VOAL

VOAL

Zaev shtyn dorëheqjen nga posti i kryeministrit

November 10, 2021

Komentet

Në Maqedoni të Veriut arrestohet një kosovar në bazë të fletarrestimit të lëshuar nga Serbia

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës tha se në Maqedoninë e Veriut është arrestuar një shtetas kosovar, bazuar në një fletarrestim të lëshuar nga Serbia.

“Fjala është për zotin Blerim Ramadani, ish-anëtar i Zonës Operative të Nerodimes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha MPJD-ja.

Arrestimi u krye në pikëkalimin kufitar Jaznicë-Glloboqicë, që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

MPJD tha se ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut është duke u angazhuar në këtë rast dhe autoritetet po punojnë për të siguruar lirimin e shpejt të Blerim Ramadanit.

Së fundi, autoritetet në Serbi kanë arrestuar edhe katër shtetas të Kosovës, të cilët Beogradi i ka akuzuar për krime lufte.

Autoritetet kosovare e kanë cilësuar si arbitrare dhe të padrejta arrestimin në Serbi të qytetarëve kosovarë për këto akuza dhe kanë kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tyre.

Në fillim të korrikut, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një letre dërguar homologes serbe, kërkoi transferimin e shtetasve të Kosovës, që po mbahen në Serbi.

Megjithatë, Haxhiu deklaroi se vështirë se Serbia do t’i përgjigjet kërkesës së autoriteteve kosovare për ekstradimin e shtetasve të Kosovës, për shkak të mosbashkëpunimit të vazhdueshëm juridik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se shteti i tij ka juridiksion të njohur ndërkombëtarisht mbi trajtimin e veprave që kryhen brenda territorit të saj.

Serbia, në strategjinë e vet kombëtare 2021-2026 për ndjekje të krimeve të luftës, pretendon se ka juridiksion për të vënë drejtësi për krimet e kryera gjatë konflikteve të armatosura në vitet ’90.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur pothuajse fare.

Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për proces të drejtë ligjor për personat e arrestuar në Serbi nën akuza për krime lufte. REL

Presidentja maqedonase shkarkon Musliun nga drejtimi i Agjencisë së Zbulimit

Ish-shefi i Agjencisë për Zbulim në Maqedoninë e Veriut, Erolld Musliu. Fotografi nga arkivi.

 

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, ka shkarkuar Erolld Musliun nga posti i drejtorit të Agjencisë së Zbulimit, i cili ishte duke shërbyer në mandatin e dytë.

Në vend të Musliut është emëruar Gabriela Jakovleva, e cila, sipas njoftimit të Presidencës maqedonase, vjen nga radhët e agjencisë.

“Është e qartë se presidentja u dorëzua para presionit të partisë”, u përgjigj ish-shefi i inteligjencës maqedonase, Erolld Musliu, përmes një reagimi.

Ai tha se është i zhgënjyer me vendimin, duke shtuar se në rastin e shkarkimit të tij nuk ka asnjë justifikim ligjor e as sistem meritë, për të cilat sipas tij Silanovska-Davkova flet vazhdimisht publikisht.

“Veçanërisht jam i zhgënjyer nga procedura dhe mënyra që zgjodhi presidentja gjatë shkarkimit tim, duke mos treguar virtytin për t’u takuar në një takim njoftimi për t’i dhënë asaj një informim mbi natyrën e punës së Agjencisë, për mjedisin e sigurisë dhe situatën aktuale në rajon. Detyrën e drejtorit të agjencisë e kam ushtruar me krenari dhe nder të veçantë, kam bërë përpjekje mbinjerëzore për të ngritur nivelin e punës me cilësi të lartë dhe për ta transferuar përvojën dhe diturinë time profesionale të fituar gjatë karrierës 31-vjeçare”, tha ai.

Në njoftimin e Presidencës maqedonase nuk u dhanë detaje për arsyen e shkarkimit të Musliut.

Ai u emërua për mandat të dytë për të udhëhequr agjencinë më 19 maj 2023 nga ish-presidenti, Stevo Pendarovski, dhe kishte mandat deri më 2027.

Sipas ligjit për Agjencinë e Zbulimit, drejtori emërohet apo shkarkohet nga presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Baza për shkarkimin e drejtorit para përfundimit të mandatit janë nëse ai nuk vepron në përputhje me ligjin, nëse ai performon funksionet e tij në mënyrë joprofesionale dhe neglizhuese, apo nëse ai nuk përmbush ndonjë prej këtyre kushteve”, thuhet në ligjin që rregullon punën e Agjencisë së Zbulimit.

Presidentja maqedonase më 28 qershor ka shkarkuar edhe zëvendësdrejtoreshën e Agjencisë së Zbulimit, Aleksandra Bakreska-Dodovka, dhe në vend të saj ka emëruar Ivana Stojanovskan. As për këtë vendim nuk janë dhënë detaje nga Presidenca.

“Presidentja Silanovska-Davkova ndërmori këto vendime në përputhje me kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore”, u tha në njoftimin e zyrës së saj. REL

Menduh Thaçi: Nëse ne largohemi nga tavolina e dialogut, Maqedonia e Veriut destabilizohet

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, tha se nëse Fronti largohet nga tavolina e dialogut, Maqedonia e Veriut destabilizohet. Ai tha se të tjerët nuk mund të tallen me Frontin.

“Rruga mund të jetë ndryshe dhe në atë rrugën ndryshe ne largohemi prej tavolinës së Dialogut, mirëpo largimi jonë nënkupton edhe largimin nga përgjegjësia. Mos të mendojë VLEN-i se do të mund të tallen me Frontin apo me drejtuesin e dialogut të Frontit në bisedime.

Në momentin që ne largohemi prej tavolinës së bisedimeve dhe dialogut, Maqedonia e Veriut është në prag të destabilizimit politik dhe etnik”, tha Thaçi në Pressing.

“Por ne nuk mund të bëhemi pjesë e nje dialogu pafund, pa rezultat e fryte”, tha kreu i PDSH.

(Balkanweb)

Çfarë fitojnë shqiptarët nga qeveria e re në Maqedoninë e Veriut?

Udhëheqja e gjashtë ministrive dhe posti i shtatë zëvendësministrave në Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut që ka gjithsej 24 ministri, është hisja që shqiptarët me koalicionin VLEN kanë marrë nga pushteti i VMRO-DPMNE-së, dhe kryeministrit Hristijan Mickoski.

Mandatin për të qeverisur Maqedoninë e Veriut emrin e së cilës madje e konteston, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, e nisi duke folur rreth nevojës për të shmangur veton bullgare për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke premtuar se përgjatë mandatit si kryeministër s’do të lejojë miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

Bazuar në këtë deklaratë dhe në përbërjen e re të Qeverisë, gazetarët shqiptar në Maqedoni të Veriut thonë se ka pak shpresa se do të bëhen realitet objektivat e partive shqiptare.

“Si duket anëtarët e VLEN-it që përbëhet nga 5 subjekte, 4 origjinale këtu në Maqedoninë e Veriut dhe nga Vetëvendosja e kryeministrit, Albin Kurti, si duke nuk iu kanë përmbajtur një marrëveshjeje të nënshkruar para fillimit të fushatës zgjedhore se ndryshimi i Kushtetutës do të jetë vija e kuqe për koalicionin e me partinë VMRO-DPMNE”, ka deklaruar Seladin Xhezairi – gazetar nga Maqedonia e Veriut

Xhezairi thotë se ndër të vetmin projekt që Qeveria e ka në program e që është i rëndësishëm për shqiptarët, është ndërtimi i autostradave në korridorin 8, ndërsa për rrugën me tunel nga Tetova për në Prizren shton se koalicioni VLEN ka dështuar ta fusë në programin e Mickoskit.

Këto nuk janë lëvizjet e vetme që ndërlidhen me faktorin shqiptar. Zëvendëskryeministër dhe ministër për Marrëdhënie mes Etniteteve, është emëruar serbi Ivan Stoilkoviq, aktiviteti dhe bindjet e të cilit po konsiderohen shumë problematike.

“Ai që prej vitit 2019 ka vizita të rregullta në Moskë dhe është pjesëmarrës i të ashtuquajturës konferencës së sigurisë në Moskë që organizohet nga Shërbimi rus sekret dhe në të cilët sikurse është e evidentuar ai ka qenë bashkë me Aleksandar Vulinin atë kohë shef i BIA-s së Serbisë”, është shprehur Burim Ramadani – ish-kryeinspektor i AKI-së

Stoilkoviq sipas ish kryeinspektorit të AKI-së njihet për qëndrime të rrepta anti-shqiptare, si përkrahës i Putinit dhe i influencës ruse, si përkrahës i “Botës serbe” madje edhe me dokumente si punëtor i BIA-s serbe dhe së fundi edhe i ka lavdëruar terroristët dhe grupin e Radojçiqit që kryen agresion dhe e vranë rreshterin, Afrim Bunjaku.

Ndonëse nuk e kontestojnë orientimin pro serb dhe pro rus të Stoilkoviqit, gazetar nga Maqedonia e Veriut, janë të mendimit se sjellja e tij në pushtet do të jetë ndryshe.

“Mickoski sipas asaj që mendon unë ai ka intencën që të marr sa më shumë komunitete jo-shumicë, dhe në kuadër të lojës politike mendoj se Mickoski nuk është aq naivë dhe aq jo racionalë siç po e paraqesin që mos ta ketë vëmendjen tek tipi i këtij politikani që ka qenë kontravers”, deklaroi Fatos Rushiti – gazetar nga Maqedonia e Veriut.

Në Qeverinë me 24 Ministri, partitë shqiptare të koalicionit VLEN do të drejtojnë gjashtë prej tyre dhe do të kenë postin e zëvendësministrave në shtatë ministri./RTV Dukagjini

Shkup, Miratohet qeveria e kryeministrit Hristijan Mickovski

VOA/Isak Ramadani

Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut u miratua të dielën në mbrëmje me 77 vota për, 22 kundër dhe asnjë abstenim. Partitë e Frontit Evropian të drejtuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim e lëshuan seancën e parlamentit para se të votohej kabineti qeveritar.

Kryeministri i ri, Hristijan Mickovski dhe anëtarët e kabinetit e bënë betimin me emrin kushtetues të vendit që është ‘Maqedonia e Veriut’, ndërsa zoti Mickovki tha gjatë fjalimit para votimit se detyrohej ta respektojë këtë referencë kushtetuese, ndërkohë që e quajti atë “të turpshme” për populllin e këtij vendi.

“Do të bëj ç’mos deri sa të jem gjallë që ta rregulloj këtë padrejtësi. Por për fat të keq për momentin jam i pafuqishëm dhe më duhet të kapituloj si njeri dhe ta them para jush”, u shpreh ai.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të ketë 24 anëtarë përfshirë kryeminstrin; pesë do të jenë zëvendës-kryeministra dhe vetëm tri gra do të jenë ministre.

Zoti Mickovski tha se qeveria e tij do t’i përkushtohej qytetarëve; se duhet shumë punë, përgjegjësi dhe projekte konkrete. “Në 100 ditët e para do t’i ngrejmë standardet, do të punojmë me mundim; do të ulim taksat, do të rrisim pensionet”, përsëriti premtimin e fushatës zgjedhore kreu i ri i pushtetit ekzekutiv në Shkup.

Ai paralajmëroi marrjen e një huaje prej një miliardë euro për ekonominë e vendit, ndërsa nga e martja do të ketë investime të huaja në një lartësi prej 400 milionë eurosh.

Zoti Mickovski theksoi angazhimet për një front kundër korrupsionit. Por, ai nuk tha asnjë fjalë lidhur me kushtet e BE-së për ndryshimet kushtetuese, përkatësisht futjen e pakicës bullgare në Kushtetutë. Pa këto ndryshime Shkupi nuk do të mund të përparojë drejt Bashkimit Evropian.

Dita e dytë e debatit në parlament lidhur me programin e qeverisë dhe emrat e kandidatëve për ministra kaloi me përplasje midis ligjvënësve të VMRO-DPMNE-së dhe të Lidhjes Social Demokrate, e cila zotohet se do të jetë një opozitë konstruktive.

Akuza të ndërsjella shkëmbyen edhe deputetët e koalicioneve kundërshtare shqiptare, Fronti Evropian dhe Vlen, kryesisht për atë se kush ka dhe kush nuk ka legjitimitetin për të përfaqësuar shqiptarët në pushtetin ekzekutiv.

Një tjetër çështje e diskutueshme midis partive shqiptare në parlament ishte kandidatura e Ivan Stoilkoviçit për ministër të Marrëdhënieve në mes Bashkësive Etnike, një politikan i pakicës serbe me qëndrime proruse dhe i dyshuar nga një pjesë e shtypit për lidhje me shërbimet sekrete serbe dhe ruse.

VMRO-ja do të drejtojë 15 ministri; koalicioni Vlen 6 dhe partia Znam 2 ministri. Përfaqësuesit e koalicionit Vlen në qeveri janë: Izet Mexhiti, Zëvendës-kryeministër dhe Ministër i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapsinor, Arben Taravari, Ministër i Shëndetësisë, Besar Durmishi i Ekonomisë dhe Punës, Orhan Murtezani, Ministër për Integrimet Evropiane, Fatmir Limani, Ministër për të Rinjtë dhe Demografinë dhe Arben Fetai, Ministër i Qeverisjes dhe Politikave të Mira.

Ndahet nga jeta papritur Isuf Kadriu, korrespondent i Radios Evropa e Lirë në Shkup

Isuf Kadriu, korrespondent i Radios Evropa e Lirë në Shkup, ka vdekur papritur të dielën në moshën 52-vjeçare.

Kadriu ka raportuar për REL-in prej Shkupit prej vitit 2002 dhe është një nga emrat me të shquar në redaksinë e Radios Evropa e Lirë.

Ai ka qenë edhe zëvendës-kryeredaktor në mediumin Alsat në Maqedoni të Veriut.

Ai ka lënë mbrapa vetes gruan dhe tre fëmijë, por dhe një trashëgimi të pashlyeshme me punën e tij në REL.

Radio Evropa e Lirë u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe miqve të tij!

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut cakton seancën e krijimit të qeverisë së re

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi ka caktuar seancën për zgjedhjen e Qeverisë së re për ditën e shtunë në ora 11:00.

Mandatari dhe lideri i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski, dje ka dorëzuar në Kuvend propozimin për përbërjen e qeverisë dhe programin e punës së saj.

Rregullorja e Kuvendit parasheh që seanca për zgjedhjen e Qeverisë të zgjasë më së shumti dy ditë.

Mandatari shpjegon programin dhe propozimin për përbërjen e Qeverisë, pas së cilës do të debatohet në Kuvend.

Votimi për zgjedhjen e Qeverisë bëhet sipas propozimit për përbërjen e Qeverisë në tërësi, me votim publik. Votimi bëhet pas përfundimit të debatit, më së voni deri në orën 24:00. Qeveria zgjidhet nëse shumicën e numrit të përgjithshëm të deputetëve.

Kryetari i Kuvendit e njofton Presidentin e Republikës për zgjedhjen e Qeverisë.

Qeveria e re e propozuar nga Mickoski do të ketë 24 anëtarë. Përveç kryeministrit do të jenë edhe 23 zëvendëskryeministra dhe ministra të tjerë, 20 prej të cilëve janë me resor. bw

Myslimanët në RMV festuan Kurban Bajramin, manifestimi qendror u mbajt në xhaminë “Mustafa Pasha” të Shkupit

Besimtarët myslimanë në Maqedoninë e Veriut sot festojnë festën e Kurban Bajramit. Manifestimi qendror u mbajt në xhaminë “Mustafa Pasha” në Shkup.

Kurban Bajrami, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e profetit Ibrahim të flijojë të birin e tij si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se duhet të flijojë një kafshë. Mishi nga kafsha e flijuar ndahet në tri pjesë.

Familja mban një pjesë; pjesa tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët; ndërsa pjesa e mbetur i ndahet të varfërve dhe nevojtarëve, raporton Zhurnal.

Në kalendarin hixhri (islam), Kurban Bajrami bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhxhe dhe zgjat për katër ditë. Në kalendarin gregorian, data ndryshon nga viti në vit duke shkuar përafërsisht 11 ditë më herët çdo vit.

Miratohet riorganizimi i ministrive në Maqedoni të Veriut

Pamje prej seancës së Kuvendit, të mbajtur më 8 qershor.

 

Isuf Kadriu

Me 88 vota për dhe 22 kundër, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e ka miratuar të shtunën Ligjin për Organizimin e Ministrive në Qeverinë e re.

Ligji parasheh që prej 16 ministrive sa janë aktualisht, të jenë 20 ministri.

Për ndryshimet e propozuara nga mandatari për kryeministër, Hristijan Mickoski, votuan edhe deputetët e opozitës shqiptare – Frontit Evropian – duke iu mundësuar partive të shumicës, VMRO DPMNE-së dhe koalicionit VLEN sigurimin e dy të tretave të votave.

Mbështetja e Ligjit nga opozita shqiptare u bë në këmbim të formimit të një komisioni ad hoc në Kuvend, për mbikëqyrjen e përfaqësimit të drejtë të etniteteve në institucione.

Ndryshimet e miratuara kanë të bëjnë kryesisht me sektorët e ekonomisë dhe të administratës, por edhe të tjerë.

Nga Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë do të formohen dy ministri, njëra për Digjitalizim dhe tjetra për Administratë.

Nga Ministria e Ekonomisë do të formohet Ministria e Ekonomisë dhe Punës, ndërsa sektori i energjetikës, që funksiononte në kuadër të Ekonomisë, do të bëhet Ministri për Energjetikë dhe Miniera.

Do të ketë edhe Ministri për Politikë Sociale, Demografi dhe të Rinj, pastaj Ministri për Kulturë dhe Turizëm, si dhe Ministri për Sport.

Miratimi i ndryshimeve i hap rrugën formimit të Qeverisë së re mes VMRO DPMNE-së, koalicionit VLEN dhe lëvizjes ZNAM.

Bisedimet mes këtyre partive për ndarjen e ministrive tashmë kanë përfunduar.

Mandatari për kryeministër, Hristijan Mickoski ka thënë të premten se, përbërjen e re të Qeverisë do ta paraqesë për votim në Kuvend menjëherë pas votimit të Ligjit për Organizimin e Ministrive.

Qeveria votohet me 61 vota të deputetëve nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. REL

Shkup, zbulohen emrat e ministrave shqiptarë në qeveri: Mexhiti, Taravari, Limani, Durmishi, Haliti e Abazi

Shkup, Maqedoni e Veriut – Koalicioni shqiptar VLEN në Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut  që do të drejtohet nga Hristijan Mickoski do të përfaqësohet me 6 ministra – dy prej tyre edhe zëvendës kryeministra. Kështu, Izet Mexhiti pritet të jetë Zv.Kryeministër i parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor kurse Taravari, ministër i Shëndetësisë.

Pjesëmarja e VLEN në Qeveri, sipas Zhurnal.mk:

Zëvendës kryeministër i parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor – Izet Mexhiti
Ministër i Shëndetësisë – Arben Taravari
Ministër i Ekonomisë dhe Punës – Besar Durmishi
Ministër i Çështjeve Sociale, Demografisë dhe Rinisë – Fatmir Limani
Ministër i Integrimit – Admirim Haliti
Ministër pa resor për Qeverisje të Mirë – Bujare Abazi

sn

‘Si shkupjan dhe si shqiptar’ – Fjalimi i Afrim Gashit pas zgjedhjes Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut

Shkup, 28.05.2024 – Nga Afrim Gashi,  kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut  

Të dashur kolegë deputetë dhe të nderuar drejtues të partive politike,
Të nderuar përfaqësues të bashkësive fetare në vendin tonë,
Të dashur qytetarë dhe përfaqësues të mediave,
Zonja e zotërinj,

Sot, kur po e pranoj përgjegjësinë e drejtimit të këtij kuvendi, më duhet fillimisht të shpreh falënderimin tim të thellë dhe mirënjohjen time të lartë, fillimisht për votuesit, që me të drejtën demokratike të votës na kanë mandatuar për të qenë përfaqësues të tyre, ndërsa me këtë rast dua t’i falënderoj të gjithë deputetët që me votën e tyre mbështetëse, por edhe kundërshtuese ose abstenuese, ishin pjesë e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo është bukuria e agorës së demokracisë sonë dhe unë jam pafundësisht mirënjohës për të gjithë deputetët që me deklarimin e tyre kundrejt këtij vendimi e ngjyrosin demokracinë tonë me nuancat e diversitetit të mendimit të tyre të lirë dhe lirisë së të shprehurit. Ju faleminderit të gjithëve!

Meqë ky është mandati im i tretë si deputet dhe viti i tetë i përvojës sime parlamentare, mund t’ju them se kam pasur jo vetëm fatin, por shumë shpesh edhe vështirësinë, që në këtë sallë të jem në rolin e deputetit të pushtetit dhe deputetit të opozitës. Andaj, nëse jo më mirë se shumë prej jush, atëherë gjithsesi mjaft mirë e kuptoj rolin e secilit deputet dhe kjo më bën njëherazi të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm që me detyrën që po e marr mbi vete të mundësoj që secilit deputet të këtij parlamenti t’i garantohet mundësia për t’u shprehur, t’i garantohet e drejta e fjalës dhe e drejta e qëndrimit politik.

Ndonëse unë jam këtu me përkatësinë time politike, etnike e religjioze, madje nesër – me qeverinë në ardhje që po kompozohet mes VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit VLEN – do të jem pjesë e shumicës qeveritare, si kryetar i Kuvendit përkatësia e vetme e imja do të jetë garancia që asnjë deputet të mos ndjehet i papërfaqësuar ose, mos dhashtë Zoti, i diskriminuar. Pas këtyre dy dekadave demokraci, ne të gjithë duhet të dëshmojmë se kemi arritur pjekuri të mjaftueshme që ta respektojmë mendimin ndryshe, të dëgjohemi mes vete, edhe kur nuk pajtohemi këtë ta bëjmë me argumentim dhe duke e respektuar dinjitetin e tjetrit dhe, përgjithësisht, si shoqëri para qytetarëve që na ndjekin të përdëftojmë se ne jemi përfaqësimi më i mirë i kësaj shoqërie ose, në një mënyrë, Maqedonia e Veriut në miniaturë.

Shumë të dashur deputetë dhe qytetarë të nderuar, vitin e kaluar isha në SHBA dhe kisha mundësi ta takoj ish Sekretarin e Shtetit, i cili ndërroi jetë vetëm disa muaj më pas, diplomatin e pazëvendësueshëm Henri Kisinxher. Derisa sot po ju drejtohem, ai më vjen në mendje me fjalinë e tij shumë frymëzuese, të cilën po e them njësoj si ai në vetën e parë: “Unë besoj në lirinë e shprehjes dhe besoj se shoqëritë lulëzojnë vetëm kur e lejojnë lirinë e shprehjes.”.

Si njeri, si politikan dhe si deputet e kam mendimin tim politik dhe për të do të angazhohem gjithnjë, por si kryetar Kuvendi do të jem këtu që të siguroj se vendi ynë dhe shoqëria jonë do të lulëzojnë pikërisht sepse e respektojnë lirinë e shprehjes.

Kolegë të dashur deputetë, fushata zgjedhore tashmë ka përfunduar. Sot kemi një kuvend me një përbërje të re parlamentare dhe me një shumicë që shumë shpejt do ta krijojë edhe qeverinë e re. Prandaj, sfida jonë tashmë nuk është ballafaqimi dhe kundërshtimi sipërfaqësor me terma të fushatës parazgjedhore, sepse kjo përfundoi më 8 maj, por tash para nesh hapet një perspektivë e re, kur qytetarët presin nga ne të dëshmojmë punë, përkushtim dhe angazhim për atë që e kemi premtuar. Rrjedhimisht, detyrimi ndaj qytetarëve dhe respektimi i tyre duhet të jetë strumbullari rreth të cilit duhet të sillet secili nga ne.

Në fakt, eksodi i të rinjve mund të ndalet vetëm nëse ne gjatë këtij mandati prodhojmë ligje dhe mundësi që ata të mund të krijojnë jetë dinjitoze në vatrat e tyre. Madje, për mua si optimist i paepur, nuk është fare e tepërt të them se ne kemi mundësi të artë që shumë mërgimtarë tanë t’i kthejmë në shtëpitë e tyre nëse vërtet i përmbushim premtimet tona për ngritje të standardit të jetesës. Zaten, çfarë kuptimi ka angazhimi ynë publik e politik nëse kjo nuk përkthehet në përfitim për qytetarët?! Ne të gjithë kemi shpjegime për të kaluarën, kemi argumente se kush ka pasur më shumë e më pak faj për gjendjen në të cilën jemi, por unë dua t’ju them se debati për të kaluarën nuk është diskursi që duhet ta zhvillojnë politikanët e, aq më pak, deputetët në parlament.

E kaluara është material i mirë për historianët, por jo për politikanët. Sepse gjëja e vetme që nuk ndryshon është e kaluara.

Nga ne kërkohet të japim zgjidhje për të ardhmen e jo shpjegime për të kaluarën. Nëse nuk e bëjmë këtë, por vazhdojmë të krekosemi ose akuzohemi për të kaluarën, kjo nuk u bën asnjë dobi qytetarëve tanë. Kjo është arsyeja që t’ju ftoj të gjithëve të bashkohemi në vijat e përgjithshme të interesit qytetar, siç është integrimi në Bashkimin Europian, mirëqenia ekonomike, shteti i së drejtës, reformimi i arsimit, barazia mes komuniteteve, mbrojtja e familjes dhe mbrojtja e mjedisit. Këto janë shtyllat në të cilat duhet të bashkohemi dhe unë jam shumë i bindur se nëse dimë dhe duam, ne kemi shumë pika që na bashkojnë dhe kjo është një mundësi që ne të bashkëpunojmë, ndërsa kemi pak gjëra që na ndajnë dhe kjo është një mundësi që ne të tolerohemi dhe ta respektojmë të drejtën e demokracisë për të vendosur shumica.

Si shkupjan që sjell kulturën urbane në këtë kuvend, si shqiptar që di të respektojë dhe që pret respekt të ndërsjellë dhe si qytetar i këtij shteti që e njeh realitetin juridiko-kushtetues të këtij shteti, si dhe realitetin multientik të shoqërisë sonë, edhe njëherë dua t’ju falënderoj për mbështetjen, duke iu lutur Perëndisë që Ai ta bekojë këtë Kuvend, ta bekojë punën tonë dhe të na ndihmojë që të jemi në shërbim të njerëzve pa dallim partie, etnie, religjioni e gjinie.

Edhe njëherë ju faleminderit dhe Zoti ju bekoftë!

Afrim Gashi zgjidhet kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut

Me 76 vota për, 6 kundër asnjë abstenim, Afrim Gashi nga koalicioni VLEN zgjidhet kryetar i Kuvendit, shkruan Alsat.

Në Maqedoninë e Veriut sot po mbahet seanca konstituive e përbërjes së njëmbëdhjetë të Kuvendit, e dalë nga zgjedhjet e rregullta parlamentare që u mbajtën më 8 maj.

Afrim Gashi ishte propozuar për postin e kryetarit të Kuvendit nga koalicioni i partive shqiptare VLEN, ndërsa ka mbështetjen edhe të VMRO DPMNE-së, partisë fituese të zgjedhjeve parlamentare.

Gashi deri të hënën ka qenë kryetar i partisë Alternative, kur dha dorëheqje pas nominimit të tij për kryetar të Kuvendit.

Sipas dispozitave në fuqi, kryetari i Kuvendit nuk mund të jetë edhe kryetar partie, apo bartësi i funksioneve tjera në ndonjë subjekt politik.

Afrim Gashi ishte deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në dy mandate 2016-2020 dhe 2020-2024.

Afrim Gashi2
Afrim Gashi2

Gashi ka lindur në Shkup më 9 nëntor 1977.


Send this to a friend