VOAL

VOAL

Scholz këtë javë takohet me Presidentët e Ballkanit

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, do t’i takojë presidentët e shteteve të Ballkanit Perëndimor këtë të enjte, raporton Gazeta Express.

Ky takim pritet të ndodhë në kuadër të Samitit të Berlinit, që mbahet më 3 nëntor.

Para Samitit të Berlinit, janë mbajtur disa takime të niveleve më të ulëta të qeverive të Ballkanit Perëndimor.

Që nga viti 2014, Procesi i Berlinit, që përmbyllet me samitin, synon përmirësimin dhe intensifikimin e integrimit rajonal dhe përafrimit me Bashkimin Evropian.

Hapja e një klubi kulturor maqedonas në Bullgari rrit tensionet mes dy shteteve

RFE/RL

Në qytetin e Bllagoevgradit në Bullgari më 30 tetor është hapur një klub kulturor maqedonas me emrin “Nikolla Vapcarov”, si kundërpërgjigje ndaj hapjes së klubeve kulturore bullgare në Maqedoninë e Veriut, me emra të disa personaliteteve nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, që kontestohen nga pala maqedonase.

Klubi kulturor maqedonas në Bllagoevgrad është hapur nga shoqata “OMO Ilinden Pirin”, e cila tubon pjesëtar të pakicës maqedonase, por nuk njihet nga autoritetet bullgare.

Në një deklaratë për media, përfaqësuesi i klubit, Atanas Maznov tha se hapja është bërë “me qëllim të afrimit të dy popujve”. Ai tha se shpreson se derisa bullgarët do të hyjnë në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, edhe minoriteti maqedonas në Bullgari do të fitojë të drejtat e tyre.

“Ky është një klub që do të ndihmojë Bullgarinë të njohë kulturën maqedonase, e bashkë me të edhe popullin maqedonas. Ky klub vërtet mund t’i bashkojë njerëzit dhe të kapërcejë dallimet”, tha Maznov.

Në hapjen e klubit kanë marrë pjesë edhe liderët e partive opozitare maqedonase, Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO DPMNE-së dhe Dimitar Apasiev, kryetar i partisë “E Majta” dhe përfaqësues të kabinetit të presidentit, Stevo Pendarovski.

“Në shekullin 21 askush nuk duhet të ketë dilemë dhe as të flasë fare. E drejta për vetëvendosje duhet respektuar. E drejta jonë për vetëvendosje si maqedonas është e pacenueshme dhe e garantuar me të gjitha aktet ndërkombëtare. Prandaj jemi sot këtu për të mbështetur maqedonasit tanë në Bullgari”, tha Mickoski.

Përfaqësues të qeverisë kanë refuzuar pjesëmarrjen pasi dyshojnë se pas klubit qëndrojnë persona që synojnë “rritjen e tensioneve mes dy shteteve”.

Nga Qeveria kanë thënë se në të ardhmen planifikojnë hapjen e një klubi të ri, por në bashkëpunim me institucionet e Bullgarisë.

Hapja e klubeve ka shkaktuar polemika të vazhdueshme mes dy vendeve duke i quajtur provokime të qëllimshme, ndërsa vendimin e Qeverisë maqedonase për ndalimin e regjistrimit të tyre – Sofja e ka vlerësuar si “cenim të të drejtave të pakicës bullgare”.

Klubi është hapur nën masa të shtuara të sigurisë pasi Lëvizje Kombëtare Bullgare-VMRO kishte organizuar një protestë, ndërsa drejtuesit e komunës së Bllagoevgradit thanë se ngritja e një qendre me emrin e “Nikolla Vapcarovit në qytetin e tyre paraqet “provokim të rëndë nga organizata jolegjitime”.

Hapja e klubeve të tilla kontestohet për shkak të emrave që mbajnë.

Klubet bullgare në Maqedoninë e Veriut janë hapur me emrat “Car Borisi i Tretë”, “Vanço Mihajllov” dhe “Car Ferdinandi”, që njihen si “bashkëpunëtorë të Gjermanisë Naziste” dhe “pushtues të territoreve maqedonase”.

Por edhe Sofja konteston emrin e klubit maqedonas me emrin e ‘’Nikolla Vapcarov’’, duke e konsideruar si figurë nga e kaluara historike bullgare.

Dy shtetet akoma kanë të pazgjidhura çështjet që kanë të bëjnë me të kaluarën historike.

Sofja ka hequr veton ndaj Maqedoninë së Veriut për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por ka thënë se mund sërish të bllokoj bisedimet nëse realizohet detyrimi me marrëveshjen mes dy vendeve për përfshirjen e pakicës bullgare në kushtetutën maqedonase.

Kurti prezanton planin për targat nga 1 nëntori

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një mbledhjeje të Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka shpalosur një plan për çështjen e targave që lëshohen nga Serbia, që do të zbatohet në disa faza.

Plani parasheh që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm “të hiqen” të gjitha targat që nuk janë RKS- Republika e Kosovës.

“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 28 tetor.

Kurti përsëriti se targat me akronimet në gjuhën serbe për qytetet e Kosovës janë ilegale.

Afati për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia skadon më 31 tetor dhe Qeveria tha se me këtë vendim të ri ajo po tregon seriozitet për të zbatuar vendimin që ka marrë, por “në të njëjtën kohë që t’u japim shans atyre që janë të interesuar të integrohen”. rel

Von der Leyen flet në Nish: BE dhe partnerët po punojnë intensivisht për të gjetur zgjidhje për targat

Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen ka folur në Nish të Serbisë, ku është pritur nga Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuciq rreth çështjes së  targave. Ajo ka thënë se Bashkimi Eeuropian dhe partnerët “po punojnë intensivisht për të gjetur një zgjidhje”.

“Ka vullnet të mirë nga të dyja palët, do të intensifikojmë dialogun”. Bisedimet janë të vështira, shpresoj se shpejt do të kemi një zgjidhje konkrete, por duhet konstruktivitet nga të dyja palët”, tha ajo.

Vuçiq gjatë takimit me të, ka thënë se Serbia nuk ka faj as “0,1 përqind” për problemet në dialog.

Qeveria e Kosovës pritet të dalë sot me qëndrim ndaj kërkesave të SHBA’vë dhe QUINT’it për shtyrje të afatit për targat. Express

Vuçiçi si Putini: Po rrezikohet mbijetesa e serbëve në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, ka folur për media pas takimit që ka pasur me krerët e “Listës Serbe” për çështjen e targave.

Siç pretendon kreu i shtetit serb, Aleksander Vuçiq, i cili ka folur me gjuhën e njejtë të mikut të tij Vladimir Putin, “Kosova po kërcënon stabilitetin dhe mbijetesën e popullit serb” meqë po synon të implementojë vendimin për çështjen e targave.

“Regjimi i Prishtinës po kërcënon stabilitetin, paqen dhe mbijetesën e popullit serb në Kosovë me kërcënimet e tij se do të vazhdojë të kryejë veprime lidhur me ri regjistrimin e automjeteve”, ka thënë Vuçiq pasi ka takuar edhe Këshillin për Siguri.

Vuçiq gjithashtu ka thënë se në takimin me “Listën Serbe” kanë dëgjuar kërkesat dhe “brengat” e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës.

“Ata na informuan për nevojat e tyre dhe me gjithçka që po përballen veçanërisht në prag të skadimit të ultimatumit të dhënë për serbët e Kosovës nga regjimi i Prishtinës, veçanërisht për ata në veri të Kosovës, e që ka të bëjë me konfiskimin e targave dhe veturave”, ka thënë Vuçiq./GazetaExpress/

Vuçiçi diskuton me ambasadorin rus për Kosovën

RFE/RL

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka falënderuar Rusinë për mbështetjen ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë, në një takim që ka zhvilluar me ambasadorin rus, Aleksandar Bocan-Kharchenko më 24 tetor.

Në një komunikatë të lëshuar pas takimit, Vuçiq e ka shfaqur shpresën se paqja shumë e nevojshme në tokën evropiane do të arrihet në periudhë të shkurtër kohore.

Ky takim vjen një ditë pasi ministrja gjermane për Evropën dhe Klimën, Anna Lührmann i ka bërë thirrje Serbisë që të harmonizojë politikën e jashtme me atë të Bashkimit Evropian.

Serbia, ndonëse vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian – dhe pavarësisht thirrjeve të zyrtarëve perëndimorë – ka refuzuar që të vendosë sanksione ndaj Rusisë, për luftën e nisur në Ukrainë.

Në komunikatën e 24 tetorit është thënë se çështjet e diskutuara mes Vuçiqit dhe ambasadorit rus kanë qenë: bashkëpunimi bilateral, situata gjeopolitike dhe çështjet rajonale.

“Dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar dhe për situatën në Kosovë dhe Metohi, presidenti Vuçiq ka theksuar se Serbia, pavarësisht të gjitha sfidave, vazhdon të ketë politikë paqësore dhe është e përkushtuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe që të respektohet ligji ndërkombëtar”, është thënë në deklaratë.

Ky takim është zhvilluar teksa në Kosovë po afrohet skadimi i afatit për riregjistim të makinave me targa serbe në RKS- Republika e Kosovës.

Afati për riregjistrim të makinave në RKS ka nisur më 1 shtator dhe përfundon më 31 tetor.

Deri tani, Qeveria e Kosovës ka thënë se afati për riregjistrim nuk do të shtyhet dhe se nga 1 nëntori nuk do të mund të qarkullojnë më makinat me targa të lëshuara nga Serbia.

Këto targa konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë, mirëpo deri më tani janë toleruar në veri të Kosovës.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës për shyrje të afatit për riregjistrim për 10 muaj.

Qeveria e Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë ditë më parë se e ka për obligim zbatimin e ligjit, kushtetutshmërinë dhe vendimet qeveritare.

Tensionet për targat

Më 31 korrik dhe 1 gusht serbët lokalë në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe.

Vendimi për zbatim të këtyre dy vendimeve është shtyrë për 1 shtator, edhe me kërkesë të mekanizmave ndërkombëtarë.

Ndërkohë është arritur marrëveshje për dokumentet për hyrje/dalje.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

Partia e Gjukanoviqit humb Podgoricën pas më shumë dy dekada

Mbështetësit e partive pro-serbe duke festuar në Podgoricë pas zgjedhjeve lokale më 23 tetor.

RFE/RL

Edhe pse individualisht ka fituar më së shumti vota, koalicioni rreth Partisë Demokratike Socialiste (DPS) të presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka humbur në kryeqytet, Podgoricë, pas 24 vjetësh në pushtet.

Zgjedhjet lokale në 13 komuna të Malit të Zi u mbajtën më 23 tetor.

Përveç në Pogdoricë, partia e Gjukanoviqit humbi zgjedhjet edhe në Plevla, Danillovgrad, Zhablak, Kollashin dhe Zeta, që deri pak kohë ishte pjesë e kryeqytetit.

Shumica në Podgoricë, ku pothuajse një e treta e popullsisë së Malit të Zi jeton, u mor nga partitë që fituan zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, dhe të cilat thanë se nuk do të bëjnë negociata për formimin e Qeverisë me DPS-në.

Në garën për kryeqytetin, partia e Gjukanoviqit fitoi 24 mandate, lëvizja Evropa 13, Fronti Demokratik pro-rus 11, Demokratët morën 6 mandate dhe lëvizja URA 4.

Fituesit e zgjedhjeve festuan fitoren në rrugët e Podgoricës me fishekzjarrë dhe me këngë nacionale serbe.

Përveç Podgoricës, partia e Gjukanoviqit ka fituar më së shumti mandate edhe në disa qytete të tjera, por për shkak të mungesës së koalicioneve paszgjedhore, kundërshtarët e presidentit malazias pritet të marrin udhëheqjen e qyteteve.

Lëvizja Evropa Tani, që është formuar së fundmi dhe udhëhiqet nga Jakov Millatoviq dhe Millojko Spajiq, ish-ministra të Qeverisë së rrëzuar të Zdravko Kirvokapiqit.

Në Tivar, qytetit më të madh port të Malit të Zi, partia e Gjukanoviqit ka ruajtur pushtetin, sikurse në Bijello Pole dhe Plavë, ku së bashku me partnerët e koalicionit ka fituar shumicën.

Në Danillovgrad, Kollashin, Plevla, Zhablak, Fronti Demokratik pro-rus, Demokratët dhe Lëvizja Evropa tani po negociojnë se kush do të udhëheqë, pavarësisht se partia e Gjukanoviqit ka fituar më së shumti mandate.

Pas zgjedhjeve lokale, të gjitha partitë u shprehën të kënaqura me votat e fituara.

Daçiq, ministër i Jashtëm në Qeverinë e re serbe

RFE/RL

Partia Përparimtare Serbe dhe Partia Socialiste e Serbisë kanë bërë publikë emrat e ministrave të Qeverisë së re të Serbisë, që do të udhëhiqet nga Ana Bërnabiq.

Lideri i socialistëve, Ivica Daçiq, do të jetë ministër i Punëve të Jashtme, kryetar i Byrosë së Koordinimit të Shërbimeve të Sigurisë dhe zëvendëskryeministër i parë. Ai rikthehet pas dy vjetësh në krye të diplomacisë serbe.

Branisllav Shashiq, ish-drejtori i Agjencisë së Sigurisë së Informacionit (BIA) do të jetë ministri i ri i Punëve të Brendshme të Serbisë. Millosh Vuçeviq, ish-kryetari i Novi Sadit dhe anëtar i lartë i Partisë Përparimtare Serbe, do të marrë drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe do të ketë edhe postin e zëvendëskryeministrit.

Sinisha Malli do të vazhdojë të udhëheqë Ministrinë e Financave dhe po ashtu do të jetë edhe zëvendëskryeministër. Ndërkaq, Maja Popoviq po ashtu do të vazhdojë të jetë ministre e Drejtësisë.

Ndryshime ka në udhëheqjen e disa dikastereve të tjera, përfshirë Ministrinë e Integrimit Evropian, atë të Infrastrukturës, Energjisë dhe Tregtisë.

Qeveria e re serbe po ashtu do të ketë edhe ministra pa portofol, por edhe dy ministra nga radhët e minoriteteve. Husein Memiq do të jetë ministër i Turizmit dhe Rinisë. Memiq ishte bartës i listës së Partisë Demokratike të Sanxhakut.

Ndërkaq, Tomisllav Zhigmanov, kryetar i Unionit Demokratik të Kroatëve në Vojvodinë, do të udhëheqë Ministrinë për të Drejtat e Minoriteteve dhe Dialogut Social.

Partia Përparimtare dhe ajo Socialiste kanë numrat e nevojshëm në Parlament për të formuar Qeverinë. Parlamenti pritet të zgjedhë Qeverinë e re javën e ardhshme.

Qeveria e re serbe do të ketë 25 ministri, apo katër më shumë sesa ekzekutivi paraprak.

Serbia mbajti zgjedhjet parlamentare më 3 prill. Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve u shpallën më 5 korrik për shkak se në disa qendra të votimit në jug të Serbisë u përsëritën zgjedhjet.

Vuçiç: Po shtohet trysnia ndaj Serbisë për çështjen e Kosovës

VOA

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha të enjten se nuk beson në një marrëveshje të shpejtë me Kosovën por vendi i tij ndodhet nën trysni për të gjetur një zgjidhje sikurse edhe për t’i vendosur sanksione Moskës për shkak të agresionit në Ukrainë.

Në një intervistë me televizionin serb “Prva”, ai tha se situata në Kosovë është e ndërlikuar dhe fuqitë perëndimore duan zgjidhje.

“Asgjë nuk duhet të hidhet poshtë paraprakisht, por me sa shoh, gjithçka është e vështirë për Serbinë dhe nëse duhet të them qartë në këtë moment – nuk na kanë dhënë asnjë shans”, tha ai, duke iu referuar diskutimeve për nismën franko-gjermane të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për një marrëveshje Kosovë-Serbi, por pa njohje të ndërsjellë.

Ai tha se Serbisë në shkëmbim i ofrohet ardhmëria evropiane “por çështja është sa do të jetë përulëse për Serbinë zgjidhja e çështjes së Kosovës”.

Të premten ai do të takohet me ambasadorët e vendeve kryesore perëndimore për të diskutuar rreth propozimeve të fundit për një marrëveshje, ndërsa të enjten u takua me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, i cili një ditë më parë në Prishtinë tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin nismën franko-gjermane, ndërsa nënvizoi se diplomatët evropianë thonë që kjo është çështje javësh.

Tensionet e verës së këtij viti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rreth përdorimit të dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave nxitën një reagim më të ngjeshur diplomatik për të shmangur përplasjet në një periudhë zhvillimesh të ndjeshme politike në Evropë për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

Presidenti serb tha se vendi i tij do të bëjë të pamundurën për ruajtjen e paqes. “A njihni ju ndonjë nënë që do të dërgonte të birin në luftë? Unë nuk njoh. Lehtë e kemi ne burrat në kafene që pas 5-6 birrave të flasim”, tha ai, ndërsa akuzoi vendet e NATO-së për siç tha krijimin e një ushtrie serioze të Kosovës në kundërshtim me kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244.

Serbia një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë. Presidenti serb tha se nuk do ta bëj një gjë të tillë derisa Serbia nuk përballet me rrezik ekzistencial.

Presidenti serb tha se integrimet evropiane janë interes i Serbisë, por kjo rrugë kushtëzohet me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pavarësinë e së cilës Beogradi vazhdon ta kundërshtojë.

Mediat greke: Erdogani ka nisur luftë hibride në Greqi e Qipro!

“Mes retorikës së pandërprerë agresive dhe kërcënimet për nisjen e luftës, regjimi i Erdoganit konfirmon se prej kohësh është përfshirë në një luftë hibride shumëplanëshe kundër helenizmit, si në Greqi ashtu edhe në Qipro”.

Kështu e nis artikullin e saj media greke Protothema, e cila raporton se shërbimi sekret turk MIT po ngre një njësi të re speciale me qëllim kryerjen e operacioneve sekrete në Greqi, për të ngritur provokime të ndryshme.

Kjo njësi, ekzistencën e së cilës MIT nuk e ka pranuar publikisht, synon të ngrejë provokime të ndryshme, të cilat jo vetëm do të përkeqësojnë tensionin ekzistues, por mund të përdoren edhe si pretekst për aksionin ushtarak turk kundër Greqisë.

Formimi i kësaj njësie speciale u zbulua nga faqja Nordic Monitor, e cila është e lidhur me lëvizjen Gyleniste.

“Erdogan, i cili në muajt e fundit ka kërcënuar në mënyrë të përsëritur Greqinë me një pushtim, projektoi dhe zhvilloi një njësi sekrete, të trajnuar posaçërisht të lidhur me MIT, për të ngacmuar marrëdhëniet me Greqinë, një aleat i NATO-s dhe vend fqinj”, ka shkruar gazetari turk në mërgim Abdullah Bozkurt i cili ka publikuar lajmin.

Gazetari turk tregon se plani i detajuar për këto operacione-provokime sekrete në tokën greke është gati dhe i është dorëzuar për miratim vetë Erdoganit.

Madje ai përmend se plani do të zbatohet kur të afrohen zgjedhjet presidenciale në Turqi në qershor të vitit 2023. Ai u shpreh se qëllimi i Erdoganit është të arrijë një “fitore të lehtë” mbi Greqinë , me synimin për të ndezur nacionalizmin në popullin turk dhe për t’i bashkuar ata rreth tij elektoralisht. Kriza ekonomike ka gërryer ndjeshëm apelin elektoral të Erdoganit, pasi shtresat popullore që e votojnë janë më të prekurat.

Prandaj, duke qenë se ai nuk mund të bëjë shumë në fushën ekonomike, për t’u rizgjedhur presidenti turk do të luajë kartën nacionaliste dhe ekspansioniste.

Sipas Nordic Monitor , plani i këtij grupi special, emri i koduar i të cilit mbetet i panjohur, përfshin goditje të shumta, ndër to sabotimi në ishujt grekë të Egjeut Lindor, por edhe instrumentalizimi më sistematik i Migracionit.

Kastelorizo konsiderohet si një objektiv më i mundshëm, pa përjashtuar ishujt në qendër të Egjeut Lindor.

Një tjetër provokim është ngritja e flamurit turk në një ose më shumë ishuj grekë. Është një skenë që të kujton atë që ndodhi në vitin 1996 në Imia. Parashikohen edhe operacione ku pala rturke kryen sulme në dëm të vetes, dhe për to akuzohet Greqia.

Kjo praktikë është e zakonshme dhe turqit e kanë aplikuar atë edhe në Qipro që nga vitet 1960.bw

Vuçiqi thotë se Serbia nuk ndryshon qëndrim për sanksionet ndaj Rusisë

RFE/RL

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 17 tetor në Beograd se “për aq kohë sa mund të rezistojmë, pa rrezikuar interesat tona më vitale dhe shtetërore, ne do të ndjekim politikën e vendosur në konsultim me Këshillin e Sigurisë Kombëtare” sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë.

“Kur nuk do të mundemi, ne do t’i drejtohemi njerëzve tanë, qytetarëve dhe do t’iu tregojmë pse nuk mundet” Serbia t’i rezistojë më vendosjes së sanksioneve, tha Vuçiq gjatë një ceremonie për shënimin e 20-vjetorit të themelimit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA).

“Mendoj se nuk mund të keni mesazh më të qartë dhe më konkret”, tha Vuçiq.

“Dhe kur kam thënë se madje edhe ashtu të shtyrë dhe ashtu aq të kërcënuar, ne të ndryshojmë vendimin tonë dhe se duhet të ndryshojmë politikën tonë në përputhje me pritjet e disa njerëzve, unë vetëm po ju them se nuk do të zgjaste më shumë se pesë ditë, do të na rrahin supet dy herë, do të nxirrnin dy njoftime dhe pastaj do të fillonte presioni i ri dhe një histori e re lidhur me Kosovën dhe Metohinë”, tha Vuçiq.

Serbia ka bërë kthim prapa sa i përket përshtatjes me politikën e jashtme me Bashkimin Evropian, është thënë në raportin e progresit të Komisionit Evropian të publikuar më 12 tetor.

Në raport po ashtu thuhet se më 2021, Serbia i ka përshtatur në nivel prej 64 për qind qëndrimet e saj me ato të BE-së, ndërsa në gusht të këtij viti, kjo përqindje ka rënë në 45 për qind, për shkak të refuzimit të Serbisë që të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Rusia është subjekt i sanksioneve të Perëndimit për shkak të agresionit ndaj Ukrainës.

Serbia është shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk i është bashkuar BE-së në vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës.

Turqi: 40 të vdekur nga një zjarr në një minierë qymyri

VOA/Marrë nga Reuters

Një shpërthim në një minierë qymyri në provincën veriore Bartin të Turqisë të premten shkaktoi vdekjen e 40 vetëve, tha të shtunën Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu, duke shtuar se po vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit për një minator që nuk është gjendur.

Ai tha se 58 nga 110 personat që punonin në minierë kur ndodhi shpërthimi u shpëtuan nga ekipet ose dolën vetë.

“Aty vazhdon ende zjarri, minatorët dhe ekipet kanë bërë sakrifica të mëdha për të mos lënë vëllezërit e tyre atje,” tha zoti Soylu në minierë.

Ministri i Energjisë Fatih Donmez tha më vonë se zjarri në minierë ishte vënë përgjithësisht nën kontroll, por përpjekjet për izolimin e tij po vazhdonin pas incidentit që ndodhi 350 metra nën tokë.

Soylu tha se një minator u lirua nga spitali ndërsa 10 ishin ende duke marrë trajtim në Bartin dhe Stamboll.

Autoritetet thanë se prokurorët turq kanë nisur një hetim për shkakun e incidentit, por sipas të dhënave fillestare shpërthimi ishte shkaktuar nga metani në minierë.
Në vitin 2014, 301 punëtorë u vranë në fatkeqësinë më të rëndë ndonjëherë në minierat e Turqisë në qytetin perëndimor të Somas, 350 km në jug të Stambollit.

BE kërcënon Serbinë me pezullim të liberalizimit të vizave

RFE/RL

Komisionarja e për Punë të Brendshme e bllokut evropian, Ylva Johanson, tha se nuk përjashtohet mundësia që Bashkimi Evropian të pezullojë liberalizimin e vizave për Serbinë. Kjo për shkak të rritjes së madhe të emigrantëve që shkojnë në BE përmes Serbisë.

Për rritjen e numrit të emigrantëve përmes asaj që njihet si “Rruga Ballkanike” janë duke diskutuar ministrat e brendshëm të shteteve të BE-së në Luksemburg.

Në rastin e Serbisë, si problem serioz theksohet mospërshtatja e regjimit të vizave me atë të BE-së. Serbia u lejon hyrjen pa viza në territorin e saj qytetarëve të disa shteteve të treta, të cilët më pas vazhdojnë udhëtimin drejt territorit të BE-së.

“Shpresoj se Serbia dhe partnerët e tjerë nga Ballkani Perëndimor do të bashkëpunojnë me ne dhe do të përshtatin regjimin e tyre të vizave me atë të BE-së. Por, në këtë moment kjo nuk është diçka që mund të përjashtohet”, tha komisionarja Johanson në prag të takimit të ministrave të Brendshëm të BE-së.

Ajo nënvizoi në veçanti faktin se qytetarët nga Kuba Burundi, India dhe vendet tjera vijnë në numër më të madh në BE përmes Ballkanit, dhe shtoi se me këtë çështje duhet të merren të gjithë.

“Ajo që bën Komisioni Evropian, e në këtë drejtim do të punojë edhe më shumë, është që mesazhi të arrijë deri te partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor se na duhet përshtatje e regjimit të vizave, në mënyrë që të ndalet vala e atyre që vijnë pa viza në Ballkan dhe vazhdojnë drejt BE-së”, tha komisionarja Johanson.

Për çështjen e rritjes së numrit të migrantëve që shkojnë në BE përmes Ballkanit Perëndimor, foli edhe ministri i Brendshëm i Çekisë, Vit Rakushan.

Vendi i tij, aktualisht po kryeson Presidencën e BE-së.

“Po shoh numër gjithnjë e më të madh të emigrantëve të cilët në BE po vijnë përmes ‘Rrugës së Ballkanit Perëndimor’ dhe ne po i shohim pasojat në secilin kënd të BE-së”, tha Rakushan.

Ministri çek po ashtu tregoi se në nëntë muajt e parë të këtij viti, në BE përmes Ballkanit Perëndimor, kanë shkuar mbi 106 emigrantë ilegalë.

Bashkimi Evropian mund të aktivizojë mekanizmat e pezullimit të vizave në rast se vlerëson se ekziston rrezik nga emigrimi masiv.

Ndryshe, Austria, Hungaria dhe Serbia së bashku do të forcojnë kontrollin kufitar me Maqedoninë e Veriut për të ndalur rritjen e numrit të emigrantëve drejt Bashkimit Evropian, u tha pas një takimi të përfaqësuesve të tri vendeve më 6 tetor në Beograd.

Gjithashtu është konfirmuar se një nga masat e para do të jetë përshtatja e politikës së vizave të Serbisë me BE-në.

Serbia ka fituar liberalizimin e vizave me BE-në në vitin 2009.

Hungaria dhe Serbia pajtohen për ndërtimin e naftësjellësit rus

RFE/RL

Serbia dhe Hungaria janë pajtuar të ndërtojnë një naftësjellës që do t’i mundësonte Serbisë të furnizohej me “naftë më të lirë nga Uralet, duke u lidhur në tubacionin e naftës ‘Miqësia’”.

Ndërtimi i naftësjellësit u dakordua pasi Bashkimi Evropian miratoi pakon e tetë të sanksioneve ndaj Rusisë, që kufizon importin e naftës së papërpunuar ruse. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrja Ana Bërnabiq, kanë akuzuar Kroacinë se ka iniciuar nismën që Serbia të mos përjashtohet nga ndalimi i importit të naftës, që parashihet në pakon e tetë të sanksioneve.

Vuçiq tha se për shkak të këtij fakti, Serbia më nuk e konsideron Kroacinë si furnizuese të besueshme, dhe se do të duhet të diversifikojë burimet e naftës dhe shtoi se ka diskutuar me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, për mundësinë e lidhjes në naftësjellësin “Miqësia”, që sjellë gaz nga Rusia në Hungari, përmes Ukrainës. Nafta ruse arrin në Serbi përmes Naftësjellësit të Adriatikut (JANAF).

Zëdhënësi i Qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs, shkroi në Twitter se për këtë gjë, Serbia ka të ngjarë që në të ardhmen të mos pranojë më naftë përmes Kroacisë.

“Aktualisht, furnizimet me naftë kryesisht kalojnë përmes tubacioneve nëpër Kroaci, por ka pak të ngjarë që kjo do të vazhdojë në të ardhmen, për shkak të sanksioneve të miratuara”, shkroi ai.

Hungaria, që po ashtu varet shumë nga nafta dhe gazi rus, ka mbështetur pakon e re të sanksioneve kundër Rusisë.

Dega jugore e naftësjellësit “Miqësia” kalon përmes Ukrainës në Hungari, më pas në Sllovaki dhe në Republikën Çeke, dhe është burimi kryesor i naftës së papërpunuar për këto tri shtete.

Autobusi i linjës Zyrih – Prishtinë sulmohet në Serbi

Një autobus i linjës Zyrih – Prishtinë, është sulmuar mbrëmjen e së shtunës në Serbi.

Sulmi ka ndodhur mbrëmë në rrugën Nish-Leskovc rreth orës 18:50, ndërsa këtë e ka konfirmuar, pronari i kompanisë “Turist Kosova e Re”, Agim Muçolli.

Muçolli ka thënë se sulmi ka ndodhur nga persona të maskuar.“Rasti ka ndodhur në Serbi derisa ishim duke udhëtuar nga Zvicra në Kosovë. Ishim në lëvizje kur papritur ndodhi sulmi. Njëri nga udhëtarët i ka parë dy persona të cilit ishin të maskuar”, ka treguar Muçolli për “Zërin”.

Ai tha se gjatë 20 viteve sa operon kjo kompani në këtë linjë të rregullt, nuk ka pasur asnjëherë një rast të ngjashëm.

Muçolli tregoi se rastin e ka lajmëruar tek policia e Serbisë dhe Kosovës kur ka arritur në pikën kufitare.

Vuçiq: Po propozohet anëtarësimi i Kosovës në OKB për hyrjen e shpejtë të Serbisë në BE

RFE/RL

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 8 tetor se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë Kosovën të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Kërkohet që Serbia të lejojë Kosovën që të bashkohet në të gjitha institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara. Për këtë gjë, Serbisë do t’i garantohej anëtarësim i shpejtë në BE, dhe ndoshta edhe përfitime tjera të mëdha ekonomike”, ka thënë Vuçiq në një adresim para gazetarëve.

Sipas tij, një propozim i tillë është i papranueshëm për Serbinë.

“Për Serbinë, për shkak të Kushtetutës, por jo vetëm për shkak të saj, është e papranueshme që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së, sepse diçka e tillë do të kishte pasoja”, ka thënë mes tjerash ai.

Sipas tij, gabimi më i madh që ka bërë Serbia është kur ka pranuar që BE-ja të menaxhojë procesin e zgjidhjes së statusit final të Kosovës.

“Prej atëherë, pavarësisht nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel, ne nuk kemi qenë në gjendje të fusim në agjendë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë Vuçiq.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 7 tetor, se mbështet “çdo iniciativë që nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

“Komunave tashmë u lejohet që të bashkohen në asociacione multietnike, pa kompetenca ekzekutive, pra si OJQ”, ka thënë mes tjerash ajo, teksa ka komentuar çështjen e Asociacionit.

Presidenti serb ka thënë se pozicioni i Serbisë në relacion me Kosovën është duke u komplikuar secilën herë më shumë.

“Sepse shtetet e Perëndimit do të tentojnë, siç besojnë ato, të zgjidhin problemin e Kosovës në një mënyrë apo tjetër përmes anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe sepse besojnë se në atë mënyrë janë duke zgjidhur çështje brenda-evropiane”.

Një tjetër arsye, sipas tij, lidhet me përpjekje e Perëndimit që presidenti rus, Vladimir Putin të mos ketë argument Kosovën për synimet e tij në Ukrainë.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e saj nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Kosova thotë se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, por Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

Tetë njoftime për tërheqjes së njohjes së Kosovës”

Presidenti serb ka thënë se Serbia ka momentalisht tetë njoftime për tërheqje të njohjes së Kosovës.

Ai ka përmendur se shumë shpejt pritet të nisë edhe shqyrtimi i pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Ne po presim që më 2 apo 3 nëntor, të fillojë procedura për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ata po presin që të largohet anëtari hungarez nga Byroja e Komitetit të Ministrave dhe të zëvendësohet me një anëtar lituanez, dhe më pas të nisë procedura që mund të zgjasë shumë”, ka thënë ai.

Sipas tij, qëllimi i gjithë kësaj është që Beogradi të pranojë pavarësinë e Kosovës në aspektin formal.

“Në këtë moment, udhëheqësia serbe nuk ka gatishmëri për të pranuar pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”, ka thënë mes tjerash ai.

Kosova edhe në të kaluarën e ka akuzuar Serbinë se po zhvillon fushatë të ashpër për tërheqjen e njohjeve të shtetësisë së saj.

Serbia edhe më herët ka pretenduar se disa shtete kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, por në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë figurojnë 117 shtete që e kanë njohur këtë shtet.

Ish-politikania serbe mesazh Vuçiqit: Kosova është një histori e mbyllur për Serbinë

Ish-politikania dhe sociologia serbe, Vesna Peshiq, ka thënë se “për sa më përket mua, Kosova është një histori e përfunduar, ne thjesht po humbim kohë”.

Sipas Peshiqit, paralajmërimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq për formimin e një “blloku serb” është një ide mjaft e paqartë.

“A dëshiron ai të qëndrojë në qendër dhe të thotë – në të majtë janë të gjelbrit pro-evropianë, dhe në anën tjetër janë të djathtët dhe ai do të jetë mes tyre”, tha ajo për “N1”.

Lidhjet e opozitës parlamentare me ideologjinë politike të djathtë po forcohen. Jo rrallë, atyre u bashkohen akademikë dhe profesorë të një orientimi të ngjashëm.

Kësaj radhe, pikë takimi ishte Proklamata për Mbrojtjen e Kosovës.

“Nuk e di nëse ka pasur ndonjë proklamatë më parë… Por të gjithë janë shumë të njohura për opinionin, të gjithë janë nacionalistë, Beqkoviq, Koviq, Çaslav Ociq… Nuk e di se çfarë plani kanë me Kosovën, si do ta mbrojnë Kosovën, çfarë mund të bëjnë për Kosovën”, pyeti Peshiq.

Siç tha ajo, lëvizja Dveri është “e njohur për këtë temë”.

“Ata janë parti të Putinit, përfaqësojnë vlerat familjare dhe duan ‘ta kthejnë Kosovën’. Si do ta kthejnë Kosovën, duhet të krijojnë trupa të armatosura. Riintegrimi i Kosovës është krejtësisht jorealist”, theksoi ajo.

Ajo thotë se Kosova është një histori e mbyllur.

“Thjesht po humbim kohë”, shtoi ajo.

Duke komentuar formimin e “bllokut serb”, Peshiq thotë se ai nuk është “Serbi e denjë”, çfarë e ka paralajmëruar Vuçiq.

“Nëse kjo është Serbia e denjë, ai që është i padenjë vet… Nuk kemi më asnjë institucion, zgjedhjet na kanë zgjatur dy muaj, pastaj u bë pauzë pastaj janë verifikuar mandatet, pastaj do të formohet qeveria në gusht, shtator, tetor, kështu që tani nuk kemi as qeveri”, tha ajo.Expres

Krishto, Beqiroviq dhe Cvijanoviq në rrugë për në presidencën e Bosnjës

Nisur nga majtas: Borjana Krishto, Denis Beqiroviq dhe Zhelka Cvijanoviq – kandidatë për presidencën trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës.

RFE/RL

Kandidati i moderuar boshnjak, Denis Beqiroviq, është duke udhëhequr në garën për të fituar ulëse në presidencën trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, sipas rezultateve preliminare të publikuara në orët e para të së hënës.

Beqiroviq, anëtar i Partisë Socialdemokrate, i cili është përkrahur nga 11 parti opozitare, ka fituar 55.78 për qind të votave, për dallim nga Bakir Izetbegoviq, partia e të cilit – Partia për Veprim Demokratik – ka qenë në pushtet prej fundit të luftës më 1996.

Izetbegoviq, i cili sipas Komisionit zgjedhor ka fituar 39.31 për qind të votave, e ka pranuar humbjen të dielën.

Beqiroviq pritet të ndajë presidencën trepalëshe me përfaqësuesen e kroatëve të Bosnjës, Borjana Krishto, kandidate nga Bashkimi Demoratik Kroat (HDZ) dhe serben e Bosnjës, Zhelka Cvijanoviq nga Aleanca e Social Demokratëve të Pavarur.

Shtetasit e Bosnjës kanë votuar të dielën për përfaqësuesit e tyre në presidencën trepalëshe dhe ligjvënësit në nivelet kombëtare, rajonale dhe lokale.

Më shumë se 60.000 vëzhgues janë akredituar për të mbikëqyrur procesin.

Sipas autoriteteve, dalja në zgjedhje ka qenë 50 për qind, apo 2 për qind më pak sesa në zgjedhjet e vitit 2018.

Gara është konsideruar të jetë zhvilluar mes nacionalistëve dhe reformistëve të fokusuar në ekonomi.

Zyrtarët kanë thënë se procesi zgjedhor është zhvilluar mirë, pavarësisht raportimeve për parregullsi dhe ndalim të disa personave për mashtrime zgjedhore.

Aktualisht Bosnje-Hercegovina është duke u përballur me krizën më të rëndë politike prej fundit të luftës së viteve 1990, sidomos për shkak të politikave separatiste të udhëheqësisë së serbëve të Bosnjës dhe kërcënimeve për bllokada nga kroatët në këtë shtet.

“Është koha për një kthesë pozitive në Bosnje”, u ka thënë Beqiroviq gazetarëve pasi ka pretenduar fitore.

Bosnja përbëhet nga dy rajone autonome: Republikën Sërpska të dominuar nga serbët dhe Federatën me popullsi kryesisht të boshnjakëve myslimanë dhe kroatëve.

Federata është e ndarë në 10 kantone.

Ekziston edhe distrikti i ndarë Bërçko në veri.

Ky organizim është krijuar sipas Marrëveshjeve të Dejtonit, të vitit 1995, të cilat u kanë dhënë fund tri vjetëve luftime të këtë republikë të ish-Jugosllavisë.

Vëmendje të madhe në këto zgjedhje ka fituar edhe udhëheqësia për Republikën Sërpska.

Dodik ka garuar për president të Republikës Sërpska dhe nuk ka synuar mandat të dytë në presidencën trepalëshe.

Edhe Dodik, edhe rivalja e tij, Jellena Triviq, kanë pretenduar fitore për presidencën e Republikës Sërpska.

Pretendimet e tyre do të testohen më 3 tetor, kur autoritetet zgjedhore pritet të bëjnë publike rezultatet me shifrat e përditësuara.

Dodik mban lidhje të ngushta me Serbinë dhe Rusinë.

Shtetet e Bashkuara e sanksionuar Dodikun më 2017, dhe sërish në janar të këtij viti, për shkak të përpjekjeve të tij për ndarje të Bosnjës.

Zgjedhjet në Bosnje, DW: Nacionalistët nuk i tremben humbjeve!

Bosnje Hercegovina, një vend politikisht i paralizuar voton. Megjithë klientelizmin, korrupsionin dhe varfërinë, nacionalistët nuk i tremben aspak humbjeve në zgjedhje.

Gjendja është serioze: “Në Bosnje-Hercegovinë nuk ka rrezik lufte, por kriza politike është shumë e thellë”, theksoi Christian Schmidt, Përfaqësuesi i Lartë i OKB-së për Bosnjen në një konferencë shtypi në Sarajevë. Në një raport të mëparshëm për OKB, ish-ministri gjerman i Bujqësisë kishte paralajmëruar nga “kriza më e madhe ekzistenciale” për Bosnjen që nga fundi i luftës, në vitin 1995.

Përgjegjës për këtë kërcënim për Bosnjen janë partitë nacionaliste të tre popujve konstituues sipas kushtetutës të shtetit multietnik – “Partia e Aksionit Demokratik”, SDA, e boshnjakëve, “Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur”, SNSD e serbëve boshnjakë. dhe “Bashkësia Demokratike Kroate”, HDZ e kroatëve. Këto parti në 27 vitet e fundit e kanë përçarë thellë Bosnjën.

Trashëgimia e Dejtonit

Mitingje zgjedhore në Bosnje

Para një sfondi të tillë votuesit boshnjakë në këtë vend vendosin më 2 tetor për përfaqësuesit e tyre në strukturën e komplikuar të shtetit boshnjak. Kjo është struktura e Bosnjes si shtet pas Marrëveshjes së Paqes, që u nënshkrua në Dejton, SHBA në fund të vitit 1995, një marrëveshje, e cila i dha fund nga njëra anë luftës së Bosnjes, ku nga viti 1992 u vranë rreth 120.000 vetë, por krijoi nga ana tjetër një shtet, ku sundon parimi kombëtar. Ai fillon me “etnitetet” e dy pjesëve të vendit: Në Republikën Srpska jetojnë kryesisht serbët boshnjakë, në 10 kantonet e “Federatës të Bosnje dhe Hercegovinës” jetojnë  boshnjakë dhe kroatë boshnjakë. Të dy etnitetet kanë parlamentet e tyre dhe qeveritë. Më 2 tetor do të zgjidhet si parlamenti i Republikës Srpska edhe presidenti. Kësaj i shtohet votimi për parlamentin e përgjithshëm boshnjak, të tre anëtarët e “presidiumit shtetëror” të shtetit kolektiv boshnjak, si edhe parlamentet e etnitetit të Federatës së Bosnje-Hercegovinës dhe kantoneve.

 

Një kontrukt fatal

Në Dejton u krijua edhe Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të OKB për Bosnjen, e pajisur me kompetenca të gjera, dhe me synimin për të vëzhguar respektimin e marrëveshjes së paqes. Përfaqësuesi i Lartë mund të ndërrojë ligjet apo të heqë politikanë të zgjedhur apo të lirojë nga detyra nëpunës.

Përtej kësaj rendi politik i pasluftës së Bosnjes është i bazuar tërësisht mbi parimin etnik. Kjo shkon kaq larg, saqë vetëm anëtarë përfaqësues të të dy popujve kanë të drejën e plotë të votës në të gjitha nivelet e shtetit. Pjesëtarë të pakicave, romë, hebrenj apo të tjerë nuk mund të kandidojnë për presidiumin shtetëror.

 

Nepotizmi dhe korrupsioni

Për partitë nacionaliste është pikërisht ky kontrukt etnik instrumenti kryesor i ngjitjes dhe i mbajtjes së pushtetit. Në punësimet në administratë, në aparatin shtetëror dhe në shumë vende të tjera shtetërore nuk shikohet vetëm etnia, por sidomos përkatësia partiake. Kushte ideae këto për nepotizmin dhe korrupsion. Pasojë tjetër është gati pamundësia e qeverisjes së vendit. Partitë nacionaliste, të fokusuara vetëm në forcimin e etnisë së tyre, nuk kanë interes për funksionimin e institucioneve të përbashkëta dhe qendrore. Gjykata Kushtetuese boshnjake prej muajsh nuk ka numrin e duhur të anëtarëve, qeveria e federatës prej vitesh punon vetëm provizorisht, ligje të caktuara nuk miratohen dot, sepse parlamentet përgjegjëse bllokojnë.

Aleanca e nacionalistëve

Kreu i SNSD, Milorad Dodik, përfaqësues edhe në presidiumin shtetëror të vendit kërcënon rregullisht me shkëputjen e Republikës Srpska. Me këtë Dodik e mban në gjendje alarmi opinionin publik boshnjak dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare. Dodik mbështetet nga HDZ. Nacionalistët kroatë e justifikojnë mungesën e bashkëpunimit në institucionet e përgjithshme të shtetit me pakënaqësinë me ligjin zgjedhor, që sipas tyre i kufizon ndjeshëm kroatët në Bosnje kundrejt boshnjakëve. SDA, partia e boshnjakëve, që nga jashtë përpiqet të paraqitet si garantuese e shtetit boshnjak, tregoi së fundmi, se edhe ajo di të luajë kartën nacionaliste. E pakënaqur me njoftimin e Përfaqësuesit të Lartë të OKB-së, Christian Schmidt që do të ndryshojë ligjin zgjedhor në favor të kroatëve, SDA organizoi protesta masive para selisë së OKB në Bosnje. Kreu i partisë, Bakir Izebegovic bëri fjalë për “mundësinë  e rezistencës së armatosur”. Si pasojë Schmidt e ngriu këtë projekt dhe miratoi vetëm disa ndryshime të vogla.

 

Ndihmësit nga jashtë

Nacionaistë boshnjakë kanë mbështetësit e tyre jashtë vendit. Kështu Dodik shfaqet shpesh së bashku me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe demonstron hapur, se për të Beogradi është më i rëndësishëm se Sarajeva. Covic mbështetet nga politikanë drejtues në Zagreb, kurse Izetbegovic krenohet me afërsinë politike e ideologjike, por edhe me njohjen personale me presidentin turk, Erdogan. Politika bllokuese prej vitesh e partive nacionaliste dhe mentorëve të tyre në vendet fqinje me pasojë paralizën politike e ka keqësuar gjendjen në Bosnje-Hercegovinë. Në indeksin e Transparency International, Bosnja u rendit në vitin 2021 në vendin e 110 nga 180 vende. Ekonomia është një nga më të dobtat në Europë. Papunësia është e lartë, gjithnjë e më shumë boshnjakë largohen nga vendi. Nga viti 2013 janë larguar më shumë se një gjysmë milioni boshnjakë.

Anëtarësimi në BE është qëllimi i deklaruar i të gjitha partive boshnjake, por ky vend nuk ka arritur të marrë as statusin kandidat në BE, megjithëse aplikimin për anëtarësim e ka bërë që në vitin 2016. Përmirësimi i gjendjes nuk duhet në horizont, qetësuese mbetet vetëm deklarata e Përfaqësuesit të Lartë se të paktën Bosnjen nuk e kërcënon lufta. /DW

Bullgaria mban zgjedhjet e katërta të përgjithshme në më pak se dy vjet

Një qytetare e Bullgarisë duke votuar në zgjedhjet e përgjithshme.

RFE/RL

Qytetarët në Bullgari votojnë më 2 tetor në zgjedhjet e përgjithshme. Këto janë zgjedhjet e katërta në 18 muajt e fundit, në mes të pritjeve se do të prodhojnë një Parlament të fragmentuar dhe bisedimeve të vështira për të formuar një koalicion qeverisës.

Bullgaria, me një popullsi prej afër 7 milionë banorësh, është në krizë politike që nga viti 2020, kur vendi u përball me protesta mbarëkombëtare pas zemërimit të publikut të akumuluar për shumë vite për shkak të korrupsionit. Pjesa më e madhe e zemërimit ishte lidhur me liderin shumëvjeçar Boyko Borisov, dhe partisë së tij Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë (GERB).

Qeveria e fundit, e udhëhequr nga Kiril Petkov, kolapsoi në qershor vetëm gjashtë muaj pasi mori mandatin, pasi njëri prej partnerëve doli nga koalicioni qeverisës. Petkov, që udhëheq partinë pro-referomave, Ne Vazhdojmë Ndryshimin (PP), është përballur me sfida në përmbushjen e zotimeve të tij për të çrrënjosur korrupsionin.

Ai po ashtu ka mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë. Rusia është një shtet që tradicionalisht ka raporte të mira me Bullgarinë dhe Petkov po ashtu ka akuzuar Kremlinin se ka ndihmuar në orkestrimin e rrëzimit të Qeverisë së tij, pasi Bullgaria refuzoi të paguajë me rubla për gazin rus.

Sondazhet e publikuara një ditë para zgjedhjeve thanë se GERB kishte mbështetjen e 25-26 për qind të votuesve, ndërkaq partia PP e Petkovit kishte mbështetjen e 16.5 për qind të votuesve.

Pritet që deri në tetë parti të kalojnë pragun prej 4 për qind për të fituar ulëse në Parlamentin bullgar prej 240 mandatesh.

Një prej këtyre partive, Rilindja, subjekt i ekstremit të djathtë, sipas sondazheve, mund të fitojë rreth 11 deri në 13 për qind të votave. Kjo parti ka fituar avantazh nga vala e populizmit që ka mbërthyer Evropën – teksa parti të ekstremit të djathtë kanë shënuar fitore në Itali dhe Suedi – në mes të frikës ekonomike dhe pasigurisë që fillimisht u nxit nga pandemia e COVID-19, e më pas edhe nga pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës.

Partia Rilindja ka premtuar se do ta largojë Bullgarinë nga Bashkimi Evropian dhe NATO dhe do të shtyjë përpara politika miqësore me Kremlinin.

Përderisa shumë ekspertë vlerësojnë se retorika anti-Perëndim e partisë Rilindja është përdorur më shumë për fushatë, ata paralajmërojnë për kujdes lidhur me atë se çfarë po bën kjo parti për t’u afruar me Kremlinin.

Qendra e votimit janë hapur në orën 07:00 sipas kohës lokale dhe do të mbyllen në orën 20:00.

Stambolli, streha e rusëve të arratisur

Pas shpalljes së mobilizimit të pjesshëm nga Moska, shumë njerëz ikin drejt metropolit turk – Reportazh

 

VOAL- Arratisja e Konstantinit u ndal në qendrën historike të Stambollit pas 6 ditësh udhëtimi nëpër tre vende të ndryshme. “Jam i lodhur sepse ka qenë një udhëtim shumë i gjatë dhe stresues. Tani përpiqem të relaksohem,” u thotë ai kolegëve tanë në RTS.

Konstantini është 43 vjeç dhe në Rusi ka qenë drejtues i një kompanie, por me shpalljen e mobilizimit nuk ka hezituar të arratiset. Marrja e armëve dhe nisja për në Ukrainë nuk bëhej fjalë, kështu që ai la gruan dhe fëmijët dhe kaloi Rusinë, Gjeorgjinë dhe gjithë Turqinë për të arritur në Stamboll, ku shpreson se familja e tij së shpejti do të mund t’i bashkohet. Por pengesat janë të shumta.

“Karta ime e kreditit ruse ka dy ditë që ka pushuar së punuari. – thotë ai – Bankat turke nuk e pranojnë më, kështu që nuk mund të tërheq para. Ndihem si një lepur që gjuhet nga gjuetarët. Çdo ditë është ndryshe dhe përkeqësohet dhe përkeqësohet më shumë”.

Konstantini detyrohet të ndërrojë shpesh hotele, sepse midis inflacionit dhe ardhjes masive të emigrantëve rusë, çmimet kanë shpërthyer. Të vetmet akomodime që mund të përballoni janë shumë larg qendrës. Konstantini mban edhe librezën e tij ushtarake në bagazhet e tij.

“Sipas kësaj broshure figuroj në kategorinë A, është më e mira. Gjasat për t’u rekrutuar janë shumë të mëdha. Nuk dua të vras ​​askënd dhe mbi të gjitha asnjë ukrainas. Për mua ata nuk janë thjesht fqinj, janë si të afërmit. Të afërmit për të cilët kujdesem shumë”.

Pas vendosjes, Konstantini shpreson që në Turqi të ketë mundësinë të fillojë një jetë të re. rsi-eb

Gjukanoviçi: Serbia e Madhe ka një kontraktues, ai është Abazoviçi

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka bërë të ditur se ka norma kushtetuese që janë të qarta, njëra prej të cilave është emërimi i një përfaqësuesi brenda 30 ditëve.

Ai e ka akuzuar kryeministrin në largim, Dritan Abazoviç si ‘kontraktor të Serbisë së Madhe’, e cila sipas presidentit, i shërben synimeve të Rusisë Perandorake, raporton Vijesti.

‘Ai afat ka kaluar dhe tani parlamenti është përgjegjës për paralizën institucionale të Malit të Zi. Ata që nuk ia dëshirojnë të mirën Malit të Zi, duan paralizën institucionale të Malit të Zi, prandaj asnjë nga 18 kandidatët për Gjykatën Kushtetuese nuk u zgjodh.

Për të vërtetuar tezën e nacionalizmit serbomadh dhe se Mali i Zi duhet të kthehet në Serbinë e Madhe, që është dëshirë edhe e Rusisë Perandorake edhe e Serbisë së Madhe. Është e qartë se ata kanë një kontraktues, dhe ai është kryeministri aktual (Dritan Abazoviç)’, tha Gjukanoviç.

I pari i shtetit malazez pohoi se shumica parlamentare mund të paraqesë prova për 30 ditë se ka shumicën për mandatin.

Presidenti i Malit të Zi shtoi se parlamenti do të duhet të mendojë se si të dalë nga ky ngërç nëse nuk dëshiron të jetë bashkëpunëtor.

Ndryshe, Abazoviç ditë më parë kishte deklaruar se presidenti ka vetëm një mundësi, që është t’ia besojë mandatin Miodrag Lekiqit. syri.net

Mali i Zi, arrestohen disa persona nën dyshimin se punonin për sigurimin rus

VOA

Disa shtetas malazezë janë arrestuar të enjten në Podgoricë nën dyshimin se punonin për shërbimet inteligjente ruse, njoftojnë disa media malazeze.

Sipas informacioneve të tyre , “aksioni është udhëhequr nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare (ANB), nën juridiksionin e së cilës është kjo vepër penale, dhe është kryer me urdhër të Prokurorisë Speciale të Shtetit” .

Kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, e mirëpriti veprimin e Prokurorisë Speciale të Shtetit, duke thënë se “bëhet fjalë për një aksion ndërkombëtar”.

Abazoviq tha se “ aksioni po realizohet me partnerët e Malit të Zi dhe ka qëllim ruajtjen e interesave kombëtare”.

Zëdhënësi i Prokurori Special, Vukash Radonjiq tha se me urdhër të Gjykatës së Lartë, policia ka kontrolluar banesat dhe lokalet e tjera të disa shtetasve, “për shkak të dyshimit se janë kryer vepra penale, krijimi i një organizatë kriminale dhe spiunazh”.

Sipas një burimi, një nga personat e arrestuar, sipas të dhënave të agjencisë, ka punuar për shërbimin rus për më shumë se një dekadë dhe është pjesë e një grupi më të gjerë, anëtarët e të cilit janë të njohur për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare.

Dyshohet se bëhet fjalë për një punonjës të administratës shtetërore.

Të njëjtat burime thonë se aksioni i sotëm është vetëm fillimi i aktiviteteve për zbulimin e bashkëpunëtorëve të shërbimeve të huaja inteligjente.

Dalin pamjet e plagosjes së 30-vjeçarit shqiptar nga policja greke, “Esko” i larë në gjak dergjet në trotuar

Mediat greke kanë publikuara pamje nga operacioni i djeshëm i policisë së Athinës, ku u arrestua 30-vjeçari shqiptar Esmin Ferhati.

Ai shihet thuajse i zhveshur, shtrirë në trotuar ndërsa dallohet qartë në këmbën e tij shenja e plagosjes me armë zjarri nga efektivja 35-vjeçare e policisë greke, e cila ishte duke braktisur aksionin për shkak se nuk ndihej mirë, në momentin që u përball me Ferhatin, i cili e sulmoi me kaçavidë.

Agjentët e maskuar të EKAM-it e kanë shtrirë 30-vjeçarin në një batanije speciale dhe shihen teksa i mbështjellin plagët me fasha hemostatike.

I plagosur rëndë nga plumbat që ka marrë, shqiptari duket i mbuluar nga gjaku. Sipas “Protothema” gjatë operacionit shqiptari ka tentuar të arratiset nga Universiteti Politeknik, ndërsa u përball me oficerët duke u thënë: “Mos u afroni ju k**v*”.

 

Mirëpo, në atë kohë, ai u pa nga efektivja 35-vjeçare, me banditin që u vërsul drejt saj.

 

30-vjeçari bashkë me bandën e tij kishin gjetur strehë në rezidencat studentore të Universitetit Politeknik “Zografou” në 4 vitet e fundit dhe dilnin nga “strofulla” vetëm për të kryer grabitje në orët e para të mëngjesit, konkretisht në orën 6-7 të mëngjesit, ndërkohë që mbi Ferhatin janë të hapura 5 çështje penale.

 

I njohur në rrethin e kriminelëve në kryeqytetin helen sedhe me pseudonimin “Esko”, shqiptari kishte krijuar një bandë me mbi 10 anëtarë që bënte jetë luksi falë parave të grabitura në banesa, supermarkete, karburante dhe banka të nivelit të dytë.

 

Grupi madje kishte lidhje edhe me një 22-vjeçare greke, e cila ishte praktikante në Policinë e Athinës dhe do të betohej në detyrën e re këtë fundjavë, por në kohën e lirë i shërbente bandës së të dashurit të saj duke u dhënë informacione për aksionet e kolegëve, e madje shijonte luksin me makina të shtrenjta, armë dhe para cash me grupin.bw

Hill i kërkoi shpjegime Serbisë, i reagojnë rusët në Beograd

Ambasada e Rusisë në Serbi i ka reaguar ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, pasi diplomati tha se po pret shpjegime për marrëveshjen që Serbia e nënshkroi me Rusinë në Nju Jork.

Rusia e ka quajtur “ekzagjërim” dhe “të trishtueshme”, deklaratën e ambasasdorit Hill, ku ai tha se SHBA-ja e ka vështirë ta kuptojë ekzistencën e një marrëveshje të tillë, duke kërkuar shpjegime për të, përcjell Gazeta Express.

“Pa ekzagjerim, na habitin deklaratat e pahijshme të ambasadorit amerikan në Serbi, Ch. Hill, për marrëdhëniet ruso-serbe. Kësaj radhe ai me të vërtetë e ka tejkaluar veten, duke kërkuar egërsisht – sikur të kishte të drejtë të tillë – shpjegime (!) nga autoritetet e vendit pritës në lidhje me nënshkrimin nga ministrat e Punëve të Jashtme të Rusisë dhe Serbisë, më 23 shtator 2022, në Nju Jork, të planit të konsultimit ndërmjet departamenteve për vitin 2023-2024″, thuhet në reagimin e ambasadës ruse, raportojnë mediat serbe.

“Është e trishtueshme të shohësh se sa ulët mund të zhytet diplomacia amerikane për të kryer detyrat e imponimit ndaj shteteve sovrane”, tha ambasada e Rusisë, duke përmendur “rusofobinë”.

Ambasada e Rusisë ka përmendur edhe bombardimet e NATO-s më 1999, duke thëse se nuk kanë dyshim se shumica në Serbi “kategorikisht nuk e pranon këtë qasje” të SHBA-së.

Rusia premtoi se “do të vazhdojë, në kontakt me partnerët serbë, përpjekjet për të forcuar vazhdimisht bashkëpunimin strategjik dypalësh në të gjitha fushat me interes të përbashkët, duke përfshirë dialogun ndërmjet ministrive të punëve të jashtme për një gamë të gjerë çështjesh aktuale”.

Hill tha të hënën se gjatë seancës së OKB-së, SHBA-ja kishte “diskutime jashtëzakonisht të mira dhe të frytshme për tema globale dhe të tjera politike” me delegacionin serb, por tha se pas kësaj dëgjuan për dokumentin e nënshkruar me Rusinë.

“Vetëm pas kësaj ne dëgjuam përshkrimet e atij dokumenti, ai nuk është bërë ende publik, kështu që ne jemi ende duke pritur për këtë”, tha Hill pas një forumi rajonal mbi qeverisjen e mirë dhe politikat anti-korrupsion në kohë pasigurie gjeopolitike.

Ambasadori Hill tha se askush nuk duhet të nënshkruajë asgjë me Rusinë në këtë moment.

Erdogani kritkon Greqinë: Mesdheu është larë në gjak dhe lotë

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka kritikuar ashpër Greqinë për trajtimin që po u bën refugjatëve në Mesdhe.

“Ne nuk e pranojmë që Deti Egje dhe ai Mesdhe janë të larë në gjak, lotë apo armiqësi”, ka thënë Erdogan të martën, sipas zyrës së tij.

“Ne duam paqe dhe qetësi me gjithë zemrat tona”, ka thënë ai.

Erdogan ka kritikuar edhe më herët Greqinë si i trajton emigrantët, duke e akuzuar këtë shtet për armatosje të ishujve në lindje të Egjeut, duke shkelur traktatet ndërkombëtare.

“Armët e grumbulluara në zonën perëndimore dhe në ishuj nuk nënkuptojnë asgjë për ne, sepse fuqia dhe kapacitetet tona tejkalojnë ato”, ka thënë Erdogan sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, Anadolu.

Erdogan ka thënë të hënën se Qeveria e tij do të mbrojë interesat shtetërore kundër Greqisë, me të gjitha mjetet që ka në dispozicion.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka thënë disa herë se ka gatishmëri për të zhvilluar takime me Erdoganin.

Mirëpo presidenti turk ka refuzuar që të takojë përfaqësuesit grekë.

Lidhjet në mes të këtyre dy vendeve fqinje – njëherësh anëtare të NATO-s – janë të tensionuar së fundi.

Ankaraja beson se Greqia është duke shkelur Traktatin e Lozanës të vitit 1923 dhe Traktatin e Parisit të vitit 1947, duke armatosur ishujt.

Athina e arsyeton armatosjen duke përmendur kërcënimet nga Turqia dhe përmend të drejtën për vetëmbrojtje. rel

Deklaratat e Erdoganit rritin tensionet me Greqinë. SHBA dhe BE: Turqia të respektojë sovranitetin e vendeve europiane

Tensionet mes Greqisë dhe Turqisë vazhdojnë të jenë në rritje, me deklaratat e presidentit turk Rexhep Tayyip Erdogan, kundër Athinës.

Këtë herë Erdogan akuzoi Greqinë se po strehon terroristë në një kamp në Lavrio.

“Terroristët mbrohen pothuajse në çdo vend të Europës, veçanërisht në kampin grek në Lavrio”, ka deklaruar Erdogan.

Ai po ashtu theksoi se terroristët janë një kërcënim për paqen dhe sigurinë e vendeve perëndimore që mbrojnë terroristët,.

Duke vijuar me  Greqinë,  ai tha se “ne i dimë shumë mirë qëllimet e atyre që e motivojnë”, ndërsa tha se “armët që po grumbullohen në  Trakinë perëndimore  dhe në ishuj nuk kanë vlerë për ne. Forca jonë është shumë përtej tyre.

Në të njëjtën kohë ai theksoi se  ‘përkrahja nga Amerika nuk do t’ju shpëtojë’.

Por pas këtyre reagimeve ka reaguar Departamenti i Shtetit dhe Komisioni Europian i bëri thirrje Turqisë të respektojë sovranitetin e vendeve anëtare të BE-së dhe të angazhohet në zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura në lidhje me fqinjët, duke respektuar ligjin ndërkombëtar.bw

Serbia një kandidate për anëtarësim në BE nënshkroi marrëveshje me Rusinë për politikën e jashtme

VOA

Serbia ka nënshkruar një marrëveshje me Rusinë për “konsultime” të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviç, nënshkroi marrëveshjen të premten me ministrin e jashtëm rus Sergey Lavrov në margjinat e takimit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku shumica e delegacioneve perëndimore shmangën kryediplomatin rus për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Plani i konsultimit i paraparë me marrëveshjen pritet të zgjasë për dy vjet, thuhet në një deklaratë të ministrisë serbe. Serbia zyrtarisht është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por marrëdhënie të ngushta me Rusinë.

Edhe pse Serbia thotë se e mbështet tërësinë tokësore të Ukrainës, ka refuzuar vazhdimisht t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës. Përafrimi i politikave të jashtme me BE-në është një nga parakushtet kryesore për t’u anëtarsuar në bllokun 27-vendesh, por Serbia i ka kundërshtuar vazhdimisht thirrjet për ta bërë një gjë të tillë.

Mediat në Serbi dhe Rusi thanë se presidenti populist i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u takua me ministrin Lavrov në Nju Jork dhe të dy “theksuan përqendrimin e përbashkët në zhvillimin e mëtejshëm dinamik të marrëdhënieve ruso-serbe”.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cilësoi marrëveshjen “skandal të rëndë”.

“Në mes të luftës së furishme, Ministria e Jashtme e Serbisë nënshkruan planin për bashkëpunim në të ardhmen me agresorin rus. Ose ndoshta është thjesht një sinjal për ne që të ngrijmë bisedimet e anëtarësimit në BE, pasi hyrja në BE nuk kalon përmes Moskës”, shkroi zonja von Cramon.

Raportuesi për Serbinë, Vladimir Bilçik, tha se “si një mbështetës i zellshëm i çdo hapi drejt një Serbie evropiane, e shoh lajmin e konsultimeve të planifikuara midis Serbisë dhe Rusisë një goditje të madhe për procesin e anëtarësimit në Ballkanin Perëndimor. Të jemi të qartë: Rusia po mobilizohet për të sulmuar shtetin kandidat për në BE, Ukrainën, Rusia po sulmon zgjerimin e BE-së”, shkroi ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se marrëveshja Serbi-Rusia, “duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore-demokratike”.

Zyrtarët nga opozita pro-perëndimore e Serbisë thanë se nënshkrimi i marrëveshjes së fundit me Rusinë është një shenjë se presidenti Vuçiç, një ish-ultranacionalist, ka hequr dorë nga orientimi i vendit ballkanik drejt BE-së dhe po e afron atë më pranë Moskës.

Partia e Lirisë dhe Drejtësisë, një subjekt opozitar i qendrës SSP tha se “është e pabesueshme” që në një kohë kur pjesa më e madhe e botës po vëzhgon me frikë veprimet e Moskës, Serbia nënshkroi një marrëveshje për t’u konsultuar me një vend “që shkel drejtpërdrejt Kartën e OKB-së dhe synon të aneksojë territoret (ukrainasa)”.

Ministri i Brendshëm serb Aleksandar Vulin, zëdhënësi jozyrtar i presidentit Vuçiç, tha në një deklaratë se “zgjerimi i bashkëpunimit me Rusinë nuk është çështje e respektimit të së kaluarës, por një vendim i përgjegjshëm për të ardhmen”.

Serbia shihet si aleati kryesor i Moskës në Ballkanin Perëndimor dhe është e rëndësishme për Rusinë si një rrugë për të destabilizuar rajonin dhe për të zhvendosur mundësisht një pjesë të vëmendjes së botës nga lufta në Ukrainë.

Ajo llogaritë në Moskën në kundërshtimin e saj ndaj pavarësisë së Kosovës e cila u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore perëndimore.

*Mbështetur në agjencinë e lajmeve Associated Press

Abazoviq thotë se URA do të votojë për shkarkimin e Gjukanoviqit

RFE/RL

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se Kuvendi duhet të votojë iniciativën për shkarkimin e presidentit, Milo Gjukanoviq.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai tha se kjo do të dërgonte një mesazh të rëndësishëm politik.

Deputetët e shumicës parlamentare, Frontit Demokratik pro-rus, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA kanë nisur në Kuvendin e Malit të Zi, më 23 shtator, procedurën për shkarkimin e presidentit, Milo Gjukanoviq.

Ata pretendojnë se Gjukanoviqi ka shkelur Kushtetutën gjatë procedurës për emërimin e mandatarit për formimin e Qeverisë.

“Tashmë jemi një shumicë e sapo-konstituuar, e cila mbështet formimin e një Qeverie të re, por është mjaft e larmishme me subjekte të ndryshme politike, që kanë vizione të ndryshme. Zgjidhja me siguri do të vijë në zgjedhje, por nuk është presidenti ai që do të vendosë se kur do të zhvillohen ato zgjedhje”, tha Abazoviq.

Pas rrëzimit të qeverisë së Dritan Abazoviqit, më 20 gusht, tri partitë që fituan shumicën në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi ranë dakord që Miodrag Lekiq të jetë mandatar për përbërjen e Qeverisë së re. Por, ato nuk i dorëzuan nënshkrimet e 41 deputetëve – sa kanë bashkërisht në Kuvendin prej 81 ulësesh.

Gjukanoviq e refuzoi propozimin që Llekiq të jetë mandatar për formimin e Qeverisë së re të këtij vendi, me arsyetimin nuk janë plotësuar kushtet e nevojshme.

Ai në të njëjtën kohë, propozoi shkurtimin e mandatit të përbërjes aktuale të Kuvendit të Malit të Zi, për t’iu hapur rrugë zgjedhjeve të reja.

Partitë e shumicës parlamentare kundërshtuan zgjedhjet e reja dhe vazhduan të këmbëngulin që Gjukanoviq duhet ta pranojë Lekiqin si mandatar, dhe një ditë pas përfundimit të afatit i dorëzuan 41 nënshkrimet e tyre në mbështetje të kandidaturës së Lekiqit.

Abazoviq tha në intervistë se ka diskutuar edhe me zyrtarë amerikanë edhe “akuzat se Rusia financoi fshehtas Frontin Demokratik në vitin 2016 dhe ndoshta në 2018”.

Ai tha se financimi i paligjshëm i partive politike duhet të jetë pjesë e agjendës në luftën kundër korrupsionit.

Më 14 shtator, SHBA-ja tha se Rusia financoi fshehurazi parti në Shqipëri, Bosnje e Mal të Zi

Raporti përmend financimin e fushatës së udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, për zgjedhjet e vitit 2018, si dhe fonde për partinë pro-ruse në Mal të Zi, Fronti Demokratik.

Në intervistën pas fjalimit të tij të parë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Abazoviq tha se Mali i Zi nuk do të ndryshojë kursin e politikës së jashtme dhe se këtë ua kishte përcjellë edhe partnerëve ndërkombëtarë.

“Ne mbetemi një partner solid dhe i besueshëm për botën euroatlantike, veçanërisht për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Natyrisht, duhet të punojmë më shumë për të promovuar sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Besoj se kemi bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, por ende ka vend që të jemi edhe më mirë”, tha ai.

Abazoviq tha po ashtu se Mali i Zi qëndron pranë partnerëve të tij dhe popullit të Ukrainës.

“Ata me siguri mund të llogarisin tek ne si një partner i besueshëm i NATO-s dhe një vend që synon të jetë anëtari i parë i ardhshëm i Bashkimit Evropian”, tha tha ai.

Alarmohet rreth “Ballkanit të Hapur” pasi Serbia nënshkruan marrëveshje me Rusinë

Përgjatë takimeve që po mbahen në Kombet e Bashkuara në New York, kreu i diplomacisë serbe, Nikola Selakovic dhe ai i Rusisë Sergei Lavrorv, kanë nënshkruar një marrëveshje sa i përket politikës së jashtme të përbashkët Moskë-Beograd, shkruan Gazeta Express.

Lidhur me këtë ka reaguar gazetari nga Bosnje e Hercegovina, Jasmin Mujanovic, i cili përcjell në vazhdimësi zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Mujanovic ka thënë se nuk është çudi që Serbia vazhdon të koordinojë politikat e saj me regjimin kriminal të Vladimir Putinit, derisa shton se ajo që është për t’u çuditur është se si qeveritë kryesore perëndimore kërkojnë që Bosnja, Mali i Zi dhe Kosova t’i bashkohen nismës “Ballkani i Hapur”.

“Kjo është arsyeja pse është e pamundur”, ka shkruar Mujanovic.

Ai më tej ka thënë se nënshkrimi i një marrëveshje të tillë në mes të Serbisë dhe Rusisë do të duhej të ishte një alarm për Tiranën dhe Shkupin si dy shtete anëtare të NATO-s.

“Pse do të ndiqnit integrimin ekonomik me një vend që po përafron politikën e tij të jashtme me një shtet të pabesë ndërkombëtar? Nuk ka kuptim”, ka shkruar Mujanovic.

Nismë për shkarkimin e presidentit të Malit të Zi, mblidhen nënshkrimet e nevojshme

Shumica parlamentare në Mal të Zi ka mbledhur 41 nënshkrime për filluar procedurat për shkarkimin e Presidenti i Malit të Zi, nëse vlerësohet se i njëjti ka shkelur Kushtetutën.

Iniciativa i është dorëzuar sot kryetares së Parlamentit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviq, raporton RTCG.

Deputeti i partisë Fronti Demokratik, Jovan Vuçuroviq, ka thënë se Gjukanoviq e ka shkelur Kushtetutën për shkak se nuk i ka ftuar të gjithë përfaqësuesit e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Malit të Zi në diskutimet për përbërjen e re të Qeverisë.

“Presidenti i Malit të Zi ka shkelur nenin 95 paragrafin 5 të Kushtetutës së Malit të Zi për shkak se nuk i ka ftuar të gjithë përfaqësuesit e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Malit të Zi në diskutimet për mandatin për përbërjen e re të Qeverisë, gjë të cilin e ka obligim ta bëjë”, thuhet në dokumentin e dorëzuar me nënshkrimet e mbledhura.

Vuçiçi kritikoi vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës

VOA

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, tha të mërkurën se vendi i tij mbështet tërësinë tokësore të Ukrainës, ndërsa kritikoi vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës duke e shkelur siç tha, tërësinë tokësore të Serbisë.

Gjatë një fjalimi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, menjëherë pas fjalimit të presidentit ukrainas Volodymir Zelenskyy, presidenti serb tha se konflikti në Ukrainë nuk është i pari pas Luftës së Dytë Botërore në truallin e Evropës.

“Ne kërkojmë një përgjigje të qartë në pyetjen që unë ua bëj prej vitesh bashkëbiseduesve të mi, udhëheqësve të shumë vendeve – cili është ndryshimi midis sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Ukrainës dhe sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Serbisë që është shkelur rëndë dhe që shumë prej jush i jepni njohje dhe legjitimitet ndërkombëtar? Unë kurrë nuk kam marrë një përgjigje racionale nga askush”, tha ai, duke e cilësuar agresion ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 për t’i dhënë fund shtypjes së shqiptarëve të Kosovës nga Serbia.

Presidenti serb tha se vendi i tij “me durim dhe vullnet të mirë është vënë në kërkim të një kompromisi për Kosovën” në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

“Është një proces i vështirë, ka më shumë se dhjetë vjet që po vazhdon, por nuk shohim alternativë. Është më mirë të negociojmë njëqind vjet sesa të luftojmë një ditë. Jam i bindur se do të arrijmë një zgjidhje reciprokisht të pranueshme, e bazuar në kompromis, sepse kjo është absolutisht e vetmja mënyrë për të arritur qëllimin tonë, që është vendosja e paqes afatgjatë, si parakusht për një jetë të begatë për serbët dhe shqiptarët në rajonin tonë. Ne tashmë i kemi shteruar të gjitha mundësitë tjera dhe, të paktën për sa i përket Serbisë, nuk ëndërrojmë të kthehemi në shtigjet e konfliktit dhe gjakderdhjes. Rajoni i Ballkanit nuk mund të përballojë një konflikt tjetër”, tha presidenti serb.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008, por të dyja vendet synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe janë pajtuar që si pjesë e këtij procesi, të zgjidhin çështjet e pazgjidhura dhe të ndërtojnë marrëdhënie të mira fqinjësore.

Presidenti serb tha se Beogradi po përballet me luftë hibride dhe fushata “të ndyra” që duan ta paraqesin Serbinë si kërcënim për qëndrueshmërinë rajonale si dhe për faktin që Serbia “vlerëson se politika e sanksioneve kundër Federatës Ruse askujt nuk mund t’i sjellë rezultate”.

Serbia është i vetmi vend evropian që nuk u është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë pas agresionit të saj në Ukrainë.

Presidenti serb tha se popujt e Ballkanit kanë kapacitet për të vazhduar bashkëjetesën në të ardhmen si miq dhe partnerë që kanë një vizion të përbashkët për anëtarësim në një Evropë të bashkuar, duke përmendur si shembull siç tha, faktin se “Serbia dhe Shqipëria, sot kanë marrëdhëniet më të afërta dhe më miqësore në historinë e tyre të përbashkët shekullore në Gadishullin Ballkanik”.

Erdogani sulmon Greqinë nga foltorja e Asamblesë së OKB-së në SHBA: Shtet vrasës!

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha nga foltorja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, se “Greqia po e kthen Egjeun në një varrezë refugjatësh”.

Teksa mbante në duar foto të fëmijëve refugjatë të vdekur, të cilët, siç pretendon ai, vdiqën në Egje, kur forcat e sigurisë greke “fundosë varkat e tyre”, ai u bëri thirrje OKB-së, BE-së dhe komunitetit ndërkombëtar që të “ndalojnë kryerjen e krimeve të tilla kundër njerëzimit”.

Presidenti turk zgjodhi të fokusojë fjalimin e tij te çështja e refugjatëve, duke përfshirë Greqinë në grupin e shteteve autoritare. Presidenti turk e cilësoi Greqinë “shtet vrasës”.
Erdogan tha se Greqia nuk po tregon përgjegjshmëri për refugjatët në kufi Greqi-Turqi në Evros.

Kohët e fundit ka patur një shtim të tensioneve mes dy shteteve, ku një varkë peshkimi turke u qëllua nga rojet bregdetare greke si edhe pati raportime se raketat S-300 të Greqisë në Kretë mbajtën në shënjestër për disa minuta avionët turq në Egje, shkruan abcnews.al.

Turqit kërkojnë nga Greqia demilitarizimin e ishujve përballë tokës turke duke iu referuar marrëveshjeve ndërkombëtare, ndërsa së fundmi grekët janë armatosur rëndë përballë kërcënimeve të fqinjëve për luftë.

Situata duket serioze, aq sa ekspertët e sigurisë theksojnë se një luftë Greqi-Turqi është e pashmangshme dhe ajo do të ndodhë shumë shpejt. N jë faktor tjetër që vlerësohet nga ekspertët si shkaku që mund të ndezë zjarrin nga ana turke lidhet me faktin se Turqia do të shkojë në zgjedhje në pranverën e ardhshme dhe partia në pushtet nuk i ka aspak punët mirë për shkak të korrupsionit masiv dhe çmimeve të larta. Kështu, sipas tyre, mund të kërkohet nxitja e një problemi të jashtëm për të harruar problemet e brendshme.

Borrell bisedon me liderët e Ballkanit Perëndimor për ndikimin e pushtimit rus të Ukrainës

Liderët e Ballkanit Perëndimor gjatë takimit me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, në Nju Jork të SHBA-së.

RFE/RL

Shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Josep Borrell, tha se ka biseduar me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor për ndikimin që po ka në rajon dhe botë pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës.

“BE-ja dhe Ballkani Perëndimor do të qëndrojnë së bashku në përballje me sfidat që sjellë lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës në nivel botëror. BE-ja përfshin Ballkanin Perëndimor në nismat e saj për të zbutur ndikimet e luftës”, u tha në njoftimin e lëshuar nga blloku evropian.

Borrell u takua më 20 shtator në Nju Jork me liderët e Ballkanit Perëndimor, teksa në qytetin amerikan po mbahet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

“Përfaqësuesi i Lartë Borrell dhe liderët e Ballkanit Perëndimor diskutuan se si do të mund të adresojnë së bashku pasojat dëmtuese të kësaj lufte mbi çmimet e ushqimit dhe energjisë dhe të stabilitetit dhe sigurisë në Evropë dhe botë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga blloku evropian.

Borrell u ka premtuar shteteve të Ballkanit Perëndimor se blloku evropian do t’i ndihmojë për të rritur sigurinë energjetike dhe për të adresuar “kërcënimet hibride, përfshirë ato kibernetike”.

Qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, kriza energjetike është përkeqësuar në Evropë, pasi Moska ka ndërprerë furnizimet me gaz përmes gazsjellësit më të madh për në Evropë.

Blloku ka akuzuar Rusinë se po përdor energjinë si “armë”, teksa çmimet botërore të ushqimit po ashtu janë rritur për shkak të luftës në Ukrainë.

Në takimin në Nju Jork, Kosova u përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani.

Sipas njoftimit të Presidencës së Kosovës, Osmani në takim është shprehur se “askush në rajon nuk duhet t’i shërbejë si satelit” Rusisë, me qëllim të “destabilizimit të rajonit”.

Nga vendet e rajonit, Serbia refuzon që të vendosë sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, pavarësisht se BE-ja vazhdimisht ka bërë thirrje që Beogradi ta ndëshkojë Moskën.

Pikërisht, lufta në Ukrainë është përmendur disa herë si arsye shtesë që rajoni i Ballkanit Perëndimor të zgjidhë sa më shpejt çështjet e hapura, me qëllim që të parandalohen tensionet.

Bashkimi Evropian ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që ka për qëllim normalizimin e plotë të raporteve. Vetë Borrell, gjatë rundit të fundit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë – që u mbajt pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës – tha se në kohën kur Rusia po vazhdon pushtimin e Ukrainës, “nuk është koha për rritjen e tensioneve, është koha të shikohet të gjenden zgjidhje dhe të zgjidhen mosmarrëveshjet e kamotshme”.

Osmani kërkon përmbyllje “urgjente” të çështjes së vizave

Në Nju Jork, Vjosa Osmani, tha se ka kërkuar përmbyllje “urgjente” të çështjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Osmani tha se në takimin në Nju Jork ka potencuar edhe përkushtimin e Kosovës për “paqe e stabilitet dhe për rrugën euroatlantike”.

Kosova është shteti i vetëm në rajon që nuk është pjesë e lëvizjes së lirë pa viza në zonën Shengen. Së fundmi, është thënë se ky proces ka hyrë në fazën vendimtare dhe është paralajmëruar se ekziston një momentum i mirë për të shtyrë këtë çështje përpara.

Vuçiq njofton për “tërheqjen” e një njohjeje për Kosovën

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka marrë pjesë në takimin me Borrellin, dhe në takimet e Asamblesë së OKB-së, tha se pavarësisht se shteti i tij po kalon nëpër një periudhë të vështirë, ai ka “një lajm të mirë” për qytetarët e Serbisë.

“Kam marr një tjetër njoftim për tërheqje të njohjes për Kosovën, kështu që ne po forcojmë pozicionin tonë dhe në këtë kuptim do të vazhdojmë të luftojmë dhe do të thirremi në të drejtën publike ndërkombëtare dhe në Kartën e Kombeve të Bashkuara”, tha ai përmes një postimi në Instagram.

Kosova edhe në të kaluarën e ka akuzuar Serbinë se zhvillon fushatë të ashpër për tërheqjen e njohjeve të Kosovës dhe për ta bllokuar Prishtinën që të anëtarësohet në mekanizma të ndryshëm ndërkombëtar. Serbia edhe më herët ka pretenduar se disa shtete kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, por në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës figurojnë 117 shtete që e kanë njohur Kosovën.

Milo Gjukanoviç refuzon propozimin për kryeministrin e ri të Malit të Zi

VOA

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, refuzoi të martën propozimin që Miodrag Lekiç të jetë mandatari i ri për formimin e qeverisë, ndërsa hodhi propozimin që të shkurtohet mandati i parlamentit aktual, për t’u hapur rrugën zgjedhjeve të reja.

Të hënën Fronti Demokratik pro-serb, Demokratët dhe URA e kryeministrit ne largim Dritan Abazoviq, u pajtuan që Miodrag Lekiç të jetë mandatar, por nuk i dorëzuan nënshkrimet e 41 deputetëve të tyre në parlamentin 81 vendesh. Këto parti fituan shumicën në zgjedhjet parlamentare të gushtit të vitit 2020.

Presidenti Gjukanoviç tha se nuk ishte i bindur se ekziston një shumicë e qartë për formimin e një qeverie, “që do t’u ofronte zgjidhje problemeve shumë të vështira në planin financiar, ekonomik, juridik, institucional dhe politik”. Ai vuri theksin te aspekti i sigurisë duke nënvizuar se kriza aktuale në Evropë, e shkaktuar nga agresioni i Rusisë në Ukrainë ka ndikime në sigurinë e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Gjukanoviç tha se zgjidhja e situatës politike është shkurtimi i mandatit të parlamentit, që do të hapte mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Mali i Zi është me qeveri teknike që nga muaji gusht kur parlamenti miratoi një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së kryeministrit Dritan Abazoviq, pak pasi ai nënshkroi një marrëveshje të diskutueshme me Kishën Ortodokse Serbe.

Putini mbështet “kursin e pavarur të Serbisë në skenën ndërkombëtare”

RFE/RL

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se Rusia do të vazhdojë të mbështesë Serbinë në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të saj.

“Përmes kornizës së ligjit ndërkombëtar, duke u mbështetur mbi të gjitha në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje gjithëpërfshirëse për miqtë tanë serbë që të ruajnë të drejtat legjitime dhe interesat e Serbisë, duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit”, tha Putin më 20 shtator në Moskë gjatë pranimit të kredencialeve të 20 ambasadorëve, përfshirë edhe të ambasadorit serb, Momçilo Babiq, raporton Beta.

Siç u tha në ueb-faqen e Kremlinit, Putin tha se Rusia dhe Serbia janë të lidhura përmes raporteve të partneritetit strategjik që bazohen në traditë të miqësisë, kulturës, afërsisë shpirtërore dhe historike të dy shteteve. Aty po ashtu u tha se Moska do të vazhdojë ta thellojë këtë bashkëpunim.

“Me presidentin [e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, gjatë takimeve personale dhe bisedave telefonike, ne rregullisht diskutojmë për çështjet kyçe për të zhvilluar më tej bashkëpunimin. Ne vlerësojmë dëshirën e miqve tanë serbë për të ndjekur një kurs të pavarur në skenën ndërkombëtare dhe ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të thelluar dialogun politik, për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, tregtisë, shkencës, teknologjisë, kulturës dhe në sferat humanitare”, tha Putin, raporton Beta.

Pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, Bashkimi Evropian vendosi një sërë sanksionesh ndaj Rusisë. Serbia dënoi pushtimin, por nuk vendosi sanksione ndaj Moskës.

Serbia dhe Rusia tradicionalisht kanë mbajtur raporte të ngushta dypalëshe. Serbia varet nga mbështetja ruse kur bëhet fjalë për pengimin që Kosova të bëhet pjesë e institucioneve ndërkombëtare. Po ashtu, në Serbi, gjiganti rus i energjisë, Gazprom, ka krijuar monopol.

Kamberi për thirrjet për arrestimin e tij: Po përdoren metoda të Millosheviqit

RFE/RL

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, tha se nuk e ka pritur që dikush do të guxonte të kërkonte arrestimin e tij në këtë institucion shtetëror, në prezencë të presidentit të Serbisë.

Arrestimi i Kamberit, për shkak të deklaratës së tij se Kosova është shtet i pavarur, u kërkua gjatë një seance parlamentare nga deputetja e Partisë Socialiste të Serbisë, njëherësh nënkryetarja e Kuvendit, Snezhana Paunoviq.

“Unë prisja që të gjithë të kundërshtonin qëndrimet e mia, por nuk prisja që dikush do të guxonte të kërkonte, në prani të presidentit të Republikës, në Kuvend, jo vetëm burgosjen e një deputeti, por ajo që është më e keqja – dëbimin tim nga Serbia”, tha Kamberi në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Gjatë seancës dyditore të Kuvendit, që u mbajt javën e kaluar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, prezantoi raportin për dialogun me Kosovën dhe iu përgjigj pyetjeve të deputetëve.

Kamberi, një prej deputetëve të paktë që haptazi njeh pavarësinë e Kosovës, përfaqëson komunitetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë.

Pasi Kamberi deklaroi në seancën plenare se Kosova është shtet i pavarur dhe se autoritetet në Serbi duhet të bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës, Snezhana Paunoviq, deputete e Partisë Socialiste, partia e ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviq, deklaroi se Kamberi ka shkelur betimin e bërë para Kuvendit dhe Kushtetutën e Serbisë, ku thuhet se Kosova është pjesë e Serbisë.

“Çfarë nuk lejohet të thuhet në Kuvendin e Serbisë – është kjo”, tha Paunoviq, duke shtuar se ka bazë për arrestimin e Kamberit.

Sipas rregulloreve serbe, deputetët gëzojnë imunitet dhe nuk mund të ndiqen penalisht për shprehje të mendimeve apo votë të shprehur verbalisht apo me shkrim.

Shaip Kamberi tha për REL-in se e gjithë kjo ndodhi në prani të presidentit të Serbisë i cili nuk reagoi, dhe kryetarit të Kuvendit, i cili, siç tha Kamberi, obligohet sipas Rregullores së Punës dhe Ligjit për Kuvendit, të kërkojë nga deputetët që të mos përdorin metoda të tilla të frikësimit.

“Në këtë lloj mjedisi politik, është normale të presësh që dikush të shprehet se nuk është dakord me ju ose që ka mendim të ndryshëm politik. Mirëpo, siç ndodhi në Kuvend – një vend ku, të paktën formalisht, një deputeti i lejohet të shprehë lirshëm mendimin e tij, siç e parasheh Ligji për Kuvendin, sigurisht se nuk prisja që të shkonte kaq larg”, tha Kamberi.

“Pra, ky rast tregon se janë hequr maskat dhe se ata që kanë veshur kostumin demokratik po tregojnë se nuk kanë ndryshuar dhe se po mundohen të përdorin metodat e Millosheviqit, sidomos kur bëhet fjalë për shqiptarët. Për mendimin tim, kjo është e keqe për demokracinë, e keqe për vendin që synim primar të politikës së jashtme e ka afrimin me Bashkimin Evropian, pra anëtarësimin në bllok”, shtoi ai.

Kamberi tha se deklaratat e nënkryetares së Kuvendit serb i ka parë si “gjuhë të urrejtjes”, por shtoi se duke e ditur se cilës parti i përket ajo, ato kanë qenë të pritshme.

“Kjo mund të pritej nga Partia Socialiste, partia që ka përgjegjësinë më të madhe për të gjitha krimet që ndodhën në Ballkan dhe për gjithçka që ka ndodhur në Kosovë. Por, të thonë diçka të tillë në prani të presidentit të Republikës, vërtetë nuk e prisja”, theksoi ai.

Sipas Kamberit, baza e politikës që kërkon që Kosova t’i kthehet Serbisë, është synimi që kishte Milosheviqi, “që Kosova të jetë nën Serbi, por pa shqiptarë”.

Deputeti Kamberi tha se tani është koha që Kosova dhe Serbia të diskutojnë dhe të arrijnë një marrëveshje në përputhje me situatën reale.

“Unë kërkova që presidenti Vuçiq të marrë përgjegjësinë e një burrështetasi, të arrijë paqe me shqiptarët dhe të punojë për prosperitet në Ballkanin Perëndimor”, tha Kamberi.

Ai tha se nëse deklaratat e tij në Kuvend konsiderohen armiqësore ndaj shtetit të Serbisë, atëherë, sipas tij, shtrohet pyetja se cili është qëllimi që ai është pjesë e Kuvendit serb, institucion ku ndalohet shprehja e mendimit të lirë.

Edhe në të kaluarën Kamberi ka deklaruar se Kosova është shtet i pavarur dhe ka kërkuar që palët të arrijnë një marrëveshje dhe ai sërish theksoi se nuk do të tërhiqet nga këto qëndrime.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë dialog për normalizimin e raporteve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Të dyja palët kanë dallime sa i përket përfundimit të këtij procesi. Kosova kërkon që dialogu të përmbyllet me një marrëveshje me njohje reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi. Megjithatë, zyrtarët në Beograd nuk kanë treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Vuçiq flet për prapaskenat e ‘kornizës së re”, njohjen dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka reaguar nga Nju Jorku rreth dokumentit që u publika dje, si kornizë e re e dialogut Kosovë -Serbi, të prezantuar nga emisarët europianë.

Ajo që në Beograd po quhet “armatura” e re e dialogut Kosovë -Serbi përmban marrëveshjen për normalizim mes dy vendeve, pa njohje, që duhet të nënshkruhet në vitin 2023. Ndërsa, cështja e njohjes reciproke, mes dy vendeve, parashihet të adresohet kur të afrohet anëtarësimi në BE.

Vuçiq tha se kur Lajçak vizitoi Beogradin, nuk donte ta merrte letrën me propozimet e reja, por, thotë se e ka lexuar përmbajtjen. Sipas tij, publikimi i dokumentit nuk është bërë nga pala serbe.

Po ashtu, Vuçiq ka theksuar se nuk do të tregojë se gjithçka që shkruan aty ësht e saktë.

“Nuk mund të them nëse gjithçka që është publikuar është e saktë, nuk më kujtohet gjithçka që është shkruar në ato katër faqe. E dija që nuk duhej ta merrja atë letër”, tha Vuçiq

Shefi i shtetit serb i cili po qëndron në Nju Jork në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së,  la të kuptohet se “korniza e re”, e ka edhe anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, por që Serbia  nuk ka asnjë shans të lejojë të ndodhë kjo.

“Nuk mund të pranojmë që Kosova të jetë pjesë e Kombeve të Bashkuara”, tha Vuçiq.

Nuk dihet nëse ky dokument përmban në formë eksplicite anëtarësimin e Kosovës në OKB apo në organizata ndërkombëtare. Mund të ndodhë që Vuçiq po e reklamon këtë element sa për të thënë se po parandalon anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

“Njerëzit mendojnë se kjo thjeshtë është t’ia shash nënën dikujt dhe të vazhdojmë. Por ne duhet të mendojmë se çfarë do të hamë. Ata (emisarët)  i sqaruan gjërat dhe thonë se Putini ndërtoi një mur dhe ata na kërkojnë që të përcaktohemi në njërën anë.  Por ne nuk duam të jemi pranë asnjë muri. Kjo e komplikon edhe më shumë situatën tonë. Ne nuk jetojmë në një vend më të qetë, por në një udhëkryq”, thekson Vuçiq.

Ai thotë se për Serbinë do të kishte probleme edhe nëse do ta pranonin propozimin e Perëndimit edhe nëse nuk do ta pranonin.

“Nëse e pranojmë atë propozim, do të thotë se kurrë nuk do të mund ta përjashtojmë Prishtinën nga OKB-ja, edhe pse nuk kërkohet njohja formale. Nëse ky është një problem i vogël, nuk e di se çfarë mund të jetë më i madh. Nëse nuk pranojmë, sic thanë kroatët ( ireferohet një shkrimi të “Jutarnji list”,  sot  Vuçiç dhe Serbia do të izolohen. Nuk mendoj se është e lehtë, por nuk shoh asnjë mundësi tjetër. Çdo gjë ka pasojat e saj, si ajo që humbëm në 1999, 2004. 2008. Na pret një kohë shumë e ndërlikuar dhe do të duhet të marrim vendime të rëndësishme”, shtoi Vuçiq.

“Ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë, dhe shqiptarët do të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre. Pozicioni ynë është i vështirë” vazhdoi tutje ai.

Drogë në makinën me logon e OSBE-së/ Serbia: Vinte nga Shqipëria

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, përmes një komunikate për mediat, ka njoftuar se ka arrestuar pesë persona pasi ka sekuestruar 50 kilogram marijuanë në një makinë, e cila kishte dalë nga Shqipëria, kishte hyrë në Kosovë e më pas në Serbi dhe ishte e shënuar me shenjën e misionit të “OSBE”-së.

Sipas MPB-së serbe, ky thuhet të jetë një aksion ku është shkatërruar një rrjet i kontrabandës që niste nga Shqipëria, kalonte nëpër Kosovë dhe përfundonte në Serbi, raporton Gazeta Express.

“Tek të dyshuarit S.M (1993) dhe I.Z (1999) është kapur një sasi e drogës prej 30 kilogramëve, kurse te të arrestuarit e tjerë A.D (1980), G.K (1973) dhe G.K (1981) është gjetur pjesa tjetër e marijuanës dhe pak kokainë.

Këta tre të fundit janë arrestuar teksa kanë tentuar të largohen nga vendi i ngjarjes ku ishte planifikuar ta linin dërgesën. Të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë, pas së cilës me kallëzim penal do t’i dorëzohen Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd”, thuhet në njoftim./Express


Send this to a friend