VOAL

VOAL

Bullgarët, serbët dhe turqit s’i pranojnë rezultatet e regjistrimit në Maqedoninë e Veriut

Pamje gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut.

RFE/RL

Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë të premten ka reaguar lidhur me rezultatet e regjistrimit të popullsisë c duke kontestuar numrin e popullsisë bullgare.

Sipas rezultateve të Entit të Statistikës, në Maqedoninë e Veriut jetojnë 3,504 bullgarë.

“Si është e mundur që të ketë një dallim të madh mes atyre që janë deklaruar si bullgarë (3,504) dhe numrit prej mbi 100.000 shtetasve maqedonas, të cilët janë të pajisur me shtetësi bullgare. Objekt i analizës serioze është fakti se 7.2% e qytetarëve të shtetit fqinj nuk janë të numëruar aktivisht. Sipas informacioneve, të dhënat për ta janë mbledhur nga një bazë e duhur informative, por pa u theksuar përkatësia e tyre etnike dhe fetare”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë.

Rezultatet e regjistrimit i kontestuan të premten edhe Partia Demokratike e Serbëve dhe komuniteti serb në Maqedoni. Sipas Entit Shtetëror të Statistikës, në Maqedoninë e Veriut jetojnë rreth 26 mijë serbë apo 1.3 për qind.

Edhe pakica turke ka thënë se nuk i pranon rezultatet pasi pretendon se turq ka më shumë se shifrat zyrtare prej rreth 75 mijë personave apo 3.84 për qind.

Komisioni Evropian konsideron se regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut është realizuar, sipas të gjitha standardeve evropiane. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, tha të premten se “ligji dhe metodologjia në të cilën bazohet përgatitja, organizimi dhe zbatimi i regjistrimit ishin në përgjithësi në përputhje me standardet përkatëse të përcaktuara me legjislacionin statistikor të Bashkimit Evropian”.

Në Maqedoninë e Veriut, bazuar në rezultatet e publikuara më 30 mars, jetojnë 1,836,713 banorë apo rreth 10 për qind më pak se në regjistrimin e vitit 2002. Prej tyre 58.44 për qind maqedonas dhe 24.3 për qind shqiptarë.

Sofja reagon për numrin e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut

Slavi Trifonov, kryetar i partisë parlamentare bullgare “Ka një popull të tillë”.

Isuf Kadriu

Maqedonia e Veriut do të mbetet pjesë e Ballkanit Perëndimor nëse nuk ua mundëson qytetarëve që jetojnë në këtë vend, që lirshëm të shprehin identitetin e tyre kombëtar, ka deklaruar Slavi Trifonov, kryetar i partisë parlamentare bullgare “Ka një popull të tillë”, duke komentuar rezultatet e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut.

Sipas rezultateve të publikuara të mërkurën, 30 mars, nga Enti Shtetëror i Statistikës, në Maqedoninë e Veriut jetojnë rreth 3,500 bullgarë.

Në një reagim në Facebook, Slavi Trifunov, partia e të cilit është pjesë e Qeverisë së Bullgarisë tha se është e absurde të mendohet se kaq bullgarë jetojnë në Maqedoninë e Veriut, kur sipas tij, vetëm në dy vitet e fundit, 16.692 qytetarë të Maqedonisë së Veriut kanë marrë pasaporta bullgare.

“Sipas ligjeve bullgare, që një shtetas i Maqedonisë së Veriut të marrë pasaportën bullgare, ai duhet të vërtetojë rrënjët e tij bullgare. Kështu, mbi 100.000 qytetarë të Maqedonisë së Veriut i kanë vërtetuar rrënjët e tyre bullgare në Bullgari, por në Maqedoninë e Veriut ata kanë frikë të quhen ‘bullgarë’. Pse në një vend normal evropian, ku pretendon të anëtarësohet Maqedonia e Veriut, një person do të kishte frikë të thotë se çfarë është? Ky nuk është një vend normal evropian”, ka shkruar Trifonov.

“Nëse Maqedonia e Veriut dëshiron të jetë një vend normal, evropian dhe të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, atëherë qytetarët e saj do të duhet të deklarojnë lirshëm përkatësinë e tyre dhe të drejtat e tyre nuk duhet të shkelen. Derisa kjo të ndodhë, Maqedonia e Veriut do të jetë pjesë e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Trifonov, kryetar i partisë parlamentare bullgare “Ka një popull të tillë”.

Reagimi i tij vjen një ditë para se në Shkup të takohen grupet e ekspertëve të të dyja vendeve për të diskutuar lidhur me dallimet për të kaluarën historike.

Sofja, në nëntor të vitit 2020 ka bllokuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut, duke e kushtëzuar zgjidhjen kontestit për identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase.

Një e treta- Mbi 29% e popullsisë në Maqedoninë e Veriut janë shqiptarë

Maqedonia e Veriut ka publikuar të dhënat zyrtare të censusit, ku rezulton se shqiptarët përbëjnë gati 1/3 e popullsisë.

Shqiptarët janë 29.5% në popullsinë e përgjithshme dhe 24.3% në popullsinë rezidente, ndërsa në qytetin e Shkupit 22.8%.

Në shifra konkrete, numri i popullsisë shqiptare në RMV rezulton se është 619.187 banorë.

Ndërkohë, numri i maqedonasve përbën 54.21% në total ose rreth 1.1 milionë banorë.

Sipas të dhënave të publikuara nga enti statistikor, me regjistrimin e popullsisë që zgjati nga 5 deri më 30 shtator 2021, u regjistruan 1.832.696 persona, 568.175 familje dhe 837.255 banesa.

Regjistrimin e fundit, Maqedonia e Veriut e realizoi në vitin 2002. Në vend numëroheshin afër 2 milionë banorë, prej tyre rreth 25 për qind shqiptarë.

 

Isuf Kadriu

Në Maqedoninë e Veriut, 24.3 për qind e popullsisë është shqiptare, bëri të ditur të mërkurën Enti Shtetëror i Statistikave. Bazuar në rezultatet e regjistrimit të mbajtur nga 5 deri më 30 shtator të vitit 2021, numri i përgjithshëm i popullsisë rezidente është 1,836,713 banorë.

Sipas këtyre të dhënave, nga numri i përgjithshëm i popullsisë rezidente 58.44 për qind e tyre janë deklaruar maqedonas, 3.84 për qind turq, 2.53 për qind janë nga komuniteti rom , 0.47 për qind janë vllehë, 1.3 për qind serbë dhe 0.87 për qind janë deklaruar si boshnjakë.

Në bazë të të dhënave nga regjistrimi i vitit 2002, numri i popullsisë shqiptare ka shënuar rënie për rreth një për qind në vitin 2021.

Enti Shtetëror i Statistikës të mërkurën më 30 mars, publikoi edhe numrin e përgjithshëm të popullsisë së regjistruar, që përfshin atë rezidente dhe jorezidente. Janë regjistruar gjithsej 2,097,319 persona dhe prej tyre 54.21 për qind janë deklaruar maqedonas, 29.52 për qind shqiptarë, 3.98 për qind turq, 2.34 për qind nga komuniteti rom, 1.18 për qind serbë, 0.98 boshnjakë dhe 0.44 vllehë.

Sipas të dhënave, rreth 3,500 persona janë deklaruar si bullgarë, shifër kjo larg pretendimeve të Sofjes, e cila ka kontest me Maqedoninë e Veriut edhe për çështjen e pakicës bullgare.

Në Shkup, shqiptarët përbëjnë 22.8 për qind të popullsisë krahasuar me 20.4 për qind sa ishin në regjistrimin e vitit 2002.

Bazuar në të dhënat e Entit të Statistikës, popullsia rezidente në Maqedoninë e Veriut është ulur për 185 mijë njerëz apo në rreth 9 për qind në krahasim me regjistrimin e popullsisë në vitin 2002.

“Regjistrimi i popullsisë u realizua me sukses. Ne dëshmuam se mundemi dhe dimë të realizojnë regjistrim të popullsisë. Nëse më parë duheshin dy vjte për shpalljen e rezultateve, në këtë e bënë për gjashtë muaj, ashtu siç e kishim paraparë”, deklaroi drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës, Apostol Simovski.

Lidhur me rezultatet e regjistrimit, nëpërmjet një statusi në Facebook ka reaguar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, sipas të cilit, Maqedonia e Veriut pas 20 vjetësh ka një pasqyrë më të qartë sa i përket numrit të përgjithshëm të popullsisë dhe përqindjes së komuniteteve në vend.

“Përgëzoj të gjitha institucionet që ishin të përfshira dhe ndihmuan regjistrimin si proces që filloi në muajin mars të vitit të kaluar me diasporën e vendit, e që përfundoi në shtator me regjistrimin e popullatës në vend, proces dhe sfidë aspak e lehtë, por që ia dolëm ta përfundojmë me sukses”, ka shkruar Ahmeti.

Para kësaj, regjistrimin e fundit, Maqedonia e Veriut e kishte bërë në vitin 2002 dhe bazuar në të dhënat zyrtare, vendi atëherë numëronte 2 milionë banorë, prej tyre 25.17 për qind shqiptarë.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të drejtat e tyre i realizojnë në bazë të Marrëveshjes së Ohrit, që ishte arritur pas luftës së vitit 2001.

Me ndryshimet kushtetuese që ishin bërë në vitin 2002, të drejtat e shqiptarëve janë rregulluar në bazë të përqindjes së tyre në shtet.

Përveç maqedonishtes, gjuhë zyrtare në këtë vend është edhe gjuha, të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullatës jomaqedonase, që i bie të jetë gjuha shqipe, edhe pse nuk përmendet si e tillë.

Në bazë të këtij formulimi kushtetues, shqiptarëve u sigurohen edhe të drejtat e tjera kombëtare, si përfaqësimi adekuat në institucione, përdorimi i simboleve kombëtare, gjuhësore e kulturore.

Pikërisht, ky formulim kushtetues ka politizuar edhe regjistrimin duke bërë që ai të mos mbahej për 20 vjet.

VMRO thotë se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje me Sofjen

Kreu i VMRO-së, Hristijan Mickoski.

Isuf Kadriu

Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, nuk do të pranojë asnjë marrëveshje me Bullgarinë, nëse zgjidhje që mund të arrihet do të dëmtojë interesat kombëtar dhe shtetërore të Maqedonisë së Veriut, ka deklaruar të mërkurën, lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski.

Ai ka kërkuar nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) e kryeministrit, Dimitar Kovaçevski, që të miratojë në Kuvend një rezolute për mbrojtjen e figurës dhe të identitetit të heroit kombëtar të maqedonasve, Goce Dellçev.

Kryetari i VMRO-së tha se dyshon që në bisedimet me palën bullgare, pala maqedonase, do të heqë dorë nga prejardhja maqedonase e Dellçevit, por edhe nga identiteti dhe gjuha maqedonase.

“Kam ofruar unitet që të gjithë së bashku të qëndrojmë pas mbrojtjes së interesave kombëtare pasi popullit i ka ardhur mbi kokë nga politikanët e korruptuar dhe të kriminalizuar, në llogari të identitetit të popullit maqedonas, të cilët po pasurohen dhe po bëjnë karrierë në kurriz të popullit maqedonas”, ka deklaruar Mickoski.

Ai tha se pozicionet në bisedimet me Bullgarinë janë rrënuar edhe për shkak të siç tha, faktit se në proces fjalën kryesore e kanë politikanët shqiptarë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

“Pozicionet negociuese po minohen, pasi identiteti maqedonas dhe i shtetit në përgjithësi është vendosur në ankand. Artan Grubi, Bujar Osmani dhe Ali Ahmeti ndryshimin e Kushtetutës e kanë vendosur në ankand dhe këtë po e vërteton administratori Kovaçevski, trashëgimtari i verbër i Zaevizmit. Me kërkesën tona që në Kuvend të miratohet një deklaratë për të madhin Goce Dellçev, jo vetëm që forcohen, por edhe më shumë i jepet rëndësi atyre që po negociojnë në tavolinë”, tha Mickoski.

Ai tha se edhe zyrtarëve bullgarë, kryeministrit, Kiril Petkov dhe presidentit, Rumen Radev ia ka bërë me dije se “VMRO-ja nuk do të pranojë asnjë marrëveshje të dëmshme mes dy vendeve”.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski hodhi poshtë pretendimet e opozitës duke theksuar se bisedimet me Sofjen janë transparente dhe se nuk mund të flitet për “tradhti të interesave kombëtare dhe shtetërore”.

“Procesi po zhvillohet në nivel të ekspertëve, që po punojnë në Ministrinë e Punëve të Jashtme me kapacitet të plotë, së bashku me kolegët e tyre nga Bullgaria dhe kur do të ketë një zgjidhje, e pranueshme për të dyja palët, kjo do të bëhet e ditur për opinionin, por edhe për këtë do të njoftohet të gjitha institucionet të cilat duhet ta miratojnë në përputhje me dispozitat në fuqi. Gjithçka që kemi biseduar deri më tani ka qenë transparente dhe asgjë nuk kemi fshehur, kështu do të ndodhë edhe në të ardhmen”, ka deklaruar Kovaçevski.

Sipas tij, nuk qëndrojnë pretendimet e VMRO-së, se institucionet e Maqedonisë së Veriut po heqin dorë nga përkatësia etnike e Goce Dellçevit.

“Goce Dellçev është revolucionar i luftës nacionale maqedonase, që luftoi për shtet të pavarur në të cilin ne sot jetojmë, që është anëtare e NATO-s dhe në prag të nisjes së bisedimeve me BE-në, pas zgjidhjes së kontestit me Bullgarinë që duhet të zgjidhen ë frymën e vlerave evropiane dhe në frymën e respektit të ndërsjellë”, ka deklaruar kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski.

Goce Dellçev, një personalitet që ka vepruar kundër sundimit osman deri në vitin 1903 konsiderohet si hero dy shteteve, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Debati mes ekspertëve të dy vendeve, përskaj çështje për identitetin dhe gjuhën, përfshin edhe prejardhjen e shumë personaliteteve historike.

Sofja kërkon nga Shkupi që të pranojë rrënjët bullgare në gjuhën dhe identitetit maqedonas. Pikërisht për shkak të mosmarrëveshjeve për këto çështje, Bullgaria në nëntor të vitit 2020 përdori veton me çka u bllokua nisjen e bisedimeve të anëtarësimit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian.

Maqedonia e Veriut e gatshme t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutë

Kryeministri bullgar Kiril Petkov dhe ai maqedonas Dimitar Kovaçevski.

Isuf Kadriu

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë zyrtarizuar krijimin e grupeve të punës, përmes të cilave synojnë vendosjen e bashkëpunimit në shumë sfera, përskaj atyre të historisë që të arrijnë një marrëveshje finale për kontestet që kanë bllokuar integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov, dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, që u mbajt në Sofje, u shprehën me tone optimiste se pesë grupet e punës do të japin rezultate për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Por, në prononcimet e tyre për mediat, ata folën shumë pak për thelbin e kontestit, që ka të bëjë me identitetin dhe gjuhën maqedonase si dhe të kaluarën historike mes dy vendeve.

Anëtarët e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Sofje, 25 janar 2022.

Anëtarët e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Sofje, 25 janar 2022.

Maqedonia e Veriut, në samitin e Bashkimit Evropian në nëntor të vitit 2020, nuk e mori datën për nisjen e bisedimeve me bllokun evropian, për shkak të vetos bullgare. Sofja kërkon nga Shkupi që të njohë rrënjët bullgare në gjuhën dhe historinë maqedonase.

Në takimet e të hënës dhe të martës në Sofje, kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha se është folur edhe për të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut duke shprehur gatishmërinë për përfshirjen e tyre në Kushtetutë.

“Në Kushtetutën tonë, përveç popullit maqedonas, janë të përfshirë edhe shqiptarët dhe popuj të tjerë, dhe normalisht në rast se ka qytetarë të tjerë që ndihen ndryshe nga të tjerët, mund të përfshihen në Kushtetutë. Por, ky është një proces që kalon përmes ndryshimeve kushtetuese dhe besoj se kjo do të ndodhë në kuadër të ndryshimit të Kushtetutës apo përshtatjes së saj me kriteret evropiane. Ndërsa sa i përket çështjeve tjera që ekzistojnë mes dy vendeve, normalisht se do të bisedohet dhe kur të ketë rezultate, gjithsesi se ato do të bëhen të ditura për opinionin”, tha Kovaçevski.

Kreu i Qeverisë bullgare, Kiril Petkov, foli me tone optimiste se komisionet e historisë të dy vendeve, që sipas tij, janë shprehur të gatshëm për të intensifikuar punën që të ketë rezultate konkrete, sa më shpejt që të jetë e mundur. Por, edhe Petkov nuk dha detaje konkrete, mbi thelbin e kontestit midis Sofjes dhe Shkupit.

“Përmes memorandumeve dhe iniciativave që i nënshkruam të martën do të kemi avancim të raporteve mes dy vendeve. Fqinjësia e mirë do të vendoset në piedestal… në takimet tona jemi pajtuar për një nivel të ri të punës së komisionit të përbashkët të historisë. Ekspertët e dy vendeve thanë se janë të gatshëm që energjia e re të kalojë në tone konstruktive dhe të ketë rezultate në punë”, deklaroi Petkov.

Kryeministri bullgar Petkov, tha se nuk pret që tensionet në Ukrainë të reflektohen në bisedimeve që po zhvillojnë Shkupi dhe Sofja, pasi dy vendet, sipas tij, po përballen edhe me sfida tjera ndërkombëtare, siç është pandemia e koronavirusit dhe kriza energjetike.

Në mbledhjen e parë të dy qeverive pas zgjedhjes në postet e kryeministrave, Kovaçevski dhe Petkov njoftuan për formimin e grupit të punës që mbulon bashkëpunimin në ekonomi, energjetikë, financa, inovacion dhe zhvillim, investime dhe bujqësi.

Grupi i dytë i punës në fokus do të ketë transportin, infrastrukturën, vetëqeverisjen lokale dhe bashkëpunimin ndërkufitar. Sipas krerëve të qeverive të dy vendeve, grupit i tretë do të merret me integrimet evropiane, politikat e gjelbra dhe qeverisjen e mirë. Grupi i katërt do të përqendrohen në kulturën, arsimin dhe shkencën, turizmin dhe rininë e sportin. Grupi i pestë do të ketë çështjet më të ndjeshme, që në fakt edhe parqet thelbin e kontestit, aspektet historike mes dy vendet.

Nisma për grupet e punës dhe që së pari të diskutohet për bashkëpunimin ekonomik e pastaj për historinë, është e kryeministrit bullgar, Kiril Petkov. Ai ka thënë se nga këto grupe pret rezultatet konkrete në gjashtë muajt e parë të këtij viti, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me dallimet kryesore mes dy vendeve, për gjuhën, identitetin, historinë dhe të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut.

Shkup, akuza për diskriminim ndaj shqiptarëve në mbrojtje dhe ushtri

Reformat në administratën shtetërore të Maqedonisë së Veriut duhet të bëhen duke ndjekur parimet e Marrëveshjes së Ohrit të cilat janë ndjekur në hartimin e ligjeve të vendit. Megjithatë ende ka paqartësi kur është fjala për zbatimin e plotë në praktikë. Së fundmi, disa punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes njoftuan Zërin e Amerikës lidhur me ankesat e tyre për diskriminimi mbi baza etnike. Korrespondenti ynë Isak Ramadani bisedoi me njërin nga ta dhe me një zyrtar të lartë të Ministrisë, i cili i kundërshton këto akuza.

Muhaedin Bela, kolonel në ushtrinë e Maqedonisë së Veriut dhe punonjës i administratës në Ministrinë e Mbrojtjes, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se shqiptarët nuk janë të përfaqësuar sa duhet në strukturat udhëheqëse ushtarake dhe ato të Ministrisë së Mbrojtjes në përputhje me ligjet që dalin nga Marrëveshja e Ohrit.

Ai thekson se shqiptarët në këtë ministri por dhe në ushtri përballen me pengesa për sa i përket përparimit në karrierë. Ndërkohë, ka ngritur padi në gjykatë ndaj tashmë ish-ministres së Mbrojtjes dhe dy zyrtarëve të tjerë për diskrimin.

“Në Ministrinë e Mbrojtjes nga 15 Këshilltarë Shtetërorë, vetëm 1 është shqiptar. Nga 18 udhëheqës të sektorëve, asnjë nuk është shqiptar. Nga 77 seksione, vetëm një është shqiptar. Nga 20 batalione, ose 13 batalione dhe 7 Qendra, vetëm 3 komandantë janë shqiptarë. Përqindja në njësitë speciale është shumë e vogël; më duket tani është bërë rreth 4 për qind. Unë jam autor i Planit për përfaqësim të drejtë dhe të përshtatshëm të hartuar në periudhën 2012-2015 që parashikonte deri në v.2015 të përfundojë gjithçka”.

Zoti Bela thotë po ashtu se në armatë, nga nëntë seksionet apo ndarjet specifike të Shtabit të Përgjithshëm si J-1 deri në J-9, siç njihen në terminologjinë ushtarake, vetëm një është shqiptar.

Por Zëvendësministri i Mbrojtjes, Bashkim Hasani, në një bisedë me Zërin e Amerikës, thotë se pretendimet e zotit Bela janë të nxitura politikisht.

“Numri i Këshilltarëve (shtetërorë) nuk është 15 por është 5 në Ministrinë e Mbrojtjes dhe nga këta pesë, njëri është i njejti person, i cili na akuzon për gjoja diskriminim. Nga 16 udhëheqës të sektorëve 15 janë të plotësuar, të autorizuar dhe katër prej tyre janë shqiptarë”.

Megjithatë, duket se ka paqartësi rreth numrit të drejtuesve të sektorëve në MM. Në faqen e internetit të Ministrisë nga 18 emra që figurojnë, dy duket të jenë shqiptarë, teksa shumica e tyre në këto poste janë të autorizuar, që nënkupton ushtrimin e përkohshëm të detyrës. Zoti Bela thotë se është vepër penale emërimi i personave të autorizuar në krye të sektorit përderisa ka drejtues të pezulluar nga këto poste.

Zëvendës-ministri Hasani thotë se plotësimi i këtyre vendeve nuk varet vetëm nga vullneti politik, i cili ekziston, por edhe nga respektimi i rregullave dhe ligjeve; se Rregullativa ligore nuk lejon diskriminimin në baza etnike, ngaqë gjatë hapjes së konkursit, një mekanizëm për balancimin mbi baza etnike përcakton se sa prej konkurruesve shqiptarë duhet pranuar në punë dhe sa nga komunitetet tjera.

“Në konkursin e fundit për administratorë këtu në Ministrinë e Mbrojtjes, nga pesë të pranuar në punë, dy janë shqiptarë, dhe jo vetëm që janë shqiptarë, por janë edhe të përgatitur”, thotë ai.

Zoti Hasani shton se integrimi i suksesshëm i Maqedonisë së Veriut në strukturat ushtarake të NATO-s flet për përkushtimin e vendit, sepse parimet e Aleancës, sipas tij, nuk lejojnë diskriminimin e çfarëdo lloji.

Ndërkohë, zoti Bela thotë se Ministria po bën pengimin e avancimit të personelit dhe ngritjet e gradave ushtarake të oficerëve. Ai i referohet Planit të miratuar në Parlament, i cili buron nga Marrëveshja e Ohrit e që parashikon ngritjen në 35% të përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë, përkatësisht në 25% të shqiptarëve në Mbrojtje (MM) dhe ushtri:

“Sipas Kushtetutës, Ligjit të Mbrojtjes, Ligjit për Shërbim në Armatë, Strategjisë për Mbrojtje, parashihet që lëvizja, avancimi i etnive joshumicë të bëhet jo vetëm në mënyrë horizontale dhe kuantitative, por edhe në mënyrë vertikale dhe kualitative. Dhe ne kemi kuadër, ndoshta jo të mjaftueshëm, por shtrohet pyetja pse kjo nuk është bërë deri tani?”

Por, Zëvendës-ministri Hasani thotë se në bazë të strukturës dhe organizimit të Armatës shqiptarët në hierarkinë ushtarake përfaqësohen me 50 përqind dhe veç kësaj janë të përgatitur dhe të përgjegjshëm:

“Gradën gjeneral nuk ta jep as Ministri i Mbrojtjes, as dikush tjetër në Ministri, por e jep Kryetari i shtetit. Në hierarkinë ushtarake janë të radhitura katër komanda dhe atë: Baza e Logjistikës, e cila udhëhiqet nga një shqiptar (Muharrem Muharremi), Komanda e Operacioneve, një nga Top-1 në kierarkinë ushtarake udhëhiqet nga gjeneral Besnik Emini dhe janë dy njësi dhe komanda të tjera të cilat udhëhiqen nga ushtarakë të tjerë”.

Zoti Bela ka ndjekur në rrugë institucionale ankesat e tij, ndërsa ka njoftuar një sërë institucionesh të vendit dhe zyra ndërkombëtare për atë që ai i konsideron padrejtësi dhe diskriminim. Edhe punonjës të tjerë duke folur në kushte anonimiteti me Zërin e Amerikës, ankohen për parregullsi, diskriminim; për mosvlerësimin e kontributit të tyre në Ministrinë e Mbrojtjes, teksa kanë ngritur ankesa në Komisionin për Mbrojtje nga Diskriminimi.

Koloneli Bela ka hedhur në gjyq tashmë ish-ministren e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska dhe dy përfaqësues të tjerë të Ministrisë. Padia është ngritur gati dy vjet më parë, por gjykatat nuk e kanë proceduar lëndën. Zyra e Avokatit të Popullit e cila është interesuar për rastin, ka marrë përgjigjen nga Gjykata Themelore se “zvarritja e procedimit të lëndëve që kanë të bëjnë me të drejtat në vendet e punës po bëhet për shkak të mungesës së gjykatësve”.

“Për dy vjet më janë caktuar katër seanca përgatitore (në gjykatë); asnjëra nuk është mbajtur, e nga ana tjetër më janë ndërruar pesë gjykatës”.

Zëri i Amerikës i kërkoi zonjës Sheqerinska që të prononcohej deri sa ajo ishte në detyrë, por nuk mori përgjigje nga zyra e saj.

Megjithatë, gjendja në armatë dhe në mbrojtje nuk mund të krahasohet me atë të një dekade më parë, kur shqiptarët vështirë arrinin deri tek gradat e larta në ushtri.

Ka pasur dy mininistra të Mbrojtjes në vitet 2011 – 2014, të cilët kanë qenë shqiptarë.

Zbatimi në praktikë i Marrëveshjes së Ohrit ka marrë kohë dhe jo gjithkund respektohet. Por nga ana tjetër, ka ngritur dukshëm shkallën e përfaqësimit të komuniteteve në institucionet shtetërore dhe publike, ndonëse nuk përjashtohen raste të padrejtësive.

A do të ketë kryeministër shqiptar Maqedonia e Veriut?

BDI-ja mbetet në kërkesën e saj për kryeministër shqiptar, pavarësisht nëse do të hiqet ose jo qeveria teknike. Fotografi ilustruese.

Isuf Kadriu

Ndryshimet në modelin zgjedhor që pritet të propozohen nga opozita maqedonase, ngrenë dilemën nëse në tre muajt e fundit të mandatit të Qeverisë do të ketë ndërrim të kryeministrit, apo nëse kreu i ekzekutivit do të jetë shqiptar.

VMRO DPMNE-ja thotë se do të propozojë ndryshimin e modelit aktual, respektivisht të mos ketë qeveri teknike në fund të mandatit të ekzekutivit.

Qeveria teknike, ku merr pjesë edhe opozita, kishte nisur të zbatohet që në zgjedhjet e vitit 2016, bazuar në një marrëveshje mes partive për zgjidhjes e krizës politike.

Një qeveri e tillë kishte mandatin për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, që rezultati i tyre të jetë i pranueshëm për të gjitha partitë politike.

“Jemi duke e përgatitur dhe ditëve në vijim do të propozojmë ndryshimin e modelit zgjedhor, i cili nuk do të parashohë të ketë qeveri teknike në 100 ditët e fundit të funksionimit të ekzekutivit, përkatësisht nuk do të ketë 100 ditë humbje kohe për qytetarët e Maqedonisë. Do të mbetet vetëm afati kushtetues 45-60 ditë”, ka deklaruar kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Për heqjen e qeverisë teknike ishin dakorduar edhe ish-kryeministri Zoran Zaev me liderin e VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në një debat televiziv, më 30 qershor 2020, por që atëherë nuk ka pasur asnjë nismë për këtë çështje.

Ndërkohë, në zgjedhjet parlamentare në vitin 2020, BDI-ja doli në zgjedhje me moton, “Për kryeministrin e parë shqiptar”, por kjo nuk u arrit për shkak se kryeministri, bazuar në Kushtetutë, zgjidhet nga partia fituese e zgjedhjeve, megjithatë, BDI dhe LSDM arritën marrëveshje që në zgjedhjet e radhës kurdo që të mbahen ato në tre muajt e fundit të mandatit, apo qeverinë teknike ta udhëheq një kryeministër shqiptar.

BDI-ja mbetet në kërkesën e saj për kryeministër shqiptar, pavarësisht nëse do të hiqet ose jo qeveria teknike dhe beson se kjo do të mbështetet nga të gjitha partitë politike, si një e arritur e re, sipas BDI-së, që do të dëshmojë pjekurinë demokratike të Maqedonisë së Veriut.

“Premtimi për kryeministrin e parë shqiptar në 100-ditëshin e fundit të mandatit të Qeverisë, të propozuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, tashmë ka përkrahjen e Lidhjes Social Demokrate, por jo vetëm, pasi ka përkrahjen edhe të VMRO DPMNE-së si dhe të subjekteve politike shqiptare në opozitë. Kjo arritje do të bëhet realitet dhe padyshim se do të jetë tregues i pjekurisë demokratike të Maqedonisë së Veriut dhe promotor më i mirë i vlerave proevropiane të bashkëjetesës dhe përparimit”, ka deklaruar Arbër Ademi, kryetar i Grupit Parlamentar të BDI-së.

Temelko Ristevski, njohës i çështjeve të Kushtetutës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se paralajmërimi për heqjen e qeverisë teknike është i mirëseardhur për faktin se një format i tillë, sipas tij, është i panevojshëm dhe krijon imazh të keq për vendin.

“Qeveria teknike bëhet me qëllimin e vetëm organizimin e zgjedhjeve, që ato të jetë të lira, demokratike dhe të pranueshme për të gjitha palët. Mendoj se një qeveri e tillë është joproduktive, e panevojshme, në veçanti për një shtet anëtar të NATO-s dhe një shtet që pret nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Formate të tilla të qeverive mund të ketë në vende jodemokratike, apo në ato shtete ku vërtet ka mosbesim të tillë në institucionet, apo që akuzohen për mungesë të demokracisë dhe respektimin e së drejtës më elementare, të drejtën e votës”, thotë Ristevski.

Por, ai gjithashtu kundërshton edhe idenë e ndryshimit të Qeverisë pak para zgjedhjeve vetëm sa për të plotësuar kërkesën e një partie për të pasur kryeministër. Ristevski thotë se në këtë rast, gjithashtu, humbet shumë kohë dhe nuk arrihet asgjë përveç plotësohet dëshira e një partie politike.

“Në rast se anulohet vendimi që të ketë qeveri teknike dhe në anën tjetër të insistohet në kryeministër shqiptar, kjo do të shkaktojë probleme të mëdha, meqë në këtë rast, me dorëheqjen e kryeministrit, për t’i lënë vendin kryeministrit të ri, duhet të dorëhiqet e gjithë Qeveria. Dorëheqja duhet të konstatohet nga Kuvendi, të caktohet mandatar i ri, të rrjedhin afatet ligjore prej 20 ditëve dhe në fund të zgjidhet Qeveri e re që do të kishte mandat vetëm tre muaj. Kjo më duket e palogjikshme, joproduktive, humbje kohë, harxhime e shumë procedura të tjera, vetëm për të plotësuar dëshirën e një partie politike”, vlerëson Risteski.

BDI-ja, përveç se me kërkesën për kryeministër shqiptar, në disa raste ka dalë edhe me kërkesën tjetër për president shqiptar. Me një kërkesë të tillë ka dalë pas bojkotit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2014 pasi ishte refuzuar kërkesa e saj për gjetjen e një kandidati konsensual për president.

Petkov në Shkup: Bashkëpunimi ekonomik para çështjeve historike

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski gjatë takimit me homologun e tij bullgar, Kiril Petkov. Shkup, 18 janar 2022.

 

Isuf Kadriu

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria do të formojnë grupe pune për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, që do të jenë edhe prioriteti kryesor i raporteve mes dy vendeve, ndërsa në plan të dytë do të jenë aspektet historike.

Kështu deklaruan në Shkup kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski dhe ai bullgar Kiril Petkov gjatë takimit të tyre të parë që prej se të dy u zgjodhën në postin e kryeministrit.

“Unë dhe ai [Kiril Petkov] kemi qëllimin e njëjtë, të krijojmë kushte për një të ardhme më të mirë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Në takimin tonë u pajtuam se po hyjmë në një proces më dinamik të zgjidhjes së çështjeve të hapura me qëllim sigurimin e një të ardhme më të mirë. Do të formohen grupe të punës që do të përqendrohen në projekte konkrete për forcimin e bashkëpunimit, si në ekonomi, infrastrukturë, shëndetësi, arsim dhe sfera tjera, me qëllim të rritjes së besimit, të mirëkuptimit mes dy vendeve dhe popujve tanë”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Ai tha se në takimin me kreun e Qeverisë bullgare, janë pajtuar që Bullgaria të njohë emrin e shkurtër, Maqedonia e Veriut si dhe atë të gjatë, Republika e Maqedonisë së Veriut.

“Bullgaria nuk do të kontestojë më përdorimin e emrit të shkurtër në asnjë institucion dhe se për këtë janë njoftuar edhe Kombet e Bashkuara (OKB)”, tha Kovaçevski.

“Të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me aspektet historike, do të jenë në plan të dytë. Siç e shihni, këtu nuk kemi delegacione të historisë. Ata po punojnë për një proces më të gjatë, në përcaktimin e fakteve bazuar në metodologjinë e punës dhe unë shpresoj se dy delegacionet me kohë do të njoftojnë gjithë atë për të cilën do të merren vesh, e që do të paraqesë një urë drejt të ardhmes dhe jo kthimin pas të dy shteteve tona. Sa i përket gjuhës maqedonase, ne jemi shtet që është njohur nga Bullgaria dhe i cili në rregullimin e tij kushtetues ka gjuhën maqedonase. Ne kemi shumë marrëveshje të nënshkruara me Bullgarinë në gjuhët zyrtare të të dyja vendeve”, shtoi ai.

Kryeministri bullgar Kiril Petkov tha se në plan të parë duhet të vendosen raportet ekonomike, ndërkaq ato historike duhet t’i lihen grupit punues të historianëve.

Pektov njoftoi se më 25 janar në Sofje do të mbahet mbledhja e parë e dy qeverive, ku edhe do të zyrtarizohen grupet e punës në shumë sfera të interesit të përbashkët, ndërsa bëri të ditur se shumë shpejt do të vendoset edhe linja ajrore Shkup-Sofje.

“Fokusi i punës së përbashkët tani është një kalendar i saktë dhe marrëdhëniet do të maten në këtë mënyrë. Ju siguroj se jam shumë optimist për qëllimin tonë të përbashkët dhe do të shihni rezultate në baza javore. Bashkëpunimi ekonomik siguron të ardhmen për dy vendet dhe dy popujt tanë”, deklaroi kryeministri bullgar.

I pyetur lidhur me gjuhën maqedonase, kryeministri bullgar Petkov, tha se Marrëveshja e fqinjësisë së mirë mes dy vendeve ka një përkufizim të qartë për gjuhën dhe se Bullgaria mbështet të drejtën e vetëvendosjes të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

“Marrëveshja e fqinjësisë së mirë ka një përkufizim shumë të qartë të gjuhës dhe në atë drejtim ne absolutisht mbështesim të drejtën e vetëvendosjes së të gjithë qytetarëve në Maqedoninë e Veriut si dhe përdorimin e të gjitha gjuhëve, siç janë të përcaktuar në Kushtetutë. Ne e kuptojmë plotësisht këtë dhe do të vazhdojmë t’i trajtojmë të gjitha çështjet në frymë konstruktive”, tha Petkov, pa dhënë detaje mbi thelbin e kontestit mes dy vendeve.

Maqedonia e Veriut, në samitin e Bashkimit Evropian në nëntor të vitit 2020, nuk e mori datën për nisjen e bisedimeve me bllokun evropian, për shkak të vetos bullgare. Sofja kërkonte nga Shkupi që të njohë rrënjët bullgare në gjuhën dhe historinë maqedonase, por kishte edhe kërkesa tjera lidhur me pakicën bullgare.

Bullgaria, e më pas edhe Maqedonia e Veriut, kanë miratuara nga një rezolutë në parlamentet e tyre për vijat e kuqe, që nënkuptojnë moslëshimin pe nga kërkesat.

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria më 2 gusht të vitit 2017 arritën një marrëveshje për fqinjësi të mirë, por në vend të afrimit, këto shtete përkeqësuan edhe më shumë raportet mes tyre.

Orce Kamçev lirohet nga paraburgimi pas garancisë prej 11 milionë eurosh

Isuf Kadriu

Jordan “Orce” Kamçev, një nga emrat më të përfolur në Maqedoninë e Veriut, është liruar nga paraburgimi me një garanci bankare prej 11 milionë eurosh.

Vendimin për lirimin e Kamçevit, bashkëpronar i spitalit privat “Sistina” në Shkup, por edhe i shumë bizneseve tjera, e mori Gjykata e Apelit të martën në mbrëmje, pasi e ka vlerësuar si të mjaftueshëm shumën e ofruar si garanci për të mos u arratisur.

Orce Kamçev, është familjar i ish-drejtorit të policisë sekrete, Sasho Mijallkov, i cili para Vitit të Ri, po ashtu u lirua nga paraburgimi me garanci bankare prej gati 11 milionë eurosh.

Kamçev, sikur edhe Mijallkov, akuzohen për veprën penale “Parcelat në Vodno”, blerje të paligjshme të tokës për ndërtim.

I akuzuari i parë në këtë rast është ish-kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, i cili ndiqet penalisht për përvetësim të 1.3 milion eurove nga donacionet partiake të përdorura për blerjen e parcelave në Vodno, zonë turistike malore në Shkup.

Orce Kamçev, që nga 31 dhjetori ndodhet për trajtim mjekësor në spitalin “Sistina” për shkak të ankesave shëndetësore.

Ai ndodhet në paraburgim që nga marsi i vitit 2021, kur u arrestua lidhur me dyshimet se mund të arratisej.

Vendimi i Gjykatës së Apelit e detyron Kamçevin që të paraqitet rregullisht në gjykatë për të dëshmuar praninë e tij në Shkup ndërsa i janë konfiskuar edhe dokumentet e udhëtimit.

Biznesmeni i afërt me Gruevskin është i dyshuar edhe në një proces tjetër gjyqësor të koduar si “Perandoria”, ku hetohet për krim financiar, konkretisht për pastrim parash përmes kompanive në Maqedoni të Veriut dhe kompanive të regjistruara në vende të huaja.

Kamçev është drejtor i kompanisë “ Orka Holding”, të themeluar që nga viti 1990 nga babai i tij.

Vendimi për lirimin e Kamçevit dhe vendimi tjetër për lirimin e Sasho Mijallkovit, ka nxitur reagime të shumta në opinion, duke e akuzuar gjyqësorin për lidhje me pushtetin e kaluar, por edhe korrupsion.

“Gjykatësit që morën vendimin duhet t’i japin llogari opinionit se në çfarë baze kanë marrë një vendim të tillë dhe në cilën formë do ta marrin përgjegjësinë në rast se Mijallkov arratiset”, thuhej në reagimin e ministrit të Drejtësisë, Bojan Mariçiq.

Ndërsa Aleanca për Shqiptarët akuzoi gjyqësorin për standarde të dyfishta, pasi sipas opozitës shqiptare, mbeten të pazbardhura të gjitha rastet ku janë të dënuar shqiptarët.

E paditën ekstremistët maqedonas, Mehmeti: Ballkani i Hapur projekt pro serb, Rama ka braktisur shqiptarët

Analisti politik me banim në Shkup, Kim Mehmeti në një intervistë me Skype në Syri Tv, me moderatorin Bled Marku, foli për padinë që kanë ngritur ndaj tij ekstremistët maqedonas.

Mehmeti thekson se ‘Ballkani i Hapur’ është projekt pro serb, ndërsa deklaroi se kryeministri shqiptar Edi Rama ka braktisur shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

“Në Maqedoninë e Veriut, anti-shqiptaria shpërblehet. Partia ‘Levica’ në Maqedoni të Veriut ka plane anti-shqiptare. Këtu thuhet “vdekje shqiptarëve” edhe në stadiume, kjo ndodh se ne këtu jemi nën sundimin e BDI-së. Beogradi i përcakton politikën Maqedonisë së Veriut. Maqedonia e Veriut vazhdon që të jetë në  mosmarrveshje ndëretnike. Këtu ka vetëm pushtet e nuk ka shtet, institucionet janë në shërbim të partive që janë në pushtet. Maqedonia Veriore po shkon drejt shpërbërjes.

Edi Rama na ka braktisur. Në Maqedoni të Veriut ka gjykatës pro serb e pro rusë, që kanë mbushur burgjet këtu me shqiptar. Edhe Ballkani i Hapur shkon nga kahu i Beogradit. Është shumë e madhe popullsia e maqedonasve që janë antishqiptarë të thekur.

Kështu janë ata që janë ekstremistë maqedonas, e më akuzojnë mua se paskam folur ashpër. Ballkanin e Hapur po e drejton një kryeministër i Shqipërisë që kriminalizoi vendin, një kryeministër i Serbisë, që është kapota e Millosheviçit, një kryeministër në Maqedoni të Veriut që është në krye të një shteti koti. Ballkani i Hapur ka qenë për kriminelët e jo për të ndershmit”, deklaroi Mehmeti.

Kuvendi miraton dorëheqjen e Zaevit

RFE/RL

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar të enjten dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev, gjë që është pritur me duartrokitje nga VMRO DPMNE-ja opozitare.

Dorëheqja e kreut të Qeverisë është konstatuar pa debat në seancën e Kuvendit, pasi këtë e ka kërkuar Zaevi në arsyetimin me shkrim të dorëheqjes.

Zaev, dorëheqjen nga Qeveria, e ka paralajmëruar më 31 tetor, pas disfatës së thellë të Lidhjes Social-Demokrate (LSDM) në zgjedhjet lokale.

Ai ka marrë përgjegjësinë për humbjen nga VMRO DPMNE-ja duke dhënë dorëheqjen edhe nga drejtimi i partisë.

“Dëshiroj të jap shembull për të njohur vendimet e virtytshme kur është e nevojshme dhe për të dhënë një kontribut tjetër në forcimin e kapaciteteve demokratike të popullit, por edhe liderëve të ardhshëm që të jenë të vetëdijshëm për detyrën e tyre qytetare kur kujdesen për vendin e tyre”, ka shkruar Zaev në arsyetimin e aktit të dorëheqjes.

Pas konstatimit të dorëheqjes, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka njoftuar presidentin, Stevo Pendarovski, i cili në afat prej dhjetë ditëve duhet të caktojë mandatarin e ri për kryeministër të Maqedonisë së Veriut.

Ai do të jetë, Dimitar Kovaçevski, kryetar i Lidhjes Social -Demokrate, pasi paraprakisht ka njoftuar se ka shumicën parlamentare në Kuvend.

Pjesë e Qeverisë së re, përveç LSDM-së dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, do të jetë edhe partia Alternativa, e cila zëvendëson Lëvizjen Besa, që pas zgjedhjeve lokale u largua nga Qeveria.

Shumica e re parlamentare ka 64 deputetë nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Mandatari, sipas kushtetutës, brenda 20 ditëve duhet të dorëzojë për miratim në Kuvend përbërjen e re qeveritare, e cila votohet me 61 vota të deputetëve.

Qeveria e re, bazuar në afatet kushtetuese, duhet të zgjidhet më së voni deri nga mesi i muajit janar të vitit 2022.

Zaev largohet – për disa si hero e për disa si tradhtar

Isuf Kadriu

Kryeministri i deritashëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, finalizoi dorëheqjen e tij më 22 dhjetor.

Deri nga mesi i janarit të vitit 2022, Maqedonia e Veriut do të ketë Qeveri të re, që do të udhëhiqet nga Dimitar Kovaçevski, kryetari i ri i Lidhjes Social Demokrate (LSDM). Në krye të ekzekutivit, ai do ta zëvendësojë Zaevin.

Dorëheqjen nga Qeveria, Zaev e ka paralajmëruar më 31 tetor, pas disfatës së thellë të Lidhjes Social Demokrate në zgjedhjet lokale.

Ai ka marrë përgjegjësinë për humbjen e LSDM-së përballë partisë opozitare, VMRO DPMNE, dhe ka dhënë dorëheqje edhe nga drejtimi i partisë.

Por, dorëheqja e tij është vonuar për gati dy muaj, pasi LSDM-ja ka humbur edhe shumicën parlamentare, për shkak të largimit të Lëvizjes Besa nga Qeveria.

Për të shmangur zgjedhjet e parakohshme, Zaev ka ftuar në Qeveri partinë tjetër shqiptare, Alternativa, me të cilën ka arritur marrëveshje për koalicion.

Më 11 nëntor, ai i ka mbijetuar edhe mocionit të mosbesimit, që është iniciuar nga VMRO DPMNE-ja.

Dimitar Kavaçevski, pasardhësi i Zoran Zaevit

Mandatin për formimin e Qeverisë së re, Dimitar Kovaçevski e merr nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, brenda dhjetë ditësh pasi që Kuvendi ta njoftojë kreun e shtetit me vendimin se ka konstatuar dorëheqjen e Qeverisë së Zoran Zaevit.

Mandatari, sipas Kushtetutës, brenda 20 ditësh, duhet të dorëzojë për miratim në Kuvend përbërjen e re qeveritare, e cila votohet me 61 vota të deputetëve. Shumica parlamentare numëron 64 deputetë.

Përveç Alternativës, pjesë e Qeverisë është edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, Partia Demokratike Shqiptare dhe disa parti më të vogla maqedonase, që janë pjesë e koalicionit me LSDM-në.

VMRO DPMNE kërkon zgjedhje të parakohshme

Opozita, që tani e përbëjnë VMRO DPMNE-ja, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, thotë se Qeveria e re, që është në formim e sipër, paraqet vazhdimësi të Qeverisë së deritashme – sipas saj, e paaftë për t’i zgjidhur problemet, me të cilat përballet vendi.

Opozita kërkon qeveri teknike, me mandat organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë zgjidhja e vetme për dalje nga gjendja, në të cilën ndodhet vendi – në krizë të thellë politike, ekonomike, energjetike, diplomatike… kur kemi sërish veto dhe bllokim të procesit integrues. Zgjedhjet nuk janë gjithmonë zgjidhja më e mirë, por ato janë të domosdoshme kur kemi Qeveri të paaftë që të përballet me sfidat, nëpër të cilat po kalon vendi”, thotë kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

“Në kërkojmë që në shkurt ose mars të formohet një qeveri teknike, ndërsa zgjedhjet e parakohshme të mbahen në maj apo qershor, kur populli do të vendosë për të ardhmen e Maqedonisë [së Veriut]”, shton ai.

Zoran Zaev, për disa hero, për të tjerët tradhtar

Zoran Zaev, në krye të Lidhjes Social Demokrate ka ardhur në vitin 2013, duke zëvendësuar në këtë post ish-presidentin Branko Cërvenkovski.

Në vitin 2015, Zaev, si lider i opozitës, ka publikuar atë që njihej si “Afera e përgjimeve”, e cila ka nxjerrë në pah shpërdorime të shumta të pushtetit nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski.

Si pasojë e aferës, shumë zyrtarë të lartë, ministra, përfshirë edhe ish-kreun e Qeverisë, Gruevski, janë gjykuar për vepra të shumta penale.

Afera e përgjimeve ka bërë që në dhjetor të vitit 2016, Maqedonia e Veriut të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, por ndërrimi i pushtetit është bërë në vitin 2017, pas zhvillimeve dramatike – përfshirë dhunën në Kuvend më 27 prill – ku në shënjestër të sulmeve nga ithtarët e opozitës që kanë pushtuar Kuvendin, ka qenë edhe vetë Zaev dhe përfaqësues të opozitës së atëhershme.

Kjo ngjarje i ka dhënë Zaevit epitetin e heroit te një numër i madh njerëzish, të cilët kanë çmuar rolin e tij për ndërrimin e pushtetit të Gruevskit, i cili jo vetëm nga opozita, por edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë është konsideruar si i korruptuar.

Në postin e kryeministrit, Zaev ka qëndruar pesë vjet, ndërsa paraprakisht, për nëntë vjet, ka qenë kryetar i Strumicës, një qytet në juglindje të Maqedonisë së Veriut.

Ndryshimi i emrit dhe anëtarësimi në NATO

E arritura tjetër që i atribuohet Zaevit nga mbështetësit e tij, e që ka pasur edhe mbështetje ndërkombëtare, është zgjidhja e mosmarrëveshjes gati 30-vjeçare me Greqinë, rreth emrit.

Për shkak të këtij kontesti, Maqedonia e Veriut ka qenë në dhomën e pritjes së NATO-s qysh në vitin 2008.

Me angazhimin e tij personal, së bashku me kryeministrin e atëhershëm grek, Alexis Tsipras, është arritur marrëveshja për emrin. Republika e Maqedonisë është bërë Republika e Maqedonisë së Veriut.

Nga viti 2020, vendi është bërë edhe zyrtarisht anëtar i NATO-s.

Por, zgjidhja e kontestit ka bërë që opozita dhe një grup tjetër njerëzish t’i japin Zaevit epitetin e tradhtarit, duke thënë se ai “ka tradhtuar interesat kombëtare me heqjen dorë nga emri kushtetues i vendit dhe historia antike”.

Mosmarrëveshja me Bullgarinë

Pavarësisht kritikave, Zoran Zaev, pas zgjidhjes së kontestit me Greqinë, ka nisur përpjekjet për të zgjidhur një tjetër mosmarrëveshje me Bullgarinë – një tjetër vend fqinj i Maqedonisë së Veriut – që tashmë ka bllokuar integrimin evropian.

Zaev po largohet nga Qeveria, por i bindur se pasardhësi i tij, Dimitar Kovaçevski, do të arrijë zgjidhjen e këtij kontesti, që kryesisht ka të bëjë me çështje që lidhen me gjuhën, identitetin maqedonas dhe të kaluarën historike.

Mbështetja dhe renditja ndërkombëtare

Qeverisja e Zaevit, shikuar nga prizmi i pozitës ndërkombëtare i Maqedonisë së Veriut, është pjesërisht e suksesshme.

Ndryshe nga paraardhësi i tij, Nikolla Gruevski, i cili ka marrë kritika të ashpra nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara në vitet e fundit të qeverisjes së tij, Zaev ka pasur mbështetjen e tyre.

Disa herë ka qenë në takime, ku ka marrë pjesë edhe ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel. Në Paris është pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili e ka siguruar se Maqedonia e Veriut e meriton fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE.

Në vitin 2019, në Ohër, Zaev ka pritur sekretarin e atëhershëm amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

Humb jetën në burgun e Idrizovës shqiptari nga Peshkopia, vuante nga kanceri, u la pa ndihmë mjekësore në qeli

Azbi Kaba, një shqiptar nga Peshkopia, i cili vuante nga kanceri, u la të vdiste në burg në Idrizov të Maqedonisë së Veriut, pa asnjë ndihmë.

Ngjarja e rëndë u bë me dije për Report Tv nga burime brenda burgut në Idrizov.

47-vjeçari Kaba ishte diagnostikuar prej 5 muajsh me kancer, e pavarësisht kësaj nuk ishte shtruar në spital, e nuk iu dha asnjë mjekim e asnjë ndihmë.

Ai ndërroi jetë sot në 10 të mëngjesit në qeli.

Në vizitën e parë dhe të fundit që kishte bërë në spital, mjekët i kishin dhënë Kabës vetëm 2 muaj jetë, e megjithatë autoritetet e lanë atë të vdiste në qeli, ku të vetmen ndihmë e merrte nga shokët e tij në burg.

Pavarësisht gjendjes në të cilën ndodhej 47-vjeçari dhe trajtimit që i bëhej në burg, asnjë përfaqësues nga Ambasada Shqiptare në Shkup nuk e vizitoi atë.

Në burg nuk kishte mjekë, ndërsa Kabës nuk iu dhanë as edhe një qetësues për t’i lehtësuar dhimbjet.

Ai ishte i dënuar me 7 vite burg pasi ishte kapur me drogë, ndërsa i kishin mbetur për të shlyer edhe 4 vite.

Të burgosur të tjerë shqiptarë në këtë burg të Maqedonisë vuajnë dënimet të braktisur totalisht nga autoritetet shqiptare./ dita

Opozita në Maqedoninë e Veriut mbështet një shqiptar për kryeministër

Opozita në Maqedoninë e Veriut mbështet një shqiptar për kryeministër. Kreu i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, tha se mbështet propozimin që Afrim Gashi i Alternativës të marrë mandatin për formimin e qeverisë së re.

Madje u zotua të ndihmonte në sigurimin e votave të nevojshme që ky propozim të kalonte pa ndonjë problem në parlament. “Me 61 vota të qëndrojmë pas emrit të Afrim Gashit”, u shpreh lideri i opozitës në Maqedoni të Veriut duke saktësuar se ai duhet të jetë kryeministër në vend të Dimitar Kovaçevskit, pasi kështu sipas tij, garantohet që proceset euro-atlantike të mos bllokohen.

Kjo erdhi pas takimit mes kryetarit të VMRO-DPMNE dhe Ali Ahmetit që drejton partinë pjesë të qeverisë, Bashkimin Demokratik për Integrim.

Kryeministri Zoran Zaev dha dorëheqjen pas humbjes në zgjedhjet vendore ku shumicën e komunave e fitoi opozita. Ai u largua edhe nga posti i kryetarit të partisë LSDM, post të cilin e mori Dimitar Kovaçevski, i cili kërkon të bëhet kryeministri i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut. Por opozita, me në krye VMRO-DPMNE paralajmëron protesta antiqeveritare dhe kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare./dita

Zëvendësministrit kosovar nuk i lejohet t’i vizitojë të burgosurit në rastin “Kumanova”

Fotografi ilustruese, një nga seancat në gjykimin e rastit “Kumanova”

 

Isuf Kadriu

Maqedonia e Veriut ka refuzuar kërkesën e Zëvendësministrit të Drejtësisë së Kosovës, Blerim Sallahu për të vizituar të dënuarit për ngjarjet e Kumanovës, i njohur ndryshe si rasti “Lagjja e Trimave”.

Sipas arsyetimit të Drejtorisë së Burgjeve në Maqedoni të Veriut, vizitën mund ta bëjë vetëm ndonjë konsull i Ambasadës së Kosovës në Shkup, por jo edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

“Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve konsideron se Zëvendësministri i Drejtësisë nuk është përfaqësues konsullor i vendit të tij në Maqedoni, por është përfaqësues politik i Kosovës…Për këtë arsye, duke respektuar ligjin, Drejtoria për Ekzekutim të Sanksioneve ju njofton se nuk mund të pranojmë kërkesën tuaj për vizituar të dënuarit”, thuhet më tej në sqarimin e Drejtorisë së Burgjeve.

Zëvendësministri i Drejtësisë i Kosovës, Blerim Sallahu, më 8 dhjetor kishte paralajmëruar se më 9 dhjetor do të vizitojë Shkupin, si dhe burgun e Idrizovës dhe se do të takohej me drejtuesit e institucionit.

Megjithatë, më pas vizita ishte anuluar për shkak të mungesës së një kërkese zyrtare nga ana e tij.

Rasti “Kumanova”, ka ndodhur më 9 dhe 10 maj të vitit 2015 në Kumanovë, kur një grup i armatosur, shumica shtetas të Kosovës, ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ishin përballur me forcat maqedonase të sigurimit, derisa grupi ishte vendosur në këtë qytet me arsyetimin “për t’i tërhequr vëmendjen qeverisë për mosrespektimin e të drejtave të shqiptarëve”.

Gjatë dy ditë luftimesh ishin vrarë 18 persona, nga të cilët tetë policë dhe dhjetë pjesëtarë të grupit të armatosur. Ndërkaq, 38 pjesëtarë të grupit ishin arrestuar – tetë prej tyre janë dënuar me burgim të përjetshëm, katër janë liruar, kurse të gjithë të tjetër janë dënuar me 746 vjet burgim.

Mickoski: Pas një jave pritet të arrihet marrëveshje me Bullgarinë

Isuf Kadriu

Lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, ka deklaruar të martën, më 7 dhjetor, se pas një jave pret që Maqedonia e Veriut të filloj negociatat me BE-në, për anëtarësim.

Kryetari i VMRO DPMNE-së, tha se dyshon se “kryeministri në largim Zoran Zaev do të bëjë me Sofjen një marrëveshje të dëmshme për interesat maqedonase”, por, sipas tij, ajo do të ishte e papranueshme për partinë që drejton.

“Zoran Zaev në largim është i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje të re edhe pse na siguroi se i ka zgjidhur të gjitha çështjet e hapura me fqinjët tanë në të cilat do të pranojë pjesërisht ose plotësisht Rezolutën e miratuar nga Kuvendi bullgar në nëntor 2019, nëse nuk gaboj. Ajo asimilon plotësisht popullin maqedonas dhe paraqet goditje e drejtpërdrejtë mbi identitetin tonë. Meqenëse ai po largohet, jam i shqetësuar se mund ta bëjë këtë lëvizje dhe të gjithë do t’i paguajmë pasojat”, ka deklaruar Mickoski.

Ai nuk dha detaje tjera, se kur pritet të arrihet marrëveshja dhe çfarë konkretisht përmban.

Mickoski tha se Maqedonia e Veriut “e meriton nisjen e bisedimeve, jo vetëm për shkak të reformave, por thjesht për shkak të gjithçkaje që bëri qytetari maqedonas për integrimin evropian”, por marrëveshja, sipas tij, nuk duhet të dëmtoj interesat kombëtare.

“Ne i ndajmë vlerat me BE-në dhe vërtet është koha e fundit që BE-ja të tregojë vlerat e saj në veprim dhe të braktisë kërkesat hegjemoniste të fqinjit tonë lindor që nuk kanë lidhje me vlerat evropiane, por janë kërkesa që ndoshta mund të ishin të pranueshme sikur të ishim dy apo tre shekuj në të kaluarën”, ka deklaruar Mickoski, gjatë qëndrimit në qytetin e Shtipit.

Kryeministri Zoran Zaev, të dielën, më 5 dhjetor, pas arritjes së marrëveshjes me partinë Alternativa për pjesëmarrje në qeveri, tha se pret zgjidhje të shpejt me Bullgarinë, por pa dhënë detaje tjera.

Ai dorëheqjen nga posti i kryeministrit, të paralajmëruar, më 31 tetor, e ka shtyrë, me arsyetimin se nuk dëshironte thellimin e krizës në kohën kur sipas tij, Maqedonia e Veriut gjendet para marrëveshjes me Bullgarinë për nisjen e bisedimeve me BE-në për anëtarësim.

Por, ndryshe nga lideri i opozitës maqedonase, bashkëkryetari bullgar i Komisioni të Përbashkët për Çështje Historike dhe Arsimore, Angel Dimitrov, tha për mediat në Sofje se “nuk sheh bazë që Maqedonia e Veriut të nis bisedimet e anëtarësimit”.

“Dëshiroj të them se Republika e Maqedonisë së Veriut është e gatshme të fillojë negociatat, por nuk shoh asnjë bazë për këtë…kemi ngecur në shekullin X-XI, fundin e Perandorisë së Parë Bullgare, kohën e Car Samuelit dhe pasardhësve të tij…Për ta kjo është një rrugë e rrëshqitshme, sepse nuk ka asnjë dëshmi historike që flet për ekzistencën e popullit maqedonas, shtetit maqedonas dhe se Samueli është mbret maqedonas, mbi bazën e të cilit do të fillonte një diskutim serioz”, ka deklaruar Dimitrov për televizionin bullgar BNT.

Bullgaria në nëntor të vitit 2020, ka bllokuar nisjen e bisedimeve midis Shkupit dhe Brukselit, duke thënë se bllokada do të mbetej në fuqi derisa të arrihet një marrëveshje për identitetin dhe gjuhën maqedonase, por edhe lidhur me mosmarrëveshjet rreth të kaluarës historike mes dy shteteve.

Partia Alternativa bëhet pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut

Kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi dhe kreu i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Isuf Kadriu

Partia Alternativa, të shtunën, më 4 dhjetor, vendosi që të bëhet pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Kjo parti, me 4 deputetë, i ka siguruar shumicën parlamentare partive në pushtet, të cilat pas largimit nga Qeveria të lëvizjes Besa, kishte mbetur me 60 deputetë, aq sa kishte edhe opozita.

Alternativa, që drejtohet nga Afrim Gashi, deri tani ishte në koalicion opozitar me Aleancën për Shqiptarët, ndërsa deputetët e saj ishin edhe nënshkrues të nismës për mocionin e mosbesimit të Qeverisë, më 11 nëntor.

Hyrjen në Qeveri partia Alternativa e arsyetoi me zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, në veçanti me procesin e integrimit evropian.

“Alternativa ka vendosur të jetë pjesë e shumicës parlamentare dhe të jetë pjesë e Qeverisë. Vlerësojmë se mbyllja e kontestit me Bullgarinë, nuk është vetëm se qëllim shtetëror, por edhe shqiptare, pasi me mbylljen e kësaj çështjeje, hapet rruga e integrimit evropian”, tha zëdhënësi i Alternativës, Orhan Murtezani.

Murtezani nuk tregoi se çfarë pozitash do t’i takojnë kësaj partie, pasi për këtë, siç tha ai, do të bisedojnë të dielën, kryetari i Alternativës, Afrim Gashi dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Jozyrtarisht bëhet e ditur se Alternativa do të drejtojë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike, si dhe pritet të ketë dy apo tre poste të zëvendësministrave dhe drejtoritë që më parë i udhëhiqnin kuadro të lëvizjes Besa.

Vendimi i Alternativës për të hyrë në Qeveri është kritikuar nga Aleanca për Shqiptarët, e cila e ka akuzuar për shkeljen e marrëveshjes për bashkëpunim opozitar.

“Alternativa tre herë shkeli marrëveshjen për koalicion duke zhvilluar bisedime me Zaevin edhe pse në nenin 6 të marrëveshjes që kishim firmosur, thuhej se palët kishin rënë dakord që ky bashkëpunim të vlejë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, thuhet në reagimin e partisë opozitare, Aleanca për Shqiptarët.

Vendimi i Alternativës është kritikuar edhe nga partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE, e cila ka thënë se kjo parti “do të jetë humbësja më e madhe, pasi gjithë kohën kishte kritikuar pushtetin për krim dhe korrupsion ndërsa tani vendos të bëhet pikërisht pjesë e strukturave të tilla kriminale”.

VMRO-DPMNE tha se beson se kjo Qeveri nuk ka legjitimitet për të drejtuar vendin dhe se shumë shpejt do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ndërkohë, vendimi i Alternativës që të jetë pjesë e ekzekutivit, i hap rrugën zgjedhjes së Qeverisë së re apo zyrtarizimit të dorëheqjes së kryeministrit, Zoran Zaev, të cilën e kishte paralajmëruar më 31 tetor pas disfatës së partisë së tij, Lidhjes Social Demokrate në zgjedhjet lokale.

Organet e kësaj partie kishin shtyrë dorëheqjen e Zaevit për t’i dhënë atij mundësinë që të zhvillojë bisedime me partitë tjera për sigurimin e shumicës parlamentare, me qëllim që të pamundësojë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Zaevi ka deklaruar se nuk dëshiron që në Maqedoninë e Veriut të thellohet kriza politike, në kohën kur vendi është ende optimist se në dhjetor do të arrijë marrëveshje me Bullgarinë për heqjen e vetos për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Zaev ka paraqitur dorëheqjen nga drejtimi i partisë. Zgjedhjet për kryetar të LSDM-së do të mbahen më 12 dhjetor dhe kryetari i ri i saj pritet të jetë edhe mandatar për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut.

Shkup, mbërrijnë mbetjet mortore të 45 viktimave të aksidentin tragjik në Bullgari

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit kanë mbërritur mbetjet mortore të 45 viktimave në aksidentin tragjik të autobusit, që ndodhi më 23 nëntor në afërsi të qytetit Pernik të Bullgarisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Mbetjet mortore mbërritën në aeroport me dy aeroplanë transportues ushtarak të Bullgarisë dhe u nderuan me pritje shtetërore, pas çka menjëherë po dërgohen tek familjarët e tyre, ndërkohë në orët e paradites në nder të viktimave po vendosen kurorë lulesh në sheshin “Skënderbej”.

Më herët, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se kortezhi me mbetjet mortore do të lëvizë në një rrugë të përcaktuar drejt dhe përmes kryeqytetit dhe se në sheshin “Skënderbej” do të vendoset një video-ekran nga ku qytetarët do të kenë mundësi të ndjekin ngjarjen, por kjo u anulua me arsyetimin se familjarët kanë kërkuar që mos të vonohen viktimat për ceremonitë e mëtejshme të varrimit.

Aksidenti tragjik, ku humbën jetën 45 persona dhe shtatë mbetën të lënduar, ndodhi në autostradën ‘Struma’ në afërsi të qytetit Pernik të Bullgarisë, pasi zjarri kaploi gjithë automjetin dhe i njëjti u shkrumbua brenda pak minutash.

Mbetjet mortore u identifikuan të mërkurën në bazë të analizave të ADN-së, ndërkohë hetimi për shkakun e aksidentit të autobusit, që kthehej nga Stambolli drejt Shkupit, akoma vazhdon, si dhe udhëhiqet nga autoritetet bullgare të cilët po ashtu kanë ngarkuar edhe një auditor ndërkombëtar për të kryer një hetim të paanshëm të gjendjes së autostradës para aksidentit.

Autoritetet bullgare, në bazë të ekspertizës së parë, konstatuan se rruga kishte mungesa dhe se shkaku i vdekjes së 45 personave ishte zjarri në autobus. Po ashtu u konstatua vonesa prej 6 muajve për vënien e sinjalistikës së trafikut në autostradën ‘Struma’, ndërkohë pala bullgare njoftoi se përveç faktorit njeri prokuroria po heton edhe shkaqet e lëndëve të dyshimta ndezëse në autobus të cilat mund të kenë çuar në djegien e autobusit.

LSDM pranoi dorëheqjen e Zoran Zaevit

Isuf Kadriu

Organet drejtuese të partisë maqedonase, Lidhja Social Demokrate (LSDM), kanë miratuar dorëheqjen e Zoran Zaevit nga kreu i partisë, pas një debati që ka zgjatur deri në orët e para të ditës së shtunë.

Shumica e anëtarëve të kryesisë së gjerë të partisë kishin kërkuar tërheqjen e dorëheqjen, por Zaevi ishte i këmbëngulës në vendimin, të cilin e kishte paralajmëruar më 31 tetor pas disfatës së thellë të LSDM-së në zgjedhjet lokale.

“Nga dita e shtunë fillon procedura për organizimin e zgjedhjeve brendapartiake, në të cilat do të mund të kandidojë kushdo që i plotëson kushtet e parapara me statutin e partisë”, ka deklaruar zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.

Kryetari i ri i partitë pritet të emërohet më 12 dhjetor në zgjedhjet e brendshme partiake, ndërsa ai do të jetë edhe mandatar për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, meqë Zoran Zaev ka paraqitur dorëheqje edhe nga drejtimi i ekzekutivit, por ajo ende nuk është miratuar në Kuvend, meqë Zaev së pari synon të sigurojë shumicën parlamentare, të cilën e ka humbur pas largimit nga Qeveria të lëvizjes Besa.

Në Kuvend, partitë në pushtet dhe ato në opozitë kanë nga 60 deputetë. Zaev para anëtarëve të kryesisë së LSDM-së ka shprehur besimin se socialdemokratët, që janë në koalicion me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) të Ali Ahmetit, kanë numrat e nevojshëm dhe se pret që koalicioni qeverisës të zgjerohet edhe me deputetë të tjerë.

Ndërkohë, partia Alternativa me katër deputetë, që konsiderohet si kyçe për forcimin e shumicës parlamentare të LSDM-së dhe BDI-së, ende nuk ka vendosur nëse përfundimisht do të jetë pjesë e Qeverisë. Kjo parti ka vendosur të vazhdojë bisedimet për programin e Qeverisë, përfshirjen e disa kërkesave në të, siç është ajo për zgjidhjen, e siç thonë, rasteve të montuara gjyqësore, por edhe në ndarjen e përgjegjësive për çështje tjera.

“Do të dëgjojmë edhe versionin e tyre për të parë nëse ka vullnet për një program të përbashkët dhe nëse partnerët qeveritarë do të heqin dorë nga forca e pushtetit për të arritur një balancë në ndarjen e përgjegjësive. Alternativa nuk nxitet nga orekset për pushtet dhe marrja e pozitave në qeveri. Ne duam të flasim më shumë për mënyrat për të dalë nga kjo krizë sesa për postet që do të marrim”, ka deklaruar zëdhënësi i partisë Alternativa, Orhan Murtezani.

Partia VMRO-DPMNE, që është në opozitë, pas fitores në zgjedhjet lokale, më 11 tetor kishte paraqitur mocionin e mosbesimit të qeverisë, por në momentin e fundit një deputet nënshkrues në listën e mocionit nuk ishte paraqitur në seancë, çka bëri që mocioni të dështojë.

VMRO-DPMNE-ja konsideron se Qeveria e udhëhequr nga Zaevi, pas zgjedhjeve lokale nuk ka legjitimitet, andaj zgjidhjen nga kriza parlamentare e sheh në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Ministrja Xhaçka: 45 të vdekurit në aksidentin në Bullgari janë shqiptarë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka thënë se 45 viktimat nga aksidenti tragjik në Bullgari janë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, raporton Express.

Përmes një postimi në Tëitter, ajo u ka shprehur ngushëllime familjeve të vikttimave.

“Dhimbje e madhe për 45 jetët e humbura të shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut gjatë aksidentit tragjik në Bullgari. Ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe shërim të shpejtë të plagosurve. Flag of Albania është pranë Flag of Macedonia në këtë moment të vështirë! “, ka shkruar Xhaçka.

Aksidenti tragjik ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në autostradën e Strumës në Bullgari.

Në mesin e viktimave ka edhe fëmijë, derisa shtatë të mbijetuar janë duke u trajtuar në spitalin e Sofjes, si pasojë e djegieve.

Si ndodhi aksidenti tragjik në Bullgari, dy versionet që po hetohen

Mediat bullgare po raportojnë lidhur me dy versionet se si mund të ketë ardhur deri te aksidenti tragjik në Bullgari.

Ende nuk dihet nëse autobusi ka marrë flakë para aksidentit apo pas tij.

Sipas Dnevnik, dy versione kryesore janë duke u hetuar – një gabim i shoferit të autobusit dhe një mosfunksionim teknik i papritur.

“Nuk dihet nëse automjeti ka marrë flakë pas aksidentit apo për shkak të tij. Dy versione kryesore janë duke u hetuar – një gabim njerëzor i shoferit të autobusit dhe një mosfunksionim teknik i papritur. Autoritetet nuk përmendën një lidhje me kushtet e rrugës si pjesë e versioneve nën hetim”, raporton Dnevnik.

Stanimir Stanev, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Kombëtare, tha për BTV se në vendin e aksidentit nuk ka pasur autobus tjetër.

Sipas ministrit të Brendshëm në detyrë Bojko Rashkov, megjithatë, automjeti ishte i fundit në një kolonë të disa autobusëve që udhëtonin së bashku pas udhëtimit.

Sipas tij, ato janë organizuar së bashku nga i njëjti pronar.

Para BTV-së, Bogdan Milçev nga Instituti për Siguri Rrugore bëri thirrje për hetimin e gjendjes së rrugës (së bashku me gabimet njerëzore dhe mosfunksionimin teknik), sepse hetimi i vetëm dy hipotezave, siç njoftojnë autoritetet, është i pasaktë.

Në autobus besohet se kanë qenë 53 persona. Aksidenti ka ndodhur në autostradën Struma rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes, në orët e para të mëngjesit të së martës.

Një zyrtar nga spitali në Sofje ka thënë se shtatë persona janë duke u trajtuar, të cilët kanë arritur të largohen nga autobusi. Gjendja e tyre është stabile.

Të paktën 46 të vdekur pas djegies së një autobusi në Bullgari

RFE/RL

Të paktën 46 persona, shumica prej tyre nga Maqedonia e Veriut, kanë vdekur pasi një autobus është përfshirë nga flakët në një autostradë në perëndim të Bullgarisë më 23 nëntor, kanë thënë zyrtarët.

Fëmijët kanë qenë në mesin e viktimave dhe shtatë të mbijetuar kanë pasur nevojë për trajtim në spitalin e kryeqytetit Sofje, si pasojë e djegieve, ka thënë Nikolai Nikolov nga Ministria e Brendshme e Bullgarisë për televizionin privat, BTV.

Në autobus besohet se kanë qenë 53 persona.

Shkaku i përplasjes është duke u hetuar. Në raportimet lokale është thënë se autobusi mund të ketë goditur një parmak.

“Me gjasë ka pasur ndonjë problem teknik apo ndonjë gomë ka shpërthyer”, tha Nikolai Nikolov për bTV. Ai po ashtu tha se ka gjasa që zjarri ka shpërthyer para se të autobusi të rrokullisej.

Incidenti ka ndodhur në autostradën Struma rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes, në orët e para të mëngjesit të së martës.

Një zyrtar nga spitali në Sofje ka thënë se shtatë persona janë duke u trajtuar, të cilët kanë arritur të largohen nga autobusi.

Gjendja e tyre është stabile.

Kryeministri bullgar, Stefan Yanev, është nisur në vendin e incidentit, ka njoftuar shërbimi për media në Qeverinë e tij.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, së bashku me ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani dhe ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe, kanë shkuar në Bullgari.

“Jam në kontakt me kryeministrin Stefan Janev, i cili tashmë ka vizituar njerëzit. Pata mundësinë të bisedoja me një nga të mbijetuarit. Ai shpjegoi se ata ishin duke fjetur në autobus kur u dëgjua një shpërthim i fortë. Ata kanë mundur të thyejnë njërin nga xhamat dhe të shpëtojnë disa persona. Fatkeqësisht, të tjerët nuk ia arritën. Është një tragjedi e tmerrshme. Shumica prej tyre – 12 – janë fëmijë nën 18 vjeç, dhe të tjerët janë të rinj rreth 20-30 vjeç. Shumica prej tyre janë shtetas tanë, por ka edhe nga Serbia”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Zaev ka konfirmuar se udhëtimi është realizuar nga kompania BesaTrans.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka thënë se shumica e viktimave janë nga Shkupi, të cilët po ktheheshin nga Turqia ku kishin shkuar për një vizitë treditëshe në Stamboll.

“Sipas të dhënave të para që kam, bëhet fjalë për një agjenci turistike nga Shkupi, dhe shumica e viktimave janë nga Shkupi. Në mesin e tyre ka më shumë se dhjetë fëmijë, por kishte edhe shumë të rinj tjerë që po kishin shfrytëzuar pushimin e zgjatur, pasi të hënën ishte ditë feste”, ka deklaruar Osmani.

Në disa raportime të pakonfirmuara është thënë se pjesa më e madhe e pasagjerëve kanë qenë shqiptarë dhe jo maqedonas.

Bullgaria është përballur me disa aksidente rrugore vdekjeprurëse në vjetët e fundit.

Ndër të fundit ka ndodhur më 2018, kur 17 turistë bullgarë kanë vdekur pas rrëshqitjes dhe rrokullisjes së autobusit, si pasojë e lagështisë.

Aksidentet zakonisht janë shkaktuar për shkak të kushteve në rrugë, makinave të vjetra dhe shpejtësisë.

Sipas të dhënave zyrtare, 628 persona kanë vdekur në aksidente rrugore më 2019 dhe 463 vitin e kaluar, në shtetin me 6.9 milionë banorë.

 

Kreu shtetëror i Maqedonisë së Veriut uron 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Shkup

Krerët shtetërorë të Maqedonisë së Veriut kanë uruar 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në urimin e presidentit Stevo Pendarovski thuhet se unifikimi i alfabetit të gjuhës shqipe, që është bërë para 113 vjetësh në Manastir, nuk ishte vetëm një pikë kthimi në kodifikimin e gjuhës shqipe dhe etablimin e saj, por edhe një nismë e rëndësishme kulturore, shpirtërore dhe kombëtare e popullit shqiptar.

“Gëzuar 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Ju uroj me sinqeritetin më të madh festën ta kaloni, para së gjithash, me shëndet të mirë, gëzime dhe mirëqenie”, thuhet në urim.

Urim ka shprehur edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, i cili theksoi se “gjuha është aq e pasur dhe aq e vlefshme sa flitet drejtë, shkruhet drejtë, përkthehet dhe përhapet nëpër botë me kujdesin e duhur dhe përgjegjësinë individuale dhe kolektive të çdo individi”.

“Është vegël e fuqishme e cila bashkon njerëz, bashkon ide dhe mundëson bashkëpunim dhe kuptohet, përparim dhe zhvillim intelektual, kulturor dhe artistik të një populli, por mbi të gjitha, është shenjë identiteti për një popull, a Republika e Maqedonisë së Veriut është vend në të cilin kultivohen dhe respektohen të gjitha dallimet”, thuhet në urimin e Xhaferit.

Nëpërmjet rrjeteve sociale, urim ka shprehur edhe kryeministri Zoran Zaev, i cili përkujtoi se më 22 nëntor të vitit 1908 në qytetin e Manastirit përfundoi Kongresi i Manastirit, me pjesëmarrje të delegatëve të shoqërive shqiptare.

“Me shpalljen e 22 nëntorit si Ditë e Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe festimit të kësaj feste të rëndësishme për komunitetin shqiptar si pjesë përbërëse të pasurisë gjuhësore dhe kulturore të Maqedonisë së Veriut, konfirmojmë se gjuha dhe alfabeti janë ura të mirëkuptimit midis traditave, trashëgimive kulturore dhe shpirtërore”, thuhet në urimin e kryeministrit Zaev.

Edhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, nëpërmjet rrjeteve sociale ka shprehur urim, duke theksuar se në Maqedoninë e Veriut, gjuha shqipe ka vendin meritor si gjuhë zyrtare.

“113 vjet nga Kongresi i Manastirit kur intelektualët shqiptarë u bashkuan të unifikojnë Alfabetin tonë. Sot shënojmë këtë ditë, e cila paraqet pikë historike të ngritjes së vetëdijes kombëtare, por edhe bashkimit letrar, intelektual dhe kulturor të të gjithë shqiptarëve”, thuhet në urimin e Osmanit.

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe ose Kongresi i Manastirit shënon takimin e dhjetëra studiuesve shqiptarë, i mbajtur nga 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, me qëllim krijimin e alfabetit shqip. Në këtë Kongres, delegatët nga Shqipëria dhe nga shoqatat dhe klubet shqiptare në të gjithë botën morën vendimin për të pranuar alfabetin latin, me disa ndryshime të caktuara.

Për popullin shqiptar, Kongresi i Manastirit ishte ngjarja më e rëndësishme në fillim të shekullit të 20-të, së bashku me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të vitit 1912. Me këtë, 22 Nëntori mbetet një ditë përkujtimi për popullin shqiptar, e njohur si Dita e Alfabetit.

Pendarovski flet për bisedën me Bidenin, thotë se Kosova s’është më prioritet i SHBA

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka treguar bisedën që e ka pasur muaj më parë me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, si dhe qasjen e SHBA-së ndaj rajonit.

Në paraqitjen e tij në “ClickPlus”, Pendarovski ka folur konkretisht për Kosovën, duke thënë se ajo nuk është më prioritet i SHBA-së, të paktën jo sikur në vitin 1999.

“Të mos ju mbetet hatri miqve tanë amerikanë, por e përsëris edhe njëherë, Kosova që një kohë të gjatë ka dalë nga radarët e prioriteteve amerikane. Nuk them se nuk brengosen fare për rajonin, për ne, për Kosovën, megjithatë Kosova nuk është prioritet i politikës së jashtme amerikane dhe nuk do të jetë kurrë më shumë siç ka qenë gjatë periudhës së vitit 1999”, tha Pendarovski.

Ai gjithashtu tha se në bisedën që e ka pasur me Bidenin, i ka kërkuar që për ambasadorë në vendet e rajonit, të emërojë persona që e njohin mentalitetin e politikanëve të Ballkanit.

Kuvendi maqedonas do të mbajë seancë për votë mosbesimi ndaj Qeverisë

Isuf Kadriu

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të mbajë të enjten, 11 nëntor, seancë për mocionin e mosbesimit të Qeverisë, të iniciuar nga opozita maqedonase dhe ajo shqiptare, por edhe lëvizja Besa, e cila aktualisht është pjesë e Qeverisë.

Partitë opozitare, kanë riformuluar të mërkurën listën e nënshkrimeve të mbledhura për mocionin e mosbesimit, duke larguar nënshkrimet e dy deputetëve të partisë e “E Majta” dhe të disa deputetëve të VMRO-DPMNE-së.

Fillimisht kërkesa për mocion ishte dorëzuar me 61 nënshkrime të deputetëve, por njëri prej tyre, deputeti i Alternativës, Skender Rexhepi tërhoqi nënshkrimin pasi nuk dëshironte që të nënshkruhej në të njëjtën listë ku qëndrojnë edhe emrat e deputetëve të partisë e “E Majta”, e cila nga opozita shqiptare kritikohet për qëndrimet e saj, siç thotë, antiperëndimore dhe antishqiptare.

VMRP DPMNE-ja beson se mocioni do të votohet me mbi 61 vota.

“E njëjta do të mbetet në procedurë dhe për të do të votohet të enjten. Do të ketë më pak nënshkrime nga ato që ishin në fillim. Por besojmë se kundër Qeverisë nuk do të jenë 61 firma të deputetëve, por do të ketë më shumë se 61. Opozita do të votojë për largimin e kësaj Qeverie”, ka deklaruar deputeti i VMRO DMNE-së, Antonio Milloshoski.

Në bazë të rregullores për punën e Kuvendit, për mocionin votohet në mesnatë ndërsa paraprakisht zhvillohet debat lidhur me kërkesën e opozitës.

Për rrëzimin e Qeverisë nevojiten 61 vota të deputetëve, nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Kërkesa për mocion u paraqit nga opozita pasi kryeministri Zoran Zaev refuzoi të paraqesë dorëheqjen në kuvend, të cilën e kishte paralajmëruar më 31 tetor.

Organet më të larta të Lidhjes Social-Demokrate (LSDM) vendosën të martën që dorëheqja e Zaevit të shtyhet, për shkak të siç u tha, “gjendjes në të cilën ndodhet vendi”.

“Për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet vendi, Komiteti Qendror i partisë vendosi që të shtyhet dorëheqja. Organet e partisë vendosën njëzëri shtyrjen e dorëheqjes deri në zgjidhjen e gjendjes në vend. Pas shumë vitesh regjim, shteti është ndërtuar mbi vlera të vërteta demokratike dhe liridashëse me parime të bashkëjetesës. LSDM-ja po ngrihet në lartësinë e asaj detyre dhe do të punojë në interes të qytetarëve”, ka deklaruar Pero Kostadinov, anëtar i kryesisë të LSDM-së.

Partia e kryeministrit Zaev ka shënuar humbje në zgjedhjet lokale, ndërsa ajo opozitare, VMRO-DPMNE ka fituar shumicën e 80 komunave, sa kanë qenë në garë.

Zaev shtyn dorëheqjen nga posti i kryeministrit

Isuf Kadriu

Zoran Zaev ka shtyrë dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe i kryetarit të Lidhjes Social Demokrate (LSDM).

Zaevi kishte paraqitur dorëheqjen më 31 tetor për shkak të humbjes së thellë të partisë së tij në zgjedhjet lokale.

Ai dorëheqjen nuk e kishte dorëzuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ndërsa mbrëmjen e 9 nëntorit, organet më të larta të LSDM-së vendosën që dorëheqja e Zaevit të shtyhet, për shkak të siç u tha, “gjendjes në të cilën ndodhet vendi”.

“Për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet vendi, Komiteti Qendror i partisë vendosi që të shtyhet dorëheqja. Organet e partisë vendosëm njëzëri shtyrjen e dorëheqjes deri në zgjidhjen e gjendjes në vend. Pas shumë vitesh regjim, shteti është ndërtuar mbi vlera të vërteta demokratike dhe liridashëse me parime të bashkëjetesës. LSDM-ja po ngrihet në lartësinë e asaj detyre dhe do të punojë në interes të qytetarëve”, ka deklaruar Pero Kostadinov, anëtar i kryesisë të LSDM-së.

Ai nuk saktësoi se për sa kohë do të shtyhet dorëheqja e Zaevit, por tha se Maqedonia e Veriut ndodhet para sfidave të mëdha, përfshirë dhe pritjet për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Kostadinov nuk foli as për nismën e opozitës për mocionin e votëbesimit të qeverisë apo nëse shumica ka vota të mjaftueshme për t’i mbijetuar mocionit.

Seanca e kuvendit është caktuar për të enjten, por jozyrtarisht bëhet e ditur se ajo mund të shtyhet për të shtunën për shkak të një nisme të re.

Partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE më 8 nëntor njoftoi se ka siguruar nënshkrimet e 61 deputetëve për votimin e mosbesimit të qeverisë, por njëri nga deputetët, Skënder Rexhepi nga partia Alternativa tërhoqi nënshkrimin me arsyetimin se nuk dëshiron të jetë pjesë e kësaj nisma ku bënë pjesë edhe “E Majta”, që akuzohet nga partitë shqiptare dhe LSDM-ja për qëndrimet anti-perëndimore dhe anti-shqiptare.

VMRO-DPMNE-ja i ka ofruar deputetit Rexhepi 19 deputetë të saj që të ndërmarrë një nisme pa partinë “E Majta”. Për këtë çështje pritet që gjatë 10 nëntorit të sqarohen pozicionet e palëve kur edhe do të dihet nëse seanca do të mbahet të enjten apo të shtunën.

Për rrëzimin e qeverisë nevojiten 61 vota të deputetëve nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Maqedoni e Veriut, opozita dorëzon iniciativë për mosbesim të Qeverisë në parlament

Shkup

Deputeti i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikolloski, në një konferencë për media njoftoi se është dorëzuar iniciativë për votimin e mosbesimit të qeverisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kjo vjen pasi kryeministri Zoran Zaev, njëherësh kryetar i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), njoftoi dorëheqjen e tij shkaku i rezultateve të pafavorshme për partinë e tij pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 31 tetor.

Deputeti opozitar Nikollovski u shpreh se në asnjë vend demokratik nuk ndodh që kryeministri të japë dorëheqje dhe e njëjta të mos arrijë në Kuvend për tetë ditë, andaj kanë vendosur të dorëzojnë inicitivën në Kuvend.

“Iniciativa është mbështetur nga deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit ‘Rindërtimi i Maqedonisë’, deputetët e koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, deputetët e partisë politike Besa dhe deputetët e partisë politike E Majta”, tha Nikollovski.

Ai gjithashtu i bëri thirrje Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut që në afat sa më të shpejtë të caktojë seancë, në përputhje me rregullat ligjore.

“Gjithsej 61 deputetë e kanë nënshkruar këtë iniciativë dhe 61 nënshkrime së bashku me këtë iniciativë janë dorëzuar në kuvendin maqedonas. Presim që Kryetari i Kuvendit, në përputhje me afatet e përcaktuara në Kushtetutë dhe Rregullore, të thërrasë sa më shpejt seancën për të votuar besimin e Qeverisë”, u shpreh Nikollovski.

Ai gjithashtu tha se janë në bisedime edhe me deputetë të tjerë të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, të cilët sipas tij, mund të votojnë gjithashtu për rrëzimin e Qeverisë.

Duke u përgjigjur në pyetjet në lidhje me një marrëveshje të mundshme për krijimin e një shumice të re parlamentare dhe formimin e një qeverie të re, Nikollovski u shpreh se për këtë do të bisedohet pas “hapit të parë”, që është votimi i mosbesimit.

Shkup, opozita thotë se ka arritur marrëveshje për një shumicë të re parlamentare

Isak Ramadani

Drejtuesi opozitar maqedonas, Hristijan Mickovski, shkroi në rrjetin Facebook se është arritur marrëveshja për një shumicë të re parlamentare. Ai nxori edhe një fotografi ku duken së bashku me Sekretarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, kryetarin e Alternativës, Afrim Gashi, kryetarin e partisë E Majta, Dimitar Apasiev dhe Sekretarin e Lëvizjes Besa, Arianit Hoxha.

“Po vjen një e ardhme e re, një kohë e re dhe shpresë e re. Na presin sfida të forta; të vetëdijshëm për mbështetjen, së bashku do t’ia dalim”, shkroi ai në postimin e tij.

Shumica e pjesëmarrësve në këtë takim kanë pohuar po ashtu arritjen e marrëveshjes. Ndërkohë, Lidhja Social Demokrate dhe BDI-ja ende nuk kanë bërë komente.

Gjatë ditës së premte, kreu i VMRO-së, Mickovski kishte njoftuar se po mblidhte nënshkrimet e deputetëve për shumicën e re. Aleanca dhe Alternativa (ASH-A), të cilët dolën në koalicion me VMRO-në në zgjedhjet e fundit lokale, patën pohuar që në kohën e fushatës se “do të formonin një shumicë të re parlamentare pa Bashkimin Demokratik për Integrim”. ASH-A kanë 12 vende në parlament; Lëvizja Besa, 3. E majta ka 2 ligjvënës, ndërsa VMRO-ja, 44.

Këto zhvillime janë rrjedhojë e dorëheqjes së paralajmëruar nga kryeministri Zoran Zaev, menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, më 31 tetor, megjithëse, ai ende nuk e ka dorëzuar atë në parlament.

Kabineti i Presidentit të vendit, Stevo Pendarovski, u ka thënë para pak ditësh mjeteve të informimit se Presidenti, në rast se miratohet dorëheqja e zotit Zaev në parlament, do t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë atij që garanton formimin e shumicës parlamentare (prej 61 deputetësh në parlamentin me 120 vende).

Nga ana tjetër, një pjesë e ekspertëve dhe analistëve vlerëson se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të pashmangshme.

Me gjithë fitoren e thellë të VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet e fundit lokale, partitë e koalicionit qeveritar kanë më shumë vota në shkallë vendi. Vetëm BDI-ja mori mbi 105 mijë vota për listat e anëtarëve të Këshillave Komunalë, ndërsa Aleanca me Alternativën pak mbi 50 mijë sosh.

Opozita maqedonase synon kthimin e emrit “Maqedoni”

Ndryshimi i tabelave me emrin “Maqedoni e Veriut” pas Marrëveshjes së Prespës, shkurt 2019.

Isuf Kadriu

Fitorja e opozitës maqedonase në zgjedhjet lokale dhe kërkesa e saj për zgjedhje të parakohshme parlamentare, ka nxitur debate lidhur me të ardhmen e Marrëveshjes së Prespës, pasi drejtuesit e disa asambleve të reja komunale, kanë kthyer në përdorim emrin e vjetër të shtetit, Republika e Maqedonisë.

Marrëveshja e Prespës për ndryshimin e emrit “Maqedoni” në “Maqedoni të Veriut”, ishte arritur më 17 qershor të vitit 2018, me çka dy shtetet zgjidhën kontestin gati 30-vjeçar, që çoi në zhbllokimin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe institucionet tjera ndërkombëtare.
Si këmbim, Shkupi pranoi se maqedonasit e tanishëm nuk kanë asnjë lidhshmëri me maqedonasit antik, e as pretendime territoriale ndaj Greqisë së Veriut, që mban gjithashtu emrin Maqedoni.

Kjo marrëveshje, asnjëherë nuk është pranuar nga opozita maqedonase që udhëhiqet nga VMRO DPMNE-ja, duke paralajmëruar se në rast se vjen në pushtet do të angazhohet për shfuqizimin e saj.

Por, duke e komentuar veprimin e disa asambleve të reja lokale, që kthyen në përdorim emrin e vjetër të shtetit, kreu i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha se emri i ri është realitet, të cilin, sipas tij, e imponoi kryeministri Zoran Zaev.

Ai theksoi se mosrespektimi i këtij emri mund të sjellë pasoja, por sërish premtoi se do të punojë për të përmirësuar, siç tha, “marrëveshjen nënçmuese”.

“Marrëveshja e Prespës është realitet. A na pëlqen neve ky realitet? Sigurisht se nuk na pëlqen. Këtë realitet na e solli Zoran Zaev, por nëse nuk respektohet ky realitet në kuadër të funksionimit administrativ të këtyre institucioneve, atëherë do të kemi probleme me instanca tjera, siç janë gjykata, prokuroria, e kështu me radhë. Se a do të punojmë për të ndryshuar këtë realitet, kur një ditë të kemi mundësi që të këta bëjmë, unë them se po, por për momentin ne të gjithë po veprojmë në bazë të këtij realiteti, që është i dhimbshëm, nënçmues për të gjithë ne që Maqedoninë e vlerësojmë si atdheun tonë”, deklaroi Mickovski.

Veprimi i asambleve të reja komunale ka shkaktuar reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

“Ministria e Punëve të Jashtme bën thirrje që të zbatohen dispozitat kushtetuese në përputhje me Marrëveshjen e Prespës, duke pasur parasysh se mosrespektimi i Kushtetutës dhe ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, seriozisht prish imazhin ndërkombëtar të shtetit dhe cenon rendin juridik të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme.

Zhvillimet në Maqedoninë e Veriut janë komentuar edhe nga Athina zyrtare.

“Kthimi i retorikës nacionaliste te fqinjët tanë mund të çojë në një ridefinim të pozicionit tonë kombëtar në mbështetje të procesit të zgjerimit të BE-së”, citojnë mediat një deklaratë të zëvendësministrit të Jashtëm grek, Miltiadis Varvitsiotis.

Ai shprehu shqetësimin për zhvillimet në vend dhe theksoi se zbatimi i duhur i Marrëveshjes së Prespës është një nga parakushtet për kornizën negociuese të Shkupit me BE-në.

Partitë në pushtet thonë se nuk do të lejojnë që opozita të rrezikojë Marrëveshjen e Prespës dhe raportet me Greqinë që mund të çojnë në bllokime të reja.

“LSDM-ja dhe koalicioni nuk do të lejojnë që VMRO-DPMNE dhe Mickoski të rrezikojnë Marrëveshjen e Prespës, të na fusin në grindje të reja me Greqinë dhe fqinjët e tjerë, të na sjellin në konflikt dhe urrejtje të brendshme dhe kështu ta kthejnë vendin në të kaluarën e errët të regjimit”, thuhet në komunikatën e LSDM-së të publikuar të enjten.

Ristevski: Betimi bazuar në emrin e vjetër, i pavlefshëm

Temelko Ristevski, njohës i çështjeve kushtetuese, thotë për Radion Evropa e Lirë, se çdo veprim i kujtdo qoftë që bie ndesh me Kushtetutën, është i dënueshëm, përfshirë edhe veprimet e komunave të caktuara.

“Subjekti juridik, Republika e Maqedonisë, me amendamentet kushtetuese që janë miratuar para dy viteve më nuk ekziston. Tani kemi subjekt të ri juridik, Republika e Maqedonisë së Veriut. Të gjithë këshilltarët që kanë bërë betimin bazuar në emrin e vjetër të shtetit, janë të pavlefshme dhe duhet të anulohen”, thotë profesori Temelko Ristevski.

Sipas tij, çdo vendim që mund të miratojnë komunat me emrin e vjetër të shtetit, do të jetë i pavlefshëm dhe mund të ngrihen procedura para organeve gjyqësore për shkelje të Kushtetutës.

Lidhur me zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, ka reaguar edhe Brukseli duke bërë thirrje për zbatimin e reformave që kanë të bëjnë me Bashkimin Evropian, por edhe me respektimin e të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare.

DW: Zoran Zaev, njeriu që kërkoi gjithçka dhe nuk mori asgjë

Maqedonia e Veriut hyn në një fazë të mungesës së stabilitetit politik pasi kryeministri, Zoran Zaev bëri të ditur dorëheqjen pas humbjes së rëndë të partisë së tij Unioni Social Demokratik i Maqedonisë, SDSM në zgjedhjet lokale të së dielës, shkruan DW në analizën e saj.

“Unë marr përgjegjësinë për rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe prandaj jap dorëheqjen si kryeministër dhe president i Unionit Social Demokratik”, tha Zaev në selinë e partisë së tij. Ky njoftim erdhi pasi partia kryesore e opozitës, VMRO-DPMNE nacionaliste fitoi të paktën gjysmën e 80 komunave, ndërsa socialdemokratët fituan më pak se 20. Ky rezultat shënon një kthesë në skenën politike të Maqedonisë së Veriut: Pesë vite më parë, ishin socialdemokratët që fituan 57 komuna dhe VMRO-DPMNE vetëm 5.

Zaev tha se vendosi të dorëhiqet pasi partia e tij dështoi të marrë shumicën. “Më 31 tetor ne ishim për all-in – për gjithçka”, tha ai duke përdorur shprehjen në anglisht. Një javë më parë, Zoran Zaev i tha një televizioni lokal: “Vendimi është marrë, njerëzit do të vendosin. Ky nuk është kërcënim”. Siç e shpjegoi ai më vonë, qëllimi i tij ishte të mobilizonte “pjesën progresive” të shoqërisë në mbështetje të qeverisë së tij proeuropiane dhe politikave liberale. Ky plan dështoi. Shumë votues që nuk ishin të bindur për asnjërën nga partitë kryesore preferuan më mirë të qëndronin në shtëpi, se të votonin për kandidatët, që nuk i konsideronin të përshtatshëm.

Premtime të shkelura

I parë si një zë i rrallë i moderuar në rajonin e paqëndrueshëm të Ballkanit, Zoran Zaev fitoi reputacion ndërkombëtar për zgjidhjen e konfliktit të vjetër të emrit me Greqinë dhe ndryshimin e emrit të vendit në “Maqedoni e Veriut” në vitin 2018. Republika e dikurshme e Maqedonisë u bë anëtare e NATO-s në mars 2020 me emrin e ri. Veto nga Franca në vitin 2019 dhe Bullgaria bllokuan rrugën e këtij vendi në drejtim të Bashkimit Europian, duke e lënë premtimin më të rëndësishëm të Zaevit të papërmbushur.

Prej kohësh opozita nacionaliste, që e kundërshtoon marrëveshjen me Greqinë e damkosi Zoran Zaev si “tradhtar”, por ashtu shumica e votuesve të Zaevit nuk i mbështetën më shumë nga politikat e brendshme të tij. Reformat e premtuara në sundimin e shtetit ligjor, në drejtim të luftë kundër korrupsionit, nepotizmit kronik dhe ekonomisë tarafeve nuk u bënë realitet. Stanjacioni ekonomik dhe problemet në menaxhimin e pandemisë Covid-19 e shtuan zhgënjimin e votuesve.

Por më e rëndësishmja, shumë nga “votuesit progresivë” siç i quan Zaev ata, thjesht humbën shpresën në shansin e pranimit të vendit në BE. Besimi se Maqedonia e Veriut një ditë do të jetë anëtare e Bashkimit Europian është në nivelet më të ulta në publik, dhe shumë vetë nuk shohin më arsye pse të votojnë për politikanët dhe politikat pro-europiane pas vitesh zhgënjimi dhe premtimeve të shkelura nga Brukseli apo kryeqytetet e tjera europiane.

Koalicioni qeverisës i Maqedonisë së Veriut i përbërë nga socialdemokratët dhe Bashkimi Demokratik kanë një mazhoritet të ngushtë, 62 vende nga 120 gjithsej. Pas dorëheqjes së Zoran Zaevit mbetet të shihet, nëse socialdemokratët do të vazhdojnë të qeverisin me një lider të ri. Alternativat e tjera – një qeveri e drejtuar nga VMRO-DPMNE apo zgjedhjet e parakohshme nuk duken realiste për momentin.

Zoran Zaev dhe partia e tij janë kundër zgjedhjeve të reja, zgjedhjet e fundit u mbajtën në korrik 2020, kurse Hristjan Mickoski, drejtuesi i partisë opozitare, VMRO-DPMNE të dielën bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme, por nuk përmendi një afat të caktuar. “Partia qeverisëse tani është e delegjitimizuar, dhe ky është realiteti i ri. Mënyra më e mirë për të ecur përpara janë zgjedhjet e parakohshme”, tha Mickoski. Vetë partia opozitare do ishte e lumtur të priste deri në pranverë, për të ditur, nëse kryesimi në sondazhe do të vazhdojë të rritet edhe më tej duke marrë në konsideratë vështirësitë që ka qeveria.

Zaev largohet, por kush vjen?

Muajt e ardhshëm nuk do të jenë të lehtë për Maqedoninë e Veriut. Veç situatës së vështirë ekonomie dhe pandemisë, vendi po përballet me pasiguri të tjera për shkak të krizës energjetike që ka përfshirë të gjithë Europën. Në vend flitet ndërkohë për kufizime të energjisë elektrike dhe çmimet janë rritur.

Po ashtu qeveria ishte duke planifikuar rifillimin e bisedimeve me vendin fqinj, Bullgarinë pas zgjedhjeve, me qëllim të gjetjes së një kompromisi për të hapur dyert e çeljes së negociatave me BE në samitin e dhjetorit të shteteve të BE. Sofja i ka bllokuar bisedimet e anëtarësimit për dy vjet, duke insistuar që Shkupi fillimisht të pranojë, se gjuha maqedonase është një dialekt bullgar dhe se identiteti i maqedonasve të sotëm është në të vërtetë bullgar.

Në një kohë që socialdemokratët maqedonas ishin të gatshëm për një kompromis, opozita e VMRO-DPMNE është kundër çdo lloj negociatash mbi identitetin kombëtar. Zoran Zaev e drejtoi Maqedoninë e Veriut në një nga periudhat më të vështira pas 10 vitesh të regjimit të Nikola Gruevskit e VMRO-DPMNE-së, por pas katër vitesh në krye të qeverisë, Zoran Zaev duket se largohet i zhgënjyer nga votuesit dhe nga ndërkombëtarët. “Nuk është e vështirë të largohesh nga politika“, tha Zaev të dielën. “Ajo që është e vështirë është fakti, se si votuan zgjedhësit.”

Por fakti është që votuesit maqedonas veriorë kanë humbur besimin në rrugën drejt BE, të cilën e promovuan Zaev dhe partia e tij, po ashtu edhe besimin se këta politikanë e kanë aftësinë t’i çojnë drejt BE. Socialdemokratët duhet të zgjedhin sa më shpejt një drejtues të ri tani e të shpresojnë, se ai do të pranohet nga shumica. Për fat të keq Zoran Zaev nuk kanë lënë një pasues bindës si në parti edhe në qeveri. Dhe si një zyrtar socialdemokrat i tha DW-së anonimisht, nëse ka shumë kandidatë që kanë vullnetin të marrin në dorë drejtimin e partisë, nuk ka shumë të interesuar të marrin në dorë frenat në një krizë të thellë politike dhe ekonomike.

Dilema rreth zëvendësimit të Kryeministrit Zaev pas dorëheqjes

Isak Ramadani

Humbja e thellë e social-demokratëve në zgjedhjet lokale të së dielës e shtyu kryeministrin maqedonas Zoran Zaev të japë dorëheqjen, sikurse kishte paralajmëruar më parë se, nëse kandidati i partisë së tij humbet në Shkup, ai do të largohej nga drejtimi i qeverisë. Ky akt i zotit Zaev vlerësohet si dinjitoz ndërsa nuk mbahet mend që ndonjë paraardhës i tij të ketë vepruar në këtë mënyrë. Por dorëheqja e Kryeministrit Zaev në një situatë kur shumica parlamentare është e brishtë, sipas analistëve, do të krijojë një krizë qeveritare dhe politike.

Zoti Zaev tha mbrëmë pak orë pas mbylljes së qendrave të votimit se përgjegjësia bie mbi të, teksa uroi rivalët politikë për fitoren:

“Jap dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe i kryetarit të Lidhjes Social Demokrate”, njoftoi zoti Zaev, ndërsa u shpreh se mbetet me besimin se nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. “Unë solla lirinë dhe demokracinë, ndërsa demokracia nënkupton përgjegjësinë”, theksoi ai, teksa shtoi se: “Do të qëndroj për një periudhë sa të jetë e nevojshme, për të organizuar qeverinë e re me një shumicë përparimtare që mund të zgjerohet më tej”.

Kryeministri në dorëheqje, ndonëse ende nuk i ka dorëzuar dorëheqjen presidentit dhe parlamentit, vuri në dukje dëshpërimin për vendimin e elektoratit për të votuar njerëzit e njejtë, siç tha, “që mësynë parlamanetin para katër vjetësh për të vrarë njerëz”.

Nga ana tjetër, kushtetuta, përkatësisht Neni 93 i saj thekson se qeveria, së cilës nuk i jepet votëbesimi, që ka dhënë dorëheqje apo që i është ndërprërë mandati për shkak të shpërndarjes së parlamentit, mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e qeverisë së re.

Pritet që atë ta zëvendësojë një përfaqësues i Lidhjes Social Demokrate, që do të ruante shumicën parlamentare ku bën pjesë Bashkimi Demokratik për Integrim, Lëvizja Besa dhe dy parti më të vogla. Por zoti Zaev duhet të japë zyrtarisht dorëheqjen, në mënyrë që Presidenti Stevo Pendarovski t’i japë mandatin një kandidati të ri të shumicës parlamentare për të formuar kabinetin e ri qeveritar.

Lidhur me zhvillimet e fundit në Shkup është prononcuar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një komunikate ku theksohet se Ambasada e SHBA-së (në Shkup) po ndjek ngjarjet pas raundit të dytë të zgjedhjeve, përfshirë shpalljen e dorëheqjes nga Kryeministri Zoran Zaev. “Shtetet e Bashkuara, thuhet më tej, e shikojnë Maqedoninë e Veriut si partnere të besueshme dhe të çmuar në rajon dhe presin me padurim për të vazhduar bashkëpunimin me qeverinë e Maqedonisë së Veriut në fusha të interesit të përbashkët, ndërsa vazhdon përparimin e bërë mbi integrimin Euro-atlantik”.

Ndërkaq, VMRO-ja në opozitë kërkon sa më parë largimin e zotit Zaev dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Nga ana tjetër, partnerët e koalicionit qeveritar, BDI, Besa, PDSH, PLD, DOM, nuk duan largimin e zotit Zaev. Zyrtarë të këtyre partive u takuan të hënën në mbrëmje me kryeministrin maqedonas për ta bindur atë që të heqë dorë nga plani për t’u larguar nga qeveria dhe për t’i vazhduar projektet e përbashkëta qeveritare dhe integruese të vendit.

Gjatë katër viteve të fundit Maqedonia e Veriut nën drejtimin e Kryeministrit Zoran Zaev shënoi arritje të mëdha si anëtarësimi në NATO, zgjidhja e problemit të emrit me Greqinë fqinje dhe përparimi drejt integrimit evropian.

Por opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE-ja duket se pati sukses tek një pjesë e maqedonasve etnik në cilësimin e kreut social-demokrat si “tradhëtarë të interesave kombëtare maqedonase” në çështjen e gjuhës dhe identitetit me Bullgarinë fqinje. Në Shkup ka mendime të ndryshme për qeverisjen e zotit Zaev:

“Ai dështoi për shkak të politikës së jashtme të gabuar edhe asaj të brendshme”, thotë një banore e Shkupit.

“Zaevi nuk i plotësoi premtimet, por pësimi i tij ka të bëjë më shumë edhe me zvarritjen nga Bashkimi Evropian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim”, vlerëson gazetarja Ana Petrusheva.

Ndërkohë, vëzhguesit e huaj e vlerësuan fushatën e raundit të dytë të zgjedhjeve si konkurruese ku u respektuan të drejtat themelore.

“Por, retorika negative dhe njoftimet për frikësime e kërcënime ndaj pjesëmarrësve në garë dhe trysnia ndaj votuesve shpërqëndroi procesin”, tha shefja e misionit të ODIHR-it, Tana De Zulueta. Ajo tha se organet administrative të zgjedhjeve bënë përpjekje për kapërcimin e mangësive që u vërejtën gjatë raundit të parë dhe se raundi i dytë u zhvillua pa probleme. Ajo theksoi edhe njoftimet për përpjekje të blerjes së votave.

Ndërkohë, kandidatja e deklaruar si e pavarur, por e mbështetur nga VMRO-ja dhe partitë shqiptare të opozitës, Danella Arsovska fitoi garën për komunën e Shkupit me një epërsi prej rreth 20 mijë votash ndaj rivalit të saj Petre Shilegov të Lidhjes Social Demokrate. Zonja Arsovska do të jetë gruaja e parë që drejton kryeqytetin.

VMRO-ja fitoi në 40 komuna, përfshirë qytetet kryesore dhe komunat në kuadër të Shkupit. Lidhja Social Demokrate arriti të fitojë në 18 komuna; Bashkimi Demokratik për Integrim në 13 komuna, përfshirë Strugën, Kërçovën, Çairin. Aleanca për Shqiptarët 2 komuna, përfshirë Gostivarin; Lëvizja Besa do të drejtojë dy komuna, një ndër to Tetovën, ndërsa Partia Demokratike Shqiptare 1 komunë nga 81 sa janë gjithsej. Tre komuna do të drejtohen nga kandidatë të pavarur.

Zgjedhjet lokale në këtë vend prej vitesh janë politizuar dhe shërbejnë si një barometër i partitve politike për zgjedhjet e përgjithshme.

Dha dorëheqjen pas humbjes, Zaev anulon pjesëmarrjen në ‘Open Balkan’

Zoran Zaev ka anuluar pjesëmarrjen në takimin e Beogradit për nismën e “Open Ballkan”. Lajmi konfirmohet ekskluzivisht për “ABC”.

“Për shkak të situatës së vazhdueshme politike në Maqedoninë e Veriut pas zgjedhjeve lokale. Kryeministri Zoran Zaev ka anuluar pjesëmarrjen në takimin në Beograd” tha zëdhënës i Zoran Zaev, Leon Bakraceski për gazetaren e “ABC” Linda Karadaku.

Zoran Zaev pas humbjes së zgjedhjeve lokale dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut. Samiti do të mbahet në Serbi në datat 3 dhe 4 nëntor, ndërsa i pranishëm do të jetë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Në takimin e radhës për “Open Ballkan” palët, tashmë pa Zoran Zaev pritet që të diskutojnë për hapat e mëtejshme që pritet të ndërmerren në kuadër të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave mes vendeve.

E ndërsa Kosova e ka refuzuar këtë projekt të nisur nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia, nuk dihet nëse do të ketë përfaqësues nga Bosnja dhe Mali i Zi.

Zgjedhjet lokale: Bilall Kasami kryetar i Tetovës, mundi Teuta Arifin

Isak Ramadani

Partia opozitare në Maqedoninë e Veriut, VMRO-DPMNE, shpalli të dielën mbrëma fitoren në shumicën e komunave në raundin e dytë të zgjedhjeve për pushtetin lokal.

Ndërsa nga partitë shqiptarë, Bashkimi Demokratik për Integrim tha se është fituese në këto zgjedhje, ndonëse humbi Tetovën që vlerësohet si komuna me e rëndësishme për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Bilall Kasami i Lëvizjes Besa, doli fitues në përballen me kryetaren e deritashme të Tetovës. Teuta Arifi, të Bashkimit Demokratik për Integrim. Zonja Arifi pranoi humbjen dhe duke folur nga selia e BDI-se i uroi sukses rivalit të saj politik, Kasami dhe ekipit të tij. Teuta Arifi, e cila e drejtoi komunën për dy mandate nga katër vjet, tha se Tetova është një qytet me shumë sfida.

Sipas rezultateve ende jozyrtare, Bilall Kasami ka rreth 1,700 vota epërsi ndaj rivales së BDI-së, Arifi.

Megjithatë, BDI-ja e konsideron veten si fituese absolute të këtyre zgjedhjeve. Kryetari i partisë, Ali Ahmeti një orë pas mbylljes së qendrave të votimit tha se BDI-ja ka fituar në Strugë, në Kërçovë, në Çair të Shkupit dhe në disa komuna rurale si Haraçina e të tjera, teksa shtoi se ende nuk dihet rezultati në Gostivar.

Por, Aleanca për Shqiptarët në opozitë, shpalli fitoren në Gostivar, ku kandidati i saj, Arben Taravari, mori, sipas partisë, mbi 5.000 vota më tepër se garuesi i BDI-së Nevzat Bejta. Shtabi i zotit Taravari po feston në sheshin e qytetit.

Festë ka organizuar edhe shtabi i BDI-së në Çair, ku ka shpallur fitoren e Visar Ganiut ndaj kundër-kandidatit Bekim Sali të Alternativës. Ky do të jetë mandati i dytë për zotin Ganiu.

Në Kërçovë duket se Fatmir Dehari i BDI-së ka korrur fitore ndaj Aleksandar Jovanovskit të VMRO-DPMNE-së, por VMRO-ja ende nuk e ka pranuar humbjen.

Në këtë qytet ku me përqindje mbizotëron popullata shqiptare erdhi në votime mori pjesë edhe një numër i konsiderueshëm i mërgimtarëve nga Evropa për të votuar, ndërsa pas raundit të parë dukej të ishte krijuar një përçarje tek elektorati shqiptar.

Në Dibër (të Madhe) ende nuk dihen rezultatete raundit të parë në një qendër votimi për shkak të parregullsive të konstatuara atje. Në këtë qytet u përballën Bekim Pocesta i Aleancës për Shqiptarët dhe Hekuran Duka i BDI-së.

Ndërkaq, Partia Demokratike Shqiptare ka shpallur fitore në komunën (rurale) e Studeniçanit pranë Shkupit, ku Azem Sadiku duket të ketë fituar edhe një mandat për ta udhëhequr komunën.

Në bllokun e partive politike maqedonase, VMRO-DPMNE-ja e opozitës cilësohet si fituese, ndërsa njoftohet për epërsi në Shkup të kandidates së deklaruar si e pavarur, Danella Arsovska, e mbështetur nga VMRO-DPMNE-ja dhe partitë shqiptare të opozitës kundër Petre Shilegovit të Lidhjes Social Demokrate.

Zoti Shilegov ishte kryetar i Komunës së Shkupit në mandatin e fundit. VMRO-ja ka shpallur fitore në Ohër, në Manastir dhe në një numër komunash të tjera. Ajo fitoi 23 komuna në raundin e parë; LSDM-ja 9 dhe BDI-ja 3 komuna.

Në Kumanovë po ashtu është një situatë befasuese ku LSDM-ja doli humbëse ndërsa kandidati i pavarur Maksim Dimitrievski, (ish-zyrtar i LSDM-së) shpalli fitoren.

Gara e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale u zhvillua në 44 komuna nga 81 sa janë gjithsej. Interesimi i elektoratit për të votuar kësaj radhe ishte më i lartë se sa në raundin e parë.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve bëri të ditur se deri në orën 18:30 në votime kanë dalë 48,88% e votuesve. Në raundin e dytë ishin 1.355,990 qytetarë të regjistruar me të drejtë vote.

Kutitë e votimi janë mbyllur në orën 7 të mbrëmjes përveçse në një numër të vogël qendrash ku për shkak të problemeve teknike me aparatet për gjurmët e gishtave ka pasur ndërprerje, procesi ka zgjatur për aq kohë sa është bërë vonesa.

KSHZ e cilësoi procesin si të qetë ku janë regjistruar disa pengesa të natyrës teknike. KSHZ e ka për detyrë t’i shpallë rezultatet e para dymbëdhjetë orë pas mbylljes që qendrave të votimit.

Zgjedhjet lokale në këtë vend prej vitesh janë politizuar dhe partitë politike i përdorin ato për të matur forcat dhe si barometër për zgjedhjet e përgjithshme.

Procesi u ndoq nga 23 vëzhgues të Misionit të ODIHR-it të cilët vijnë nga 13 shtete të ndryshme, si dhe disa dhjetëra përfaqësues diplomatikë; Po ashtu edhe nga vëzhgues të vendit.

Humbi zgjedhjet lokale- Zoran Zaev jep dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe i kryetarit të LSDM-së

Kryetari i Lidhjes Socialiste Demokrate të Maqedonisë dhe kryeministri i vendit, Zoran Zaev, në daljen e parë pas zgjedhjeve ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme si kryeministër i vendit dhe si kryetar i partisë.

“Përgëzoj kundërshtarët tanë për fitoren në këto zgjedhje. Unë marr përgjegjësinë për këtë humbje politike, përfshirë edhe rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Jap dorëheqjen si kryeministër dhe kryetar i LSDM-së”, tha Zaev.

“Do të qëndroj ende këtu, për aq kohë sa të jetë e nevojshme, për të ndihmuar në riorganizimin e qeverisë së re me një shumicë progresive, e cila ekziston dhe mund të rritet. “Unë si person jam pjesë e LSDM-së dhe mbetem në vijën e parë si anëtar i LSDM-së”, ka shtuar Zaev.

Para zgjedhjeve lokale ai tha se nëse humb Shkupin jep dorëheqjen nga çdo post.

 (BalkanWeb)

Edhe Maqedonia e Veriut zhvillon sot zgjedhjet lokale

Në Maqedoninë e Veriut për të shtatën herë që nga historia e pavarësisë së vendit mbahen zgjedhjet lokale. Sot zhvillohet procesi zgjedhor. Në garë për 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit janë 299 kandidatë, ndërsa mbi 10,600 kandidatë për këshilltarë komunal dhe këshillin e Qytetit të Shkupit.

Më së shumti kandidatë për kryetar ka për Shkupin, respektivisht 12, ndërsa Struga dhe Dollneni kanë nga 8 kandidat. 24 janë kandidatë të pavarur. Nga kandidatët për kryetar komune vetëm 25 prej tyre janë femra.

Të drejtë vote kanë 1 824 864 qytetarë. Për herë të parë në Maqedoni të Veriut do të votohet me “fingerprint” ose aparate që detektojnë vijat papilare të votuesve. Autoritetet theksojnë se për mirëmbajtjen dhe kujdesin e procesit të votimit janë angazhuar 400 IT ekspert dhe janë vënë në funksion dy “Call Centre”.

Gjatë ditës së djeshme të drejtë vote kanë pasur 10.653, një ditë para votimit zyrtar. Procesi u zhvillua në 13 burgje të karakterit hetues dhe ndëshkues. Gjithashtu të drejtën e tyre të votës dje e ushtruan edhe qytetarët e sëmurë, të pafuqishëm, personat e prekur nga kovid dhe ata në izolim, si dhe qytetarët që gjenden në shtëpitë e të moshuarve. .

Procesin zgjedhor do ta monitorojnë 1.247 vëzhgues. Prej tyre 870 vendas dhe 367 të huaj. Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 31 tetor.

Zaev: E përsëris, Procesi i Berlinit është gjëja më e mirë në Ballkanin Perëndimor

Isuf Kadriu

Presidentja e Komisionit Evropia, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj të martën në Shkup, ka theksuar brengën e saj për gjendjen në Kosovë, duke kërkuar nga palët shtensionimin e situatën në veri të Kosovës.

“Unë jam e shqetësuar për krizën aktuale midis Serbisë dhe Kosovës. Është e rëndësishme tani që gjërat të mos përshkallëzohen dhe palët të ulen në tryezën e negociatave. BE ka një histori të gjatë dhe është ndërtuar mbi dialog dhe bashkëpunim të ngushtë ekonomik. Kur filluam 70 vjet më parë dhe pas një pjese të tmerrshme të historisë sonë në Luftën e Dytë Botërore, duhej shumë dialog dhe bashkëpunim që plagët të shëroheshin për të ndërtuar miqësinë dhe bazuar në besimin erdhi pajtimi. Nevojitet një tryezë negociatash ku të flasim për probleme”, tha Ursula von der Leyen pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Ajo mirëpriti një deklaratë të kryeministrit maqedonas, i cili tha se dialogu mund të jetë i dobishëm për të ardhmen e njerëzve.

“Unë mbetem një mbështetës i fuqishëm i dialogut. Udhëheqësit duhet të ulen në tryezë dhe diskutojnë për zgjidhjen e problemeve. Unë jam i bindur se ne duhet t’i përdorim të gjitha mundësitë për bisedime, partneritet, bashkëpunim dypalësh. E përsëris, Procesi i Berlinit është gjëja më e mirë në Ballkanin Perëndimor. Më vjen mirë që Presidentja e Komisionit do të ketë fokus të agjendës së saj Ballkanin Perëndimor. Ne gjithmonë mund të bëjmë diçka në shtëpi. Ne jemi miq me të gjithë fqinjët dhe kështu do të vazhdojmë”, ka deklaruar Zaev.

Presidentja e Komisionit Evropian, edhe në Shkup përsëriti mbështetjen e saj për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Unë mbështes plotësisht hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, sa më shpejt të jetë e mundur. Unë dua që ato të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur, deri në fund të vitit. Unë ju bëj thirrje: Mos e humbni besimin. Ju keni bërë dhe keni arritur shumë, le të bëjmë një hap tjetër përpara. Ju keni shumë miq dhe mbështetje në Komisionin Evropian”, ka deklaruar von der Leyen.

Ajo dhe kryeministri Zaev theksuan besimin e tyre se Samiti i ardhshëm i Ballkanit Perëndimor në Slloveni, më 6 tetor, do të ecë përpara me zgjerimin e BE -së duke shënuar mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare deri në fund të vitit.

Në pyetjen nëse Komisioni Evropian do të nisë negociatat vetëm me Shqipërinë, nëse Bullgaria vazhdon të bllokojë Maqedoninë e Veriut, shefja e BE-së tha se dëshiron që të dyja vendet, njëkohësisht, të fillojnë negociatat dhe procesin e pranimit sa më shpejt të jetë e mundur.

Bullgaria, shtet anëtar i BE-së, ka vendosur veto ndaj Shkupit zyrtar, për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë të bëjnë me gjuhën dhe identitetin.

Zaev: Nuk kemi opinion të njëjtë me Kurtin për Open Balkan, por s’na pengon që të bashkëpunojmë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në konferencën për media pas mbledhjes së dy qeverive ka thënë se me kryeministrin Kurti nuk e ndajnë opinionin e njëjtë për “Open Balkan” por që nuk e pengon në bashkëpunimin ndërshtetëror. Ndërkaq, kryeministri Kurti tha se Kosova mbështet iniciativat rajonale që kanë BE-në brenda tyre, raporton Gazeta Express.

“Sa i përket “Open Balkan”, kemi opinione të ndryshme por kjo nuk na pengon në bashkëpunimin bilateral mes dy vendeve. Unë mund të them se Kosova është e pavarur dhe i ka qëndrimet e veta”, tha Zaev para gazetarëve.

Ndërkaq, sa i përket iniciativës “Ballkani i Hapur”, Kryeministri Kurti ripërsëriti atë që tha në Tiranë para dy ditësh, se iniciativat rajonale që kanë BE-në brenda përkrahen nga Kosova.

“Ne dëshirojmë sa më shumë bashkëpunim dhe zbatim të marrëveshjeve në aspektin bilateral me Maqedoninë e Veriut, jemi të orientuar kah e ardhmja e për neve e ardhmja është Bashkimi Evropian. Pra BE është fati ynë, anda edhe si republikë e Kosovës ne i mbështesim iniciativat rajonale që janë nga Bashkimi Evropian . Asnjëra nga marrëveshjet e nënshkruara nuk mund të cenohen në zbatim pavarësisht dallimeve që mund të kemi”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti tutje foli edhe për marrëveshjet e nënshkruara mes dy qeverive.

“Mbajtëm mbledhjen e përbashkët e cila është shprehje e vullnetit për të shënuar një etapë të re të bashkëpunimit të ndërsjellë.  Deri tani kemi pasur 42 marrëveshje, sot nënshkruam 11 marrëveshje bashkëpunimi në ekonomi, bujqësi, turizëm, siguri, kontrollin e transportit hekurudhor, lidhjen e Brezovicës me Kodrën e Diellit, bashkëpunimi ndërkufitar”, tha Kurti.

Vazhdon procesi i regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut

Isak Ramadani

Në Maqedoninë e Veriut po vazhon procesi regjistrimit të popullsisë që ka filluar më 5 shtator. Sipas autoriteteve, ka pasur përpjekje për sulme kibernetike por deri tani ato nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit. Njëkohësisht po regjistrohet edhe diaspora përmes aplikacionit në internet. Enti i Statistikave në vend thotë se nga pesë shtatori deri tani janë regjistruar rreth gjysmë milioni banorë.

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet me një ritëm të kënaqshëm për drejtuesit e Entit Shtetëror të Statistikave, ndërkohë që vetëm para pak ditësh sistemi, përkatësisht aplikacioni mezi funksiononte.

Zëvendës-drejtori i Entit, Ilmi Selami në një bisedë përmes Skype me Zërin e Amerikës thotë se inxhinierët e teknologjisë dhe ekspertët e angazhuar vërejtën se pati sulme kibernetike ndaj sistemit por se hakerët nuk arritën të hyjnë tek të dhënat:

“Kjo ishte arsyeja e cila neve na bëri shumë problem gjatë ditëve të kaluara, ndërkohë ne me ekipin e ekspertëve e tejkaluam atë problem të inxhinierisë digjitale dhe bëmë një mburojë me të cilën hakerët nuk do të mund të bënin sulme kibernetike, dhe kështu që dje ishte gjithashtu një ditë e suksesshme; gjatë vetëm një dite kishim 120,000 regjistrime”, thekson Z. Selami.

Autoritetet përkatëse nuk kanë dhënë shpjegime se prej nga vinin këto sulme kibernetike.

Procesi i filluar më 5 shtator po shkon mbarë, sipas autoriteteve. Opozita maqedonase, e cila në fillim e kundërshtonte censusin për arësye të pandemisë së koronavirusit e më pas nga shqetësimet lidhur me numrat që sipas saj mund të manipuloheshin nga partitë në pushtet, tani nuk ka bërë komente. Maqedonia e Veriut është ndër vendet e rralla në Evropë që nuk ka bërë censusin për 20 vjet.

Zoti Selami, ndërkohë flet me optimizëm për censusin që po zhvillohet.

“Të bësh një operacion statistikor që është më i madhi në vend, është vërtetë një periudhë ku çdo shtet e llogarit si të rëndësishme, si diçka festive, si diçka e mirë që po i ndodh shtetit, vetëm tek ne u paraqit një atmosferë e zymtë para se të fillojë regjistrimi, por kjo atmosferë e zymtë nuk u reflektua në realitet edhe gjatë zbatimit praktik në terren. Të bëhet një regjistrim i suksseshëm duhet të gjithë të jemi pjesë e regjistrimit, edhe qytetarët, edhe institucionet që zbatojnë, edhe njerëzit tanë që janë të autorizuar në terren si regjistrues dhe instuktorët rajonal, dhe nuk ka asnjë arsye pse mos të jetë kështu, sepse me regjistrimin fitojnë të gjithë, me një regjistrim të dështuar dështojnë të gjithë; Dhe si duket qytetarët nuk i kanë dëgjuar thirrjet e partive politike, grupeve të ndryshme të interesit, duke e ditur se ato po e bëjnë vetëm për arritjet e tyre dhe për pikë në politikë”, thotë z. Selami.

Regjistrimi i popullsisë po bëhet edhe në diasporë, ku në të vërtetë ka filluar më 1 mars në aplikacion të internetit dhe deri më tani janë regjistruar rreth 200 mijë shtetas.

Në bazë të censusit të fundit, që ishte ai vitit 2002 shqiptarët në Maqedoninë e Veriut përbënin 25.1% të popullsisë së pëgjithshme. Njohësit thonë se për këto njëzet vjet ka pasur mjaft lëvizje demografike, teksa të dhënat e Bankës Botërore flasin për rreth 400 mijë shtetas të Maqedonisë së Veriut të shpërngulur për një jetë më të mirë në dhjetë vitet e fundit.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ofroi dorëheqje pas zjarrit në qendrën për COVID në Tetovë

Shkup

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, ofroi dorëheqje për arsye morale pas zjarrit në qendrën për COVID në Tetovë ku humbën jetën 14 persona, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media, ministri Filipçe edhe një herë shprehi keqardhje dhe tha se kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i ka ofruar dorëheqje me shkrim.

“Tragjedia e fundit në Tetovë më preku shumë, më vjen shumë keq për viktimat, bashkëndjej me familjet e tyre. Nuk ka fjalë për ta përshkruar atë ose një mënyrë për të kompensuar humbjen. Zonja dhe zotërinj, si mjek dhe ministër, kam integritet. Prandaj, sot për arsye morale i ofrova një dorëheqje me shkrim kryeministrit Zoran Zaev”, tha Filipçe.

Përpos tij, më herët dorëheqjen e njoftoi edhe zv/ministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani, i cili në rrjetet sociale shkroi se “dorëheqja është akti më i vogël që mund ta bëj në këto momente, për të respektuar viktimat, të lënduarit, opinionit dhe më së shumti veten”.

Gjithashtu, dorëheqje kanë ofruar edhe drejtori i spitalit të Tetovës dhe drejtori për çështje ekonomike i spitalit.

Në zjarrin që shpërtheu të mërkurën në qendrën ku trajtohen pacientët me COVID-19 në Tetovë humbën jetën 14 persona, ndërsa 12 të tjerë janë plagosur.

Institucionet e vendit ende po hetojnë rastin, ndërsa Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi se edhe ekspertë gjermanë nga Kriminalistika Federale (Bundeskriminalamt) do të vijnë këto ditë për të ndihmuar në hetimin e fatkeqësisë në Tetovë.

Filipçe: Nuk i ik përgjegjësisë, të presim hetimin për tragjedinë në Tetovë

Isuf Kadriu

Ministri maqedonas i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka hedhur poshtë dyshimet mbi cilësinë e ndërtimit të spitalit modular në Tetovë, i cili të mërkurën në mbrëmje u dogj tërësisht duke lënë të vdekur 14 pacientë ndërsa 12 të tjerë me lëndime trupore.

Ai tha se të mërkurën dhe të enjten është hetuar i gjithë dokumentacioni për prokurimin dhe instalimin e spitalit modular dhe nuk janë vërejtur lëshime, ndërsa hetimet, sipas tij, do të dëshmojnë se si është menaxhuar objekti pas vënies në punë.

“Unë me vete kam këtu gjithë dokumentacionin për prokurimin dhe instalimet për spitalet modulare dhe i tëri është në përputhje me standardet dhe procedurat strikte, bazuar në projekte të tilla të mbështetura nga Banka Botërore. Hetimi duhet të përcaktojë nëse është përdorur siç duhet pas dorëzimit,” tha Filipçe.

Ai nuk dha hollësi mbi detajet e hetimit, duke thënë se në momentin e shpërthimit në spital ishin 26 pacientë, dy mjekë dhe katër infermierë. Autopsia gjithashtu saktësoi edhe moshën e të vdekurve, trupat e të cilëve u dërguan në mjekësinë ligjore.

“Të vdekurit janë të moshës nga 29 deri në 79 vjeç. Dymbëdhjetë pacientë që ishin në spitalin modular tani janë shtruar në spitalin e Tetovës dhe janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. Nuk ka punonjës shëndetësorë të vdekur”, deklaroi Ministri i Shëndetësisë.

Lidhur me praninë e familjarëve të ngushtë të pacientëve në spitalin modular, Filipçe tha se kjo nuk është në përputhje me protokollet dhe hetimi do të duhet të përcaktojë se çfarë ka ndodhur.

Ai siguroi qytetarët se të gjitha spitalet janë të sigurta andaj edhe bëri thirrje që të mos krijohet huti dhe pasiguri në opinion mbi trajtimin e pacientëve të sëmurë me koronavirus.

“Askush nuk do të përjashtohet nga përgjegjësia nëse hetimi e përcakton këtë”, tha Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.

“Pasi të ketë përfunduar hetimi, unë do të marr vendimin nëse do të jap dorëheqje. E kam të vështirë ta përshkruaj ndjenjën dhe dhimbjen që kam me familjet e viktimave. Unë nuk po ik nga përgjegjësia dhe gjetjet e hetimit, as nga aspekti moral, por le të përfundojë hetimi”, ka deklaruar Filipçe.

Zjarri i së mërkurës besohet të jetë përhapur nga shpërthimi i bombolave të gazit apo oksigjenit.

Autoritetet kanë shpallur tri ditë zie si pasojë e këtij incidenti.


Send this to a friend