin amerikan, njëherazi edhe nën-Kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqsuesve për Politikën e Jashtme dhe njohës i mirë i çështjeve shqiptare në Ballkan, Eliot Engel mbajti të mërkurën një fjalim mbi politikën e Shteteve të Bashkuara karshi Republikës së Kosovës.

Fillimisht, miku i njohur i shqiptarëve numëroi ato që ai tha se janë suksese dhe arritje të viteve të fundit të shtetit më të ri në Evropë, duke përfshirë ndër të tjera medaljen e parë të artë olimpike të Kosovës, mbajtjen e konferencave me rëndësi ndërkombëtare mbi bashkpunimin dhe tolerancën në fushën fetare atje, antarësimin e Kosovës në Bankën Botërore, në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në ente të tjera botërore, si dhe njohjen diplomatike deri tashti të pavarësisë së Kosovës nga më shumë se 110 shtete të botës.   Ai theksoi në fjalimin e tij në Dhomën e Përfaqsuesve, se këto janë vetëm disa prej arrijtjeve të deri tanishme të shtetit të ri të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara kanë qenë ndër të parat shtete që kanë njohur më së pari pavarësinë e Kosovës dhe sot jemi mbështetsi më i fortë i saj dhe me të drejtë”, nënvijoi kongresmeni Engel.  Së pari, Kosovën e njohu si shtet të pavarur  Presidenti Xhorxh Bush dhe marëdhëniet vazhduan të forcoheshin gjatë administratës së Presidentit Barack Obama. Si përfundim, Republika e Kosovës, theksoi ai, krenarisht e konsideron veten si mbështetsja më e fortë e Shteteve të Bashkuara në Evropë.

Mirëpo, Zoti Eliot Engel nënvijoi se kjo nuk do të thotë se Kosova është një vend i përsosur në çdo pikëpamje. “As ne nuk jemi një vend i përsosur”, u shpreh ligjvensi amerikan, por “Korrupsioni në Kosovë duhet të luftohet dhe reforma në drejtësi po zhvillohet me një ritëm tepër të ngadalëshëm, ndërkohë që përqindja zyrtare e papunësisë sillet diku rreth 30 për qind. Si rrjedhim, është e qartë se në Kosovë mbetet shumë për tu bërë”, deklaroi njëri prej mbështetsve më të mëdhej të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithsi, në Kongresin amerikan.

Por, në fjalimin e tij mjaft të gjatë, Zoti Engel iu këthye përsëri optimizmit të tij mbi të ardhmen e Kosovës, duke thënë se nga vizitat e shumëta që i ka bërë atij vendi gjatë viteve, ai ka parë secilën herë përparimin e bërë atje, duke thënë se “Jam i bindur për të ardhmen e shkëlqyer të Kosovës.”  Ai u shpreh se siç e ka thënë shpesh herë, se kurdo që udhtojë nepër botë si shtetas amerikan, askund nuk më presin me më shumë dashuri e miqësi se ç’është rasti kur vizitoj Kosovën. “Njerëzit në Kosovë”, shtoi ai, “me të vërtetë i duan amerikanët dhe çdo gjë amerikane”.

Ai iu drejtua Dhomës së Përfaqsuesve të Shteteteve të Bashkuara duke thënë se në këtë moment, “Mënyra më e mirë për të ndihmuar Republikën e Kosovës është me mbështetje të fortë, ashtu siç kanë bërë Shtetet e Bashkuara gjatë viteve”.  Por, ai tha se ekzistojnë pengesa të mëdha ndaj zhvillimit normal të Kosovës, shumica e të cilave vijnë nga jashtë kufijve të Kosovës.   Ai tha se Kosova dëshiron, ashtu si të gjitha vendet e rajonit, të bëhet pjesë e një Evrope të sigurt e të integruar, me antarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.  Si shëmbull i këtyre pengesave nga jashtë, ligjvensi amerikan përmendi mos njohjen e shtetit të Kosovës nga “Pesë vende evropiane dhe bllokimin e antarësimit të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve Bashkuara nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia”, u shpreh ai.

“Në fakt, Serbia po përpiqet të bllokojë Kosovën në çdo rast dhe kohët e fundit ka shtuar tensionet” në rajon u kujtoi ai kolegëve të tij.  Si masa tensioni të mbsëhtetura nga Serbia, ligjvensi amerikan Eliot Engel përmendi trenin propagandistik të mbishkruar në 21 gjuhë të huaja me fjalët, “Kosova është Serbi”, me qëllim për të shkaktuar trazira në radhët e popullsisë së vogël serbe në Kosovë — dhe ndërtimin e murit famëkeq në Mitrovicë.  Për më tepër, “Serbia, vazhdon tu mohojë drejtësinë familjeve shqiptare të qindra viktimave si rezultat i fushatës serbe të spastrimit etnik kundër shqiptarëve, përfshirë rastin e tre vëllëzërve Bytyqi, shtetas amerikanë”, theksoi Z. Engel.  Ai përmendi gjithashtu edhe urdhër arrestin e Interpolit serb për Ramush Haradinaj, i cili u arrestua nga autoritetet franceze, por i cili është gjetur dy herë i pafajshëm nga tribunali ndërkombëtar, theksoi Engel.  Franca, tha ai, “Duhet ta lejojë Ramush Haradinajn të këthehet në Atdhe. Mjaft është mjaftë”, deklaroi kongresmeni amerikan para Kongresit.

Në vijim, ai shprehu dyshimin e të ashtuquajturit sukses të bisedimeve, midis Beogradit e Prishtinës, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, duke thënë se “Serbia po pengon integrimin ndërkombëtar të Kosovës dhe se kësaj duhet t’i thuhet stop njëherë e mirë!”  Në fjalimin e tij, Zoti Engel iu drejtua kolegëve ligjvenës në Kongres duke thënë se, “Ju mund të habiteni të mësoni se pas 9 vjetësh si shtet i lirë e i pavarur, Kosova ende nuk ka një ushtri të vetën.  Pra, një shtet i pavarur e sovran, pa ushtri!  Kosova”, tha ai, “ka një Forcë Sigurie, por asgjë në krahasim me forcat e mëdha të armatosura serbe dhe të furnizuara mirë nga Rusia”, në kufirin e saj.  Ai theksoi se është aburd fakti që Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin, tani për tani, themelimin e një ushtrie të shtetit të Kosovës.   Është një qëndrim që duhet të ndryshojë sa më parë nga ana e Washingtonit, pasi armët dhe furnizimet ruse vazhdojnë të dërgohen pa pengesë në Serbi, me miratimin e Vladimir Putinit.

Megjithëtë, Eliot Engel theksoi se marrëdhëniet e Amerikës me Kosovën janë të forta dhe e ardhmja e tyre është e shkëlqyeshme.  Duhet të qëndrojmë dhe të vazhdojmë në këtë rrugë, ka thënë ai.  “Si shtet i ri”, Kosova nënvijoi ai, “ka nevojë për ndihmë. Ne e dimë më mirë se çdo kush se sa e vështirë është të ndërtohet demokracia, nganjëherë haset në pengesa e herë të tjera është e mevojshme ndihma”, u shpreh ai para Kongresit.   Z. Engel nevijoi se mbështetja amerikane për Kosovën tani, është më e rëndësishme se kurrë më parë.   Kjo është arsyeja, theksoi miku i shqiptarëve në Kongresin amerikan, që Shtetet e Bashkuara të punojnë për thellimin e marrëdhënieve tona, të shtojmë mirëkuptimin dhe të vazhdojmë të mbështesim stabilitetin anë e mbanë gadishullit ballkanik.  “Kjo është mënyra e vetme për të garantuar një Kosovë më të begatshme, më demokratike dhe multi-etnike dhe kjo është mënyra që Shtetet e Bashkuara të krijojnë gjtihashtu edhe një rajon të lirë dhe në paqë në Ballkan, si pjesë e një Evrope të bashkuar.

Në fund të fjalimit, Elot Engel u bëri thirrje Shteteve të Bashkuar që të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës si shtet i lirë e i pavarur.  Për shumë vite, shtoi ai, popullit të Kosovës u ishin mbushur veshët me gënjeshtra e propagandë kundër Shteteve të Bashkuara gjatë sundimit të regjimeve komuniste shekullin e kaluar, por ata nuk i kanë besuar kurrë ato rrena, tha Z. Engel. “Populli i Kosovës, pohoi ai, është mirënjohës për të gjitha ato që Shtetet e Bashkuara kanë bërë për atë vend në të kaluarën.  Është një popull të cilin e dua për mik, për miq të tillë kemi nevojë”, u shpreh Engel.

Zoti Engel e përfundoi fjalimin e tij të mërkurën, në sallen e madhe të Dhomës së Përfaqsuesve, me një mesazh për popullin dhe qeverinë e Kosovës, duke deklaruar se “Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pranë jush dhe do të jenë gjithmonë me ju”. Ndërsa iu drejtua qeverisë së Serbisë me këto fjalë: “Ne përkrahim aspiratat e popullit serb për antarësim në Bashkimin Evropian, por Serbia duhet të ndalojë menjëherë masat që ka ndërmarrë për bllokimin e antarësimit të Kosovës dhe të ndërpresi njëherë e mirë masat luftënxitëse kundër Republikës së Kosovës.” Të dy shtetet, tha në fund të fjalimit të tij Z. Engel, “duhet të antarësohen në Bashkimin Evropian dhe eventualisht në NATO, pa u penguar nga njëra tjetra.”

 

Më poshtë teskti i plotë i fjalimit të Z. Engel në anglisht:

https://democrats-foreignaffairs.house.gov/news/press-releases/engel-remarks-us-policy-toward-kosovo

Nunes: Komunikimet e ekipit Trump mund të jenë interceptuar

Kryetari i Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve Devin Nunes tha se komunikimet e ekipit të tranzicionit të Presidentit Donald Trump, ndoshta duke përfshirë edhe vetë presidentin, mund të jenë monitoruar si pjesë e një “interceptimi rastësor”.

Zoti Nunes u tha gazetarëve se komunikimet e monitoruara nuk duket të kenë lidhje me hetimin e tanishëm të FBI-së rreth kontakteve të bashkëpunëtorëve të zotit Trump me Rusinë. Ai tha se beson që interceptimi të jetë bërë në mënyrë të ligjshme.

Shtëpia e Bardhë tha se kongresmeni Nunes do të informonte Presidentin Trump për këtë çështje.

Mbetet e paqartë nëse komunikimet e vetë zotit Trump janë monitoruar. Zoti Nunes tha se kjo ishte diçka e mundur.

Nunes tha se informacioni për ekipin e zotit Trump ishte mbledhur në muajt nëntor, dhjetor dhe janar, periudha pas zgjedhjeve, gjatë së cilës ai zhvillonte telefonata me udhëheqësit e huaj, intervistonte kandidatët për sekretarë të kabinetit dhe po fillonte të përvijonte politikat e administratës.

Nunes tha se materiali i monitoruar ishte “përhapur gjerësisht” nëpër raportet e inteligjencës.

I pyetur nëse besonte se ekipi i tranzicionit ishte përgjuar, zoti Nunes tha se çdo gjë varet nga përkufizimi i fjalës “përgjoj”.

Kongresmeni nga Kalifornia nuk tha se si ishin interceptuar komunikimet e ekipit të zotit Trump. Agjencitë amerikane të zbulimit i monitorojnë rregullisht komunikimet e zyrtarëve të huaj.

Përgjimet ndonjëherë përfshijnë emrin e ndonjë shtetasi amerikan me të cilin ka qenë duke folur i huaji. Kur kjo ndodh, analistët e zbulimit e kanë për detyrë ta fshehin ose minimizojnë emrin, me përjashtim të rasteve kur kjo është e nevojshme për të kuptuar materialin e zbulimit të përfshirë në raport.

Zoti Nunes tha se emrat e bashkëpunëtorëve të zotit Trump u deklasifikuan pas interceptimit rastësor, por ai nuk i identifikoi personat për të cilët bëhej fjalë.

Kriza në Maqedoni sipas ekspertëve amerikanë

Dy vëzhgues të hershëm të zhvillimeve në Ballkan Edward Joseph dhe Januzs Bugajski analizojnë situatën e krijuar dhe paralajmërojnë për pasoja të rënda në se kriza nuk zgjidhet. Ata komentuan për korrespondentin e shërbimit maqedonas të Zërit të Amerikës, Jane Bojadzevski.

Eduard Joseph, ekspert për Ballkanin në Qendrën për Marrëdhënie Transatlantike mendon se kriza e tanishme politike në Maqedoni është artificiale, e panevojshme dhe është shkaktuar nga refuzimi i partisë VMRO-DPMNE për të pranuar të drejtën kushtetuese të një partie opozitare për të formuar qeverinë. Efekti i kësaj krize thotë eksperti është shumë i rëndë. Ai i quan thirrjet e ish kryeministrit Nikolla Gruevski që njerëzit të dalin në rrugë në mbrojtje të vendit të papërgjegjëshme dhe potencialisht të rrezikshme.

“Thirrjet për protesta në rrugë për të mbrojtur vendin, sikur vendi të ishte nën ndonjë lloj kërcënimi, kur ky nuk është gjë tjetër veçse një proces demokratik i një koalicioni tjetër qeverisës që ka hartuar një qeveri e që mund të drejtojë vendin, ta kundërshtosh këtë dhe të bësh këto thirrje për mbrojtjen e vendit, është e papërgjegjëshme dhe potencialisht e rëndë”.

Janush Bugajski, hulumtues në Qendrën për Analizat e Politikës së Jashme Evropiane thotë se Maqedonia është pranë një krize madhore. Ai e quan kërkesën e opozitës për të rifilluar punimet në parlament si të rëndësishme, por më e rëndësishme thotë ai, është formimi i një qeverie legjitime, të pranuar nga presidenti, sipas kushtetutës dhe në përputhje me rezultatet e zgjedhjeve.

“Duket se situata është bllokuar. Kjo mund të çojë nga një krizë në një tjetër dhe mund të përkeqësohet shumë më shpejt nga sa mendohet”.

Për zotin Joseph, argumenti i shtruar nga presidenti i vendit për rrezikshmërinë që mund të vijë nga e ashtuquajtura platforma shqiptare është e padrejtë dhe e motivuar politikisht.

“Së pari kjo nuk është diçka e re, nuk ka qënë sekret dhe votuesit e kanë ditur. Së dyti, nocioni se ky është një farë rreziku nuk është i llogjikshëm – çdo qeveri maqedonase që nga pavarësia ka pasur parti shqiptare në përbërje. Partia Bashkimi Demokratik për Integrim ka qënë pjesë e qeverisë së Gruevskit megjithëse në një periudhë quhej grupim terrorist. Pra nocioni që kjo parti është e denjë për të qënë pjesë e qeverisë së Gruevskit, por është e padrejtë për një parti të opozitës të ketë në koalicion një parti shqiptare është e pallogjikshme”.

Janush Bugaski thotë se në se e sheh platformën shqiptare, kërkesat nuk janë aq larg nga Marrëveshja e Ohrit. Shumë shqiptarë, thotë ai nuk ishin të kënaqur me punën e koalicionit të mëparshëm qeveritar.

“Kjo nuk ka të bëjë aq shumë me të drejtën e gjuhës për mendimin tim sesa me premtimet ekonomike. Qeveria nuk ka favorizuar pjesën shqiptare të popullatës, duke e diskriminuar për interesat e saj, por këtu përfshihen edhe social-demokratët. Kjo është arsyeja përse edhe social-demokratët janë kundër performancës të qeverisë së mëparshme. Shumë shqiptarë votuan për opozitën maqedonase dhe jo për partitë shqiptare”.

Sipas zotit Bugajski, kriza politike mund të shoqërohet me konflikte të reja etnike.

Edward Joseph e sheh mundësinë e zgjedhjeve të reja të propozuar nga ish kryeministri Gruevski si të padrejtë dhe të pabazë. Në një sistem parlamentar thotë ai, shkaku për të patur zgjedhje të reja, është atëhere kur rezultatet e zgjedhjeve janë të tilla që nuk mund të çojnë në krijimin e një qeverie. Por në këtë rast thotë eksperti, është e qartë se ka një qeveri që mund të krijohet.

Sipas tij, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë mundësi ta zgjidhur krizën.

“Ambasada dhe ambasadori amerikan në Shkup duhet të jenë të palëkundur në zbatimin e parimeve demokratike, të kuptojnë çfarë implikimesh ka kjo situatë jo vetëm për Maqedoninë por për rajonin në gjërësi dhe mbarë Evropën”.

Sipas zotit Joseph, duhet një qëndrim i prerë kundër përpjekjeve të qeverisë për të shkatërruar procesin demokratik kur nuk ju pëlqejnë rezultatet e zgjedhjeve apo koalicioni i formuar në parlament.

Sipas zotit Bugajski, Shtetet e Bashkuara duhet të sjellin të dyja palët pranë dhe t’i paralajmërojnë se po rrezikojnë të ardhmen e vendit. Nga ana tjetër duhet të ketë një farë nxitje për anëtarësimin në Nato.

“Mendoj se kjo lojë është zgjatur shumë me Greqinë. Maqedonia duhet të ketë një të ardhme, duhet të ketë një vizion për çfarë është arritur dhe çfarë pritet të arrijë. Pa një vizion të tillë, mendoj se vendi do të zhytet në kaos”.

Ish-ndihmësi i Trumpit kishte propozuar plan për përfitime të Putinit

Paul Manafort

Agjencia Associated Press (AP) ka raportuar se Paul Manafort, ish-shef i fushatës së presidentit amerikan, Donald Trump, në mënyrë sekrete kishte propozuar një strategji politike, me të cilën do të përfitonte presidenti rus, Vladimir Putin, dhe do të dëmtoheshin kundërshtarët e tij.

Duke cituar disa njerëz, të afërt me pagesat që i janë bërë Manafortit dhe shënimet biznesore që i ka siguruar, AP ka raportuar sot se ky biznesmen amerikan e kishte propozuar planin te pasaniku rus me lidhje në Kremlin, Oleg Deripaska, më herët se në qershor të vitit 2015.

Thuhet se ky plan synonte ndikime në polikë, marrëveshje biznesore dhe raportim gazetaresk në gjithë Shtetet e Bashkuara, në Evropë dhe në ish-Bashkimin Sovjetik, në mënyrat që do ta favorizonin Putinin.

Manafort, eventualisht e kishte nënshkruar kontratën në vlerë prej 10 milionë dollarësh me zotin Deripaska dhe kishte pasur marrëdhënie biznesore me të deri së paku në vitin 2009, raporton AP.

Ky raport duket se i kundërshton deklaratat e mëhershme të administratës Trump dhe vetë zotit Manafort, se ai kurrë nuk kishte punuar për interesa të Rusisë.

Manafort, i cili paraqiti dorëheqje në gusht të vitit 2016, pas akuzave për kontakte me zyrtarët e inteligjencës së Rusisë dhe për pagesa joligjore të ndërlidhura me punën e tij paraprake për partinë politike të ish-presidentit të Ukrainës, Viktor Yanukovich, që kishte qëndrim miqësor ndaj Rusisë, ia ka konfirmuar AP-së se kishte punuar për zotin Deripaska.

Por, ai tha se kjo punë “nuk involvonte përfaqësim të interesave politike ruse” dhe në mënyrë jokorrekte ishte përshkruar si “i papërshtatshëm dhe djallëzor” në kuadër të “fushatës njollosëse” kundër tij.

Trumpi planifikon riafirmimin për “përkushtimin e fuqishëm” në samitin e NATO-s

Donald Trump në zyrën e tij në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti amerikan, Donald Trump, planifikon të marrë pjesë në samitin e NATO-s më 25 maj në Bruksel.

Në kumtesën e sotme, Shtëpia e Bardhë tha se Trump me kënaqësi e pret “takimin me kolegët e tij në NATO për ta riafirmuar përkushtimin tonë të fuqishëm për NATO”.

U tha se ai, po ashtu, planifikon të “diskutoj çështje kritike për aleancën, veçanërisht përgjegjësitë e përbashkëta të aleatëve dhe rolin e NATO-s në luftën kundër terrorizmit”.

Zoti Trump pat shkaktuar shqetësim gjatë fushatës presidenciale amemrikane pasi NATO-n e quajti të vjetëruar.

Prej asaj kohe, ai është shpehur se Shtetet e Bshkuara janë të përkushtuara për NATO-n, por ka bërë presion të fuqishëm që anëtarët e tjerë të aleancës ushtarake veri-atlantike me 28 anëtarë, t’i shtojnë shpenzimet, duke thënë se shumë prej tyre nuk po e paguajnë në mënyrë korrekte pjesën e tyre.

Në kumtesën e sotme, po ashtu, theksohet se Trump do të takohet me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në Shtëpinë e Bardhë, më 12 prill.

SHBA propozojnë një datë alternative për takimin e NATO-s

Departamenti Amerikan i Shtetit, tha të martën se Tillerson nuk do të mund të marrë pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s i cili do të mbahet në datat 5 dhe 6 prill në Bruksel

WASHINGTON – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë propozuar një datë alternative për takimin ministror të NATO-s, sepse siç kanë thënë, data e parë e njoftuar, nuk premton pjesëmarrjen e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Rex Tillerson i cili ka një axhendë të ngjeshur, raporton Anadolu Agency (AA).

Departamenti Amerikan i Shtetit, tha të martën se Tillerson nuk do të mund të marrë pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s i cili do të mbahet në datat 5 dhe 6 prill në Bruksel.

Siç raportohet, Tillerson është paraparë të shoqërojë presidentin amerikan Donald Trump në takimin e tij me presidentin kinez Xi Jinping, që do të mbahet në Florida në datat 6 dhe 7 prill.

SHBA: Lëvizje për marrjen e shtetësisë së një operativisti të al-Kaidës

Pamje e urës Brooklyn Bridge në Nju Jork

Autoritetet e Shteteve të Bashkuara kanë ndërmarrë një aksion të rrallë për ta tërhequr shtetësinë e një personi të dënuar në vitin 2003 për involvim në një komplot të al-Kaidës, për ta shkatërruar Urën Bruklin në Qytetin e Nju Jorkut.

Departamenti i drejtësisë para dy ditësh e ka filluar një proces civil për ta tërhequr vendimin për dhënien e shtetësisë amerikane për personin, Iyman Faris, i lindur në Pakistan, i cili është në vuajtje të dënimit me 20 vjet burg për mbështetje të organizatës terroriste.

Ai mund të lirohet në vitin 2020.

Departamenti amerikan i drejtësiës tha se Faris kishte gënjyer për ta marrë shtetësinë dhe në mënyrë mashtruese e ka shfrytëzuar pasaportën e një personi tjetër për të hyrë në Shtetet e Bashkuara në vitin 1994.

“Zyra e imigrimit dhe çështjeve gjyqësore e Departamentit do të vazhdoj me procedurat për denaturalizim kundër terroristëve të dyshuar të njohur, që e kanë siguruar shtetësinë me mashtim”, tha zyrtari i këtij departamneti, Chad Readler.

Personi, Iyman Faris, më parë pat pranuar se e kishte shqyrtuar mundësinë e dëmtimit të kabllove mbajtëse të Urës Bruklin, në kuadër të një komploti të al-Kaidës, por në vitin 2002 kishte konkluduar se siguria ishte shumë e madhe për ta ndërmarrë një sulm të tillë në këtë urë.

Trumpi e ka nënshkruar legjislacionin për misione njerëzore në Mars

Presidenti amerikan, Donald Trump, dje e ka nënshkruar legjislacionin, me të cilin parashihet që në dekadat e ardhshme të mundësohet dërgimi i misioneve njerëzore në Mars.

Ky legjislacion ishte miratuar nga votimi i rrallë unanim në Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe e udhëzon agjencinë e gjithësisë NASA, që të punojë kah dërgimi i njerëzve në Mars deri në vitin 2030.

Po ashtu, autorizohet zhvillimi i sondës së thellë kozmike, të quajtur Orion, e cila do t’i dërgonte njerëzit mëtutje në gjithësi, që deri tash nuk ka ndodhur.

Presidenti Trump tha se ky legjislacion “e konfirmon përkushtimin tonë për misionin themelor të NASA-s”, dhe e ka lavdëruar “rolin historik” të astronautëve amerikanë.

SHBA: Tillerson kërkon miratimin e pranimit të Malit të Zi në NATO

Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, në një letër dërguar liderëve të Senatit ka kërkuar që të miratohet anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, duke thënë se “kjo është fuqishëm në interes të Shteteve të Bashkuara”, kanë raportuar mbrëmë mediat.

Në letrën dërguar më 7 mars, zoti Tillerson ka argumentuar se pranimi i Malit të Zi në NATO, është mbështetje për integrimin, reformën demokratike, tregtinë, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan, ka raportuar agjencia Reuters.

Për muaj të tërë, votimi në Senat për këtë çështje është shtyrë nga vërejtjet e dy senatorëtve republikanë, Rand Paul dhe Mike Lee.

Paul e ka vënë në pyetje mençurinë e zemërimit të Rusisë, që e kundërshton zgjerimin e NATO-s, dhe e ka kundërshtuar çmimin e miratimit të anëtarësimit në NATO të këtij vendi të vogël, për të cilin thotë se nuk do të luaj rol të rëndësishëm në mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara.

Mali i Zi, me 650 mijë banorë, shpreson ta fitoj mbështetjen e të gjitha 28 shteteve të NATO-s me kohë, për tu bërë anëtar i plotë në samitin e NATO-s në muajin maj.

Deri tash është mbështetur nga 24 shtete aleate në NATO.

Senatorja Dianne Feinstein pohon se Trumpi do të dorëhiqet

Sipas saj, Trumpi më parë do të dorëhiqej se sa të lejojë që dikush ta shkarkojë nga posti i presidentit

LOS ANGELES – Senatorja demokrate njëherësh anëtare në Këshillin për Gjyqësor, Dianne Feinstein, ka bërë një deklaratë duke theksuar se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump së shpejti do të dorëhiqet nga posti.

“Së shpejti vetë Trumpi do të tërhiqet nga zyra e Presidentit”, tha Feinstein gjatë një fjalimi në protestat kundër presidentit të Shteteve të Bashkuara që u mbajtën në Los Angeles.aa

Tillersoni do të vizitojë Rusinë në maj por nuk do të marrë pjesë në samitin e NATO-s

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson do të zhvillojë vizitën e parë zyrtare në Rusi në muajin maj, si pjesë të turneut të tij evropian por nuk do të marrë pjesë në samitin e NATO-s që do të mbahet në prill.

Departamenti amerikan i Shtetit e ka bërë këtë njoftim mbrëmë vonë por nuk ka dhënë arsyet pse Tillerson nuk do të marrë pjesë në takimin e NATO-s.

Duke cituar zyrtarë amerikanë, agjencia Reuters raporton se Tillerson nuk do të marrë pjesë në samitin e NATO-s në Bruksel por në vend të kësaj do të marrë pjesë në takimin e presidentit Donald Trump dhe homologut kinez, Xi Jinping, që pritet të mbahet në Florida më 6 dhe 7 prill.

Tillerson më pas do të fluturojë drejt Moskës dhe më pas do të marrë pjesë në samitin e G7-ës, që ,mbahet në Itali.

Nënsekretari amerikan për Çështje Politike, Tom Shannon do të përfaqësojë SHBA-në në samitin e NATO-s, ka njoftuar DASH.

SHBA do të ndalojë pajisjet e mëdha elektronike në fluturimet direkte nga Lindja e Mesme

Aeroporti John F. Kennedy, foto nga arkivi

Qeveria e Shteteve të Bashkuara pritet të ndalojë udhëtarët në fluturimet direkte nga Lindja e Mesme për në shtetet e Afrikës Veriore, të bartin në bord pajisje të mëdha elektronike.

Ky ndalim, i cili pritet të hyjë në fuqi sot, është njoftuar në një deklaratë të kompanisë ajrore Royal Jordanian.

Zyrtarët amerikanë i kanë thënë agjensive, AP, Reuters, CNN dhe mediave të tjera, se kjo ndalesë do të aplikohet vetëm për fluturimet direkte për në SHBA nga 10 aeroportet në 8 shtetet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore. Ata nuk kanë përmendur se për cilat shtete bëhet fjalë.

Royal Jordanian ka thënë se telefonët dhe pajisjet mjekësore pritet që të mos përfshihen në këtë ndalesë. Por pajisjet e tjera, ka thënë kjo kompani ajrore, duhet të futen në bagazh. Kjo kompani ka shtuar se kjo ndalesë do të prekë pasagjerët që fluturojnë drejt Nju Jorkut, Çikagos, Detroidit dhe Montrealit.

CNN raporton se kjo ndalesë është e lidhur me kërcënimin që paraqet Al-Kaida në Gadishullin Arabik, i cili ka qenë i përfshirë në sulmet e para në avionët që ishtin nisur drejt SHBA-së.

Një ish-shef policie ndalohet në aeroportin e Nju Jorkut

Pasi u ndalua dhe u mbajt për 90 minuta në aeroportin e Nju Jorkut, një ish-shef policie në SHBA thotë se “ndjehet i cënueshëm dhe i pasigurtë për të ardhmen e një vendi që ishte dikur madhështor”.

Hassan Aden është bërë shtetas amerikan që në moshën 10 vjeçare, dhe është djalë i një nëne italiane dhe një babai somalez. Ai u kthye në SHBA nga Parisi më 13 mars dhe tha se e veçuan ndërsa po kryente procedurat e hyrjes. Një zyrtar i tha se emri i tij ishte i njëjtë me emrin e përdorur nga dikush që figuronte në listën e personave nën vrojtim, dhe se informacioni do të verifikohej nga një agjensi tjetër përpara se të lejohej të hynte në vend.

Zoti Aden përshkroi në Facebook se shikoi të kalojnë të paktën 25 shtetas të huaj që u kontrolloheshin pasaportat për rreth 5 minuta dhe më tej lejoheshin të vazhdonin. Kur ai u ankua për kohëzgjatjen e ndalimit të tij, iu përgjigjën se nuk ishte i ndaluar.

“Ndodhesha në një dhomë pa celularin për të komunikuar me gruan dhe familjen për çfarë po ndodhte; isha i kufizuar në një karrige dhe më kishin mbajtur pasaportën… ndërkohë që kishin guximin të më thonin se nuk isha i ndaluar”, shkruajti zoti Aden.

Ai tha se meqë ka qenë vetë zyrtar i zbatimit të ligjit, e mirëkupton “një ndalim të arsyeshëm për hetim” nëse përmbushen disa kritere. Por, ai ngre pikëpyetje nëse “frika dhe ndalimi” janë misioni i ri i Agjensisë së Patrullimit të Kufirit dhe Doganave (CPB).

Agjencia thotë se ajo nuk komenton për raste individuale.

Eksperiencat e përjetuara në aeroportet amerikane janë vendosur veçanërisht në fokus pasi Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv duke ndaluar dhënien e vizave të reja personave nga shtatë vende, si dhe duke pezulluar programin amerikan të pranimin të refugjatëve. Një gjykatë federale i ndaloi qeverisë zbatimin e urdhërit, dhe pasi zoti Trump nënshkroi një urdhër të ri, një tjetër gjykatë e bllokoi edhe atë. Presidenti thotë se këto masa janë të nevojshme për të mbrojtur sigurinë kombëtare.

Urdhëri fillestar shkaktoi konfuzion në aeroporte pasi zyrtarët e kufirit nuk ishin të sigurtë se si t’i zbatonin rregullat, në veçanti për personat që kishin marrë tashmë një vizë. Një numër udhëtarësh u ndaluan, në disa raste duke u mohuar edhe të drejtën e takimit me një avokat.

Gjatë po këtij muaji, Muhammad Ali Jr., i biri i legjendës së boksit Muhammad Ali, njoftoi se ishte ndaluar dhe marrë në pyetje në dy aeroporte të ndryshme.

Në një aeroport në Florida, zoti Ali tha se zyrtarët e patën pyetur vazhdimisht “Nga e ke marrë emrin?” dhe “A je mysliman?”.

Ai u ndalua herën e dytë, vetëm një ditë pasi kishte dëshmuar në Kongres për incidentin e parë.

Shefat e FBI-së dhe NSA-së dëshmojnë për ndërhyrjen ruse në zgjedhje

James Comey

Drejtori i agjencisë FBI, James Comey, sot pritet të dëshmoj në një komitet të Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2016.

Ky do të jetë dëgjimi i parë i hapur për involvimin e Rusisë në procesin zgjedhor në Shtetet e Bashkuara.

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, është goditur nga raportet e inteligjencës për përzierjen e Rusisë në fushatën zgjedhore dhe për hetimet e raportuara të agjencisë FBI ndaj ndihmësve të Trumpit.

Donald Trump i ka hedhur poshtë sugjerimet se ai ose fushata e tij kishin kontakte jopërkatëse me zyrtarët e Rusisë.

Parashihet, që në këtë dëgjim të paraqitet edhe drejtori i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (NSA), Mike Rogers.

Ndikimi i kufizimit të udhëtimeve tek turizmi në SHBA

Turizmi i të huajve në Shtetet e Bashkuara, që mbështet miliona vende pune, është ngadalësuar, ndoshta për arsyen se presidenti Donald Trump kërkoi kufizimet e udhëtimeve nga disa vende me shumicë myslimane. Kërkimet në internet për fluturimet në Shtetet e Bashkuara janë ulur në shumicën e vendeve të mëdha, dhe jo vetëm në ato të goditura nga kufizimet. Disa ekspertë të udhëtimit thonë se përpjekjet e administratës Trump për të kufizuar emigracionin kanë bërë që disa turistë dhe studentë të huaj të tregohen më të matur për të vizituar Shtetet e Bashkuara.

Kufizimi i udhëtimeve shkaktoi protesta, mbulime kritike në media dhe një mori padish ligjore.

Një peticion grumbulloi firmat e mijëra përkrahësve të mësuesit britanik të matematikës, Juhel Miah, i cili u ndalua të hipte në një avion me destinacion Shtetet e Bashkuara ndërsa shoqëronte nxënës britanikë në një ekskursion për në Amerikë. Ai foli përmes Skype-it:

“Mendoj vërtet se u vura në shënjestër. A ndodhi kjo për shkak të emrit tim? A ndodhi për shkak të paraqitjes sime, për shkak të ngjyrës së lëkurës? Nuk e di,”– thotë ai.

Ai është një nga mijëra njerëzit e konfuzuar nga kufizimet e reja dhe mendon se përvoja si ajo e tij mund të sjellin një numër më të vogël turistësh dhe studentësh britanikë, që do të duan të vizitojnë Shtetet e Bashkuara.

“Mësues të tjerë më kanë thënë se, përsa kohë që kjo situatë është e pasigurtë, nuk do të jenë të gatshëm të shoqërojnë nxënësit e tyre në udhëtime në Amerikë”, thotë zoti Miah.

Ekspertë të fluturimeve thonë se shqetësimet rreth mikëpritjes në Shtetet e Bashkuara mund të dëmtojnë ardhjen e vizitorëve nga të gjitha vendet. Këto shqetësime vijnë në një kohë kur dollari i forcuar e bën Amerikën një destinacion më të shtrenjtë për vizitorët e huaj dhe ndërsa vendet e tjera po shtojnë përpjekjet për të tërhequr turistët.

Turizmi është një industri shumë konkurruese, thotë Patricia Rojas-Ungar me Shoqatën Amerikane të Udhëtimeve:

“Udhëtarët kanë një zgjidhje dhe nëse ndjejnë ndonjë shqetësim apo ankth rreth destinacionit ku duan të udhëtojnë, thjesht mund të zgjedhin një vend tjetër. ”

Nëse vizitorët shkojnë diku tjetër, kjo mund të dëmtojë një industri që është e rëndësishme për të gjitha shtetet amerikane.

“Udhëtimi dhe turizmi janë një nxitës i rëndësishëm e ekonomisë amerikane. Është një industri 2.1 trilion dollarëshe, që mbështet 15 milionë vende pune”, thotë Patricia.

Ajo shpreson se administrata Trump do t’i bëjë më të qarta politikat në të ardhmen dhe do të punojë për të siguruar një mikpritje më të ngrohtë për vizitorët.

Ndërkohë, mësuesi britanik Juhel Miah ka marrë inkurajime përmes letrave dhe email-ave nga amerikanë, përfshirë një prej një nxënësi të klasës së pestë në Atlanta. Ai thotë, se përsëri mezi pret t’i vizitojë Shtetet e Bashkuara.

Përforcohet siguria në Shtëpinë e Bardhë

Shërbimi sekret amerikan ka përforcuar përpjekjet e sigurisë pasi një person hyri me makinë deri tek një pikë kontrolli në Shtëpinë e Bardhë të shtunën në mbrëmje dhe tha se kishte një bombë.

Zyrtarët thonë se shoferi u arrestua menjëherë dhe automjeti iu konfiskua.

Një zëdhënës i Shërbimit Sekret tha se është ndërmarrë një “hetim penal”.

Nuk ishte menjëherë e qartë nëse kishte vërtet bombë në makinë.

Presidenti Donald Trump nuk ishte në Shtëpinë e Bardhë. Ai po kalon fundjavën në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida, fundjava e tij e pestë atje që kur mori detyrën më 20 janar.

Incidenti ndodhi vetëm pak orë pasi Shërbimi Sekret kapi një person që hyri në perimetrin e sigurisë së Shtëpisë së Bardhë.

Sipas njoftimeve, oficerët e Shërbimit Sekret menjëherë e kapën dhe arrestuan personin.

Më 10 mars, një burrë nga Kalifornia përshkoi tre barriera rreth Shtëpisë së Bardhë, dhe ia doli të mos kapej për mbi 15 minuta para se të kapej pranë një dere që çonte në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti Trump ishte në Shtëpinë e Bardhë në ato momente.

Nunes: S’kam parë asnjë dëshmi për bashkëpunimin mes fushatës së Trumpit dhe Rusisë

Një ligjvënës amerikan ka thënë se nuk ka parë “asnjë dëshmi” të bashkëpunimit në mes të fushatës së presidentit Donald Trump dhe Rusisë, gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar.

Këto komente të bëra nga përfaqësuesi republikan, Devin Nunes, në një intervistë televizive, vijnë vetëm një ditë përpara se drejtori i FBI-së, James Comey të dëshmojë përpara Komitetit të Inteligjencës, që udhëhiqet nga Nunes.

Comney dhe drejtori i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, Mike Rogers, do të përgjigjen në pyetje me lidhjet e mundshme në mes të Rusisë dhe fushatës së Trumpit si dhe për pretendimet e presidentit për përgjimet nga paraardhësi i tij, Barack Obama.

Nunes i ka thënë Fox News se bazuar në “gjithçka që kam parë deri më sot”, ai nuk ka parë “asnjë provë” për lidhjet e mundshme mes fushatës së Trumpit dhe Rusisë.

President Donald Trump ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet për kontakte të papërshtatshme të fushatës së tij me zyrtarë rusë.

Akuzat për përgjim të Presidentit Trump, në qendër të seancës në Kongres

Megjithë një javë kundërshtimesh nga republikanët në Kongres, Shtëpia e Bardhë ka mbështetur akuzat e Presidentit Trump se ish-Presidenti Barack Obama përgjoi fshehurazi telefonatat e tij në Kullën Trump në Nju Jork. Ky debat e shtoi më tej interesin për seancën e nesërme dëgjimore të Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve. Seanca do t’i japë për herë të parë mundësinë drejtorit të FBI-së, James Comey, për të folur publikisht rreth këtyre akuzave si dhe për hetimin nga agjensia e tij të konktateve me Rusinë të anëtarëve të fushatës Trump.

Ka shumë pyetje, por jo mjaftueshëm përgjigje, ndërsa Komisioni i Zbulimit i Dhomës së Përfaqësuesve përgatitet të trajtojë publikisht akuzat e Presidentit Trump.

“Ka shqetësim të madh nga pikëpamja e sigurisë kombëtare, që Presidenti të ketë vullnetin ta thotë një gjë të tillë”, u shpreh anëtari i Komisionit, ligjvënësi demokrat Adam Schiff.

Anëtarë të vetë partisë së Presidentit iu bashkuan demokratëve duke thënë se nuk kanë asnjë provë për pretendimet e tij në Twitter.

“Nuk kemi prova se ka ndodhur kjo gjë. Nuk mendoj se është përgjuar realisht Kulla Trump”, tha kryetari i Komisionit të Zbulimit, Devin Nunes.

Krerët e Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve morën mbështetje dypartiake nga kolegët e tyre në Senat, vetëm një ditë pasi Senatori republikan Lindsey Graham kërkoi përgjigje nga FBI-ja rreth këtyre akuzave.

“Është një kërkesë krejt e thjeshtë – a pati urdhër të lëshuar nga ndonjë gjykatë amerikane për survejimin e fushatës Trump?” u shpreh Senatori Graham.

Ndërsa FBI-ja u premtoi senatorëve një seancë të klasifikuar informuese, drejtori Comey duhet të përballet në publik nesër me këto pyetje të vështira.

“Do ta pyesim nëse ekziston ndonjë provë që mbështet pretendimin e Presidentit. Më shqetëson thellësisht që Presidenti bën një akuzë të tillë pa patur baza, dhe mendoj se është në interesin e publikut që kjo çështje të trajtohet publikisht prej drejtorit të FBI-së”, tha ligjëvënësi demokrat Adam Schiff.

Presidenti u duk sikur dje u distancua nga akuza e tij.

“Nuk thamë asgjë, thjesht cituam një person shumë të talentuar për legjislacionin, që e tha këtë gjë në televizion”, tha Presidenti Trump.

Komisioni i Zbulimit i ka kërkuar FBI-së të paraqesë emrat e shtetasve amerikanë nën përgjim. Nëse emri i zotit Trump apo bashkëpunëtorëve të tij gjenden në atë listë, mund të kuptohet si shenjë se FBI-ja po heton kontaktet ndërmjet fushatës Trump dhe Rusisë.

“Është detyrë e tij të shpjegojë qartësisht natyrën dhe rrethanat e këtyre kontakteve”, mendon Susan Hennessey, nga Instituti Brookings.

Megjithëse në një dëgjesë të vetme nuk mund të trajtohen muaj të tërë pikëpyetjesh rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane, dëgjesa mund të shërbejë si një fillim.

“Mendoj se më domethënëse tashmë për popullin amerikan është që të sigurohet se kjo është diçka që Kongresi po e merr seriozisht”, thotë zonja Hennessey.

Pra, pas një jave pikëpyetjesh në Kongres, … ndizet shpresa për disa përgjigje.

Alarm për bombë në Shtëpinë e Bardhë

Shërbimet sekrete amerikane kanë ndaluar një burrë, që ngiste makinën e tij deri në pikën e kontrollit drejt Shtëpisë së Bardhë të shtunën mbrëma.

Brenda në makinë thuhet se ka pasur një bombë, sipas asaj që kanë thënë dy zyrtarë të forcave të sigurisë, shkruan CNN, transmeton Klan Kosova.

Nuk ka pasur më tej ndonjë konfirmim që se është gjetur ose jo ndonjë mjet i dyshimtë, por që menjëherë pas kësaj sigurimi i Shtëpisë së Bardhë ka qëndruar në gjendje gatishmërie.

Vetura me të cilën i dyshuari kishte mësyrë Shtëpinë e Bardhë është kontrolluar në detaje.

Në kohën kur ka ndodhur ngjarja, presidenti Donald Trump nuk ka qenë aty.

Trump: Gjermania i ka borxh shuma të mëdha parash NATO-s dhe SHBA-së

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump thotë se Gjermania i ka borxh “shuma të mëdha parash” NATO-s dhe duhet ta paguajë SHBA-në me qëllim që t’i ofrohet më shumë siguri.

Trump i bëri këto komente sot në Twitter, vetëm një ditë pasi u takua me kancelaren gjermane Angela Merkel në Shtëpinë e Bardhë.

“Pavarësishtë asaj që keni dëgjuar në lajmet e rreme, unë kam pasur një takim të mirë” me Merkelin, ka shtuar presidenti amerikan.

“Përkundër kësaj, Gjermania i ka borxh shuma të mëdha parash NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara dhe duhet të paguajë më shumë për të qenë më e fuqishme dhe një mbrojtje shumë e shtrenjtë i ofrohet Gjermanisë”, ka shkruar tutje ai.

Trump në takimin me Merkelin ka rikonfirmuar “mbështetjen e fuqishme” të SHBA-së për NATO-n por poashtu ka thënë se shtetet anëtare duhet të paguajnë pjesën e tyre të obligimeve financiare.

“Shumë shtete, në vitet e fundit kanë borxhe të mëdha dhe kjo është e padrejtë për SHBA-në”, ka thënë Trump, duke shtuar se shtetet duhet të paguajnë borxhet e tyre.

Komiteti për Inteligjencë do të mbajë seancë dëgjimore për Rusinë

Komiteti për Inteligjencë i Senatit amerikan, foto nga arkivi

Komiteti për Inteligjencë i Senatit amerikan ka planifikuar të mbajë një seancë të dytë dëgjimore më 30 mars, në lidhje me hetimin mbi dyshimet e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.

Kryetari i Komitetit, republikani Richard Burr dhe demokrati Mark Warner kanë thënë se seanca dëgjimore do të fokusohet se si Rusia punon për të ndikuar në fushatat zgjedhore dhe opinionin publik.

Paneli i parë do të hetojë historinë e ndërhyrjeve të Rusisë në zgjedhje ndërkaq paneli i dytë do të adresojë çështjen se si Rusia përdorë sulmet kibernetike për të mbështetur spiunazhin e saj dhe aktivitetet për të ndërhyrë në një çështje.

Ish-zyrtarët e inteligjencës, persona të biznesit dhe nga akedemia është paraparë që të dëshmojnë.

Seanca e parë dëgjimore, që u mbajt në janar, ishte të bënte me aktivitetet e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës.

Agjencitë e inteligjencës së SHBA-së, vitin e kaluar publikisht kanë fajësuar Rusinë për hakimin e Komitetit Ndërkombëtar të Partisë Demokratike dhe kanë thënë se sulmet kishin për qëllim që Donald Trump të fitonte zgjedhjet.

Moska ka mohuar përfshirjen në fushatën zgjedhore dhe Trump po ashtu ka hedhur poshtë këto pretendime.

Shtëpia e Bardhë do të apelojë vendimin e gjykatës për bllokimin e urdhrit të Trumpit

Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka njoftuar të premten se do ta apelojë vendimin e gjykatës për të bllokuar hyrjen në fuqi të urdhrit të presidentit Donald Trump për ndalimin e përkohshëm të udhëtimit.

Departamenti i Drejtësisë tha se do të apelohet vendimi i Gjykatës së Qarkut të shtetit të Merilendit, i cili nuk lejoi që të hynte në fuqi urdhri i 6 marsit, që ndalon hyrjen udhëtarëve nga 6 shtete me shumicë myslimane.

Vendimi i kësaj jave i gjykatës në Merliend, bër i që një pjesë e urdhrit të Trumpit, që ka të bëjë me ndalimin e hyrjes së refugjatëve për katër muaj, të mbeste në fuqi. Por, Gjykata e Qarkut në Havaji bllokoi që urdhri tërësisht të hynte në fuqi më 16 mars, ashtu siç ishte paraparë.

Urdhri i ri i Trumpit, gjithashtu, po sfidohet nga Gjykata e Qarkut në shtetin e Uashingtonit, por gjykata tha se nuk mund të lëvizë menjëherë për këtë rast, për shkak të “ruajtjes së burimeve” dhe për të shmangur vendimet e dyfishta, pasi gjykata të tjera tashmë kanë lëshuar vendime për këtë çështje.

Gjykata e Uashingtonit ka bllokuar urdhrin origjinal të ndalesës së udhëtimit të lëshuar në janar. Urdhri i ri ndalon hyrjen e vizitorëve nga Irani, Siria, Libia, Sudani, Somalia dhe Jemeni. Këtu është përjashtuar Iraku, shtetasit e të cilit ndaloheshin të udhëtonin për në SHBA, në urdhrin origjinal të Trumpit. Urdhri i ri, nuk prek qytetarët e këtyre vendeve, të cilat kanë dokumente valide dhe viza.

Gjykatësit në Merliend dhe Havaji, që bllokuan urdhrin këtë javë, kanë qenë shumë kritikë ndaj asaj që ata kanë thonë se, pas këtij urdhri, qëndrojnë motive të paligjshme racore dhe fetare.

“Dondal Trump është duke bërë thirrje për ndalimin e tërësishëm të hyrjes së myslimanëve në SHBA”, ka thënë gjykatësi në Havaji, Derrick Watson.

Gjykatësi Theodore Chuand nga Merliendi ka thënë se “historia e deklaratave publike [të Trumpit], vazhdon të ofrojë argumente se qëllimi urdhrit të ri ekzekutiv vazhdon të jetë ndalimi i gjatë i hyrjes ndaj myslimanëve”.

Ai, gjithashtu, ka vënë në pikëpyetje nëse urdhri i Trumpit është i jashtëligjshëm pasi prek njerëzit bazuar në kombësinë e tyre, duke shtuar se asnjë president në të kaluarën nuk ka ndaluar hyrjen e të gjithë qytetarëve të një shteti, e lëre më të 6 shteteve.

Kritikët e urdhrit thonë se ai diskriminon myslimanët dhe është në kundërshtim me Kushtetutën amerikane, sa i përket fesë. Kritikët e këtij urdhri përfshijnë prokurorë të Përgjithshëm të shteteve, organizata që përfaqësojnë refugjatët, Unionin Civil Amerikan dhe Qendrën Kombëtare për Ligj të Emigracionit.

Presidenti Trump thotë se kjo masë është e nevojshme për të mbrojtur vendin nga sulmet terroriste. Ai akuzon gjykatësit që kanë bllokuar urdhrin e tij për “mashtrim të paprecedentë gjyqësor” dhe është zotuar se do të apelojë vendimet deri në Gjykatën Supreme, nëse është e nevojshme.

“Ne do të fitojmë. Ne do të mbajmë qytetarët tanë të sigurt”, u ka thënë Trump mbështetësve të tij gjatë një tubimi më 16 mars. “Rreziku është i qartë. Ligji është i qartë. Nevoja për urdhrin tim ekzekutiv është i qartë”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, ka thënë të premten se qeveria do të apelojë të gjitha vendimet që kanë bllokuar urdhrin, por nuk do të apelojë menjëherë vendimin e gjykatës në Havaji.

Analistët ligjorë kanë thënë se administrata mund të ketë zgjedhur që të apelojë së pari vendimin e gjykatës në Merilend, sepse Gjykata e Apeleve në Riçmond të Virgjinias ka më shumë gjykatës konservatorë sesa gjykatat e apelit në bregun perëndimor të Shteteve të Bashkuara.(REL)

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Takimi i parë Trump-Merkel

Pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë me Kancelaren Angela Merkel, Presidenti Donald Trump tha se ai mbështet NATO-n, por përsëriti thirrjet që vendet anëtare të rrisin kontributin financiar për të mbështetur Aleancën.

Zoti Trump shprehu një “mbështetje të fortë për NATO-n” por u bëri thirrje vendeve të tjera anëtare “që kanë borxhe të mëdha” të “paguajnë atë që u takon”.

Presidenti amerikan i bëri komentet në Shtëpinë e Bardhë në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kancelaren Merkel, të cilën më parë e kishte akuzuar se me politikën e saj të pranimit të refugjatëve sirianë po e shkatërronte Gjermaninë.

Ky ishte takimi i tyre i parë që kur zoti Trump erdhi në Shtëpinë e Bardhë.

Zoti Trump tha se marrëdhënia mes SHBA dhe Gjermanisë bazohet “në vlera të përbashkëta” dhe se aleanca është “simbol force” për botën.

Përveç NATO-s kishte edhe një numër temash të tjera me interes të përbashkët për të dy vendet. Zoti Trump tha se e vlerësonte mbështetjen e Gjermanisë për të gjetur një zgjidhje për situatën në Ukrainë.

Zoti Trump tha se të dy vendet do të vazhdonin luftën kundër radikalizmit islamik duke thënë se “siguria në imigracion është siguri kombëtare”.

Presidenti aludoi përsëri gjatë konferencës se është përgjuar në Kullën Trump gjatë administratës Obama. Ai në fakt foli me humor se ai dhe Kancelarja gjermane Merkel, siç u shpreh zoti Trump “të paktën kanë diçka të përbashkët”, duke kujtuar faktin që zonja Merkel zbuloi se ishte një ndër udhëheqësit që ishin përgjuar nga shërbimet amerikane të zbulimit gjatë administratës Obama.

Tregtia ishte një ndër temat kryesore që u prekën në konferencën për shtyp. Presidenti i Shteteve të Bashkuara theksoi disa herë se partnerët tregtarë të Amerikës nuk janë treguar të drejtë në shkëmbimet e tyre dhe se tregtia ndërkombëtare ka rënduar negativisht mbi punëtorin amerikan. Presidenti përmbendi se që nga ardhje e tij në Shtëpinë e Bardhë janë hapur mijëra vende të reja pune dhe se synimi është që të kthehet aktiviteti i prodhimit industrial në Shtetet e Bashkuara.

Tregtia me Gjermaninë, ekonomia e tretë më e madhe në botë, do të jetë temë diskutimesh mes dy udhëheqësve në një takim pune pas konferencës së shtypit.

Letra e plotë e 6 senatorëve drejtuar Tillersonit: Hetoni fondet amerikane nga keqpërdorimi!

Sekretari amerikan i shtetit Rex W. Tillerson ka marre nje leter ditet e fundit, nga senatori Mike Lee dhe një grup Senatorësh te cilet i bëjnë thirrje të hetojë si fondet amerikane po përdoren për mbështetjen e grupeve politike të caktuara në vende sovrane, pavarësisht dëshirës së tyre për vetëvendosje.

LETRA E PLOTE:

I nderuar Rex W. Tillerson

Sekretar i Shtetit

Departamenti i Shtetit të SHBA

220 I C Street N W Washington, D.C. 20520

14 Mars,2017

I dashur Sekretar Tillerson:

Urime për konfirmimin tuaj të kohëve të fundit si Sekretar i Shtetit. Ne mirëpresim bashkëpunimin me ju në lidhje me çështjet e shumta të politikës së jashtme me të cilat do të përballet kombin ynë në vitet që vijnë.

Siç jeni padyshim në dijeni, Maqedonia ka qenë e zhytur (përfshirë) në procesin e ndërtimit të qeverisë së saj të koalicionit pas zgjedhjeve të mbajtura në dhjetor 2016. Për fat të keq, ne kemi marrë njoftime të besueshme se, gjatë viteve të fundit, Misioni i SHBA ka ndërhyrë në mënyrë aktive në politikat partiake të Maqedonisë, si dhe në formësimin e mjedisit mediatik dhe shoqërisë civile atje, shpesh duke favorizuar grupe me prirje të majta politike mbi të tjerët. Ne i vlerësojmë këto raportime dekurajuese dhe, nëse janë të vërteta, tejet problematike.

Disa letra i  janë dërguar kohët e fundit ambasadorit të SHBA-së në Maqedoni të cilat ngrejnë pikëpyetje mbi rolin që Misioni i SHBA në Maqedoni luan në shpërndarjen e ndihmës së huaj të SHBA-së në Maqedoni, mbi peizazhin vazhdimësisht të trazuar politik të Maqedonisë, dhe në formimin e mjedisit mediatik dhe shoqërisë civile në Maqedoni. Përgjigjet për këto letra nuk e kanë lehtësuar shqetësimin tonë.

Pjesa më e madhe e aktivitetit në Maqedoni ka qenë e përjetësuar përmes fondeve të USAID-it të dhëna për subjekte zbatuese si fondacioni i George Soros “Shoqëria e Hapur”. Si marrësi i shpërblimeve të shumta në formën e granteve dhe duke shërbyer si një kontraktues i USAID duke zbatuar projekte në këtë vend të vogël me 2.1 milionë banorë, ndihma jonë e huaj financuar nga taksapaguesit shkon larg, duke lejuar që Fondacioni Shoqëria e Hapur – Maqedoni të nxisë një axhendë progresive dhe të forcojë politikën e majtë. Ndihma jonë e huaj duhet të përdoret vetëm për të nxitur një axhendë politike, nëse kjo është në interes të sigurisë ose ekonomisë së vendit tonë për ta bërë këtë, dhe madje edhe në këtë rast, ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të respektueshëm në një përpjekje të tillë. Ne duhet të jemi veçanërisht të kujdesshëm në promovimin e politikave që mbeten të diskutueshme edhe në vendin tonë dhe që kanë potencial të dëmtojnë marrëdhënien me qytetarët e vendeve përfituese.

Ky problem nuk është i kufizuar vetëm në Maqedoni, por duket se ndjek një model aktiviteti alarmues në këtë rajon të paqëndrueshëm. Liderë të respektuar nga Shqipëria kanë pretendime të ngjashme ndaj diplomatëve amerikanë dhe organizatave të mbështetura nga Soros të cilët shtyjnë për rezultate të caktuara politike në vendin e tyre. Fondacioni Shoqëria e Hapur – Albania (OFSA) dhe ekspertët e tij, me financim nga USAID-i, kanë krijuar dokumentin e diskutueshëm strategjik për reformën gjyqësore shqiptare. Disa udhëheqës besojnë se këto “reforma” kanë si qëllimin përfundimtar për t’i dhënë Kryeministrit dhe të majtës së qendrës kontroll të plotë mbi pushtetin gjyqësor.

Efektet destabilizuese të veprimeve të tilla në një vend të NATO-s janë të qarta dhe kërcënimi për përshkallëzim të mëtejshëm në prag të zgjedhjeve parlamentare këtë vit është i lartë. Kjo është veçanërisht shqetësuese në dritën e raporteve ndërkombëtare të rritjes së korrupsionit qeveritar në Shqipëri dhe rinovimit të forcës së trafikut të drogës dhe grupeve e organizuara kriminale në vend.

Me këto dhe situata të tjera në mendje, është shqetësuese se kjo sjellje duket të jetë parazgjedhur prej shumë nga ambasadat tona, misionet e ndihmave, dhe zyrat diplomatike në të gjithë botën. Herë pas here, udhëheqësit e huaj që vizitojnë Uashingtonin kanë shprehur shqetësime tek ne se si fondet e taksapaguesve amerikanë janë duke u përdorur në mënyrë jo produktive në vendet e tyre respektive. Situata në Shqipëri dhe Maqedoni janw shembull aktual i kësaj, por ne kemi dëgjuar shqetësime të ngjashme edhe nga vendet e Amerikës Latine dhe Afrikës.

Me respekt ju kërkojmë që ju të përdorni autoritetin tuaj për të hetuar të gjitha fondet që lidhen me promovimin e demokracisë dhe qeverisjes dhe të rishqyrtoni programet, llogaritë dhe shumëllojshmërinë e subjekteve të SHBA-ve të përfshira në aktivitete të tilla. Ne duhet të shfrytëzojmë këtë moment kritik – fillimin e një administrate të re – për të shqyrtuar se si të gjitha dollarët tona të taksapaguesve janë duke u shfrytëzuar në mënyrë që të ndalojmë aktivitetet që nxisin trazirat politike, mosrespektimin e sovranitetit kombëtar dhe shoqërisë civile, të cilat cojnë drejt minimit të përpjekjeve tona për të ndërtuar marrëdhënie të dobishme ndërkombëtare.

Ne mirëpresim vazhdimin e bashkëpunimit me ju dhe shpresojmë të nisim një marrëdhënie të dëshirës reciproke për llogaridhënie dhe transparencë në ndihmë tonë të huaj dhe programet diplomatike.

Siqerisht,

Michael S. Lee
United States Senate
James M. Inhofe
United States Senate
Thom Tills
United States Senate
Ted Cruz
United States Senate
David A. Perdue
United States Senate
Bill Cassidy, M.D.
United States Senate

New York, policia ndërhyn ndaj protestuesve kundër Trump

Policia e New York-ut ka intervenuar ndaj grupit që bllokoi trafikun dhe po protestonte me mosbindje civile në vendin ku mbaroi marshimi, duke arrestuar 25 persona

NEW YORK – Në qytetin e New York-ut në SHBA janë arrestuar 25 persona nga grupi që po protestonte me “mosbindje civile” duke bllokuar trafikun në shenjë proteste kundër dekretit të presidentit amerikan Donald Trump që ndalon udhëtimin në SHBA për shtetasit e gjashtë vendeve muslimane, raporton Anadolu Agency (AA).

Në tërë SHBA-të vazhdojnë protestat kundër mos heqjes dorë nga ndalesa e udhëtimit edhe krahas anulimit të së parës, dhe nënshkrimit të sërishëm të saj nga Trump.

Grupe në New York që kundër dekretit nisën “javën e rezistencës”, u mblodhën në sheshin Washington. Protestuesit marshuan drejt Byrosë Amerikane të Shtetësisë dhe Migrimit, duke brohoritur “Besimi është mbi frikën” dhe slogane të tjera kundër Trump dhe dekretit të tij.

Policia e New York-ut ka intervenuar ndaj grupit që bllokoi trafikun dhe po protestonte me mosbindje civile në vendin ku mbaroi marshimi, duke arrestuar 25 persona.

Merkel: Kureshtje dhe kënaqësi për takimin me Trumpin

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se me “kureshtje” dhe “kënaqësi” e pret takimin e sotëm me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në Uashington.

“Gjithnjë është më mirë të bisedohet me njëri-tjetrin se sa për njëri-tjetrin”, i tha Merkel gazetës, Saarbruecker Zeitung.

E pyetur nëse të dy palët janë kureshtare, kancelarja Merkel tha se “definitisht ka kureshtje, po ashtu edhe kënaqësi për takimin me njëri-tjetrin… së paku nga ana ime”.

Ky takim, i cili ishte paraparë për 14 mars por ishte shtyrë për shkak të motit të keq në Uashington, do të jetë takimi i parë i dy liderëve, prej se Donald Trump është zgjedhur president, në muajin nëntor të vitit të kaluar.

Kancelarja Merkel tha se ajo dëshiron të bisedoj me presidentin Trump për çështje të sigurisë, ekonomisë, dhe për të ardhmen e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Lidhur me shqetësimet për luftë tregtare ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë, Angela Merkel theksoi se “vendet tona përfitojnë kur punojnë mirë së bashku dhe në mënyrë korrekte”.

Dokumentet tregojnë se Rusia e ka paguar ish-këshilltarin Flynn

Michael Flynn afër presidentit rus, Vladimir Putin, gjatë një ceremonie në Moskë në dhjetor të vitit 2015

Ish-këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Michael Flynn, ishte paguar nga kompanitë ruse me 67 mijë dollarë, para zgjedhjeve presidenciale, tregojnë dokumentet e publikuara mbrëmë nga anëtari demokrat i Dhomës Përfaqësuese, Elijah Cummings, nga shteti Merilend.

Demokrati Cummings ka kërkuar nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, që të paraqes shënime gjithpërfshirëse për kontaktet e zotit Flynn me qeveritë e jashtme dhe interesat e tij.

Flyyn i kishte marrë 33,750 dollarë nga kanali televiziv RT, që udhëhiqet nga qeveria e Rusisë, për paraqitje në një zhvillim në Moskë në dhjetor të vitit 2015, disa muaj para se Flynn formalisht të caktohej këshilltar i fushatës Trump.

Zoti Cummings thotë se pranimi nga ana e zotit Flynn i pagesës së kanalit televiziv RT, paraqet shkelje të dispozitave për të ardhura në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, sipas së cilës nuk lejohet që oficerët e pensionuar ushtarakë të marrin dhurata nga fuqitë e jashtme.

Pos, pagesës nga RT, Flynn i kishte marrë edhe 11,250 dollarë për dy fjalime në Uashignton, nga dy kompani ruse.

Atij i ishin paguar edhe shpenzimet për vendosje në hotelet luksoze të Michael Flynnit dhe djalit të tij, gjatë udhëtimit në Moskë.

SHBA: Në përvjetorin e referendumit, dënohet aneksimi i Krimesë nga Rusia

Shtetet e Bashkuara sot e kanë dënuar ashpër aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë dhe referendumin që Moska e ka organizuar atje, të cilin më vonë e ka shfrytëzuar për arsyetim të aneksimit të këtij rajoni në Detin e Zi.

Ky dënim u bë në trervjetorin e referendumit të organizuar, kur forcat ruse pa shenja i okupuan ndërtesat kryesore qeverisëse në Krime, pasi presidenti i atëhershëm i Ukrainës, Viktor Yanukovich, u largua në Rusi, pas protestave masive në gjithë Ukrainën.

Ky dënim, po ashtu, është shembulli i fundit i vazhdimit të qëndrimit të ashpër publik të Uashingtonit për Krimenë, të cilin presidenti aktual, Donald Trump, që kishte premtuar për të synuar marrëdhënie më të mira me Rusinë, e ka trashëguar nga paraardhësi i tij, Barack Obama.

“Shtetet e Bashkuara nuk e njohin ‘referendumin’ e Rusisë më 16 mars të vitit 2014, e as përpjekjen për aneksimin e Krimesë dhe shkeljen e vazhdueshme të së drejtës ndërkombëtare”, tha nëpërmjet një deklarate, zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, Mark Toner, dhe ka shtuar se “edhe njëherë e riafrimojmë përkushtimin tonë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.

Mëtutje, ai theksoi se “sanksionet tona të ndërlidhura me Krimenë do të mbesin ashtu siç janë, derisa Rusia t’ia kthejë Ukrainës kontrollin ndaj gadishullit”.

Duke folur para gazetarëve në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dimtry Peskov, sot e ka hedhur poshtë mundësinë se Krimeja do t’i kthehej Ukrainës, sipas ndonjë lloj marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara.

Gjykatësi bllokon edhe urdhrin e ri të Trumpit për udhëtimin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, fajësoi një gjyqtar të Gjykatës së Qarkut, i cili pezulloi urdhrin e rishikuar të udhëtimit, dhe e akuzoi atë për “humbje të paparë të ekuilibrit gjyqësor”.

Gjykatësi Derrick Watson lëshoi vendimin për bllokimin e urdhrit të mërkurën vonë, vetëm pak orë para se ai të hynte në fuqi. Gjykatësi tha se ka gjasa të mëdha që urdhri të jetë jokushtetues dhe të shkaktojë “dëme të pariparueshme” për shtetin e Havajit dhe qytetarët e tij.

Ka qenë e paraparë që me urdhrin ekzekutiv t’iu ndalohet hyrja përkohësisht në SHBA qytetarëve të gjashtë vendeve më shumicë myslimane. Urdhri është dashur të hyjë në fuqi më 16 mars.

Trump tha se pezullimi i urdhrit, të krijuar për të mbajtur “terroristët jashtë vendit”, e bën Amerikën të dukët e dobët.

Trump u zotua se do ta luftojë vendimin e gjykatësit dhe se do ta dërgojë atë në Gjykatën Supreme, nëse është e nevojshme. “Do ta fitojmë betejën ligjore”, tha ai në një tubiim në shtetin Tenesi.

“Kushtetuta i jep presidentit fuqinë për të pezulluar emigracionin, kur ai vlerëson se është në interesin kombëtar të vendit tonë”, tha Trump.

Urdhri i pezulluar, i nënshkruar më 6 mars, ka qenë rishikim i urdhrit fillestar të Trumpit, të nënshkruar më 27 janar, i cili ka ndaluar vizitorët nga shtatë vende me shumicë myslimane dhe individë me dokumente valide të qëndrimit dhe viza.

Vendet e prekura në urdhrin e rishikuar janë Irani, Siria, Sudani, Somalia, Libia dhe Jemeni, ndërsa është hequr Iraku. Edhe urdhri i rishikuar, edhe urdhri fillestar u kanë ndaluar hyrjen në SHBA të gjithë refugjatëve.

Gjykatësi i Havajit, i cili është emëruar nga ish-presidenti Barack Obama, tha se argumenti se ndalimi shkel Amandamentin e Parë të Kushtetutës për mbrojtje kundër diskriminimit fetar, pritet të ketë sukses në gjykata.

“Vëzhguesi objektiv do të konstatojë se urdhri ekzekutiv është lëshuar me qëllim që të diskreditojë një fe të caktuar”, tha gjykatësi Watson. Ai shtoi se duke sulmuar gjashtë vende të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës, sulmohet edhe Islami, sepse popullsia e tyre është myslimane nga 90.7 përqind deri në 99.8 përqind.

Gjykatësi tha se Trump i formëson veprimet e tij mbi me gjuhë fetare dhe përmendi një intevistë të marsit 2016, në të cilën Trump ka thënë: “Mendoj se Islami na urren”.

Vendimi i gjykatësit Watson është i përkohshëm, derisa të dërgohen argumente të tjera më të gjera përpara gjykatës së tij. Urdhri i rishikuar është sfiduar edhe në disa shtete të tjera.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuseve, Paul Ryan, tha se ndalesa është e nevojshme për të përmirësuar verifikimin e njerëzve që hyjnë në SHBA dhe për të parandaluar sulmet terroriste. Ai tha se nuk ka dyshim se ajo do të vërtetohet nga gjykatat më të larta.

Përgatiti: Valona Tela

Një senator republikan bllokon debatin për Malin e Zi në NATO

Mali i Zi

Senatori republikan i Shteteve të Bashkuara, John McCain, akuzoi senatorin tjetër republikan, Raund Paul, se punon për presidentin rus, Vladimir Putin.

Akuza u bë pasi Paul bllokoi debatin dhe votimin për protokollin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.

McCain kërkoi shqyrtimin dhe votimin e protokollit, por Paul, republikan nga Kentaki, ishte i vetmi që kundërshtoi, por kjo qe e mjaftueshme që debati të shtyhet.

“Rusia ka bërë përpjekje të bëjë puç në Mal të Zi, të vrasë kryeministrin dhe të rrëzojë qeverinë, në përpjekje për të ndaluar anëtarësimin e tij në NATO”, tha McCain.

NATO, në samitin e muajit maj, pritet të anëtarësojë edhe formalisht Malin e Zi në radhët e saj, por fillimisht protokolli i anëtarësimit duhet të miratohet nga të gjitha shtetet anëtare.

Ligjvënësit: Nuk kemi prova që zoti Trump të jetë përgjuar

Drejtuesit kryesorë të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin thanë të mërkurën se pretendimi i presidentit Donald Trump se paraardhësi i tij, ish-presidenti Barack Obama, e ka përgjuar në javët para zgjedhjeve të nëntorit është i pabazë.

“Ne nuk kemi ndonjë dëshmi që kjo të ketë ndodhur,” tha kryetari i Komisionit, kongresmeni republikan Devin Nunes. “Nuk mendoj se ka pasur ndonjë përgjim të Kullës Trump,” tha zoti Nunes, duke iu referuar rezidencës së presidentit në Nju Jork.

Numri dy i Komisionit, demokrati Adam Schiff, përsëriti të njëjtën gjë: “Deri sot, nuk shoh asnjë dëshmi, nuk ka kurrfarë baze,” tha ai.

Kongresmenët Nunes dhe Schiff thanë se po presin informacione nga Departamenti i Drejtësisë deri të hënën e ardhshme, për të mësuar nëse agjencia ka dijeni rreth ndonjë përgjimi me urdhër gjykate për zotin Trump. Por ata shtuan se deri tani nuk kishin dijeni për ndonjë përgjim të tillë.

Hetimi nga ana e Kongresit ishte kërkuar nga Shtëpia e Bardhë pas deklaratave të bujshme të bëra në Twitter nga zoti Trump më 4 mars se telefonat e tij ishin përgjuar.

Komisioni i zbulimit po heton gjithashtu rreth lidhjeve të mundshme midis ndihmësve të fushatës Trump dhe zyrtarëve rusë përpara dhe pas zgjedhjeve të nëntorit.

Zoti Nunes tha se drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve, James Comey, do të dëshmojë të hënën e ardhshme para komisionit të zbulimit rreth pretendimeve për përgjime si dhe rreth hetimeve të FBI-së mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhje për të ndihmuar zotin Trump të fitonte zgjedhjet.

Ndërkohë, një senator i rëndësishëm amerikan, Lindsey Graham i Karolinës së Jugut, thotë se ai është i vendosur t’i shkojë deri në fund çështjes, për të gjetur nëse pretendimi i zotit Trump se atë e kanë përgjuar është i vërtetë.


Send this to a friend