VOAL

VOAL

NASA shënon 40 vjetorin e fluturimit të parë në orbitë

VOA

Dyzet vite më parë, më 12 prill 1981, anija hapësinore e NASA-s “Columbia” fluturoi në orbitë, duke sjellë një erë të re në fluturimet hapësinore. Pas 30 vitesh e 134 misionesh, Agjencia Amerikane e Hapësirës i dha fund këtij programi, që sipas astronautit Robert Crippen ishte një vendim që lidhej jo vetëm me dështimet e disa fluturimeve, por edhe politik. Robert Crippen ishte njëri nga dy astronautët që kryen fluturimin e parë drejt orbitës me anijen hapësinore “Columbia”.

Në shtator të vitit 1976, NASA prezantoi anijen e saj të parë hapësinore “Enterprise”, gjatë një aktiviteti në Palmdale të Kalifornisë.

Por fluturimi i parë në orbitë ndodhi në 12 prill të vitit 1981 me anijen hapësinore të NASA-s “Columbia”, çka sjolli një ere të re në fluturimet hapësinore.

Ajo ishte anija parë hapësinore e cila mund të përdorej sërish.

Projektuar për t’u nisur si një raketë e manovruar si anije hapësinore ndaj saj mund të kryeheshin shërbime teknike e të lëshohej sërish, brenda disa muajsh. Ajo ishte anija e parë hapësinore e sigurt dhe e ripërdorshme.

Në bordin e anijes, në fluturimin përurues të saj, ishin astronautët Robert Crippen dhe i ndjeri John Young. Fluturimi i tyre dyditor ishte veçanërisht i rrezikshëm pasi shënoi nisjen e parë të një anijeje hapësinore pa kryer asnjë provë paraprakisht.

“Gjithçka që donim të bënim ishte të provonim se sistemi do të funksiononte. Ndaj puna jonë ishte të niseshim, të futeshim në orbitë, të kontrollonim të gjitha sistemet e mjetit fluturues dhe të garantonim një ulje të sigurt”, thotë 83 vjecar Robert Crippen, i cili shërbeu si drejtor i Qendrës Hapësinore John F. Kennedy të NASA-s pas daljes në pension si astronaut.

“Kjo na dha mundësinë që të dërgonim grupe të ndryshme njerëzish në hapësirë, për t’u bërë astronautë. Nuk kishim më nevojë të provonim pilotë, kjo e zgjeroi fushën e astronautëve në një gamë shumë më të gjerë sesa kishim patur ndonjëherë më parë”, shton ai.

Zoti Young, i cili ka ecur më parë në Hënë, vdiq në janar të vitit 2018 në moshën 87 vjeçare.

Pas 30 vjetësh dhe 134 misionesh, programi i anijeve hapësinore të NASA-s përfundoi në korrik 2011.

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të garantuar sigurinë e ekuipazhit dhe përgatitjen e mirë profesionale të tyre, gjatë misioneve humbën jetën 14 astronautë dhe shpërthyen dy anije, “Challenger” dhe “Columbia”.

Anija hapësinore “Challenger” shpërtheu 73 sekonda pas shkëputjes nga toka në Cape Canaveral të Floridës në janar të 1986. Të shtatë anëtarët e ekuipazhit humbën jetën.

Po kështu shtatë astronautë mes tyre izraeliti Ilan Ramon humbën jetën më 1 shkurt të vitit 2003, kur “Columbia” u shkatërrua në qiell mbi Teksas.

Më 21 korrik të vitit 2011, anija hapësinore e NASA-s “Atlantis” u ul në toke, duke i dhënë fund programit në orbitë të agjencisë.

“Kur Atlantis zbarkoi pas fluturimit të fundit, ajo anije hapësirore ishte një gjendje aq e mirë sa mund të kishte qenë në gjendje të fluturonte edhe më shumë, por politika dhe aksidentet shënuan fundin e programit”, thotë zoti Crippen.

“Do të kalojë shumë kohë para se të kemi një anije hapësinore pothuajse aq madhështore sa ishte ajo”, shton ai.

Pasi anija u nxorr jashtë përdorimit në vitin 2011, NASA iu drejtua kompanive private për të transportuar ngarkesa dhe ekuipazh në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Në maj të vitit të kaluar SpaceX i Elon Musk-ut dërgoi dy astronautë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, kompania e parë private që bëri një gjë të tillë.

Që nga viti 1961 vetëm tre vende kanë nisur njerëz në orbitë: Rusia, SHBA dhe Kina, sipas kësaj renditjeje. SpaceX u bë kompania e parë private.

“Ne duhet të dalim nga orbita e Tokës, duhet të kthehemi në hënë, kjo është gjëja e duhur. Ne duhet të mësojmë të jetojmë dhe të punojmë jashtë këtij planeti”, thotë zoti Crippen.

“Ne duhet të kthehemi dhe të mësojmë të jetojmë në Hënë dhe të fluturojmë në Mars. Kjo do të ndodhë një ditë por nuk besoj se do të jem gjallë për ta parë”.

SHBA, mbi 70 milionë njerëz morën dozën e dytë të vaksinës kundër COVID-19

Washington DC

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në SHBA njoftoi se më shumë se 117 milionë njerëz morën dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19 dhe më shumë se 70 milionë dozën e dytë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në 24 orët e fundit në SHBA, 709 persona humbën jetën si pasojë e koronavirusit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 561.783.

Të dhënat nga Universiteti “Johns Hopkins” tregojnë se numri i personave të infektuar me COVID-19 është rritur me 66.653 dhe tani arrin në 31.151.904 raste.

Kalifornia është shteti federal më i prekur nga pandemia në SHBA me më shumë se 3.69 milionë persona të infektuar me koronavirus dhe më shumë se 60 mijë viktima nga COVID-19. Më pas vijon Teksasi (më shumë se 2.82 milionë të infektuar) dhe Florida (më shumë se 2.1 milionë).

Sa i përket numrit të personave të infektuar në botë, SHBA-ja ndiqet nga Brazili (më shumë se 13.4 milionë) dhe India (më shumë se 13.3 milionë). Ndërsa lidhur me numrin e vdekjeve nga COVID-19, pas SHBA-së janë Brazili (më shumë se 351 mijë) dhe Meksika (më shumë se 209 mijë).

SHBA, Komisioni i Etikës nis hetimet ndaj republikanit Matt Gaetz

VOA

Komisioni i Etikës i Dhomës së Përfaqësuesve, i cili kontrollohet nga demokratët njoftoi të premten se kishte nisur një hetim mbi pretendimet se ligjvënësi republikan Matt Gaetz “mund jetë përfshirë në akte të paligjshme seksuale dhe përdorim të paligjshëm të drogës”.

Kryetari demokrat dhe republikani kryesor i komisionit thanë në një deklaratë se ata ishin “në dijeni të akuzave publike” se zoti Gaetz, një mbështetës i vendosur i ish-Presidentit Donald Trump, mund të ketë shkelur “rregulloren e Dhomës së Përfaqësuesve, ligjet ose standardet e tjera të sjelljes”.

Sipas një burimi të zbatimit të ligjit që foli në kushte anonimiteti zoti Gaetz po hetohet nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë për shkelje të mundshme të ligjit, pasi ka paguar shpenzime për udhëtimet e një vajze 17-vjeçare me të cilën ai kishte një marrëdhënie romantike.

Ndaj ligjvënësit të Floridës nuk janë ngritur akuza dhe ai vetë ka pohuar në mënyrë të përsëritur se nuk ka kryer asnjë të paligjshme.

Udhëheqësit e Komisionit të Etikës thanë se do të hetonin nëse zoti Gaetz “ishte përfshirë në sjellje të paligjshme seksuale ose përdorim të paligjshëm të drogës, nëse kishte shpërndarë fotografi ose pamje filmike të papërshtatshme në Dhomën e Përfaqësuesve, nëse kishte përdorur fondet e fushatës për qëllime personale dhe nëse kishte pranuar ryshfet, apo dhurata të paligjshme”.

Zyra e zoti Gaetz reagoi nëpërmjet një deklarate: “Përsërisim edhe një herë se këto pretendime janë haptazi të rreme dhe se nuk janë vërtetuar nga askush”.

Të enjten ligjvënësi Adam Kinzinger u bë i pari republikan në Kongres që bëri thirrje që zoti Gaetz të japë dorëheqjen.

“Matt Gaetz duhet të japë dorëheqjen”, shkruante në një postim në Twitter zoti Kinzinger, një kritik i hapur i zotit Trump.

Të enjten burime zyrtare njoftuan se një mik i zotit Gaetz, Joel Greenberg, pritet të vetëdeklarohet fajtor në një proces gjyqësor kundër tij që po zhvillohet në një gjykatë federale në Florida, nën akuzat për trafik seksual e mashtrim.

Eksperti: Floyd vdiq nga mungesa e oksigjenit, jo nga droga

Marrë nga Associated Press

George Floyd vdiq nga mungesa e oksigjenit e shkaktuar nga gjuri që i shtrëngonte qafënndërsa ishte i shtrirë në trotuar, tha në dëshminë e tij një ekspert mjekësor të enjten në gjyqin e ish-oficerit Derek Chauvin. Ai e hodhi poshtë prerazi teorinë e mbrojtjes se përdorimi i drogës dhe problemet shëndetësore shkaktuan vdekjen e George Floydit.

“Edhe një person i shëndetshëm do të vdiste nëse do të trajtohej në të njejtën mënyrë siç u trajtua zoti Floyd”, tha dëshmitari i thirrur nga prokuroria, Dr. Martin Tobin, specialist për mushkëritë dhe kujdesin kritik në spitalin Edward Hines Jr. dhe i fakultetit të mjeksëisë në Universitetin Loyola në Ilinoi.

Duke përdorur një gjuhë të lehtë për t’u kuptuar, Dr. Tobin i tha jurisë se frymëmarrja e zotit Floyd ishte e kufizuar rëndë ndërsa Chauvin dhe dy oficerë të tjerë mbanin afrikano-amerikanin 46-vjeçar të shtrirë në tokë, të prangosur dhe me fytyrën në tokë, majin e kaluar.

Mungesa e oksigjenit rezultoi në dëmtim të trurit dhe bëri që zemra e tij të pushonte, tha dëshmitari.

Dr. Tobin, duke analizuar një paraqitje grafike të tre oficerëve që e mbajtën nën kontroll zotin Floyd për 9 minuta a gjysmë, tha në dëshminë e tij se gjuri i ish-policit Chauvin ishte “praktikisht në qafë” për më shumë se 90 përqind të kohës. Ai përmendi disa faktorë të tjerë që ai tha se gjithashtu e bënin të vështirë për zotin Floyd që të merrte frymë: ngritja e të dyshuarit nga oficerët përmes prangave, sipërfaqja e fortë e rrugës, pozicioni e tij, koka e kthyer dhe gjuri në shpinë.

Chauvin e mbajti gjurin në qafën e Floydit për 3 minuta e 2 sekonda, pasi Floyd kishte “arritur pikën ku nuk i kishte mbetur aspak oksigjen në trup”, tha Dr. Tobin.

Ndërsa prokurorët vazhdimisht luajtën një videoklip të Floydit në tokë, Dr. Tobin identifikoi atë që ai tha se ishte një ndryshim në fytyrë që linte të kuptohej se Floyd ishte i vdekur. Ai moment ndodhi rreth pesë minuta pasi policia filloi ta mbante Floyd-in të shtrirë në tokë.

“Në fillim mund të shihni se ai është i vetëdijshëm, ju mund të shihni një dridhje të lehtë, dhe pastaj ajo venitet”, tha Tobin. Ai shpjegoi se “Ky ishte momenti që jeta doli nga trupi i tij”.

Chauvin, 45 vjeç, është akuzuar për vrasje në lidhje me incidentin e vdekjes së George Floydit më 25 maj. Floyd u arrestua jashtë një dyqani të lagjes pasi u akuzua se ishte përpjekur të blinte një pako cigaresh me një kartmonedhë të falsifikuar 20 dollarëshe.

Videoja e regjistruar nga një kalimtare rasti, që tregon Floydin duke thënë se ai nuk mund të merrte frymë ndërsa kalimtarë të tjerë rasti po i bërtisnin oficerit Chauvin që të tërhiqej, ndezi protesta dhe veprime të dhunshme në mbarë Shtetet e Bashkuara.

Avokati i mbrojtjes Eric Nelson ka argumentuar se oficeri i bardhë, tani i shkarkuar nga puna, bëri atë që kishte mësuar në trajnime dhe se vdekja e Floydit ishte shkaktuar nga përdorimi i dorgave të paligjshme dhe problemet e tjera shëndetësore, përfshirë presionin e lartë të gjakut dhe sëmundjet e zemrës. Një autopsi gjeti shenja të fentanolit dhe metamfetaminës në organizmin e tij.

Por Dr. Tobin tha se ai analizoi frymëmarrjen e Floydit në videot e regjistruar nga kamerat në uniformat e policëve dhe shpjegoi se ndërsa fentanoli zakonisht ul normën e frymëmarrjes me 40 përqind, frymëmarrja e Floydit ishte rreth “nivelit normal” pak para se ai të humbte ndjenjat. Në mënyrë të ngjashme, ai tha se njerëzit me sëmundje të rënda të zemrës kanë ritme shumë të larta të frymëmarrjes.

Dr. Tobin gjithashtu tha se niveli i lartë i dioksidit të karbonit në gjak i matur në spital mund të shpjegohet me faktin se Floyd nuk po merrte frymë për gati 10 minuta para se ekipi i ndihmës së shpejtë të fillonte përpjekjet për ta kthyer në jetë.

Një toksikolog ligjor gjithashtu dëshmoi të enjten se ai testoi gjakun e marrë nga zoti Floyd në spital, si dhe urinën nga autopsia e tij dhe gjeti një sasi metamfetamine “shumë të ulët”. Daniel Isenschmid tha se u gjet gjithashtu fentanol dhe një nënprodukt i tij i tretur në trup, por ai nuk tha menjëherë se çfarë sasie ishte e pranishme.

Më herët, zoti Tobin shpjegoi se fakti që Floyd po fliste dhe shihet duke lëvizur në video, nuk do të thotë se ai po merrte frymë në mënyrë adekuate. Ai tha se një lëvizje e këmbëve e parë në video ishte e pavullnetshme. Dhe ai tha se një person mund të vazhdojë të flasë deri në pikën kur rrugët e frymëmarrjes ngushtohen në 15 përqind, një moment kur “ju jeni në telashe të mëdha”.

Oficerët mund të dëgjohen në video duke i thënë Floydit se nëse ai mund të flasë, ai mund të marrë frymë.

Avokati mbrojtës Eric Nelson i sugjeroi zotit Tobin se fentanoli i blerë në rrugë mund të ndikojë tek njerëzit ndryshe nga fentanoli i blerë në mënyrë të ligjshme. Ai ngriti pyetje edhe për metamfetaminën, duke theksuar se ka pak arsye për të cilat kjo drogë përdoret ligjërisht për trajtime mjekësore. Dr. Tobin ishte dakord se këto droga rrisin ritimin e rrahjeve të zemrës, por ai theksoi se ato nuk ndikojnë në ritimin e frymëmarrjes.

Në një moment, mjeku liroi kollaren e tij dhe vuri duart në qafën e tij dhe në pjesën e pasme të kokës për të demonstruar se si funksionojnë rrugët e frymëmarrjes, duke ftuar juristët të ekzaminojnë qafat e tyre. Shumica e tyre e bënë këtë, megjithëse gjykatësi më vonë u tha atyre se nuk ishin të detyruar ta bënin një gjë të tillë.

Avokati i zotit Chauvin u ka treguar në mënyrë të përsëritur jurisë imazhe nga videoja, që sipas tij tregojnë se gjuri i oficerit Chauvin ishte në supin e Floydit, jo në qafën e tij. Por pothuajse të gjitha ato imazhe janë marrë pesë minuta pasi ai mund të kishte arritur pikën kur ishte i pajetë.

SHBA nuk angazhohet për anëtarësimin në NATO të Ukrainës

Monumenti i Pavarësisë në sheshin qendror të Kievit, Ukrainë (6 prill 2021)

Jeff Seldin

UASHINGTON – Shtetet e Bashkuara riafirmuan të martën angazhimin ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, por nuk ofruan mbështetje publike për një proces të përshpejtuar anëtarësimi në NATO.

“E kemi diskutuar këtë aspiratë prej kohësh me Ukrainën”, u tha gazetarëve sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, kur u pyet për përpjekjet më të fundit të Ukrainës për t’iu bashkuar aleancës ushtarake perëndimore.

“Ne jemi mbështetësit e tyre të fortë”, shtoi ajo. “Por ky është një vendim që duhet ta marrë NATO”.

Ukraina, së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë perëndimorë, ka shprehur shqetësimin për lëvizjet e forcave ruse në ditët e fundit përgjatë kufirit ukrainas, të cilat shihen si një përpjekje për të frikësuar Kievin.

Gjatë telefonatave më herët të martën me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg dhe Kryeministrin kanadez Justin Trudeau, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy i bëri thirrje aleancës t’i dërgojë një mesazh Moskës duke e lejuar Ukrainën të anëtarësohet.

“Vetëm reformat nuk do ta ndalojnë Rusinë”, shkruajti zoti Zelenskiy në Twitter pas telefonatës me zotin Stoltenberg. “@NATO është mënyra e vetme për t’i dhënë fund luftës në #Donbas”, tha ai, duke iu referuar rajonit në Ukrainën lindore, pjesë të së cilit kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

“MAP i Ukrainës (Plani i Veprimit të Anëtarësimit) do të jetë një sinjal i vërtetë për Rusinë”, shtoi zoti Zelenskiy.

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes të martën nuk pranuan të komentojnë mbi kërkesën e Ukrainës për anëtarësim në NATO, megjithëse shprehën shqetësim të vazhdueshëm për veprimet e Rusisë.

“Ne vazhdojmë t’i shohim forcat ruse të grumbulluara përgjatë kufirit me Ukrainën, veçanërisht në Krime, më shumë drejt juglindjes”, u tha gazetarëve sekretari i shtypit i Pentagonit John Kirby, duke i quajtur lëvizjet ruse shqetësuese.

“I bëjmë thirrje Rusisë t’i bëjë më të qarta qëllimet e saj për atë çfarë po bëjnë me këtë mori forcash përgjatë kufirit”, tha zoti Kirby.

“Vazhdojmë të bëjmë thirrje për armëpushimet e parashikuara edhe nga Marrëveshja e Minskut … dhe për të qetësuar situatën”, tha ai.

Ukraina thotë se goditjet me artileri nga forcat pro-ruse në Donbas kanë vrarë 24 ushtarë këtë vit dhe tetë gjatë vetëm dy javëve të fundit.

Rusia ka mohuar se lëvizjet e saj ushtarake paraqesin një kërcënim për Ukrainën.

Gjatë një vizite në Indi të martën, Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov përshkroi deklaratat e fundit nga Kievi si shqetësuese dhe tha se Rusia kishte kontaktuar vendet e tjera evropiane.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov akuzoi gjithashtu Kievin për përpjekjen për të destabilizuar më tej situatën.

“Deri më tani nuk po shohim një synim nga pala ukrainase për t’u qetësuar disi dhe për t’u larguar nga temat agresive”, tha zoti Peskov.

Separatistët në Donbas kanë luftuar me forcat ukrainase që kur Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë nga Ukraina në 2014.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore akuzojnë Rusinë për armatosjen e separatistëve dhe dërgimin e trupave ruse për t’i ndihmuar përpjekjet e tyre.

Biden: 18 vjeç e sipër mund të vaksinohen nga 19 prilli

Steve Herman

Presidenti Biden e ka shkurtuar me gati dy javë afatin kur çdo i rritur në SHBA do të kualifikohet për vaksinim kundër koronavirusit.

“S’do të ketë më rregulla konfuzuese, s’do të ketë më kufizime,” tha presidenti të martën në Shtëpinë e Bardhë duke njoftuar se që nga data 19 prill “çdo 18 vjeç e sipër përmbush kushtet për t’u vaksinuar”.

Njoftimi i presidentit vjen në një kohë kur vendi po përballet me valën e katërt të rritjes së infeksioneve, sidomos në radhët e të rinjve.

“Nuk jemi ende te vija e finishit,” tha presidenti. “Ende kemi shumë punë për të bërë. Jemi në garë për jetë a vdekje me virusin”.

Presidenti vizitoi të martën një objekt vaksinimesh rreth 12 km nga Shtëpia e Bardhë, ku ai foli për shpejtimin e ritmeve të imunizimit.

“Kur të ktheheni në shtëpi, tregojuni miqve që të vaksinohen sapo ta kenë mundësinë”, u tha zoti Biden atyre që prisnin për t’u vaksinuar në një kishë të vogël të Shkollës Teologjike të Virxhinias.

Gjatë javës së fundit, infektimet e reja kanë shënuar 7% rritje krahasuar me periudhën e mëparshme shtatë ditore. Shtrimet në spitale janë rritur 3%, ndërsa vdekjet nga COVID-19 kanë shënuar rënie të vogël duke arritur në rreth 800 viktima në ditë.

Shtimi i infektimeve shihet si pasojë e uljes së numrit të personave që vënë maskë, shtimi i pjesëmarrjes në aktivitete publike, intensifikimi i udhëtimeve dhe përhapja e varianteve të reja.

“Këto variante janë më ngjitëse,” tha presidenti. “Ato janë më të rrezikshme, por vaksinat japin efekt”.

Shtëpia e Bardhë dhe zyrtarë të shëndetësisë po përpiqen t’i mëshojnë mesazhit për vigjilencë, pasi popullata ka shfaqur lodhje nga masat kufizuese pas 13 muaj pandemie.

“Njerëzit e kanë të vështirë të pranojnë dy nocione: vaksinat janë të suksesshme dhe mbrojnë shumë njerëz, por përsëri duhet të vë maskë dhe të ruaj distancë fizike,” thotë Dr. William Schaffner, profesor i mjekësisë parandaluese në Universitetin Vanderbilt. “Duhet të vazhdojmë t’ua kërkojmë njerëzve këto gjëra edhe për pak muaj”.

Ashtu si shumë shtete të tjera, Virxhinia kishte njoftuar banorët se nga mesi i muajit prill të gjithë ata mbi 16 vjeç do të mund të vaksinoheshin. Por në pjesën veriore të shtetit, një zonë me të ardhura të larta ku ndodhen shumë institucione të qeverisë federale dhe jetojnë punonjës e kontraktorë të qeverisë, kërkesa e lartë e ka tejkaluar sasinë e disponueshme të vaksinave.

“Në mënyrë që të përmbushim synimin e guvernatorit, do të na duhen shumë më tepër doza për Virxhinian veriore,” tha shefi ekzekutiv i komunës Feirfaks të Virxhinias.

Ndërkaq, kategoritë e punonjësve të klasifikuar si me përparësi për vaksinim, ndër to punonjësit e shërbimeve sanitare, kamarierë, stilistë sallonesh dhe llogaritarë, përmbushin kushtet për vaksinim në zonat rurale të Virxhinias, por ende jo në pjesën veriore të shtetit.

Në rajonin e kryeqytetit, Uashington, shumë doza janë rezervuar për pacientë të rrezikuar, ndërsa shumë banorë që duan të vaksinohen nuk po arrijnë pasi nuk ka sasi të mjaftueshme.

Premtimi i presidentit se brenda dy javësh do të shtohet ndjeshëm numri i vaksinave në disponim do të jetë një arritje e konsiderueshme, por kjo nuk zgjidh problemin e rezistencës ndaj vaksinave.

“Secili prej nesh duhet të kontaktojë njerëz që shfaqin hezitim dhe t’ua shpjegojë që t’i bindë se vaksinat nuk janë të rrezikshme,” tha për Zërin e Amerikës Dr Schaffner.

Në Shtetet e Bashkuara janë bërë deri tani mbi 150 milionë doza vaksine, sipas Shtëpisë së Bardhë, e cila deklaron se “afro 1/3 e popullatës amerikane dhe rreth 40% e të rriturve kanë bërë të paktën një dozë, ndërsa afro 1/5 është e imunizuar plotësisht” me një nga tre vaksinat që kanë marrë miratim emergjent nga autoritetet federale amerikane.

Data e re e kualifikimit për vaksinë do t’u japë të gjithë të rriturve mundësinë të caktojnë orar për vaksinim në qendrat e tyre komunitare.

Shtetet e Bashkuara “mjaft shpejt” do të kenë doza të mjaftueshme për t’ua dhënë edhe vendeve të tjera, tha presidenti gjatë vizitës në qendrën e vaksinimit në Virxhinia.

“Ky problem kërkon zgjidhje në mbarë botën,” tha presidenti. “Nuk mund të ndërtojmë dot një mur apo gardh aq të madh sa që të mos lejojë futjen e virusit”.

Vende të tjera kanë kërkuar ndihmë nga Uashingtoni për t’u dërguar doza vaksine, por administrata e Presidentit Biden ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se dëshiron fillimisht të sigurohet se ka sasi të mjaftueshme për të imunizuar amerikanët.

Pamje të rënda dhe dëshmi dramatike në javën e parë të gjyqit të ish-policit Chauvin

Java e parë e gjyqit të ish-policit të bardhë Derek Chauvin, i cili akuzohet për vrasje në lidhje me incidentin ku mbeti i vdekur afrikano-amerikani George Floyd ndërsa ai ishte nën arrest, u shoqërua me shfaqjen e video-klipeve të rënda dhe dëshmi dramatike nga incidentit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sullivan njofton se shefat e zotit Chauvin ngritën pikëpyetje për veprimet e ish-policit, ndërsa avokati i tij u përpoq të hidhte hije dyshimi mbi akuzat e ngritura.

Imazhe e rënda të filmuara nga kamerat e vendosura në uniformat e policëve, kamerat e sigurisë dhe nga celularët e kalimtarëve të rastit, ofruan një kronologji të ngjarjes së 25 majit të vitit 2020, ndërsa policia po mundohej të fuste George Floydin në një makinë patrullimi. Derek Chauvin më vonë i vuri gjurin në qafën George Floydit, duke e mbajtur për nëntë minuta e gjysmë.

Kjo nuk është praktikë standarde, tha një zyrtar policie i cili u mor në pyetje nga prokurori Steve Schleicher.

“Çfarë niveli i forcës mund të jetë kjo?”, pyeti prokurori Steve Schleicher.

“Kjo do të ishte forcë vdekjeprurëse e nivelit më të lartë”, u përgjigj Toger Richard Zimmerman, hetues i rasteve të vrasjeve.

Prokurori Schleicher: “Pse?”

Zimmerman: “Për faktin se nëse i vë gjurin në qafë një personi, kjo mund ta vrasë atë”.

Anëtarët e jurisë gjithashtu dëgjuan këtë javë nga kalimtarët e rastit, duke përfshirë një zjarrfikëse që nuk ishte në detyrë, e cila ishte trajnuar për të ofruar ndihmën e shpejtë. Ajo u përpoq të kontrollonte emocionet, duke thënë se ofroi të ndihmonte George Floydin, por një oficer policie nuk e lejoi.

“M’u duk se George Floydit i ishte enjtur fytyra, gjë që ndodh nëse një i rritur rëndon me gjithë peshën mbi qafën e dikujt”, tha zjarrëfikësja Genevieve Hansen.

Ekipi mbrojtës i zotit Chauvin e portretizoi George Floydin si një njeri trupmadh nën ndikimin e drogës, që po krijonte një kërcënim të vazhdueshëm, të përkeqësuar nga kalimtarë që rrezikonin ta ndiznin situatën.

Policia po i përgjigjej një raportimi se George Floyd ishte përpjekur të blinte cigare me një kartmonedhë 20 dollarëshe të falsifikuar.

“Unë e pashë 20 dollarëshin. Vërejta se kishte një pigment blu në të, ashtu si 100 dollarëshi. Dhe kjo për mua ishte e çuditshme”, tha Christopher Martin, punonjës dyqani.

Por gjatë incidentit, Christopher Martin tha se ai filloi të ndjente mosbesim dhe faj për mënyrën se si po trajtohej George Floyd.

Një koordinatore e përgjigjes urgjente të policisë që po shikonte drejtpërdrejt videon e incidentit u shqetësua dhe njoftoi njërin nga shefat e saj.

“Diçka mund të mos jetë në rregull”, tha Jena Scurry në linjat e komunikimit të policisë.

Rreshteri në pension David Pleoger tha se pasi Floydi u prangos, ishte i shtrirë në tokë dhe nuk po bënte më rezistencë,Oficeri Chauvin duhet t’ia kishte hequr gjurin nga qafa e tij.

Avokati i mbrojtjes, Eric Nelson tha se vdekja e George Floydit nuk u shkaktua nga oficeri, por nga droga dhe probleme me zemrën dhe se polici Chauvin po luftonte për ta vënë nën kontroll Floydin në një situatë që po bëhej gjithnjë e më tensionuar.

Punonjësit e ekipit të ndihmës së shpejtë thanë se George Floydi nuk kishte puls ndërsa ishte shtrirë në tokë. Më vonë ai u fut në një ambulancë, ku përpjekjet për ta sjellë në jetë ishin të pasuksesshme. Gjyqi rifillon të hënën.

SHBA: Një oficer policie vdes pas një sulmi me automjet pranë Kapitolit

voal.ch – Një person përplasi një makinë në një barrikadë pranë Kapitolit të Shteteve të Bashkuara të premten pasdite, duke plagosur dy oficerë të Policisë së Kapitolit, njëri prej të cilëve më pas vdiq nga plagët, tha policia e Kapitolit.

Autori i sulmit u qëllua dhe më pas vdiq.

Yogananda Pittman, shefe në detyrë e policisë së Kapitolit konfirmoi para gazetarëve vdekjen e njërit prej oficerëve të policisë.

Ajo tha se për momentin se emri i oficerit nuk do të jepej deri kur të njoftohej familja.

Shefja e policisë Pittman tha se “hetimi është ende në fazat fillestare” dhe se deri tani nuk njihet motivi për sulmin.

Megjithatë policia thotë se nuk beson se ngjarja është e lidhur me terrorizmin.

Shefja e policisë tha se autori doli nga automjeti me një thikë në dorë.

Të dy oficerët e Policisë së Kapitollit ishin dërguar në spital, para se policia të konfirmonte se njëri prej tyre kishte vdekur. I dyshuari vdiq në spital.

Policia e Kapitolit thotë se ngjarja ndodhi tek një pikë kontrolli pranë Kapitolit, ndërsa Kongresi nuk është në sesion. Incidenti vjen ndërsa zona e Uashingtonit vazhdon të jetë në gatishmëri, gati tre muaj pasi një turmë protestuesish të armatosur sulmoi Kapitolin ndërsa Kongresi po votonte për të konfirmuar fitoren e presidentit aktual Joe Biden.

Policia falenderoi Gardën e cila dërgoi një forcë të ndërhyrjes së shpejtë që shkoi menjëherë në ndihmë të policisë së Kapitolit.

 

Megjithëse nuk kishte ndonjë lidhje të menjëhershme midis 6 janarit dhe të premtes, incidenti nxjerr në pah se kompleksi mbetet objektiv i mundshëm për dhunë.

Pika e kontrollit të sigurisë ku ndodhi ngjarja përdoret zakonisht nga senatorët dhe personeli gjatë ditëve të javës, por ligjvënësit janë me pushime.

Barrierat që pengonin trafikun e automjeteve pranë asaj zone u hoqën së fundmi, pasi Kapitoli filloi të rihapej pas trazirave të 6 janarit./ZiA

Gati 100 milionë të vaksinuar kundër koronavirusit në SHBA

Numri i njerëzve të vaksinuar kundër koronavirusit në Shtetet e Bashkuara po i afrohet 100-milionshit.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA thanë se mbi 99.6 milionë njerëz, apo 30 për qind e popullsisë amerikane, e kanë marrë së paku një dozë të vaksinës.

Sipas tyre, rreth 56 milionë njerëz e kanë përfunduar komplet vaksinimin.

Kur presidenti amerikan, Joe Biden, ka marrë detyrën më 20 janar, ai ka vendosur si qëllim dhënien e 100 milionë vaksinave në 100 ditët e para në zyrë.

Synimi i ri është dhënia e 200 milionë dozave.

Dy vaksina që përdoren në SHBA, Pfizer/BioNTech dhe Moderna, jepen me nga dy doza, ndërsa Johnson&Johnson me një.

Numri i të infektuarve me koronavirus është përsëri në rritje në SHBA, por larg niveleve të para në janar.

Mesatarja shtatëditore e rasteve është rritur në rreth 66,000, apo rreth 15 për qind më shumë se periudha e mëparshme shtatëditore.

Numri i viktimave është mesatarisht 900 në ditë – shumë më poshtë se gjatë disa periudhave të kulmit pandemik në SHBA, kur ka qenë 3,000 në ditë.

Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë nga koronavirusi.

Mbi 30 milionë njerëz atje janë infektuar dhe mbi 553,000 kanë vdekur.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, koronavirusi ka prekur afro 130 milionë njerëz në të gjithë botën.

Prej tyre, mbi 2.8 milionë kanë vdekur dhe mbi 73 milionë janë shëruar.

Koronavirusi është shpallur pandemi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në mars të vitit 2020. rel

Prova të reja në gjyqin kundër ish policit të akuzuar për vrasjen e George Floyd

Jesusemen Oni

Gjyqi ndaj ish oficerit të policisë Derek Chauvin, të akuzuar për vdekjen e afro-amerikanit George Floyd, vazhdoi për të tretën ditë në shtetin e Minesotës. Dëshmitarë të tjerë në gjyq përshkruan momentet e fundit të zotit Floyd.

Në sallën e gjyqit në Minnesota u luajtën pamjet nga kamerat e sigurisë të momenteve të fundit të George Floyd-it ndërsa prokurorët shpjegonin rrjedhën e ngjarjeve që çuan në vdekjen e tij.

Dita e tretë e gjykimit të ish policit Derek Chauvin solli dëshmi emocionuese nga disa dëshmitarë. Charles McMillian tha se ndihej i pafuqishëm teksa qetësonte Floydin ndërsa oficerët përpiqeshin ta fusnin në pjesën e pasme të makinës së policisë.

“Mundohesha t’i shpjegoja se kur bën një gabim, sapo të të vihen prangat harroje klaustrofobinë, duhet të shkosh me ta”, tha dëshmitari.

Disa minuta para përballjes me policinë, George Floydi shihet brenda një dyqani ku bleu cigare me 20 dollarë që dyshohet se ishin të falsifikuara.

Christopher Martin, punonjës i dyqanit, dëshmoi se zoti Floyd ishte miqësor por nën ndikimin e drogave.

“E pyeta nëse luante bejsboll, ai u përgjigj por iu desh pak kohë për të thënë atë që donte. Dukej se ishte nën ndikim“, tha dëshmitari.

Autopsia vërtetoi praninë e fentanilit dhe metamfetaminës në gjakun e zotit Floyd ndësa avokatët e ish-policit Chauvin argumentuan se përdorimi i drogave kishte patur ndikim në shëndetin e tij.

“Ju treguat se ai kishte vështirësi për fjalë të caktuara”, tha avokati Nelson.

“Saktë, ai përpiqej të thoshte fjalët”, tha dëshmitari Martin.

Pasi mori paratë që dyshohen se ishin false, zoti Martin tha se njoftoi menaxherin. Pasi u përball me zotin Floyd, ai thirri policinë. Ndërsa seanca vazhdonte, dëshmitari tregoi se e brente një ndjesi faji.

“Nëse nuk do t’i merrja paratë, kjo do të shmangej”, tha dëshmitari.

Gjatë tre ditëve të fundit, dëshmitarë nga vendi i ngjarjes përfshirë adoleshentë, përshkruan para trupit gjykues se sa tronditëse ishte të shihnin vuajtjet e Floydit ndërsa kishte kokën nën gjurin e policit.

Ky rast nxiti protesta në mbarë botën kundër dhunës policore ndaj afrikano-amerikanëve. Gjyqi pritet të zgjasë disa javë.

Elez Biberaj: Shqipëria është shndërruar në një shtet njëpartiak, autoritar, me Partinë Socialiste në fuqi që kontrollon pushtetin në të gjitha nivelet

Marrëdhëniet shqiptaro – amerikane në fokusin e një konference për 30 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve

By | March 31, 2021

Biden promovon planin 2 trilion dollarë për infrastrukturën

VOA

Presidenti i SHBA Joe Biden shkon sot në Pitsburg të Pensilvanisë, për të promovuar një plan për infrastrukturën prej 2 trilion dollarësh, që përfshin rrugët, urat, ujin e pijshëm, energjinë elektrike dhe sistemet e transportit publik.

Një zyrtar i lartë i administratës u tha gazetarëve se projektet synojnë të realoizohen gjatë një periudhe prej rreth tetë vjetësh.

“Këto janë investime me vlerë të lartë, investime që ekspertët e të gjitha fushave mendojnë se ndihmojnë në përmirësimin e efikasitetit ekonomik,” tha zyrtari.”

“Këto janë investime që neve si vend, nuk na lejohet të mos i bëjmë,” tha ai.

Presidenti Biden ka propozuar që fatura e planit të paguhet përmes ndryshimeve në taksat mbi korporatat, duke përfshirë rritjen e taksës së korporatave nga 21 në 28 për qind.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha të martën se administrata është e hapur për ide të ndryshme se si të financohet paketa, por shtoi se shqetësimet në lidhje me gjendjen e infrastrukturës së vendit janë diçka që ndahen nga të gjithë, pavarësisht nga përkatësitë politike.

Republikanët në Kongres kanë shprehur kundërshtime ndaj planit të Presidentit Biden për të rritur taksat, duke thënë se kjo do të dëmtonte punëtorët amerikanë, do të ngadalësonte rritjen ekonomike dhe do t’i bënte kompanitë amerikane më pak konkurruese në tregun botëror.

Gjyqi i ish-policit Chauvin; dëshmon zjarrfikësja që ofroi ndihmë

Marrë nga Associated Press

Do të vazhdojnë sot seancat e gjyqit kundër ish-policit Derek Chauvin, i akuzuar për vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd vjet në Mineapolis. Juria dhe publiku që po e ndjek procesin drejtpërdrejt përmes televizionit apo në platforma dixhitale, do të kenë mundësi të dogjojë vazhdimin e dëshmisë së një zjarrfikëseje që ishte në skenën e ngjarjes por nuk u lejua t’i ofrojë ndihmë zotit Floyd.

Genevieve Hansen ishte një ndër dëshmitarët e thirrur të martën për të rrëfyer ngjarjet që panë. Si të tjerët, ajo shprehu revoltim dhe zemërim që kishte dëshmuar skenën kur polici mbante të mbërthyer përtokë zotin Floyd para një dyqani vjet në maj.

Sipas dëshmitarëve dhe klipeve të regjistruara nga kalimtarët, zonja Hansen u shpjegoi policëve se ishte zjarrfikëse e trajnuar për të dhënë ndihmë të shpjetë duke u kërkuar ta lejonin t’i kontrollonte pulsin zotit Floyd.

“Ishit në skenë për afro tetë minuta e gjysmë, e pohon se gjatë kësaj periudhe po shfaqnit sjellje më agresive, u bëtë më e irrituar?” e pyet avokati i ish-policit.

“Më e irrituar, ajo është fjala e duhur,” përgjigjet zonja Hansen.

Avokati mbrojtës e pyet nëse filloi të ndjehej më e zemëruar. Zonja Hansen përgjigjet se po bëhej më e dëshpëruar.

Prokurorët thonë se i pandehuri e mbajti të mbërthyer me gjurin tek qafa zotin Floyd për 9 minuta e 29 sekonda, ose 43 sekonda më gjatë se ç’ishte raportuar fillimisht. Ish-polici Chauvin është akuzuar për vrasje me qëllim dhe vrasja pa paramendim. Ai ka deklaruar pafajësinë.

Avokatët e tij mbrojtës kanë argumentuar se polici po zbatonte rregulloret dhe se faktorë të tjerë si sëmundje zemre dhe droga që kishte në sistem viktima ishin shkaku i vdekjes.

Avokati mbrojtës e pyet në fund zjarrfikësen për një ofezë që ajo dëgjohet t’u thotë policëve:

“Isha shumë e revoltuar, pasi po e fusnin zotin Floyd në ambulancë dhe ishte e kotë të përpiqesha t’i bindja më, pasi ata sapo kishin vrarë një njeri,” tha zonja Hansen.

Vdekja e zotit Floyd dhe videoja e arrestit që u nda masivisht në median sociale në mbarë botën, u bënë shkas për protesta masive në mbarë Shtetet e Bashkuara me thirrjet për të ndalur dhunën policore.

Së fundmi, qyteti i Mineapolisit ra dakord t’u paguajë familjarëve të zotit Floyd 27 milionë dollarë dëmshpërblime për të mbyllur paditë që ata kanë ngritur lidhur me vdekjen e tij. VOA

Sekretari amerikan i Shtetit i shkruan Vuçiqit, i kërkon njohje reciproke me Kosovën

Duke dalur përtej protokolleve të zakonshme, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ia dërgoi një letër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në të cilën ai e shkruajti me dorë një mesazh të veçantë nën pjesën zyrtare të letrës. Por pjesa më e rëndësishme ishte mbi këtë pjesë, ku ai i kërkoi Vuçiqit njohjen reciproke me Kosovën, raporton Novosti, transmeton Gazeta Express.

“SHBA-ja është e përkushtuar për marrëdhëniet tona afatgjate. Ne ndajmë vizionin e një Serbie demokratike, stabile, prosperuese dhe demokratike në hapin drejt anëtarësimit në BE. Qëllimi afatgjatë i SHBA-së ka qenë ta shoh Serbinë dhe Kosovën të arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse e përqëndruar në njohjen reciproke”, shkruan Blinken në letrën dërguar Vuçiqit.

Ndërsa “Unë i mbaj në mend plotësisht bisedat tona të mira dhe po pres me padurim rinovimin e tyre”, shkroi Blinken me stilolaps në fund të letrës, e cila u dërgua më 23 shkurt dhe me të cilën ai e falenderoi Vuçiqin për urimin e tij për emërimin si Sekretar i Shtetit, raporton Novosti.

Se mori letër nga Blinken, Vuçiq e zbuloi një ditë më parë, duke vlerësuar se “duke mos llogaritur historinë e njohjes reciproke me Kosovën”, mesazhi ishte “kuptimplotë dhe i mirë” në të gjitha aspektet e tjera, për të cilat ai falënderoi Blinkenin.

“Unë e përgëzova atë për emërimin në një pozicion të rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara dhe besoj se ai gjithashtu kujtoi bashkëpunimin tonë. Ai madje shkroi diçka me dorën e tij, kështu që ky është një lajm i rëndësishëm”, tha Vuçiq.

Letra e Blinken dërguar Vuçiqit (Foto: Novosti.rs)

Në shkurt, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ia kujtoi presidentit serb qëllimin e Amerikës për dialogun Kosovë – Serbi, që është njohja reciproke. /Express/

Gjyqi kundër policit Chauvin, prokurorët paraqesin provat mbi vdekjen e George Floydit

Prokurorët filluan të paraqesin argumentet duke shfaqur videon e plotë të filmuar nga një dëshmitar që tregonte se si polici Chauvin po e mbante gjurin në qafën e George Floydit ndërsa njerëzit në rrugë po i kërkonin atij ta hiqte. Ajo që ndodhi është e qartë, thanë prokurorët.

“Do të mësoni se më 25 maj të vitit 2020, zoti Derek Chauvin tradhëtoi uniformën e tij kur ai përdori forcë të tepruar dhe të paarsyeshme ndaj trupit të zotit George Floyd”, tha prokurori Jerry Blackwell.

Avokatët e policit Chauvin thanë se video të tjera që juria ende nuk i ka parë dhe dëshmi të tjera do të japin një pasqyrë tjetër të ngjarjes.

“Provat do të tregojnë se zoti Floyd vdiq nga aritmia kardiake që rezultoi nga tensioni i lartë, sëmundjet koronare, marrja e metampfetaminës dhe fentanolit, dhe adrenalina që përshkonte trupin e tij”, tha avokati mbrojtës Eric Nelson.

Prokuroria tha se dëshmitë mjeko-ligjore do të tregojnë se zoti Floyd vdiq në duart e ish policit që përdori forcë të tepruar.

Floyd akuzohej se kishte përdorur një 20 dollarësh të falsifikuar, për të cilën prokurorët thanë se ai mund të merrte një gjobë të thjeshtë në vend të konfrontimit fizik.

Avokatët mbrojtës të zotit Chauvin thanë se Floyd i bëri rezistencë arrestimit, ndërsa prokurorët thanë se pasi u vu nën kontroll, ai kishte vështirësi me frymëmarrjen.

Vdekja e George Floydit shkaktoi protesta në të gjithë botën kundër mënyrës së trajtimit të afrikano-amerikanëve nga policia, por avokatët e të dyja palëve thonë se rasti do të përcaktohet nga faktet.

“Çështja ka të bëjë me dëshmitë, që ju do t’i shihni gjatë këtij gjyqi. Jam dakord me prokurorin e shtetit. Nuk ka asgjë më shumë se kaq. Nuk ka kauza politike ose sociale në sallën e gjyqit”, tha avokati mbrojtës Eric Nelson.

Por, rasti është gjithashtu një provë për sistemin juridik, thotë djali i udhëheqësit të lëvizjes për të drejtat civile.

“Amerika dhe bota po shikojnë nëse sistemi juridik po funksionon, dhe ne do të jemi në gjendje të vendosim për këtë gjatë këtij procesi gjyqësor”, tha Martin Luther King III, djali i udhëheqësit të lëvizjes për të drejtat civile.

Gjyqi pritet të zgjasë rreth katër javë, dhe po ndiqet me vëmendje në vend dhe botë.

Biden: Deri më 19 prill, 90% e të rriturve në SHBA kualifikohen për vaksinën

VOA

Presidenti Joe Biden u bëri thirrje amerikanëve të hënën të mos nënvlerësojnë masat e kujdesit për të frenuar pandeminë, ndërkohë që SHBA po përjeton një rritje të infektimeve në të gjithë vendin.

Në komentet e bëra nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Biden tha të hënën se deri më 19 prill, 90% e të rriturve në Shtetet e Bashkuara do të kualifikohen për vaksinën ndaj koronavirusit.

Por ai u kërkoi amerikanëve të vazhdojnë të përdorin maskën. Ai tha se disa nga sjelljet e papërgjegjshme që shihen nëpër televizione javët e fundit nënkuptojnë më shumë raste me COVID në ditët e ardhshme.

“Tani nuk është koha të festojmë, është koha të bëjmë më të mirën si vend… Le ta çojmë luftën deri në fund,” tha ai.

Ndërkohë, Dr. Rochelle Walensky, drejtoreshë e Qendrave të SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, me emocion të dukshëm në zërin e saj, u kërkoi zyrtarëve publikë dhe të tjerëve të flasin për seriozitetin e situatës, në përpjekje për të parandaluar një valë të katërt të COVID-19.

Të dielën Shtetet e Bashkuara tejkaluan 30 milionë raste me COVID-19 në total ndërsa mesatarja shtatë-ditore e rasteve të reja ka qenë rreth 60,000 në ditë, tha ajo. Kjo përfaqëson një rritje prej 10% krahasuar me periudhën shtatë ditore paraardhëse. Shtrimet në spital gjithashtu u rritën dhe vdekjet kanë filluar të shtohen.

“Një situatë e kobshme po afron… tani për tani jam e frikësuar”, tha zonja Walensky në një konferencë me gazetarët.

Zyrtarët përmendën shtetet që hapën ekonomitë dhe lehtësuan kufizimet e pandemisë para kohe si dhe shtimin e udhëtimeve, si arsye për keqësimin e gjendjes.

Zonja Walensky tha se trajektorja e pandemisë në Shtetet e Bashkuara dukej e ngjashme me vendet e Evropës, të tilla si Gjermania, Italia dhe Franca, të cilat kanë përjetuar një rritje të rasteve kohët e fundit.

“Ne nuk kemi luksin e mosveprimit. Për … shëndetin e vendit tonë, ne duhet të punojmë së bashku tani për të parandaluar një valë të katërt,” tha ajo.

Presidenti Biden ka vendosur objektivin për të vaksinuar 200 milionë njerëz në 100 ditët e tij të para në detyrë, dhe vaksinimet po shtohen në të gjithë vendin.

Por disa pjesë të Shteteve të Bashkuara kanë hequr dorë nga urdhërat e mbajtjes së maskave dhe kufizime të tjera për COVID-19n, ndërkohë që amerikanët po udhëtojnë tani më shumë për pushimet e pranverës.

“Duroni dhe pak”, tha eksperti i sëmundjeve infektive Dr. Anthony Fauci rreth mbajtjes së masave mbrojtëse. “Do të jetë një garë midis vaksinës dhe asaj që po ndodh me dinamikën e shpërthimit. Ne mund ta fitojmë këtë garë duke qëndruar pak më gjatë.”

E pyetur në lidhje me udhëtimin e vetë zotit Biden për arsye biznesi dhe personale, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se ai udhëtoi me avionin Air Force One, i cili nuk ishte i njëjtë me avionët e pasagjerëve.

Blinken: Marrëdhëniet SHBA-Kinë gjithnjë e më konfrontuese

Marrë nga Reuters

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken thotë se sheh aspekte “gjithnjë e më konfrontuese” në marrëdhënien mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Shefi i diplomacisë amerikane i bëri komentet në një intervistë me rrjetin televiziv CNN që u transmetua të dielën, ku shtoi se kjo marrëdhënie ka pa diskutim dimensione rivaliteti por ka edhe pista për bashkëpunim mes dy vendeve.

Të shtunën Shtetet e Bashkuara kritikuan sanksionet e Pekinit kundër dy zyrtarëve amerikanë për të drejtat fetare si dhe ndaj një ligjvënësi kanadez, të vëna pas komenteve të dy vendeve perëndimore lidhur me trajtimin e pakicës ujgure në Kinë.

Sekretari i Shtetit u pyet gjatë intervistës edhe për tubacionin e gazit natyror Nord Stream 2, në vaçanti në lidhje me masat që mund të marrë Uashingtoni për të penguar ndërtimin e kësaj strukture nga Rusia në Gjermani. Zoti Blinken tha se vendimi përfundimtar është në dorë të atyre që po përpiqen ta ndërtojnë tubacionin. Shtetet e Bashkuara, shtoi ai, thjesht duan që kundërshtitë e tyre ndaj këtij projekti të kuptohen qartë nga këto vende. VOA

Florida, kubano-amerikanët kundër ndryshimit të marrëdhënieve SHBA-Kubë

Liliya Anisimova

Ndërsa administrata e Presidentit Biden rishikon politikën ndaj Kubës, sondazhi i fundit publik në Florida konfirmon anketat e mëparshme të opinionit publik që tregojnë se shumica e votuesve kubano-amerikanë janë kundër një ri-angazhimi me shtetin komunist. Qëndrimi në dukje më i ashpër ndaj Havanës tregon një zhvendosje nga koha e Presidentit Obama, gjë që u vu re në zgjedhjet e vitit 2020.

Pothuajse dy milionë kubano-amerikanë jetojnë në Shtetet e Bashkuara, kryesisht në Florida. Ata përbëjnë një forcë të madhe politike në shtetin e lëkundur dhe për dekada me radhë kanë mbështetur vijën e ashpër ndaj Kubës së Fidel Kastros. Scott Lucas është profesor i shkencave politike në Universietetin Birmingham.

“Historikisht, kubanët që shkuan në Florida pas revolucionit të vitit 1959, drejtoheshin nga ideja se çfarë duhet bërë për Kubën. Fillimisht, mbi mundësinë e kthimit dhe pastaj çfarë duhet bërë për regjimin dhe sistemin në Kubë? Kjo konkretizohej tek mbështetja për kandidatët kryesisht republikanë, që mbajtën qëndrim të ashpër ndaj Kubës.”

Por kjo pikëpamje filloi të ndryshonte gjatë administratës së Presidentit Obama.

“Me fitoren e Obamës në vitin 2009, ndodhi një nxitje mes popullsisë jo të bardhë, për shanse dhe mundësi të reja. Obama bëri për vete shumë njerëz, dhe këtu përfshihen edhe kubanët”, thotë profesori Lucas.

Gjatë dy mandateve, Presidenti Obama zbuti kufizimet e udhëtimit dhe hoqi Kubën nga lista e shteteve që sponsorizojnë terrorizmin. Në vitin 2016, ai u bë presidenti i parë amerikan që viziton këtë shtet-ishull që nga viti 1928. Në kohën e udhëtimit të tij, anketat tregonin se mbi gjysma e imigrantëve kubanë në Florida mbështesnin politikat e tij.

Por kur Donald Trump u bë president, Uashingtoni e ashpërsoi qëndrimin ndaj shtetit komunist. Në ditët e fundit të presidencës së tij, Kuba u rivendos në listën e shteteve sponsorizuese të terrorizmit, si dhe u rivendosën disa nga kufizimet. Vota kubano-amerikane po ashtu po ndryshonte.

“Arsyeja se pse kubano-amerikanët mbështetën Trump-in dhe republikanët, është se me polarizimin e politikës amerikane, edhe çështja për Kubën doli në krye të problemeve. Nuk kishte të bënte me ekonominë apo shëndetin, por ishte kartë specifike në interes të kubanëve që u luajt nga republikanët”, thotë profesori i shkencave politike Scott Lucas.

Sipas një sondazhi të publikuar në mars nga “Bendixen & Amandi International”, 66% e komunitetit kubano-amerikan tani mbështesin mbajtjen e embargos amerikane ndaj Kubës, krahasuar me vetëm 36% në vitin 2015.

Anketa e fundit po ashtu tregon se 56% e kubano-amerikanëve në Florida janë kundër zbutjes së ndalimit të udhëtimeve, qëndrim i pandryshuar nga anketat e një viti më parë. Më shumë kubanë po votojnë për republikanët për të mbajtur një politikë më të ashpër ndaj Havanës, thonë analistët. Gregory Koger është profesor i shkencave politike në Universitetin e Majamit.

“Fushata e Presidentit Trump dhe republikanët bënë një punë të jashtëzakonshme për të depërtuar tek votuesit kubano-amerikanë dhe komunitet e tjera hispanike në Florida. Ata e kuptuan më mirë se demokratët se shumë njerëz në Florida nuk identifikohen si latino apo hispanikë. Ata nuk e shohin veten si një grup i gjerë kulturor, por indetifikohen me vendin nga erdhën familjet e tyre.”

Edhe pse administrata e Presidentit Biden po shqyrton politikën ndaj Kubës, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha për shtypin se marrëdhëniet me Kubën nuk janë përparësi kryesore.

Ndërsa sondazhet tregojnë se shumica e votuesve kubano-amerikanë janë kundër ngrohjes së marrëdhënieve me Havanën, demokratëve do t’u duhet të gjejnë një mënyrë për ta bërë për vete këtë grup votuesish.

Shpejt në Teksas do të vendoset 7 Nëntori si “Dita Përkujtimore e Viktimave të Komunizmit”

Në foto: Përfaqësuesi i Teksasit Tom Oliverson (djathtas) dhe dëshmitari i VOC Dr. Elida Dakoli (majtas).

 

voal.ch – VOC përshëndet hapat e Teksasit për të kaluar legjislacionin kryesor, përkujtimin e viktimat e komunizmit

UASHINGTON, D.C. – Këtë javë Dhoma e Përfaqësuesve të Teksasit mbajti një seancë dëgjimore mbi legjislacionin për të vendosur 7 nëntorin  “Ditën Përkujtimore të Viktimave të Komunizmit”.

Texas do të bashkohet me 12 shtete të tjera në njohjen e Ditës së VOC ( Victims of Communism – Viktimat e Komunizmit)  si dëshmi për ata që kanë humbur jetën dhe kanë vuajtur nën regjimet komuniste.

Përfaqësuesi Tom Oliverson, sponsori i projekt-ligjit, vërejti se “më shumë se 100 milion njerëz të pafajshëm janë vrarë nga regjimet komuniste që nga krijimi të regjimit të parë komunist në 7 nëntor 1917 në Rusi. Kjo është humbja më e madhe e jetëve njerëzore duke patur parasysh çdo ngjarjeje në historinë njerëzore dhe nuk duhet të harrojmë tmerret e komunizmit. Ashtu sikur kujtojmë Holokaustin që të mos përsëritet kurrë më brutaliteti i  fashizmit, ashtu edhe ky memorial shërben si një kujtesë kthjelluese e premtimeve boshe të komunistëve kudo që janë, dhe trashëgimisë brutale të vuajtjeve njerëzore që ata lënë. ”

VOC u nderua nga prania e Anëtares të Këshillit Këshillimor Dr. Elida Dakoli e cila dëshmoi përpara Dhomës së Përfaqësuesve të Teksasit  përvojën e familjes së saj nën regjimin komunist në Shqipëri.

«Kur ​​[gjyshi im] nuk pranoi t’ia dorëzonte pasurinë partisë komuniste, ai u burgos, shtëpitë e tij u shkatërruan dhe gjyshja ime dhe katër fëmijët e saj të vegjël të moshës 1-12 vjeç – përfshirë babanë tim – u hodhën në rrugë pa asgjë . Vëllai i saj e mori me guxim gjyshen time dhe fëmijët në shtëpinë e tij, por gjyshi im u vra në burg. Ne ende nuk e dimë se ku është varri i tij. Përndjekja e anëtarëve të familjes sime vazhdoi për katër breza. ”

VOC përshëndet hapat e Teksasit për të vendosur 7 Nëntorin si “Dita Përkujtimore e Viktimave të Komunizmit”.

Krimet e kësaj ideologjie mizore nuk duhet të harrohen kurrë./EB

Guvernatori i Nju Jorkut hedh poshtë shqetësimet se nuk mund të qeverisë

Marrë nga Associated Press

Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo po refuzon të japë detaje në përgjigje të pyetjes si zyra e tij po mbron dy ndihmëse që pretendojnë se ai i ka ngacmuar ose sulmuar seksualisht gjatë vitit të kaluar.

Guvernatori po këmbëngul se ai mund ta drejtojë shtetin pavarësisht thirrjeve për dorëheqje nga shumica e ligjvënësve demokratë të Nju Jorkut. Ai përsëriti të mërkurën se nuk do të komentojë më në publik për pretendimet për ngacmime seksuale.

“Ata as nuk e kuptojnë natyrën e punës? Natyra e të qenit guvernator ka gjithmonë situata të shumta që duhet të përballosh,” tha ai. “Katër vitet e kaluara, na u desh të merreshim me Donald Trumpin si president. Nëse të flisni për shpërqendrim, ai ishte shpërqendrim.”

Guvernatori kishte komentuar për akuzat për javë të tëra, edhe ndërsa vazhdonin hetimet nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të shtetit që nisi në fillim të Marsit. Por ai njoftoi për ndryshimin javën e kaluar nën dritën e një hetimi për akuza për shkarkim të Asamblesë së shtetit.

“Jemi duke bashkëpunuar me hetimin dhe nuk do të kem një koment tjetër,” tha zoti Cuomo, në përgjigje të pyetjes së një gazetari të mërkurën në lidhje me mënyrën se si zyra e tij po mbron punonjëset që thonë se ai i kishte ngacmuar seksualisht.

Çdo sjellje që është e padëshiruar dhe e një natyre seksuale – nga fjalët, shakatë, tek frikësimi, tek afrimet fizike _ mund të konsiderohet si ngacmim seksual sipas një ligji shtetëror 2019 që zoti Cuomo e mbrojti si “ligjin më të rreptë kundër ngacmimit seksual në vend”.

Zyra e tij nuk u është përgjigjur kërkesave të shumta për detaje se kur guvernatori e kishte bërë trajnimin për ngacmim seksual të kërkuar nga ligji, duke përfshirë datën.

Zyra e Guvernatorit për Marrëdhëniet me Punonjësit ka detyrimin të hetojë raste të ngacmimeve seksuale të mundshme në vendin e punës të agjencive shtetërore nën një urdhër ekzekutiv të vitit 2018 të nënshkruar nga zoti Cuomo.

Punonjësit që kryejnë ngacmime seksuale ose me vetëdije i lejojnë ato të ndodhin mund të përballen me masa ndëshkuese.

Ligji shtetëror mbron punonjësit nga hakmarrja si humbja e punës dhe viktimat e mundshme të ngacmimeve seksuale shpesh këshillohen që, “sigurisht që çdo individ që ngre zërin është i mbrojtur nga hakmarrja dhe ne po garantojmë të njëjtën gjë në këtë rast”, tha këshilltarja e posaçme e zotit Cuomo, Beth Garvey.

Guvernatori i Virxhinias shfuqizon dënimin me vdekje

Marrë nga Reuters

Guvernatori i Virxhinias Ralph Northam nënshkroi të mërkurën legjislacionin që shfuqizon dënimin me vdekje, duke vënë në jetë premtimin e tij për të nxjerrë jashtë ligjit dënimin me vdekje në një shtet që ka ekzekutuar më shumë të burgosur se çdo tjetër.

Në një ceremoni në një burg në Greensville, ku bëhen ekzekutimet, guvernatori tha se masa do të ndihmonte në reformimin e një sistemi të papërsosur të drejtësisë.

“Drejtësia dhe ndëshkimi nuk janë gjithmonë e njëjta gjë. Ne nuk mund të japim dënimin më të skajshëm, kur nuk e dimë nëse kemi gjithnjë të drejtë”, tha zoti Northam, një demokrat. “Kjo qeveri nuk do të marrë më jetë.”

Guvernatori Northam shtoi se dënimi me vdekje përdoret në mënyrë disproporcionale ndaj njerëzve me ngjyrë, të cilët kanë qenë 296 nga 377 të burgosurit e ekzekutuar nga ky shtet në shekullin e 20-të.

Virxhinia, e cila për herë të fundit kreu një ekzekutim në vitin 2017, ka kryer 1,390 ekzekutime që nga viti 1608, kur ishte një koloni britanike. Teksasi, i cili u bë shtet i SHBA-së në vitin 1846, është në vendin e dytë, por kryeson me një diferencë të thellë që nga rivendosja e dënimit me vdekje në 1976.

Njëzet e shtatë shtete të tjera së bashku me qeverinë federale e kanë ende në fuqi dënimin me vdekje, sipas faqes së internetit deathpenaltyinfo.org dhe Qendrës së Informacionit për Dënimin me Vdekje.

Dy burra janë të dënuar me vdekje aktualisht në Virxhinia, përfshirë Thomas Porterin, i cili u dënua për vrasjen e një oficeri policie në 2005. Zoti Northam tha se ata që janë dënuar me vdekje, do të jenë të burgosur pa mundësinë e lirimit me kusht.

Sarah Craft, Drejtore e Programit kundër Dënimit me Vdekje me organizatën “Drejtësia e Barabartë” e përshëndeti veprimin.

“Ky është veprimi i fundit në një goditje të fortë kundër dënimit me vdekje” tha ajo në një deklaratë për agjencinë Reuters.

“Është pjesë e përballjes së vendit tonë me një trashëgimi të thellë dhe të shumëpërhapur të padrejtësisë racore,” shtoi ajo.

Çështja Tsarnaev në Gjykatën e Lartë

Marrë nga Associated Press

Gjykata e Lartë tha të hënën se do të shqyrtojë rivendosjen e dënimit me vdekje për Dzhokhar Tsarnaev, autorin e sulmeve me bombë në maratonën e Bostonit.

Anëtarët e gjykatës ranë dakord që të dëgjojnë argumentet rreth apelimin të paraqitur nga administrata e Presidentit Trump, e cila në gjatë muajt e fundit në detyrë kreu ekzekutimin e 13 të burgosurve në qelitë federale.

Sidoqoftë, çështja nuk do të dëgjohet deri në vjeshtë si dhe nuk është i qartë qëndrimi i administratës së re ndaj çështjes Tsarnaev. Fillimisht hetimi dhe vendimi për dënim me vdekje u krye nga administrata e Presidentit Obama, ndërsa zoti Biden shërbente në atë kohë në postin e Nënpresidentit.

Por zoti Biden është zotuar për dhënien fund të dënimit federal me vdekje. Në muajin gusht, gjykata e apelit në Boston hodhi poshtë dënimin e Tsarnaev-it, me arsyetimin se gjykatësi në çështjen e tij nuk bëri mjaftueshëm për t’u siguruar që juria të mos kishte paragjykime ndaj tij.

Departamenti i Drejtësisë e apeloi vendimin me shpejtësi, duke u kërkuar anëtarëve të gjykatës që të dëgjojnë dhe vendosin mbi çështjen deri në fund të mandatit aktual të gjykatës, në fillim të verës. Prokurori i Përgjithshëm në atë kohë, William Barr, tha vitin e kaluar se, “Ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme”.

Avokatët mbrojtës të Dzhokhar Tsarnaev-it, autorit të sulmeve, e pranuan në fillim të gjykimit të tij se ai dhe vëllai i tij Tamerlan Tsarnaev vëndosën dy bomba pranë vijës së përfundimit të maratonës në vitin 2013. Por ata argumentuan se Dzhokar Tsarnaev është më pak fajtor se vëllai i tij, për cilin ata thanë se ishte organizator i sulmit.

Tamerlan Tsarnaev, 26 vjeç, vdiq pas një përplasje të armatosur me policinë dhe u godit nga vëllai i tij ndërsa përpiqej të largohej. Disa orë më vonë policia e kapi 26-vjeçarin e plagosur në Watertown, në periferi të Bostonit, ku ai ishte fshehur në një varkë.

Vëllai i vogël, Dzhokar Tsarnaev, tani 27-vjeçar, u gjet fajtor në të gjitha akuzat (30) të ngritura ndaj tij, përfshi komplotin dhe përdorimin e një arme të shkatërrimit në masë dhe vrasjen e një polici gjatë përpjekjeve për largimin nga vendi i ngjarjes sëbashku me vëllain e tij. Gjykata e apelit la në fuqi të gjitha dënimet, me përjashtim të disave.

Gjykimi dhe vendimi fillestar ndaj tij si dhe vendimi për të kërkuar dënimin me vdekje u bë nga administrata e Presidentin Obama, në cilën zoti Biden shërbente në postin e Nënpresidentit.

Presidenti Biden përqëndrohet në strehimin e fëmijëve emigrantë në kufi

VOA

Me shtimin e emigrantëve në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara, administrata Biden ndodhet nën presion për krijimin e shpejtë të politikave dhe procedurave që rregullojnë situatën, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijët.

“Mesazhi është i qartë, mos ejani. Kufiri është i mbyllur. Kufiri është i sigurt”, thotë Alejandro Mayorkas, Sekretari i Sigurisë Kombëtare.

Ky është mesazhi nga administrata Biden ndërsa numri i emigrantëve në kufurin jugor është drejt shifrës më të lartë në 20 vjet. Aministrata thotë se për shkak të pandemisë, tani nuk është koha që njerëzit të udhëtojnë. Të rriturit e pamartuar, të cilët përbëjnë shumicën e njerëzve në kufi, po dëbohen. E njëjta edhe me familjet.

Fëmijët që udhëtojnë vetëm nuk dëbohen. Sipas raporteve, mijëra fëmijë pa përkujdesje po mbahen në kufi.

Administrata Biden po përpiqet të gjejë strehim të përshtatshëm për ta dhe thotë se duhet të rindërtohet sistemi i trajtimit të emigrantëve që u shpërbë nga administrata Trump.

“Po rindërtojmë sistemin ndërsa merremi me nevojat e fëmijëve që arrijnë në kufijtë tanë“, thotë Alejandro Mayorkas, Sekretari i Sigurisë Kombëtare.

Disa ligjvënës republikanë thonë se është Presidenti Biden ai që krijoi situatën me mesazhe të paqarta, duke i dhënë fund të ashtuquajturës politikë Trump për Meksikën, e cila kërkonte që aziklërkuesit të prisnin atje për procedurat e tyre gjyqësore. Sipas tyre politika Trump dekurajonte emigrantët nga Hondurasi, Guatemala dhe vende tjera të nisin rrugëtimin.

“Gjëndja do të përkeqësohet edhe më shumë gjatë pranverës dhe verës. Mesazhi është Tani që kemi një president të ri, ejani; jemi të hapur për biznes me trafikantët’. Parashikoj që deri në verë një milion njerëz do të provojnë të futen në këtë vend”, thotë Ligjvënësi Republikan, Michael McCaul.

Fëmijët ndalohen për 72 orë para transferimit në qendra kujdesi për të miturit. Administrata hapi tre mjedise të reja javën që shkoi por nuk pranoi të jepte afat kohor të hapjes së qendrave të tjera për të përballuar valën e emigrantëve.

Blinken në Evropë, synon rivendosjen e marrëdhënieve

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, udhëton të hënën drejt Brukselit, për të takuar udhëheqësit e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.

Blinken do të ndjekë një takim të ministrave të Jashtëm të NATO-s dhe do të konsultohet me aleatët dhe sekretarin e përgjithshëm të aleancës, Jens Stoltenberg, më 23 mars dhe 24 mars, tha Departamenti i Shtetit.

Takimet në Bruksel kanë për qëllim “të nënvizojnë vendosmërinë” e administratës së presidentit Joe Biden “për të forcuar aleancën transatlantike dhe për të gjallëruar lidhjet tona me aleatët përmes NATO-s”, tha po ashtu Departamenti i Shtetit.

Sipas tij, në agjendë të diskutimeve do të jenë Kina dhe Rusia, ashtu si edhe roli i NATO-s në Afganistan, siguria kibernetike, luftimi i terrorizmit, ndryshimet klimatike, siguria energjetike dhe sfida të tjera të përbashkëta.

Blinken do të takojë edhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, për të biseduar rreth rimëkëmbjes nga pandemia COVID-19 dhe forcimit të demokracisë.

Në një deklarim përpara udhëtimit në Bruksel, Philip Reeker, ushtrues detyre i ndihmëssekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euro-Azisë, tha se Shtetet e Bashkuara do të konsultohen ngushtë me aleatët e NATO-s dhe partnerët e tjerë për misionin ushtarak në Afganistan.

“Ne kemi hyrë së bashku. Do të përshtatemi së bashku, siç kemi bërë me vite dhe, kur të jetë koha e duhur, do të largohemi së bashku”, tha Reeker.

Forca e NATO-s në Afganistan, e udhëhequr nga SHBA-ja, ka rreth 10,000 trupa, që ndihmojnë në trajnimin dhe këshillimin e forcave afgane të sigurisë.

Biden ka thënë më herët se afati i 1 majit për tërheqjen e trupave të NATO-s nga Afganistani “do të jetë i vështirë”.

Ky afat ishte përcaktuar me një marrëveshje midis ish-administratës amerikane dhe talibanëve në Afganistan.

Marrëdhëniet me Rusinë do të jenë po ashtu temë gjatë udhëtimit të Blinkenit në Evropë, tha Reeker, duke vënë në dukje se administrata Biden përpiqet të krijojë një marrëdhënie që është e parashikueshme dhe e qëndrueshme.

“Ne do të angazhohemi me aleatët tanë, për të diskutuar pikëpamjet e ndryshme të Rusisë dhe mënyrat se si mund të angazhohemi me Rusinë, duke i shtyrë përpara interesat tona kolektive, por duke mbetur syhapur ndaj sfidave që paraqet Rusia”, tha Reeker.

Ambasadori i Rusisë në SHBA, Anatoly Antonov, është kthyer në Moskë të dielën, pasi është thirrur në konsultime emergjente, pas deklaratës së Bidenit se ai beson se homologu i tij rus, Vladimir Putin, është vrasës.

Udhëtimi i Blinkenit në Evropë, sipas analistëve, po ashtu vë në dukje politikën e re të jashtme amerikane pas administratës së ish-presidentit Donald Trump.

Qasja e Trumpit ka qenë “Amerika e para” dhe aleatët tradicionalë i ka trajtuar shpesh si rivalë dhe jo partnerë.

Pas Trumpit, administrata e re e Bidenit pritet të koordinohet me partnerët evropianë edhe për një mori çështjesh tjera, përfshirë marrëveshjen bërthamore me Iranin, politikën ndaj Kinës, ndryshimin e klimës dhe mosmarrëveshjet mbi tregtinë.

Përgatiti: Valona Tela

SHBA, 2.5 milionë vaksinime në ditë

VOA

Shtetet e Bashkuara arritën objektivin e vendosur nga Presidenti Joe Biden për të injektuar 100 milionë doza të vaksinës kundër koronavirusit, pothuajse një muaj përpara afatit të vendosur prej tij për 100 ditët e para në detyrë.

Shtetet e Bashkuara po bëjnë tashmë rreth 2.5 milionë vaksinime në ditë.

Në Britani, gjysma e të gjithë të rriturve kanë marrë tashmë të paktën një dozë vaksine për koronavirusin, duke u bërë ekonomia e parë e madhe në botë që arrin një moment të tillë të rëndësishëm.

Ministri i Shëndetësisë Matt Hancock tha në Twitter se vetëm të premten ishin përdorur një rekord prej mbi 660 mijë dozash.

Dje Kryeministri britanik Boris Johnson mori dozën e tij të parë të vaksinës, duke u imunizuar me AstraZeneca – të cilën disa vende evropiane e kishin pezulluar përkohësisht për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Izraeli është ndër vendet më të suksesshme në vaksinimin e popullsisë, i ndjekur nga Emiratet e Bashkuara, Kili dhe më pas Mbretëria e Bashkuar. Investitorët po vëzhgojnë me kujdes se cilat ekonomi do të mund të rimëkëmben së pari.

Ish Kongresmeni & presidenti i LQSHA Joe DioGuardi i kërkon Faton Bislimit që LDK-ja të mbështesë Vjosa Osmanin si Presidente të Kosovës

 

Z. Joe DioGuardi, ish-anëtari i Kongresit Amerikan dhe presidenti i LQSHA, që figura më madhore dhe më e shkëlqyer e lobit Shqiptaro-Amerikan në SHBA na dërgoi një komunikim që ka patur me Faton Bislimin, anëtar i bordit të LQSHA,  ish deputet i LDK-së dhe kandidat për deputet edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 që është votuar në mënyrë të konsiderueshme në këto zgjedhje.

Joe DioGuardi i kërkon Faton Bislimit që LDK-ja të mbështesë Vjosa Osmanin si presidente të Kosovës.

Më poshtë po e sjellim mesazhin jo integral që DioGuardi i ka drejtuar Faton Bislimit:

“I dashur Faton, pashë tek BBC intervistën e Vjosa Osmanit….

Pyetjet ishin shumë të forta dhe përgjigjet e Vjosës ishin të drejtpërdrejta, të plota, të sinqerta, të besueshme dhe pa hezitim ose devijim nga pikat thelbësore të bëra nga shumë mirë i përgatituri, si zakonisht, Stephen Sackur. Ajo meriton të jetë Presidente dhe besoj se do të punoni ngushtë me të përsëri për ta sjellë Kosovën në botën reale, si pjesë e NATO-s, KB-së dhe BE-së.

Të gjitha të mirat, Joe”

 

Biden: Arrihet para afatit qëllimi i realizimit të 100 milionë vaksinimeve

Marrë nga Associated Press

Presidenti Joe Biden njoftoi të enjten se administrata e tij do të përmbushë qëllimin për të bërë 100 milionë doza vaksinash në 100 ditë e para në detyrë të premten, 58 ditë pas fillimit të mandatit.

Biden njoftoi përparimin duke thënë se objektivi u arrit “disa javë përpara afatit”, megjithë pengesat e shkaktuara nga stuhitë dimërore në fillim të këtij viti.

Presidenti Biden tha tetë javë më parë, se vetëm tetë përqind e të moshuarve kishin marrë një dozë të vaksinë kundës COVID-19. Ai tha të ejten se 65 përqind e njerëzve të moshës 65 vjeç e lart kanë marrë të paktën një të dozë të vaksinës.

“Dhe ky është elementi kryesor, sepse kjo është popullsia që përfaqëson 80 përqind të mbi 500,000 vdekjeve nga COVID-19 që kanë ndodhur në Amerikë”, tha ai.

Presidenti theksoi faktin se vendi mesatarisht po bënë 2.5 milionë vaksinime në ditë, “duke tejkaluar pjesën tjetër të botës në mënyrë të konsiderueshme”.

Presidenti amerikan tha se është një kohë për optimizëm në vend. Por ai paralajmëroi se “nuk është koha për relaksim”, duke shtuar, “unë dua që të gjithë ju që të bëni pjesën tuaj” për të ndihmuar në përfundimin e pandemisë.

Senati konfirmon ish-ambasadorin William Burns në postin e Drejtorit të CIA-s

Ligjvënësit në Senat konfirmuan ish-ambasadorin William Burns në postin e Drejtorit të CIA-s të ejten, duke plotësuar ekipin e Presidentit Biden me një anëtar tjetër të rëndësishëm.

Senatorët miratuan me një votim të hapur unanim zotin Burns, vetëm disa orë pasi u hoq një bllokim ndaj kandidaturës së tij.

Burns mori mbështetje nga demokratët dhe republikanët pas dëshmisë së tij para Komisionit të Senatit për Zbulimin. Kryetari i këtij komisioni, senatori Mark Warner e quajti mbështetjen dypartiake për zotin Burns si një “dëshmi të kualifikimeve të padiskutueshme të tij”.

Por zoti Burns u ndesh me një bllokim në fillim të këtij muaji nga senatori Ted Cruz, i cili citoi kundërshtimet ndaj qasjes së administratës Trump në lidhje me gazsjellësin natyror të Rusisë “Nord Stream 2”.

Senatori Cruz e hoqi bllokimin të enjten pasi Sekretari i Shtetit Antony Blinken lëshoi një deklaratë duke paralajmëruar vendet pjesëmarrëse në projektin rus se rrezikojnë të përballen me sanksione nga Shtetet e Bashkuara nëse e mbështesin projektin rus.

Pas konfirmimit nga Senati të enjten, 64-vjeçari Burns bëhet diplomati i parë i karrierës që drejton agjencinë amerikane të spiunazhit.

Ish zyrtarët e inteligjencës kanë thënë se ai do të duhet të përballet shpejt me disa sfida, përfshirë shqetësimet në lidhje me moralin brenda agjencisë që burojnë nga ankesat se produktet e inteligjencës u politizuan nën administratën e ish-Presidentit Donald Trump.

“Politika duhet të ndalet aty ku fillon puna e inteligjencës”, u tha Burns ligjvënësve gjatë seancës së tij të konfirmimit muajin e kaluar, duke premtuar se do ta kthente agjencinë në synimin e saj për “t’ia thënë të vërtetën pushtetit”.

Presidenti Biden ka “thënë se ai dëshiron që agjencia t’i japë atij informacionin e saktë dhe unë ia kam premtuar pikërisht atë dhe se do të mbroja ata që bëjnë të njëjtën gjë”, shtoi Burns.

Sa i përket sfidave të jashtme, ish-zyrtarë dhe ligjvënës kanë thënë se përvoja disa dekadëshe e zotit Burns si diplomat, duke përfshirë rolet e tij në Rusi dhe Lindjen e Mesme, do t’i shërbejnë atij mirë në punën e re.

Burns, megjithatë, u tha ligjvënësve se përparësia e tij kryesore do të jetë kundërvënia ndaj Kinës, duke u thënë ligjvënësve se “ambicia dhe këmbëngulja agresive, e fshehur” e Pekinit është një “thirrje shumë e mprehtë për veprim”.

Burns gjithashtu ka paralajmëruar se CIA duhet të jetë e kujdesshme dhe të mos nënvlerësojë Rusinë, Iranin dhe një mori kundërshtarësh të tjerë.

Ish zyrtarët e inteligjencës thonë se lista e përparësive është e gjatë.

“CIA nuk mund ta heqë vëmendjen nga terrorizmi, ose sfidat serioze të paraqitura nga Rusia dhe Irani”, i tha Zërit të Amerikës Larry Pfeiffer, ish-shef i personelit të CIA-s. “Ai gjithashtu duhet të punojë me agjencitë e tjera të inteligjencës dhe klientët e tij për të përcaktuar nivelin e duhur të mbështetjes së CIA-s për sfidat gjithnjë e më të rëndësishme të shëndetit global, ndryshimit të klimës dhe kibernetikës.”

“Dhe, natyrisht, kjo do të duhet të ndodhë në një periudhë me zero rritje të buxhetit”, shtoi ai.

Presidenti Biden nuk është penduar se e quajti presidentin Putin “vrasës”

Washington

Shtëpia e Bardhë ka theksuar se presidenti i SHBA-së, Joe Biden, nuk është penduar se e quajti “vrasës” presidentin rus, Vladimir Putin, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Presidenti dha një përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj një pyetjeje të drejtpërdrejtë”, u tha gazetarëve Jen Psaki, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.

Psaki tha se po i referohej përgjigjes së presidentit Biden në një intervistë televizive të ditës së djeshme, ku ai u pyet nëse mendon se presidenti Putin është “vrasës”.

“Mhmm. Po”, u përgjigj Biden.

Komentet nxitën një reagim të fortë nga Kremlini, e cila u kundërpërgjigj duke thirrur të dërguarin e saj të SHBA-së.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë fajëson Trumpin për krimet e urrejtjes ndaj aziatiko-amerikanëve

Washington DC

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se shprehjet si “virusi i Wuhan-it” të përdorura nga administrata e Donald Trump-it për koronavirusin e ri (COVID-19) kanë ndikuar në rritjen e krimeve të urrejtjes ndaj aziatiko-amerikanëve në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, Psaki tërhoqi vëmendjen për vdekjet e aziatiko-amerikanëve në sulmet e armatosura në Atlanta në mbrëmjen e 16 marsit dhe krimet në rritje të urrejtjes kundër aziatiko-amerikanëve në vend.

“Nuk ka dyshim se retorika e dëmshme në periudhën e administratës së mëparshme (Donald Trump), si shprehja ‘virusi i Wuhan-it’ dhe shprehje të tjera, çuan në perceptime të pasakta, të padrejta kundrejt aziatiko-amerikanëve. Si rezultat, krimet e urrejtjes kundër këtij komuniteti janë rritur në gjithë vendin”, tha Psaki.

Ajo theksoi se po vazhdon hetimi mbi sulmet ndaj salloneve të masazhit në Atlanta, ku kryesisht punojnë aziatiko-amerikanë. Psaki po ashtu vuri në dukje janë ende duke hetuar aktet e terrorizmit të brendshëm.

Biden: Shqetësuese aludimet ndaj Guvernatorit Cuomo për ngacmime seksuale

VOA

Shtëpia e Bardhë tha të hënën se Presidenti Joe Biden i sheh shqetësuese zhvillimet në lidhje me aludimet ndaj Guvernatorit të Nju Jorkut Andrew Cuomo për sjellje të pahijshme seksuale dhe se hetimi duhet të jetë i shpejtë dhe i plotë.

Presidenti Biden nuk ka folur drejtpërdrejt me zotin Cuomo, i cili aktualisht kryeson Shoqatën Kombëtare të Guvernatorëve dhe pritet të marrë pjesë të martën në një telefonatë të përjavshme me presidentin, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.

63-vjeçari Cuomo përballet me aludime për ngacmim dhe sjellje të pahijshme seksuale, të ngritura nga të paktën shtatë gra, duke përfshirë ish ndihmëse të tij. Ai është gjithashtu nën presion pas të dhënave të zbuluara se administrata e tij e mbajti të fshehtë numrin e vërtetë të personave që humbën jetën nga COVID-19 në shtëpitë e të moshuarve në shtetin e Nju Jorkut.

“Zhvillime të reja duket se po ndodhin çdo ditë. Ne i shohim shqetësuese. Presidenti i sheh këto zhvillime si shqetësuese dhe të vështira për t’u interpretuar,” tha zonja Psaki. “Çdo grua që ngre aludime të tilla duhet të trajtohet me dinjitet dhe respekt,” tha ajo.

Zoti Biden nuk pranoi të dielën t’i bëjë thirrje zotit Cuomo për të dhënë dorëheqjen, duke thënë se dëshironte të priste rezultatin e një hetimi mbi çështjen.

I pyetur nëse zoti Cuomo, i cili është po ashtu demokrat, duhet të japë dorëheqjen, Presidenti Biden u tha gazetarëve: “Unë mendoj se hetimi është duke u zhvilluar dhe duhet të shohim se çfarë do të sjellë.”

Të premten, dy senatorë demokratë të Nju Jorkut, Chuck Schumer dhe Kirsten Gillibrand, si dhe shumica e ligjvënësve nga ky shtet, i kërkuan zotit Cuomo, tashmë në mandatin e tij të tretë si guvernator, të japë dorëheqjen.

Del biseda e ish-Presidentit Trump me ish-zyrtarin e zgjedhjeve në Xhorxhia

Marrë nga Reuters

Sapo është bërë publike biseda telefonike mes ish-Presidentit Donald Trump dhe një zyrtari zgjedhor të shtetit të Xhorxhias, ku del qartë presioni që po ushtronte ish-presidenti ndaj zyrtarit për të zbuluar manipulime në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2020.

Në një bisedë para Krishtlindjes, zoti Trump dëgjohet duke folur me Frances Watson, mbikqyrës për hetimet në zyrën e Sekretarit të Shtetit të Xhorxhias.

Gjatë bisedë, ish-presidenti thotë “Unë fitova gjithçka në Xhorxhia. I fitova zgjedhjet në Xhorxhia. E di mirë, fitova me diferencë të madhe. Diçka ka ndodhur. Diçka e keqe ka ndodhur. Shpresoj se po bëni diçka, shpresoj se po analizoni që nga dy vjet më parë dhe jo thjesht tani, përndryshe do të ishte sikur të kontrollosh firmën në një çek, gjë që nuk nënkupton asgjë. Nëse në hetime analizon periudhën që dy vjet më parë në komunën Fulton, do të zbulosh gjëra të pabesueshme,” thotë zoti Trump.

Zyrtari Watson i përgjigjet ish-presidentit se Xhorxhia “është e interesuar vetëm të zbulojë të vërtetën” dhe konfirmon se ekipi i tij po zhvillon një hetim.

Presidenti Trump humbi në Xhorxhia me një diferencë prej 11,779 votash nga mbi 5 milionë vota në total. Në këtë shtet votat u numëruan tre herë, gjë që rezultoi në certifikimin dy herë të rezultatit që nxori fitues demokratin Joe Biden.

Telefonata mes ish-Presidentit Trump dhe zotit Watson ishte parathënie e telefonatës së shumë diskutuar që ndodhi disa ditë më pas mes zotit Trump dhe sekretarit të shtetit në Xhorxhia, Brad Raffensperger. Në atë bisedë, e cila u mbulua intensivisht nga shtypi në janar, ish-Presidenti Donald Trump i bën presion zotit Raffensperger t’i “gjejë” një numër të mjaftueshëm votash për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve në Xhorxhia.

SHBA, anulohen mbi 2 000 fluturime për shkak të stuhisë së borës

Në kryeqytetin e shtetit Colorado, Denver në SHBA nuk janë kryer më shumë se 2.000 fluturime për shkak të stuhisë intensive të borës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në aeroportin ndërkombëtar të Denver-it për shkak të ndikimit të stuhisë intensive të borës dje janë anuluar rreth 750 fluturime ndërsa sot rreth 1.300 fluturime të avionëve.

Departamenti i Transportit në Colorado paralajmëroi për mundësinë e mbylljes së rrugëve për shkak të borës dhe u bëri thirrje qytetarëve të “shmangin udhëtimet që nuk janë të detyrueshme”.

Biden: Pakoja e ndihmës 1.9 trilionë dollarë do të hapë vende pune për 7 milionë persona

Washington DC

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha se paketa e ndihmës ekonomike prej 1.9 trilionë dollarë kundër koronavirusit të ri (COVID-19) do të hapë vende pune për 7 milionë persona, transmeton Anadolu Agency (AA).

Biden mbajti një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë lidhur me paketën e ndihmës ekonomike për të luftuar COVID-19 me një vlerë prej 1.9 trilionë dollarë të cilën e nënshkroi dje pas miratimit në Kongres.

Paketa e ndihmës në fjalë është e rëndësishme për vendin, nënvizoi Biden i cili duke rikujtuar karrierën e tij në Kongres tha se miratimi i ligjeve të tilla është shumë i vështirë.

“Kjo paketë ekonomike do të kontaktojë drejtpërdrejt situatën emergjente në vend. Do të ndryshojë jetën e miliona njerëzve”, tha ai.

Sipas tij, edhe çeku prej 1.400 dollarë që do t’u jepet personave në kuadër të paketës së ndihmës ekonomike që nga fundi i kësaj jave. “Kjo paketë e ndihmës ekonomike do të hapë vende pune për 7 milionë persona”, tha Biden.

Paketa e ndihmës ekonomike u miratua në fundjavë në Senat

Paketa e ndihmës ekonomike prej 1.9 trilionë dollarë e cila ishte një prej pikave më të rëndësishme të rendit të ditës prej një kohe të gjatë në SHBA, u miratua në Dhomën e Përfaqësuesve më 27 shkurt.

Pas bisedimeve prej një kohe të gjatë, projektligji u miratua më 6 mars në Senat duke kaluar pa nevojën e mbështetjes së republikanëve me një rregullore ligjore të emërtuar si “dakordim” dhe e cila ishte aktivizuar më parë.

Për shkak të rregullimeve të bëra projektligji u ridërgua për miratim përfundimtar në Dhomën e Përfaqësuesve, i cili duke miratuar paketën më 10 mars e dërgoi për nënshkrim tek presidenti Biden.

Do të sigurohet ndihmë e drejtpërdrejt në para me një vlerë prej 1.400 dollarë

Në projektligjin e cilësuar si një prej paketave më të mëdha që administrata e Bidenit ka miratuar kundër efekteve ekonomike të COVID-19, krahas ndihmës së drejtpërdrejt në para ndodhen edhe rregullore për mbështetjen e qeverive të shteteve dhe ato rajonale si dhe për shpërndarjen e vaksinave.

Në kuadër të paketës së mbështetjes ekonomike, parashikohet të sigurohet një ndihmë e drejtpërdrejt në para me një vlerë prej 1.400 dollarë për personat që fitojnë më pak se 75 mijë dollarë në vit.

Me paketën zgjatet deri më 6 shtator afati i ndihmës e cila do të përfundojë më 14 mars si dhe planifikohet të sigurohet një ndihmë kundër papunësisë prej 300 dollarë në javë.

Në paketën ku për administratat e shteteve dhe ato rajonale është ndarë një buxhet prej 350 miliardë dollarë, përfshihet mbështetje financiare për testet e COVID-19, ndihmë për qira dhe shkolla.

Senatorët Schumer dhe Gillibrand, thirrje për dorëheqjen e Guvernatorit Cuomo

Marrë nga Associated Press

Duke u përballur me një izolim të pashembull politik, Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo u shfaq përsëri sfidues duke këmbëngulur të premten se nuk do të dorëhiqet pavarësisht akuzave në rritje ndaj tij për ngacmim seksual. Ai kritikoi koalicionin e gjerë të demokratëve që po kërkojnë dorëheqjen e tij duke i cilësuar si “të nxituar e të rrezikshëm”.

Në fund të ditës, guvernatori kishte humbur mbështetjen e pothuajse të gjithë delegacionit të kongresit të shtetit të tij. Goditja më e rëndë erdhi kur dy senatorët e Nju Jorkut, udhëheqësi i shumicës në senat Chuck Schumer dhe senatorja Kirsten Gillibrand bënë thirrje për dorëheqjen e tij.

“Për shkak të akuzave të shumta, të besueshme të ngacmimit seksual dhe sjelljes së papërshtatshme, është e qartë se Guvernatori Cuomo ka humbur besimin e partnerëve të tij qeverisës dhe banorëve të Nju Jorkut,” shkruanin senatorët Demokratë në një deklaratë të përbashkët.

Disa orë më herët, guvernatori demokrat prej tre mandatesh, një nga kritikët kryesorë të mënyrës se si ish-Presidenti Donald Trump trajtoi pandeminë evokoi ish-presidentin republikan për t’u mbrojtur kundër asaj që e cilësoi si “kultura e përjashtimit”.

Unë nuk do të jap dorëheqjen“, tha zoti Cuomo gjatë një telefonate pasdite me gazetarët. “Nuk i kam bërë ato që pretendohen dhe pikë“.

Ai shtoi se: “Njerëzit e dinë dallimin mes lojës politike, përkuljes përpara kulturës së përjashtimit dhe së vërtetës”, tha ai.

Komentet e guvernatorit vijnë në një ditë kur partia e tij në Nju Jork e më gjerë është kthyer ashpër kundër tij në vazhdën e akuzave për ngacmim si dhe kritikave ndaj zotit Cuomo për mos publikimin e të dhënave lidhur me numrin e saktë të banorëve që kanë humbur jetën në shtëpitë e të moshuarve në Nju Jork si pasojë e COVID-19-s.

Të premten Partia Demokrate e ashpërsoi qëndrimin ndaj Guvernatorit të Nju Jorkut Andrew Cuomo. Një koalicion i gjerë udhëheqësish të Kongresit iu bashkuan disa dhjetra ligjvënësve të shtetit të Nju Jorkut duke kërkuar dorëheqjen e guvernatorit.

Lista në rritje e kritikëve të zotit Cuomo tashmë mbulon praktikisht çdo rajon të shtetit dhe qendrat e pushtetit politik atë të qytetit të Nju Jorkut dhe kryeqytetit të vendit Uashington. Aleatët e tij këmbëngulin se ai nuk duhet të japë dorëheqjen, por ndërsa akuzat për ngacmim seksual rriten, izolimi i tij politik ka arritur nivele të pashembullta.

Më shumë sesa politika apo vlerësime të tjera të ngushta më shqetësojnë më shumë viktimat e sulmit seksual ndaj unë besoj se Guvernatori Cuomo duhet të largohet“, tha ligjvënësi demokrat i Nju Jorkut Sean Patrick Maloney.

Alexandria Ocasio-Cortez

Alexandria Ocasio-Cortez

Ligjvënësja progresiste e Nju Jorkut Alexandria Ocasio-Cortez, thotë se ajo u beson grave që kanë akuzuar guvernatorin demokrat prej tre-mandatesh.

Pas dy raportimesh për sulme seksuale, katër të tjerave për ngacmimeve, hetimit të Prokurores së Përgjithshme që zbuloi se administratorja e Guvernatorit nuk i kishtë raportuar të dhëna të sakta organit legjilativ dhe publikut, lidhur me numrin e viktimave nga COVID-19 në shtëpitë e pleqve, ne pajtohemi me rreth 55 anëtarët e organit ligjvënës të shtetit të Nju Jorkut se Guvernatori duhet të japë dorëheqjen”, shkruante në twitter zonja Ocasio-Cortez.

Zoti Cuomo thotë se ai nuk ka prekur askënd në mënyrë të papërshtatshme dhe ka shprehur keqardhjen e tij nëse ka bërë dikë të ndihet keq.

Skandali i përshkallëzuar rrezikon rizgjedhjen e zoti Cuomo në vitin 2022, në një shtet me shumicë dërrmuese demokrate, por gjithashtu kërcënon të mjegullojë fillimin e mandatit të Presidentit Joe Biden. Republikanët në të gjithë vendin po u bëjnë jehonë akuzave në rritje ndaj zotit Cuomo duke u përpjekur të heqin vëmendjen nga suksesi i zotit Biden me pandeminë e të sfidojnë avantazhin e fortë të partisë së tij me votueset gra.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki ka thënë vazhdimisht se Presidenti Biden dhe Nënpresidentja Kamala Harris mbështesin hetimin e nisur nga zyra e Prokurores së Përgjithshme të Shtetit lidhur me akuzat për ngacmim.

Ditët e fundit Guvernatori u ka bërë thirrje ligjvënësve dhe mbështetësve që të mos kërkojnë dorëheqjen e tij, por të mbështesin hetimet që po zhvillohen lidhur me akuzat e ngritura. Strategjia e tij duket se nuk po funksionon.

Asambleja e shtetit miratoi të enjten nisjen e hetimit, një proces që mund të çojë në shkarkimin zotit Cuomo.

Së bashku me një pretendim se guvernatori ka ngacmuar vitin e kaluar një ndihmëse të tij në rezidencës e tij në pronësi të shtetit të Nju Jorkut, zoti Cuomo përballet me akuza për komente me natyrë seksuale ndaj grave. Pjesa më e madhe e akuzueseve janë ish-ndihmëse të tij. Një prej këtyre të fundit tha se ai e kishte pyetur nëse do të kryente ndonjëherë marrëdhënie seksuale me një burrë shumë më të madh se ajo në moshë. Dhe një tjetër ndihmëse pretendon se guvernatori e ka puthur një herë pa pëlqimin e saj dhe tha se ndihmës të tjerë të tij e kishin denigruar publikisht, pasi ajo e kishte akuzuar zotin Cuomo për ngacmim seksual.

Gjatë javëve të kaluara, thirrjet për shkarkim ose dorëheqjen e guvernatorit kanë ardhur edhe nga republikanë apo demokratë me prirje të majta në qytetin e Nju Jorkut. Por ditët e fundit numri është shtuar.

Një shumicë e ligjvënësve të shtetit dhe më shumë se gjysma e anëtarëve demokrat të organit legjilativ të Nju Jorkut po bëjnë tashmë thirrje që ai të largohet.

Të premten ligjvënësit Jerry Nadler, Ocasio-Cortez, Jamaal Bowman, Mondaire Jones, Nydia Velazquez, Adriano Espaillat, Carolyn Maloney, Grace Meng, Antonio Delgado, Brian Higgins dhe Yvette Clarke kërkuan dorëheqjen e zotit Cuomo, duke iu bashkuar ligjvënëses Kathleen Rice, e cila kishte kërkuar më parë dorëheqjen e tij.

Republikanë të organit legjilativ të Nju Jorkut kanë kërkuar gjithashtu dorëheqjen e zotit Cuomo, mes tyre Nicole Malliotakis, Elise Stefanik, Claudia Tenney dhe Lee Zeldin.

Ligjvënësi Jerry Nadler tha se zoti Cuomo e ka humbur besimin e njujorkezëve.

Akuzat e përsëritura kundër guvernatorit dhe mënyra në të cilën ai u është përgjigjur atyre, e kanë bërë të pamundur në këtë pikë që ai të vazhdojë të drejtojë shtetin“, tha zoti Nadler.

Demokratët e Nju Jorkut gjithashtu vunë në dukje kritikat e ngritura ndaj zotit Cuomo lidhur me mbajtjen sekret prej muajsh të numrit të banorëve në shtëpitë e të moshuarave që kanë humbur jetën nga COVID-19. Guvernatori ka thënë se administrata e tij duhej të verifikonte fillimisht numrin e vdekjeve në spitale të atyre personave që jetonin në azile përpara se të dilte me shifra të sakta, por kritikët kanë ngritur pikëpyetje se pse një gjë e tillë nuk ka penguar lëshimin e të dhënave nga ana e shteteve të tjera.

Zëdhënësit e senatorëve demokrate të Nju Jorkut, Chuck Schumer dhe Kirsten Gillibrand, nuk i janë përgjigjur ende kërkesa të premten për komente.

Guvernatori 63-vjeçar pritet të konkurojë për një mandat të katërt vitin e ardhshëm. Nju Jorku nuk ka kufizime për sa i takon numrit të mandateve.

Zoti Cuomo është përballur gjithnjë e më shumë me kritika se ai shpesh ka përdorur në mënyrë agresive fuqinë e tij për të forcuar imazhin dhe jo për interesa të njujorkezëve.

Në një raport të publikuar në janar nga zyra e prokurorit të përgjithshëm të shtetit thuhej se administrata e zotit Cuomo nuk kishte bërë publike me mijëra vdekje si pasojë e COVID-it mes banorëve në shtëpitë e të moshuarave. Një anëtar demokrat i asamblesë së Nju Jorkut e ka akuzuar guvernatorin se e kishte kërcënuar pasi kishte folur hapur kundër tij.

Gjatë ditëve të fundit, përfaqësues të demokratëve të Nju Jork me qasje të moderuar kanë ngritur shqetësime në lidhje me akuzat e ngritura ndaj zotit Cuomo, i cili prej kohësh ka gëzuar mbështetjen e votuesve në periferi e qendër të shtetit. Të premten një grup prej pesë demokratësh të moderuar nga ishulli i Long Island-it të shtetit të Nju Jorkut, i bënë thirrje zotit Cuomo të largohet, derisa të përfundojë hetimi i Prokurores së Përgjithshme.

Ligjvënësit e Long Island-it thanë se pretendimet “janë tejet shqetësuese dhe përshkruajnë një model shqetësues të sjelljes që përfshin potencialisht një shkelje penale, siç thanë ata. VOA

Mineapolisi 27 milionë dollarë dëmshpërblim familjes Floyd

Motrat e George Floyd-it, Zsa Zsa Floyd dhe LaTonya Floyd, përqafohen gjatë funeralit të vëllait të tyre në kishën “The Fountain of Praise”, në Hjuston, 9 qershor 2020.

Marrë nga Associated Press

Qyteti Mineapolis pranoi të premten të paguajë 27 milionë dollarë për të përmbyllur një proces gjyqësor civil të çelur nga familja e George Floyd-it mbi vdekjen e tij ndërsa mbahej nga policia, edhe pse ndërkohë përzgjedhja e jurisë vazhdonte për gjyqin e ish-oficerit të policisë të akuzuar për vrasje.

Këshilli Bashkiak i Mineapolisit doli nga një seancë e mbyllur për të njoftuar shifrën rekord, e cila përfshin 500,000 dollarë për lagjen ku zoti Floyd u arrestua.

Avokati i familjes Floyd, Ben Crump, në një deklaratë të përgatitur, tha se ishte marrëveshja paraprake më e madhe ndonjëherë për një çështje të të drejtave civile dhe se “dërgon një mesazh të fuqishëm se jeta e afrikano-amerikanëve ka rëndësi dhe brutaliteti i policisë kundër njerëzve me ngjyrë duhet të marrë fund”.

George Floyd, i cili ishte afrikano-amerikan, u shpall i vdekur më 25 maj pasi Derek Chauvin, një ish-oficer policie i bardhë, i vendosi gjurin në qafë për rreth nëntë minuta. Vdekja e zotit Floyd shkaktoi disa herë protesta të dhunshme në Minneapolis dhe më gjerë dhe solli një reflektim kombëtar për drejtësinë racore.

“Shpresoj që dita e sotme të përqendrohet tek zërat e familjes dhe gjithçka që ata do të dëshironin të ndanin”, tha Kryetarja e Këshillit Lisa Bender. “Por unë dua që, në emër të të gjithë Këshillit Bashkiak, t’i shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes së George Floyd-it, miqve të tij dhe të gjithë komunitetit tonë që po vajtojnë për humbjen e tij”.

Familja e zotit Floyd ngriti padinë federale për të drejtat civile në korrik kundër qytetit, oficerit Chauvin dhe tre oficerëve të tjerë të pushuar nga puna të akuzuar për vdekjen e tij. Ajo pretendonte se oficerët shkelën të drejtat e zotit Floyd kur e ndaluan dhe se qyteti lejoi që një kulturë e forcës së tepruar, racizmit dhe mosndëshkimit të lulëzonte në forcën e tij policore.

Në vitin 2019, qyteti Minneapolis pranoi të paguante 20 milionë dollarë familjes së Justine Ruszczyk Damond, një grua e paarmatosur e cila u qëllua nga një oficer policie pasi ajo i telefonoi numrit të urgjencës për të raportuar se po dëgjonte kryerjen e një krimi të mundshëm që po ndodhte pas shtëpisë së saj.

Padia federale kërkonte dëmshpërblim të papërcaktuar dhe të veçantë në një shumë që do të përcaktohej nga një juri. Ajo gjithashtu kërkonte që të emërohej një zyrtar për t’u siguruar që qyteti të trajnojë dhe mbikëqyrë siç duhet oficerët në të ardhmen.

Ndërkohë, një anëtare tjetër e mundshme e jurisë u shkarkua të premten pasi ajo pranoi se kishte pikëpamje negative për të pandehurin.

Gruaja, e sapodiplomuar nga kolegji, tha se kishte parë videon e filmuar nga një kalimtar të arrestimit të zotit Floyd dhe kishte lexuar nga afër mbulimin e lajmeve për këtë çështje. Në përgjigje të një pyetësori për jurinë, ajo tha se ajo kishte një perceptim “disi negativ” për oficerin Chauvin dhe se ajo mendon se ai e mbajti shumë gjatë gjurin e tij në qafën e zotit Floyd.

“Munda të shikoj vetëm një pjesë të videos, dhe nga ajo që pashë, si njeri, mua kjo nuk më dha përshtypje të mirë”, tha ajo. Ajo tha se nuk e shikoi videon e kalimtarit të plotë sepse “unë thjesht nuk mundesha ta shikoja më”.

Gruaja në mënyrë të përsëritur tha se mund të linte mënjanë mendimet e saj dhe të vendoste për çështjen bazuar tek faktet, por avokati i oficerit Chauvin, Eric Nelson megjithatë përdori një nga 15 autorizimet që i jep ligji për të përjashtuar anëtarë të jurisë.

Me zgjedhjen e jurisë në ditën e katërt, gjashtë vetë janë përzgjedhur tashmë – pesë burra dhe një grua. Tre janë të bardhë, një është multi-racial, një është hispanik dhe një është afrikano-amerikan, sipas Gjykatësit të Qarkut Hennepin, Peter Cahill.

Gjykatësi Peter Cahill duke folur gjatë seancave paraprake

Gjykatësi Peter Cahill duke folur gjatë seancave paraprake

Gjykatësi Cahill ka caktuar tre javë për seleksionimin e jurisë, dhe deklaratat hapëse do të mbahen jo më shpejt se 29 marsi.

Shkarkimi i shpejtë i së premtes i ngjasonte shkarkimeve pararendëse në këtë çështje, për arsye të ngjashme. Të enjten, një grua u shkarkua pasi tha se “nuk mundej ta shikonte videon” ku oficeri Chauvin mban të mbërthyer në tokë zotin Floyd.

Avokati Nelson e pyeti në mënyrë të përsëritur gruan nëse ajo do të mund të ishte e drejtë pavarësisht nga opinionet e saj të forta.

“Duke parë në zemrën tuaj dhe duke parë në mendjen tuaj a mund të na siguroni se mund t’i lini mënjanë të gjitha ato, të gjitha ato, dhe të përqendroheni vetëm në provat që paraqiten në këtë sallë gjyqi?” – pyeti avokati Nelson.

“Unë mund t’ju siguroj. Por ashtu siç ju përmendët më parë, videoja do të jetë një pjesë e madhe e provave dhe nuk kam asnjë ndryshim mendimi për këtë”, u përgjigj ajo.

Identitetet e anëtarëve të mundshëm të jurisë po mbrohen dhe ato nuk tregohen në videon e transmetuar drejtpërdrejtë nga zhvillimi i procedurave.

Oficeri Chauvin dhe tre oficerë të tjerë u pushuan nga puna. Të tjerët përballen me një gjyq në gusht me akuzën se ndihmuan dhe inkurajuan autorin. Mbrojtja nuk ka thënë nëse zoti Chauvin do të dëshmojë për të mbrojtur veten. VOA

Presidenti Biden parashtron fazat e mëtejshme të luftës kundër COVID-19

Marrë nga Reuters

Presidenti Joe Biden shënoi një vit që kur pandemia e koronavirusit filloi të përhapej në Shtetet e Bashkuara, me fjalimin e tij të parë televiziv të enjten në mbrëmje, duke përkujtuar humbjen e më shumë se gjysmë milioni jetësh dhe ofruar shpresë për ditë më të mira përpara.

“Një vit më parë, ne u goditëm nga një virus që u prit pa përgjigje dhe u përhap në mënyrë të pakontrolluar. Për ditë, javë dhe muaj, refuzimi për ta pranuar këtë fakt rezultoi në më shumë vdekje, më shumë infeksione, më shumë stres dhe më shumë vetmi”, tha Presidenti Biden.

Ai tha se do të udhëzojë shtetet që deri më 1 maj të gjithë të rriturit të kenë të drejtën të vaksinohen për koronavirusin dhe u bëri thirrje amerikanëve të mbeten vigjilentë ndaj virusit, disa orë pasi nënshkroi një ligj për paketën stimuluese prej 1.9 trilionë dollarësh.

Zoti Biden foli me forcë për ndikimin e zymtë që pati virusi dhe tha se po punonte për të shpejtuar vaksinimet ndaj COVID-19 për të krijuar një ndjenjë më të madhe normaliteti në vend deri në Ditën e Pavarësisë amerikane më 4 korrik.

Kjo datë është një pikësynim i ri për presidentin, i cili ka paralajmëruar amerikanët se virusi do të vazhdojë të shkaktojë dhimbje dhe vdekje të mëtejshme. Mbi 530,000 njerëz kanë vdekur nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara, shifra më e lartë mes të gjiha vendeve. Bllokimet dhe kufizimet e lidhura me koronavirusin kanë shkaktuar humbjen e miliona vendesh pune.

“Gjetja e dritës në mes të errësirës është një karakteristikë tipike e amerikanëve. Në fakt, mund të jetë më tipikja”, tha ai.

Ndërsa një numër në rritje njerëzish që po vaksinohen përfitojnë nga paketa financiare, presidenti Biden shprehu optimizëm të përmbajtur në një vend që ashtu si pjesa tjetër e botës, është lodhur nga kufizimet pandemike dhe pasojat ekonomike.

Biden tha se po urdhëronte shtetet dhe territoret amerikane që të hapnin vaksinimet për të gjitha grupet e të rriturve të popullatës deri më 1 maj. Shtëpia e Bardhë ka thënë se do të ketë furnizim të mjaftueshëm me vaksina për të imunizuar popullatën deri në fund të majit. Rreth 10% e amerikanëve janë vaksinuar plotësisht deri tani.

Presidenti njoftoi gjithashtu një shtesë prej 4,000 trupash amerikane që do të ndihmojë në përpjekjet e vaksinimit, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 6,000 dhe tha se familjet dhe miqtë duhet të jenë në gjendje të mblidhen përsëri në grupe të vogla deri më 4 korrik, një festë që shumë amerikanë e shënojnë me piknike, ushqime dhe fishekzjarre.

Shtëpia e Bardhë po kërkon gjithashtu ta zgjerojë grupin e njerëzve në gjendje të administrojnë vaksina, duke përfshirë dentistë, optometristë, paramedikë, veterinerë dhe studentë të mjekësisë.

Presidenti Biden bëri fushatë vitin e kaluar me premtimin se do ta menaxhonte pandeminë në mënyrë më efektive sesa presidenti republikan Donald Trump dhe ka synuar ta bëjë sjelljen e tij model, duke inkurajuar masa si mbajtja e maskave, diçka që zoti Trump e kiste shmangur.

Ai inkurajoi amerikanët që të vazhdonojnë me masat për frenimin e pandemisë – duke mbajtur maska, duke ruajtur distancën fizike dhe duke praktikuar një higjienë të mirë – për të ndaluar përhapjen e tij ndërsa ritmi i vaksinimeve rritet. Një numër shtetesh kanë lehtësuar kufizimet.

“Ne u përballëm dhe kapërcyem një nga periudhat më të vështira dhe të zymta në historinë e këtij vendi, më e errëta që kemi njohur. Ju premtoj që do të dalim prej saj më të fortë”, tha ai.

Fjalimi i zotit Biden në Shtëpinë e Bardhë po vjen 50 ditë pasi ai mori detyrën dhe pothuajse saktësisht një vit pasi pjesa më e madhe e ekonomisë amerikane pasi koronavirusi u përhap shtet pas shteti në një vend që ishte i papërgatitur për krizën më të madhe shëndetësore që nga epidemia e gripit të vitit 1918 .

Një shans për rimëkëmbje

Më herët të enjten, Presidenti Joe Biden nënshkroi duke e kthyer në ligj paketën stimuluese prej 1.9 trilionë dollarësh, një masë që synon të lehtësojë amerikanët e të forcojë ekonominë, në praninë e nënpresidentes Kamala Harris.

Paketa mori të mërkurën miratimin përfundimtar të Kongresit, duke i dhënë presidentit demokrat një fitore të madhe në këto muaj të parë të mandatit të tij. Zoti Biden dhe anëtarë të lartë të administratës së tij do të bëjnë një turne në shtete të ndryshme për të folur për meritat e legjislacionit dhe për ta shpjeguar atë.

“Ky ligj historik ka të bëjë me rindërtimin e shtyllës kurrizore të këtij vendi dhe synon t’u japë njerëzve të këtij vendi, – njerëzve që punojnë dhe njerëzve të klasës së mesme, njerëzve që ndërtuan vendin – një shans për të luftuar“, tha zoti Biden para nënshkrimit.

Paketa siguron 400 miliardë dollarë të cilat do të jepen në formë pagesash direkte prej 1400 dollarësh për shumicën e amerikanëve, 350 miliardë dollarë ndihmë për shtetet dhe qeveritë lokale, një zgjerim të pagesës për fëmijët dhe rritje të fondeve për shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19-s.

Projekt-ligji u miratua pa një votë të vetme nga republikanët, të cilët ishin ankuas se kostoja e saj ishte shumë e lartë.

Masat për izolimin filluan nën administratën e zotit Trump, i cili e minimizoi krizën në fazat e saj të hershme ndërsa bëri shpesh parashikimin se virusi do të zhdukej së shpejti, megjithëse administrata e tij bëri përpjekje për të përshpejtuar zhvillimin e vaksinave.

Ish- presidenti dhe gruaja e tij, Melania Trump, nuk u shfaqën në mesazh televiziv publik të enjten ku të gjithë ish-presidentët amerikanë që jetojnë dhe bashkëshortet e tyre, inkurajuan amerikanët të bënin vaksinat COVID-19.

Presidenti Biden nënshkroi paketën stimuluese prej 1.9 trilionë dollarësh

Presidenti Joe Biden nënshkruan “Planin Amerikan të Shpëtimit”, ndërsa në krah qëndron Nënpresidentja Kamala Harris (Zyra Ovale, 11 mars 2021)

Presidenti Joe Biden nënshkroi të enjten në ligj paketën stimuluese prej 1.9 trilionë dollarësh, duke përkujtuar një vjetorin e vendosjes së masave të ndalim qarkullimit në Shtetet e Bashkuara mbi pandeminë e koronavirusit, me një masë që synon të lehtësojë amerikanët e të forcojë ekonominë.

Paketa mori të mërkurën miratimin përfundimtar të Kongresit, duke i dhënë presidentit demokrat një fitore të madhe në këto muaj të parë të mandatit të tij.

“Ky ligj historik ka të bëjë me rindërtimin e shtyllës kurrizore të këtij vendi”, tha zoti Biden para nënshkrimit.

Zoti Biden e nënshkroi ligjin përpara një fjalimi të enjten në mbrëmje që përkon me përvjetorin e vendosjes së masave bllokuese në vend lidhur me pandeminë. Ai pritet të nxisë amerikanët të rrisin vigjilencën e të ofrojë shpresë, ndërsa numri i personave të vaksinuar në të gjithë vendin po rritet.

Nënshkrimi i paketës ligjore nga zoti Biden, i quajtur Plani Amerikan i Shpëtimit, ishte planifikuar fillimisht për të premten, por shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë Ron Klain tha se kjo ndryshoi me mbërritjen e ligjit në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën.

“Ne duam të lëvizim sa më shpejt të jetë e mundur”, shkruante zoti Klain në një postim Twitter.

Paketa siguron 400 miliardë dollarë të cilat do të jepen në formë pagesash direkte prej 1400 dollarësh për shumicën e amerikanëve, 350 miliardë dollarë ndihmë për shtetet dhe qeveritë lokale, një zgjerim të pagesës për fëmijët dhe rritje të fondeve për shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19-s.

50 ditët e para të Presidentit Biden

Marrë nga Associated Press

Presidenti Joe Biden parashtroi një plan ambicioz pune për 100 ditët e tij të para në detyrë, duke premtuar veprim të shpejtë për gjithçka, që nga ndryshimi i klimës, reforma e emigracionit e deri tek pandemia e koronavirusit.

Në ditën e tij të 50-të në detyrë (të mërkurën), administrata e tij arriti një moment të rëndësishëm: miratimin përfundimtar në Kongres të paketës së tij masive të ndihmës ekonomike prej 1.9 trilionë dollarësh për koronavirusin. Projekt-ligji përfshin pagesa të drejtpërdrejta për miliona amerikanë dhe fonde për të ndihmuar Shtëpinë e Bardhë të realizojë një numër premtimesh të bëra gjatë fushatës së presidentit Biden, si rihapja e shkollave dhe vaksinimi i më shumë amerikanëve.

Në pesëdhjetë ditët e para në detyrë, presidenti Biden ka bërë përparime të mëdha për një numër premtimesh ndërsa mbetet ende punë për të përmbushur premtime të tjera që kërkojnë veprim. Ja disa nga arritjet në premtimet e tij kryesore:

PREMTIMET E PËRMBUSHURA

Presidenti Biden i dha përparësi zgjidhjes së problemit të pandemisë së koronavirusit gjatë javëve të tij të para në detyrë dhe fokusi në këtë çështje ka sjellë rezultate. Ai pritet ta realizojë synimin e tij për të bërë 100 milionë doza vaksine në 100 ditët e tij të para qysh në fund të javës së ardhshme. Shkalla e vaksinimeve tani është mesatarisht më shumë se 2 milionë vaksina në ditë. Janë bërë më shumë se 75 milionë doza që prej inaugurimit të zotit Biden.

Joe Biden ndërmori gjithashtu disa veprime të hershme duke përmbushur premtimet e bëra për politikat ndaj klimës. Ditën e Inaugurimit ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv që pezullonte lejen për ndërtimin e naftësjellësit Keystone XL, ndaloi shpimet në Zonën Kombëtare Natyrore në Rrethin e Arktikut dhe urdhëroi rishikimin e rregullave të periudhës së Trumpit për mjedisin, shëndetin publik dhe shkencën. Një urdhër ekzekutiv i 27 janarit ndaloi kontratat e reja të shpimit për naftë dhe gaz në tokat federale dhe në det të hapur.

Presidenti Biden gjithashtu realizoi me lehtësi premtimet kryesore të bëra në fushatë për anulimin e politikave të ish-administratës Trump në pothuajse çdo fushë, që nga ndryshimi i klimës e deri tek imigracioni. Së pari, administrata Biden e ktheu vendin në Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Marrëveshjen e Parisit për Klimën, ndaloi ndërtimin e murit kufitar, u dha fund kufizimeve të udhëtimit për njerëzit nga një numër vendesh me shumicë myslimane dhe krijoi një grup pune për të bashkuar familjet e ndara në kufirin SHBA-Meksikë.

Në lidhje me imigracionin, presidenti Biden u zotua për një projekt-ligj reformash bashkëkohore në Kongres brenda 100 ditëve të tij të para dhe ai u parashtrua muajin e kaluar, megjithëse presidenti Biden ka sinjalizuar se është i hapur për një qasje më të tërthortë nëse është e nevojshme. Presidenti Biden nënshkroi gjithashtu një urdhër ekzekutiv që udhëzon Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare për të “ruajtur dhe forcuar” mbrojtjen e emigrantëve të rinj të sjellë në Shtetet e Bashkuara nga prindërit e tyre.

Joe Biden bëri gjithashtu disa lëvizje të për të përmbushur premtimin e tij për të forcuar standardet e etikës në administrate, duke përfshirë një urdhër ekzekutiv të 20 janarit që imponon një premtim etik mbi të emëruarit qeveritarë për aktivitete të tilla si lobimi dhe marrja e dhuratave, e që përfshin edhe ndalimin e ndërhyrjeve politike në Departamentin e Drejtësisë .

NË PROCES

Premtimet e tjera të zotit Biden mbeten një punë në vazhdim.

Strategjia kombëtare e presidentit Biden për COVID-19 parashikonte krijimin e 100 qendrave të reja të vaksinimit deri në fund të shkurtit, të mbështetura nga qeveria federale në të gjithë vendin. Deri tani, administrata ka krijuar rreth 20 vende për vaksinime masive të drejtuara nga qeveria federale dhe e plotësuar me trupa ushtarake në detyrë të dislokuara nga Pentagoni. Administrata thotë se në total, të paktën 441 qendra vaksinimi mbështeten tani nga qeveria federale. Shumë prej tyre nuk janë qendra të reja, por pothuajse të gjitha kanë zgjeruar kapacitetin me burimet federale shtesë.

Në lidhje me imigracionin, zoti Biden u zotua të kthejë rregullin e “akuzës publike” të vendosur nga administrata Trump për të dekurajuar emigrantët nga përdorimi i përfitimeve publike, të thjeshtojë procesin e natyralizimit dhe të reformojë sistemin e azilit në SHBA brenda 100 ditëve të tij të para. Një urdhër ekzekutiv që ai nënshkroi në fillim të shkurtit udhëzon agjencitë përkatëse të rishikojnë këto politika dhe të rekomandojnë ndryshime brenda 60 ditësh.

Administrata ka ndërmarrë disa veprime për të reformuar sistemin e azilit, duke përfshirë një lëvizje nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare për të pezulluar një program të administratës Trump që kërkonte që azilkërkuesit të presnin në Meksikë ndërsa pretendimet e tyre merreshin në shqyrtim. Por presidenti Biden ende nuk ka artikuluar një plan për të menaxhuar fluksin e azilkërkuesve, përtej propozimit që të shpenzohen miliarda dollarë për të adresuar shkaqet themelore të këtij problemi në Amerikën Qendrore.

Presidenti ka mbajtur gjithashtu urdhëra të lidhura me pandeminë që lejojnë administratën e tij të dëbojë menjëherë njerëzit në kufi pa patur një mundësi për të kërkuar azil. Ndihmësit e presidentit Biden kanë thënë se nuk kanë plane të menjëhershme për t’i dhënë fund këtij autoriteti, të cilin ish presidenti Trump e futi në fuqi një vit më parë duke përdorur një ligj të paqartë të vitit 1944 për shëndetin publik.

Presidenti Biden premtoi gjithashtu t’i japë fund ndalimit afatgjatë të familjeve migrante. Agjencia e Imigracionit dhe Doganave sinjalizoi javën e kaluar se planifikon të ndërpresë përdorimin e një strukture të tillë, por do të vazhdojë të mbajë familjet për tre ditë ose më pak në dy objekte të tjera në Teksas. Administrata Biden po zgjeron kapacitetin në një numër objektesh që mbajnë fëmijët emigrantë, për të adresuar një rritje të vazhdueshme të të miturve të pashoqëruar që kalojnë kufirin.

Në lidhje me ndryshimin e klimës, zoti Biden u zotua të vendosë angazhime të zbatueshme nga vendet e tjera për të zvogëluar emetimet në transportin global dhe aviacion dhe të organizojë një samit botëror të klimës për të diskutuar premtime të reja dhe më ambicioze për të adresuar ndryshimet klimatike, brenda 100 ditëve të tij të para. SHBA do të zhvillojë një samit të tillë më 22 prill, që është edhe Dita e Tokës.

Rihapja e shkollave është një nga premtimet kryesore të fushatës së zotit Biden që ka provuar të jetë më e vështirë për t’u zbatuar, pjesërisht pasi vendimi u është lënë zyrtarëve lokalë dhe sindikatave të mësuesve.

Këtë muaj presidenti Biden udhëzoi shtetet t’u japin përparësi mësuesve të vaksinohen dhe njoftoi se po caktonte burime federale për vaksinimin e mësuesve në mars.

Administrata Biden shpreson që me miratimin e projekt-ligjit të ndihmës ekonomike për koronavirusin dhe shpërndarjen e miliona dollarëve për shkollat për të përmirësuar masat e sigurisë, mësuesit do të ndihen më të sigurtë për t’u kthyer në klasa.

Rreth 47% e nxënësve deri në klasën e 12-të kanë qasje fizike në shkolla çdo ditë.

PRITJA PËR VEPRIM

Administrata Biden ende nuk ka ndërmarrë veprime të rëndësishme mbi reformën në drejtësinë penale, përveç një urdhri ekzekutiv që përfundon kontratat e burgjeve private. Zoti Biden u zotua të krijojë një bord mbikqyrës policie brenda 100 ditëve të tij të para, por deri tani nuk ka pasur lëvizje të qartë në atë drejtim.

Premtime të tjera për 100-ditët e para që gjithashtu presin veprim: krijimi i një grupi pune në nivel kabinetit për t’u përqendruar në promovimin e pjesëmarrjes së sindikatës dhe një rishikim të FBI-së për çështjen e kontrollit të biografisë për blerjen e armëve.

Disa nga premtimet e zotit Biden për 100 ditët e para do të kërkojnë veprime në Kongres, si premtimi i tij për të riautorizuar Aktin e Dhunës Kundër Grave dhe për të rritur taksat ndaj korporatave. Zoti Biden premtoi gjithashtu të miratohet Akti i Barazisë, i cili ndalon diskriminimin në bazë të seksit, orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Ky projektligj është miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve por jo në Senat.

Disa nga premtimet e tij presin konfirmimin nga Senati të sekretarëve të Kabinetit të tij.


Send this to a friend