VOAL

VOAL

Mali i Zi refuzon propozimin për “mini Shengenin” e Ballkanit

November 12, 2019
blank

Komentet

blank

Sheshel ftohet që të dëshmojë në Hagë

RFE/RL

Lideri i partisë djathtiste në Serbi, Partisë Radikale Serbe, Vojsllav Sheshel, është thirrur që të dëshmojë para Mekanizmit Ndërkombëtar për Gjykatat Penale, që është pasues i Tribunalit të Hagës.

Sheshel konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se seanca dëgjimore është caktuar që të mbahet më 1 korrik.

Ai po ashtu tha se me shumë gjasa do t’i përgjigjet kësaj ftese.

Ftesën për marrje në pyetje e ka konfirmuar përmes një postimi në Twitter edhe ish-zyrtari i lartë i partisë së Sheshelit, Nemanja Sharoviq. Ai tha se nuk dëshiron që ta pranojë ftesën e këtij mekanizmi, sepse siç tha, nuk ishte shkruar në cirilik.

Sheshel tha për Radion Evropa e Lirë se ftesë e ngjashme u është dërguar edhe Lilana Mihajlloviqit, Ognjen Mihajlloviqit, Mirolub Ignjatoviqit, Marina Ristiqit dhe Marina Ragusit. Që të gjithë këta janë anëtarë ose ish-anëtarë të Partisë Radikale Serbe.

Ftesa për dëshmi ka të bëjë me “shkeljet e pretenduara të rregullave të Tribunalit të Hagës sa i përket mbrojtjes së identitetit të dëshmitarëve të mbrojtur dhe dokumenteve konfidenciale”, tha Sheshel gjatë një bisede telefonike me Radion Evropa e Lirë.

“I kam publikuar që të gjitha në librat e mi, mbi 50 libra. Do të publikoj të gjitha materialet e Tribunalit të Hagës nga rasti im, sepse rasti im ka përfunduar dhe ata nuk mund t’i mbajnë sekrete për 100 vjet këto informacione”, tha Sheshel.

Ai shtoi se nuk ka rrezikuar jetën e dëshmitarëve, por tha se do të vazhdojë të nxjerrë këto materiale.

Nga Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale dhe Zyra e Prokurorit të Serbisë për Krime Lufte ende nuk kanë komentuar.

Vojsllav Sheshel më 2018 ishte dënuar me 10 vjet burgim nga Tribunali i Hagës për nxitje të persekutimit, dëbimit, zhvendosjes, zhvendosjes me forcë të kroatëve në fshatin Hërtkovci më 1992.

Më 6 maj 1992, Sheshel mbajti një fjalim në këtë vend, që sipas Mekanizmit Ndërkombëtar për Gjykatat Penale tha se ka kontribuar në persekutimin, dëbimin dhe veprime jonjerëzore.

Sheshel u la i lirë në Serbi për shkak se vuajti dënimit gjatë paraburgimit nga viti 2003 deri më 2014.

Ndryshe, Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale për vite me radhë i ka kërkuar Serbisë që të ekstradojë anëtarët e partisë së Sheshelit, Petar Jojiq dhe Vjerica Radeta, të cilët akuzohen për frikësim, kërcënim dhe ofrim të ryshfetit për dëshmitarët në rastin gjyqësor kundër Sheshelit.

Serbia ende refuzon që të ekstradojë ata, duke argumentuar se sipas një vendimi të Gjykatës së Lartë të Beogradit, nuk janë plotësuar kushtet për ekstradimin e këtyre personave. Kjo gjykatë, më 2016, tha se nuk ka baza ligjore për arrestimin dhe ekstradimin e anëtarëve të Partisë Radikale Serbe, sepse ligji vendor për bashkëpunim me gjykatën e Hagës parashikon se vetëm personat e akuzuar për krime lufte mund të ekstradohen dhe jo ata që akuzohen për minim të gjykatës.

blank

Alarmet e rreme për bomba në rajon – Çka dihet deri tash?

Policia e Kosovës pranë Rektoratit të UP-së, 17 maj 2022.

Doruntina Baliu

Kosova u bë vendi i fundit në Ballkan ku u alarmua për mjete shpërthyese në institucione, pas një varg kërcënimesh në të paktën katër vende të tjera të rajonit në muajt e fundit.

Ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë e shohin këtë situatë si përpjekje për destabilizim të rajonit duke ndikuar edhe në konsumimin e panevojshëm të resurseve policore në këto vende.

Kërcënime të ndryshme për mjete shpërthyese deri tani ka pasur në Mal të Zi, Serbi, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.

Më 17 dhe 18 maj, në Kosovë u raportua se ka pasur alarm për mjete shpërthyese në ndërtesën e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës dhe në shkollën e mesme “Xhevdet Doda” në kryeqytet.

Informacioni për mjet shpërthyes në Rektorat ishte pranuar drejtpërdrejt në adresën elektronike të këtij institucioni, ndërsa informacioni për mjet shpërthyes në shkollën “Xhevdet Doda” i kishte ardhur Policisë, e cila i evakuoi menjëherë nxënësit.

Të dy alarmet rezultuan të rreme.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë duke zhvilluar hetime për të dyja rastet, por deri tani nuk është bërë ndonjë arrestim. Policia, gjithashtu, nuk ka bërë të ditur nëse kanë arritur t’i identifikojnë adresat prej nga kanë ardhur këto kërcënime.

Dukagjin Pupovci, zëvendësministër i Arsimit në Kosovë, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, tha se “nuk ka arsye për shqetësim”, pas raportimeve për bomba në institucionet e arsimit.

“Forcat e rendit po marrin të gjitha hapat e nevojshëm për të adresuar çdo kërcënim të sigurisë”, tha ai.

Rashit Qalaj, ish-Drejtor i Policisë së Kosovës dhe tani anëtar i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kuvendin e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se ndonëse kërcënimet për bomba nuk ka shumë gjasa të rezultojnë të vërteta, të gjitha raportimet duhet marrë seriozisht.

Sipas tij, shqetësues mbetet kapaciteti i ulët i organeve të rendit në Kosovë për të hetuar në formë më efektive kërcënimet kibernetike, në këtë rast adresat nga vijnë këto alarme të rreme.

“Kapacitetet nuk janë të mjaftueshme, edhe pse Policia e Kosovës e ka një njësi që merret me luftimin e krimeve kibernetike, por këto kapacitete duhet të shtohen”, tha Qalaj.

Ai, po ashtu, tha se duke pasur parasysh që kërcënimet e ngjashme kanë kapluar disa vende të Ballkanit, duhet shtuar “bashkëpunimin rajonal të policive” për t’iu afruar kapjes së autorëve.

Rikujtojmë se Kosova nuk ka arritur të bëhet pjesë e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL), përmes së cilës mund të lëshohen fletë-arreste ndërkombëtare.

Si nisën kërcënimet për bomba?

Mali i Zi ishte ndër shtetet e para në Ballkan që pranoi kërcënime serioze për mjete shpërthyese nëpër institucione publike e private që nga fundi i muajit mars.

Më 1 prill, atje u evakuuan nxënësit dhe personeli nga dy shkolla pas një e-maili kërcënues se ishin vendosur bomba.

Qeveria e Malit të Zi kishte njoftuar se kishte marrë një e-mail kërcënues, ku thuhet se dërguesi është organizata “Shteti i Burrave” dhe menaxheri i saj Vladislav Podznjakov dhe se ndër kërkesat e tyre është edhe “ndërrimi i pushtetit në Mal të Zi”.

Më vonë, më 27 prill, arritën e-maile në zyrat e komunave, të shkollave dhe policisë, që alarmojnë për vendosje të bombave në disa institucione, në lokacione si: Podgoricë, Nikshiq, Berane, Tivar, Cetinje e Budvë.

Drejtoria e Policisë bëri të ditur se është konstatuar se emailet janë dërguar nga domenet, serverët e të cilëve ndodhen jashtë vendit dhe se po punohet për identifikimin e dërguesve.

Kërcënimet në Serbi

Edhe objektet publike në Beograd të Serbisë kanë qenë cak i raportimeve të rreme për vendosje bombash.

Policia nuk e ka bërë të ditur numrin e saktë të të gjithë alarmeve për bomba, por besohet se janë pranuar qindra raportime të tilla.

Përveç kërcënimeve për bomba në shkollat fillore të Beogradit, pasditen e 16 majit arritën kërcënime të reja se ishin vendosur bomba në ura në Beograd, si dhe në qendrën tregtare “Stadiumi” (Stadion).

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë tha se Ura e Brankos, Ura e Gazelës, Ura e re hekurudhore, si dhe Ura e Pançevës, janë ndër lokacionet për të cilat janë marrë raportimet për bomba.

Më 19 maj, anëtarë të shërbimeve të sigurisë të Serbisë kanë identifikuar disa shtete, prej të cilave kanë ardhur mesazhet kërcënuese dhe raportimet e rreme për bomba në javët e fundit.

“Është përcaktuar se tetë kërcënime të tilla kanë ardhur nga Polonia, katër nga Gambia, dy nga Irani dhe Nigeria dhe një nga Ukraina, Sllovenia dhe Rusia”, tha ministria nëpërmjet një njoftimi të mërkurën në mbrëmje.

Në njoftim, po ashtu, thuhet se autoritetet kanë identifikuar vendndodhjet e 19 adresave elektronike prej të cilave janë dërguar mesazhet kërcënuese.

Për këto raste, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka këmbyer të dhëna përmes Europol-it dhe Interpol-it dhe me autoritetet në Suedi, Lituani, Zvicër, Rusi dhe Hungari, por edhe me kompaninë Google.

Sipas njoftimit, 18 adresa janë të shërbimit të Gmail-it dhe një adresë elektronike është nga ProtonMail.

“Për shkak të raportimeve të rreme për vendosje të bombave në ndërtesa publike, anëtarët e Ministrisë së Brendshme kanë ndjekur tetë persona, qytetarë të Serbisë, gjatë katër ditëve. Dy janë arrestuar dhe kallëzime penale janë ngritur kundër gjashtë personave të tjerë mitur”, tha kjo ministri.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha më 17 maj se raportimet për vendosje të bombave në Serbi ishin presione nga jashtë, sepse Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës. Ndërkaq, më 16 maj, ministri i Brendshëm, Aleksandar Vulin, tha se një luftë speciale po bëhej ndaj Serbisë me raportimet për bomba.

Edhe në Kroaci është raportuar për një kërcënim të rremë për mjet shpërthyes në një qendër tregtare në Zagreb më 18 maj.

Në shkurt, punëtorët e një gjykate në Sarajevë të Bosnje dhe Hercegovinës, ishin evakuuar nga objekti nën kërcënimin për bombë, i cili po ashtu doli të ishte alarm i rremë.

Global Initiative: Alarmet e rreme, synim për krijim të destabilitetit

Dy ekspertë ndërkombëtarë nga organizata ndërkombëtare Global Initiative, me seli në Vjenë, e cila merret me fushat e sigurisë dhe mbrojtjes mendojnë se kërcënimet masive kanë një ndikim operacional në Serbi dhe në Ballkan.

Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, Aleksandar Srbinovski, i cili tha se kërcënimet krijojnë një gjendje artificiale të destabilitetit dhe “burimet policore në rajon harxhohen në mënyrë të panevojshme”.

“Raportet masive të rreme për bomba [nëpër shumë vende të Ballkanit] na tregojnë se organizatorët [e kërcënimeve] nuk mendojnë mirë për Ballkanin, jo vetëm një shtet”, tha ai.

Ai shtoi se nëse shtetet nuk reagojnë shpejt dhe me profesionalizëm ndaj këtyre kërcënimeve speciale apo hibride, ato mund të zvogëlojnë potencialin e vendit për reagim “kur të jetë realisht e nevojshme”.

Me fjalë të tjera, që dikush të dërgojë kaq shumë raporte në kaq shumë adresa të ndryshme në disa vende të Ballkanit në të njëjtën kohë, ai nuk mund të jetë një individ, por një organizatë shumë serioze.

“Me fjalë të tjera, që dikush të dërgojë kaq shumë raporte në kaq shumë adresa të ndryshme në disa vende të Ballkanit në të njëjtën kohë, ai nuk mund të jetë një individ, por një organizatë shumë serioze”, vlerësoi Srbinovski.

Ndërkaq, Giorgio Fruscione, i cili është pjesë e rrjetit të ekspertëve të së njëjtës organizatë, vlerësoi tha për Radion Evropa e Lirë, Shërbimi për Ballkanin, se nuk mendon që qytetarët janë realisht në rrezik, “por u imponohet se është kështu”.

Ai komentoi edhe deklaratat e liderëve të Serbisë se po vijnë “presione” nga vendet e Bashkimit Evropian, por edhe nga Rusia.

“Po krijohet një situatë e rrezikut të përgjithshëm për të vërtetuar se Serbia nuk ka zgjidhje tjetër, se duhet të anëtarësohet në BE dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Në këtë mënyrë, autoritetet nuk mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë, sepse do të vazhdojnë t’u shesin qytetarëve të tyre historinë se si u detyrua shteti ta bëjë atë zgjedhje”, tha ai.

Nga shtetet e rajonit, vetëm Serbia nuk i ka vendosur sanksione Moskës, duke thënë se me këtë po vepron në të mirë të interesave shtetërore.

Komuniteti ndërkombëtar gjithnjë e më shumë po i bën thirrje Serbisë që të ndjekë regjimin e sanksioneve, teksa shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka thënë se nuk mund të ketë të ardhme evropiane për shtete që mbajnë kontakte me Putinin.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, së fundmi ka thënë se do të luftojë për aq kohë sa të mundet që të mos i vendosë sanksione Rusisë, por ka shtuar se dëmi që shteti i tij po përjeton si rezultat i këtij vendimi, është i madh.

*Në këtë tekst kontribuoi edhe Iva Gajiq

blank

Gjukanoviq lë të hapur mundësinë për ta korrigjuar marrëveshjen për kufirin

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka folur në Prishtinë për çështjen e demarkacionit të kufirit Kosovë-Mali i Zi.

Ai tha se është verifikuar marrëveshja për kufirin në të dy parlamentet tona dhe problem për këtë çështje mund të krijojë vetëm ata që e shohin si problematike.

Megjithatë, ai tha një komision i përbashkët do të shikojë për korrigjimet.

“Kjo çështje mund të konsiderohet problematike vetëm për dikë që dëshiron të krijojë probleme, ne s’dëshirojmë që të krijojmë probleme në asnjë nga adresat tona dhe jam i sigurt që do t’i përmbahemi dokumenteve që kemi nënshkruar dhe se përmes punës së komisionit të përbashkët për demarkacion do të krijojmë kushtet e domosdoshme për korrigjime për të cilat do të pajtohemi që do të kontribuojë që ky kufi në demarkacionin e tij të jetë i logjikshëm dhe të jetë ashtu siç duhet të jetë dhe të mos shërbejë si burim i mosmarrëveshjeve dhe rrezikimit të marrëdhënieve tona”.

blank

Raportime kërcënuese për bomba në urat e Beogradit

Ura e Gazelës.

RFE/RL

Pas raportimeve kërcënuese për bomba të vendosura në shkollat fillore të Beogradit, pasditen e 16 majit arritën kërcënime të reja se ishin vendosur bomba në urat në Beograd, si dhe në qendrën tregtare “Stadiumi” (Stadion), konfirmoi Ministria e Punëve të Brendshme për Radio Televizionin e Serbisë (RTS).

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë tha se Ura e Brankos, Ura e Gazelës, Ura e re hekurudhore, si dhe Ura e Pançevës janë ndër lokacionet ku janë marrë raportimet për bomba.

Raportimi për bombë ka arritur edhe në qendrën tregtare “Stadiumi” në Beograd, ku në orën 16:30 është caktuar ndeshja mes KF Vozhdovcit dhe KF Partizanit, transmeton RTS-ja.

Raportimet për bombat e vendosura kanë arritur, në mëngjesin e 16 majit, në 97 shkolla fillore dhe të mesme të Beogradit, ndërkaq pas verifikimeve në një numër të madh shkollash është konstatuar se njoftimet ishin të rreme, njoftoi Ministria e Arsimit e Serbisë.

Nxënësit janë kthyer në mësime, ndërsa në shkollat ku ende vazhdon inspektimi i sigurisë, nxënësit janë dërguar në shtëpi, thuhet në komunikatën e ministrisë.

“Deri në orën 14:00, policia ka inspektuar 60 shkolla fillore dhe 13 të mesme në Beograd dhe është konstatuar se bëhet fjalë për shqetësim të rrejshëm, ndërkohë që të tjerat janë duke u inspektuar”, ka deklaruar Sllavko Gak, sekretar për arsim dhe mbrojtje të fëmijëve, në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të qytetit të Beogradit.

Siç theksoi ai, nuk ka relaksim deri sa të inspektohet edhe shkolla e fundit.

“Siguria është gjëja më e rëndësishme në situata si kjo”, tha Gak.

Raportimet kanë arritur, ndër të tjera, në shkollat fillore “Mbreti Pjetër i Dytë Karagjorgjeviq”, “Vlladimir Rolloviq”, “Gjura Jakshiq”, “Danillo Kish”, “Shën Sava” dhe “Drinka Pavlloviq”, transmeton RTS-ja.

Sipas RTS-së, prindërit kanë marrë mesazhe që të mos i sjellin fëmijët në shkollë, mësimi nuk ka filluar dhe fëmijët që tashmë kishin arritur në shkolla, po kthehen në shtëpi.

Po ashtu, policia e Nishit në mëngjesin e 16 majit ka marrë njoftim se në aeroportin “Konstantini i Madh” në atë qytet, ishte vendosur një bombë.

Policia konfirmoi për agjencinë Beta se një kontroll kundër-diversant është duke u zhvilluar dhe se raportimi ka shumë të ngjarë të jetë i rremë.

Ky është raportimi i dytë për bombë të vendosur në Nish brenda një muaji, ndërkaq që ka pasur raportime të rreme për bomba të vendosura edhe në qendrat tregtare të këtij qyteti.

Dy raportime të rreme se mjete shpërthyese ishin vendosur në stacionin hekurudhor të Beogradit të Ri dhe në kopshtin zoologjik të Beogradit u dërguan gjithashtu më 15 maj.

Një raportim, në vargun e raportimeve të rreme, ishte të premten, më 13 maj, kur kërcënimet për bombë u dërguan në adresat e tri qendrave tregtare dhe katër konvikteve studentore në Beograd.

Në muajt e fundit, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, objektet publike në Beograd kanë qenë cak i raportimeve të rreme për bomba.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë më herët kishte njoftuar se për shkak të raportimeve për bomba, do të kërkojë ndihmë përmes bashkëpunimit policor operacional ndërkombëtar për të marrë informacione për urdhërdhënësin, organizatorët dhe zbatuesit e këtij krimi.

Deri tani, autoritetet në Serbi nuk kanë bërë të ditur se kush është përgjegjës për këto raportime të rreme.

Është thënë se kërcënimet për bombat e dyshuara të vendosura vinin nga jashtë, me e-mail, nga një shërbim i koduar, i cili ndryshe nga shërbyesit e tjerë, nuk ruan të dhëna.

blank

Diskutim mbi pozitën e shqiptarëve në Malin e Zi

Ali Salaj

Në Ulqin u mbajt dialogu i hapur me temën “Shqiptarët në Mal të Zi- sfidat dhe mundësitë e shekullit XXI”, ku u shprehen pikëpamjet për pozitën e këtij komuniteti në Mal të Zi.

Në diskutimin “Shqiptarët në Mal të Zi-sfidat dhe mundësitë e shekullit XXI” u shprehen pikëpamjet mbi pozitën e shqiptarëve si komunitet, i cili po përjeton dukurinë e asimilimit, por edhe rënien e numrit të tyre në vend.

Përfaqësuesit diplomatikë të Prishtinës dhe Tiranës shfaqen gatishmërinë që në shumë aspekte të mbështesin kërkesat e shqiptarëve në Malin e Zi.

Ambasadorja e Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka-Hoxha, tha se duhet filluar një bashkëpunim i mirëfilltë në temat ku Republika e Kosovës mund të ndihmojë.

“Të fillojmë të ndërtojmë një bashkëpunim specifik në temat ku Republika e Kosovës mund të mbështesë kërkesat e ndryshme si në ruajtjen e identitetit, avancimi në fushën e edukimit, trashëgimisë kulturore, sportit, por edhe të aspektit të investimeve ekonomike”, tha zonja Zherka-Hoxha.

Në këtë kuadër zv/ambasadori i Shqipërisë në Mal të Zi, Adi Hoxha, vuri në dukje problemin e asimilimit të shqiptarëve në Malin e Zi.

“Dukuria e asimilimit të shqiptarëve në Mal të Zi është një nga këto sfida. Fakti që ky fenomen trajtohet me shqetësim për perspektivën, nuk përjashton konstatimin e tendencës sot që rrjedh nga e kaluara. Kjo çështje ndoshta është ndër më delikatet për tu trajtuar me kompetencë politike dhe shkencore”, tha zoti Hoxha.

Përfaqësuesi i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Faik Nika, vuri në dukje nevojën e shqyrtimit të pozitës së shqiptarëve në Malin e Zi dhe përballja e tyre me probleme të ndryshme.

“Unë besoj se për një dialog të hapur të këtillë, ku trajtohen çështjet identiteti të shqiptarëve jo vetëm në Malin e Zi por në mbarë Ballkanin janë më se të nevojshme dhe duhen të jenë t ë vazhdueshme. Duhet të kemi parasysh se ne si shqiptarë këtu në trojet tona në Malin e Zi ndodhemi edhe përballë fenomeneve të ndryshme që ndikojnë drejtpërsëdrejti në rënien e numrit të shqiptarëve në Mal të Zi. Ky është fenomeni i asimilimit, emigrimit, nataliteti i ulët që e reduktojnë qenien kombëtare të shqiptarëve në Malin e Zi”, tha zoti Nika.

Në diskutim u paraqitën analiza dhe interpretime të disa problemeve lidhur me pozitën dhe statusin e shqiptarëve në këtë mjedis, i cili mund t’i nxisë institucionet përkatëse që të merren në mënyrë kompetente me këto çështje.

blank

Simpozium shkencor në Ulqin kushtuar albanologut të shquar kroat Milan Shuflaj

VOA/Ali Salaj

Në Ulqin po mbahet një simpozium shkencor lidhur me kontributin e punës së albanologut kroat Milan Shuflaj. Studiues dhe albanologë të rajonit theksuan rëndësinë e veprave të gjuhëtarit Shuflaj, për historinë dhe kulturën e shqiptarëve të ballkanit.

Studiues nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Kroacia përkujtuan albanologun e njohur kroat Milan Shuflaj.

Ata nënvizuan rëndësinë e veprave të t’ia, të cilat i dhanë shumë kombit shqiptar pavarësisht se origjina e tij ishte kroate.

Historiani Frashër Demaj e vlerëson kontributin e studiuesit Shuflaj si tejet të rëndësishme për shqiptarët e Ballkanit.

“Shuflaj ishte një studiues i jashtëzakonshëm, i përmasave ndërkombëtare, i përmasave evropiane dhe botërore, i cili një pjesë të mirë të karrierës së tij akademike dhe shkencore ia kushtoi çështje shqiptare. Për këtë arsye edhe e pësoj Milan Shuflaj, në një farë mënyre e pagoi me jetë pasi u vra pikërisht për shkak se nxori në shesh të vërtetat historike për shqiptarët dhe rreth shqiptarëve”, tha zoti Demaj.

Studiuesi Luan Malltezi, vë në dukje, rëndësinë e përkujtimit të Milan Shuflajt si një studiues dhe njohës shumë të mirë të historisë shqiptare.

“Është një gjë e madhe që kujtohet ky njeri i madh që bëri aq shumë dhe me përkushtim për shqiptarët. Mund të them se vepra e Shuflajt “Serbët dhe shqiptarët” është përkthyer katër herë dhe është mirëpritur nga lexuesi shqiptar”, tha zoti Malltezi.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Kroatëve, Zvonimir Dekoviç e vlerësoi organizimin e simpoziumit shkencor për Milan Shuflajn, ku po marrin pjesë studiuesit dhe albanologët më të shquar të rajonit.

“Është shumë e rëndësishme që edhe në Mal të Zi po mbahet një simpozium shkencor mbi Milan Shuflajn, ku po marrin pjesë albanologët më të njohur të rajonit.”

Zoti Dekoviç tha se “Milan Shuflaj është i rëndësishëm për kulturën dhe historinë e shqiptarëve të Ballkanit.”

Organizatori i kësaj ngjarjeje të rëndësishme kulturore, zoti Tahir Tahiri, vuri në dukje bashkëpunimin e dy këshillave kombëtare në realizimin e këtij simpoziumi.

“Falë bashkëpunimit të vazhdueshëm të Këshillit Kombëtar të Kroatëve me Këshillin e Shqiptarëve në Malin e Zi po realizohet ky projekt, ku pritet edhe më shumë të hedh dritë në punën shkencore dhe albanologjike të Milan Shuflajt dhe për kontributin e tij për popullin shqiptar në Ballkan”, tha ai.

blank

Kroacia kalon ligjin për ta futur në përdorim euron

Ligjvënësit kroatë miratuan të premten një ligj që i hap rrugë futjes në përdorim të valutës euro vitin e ardhshëm.

Kroacia do të zëvendësojë kunën kroate me euron më 1 janar 2023.

Gjithsej 117 vota ishin në favor të legjislacionit për euron, 13 vota kundër dhe një ligjvënës abstenoi në Parlamentin prej 151 anëtarësh.

Kroacia, e cila iu bashkua Bashkimit Evropian më 2013, mbetet ndër ekonomitë më të dobëta të bllokut pas luftës së viteve 1992-’95.

Partitë e krahut të djathtë në Parlamentin kroat ishin kundër futjes në përdorim të euros, duke thënë se kjo do të rriste varfërinë dhe do të ushtronte presion mbi qytetarët.

Të dyja valutat është vendosur të përdoren paralelisht në muajt pas fillimit zyrtar të aplikimit të euros.

Ekonomia e Kroacisë varet nga të ardhurat nga turizmi gjatë muajve të verës. Vendi tërheq qindra mijëra turistë evropianë dhe të tjerë çdo sezon. rel

blank

Vulin: Neutralitet politik nëse Kosova hyn në Këshillin e Evropës

RFE/RL

Nëse Kosova arrin që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, Serbia duhet të shpallë neutralitet politik, ashtu siç shpalli luftë, tha të enjten ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, duke komentuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë.

Vulin tha se vota e anëtarëve të Bashkimit Evropian (BE) për kërkesën e Kosovës do të tregojë se çfarë mendojnë ata në realitet për Serbinë.

“Neve nuk na duhet që të presim edhe njëzetë vjet të tjera për të kuptuar nëse Bashkimi Evropian e do Serbinë në kuadër të saj, do të mjaftojë të votojnë ose të mos votojnë kundër pranimit të territorit [Kosovës] në një organizatë që është e përbërë nga shtete”, tha Vulin në një deklaratë.

Më 12 maj, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ka konfirmuar Sharr Jakupi, shefi i kabinetit të ministres së Jashtëm të Kosovës, Donika Gërvalla.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me rastin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ka caktuar një seancë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të premten, më 13 maj.

Pas kërkesës së Kosovës, Vuçiq tha se me këtë veprim, Kosova “e shkeli dhe e shkeli brutalisht” marrëveshjen e Uashingtonit.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Vulin, tha se vetëm kërkesa e Prishtinës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është shkelje e Marrëveshjes së Uashingtonit.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë në prani të ish-presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump. Përmes kësaj marrëveshjeje Kosovës i ndalohej të aplikonte për anëtarësim në organizata ndërkombëtare për një vit si dhe Serbisë i ndalohej që të vazhdonte fushatën e saj lotuese kundër njohjes së Kosovës si shtet i pavarur.

Departamenti i Shtetit inkurajoi Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë moratoriumin për çështjet e njohjes që ndërlikojnë përparimin në fushat teknike.

“Prishtina ose do të dënohet dhe ndalohet, ose do të tregohet se çdo gënjeshtër është e lejuar kundër Serbisë dhe se nuk ka as të drejta e as drejtësi për serbët”, tha ministri serb, Vulin.

Ai theksoi se “deri tani është kuptuar se nënshkrimi i Bashkimit Evropian vlen sa Marrëveshja e Brukselit, por tani është rasti të shohim se sa vlen fjala e Shteteve të Bashkuara”.

Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës fillimisht shqyrtohet nga Komiteti i Ministrave dhe pas vlerësimit të situatës në Kosovë, fjalën përfundimtare e ka Asambleja Parlamentare e cila përbëhet nga përfaqësues kombëtarë të shteteve anëtare.

Një shumicë prej dy të tretash kërkohet që një vend të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

Çdo shtet anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e shtetit të së drejtës dhe gëzimin e barabartë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por ende nuk është anëtarësuar në disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Përveçse se nuk është anëtare e BE-së, Kosova nuk është anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) dhe të tjera.

Serbia gjatë gjithë kohës ka bërë fushatë aktive për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe bllokimin e anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare. Aleati kryesor i Serbisë në këtë përpjekje është Rusia.

Megjithatë, Kosova ka arritur të bëhet anëtare e disa organizatave ndërkombëtare si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

blank

Borrell: Ballkani, politika e jashtme më e rëndësishme e BE-së

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor.

 

RFE/RL

“Ballkani Perëndimor është politika jonë e jashtme më e rëndësishme”, ka deklaruar përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell para darkës joformale që ka organizuar me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor të mërkurën, më 11 maj.

Pjesëmarrës në darkën në Bruksel ishin: ministrja e Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik.

Kosova është përfaqësuar në këtë darkë joformale me kryediplomaten Gërvalla, pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, gjenden për vizitë në Shtetet e Bashkuara.

“Ballkani Perëndimor është pjesë e gjeografisë sonë dhe dëshirojmë të përballemi së bashku me veprimet përçarëse të Rusisë drejtpërdrejt në rajon përmes dezinformimit dhe sulmeve kibernetike”, tha Borrelli para darkës.

“Takimi sonte do të përforcojë më tej angazhimin e vazhdueshëm me Ballkanin Perëndimor, i cili mbetet prioriteti ynë strategjik”, shtoi ai.

Borrelli tha se sot bota është në një situatë krejtësisht të ndryshme që nga shtatori i vitit të kaluar, kur u zhvillua takimi i fundit me liderët e Ballkanit Perëndimor.

“Në shtator askush nuk mund të priste që ne do të jemi me një agresor, duke rikthyer luftën në Evropë dhe duke parë këtë ndikim shkatërrues të gjakderdhjes së pakuptimtë. Evropianët nuk e mbajnë mend luftën dhe tani e shohim luftën në kufijtë tanë”.

“Lufta e fundit në Evropë ishte në Ballkan, tani është në Ukrainë dhe sot do të jetë një rast i mirë për të diskutuar mbi ndikimin global dhe rajonal të kësaj lufte të Putinit, një luftë ilegale kundër popullit ukrainas dhe kundër rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, theksoi ai.

Ai tha se dëshiron të diskutojë me “partnerët tanë më të afërt, gjashtë liderët ballkanikë se si mund t’i trajtojmë së bashku pasojat e kësaj lufte”.

“Si gjithmonë unë jam i etur të dëgjoj për shqetësimet e këtyre liderëve, duke pasur parasysh këtë situatë dhe mënyrën se si ta trajtojmë ndikimin negativ në luftën e Putinit për ushqimin, energjinë dhe stabilitetin në kontinentin tonë të përbashkët”, u shpreh ai.

Thirrje për sanksionimin e Rusisë

Borrelli po ashtu mirëpriti që shumica e shteteve në Ballkan vepruan në linjë të njëjtë me bllokun ndaj pushtimit rus të Ukrainës dhe u bëri thirrje edhe shteteve tjera të veprojnë njësoj.

“Shumica e kanë bërë, dhe po u bëj thirrje të tjerëve ta bëjnë”, theksoi Borrelli.

Nga shtetet e rajonit, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk kanë vendosur sanksione ndaj Moskës për luftën në Ukrainë.

Ndër tjerash Borrelli tha se nuk ka hapësirë për cenim të sovranitetit, por edhe të unitetit dhe integritetit territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Do të duhet të jem shumë i sinqertë në këtë drejtim me zotin Dodik këtë mbrëmje”, deklaroi Borrelli.

Para darkës joformale, të gjithë pjesëmarrësit po zhvillojnë bisedime të shkurtra dypalëshe me shefin e diplomacisë së bllokut evropian, Josep Borrell.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, para takimit tha se nga darka joformale pret që të ketë një bisedë për perspektivën dhe integrimin e shpejtë të rajonit të Ballkanit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi për “bisedime të vështira për shkak të shumë çështjeve që kanë dalë ndërkohë”. Ai e përmendi mundësinë e aplikimit të Kosovës për antarësimin në Këshillin e Evropës, duke shtuar se me këtë, Kosova po e shkel Marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Uashingtonit.

Qeveria e Kosovës ka paralajmruar një gjë të tillë, por deri më tani ende nuk ka njoftuar për datën e aplikimit.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë.

Vuçiq po ashtu theksoi se Serbia mbetet e përkushtuar në përshpejtimin e integrimit në BE. Ai njoftoi edhe për “një vizitë të rëndësishme në Beograd” në ditët në vijim.

Dodik: Lufta në Ukrainë nuk ndikon në Bosnje

Dodik deklaroi se do t’ia përcjellë Borrellit pikëpamjet e tij lidhur me situatën në Bosnje e Hercegovinë.

“Fakti është se Bosnja është stabile dhe paqësore dhe se kriza ukrainase nuk ndikon në BeH sa i përket një lufte, në asnjë mënyrë. Kjo është shumë larg sot. Ne kemi probleme të mëdha politike brenda Bosnjës. Ne po përgatitemi për zgjedhje në të cilat nuk arritëm të zbatojmë reformën zgjedhore. Ekziston një pakënaqësi thelbësore për faktin se po rrezikohet kushtetutshmëria e njerëzve dhe të drejtat e tyre në BeH”, tha Dodik.

Ai shtoi se, megjithatë, do të nevojiteshin përpjekje për të ruajtur stabilitetin dhe paqen. Dodik tha se BE-ja mund të ndihmojë, gjithashtu.

Kovaçevski: Zgjerimi i BE-së, çështje e sigurisë e rajonit

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se lufta në Ukrainë kërkon që shtetet të jenë më të bashkuara se kurrë dhe rajoni i Ballkanit t’i bashkërendojë politikat e saj me ato të bllokut evropian.

Ai tha se gjatë darkës do të bisedojë me Borrellin për nisjen sa më të shpejtë të bisedimeve për anëtarësim në BE të Maqedonisë së Veriut, pasi paralajmëroi se procesi i zgjerimit, për shkak të pushtimit rus, ka marrë konotacion edhe të sigurisë.

“Më specifikisht për Maqedoninë e Veriut, ne do të diskutojmë me zotin Borrell për nevojën e nisjes urgjente të negociatave të anëtarësimit dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërministrore ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut. Zgjerimi i BE-së nuk është vetëm proces politik dhe ekonomik, por në dritë të zhvillimeve të reja gjeopolitike veçmas për shkak të luftës në Ukrainë, po bëhet po ashtu çështje e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Kovaçevski.

Të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Serbisë, u janë bashkuar qëndrimeve të BE-së rreth agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe i kanë mbështetur edhe sanksionet ndaj këtij shteti. Përshtatja e vendeve të rajonit me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë është pothuajse 100 për qind, përveç në rastin e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Në BE pohojnë se presin edhe nga Serbia që t’i mbështesë sanksionet ndaj Rusisë që i ka vendosur Bashkimi Evropian, sepse në këtë mënyrë do të dëshmohej përkushtimi i qartë i saj për të ardhmen evropiane.

Edhe pse në BE janë të kënaqur për votën e Serbisë në OKB për të përjashtuar Rusinë nga Komisioni për të drejtat e njeriut, mes vendeve anëtare të BE-së ekziston një zhgënjim i madh për kundërshtimin e Serbisë që t’i mbështesë edhe sanksionet ndaj Rusisë.

Pritet që liderët të diskutojnë edhe për nevojën që BE-ja të jetë më e angazhuar në përshpejtimin e procesit të zgjerimit, si proces i cili ndikon edhe në dinamikën e reformave dhe në bashkëpunimin rajonal mes tyre.

Tradita e mbajtjes së një darke të tillë joformale ishte nisur nga paraardhësja e Borrellit, Federica Mogherini, e cila takonte liderët e Ballkanit çdo vit në darkë joformale, për të diskutuar për të ardhmen e rajonit dhe sfidat kryesore me të cilat përballej ky rajon.

blank

Dyshohet për varrezë masive, nisin gërmimet në Sijenicë të Serbisë

RFE/RL

Në fshatin Shtaval në komunën e Sijenicës në Serbi, të martën më 10 maj, kanë nisur gërmimet për dyshimet për një varreze masive me trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Qeveria e Kosovës përmes një njoftimi për media ka konfirmuar nisjen e gërmimeve.

“Gërmimet kanë filluar pasi në fund të javës së kaluar, përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq janë siguruar imazhet satelitore, të cilat në ditët në vijim do të analizohen nga ekspertët, me qëllim të saktësimit të lokacionit të mundshëm të varrezës masive”, thuhet në njoftimin Qeverisë së Kosovës.

Delegacioni i Kosovës të pranishëm në nisje të gërmimeve.

Delegacioni i Kosovës të pranishëm në nisje të gërmimeve.

Në ditën e parë të gërmimeve vlerësuese, të pranishëm në lokacion nga Kosova ishin përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ekspertët nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, përfaqësues nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq si dhe nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur.

“Ekspertët mjekoligjor të Republikës së Kosovës do të vazhdojnë të qëndrojnë në lokacion për t’i vëzhguar punimet gjatë periudhës në vijim”, njofton Qeveria e Kosovës.

Ndërkohë, Komisioni për Persona të Zhdukur i Qeverisë së Serbisë, ka thënë se urdhri për nisje të këtij procesi është dhënë nga Prokuroria e Krimeve të Luftës në Serbi.

“Kërkimi i terrenit është i nevojshëm për të përcaktuar saktë nëse ka mbetje të personave të shpallur si të zhdukur, gjë që u dërgon një mesazh të qartë familjeve të tyre se autoritetet kompetente të Republikës së Serbisë kanë vendosur të kontrollojnë të gjitha informacionet për të gjetur të dashurit e tyre”, thuhet në njoftimin e Komisionit për Persona të Zhdukur të Qeverisë së Serbisë.

Deri tek vendimi për gërmime në këtë lokacion erdhi pasi Komisioni i Qeveritar i Kosovës për Persona të Zhdukur ofroi informacione për dyshime për varrezë masive.

Autoritet serbe thanë se kërkimi i terrenit do të zgjasë deri në përcaktimin dhe sqarimin e fakteve që janë të nevojshme për të përcaktuar vendndodhjen e saktë të një varri të mundshëm masiv.

Kryetari i Komisionit të Qeverisë së Serbisë për Persona të Zhdukur, Veljko Odaloviq, kishte paralajmëruar zhvillimin e gërmimeve në këtë lokacion më 27 prill të këtij viti.

Më 27 prill, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, kishte akuzuar palën serbe se nuk ofron informacione për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

“Do të duhej të ishte [çështje] humanitare, por unë nuk e di që është trajtuar si humanitare ndonjëherë. Kaq pak ka dhënë informacione Serbia për Kizhevakun dhe Rudnicën… Dhjetë vjet kanë kaluar ekipet tona, në të dyja lokacionet në Serbi, për shkak se Serbia bën lojëra me dhënien e informacioneve të sakta se ku janë varrezat masive, derisa na kanë ardhur imazhet satelitore prej vendeve mike të Kosovës, që të mund t’i gjejmë”, thotë Hoti, pa specifikuar se për cilat vende e ka fjalën.

Hoti kishte thënë se Serbia ende vazhdon “lojën” duke mos dhënë informacione.

Zyrtarët kosovarë kishin ngritur vazhdimisht dyshime për ekzistimin e një varreze masive në fshatin Shtaval të Serbisë.

Ky fakt ishte forcuar edhe më shumë kur në Kizhevak, në komunën e Rashkës afër kufirit me Kosovën, më 16 nëntor 2020 u gjetën eshtrat e një numri të civilëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Ky ishte lokacioni i pestë në Serbi ku u gjeten trupa të kosovarëve të vrarë në luftën e viteve 98-99.

Sipas të dhënave të organizatave joqeveritare, në varrezat masive në Serbi janë gjetur trupat e rreth njëmijë kosovarëve të vrarë.

Rreth 1,600 persona të tjerë ende mbesin të zhdukur në Kosovë, kryesisht nga komuniteti shqiptar.

blank

Vuçiq: Pozicioni i Serbisë nuk ka qenë kurrë më i rëndë

RFE/RL

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se pozicioni politik i Serbisë nuk ka qenë “kurrë më i rëndë” dhe se është “komplikuar edhe më shumë” nga deklaratat e presidentit rus, Vladimir Putin.

Ai nuk e specifikoi se cilave deklarata të Putinit iu referohet.

Pas një takimi me ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, të enjten në Berlin, Vuçiq tha se situata në të cilën ndodhet Serbia, marrë parasysh krizën në Ukrainë, është “pothuajse e pamundur”.

“Në ditën e tretë të sulmit në Ukrainë, ne e kemi bërë të ditur pozicionin tonë strategjik. Serbia është në të njëjtin pozicion edhe në ditën e 71-të”, u tha Vuçiq gazetarëve.

Serbia është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka ndërmarrë sanksione kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Nga blloku evropian i kanë bërë disa herë thirrje që të harmonizojë politikën e saj të sanksioneve me atë të BE-së.

Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, janë pritur të mërkurën në takime të ndara nga kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Ky i fundit ka thënë se njohja e Kosovës nga Serbia duhet të jetë pjesë e dialogut që zhvillojnë dy vendet për normalizimin e marrëdhënieve.

Scholz, po ashtu, ka thënë se përparimi në dialog është kyç për avancimin e Kosovës dhe Serbisë drejt integrimit evropian.

Vuçiq përsëriti të enjten se Serbia është në rrugën evropiane, se nuk do të “kthehet diku tjetër” dhe se do të mbetet ushtarakisht neutrale.

Vuçiq tha se bisedimet që ka pasur me zyrtarët gjermanë, nuk kanë qenë të lehta.

“Gjermania është shteti më i fuqishëm evropian në çdo kuptim. Ne nuk mund të zgjedhim dhe ta ndryshojmë qëndrimin e saj për çështjen e Kosovës, sepse kjo nuk do të ndodhë”, tha Vuçiq.

Ai, po ashtu, tha se biseda me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Berlin ka qenë “shumë e vështirë”, por nuk dha detaje.

Kurti dhe Vuçiq u pritën bashkë në një darkë joformale në Berlin, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

blank

Deputeti serb: Duhen ndërmarrë sanksione ndaj Moskës dhe të mbyllet qendra ruse e spiunazhit në Nish

Dragan Shormaz, deputet në Parlamentin serb, ka kërkuar ndërmarrjen e sanksioneve kundër Rusisë, në një kohë që Serbia është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk kanë marrë masa ndaj Moskës, pas nisjes së agresionit në Ukrainë.

Shormaz, deputet i Partisë Progresive Serbe (SNS) së presidentit Aleksandar Vuçiç, me anë të një postimi në rrjetin social Tëitter, ka theksuar se qeveria serbe duhet të bëhet vetëm nga ata që janë të gatshëm të dëbojnë menjëherë 90 për qind të ambasadës për shkak të spiunazhit si dhe të mbyllet qendra e spiunazhit në Nish.

“Qeveria e re duhet të përbëhet vetëm nga ata që janë të gatshëm të Menjëherë:
1-Të vendosin sanksione ndaj Rusisë
2-Të nacionalizojnë Nish
3-Të dëbojnë 90% të ambasadave për shkak të spiunazhit
4-Të mbyllin qendrën ruse të spiunazhit në Nish
5-Të nënshkruajnë një deklaratë se do të punojnë për anëtarësimin e Serbisë në BE dhe NATO sa më shpejt të jetë e mundur”, ka shkruar deputeti serb. bw


Send this to a friend