VOAL

VOAL

5 republikanë thonë se do të votojnë pro akuzave për shkarkimin e Presidentit Trump

VOA

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan pritet të votojë të mërkurën për ngritjen zyrtarisht të akuzave për shkarkimin e Presidentit Donald Trump. Do të ishte hera e parë në historinë amerikane që ndaj një presidenti ngrihen dy herë akuza për shkarkim gjatë mandatit të tij.

Demokratët gëzojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe kanë vota të mjaftueshme për të marrë vendimin, por atyre pritet t’u bashkohen një numër gjithnjë në rritje republikanësh, të gatshëm të votojnë pro-shkarkimit të Presidentit.

Ligjvënësja Jaime Herrera Beutler njoftoi të martën në mbrëmje se do të votojë pro ngritjes së akuzave. Ajo u shpreh nëpërmjet një deklarate se zoti Trump “veproi kundër betimit që ka bërë si president”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara nxiti protesta të dhunshme që synonin të ndalonin transferimin paqësor të pushtetit nga një administratë në tjetrën“, tha Herrera Beutler.

Ligjvënësja Liz Cheney, numri tre ligjvënësve republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve tha në shpjegimin e mbështetjes së saj për ngritjen e akuzave se “kurrë më parë nga ana e një presidenti nuk ka patur një tradhëti më e madhe”.

Mes republikanëve të tjerë që thanë se do të votonin për ngritjen zyrtarisht të akuzave për shkarkimin e zotit Trump janë ligjvënësit John Katko, Adam Kinzinger dhe Fred Upton.

Udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy, një aleat i ngushtë i zotit Trump, tha se “ngritja e akuzave për shkarkimin e zotit Trump gjatë kësaj periudhe do të kishte efektin e kundërt ndërsa vendi është i përçarë”

Zoti Trump dha një mesazh të ngjashëm gjatë një vizite në kufirin SHBA-Meksikë të martën.

Po shkakton zemërim e ndasi të jashtëzakonshme si dhe dhimbje shumë më të mëdha sesa shumica e njerëzve mund të kuptojnë, gjë që është shumë e rrezikshme për SHBA-në, veçanërisht në këtë kohë të brishtë“, tha zoti Trump.

Ai foli për “paqe e qetësi” dhe tha se tashmë është “koha për ligj e rend”.

Presidenti Trump, i cili në një video javën e kaluar i tha turmës së mbështetësve të tij; “ne ju duam, ju jeni shumë të veçantë”, nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

Ndërsa republikanët votuan në bllok kundër ngritjes së akuzave për shkarkim të zotit Trump vitin e kaluar, nën akuzën për presion ndaj Ukrainës për të hetuar demokratin Joe Biden, tashmë president i zgjedhur, udhëheqësit republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve po tregojnë se nuk kanë ndërmend t’u bëjnë presion anëtarëve të tyre për të votuar këtë herë kundër përpjekjeve për shkarkim.

Nëse Dhoma e Përfaqësuesve merr vendim për t’i ngritur zyrtarisht akuzat, çështja kalon për gjykim në Senat.

Kryetarja e Dhomës Nancy Pelosi njoftoi të martën vonë se kishte zgjedhur ligjvënësin Jamie Raskin për të udhëhequr një grup ligjvënësish që do të paraqesin çështjen në Senat.

Është detyra e tyre kushtetuese dhe patriotike të paraqesin çështjen për shkarkimin e Presidentit“, tha zonja Pelosi në një deklaratë. “Ata do ta bëjnë këtë të udhëhequr nga dashuria e madhe për vendin, vendosmëria për të mbrojtur demokracinë tonë dhe besnikëria ndaj Kushtetutës. Ata do të nderojnë detyrën e tyre për të mbrojtur demokracinë për popullin me shumë solemnitet dhe urgjencë“.

Nuk është e qartë nëse udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve do t’i dërgojnë menjëherë akuzat për shqyrtim në Senat, duke pasur parasysh që mandati i zotit Trump përfundon javën e ardhshme. Edhe nëse zoti Trump do të largohej nga detyra, një vendim i Senatit pro akuzave pas përfundimit të mandatit, do ta ndalonte atë të kandidonte për një post zyrtare në qeverinë federale në të ardhmen.

Kjo është hera e dytë që demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve bëjnë përpjekje prë shkarkimin e presidentit nga detyra, këtë herë si përgjigje ndaj sulmit në Kapitol.

Të martën vonë Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një rezolutë nëpërmjet së cilës i kërkohej Nënpresidentit Mike Pence dhe anëtarëve të Kabinetit të zotit Trump të përdorur autoritetin që i jep Kushtetuta duke larguar zotin Trump nga detyra për paaftësi.

Votimi përfundoi me 223 vota pro dhe 205 kundër rezolutës dhe ishte pothuajse tërësisht në linja partiake.

Përpara votimit të rezolutës të martën, zoti Pence i dërgoi një letër zonjës Pelosi duke shpjeguar se ai nuk do të merrte verpime bazuar në Amendamentit 25-të të Kushtetutës së SHBA, sipas të cilit nënpresidenti dhe shumica e anëtarëve të kabinetit deklarojnë një president të paaftë duke e shkarkuar atë nga detyra.

Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA voton që Pence të përdor amendamentin e 25-të

Washington DC

Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA ka votuar për një rezolutë që kërkon nga zv/presidenti Mike Pence të përdor amendamentin e 25-të për rrëzimin e presidentit Donald Trump për shkak rë trazirave të dhunshme të javës së kaluar në Kongresin Amerikan, transmeton Anadolu Agency (AA).

Projekt-ligji, i cili u paraqit nga përfaqësuesi demokrat i shtetit Maryland, Jamie Raskin, u miratua në një votim 223-205 disa orë pasi Pence i tha kryetares së Dhomës së Përfaqësueses, Nancy Pelosi, se ai nuk do ta bënte atë.

“Nuk besoj se një mënyrë e tillë veprimi është në të mirë të interesit tonë kombëtar ose në përputhje me kushtetutën tonë”, tha më herët Pence.

Vetëm një ligjvënës republikan, përkatësisht përfaqësuesi i shtetit Illinois, Adam Kinzinger, doli në anën e demokratëve duke votuar në favor të projekt-ligjit.

Zv/presidenti Pence kërkoi nga Pelosi dhe anëtarët e Kongresit “të shmangin veprimet që do të ndanin dhe nxisnin më tej pasionet e momentit”.

Të dielën, Pelosi u zotua se demokratët do të veprojnë me urgjencë, duke theksuar se Trump përbën “një kërcënim të afërt” për kushtetutën dhe demokracinë amerikane.

“Përderisa ditët kalojnë, tmerri i sulmit të vazhdueshëm ndaj demokracisë sonë, i kryer nga ky president, është intensifikuar dhe kështu veprimi është nevojë e menjëhershme”, tha ajo në një letër për zv/presidentin Pence.

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve më herët thanë se nëse Pence dështon të veprojë, ata do të vazhdojnë përpara me një votë për impiçment kundër presidentit në largim.

Trump është akuzuar për nxitje të dhunës pasi mbështetësit e tij sulmuan ndërtesën e Kongresit Amerikan, e cila përfshin Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin, gjë që shkaktoi pesë vdekje, si dhe nxiti zemërim si tek demokratët ashtu edhe tek republikanët.

Si do të ndodhë gjykimi i dytë ndaj Trumpit?

Dhoma e Përfaqësuesve pritet të nisë procedurat për ngritjen e akuzave kundër presidentit Donald Trump, lidhur me inkurajimin që ai i bëri mbështetësve të tij të cilët sulmuan Kongresin amerikan – një votim ky që e bën Trumpin të jetë presidenti i parë amerikan ndaj të cilit zhvillohet ky proces dy herë.

Procesi i ngritjes së akuzave në Kongres apo siç njihet anglisht “impeachment” më herët është iniciuar ndaj tre presidentëve amerikanë – Andrew Johnson, Bill Clinton dhe Trump – dhe ka zgjatur tre muaj para votimit final. Në këto procese të mëhershme janë kryer edhe hetime, por edhe janë mbajtur seanca dëgjimore. Por gjykimi i dytë ndaj Trumpit, pritet të zhvillohet brenda një jave.

Pas sulmit në ndërtesën e Kongresit, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha se “ne duhet të veprojmë” dhe demokratët – dhe disa republikanë – ndajnë të njëjtin mendim dhe pritet që të mërkurën të votojnë për këtë.

Për më tepër, Senati që udhëhiqet nga republikanët nuk pritet që të mbajë gjykim dhe të votojë nëse Trumpi do të gjendet fajtor para se Joe Biden të betohet si president i ri i SHBA-së më 20 janar. Por, pavarësisht kësaj, demokratët thonë se veprimet në Dhomën e Përfaqësuesve do t’i dërgojnë një mesazh të rëndësishëm vendit.

Më poshtë mund të mësoni se çfarë pritet të ndodhë teksa Dhoma e Përfaqësuesve nis procesin e shkarkimit të Trumpit, teksa këtij të fundit i kanë mbetur edhe një javë mandat si president.

Baza e gjykimit

Normalisht, do të duhej të kishte hetim në procesin e gjykimit dhe provat do të duhej që t’i dërgoheshin Komitetit Gjyqësor të Dhomës, organ i cili më pas do të duhej të mbante seanca dëgjimore, të draftonte artikujt e gjykimit dhe më pas t’i dërgonte ato në Dhomën e Përfaqësuesve. Kështu ndodhi më 2019, kur Dhoma e Përfaqësuesve e gjeti fajtor Trumpin lidhur me marrëveshjet që ai kishte bërë me presidentin e Ukrainës. Atëbotë, i gjithë ky proces zgjati tre muaj.

Por, kësaj radhe, me vetëm disa ditë për të vepruar – dhe me ndjenjën në mesin e demokratëve se ka pak hetime për t’u kryer lidhur me atë se çfarë ndodhi, pasi shumica e anëtarëve të Kongresit e dëgjuan Trumpin teksa iu drejtua mbështetësve të tij dhe se ligjvënësit ishin në Kongres kur sulmi ndodhi – procesi i gjykimit po shkon drejt votimit në Dhomën e Përfaqësuesve, gjë që pritet të ndodhë të mërkurën.

Pasi Dhoma të votojë për këtë, artikujt e gjykimit dhe provat do të dërgohen në Senat, ku gjykimi do të mbahet dhe aty më pas do të ketë një votim final lidhur me atë nëse Trump do të gjendet fajtor apo do të lirohet nga akuzat. Këtë gjë e kishte bërë Senati shkurtin e vitit të kaluar, pasi ndaj Trumpit nisën procedurat e gjykimit për herën e parë.

Artikujt

Demokratët do ta nisin debatin të mërkurën me vetëm një akuzë: “nxitje të kryengritjes”.

“Presidenti Trump rrezikoi seriozisht sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe institucioneve të qeverisë”, thuhet në artikullin e akuzave prej katër faqes, që u prezantua nga përfaqësuesit demokratë, David Cicilline nga Rode Ijllënd (Rode Island), Ted Liu nga Kalifornia (California) dhe Jamie Raskin nga Merilend (Maryland).

“Ai do të vazhdojë të jetë kërcënim për sigurinë kombëtare, demokracinë dhe Kushtetutën nëse lejohet që të qëndrojë në zyre”, thuhet në dokument.

Artikulli po ashtu thotë se sjellja e Trumpit është konsistente lidhur me përpjekjet e tij të mëparshme për të “përmbysur dhe penguar” rezultatet e zgjedhjeve dhe po ashtu përmendet edhe biseda telefonike që presidenti kishte së fundmi me Sekretarin e shtetit të Xhorxhias (Georgia), ku Trump kërkoi nga ai që t’i gjendet më shumë vota, pasi humbi zgjedhjet në këtë shtet.

Trump, pa dhënë prova, ka pretenduar se ka pasur mashtrime të gjera në zgjedhje dhe këto pretendime janë përsëritur edhe nga kongresistët republikanë dhe nga sulmuesit që sulmuan Kongresin. Vetëm pak orë para trazirave, Trump iu drejtua mbështetësve të tij para Shtëpisë së Bardhë, duke i inkurajuar ata që “të luftojnë”.

Teksa protestuesit hynë në Kongres, të dy dhomat e këtij institucioni, po debatonin lidhur me kundërshtimet që republikanët kishin bërë gjatë numërimit të votave elektorale në shtetin e Arizonës. Kundërshtimet ishin pjesë e procesit të certifikimit nga Kongresi të fitores së Bidenit.

Mbështetja e republikanëve

Të mërkurën, pesë republikanë thanë se do të mbështesin procesin për shkarkimin e Trumpit. Asnjë republikanë nuk kishte mbështetur procesin për shkarkimin e Trumpit më 2019.

Përfaqësuesja republikane nga Uajoming (Wyoming), Liz Cheney, që njëherësh është vajza e ish-nënpresidentit amerikan, Dick Chaney, tha se ajo do të votojë për shkarkimin e Trumpit sepse “asnjëherë nuk kam parë tradhti më të madhe nga një president i Shteteve të Bashkuara ndaj zyrës së tij dhe ndaj betimit që ka bërë ndaj Kushtetutës”.

Cheney tha se Trumpi “ftoi” turmën që të sulmonte Kongrsin javën e kaluar, “mblodhi turmën dhe nxiti këtë sulm”.

Përfaqësuesi nga Nju Jorku (New York), John Katko ishte republikani i parë që tha se do të votonte për shkarkimin e Trumpit. Katko, që është ish-prokuror federal, tha se marrja e këtij vendimi nuk ka qenë e lehtë.

“Të lejosh presidentin e SHBA-së që të nxisë sulm pa pasur pasoja, është kërcënim direkt ndaj së ardhmes së demokracisë sonë”, tha Katko. “Unë nuk mund të qëndroj pa bërë asgjë”, shtoi ai.

Po ashtu, republikanët Adam Kinzinger nga Illinois (Illinois), Fred Upton nga Miçigen (Michigan) dhe Jaime Herrera Beutler nga Uashingtoni (Washington) janë deklaruar pro shkarkimit të Trumpit.

Dërgimi në Senat

Kur artikujt e gjykimit të kalojnë në Dhomën e Përfaqësuesve, kryetarja e këtij institucioni, Nancy Pelosi i dërgon ato në Senat. Sipas rregullave të deritanishme, Senati është në pushim deri më 19 janar, që është vetëm një ditë para inaugurimit të Bidenit.

Disa demokratë kanë sugjeruar se Pelosi mund të presë dhe të mos i dërgojë menjëherë në Senat artikujt e gjykimit dhe këtë ta bëjë pasi Bideni të nisë mandatin e tij si president. Por, demokratë të tjerë i kanë bërë thirrje Pelosit që të veprojë sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, i cili do të udhëheqë me Seantin pasi Bideni të betohet si president, ka sugjeruar në një letër që u dërguar kolegëve të martën, se ky institucion mund të ndajë kohën në mes të konfirmimit të të nominuarve të Bidenit për postet qeveritare, miratimit të pakos së ndihmës për COVID-19 dhe mbajtjes së gjykimit ndaj Trumpit.

Nëse gjykimi nuk mbahet deri kur Trump të jetë larguar nga zyra, kjo prapë do të ketë ndikim që ta parandalojë atë që të rikandidojë për president.

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden ka thënë se është e rëndësishme që të sigurohet që “njerëzit që u përfshin në kryengritje dhe kërcënuan jetën, që dëmtuan pronën publike dhe shkaktuan dëme të mëdha – ata duhet të mbajnë përgjegjësi”.

Politikat e Senatit

Ka pak gjasa, tash për tash, që numër i mjaftueshëm i republikanëve do të votojnë për gjetjen fajtor të Trumpit, pasi që për këtë gjë kërkohet dy e treta e votave të Senatit. Megjithatë, disa republikanë kanë kërkuar nga Trumpi që të japë dorëheqje, përfshirë këtu senatorin nga Pensilvania (Pennsylvania), Pat Toomey dhe ajo nga Alaska, Lisa Murkowski. Por, ka edhe disa senatorë që i kanë dalë në mbrojtje presidentit.

Senatori republikan, Ben Sasse tha se ai do të shikojë se çfarë do të miratojë Dhoma e Përfaqësuesve, por nuk e qartësoi nëse ai do të mbështeste një vendim për shkarkimin e Trumpit.

Një seancë ndryshe e Kongresit
Fotogaleri

Një seancë ndryshe e Kongresit

Republikanë të tjerë kanë thënë se një gjykim ndaj Trumpit do të krijonte më shumë ndasi. Senatori nga Karolina e Jugut (South Carolina), Lindsey Graham – një aleat kyç i presidentit Trump – ka qenë kritik ndaj sjelljes së presidentit në nxitjen e trazirave, por ai ka thënë se një gjykim ndaj Trumpit “do të bënte më shumë dëm sesa mirë”.

Vetëm një republikan kishte votuar vitin e kaluar për ta dënuar Trumpin – senatori nga Utah, Mit Romney.

Çfarë do të thotë ky proces?

Demokratët kanë thënë se do të vazhdojnë me procesin edhe nëse Senati nuk kthehet nga pushimi.

Senatori nga Vermonti, demokrati Bernie Sanders ka shkruar të premten në Twitter se disa njerëz mund të pyesin se pse po nisin procedurat për gjykimin e Trumpit, teksa atij i kanë mbetur vetëm disa ditë mandat.

“Përgjigja: Precedenti”, tha ai. “Duhet të bëhet e qartë se asnjë president, tani apo në të ardhmen, nuk mund të udhëheqë një kryengritje ndaj Qeverisë së Shteteve të Bashkuara”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Udhëheqësit ushtarakë amerikanë paralajmërojnë trupat kundër dhunës politike

Marrë nga Associated Press

Mes shqetësimeve për ripërtëritjen e dhunës në ditën e inaugurimit të presidentit të zgjedhur Joe Biden, udhëheqësit e lartë të ushtrisë amerikane lëshuan një deklaratë me shkrim për të gjithë pjesëtarët e shërbimit, se dhuna vdekjeprurëse në Capitol javën e kaluar, ishte një veprim anti-demokratik, kriminal dhe se liria e shprehjes nuk i jep askujt të drejtën për të ushtruar dhunë.

Deklarata e nënshkruar nga të gjithë anëtarët e Shtatmadhorisë gjithashtu u kujton ushtarakëve se zoti Joe Biden është zgjedhur si presidenti i ardhshëm dhe do të marrë detyrën më 20 janar.

Një deklaratë e tillë në formë memorandumi është e pazakonshme për faktin se shefi i Shtatmadhorisë, gjenerali Mark Milley, u ndje i detyruar t’ju kujtojë pjesëtarëve të shërbimit se është e gabuar të prishësh procesin kushtetues. Kjo pasoi përpjekjet e agjencive për zbatimin e ligjit që të përcaktojnë shkallën e plotë të veprimtarisë kriminale në Kapitol dhe të zbulojnë shkallën e pjesëmarrjes në to të pjesëtarëve aktual dhe ish pjesëtarëve të ushtrisë.

Tashmë është vërtetuar se disa veteranë ushtarakë morën pjesë në trazirat në Kapitol, por shkalla e ndonjë përfshirjeje të ushtarakëve në detyrë, nuk është përcaktuar. Senatorja Tammy Duckworth, një veterane e Luftës në Irak, të hënën i shkroi Departamentit të Mbrojtjes duke kërkuar që të bashkëpunojë me FBI-në dhe Policinë e Kapitolit për të hetuar nëse pjesëtarët aktiv apo të pensionuar të forcave të armatosura ishin pjesë e “komplotit për kryengritje” kundër qeverisë.

Deklarata e Shtatmadhorisë nuk aludonte drejtpërdrejt në përfshirjen e ushtarakëve.

“Ishim dëshmitarë të veprimeve brenda ndërtesës së Kapitolit, që nuk ishin në përputhje me sundimin e ligjit”, thuhet në deklaratë. “E drejta e lirisë së fjalës dhe tubimit, nuk i japin askujt të drejtën të përdorë dhunë”.

“Si pjesëtarë të shërbimit, ne duhet të mishërojmë vlerat dhe idealet e kombit. Ne mbështesim dhe mbrojmë Kushtetutën. Çdo veprim për të prishur procesin kushtetues nuk është vetëm kundër traditave, vlerave dhe betimit tonë; është në kundërshtim me ligjin”.

Në prag të inaugurimit javën e ardhshme dhe largimit të presidentit Donald Trump nga detyra, Garda Kombëtare po përgatitet për të siguruar mbështetje për agjencitë e zbatimit të ligjit. Nuk ka asnjë plan për të përdorur forcat aktive në operacionet e sigurisë. VOA

Republikanë në Kongres mbështesin ngritjen e akuzave kundër presidentit

Liz Cheney, republikane nga Uajoming

Republikanë me peshë në Kongres po shprehin mbështetje për procesin për shkarkimin e mundshëm të Presidentit Trump.

Gazeta New York Times njofton se udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell u tha ndihmësve të tij se beson që Presidenti Trump ka kryer akte që meritojnë ngritjen e akuzave. Gazeta citon individë të afërt me të.

Ndërkaq tre ligjvënës republikanë kanë bashkuar zërat me kolegët demokratë duke deklaruar se do të votojnë për ngritjen e akuzave për shkarkimin e mundshëm të Presidentit Trump.

Liz Cheney, republikanja e tretë më e rëndësisishme në Dhomën e Përfaqësuesve, tha të martën përmes një deklarate se “Do të votoj për të ngritur akuza për shkarkimin e mundshëm të Presidentit Donald Trump”. Zonja Cheney nënvizon në deklaratë se presidenti “mblodhi turmën dhe ndezi flakën e sulmit” ndaj Kapitolit më 6 janar.

Liz Cheney, vajza e ish-nënpresidentit Dick Cheney, kryeson Konferencën republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, struktura që zgjedh udhëheqësit republikanë në këtë dhomë.

Më herët të martën, ligjvënësi John Katko ishte shprehur se do të votonte për ngritjen e akuzave kundër presidentit për sulmin ndaj Kapitolit, duke u bërë republikani i parë që u bashkohej kolegëve demokratë në përpjekjet për të larguar presidentin nga posti.

Nënpresidenti Mike Pence përjashtoi mundësinë e përdorimit të Amendamentit të 25-të për heqjen e Presidentit Donald Trump nga detyra, më pak se një javë pasi Presidenti nxiti protestën e dhunshme në Kapitol.

Në një letër të martën vonë drejtuar Kryetares së Dhomës së Pëfaqësuesve Nancy Pelosi, Nënpresidenti Pence tha se “ky mekanizëm (Amandamenti i 25) nuk duhet të përdoret”.

Nënpresidenit Pence inkurajoi Kongresin që të shmang veprimet që mund të çojnë në “përçarjen dhe ndezjen e mëtejshme të pasioneve të momentit” dhe të përqëndrohet në realizimin e një tranzicioni të qetë të pushtetit në administratën e Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan e kontrolluar nga demokratët votoi të martën mbi një rezolutë për t’i kërkuar Nënpresidentit Mike Pence dhe anëtarëve të Kabinetit të Presidentit Donald Trump të përdorin autoritetin e tyre kushtetues për ta shkarkuar zotin Trump nga detyra.

“Presidenti përbën një kërcënim urgjent ndaj Kushtetutës, vendit dhe popullit amerikan dhe ai duhet të hiqet menjëherë nga detyra,” tha Kryetarja e Dhomës Nancy Pelosi të hënën.

Presidenti Trump dhe nënpresidenti Pence u takuan të hënën vonë në Shtëpinë e Bardhë për herë të parë që kur protestuesit pro-Trump sulmuan Kapitolin e Shteteve të Bashkuara javën e kaluar.

Një zyrtar i lartë i administratës tha se të dy ata “rikonfirmuan se ata që shkelën ligjin dhe sulmuan Kapitolin javën e kaluar nuk përfaqësojnë lëvizjen ‘Amerika para së gjithash’ të mbështetur nga 75 milionë Amerikanë dhe u zotuan të vazhdojnë punën në emër të vendit deri në fund të mandatit të tyre.

Zoti Pence shkaktoi zemërimin e presidentit Trump, kur refuzoi përpjekjet e presidentit për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit, ku zoti Trump humbi ndaj Presidentit të zgjedhur Joe Biden dhe nënpresidentes së zgjedhur Kamala Harris.

Udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuseve pritet që të mërkur të votojnë për ngritjen e akuzave për shkarkimin e presidentit, të cilat pritet të votohen të mërkurën.

Edhe pse mandati katërvjeçar i zotit Trump përfundon në mesditën e 20 janarit, në rezolutën prej katër faqesh me akuzat për shkarkimin e tij, thuhet se ai ka “demonstruar se do të vazhdojë të mbetet një kërcënim për sigurinë kombëtare, demokracinë dhe Kushtetutën, nëse lejohet të qëndrojë në detyrë dhe ka vepruar në një mënyrë tepër të papajtueshme me vetëqeverisjen dhe shtetin e së drejtës. ”

Akuza me katër faqe përmend pretendimet e pabazuara të zotit Trump se ai u privua nga një mandat të dytë katër vjeçar për shkak të parregullsive të votimit dhe të numërimit të votave, presionin e tij ndaj zyrtarëve të zgjedhjeve në shtetin jugor të Xhorxhias për t’i “gjetur” atij më shumë se 11,000 vota për të kapërcyer epërsinë ndaj zotit Biden në këtë shtet dhe deklaratat e tij në një tubim të mërkurën e kaluar, ku u bëri thirrje mijëra mbështetësve të marshonin drejt Kapitolit për të bërë presion ndaj ligjvënësve për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.

218 demokratë e kanë nënshkruar rezolutën, duke siguruar shumicën në dhomën prej 435 anëtarësh.

Por është e paqartë nëse udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve do ta dërgojnë menjëherë rezolutën në Senat i cili në një proces shkarkimi luan roli e gjykatës që merr vendimin nëse zoti Trump do të dënohet dhe do të hiqet nga detyra, duke pasur parasysh se mandati i tij mbaron javën e ardhshme.

Presidenti i zgjedhur Biden tha se ai shpreson që Senati të mund të zhvillojë njëkohësisht një gjyq ndaj zotit Trump dhe të konfirmojë emërimet për Kabinetin e tij, pasi ai të marrë detyrën, si edhe të miratojë më shumë ndihmë për ekonominë amerikane të goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit.

Ai tha të hënën lidhur me protestuesit, “se është shumë e rëndësishme që të ketë një përpjekje serioze në vënien para përgjegjësisë të atyre njerëzve që u përfshinë në dhunë dhe shkaktuan dëme të mëdha, duke kërcënuar jetë dhe duke shkatërruar prona publike”.

Zoti Biden u tha gjithashtu gazetarëve se “nuk kam frikë ta bëj betimin jashtë,” duke iu referuar ceremonisë së betimit të javës së ardhshme, e cila tradicionalisht zhvillohet në anën perëndimore të Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, e cila u sulmua gjatë akteve të dhunshme.

Edhe nëse një vendim i Senatit për fajësimin e Presidentit Trump jepet pasi të ketë përfunduar mandati i tij, kjo mund të nënkuptonte se ai nuk do të lejohen të mbante më një post në qeverinë federale.

YouTube pezullon llogarinë e presidentit Trump

Marrë nga Reuters

Shërbimi YouTube tha se ka pezulluar llogarinë e presidentit Donald Trump, pasi që ai shkeli politikat kundër nxitjes së dhunës, pas sulmit të javës së kaluar në Kapitol nga mbështetësit e presidentit.

Platformat në internet dhe kompanitë e medieve sociale po distancohen dhe po ndërmarrin veprime kundër atyre që nxitën ose u përfshinë në dhunë në Uashington.

Youtube tha në një deklaratë se “llogarisë së presidentit Trump do t’i pamundësohet të ngarkojë video të reja ose të transmetojë drejtpërdrejt për të paktën shtatë ditë, një afat që mund të zgjatet”, ndërsa janë bllokuar për një kohë të pacaktuar komentet nën videot e ngarkuara.

Kompania tha se pezullimi pasoi komentet e presidentit Trump në një konferencë shtypi, e cila u transmetua në platformë të martën në mëngjes.

Veprimi i kompanisë u ndërmor pasi që grupet amerikane të të drejtave civile i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se ishin vendosur të organizonin një bojkot reklamash ndaj kompanisë nëse ajo nuk heq llogarinë e presidentit Trump.

Mbështetësit e presidenti Trump sulmuan Kapitolin të mërkurën, duke u përpjekur të pengonin certifikimin nga Kongresi të fitores së presidentit të zgjedhur, Joe Biden.

Presidenti Trump, i cili e ka sfiduar fitoren e zotit Biden, por pa ofruar prova, fillimisht lavdëroi mbështetësit e tij, por më vonë dënoi dhunën.

Ligjvënësit u detyruan të largoheshin ndërsa ndërtesa u sulmua nga protestuesit që thyen mbrojtjen nga forcat e sigurisë. Pesë persona humben jetën gjatë dhunës, përfshirë një oficer të policisë së Kapitolit.

Pas incidentit, rrjetet Twitter dhe Facebook hoqën llogaritë e presidentit Trump dhe eliminuan përmbajtjen që mbështeste sulmin e javës së kaluar, ndërsa Amazoni pezulloi platformë e medieve sociale Parler, e favorizuar nga shumë mbështetës të presidentit Trump. VOA

Tre të katërtat e votuesve amerikan thonë se demokracia po kërcënohet

VOA

Afro tre të katërtat e votuesve amerikanë thonë se demokracia është nën kërcënim pas sulmit vdekjeprurës ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, sipas një sondazhi të ri nga Universiteti Quinnipiac.

Sondazhi në shkallë vendi i votuesve të regjistruar, përfundimet e të cilit u bënë publike të hënën, arrin në përfundimin se një numër i madh votuesish republikanë dhe demokratë besonin se demokracia është nën kërcënim, 77% dhe 76% respektivisht. Të pavarurit ishin pak më pak të prirur të bien dakord me 70%.

Shumica e votuesve, 56%, thanë se e konsideronin Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump përgjegjës për sulmet në Kapitol javën e kaluar, ndërsa 42% thanë se nuk e konsideronin atë përgjegjës.

Një shumicë votuesish, 52% thanë se zoti Trump duhet të shkarkohet para se të largohet nga Shtëpia e Bardhë më 20 janar, kundrejt 45 për qind që thanë të kundërtën. Megjithatë kur u pyetën në bazë të përkatësisë partiake, shumica dërrmuese e republikanëve, 87%, u shprehën se zoti Trump nuk duhet të hiqet nga detyra, ndërsa shumica dërrmuese e demokratëve, 89%, thane se ai duhej të hiqej. Ndër të pavarurit 55% favorizonin largimin dhe 43% ishin kundër tij.

Votuesit u ndanë sipas vijave partiake edhe lidhur me pyetjen nëse kishte apo jo manimpulim të gjerë votash në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, siç ka pretenduar zoti Trump. 73% për qind e republikanëve thanë se kishte mashtrim të gjerë në votime kundrejt 21% që thanë se nuk kishte, ndërsa 93% e demokratëve thane se nuk kishte manipulime, kundrejt 5% të tyre që thanë se kishte. 60% e të pavarurve nuk besojnë se ka pasur mashtrim të gjerë të votuesve, ndërsa 30%, besojnë se ka pasur.

Votuesit ishin të ndarë lidhur me pyetjen nëse e konsideronin sulmin në Kapitol grusht shteti. 47 për qind thanë se mendonin se ishte një përpjekje për grusht shteti, 43% thanë se nuk mendonin se ishte dhe 10% nuk ishin të sigurt.

Për disa pyetje, votuesit ishin pothuajse në një mendje, përfshirë edhe pikëpamjen se individët që sulmuan Kapitolin duhet të mbahen përgjegjës, me 91% të të anketuarve dakord me këtë vlerësim,

Votuesit gjithashtu ranë dakord gjerësisht, 81% për qind pro dhe 12% kundër, që ekstremizmi është një problem i madh në Shtetet e Bashkuara.

Lidhur me ardhjen në pushtet të Presidentit të zgjedhur Joe Biden, vetëm 31% e votuesve besojnë se ai do të jetë në gjendje të bashkojë vendin ndërsa 56% thanë se parashikojnë që ndasitë partiake të mbeten të pandryshuara. 14 përqind thanë se nuk ishin të sigurt.

Në sondazh u anketuan 1,239 votues të regjistruar në të gjithë vendin nga 7 deri më 10 janar.

Trump thotë se nuk mban përgjegjësi për sulmin ndaj Kapitolit

VOA

Presidenti Donald Trump nuk mori përgjegjësi lidhur me rolin e tij në nxitjen e protestave të dhunshme në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara javën e kaluar.

Duke folur me gazetarët përpara se të udhëtonte në Teksas sot paradite, zoti Trump tha se fjalët e tij para mbështetësve javën e kaluar ishin “plotësisht të përshtatshme”.

Disa minuta para se përkrahësit e tij të sulmonin Kapitolin, zoti Trump i inkurajoi ata të marshonin drejt ndërtesës së Kongresit, ku ligjvënësit po numëronin votat e Kolegjit Zgjedhor për të konfirmuar fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden. Presidenti Trump, për muaj me radhë, kishte pretenduar në mënyrë të pasaktë se zgjedhjet e nëntorit ishin manipuluar, pavarësisht nga përfundimet e administratës së tij për të kundërtën.

Ndërsa protestuesit ishin ende në Kapitol, zoti Trump lëshoi një video që dukej se i justifikonte ngjarjet, duke thënë për protestuesit: “Ju duam. Jeni shumë të veçantë.”

Një oficer policie i Kapitolit vdiq nga plagët e marra gjatë veprimeve të dhunshme dhe policia qëlloi një grua gjatë përpjekjeve për të frenuar turmën. Tre persona të tjerë vdiqën në ato që autoritetet thanë se ishin urgjenca mjekësore.

Përforcime, masa shtesë në Uashington në përgatitje për inaugurimin

VOA

Shërbimi Sekret dhe Garda Kombëtare po përgatiten të dërgojnë përforcime shtesë për inaugurimin e presidentit të ardhshëm Joe Biden. Ndërkaq, kryebashkiakja e Uashingtonit ka bërë thirrje që njerëzit të rrinë në shtëpi gjatë kësaj ceremonie.

Pas skenave të dhunshme të javës së kaluar në Kapitol kur ligjvënësit po numëronin votat elektorale të zgjedhjeve presidenciale për të certifikuar fitoren e zotit Biden, Shërbimi Sekret njoftoi të hënën se do të fillonte operacionet speciale të sigurisë që më 13 janar në vend të datës së parashikuar për 19 janar.

Garda Kombëtare konfirmoi të hënën se do të dërgojë deri në 15,000 trupa për të garantuar sigurinë gjatë ceremonisë së inaugurimit. Kjo shifër përfaqëson një rritje dramatike krahasuar me 8,000 trupa që u dërguan për ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Trump katër vjet më parë.

Në përgjigje të një pyetjeje nga Zëri i Amerikës, zoti Biden tha të hënën se nuk është i shqetësuar për Ditën e Inaugurimit.

“Nuk jam i shqetësuar që të bëj betimin jashtë (para Kapitolit),” tha ai duke shtuar se ata “që angazhohen në akte të dhunshme kundër shtetit dhe kërcënojnë jetë njerëzish” duhen mbajtur përgjegjës.

Ndërkaq, të hënën, kryebashkiakja e Uashingtonit, Muriel Bowser u bëri thirrje atyre që planifikojnë të vijnë në Uashington të qëndrojnë në qytetet e tyre dhe ta ndjekin ceremoninë me televizor, duke përmendur incidentet e javës së kaluar.

Në komentet për shyp të hënën, zonja Bowser tha se i kishte dërguar një letër Presidentit Trump ku i kërkonte të shpallte “përgatitje për gjendje emergjente” për Uashingtonin para ceremonisë së inaugurimit të presidentit të ri më 20 janar.

Të hënën në mbrëmje Presidenti Trump miratoi kërkesën e kryebashkiakes së Uashingtonit për të shpallur “përgatitjet për situatë emergjente” që autorizon mobilizimin e burimeve federale për të garantuar sigurinë në kryeqytet gjatë inaugurimit të presidentit të ri.

Zonja Bowser i ka shkruar edhe kreut të Departamentit të Sigurisë Kombëtare duke kërkuar që agjencia e tij të modifikojë reagimin e saj në disa mënyra për ceremoninë e inaugurimit.

Zonja Bowser ka kërkuar që periudha e masave speciale të sigurisë që zbatohet për ceremoninë e inaugurimit, të zgjatet nga 20 deri më 24 janar. Ajo ka kërkuar që Departamenti i Sigurisë Kombëtare të bashkërendojë dislokimin e një force sigurie që do të ketë për detyrë të mbrojë objektet federale.

Kryebashkiakja ka kërkuar që edhe Departamentet e Mbrojtjes dhe Drejtësisë të përfshihen në këto masa, përfshirë edhe Kongresin dhe Gjykatën e Lartë. Ajo tha se kjo bëhet për t’i dhënë mundësi policisë së Uashingtonit të përqëndrohet në mbrojtjen e rendit në qytetin e Uashingtonit.

Zonja Bowser po ashtu i ka kërkuar Departamentit të Pasurive Kombëtare që jep leje për aktivitete publike në parqet dhe sheshet e Uashingtonit, të mos japë leje për tubime deri pas datës 24 janar.

Zonja Bowser tha se një deklaratë e ngjashme në përgatitje për një situatë emergjente ishte nxjerrë në 2009, para inaugurimit të Presidentit Obama. Kreybashkiakja nënvizonte “kërcënime të reja për akte nga terroristë të brendshëm” në letrën e saj.

Autoritetet e administrimit të kryeqytetit Uashington nuk kanë kompetenca mbi territorin ku ndodhet Kapitoli dhe institucione të tjera federale.

Sekretari Pompeo mbron ndryshimet në Zërin e Amerikës

Jessica Jerreat

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo mbrojti të hënën udhëheqjen e Agjensisë së Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale (USAGM) përballë kritikave se Drejtori i saj Ekzekutiv po përpiqet ta shndërrojë rrjetin e lajmeve në një mjet propagande.

Në një fjalim të mbajtur në selinë qendrore në Uashington të Zërit të Amerikës, sekretari në largim i shtetit tha se administrata e Presidentit Trump dëshiron ta “riorientojë” Zërin e Amerikës drejt misionit të tij dhe të “depolitizojë ato që ndodhin këtu”.

Sekretari Pompeo është zyrtari më i lartë i administratës Trump, që del në mbrojtje të USAGM-it, pasi ligjvënës republikanë dhe demokratë, analistë të mediave dhe gazetarë të pavarur, i kanë kritikuar veprimet e ndërmarra nga Michael Pack, i emëruar nga presidenti në krye të agjensisë.

Sekretari Pompeo përsëriti qëndrimet e zotit Pack, se Zëri i Amerikës nuk kishte trajtuar shqetësimet e sigurisë dhe se kishte humbur misionin e tij.

Drejtori ekzekutiv Michael Pack gjatë seancave të konfirmimit në Kongres (19 shtator 2019)

Drejtori ekzekutiv Michael Pack gjatë seancave të konfirmimit në Kongres (19 shtator 2019)

Ai i tha audiencës se gabimet duhen bërë të ditura, por se “nuk është ‘Zëri i Amerikës’ për t’u përqëndruar tek gjithçka që është gabim në vendin tonë të mrekullueshëm. Nuk është sigurisht vendi për t’u dhënë një platformë regjimeve në Pekin dhe Teheran”.

Në mbështetje të zotit Pack, një ish-producent konservator filmash, Sekretari i Shtetit i tha audiencës dhe atyre që ndiqnin në transmetimin e drejtpërdrejtë në internet, se “Ka një agim të ri këtu në Zërin e Amerikës”.

Ai gjithashtu lavdëroi punën e gazetarëve të Zërit të Amerikës, që ofrojnë lajme të pavarura për ata që jetojnë në vende autoritare.

Pas fjalimit, drejtori i ri i Zërit të Amerikës, Robert Reilly, zhvilloi një bisedë të shkurtër me Sekretarin Pompeo për misionin e agjensisë dhe zhvillimet kryesore, por nuk i drejtoi asnjë pyetje Sekretarit të Shtetit për ngjarjet e këtyre ditëve, siç kishin kërkuar gazetarët e rrjetit që ai drejton. Ai gjithashtu nuk e pyeti Sekretarin Pompeo rreth trazirave që shkaktuan viktima javën e kaluar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe që prodhuan për mbarë botën imazhe tronditëse të simbolit të demokracisë amerikane.

Gazetarët e VOA që morën pjesë në këtë aktivitet u përpoqën t’i drejtojnë pyetjet e tyre me zë të lartë në përfundim të programit, ndërsa Sekretari Pompeo po largohej, por ai i injoroi ato. Agjensia tha se nuk lejoi pjesëmarrjen e gazetarëve të jashtëm për shkak të hapësirës së kufizuar nga protokollet e masave të sigurisë për koronavirusin.

Që kur mori drejtimin e USAGM-it në muajin qershor, zoti Pack është kritikuar për veprimet e ndërmarra, përfshi largimin e drejtuesve të Radios Azia e Lirë, Radios Evropa e Lirë/Radio Liria, Rrjetit të Transmetimeve për Lindjen e Mesme; për emërimin e bordeve të reja drejtuese dhe transferimin e redaktorit për standartet e gazetarisë, Steve Springer. Drejtorja e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett dhe zëvendësja e saj Sandy Sugawara dhanë dorëheqjen paraprakisht.

Një gjykatë amerikane ia ndaloi zotit Pack dhe ndihmësve të tij ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në pavarësinë editoriale të Zërit të Amerikës, derisa të përfundojë shqyrtimi i një padie për shkelje në këtë drejtim.

Sekretari i Shtetit Michael Pompeo gjatë bashkëbisedimit me Drejtorin e Zërit të Amerikës Robert Reilly (11 janar 2021)

Sekretari i Shtetit Michael Pompeo gjatë bashkëbisedimit me Drejtorin e Zërit të Amerikës Robert Reilly (11 janar 2021)

Sekretari Pompeo përsëriti komentet e mëparshme të zotit Pack se këto veprime janë të nevojshme për të ndrequr shqetësimet e sigurisë në agjensi dhe tha se drejtori ekzekutiv me të drejtë i dha fund “miratimit automatik të vizave J-1 për shtetasit e huaj”.

Në qershor, USAGM njoftoi shqyrtimin rast-mbas-rasti të lejeve të posaçme që u janë dhënë gazetarëve ndërkombëtarë, duke rezultuar në humbjen e vendeve të punës dhe të drejtën për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara të disave prej tyre, pasi zoti Pack nuk pranoi të miratonte zgjatjen e vizave.

Shërbimet në 47 gjuhë të Zërit të Amerikës mbështeten tek gazetarë që jo vetëm kanë njohuri gjuhësore, por edhe njohuri komplekse të rajonit që mbulojnë. Zëri i Amerikës duhet të provojë, kur punëson një gazetar nëpërmjet vizës J-1, se nuk ekziston asnjë kandidat i përshtatshëm amerikan.

Ligjvënësit dhe organizatat e të drejtave, përfshi Komitetin e Gazetarëve për Lirinë e Shtypit (RCFP) kanë dënuar vendimin e zotit Pack për të mos rinovuar vizat J-1, duke vënë në dukje mundësinë e vendosjes në rrezik të gazetarëve të huaj që shtrëngohen të rikthehen në vende armiqësore.

Në fjalimin e tij, Sekretari Pompeo kritikoi një grup gazetarësh të VOA që thanë se fjalimi nuk duhej të transmetohej drejtpërsëdrejti.

Në një letër, dërguar në emër të gazetarëve nga Projekti për Llogaridhënien e Qeverisë (GAP), thuhet se transmetimi i drejtpërdrejtë i fjalimit është shkelje e ligjeve, rregullave dhe politikave të Zërit të Amerikës.

“Transmetimi i një fjalimi të sekretarit të shtetit në largim mbi tema për të cilat është raportuar gjerësisht, duhet të perceptohet për atë çfarë është: përdorim i Zërit të Amerikës për të shpërndarë propagandë politike në ditët e fundit të administratës Trump”, thuhet në letër.

Sekretari Pompeo vuri në dukje ngjashmëritë e letrës me “çensurën, drejtësinë sociale, të shprehurin politikisht korrekt” dhe kulturat e tjera mohuese në mediat sociale dhe kampuset universitare, ku grupe të caktuara bëjnë thirrje që zërave që konsiderohen ekstreme apo intolerante të mos u jepet hapësirë.

“Të gjitha shkojnë në një drejtim – autoritarianizëm i kamufluar si drejtësi”, tha Sekretari Pompeo.

David Seide, këshilltar i lartë në GAP, kundërshtoi pikëpamjet e zotit Pompeo dhe i tha Zërit të Amerikës se “këtu nuk bëhet fjalë për çensurë apo drejtësi sociale. Këtu bëhet fjalë për zbatimin e ligjit”.

“Akuzat se punonjës të Zërit të Amerikës u përpoqën të çensurojnë fjalimin e sekretarit të shtetit janë qesharake. Shqetësimet e ngritura kanë të bëjnë me thelbin e pavarësisë editoriale”, tha zoti Seide, i cili ia drejtoi letrën zotit Pack, në emër të një grupi gazetarësh.

Bruce Brown, drejtor ekzekutiv i RCFP-së, mbështeti këtë pikëpamje dhe tha se “autonomia editoriale nuk duhet të përkundet përballë interesave të asnjë vendi, përfshirë vendit tonë”.

Fjalimi i Sekretarit Pompeo u mbajt ndërsa në pak më shumë se një javë, do ta marrë drejtimin një administratë e re. Gjatë fushatës elektorale, një zëdhënëse e presidentit të zgjedhur Joe Biden tha se zoti Biden do ta largonte zotin Pack nga detyra.

SHBA, Dorëhiqet Sekretari në detyrë i Sigurisë Kombëtare

Marrë nga Reuters

Zyra e shtypit e Departamentit të Mbrojtjes njoftoi se Sekretari në detyrë i këtij departamenti, Chad Wolf do të largohet nga posti në mesnatën e së hënës. Pete Gaynor, administrator i Agjencisë Federale për Emergjencat do të marrë rolin e sekretarit në detyrë, tha zyra e shtypit.

Presidenti Donald Trump e tërhoqi emërimin e zotit Wolf për Sekretar të Sigurisë Kombëtare javën a kaluar, pasi Chad Wolf tha se do të dorëhiqej shumë shpejt.

Zoti Wolf i shtohet listës së emrave të zyrtarëve të lartë dhe anëtarëve të kabinetit të Presidentit Trump që dorëhiqen pas protestave me dhunë të javës së kaluar në selinë e Kongresit amerikan. VOA

FBI: Plane për protesta të dhunshme në të 50 shtetet

Marrë nga Associated Press

FBI-ja paralajmëron se ekzistojnë plane për protesta të armatosura në kryeqytetet e të 50 shteteve amerikane si dhe në Uashington, ndërkohë që afron dita e inaugurimit të presidentit të ri. Këto plane kanë rritur shqetësimin për gjakderdhje pas protestave të dhunshme të javës së kaluar në Uashington.

Një qarkore e brendshme e FBI-së paralajmëron se, sipas analizave të bëra deri të dielën, protestat mund të fillojnë këtë javë dhe të vazhdojnë deri në ditën e inaugurimit të Presidentit të Zgjedhur Joe Biden, sipas zyrtarëve federalë që kishin lexuar hollësitë e njoftimit dhe folën me agjencinë e lajmeve Associated Press. Hetuesit besojnë se disa prej pjesëmarrësve bëjnë pjesë në grupe ekstremiste, thanë zyrtarët.

“Protesta të armatosura po planifikohen në kryeqytetet e 50 shteteve nga data 16 deri të paktën më 20 janar,” thoshte njoftimi i brendshëm sipas një zyrtari. Zyrtarët nuk kishin autorizim të flisnin publikisht, prandaj diskutuan me Associated Press me kusht anonimiteti.

FBI-ja kishte nxjerrë të paktën një paralajmërim tjetër të brendshëm para protestave të dhunshme të javës së kaluar. Më 29 dhjetor, FBI-ja paralajmëroi për mundësinë e demonstratave të armatosura që kishin në shenjestër selitë e legjislaturave, tha zyrtari i dytë.

Gjenerali Daniel Hokanson, kreu i Gardës Kombëtare tha të hënën në komentet për shtyp se Garda po analizon të gjitha shqetësimet në mbarë vendin:

“Po ndjekim zhvillimet në mbarë vendin, në bashkërendim të ngushtë me agjencitë lokale të rendit, në mënyrë që të ofrojmë mbështetjen që na kërkohet”.

Protestat e dhunshme pasuan thirrje prej disa javësh për dhunë në Uashington përmes postimeve në internet, ndërsa afron fundi i mandatit të Presidentit Trump.

Një postim në Twitter ku Presidenti Trump premtonte se protestat e së mërkurës do të ishin jashtë kontrollit, ushqeu “një muaj nxitjesh, strategjish dhe përqafimi të dhunës kundër ligjvënësve,” arrin në përfundimin një grup kërkimor që analizon aktivitetin ekstremist në internet. Në një raport të bërë publik të shtunën, SITE Intelligence Group paralajmëron se sulmi ndaj Kapitolit u ka dhënë zemër ekstremistëve që mbështesin zotin Trump.

“Pavarësisht se si evolon e gjithë kjo, ky është vetëm fillimi,” shkruante një përdorues i platformës dixhitale TheDonald, sipas raportit. VOA

Demokratët paraqesin impeachment kundër Trumpit

VOAL – Demokratët paraqitën zyrtarisht artikullin e fajësimit të Donald Trump në Dhomën e Përfaqësuesve për inkurajimin e sulmit nga protestuesit e tij në Capitol Hill. Pesë të vdekur dhe disa të plagosur në përleshje. Ekziston vetëm një akuzë: nxitja për kryengritje. Katër faqet e dokumentit i referohen pretendimeve të tij të rreme të fitores kundër Joe Biden, presionit të tij ndaj drejtuesve të Xhorxhias për të përmbysur rezultatin e votimit në atë shtet dhe tubimit në të cilin ai inkurajoi tifozët e tij për të sulmuar Capitol Hill.

Dhoma do të votojë më vonë këtë javë, duke marrë kështu hapin e parë për ta bërë Trump presidentin e parë në histori që akuzohet dy herë. E para, në vitin 2019, ishte e pasuksesshme. Pas votimit të parë, do t’i mbetet Senatit të zhvillojë një gjykim të shkurtër mbi pretendimet e bëra. Për të dënuar presidentin në largim, do të nevojiten votat e dy të tretave të senatorëve. Për të ndodhur kjo, disa anëtarë të partisë së tij do të duhej të hiqnin dorë nga ajo, duke pasur parasysh barazinë e konsiderueshme të vendeve në Senat.

Në të njëjtën kohë, Demokratët, të cilët kontrollojnë shumicën e Dhomës, paraqitën një rezolutë tjetër duke kërkuar që Zëvendës Presidenti Mike Pence të hiqte Donald Trump nga posti i tij, duke kërkuar Amendamentinn e 25-të të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Një Republikan kundërshtoi miratimin e tij të menjëhershëm dhe unanim. Votimi në seancë plenare tashmë është caktuar për të martën.

Kryetarja e Dhomës Nancy Pelosi njoftoi zyrtarisht se Dhoma do të votojë mbi rezolutën mbi Amendamentin e 25 të Martën, pasi Republikanët bllokuan diskutimin e saj sot. Pas miratimit, shpjegoi ajo, Nënpresidenti Mike Pence do të ketë 24 orë për t’u përgjigjur. Nëse jo, vazhdoi aj, “si një hap tjetër, ne do të shkojmë përpara me masën e fajësimit. Kërcënimi i presidentit ndaj Amerikës është urgjent, dhe po kështu veprimi ynë.” rsi-eb

Schwarzenegger evokon në një video Evropën post-naziste, dënon dhunën në Kapitol

VOA

Në një mesazh emocionues me pamje filmike, duke iu referuar disa ngjarjeve intime të fëmijërisë së tij në Austrinë post-naziste, ish-Guvernatori republikan i Kalifornisë Arnold Schwarzenegger dënoi dhunën në Kapitol dhe ato që ai i quajti gënjeshtra të Presidentit Donald Trump, që sipas tij u bënë shkak për ngjarjen.

Presidenti Trump u përpoq të përmbyste rezultatet e një procesi zgjedhor të ndershëm. Ai u përpoq të kryente një grusht shteti duke i mashtruar njerëzit me gënjeshtra“, shprehej në një video shtatë minutëshe të postuar në mediat sociale të dielën, ish-aktori 73-vjeçar, i cili gjatë karrieres se tij në Hollivud njihet më së shumti me rolin e tij ne filmin “The Terminator”.

Babai im dhe fqinjët tanë u mashtruan gjithashtu me gënjeshtra dhe unë e di se ku të çojnë gjëra të tilla“, tha zoti Schwarzenegger, një përfaqësues i republikanëve.

Zoti Trump vazhdon të pohojë, por pa dhënë asnjë provë, se ai i ka fituar zgjedhjet e 3 nëntorit. Një turmë e mbështetësve të tij hynë me forcë në mjediset e Kapitolit të mërkurën ndërsa Kongresi po zhvillonte procesin e çertifikimit të fitores së Joe Biden-it në zgjedhjet e 3 nëntorit. Në një video për mbështetësit e tij publikuar të mërkurën, gjatë kohës që dhuna në Kapitol ishte në zhvillim e sipër, presidenti u kërkonte atyre të shkonin në shtëpi, por përsëriti pretendimin se ishte ai që i kishte fituar zgjedhjet. Më vonë ai publikoi një tjetër video në të cilën premtonte një tranzicion të qetë të pushtetit. Të enjten zëvendës Sekretar i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë shkruante në Twitter se Shtëpia e Bardhë dhe Presidenti e kishin dënuar dhunën.

Zoti Schwarzenegger tha të dielën se ndërsa pas inaugurimit, zoti Trump mund të bëhet “i parëndësishëm, e të harrohet, ashtu si një postim i vjetër twitteri” ligjvënësit, të cilët ai i kritikoi si “pa shtyllë kurrizore”, duhet të vendosen përpara përgjegjësisë për veprimet e tyre dhe se sipas tij, duhet të miratohen ligje në mënyrë që ngjarje të tilla si ajo e 6 janarit, të mos përsëriten më, kurrë.

Zoti Schwarzenegger tregoi një histori të fëmijërisë së tij në Austri pas Luftës së Dytë Botërore, duke thënë se ai ishte rrethuar nga burra të shkatërruar, mes tyre dhe babai i tij, që deheshin për të harruar turpin e të qenit pjesë e “regjimit më të ligë” në histori.

Duke i krahasuar nazistët me anëtarët e grupit “Djemtë Krenarë”, një grup supremacistësh të bardhë që Qendra Juridike Jugore mbi Çështje të Varfërisë e quan një grup urrejtjeje, zoti Schwarzenegger vuri në dukje se shumë prej pjesëtarëve të komunitetit të tij, kur ai ishte fëmijë, nuk ishin “anti-semitë të tërbuar ose nazistë”.

Shumë prej tyre thjesht u bënë pjesë e turmës, duke i ndjekur hap pas hapi ndërsa ata (nazistët) bënim përpara me synimet e tyre“, tha ai.

Në videon e shoqëruar me një sfond muzikor zoti Schwarzenegger shfaqet me “shpatën e Conan-it”, përdorur në një nga filmat e luajtur prej tij në vitit 1982 “Conan the Barbarian”, (Barbari Conan).

“Një shpatë sa më shumë ta punosh, duke e rrahur për të fituar elasticitet, aq më e fortë bëhet”, tha ai.

Demokracia jonë është si çeliku i kësaj shpate, sa më shumë e punon, aq më e fortë bëhet. Demokracia jonë është përpunuar nga luftërat, padrejtësitë dhe kryengritjet“, tha ai.

Unë besoj se, sado të tronditur të jemi nga ngjarjet e ditëve të fundit, ne do të dalim më të fortë sepse tashmë kemi kuptuar se çfarë mund të humbasim“, tha ish-guvernatori.

Në 2016-s zoti Schwarzenegger i shprehu hapur ambicient e tij presidenciale duke thënë se do të kishte kandiduar po të kishte lindur në Amerikë, një faktor që e skulifikon atë nga mundësia për të garuar për këtë post, pavarësisht shtetësisë amerikane.

Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë asnjë koment rreth videos së tij të publikuar të dielën në mbrëmje.

Demokratët zyrtarisht kërkojnë shkarkimin e Trumpit

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë prezantuar një rezolutë me një artikull për shkarkimin e presidentit amerikan Donald Trump, të cilin e akuzojnë për “nxitje të kryengritjes” lidhur me rolin e tij në sulmin ndaj Kongresit amerikan më 6 janar.

Në rezolutë theksohet se Trumpi ka mbajtur një fjalim në një tubim, pak para se mbështetësit e tij të sulmonin Kongresin dhe ai bëri deklarata që “inkurajuan dhe çuan” te veprimet e paligjshme ndaj Kongresit.

Kjo është hera e dytë që ndaj Trumpit nis proces gjyqësor për shkarkim në Kongres.

Kërkesa për shkarkimin e Trumpit vjen pasi republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve e bllokuan një kërkesë të demokratëve për të nxjerrë një rezolutë, që do t’i bënte thirrje nënpresidentit Mike Pence të aktivizojë Amendamentin 25 të Kushtetutës amerikane, për largimin e presidentit Donald Trump nga zyra.

Amendamenti 25 i Kushtetutës i lejon nënpresidentit që të marrë kompetencat e presidentit. Demokratët kanë paralajmëruar se nëse nënpresidenti Mike Pence nuk e aktivizon këtë amendament, ata do të vazhdojnë me procesin e shkarkimit të presidentit në Kongres.

Më herët, udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi paralajmëroi nisjen e procedurave për gjykimin e Trumpit në Kongres, teksa presidenti po përballet me presion në rritje dhe izolim në ditët e fundit në Shtëpinë e Bardhë, për shkak të rolit të tij në sulmin që i është bërë Kongresit.

Në rezolutën e demokratëve, që u bllokua nga republikanët, Trump akuzohet për rritje të presionit ndaj zyrtarëve zgjedhorë për të përmbysur rezultatin zgjedhor, si dhe për inkurajim të mbështetësve të tij që dhunshëm të hyjnë në Kongres më 6 janar.

Si pasojë e këtij incidenti pesë persona kanë mbetur të vdekur, përfshirë një zyrtar policor.

“Për të mbrojtur Kushtetutën dhe demokracinë tonë, ne do të veprojmë me urgjencë, sepse ky president përbën kërcënim për të dyja”, ka thënë Pelosi.

“Teksa ditët ecin, tmerri i sulmit të organizuar nga ky president është rritur dhe ka nevojë urgjente për veprim”, shtoi ajo.

Dhoma e Përfaqësuesve pritet që të nisë debatin për shkarkim e Trumpit dhe se për këtë gjë do të votohet më 13 apo 14 janar.

Kjo masë ka mbështetjen e më shumë se 200 demokratëve dhe pritet të miratohet duke e bërë Trumpin presidentin e parë, ndaj të cilit nisen dy herë procedurat për shkarkim.

Largimi i Trumpit nga zyra përmes procesit të shkarkimit do të ishte tejet i vështirë në një periudhë kaq të shkurtër kohore, para se të përfundojë mandati i tij.

Edhe nëse Dhoma e Përfaqësuesve nis procedurat për shkarkim, akuzat duhet të paraqiten edhe para Senatit.

Të 100 senatorët duhet të pajtohen për të nisur më herët punimet para 19 janarit, ashtu që të zhvillohet gjykimi, skenar që ka pak mundësi të realizohet.

Lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnell u ka nisur letër senatorëve republikanë më 9 janar, duke sugjeruar se asnjë gjykim nuk do të nisë derisa Trump të largohet nga zyra më 20 janar.

Dënimi nga Senati kërkon dy të tretat e votave. Kjo nënkupton se të paktën 17 senatorë republikanë duhet t’iu bashkohen demokratëve për të dënuar presidentin.

Deri më tani, vetëm dy senatorë republikanë kanë shprehur mbështetje të plotë për largim të presidentit, Pat Toomey dhe Lisa Murkowski.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Shefi i policisë së Kapitolit: Kërkesa për të thirrur Gardën nuk u pranua

Shefi i Policisë së Kapitolit, Steven Sund, i cili po largohet nga kjo detyrë, tha për gazetën Washington Post se zyrtarët e sigurisë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, nuk e kishin pranuar kërkesën e tij që Garda Kombëtare të rrinte e gatshme për të ndihmuar në prag të sulmit të javës së kaluar në Kapitol.

“Nëse do të kishim Gardën Kombëtare, do t’i kishim mbajtur larg (njerëzit), derisa të vinin oficerë të tjerë policie nga agjencitë tona partnere”, i tha gazetës zoti Sund.

Ai tha se kreu i zbatimit të ligjit për Senatin, Michael Stenger, i kishte sugjeruar që ai të bisedonte jozyrtarisht me Gardën Kombëtare që ajo të rrinte në gatishmëri në rast se trupat e saj do të ishin të nevojshme.

Zoti Sund tha ndërkaq se kreu i sigurisë për Dhomën e Përfaqësuesve, Paul Irving, i kishte shprehur shqetësimin se si do të dukej situata nëse shpallej zyrtarisht një emergjencë në prag të demonstratave të planifikuara nga mbështetësit e Presidentit Donald Trump.

Të tre zyrtarët dhanë dorëheqjen pas sulmit ndaj Kapitolit.

Stenger dhe Irving, që mbanin postin e njohur si “Sergeant-At-Arms” në gjuhën ushtarake amerikane, kishin kompetenca të gjera për mbrojtjen e Kapitolit dhe ndërtesave të tjera që përbëjnë kompleksin e Kongresit amerikan. Përgjegjësitë e tyre shtriheshin gjithashtu tek kontrolli i hyrje-daljeve në kompleks dhe në sallat kryesore të këtij institucioni, si dhe në mbrojtjen e anëtarëve të Kongresit.

Një zëdhënës i Pentagonit tha javën e kaluar se policia e Kapitolit nuk kishte bërë ndonjë kërkesë që Garda Kombëtare të qëndronte e gatshme në prag të sulmit të dhunshëm që la pesë të vdekur, duke përfshirë një polic të Kapitolit.

Protestuesit pro-Trump e vunë në një trysni të pashembullt policinë e Kapitolit, e cila ishte shumë më e vogël në numër dhe qëndruan disa orë brenda ndërtesës, ndërkohë që personeli i sugurisë përpiqej të nxirrte ligjvënësit nga sallat. U deshën disa orë që autoritetet të rivendosnin kontrollin e ndërtesës. Përfundimisht policisë së Kapitolit i erdhi ndihmë nga Garda Kombëtare si dhe nga policia lokale dhe agjencitë federale të zbatimit të ligjit.

Pas sulmit, disa ligjvënës kanë ngritur pikëpyetje mbi përgatitjen e policisë së Kapitolit. VOA

Biden zgjedh William Burnsin për shef të CIA-s

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, njoftoi se ka zgjedhur diplomatin veteran, William Burns, për drejtor të CIA-s.

Burns, 64 vjeç, ish-ambasador në Rusi dhe Jordani, ka karrierë 33-vjeçare në Departamentin amerikan të Shtetit, edhe nën udhëheqjen e presidentëve republikanë, edhe atyre demokratë.

“Bill Burns është një diplomat shembullor me disa dekada përvojë në skenën botërore”.

“Ai ndan bindjen time të thellë se inteligjenca duhet të jetë jopolitike dhe se profesionistët e përkushtuar të inteligjencës që i shërbejnë kombit tonë, meritojnë mirënjohje dhe respekt”, tha presidenti i zgjedhur, Biden.

Është raportuar se Burns ka qenë kandidat për sekretar të Shtetit, porse Biden ka zgjedhur Anthony Blinken në atë pozitë.

Nëse konfirmohet nga Senati, Burns do të pasojë Gina Haspelin në krye të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës – CIA.

Në vitin 2012, Burns, atëbotë zëvendëssekretar i Departamentit amerikan të Shtetit, ka vizituar Kosovën.

Në takim me udhëheqësit e atëhershëm kosovarë, Burns është zotuar se SHBA-ja do të vazhdojë mbështetjen “për shtetin e pavarur dhe demokratik të Kosovës, për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, si dhe për zbatimin e vizionit për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës”.

Burns po ashtu ka mbështetur idenë se dialogu është “i vetmi instrument për zgjidhjen e problemeve” midis Kosovës dhe Serbisë. rel

Dhuna në Kapitol, ligjvënësit diskutojnë mbi masat kundër Presidentit Trump

Ligjvënësit po debatojnë rreth çështjes nëse Kongresi duket të ngrejë për herë të dytë akuza për shkarkimin e Presidentit në largim Donald Trump, lidhur me dyshimet mbi rolin e tij në sulmin ndaj ndërtesës së Kapitolit, të mërkurën e kaluar. Debatet ndodhin ndërsa kanë mbetur vetëm pak ditë nga inaugurimi i Presidentit të zgjedhur Joe Biden më 20 Janar. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Michelle Quinn sjell më shumë detaje.

Ndërsa vendi vazhdon të përballet me pasojat e një proteste të dhunshme nga mbështetësit e Presidentit Trump, zhvillime që lanë pas pesë të vdekur, ligjvënësit po debatojnë nëse do të kërkojnë sërish shkarkimin e zotit Trump, duke e akuzuar këtë herë për nxitje të turmës. Zoti Trump foli në një tubim përpara sulmit, duke i thënë turmës se zgjedhjet ishin vjedhur e duke u kërkuar pjesëmarrësve të marshonin drejt ndërtesës së Kapitolit. Të enjten, zëvendës sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë lëshoi një deklaratë duke thënë se zoti Trump e kishte dënuar dhunën.

Absolutisht besoj se ngritja e akuzave për shkarkim duhet të ndodhë për disa arsye. Përparësia jonë kryesore është të sigurojmë largimin e Donald Trump-it nga posti i Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Çdo minutë dhe çdo orë që ai është në detyrë përfaqëson një rrezik të qartë e të pashmangshëm, jo vetëm për Kongresin e Shteteve të Bashkuara, por edhe për vendin“, thotë Alexandria Ocasio-Cortez, ligjvënëse demokrate.

Por ekziston një problem lidhur me kohën në dispozicion të ligjvënësve. Zoti Trump pritet të lërë detyrën më 20 janar, me inaugurimin e Presidentit të zgjedhur Joe Biden. Disa ligjvënës republikanë i janë drejtuar me një letër zotit Biden, ku shprehin qëndrimin kundër ngritjes së akuzave për shkarkimin e zotit Trump. Ata thonë se ndjekja e këtij kursi, vetëm disa ditë para se zoti Trump të largohet nga detyra, është diçka “e panevojshme dhe provokuese”. Ndërkohë ligjvënësit po diskutojnë edhe për mundësi të tjera.

Sinqerisht nuk mendoj se ngritja e akuzave është një lëvizje e zgjuar pasi mendoj se e viktimizon sërish Donald Trump-in. Mendoj se aktualisht ndodhemi në një moment kur Donald Trump-i duket vërtet keq. Ai nxiti turmën. Ishte një sulm i degës ekzekutive ndaj asaj legjislative, një nga ditët më të këqija në historinë amerikane”, thotë ligjvënësi republikan Adam Kinzinger.

Diskutime ka pasur edhe për shkarkimin e presidentit përmes Amendamentit të 25 të Kushtetutës amerikane, në bazë të të cilit, presidenti mund të zëvendësohet nëse nuk është në gjendje të kryejë detyrat e tij. Arsyet përfshijnë vdekjen, shkarkimin nga detyra, dorëheqjen ose paaftësinë.

Në dhjetor të vitit 2019 ligjvënësit votuan pothuajse në linja partiake për ngritjen e akuzave për shkarkimin e Presidentit Trump, duke e akuzuar atë për abuzim me detyrën dhe pengim të punës së Kongresit. Zoti Trump u akuzua se kishte abuzuar me detyrën duke i bërë presion Ukrainës, për të nisur një hetim ndaj zotit Biden. Por Senati votoi kundër duke e liruar atë prej akuzave. Deri tani ndaj asnjë presidenti amerikan nuk janë ngritur dy herë akuza për shkarkimin e tij.

Lëkundet mbështetja republikane për Presidentin Trump

VOA

Sesioni i përbashkët i kësaj jave i të dyja dhomave të Kongresit u paraqit si shansi i fundit i Presidentit Donald Trump për të zhbërë rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit edhe pse i pamundur të arrihej. Ai u mbështet për këtë në besnikërinë e vazhdueshme të Nënpresidentit Mike Pence, i cili kryesoi zyrtarisht procesin.

Kundërshtimet e republikanëve të kongresit mbi procesin e përcaktuar në kushtetutë të numërimit të votave elektorale që vërtetojnë se demokrati Joe Biden fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 ishin të pritshme.

Por trazirat e shkaktuara nga mbështetësit e Presidentit Donald Trump dhe pretendimet e tij të pabazuara se zgjedhjet ishin të manipuluara, shkaktuan çarje në murin e mbështetjes republikane për Presidentin Trump.

“Partia Republikane, për fat të keq, po i shërben kultit të individit. Të jesh republikan do të thotë të mbështesësh Presidentin Trump pa marrë parasysh se për çfarë”, thotë Chris Edelson, profesor në Universitetin Amerikan.

Por besnikëria e pashtershme e Nënpresidentit Mike Pence përfundoi të mërkurën, kur u tha mbështetësve atë që i tha Presidentit Trump një ditë më parë, se ai nuk gëzonte autoritet që të përmbysë rezultatin e zgjedhjeve.

Presidenti Trump e vazhdoi presionin ndaj Nënpresidentit Pence gjatë një tubimi pranë Shtëpisë së Bardhë disa orë para se të fillonte numërimi.

“Gjithçka që Nënpresidenti Pence duhet të bëjë është t’ua dërgojë përsëri shteteve për t’u çertifikuar dhe ne marrim presidentin dhe ju jeni njerëzit më të lumtur”, deklaroi Presidenti Trump përpara turmës.

Para se turma të hynte me forcë në Kapitol, udhëheqësi i shumicës së Senatit Mitch McConnell paralajmëroi kolegët e tij mbi rrezikun politik me të cilin përballeshin duke kundërshtuar.

“Kushtetuta na jep këtu në Kongres një rol të kufizuar. // Votuesit, gjykatat dhe shtetet kanë folur të gjitha. Të gjithë kanë folur. Nëse i tejkalojmë ato, kjo do ta dëmtonte republikën tonë përgjithmonë”, tha Senatori McConnell.

Senatori Josh Hawley nga Mizuri ishte i pari që kundërshtoi numërimin e votave elektorale.

Pasi turma u shpërnda dhe në Senat u rivendos rendi, Senatori Hawley nuk u smbraps edhe pasi trazirat kishin forcuar vendosmërinë e demokratëve dhe disa republikanëve për të miratuar fitoren e zotit Biden.

“Për ata që thonë se kjo është thjesht një formalitet sot, një ceremoni antike në të cilën jemi angazhuar për disa qindra vjet, nuk mund të them se jam dakord. //… mundësia për t’u dëgjuar, për të regjistruar kundërshtime është shumë jetësore sepse ky është vendi ku ato kundërshtime duhen dëgjuar dhe trajtuar, debatuar dhe zgjidhur përfundimisht”, tha ai.

Senatori Mitt Romney, kandidati republikan për president në 2012, e vuri përpara përgjegjësisë senatorin e ri e të tjerë mbi mbështetjen e pretendimeve të pabazuara të Presidentit Trump për manipulim në zgjedhje.

“Asnjë hetim nga ana e kongresit nuk do t’i bindë kurrë këta votues, veçanërisht kur presidenti do të vazhdojë të thotë se zgjedhjet u vodhën. Mënyra më e mirë për të treguar respekt për votuesit e irrituar është duke u thënë atyre të vërtetën… Kjo është barra, kjo është detyra e udhëheqjes. E vërteta është se Presidenti i zgjedhur Biden fitoi zgjedhjet. Presidenti Trump humbi. Unë atë përvojë e kam pasur vetë. Nuk është argëtim”, tha ai.

Ndërsa i kanë mbetur vetëm pak ditë nga përfundimi i mandatit, Presidenti Trump përballet me mundësinë e një votimi të dytë për shkarkim, i cili mund të detyrojë anëtarët e partisë së tij, që në një mënyrë a një tjetër të ketë një qëndrim mbi këtë çështje.

Dhoma e Përfaqësuesve mund të paraqesë artikujt e fajësimit të Presidentit Trump të hënën

VOA

Përpjekjet për ta mbajtur Presidentin Donald Trump përgjegjës për rolin e tij në nxitjen e turmës që sulmoi Kapitolin të mërkurën morën vrull të shtunën, me anëtarët demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve që njoftuan se do të parashtrojnë artikujt e fajësimit duke filluar që nga e hëna.

Ligjvënësi Ted Lieu, një demokrat nga shteti i Kalifornisë, i cili ndihmoi në hartimin e akuzave kundër Trump, shkroi në Twitter se artikujt mbështeten nga 180 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, megjithëse asnjë republikan nuk është mes tyre.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe kolegët e saj kërkojnë që presidenti të hiqet nga detyra para se mandati i tij të mbarojë më 20 janar, edhe pse Senati i udhëhequr nga Republikanët nuk ka gjasa të bjerë dakort.

“Situata me këtë president të marrë mund të jetë më e rrezikshme dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbrojtur popullin amerikan nga sulmi i tij i çekuilibruar ndaj vendit dhe demokracisë tonë,” tha zonja Pelosi të premten.

Nëse Dhoma e Përfaqësuesve do të ngrejë akuza për fajësimin e presidentit, për herë të dytë, kjo do të pasohej nga një gjykim në Senat, i cili e ka liruar një herë më parë presidentin Trump nga akuzat dhe do të jetë në pushim deri më 19 janar. Demokratët do të marrin kontrollin e Senatit më vonë këtë muaj .

Udhëheqësit demokratë të Kongresit gjithashtu i kanë bërë thirrje Nënpresidentit Mike Pence të kërkojë aktivizimin e amendamentit të 25-të, i cili ofron një mënyrë alternative dhe mbase më të shpejtë për ta hequr presidentin nga detyra. Zoti Pence nuk është përgjigjur por është njoftuar se u ka thënë kolegëve të tij se ai nuk e favorizon një veprim të tillë.

Miratuar në vitet 1960, Amendamenti i 25-të i Kushtetutës amerikane lejon transferimin e përkohshëm të pushtetit nga presidenti tek nënpresidenti nëse presidenti është i paaftë, me miratimin e shumicës së kabinetit të tij. Por analistët thonë se ai variant mund të jetë i vështirë për t’u aktivizuar me vetëm disa ditë të mbetura në presidencën e zotit Trump.

“Është gjithashtu shumë e vështirë në një situatë kur presidenti nuk është në koma apo fizikisht i paaftë për të bërë detyrën sepse sipas Amendametit të 25-të, pasi të aktivizohet, presidenti mund ta njoftojë Kongresin se ai është në gjendje të marë përsëri kompetencat e zyrës së tij”, tha John Hudak, një hulumtues i vjetër në Institutin Brookings.

Një numër i madh i ligjvënësish demokratë – dhe disa republikanë – kanë shprehur mbështetje për largimin e zotit Trump nga detyra ose kanë dënuar veprimet e tij.

Senatorja Lisa Murkowski nga Alaska bëri thirrje që presidenti Trump të japë dorëheqje, duke u bërë senatorja e parë republikane që kërkon një veprim të tillë.

“Dua që ai të japë dorëheqjen,” i tha ajo gazetës Anchorage Daily News. “Dua që ai të largohet. Ka shkaktuar mjaft dëme”.

Senatori i Pensilvanisë, Pat Toomey nuk pranoi të shtunën në kanalin Fox News të angazhohej për të votuar në favor të shkarkimit të Trumpit, megjithëse ai kishte “kryer shkelje që mund ta shkarkonin”. Megjithatë, Senatori i Nebraskës, Ben Sasse, i tha kanalit CBS News se ai patjetër që do të konsideronte të votonte pro fajësimit.

Por udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy tha se ai nuk e mbështet fajësimin.

Presidenti i zgjedhur Joe Biden ka thënë se Trumpi nuk ishte i aftë për të kryer detyrën, por ai nuk pranoi të mbështeste thirrjet e demokratëve që ai të fajësohet për herë të dytë. Zoti Biden tha se situata do të ishte ndryshe nëse Trump nuk do të largohej nga posti në më pak se dy javë.

Arrestohen mbështetës të Trumpit që hynë në Kapitol

VOAL – Disa mbështetës të Donald Trumpit që morën pjesë në trazirat në Kapitol në Uashington, fotografitë e të cilëve qarkulluan nëpër botë, janë arrestuar dhe ndaj tyre janë ngritur akuzat. Njëri prej tyre është Jacob Anthony Chansley, “shamani” i grupit konspirativ QAnon i njohur në rrjetë nën emrin e Jake Angeli. Ai kishte hyrë pa këmishë në Capitol Hill, mbante një kokë me brirë bizonësh dhe me fytyrën e tij të pikturuar në ngjyrat e flamurit të yjeve dhe vija. Chansley tani akuzohet për hyrje të paligjshme dhe sjellje të dhunshme, tregojnë autoritetet në një deklaratë, duke vërejtur se ai mbante një shtizë të mprehtë dy metra të gjatë.

Ishte vetë ai që kontaktoi FBI-në për të konfirmuar praninë e tij në Capitol Hill të Mërkurën, duke pretenduar se ai ishte pjesë e një grupi të “patriotëve të Arizonës” që iu përgjigjën thirrjes së presidentit i cili kishte nxitur mbështetësit e tij për të shkuar në kryeqytetin federal ditën që Kongresi do të vërtetonte rezultatet e zgjedhjeve.

Gjithashtu në pranga është vënë Adam Johnson, 30-vjeçari i veshur me një kufje që mbante emrin e Trumpit i cili ishte fotografuar, i gjithë i buzëqeshur, ndërsa merrte podiumin e Kryetares së Dhomës Nancy Pelosi, si dhe Kongresmenit të Shtetit të Virxhinias Perëndimore Derrick Evans dhe Nick Hochs, një nga drejtuesit e grupit neofashist Djemtë Krenarë (Proud Boys), u arrestua pasi u kthye në Honolulu. ATS-eb

CNN: Pence s’e përjashton mundësinë për ta përdorur amendamentin 25 kundër Trumpit

Zëvendëspresidenti i SHBA-së Mike Pence nuk përjashton mundësinë për të përdorur amendamentin e 25-të. Kjo raportohet nga CNN  që citon një burim të afërt, sipas të cilit do të donte ta ruante atë opsion në rast se presidenti Donald Trump bëhet më i paqëndrueshëm.

Burimi tha se ekziston një shqetësim brenda ekipit të Pence për të përdorur amendamentin e 25-të apo edhe për një proces fajësimi, pasi Trump mund të ndërmarrë një lloj veprimi të nxituar duke e vendosur kombin në rrezik.

Që nga e shtuna në mbrëmje, Trump dhe Pence ende nuk kanë folur që nga dhuna e së mërkurës në Kapitol të SHBA-së, që la pesë njerëz të vdekur, duke përfshirë një oficer të Policisë së Kapitolit, tha një burim tjetër për CNN. Presidenti gjithashtu nuk ka bërë ndonjë koment publik për të denoncuar kërcënimet me vdekje që janë postuar në mediat sociale që synojnë Pence.

Dy burime të njohura me këtë çështje thonë se Trump është i zemëruar me Pence dhe Pence është i zhgënjyer dhe i trishtuar nga Trump.

Trump e vendosi Pence në një pozicion të pamundur, duke kërkuar që të përmbysë rezultatet e zgjedhjeve gjatë seancës së Kongresit të mërkurën.

Por, paralajmëroi burimi, është bërë e qartë këtë javë se është e nevojshme të mbahet në tryezë opsioni i 25-të i Amendamentit bazuar në veprimet e Trump.

Përmendja e ndryshimit të 25-të do të kërkonte që Pence dhe shumica e kabinetit të votonin për të hequr Trump nga detyra për shkak të paaftësisë së tij për të “shkarkuar kompetencat dhe detyrat e zyrës së tij”,  një hap i pashembullt.

Një numër në rritje i ligjvënësve po bëjnë thirrje që Presidenti të hiqet nga detyra përmes amendamentit të 25-të.

Pence “do të marrë pjesë” në inaugurimin e Bidenit

Zëvëndëspresidenti amerikan, Mike Pence, do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgjedhur, Joe Biden, raportoi agjencia Reuters, duke u thirrur në deklaratën e një zyrtari të lartë të administratës amerikane, të cilin nuk e identifikoi.

Pence nuk iu përgjigj thirrjes së presidentit aktual, Donald Trump për të kundërshtuar certifikimin votave të Kolegjit Elektoral nga ana e Kongresit. Një turmë mbështetësish të dhunshëm të Trumpit, sulmuan Kongresin të mërkurën në përpjekje për të ndaluar procedurën e certifikimit. Nga trazirat mbetën pesë persona të vdekur.

Presidenti i zgjedhur, Biden, në fillim të javës tha se Pence do të ishte i mirëpritur në betimin e tij zyrtar më 20 janar. “Ne do të ishim të nderuar ta kemi atë atje dhe të ecim përpara në tranzicion”, tha Biden.

Në postimin e fundit, para se llogaria e tij të hiqej përgjithmonë nga Twitter, Trump tha se nuk do të merrte pjesë në inaugurim.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi paralajmëroi se demokratët do të fillonin procesin e shkarkimit nëse Trump nuk jep dorëheqjen. Ajo i bëri thirrje zëvëndëspresidentit Pence të thirret në Amendamentin e 25-të të Kushtetutës, i cili i lejon kabinetit qeveritar të heq presidentin nga detyra.
Por Pence nuk ka folur publikisht për këtë temë. New York Times njoftoi të enjten se ai ishte kundër kësaj mase, e cila nuk është përdorur kurrë më parë në historinë e SHBA-së.

Ndër të akuzuarit edhe një ligjvënës nga Virxhinia Perëndimore

Masood Farivar

Një ligjvënës i një shteti amerikan, mbështetës i zotit Trump, i cili filmoi veten duke sulmuar Kapitolin e Shteteve të Bashkuara dhe një burrë nga Arkansasi i cili u fotografua i ulur në zyrën e Kryetares së Dhomës së Përfaqësueve Nancy Pelosi, janë mes dhjetëra protestuesish të akuzuar deri tani nga prokurorët federalë si pjesë e një hetimi të gjerë lidhur me sulmin e së mërkurës në Kapitol, njoftuan të premten zyrtarët federalë.

Derrick Evans, anëtar republikan i Dhomës së Delegatëve në Virxhinian Perëndimore, u akuzua për hyrjen në një zonë të ndaluar në Kapitol. Zoti Evans transmetoi video drejtpërdrejt në Facebook të vetes së tij duke hyrë me dhunë në Kapitol së bashku me një turmë protestuesish, ndërsa në një moment thotë, “Jemi futur brenda, jemi brenda”. Në një video të mëparshme të postuar në Facebook, tani të fshirë, zoti Evans paralajmëroi se protestuesit do të sulmonin ndërtesën.

Pjesëmarrja e ligjvënësit të Virxhinias Perëndimore në protesta ka nxitur thirrje për dorëheqjen e tij dhe është kritikuar nga guvernatori i atij shteti.

Zoti Evans nuk mund të kontaktohej menjëherë nga shtypi. Por avokati i tij, John Bryan, tha në një deklaratë për rrjetin CNN se, “nuk ishte e qartë për zotin Evans se atij nuk i lejohej të ndiqte turmën në zonat publike në Kapitol, brenda së cilës tashmë gjendeshin shumë pjestarë të publikut”.

Fotografia e banorit të shtetit Arkansas, Richard Barnett, e tregon atë duke buzëqeshur i ulur brenda zyrës së zonjës Pelosi me këmbë të vënë sipër tavolinës. Kjo foto u bë imazhi që portretizoi trazirat, sulmi i parë masiv ndaj ndërtesës së Kongresit amerikan në më shumë se dy shekuj.

60-vjeçari Barnett u arrestua të premten në qytetin Little Rock të Arkansasit nën akuzën për hyrje në zyrën e zonjës Pelosi, ku ai mori një zarf zyrtar drejtuar një kongresmeni dhe la një “shkrim ofendues”, thanë zyrtarët federalë. Ai përballet me tre akuza: hyrja me dijeni dhe qëndrimi në vende të ndaluara; hyrja me dhunë dhe veprime të parregullta në mjedisin e Kapitolit; dhe vjedhje e parave publike, pronës ose regjistrave publikë, thuhet në dokumentet e gjykatës të publikuara të premten. Zoti Barnett, i cili përballet me deri në një vit burg, ndodhet i ndaluar në Arkansas në pritje të ekstradimit në Uashington.

Zoti Barnett i tha një kanali televiziv lokal në Arkansas të enjten se ai po kërkonte një banjo, kur përfundoi në zyrën e zonjës Pelosi. Ai pretendoi se e përgjaku një zarf në tavolinën e zonjës Pelosi dhe e mori me vete, ndërsa la 25 centë si kompensim.

Dy individët e mësipërm janë mes 13 njerëzve të akuzuar deri tani në gjykatën federale të Uashingtonit në lidhje me trazirat. Akuzat u zyrtarizuan të enjten dhe u publikuan të premten. Po ashtu ndaj 40 individë të tjerë janë ngritur akuza në Gjykatën e Lartë të kryeqytetit amerikan, me shumicën prej tyre për hyrje të paligjshme dhe shkelje të orës policore.

Të premten vonë, Adam Johnson, një banor i Floridës i parë në një fotografi që u përhap gjerësisht, duke mbajtur foltoren e zonjës Pelosi nëpër korridoret e Kapitolit, u arrestua në kontenë Pinella të Floridës. Ai ndodhet i ndaluar në bazë të fletëarrestit nga marshallët amerikanë, sipas të dhënave të burgut. Akuzat ndaj tij ende nuk dihen.

Mes të akuzuarve në gjykatën federale, 70-vjeçari Lonnie Coffman nga Alabama, akuzohet për posedim arme zjarri të parregjistruar dhe mbajtjen e një pistolete pa leje. Brenda kamionit të tij të parkuar pas ndërtesës së Kongresit, policia gjeti të mërkurën 11 bomba Molotov, për të cilat një zyrtar tha se “ në thelb përbënin napalm të bërë në rrugë artizane”.

Drejtori i FBI-së Christopher Wray tha se akuzat e ngritura deri tani “janë vetëm fillimi i përpjekjeve të vazhdueshme të FBI-së për t’i mbajtur ata përgjegjës” për trazirat e së mërkurës.

“Ne do të vazhdojmë të hetojmë në mënyrë agresive çdo individ që vendosi të mos marrë parasysh ligjin dhe në vend të saj të nxisë dhunë, të shkatërrojë pronën dhe të dëmtojë të tjerët,” tha zoti Wray përmes një deklarate.

Ken Kohl, ndihmësi i parë i Prokurorit të Përgjithshëm për kryeqytetin amerikan tha se Departamenti i Drejtësisë ka caktuar qindra prokurorë dhe agjentë në atë që ai e cilësoi si hetim i vazhdueshëm me orar të pandërprerë.

Duke punuar nga tre qendra komande, hetuesit po studiojnë të gjitha videot e sigurisë dhe imazhet nga media sociale për të identifikuar dhe gjurmuar protestuesit.

“Departamenti nuk do të kursejë asnjë burim në përpjekjet për të mabjtur përgjegjës të gjithë këta njerëz, dhe do të jetë diçka për të cilën po punohet çdo orë, ditë dhe javë ndërsa zhvillojmë hetimet,” tha Kohl gjatë një konference telefonike me gazetarët.

Trazirat dhe plaçkitjet shpërthyen mbasditen e së mërkurës, kur qindra mbështetës të Presidentit Trump, të zemëruar për humbjen e tij ndaj zotit Joe Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit, u futën me forcë në ndërtesën e Kongresit amerikan ku gjendet Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve ndërsa ligjvënësit ishin mbledhur në një seancë të përbashkët për të çertifikuar fitoren e demokratit Biden.

Në një video të publikuar të enjten vonë, Presidenti Trump dënoi dhunën dhe bëri thirrje për shërim. Por para kësaj, për javë të tëra ai pretendoi në mënyrë të rreme se ai i fitoi zgjedhjet në masë të madhe por se i ishte grabitur fitorja, një pretendim që besohet nga shumë mbështetës të tij. Gjatë një tubimi pranë Shtëpisë së Bardhë të mërkurën, Presidenti Trump u kërkoi mijëra mbështetësve të tij që të marshonin drejt Kapitolit dhe të protestonin për rezultatin e zgjedhjeve.

Dhuna që pasoi, e cila la pesë të vdekur, përfshi një polic të Kapitolit, ndaloi përkohësisht punimet për çertifikimin e zotit Biden. Ligjvënësit u mblodhën në mbrëmje vonë për të çertifikuar zotin Biden si presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara dhe Kamala Harris si nënpresidenten e ardhshme.

Zyrtarët e zbatimit të ligjit thanë se po hetonin rrethanat që çuan në humjen e jetës së policit por nuk thanë se po bënin hetime për një rast vrasjeje.

Presidenti Trump u dënua gjerësisht për nxitje dhune duke inkurajuar mbështetësit e tij që të marshonin në Kapitol dhe të kërkonin që anëtarët e Kongresit ta deklaronin atë fitues të zgjedhjeve. Në një qortim të rrallë, ish-Prokurori i Përgjithshëm William Barr, një aleat i vendosur i zotit Trump ndërsa ishte në detyrë, tha përmes një deklarate të enjten se sjella e presidentit “ishte tradhëti ndaj zyrës dhe mbështetësve të tij.”

I pyetur nëse prokurorët po shqyrtonin rolin e zotit Trump në nxitjen e sulmit të dhunshëm në Kapitol, Michael Sherwin, prokurori i përgjithshëm në detyrë për Uashingtonin tha për gazetarët të enjten se, “ne po shqyrtojmë të gjithë aktorët në këtë mes, dhe kushdo që ka luajtur një rol dhe për të cilët provat përshtaten me elementet e krimit, ndaj tyre do të ngrihen akuza”.

Por mbetet e paqartë se sa njerëz do të përballen përfundimisht me akuza. Forca e policisë së Kapitolit ka thënë se mijëra njerëz ishin përfshirë në vepra trazirash, me disa qindra prej tyre që u futën në ndërtesë. Por ndërsa policia e Kapitolit i la gati të gjithë që të dilnin lirshëm nga ndërtesa, hetuesit federalë po përballen me një detyrë të vështirë për gjurmimin e tyre në mbarë vendin.

Zoti Kohl tha se hetuesit ende nuk kanë përcaktuar se sa njerëz udhëtuan drejt Uashingtonit për të marrë pjesë në sulmin ndaj Kapitolit dhe se në çfarë shkalle kishte koordinime për këtë veprim. “Ne nuk do ta dimë këtë deri sa të arrijmë në fund të hetimit,” tha ai.

Trumpi gëzon kompetenca të falë turmën që sulmoi Kapitolin

VOA

Pushteti që gëzon Presidenti amerikan për të dhënë falje, që është përdorur në një numër të madh rastesh nga Presidenti Donald Trump në javët e fundit, ka shqetësuar kritikët e tij.

 

Por historia tregon se faljet presidenciale kanë nxitur polemika që në krye të herës.

Etërit Themelues të kombit u dhanë presidentëve fuqi faljeje pothuajse absolute si një mënyrë për të zbutur ligjet penale, thotë Brian Kalt, profesor i drejtësisë në Kolegjin e Drejtësisë të Universitetit Shtetëror të Miçiganit.

Ata kanë debatuar mbi këtë çështje dhe e menduan se edhe mund të abuzohej me pushtetin, por se ishte e rëndësishme që të ekzistonte mundësia për falje, madje edhe për tradhëti ndaj kombit, sepse siç argumentoi Alexander Hamilton, mund të kishte një rebelim dhe kjo mund të ishte një mënyrë e mirë për t’i dhënë fund“.

Ky ishte rasti me faljen e parë presidenciale të lëshuar nga George Washington më 2 nëntor 1795. Presidenti i parë i Amerikës fali dy persona të dënuar me vdekje në lidhje me një kryengritje që u bë e njohur si Rebelimi i Uiskit. Ata ishin pjesë e një kryengritje të kompanive që prodhonin pije alkoolike, e që protestonin kundër një takse të lartë.

“Dhe kështu në atë rast funksionoi ashtu siç ata kishin shpresuar”, thotë zoti Kalt.

Falja e turmës

Sot ndërsa amerikanët po analizojnë pasojat politike të sulmit të trazuar të së mërkurës në epiqendrën e pushtetit kushtetues, disa ekspertë ngrejnë pikëpyetje rreth asaj nëse zoti Trump, në ditët e tij të fundit në pushtet, mund të lëshojë një falje në grup për të gjithë ata që janë përfshirë në trazira. Mundësia e më shumë faljeve po i jep tashmë shtysë Dhomës së Përfaqësuesve për të përshpejtuar përpjekjet për shkarkimin e zotit Trump nga pushteti përpara se mandati i tij të përfundojë më 20 janar.

Ndërsa detajet e reja në lidhje me vdekjen e një oficeri të policisë së Kapitolit, i cili thuhet se u masakrua për vdekje nga turma, e bëjnë një falje të tillë edhe më provokuese, ekspertët thonë se nuk ka asnjë pengesë ligjore që zoti Trump ta ndërmarrë një hap të tillë.

Ai mund të falë çdo shkelje kundër Shteteve të Bashkuara, ku përfshihen krimet federale, të cilat me siguri janë kryer nga ana e tyre“, thotë zoti Kalt. “Mendoj se arsyeja e Presidentit Uashington për ta bërë këtë ishte se ai donte të shuante tensionet dhe se përpjekja dhe ekzekutimi i nxitësve të Rebelimit të Uiskit, do t’i kishte bërë gjërat më keq dhe jo më mirë. Por në këtë rast, mendoj se nuk mund ta thuash një gjë të tillë. Mendoj se falja e atyre njerëzve që sulmuan Kapitolin do t’i bënte gjërat më keq dhe jo më mirë. Do të kishte efekt të kundërt”, shton ai.

Presidentët gëzojnë kompetenca të gjera faljeje kur bëhet fjalë për krime federale, por ata nuk mund ta përdorin këtë pushtet që kanë për të ndalur Kongresin që të nisë procedurën për shkarkim ndaj vetë presidentit ose të tjerëve. Ata gjithashtu nuk kanë fuqinë të falin krimet shtetërore.

Zoti Trump mund të fshijë çdo akuzë në lidhje me incidentin e 6 janarit që mund të ngrihen nga autoritetet në Uashington.

Ajo që gjetkë do të ishte krim shtetëror, në kryeqytetin e vendit, meqënëse është në varësi të qeverisë federale, ato përbëjnë shkelje federale dhe ai gjithashtu mund t’i falë ato“, thotë zoti Kalt.

Dhe fuqia e faljes është e gjerë dhe nuk lë asgjë jashtë. Nëse është një krim dhe nëse është federal, ai mund ta falë atë“.

Falja në grup

Kjo përfshin faljen e atyre personave ndaj të cilëve nuk janë ngritur ende akuza.

Ai mund ta bëjë këtë menjëherë, nuk ka nevojë të presë derisa të ketë filluar zyrtarisht ndonjë proces ligjor“, i tha Zërit të Amerikës Jeffrey Crouch, një asistent profesor për politikën në Universitetin Amerikan dhe autor i një libri mbi pushtetin e faljes presidenciale.

Nëse zoti Trump ofron mëshirë për protestuesit, ai nuk do të ishte presidenti i parë që lëshonte një falje të tillë në grup.

Ditën e Krishtlindjes në 1868, Andrew Johnson fali të gjithë ish- mbështetësit e Konfederatës që luftuan kundër Shteteve të Bashkuara në Luftën Civile. Disa nga ata që zoti Johnson fali u bënë arkitektët e të ashtuquajturve “ligjet e Jim Crow”, që legalizuan ndarjen racore.

Në vitin 1977, Presidenti Jimmy Carter fali shumicën e njerëzve që iu shmangën shërbimit ushtarak gjatë Luftës së Vietnamit. Zoti Carter shpresonte që falja masive të shëronte ndarjet e thella kombëtare të shkaktuara nga lufta, por kjo u shoqërua me protesta nga ana e grupeve të veteranëve të cilët e dënuan këtë veprim.

Një koncept me fillimet përpara revolucionit amerikan

Koncepti i faljes nuk ishte i ri. Monarkët anglezë gëzonin fuqinë e faljes. Kjo praktikë u transferua tek kolonitë britanike, ku guvernatorët mund të jepnin mëshirë. Gjatë mbledhjes së Konventës Kushtetuese në 1787, zoti Hamilton propozoi t’i jepej presidentit fuqia për të falur njerëz që kishin kryer krime ose për t’i ulur dënimet e tyre.

Hartuesit e Kushtetutës debatuan nëse duhet të vendosnin kufizime për faljet dhe vlerësuan mundësinë e përfshirjes së Senatit në vendimet mbi to.

Por në fund ata vendosën ta bënin pushtetin e faljes të presidentit, të pakufizuar“, thotë zoti Crouch. “Ata besuan se ai do ta përdorte atë me përgjegjësi ose do të rrezikonte zemërimin e votuesve dhe potencialisht nisjen e një procesi për shkarkimin e tij“.

Falja e piratëve, rebelëve dhe luftëtarëve të lirisë

Lista e njerëzve të falur nga presidentët është e gjatë dhe e larmishme. Në vitin 1800, Thomas Jefferson fali të gjithë të dënuarit nën një masë që shpallte të jashtëligjshme shpifjen ndaj qeverisë. James Madison dhe James Monroe kanë falur piratë. John Quincy Adams ka falur dy persona që i përkasin grupeve indigjene amerikane të dënuar për një sulm ndaj civilëve të bardhë. Millard Fillmore fali dy persona të dënuar se transportonin skllevërit drejt lirisë. Franklin Pierce fali një afro-amerikan që ishte i lirë, i cili kishte ndihmuar skllevërit t’u shpëtonin skllavërisë.

Presidenti Ford krijoi një trazirë në 1974 kur i dha paraardhësit të tij Richard Nixon një falje të plotë e të pakushtëzuar përpara se zoti Nixon të akuzohej në lidhje me skandalin e Watergate-t.

Presidenti Ford mund ta kishte trajtuar më mirë faljen e Nixon-it, por në fund të fundit ajo u dha për arsyen e duhur, në mënyrë që vendi të hidhte pas krahëve Watergate-n“, thotë zoti Crouch. “Vendimi pati kosto politike, ai kontribuoi në humbjen masive të republikanëve në garën për Kongresin në 1974 dhe ka të ngjarë të ketë dëmtuar garën për president të zotit Ford në 1976“.

Zoti Ford humbi ndaj Jimmy Carter-it në garën për president të vitit 1976.

Presidentët e periudhës moderne kanë marrë përsipër falje më të diskutueshme ose aspak popullore sidomos kur nuk do të duhej të jepnin llogari përpara votuesve të tyre. Kjo ka ndodhur kryesisht në fund të mandatit, mes datës së zgjedhjeve që mbahen në nëntor dhe Ditës së Inaugurimit të presidentit të ri më 20 janar.

Kjo ka qenë problem që prej hartimit”, thotë zoti Kalt “që presidenti ka pushtet (për falje) sepse ai jep llogari, por e ka atë edhe kur nuk jep më llogari përpara votuesve“.

Një ditë para se të largohej nga detyra, paraardhësi i zotit Trump, Barack Obama, zbuti dënimet e 330 të burgosurve për krime jo të dhunshme lidhur me lëndët narkotike.

Bill Clinton fali gjysmë vëllain e tij i dënuar për një akuzë për droge. Ai gjithashtu fali miliarderin Marc Rich dënuar për evazion fiskal. Kritikët u ankuan se vendimi erdhi pasi ish-gruaja e zotit Rich, i bëri një dhuratë bujare Komitetin Kombëtar Demokrat, Bibliotekës Clinton dhe fushatës në Nju Jork të Hillary Clinton-it për një vend në Senat.

Në prag të Krishtlindjes në 1992, Presidenti George H.W. Bush fali ish-Sekretarin e Mbrojtjes Caspar Weinberger dhe pesë persona të tjerë për veprimet e tyre të paligjshme gjatë administratës Reagan, mbi skandalin të shitjeve të armëve Iranit ndërsa ishte subjek i një embargoje armësh.

Që nga zgjedhjet e nëntorit 2020, zoti Trump ka falur një numër bashkëpunëtorësh të tij, përfshirë ish-menaxherin e fushatës Paul Manafort-i (i dënuar për mashtrim bankar e me taksat), Roger Stone (dënuar për shtatë krime, përfshirë ndërhyrjen për të ndikuar tek dëshmitarët, pengimin dhe bërjen e deklaratave të rreme) si dhe ish-Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Michael Flynn (i cili u vetëdeklarua fajtor se kishte gënjyer FBI-në).

Aktualisht media dhe publiku po përqendrohen dhe me të drejtë, tek faljet që Trump i bëri Paul Manafort-it, Roger Stone-t e të tjerë personave të rrethit të tij“, thotë zoti Crouch. “Por aktualisht ka mijëra aplikime në harresë tek Zyra e Avokatit të Faljeve, nga ata që nuk kanë mjete financiare ose miq të fuqishëm për të përfituar. Nëse presidenca e tij përfundon pa treguar mëshirë për më shumë prej tyre, do të ishte një mundësi vërtet e humbur”, thotë ai.

Demokratët përshpejtojnë përpjekjet për shkarkimin e Presidentit Trump

VOA

Demokratët në Kongres po ndërmarrin veprime për nisjen sa më parë të procedurave për shkarkimin e Presidentit Donald Trump, duke kërkuar veprime të vendosura, të menjëhershme për të siguruar siç thonë ata që zoti Trump të mos shkaktojë të tjera dëme.

Kur kanë mbetur edhe 11 ditë nga përfundimi i mandatit të tij, demokratët po kërkojnë largimin e menjëhershëm të zotit Trump. Nga ana tjetër presidenti ka pak mbështetje nga vetë partia e tij.

Ne duhet të veprojmë“, deklaroi Kryetarja e Dhomës Nancy Pelosi të premten gjatë një telekonferencë private me ligjvënësit demokratë.

Një nga republikanet kryesore, senatorja Lisa Murkowski, i tha gazetës Anchorage Daily News se zoti Trump thjesht “duhet të largohet”.

Ditët e fundit të presidencës së zotit Trump po shkojnë drejt një fundi kaotik ndërsa shumë nga ndihmësit e tij, republikanë të lartë dhe anëtarët e kabinetit e kanë braktisur. Ndërsa refuzon të pranojë humbjen në zgjedhjet e nëntorit, zoti Trump ka premtuar tashmë një transferim të qetë të pushtetit më 20 janar kur pritet të betohet Presidenti i zgjedhur demokrat Joe Biden. Por zoti Trump ka thënë se ai nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit, çka do të shënonte herën e parë të mospjesëmarrjes së një presidenti në largim që pas Luftës Civile.

Ndërkohë presidenti i zgjedhur Joe Biden ka thënë se ai është përqendruar tashmë në punën e tij ndërsa përgatitet të marrë detyrën. I pyetur rreth nisjes së procedurave për shkarkimin e zotit Trump ai tha, se “ky vendim i takon Kongresit”.

Demokratët po shqyrtojnë veprime të shpejta në këtë drejtim. Sipas një personi që ka informacion mbi këtë çështje, në një version paraprak të dokumentit mbi të cilin do të bazohet kërkesa për shkarkimin e zotit Trump, ai akuzohet për abuzim me pushtetit, duke thënë se ai “bëri me vetëdije deklarata që inkurajuan e për pasojë çuan në veprime të paligjshme e të pashmangshme në Kapitol”.

Kërkesa për shkarkim pritet të prezantohet të hënën dhe të mërkurën pritet një votim nga ana e Dhomës së Përfaqësuesve.

Nëse Dhoma e Përfaqësuesve do të zyrtarizonte akuzat për shkarkimin e presidentit e nëse Senati do të merrte vendim për shkarkimin e tij, zotit Trump gjithashtu mund t’i ndalohej të kandidonte sërish për postin e presidentit në vitin 2024 ose për çdo post tjetër publik. Një nga personat që mori pjesë gjatë telekonferencës me zonjën Pelosi tha se kjo e fundit diskutoi gjithashtu dhe mbi mënyra të tjera që mund ta detyronin zotin Trump të japë dorëheqjen.

Anketimi, shumica e amerikanëve kërkojnë largimin e menjëhershëm të Presidentit Trump

Marrë nga Reuters

Pesëdhjetë e shtatë për qind e amerikanëve duan që Presidenti republikan Donald Trump të hiqet menjëherë nga detyra, pasi ai inkurajoi një protestë këtë javë që u përshkallëzua në një trazirë me viktima brenda Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, sipas një sondazhi të Reuters / Ipsos.

Shumica e tyre ishin sidoqoftë demokratë, me republikanët që me sa duket janë më mbështetës ndaj Presidentit Trump që shërben në ditët e fundit të mandatit të tij, i cili përfundon në 20 janar.

Sondazhi kombëtar i opinionit publik, i kryer të enjten dhe të premten, gjithashtu tregoi se shtatë në 10 nga ata që votuan për Presidentin Trump në nëntor, kundërshtuan veprimin e mbështetësve të skajshëm që hynë në Kapitol ndërsa ligjvënësit po mblidheshin për të vërtetuar fitoren në zgjedhje të demokratit Joe Biden.

Pothuajse 70% e amerikanëve të anketuar gjithashtu thanë se ata nuk i pranojnë veprimet e Presidentit Trump në prag të sulmit të së mërkurës. Në një tubim më herët gjatë ditës, Presidenti Trump kishte inkurajuar mijëra ndjekës të tij për të marshuar drejt Kapitolit.

Kaosi në Capitol Hill, në të cilin një oficer policie dhe katër të tjerë vdiqën, është dënuar gjerësisht nga demokratët dhe republikanët.

Pelosi, shefi i shtabit bisedojnë për ndaljen e veprimeve ushtarake nga Presidenti Trump

Katherine Gypson

Mes shqetësimeve në rritje për veprimet që mund të ndërmarrë Presidenti Donald Trump gjatë ditëve të tij të fundit në detyrë, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha të premten se ajo kishte pyetur një gjeneral të lartë të Pentagonit se çfarë masash ekzistojnë për t’i paraprirë një urdhëri nga presidenti për sulm me armë bërthamore.

Mundësia, megjithëse në dukje e shumë e vogël, mund të jetë një nga aspektet nën shqyrtim në kuadrin e një përpjekjeje nga zonja Pelosi dhe disa udhëheqës të tjerë në nivel kombëtar për ta hequr Presidentin Trump nga detyra edhe para se të mbarojë mandati i tij në detyrë më 20 janar.

Shefi i shtabit të përgjithshëm Gjeneral Mark Milley

Shefi i shtabit të përgjithshëm Gjeneral Mark Milley

“Këtë mëngjes, unë fola me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Mark Milley, për të diskutuar masat paraprake në dispozicion për t’ia parandaluar një presidenti të paqëndrueshëm mundësinë e fillimit të përplasjeve ushtarake ose qasjen në kodet e nisjes dhe urdhërimin e një sulmi bërthamor”, shkruajti zonja Pelosi në një letër për kolegët e saj të Partisë Demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Situata e këtij presidenti të dalë jashtë kontrolli nuk mund të jetë më e rrezikshme (se ç’është), dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbrojtur popullin amerikan nga sulmi i tij trazues ndaj vendit tonë dhe demokracisë sonë”.

I pyetur për të konfirmuar bisedën telefonike, një zëdhënës i Gjeneralit Milley i tha Zërit të Amerikës se, “ai iu përgjigj pyetjeve të saj në lidhje me procesin e autoritetit të kodeve bërthamore”.

Zëdhënësi nuk dha hollësi për atë që u tha gjatë telefonatës.

Urdhri i paligjshëm

Presidenti ka autoritetin e vetëm për të urdhëruar lëshimin e një arme bërthamore dhe nuk kërkon miratimin e Kongresit ose këshilltarëve të tij ushtarakë. Por nëse një komandant ushtarak do të vendoste, sipas këshillës së juristëve të tij, se një urdhër i tillë ishte i paligjshëm, atëherë urdhri mund të refuzohej.

Udhëheqësit e kaluar dhe të tanishëm të Pentagonit gjithashtu kanë thënë se ata nuk do t’i binden një urdhri të paligjshëm nga presidenti.

Zonja Pelosi dhe kolegët e saj dëshirojnë gjithashtu ta shohin presidentin përpara përgjegjësisë për rolin e tij në nxitjen e turmës që sulmoi Kapitolin e Shteteve të Bashkuara këtë javë, duke vonuar çertifikimin e fitores së Presidentit të zgjedhur Joe Biden dhe duke çuar në vdekjen e pesë personave, ndër ta edhe një oficer i Policisë së Kapitolit.

Një lëvizje për të ngritur akuza për shkarkimin e Presidentit Trump për herë të dytë – nëse ai do të dënohej në Senatin e udhëhequr nga republikanët – do të kishte gjithashtu efektin që do t’i ndalojë mbajtjen në të ardhmen të posteve federale.

Nënpresidenti Mike Pence

Nënpresidenti Mike Pence

Udhëheqësit demokratë të kongresit i kanë bërë thirrje gjithashtu Nënpresidentit Mike Pence të aktivizojë mekanizmin e parashikuar në amendamentin e 25-të, i cili ofron një mënyrë alternative dhe ndoshta më të shpejtë për të hequr presidentin nga detyra. Nënpresidenti Pence nuk është përgjigjur, por thuhet se u ka thënë kolegëve se ai nuk e favorizon një veprim të tillë.

I miratuar në vitet 1960, Amendamenti i 25-të i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara lejon transferimin e përkohshëm të pushtetit nga presidenti te nënpresidenti, nëse presidenti është paaftësuar, me miratimin e shumicës së Kabinetit. Por analistët thonë se ky opsion mund të jetë i vështirë për t’u ushtruar me vetëm disa ditë të mbetura nga presidenca Trump.

Fuqia mund të rikuperohet

“Është gjithashtu shumë e vështirë të vihet në përdorim amendamenti i 25-të, në një situatë në të cilën presidenti nuk është në gjendje kome ose nuk është përndryshe fizikisht i paaftë duke mos patur mundësinë të funksionojë ose të veprojë, pasi presidenti thjesht mund të njoftojë Kongresin se ai është në gjendje të rimarrë sërish kompetencat e postit dhe të rimarrë kështu pushtetin”, tha John Hudak, një ekspert për studimet e qeverisjes në Institutin Brookings.

Udhëheqësi i pakicës në Senat Chuck Schumer dhe zonja Pelosi paralajmëruan se nëse Nënpresidenti Pence nuk vepron, atëherë ligjvënësit demokratë do të hedhin në votim akuzat për shkarkimin.

“Veprimet e rrezikshme dhe nxitëse të presidentit kërkojnë largimin e tij të menjëhershëm nga detyra”, thanë të enjten zoti Schumer dhe zonja Pelosi.

Një numër i madh i ligjvënësve demokratë – dhe disa republikanë – kanë shprehur mbështetje për largimin e Presidentit Trump nga pushteti ose për censurimin e veprimeve të tij. Por pas komenteve të zonjës Pelosi, udhëheqësi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, sinjalizoi se ai nuk e mbështeste shkarkimin nga Kongresi.

“Shkarkimi i presidentit me vetëm 12 ditë të mbetura në mandatin e tij do të ndajë vendin tonë më tej”, tha ai.

Zoti McCarthy tha se ai kishte kontaktuar Presidentin e zgjedhur Biden për të planifikuar të bisedonin se si të punojnë së bashku për të ulur tensionet dhe për të bashkuar vendin.

Pesë persona vdiqën si rezultat i trazirave të mërkurën në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara. Mbështetësit e presidentit çanë barrierat mbrojtëse të Policisë së Kapitolit në përpjekje për të ndaluar një seancë të përbashkët të Kongresit për numërimin e votave elektorale dhe çertifikimin e fitores së zotit Biden.

Presidenti Donald Trump

Presidenti Donald Trump

Më herët gjatë ditës, Presidenti Trump mbajti një tubim në Shëtitoren Kombëtare dhe inkurajoi mbështetësit e tij për të protestuar ndaj rezultateve. Shkelja masive e sigurisë nga protestuesit pro-Trump shënoi herën e parë që Kapitoli i Shteteve të Bashkuara ishte sulmuar që kur britanikët hynë në të gjatë Luftës së 1812-tës.

Presidenti Trump u akuza për abuzim të pushtetit dhe pengim të Kongresit në dhjetor 2019, por u shpall i pafajshëm në një gjyq në Senat në shkurt 2020. Asnjë president amerikan nuk është përballur me dy votime për shkarkim.

Dy arsyet e paraqitura

“Ka dy arsye për ta realizuar shkarkimin”, tha Paul Berman, një profesor në Shkollën e Drejtësisë të Universitetit George Washington. “Njëra është thjesht për ta bërë të qartë se një president në detyrë që nxit një kryengritje kundër qeverisë së Shteteve të Bashkuara është ndoshta gjëja më e keqe që një president mund të bëjë ndonjëherë. Dhe kjo deklaratë duhet të bëhet. Së dyti, dhe ndoshta më pragmatike, nëse ai shpallej fajtor dhe dënohej, kjo do t’ia hiqte mundësinë e rikandidimit në të ardhmen”.

Ndërsa nuk ka gjasa që ligjvënësit amerikanë të kenë kohë të kthehen në punë për të miratuar procedurat e komplikuara për një shkarkim para fundit të mandatit të Presidentit Trump, analistët thonë se një gjyq në Senat mund të mbahet pasi presidenti të largohet nga detyra.

“Nuk ka asgjë nga ç’shoh unë në Kushtetutë që do të ndalonte që një gjyq për hetimin dhe dënimin të zhvillohej në ditët pasi ai të linte detyrën”, tha zoti Berman. “Ne duhet të ngremë procesin e llogaridhënies që bën të qartë se një president nuk mund të bëjë atë që bëri ai dhe gjithashtu sepse duam t’i paraprijmë mundësisë që ai të mbajë poste sërish”.

Biden: I takon Kongresit të vendosë nëse do të ngrejë akuza kundër Presidentit Trump

VOA

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden tha se ai kishte besuar për një kohë të gjatë se Presidenti Donald Trump nuk ishte i aftë për detyrën, por se i takon Kongresit të vendosë nëse do të ngrejë për së dyti akuza për shkarkimin e presidentit.

Zoti Biden u tha gazetarëve në një konferencë shtypi se ai ishte i përqendruar te frenimi i pandemisë COVID-19, te vaksinimi i shpejtë dhe te forcimi i ekonomisë.

“Ajo që Kongresi do të vendosë të bëjë, kjo u takon atyre por … ne do të na duhet të jemi gati të fillojmë menjëherë punën”, tha ai, kur u pyet në lidhje me legjislacionin që po përgatitet nga demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve për të ngritur akuza kundër Presidentit Trump për rolin e tij në nxitjen e dhunës ditën e mërkurë në Kapitol.

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve planifikojnë të paraqesin të hënën akuzat që mund të çojnë për herë të dytë në një proces për shkarkimin e Presidentit Donald Trump, thanë dy burime që kishin dijeni për këtë çështje.

Një kopje e dokumentit që po qarkullon midis anëtarëve të Kongresit akuzon zotin Trump për “nxitje të dhunës kundër qeverisë së Shteteve të Bashkuara” në përpjekje për të përmbysur humbjen ndaj Presidentit të zgjedhur Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Në akuzat që përmban dokumenti përmendet gjithashtu biseda telefonike që zoti Trump pati gjatë javës së kaluar me Sekretarin e Shtetit të Xhorxhias Brad Raffensperger, në të cilën i kërkoi atij të “gjente” vota të mjaftueshme për të përmbysur fitoren e zotit Biden në atë shtet.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi e quajti të premten Presidentin Trump “të çekuilibruar” dhe tha se Kongresi duhet të bëjë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur amerikanët, edhe pse mandati i zotit Trump përfundon më 20 janar kur presidenti i zgjedhur Biden të bëjë betimin.

Ajo gjithashtu tha se kishte folur me gjeneralin më të lartë të vendit, kreun e Shtatmadhorisë Mark Milley, në lidhje me çështjen që zoti Trump të mos lejohet të fillojë ndonjë konflikt ose të ndërmarrë ndonjë sulm me armë bërthamore, siç u shpreh ajo.

Deri sot, nuk ka patur asnjë rast që ndaj një presidenti amerikan të ndërmerren dy herë procedura shkarkimi.

Por është e paqartë nëse ligjvënësit do të jenë në gjendje ta heqin zotin Trump nga posti, pasi akuzat që mund të ngrihen në Dhomën e Përfaqësuesve do të përfundonin në një gjyq në Senat, ku republikanët e tij kanë mjaft kontroll.

Një numër i madh i ligjvënësve demokratë dhe disa republikanë kanë shprehur mbështetje për largimin e zotit Trump nga pushteti ose për ndëshkimin e veprimeve të tij.

Por pas komenteve të zonjës Pelosi, udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy la të kuptohet se ai nuk e mbështet ngritjen e akuzave për shkarkimin e Presidentit. Ai tha se kjo do ta përçante më shumë vendin.

Zoti Biden tha se fakti që Presidenti Trump nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e tij më 20 janar “është një gjë e mirë.”

Të premten Presidenti Trump shkroi në Twitter: “Për të gjithë ata që kanë kërkuar të dinë, unë nuk do të marr pjesë në inaugurim më 20 Janar.” Ai nuk e ka njohur humbjen dhe nuk e ka uruar zotin Biden për fitoren.

Vendimi i Presidentit Trump shënon një shkëputje nga tradita amerikane, sipas të cilës presidenti që largohet merr pjesë në inaugurimin e presidentit të ri.

Ndërkaq, duke iu përgjigjur pyetjes nëse nënpresidenti Mike Pence do të merrte pjesë në inaugurim, presidenti i zgjedhur Biden tha se zoti Pence “është i mirëseardhur,” por shtoi se nuk ka biseduar me të.

Trump: Nuk do të marr pjesë në inaugurimin e Bidenit

VOA

Presidenti i SHBA Donald Trump tha të premten se nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e pasardhësit të tij, Presidentit të zgjedhur demokrat Joe Biden, më 20 janar.

Ai i bëri komentet disa orë pasi premtoi për një tranzicion paqësor të pushtetit. Një burim që kishte dijeni për zhvillimet tha se në Shtëpinë e Bardhë ka patur diskutime për çështjen që zoti Trump të largohet nga Uashingtoni më 19 janar, një ditë përpara inaugurimit. Ai pritet të shkojë në vendpushimin e tij në Florida, tha një burim.

Presidenti Trump shkroi në Twitter: “Për të gjithë ata që kanë kërkuar të dinë, unë nuk do të marr pjesë në inaugurim më 20 Janar.”

Vendimi i Presidentit Trump shënon një shkëputje nga tradita amerikane, sipas të cilës presidenti që largohet merr pjesë në inaugurimin e presidentit të ri.

Demokratët pritet të diskutojnë për largimin e Trumpit nga zyra

Zyrtarët e lartë demokratë pritet të diskutojnë lidhur me një gjykim të mundshëm ndaj presidentit Donald Trump, duke argumentuar se ai nxiti qindra mbështetës të tij të cilët sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan, ngjarje në të cilat u vranë pesë persona.

Demokratja Katherine Clark gjatë një interviste për CNN tha se zyrtarët e lartë demokratë do të takohen të premten për të shqyrtuar mundësitë që ua lejojnë ligjvënësve që të shtyjnë përpara procesin gjyqësor për largimin e Trumpit, proces i njohur me termin “impeachment” më shpejt sesa vitin e kaluar.

“Donald Trump duhet të largohet nga zyra dhe ne do të përdorim të gjitha mjetet që kemi në mënyrë që kjo të ndodhë, për të mbrojtur demokracinë tonë”, tha Clark.
Nëse nënpresidenti Mike Pence nuk e aktivizon amendamentin 25 të Kushtetutës, për t’ia marrë kompetencat e presidentit, “ne do të vazhdojmë me impeachment”, tha ajo.

Pas thirrjeve për largim nga zyra, Trump dënoi dhunën që la të vdekur pesë persona, pasi protestuesit e dhunshëm, mbështetës të Trumpit, sulmuan Kongresin.

Në një video të publikuar, Trump bëri thirrje për pajtim dhe premtoi për tranzicion paqësor të pushtetit te presidenti i zgjedhur, Joe Biden.

Shumë demokratë, por edhe republikanë e kanë akuzuar Trumpin se ka nxitur dhunën në Kongres.

Senatori republikan, Ben Sassen tha se ai do të mbështeste procesin gjyqësor për largimin e Trumpit nga pushteti.

“Presidenti nuk e ka respektuar betimin që ka bërë”, tha Sasse për CNS, duke shtuar se veprimet e Trumpit, duke nxitur protestuesit “ishin të ligja”.

Teksa mandati i Trumpit është drejt fundit, nuk është e qartë nëse do të ketë kohë që të përfundonte një proces ndaj tij për largimin nga zyra. rel

SHBA hap hetim kriminal për sulmin ndaj Kapitolit

VOA

Autoritetet amerikane të zbatimit të ligjit kanë hapur një hetim penal për sulmin e së mërkurës ndaj Kapitolit nga protestuesit pro-Trump, duke rekrutuar qindra hetues për të identifikuar dhe arrestuar autorët, njoftuan zyrtarët të enjten.

Acting US Attorney for Washington, DC, Michael Sherwin

Acting US Attorney for Washington, DC, Michael Sherwin

Prokurori në detyrë i Distriktit të Kolumbias tha se ndaj 15 personave janë ngritur akuza në gjykatën federale në Uashington në lidhje me trazirat, ndërsa ndaj 40 të tjerëve në gjykatën e lartë të Uashingtonit për përfshirjen në trazirat e së mërkurës në Kapitol. Shumica e tyre akuzohen për hyrje të paligjshme në kompleksin e Kongresit, tha prokurori Sherwin.

Akuzat federale përfshijnë vjedhje të pronës së qeverisë dhe shkelje të ligjit të armëmbajtjes. Një burrë u arrestua pranë Kapitolit nën akuzat për mbajtje të një arme gjysmë-automatike dhe 11 bombave molotov që ishin “të gatshme për përdorim”, tha prokurori Sherwin.

Gjatë sulmit në Kapitol katër persona humbën jetën dhe dhjetra të tjerë u plagosën.

Prokurori Michael Sherwin tha se arrestimet shënojnë fillimin e një përpjekje disa mujore për të sjellë autorët e krimeve para drejtësisë.

Kjo ishte padyshim një situatë shumë e rrezikshme“, tha prokurori Sherwin. “Ne jemi duke u përpjekur në mënyrë agresive t’i trajtojmë këto raste sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe të mos bëjmë asnjë gabim në lidhje me të, edhe pse deri më tani kemi përgatitur vetëm 15 raste, mendoj se ky është një fillim i mirë, por nuk është fundi i përpjekjeve tona.”

Numri i madh i akuzave brenda 36 orëve, që pritet të rritet më tej në ditët në vijim, nënvizon agresivitetin me të cilin prokurorët po e trajtojnë hetimin.

Zoti Sherwin paralajmëroi se duke marrë parasysh se Policia e Kapitolit lejoi shumicën e njerëzve të largoheshin nga kompleksi i Kongresit, përpjekja për të identifikuar dhe arrestuar autorët mund të zgjasë me muaj, ndoshta gjatë gjithë vitit.

Ai tha se qindra hetues po analizojnë pamjet filmike të kamerave të sigurisë dhe ato të publikuara në mediat sociale për të identifikuar autorët.

Ne do të ngrejmë akuza në mënyrë agresive për këto raste“, tha zoti Sherwin.

Prokurori i Përgjithshëm në detyrë, Jeffrey Rosen tha se Departamenti i Drejtësisë “është i përkushtuar të sigurohet që ata që janë përgjegjës për këtë sulm ndaj qeverisë sonë dhe sundimit të ligjit të përballen me pasojat e plota ligjore për veprimet e tyre”.

Prokurorët tanë kanë punuar gjatë gjithë natës me agjentë specialë dhe hetues nga Policia e Kapitolit, FBI, ATF, Departamenti i Policisë Metropolitane dhe publiku për të mbledhur provat, për të identifikuar autorët dhe për të ngritur akuza për krimet federale në raste kur kjo do të jetë e nevojshme“, tha prokurori Rosen në një deklaratë të lëshuar të enjten.

FBI Director Christopher Wray

FBI Director Christopher Wray

Drejtori i FBI-së Christopher Wray tha se FBI-ja ka “dislokuar burimet tona të plota hetimore” për të ngritura akuza ndaj atyre që janë përfshirë në sulmin ndaj Kapitolit.

Me ndihmën e partnerëve tanë, ne do t’i mbajmë përgjegjës ata që morën pjesë në sulmin e djeshëm (të së mërkurës) në Kapitol“, thuhet në deklaratën e zotit Wray.

Sulmi, i cilësuar nga Prokurori i Përgjithshëm Rosen si “një sulm i patolerueshëm ndaj një institucioni themelor të demokracisë”, filloi me qindra mbështetës të Presidentit Donald Trump që vërshuan drejt Kapitolit, ndërsa anëtarët e Kongresit po mblidheshin në një seancë të përbashkët për të certifikuar fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

President Donald Trump

President Donald Trump

Në një video-mesazh të publikuar të enjten mbrëma në Twitter, Presidenti Trump foli për “sulmin e rëndë ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara”, duke thënë se ai ishte “i zemëruar nga dhuna dhe shkelja e ligjit dhe rendit”.

Presidenti Trump është dënuar gjerësisht për nxitjen e dhunës, pasu u kërkoi mbështetësve të zemëruar nga humbja e tij në zgjedhjet e 3 nëntorit, që të marshonin drejt Kapitolit. Në një kritikë të rrallë, ish-Prokurori i Përgjithshëm William Barr, një aleat i vendosur i Presidentit Trump kur ishte në detyrë, tha në një deklaratë për agjencinë e lajmeve Associated Press se sjellja e Presidentit “ishte një tradhti ndaj zyrës (së Presidentit) dhe mbështetësve të tij”.

I pyetur nëse prokurorët federalë po hetonin edhe rolin e Presidentit Trump në veprimet e dhunshme të së mërkurës në Uashington, prokurori Sherwin tha, “Ne po shikojmë të gjithë aktorët dhe këdo që ka patur rol (në trazirat në Uashington) dhe provat që përshtaten me elementët e një krimi, ata do të akuzohen”.

Roli i policisë

Trazirat përfunduan ndërsa oficerë nga më shumë se 18 agjenci të zbatimit të ligjit dhe Garda Kombëtare u dislokuan në qytet. Por një pyetje kryesore në lidhje me incidentin mbeti kryesisht pa përgjigje: Pse forcat e policisë që mbronin Kapitolin nuk ishin në gjendje të pengonin hyrjen e protestuesve në ndërtesë? Zyrtarët e zbatimit të ligjit thanë se ndërsa ishin të përgatitur për një protestë masive, ata u zunë në befasi nga ajo që ndodhi.

(Policia e Kapitolit) kishte një plan të fortë për të trajtuar aktivitetet e mbrojtura nga Amandamenti i Parë (i kushtetutës). Por, këto trazira masive nuk ishin aktivitete të Amendamentit të Parë; ato ishin sjellje kriminale“, tha Shefi i Policisë së Kapitolit, Steven Sund në një deklaratë të lëshuar të enjten.

Zoti Sund mbrojti oficerët e tij, duke thënë se “mijëra individë” ishin të përfshirë “në veprime të dhunshme të trazirave”, duke sulmuar oficerët e zbatimit të ligjit me shufra hekuri, substanca kimike dhe armë të tjera. Më shumë se 50 policë të Kapitolit dhe të qytetit të Uashingtonit u plagosën, dhe disa prej tyre u dërguan për trajtime mjekësore në spital.

Policia e Kapitolit gjithashtu është përballur me pyetje në lidhje me dështimin e tyre për të ndaluar njerëzit madje edhe kur ata po thyenin dritaret dhe hynin nëpër zyra, duke vjedhur dokumente dhe materiale qeveritare.

Një zëdhënës më vonë tha se Shefi i Policisë së Kapitolit, Steven Sund dha dorëheqjen.

Prokurori Michael Sherwin tha se dështimi i Policisë së Kapitolit e ka bërë më të vështirë punën e hetuesve federalë për të gjetur dhe arrestuar autorët e sulmit në Kapitol.

Shumë prej tyre lanë pas prova inkriminuese në formën e videove dhe fotografive të postuara në mediat sociale. Një mbështetës i grupit QAnon u fotografua në sallën e Senatit. Një tjetër mbështetës i Presidentit Trump u fotografua në zyrën e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Zyrtarët e zbatimit të ligjit thanë se ata po analizojnë videot e regjistruara nga kamerat e sigurisë dhe imazhet e postuara në mediat sociale për të identifikuar autorët. FBI-ja i ka bërë thirrje publikut që të ndajë “informacione dhe të dhëna nga media sociale që përshkruajnë trazirat ose dhunën”.

Jordan Strauss, një ish-prokuror federal që tani është drejtor menaxhues në firmën e sigurisë Kroll, tha se videot dhe fotografitë ofrojnë “prova me bollëk” që prokurorët mund të përdorin për të ngritur akuza.

“Shumë njerëz i transmetuan drejtpërdrejt krimet e tyre ndërsa ishin duke i kryer ato”, tha zoti Strauss.

Akuza të mundshme

Pjesëmarrësit në trazirat e së mërkurës në Kapitol mund të përballen me disa akuza federale, si shkatërrimi i pronës, kërcënimi i anëtarëve të Kongresit dhe kryengritje, tha zoti Strauss. Prokurori Michael Sherwin tha se asnjë akuzë, përfshirë edhe atë për kryengritje, nuk do të përjashtohet nga ky hetim.

Kryengritja është akti i kundërshtimit të autoritetit qeveritar me forcë. Në një memorandum për prokurorët federal verën e kaluar, ish Prokurori i Përgjithshëm William Barr ka përmendur mundësinë e ngritjes së akuzave për kryengritje ndaj atyre që protestonin kundër policisë gjatë atyre muajve.

Eksperti i sigurisë Jordan Strauss tha se prokurorët me gjasë do të zgjedhin akuza “më të pastra” që nuk “rrezikojnë shkeljen e të drejtave të mbrojtura nga Amandamenti i Parë (i Kushtetutës) ose lejimin e një individi që të pretendojë se ekziston një lloj ndjekjeje politike”.

Joel Hirschhorn, një avokat mbrojtjes, tha se arrestimi dhe ngritja e akuzave ndaj çdo protestuesi do të jetë praktikisht i pamundur.

Unë mendoj se kushdo që ishte brenda ndërtesës së Kapitolit është në rrezik sepse kjo ishte një hyrje e paligjshme në pronën qeveritare“, tha zoti Hirschhorn. “A do të jenë ata në gjendje të ndjekin penalisht të gjithë? Jo, kjo është e pamundur”, tha ai.

Vdekja e oficerit të Policisë intensifikon hetimet për sulmin në Kongres

VOA

Prokurorët amerikanë pritet të hapin hetim federal për vrasje lidhur me vdekjen e një oficeri policie i cili humbi jetën nga plagët e marra kur mbështetësit e Presidentit Donald Trump sulmuan Kapitolin, sipas njoftimeve të medias.

Policia e Kapitolit tha në një deklaratë se oficeri Brian D. Sicknick u plagos “kur po përleshej me protestuesit” gjatë trazirave të së mërkurës. Ai është personi i pestë që humb jetën për shkak të trazirave.

Sulmi mbi Kapitol që ka tronditur botën dhe e ka lënë vendin të shokuar, detyroi dorëheqjet e tre zyrtarëve të lartë të sigurisë së Kapitolit për shkak të dështimit për të ndalur sulmin. Kjo bëri që ligjvënësit të kërkojnë një rishikim të operacioneve dhe një informacion të hollësishëm nga FBI-ja mbi atë që ata e quajtën një “sulm terrorist”.

Protestuesit u nxitën nga Presidenti Trump gjatë një tubimi pranë Shtëpisë së Bardhë të mërkurën që të marshonin drejt Kapitolit, ku ligjvënësit duhej të konfirmonin fitoren e Joe Biden-it në zgjedhje. Turma depërtoi me shpejtësi nëpër barrikadat e policisë, theu dritaret dhe hyri nëpër salla, duke bërë që ligjvënësit të largoheshin.

Një protestuese e bardhë, u qëllua për vdekje nga Policia e Kapitolit ndërkohë që janë bënë dhjetëra arrestime. Tre persona të tjerë gjetën vdekjen gjatë protestave.

Ligjvënësit nga të dy palët u zotuan të bëjnë hetime për të parë nëse mungesa e gatishmërisë e lejoi turmën të hynte dhe të vandalizonte ndërtesën. Departamenti i Mbrojtjes dhe ai i Drejtësisë kishin ofruar ndihmë por ajo u refuzua.

Ligjvënësit me ngjyrë, në veçanti, vunë në dukje mënyrën e trajtimit nga policia të mbështetësve kryesisht të bardhë të zotit Trump.

Ligjvënësja e sapozgjedhur Cori Bush, demokrate nga shteti i Mizurit, tha se nëse “ne, njerëzit me ngjyrë do të bënim të njëjtat veprime… reagimi do të kishte qenë ndryshe… do të ishim vrarë”.

Protestuesit plaçkitën ndërtesën, duke marrë në kontroll zonën e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit dhe duke valvitur flamuj të Trump-it, atë amerikan dhe të Konfederatës.

Sekretarja e arsimit në SHBA jep dorëheqje mes trazirave

Betsy DeVos, sekretarja e arsimit në administratën e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, ka vendosur të japë dorëeheqje mes trazirave në Kongresin Amerikan që shkaktuan vdekjen e pesë personave, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në letrën e saj të dorëheqjes dërguar presidentit Trump, DeVos thotë se ajo ka parë “mjaft” këtë javë kur mbështetësit e presidentit në largim u përleshën me policinë, sulmuan ndërtesën e Kongresit dhe detyruan anëtarët e Kongresit të evakuuohen pasi ata kishin filluar seancën për të vërtetuar zyrtarisht fitoren presidenciale të Joe Biden-it.

“Fëmijët e impresionuar po i shikojnë të gjitha këto dhe ata po mësojnë nga ne. Besoj se secili ka një detyrim moral të ushtrojë gjykim të mirë dhe të modelojë sjelljen që shpresojmë se do të imitojë”, shkroi DeVos në letrën e saj.

63-vjeçarja DeVos është emri i fundit në listën e gjatë të dorëheqjeve në administratën e presidentit Trump mes trazirave të fundit, që përfshin të dërguarin e posaçëm të SHBA-ve për Irlandën Veriore, Mick Mulvaney, i cili ishte ish-shef i stafit të Trump-it, si dhe sekretaren e transportit, Elaine Chao, që njoftuan dorëheqjen gjatë ditës së djeshme.

Të mërkurën dhanë dorëheqjen zv/këshilltari i sigurisë kombëtare, Matt Pottinger, shefja e stafit të zonjës së parë Melania Trump, Stephanie Grisham, zv/sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Matthews, si dhe sekretarja sociale e Shtëpisë së Bardhë, Rickie Niceta.

Sipas raportimeve, këshilltari i sigurisë kombëtare i presidentit amerikan, Robert O’Brien dhe zv/shefi i stafit të presidentit, Chris Liddell, po ashtu po konsiderojnë dorëheqjen.

Mes thirrjeve në rritje nga ligjvënësit demokratë, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, dje tha se zv/presidenti në largim, Mike Pence, duhet të aktivizojë amendamentin e 25-të të të kushtetutës së SHBA-ve për të rrëzuar presidentin Trump.

Reagime nga kundërshtarët dhe aleatët e Amerikës për dhunën në Uashington

Jamie Dettmer

Për një moment, bota e harroi pandeminë e koronavirusit.

Kanalet e lajmeve në të gjithë botën u zhvendosën nga njoftimet për spitalet e mbingarkuara ose përhapja e vaksinave dhe vendosja e bllokimeve për t’u përqendruar në Shtetet e Bashkuara dhe sulmet ndaj Kongresit nga qindra protestues.

Kundërshtarët dhe aleatët e Amerikës nxorrën mësime të ndryshme nga trazirat, që ndodhën menjëherë pasi Presidenti Donald Trump u bëri thirrje mbështetësve të tij në një tubim aty pranë për “të rimarrim vendin në dorë “. Përpjekja dështoi dhe Joe Biden u konfirmua si presidenti i zgjedhur nga Kongresi të enjten herët në mëngjes.

Aleatët ishin të shtangur nga imazhet që transmetoheshin nga Uashingtoni. Armiqtë reaguan me entusiazëm.

Disa qeveri e panë kaosin si një përpjekje serioze në minutën e fundit nga mbështetësit e zotit Trump për të përmbysur zgjedhjet. Të tjerët, ndërsa e konsideruan dhunën si të rëndë dhe zhgënjyese, shprehën besim të vazhdueshëm në qëndrueshmërinë e demokracisë amerikane.

Kryeministri Australian Scott Morrison dënoi ato që ai i përshkroi si “skena shumë shqetësuese” por tha se ai priste me padurim transferimin e pushtetit tek presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara, duke e quajtur atë në Twitter një “traditë të madhe demokratike amerikane”.

Në një video të postuar në Twitter, Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili ka përballuar një situatë me protesta në rrugë vitin e kaluar, përshkroi sulmin ndaj Kongresit si “jo Amerikë”, duke shtuar se ai kishte “besim në forcën e demokracisë në Shtetet e Bashkuara. ”

Kjo pikëpamje u nda nga Ministrja e Jashtme e Zelandës së Re Nanaia Mahuta, e cila tha se ngjarjet në Uashington ishin një burim keqardhjeje, por se Zelanda e Re priste tranzicionin paqësor të pushtetit.

“Dhuna nuk ka vend në sabotimin e demokracisë,” shkroi ajo në Twitter. “Ne shpresojmë për një tranzicion paqësor të administratës politike, e cila është shenja dalluese e demokracisë.”

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian gjithashtu theksuan se nuk kanë dyshime për përparimin e mëtejshëm të demokracisë amerikane.

Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian, tha ndërsa ishte i tronditur nga ngjarjet në Uashington, ai e përshkroi Kongresin e Sh.B.A si një “tempull të demokracisë”.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen theksoi “forcën e institucioneve të Shteteve të Bashkuara dhe demokracisë”, duke thënë se ajo mezi priste të punonte me presidentin e ardhshëm, Joe Biden.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se ai ishte “thellësisht i shqetësuar dhe i trishtuar” nga ajo që ishte shpalosur në Uashington, por tha se “demokracia në SHBA duhet të ruhet – dhe ashtu do të ndodhë.”

Armiqtë e përdorën ngjarjen për të fituar pikë gjeopolitike. Venezuela, e cila është sanksionuar nga SHBA dhe vendet Evropiane për abuzime të të drejtave të njeriut, tha se Shtetet e Bashkuara “po vuajnë atë që kanë shkaktuar në vendet e tjera me politikën e tyre të agresionit.”

Ministria e Jashtme e Kinës megjëherë i etiketoi pro-Trump si “banditë, ekstremistë dhe kriminelë”, por i krahasoi ata me aktivistët pro-demokracisë në Hong Kong, të cilët kanë protestuar për shtypjen e fjalës së lirë dhe mospajtimit dhe minimin të demokracisë.

“Disa njerëz në Shtetet e Bashkuara reaguan dhe përdorën fjalë shumë të ndryshme ndaj asaj që ndodhi në Hong Kong në 2019 dhe asaj që po ndodh në SHBA sot. Ky kontrast i mprehtë dhe arsyet prapa tij janë provokuese,” tha të enjten zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Hua Chunying.

Presidenti i Iranit përmendi sulmet ndaj Kapitolit të SHBA-së si një shembull i dobësisë së demokracisë perëndimore. Duke folur të enjten, Presidenti Hassan Rouhani tha, “Ajo që pamë në Shtetet e Bashkuara tregon mbi të gjitha se sa e brishtë dhe e ekspozuar është demokracia perëndimore.”

Antonio Guterres

Antonio Guterres

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres tha se ishte “trishtuar” nga hyrja e dhunshme në Kapitol, sipas zëdhënësit Stephane Dujarric.

“Në rrethana të tilla, është e rëndësishme që udhëheqësit politikë të theksojnë tek ndjekësit e tyre nevojën për të hequr dorë nga dhuna, si dhe për të respektuar proceset demokratike dhe sundimin e ligjit,” tha zoti Dujarric në një deklaratë.

Ministrja e Brendshme britanike Priti Patel tha se komentet e zotit Trump çuan drejtpërdrejt në dhunën që ndodhi në Uashington, duke shtuar se ai “bëri shumë pak për të zbutur” situatën.

Duke folur në Sky News, zonja Patel i përshkroi Shtetet e Bashkuara si një fener i demokracisë por dënoi trazirat e së mërkurës.

“Dikush u qëllua. Njerëzit kanë vdekur. Kjo është e tmerrshme – e tmerrshme përtej fjalëve, sinqerisht, dhe nuk ka asnjë justifikim për një gjë të tillë.”

Kryeministri britanik Boris Johnson shkroi në Twitter, “Skena të turpshme në Kongresin e SHBA. Shtetet e Bashkuara mbrojnë demokracinë në të gjithë botën dhe tani është thelbësore që të ketë një transferim të qetë dhe të rregullt të pushtetit.”

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se ndihej “e indinjuar dhe gjithashtu e trishtuar” nga ngjarjet. Ajo tha në një takim të konservatorëve gjermanë: “Më vjen shumë keq që Presidenti Trump ende nuk e ka pranuar humbjen, por ka ngritur dyshime në lidhje me zgjedhjet.”

Politikanët dhe analistët e tjerë diskutuan mbi ndikimin afatgjatë të trazirave. Disa sugjeruan që ngjarjet e së mërkurës, dhe ato që i paraprinë atyre, treguan rrënjosjen e thellë të demokracisë në Shtetet e Bashkuara.

“Baballarët e Kombit ndërtuan themele të forta”, argumentoi Tom Tugendhat, një ligjvënës i lartë Konservator Britanik dhe kryetar i komisionit të punëve të jashtme të Parlamentit. “Kjo është e qartë nga rezistenca e gjykatësve ndaj presionit politik në më shumë se 60 çështje gjyqësore të cilat Presidenti Trump i ka humbur duke u përpjekur të përmbysë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale. Edhe ata gjyqtarë të emëruar nga republikanët, disa nga vetë Trump, e kanë bërë të qartë se dështimi i tij për të paraqitur prova të mashtrimit elektoral i bën pretendimet e tij të pabazuara dhe i kanë hedhur poshtë ato.”

Zoti Tugendhat gjithashtu vuri në dukje se si zyrtarët shtetërorë nga Partia Republikane e zotit Trump refuzuan në mënyrë të ngjashme t’i nënshtroheshit presionit për të përmbysur rezultatet.

“Kjo nuk është një demokraci që po shembet,” tha ai.

Duke folur për Zërin e Amerikës, ligjvënësja britanike Lisa Nandy, zëdhënëse ndërkombëtare e partisë kryesore të opozitës, asaj Laburistetha: “Në të gjithë Britaninë shumica e njerëzve thjesht shikonin me një ndjenjë të vërtetë shoku dhe tmerri. Amerika shihet në Britani si një nga demokracitë e mëdha të botës. Unë mendoj se emocioni dërrmues që shumica e britanikëve po ndjenin ishte solidariteti.”

Ajo tha se ishte i pashmangshëm dëmtimi i reputacionit të Amerikës nga një turmë që sulmon Kongresin dhe se kjo mund të “inkurajojë disa nga ata udhëheqës në të gjithë botën që aktualisht po përpiqen të sulmojnë demokracinë në vendin e tyre”. Por shtoi ajo: “Megjithatë, dita e djeshme solli edhe optimizëm. Tingëllon si një gjë e çuditshme ta thuash, por mënyra se si Joe Biden doli dhe bëri thirrje për qetësi dhe foli për sulmin ndaj demokracisë, ishte tregues i udhëheqjes që nuk kemi parë në Shtetet e Bashkuara për disa vjet. ”

Policia e Kapitolit refuzoi ofertat për ndihmë kundër protestës së dhunshme

Marrë nga Associated Press

Tre ditë para protestës së dhunshme të mbështetësve të Presidentit Donald Trump në Kapitol, Pentagoni pyeti Policinë e kompleksit të Kongresit amerikan nëse kishte nevojë për trupa shtesë të Gardës Kombëtare. Ndërsa turma filloi të shkonte drejt Kapitolit të mërkurën, udhëheqësit e Departamentit të Drejtësisë i ofruan policisë në ndërtesën e Kongresin ndihmë me agjentë të FBI-së. Policia e Kapitolit i hodhi poshtë të dyja kërkesat, sipas një zyrtari të mbrojtjes dhe dy personave me njohuri për këtë çështje.

Pavarësisht paralajmërimeve të shumta për një kryengritje të mundshme dhe burimeve të mjaftueshme dhe kohës për t’u përgatitur, Policia e Kapitolit bëri plane vetëm për një protestë të lirisë së shprehjes.

Duke marrë parasysh reagimin e dhunshëm të forcave të rendit ndaj protestave të qershorit të kaluar pranë Shtëpisë së Bardhë, zyrtarët gjithashtu kishin si qëllim të shmangnin krijimin e përshtypjes se qeveria federale po dislokonte ushtarë ose trupa të Gardës Kombëtare për t’u përdorur kundër amerikanëve.

Kjo rezultoi në vërshimin e protestuesve në Kapitol dhe në mbingarkesën e oficerëve të një agjencie të zbatimit të ligjit me një buxhet të madh operativ dhe përvojë në ngjarje të sigurisë së lartë që mbrojnë ligjvënësit, të mërkurën. Katër protestues vdiqën, duke përfshirë një grua, e cila u qëllua me armë brenda ndërtesës.

Trazirat dhe humbja e kontrollit nga policia kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë në Kapitol për ngjarjet e ardhshme. Veprimet e ditës së mërkurë gjithashtu ngrenë shqetësime në lidhje me trajtimin e mbështetësve kryesisht të bardhë të Preisdentit Trump që u lejuan të endeshin nëpër ndërtesë për orë të tëra, ndërsa protestuesit afrikano-amerikanë dhe ata me ngjyrë që protestuan vitin e kaluar kundër brutalitetit të policisë u përballën me një polici më të fuqishme dhe më agresive.

“Ky ishte një dështim i imagjinatës, një dështim i udhëheqjes”, tha Shefi i Policisë së Hjustonit, Art Acevedo, departamenti i të cilit iu përgjigj ndaj disa protestave të mëdha vitin e kaluar pas vdekjes në duart e policisë të afrikano-amerikanit George Floyd. “Policia e Kapitolit duhet të jetë më e përgatitur dhe nuk shoh se si mund ta trajtojmë këtë ndryshe.”

Zoti Acevedo tha se ai ka marrë pjesë në ngjarje në Kapitol për të nderuar oficerët e vrarë të policisë që kishin gardhe më të larta dhe një prani më të fortë të sigurisë sesa ajo që ai pa në videot e ngjarjeve të së mërkurës.

Sekretari i Ushtrisë Ryan McCarthy tha se ndërsa trazirat ishin duke u zhvilluar, u bë e qartë se Policia e Kapitolit ishte zbrapsur. Nuk ishin bërë plane paraprakisht për mënyrën se si duhet të vepronin forcat e sigurisë në rast të një problemi në Kapitol. “Ata duhet të na pyesin, kërkesa duhet të na vijë”, tha zoti McCarthy.

Një ditë pas protestës së dhunshme, shefi i Sigurisë në Dhomën e Përfaqësuesve dha dorëheqjen dhe Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuescve, Nancy Pelosi kërkuan dorëheqjen e shefit të Policisë së Kapitolit.

“Kishte një dështim të udhëheqjes së lartë”, tha ligjvënësja demokrate nga Kalifornia, Nancy Pelosi.

Shefi i Policisë së Kapitolit, Steven Sund tha të enjten se do të jepte dorëheqjen duke filluar nga 16 janari sipas një letre të cituar nga mediat, një ditë pasi mbështetësit e Presidentit Donald Trump sulmuan ndërtesën dhe detyruan ligjvënësit të fshiheshin.

Senatori demokrat nga Nju Jorku, Chuck Schumer, udhëheqës i shumicës së re në senat, tha se ai do të pushojë nga detyra Shefin e Sigurisë së Senatit.

Më vonë të ejten, udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell tha se kishte pranuar dorëheqjen e Shefit të Sigurisë së Senatit, Michael Stenger. Senatori nga Kentaki me herët kishte kërkuar dorëheqjen e zotit Stenger.

Kapitoli amerikan ishte mbyllur për publikun që nga marsi për shkak të pandemisë së Covid-19, e cila ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 350,000 amerikanëve. Por normalisht, ndërtesa është e hapur për publikun dhe ligjvënësit krenohen me disponueshmërinë e tyre për qytetarët që i përfaqësojnë.

Nuk është e qartë se sa oficerë ishin në detyrë të mërkurën, por kompleksi 16 hektarësh mbrohet nga një total prej 2,300 oficerësh, të cilët kujdesen për sigurinë e 435 anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve, 100 senatorëve amerikanë dhe stafin e tyre. Në krahasim me Kapitolin, qyteti i Mineapolisit ka rreth 840 policë që kujdesen për sigurinë e 425,000 banorëve në një zonë prej 6,000 hektarësh.

Në javët para së mërkurës kishte shenja se mund të kishte veprime të dhunshme më 6 janar, ditën kur Kongresi do të mblidhej për të certifikuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale që nxorrën fitues demokratin Joe Biden.

Në platforma të ndryshme të grupeve të ekstremit të djathtë dhe në qarqet grupeve pro-Trump, po bëheshin plane për një gjë të tillë.

Udhëheqësi i grupit ekstremist të djathtë Proud Boys u arrestua kur po vinte në kryeqytetin e vendit këtë javë me akuzën për armëmbajtje, për bartjen e dy karikatorëve me kapacitet të lartë. Ai pranoi në polici se kishte bërë deklarata në lidhje me trazirat në Uashington, thanë zyrtarët lokalë.

Si zoti Acevedo edhe Ed Davis, ish-komisioner i Policisë së Bostonit i cili drejtoi departamentin gjatë bombardimeve në Maratonën e Bostonit në vitin 2013, thanë se ata nuk fajësojnë reagimin e oficerëve të vijës së parë të frontit, por masat e planifikimit dhe udhëheqjen e treguar para trazirave.

“A mund të ketë pasur ndonjë mendim të brendshëm se ata ishin thjesht një grup konservatorësh, dhe nuk do të bënin një gjë të tillë? Ka shumë mundësi,” tha zoti Davis. “Pikërisht këtu mendoj se mund të ketë luajtur rol elementi racor. A kishte një mungesë urgjence ose një ndjenjë që kjo nuk mund të ndodhte kurrë me këtë turmë? A është e mundur një gjë e tillë? Absolutisht.”

Zoti Trump dhe aleatët e tij ishin ndoshta megafonët më të mëdhenj, duke inkurajuar protestuesit të dilnin në rrugë në masë dhe të mbështesnin pretendimin e tij të rremë se fitorja në zgjedhje ishte grabitur prej tij. Ai i nxiti gjatë një tubimi pak para se të marshonin për në Kapitol dhe të bënin trazira. Avokati i tij personal Rudy Giuliani, ish-kryetar i Bashkisë së Nju Jorkut i njohur për qëndrimin e tij të ashpër ndaj krimit bëri thirrje për “gjykim përmes luftës”.

Por Policia e Kapitolit nuk kishte vendosur asnjë perimetër të fortë rreth Kapitolit. Oficerët ishin përqendruar në njërën anë, ku ligjvënësit po hynin për të votuar për të vërtetuar fitoren e zotit Biden.

Barrikadat në sheshin e ndërtesës u vendosën, por policia u tërhoq dhe një turmë njerëzish depërtoi me forcë. Ligjvënësit në fillim të pavetëdijshëm për shkeljen e sigurisë, vazhduan debatin. Shpejt ata po fshiheshin poshtë karrigeve. Përfundimisht ata u nxorrën nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati. Gazetarët mbetën vetëm brenda sallave për orë të tëra, ndërsa turma u përpoq të depërtonte në zyrat me dyer të bllokuara.

“Sulmi i dhunshëm ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara ishte ndryshe nga çdo gjë që kam përjetuar ndonjëherë në 30 vitet e shërbimit për zbatimin e ligjit këtu në Uashington,” tha Shefi i Policisë së Kapitolit, Steven Sund, duke shpjeguar se kishte pasur një plan të fortëpër ato që ai priste të ishin aktivitete në frymën e Amendamentit të Parë, që parashikon lirinë e shprehjes.“Por nuk ka diskutim qëkëto trazira masive nuk ishin aktivitete të Amendamentit të Parë; ato ishin një manifestim trazirash kriminale.”

Gus Papathanasiou, kreu i sindikatës së Policisë së Kapitolit, bëri thirrje që zoti Sund të zëvendësohet, duke thënë që dështimet në planifikim i lanë oficerët të ekspozuar pa mbështetje ose pajisje për t’u mbrojtur ndaj turmave të mëdha.

“Nuk mund t’i lëmë oficerët tanë dhe komunitetin e zonës përreth Kongresit që ata mbrojnë në mëshirën e sulmeve të mëtejshme mes një mungese të udhëheqjes,” tha ai.

Zyrtarë të drejtësisë, FBI-ja dhe agjenci të tjera filluan të monitorojnë hotelet, fluturimet dhe mediat sociale për javë të tëra dhe prisnin turma masive. Kryebashkiakja Muriel Bowser kishte paralajmëruar për dhunë për javë të tëra dhe për këtë shkak bizneset ishin mbyllur. Ajo i kërkoi ndihmë Gardës Kombëtare nga Pentagoni më 31 Dhjetor, por Policia e Kapitolit hodhi poshtë ofertën e 3 janarit nga Departamenti i Mbrojtjes, sipas Kenneth Rapuanos, ndihmës sekretar i mbrojtjes për sigurinë e kombëtare.

Oferta e Departamentit të Drejtësisë për mbështetje nga ana e FBI-së ndërsa protestuesit u bënë gjithnjë e më tëdhunshëm u refuzua nga Policia e Kapitolit, sipas dy personave në dijeni të kësaj çështjeje. Ata nuk ishin të autorizuar të diskutonin publikisht çështjen dhe folën në kushte anonimiteti.

Por atëherë ishte tepër vonë.

Zyrtarët e Departamentit të Policisë Metropolitane arritën. U thirrën agjentë nga pothuajse çdo agjenci e Departamentit të Drejtësisë, përfshirë FBI-në. Po ashtu edhe Shërbimi Sekret dhe Shërbimi i Mbrojtjes Federale. Byroja e Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve dërgoi dy ekipe taktike. Policia nga Nju Xhërsi mbërriti për të ndihmuar.

U deshën katër orë për të shpërndarë protestuesit nga kompleksi i Kapitolit. Deri në atë kohë, ata kishin qarkulluar lirisht nëpër sallat e Kongresit, kishin pozuar për foto brenda sallave të shenjta të institucionit amerikan, kishin hyrë në zyra, duke shtyrë me forcë dyert, kishin shkaktuar dëme materiale dhe kishin fotografuar veten duke i bërë këto veprime. Vetëm 13 vetë u arrestuan në vend, dhjetra u arrestuan më vonë.

Si pasojë, një gardh prej 7 metrash do të ngrihet përreth territorit tëKapitolit për të paktën 30 ditë. Policia e Kapitolit do të kryejë një rishikim të ngjarjes, si dhe planifikimin dhe politikat e tyre. Ligjvënësit planifikojnë të hetojnë se si autoritetet i trajtuan trazirat.

Prokurori i Përgjithshëm në detyrë i Uashingtonit, Michael Sherwin, tha se fakti që nuk u arrestuan më shumë njerëz, po e bën punën e tyre më të vështirë.

“Tani do të na duhen urdhra për informacionet e kullave të celularëve, të mbledhim pamje videosh që të përpiqemi të identifikojmë njerëzit dhe më pas t’i akuzojmë, dhe pastaj të përpiqemi të realizojmë arrestimin e tyre. Kështu që kjo i ka bërë gjërat të vështira, por nuk mund të përgjigjem pse ata njerëz nuk u ndaluan ndërsa po largoheshin nga ndërtesa nga Policia e Kapitolit.” VOA

Presidenti Trump dënon dhunën në Kapitol, pranon humbjen ndaj zotit Biden

Marrë nga Reuters dhe AP

Presidenti Donald Trump të enjten dënoi mbështetësit e tij të dhunshëm që sulmuan Kapitolin të mërkuren dhe pranoi humbjen ndaj rivalit të tij demokrat, Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Në një video-mesazh të ri, Presidenti Trump tha se tani që Kongresi ka certifikuar rezultatet, “administrata e re do të inaugurohet më 20 janar” dhe “fokusi i tij tani kthehet në sigurimin e një tranzicioni të qetë dhe rregullt të pushtetit”.

Ai gjithashtu foli kundër dhunës në Kapitol, duke e quajtur atë një “sulm të neveritshëm”. Presidenti Trump tha se ishte i “zemëruar nga dhuna, si dhe shkelja e ligjit dhe rendit”.

Zoti Trump nuk foli mbi rolin e tij në nxitjen e dhunës. Por ai u tha mbështetësve të tij se, ndërsa ai e di se ata janë “të zhgënjyer”, ai dëshiron që ata ta dinë se “udhëtimi ynë i jashtëzakonshëm sapo ka filluar.”

Kjo përbën një ndryshim qëndrimesh për zotin Trump, i cili është përballur me thirrje në rritje për dorëheqje ose shkarkim nga detyra pas trazirave të dhunshme të së mërkures në Uashington. Presidenti Trump për dy muaj ka këmbëngulur se ai i kishte fituar zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, të shoqëruara me manipulime dhe parregullsi, pa dhënë prova.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe udhëheqësi demokrat i Senatit Chuck Schumer i bënë thirrje Nënpresidentit Mike Pence të heqë nga detyra Presidentin Trump në bazë të amendamentit të 25-të të Kushtetutës, i cili lejon anëtarët e kabinetit të rrëzojnë një president kur konsiderohet i paaftë për postin. VOA

SHBA: Jep dorëheqjen Sekretarja e Transportit, Elaine Chao

VOA

Sekretarja amerikane e Transportit Elaine Chao tha të enjten se do të japë dorëheqjen, pas sulmit ndaj Kapitolit.

Zonja Chao, gruaja e udhëheqësit të shumicës së senatit Mitch McConnell, tha se dorëheqja e saj do të hynte në fuqi të hënën. Ajo tha se sulmi “më ka shqetësuar thellë në një mënyrë që unë thjesht nuk mund ta injoroj”.

Ish Shefi i Stafit të Shtëpisë së Bardhë Mick Mulvaney tha se ai do të largohet nga posti i tij diplomatik, duke iu shtuar listës në rritje të dorëheqjeve nga administrata Trump pas ngjarjeve të së mërkurës në Kapitol.

Zoti Mulvaney njoftoi të enjten se po jepte dorëheqjen si i dërguar i posaçëm në Irlandën e Veriut dhe tha se zyrtarë të tjerë të administratës kanë shqyrtuar mundësinë për dorëheqje.

“Nuk mund ta bëj. Nuk mund të qëndroj”, tha Mulvaney për kanalin CNBC. “Ata që zgjedhin të qëndrojnë, dhe unë kam biseduar me disa prej tyre, po zgjedhin të qëndrojnë sepse janë të shqetësuar se presidenti mund të sjellë dikë më të keq”.

Zoti Mulvaney tha se të mërkurën mbrëma ai informoi Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo për dorëheqjen.

Menjëherë pas kësaj, zëvendës ndihmësi i sekretarit të Departamentit të Tregtisë për inteligjencën dhe sigurinë, John Costello, tha se dhuna e shtyu atë të dorëhiqej.

“Ngjarjet e djeshme ishin një sulm i pashembullt në zemrën e demokracisë sonë – të nxitur nga një President në detyrë”, tha zoti Costello në Twitter. “Presidenti prej një kohëetë gjatë nuk e ka përfillur dhe e ka minimizuar sundimin e ligjit dhe Kushtetutën. Dje, kjo arriti kulmin me një kryengritje të dhunshme kundër Kongresit,” u shpreh ai.

Një nga strategët kryesorë të politikës për Kinën, Matt Pottinger, njoftoi dorëheqjen të mërkurën. Një zyrtar i lartë i administratës tha se Pottinger dha dorëheqjen në përgjigje të reagimit të zotit Trump ndaj turmës së protestuesve në Kapitol.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien, shefi i zotit Pottinger, i kërkoi atij të qëndronte në pozicionin që ka për të lehtësuar kalimin drejt administratës së re të zotit Biden, por zyrtari tha se Pottinger “i ka përfunduar ato detyra”.

Stephanie Grisham, shefja e kabinetit të zonjës së Parë Melania Trump, e cila më parë ka qenë sekretare shtypi e Shtëpisë së Bardhë, ishte zyrtarja e parë e administratës që njoftoi dorëheqjen të m mërkurën. Zëvendës sekretarja e shtypit Sarah Matthews dha dorëheqjen menjëherë pas kësaj, e ndjekur nga sekretari për çështjet sociale të Shtëpisë së Bardhë Rickie Niceta, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë.

Numri në rritje i dorëheqjeve dhe kritikave nga disa prej aleatëve më të afërt politikë të zotit Trump në lidhje me sjelljen e tij përbën një qortim të qartë ndaj presidentit. Sipas burimeve, në ditët në vijim mund të ketë dorëheqje të tjera.

Pelosi, thirrje për heqjen e Presidentit Donald Trump

Marrë nga Reuters

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi tha se pret një vendim të shpejtë nga ana e Nënpresidentit Mike Pence nëse ai do të aktivizojë amerndamentin e 25-të të Kushtetutës për ta hequr zotin Trump nga detyra.

Presidenti Donald Trump po përballet me thirrje në rritje për largimin nga posti, një ditë pas trazirave në Kapitol të shkaktuara nga mbështetës të Presidentit.

Megjithëse zotit Trump i kanë mbetur vetëm 13 ditë nga mbarimi i mandatit, ka patur kërkesa të shumta për heqjen e tij nga posti, mes tyre nga demokratë të Senatit dhe nga një kongresmen republikan.

Zonja Pelosi, në komentet e bëra të enjten la gjithashtu të hapur mundësinë që ndaj Presidentit të fillojë procesi i shkarkimit nga posti.

Ajo tha se ata që hynë me forcë në Kapitol janë terroristë.

Kongresi çertifikoi zyrtarisht të enjten herët në mëngjes fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden, pavarësisht kundërshtimeve të disa ligjvënësve republikanë.

Ndërkaq, edhe anëtarë të kabinetit të zotit Trump dhe aleatë të presidentit republikan kanë diskutuar aktivizimin e një dispozite të Kushtetutës amerikane për heqjen e tij nga detyra, tha një burim që kishte dijeni për situatën.

Në Uashington, një numër në rritje i ndihmësve të Shtëpisë së Bardhë thanë se do të largoheshin, duke përfshirë të dërguarin diplomatik Mick Mulvaney, ish-shef i kabinetit të zotit Trump, dhe këshilltarin e lartë për Rusinë Ryan Tully. Së shpejti priten largime të tjera.

Udhëheqësi Demokrat i Senatit Chuck Schumer i bëri thirrje Nënpresidentit Mike Pence të heqë nga posti zotin Trump në bazë të amendamentit të 25-të të Kushtetutës, i cili lejon anëtarët e kabinetit të rrëzojnë një president kur konsiderohet i paaftë për postin. Të paktën një republikan dhe 19 demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve bënë thirrje për një hap të tillë.

“Ajo që ndodhi dje në Kapitol të SHBA ishte një kryengritje kundër Shteteve të Bashkuara, e nxitur nga presidenti”, tha zoti Schumer në një deklaratë. “Ky president nuk duhet të qëndrojë në detyrë as edhe një ditë më shumë.”

“Nëse Nënpresidenti dhe kabineti refuzojnë ta bëjnë, Kongresi duhet të mblidhet përsëri për të nisur procedurat e shkarkimit të Presidentut,” tha ai.

Kongresmeni republikan Adam Kinzinger bëri thirrje që të aktivizohet amendamenti i 25-të për të hequr zotin Trump.

“Të gjitha indikacionet janë se presidenti është bërë i pandjeshëm, jo vetëm për detyrën dhe betimin që ka dhënë, por edhe ndaj vetë realitetit,” tha Kinzinger në një video që postoi në Twitter.

Një burim i njohur me situatën tha se përpjekja për të përdorur amendamentin në fjalë nuk duket se mund të ketë sukses.

Shumica e republikanëve në Kongres kanë treguar pak interes për të bërë presion mbi kabinetin që të ndërmarrë një hap të tillë.

Senatorja demokrate Amy Klobuchar tha se Kabineti i zotit Trump duhet të jetë i përgatitur të veprojë, pasi presidenti mund të shkaktojë probleme të tjera në kohën e tij të mbetur në detyrë.

Është më mirë të jenë gati ta bëjnë këtë nëse vazhdon, sepse nuk mund të kesh një president që në thelb drejton një kryengritje kundër qeverisë së vendit tonë,” tha zonja Klobuchar për rrjetin CBS.

Presidenti Trump u zotua në një deklaratë herët në mëngjes për një “tranzicion të rregullt” përpara inaugurimit të zotit Biden, pjesërisht për të ndaluar largimin e njerëzve të tjerë të stafit të tij. Megjithatë ai ka vazhduar të përsërisë pohimin e pabazë se zgjedhjet u vodhën.

Gjithashtu ai nuk e ka dënuar dhunën që ndodhi pasi ai inkurajoi mbështetësit të marshonin drejt Kapitolit, pavarësisht lutjeve nga anëtarë të lartë të administratës.

“I lutem Presidentit dhe të gjithë zyrtarëve të zgjedhur të dënojnë me forcë dhunën që ndodhi dje,” tha Sekretari në detyrë i Sigurisë së Brendshme Chad Wolf.

Ndërkohë, Byroja Federale e Hetimit i kërkoi publikut informacione për identifikimin e personave të përfshirë në dhunë, gjatë së cilës humbën jetën katër persona. VOA


Send this to a friend