VOAL

VOAL

BDI ia jep nënshkrimet Zaevit; VMRO, thirrje për mobilizim

Në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim ka vendosur t’ia japë nënshkrimet e deputetëve të tij liderit të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev, për marrjen e mandatit nga presidenti Gjorge Ivanov për formimin e qeverisë së re.

Vendimi është marrë pas një debati 10-orësh të kryesisë së BDI-së, parti e udhëhequr nga Ali Ahmeti, por ajo nuk ka vendosur nëse do të jetë edhe pjesë e koalicionit të LSDM-së.

“Dhënia e nënshkrimeve nuk nënkupton edhe pjesëmarrje në qeveri. Një nga opsionet është edhe mbetja në opozitë”, ka deklaruar zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Për t’u mandatuar nga presidenti Ivanov, lideri social-demokrat duhet të sigurojë edhe tre nënshkrimet e Aleancës Shqiptare, me të cilën po ashtu është në bisedime.

Ndërkohë, mbështetjen ai e ka marrë edhe nga Lëvizja Besa.

Kjo bën që Zaev të kërkojë mandatin nga Ivanov me 67 nënshkrime nga 61 sa janë të nevojshme.

Përafrimi ka ndodhur pasi Zaev ka pranuar platformën e partive shqiptare, përfshirë edhe draft-ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe nëpër të gjitha institucionet.

Ndërkohë, VMRO DPMNE-ja, partia që ka mbajtur pushtetin në Maqedoni që disa vite, ka ftuar të gjitha organet partiake nëpër qytete për mobilizim në mbrojtje të, siç thuhet, Kushtetutës dhe karakterit unitar të shtetit.

Në shumë qytete ka pasur tubime, ku ithtarë të partisë së Nikolla Gruevskit kanë kundërshtuar ashpër marrëveshjen mes LSDM-së dhe BDI-së lidhur me draft-ligjin për gjuhën shqipe.

Zaev: Maqedonia me qeveri të re më së voni më 15 mars

Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev konfirmoi të enjten se është arritur marrëveshje me partitë politike shqiptare lidhur me çështjet kyçe dhe se qeveria e re do të formohet më së voni më 15 mars

SARAJEVË – Kreu i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev konfirmoi të enjten se është arritur marrëveshje me partitë politike shqiptare lidhur me çështjet kyçe dhe se qeveria e re do të formohet më së voni më 15 mars.

Gjatë qëndrimit të sotëm në Sarajevë, Zaev për Anadolu Agency (AA) ka konfirmuar se me partitë shqiptare ka zgjidhur çështjet kryesore të hapura në mesin e të cilave edhe përdorimi i gjuhës, që ka qenë kryesore në negociatat me partitë shqiptare.

“Vijojnë edhe disa hapa deri në formimin e qeverisë së re, por çështjet e hapura kryesore i kemi zgjidhur dhe këto janë programi qeveritar, platforma jonë, platforma e tyre, ligji për përdorimin e gjuhës dhe çështje tjera.

“Ekziston edhe procedura për grumbullimin e nënshkrimeve dhe marrja e mandatit nga ana e presidentit Ivanov. Shpresoj që pas kësaj dtë na nevojiten 10 deri në 15 ditë për të formuar qeverinë e Maqedonisë”, tha Zaev.

Ai shpreson se, nëse gjithçka rrjedh sipas planeve, deri në fund të kësaj jave ose në fillim të javës së ardhshme ta marrë mandatin nga presidenti i vendit Gjorge Ivanov.

“Kryesia qendrore do të duhet të marrë vendim për mandatarin, edhe pse dihet se ky është kryetari i partisë, nevojitet grumbullimi i nënshkrimeve nga tre subjektet shqiptare. Krahas kësaj, pres që deri në fund të javës ose në fillim të javës tjetër të përfundojë çështja e dhënies së mandatit. Nga këtu, më së voni deri më 15 mars do të mund të kemi qeverinë e re. Shpresoj se do të përshpejtojmë procesin e konstituimit të Parlamentit dhe të shkurtojmë afatet për formimin e qeverisë”, tha Zaev.

Ai tha se me partitë shqiptare ka harmonizuar qëndrimet për gjuhën shqipe. “Tashmë kemi miratuar tekstin i cili si i tillë kalon edhe në BDI, partia më e madhe shqiptare. Këtë do të duhet ta konfirmojmë edhe me partitë e tjera shqiptare, por sigurisht edhe me partnerët tanë të koalicionit. Është e rrumbullakuar e gjitha në kuadër të Kushtetutës sonë”, tha Zaev.

Duke folur për raportet në rajon, Zaev tha se është i nevojshëm bashkëpunimi krahas dallimeve politike, sepse siç tha, këtë e kërkojnë qytetarët.

“Shpresoj që ky koncept shumëetnik të cilin ne si një opsion i majtë e kemi kultivuar në Maqedoni do të jetë një mesazh pozitiv për rajonin që ne duhet të punojmë së bashku, pavarësisht të gjitha dallimeve politike që ekzistojnë në këtë rajon, për shkak se Evropa do të na pranojë vetëm nëse përmirësojmë bashkëpunimin tonë. Vetëm përmes përmirësimit të bashkëpunimit do të mund të përshpejtojmë anëtarësimin në BE të të gjitha vendeve të rajonit”, tha Zaev.

I pyetur, nëse bëhet kryeministër i Maqedonisë a do të ndërmarrë hapa kundër strukturave që lidhen me organizatën terroriste FETO, Zaev tha se Turqia është një nga miqtë më të mëdhenj të Maqedonisë dhe se vendi i tij bashkë me fuqitë tjera botërore, do të përfshihet në luftën kundër terrorizmit.

“Në vazhdimësi do të përkrahim luftën kundër terrorizmit, pavarësisht ku ndodh dhe pavarësisht se ku ka rrënjët. Kjo është një punë djallëzore që po ndodh në shekullin 21 të cilin duhet ndaluar”, tha Zaev.

500 mijë maqedonas do të bëhen bullgarë

Drejtori i Muzeut Kombëtar të Sofjes, Bozhidar Dimitrov ka nisur fushatë që të gjithë maqedonasit të shpallen bullgarë, pasi, siç thotë ai, të tillë edhe janë, shkruan “Zhurnal”.

Aktualisht ai po punon për ndryshimin e ligjit, me çka maqedonasit me prejardhje bullgare vetëm me deklaratë gojore në gjuhën bullgare do të kenë të drejtë të marrin shtetësinë bullgare. Një dëshmi me shkrim nuk do të ishte aspak i nevojshëm.

“13 shekuj me radhë deri në vitin 1944 në Maqedoni kanë jetuar bullgarë. Një ditë dikush u ka thënë se ata janë maqedonas dhe jo bullgarë. Se nuk kanë asnjë lidhje me Bullgarinë, se do t’iu formohet një shtet dhe do t’iu shkruhet histori e re dhe kjo ka ndodhur. Dhe pastaj në kohët e tanishme menjëherë kanë dalë probleme më identitetin. Kështu që rreth 500 mijë maqedonas do të mund të bëheshin bullgarë, e njëkohësisht edhe shtetas të BE­së”, ka deklaruar Dimitrov./Gazeta Express/

Ligji për gjuhën shqipe merr dritën jeshile nga kryesia e BDI-së

Ligji i cili rregullon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoni, të mërkurën mbrëma ka marrë dritën jeshile nga anëtarët e kryesisë qendrore të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

Për ligjin e gjuhës shqipe paraprakisht kishte ofruar një version Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, por më pas BDI në bashkërendim me Aleancën për Shqiptarët, dhe konsultë më të gjerë të ekspertëve juridikë, hartoi draft-ligjin që mundëson avancimin e statusit juridik të përdorimit të gjuhës shqipe në më shumë dimensione.

Në mbledhjen e kryesisë së BDI-së, ku kanë marrë pjesë dhe deputetët e zgjedhur në parlamentin e Maqedonisë nga kjo parti, në formë të detajuar mbrëmë ka shqyrtuar më shumë se 20 nene të draft-ligjit të zyrtarizimit të gjuhës shqipe, nga secili anëtar i BDI-së, ka bërë të ditur zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë qendrore.

Osmani ka theksuar se kryesia qendrore e partisë që përfaqëson, pasi ka shtjelluar të gjitha argumentet sa i takon ligjit për gjuhën shqipe, unanimisht i ka dhënë vizë këtij ligji.

“Përmbyllëm këtë pjesë të debatit, dhe nga dita e premte presim të fillojmë diskutime për harmonizim eventual të platformës për bashkëqeverisje. BDI sot (të mërkurën) dha pëlqim për draft-ligjin e zyrtarizimit të gjuhës shqipe nga ku mund të fillojmë të diskutojmë edhe për çështjet tjera”, u shpreh Bujar Osmani.

Pas çështjes së gjuhës shqipe, të premten pritet të diskutohen temat që kanë të bëjnë me zgjidhjet ligjore për barazinë ekonomike të të gjitha rajoneve te Maqedonisë, si kusht që deputetët shqiptarë të deponojnë nënshkrimet e tyre, në mënyrë që lideri i LSDM-së, Zoran Zaev të marrë mandatin për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë, pasi paraprakisht, lideri i VMRO DPME-së, Nikola Gruevski dështoi të formojë Qeverinë.

Zaev pas takimit me Ahmetin: “Janë kapërcyer disa dallime”

Lidhja Social Demokrate ka shtuar komunikimet me partitë shqiptare, në përpjekje të arritjes së një marrvëveshjeje për formimin e kabinetit qeveritar, ndërsa çështja e gjuhës shqipe vazhdon të mbizotërojë në këto bisedime.

Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev ishte të marten në mbrëmje në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim në Tetovë për të biseduar me zotin Ali Ahmeti, kryetar i kësaj partie.

Z. Zaev u tha më pas mjeteve të informimit se “janë kapërcyer disa dallime me BDI-në, se nuk do të sillen zgjidhje për përdorimin e gjuhëve që nuk do të jenë në kornizat e Kushtetutës, ndërsa grupet e punës nga të dyja partitë po punojnë në drejtim të gjetjes së zgjidhjes për formimin e qeverisë”.

Pak orë pas takimit, zoti Ahmeti u tha gazetarëve se dallimet me LSDM-në mbi përdorimin e gjuhës shqipe nuk janë të mëdha. Ai tha se takimi nuk kishte të bënte me nënshkrimet e ligjvënësve të partisë së tij, por me dallimet që ekzistojnë mes dy partive. Zoti Ahmeti tha se po kërkohet një zgjidhje që do të garantonte qëndrueshmërinë politike dhe ekonomike të vendit.

Në komentet e tij, Zaev tha se shpresonte që procesi i bisedimeve të përfundojë shpejt. “Më vjen mirë që të dyja partitë pajtohen që zgjidhjet të dalin nga Kushtetuta”, theksoi Zaev, duke lënë të kuptohet se dallimet kanë të bëjnë me interpretimin e zbatimit kushtetues të ligjit për gjuhët. Kryetari social-demokrat shtoi se nëse ngelen çështje të hapura, ato mund të diskutohen më vonë, duke u këshilluar me ekspertët për të parë se çfarë është kushtetuese e çfarë jo.

Në lidhje me ndarjen e baraspeshuar të buxhetit në rajone, Zaev tha se ka qëndrime identike me Z. Ahmeti. Kjo, – tha ai, – nuk është një çështje etnike por qytetare.

Më herët gjatë ditës, zyrtarë të lartë të LSDM-së u takuan me përfaqësues të Lidhjes për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare për të biseduar po për çështjen e gjuhës shqipe.

Partia shqiptare me koalicionin “Aleanca për shqiptarët” me tre deputetët e saj ka njoftuar para disa javësh se do t’i japë nënshkrimet e nevojshme LSDM-së në mënyrë që kjo të marrë mandatin për formimin e qeverisë. Por ajo ngul këmbë që shqipja të jetë gjuhë zyrtare në të gjitha nivelet e pushtetit qendror kudo në Maqedoni.

Për formimin e qeverisë nevojitet një shumicë e thjeshtë, 61 vota. Pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, BDI ndonëse doli me një numër më të vogël deputetësh se sa në mandatin e mëparshëm, ajo ka tani një rol kyç, sepse pa votat e saj nuk formohet dot qeveria.

Ermira Mehmeti: Jam qytetare e lirë, ushtroj funksion publik

Lajme të shumta dhe dezinformata në adresë të ish deputetes Ermira Mehmeti po qarkullojnë sot për atë se ajo ka vendosur që të kalojë në një tjetër subjekt politik, por që nuk ka asgjë të vërtetë për faktin se ajo për momentin është duke ushtruar një tjetër profesion publik por jopolitik, shkruan Zhurnal.

“Lidhur me raportimet në disa media, sipas të cilave “Ermira Mehmeti pritet që të kalojë në LSDM”, dëshiroj të bëj këtë sqarim”, thekson znj. Mehmeti duke shtuar se nuk është pjesë e asnjë subjekti politik dhe se të gjitha shkrimet që bëhen dhe transfertat politike i cilëson thjeshtë si spekulime dhe asgjë më shumë.

“Që nga 1 janari i vitit 2017, unë kam ndërprerë të gjitha angazhimet e mia politike. Nuk jam pjesë e asnjë subjekti politik. Unë jam një qytetare e lirë dhe ushtroj një funksion publik jopolitik. Dëshiroj të sqaroj poashtu se asnjë medium nuk më ka kontaktuar dhe as nuk ka kërkuar qëndrimin tim lidhur me këto shkrime të cilat janë publikuar dje dhe sot.

Për sa kohë kjo është kështu, të gjitha shkrimet që përflasin transfertat eventuale politike të mijat, apo edhe angazhimet e mundshme politike tani apo në të ardhmen, i cilësoj thjesht si spekulime dhe asgjë më shumë”, thekson për fund Mehmeti.

Ali Ahmeti dhe Zoran Zaevi takohen në Tetovë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka takuar në Tetovë, kryetarin e Lidhjes Social-demokrate, Zoran Zaev për të diskutuar lidhur me marrëveshjen eventuale mes dy partive për forminin e qeverisë së re të Maqedonisë.

Detaje nga ky takim nuk ende nuk janë dhënë, por siç bëhet e ditur Ahmeti dhe Zaev janë përqëndruar jo vetëm në çështjen e draft-ligjin për gjuhën shqipe, që tani është në fazën fianle, por edhe për modalitetet e funksionimit të qeverisë së re, si dhe dhënien e nënshkrimeve të nevojshme kreut social-demokrat për marrjen e mandatitit nga presidenti Gjorgje Ivanov për formimin e qeverisë.

Zaev do të mandatohet vetëm nëse dy partitë arrijnë marrëveshje koalicionimi së bashku edhe me partinë tjeter Aleanca për Shqiptarët, pa të cilën BDI dhe LSDM nuk kanë 61 deputetë, aq sa duhet për tu miratuar qeveria e re. Para takimit Ahmet- Zaev është zhvlluar një takim mes LSDM dhe Aleancës për Shqiptarët, por edhe nga ky takim nuk janë dhënë detaje. Bisedimet mes tyre kanë nisur pas dështimit të VMRO-së së Nikolla Gruevskit për formimin e qeverisë së re.

BDI-ja në koalicion me VMRO-në ka qenë në dhjetë vitet e fundit.VMRO-ja ka kundërshtuar bisedimet mes BDI-së dhe LSDM-së duke bërë thirrje për formimin e qeverisë nga partitë fituese në bllokun maqedonas dhe shqiptar, që nënkupton mes partisë së tij VMRO dhe BDI-së. VMRO në zgjedhjet e 11 dhjetorit ka fituar 51deputet, LSDM-ja 49, BDI-ja 10, Lëvizja Besa 5, Aleanca për Shqiptarët 3 dhe PDSH-ja 2 deputet.

Maqedoni: Biseda intensive ndërmjet partive për avancimin e gjuhës shqipe

Nuk janë dhënë shumë hollësi nga rrjedha e bisedimeve që po zhvillohen prej më shumë se një jave ndërmjet Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, në koordinim me Koalicionin Aleanca për Shqiptarët, që ndërlidhet me avancimin e statusit të gjuhës shqipe dhe pikave tjera të platformës së partive shqiptare, si kusht për të deponuar nënshkrimet e deputetëve shqiptarë për partinë e Zoran Zaevit.

Artan Grubi, shef i kabinetit te liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, për Radion Evropa e Lirë shkurt ka thënë se propozim-ligji i ofruar nga Këshilli i partive politike shqiptare është absolutisht në përputhje me Kushtetutën dhe se i njëjti është i pa kompromis.

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë tha ndërkaq se grupet punuese intensivisht janë duke punuar në harmonizimin e qëndrimeve sa i përket ligjit që avancon përdorimin e gjuhës shqipe.

Osman Kadiu i cili është konsultuar si ekspert juridik, gjatë hartimit të propozim draftit të ligjit të gjuhës shqipe nga ana e Bashkimit Demokratik për Integrim, në bashkërendim edhe me Aleancën për Shqiptarët për Radion Evropa e Lirë zbulon se drafti i gjuhës shqipe mundëson avancimin e përdorimit të shqipes në jetën publike e politike në Maqedoni.

Kadriu thotë se në masë të caktuar është avancuar përdorimi i shqipes edhe në sistemin gjyqësor, megjithëse nuk mundësohet që proceset gjyqësore të zhvillohen në gjuhën shqipe për shkak se për këtë nevojitet ndryshimi i Kushtetutës.

“Unë do të thosha se vërehet një lloj avancimi juridik sa i përket përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në draftin e propozuar nga partitë shqiptare. Në këtë rast unë do të theksoja dy-tre risi, që vërehet disponim dhe nga pala maqedonase që kryesuesi në seancat plenare nëse është shqiptar, të kryesojë në gjuhën shqipe; në Qeveri ajo që deri më tani nuk ka qenë, parashihet që anëtarët shqiptarë të mund të flasin në gjuhën shqipe; risi e veçantë sa i përket sistemit gjyqësor kemi tek noterët dhe më duhet të theksoj se ky propozim ishte në draftin e propozuar nga Lidhja Social Demokrate. Noterët në ato noteri ku janë shqiptarë dhe nëse palët janë shqiptarë, me kërkesë të palës, noteri aktin e solemnizimit, si dhe aktet tjera që i sjell në kuadër të kompetencave noteri shqiptar t’i lëshojë në gjuhën shqipe”, bën të ditur Osman Kadriu.

Ai tha se të dyja palët, si maqedonase dhe edhe shqiptare, kanë disponim pozitiv për të harmonizuar qëndrimet që të arrihet ujdi rreth ligjit për gjuhën shqipe.

Ndërkohë që partitë politike zhvillojnë bisedimet për ligjin e gjuhës shqipe, gjuhëtarët thonë se është më se e nevojshme që krahas ligjit që do të mundësojë përdorimin e gjuhës shqipe, me ligj të sigurohet dhe mbrojtja e shqipes gjatë përdorimit zyrtar, si dhe mekanizma që do të sanksionojnë ato institucione që do të pengojnë realizimin e kësaj të drejte nga ana e qytetarëve.

“Për fat të keq kjo çështje, do të thotë mbrojtja e gjuhës shqipe gjatë përdorimit zyrtar, nuk është parashikuar në deklaratën e partive politike shqiptare. Një ligj special përkatësisht një ligj për mbrojtjen e gjuhës shqipe mund të sillet duke pësuar ndryshim ligji ekzistues për mbrojtjen e gjuhës maqedonase, pra në të gjitha segmentet ku përdoret mbrojtja e gjuhës maqedonase duhet të shtohet dhe mbrojtja e gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare”, thekson Dervish Alimi, ligjërues në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Tetovës.

Ndryshe, pas dështimit të liderit të VMRO Nikolla Gruevski që të formojë Qeverinë, presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov doli me qëndrimin sedo t`ia japë mandatin asaj partie politike që do të sigurojë shumicën parlamentare.

Pas kësaj, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka kërkuar materiale të nënshkruara si garanci nga ana e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë për realizimin e kërkesave të shqiptarëve të inkorporuara në deklaratën e përbashkët të partive politike shqiptare për të deponuar deputetët shqiptarë nënshkrimin e tyre në mbështetje të mandatarit.

Zeqiri: U sulmova verbalisht e fizikisht në qendër të Shkupit

“Institucionet janë të detyruara të mbrojnë qytetarët dhe jo interesat personale dhe partiake të individëve”, theksoi Zeqiri

SHKUP- Deputeti i Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Muhamed Zeqiri, në një konferencë për shtyp bëri të ditur se mbrëmë është sulmuar në një kafene në qendër të Shkupit.

Zeqiri tha se dëshiron të porositë si deputet dhe qytetar se “ka përfunduar koha e dhunës dhe kushdo që ka kryer dhunë do të përgjigjet”. “Institucionet janë të detyruara të mbrojnë qytetarët dhe jo interesat personale dhe partiake të individëve”, theksoi Zeqiri, duke shtuar se mbrëmë është sulmuar verbalisht dhe fizikisht në qendër të Shkupit.

Duke shpjeguar ngjarjen, deputeti Zeqiri tha se në kafenenë ku ka shkuar bashkë më shoqërinë tij, më herët kishin rezervuar, por përpos asaj, siç theksoi ai, dhjetëra persona janë afruar në tavolinën ku qëndronin dhe kanë kërkuar nga ai të braktisin objektin, sepse “është i padëshirueshëm dhe aty ka pasur aheng privat”.

“Askush askujt nuk ka të drejtë t’ia ndalojë qëndrimin, veçanërisht kur tashmë kishim rezervuar dhe nuk bëhej fjalë për asnjë aheng privat. Pasi ju tregova se tavolina ishte rezervuar më herët, njëri prej tyre e përmbysi tavolinën tonë dhe grupi filloi të na shtyjë jashtë objektit. Derisa e nxirja letërnjoftimin për të ja treguar, njëri nga ata më sulmoi nga pas në pjesën e kokës. Rastin e paraqita në polici”, deklaroi Zeqiri.

Ndër të tjera, ai tha se objekti në të cilin ka ndodhur incidenti është nën vëzhgimin e kamerave dhe policia shumë lehtë mund ta vërtetoj.

Deputeti Muhamed Zeqiri kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme menjëherë të fillojnë hetimet dhe të zbardhin rastin.

Sela: Zaev do t’i ketë nënshkrimet

Në të ardhmen këto takime duhet të mbahen në Parlament. Në debatuam rreth ligjit të gjuhës shqipe. Ligjin do ta propozojë ky trup, jemi duke punuar mbi një propozim, që do të plotësojnë nevojat e shqiptarëve, ka thënë Sela.

Ai gjithashtu ka thënë se qëndrimet janë të qarta dhe se nënshkrimet Zaev do t’i ketë, por kjo nuk do të thotë se do të ketë edhe mbështetje për Qeverinë.

Partitë maqedonase po krijojnë destabilitet, për këtë drejtohuni tek ata, shqiptarët asnjëherë nuk kanë dashur të marrin diçka nga Maqedonia, u përgjigj Ziadin Sela, lideri i Aleancës për Shqiptarët, në pyetjet e mediave të shkruara dhe elektronike të Maqedonisë./Gazeta Express/

BDI-ja ia prezanton LSDM-së mendimet për Ligjin e shqipes

BDI-ja dërgon mbrapsht te LSDM-ja draft/ligjin për shqipen, bashkëngjitur me mendimin e saj rreth disa çështjeve thelbësore që kanë të bëjnë me statusin, zbatimin si dhe harmonizimin e tij me Kushtetutën. Alsat mëson se draft/ligji, i cili është punuar edhe me ndihmë të disa ekspertëve të të drejtës kushtetuese, si dhe LR.PDSH-së, është dërguar në orët e vona të pasdites, pas një shqyrtimi të thuktë mes kreut të BDI-së Ahmeti si dhe nënkryetarëve të partisë, njëkohësisht anëtarë të grupit të punës nga ana e BDI-së në bisedimet me LSDM-në. Modalitetet kërkoheshin prej 2-3 ditësh tashmë, pasi ligji për shqipen si dhe përmbushja e pikave të tjera nga platforma e përbashkët e partive shqiptare, ishin kushtet themelore të BDI-së për koalicionin e mundshëm. Më herët, gjatë ditës së sotme, kreu i BDI-së Ali Ahmeti deklaroi se partia e tij nuk do të shpejtonte në marrjen e vendimit, ndërkohë që pranoi se mbrëmë ka ndarë mendime edhe me kreun e LR.PDSH-së Sela.

Të gjitha gjërat janë duke u analizuar. Mendoj qe në të ardhmen do të ketë një përgjigje konkrete. Këto janë çështje të cilat bisedohen në kuadër të partisë por unë ju siguroj se aty nuk prodhohen bomba atomike. Sigurisht që bisedohet për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me statusin politik dhe juridik të shqiptarëve të Maqedonisë. Ne jemi duke biseduar edhe me partitë e tjera politike sepse duhet të formojmë mendim të përbashkët edhe me partitë politike. Me z. Sela jam takuar dhe sigurisht që kemi këmbyer mendime – deklaroi lideri i BDI-së Ali Ahmeti.

Në diskutim e sipër ka qenë formati i ri i ligjit për përdorimin e shqipes, i cili duhet të jetë jo vetëm në përputhje me kushtetutën, amendamentin V të saj, por njëkohësisht të saktësojë që përkufizimi “gjuha që përdoret nga 20% e popullatës” të ketë një lidhje konkretizuese me termin tjetër “gjuha shqipe”. Një pikë tjetër e rëndësishme ishte edhe ajo që e folura e shqipes në institucione, të respektohet edhe në të shkruar. Në Kuvend, pavarësisht se shqiptarët kishin përkthime për ligjet e caktuara, ato asnjëherë nuk kanë qenë protokolluar me vulë e firma sikurse versioni në maqedonisht, ndërkohë që në qeveri, institucion jo më i rëndësishëm se Parlamenti, shqipja as flitej dhe as shkruhej. Kur çështja e ligjit të shqipes të jetë pranuar nga të dyja palët, ajo shqiptare dhe ajo maqedonase, atëherë partia e Ahmetit pritet të thërrasë edhe kryesinë e saj për të marrë vendimin rreth nënshkrimeve. Pas kësaj faze, siç mëson Alsat, bisedimet me LSDM-në do të vazhdojnë sa i takon resorëve dhe emrave të rinj që do të zënë postet qeveritare. Nënkryetari i LSDM-së Damjan Mançevski deklaroi se nuk ka kohë për të humbur dhe se partia e tij pret konfirmimin në formën e nënshkrimeve.

Përjigjen e presim në formë të nënshkrimeve për marrjen e mandatit për formimin e Qeverisë. Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të përgjegjshëm për momentin në të cilën ndodhet vendi. Absolutisht vendi nuk ka asnjë ditë më shumë për të humbur për të filluar me reformat seriozë për të cilat votuan mbi 600 mijë qytetarë. Ajo që ne për momentin shqyrtojmë është platformë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë dhe siç kemi njoftuar se në rolin e mandatarit për formimin e Qeverisë kryetari Zaev do të hyjë në detaje për platformën – tha Damjan Mançevski.

Me vendimin e tillë të dhënies së nënshkrimeve LSDM-së, partia e Zaevit bëhet zyrtarisht mandatar, dhe dy partitë ligjërojnë edhe afatet kushtetuese për 20 ditë të tjera për bisedimet mes tyre.

OBSH: Tetova, qyteti me ajrin më të ndotur në Evropë

Të dhënat e publikuara flasin se qyteti më i ndotur në Evropë është Tetova me 81 mikrogramë të grimcave PM2.5 për një metër kub

SHKUP – E përditshmja britanike “The Guardian” ka publikuar një artikull nga të dhënat e mbledhura për ndotjen e ajrit me grimcat PM2.5 në nivel botëror, të cilat i ka klasifikuar në bazë të kontinenteve, pa përfshirë Turqinë.

Të dhënat e publikuara flasin se qyteti më i ndotur në Evropë është Tetova me 81 mikrogramë të grimcave PM2.5 për një metër kub, me përshkrimin se në Tetovë, vrapimi të bën më shumë dëm se dobi.

Qyteti i dytë më i ndotur është Tuzlla në Bosnjë e Hercegovinë me 65 mikrogramë të grimcave PM2.5 ndërsa në vendin e tretë është sërish një qytet nga Maqedonia, respektivisht kryeqendra e saj Shkupi me 45 mikrogramë të grimcave PM2.5.

Të dhënat e “The Guardian” janë marrë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në bazë të të cilës qyteti më i ndotur në botë është Zaboli i Iranit me 217 mikrogramë të grimcave PM2.5.

Pas tij radhiten Gwalior (Indi) me 176 mikrogramë PM2.5, Allahabad (Indi) me 170, Rijad (Arabi Saudite) me 156 dhe Al Jubail (Arabi Saudite) me 152.

Lista e dhjetë qyteteve më të ndotura në Evropë pa Turqinë: Tetovë (Maqedoni) 81 mikrogramë grimca PM2.5 për metër kub Tuzlla (BeH) 65, Shkupi (Maqedoni) 45, Zywiec (Poloni) 43, Dimitrovgrad (Bullgari) dhe Pljevlja (Mali i ZI) me nga 42, Rybnik (Poloni) dhe Manastir (Maqedoni) me nga 40 dhe Wodzislaw Slaski (Poloni) 39.

Dhjetë qytetet më të ndotura në Evropë përfshirë Turqinë: Tetova 81, Batman (Turqi) dhe Hakkari (Turqi) nga 67, Gaziantep (Turqi) 66, Tuzlla 65, Siirt (Turqi) 61, Ayfon (Turqi) 60, Karaman (Turqi) 57, Igdir (Turqi) 54 dhe Isparta (Turqi) 52. aa

Kurz: Evropa duhet të vendosë se kush mund të emigrojë në Evropë

Bashkëpunimi i mirë mes Maqedonisë dhe vendeve anëtare të BE-së dëshmoi se mund të ballafaqohemi me shumë sfida të pabesueshme, tha Poposki

SHKUP – Kryesuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për vitin 2017 dhe ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Austrisë, Sebastian Kurz, i cili qëndron për vizitë në Republikën e Maqedonisë, pas takimit me homologun e tij maqedonas, Nikolla Poposki, deklaroi se “bashkëpunimi mes Maqedonisë dhe Austrisë, veçanërisht ai politik dhe ekonomik, tregon se Austria mbështet fuqishëm Maqedoninë në rrugën e reformave dhe në rrugën e saj drejt afrimit me Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).

Kurz falënderoi Maqedoninë për të cilën tha se me punën e saj në kufirin jugor ka ruajtur kufijtë e Austrisë, por edhe të vendeve tjera evropiane.

“Mbyllja e rrugës ballkanike dhe marrëveshja me Turqinë dëshmuan se është i mundur menaxhimi i kësaj situate dhe është e mundur mbyllja e kufijve. Unë ju falënderoj, ne kemi bërë një punë të shkëlqyer në mbarë territorin e Shengen-it. Shpresoj se do të bëjmë edhe shumë hapa të mëtejshme. Ne si Evropë duhet të vendosim se kush mund të emigrojë në Evropë dhe kush nuk mundet. Nuk duhet që këtë vendim t’ua lëmë trafikantëvve me njerëz”, deklaroi Kurz.

Ndërkaq, ministri Nikolla Poposki deklaroi se në pikën kufitare greko-maqedonase gjatë viteve të fundit janë parë momente shumë të vështira, megjithatë siç tha ai, u dëshmua se me bashkëpunim të mirë mes Maqedonisë dhe vendeve anëtare të BE-së, mund të ballafaqohemi me shumë sfida të pabesueshme.

“Kriza e emigrantëve tregoi edhe se Austria ishte bashkë me Maqedoninë në momentet më të vështira dhe për arsye të mira, jo vetëm për t’iu shmangur një krize humanitare në të cilën padyshim arritëm sukses, por arritëm të ruajmë edhe vlerën më të çmuar për Evropën dhe ajo është liria e lëvizjes së njerëzve”, deklaroi Poposki.

Poposki shtoi se një nga prioritetet e kryesimit të Austrisë me OSBE-në janë migrimi, lufta kundër terrorizmit, radikalizmi, ekstremizmi i dhunshëm, fusha të cilat Austria dhe Maqedonia kanë interes të njëjtë.

Diplomati austriak dhe ai maqedonas folën edhe rreth gjendjes politike aktuale në Maqedoni, pas mosarritjes së marrëveshjes për formimin e qeverisë në mes subjekteve politike në vend. Kurz konsideron se kriza politike përfundoi me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit të kaluar dhe në ato kohë situata ishte e vështirë, ndërsa tani sipas tij, mbetet vendimi i partive politike që të vazhdojnë reformat e mëtejshme për anëtarësim në BE.

Në lidhje me plarformën e përbashkët të partive shqiptare, me anë të së cilës kërkohen disa të drejta të shqiptarëve në Maqedoni, Kurz u shpreh se nuk dëshiron ta komentojë, por theksoi se me rëndësi është se zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishin të drejta dhe demokratike, si dhe u pranuan nga të gjithë pjesëmarrësit.

Më herët, ministri Nikolla Poposki dhe Sebastian Kurz vizituan kufirin jugor greko-maqedonas, ku deri para një viti u zhvillua fluksi më i madh i refugjatëve nëpër të ashtuquajturën “Rrugën ballkanike”. Kurz nga homologu i tij maqedonas u njoftua mbi situatën aktuale dhe tentimet për kalim ilegal në kufirin greko-maqedonas.​

Gruevski shpërthen: Hoxhallarët shqiptarë më rrëzuan nga pushteti!

Ish-kryeministri Nikolla Gruevski ka akuzuar hoxhallarët se kanë bërë fushatë kundër partisë së tij para zgjedhjeve të 11 dhjetorit.

“Në këto zgjedhje edhe pse themi se ishin demokratike, ju kishte paraprirë një ndikim serioz nga jashtë që të dobësohen pozitat e VMRO DPMNE-së. Faktorë të ndryshëm nga jashtë kishin punuar që t’i ndihmojnë LSDM-së. Një pjesë është bërë nëpërmjet mediave, kurse një pjesë tjetër ishte bërë nga një hoxhë në tjetrin. Tani është moderne tek shqiptarët që të jesh kundër VMRO DPMNE-së”,-ka thënë Gruevski.

Gruevski ka thënë se nuk do t’i ndihmojë më në të ardhmen kandidatët shqiptarë në zgjedhje lokale, siç raporton Albeu.

Ai edhe një here ka përsëritur kërkesën e tij se është për zgjedhje të parakohshme parlamentare që do të mbaheshin së bashku me ato lokalet.

BDI dhe LSDM pranë koalicionit

LSDM dhe BDI janë shumë afër marrëveshjes për koalicion qeveritar ndërsa në këtë koalicion do të përfshihet edhe Aleanca për Shqiptarët me tre deputetët e saj.

Bisedimet po vazhdojnë ndërsa mosmarrëveshjet kryesore ka të bëjë me insistimin e BDI për zyrtarizimit e gjuhës shqipe, për të cilën LSDM po këmbëngul që të mos bëhet në nivel republikan por lokal.

Një pikë tjetër ku ekzistojnë mosmarrëveshje është edhe mënyra e bërjes së koalicionit, shkruan Albeu.

LSDM insiston që të merren vesh mbi parimet dhe pasi të formohet qeveria të flitet për detajet dhe të bëhen ndryshimet ligjore, ndërkohë që BDI këmbëngul që të gjitha ndryshimet të bëhen që në fillim, në momentin e krijimit të koalicionit për të mos lënë derë të hapur për mosrealizim të premtimeve.

Mbetet të shihet në ditët në vazhdim se si do të përfundojë edhe ky skenar i mundshëm. (INA)

Takim LSD-BDI për qeverisjen e ardhshme të Maqedonisë

Zyrtarë të lartë të partive Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim u takuan të hënën në Shkup për të biseduar në lidhje me të ardhmen e qeverisë së re, që duhet të dalë bazuar në zgjedhjet e 11 dhjetorit. Ky është takimi i parë i përfaqësuesve të dy partive, qëkur i mandatuari i parë Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE-së nuk arriti të formojë kabinetin qeveritar. Megjithatë, dy partitë ende duket se janë larg një marrëveshjeje, ndonëse takimi u cilësua si konstruktiv nga të dyja palët.

BDI-ja përfaqësohej nga tre nënkryetarët, Teuta Arifi, Nevzat Bejta dhe Izet Mexhiti, të cilët janë kryetarë të komunave të Tetovës, Gostivarit e Çairit në Shkup. Ndërkaq, nga Lidhja Social Demokrate po ashtu ishte e pranishme nënkryetarja Radmilla Sheqerinska si dhe Renata Deskoska, Stevo Pendarovski dhe Oliver Spasovski. Takimi u mbajt në një prej hoteleve të Shkupit.

Teuta Arifi u tha mjeteve të informimit se kishin paraqitur kërkesat tashmë të njohura në bisedime, por pa njoftuar për hollësi të tjera. BDI-ja do të diskutojë me kryesinë e saj për veprimet e mëtejshme.

Ndërkaq, Radmilla Sheqerinska tha se ishte biseduar për atë se si të dilet nga kriza politike, të cilën po e imponon, sipas saj, presidenti i vendit Gjorgje Ivanov duke mos ia dhënë mandatin për formimin e qeverisë partisë së dytë më të madhe, në këtë rast LSDM-së. Ajo la të kuptohej se bisedimet me BDI-në do të vazhdojnë brenda ditëve të ardhëshme. Në lidhje me kërkesat e partive shqiptare, LSDM-ja do të mblidhet mbase qysh sonte, për t’i shqyrtuar apo për të marrë një qëndrim.

Partitë shqiptare hartuan një deklaratë të përbashkët pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, me anë të së cilës kërkojnë zyrtarizimin e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet në të gjithë territorin e Maqedonisë, mbështetje për Prokurorinë e posaçme në hetimin dhe zbardhjen e rasteve që dalin nga skandali i përgjimeve dhe avancime të tjera të të drejtave të shqiptarëve në vend.

Nga ana tjetër, një pjesë e analistëve politikë vlerësojnë se qëndrimi i presidentit Ivanov përputhet me planet e VMRO-DPMNE-së për zgjedhje të reja, ndërsa nuk përjashtohet as mundësia që nëse edhe BDI-ja nuk pranon koalicionin qeveritar me LSDM-në, të mbështesë zgjedhjet e sërishme parlamentare.

LSDM-së i duhen 61 nënshkrime të ligjvënësve për ta marrë mandatin për formimin e qeverisë. Ajo vetë ka 49. BDI-ja ka 10, Lëvizja Besa 5, Aleanca për shqiptarët 3 dhe Partia Demokratike Shqiptare 2 deputetë. Njohësit e rrethanave thonë se ligjvënësit mund të mblidhen vetë, të zgjedhin kryetarin e Parlamentit dhe ta miratojnë kabinetin qeveritar, nëse presidenti Ivanov nuk e jep mandatin.

Sidoqoftë, një skenar i tillë do të thellonte edhe më tej krizën politike në vend.

Nis përdorimi i shqipes në Maqedoninë jugore

Për hërë të parë pas pavarësisë së vendit, në rajonet e Maqedonisë jugore kanë filluar të vendosen tabelat në dygjuhësi.

Agjencia e lajmeve INA publikon një foto të tabelës së shkruar në shqip dhe maqedonisht, që tregon drejtimin për në Manastir dhe Krushevë.

Deri më tani nuk pasur asnjë reagim nga qytetarët maqedonas, të cilët e pranojnë realitetin dhe të vërtetën.

Eduard Kukan kritika Edi Ramës për Platformën shqiptare

“Të ftohen subjektet politike shqiptare nga Maqedonia, të diskutohet platforma e tyre dhe çfarë duhet të bëjnë kur të kthehen në vendin e tyre, mendoj se është me të vërtetë e tepruar”, tha Kukan

SHKUP – Deputeti i Parlamentit Evropian (PE), Eduard Kukan, dënoi fuqishëm platformën shqiptare të arritur nga subjektet politike shqiptare në Maqedoni, platformë e cila sipas tij, është përgatitur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç shkruan agjencia e lajmeve shtetërore MIA, Kukan i cili është në krye të Partisë Popullore Evropiane (EPP) në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), ka thënë se një platformë e tillë është krejtësisht e papranueshme si për të, ashtu edhe për Bashkimin Evropian.

“Shqipëria gjithmonë ka pasur rezultate të mira në drejtim të bashkëpunimit rajonal dhe ajo vlerësohet, por tani do të ndalemi këtu. Aktivitetet e kryeministrit të Shqipërisë pas zgjedhjeve në Maqedoni, për mua janë krejtësisht të papranueshme. Të ftohen subjektet politike shqiptare nga Maqedonia, të diskutohet platforma e tyre dhe çfarë duhet të bëjnë kur të kthehen në vendin e tyre, mendoj se është me të vërtetë e tepruar. Unë jam i befasuar që askush nuk e përmendi publikisht, por unë e di se ka shkaktuar shumë kritika. Kjo nuk është mënyra për të kryer punët”, ka deklaruar eurodeputeti Kukan.

Platforma e përbashkët mes subjekteve politike shqiptare në Maqedoni u arrit pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar, me ndërmjetësim e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Përmes kësaj platforme të përbashkët ku përfshihen disa kërkesa për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, liderët e partive politike shqiptare zotohen se nuk do të marrin pjesë në Qeverinë e re në Maqedoni, nëse nuk zbatohen kërkesat e theksuara në të.

MPJ e Maqedonisë: Fqinjët të merren me problemet e tyre, e jo me Maqedoninë

Në lidhje me komentet e fundit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili si mysafir në një emision televiziv gjatë vizitës së tij të djeshme në Kosovë tha se “maqedonasit duhet të dinë se Maqedonia nuk mund të ekzistojë pa shqiptarët”, ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë.

Në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashme thuhet se, “Politikanët nga fqinjësia të cilët me këmbëngulje tentojnë ta tërheqin vëmendjen nga problemet në vend, me ndezje të zjarrit te fqinjët shkojnë në kundërshtim me vlerat evropiane. Natyrisht që më tërheqëse është të merren me vendet fqinje në kushte kur vështirë se u shkon me nevojat reale të qytetarëve në vendin e tyre. Megjithatë, për të gjithë do të jetë më e mirë të përkushtohen në reformat që i kanë shumë të nevojshme para se të ëndërrojnë për udhëheqje dhe të krijojnë ndarje në rajon”.

Në reagim më tej thuhet se “Maqedonia nuk ka qëllim të veçantë që të lëshohet në analiza për atë se kush përzihet dhe për çfarë qëllimi”. Prej atje theksojnë se praktika dëshmon se vendimet e mira për Maqedoninë duhet të rrjedhin nga interesat e qytetarëve të këtij vendi dhe qëndrimi i tillë është në funksion të integrimit evropian të vendit.

“Vetëm një Maqedoni sovrane, efektive dhe efikase mund të kontribuojë në projektin i cili është masivisht i mbështetur nga qytetarët e Maqedonisë”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë.

Kryeministri Edi Rama foli edhe për platformën e përbashkët shqiptare për të cilën tha se “nuk është provokim, por ajo del nga Marrëveshja e Ohrit, si dhe se nuk është e rëndësishme se kush do të formojë qeverinë e re, Gruevski apo Zaev, por e rëndësishme është pranimi i platformës shqiptare”.​

Rusia kërcënon: Ose qeveri me Gruevskin dhe Ahmetin, ose destabilizim të rajonit

SHKUP – Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Federatës Ruse përmes një reagimi me shkrim është shprehur se “konstaton thellim të krizës politike në Maqedoni dhe se shihet qartë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare ‘të shkaktuara artificialisht’ që u mbajtën më 11 dhjetor të vitit 2016 nuk kontribuan për zgjidhjen e situatës”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në reagim theksohet se nën sloganet pseudodemokratike vazhdon ndikimi i thellë i jashtëm ndaj forcave politike në Maqedoni.

“Qëllimi është i qartë – Perëndimi të pastrojë me politikanët e padëshirueshëm maqedonas, edhe krahas vullnetit të shprehur të qytetarëve në zgjedhje në dobi të koalicionit ‘Për Maqedoni më të mirë’ në krye me Nikolla Gruevskin dhe Bashkimit Demokratik për Integrim në krye me Ali Ahmetin”, thuhet në reagimin e MPJ-së ruse.

Nga atje theksojnë se “shqetësim të posaçëm shkakton fakti që në Maqedoninë multi-etnike dhe multi-kulturore ku kishte konflikt të rëndë ndëretnik, politikanët nga njëra bashkësi etnike në bazë të kërkesave ultimative të diktuara nga jashtë zgjedhin se cili nga blloqet e bashkësisë tjetër të hyjë në përbërjen e koalicionit të ardhshëm qeveritar”.

Në vijim të reagimit thuhet se “manipulimi i paturpshëm makiavelist me vullnetin e votuesve mund të shkaktojë eskalim të situatës në Maqedoni dhe ta prishë stabilitetin e brishtë në të gjithë rajonin”.

“Jemi të bindur se vetëm refuzimi i plotë i ndikimeve të dëmshme të jashtme, fokusimi i demokracisë së vërtetë dhe zgjidhja e pavarur e problemeve të brendshme të vendeve të Ballkanit janë bazë për përforcim të besimit mes popujve të cilët jetojnë këtu dhe formim të klimës rajonale për siguri”, thuhet në fund të reagimit të Minsitrisë së Punës së Jashtme të Federatës Ruse.​

Zaevi pret që presidenti Ivanov t’i japë mandatin për formimin e qeverisë së re

Zaevi tha se ende nuk i ka siguruar 61 mandate për të formuar shumicën, por shprehu bindje se do të arrijë ta bëjë atë

SHKUP – Lideri i opozitës maqedonase, Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, në një konferencë për media deklaroi se pret që presidenti i vendit t’i japë mandatin për formimin e qeverisë së re, pasi që VMRO-DPMNE e cila ishte parti fituese në zgjedhjet e fundit nuk arriti marrëveshje me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) për koalicion në përbërjen e Qeverisë së re.

Zaev tha se ende nuk i ka siguruar 61 mandate për të formuar shumicën, por shprehu bindje se do të arrijë ta bëjë atë. Ai shtoi se do të formojë një qeveri që do të sigurojë interesat strategjike të qytetarëve të Maqedonisë, siç tha ai, për të ecur drejt integrimit euro-atlantik.

“Pres që Gjorge Ivanov të më jep mandatin për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Maqedonisë. Të gjitha opsionet e tjera janë shkelje e Kushtetutës dhe shpërdorim i detyrës. Për të gijthë opinionin vendas dhe ndërkombëtar tashmë 50 ditë është e qartë, nga dita e zgjedhjeve, se qytetarët zgjodhën ndryshimin”, deklaroi lideri i opozitës maqedonase.

Në pyetjen se cili është qëndrimi i tij në lidhje me platformën shqiptare të arritur mes subjekteve politike shqiptare në vend, Zaev tha se ata si parti kanë një qëndrim të qartë, por do të njoftojnë pas marrjes së mandatit për formimin e qeverisë së re.

“Pas të gjithave mund edhe ta vëreni, ne përkrahim një shoqëri për të gjithë. Qëndrimi ynë është qytetari në qendër të vëmendjes në qeverinë e re. Nga këtu, ne jemi plotësisht pozitiv në lidhje me këto aspekte dhe sa më parë të marrim mandatin, do të jemi tranparent për të gjithë qytetarët”, tha Zaev.

Ndërkohë, nga kabineti i presidenti Ivanov njoftojnë se presidenti pret njoftimin zyrtar nga Kuvendi, pas çka do të fillojë me konsulltime me institucionet kompetente dhe partitë politike.

“Duke pasur parasysh skadimin e afatit të caktuar në nenin 90 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë është i obliguar ta njoftojë presidentin nëse mandatari ka parashtruar program dhe propozim për përbërje të Qeverisë së re”, thuhet në qëndrimin e presidentit Ivanov.

Poashtu, edhe Bashkimi Evropian (BE) reagoi duke theksuar se tani pritet që presidenti Ivanov të realizojë konsultim urgjent me forcat politike në vend dhe të caktojë lider për formim të “qeverisë sa më të gjerë të mundur”.

Siç njofton agjencia shtetërore e lajmeve MIA, zëdhënësja e Qeverisë joformale të BE-së, Maja Kocijançiq, paralajmëroi se “vendi nuk ka kohë për të humbur”. Ajo apeloi deri tek të gjithë aktorët në Maqedoni, përfshirë edhe presidentin e vendit, të veprojnë në mënyrë të qetë dhe konstruktive me përgjegjësi të plotë për zgjidhje të situatës aktuale.

“Një koalicion i këtillë duhet të jetë sa më i gjerë që mundet dhe të mbështetet në konsensus inkluziv reformues dhe bashkëpunim ndëretnik. Presim nga Qeveria e ardhshme dhe nga të gjitha forcat politike në vend të vazhdojnë me zbatimin e Marrëveshjës së Përzhinës dhe zgjidhjen e prioriteteve urgjente reformuese”, ka deklaruar Kocijançiq.

Ndryshe, afati për formimin e qeverisë së re skadoi në mesnatë, pasi që më 9 janar të këtij viti presidenti Gjorgje Ivanov ia ndau mandatin liderit të VMRO-DPMNE-së, gjegjësisht partisë e cila në zgjedhjet e parakohshme parlamentare fitoi më shumë vota.

Kujtojmë se në zgjedhjet e parakohshme paralamentare të 11 dhjetorit të vitit 2016, VMRO-DPMNE-ja arriti të fitojë 51 mandate, pastaj LSDM-ja 49, BDI-ja 10, BESA 5, Aleanca për Shqiptarët 3 dhe PDSH-ja 2 mandate.

Maqedonia pa qeveri të re, dështojnë bisedimet VMRO-BDI

Shkup

 

Kanë dështuar bisedimet mes VMRO DPMNE-së dhe BDI-së për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë.

Pak para skadimit të afatit të mandatarit Nikolla Gruevski, të dielën në mesnatë, BDI-ja që drejtohet nga Ali Ahmeti ka njoftuar se nuk ka gjetur pika të përbashkëta për koalicion me VMRO-në, ndërsa nuk ka miratuar as ndonjë vendim tjerë lidhur me pesë pikat e saj, për koalicion me LSDM-në, për zgjedhje të parakohshme, qeveri të zgjeruar apo mbetjen e saj në opozitë.

Në mënyrë unanime kemi konstatuar se për momentin nuk kemi argumente të mjaftueshme për t’u përcaktuar për njërin nga pesë opsionet të cilët i kemi në tavolinë, kështu që debatet dhe konsultimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim”, ka deklaruar zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, pa dhënë detaje se çfarë është pranuar dhe çfarë jo nga VMRO DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit.

BDI-ja në bisedime me këtë parti ishte futur me kërkesat që janë pjesë e deklaratës së partive politike shqiptare, tri prej të cilave për të ishin të panegociueshme: zyrtarizimi i gjuhës shqipe, vazhdimi i mandatit të Prokurorisë Speciale dhe procesi i integrimit euroatlantik të Maqedonisë

“Për ne,ishte me rëndësi të respektohet vullneti i qytetarëve shqiptar, kontratën që e kemi nënshkruar me ata, vendimin ta kemi sa më të mirë dhe të bazuar në argumente. Vlerësojmë se sot nuk është shterur ai debat dhe nuk mund të sillnim një vendim. Vlerësoj se më me rëndësi është vendimi i duhur se sa vendimi në kohë”, ka theksuar Osmani

Edhe VMRO DPMNE-ja ka njoftuar për dështimin e bisedimeve ndërsa si mundësi për dalje nga kriza e re ka përmendur mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

“VMRO-DPMNE konsideron se formimi i qeverisë duhet të jetë në funksion të mbylljes së krizës politike, e jo të thellimit të saj. VMRO-DPMNE konsideron se mbajtja e zgjedhjeve të reja është vendim i pjekur, ndërsa në funksion të tejkalimit të krizës dhe vendosjes së reformave prioritare në plan të parë”, thuhet në komunikatën e publikuar menjëherë pas vendimit të BDI-së.

Çdo zgjidhje tjetër, sipas VMRO-DPMNE-së “do të çojë drejt konfliktit të ri në shoqërinë edhe ashtu të ndarë dhe nuk do të jetë në funksion të qëndrueshmërisë dhe realizimit të qëllimeve programore. VMRO pretendon se “dikush dëshiron të anashkalojë vullnetin e shumicës së qytetarëve dhe ta fusë Maqedoninë në një fazë të re pasigurie.”

Pas dështimit të Nikolla Gruevskit mbetet dilema nëse Presidenti Gjorgje Ivanov do t’i jep mandatin partisë së dytë, në këtë rast LSDM-së së Zoran Zaevit, për të nisur bisedimet për formimin e qeverisë së re.

Ditëve të fundit ka pasur vlerësime të ndryshme që pretendojnë se Presidenti duke u bazuar në paqartësitë që dalin nga Kushtetuta, mund të taktizojë për të anashkaluar LSDM-në dhe mandatin sërish t’ia delegojë një anëtari tjetër të VMRO-së.

Por, ekspertët juridikë edhe në rastin e parë kanë konstatuar shkelje nga ana e presidentit, pasi, sipas tyre, mandati iudha Gruevskit pa u siguruar paraprakisht nëse ai e kishte shumicën parlamentare ashtu siç kërkohet me Kushtetutë.

Gruevski: Historia e një antishqiptari Nga Petrit Saraçini

Ndoshta në kilometra, Shkupi e Tetova nuk duken aq larg nga Prishtina e Tirana, por shikuar nga distanca e ofruar prej byrove të analistëve mendjehollë, duken larg sikur Plutoni. Ai planeti, në skaj të Sistemit Diellor. Ose, sikur nuk flasim për të njëjtën situatë, vend, e për të njëjtin njeri.

Po të më pyesni mua, më duket shumë më i përafërt varianti se këta zëra që kakarisin budallallëqe, kanë qenë “të lyer” e “të akorduar”, në mënyrë adekuatë, për të kënduar këtë “këngë të bukur” e për t’i thurur lavde Gruevskit. Kësaj, në shkencën e profesionin që i përfaqësoj, i thonë klientelizëm mediatik. Ose, instrumentalizim i medies për qëllime dhe përfitime politike e të tjera.

Por, ta zëmë se jam gabim.  Ta zëmë se mbi 90 për qind të shqiptarëve, të cilët në të gjitha sondazhet relevante (e bile edhe në ato jo relevantet) në Maqedoni për të gjitha këto vite janë shprehur negativisht ndaj Gruevskit, qenkan budallenj.

Ja, ta zëmë që, ajo që Gruevski është “gogol” për shqiptarët e Maqedonisë, nuk është rezultat i asaj që ai në vazhdimësi ka përdorur shqiptarët si “gogol”. Si material, për të sendërtuar politikën kyçe me të cilën ai fiton vota – antishqiptarizmin, si bazë nismëtare për “patriotizmin” e tij.

Ja, të themi që shqiptarët nuk qenkan “gogoli”, i cili në këto 10 vjet i ka kryer më shumë punë Gruevskit sesa të gjithë “gogolët” tjerë së bashku. Duke filluar nga greku dhe çështja e emrit, Brankoja (ish-lideri i LSDM-së, edhe një “gogol” i vjetër, edhe për shqiptarët), Amerika, Evropa, masonët, fuqitë e errëta, furgonët e verdhë me antena që u “shfaqën” sipas Gruevskit gjatë skandalit të përgjimeve, shërbimet e huaja, Zaevi, për të përfunduar me “gogolin” e fundit – Sorosin famëkeq.

E po, çfarë të mirash na solli Gruevski neve shqiptarëve të paditur të Maqedonisë, që jeni rrokur penash, o ju të ndriturit e kombit, për të na nxjerrë nga terri? E di që nuk e dini, sepse ju nuk merreni me cikërrimat, siç janë faktet.

Love me tender: Gruevski – Ahmeti

Po, jua them unë. Në paçi durim të lexoni përtej titullit e shumë-shumë dy paragrafëve, që do të ishte edhe një e arritur intelektuale për ju. E për të tjerët, sidomos për shqiptarët e Maqedonisë, le të jetë kjo një përsëritje e strukturuar e asaj që kanë shijuar në lëkurën e vet, një rekapitullim i historisë politike të Gruevskit, përmes “të mirave” të tija ndaj shqiptarëve, të bëra drejtpërsëdrejti por edhe tërthorazi.

“Të mirat” për të gjithë, përfshirë dhe shqiptarët

Ja, të themi, se shqiptarët janë të helmuar, siç thotë tash Gruveski, nga Sorosi dhe propaganda e tij.

Mirëpo, i njëjti ai Gruevski, para pak më shumë se dy vitesh, kishte fajtor tjetër. Ata që mbajnë mend mirë (e për ata që nuk mbajnë mend, rroftë Google), mu para zgjedhjeve (përsëri të parakohshme) parlamentare në Maqedoni në vitin 2014, Gruevski iu drejtua në fushatë me video klip – shqiptarëve. Atëherë, për imazhin e tij të keq te ata nuk e fajësoi Sorosin, por partitë e shqiptarëve, të cilat ia paskëshin vjedhur meritat për projektet dhe e paskëshin paraqitur keq para tyre.

Në atë klip legjendar, Gruevski i fajëson partnerët e tij shqiptarë se kanë menduar shumë më tepër për interesat personale, sesa për ato të popullit. Se nuk kanë menduar për punësime, për ekonomi, për infrastrukturë, por i kanë gënjyer me gjuhë e flamur. Përkundër këtyre mashtruesve (me të cilët tash bën negociata për qeveri), lavdërohet me të mirat që ai ua paska bërë votuesve shqiptarë, enkas, por edhe në kuadër të të mirave “për të gjithë qytetarët”.

Dhe, filloi të rendisë, ato që i rendit çdo ditë, në dhjetëra mediet që kontrollon propaganda e tij.

Filloi me subvencionet për bujqit (që i marrkan edhe shqiptarët) – përderisa bujqësia çdo vjet në Maqedoni prodhon më pak (e thotë Enti Shtetëror i Statistikës), e subvencionet janë edhe një skemë për korruptim dhe shantazh të votuesve. Përmendi aparaturën dhe modernizimin e spitaleve (ku shkojnë të gjithë, a po) – në të cilat çdo ditë vdesin njerëz, shpesh nga pakujdesia dhe amatorizmi, mungesa e kuadrove, mjeteve, barnave….U lavdërua me studimet e disperzuara – në fakt, me reformën e dështuar kolosalisht në arsimin sipëror, që prodhoi dhe prodhon analfabetë funksionalë. Foli për bursat për shkollim në universitetet elite botërore, të cilat s’e besoj t’i ketë shijuar ndonjë shqiptar, së paku jo nga “plebenjtë” jashtë BDI-së.

Vazhdoi me premtimet me autostradat, që do të filluaka t’i ndërtojë (e që do t’i shfrytëzuakan edhe shqiptarët) dhe rrugët në vendbanimet me shqiptarë. Hej, në 2014-ën, pas tetë viteve pushtet me vetëm tetë kilometra të ndërtuara, i ra ndër mend që shteti i ka mbetur pa autostrada, ose me asfaltin e arnuar nga koha e Titos! Apo, s’iu kujtua që për tetë vite rresht deri atëherë nuk bëri asgjë, përkundrazi, e frenonte sa mundte Korridorin 8, i cili përfshin edhe Shqipërinë?

Si zakonisht, u lavdërua me uljen e papunësisë, në vendin me mbi gjysmë milionë banorë të emigruar brenda 10 viteve të fundit, sipas Bankës Botërore! Në vendin në të cilin një e treta e popullatës jeton në varfëri të skajshme, e pothuajse 60 për qind e rinisë është pa punë! Merreni me mend, sa shumë të mira u paska bërë Gruevski, jo vetëm shqiptarëve, po mbarë qytetarëve të Maqedonisë, pavarësisht përkatësisë!

Nejse, e zgjata pak me elaboratin e të mirave për shqiptarët, të thëna e sublimuara nga Gruevski në vitin 2014. Për pak do t’i harronim të pathënat. E lista e tyre është shumë më e gjatë, sepse ky njeri më shpesh i realizon ato që nuk i premton, sesa ato që i premton. Por, do të veçojmë disa prej “të mirave” kryesore që ai dhe pushteti i tij ua bënë shqiptarëve, si dhe anasjelltas.

 Mjeshtri i “të pathënave”: Nga ngritja në opozitë, deri te marrja e pushtetit dhe forcimin e tij – me antishqiptarizëm

Fillimisht, na nevojitet një hyrje dhe kontekst. Gruevski, prej një personi që konsiderohej i pagdhendur politikisht dhe nën hijen e patronit të tij politik, ish-kryeministrit dhe liderit të VMRO-së Georgievskit, nisi rritjen e tij në rejtingje dhe në yjësinë politike në Maqedoni në vitin 2004, si lider i sapoardhur i partisë më të madhe opozitare, mu me çështjen e ligjit për ndarjen territoriale, që mundësoi një pozitë pak më të favorshme për shqiptarët sa u përket komunave dhe vetëqeverisjes lokale.

Anti-NATO transparent në kundër-protestat e VMRO-DPMNE

VMRO-DPMNE, atëbotë e sulmoi ligjin e sjellë nga qeveria LSDM-BDI si një koncesion ndaj shqiptarëve që çon në federalizim dhe ndarje të shtetit (ju duket e njohur?). Atë vit, opozita nisi zyrtarisht iniciativën për referendum për të parandaluar ligjin. Referendumi, në të cilin dominoi retorika antishqiptare, dështoi, sepse LSDM-ja dhe BDI-ja (dhe shqiptarët në përgjithësi) e bojkotuan referendumin. Mirëpo, Gruevski dhe VMRO-ja opozitare fituan mbi 500.000 vota, që e tregoi qartë trajektoren e fituesit të ardhshëm – në zgjedhjet parlamentare, dy vjet më vonë.

Mirëpo, Gruevski nuk u ndal këtu. Ai para zgjedhjeve të 2006-s përsëriste shpesh publikisht se do të vendosë “moratorium në çështjet ndëretnike”, se për të Marrëveshja e Ohrit është çështje e mbyllur, se do të fokusohet në ekonomi…E më së shumti përsëriste se ai “nuk do të bëjë qeveri me terroristë”. Pas zgjedhjeve të 2006-s, të cilat i fitoi me shumicë të ngushtë, Gruevski i realizoi synimet e veta. Edhe krahas asaj që BDI fitoi përsëri shumicën dërrmuese të votave shqiptare, ai për bashkëqeverisje zgjodhi partnerin e vjetër, PDSH-në e Menduh Thaçit.

Dy vitet e ardhshme, kaluan me pak ekonomi, e më shumë në bllokada e bojkote parlamentare të BDI-së. Në nëntor të vitit 2007, njësitet speciale të policisë maqedonase u futën me armatim të rëndë në fshatin Brodec të Tetovës dhe u përleshën me një grup të armatosur shqiptar, që rezultoi me 8 shqiptarë të vrarë e dhjetëra të arrestuar, por edhe me qindra banorë të bastisur, të rrahur e keqtrajtuar në forma të ndryshme.

Brodec, 2007

“Ekonomisti i fokusuar” Gruevski ndërkohë ,si duket, ndërroi fokusin. Riemërtimet e aeroportit, stadiumit dhe autostradës me emrat e Lekës së Madh dhe Filipit të II, i dhanë pretekst Greqisë për të paraqitur këtë në arenën ndërkombëtare si provokacion, si pretendim territorial dhe vjedhje të historisë. Kjo më vonë rezultoi me veton greke për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO në Samitin e Bukureshtit në vitin 2008. Me këtë, Gruevski për një periudhë më të gjatë kohore e “frenoi” aspiratën pothuajse unanime të shqiptarëve të Maqedonisë për integrim në Perëndim dhe strukturat euroatlantike.

Po atë vit, Gruveski shfrytëzoi dëshpërimin mbarëkombëtar me veton te maqedonasit dhe me zgjedhje të shpejta (kuptohet) të parakohshme parlamentare, me ndihmën e BDI-së, me të cilën bëri Marrëveshjen e Majit, të cilën nuk e respektoi asnjëherë deri në fund, i deklasoi opozitarët socialdemokratë, të cilët u portretuan si “tradhtarë” që “duan ta shesin emrin”. BDI-ja, e cila tash i vë si kusht bisedat për emrin dhe integrimet, atëherë e konsideronte këtë “punë të maqedonasve”.

Enciklopedia e Maqedonisë

Zgjedhjet e vitit 2008 ishin ndër më të zezat në historinë e Maqedonisë, me të vrarë dhe të plagosur, të shtëna me armë, dhunë – në vendvotimet shqiptare… Edhe krahas ndihmës logjistike të Gruevskit që e kishte partneri i tij, PDSH-ja, BDI përsëri mori shumicën e votave shqiptare dhe në këtë mënyrë u trasua qartë edhe rruga për koalicionin e ri, VMRO-BDI. Pas dy viteve të humbura, kot.

VMRO-BDI: Rënia në dashuri, Pjesa 1 (2008-2011)

Me pushtetin e ri VMRO-BDI, duke futur ‘dy ekstremë’ në një thes e në një zgjedhë, pra, ata që shiheshin përmes shënjestrave gjatë konfliktit në vitin 2001, u arrit stabilitet politik. Së paku ashtu u dukej në fillim ndërkombëtarëve. Po, së shpejti, “komandantët dhe komitët” kuptuan se edhe mund të “bashkëpunojnë”. Shpeshherë, duke shfrytëzuar çështjet ndëretnike për përfitim politik ose për shpërqendrim të vëmendjes prej problemeve aktuale, prej korrupsionit dhe krimit.

Ndërkohë, Gruevski nuk rreshti së bëri “të mira” ndaj shqiptarëve, të gjitha në funksion të strategjisë së tij politike.

Në vitin 2008, pushteti e përgatiti edhe të ashtuquajturin ligj “për fëmijën e tretë”, që parashihte ndihmë financiare për familjet që do të kenë fëmijë të tretë, mirëpo vetëm në komunat ku ka problem me shtimin natyror, gjë që automatikisht shkyçte komunat ku banojnë shumicë shqiptarësh! U desh që të bëhet iniciativë para Gjykatës Kushtetuese, që të anulohen pjesët diskriminuese të këtij ligji.

Gruevski ishte edhe “inspiratori dhe promotori” kryesor i Enciklopedisë së famshme, që u botua në vitin 2009, në referencat e të cilës shqiptarët, mes tjerash (ato të zakonshmet për “gogolin”), cilësohen edhe si “malokë”.

Në zgjedhjet (çuditërisht të rregullta) presidenciale në po këtë vit, edhe një lojë e vockël e Gruevskit në terrenin “shqiptar”. Në raundin e parë, mbi 100.000 vota, kyçur këtu dhjetëra mija vota të maqedonasve, shkuan në konton e Imer Selmanit, një politikan pa strukturë e makineri tradicionale partiake prapa tij! Ai në media u konstruktua si imazh i “Obamës së Maqedonisë”, që i bashkoi maqedonasit dhe shqiptarët. Ndoshta për naivët.

Për ata që i dinë gjërat më mirë, dhjetëra mijëra votat maqedonase për Selmanin (ish-ministër i shëndetësisë dhe zëvendëskryeministër në qeverinë e parë të Gruevskit, atë me PDSH-në), ndonëse ka pasur edhe të tillë që i kanë dhënë me sinqeritet, shumica ishin vota partiake të VMRO-DPMNE-së që kishin qëllim: t’ia ulin “çmimin e pazarit” BDI-së, sepse Selmani fitoi shumë më tepër vota se kandidati i saj Agron Buxhaku, si dhe të dobësojnë sa më shumë pozitat e Lubomir Fërçkoskit të LSDM-së, i cili përveç kësaj bartte edhe bagazhin negativ ndaj shqiptarëve, që nga koha e qeverisjes së tij si ministër i brendshëm i LSDM-së në vitet e ‘90. Fitorja e mandatit të parë si kryetar, më këtë “parapërgatitje”, bile edhe për një të humbur politik siç është Gjorge Ivanovi, nuk vihej në pyetje.

Po në këtë periudhë, u prezantua edhe ideja për projektin që shënoi vjedhjen e shekullit – Shkupin 2014. Gruevski edhe aty shfrytëzoi jo vetëm narrativin “antik”, por edhe “karshillëkun” ndaj shqiptarëve. Prodhoi një projekt pothuajse tërësisht monoetnik, me qindra statuja të maqedonasve (ose atyre që historia e Gruevskit i konsideron si maqedonas), të cilave më vonë (kuptohet me marrëveshje e negociata politike si për çështje të “madhe”) iu shtuan disa buste të shqiptarëve, vendosja e të cilëve zvarritej me vite.

Artan Grubi në Kala, 2011

Pafuqia e  BDI-së në këtë kontekst u ilustrua më së miri më vonë, disa vjet pas fillimit të dashurisë me VMRO-në, kur zyrtarë të lartë të BDI-së dolën me tokmakë e çekanë për të prishur bustin e Car Dushanit, të sjellë dhe ndërtuar me buxhetin e votuar mu prej tyre bashkë me VMRO-në. Bustin nuk e prishën, por e rritën tensionin. Muaj me radhë, njësite speciale e ruanin bustin dymetërsh të mbretit më të madh serb, të kurorëzuar në Shkup në shekullin XIV. E të mos flasim për “selfiet” e Artan Grubit me bustin e Metodija Shatorovit, në ngutje për të shpallur gjoja “fitore” me vendosjen e bustit të parë shqiptar (partizanit Nexhat Agollit) mes qindra komitëve, vojvodëve e mbretërve antik e mesjetar. Teatër i bukur.

Kur veç më flasim për skulpturat, artin, teatrin dhe Artan Grubin, patjetër të përmendim edhe një prej episodeve të serialit gjigant me motive të dashurisë dhe urrejtjes mes partnerëve VMRO dhe BDI, atë të Kalasë të Shkupit në vitin 2010, që ishte një uverturë për zgjedhjet (e çfarë tjera, përveçse) të parakohshme parlamentare të vitit 2011.

Gruevski filloi të ndërtojë kishë (apo kishë-muze, siç arsyetohej më vonë) në Kala. Politikanët shqiptarë u çuan peshë, shkuan natën dhe me ca ushtarë partiakë i thyen vetë ndërtimet e nisura. E, e gjitha kjo paraprakisht ka kaluar edhe në Qeveri edhe në buxhet, pa kundërshtim të shqiptarëve! Ditët në vijim në rrjetet sociale filluan thirrjet publike për “mbrojtje të Kalasë” mes grupeve të tifozëve huliganë dhe grupeve nacionaliste maqedonase, ku dominon ndikimi i VMRO-DPMNE. Nuk vonoi në dakik kundërpërgjigjja shqiptare, nga strukturat e ngjashme të afërta me BDI-në. “Beteja” e cila u zhvillua te Kalaja mes muskujve partiakë dhe huliganëve të atyre që bashkëqeverisnin, ishte cirk në vete. Polici maqedonas arrestonte shqiptarin, zëvendës-ministri shqiptar e lironte, para kamerave. Me tërë këtë skenar të “mbrojtjes së Kalasë”, BDI dilte e fortë në sytë e shqiptarëve, ndërsa Gruevski, me fillimin e ndërtimit të kishës në “Kalanë myslimane” dhe “mbrojtjen”, doli po ashtu i fortë në sytë e elektoratit të tij.

Artan Grubi para kullës së Ajfelit, 2014

Humbësit, përsëri, ishin qytetarët e rëndomtë dhe marrëdhëniet ndëretnike. Po të njëjtën lojë, BDI dhe VMRO-DPMNE tentuan ta luajnë disa vjet më vonë, me tentimin për vendosjen e kryqit në Butel dhe vendosjen e shqiponjës në Tophanë, dy lagje të Shkupit.

VMRO-BDI: Përsosja e lojës ndëretnike për përfitime politike, Pjesa 2 (2011 – 2014) 

Për zgjedhjet e 2011-s, LSDM u konsolidua në krye me Cërvenkovskin e riaktivizuar partiakisht, pas përfundimit të ushtrimit të detyrës si kryetar i shtetit në vitin 2009. Por, jo mjaftueshëm për të mposhtur Gruevskin. Ai veç më kishte filluar të përdorë edhe “metoda tjera” për të fituar votat, për të cilat dëgjuam më vonë hollësira në bisedat e përgjuara që i publikoi LSDM, nga goja e vetë funksionarëve nga rrethi më i ngushtë i Gruevskit.

Kur veç më jemi te “bombat” e Zaevit, të rikujtojmë se nga goja e bashkëpunëtorëve më të afërt të Gruevskit, nga ministrja e punëve të brendshme Jankulloska dhe kryeparlamentari Veljanoski, dëgjuam se si na quajnë “shiptari”, “indianë”, se do t’i kapin shqiptarët për qafe për të votuar për VMRO-në. Vetë Gruevski, për një rast të rrënimit të një godine pa leje në Gostivar, pasi qenka te shqiptarët, i tha ministrit për transport: “Atje mos ta zgjasim shumë, me dinamit”.

Indianët…

Nga ana tjetër, prej atyre që na përfaqësonin, në bisedat dëgjuam se janë “ma shka se shkijet”, dhe se nëse do që shqiptari të të quajë babë, duhet t’i bësh diçka nënës së tij, e se çka, po e lë që ta zbulojë imagjinata e analistëve mendjemprehtë.  Dëgjuam edhe se rasti i Sopotit, që rezultoi me shqiptarë të mbyllur me vite nëpër burgje, ka qenë i montuar. E, po ashtu, dëgjuam edhe se BDI është në partneritet të plotë me VMRO-në, edhe në krim dhe korrupsion, si dhe në kapjen partiake të institucioneve dhe shtetit…

Por, t’i kthehemi rekapitullimit dhe “të mirave” të Gruevskit ndaj shqiptarëve.

Gjatë verës së vitit 2011, akoma pa bërë formalisht qeverinë, shumica parlamentare e VMRO-së dhe BDI-së votoi interpretimin autentik për ligjin e amnistisë për konfliktin e vitit 2001, me të cilin u mbyll çështja e rasteve që u kthyen nga Gjykata e Hagës (edhe kjo pjesë e Marrëveshjes së Majit prej disa viteve më parë), e në të cilat kishte hapësirë për përndjekje të një pjese të lidershipit të dikurshëm të UÇK-së dhe aktual të BDI-së. Gruevski nuk pati kurajë që këtë ta bëjë me qeveri të formuar dhe të marrë përgjegjësi politike për këtë hap, por u fsheh prapa deputetëve të tij dhe para opinionit maqedonas të arsyetohet se gjoja amnistia qenka me iniciativë të tyre! Merre me mend, Gruevskin e paskan detyruar të ndërmarrë një hap ata që nuk shkojnë as në nevojtore pa e pyetur shefin.

Por, mos t’i harrojmë gjërat më të rëndësishme që ndërtuan kontekstin e kësaj periudhe.

Fitoren e zgjedhjeve të 2011-s Gruevski e “kremtoi” me viktimë të brutalitetit policor në mes të sheshit të qytetit, Martin Neshkovski, i cili u rrah për vdekje nga sigurimi i kryeministrit gjatë festimit në mbrëmjen e zgjedhjeve, në çastet kur Gruevski ishte i pranishëm mes simpatizuesve. Vijuan protesta disamujore.

Brutaliteti policor u përsërit pas disa muajve në Gostivar, në shkurt të vitit 2012, kur në një zënkë për parkim, polici Jaqim Trifunovski vrau dy të rinj shqiptarë. Zëdhënësi i policisë Kotevski, po të njëjtën ditë, pa u bërë ende asnjë hetim, e klasifikoi publikisht këtë rast si vetëmbrojtje, ndërsa makineria propagandistike e pushtetit u vu në mbrojtje të policit. Pasuan protesta masive të shqiptarëve dhe tensionim i serishëm i marrëdhënieve ndëretnike.

Gjatë tërë vitit 2012 tensionet ndëretnike vazhduan të rriten në mënyrë të përshpejtuar. Një seri e ngjarjeve, e cila filloi me përqeshjen e Kuranit në Karnavalin e Vevçanit, pasuan raste të djegies së flamurit maqedonas dhe atij shqiptar në disa protesta dhe ndeshje futbollistike, rrahje nëpër autobusë e shkolla… Ngjarjet kulmuan me rastin e Liqenit të Smillkovës dhe vrasjes së gjakftohtë të pesë njerëzve të përkatësisë etnike maqedonase, në ditën e Pashkëve ortodokse, në prill të vitit 2012.

Pasuan arrestime, bastisje masive dhe shqetësim i qindra familjeve shqiptare, dhunë dhe rrahje… Ministrja Jankulloska, pa prezantuar asnjë dëshmi, shpejtoi t’i kualifikojë publikisht të arrestuarit si terroristë e islamistë.  I gjithë rasti, si dhe procesi gjyqësor me të pandehurit për këtë vrasje makabre, sipas vlerësimeve edhe të brendshme por edhe të jashtme, është i inskenuar dhe është me prapavijë politike. Për këtë, gjatë shpalljes së “bombave” në pranverë të 2015’s u prononcua edhe lideri i opozitës, Zoran Zaev, i cili tha se janë të burgosur edhe njerëz të pafajshëm, por nuk i shpalosi “bombat” për rastin Monstra, duke u arsyetuar me ndjeshmërinë e tyre, por ia dorëzoi Prokurorisë Speciale.

“Të mirat” vinin njëra pas tjetrës. Diskutimi për stemën e shtetit, për luanin e VMRO-së, të maskuar në luanin dardan, për shembull.

Ose, pritja e madhërishme me mbarë kreun shtetëror që iu bë të dënuarit për krime lufte Johan Tarçullovskit në prill të 2013-s, pas kthimit të tij nga vuajtja e dënimit në Hagë, për vrasjen e 10 civilëve shqiptarë në Luboten. Sot, Johanin e keni deputet dhe partner të mundshëm koalicioni me shqiptarët. Kuptohet, nëse shkojnë në koalicion me shefin e tij Gruevskin, i cili qenka i mirë për ne?!?

Kumanovë, 2015

Në 2013-n, edhe një “e mirë” nga historia e lavdishme. Nga ajo e Mbretërisë së Sërbisë. Me prani të kreut shtetëror serb (si dhe çetave me ikonografi çetnike) dhe ministres së kulturës Kançeska Milevska (meritore edhe për shtatoren e Dushanit), në afërsi të Kumanovës, në territor të Maqedonisë, u kremtua 100-vjetori i betejës së Zebërnjakut nga Luftërat Ballkanike, e cila shënon një depërtim dhe pushtim të tokave maqedonase dhe shqiptare nga ana e serbëve, pas tërheqjes dhe disfatës së Perandorisë Osmane. Pushtim ky i shoqëruar me vrasje masive të shqiptarëve e maqedonasve, djegie të qindra fshatrave e mijëra shtëpive, shpërngulje të dhjetëra mijëra njerëzve…U kremtua Zebërnjaku, me paratë edhe të taksapaguesve shqiptarë që mbushin buxhetin e Maqedonisë.

Dhe, ja, arritëm te 2014-a, zgjedhje si zakonisht të jashtëzakonshme parlamentare, rinxitja e retorikës nacionaliste dhe shfaqja e “armiqësisë” mes tender-dashnorëve. Atëherë, kur Gruevski prej elektoratit kërkoi mbështetje prej 63 deputetëve, që të mund të formojë qeveri edhe vetë pa u kushtëzuar nga shqiptarët,  ndërsa Ahmeti kërcënohej se ai ka “prishur një Jugosllavi” (demek lëre më për një Maqedoni…), dhe kërkonte 25 deputetë nga elektorati që të mund t’ia rrahë tavolinën Gruevskit, t’i kërkojë gjuhën, e cila në disa fushata parazgjedhore shpallej si e zyrtarizuar, e në disa se do të zyrtarizohet, varësisht nga nevoja. Të kërkojë president konsensual, një prej tre posteve kryesore në shtet ta kenë shqiptarët, buxhet i cili do të ndahet në përqindje adekuate edhe për shqiptarët, hyrje në NATO dhe BE. Si dhe, të luftojë për flamurin. Por, kuptohet, pa 28 nëntorin si festë.

Ose, u kthyem në fillim të kësaj meseleje, te videoja e Gruevskit ku u drejtohet shqiptarëve, duke u folur për të mirat e tija. Po ai Gruevski, i cili deri këtë vit, 2017-n, nuk e pa të arsyeshme për më shumë se një dekadë të japë qoftë edhe një intervistë për një medie shqiptare, as në Maqedoni, e as në Kosovë e Shqipëri. Dhe, e dha më në fund për “Gazetën Ekspres” nga Kosova, e udhëhequr nga një nga mendjet e ndritura të kombit, që duan të na bindin se ai na qenka i mirë. Nga Kosova, ore, me zyrtarët e të cilës nuk dëshiron të takohet bilateralisht Gruevski!

Kur jemi te mediet, që të mos e zgjas më shumë ketë histori se e bëra tërkuzë, t’ua rikujtoj vetëm në ca fjalë edhe shërbëtorët mediatik të Gruevskit – Llatasin, Mirkën, Milenkon etj… të cilët në të gjitha këto 12 vjet e më shumë, që nga ngritja e tij në opozitë, marrja e pushtetit në 2006-n dhe zhvillimi i tij në një autokrat tipik ballkanik, nuk e ndalën retorikën antishqiptare, për asnjë moment. Na krahasonin me qen, me fise indiane dhe afrikane, na quanin radikalë, fundamentalistë e ekstremistë islamik, terroristë, kërkonin Maqedoni të pastër, na shumëzonin me zero. Janë fjalët e atyre, të dashur analistë e publik, që së bashku me veprat e Gruevskit, e ndërtuan “gogolin” e 90-përqindëshit të shqiptarëve, që nuk duan t’ia shohin surratin as tij, as dashnorëve e shërbëtorëve të tij!

 VMRO-BDI: “Bombat” e Zaevit, Kumanova, Përzhina, zhveshja dhe rënia e maskave – Pjesa 3 (2014-2016)

Zgjedhjet e vitit 2014 përfunduan me fitore të partnerëve në pushtet, por as VMRO-DPMNE nuk e arriti 63-shin, e as BDI 25-shin. Mirëpo, rezultatet e këtyre dy partive përsëri ishin impozante. BDI fitoi 153.000 vota, më shumë se në 2002-shin, kur mbante “oreolin e fituesit” nga konflikti i vitit 2001! Koalicioni i Gruevskit fitoi dy deputetë më pak nga numri që kërkonte. Opozita maqedonase që në ditën e përfundimit të zgjedhjeve nuk i pranoi rezultatet dhe nisi bojkotin e Parlamentit.

BDI harroi shpejtë kërkesat e zgjedhjeve, e VMRO harroi “kushtëzimet” e shqiptarëve dhe vazhdoi dashurinë me BDI-në. Mirëpo, kjo idile nuk zgjati shumë. Në vjeshtën e 2014-s, Zaevi paralajmëroi se ka dëshmi shumë të fuqishme për qindra krime të pushtetit dhe filloi takime me Gruveskin për të negociuar për qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme. Gruevski zvarriste sa mundte, i jepte goditje opozitës, mirëpo, më në fund, “bombat” me bisedat e përgjuara filluan të shpallen në shkurt të vitit 2015. Pasuan protesta masive.

Mu në këtë kontekst, kur filloi zhveshja e pushtetit në sytë e qytetarëve, ndodhi rasti i Kumanovës, në fillim të majit të vitit 2015, e para tij edhe rasti me “okupimin” e karakollit të Gushincës, kur forcave të Maqedonisë u nevojiteshin mbi 13 orë për të arritur te vendi i ngjarjes pas sulmit, në të cilin përkohësisht ishin zënë rob 4 policë kufitarë të Maqedonisë!

Në Kumanovë, në Lagjen e Trimave, ku ishte strehuar grupi i armatosur, u nisën forca speciale të policisë të armatosura deri në dhëmbë, por me informata të gabuara se do të ballafaqohen me një grup të zakonshëm kriminelësh, siç dëshmuan në media disa pjesëtarë të policisë. I gjithë aksioni rezultoi me 8 policë të vrarë, mbi 10 të vrarë mes pjesëtarëve të grupit ekstremist, dhjetëra të arrestuar, shumë shtëpi të shkatërruara dhe familje të lëna pa kulm mbi kokë. Një skëterrë e vërtetë.

Disa medie kritike në Maqedoni, mes të cilave edhe javorja politike “Fokus”, dolën me informata se Kumanova është pjesë e një skenari të parapërgatitur nga një PR kompani franceze, me titullin “Le petitte guerre” (Luftë e vogël), me qëllim të zhvendosjes së vëmendjes të opinionit prej krimeve të pushtetit në terrenin e marrëdhënieve ndëretnike, aty ku VMRO dhe BDI luajnë më së miri. Dolën edhe informata që shërbimet sekrete të Maqedonisë kanë qenë në kontakt me grupin ekstremist para aksionit, dhe se ky grup në fakt ka qenë i joshur përmes përfitimeve materiale (ish-gjenerali policor Angellov përmendi shumën prej 2 milionë dollarëve) në këtë grackë dhe skenar.

Fatmirësisht, ky skenar nuk pati rezultat. Protestat për demokratizimin e Maqedonisë vazhduan akoma më fuqishëm.  Më 17 maj u organizua protesta më e madhe multietnike e bërë ndonjëherë në Ballkan.

Atë që ndodhi më tutje, e dini. Pasoi marrëveshja e Përzhinës me vazhdimet e saja, në vjeshtë të 2015-s erdhi formimi i Prokurorisë Speciale Publike dhe qeveria e përkohshme me kyçje të ministrave dhe zëvendës-ministrave të opozitës, e në fillim të 2016-s erdhi edhe dorëheqja e Gruevskit nga posti i kryeministrit. Zgjedhjet e caktuara për prill u shtynë për qershor dhe përfundimisht për dhjetor të vitit 2016. Gjatë tërë procesit të negociatave, siç deklaruan publikisht edhe ndërmjetësuesit ndërkombëtarë (Vanhautte), partitë shqiptare i kanë mbajtur më shumë krah Gruevskit dhe nuk kanë shfaqur asnjë iniciativë serioze, përveç mbështetjes “së natyrshme” për realizim të Marrëveshjes së Ohrit, e cila duhej të përfundonte me realizim që në vitin 2004!

Çfarë do 90-përqindëshi i shqiptarëve?

Në zgjedhjet e 11 dhjetorit, shqiptarët votuan në një mënyrë të pjekur, që rrallëherë shihet, jo vetëm në këtë rajon! Edhe po deshi dikush që këtë ta realizojë si skenar, nuk do të mund ta bënte në mënyrë kaq matematikisht precize.

Për shkaqet për të cilat folëm gjerësisht më lart, e përgjysmuan BDI-në në vota dhe mandate dhe pothuajse e zhdukën nga skena PDSH-në e Thaçit. “Besnikëria deri në vdekje” ndaj Gruevskit kushton shtrenjtë.  Shqiptarët votuan dy opsione të reja politike të cilat gjatë fushatës u pozicionuan me retorikë opozitare, duke u dhënë tetë deputetë. Dhe, në fund, shqiptarët i dhanë me dhjetëra mijëra vota Zaevit, konkurrentit dhe armikut të vetëm të Gruevskit me potencë reale, që luftonte armikun e tyre të dëshmuar. I dhanë vota LSDM-së, e cila vetëm para disa viteve nuk ndryshonte shumë në qasjen dhe retorikën ndaj shqiptarëve, edhe pse, në esencë, ka pasur dallim – së paku në kuptim të “oblandës” apo “dorëzave”.

Mirëpo, tash Zaevi po flet një gjuhë të re për shqiptarët, e cila ndoshta për fillim, pa pasur pushtet në dorë, është vetëm retorikë. Por, ky narrativ premton një frymë të re në ndërtimin e marrëdhënieve dhe në dialogun mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

E, që ky dialog të fitojë shans të zhvillohet, shqiptarët në politikë duhet të dëgjojnë porosinë e votuesve shqiptarë nga 11 dhjetori. Të heqin Gruevskin nga skena. Dhe, t’i japin fund historisë së një urrejtësi, rrenacaku dhe krimineli, i cili bëri karrierë në kurriz të tyre!/dritare.net

*Autori është gazetar, hulumtues mediatik dhe aktivist për të drejtat e njeriut

Prokuroria Speciale nis hetimet për blerjen e makinës së Gruevskit

Prokuroria Speciale në Maqedoni ka njoftuar nisjen e hetimeve për raste të reja lidhur me shpërdorimin e detyrës nga zyrtarët shtetërorë.

Hetimi i parë ka të bëjë me rastin e koduar “Tanku”, që i adresohet blerjes së makinës “mercedes” në vlerë prej 600 mijë euro nga ish kryeministri, Nikolla Gruevski.

Nën hetimet lidhur me këtë shpërdorim janë drejtuesit e lartë të MPB-së, por pa saktësuar identitetin e personave që po hetohen.

“Në rastin konkret ekziston dyshimi se me qëllim plotësimit të dëshirës së kryeministrit të atëhershëm për furnizim me makinë speciale, e dyshuara e parë, ka inkurajuar të dyshuarin e dytë që të shfrytëzoj detyrën dhe autorizimet e tij dhe gjatë furnizimeve publike, në mënyrë joligjore të favorizojë operatorë të caktuar ekonomik dhe të blihet një makinë e atij lloji”,thuhet në njoftimin me shkrim të Prokurorisë Speciale.

Rasti tjetër i koduar si “Tarifa” ka të bëjë me blerjen përmes një procedura joligjore të një softueri në vlerë prej rreth 4 milion euro për nevojat e kompanisë energjetike “ELEM”. Për këtë rast dyshohet 7 zyrtarë të lartë shtetërorë.

“Ekziston dyshim i fuqishëm se një pjesë e të dyshuarve në mënyrë të paligjshme kanë lejuar të harxhohen para për licencim dhe mirëmbajtje të softuerit, në kundërshtim me kushtet e Marrëveshjes për tenderim publik”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale. (REL)

Ahmeti takohet me Gruevskin

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti sot është takuar me kryetarin e VMRO DPMNE-së, Nikola Gruevski.

“Sot, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti ka realizuar takim me kryetarin e VMRO DPMNE-së, Nikola Gruevski, ku është biseduar për dy çështje të cilat përfshijnë analizën e rezultateve të zgjedhjeve të mbajtura më 11 dhjetor të cilat u vlerësuan si të lira, fer dhe demokratike, si dhe kanë analizuar situatën aktuale politike.

Dy liderët këmbyen mendime rreth situatës paszgjedhore si dhe për sfidat e ardhshme në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin e BDI-së, ndërsa nuk bëhet asgjë e ditur në lidhje me mundësinë e formimit të koalicionit qeveritar të dy partive, të cilat ishin në bashkëqeverisje edhe më parë.

Shqiptarët me letër të hapur: Mendohuni mirë kur bëni negociata me VMRO-në anti-shqiptare

Në kohën kur bisedimet për Qeverinë e re të Maqedonisë duhet të zhvillohen ndërsa partitë heshtin, një letër e hapur e nënshkruar nga dhjetëra profesorë dhe persona publik shqiptarë u është drejtuar partive shqiptare të cilat mund të negociojnë me partinë e Nikolla Gruevskit, VMRO-DPMNE e cila e mori mandatin për forimimin e Qeverisë, përcjell Portalb. Në të mes tjerash theksohet se duhet pas parasysh se VMRO-DPMNE akoma udhëhiqet nga persona që kanë përgjegjësi për gjendjen katastrofale në çdo segment të jetës shoqërore e politike dhe si të tillë nuk gëzojnë kredibilitet që edhe më tej të udhëheqin me shtetin. Ne intelektualët e poshtë-nënshkruar apelojmë që gjatë procesit të zhvillimit të bisedimeve me partitë që marrin mandatin të kenë parasysh këtë elemente: Duhet pas parasysh se VMRO-DPMNE akoma udhëhiqet nga persona që kanë përgjegjësi për gjendjen katastrofale në çdo segment të jetës shoqërore e politike dhe si të tillë nuk gëzojnë kredibilitet që edhe më tej të udhëheqin me shtetin. Këtu janë dyshimet serioze për përfshirjen e tyre në megaskandale, shkatërrimin e institucioneve, shembjen e proceseve euroatlantike dhe shkeljen mbi dinjitetin njerëzor; Gjendja ekonomike dhe sociale në shtet është sjellë gjer në mjerim, me çrast nga shteti janë shpërngul afro një të tretat e rinisë, kuadro vitale për të cilat shumë janë harxhuar, kurse shtetet normale tani i marrin si prodhim të gatshëm; Pjesa dërmuese e votuesve në mbarë shtetin janë përcaktuar për ndryshime, kurse në segmentin shqiptar kemi dyfish më tepër që kanë votuar për ndryshime nga ata që kanë përkrahur gjendjen ekzistuese; Pjesa dërmuese e votave të fituara nga DPMNE janë jo-kredibile dhe jo-legjitime, pasi janë siguruar, jo me merita, por me përbuzje, mashtrim dhe frikësim të votuesve të etnive tjera nga shqiptarët, e cila thellë ka prekur shpirtin e çdo shqiptari; Borxhi i shtetit është dyfishuar kurse mirëqenia sociale është përgjysmuar. Tani çdo qytetar dhe çdo fëmijë që lindë ka borxh 2,5 mijë euro borxhe dhe 2,5 mijë euro të vjedhura. Kjo do të ketë pasoja të rënda për gjeneratat e ardhshme; Marrëveshjet me cilindo mandatar të bëhen jo me prapavijë për ruajtjen e regjimit ekzistues dhe interesave grupore, por me synim racional që vendi të orientohet drejtë demokratizimit, zhvillimit, hapjes së perspektivave, realizimit të barazisë dhe mirëqenies etnike në shtet, si dhe integrimit të vërtetë të RM në NATO dhe EU (firmosur nga mbi 50 profesorë e intelektualë të jetës shoqërore të shqiptarëve në Maqedoni).

Prej sot nisin (formalisht) bisedimet Gruevski-Ahmeti/Partia e Nikolla Gruevskit pas marrjes së mandatit për formim të qeverisë nga kryetari i Maqedonisë Gjeorge Ivanov, doli me njoftim se gjatë javës së ardhshme do të fillojë bisedimet me Bashkimin Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit, si parti fituese në bllokun politik shqiptar. “VMRO-DPMNE pret që gjatë javës së ardhshme zyrtarisht t’i fillojë bisedimet me BDI-në për formimin e qeverisë së re, se a do të kenë sukses do të kuptohet deri në përfundim të afati ligjor respektivisht më 29 janar”, thotë Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE-ja në intervistë për televizionin Kanal 5. “Nuk planifikojmë që me çdo kusht të formojmë qeveri të re, veçanërisht jo në rast të ndryshimit të Kushtetutës për futjen e dygjuhësisë në territorin e vendit, për atë nuk kemi mandat nga qytetarët tanë. Në periudhën paraprake pamë se sa PSP-ja është e politizuar. Mandati dhe kompetenca e PSP-së  do të respektohet por nuk do të bëhet pjesë e politikës. Këto pozitat kundërthënëse me BDI-në presim të bëhen faktor gjatë bisedimeve për formim të qeverisë”, tha Milloshevski.

Milloshevski shprehi habi se pse përgjatë dy javëve të kaluara LSDM-ja nuk kishte qëndrim për Platformën e përbashkët të partive shqiptare. Sipas Milloshovskit ajo nënkupton se për ata çdo gjë është e pranueshme vetëm që të jenë në pushtet.

Përbërja e nëntë parlamentare të Maqedonisë, e cila ka 120 të përzgjedhur të popullit, u konstituua më 30 dhjetor të vitit të kaluar. Më së shumti deputetë ka koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE 51, Koalicioni i kryesuar nga LSDM ka 49 mandate, BDI 10, Besa 5, Aleanca e shqiptarëve 3 dhe PDSH 2. Në këtë përbërje parlamentare nuk ka të përzgjedhur të popullit nga diaspora për shkak të numrit të panevojshëm të votave të fituara. Mandatari në afat prej 20 ditësh nga dita e dorëzimit të mandatit, Kuvendit i dorëzon program dhe e propozon përbërjen e qeverisë. Qeveria, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e përzgjedh Kuvendin me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve. BDI, BESA dhe Aleanca për Shqiptarët, më 7 janar e publikuan platformën e përbashkët, agjenda e përbashkët politike e tre partive parasheh barazi të plotë gjuhësore, gjegjësisht përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, barazi ekonomike, zgjidhjen e kontestit për emrin me përfshirjen e shqiptarëve në grupin punues për negociata të drejtpërdrejta me Greqinë, si dhe për integrimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

LSDM e Zaevit një javë heshtje për platformën shqiptare

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë vazhdon të hesht për Platformën e partive shqiptare. U bë një javë që nga kjo parti refuzojnë të dalin me qëndrim publik për 7 pikat e cekura në dokumentin e nënshkruar nga BDI, BESA dhe Aleanca për Shqiptarët. Burime nga LSDM, për TV21 thonë se  Gruevski është ai që duhet të prononcohet për Platformën sepse mandati është në duar të tij. Të njëjtin qëndrim shprehu edhe anëtari i komitetit ekzekutiv të LSDM-së Pece Mirçeski.

“Kur të vijë koha, LSDM do t’i tregojë pozicionet e saja rreth situatës së përgjithshme politike. Për momentin, mandati i është dhënë VMRO-DPMNE-së, ndërsa mandatar për formimin e qeverisë është Gruevski. Këta duhet të prononcohen rreth platformën të bllokut shqiptar. Kur të vijë koha, LSDM do t’i shfaqë qëndrimet e saja, deklaroi Mirçeski”, tha ai. TV21 i Maqedonisë ka kërkuar qëndrim edhe nga partitë shqiptare nënshkruese të Deklaratës, të cilën e shtruan si kusht për formimin e qeverisë së re. “Nuk duam t’i komentojmë veprimet e partive tjera”, thonë nga Lëvizja Besa. Kjo ishte përgjigja e shkurtër e Lëvizjes Besa në pyetjen se cili është qëndrimi i saj për heshtjen e LSDM-së rreth platformës së partive shqiptare.

Ndërron jetë aktori i talentuar Sefedin Nuredini

Mbrëmë ka ndërruar jetë aktori shqiptar Sefedin Nuredini.

Sefedin Nuredini ishte një nga aktorët shumë të suksesshëm, i cili me rolet e tij të shkëlqyera depërtoi në shumë skena ndërkombëtare, shkruan zhurnal.mk. Ishte aktori i qindra shfaqjeve dhe filmave shqip poashtu dhe regjisor i shumë filmave dhe shfaqjeve në teatër.

Mbledhja komemorative për të ndjerin do të mbahet sot në Teatrin e Komedisë në ora 12:00, ndërsa varrimi do të bëhet në Varrezat e Butelit, Shkup në ora 14:00.

Gruevski refuzon Ali Ahmetin: Jo zyrtarizimit të gjuhës shqipe në Maqedoni

SHKUP- VMRO-DPMNE përmes një komunikate me shkrim ka bërë të ditur se asnjëherë nuk do të negociojë për ndryshimin e kushtetutës, dhe për aplikimin e dygjuhësisë në te gjithë shtetin si dhe vazhdimin e mandatit të prokurorisë Speciale.

Kjo vjen pas mbledhjes së mbrëmshme të partisë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim, ku si kusht primar për negociata për formimin e qeverisë së ardhshme kërkuan që gjuha shqipe të bëhet gjuhë zyrtare në të gjithë vendin, si dhe vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Speciale.

“Në lidhje me njoftimin e BDI-së, koalicioni multientik “Për Maqedoni më të mirë” e përbërë nga 25 parti dhe udhëhequr nga VMRO-DPMNE përsërit dhe sërish do përsërisë se nuk do të negociojë dhe nuk do të lejojë ndryshimin e Kushtetutës për dygjuhësinë në tërë territorin e Maqedonisë dhe vazhdimin e mandatit të prokurorisë speciale”, thuhet ne këtë deklaratë.

“Arsyet deri më tani janë sqaruar disa herë në opinion dhe ato kanë të bëjnë me angazhimin për shtet unitar, mbrojtjen e rregullimit kushtetues, angazhimeve tona politike në periudhën parazgjedhore, Marrëveshjen e Ohrit, por edhe të Marrëveshjes së Përzhinës, gjë që ky koalicion deri në fund e ka respektuar ashtu sikur është nënshkruar dhe nuk kemi qëllim që ta ndryshojmë”, thuhet më tej në deklaratën e VMRO-DPMNE-se.

Sipas kësaj partie, prokuroria speciale nuk ka lidhje me drejtësinë, por vetëm është instrument politik në duart e një qendre të fuqisë dhe instrument i brendshëm për shantazhim të çdo politikani i cili kërkon të luftojë për interesat nacionale të popullit maqedonas dhe interesave shtetërore të Maqedonisë dhe qytetarëve të saj.

VMRO-ja refuzon kërkesat e BDI-së për qeverinë e re

Formimi i qeverisë së re të Maqedonisë nga VMRO DPMNE, duket i pamundur bazuar në qëndrimin e saj të fundit ku përjashton çdo mundësi për të biseduar me Bashkimin Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit, e cila të enjten në mbrëmje doli me platformën e saj për negociata me mandatarin Nikolla Gruevski.

Nga BDI-ja thanë se nuk kanë preferenca për ndonjë parti të caktuar maqedonase dhe se do të bisedojnë qoftë me VMRO-në apo LSDM-në e Zoran Zaevit nëse përmbushin tri pikat kryesore të saj, zyrtarizmin e shqipes, integrimin euroatlantik dhe mbështetjen që duhet ti japin punës së Prokurorisë Speciale.

“Bashkimi Demokratik për Integrim nuk ka partner strategjik dhe preferenca për asnjë bllok politik maqedonas, por mbetet partner me popullin shqiptar. BDI-ja vë interesat e ruajtjes së stabilitetit të vendit para interesave partiake. BDI përcakton si çështje të panegociushme për të ardhmen përdorimin e barabartë të gjuhës shqipe zyrtare, integrimin në NATO dhe BE, vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Speciale me qëllim të zbardhjes së gjitha dyshimeve të dala nga mega skandali i përgjimeve”, ka deklaruar zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Por, kërkesat e tilla të Bashkimit Demokratik për Integrim nga VMRO-ja janë vlerësuar si rrënuese të rendit kushtetues të Maqedonisë andaj edhe qartë ka bërë me dije se për to jo vetëm që nuk do të bisedojë, por me të gjitha forcat do të pengojë realizimin e kërkesave të tilla.

“VMRO-ja konfirmon qëndrimin e saj nuk pajtohet, nuk do të bisedojë dhe nuk do të lejoj që të ndryshohet kushtetuta për dygjuhësinë në tërë territorin e Maqedonisë dhe vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Speciale… ky qëndrim bazohet në angazhimin tonë për ruajtjen e shtetit unitar, mbrojtjen e rendit Kushtetues, në Marrëveshjen e Ohrit si dhe në marrëveshjet e muajve qershor dhe korrik të vitit 2015…”

“Prokuroria Speciale nuk ka asgjë të përbashkët me drejtësinë, është një instrument politik në duart e qendrave të caktuar për të shantazuar çdo politikan që lufton për mbrojtjen e interesave të kombit maqedonas dhe të Maqedonisë në përgjithësi”, thuhet të përgjigjen e VMRO DPMNE-së.

Ndërkohë, reagime ka edhe nga partitë tjera shqiptare të cilat dolën me qëndrimet se platforma e BDI-së për bisedime nuk përfshinë të gjitha pikat e deklaratës së partive politike shqiptare.

Sipas tyre në platformën e partisë së Ahmetit nuk janë përfshirë edhe shumë çështje tjera si barazia ekonomike, vendimmarrja konsensuale, proceset e montuara politike, përfaqësimi, simbolet kombëtare e pikat tjera që përmban deklarata e arritur pas konsultimeve të bëra me drejtuesit e lartë shtetëror në Prishtinë dhe Tiranë.

“Ajo që bën përshtypje në këtë vendim është fakti që nuk është përmendur askund deklarata e përbashkët e partive shqiptare në Maqedoni. Megjithatë nuk do të paragjykojmë në këtë kohë dhe do të shohim se si do të ecin punët tutje. Nuk do të kisha thënë se është shkelur platforma. Mbase mund të përmendet në marrëveshjen qeveritare që ata do ta lidhin me VMRO-në. Do të shohim se çfarë do të ndodhë ditëve në vijim”, ka deklaruar Zeqirija Ibrahimi nga lëvizja BESA.

Nga Lidhja Social-Demokrate nuk kanë komentuar zhvillimet e tilla mes VMRO-së dhe BDI-së, por edhe deklaratën e partive politike shqiptare. Nga kjo parti thonë se do të prononcohen vetëm pasi Gruevski të kenë përfunduar afatin për formimin e qeverisë dhe kur mandati t’i kalojë liderit të saj Zoran Zaev.

Vështirësitë në formimin e qeverisë së re janë imponuar nga rezultati i ngushtë zgjedhor më 11 dhjetor ku asnjëra parti nuk ka fituar shumicës që pa probleme të bëj shumicën e re parlamentare.

Në të gjitha variantet janë partitë shqiptare ato që përcaktojnë nëse do të ketë ose jo qeveri të re apo nëse Maqedonia do të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare. (REL)

Ziadin Sela: Ose gjuha shqipe bëhet zyrtare, ose shqiptarët themelojnë parlamentin e tyre

Ziadin Sela, kryetar i Aleancës Shqiptare, deklaon: nëse maqedonasit nuk pranojnë ta votojnë ligjin që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare në Maqedoni, atëherë shqiptarët kanë zgjidhje tjetër.

“Ne do të largohemi nga ai parlament dhe do ta bëjmë parlamentin e shqiptarëve e më pas vet do ta zyrtarizojmë gjuhën shqipe aty ku janë shqiptarët”, tha Sela në rtv21 të Maqedonisë.

Ai shtoi se nga ky parlament do të dalë më pas edhe qeveria dhe organet tjera.

Sipas tij, shqiptarët më nuk do të pranojnë mashtrim nga partitë maqedonase dhe se është momenti i fundit kur shqiptarët duhet ti realizojnë të drejtat e tyre si popull i barabartë

Maqedoni: Liderët dakordohen, zgjedhjet më 11 dhjetor

Liderët e katër partive nënshkruese të marrëveshjes së Përzhinës VMRO-DPMNE, BDI, LSDM dhe PDSH u dakorduan sot që zgjedhjet e parakohëshme parlamentare në Maqedoni të mbahen më 11 dhjetor të këtij viti.

Kryetari i VMRO-DPMNE-s Nikolla Gruevski ka thënë se qëllimi i partisë maqedonase në pushtet tashmë një vit ka qenë që të ketë zgjedhje për zgjidhje. LSDM krijonte kriza për t’i shtyrë zgjedhjet, zgjedhjet e 11 dhjetorit do ta dënojnë këtë politikë, ka thënë Gruevski.

“Kemi bërë shumë hapa që ta sjellim LSDM-në në një situatë që të mos kërkojë më shtyrjen e zgjedhjeve, ku më të mos mundet t’u ikë zgjedhjeve, të mund të përballen me popullin dhe t’i mundësojë popullit të dalë në zgjedhje për të thënë fjalën e tij. E di saktë që populli në zgjedhje do ta dënojë LSDM-në për atë që i ka bërë Maqedonisë në këtë një vit e gjysëm të kaluar. Është mirë që LSDM nënshkroi në dokumentin për zgjedhje më 11 dhjetor, megjithëse çdo firmë që hedh LSDM duhet parë me rezervë, pasi nuk dihet si do veprojnë më tej”, u shpreh Gruevski.

Një ditë e mirë për Maqedoninë

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti deklaroi se kjo është një ditë e mirë për Maqedoninë, pasi që të gjitha forcat politike parlamentare arritën marrëveshje. “U arrit marrëveshje, me çka u pajtuan që janë plotësuar të gjitha kushtet për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike”, u shpreh Ahmeti.

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi ka thënë se për PDSH zgjedhjet janë të rëndësishme dhe se shpresa dhe garanca kryesore e PDSH mbetet  tek faktori ndërkombëtar.

“Ne do të vazhdojmë të kemi sjellje konstruktive, shpresa kryesore dhe garanca për PDSH mbetet faktori ndërkombëtar, SHBA dhe BE dhe institucionet që do të monitorojnë zgjedhjet në Maqedoni”, ka theksuar Menduh Thaçi.

Lideri i opozitës maqedonase, kryetari i LSDM-s Zoran Zaev ka thënë se nga sot regjimi i Gruevskit shkon në histori.

“Luftuam që qytetarët e  Maqedonisë në 11 dhjetor të mund të votojnë të lirë. Koha për zgjedhje të dhunshme dhe e falsifikimit të vullnetit të qytetarëve, ka përfunduar. Në 11 dhjetor do të mundim varfërinë, kriminalitetin, korrupsionin, ndarjet etnike, urrejtjen, partizimin e institucioneve, aferat, proceset e montuara gjyqësore dhe mafian. Paralajmërojmë VMRO-DPMNE-në, të mos mendojë sërisht të shkelë marrëveshjen e dakorduar duke lënë peng Maqedoninë. LSDM do të përgjigjet ashpër ndaj çdo shkeljeje të  Marrëveshjes së Përzhinës, veçanërisht shkatërrimin e Prokurorisë Speciale Publike”, është shprehur lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev.

Përkrahja e ndërkombëtarëve nuk mungon

Bashkësia ndërkombëtare është krenare që mundi t’u ndihmojë liderëve të dakordohen që më 11 dhjetor të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Besojmë se ky do të jetë një hap i rëndësishëm për zgjidhjen e krizës politike, porositi ambasadori amerikan Xhes Bejli pas nënshkrimit të marrëveshjes.

“Do të bëjmë gjithçka që mundemi në javët dhe në muajt e ardhshme që të sigurohemi se do të ketë zgjedhje kredibile që do t’i plotësojnë kushtet dhe të cilat do t’u mundësojnë qytetarëve pa frikë lirshëm të votojnë. Ajo që është më me rëndësi është se çka do të bëjnë partitë, mediat, qytetarët. Këto janë ato vendime të cilat në fund do ta sjellin vendin në zgjedhje kredibile dhe do të mundësojnë që shteti të shkojë para në reforma të cilat do të sjellin në integrime euroatlantike. Kjo do të jetë pika kritike që do të ndodhë. Mediat do të kenë rol të rëndësishëm”, ka theksuar ambasadori amerikan Bejli.

Lukash Melka nga delegacioni i BE-së në Maqedoni tha se vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve më 11 dhjetor tregon se ka vullnet politik që vendi të shkojë përpara.

“Tani mbetet që partitë të sigurohen se qytetarët do të kenë zgjedhje të lirë në zgjedhjet kredibile dhe se të thënat për parregullsi zgjedhore gjatë procesit zgjedhor do të trajtohen në mënyrë përkatëse nga institutet relevante dhe nga vetë partitë”, është shpreha Melka.

Marrëveshjen e arritur për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare me 11 dhjetor e kanë përshëndetur edhe përfaqësuesit e lartë evropian, Komisioneri Johannes Hahn dhe Federica Mogherini, të cilët kanë kërkuar nga katër liderët politikë që të respektojnë marrëveshjen e arritur.

Të premten (02.09) zgjidhet qeveria teknike

Në qeverinë kalimtare do të marrë pjesë opozita maqedonase, ku do të emërojë pozitat në sektorët e punëve të brendshme dhe për punë dhe politikë sociale, si dhe zëvendësministrave plotësues për financa, shoqëri informatike dhe administratë dhe për bujqësi. Qeveria e re pritet nesër të miratohet në Parlament. Bashkimi Demokratik për Integrim do të vazhdojë të jetë pjesë e qeverisë teknike duke mos ndryshuar kuadrot e ministrave dhe zv/ministrave. Jashtë qeverisë teknike edhe kësaj radhe do të mbetet PDSH-ja, e cila nuk ka pranuar të hyjë në qeverinë teknike me vetëm dy ministra duke ua lënë përgjegjësinë për organizimine zgjedhjeve, tri partive të tjera.

Fatos Musliu

Gruevski mandatohet nga Ivanovi për formimin e Qeverisë

SHKUP – Presidenti Gjorge Ivanov sot i ka dorëzuar mandatin për formimin e Qeverisë të Republikës së Maqedonisë kryetarit të partisë së VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Afati për dorëzimin e mandatit për themelimin e Qeverisë skadonte sot. Presidenti Ivanov, sot ia dorëzoi mandatin për formimin e Qeverisë kryetarit të VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, partia e të cilit fitoi 51 deputetë në zgjedhjet e parakohshme të dhjetorit.

Mandatari në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit në Kuvend dorëzon programin dhe propozon përbërjen e Qeverisë. Qeverinë me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedh Kuvendi me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Përbërja e nëntë parlamentare e Maqedonisë, e cila ka 120 deputetë, u konstitua më 30 dhjetor të vitit të kaluar.

Më së shumti deputetë nga zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare më 11 dhjetor mori Koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE me 51 deputetë, pastaj Koalicioni i kryesuar nga LSDM me 49, BDI me 10 deputetë, Lëviza BESA 5, Aleanca për Shqiptarët 3, dhe PDSH arriti të siguronte 2 deputetë.

Ditë më parë BDI, Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët, dolën me platformë të përbashkët e cila do të jetë baza e tyre në negociatat për krijimin e Qeverisë së re në Maqedoni.

Gruevski e kërcënon BDI-në

Partitë politike në Maqedoni janë në pritje të dhënies së mandatit nga Presidenti Ivanov që sipas Kushtetutës do ta marr Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE-së dhe ish-kryeministër i Maqedonisë.

Në rendin e intervistave të ish-kryeministrit Gruevski për mediume pro partisë së tij, ai ka realizuar edhe një intervistë për gazetën ”Dnevnik”.

Ju sjellim një pjesë nga intervista e Gruevskit e cila duket si kërcënim dhe paralajmërim për BDI-në e Ali Ahmetit.

Në pyetjen e gazetares: Si do të pengoni që partitë shqiptare të bëjnë koalicion me LSDM-në?
Gruevski përgjigjet: E dinë në BDI si!

Përndryshe, Gruevski thotë se nëse BDI nuk futet me ta në koalicion atëherë ata duhet të mendojnë se si i morën në koalicion në vitet 2008, 2011 dhe 2014.

Poposki: Gruevski nuk do të kthehet më në skenën politike

Ish kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski nuk do të kthehet përsëri në skenën politike, prandaj fleni të qetë, tha njëri nga regjisorët më të spikatur në Maqedoni, Aleksandar Poposki, për Televizionin 24 Vesti.

Poposki, e ka komentuar edhe Deklaratën e partive shqiptare, gjendjen aktuale, marrëdhënien ndaj kulturës për perspektivën e vendit.

 

Maqedonasit frikësohen nga platforma bashkuese e Edi Ramës!

Diaspora e bashkuar maqedonase  ka shprehur shqetësimin rreth platformës së përbashkët të shqiptarëve në Maqedoni si dhe ndërhyrjen e kryeministrit Rama në këtë proces, njofton agjencia e lajmeve INA.

Kjo organizatë, e cila i quan shqiptarët pakicë, kërkon bashkimin e dy partive më të mëdha maqedonase për të ndaluar federalizimin e vendit, gjuhën shqipe si dhe ndërhyrjet e Tiranës zyrtare në punët e brendshme të shtetit maqedon.

Madje, ata kërkojnë edhe dënimin e kryeministrit shqiptarë Edi Rama, i cili sipas tyre ka kërkuar ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë.

Një kërkesë e cuditshme e kësaj organizate është edhe ndalimi i themelimit të partive me karakter etnik në Maqedoni.

Mblidhet parlamenti i Maqedonisë

Të premten u bë konstituimi i parlamentit të Maqedonisë, pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit. Megjithatë, ende nuk dihet se kush do të jetë kryetar i tij. Nga ana tjetër, asgjë zyrtare për bisedime në lidhje me formimin e qeverisë së re.

Parlamenti i ri i Maqedonisë i dalë nga zgjedhjet e 11 djetorit u mblodh sot, për të verifikuar mandatet e secilit prej deputetëve. Por seancës i paraprinë pakënaqësi, të shprehura sidomos nga Lidhja Social-Demokrate maqedonase për shkak të drejtimit me të nga ish-kryetari i parlamentit Trajko Velanovski dhe jo nga deputeti më i moshuar siç është tradita. Deputeti më i moshuar në këtë rast është Branko Manojlovski, nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim. Ai është shqiptar nga Reka e Epërme në Maqedoninë perëndimore. Por, me që seancat parlamentare nuk drejtohen në gjuhën shqipe, VMRO-DPMNE-ja dhe ish-kryetari i parlamentit Velanovski e thyen traditën, duke u thirrë në ndryshimet e ligjit për parlamentin.

Sidoqoftë, në seancën e sotme nuk u arrit as të zgjidhjet kryetari i ri i parlamentit. Kjo për shkak se ende nuk dihet se kush do ta formojë qeverinë e vendit. Sipas pritjeve, ky post mund t’i takojë ndonjërës prej partive shqiptare.

Ndërkohë, pati edhe reagime nga Lëvizja Besa, përkatësisht ligjvënësi i ri Zeqirja Ibrahimi kërkoi që të mos i verifikohej mandati i deputetit Johan Tarçullovskit, nga radhët e VMRO-DPMNE-së, i cili ish i akuzuar nga Gjykata për krime në Hagë për shkak të vrasjes së dhjetë civilëve në fshatin Lubeten në Shkupit pak ditë para arritjes së Marrvëshjes së Ohrit në vitin 2001. Tarçullovski për këtë ka vuajtur 2/3 e kohëzgjatjes së dëmimit ose tetë vjet burg.

Në seancë nuk morën pjesë dy deputetët e Partisë Demokratike Shqiptare, një nga ta vetë Menduh Thaçi, i cili përmes Fejsbukut ka njoftuar dorëheqjen nga kreu i partisë.

Në ditët e para të Vitit të ri 2017 parlamenti pritet të zgjedh kryetarin dhe organet tjera drejtuese.

VMRO-DPMNE ka 51 mandate, por ka shumë paqartësi nëse do të arrijë ta formojë qeverinë, për çka nevojiten 61 vota. Lidhja Social Demokrate ka 49 deputetë, BDI 10, Lëvizja Besa 5, Aleanca për Shqiptarët 3 dhe PDSH 2 deputetë.

Ivanovi: “Nuk do të lejojmë shtet binacional, ky është shtet unitar”

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, në fjalimin e tij vjetor deklaroi se ky ishte viti i përvjetorëve të ndritshme të cilat ishin të errësuara nga sfida të mëdha në nivel global dhe vendas

SHKUP – Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, në fjalimin e tij vjetor deklaroi se ky ishte viti i përvjetorëve të ndritshme të cilat ishin të errësuara nga sfida të mëdha në nivel global dhe vendas. Për arsye se përbërja e re e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit ende nuk është konstituuar, presidenti i shtetit fjalimin vjetor e mbajti në kabinetin e tij, raporton Anadolu Agency (AA).

Ivanov në fillim të fjalimit të tij theksoi se në nuk do të flas për, siç tha ai, “kërcënimet e dhunshme të ekstremizmit dhe sfidat tjera të mëdha me të cilat nuk është ballafaquar vetëm Maqedonia, por edhe rajoni, Evropa dhe mbarë bota, mirëpo do të flas për çështjen më të rëndësishme për vendin, e cila është kriza politike që krijoi një ambient të frikës dhe të pasigurisë”.

Ivanov shtoi se që nga viti 2009 kur Maqedonia mori raportin e parë pozitiv dhe rekomandimin për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian (BE), deri më tani Maqedonia mbeti koleksionist i raporteve dhe rekomandimeve pozitive evropiane për anëtarësim në NATO. Ai theksoi se Maqedonia nuk kërkon justifikime dhe është e vetëdijshme për të metat e saj, por është e vetëdijshme edhe për lëshimet dhe detyrimet e papërmbushura të NATO-s dhe BE-së ndaj Maqedonisë.

“Sjellja e papërgjegjshme e NATO-s dhe BE-së ndaj Maqedonisë në mënyrë të pashmangshme reflektoi në politikat tona të brendshme. U humb vrrulli i reformave, marrëdhëniet mes partive politike u tensionuan dhe fuqia transformuese e bashkimit u reduktua. Pasojat e bllokadës u bënë shkak për bllokada të reja të Maqedonisë”, tha Ivanov.

Gjendja e Maqedonisë u komplikua edhe më tej në fiillim të prillit të këtij viti

Presidenti Ivanov duke theksuar se kjo gjendje edhe më tej u komplikua në fillim të muajit prill të vitit 2016 kur u anuluan zgjedhjet e qershorit, shtoi se: “Në kufirin tonë jugor mijëra emigrantë tentonin me forcë të thyejnë gardhin mbrojtës dhe për të rihapur ‘korridorin ballkanik’ për emigrantët për në Evropë. Në të njëjtën kohë, 40 ekstremistë dhe terroristë të dhunshëm bastisën kufirin verior, me qëllim për të kryer akte terrorsite hakmarrëse. Ekzistonte dhe ende ekziston rrezik i lartë nga luftëtarë të huaj terrorist që u kthyen nga fushat e betejës së Lindjes së Mesme”.

Ivanov theksoi se qeveria e re në programin e saj të ketë dy prioritete kryesore, mbrotjen e interesave të vendit me përforcimin e karakterit unitar të shtetit, si dhe reformat sistematike të sigurisë kombëtare të Maqedonisë.

“Këto prioritete janë të nevojshme, para së gjithash, për arsye të kërcënimeve të shumta me të cilat ballafaqohemi dhe për arsye të dobësive të brendshme që i kemi. Pasojat e konflikteve në rajonin e Afrikës Veriore dhe Lindjes së Mesme, migrimi ilegal, aktivitetet e luftëtarëve të huaj terrorist, rrjetet transnacionale kriminale, ekstremizmi i dhunshëm, radikalizmi dhe intereset e qendrave të ndryshme të ndikimit, ndikojnë në polarizimin e shoqërisë maqedonase”, deklaroi Ivanov.

Ai shtoi se ata mund të shkaktojnë tensione të brendshme ndëretnike dhe ndërfetare në vend, gjë për të cilën presidenti theksoi se ekziston një rrezik i lartë për sigurinë e brendshme nga kërcënimet e jashtme.

Maqedonia nuk është shtet binacional, por është shtet unitar

Presidendi Ivanov në vijim të fjalimit të tij theksoi se nuk do të lejojë që disa udhëheqës të partive politike në tryezën e bisedimeve t’i vendosin interesat shtetërore të vendit, në kundërshtim me Kushtetutën. Ai duke kërkuar nga qeveria e re të kryejë regjistrimin e popullsisë e cila për herë të fundit është kryer para 14 viteve, theksoi se Maqedonia është shtet unitar me një shoqëri multi-etnike, multi-fetare dhe multi-gjuhësore.

“Asnjëherë nuk do të pajtohem që Maqedonia të jetë shtet binacional. Asnjëherë nuk do të pajtohem që Maqedonia të jetë shtet federal. Maqedonia është shtet unitar i të gjithë qytetarëve të saj të barabartë, maqedonasve, shqiptarëve, turqve, serbëve, vllehëve, romëve, boshnjakëve, të krishterëve, muslimanëve, çifutëve dhe ateistëve. Kjo është ajo që na ndryshon prej të tjerëve”, deklaroi Ivanov.

Presidenti maqedonas porositi që liderët politik të ndalojnë thirrjet dhe keqpërdorimin e emrave të ambasadorëve të huaj në vend që të realizojnë qëllimet e veta, ndërsa përfaqësuesve diplomatik u bëri thirrje t’i përmbahen konventave të Vjenës në ushtrimin e detyrave të tyre.

“Apeloj që të ndalojmë me përdorimin e retorikës së patriotëve dhe tradhëtarëve. Të ndalojmë sepse për çdo fjalë dhe fyerje thellon ndarjet në shoqërinë tonë. Të ndalojnë edhe sulmet ndaj përfaqësuesve diplomatik. Të ndalojmë me atë që fajin ta shohim diku tjetër. Udhëheqësit e caktuar politik të ndalojnë thirrjen dhe keqpërdorimin e emrave të ambasadorëve të huaj në vend që të realizojnë qëllimet e veta. Në të njëjtëjn kohë, përsëris edhe thirrjen e përfaqësuesve politik në ushtrimin e detyrave të tyre të jenë të kujdesshëm me veprimet dhe retorikën e tyre, si dhe t’u përmbahen konventave të Vjenës”, deklaroi Ivanov.

Liderët politik të zotohen në axhendën evropiane

Ivanov u bëri thirrje gjashtë liderëve të partive parlamentare të tregojnë përgjegjësi dhe përkushtim në krijimin e një Maqedonie evropiane dhe euro-atlantike.

“Apeloj sa më shpejtë të nënshrkuajnë një deklaratë të detyrueshme për përkushtimin e tyre në axhendën evropiane dhe euro-atlantike. Apeloj që të zotohet se të gjitha ligjet dhe vendimet e axhendës evropiane do të kenë përparësi, deri sa besimi i qytetarëve në Bashkimin Evropian dhe NATO do të jetë i lartë”, u shpreh Ivanov.

Presidenti Ivanov poashtu apeloi që BE-ja të ndalojë me bllokimin e të ardhmes së Maqedonisë, pasi që sipas tij, me bllokimin e negociatave bllokohet edhe ndërtimi i institucioneve përgjegjëse dhe evropiane në vend. ​

Rivotim në Tearcë të Tetovës

Në Tearcë të rajonit të Tetovës sot përsëritet votimi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i Maqedonisë ka njoftuar se vendvotimi 2011 në shkollën fillore “Kiril Pejçinoviq” është hapur në orën 7 të mëngjesit dhe proces i votimit realizohet pa probleme.

Në Listën zgjedhore në këtë vendvotim janë regjistruar gjithsej 714 votues.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) mori vendim që të përsëritet votimi në Komunën e Tearcës, në bazë të simulimit, me të cilën u tregua se rivotimi mund të ndikojë në numrin e mandateve të fituara, dhe në bazë të vendimit të Gjykatës Administrative për ta pranuar ankesën dhe për të sjellë vendim për anulimin e votimit në këtë vendvotim më 11 dhjetor.

Nga ana tjetër, organizata qytetare CIVIL, e cila e monitoron procesin zgjedhor, ka njoftuar se Ministria e brendshme e Maqedonisë ka konfirmuar arrestimin e personave në Tearcë, deri sa kanë ofruar para për votuesit që të mos dalin në zgjedhje.

Mosdalja në zgjedhje mundëson që të mbetet i njejtë rezultati zgjedhor përderisa dalja masive krijon mundësin e barazimit të mandateve mes dy partive kryesore maqedonase, VMRO DPMNE-së dhe Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë.

Mbahet takimi mes partive shqiptare, nuk marrin pjesë BESA dhe PDSH

Në takimin e inicuar nga lideri i BDI-së, Ahmeti morën pjesë liderët e LR-PDSH Ziadin Sela, nga UNITET-i Gëzim Ostreni dhe nga RDK Vesel Memedi. Në takim nuk morën pjesë Lëvizja BESA dhe PDSH

SHKUP – Në Shkup sot u mbajt takimi i liderëve të partive politike shqiptare në Maqedoni. Në takimin e inicuar nga lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti i shoqëruar nga zyrtarja e lartë e kësaj partie Teuta Arifi, morën pjesë liderët e partive politike pjesë e Aleancës për Shqiptarët, gjegjësisht nga LR-PDSH-ja Zijadin Sela, nga UNITET-i Gëzim Ostreni dhe nga Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) Vesel Memedi. Ndërsa në takim nuk morri pjesë asnjë zyrtarë i Lëvizjes BESA dhe Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH).

Ahmeti pas takimit, në deklaratën për gazetarët, tha se kanë realizuar një takim duke patur vullnetin e mirë të shumicës së partive politike shqiptare.

Ai tha se dallimet janë shumë më të vogla se sa çështjet e mëdha të cilat i bashkojnë. “Ne si shqiptarë të dalim me një zë për çështje që kanë të bëjnë me gjithë shqiptarët në Republikën e Maqedonisë pa dallim se i cilës partie ose elektorati është, sepse gjërat që kanë të bëjnë me shqiptarët janë shumë të përbashkëta. Javën që pason ne sërish do të takohemi për të bërë një analizë mbi zhvillimet në vend dhe do ti harmonizojmë të gjitha qëndrimet si parti politike gjithmonë duke patur për bazë platformat dhe doktrinat tona. Gjithashtu do të hartohet një komunikatë me shkrim mbi takimin e cila do të shpërndahet për mediat më së voni deri nesër pas darke”, deklaroi Ahmeti.

Lidhur me mospjesëmarrjen e Lëvizjes BESA dhe PDSH-së, Ahmeti tha se “për këtë takim të gjtiha partitë politike janë thirrur, të gjitha janë dakorduar në një iniciativë të tillë”.

“Nuk më duket qëndrim i shëndetshëm edhe për vet BESA-n e cila nuk mori pjesë në këtë takim. Sa i takon PDSH-së ato me arsyetim të pranueshëm se janë në një proces tjetër dhe se shqyrtojnë kërkesën për një takim të përbashkët dhe ne mbetemi të hapur. Ky është një nga vlerësimet dhe vendimet unanime të bëra të subjekteve që përfaqësojnë që ftesa të mbetet e hapur edhe më tej për partitë politike si për BESA-n ashtu edhe për PDSH-në. Ftesa qëndron në takimin e radhës që ne do ta mbajmë javën që pason, janë të mirëseradhur”, thekson Ahmeti.

Ndërsa në lidhje me temën mbi të cilën është biseduar në këtë takim lideri i BDI-së, Ahmeti tha: “Kemi biseduar për të gjitha çështjet të cilat janë dhe po zhvillohen në vendin tonë. Kemi qenë shumë të hapur dhe analitik në të gjitha drejtimet. Për më konkretisht të gjitha gjëra do të pasqyrohen në vendimin e përbashkët, sepse presim edhe forca tjera politike që të na bashkohen për të nënshkruar një memorandum të përbashkët si shqiptarë”.

Ndërsa nga ana tjetër kryetari i LR-PDSH-së, Ziadin Sela, takimin e vlerësoi si të rëndësishëm për politikbërjen shqiptare dhe kuptimin që duhet të marrë politikbërja shqiptare.

Ai tha se çdo herë ka qenë pro qëndrimit që duhet të ketë ura komunikimi mes subjekteve politike shqiptare pa marrë parasysh nëse janë në opozitë ose në qeverisje. “Ne jemi këtu për të bashkuar veprimin politik dhe jo subjektet politike. Në këtë fazë mendojmë që ne duhet të kemi qëndrime të përbashkëta, në mënyrë që ta ndiejnë presionin blloku tjetër politik në mënyrë që njëherë e përgjithmonë të zgjidhen interesat e atyre të cilët ne i përfaqësojmë”, tha Sela. aa


Send this to a friend