Shteti i Serbisë i detyrohet pensionistëve kontribues të Kosovës një shumë borxhi total që kap shifrën e 2 miliardë e 800 milion euro.
Serbia po ashtu nuk është duke respektuar marrëveshjet e arritura gjatë dialogut në Bruksel, gjë e cila gjithashtu po i shkakton humbje Kosovës. Kështu u tha sot në prezantimin e studimeve rreth fazës finale të dialogut Kosovë -Serbi nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (Ridea), e cila me këtë rast ka dalë edhe me rekomandime për çështjen e kthimit të fondit të sigurimeve pensionale dhe invalidore nga ana e shtetit serb.
Mrika Kotorri nga ky institut tha se shuma e borxhit që Serbia ka ndaj pensionistëve kontribut-dhënës të Kosovës nuk përfshin interesin statusor, borxhin për periudhën 2017-2018, borxhin ndaj pensionistëve kontribut-dhënës që kanë jetuar në zonat e luftës gjatë 1998 dhe borxhin ndaj atyre që kanë paguar kontribute të detyrueshme për 15 vjet.
Kotorri deklaroi: “Serbia i detyrohet Kosovës 2.8 miliardë euro për fondet pensionale. Kemi totalin e borxhit 2.8 miliardë euro në tërësi, mirëpo duhet cekur që në këtë shifër nuk përfshihet instituti statusor, borxhi për periudhën 2017-2018, borxhi ndaj pensionistëve kontribut-pagues që kanë jetuar në zonat e luftës gjatë 1998 dhe borxhin ndaj atyre që kanë paguar kontribute të detyrueshme për 15 vjet në BVISIPI dhe të ish-KSAK”.
Disa nga rekomandimet për çështjen e fondit të sigurimeve pensionale dhe invalidor, të cilat dolën nga ky studim janë, që Serbia duhet ta pranojë se e drejta në pension është e drejtë themelore e fituar në bazë të punës, që ta pranojë përgjegjësinë për dëmin në para dhe dëmin jo pasuror, që zyrtarisht ta pranojë detyrimin e saj politik dhe moral për kompensimin e pensionistët kontribut-pagues dhe që qeveria e Kosovës të shfrytëzojë të gjitha dokumentet relevante dhe të duhura për të zhvilluar argumentet e saj gjatë negocimit në emër të qytetarëve.
Studimi tjetër i RIDEA kishte të bënte me sektorin e energjisë, ku u tha se Serbia nuk po i respekton marrëveshjet e arritura gjatë dialogut, gjë e cila po i shkakton humbje financiare Kosovës. Besnik Krasniqi tha se dëmi total që rrjedh nga veprimet dhe jo veprimet e EMS që i ngarkohet Serbisë arrijnë shumën prej 432 milionë euro. Ai tha se ky borxh përbehet nga tri komponentë.
Krasniqi u shpreh: Ky borxh përbëhet nga 3 komponentë. Kur është fjala te vlerësimi i humbjeve monetare dhe të hyrave monetare, humbjet ekzistuese që përveç kanë ndodhur janë disa humbje që Kosova nuk i realizon për shkak të pengesave që krijohen për shfrytëzimin e interkoneksionit më Shqipërinë, nën 1 e kemi mos kompensimin për alokimin e kapacitetit në tri linjat e interkoneksionit që kapin vlerën prej rreth 225 milionë euro për periudhën 2004-2009, mos pagesat e faturave të energjisë në pjesën veriore të Kosovës që arrijnë vlerën prej 204 milionë euro dhe të hyrat e humbura që rrjedhin nga mos shfrytëzimi i linjës së transmisionit me Shqipërinë që kapin vlerën prej rreth 3 milionë euro për periudhën 2016-2019”./TCh

