VOAL

VOAL

Ndërron jetë vrasësi i kryetarit të Bogovinës, BDI kërkon zbardhjen e ngjarjes

“Ftojmë institucionet të zbardhin motivet për këtë vrasje makabre e cila ka qenë e paprovokuar në asnjë mënyrë”, thuhet në njoftim

SHKUP – Partia politike Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), përmes një njoftimi ka reaguar për vrasjen e anëtarit të saj, njëherësh kryetar i komunës së Bogovinës, Hazbi Idrizi, i cili sot në mëngjes u qëllua për vdekje me armë zjarri.

Siç thuhet në komunikatën e BDI-së, Hazbiu është vrarë gjatë kryerjes së punës së tij zyrtare në shërbim të qytetarëve. “Ftojmë institucionet të zbardhin motivet për këtë vrasje makabre e cila ka qenë e paprovokuar në asnjë mënyrë”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, MPB njofton se ka ndërruar jetë edhe personi i cili ka shtënë mbi kryetarin e Bogovinës, një bashkëvendas i tij 53 vjeçar, me inicialet Q.A, i cili pas vrasjes ka tentuar të kryej vetëvrasje, për çka ishte dërguar në qendrën e Urgjencës në Shkup.

Kryetari i komunës së Bogovinës, (rrethi i Tetovës), Hazbi Idrizi, mëngjesin e sotëm ishte qëlluar me armë zjarri pas një zënke verbale me personin e lartpërmendur në një objekt hotelierik në afërsi të komunës.aa

Serbia e irrituar me deklaratat e Zaevit

Marrëdhëniet e Serbisë me Zoran Zaev janë tensionuar, ende pa e marrë pushtetin në Shkup, pas një interviste për “Kurir”-in e Beogradit, ku tha se Serbia mbështet Nikola Gruevskin dhe VMRO-në, pasi ajo drejtohet nga nacionalistë si Aleksandar Vuçiç.

Kryeministri dhe presidenti i zgjedhur serb, Aleksandar Vuçiç ka thënë se drejton një politikë të paqes me të gjithë rajonin. Përveç Zaev, të cilit i ka thënë se nuk drejton politikë nacionaliste, Vuçiç ka komentuar edhe deklarimet e ish-kryeministrit kosovar, Ramush Haradinaj, në një intervistë.

“Shqiptarëve ua kam zgjatur dorën dhe nuk bëj shaka me ta”, tha ai, duke shtuar se e shqetëson vetëm heshtja e Europës.

“Jam mësuar sesa lehtë bashkohen të gjithë shqiptarët dhe ndihmësit e tyre, të cilët kanë vetëm një qëllim: të sulmojnë Aleksandar Vuçiçin. Nuk e bëjnë këtë për shkakun tim, por sepse i pengon fuqizimi i Serbisë”, tha Vuçiç.

Deklarimet nga Maqedonia i kanë kritikuar edhe dy ministra serbë. Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç e quan atë një deklaratë skandaloze. Por Serbia nuk do të reagojë, pasi Zaev ende nuk e ka marrë pushtetin.

“Maqedonia ka njohur Kosovën dhe ka votuar për Kosovën në UNESCO. Këto qëndrime të një personi që pretendon të jetë kryeministër nuk mund të shihen si miqësore. Por, ne mundohemi të drejtojmë një politikë të paqes”, tha Ivica Daçiç, ministër i Jashtëm i Serbisë, njofton tch.

Vuçiç është angazhuar për Maqedoninë dhe ka bërë thirrje për zgjidhje me dialog. Por, angazhimi i Tiranës dhe Prishtinës është parë si cënim për tërë rajonin nga zyrtarët serbë.

U thashë huliganëve “Largojuni se asht i vdektë” – Rrëfen personi që e shpëtoi Zijadin Selën nga huliganët (Video)

Punonjësi i sigurimit në Kuvendin e Maqedonisë, Abdylfetah Alimi nga Orizarja e Kumanovës, në një intervistë për televizionin Alsat-M, tregon momentet e tmerrit që kaluan bashkë me Zijadin Selën, në kohën kur ai e shpëtoi atë nga duart e dhunuesve të cilët mbi të ishin duke ushtruar dhunë brutale.

Abdylfetahu tregon se si bashkë me Selën për disa orë me radhë kanë qëndruar vetëm.

Ndërkohë në sallë është paraqitur vetëm motra medicionale e Kuvendit për t’i dhënë infuzion. Orën e tmerrit, Abdylfetahu i përshkruan të gjata si shekuj.

Disa orë më vonë ka arritur grupi i policëve të cilët kanë ndihmuar evakuimin e tyre. Pasojat e asaj nate Abdylfetahu i ndjen akoma.

Pamjet e tmerrit që përjetoi edhe më tej vazhdojnë ta shqetësojnë. Veprimin e tij e përshkruan më shumë si përgjegjësi morale dhe profesionale.

Analistët shqiptarë interpretojnë qëndrimet e Zaevit ndaj Kosovës në medien serbe

Paraqitja e udhëheqësit të Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev në një intervistë për Kuririn e Serbisë, në të cilën deklaroi se, maqedonasit janë vëllezër me Serbët dhe se Kosova është zemra e Serbisë, ka ngjallur shumë reagime në opinion. Deklarata e Zaevit vjen menjëherë pas koalicionimit me BDI-në, deri para koalicionimit ai (Zaev) dukej si një politikan i moderuar por se a ka ndërruar qëndrim Zaev, përgjigjen për gazetën Lajm, gazetari Xhenur Iseni dhe njohësi i çështjeve politike, Qenan Aliu.

Kjo deklaratë e Zoran Zaevit nuk ka të bëjë aspak me atë se tani do koalicionin me BDI-në, mendon gazetari Xhenur Iseni

“Zoran Zaev pas ndodhive të fundit terroriste që ndodhën në Parlament, shihet si personi i vetëm dhe gjithëpërfshirës që është në prag të rrëzimit të një diktature 10 vjeçare të Nikolla Gruevskit, andaj Zaev me këto deklarata po bënë një bilanc duke mos i përjashtuar edhe serbët sepse në fakt do jetë kryeministër i gjithë qytetarëve të Maqedonisë”, pohoi Iseni.

Iseni mendon se ajo që tha Zaev kishte të bëjë me kishat serbe dhe nuk mendon se ka të bëjë me territorin e Kosovës dhe për këtë nuk duhet të dramatizojmë shumë këtë deklaratë.  Kemi TERRORIN para syve dhe kjo është ajo që duhet luftuar me gjitha forcat.

“Mendoj se Zaev me deklaratat e balancuara që besoj se do të vazhdojnë edhe më tutje, dëshiron të paraqitet  si një person udhëheqës i përgjithshëm i cili dëshiron ndryshime radikale pa dallim përkatësive etnike dhe ajo përjetohet si simbol i shpëtimit nga kjo qeveri me primate terroriste”, deklaroi Iseni.

“Të kujtojmë që kandidati për President të Maqedonisë nga radhët e LSDM-së, Stevo Pendarovski gjatë kampanjës presidenciale kishte takim me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi. Kjo tregon se kjo parti respekton institucionet e Kosovës si shtet sovran dhe demokratik”, përfundoi Iseni.

Njohësi i çështjeve politike, Qenan Aliu, thotë se e ka ndjekur intervistën, dhe se  nuk e arsyeton Zoran Zaevin. Por duhet bërë një digresion, më duket se nuk pohoi se Kosova është e Sërbisë por Kisha manastiri qenka zemra e Sërbisë.

“Dua të them se politikanët nga njëherë mbajnë llogari dhe sikur përshtaten edhe me frymën e mediumit për të cilin prononcohen për çështje të caktuara. Por pavarësisht asaj ka mundur edhe më ndryshe, pra nuk e arsyetoj dhe më shumë e cilësoj si jo koncentrim kuptohet pas një tronditje që pësoi Zaev në kuvend, mendoj se nuk duhet të merret si provokim. Fundja ai akoma është lider i opozitës dhe intervista ishte në këtë cilësi. Zotin Zoran Zaev unë personalisht do ta kritikoj në vazhdimësi pas 100 ditëve pasi të zgjidhet qeveria e re”, por aktualisht tregoi vendosmëri prandaj i duhej mbështetja morale  tha Aliu

Ai veçon se, Zoran Zaev në aspektin e koderimit nuk mund të bëjë vet, apo si parti, duhet debat gjithëpërfshirës dhe vetëdijesim kolektiv

“Ajo që duhet të bëjë kjo qeveri është obligimi primarë të  bëjë çkapjen e institucioneve por jo për ti kapur vetë por për ti reformuar për të punuar pa ndikime në pajtim me ligjet. Fundja asnjë shtet nuk ka zemër, por ka territor, popull dhe institucione. Republika e Kosovës i ka të gjitha nishanet e shtetit andaj në territorin e saj nuk mund të ketë zemër të ndonjë shteti tjetër, por mund të ketë vetë frymë të bashkëpunimit reciprok dhe të njohjes dhe respektimit të ndërsjellë”, përfundoi Aliu në deklaratën e tij për Gazetën Lajm.

Talat Xhaferi merr kabinetin e kryeparlamentarit të Maqedonisë

Kryetari i ri i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi

 

Kryetarit të ri të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi i është dorëzuar kabineti nga pasardhësi i tij, Trajko Veljanovski përkundër kundërshtimit nga ana e tij që këtë ta bënte pas zgjedhjes së Xhaferit për kryeparlamentar të enjten e kaluar nga shumica e re parlamentare.

Shërbimet e Kuvendit tanimë kanë nisur edhe procedurën e publikimit të emërimit të tij në gazetën zyrtare për të rrumbullakësuar procesin e zyrtarizimit të tij për kryetar të Kuvendit. Pas këtij akti pritet që Xhaferi të njoftojë presidentin Gjorge Ivanov se në Kuvendin e Maqedonisë ka shumicë parlamentare dhe se mandati për kryeministër duhet ti ndahet liderit social-demokrat, Zoran Zaev.

Xhaferi takimin e parë e ka realizuar me ambasadorin e Bashkimit Evropian Samuel Zhbogar.

Në Parlamentin e Maqedonisë është gjetur mjet shpërthyes

SHKUP – Sot rreth orës 17:30 një pjesëtar i sigurimit të Parlamentit të Republikës së Maqedonisë në katin e parë zbuloi një mjet të improvizuar shpërthyes.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) të Maqedonisë për AA e konfirmuan rastin, duke theksuar se ekipi policor veçmë është në vendngjarje.

“Sigurimi i brendshëm i Parlamentit e paraqiti rastin. Momentalisht në Parlament ka ekip hetues, po bëhet hetim që të mund të vërtetohet saktë se për çfarë mjeti shpërthyes bëhet fjalë”, konfirmuan për AA nga Sektori për marrëdhënie me publikun në MPB, për të shtuar se sipas informacioneve të cilat i kanë nuk ka kërcënim ndaj sigurisë.

Nga MPB paralajmëruan se pas zbardhjes së tërësishme të rastit dhe informacioneve shtesë të njëjtat do ti bëjnë të ditur para opinionit.

Ndryshe, mbrëmjen e 27 prillit, pas zgjedhjes së Talat Xhaferit për kryetar të Parlamentit, protestuesit e iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët” që ishin tubuar para ndërtesës së shtëpisë ligjvënëse u futën me dhunë brenda institucionit. Si pasojë e dhunës së protestuesve që kishin cak deputetët, mbetën të plagosur rreth 100 persona, duke përfshirë deputetë, punonjë të policisë dhe përfaqësues të medias.

Grubi: Presim që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të shpallet në Gazetën Zyrtare

Deputeti Artan Grubi dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti

 

Deputeti Artan Grubi ka njoftuar se kryetari i ri parlamentit, Talat Xhaferi, do ta thërrasë seancën parlamentare sapo të krijohen kushtet.

“Sot bashkë me kryetarin e ri të Kuvendit, Talat Xhaferin, kemi ardhur në orën 8 e 30 minutapër të kryer punët tona ditore administrative. Me këtë rast kryetari i ri i nënshkroi të gjitha udhëzimet administrative për shërbimet në Kuvend për t’ia mundësuar punën në kabinetin e tij në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Ato janë dërguar tek sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, janë të arkivuar me numër të arkivit dhe protokolluar në përputhje me rregulloren dhe ligjet. Jemi në pritje të realizimit të asaj urdhërese të kryetarit të ri të Kuvendit, për të mundësuar punën normale dhe funksionimin normal të Kuvendit”, ka bërë të ditur deputeti Artan Grubi.

Ai nënvizoi se sekretari i përgjithshëm i parlamentit do të veprojë në respektim të kryetarit të ri të parlamentit Talat Xhaferi, pasi vendimi për zgjedhjen ekryetarit të ri të Kuvendit, të shpallet në Gazetën Zyrtare.

Deputeti Grubi duke komentuar uzurpimin e zyrës së kryetarit të parlamentit të Maqedonisë, nga ana e deputetëve të VMRO DPMNE –së tha se “Talat Xhaferi është institucion në vete, sepse kryetari i parlamentit është institucioni, nuk është zyra”

Ndërkohë që pritet të fillojnë protestat në organizim të iniciativës qyetare “për Maqedoni të përbashkët” kundër zgjedhjes së Talat Xhaferit për kryetar të parlamentit në orën 17.00, forca të theksuara të njësive speciale kanë siguruar institucionet shtetërore.

Njësite të blinduara janë stacionuar në Parlamentin e Maqedonisë në të cilin institucion, të enjten e kaluar, një grup protestuesish u futën me dhunë dhe sulmuan deputetët e shumicës parlamentare.

LQSHA: Washingtoni dhe Brukseli të tejkalojnë retorikën e dështuar të ruajtjes të stabilitetit në Maqedoni

Ka ardhur koha për ta bërë demokracinë dhe barazinë ndëretnike një realitet në Maqedoni

LQSHA dënon dhunën në Maqedoni

Lidhja_Qytetare_Shqiptaro-Amerikane_(LQSHA)New York—29 prill 2017—Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane fuqishëm dënon dhunimin e Parlamentit të Maqedonisë nga rreth dyqindë përkrahës të VMRO-DPMNE-së pasi që Social Demokratët (LSDM) lidhën koalicion me partite shqiptare dhe zgjodhën Talat Xhaferin në postin e Kryetarit të Parlamentit—duke e bërë kështu atë shqiptarin e parë të zgjedhur në këtë pozitë që kur vendi kishte shpallë pavarësinë nga Jugosllavia më 1991.

Protestuesit që përfaqësonin ish-Kryeministrin Nikola Gruevski dhe partinë e tij VMRO hynë dhunshëm në Parlament më 27 prill, duke rrahur keq liderin social-demokrat Zoran Zaev (mediat ndërkombëtare kanë shfaqur foto të tij të përgjakur në fytyrë dhe kokë) si dhe liderin politik shqiptar Dr. Ziadin Sela, i cili ende është nën trajtim mjekësor për shkak të lëndimeve të rënda që ka pësuar. Veprimet e VMRO-së demonstrojnë se sa e paqëndrueshme dhe etnikisht e ndarë është Maqedonia pasi që regjimi i Nikola Gruevskit dështoi të krijoi një koalicion shumice pas zgjedhjeve të dhjetorit 2016 dhe mandej kundërshtoi përpjekjet e Zoran Zaevit për të krijuar koalicionin me partite shqiptare. Pamjet e ngjarjeve të 27 prillit 2017 na rikujtojnë urrejten etnike që sllavo-maqedonasit, nën drejtimin e Gruevskit, kanë ndaj shqiptarëve që kur VMRO-DMPNE kishte ardhë në pushtet gati dy dekada më parë.

Komuniteti ndërkombëtar e ka dënuar këtë dhunë dhe i ka bërë thirrje qeverisë së Maqedonisë që t’i kthehet procesit demokratik. Në deklaratat e përbashkëta nga Brukseli, shefja e politikës së jashtme të BE-së Frederica Mogherini si dhe Komisioneri për Zgjerim i BE-së Johannes Hahn kanë thenë se “Bashkimi Evropian është i bindur që dialogu politik ndërmjet institucioneve është mënyra e vetme përpara.” Kurse, Ambasada Amerikane në Shkup ka theksuar se do të punojë më Kryetarin e ri të Parlamentit, Talat Xhaferi, për “të përkrahur demokracinë dhe cuar përpara interesat e Maqedonisë.”

Përkundër këtyre deklaratave, Washingtoni dhe Brukseli duhet që sa më shpejt të kalojnë përtej retorikës së deshtuar të ruajtjes së stabilitetit pa ndonjë strategji reale për ta bërë atë realitet. Koha ka ardhur për ta bërë demokracinë dhe barazinë ndëretnike një realitet në Maqedoni. Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane do të punojë në këtë drejtim në bashkëpunim të ngushtë më liderët kyc të politikës së jashtme në Kongresin e SHBA-ve nga të dyja taborret kryesore politike, të cilët vazhdimisht kanë demonstruar përkrahjen e tyre për të drejtat dhe barazinë e shqiptarëve, duke përfshirë Kongresistin Ed Royce (R-CA), Kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme, Kongresistin Dana Rohrabacher (R-CA), Kryetar i Nënkomitetit për Evrope, Eurazi, dhe Kërcnimet e Reja, Kongresistin Jarrold Nadler (D-NY), Senatorin John McCain (R-AZ), Kryetar i Komitetit për Forcat e Armatosura, si dhe Senatorin Charles Schumer (D-NY), Lider Minoritar i Senatit të SHBA-ve.

Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka bërë presion në vazhdimësi për një degjim kongresional për korrupsionin politik dhe shkatërrimin ekonomik në Ballkan, vecanerisht për dështimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit për të sjellë barazi etnike në Maqedoni. Qeveria e SHBA-ve duhet që përsëri të marrë rol udhëheqës në këtë krizë në zhvillim e sipër para se njerzit iracional të marrin pushtetin me force./Illyriapress

Mot i ftohtë në Maqedoni, reshje bore në disa zona

Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM ) në Lazaropole sot në mëngjes është matur temperatura më e ulët prej minus 7 gradë

SHKUP – Sot në mëngjes në Maqedoni mbisundon mot i ftohtë me temperatura nën zero dhe me borë në Krushevë dhe Mavrovë.

Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM ) në Lazaropole sot në mëngjes është matur temperatura më e ulët prej minus 7 gradë.

Në Krushevë dhe Mavrovë janë matur – 5, në Berovë -4, Ohër -2, Manastir -1, në Tetovë, Strumicë, Kriva Pallankë dhe Vinicë është 0, ndërsa në Kumanovë dhe Shtip 1, në Shkup dhe Demir Hisar 2, në Dojran 4 dhe në Gjevgjeli nga 5 gradë.

Siç njoftoi DPHM, më shumë shi gjatë 24 orëve të fundit ka rënë në Mavrovë, ku janë matur dy, ndërsa në Krushevë dhe Ohër nga një litër në një metër katror.

Në Krushevë dhe Mavrovë sot në mëngjes në orën 08:00 është matur mbulesa e borës prej 1 deri në 3 centimetra.

Paralajmërohet se moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe i ftohtë me erë të forcuar veriperëndimore. Në orët e paradites në pjesët veriperëndimore do të ketë borë të dobët lokale.

Në Shkup, moti do të jetë i ngjashëm, me erë të forcuar veriperëndimore dhe me temperaturë deri në 10 gradë. aa

Vejseli: Zaevi me shumicën parlamentare të tregojë lidership dhe të formojë qeverinë

Lideri i Partisë së Prosperitetit Demokratik Abdyladi Vejseli, duke analizuar zhvillimin e ngjarjeve politike pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, konsideron se procesi i konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re tashmë është stërgjatur dhe manifestimet gjoja “demokratike” nëpër rrugë dhe në Kuvendin e Maqedonisë kanë marrë karakter të urrejtjes nacionale drejtuar kundër shqiptarëve.

Sipas Vejselit, shumica parlamentare e udhëhequr nga lideri i LSDM-së Zoran Zaev duhet të tregojë lidership dhe në përputhje me rekomandimet e BE-së, NATO-s dhe Departamentit amerikan të Shtetit të zgjedhin kryeparlamentarin dhe qeverinë e re demokratike në mënyrë që shteti të ecë drejt rrugës së zhvillimit ekonomik, politik e kulturor.

“PPD gjithashtu fton deputetët e zgjedhur që më tej  të mos lejojnë që të uzurpohet karrigia e kryeparlamentarit nga ana e të vetemëruarit kryesues i Parlamentit  Trajko Veljanovski dhe Parlamenti të shndërrohet edhe më tej në “vend kënagjegjesh dhe muhabetesh  ditore” por t’i gjasojë funksionit për të cilin është destinuar”, porosit Vejseli.

Protestat antishqiptare vazhduan me brohoritje edhe kundër BE-së

Pamje nga protestat e mëparshme në Shkup

 

Demonstruesit kanë brohoritur slogane kundër Bashkimit Evropian, derisa përsëri kanë dalur në rrugët e Shkupit, për të protestuar kundër përfshirjes së propozuar të partive shqiptare në koalicionin qeverisës në Maqedoni.

Mijëra demonstrues mbrëmë u ndalën para Kuvendit të Maqedonisë dhe kërkuan zgjedhje të reja, ndërsa i kritikuan përsëri planet e partnerëve të koalicionit qeverisës për zyrtarizimin e gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në këtë vend.

Protestuesit, po ashtu, e kanë përshëndetur presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, për të cilin është raportuar se ka refuzuar të takohet me politikanin suedez, Carl Bildt, që është bashkëkryesues i Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme, gjatë vizitës së tij të djeshme në Shkup.

Vizita e zotit Bildt kishte për qëllim përpjekjet për ta ndihmuar Maqedoninë në zgjidhjen e krizës së thellë politike dyvjeçare.

Partia e deritashme në qeveri, WMRO-DPMNW, për javë të tëra në mënyrë të suksesshme e ka bllokuar formimin e koalicionit qeverisës dhe zgjedhjen e krytearit të Kuvendit të Maqedonisë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje WMRO-DPMNE-së që t’i ndalë taktikat penguese, nga të cilat është zgjatur kriza e gjatë politike në Maqedoni.

Kocijançiç: Presim zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë dhe formimin e qeverisë

“T’i jepet fund paqartësisë aktuale dhe të formohet qeveri pa vonesë, bazuar në shumicën parlamentare që ekziston”, tha zëdhënësja e KE-së, Kocijançiç

SHKUP – Zëdhënësja e Komisionit Evropian Maja Kocijançiç në fjalën e saj në ndërtesën “Berlemont” të KE-së sot ka folur për situatën aktuale politike në Maqedoni. Ajo deklaroi se pret zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit dhe më pas formimin e një qeverie të re të reformave, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në mesazhin në fjalë nga Brukseli dërguar për deputetët e Kuvendit të Maqedonisë dhe deri tek presidenti i vendit, kërkohet zgjedhja sa më e shpejtë e kryetarit të Kuvendit dhe formimi i qeverisë. Në mesazhin nga Brukseli ritheksohet se duhet respektuar rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare në Maqedoni.

“T’i jepet fund paqartësisë aktuale dhe të formohet qeveri pa vonesë, bazuar në shumicën parlamentare që ekziston. Përfaqësuesi i Lartë dhe Komisioneri Hahn i bëri thirrje presidentit të rishikojë qëndrimin e tij. Ne tani presim që të gjithë liderët dhe institucionet politike të lejojnë vazhdimin e procesit demokratik, ndërsa me këtë nënkuptohet edhe zgjedhja e kryetarit të ri të Kuvendit”, ka thënë zëdhënësja e KE-së, Kocijançiç.

Në Kuvend po mbahet vazhdimi i dhjetë i seancës konstituive në të cilën diskutohet për Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime dhe për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Ndërkohë, prej më shumë se një muaji mbahen protesta nga iniciativa qytetare “Për Maqedoni të Përbashkët”, nga e cila kërkojnë që LSDM-ja dhe partitë e tjera politike të mos e pranojnë siç thonë “platformën e partive politike shqiptare” në Maqedoni.

Protestat antishqiptare do të bëhen më intensive, paralajmërojnë organizatorët

Nisma qyetare “Për Maqedoni të përbashkët” sot në konferencë për shtyp i vlerësoi si kyçe reformat e ardhshme dhe paralajmëroi intesifikim të marsheve protesuese, përmes të cilave kërkojnë hedhjen poshtë të platformës së Tiranës dhe, siç thonë, “ruajtjen e shtetit unitar”, me atë që do të ndalohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në Maqedoni.

Sipas organizatorëve, aktivitetet e tyre protestuese do të vazhdojnë në formë të njëjtë dhe do të jenë të qeta.

Boris Damovski, i cili është njëri nga organizatërot e marsheve protestuese, tha se pjesëmarrja dhe vendosmëria e qytetarëve është armë me të cilat luftojnë në rrugë.

Bogdan Ilievski, eksponenti tjetër i protestave në përkrahje të VMRO-së së Nikolla Gruevskit, që në bazë kanë nxitjen e ndjenjave nacionaliste te maqedonasit dhe mobilizimin e tyre kundër, siç e quajnë, “shqiptarizimit të Maqedonisë”, tha se “tri ditët e ardhshme janë shumë të rëndësishme për të gjitha ta që e duan ‘Maqedoninë e përbashkët'”

Nevzat Halili: Ideja për “Iliridën” është gjallë

Me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së “Iliridës” është deklaruar Nevzat Halili, njëri ndër protagonistët kryesorë të organizimit të referendumit për autonomi politike dhe territoriale të shqiptarëve të Maqedonisë.

Ai ka theksuar synimet e klasës së atëhershme politike, qëndrimet stoike për barabarësi mes shqiptarëve dhe maqedonasve, si dhe mendimet e tij për situatën aktuale politike në vend.

Ai ka njoftuar se më 11/12 janar 1992 kanë mbajtur referendumin, ndërkaq më 8 prill 1992 në një seancë në Gostivar, disa deputetë, ministra, zv/ministra dhe anëtarë të kryesisë qendrore kanë shpallur Republikën e Iliridës.

“Unë mendoj se shumë gjëra janë thënë dikur, tash disa gjëra janë lënë në harresë. Unë personalisht mendoj se me zhvillimin e ngjarjeve më të reja, sa kalon koha më tepër kupton se, shqiptarët në Maqedoni nuk janë avancuar. Statusi kushtetues i shqiptarëve nuk ka ndryshuar. Statusi i shqiptarëve është më i ulët se ajo çka parashihte Kushtetuta e vitit 1974 në kohën e Jugollavise, Titos. Në vitin 1989 u supremuan disa Nene të Kushtetutës së atëhershme dhe u aprovuan Nene tjera, të cilat abroguan përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare dhe turke. U abrogua, gjithashtu edhe Neni ku thuhej se shqiptarët dhe turqit poashtu janë shtetformues. Me Kushtetutën e vitit 1991 kjo nuk përmendej. Dhe, meqë kërkesat e deputetëve shqiptarë nuk kishin mundësi të kalonin në parlament, më 7 shtator kemi ndejtur deri vonë në parlament, ku debatua se a do të dalim ne në referendumin për pavarësinë e Maqedonisë apo jo. Dhe morëm vendim të mos dalim, sepse kërkesat tona nuk pranoheshin në projektin e Kushtetutës së Maqedonisë”, rrëfen për Lajm, Halili.

Halili mendon se përçarja e shqiptarëve, fragmentarizimi i votës së shqiptarëve është në disfavor të shqiptarëve, sikur para 25 viteve, njëjtë edhe ditën e sotme.

Ai zbulon edhe përkrahjen e faktorit ndërkombëtarë në lidhje me idenë e “Iliridës”.

Nga këndvështrimi i tij ideja për “Iliridën” është e gjallë dhe nuk ka vdekur. “Siç është e gjallë ideja për bashkimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës që t’i bashkohen Republikës së Kosovës edhe votat e 400 mijë personave nuk mund t’i shkelim. Populli është sovran, vendos çdo gjë. Dhe, mbi 400 vota nuk është askush, as unë si udhëheqës, lider i parë i shqiptarëve. Referendumi është me vlerë të përjetshëm dhe mund zhvlerësohet vetëm më ndonjë referendum tjetër. Unë propozoj që faktori ndërkombëtar ta organizojë edhe një referendum për deklarimin e shqiptarëve të Maqedonisë”, është decid Halili.

Ministria e Jashtme e Maqedonisë thërret ambasadorin e Shqipërisë

Thirrja e ambasadorit shqiptar vijon pas, siç thonë nga atje, “deklaratave dhe komenteve të shpeshta sulmuese nga zyrtarët e Shqipërisë drejtuar Maqedonisë dhe qytetarëve të saj”

SHKUP – Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Fatos Reka, mbrëmë është thirrur në bisedime në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç kumton Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë, thirrja e ambasadorit shqiptar vijon pas, siç thonë nga atje, “deklaratave dhe komenteve të shpeshta sulmuese nga zyrtarët e Shqipërisë drejtuar Maqedonisë dhe qytetarëve të saj”.

“Në takim është theksuar se deklaratat e kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë për dygjuhësinë dhe ndryshimin e rendit Kushtetues të Maqedonisë është ndërhyrje e hapur në punët e brendshme të vendit. Etikimi i maqedonasve si ‘sllavo-maqedonas’ është fyese dhe diskriminuese për të gjithë maqedonasit dhe qytetarët e Maqedonisë”, theksohet në njofimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Në fund të njoftimit theksohet se Ministria e Punëve të Jashtme apelon “që të ndalen provokimet, të respektohet sovraniteti dhe të punohet në planin e marrëdhënieve të mira fqinjësore për të mirën e të gjithë rajonit”.

“U theksua se mesazhet e tilla janë një provokim serioz i fqinjësisë që ne duam të kultivojmë. Ata bëjnë dëme afat-gjate në marrëdhëniet në rajon, si dhe nxisin retorikë ekstremiste. Ajo që na duhet në rajon është bashkimi rreth integrimit në BE, paqes dhe përparimit ekonomik”, thuhet në njoftim.

Tusk: Kriza në Maqedoni duhet zgjidhur për të shmangur tensionet ndëretnike

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk i cili vizitoi Shkupin në një kohë kur krizës politike nuk i shihet fundi, tha se duhet gjetur një zgjidhje për të mos lejuar ndezjen e tensioneve ndëretnike.
Ai solli një mesazh të fortë nga drejtuesit dhe institucionet e Bashkimit Evropian:
“Përkushtimi i BE-së ndaj perspektivave të Maqedonisë është shumë i qartë,” tha ai.
Duke iu drejtuar presidentit maqedonas, zoti Tusk tha se ai kupton që momenti është i vështirë dhe se ai e ka të vështirë në këtë gjendje të krijuar.
“Por kjo kohë, theksoi ai, nuk kërkon asgjë tjetër përveç të qenurit burrë shteti”.
Donald Tusk tha se vendi ka nevojë të madhe për unitet në këtë kohë.
“Shpresoj se do ta ndiqni këtë rrugë dhe do të shmangni gjithçka që do të mund të ndizte tensione në vija etnike, theksoi ai, duke shtuar se kriza e vazhdueshme po e pengon Maqedoninë të ecë drejt rrugës euro-atlantike. Ju takon juve që të gjeni një zgjidhje bazuar në parimet demokratike dhe në ndërgjegje. Vetëm një zgjidhje e tillë mund të jetë jetëgjatë; kur ta gjeni, mund të keni besim tek mbështetja jonë”, u shpreh Zoti Tusk.
Ndërkaq, Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov nuk ka reflektuar ndaj këmbënguljeve evropiane për ndarjen e mandatit për formimin e qeverisë, shumicës së re parlamentare.
Ai nuk ka ndryshuar qëndrimin se platforma e partive shqiptare të cilën ai e quan platformë e një vendi të huaj, i dëmton interesat e Maqedonisë. Ai përsëriti akuzat për përzierjet direkte në punët e brendshme të Maqedonisë; se platforma ndezë tensionet në raportet ndëretnike; se manipulohen qytetarët me çështje jashta marrëveshjes kornizë të Ohrit; se kërkohet ndryshim i kushtetutës.
“Maqedonisë, tha Ivanov, i duhen reforma evropiane dhe jo platforma të huaja”.
Tusk dhe Ivanov kanë biseduar edhe për çështjen e refugjatëve nga Lindja e Mesme. Presidenti i Këshillit Evropian u shpreh me tone mjaft pozitive në lidhe me qëndrimet dhe srategjinë e Maqedonisë kundrejt çështjes së refugjatëve dhe imigrantëve nga vendet e Lindjes së Mesme të cilët kanë shfrytëzuar Maqedoninë si rrugë drejt vendeve të BE-së.

Tusk – Ivanovit: Kur ta gjeni zgjidhjen e duhur, do të keni mbështetjen tonë

SHKUP – Kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk, pas takimit me presidentin e Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, në Vilën Presidenciale “Villa Vodno” në Shkup, në të cilën theks i veçantë ishte kriza e emigrantëve dhe roli i Maqedonisë me të, porositi se bashkëpunimi në këtë fushë duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen, ndërsa theksoi se Evropa mbetet e gatshme për të përmbushur nevojat e vendit, qoftë në mbështetje humanitare për komunitetin lokal, qoftë në mjete apo resurse humane, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ju jeni në pozitën më të mirë nga të gjithë për të treguar se sa ishte e rëndësishme mbyllja e rrugës së Ballkanit Perëndimor dhe përsëri të sigurohet kontrolli i kufijve si rezultat të ketë stabilitet në rajon. Zhvilluam një strategji gjithëpërfshirëse për t’u përballur me krizën e emigrantëve dhe sot rruga e Ballkanit Perëndimor praktikisht mbetet e mbyllur, e gjithë kjo në saje të përpjekjeve tuaja”, deklaroi Tusk.

Kreu i Këshillit Evropian foli edhe për krizën aktuale politike që ka përfshirë Maqedoninë. Ai duke iu drejtuar presidenti Ivanov theksoi se nuk është e lehtë që të sigurohet një lidership në këto kohë të vështira të vendit. Duke theksuar se uniteti sot është shumë i nevojshëm për vendin, Tusk porositi që t’u shmangen veprimeve që do të ushqenin tensionet, ndër të tjera edhe në baza etnike.

“Kjo krizë politike është duke mbajtur vendin tuaj prapa rrugës euro-atlantike. Mbetet tek ju që të gjeni një zgjidhje në përputhje të parimeve demokratike, mirësjelljes dhe të arsyeshme. Vetëm një zgjidhje e tillë mund të jetë e qëndrueshme. Kur ta gjeni atë, mund ta llogarisni mbështetjen tonë”, theksoi Tusk.

Ambasada amerikane në Shkup përgënjeshtron: Nuk janë hequr vizat për shtetasit e Maqedonisë

Vizat amerikane për shtetasit e Maqedonisë mbeten në fuqi, thonë nga ambasada amerikane në Shkup, duke demantuar informacionin e paraqitur në mediumet elektronike sipas të cilit presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar vendim ekzekutiv me të cilin hiqen vizat amerikane për shtetasit e Maqedonisë.

Ky lajm fillimisht është paraqitur në usa-televizion.com, ku thuhej se vizat hiqen për të gjithë shtetasit e Maqedonisë, me përjashtim të atyre që kanë shtetesi të dyfishtë të Maqedonisë dhe 6 vendeve afrikane dhe aziatike të njohura si cerdhe terroriste.

Mirëpo gezimi nga ky informacion nuk zgjati shumë, sepse nga ambasada amerikane në Shkup sqarojnë kategorikisht se vizat ende mbeten në fuqi për gjithë qytetarët e Maqedonisë. Lajmpress.com

SHBA heq vizat për Maqedoninë, Presidenti Donald Trump nënshkruan urdhër ekzekutiv

Shqiptarët e Maqedonisë, do të udhëtojnë për në SHBA me visa-free travel, pasi Presidenti Donald Trump firmosi urdhërin ekzekutiv. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që lejon qytetarët e Maqedonisë të udhëtojnë në Amerikë pa viza, raporton USA Televizion, http://usa-television.com/donald-trump-signs-a-visa-free-travel-policy-for-macedonia/

Urdhëri i ri i ka ndryshuar politikat e vizës për Maqedoninë, i cili i lejon qytetarët e këtij shteti të qëndrojnë në SHBA për një periudhë prej 180 ditësh për qëllime biznesi dhe turizmi. Për personat që dëshirojnë qëndrim më të gjatë se 180 ditë marrja e vizës do të jetë e nevojshme.

Natyrisht, që përfituesit do të jenë edhe shqiptarët e Maqedonisë, që do të udhëtojnë për në SHBA me visa-free travel , pasi Presidenti Donald Trump, thuhet se firmosi urdhërin eksekutiv, ku thotë se ky akt do të forcojë tregtinë mes Maqedonisë dhe Amerikës.

Mirëpo, përveç kësaj, ka disa kushte, simpas lajmit të USA-Teelevizion.com, ku thuhet se qytetarët e Maqedonisë, që posedojnë dy nënshtetësi do të kenë të ndaluar hyrjen në SHBA nëse kanë pasaportë nga Siria, Iraku, Sudani, Libia, Somalia dhe Jemeni, 6 shtetet me shumicë të konsiderueshme muslimane.

Ambasada amerikane në Shkup përgënjeshtron: Nuk janë hequr vizat për shtetasit e Maqedonisë

Në sheshin qendror në Kumanovë flamuri i Maqedonisë zëvendësohet nga ai shqiptar

Sot rreth orës 16:30, dy të rinj e kanë hequr flamurin e Maqedonisë nga shtylla që ndodhet në sheshin e qytetit të Kumanovës dhe në vend të tij kanë ngritur flamurin shqiptar, njofton Alsat.

Sipas dëshmitarëve, këtë akt e kanë kryer dy të rinj, të cilët menjëherë janë arrestuar nga policia.

Flamuri shqiptar për rreth 30 minuta valoi në vend të flamurit maqedonas, që më pas të hiqet nga shtylla.

Ministria e Brendshme ende nuk ka dalë me qëndrim zyrtar për këtë rast.

Maqedoni, platforma shqiptare temë qendrore e debatit parlamentar

Ejup Halimi, para deputetëve në Kuvend lexoi deklaratën e përbashkët të partive politike shqiptare, ku përmendi edhe disa pika të cilat nga LSDM-ja u refuzuan se janë pranuar

SHKUP – Në ditën e tretë të debatit parlamentare në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë për formimin e Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, temë qendrore vazhdon të mbetet deklarata e përbashkët e partive shqiptare në Maqedoni të cilët u zotuan se nuk do të marrin pjesë në qeverinë e re nëse nuk plotësohen kërkesat e theksuara në të , raporton Anadolu Agency (AA).

Për debatin mbi Komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve janë paraqitur 51 deputetë të VMRO-DPMNE-së për diskutim të cilët me replikat e tyre ndaj bashkëpartiakëve të tyre, sipas LSDM-së dhe BDI-së, synojnë të vonojnë dhe të bllokojnë procedurën vijuese për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Deri më tani të drejtën e fjalës e kanë shfrytëzuar vetëm dy deputetë.

Sipas deputetëve të VMRO-DPMNE-së “deklarata e përbashkët e partive shqiptare është përgatitur nga Tirana zyrtare dhe synon të dëmtojë karakterin unitar, sovranitetin dhe pavarësinë e Maqedonisë”.

Ilija Dimovski, deputet i VMRO-DPMNE-së, duke kërkuar që deklarata e përbashkët shqiptare të refuzohet theksoi se kjo është një platformë paszgjedhore dhe se e vetmja mënyrë për dalje të vendit nga kriza politike është mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare bashkë me ato lokale.

“Ejani me këtë platformë të shkojmë në zgjedhje. Nëse fitoni ne nuk do të ju pengojmë në asnjë pikë që t’i realizoni premtimet tuaja. Të gjejmë garanci, sot do të zgjedhim kryetarin e Kuvendit dhe sot do ta shpërbëjmë Kuvendin”, u shpreh Dimovski.

Deputet nga radhët e BDI-së, Ejup Halimi, para deputetëve në Kuvend lexoi deklaratën e përbashkët të partive politike shqiptare, ku përmendi edhe disa pika të cilat nga LSDM-ja u refuzuan se janë pranuar.

“Po të ishte kjo deklaratë e Tiranës, ne sot nuk do të bisedonim në këtë parlament, por ju si parti maqedonase do të ishin të obligur të bisedoni me Edi Ramën. Dilemat të largohen dhe të mos bëhen poena politike ditore, mos të rriten tensionet mes dy etniteve shumicë në këtë vend. Ky është program i partive politike shqiptare”, u shpreh Halimi.

Deputet nga radhët e Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi, akuzoi BDI-në se ka marrëveshje me VMRO-DPMNE për të zgjatur përplasjet në Kuvend. Sipas tij, deputetët e BDI-së i japin VMRO-DPMNE-së argumente për të hedhur akuza kundër platformës shqiptare.

Ai duke iu drejtuar deputetëve të LSDM-së, tha se: “E shihni se si këta të BDI-së janë dakorduar me këta të VMRO-DPMNE-së që të sabotohet puna e funksionimit të Kuvendit. Ata u japin arsye për punën e platformës, për punën e gjuhës dhe për çështje të tjera, që këta pastaj të mund të bëjnë reagime dhe ju të akuzoheni se e keni pranuar një farë platforme”, deklaroi Ibrahimi.

Zëvendës kryetare dhe deputete e LSDM-së, Radmilla Shekerinska, theksoi se me replikat e VMRO-DPMNE-së ndaj bashkëpartiakëve të tyre vonojnë dhe bllokojnë procesin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Sipas saj, kjo vonesë është në dëm të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.

“Numëruesi financiar, ekonomik dhe social i këtij shteti llogarit, sot paga mesatare do të mund të ishte 20 mijë denarë, bursat sot do të mund të ishin paguar. Sot kjo është e vetmja gjë që ju jeni duke bllokuar. Jeni duke bllokuar qytetarët e Maqedonisë që të kthehen në jetën normale”, u shpreh Shekerinska.

Sipas marrëveshjes paraprake mes partive politike, VMRO-DPMNE-ja do të ketë gjashtë anëtarë në Komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, LSDM-ja pesë, ndërsa BDI-ja dhe Lëvizja BESA nga një anëtar. Konfirmimi i propozimit për përbërje të Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve është parakusht për vazhdim të seancës konstituive kuvendore, e cila filloi më 30 dhjetor të vitit të kaluar, por u ndërpre për shkak se nuk u sigurua shumicë parlamentare për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë.

LSDM-ja, BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët me nënshkrimin e 20 deputetëve dorëzuan propozim për kryetar të ri të Kuvendit kandidatin e BDI-së, Talat Xhaferi, mirëpo VMRO-DPMNE-ja kërkon që kandidati i ri që do të propozohet duhet të jetë kundër platformës shqiptare.

Ndërkohë, kandidati i propozuar për kryetar të Kuvendit, Talat Xhaferi, u refuzua edhe nga Lëvizja BESA, sepse sipas tyre, “ai ka një të kaluar me krime të shumta dhe nuk do të kontribuojë në qeverinë e re të paralajmëruar reformuese”.

Lëvizja BESA nuk mbështet kandidatin e BDI-së për kryetar të Kuvendit

“Nëse kështu fillojnë reformat, atëherë i bie se ne kemi perceptim të gabuar për termin reformë. Nëse me BDI-në fillon hallka e parë e reformave, atëherë ju falenderit por ne nuk mund të jemi pjesë e reformave të tilla”

SHKUP – Lëvizja BESA nuk do të mbështesë kandidatin nga radhët e BDI-së, Talat Xhaferi, për kryetar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, propozim i cili u dorëzua më herët në Kuvend nga LSDM-ja, BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët, pasi që siç konsideron Lëvizja BESA, ky është një propozim i imponuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Deputet nga radhët e Lëvizjes BESA, Afrim Gashi, bëri të ditur se edhe BESA ka pasur propozim-kandidatin për kryetar të Kuvendit, mirëpo LSDM-ja ka zgjedhur të bashkëpunojë me BDI-në. Sipas tij, kandidati i propozuar për kryetar të Kuvendit ka një të kaluar me shkelje të shumta të ligjit dhe nuk do të kontribuojë në Qeverinë e re të palajmëruar reformuese.

“Nëse kështu fillojnë reformat, atëherë i bie se ne kemi perceptim të gabuar për termin reformë. Nëse me BDI-në fillon hallka e parë e reformave, atëherë ju falenderit por ne nuk mund të jemi pjesë e reformave të tilla”, u shpreh Gashi.

Sipas Gashit, shkaktar të kësaj krize të thellë politike është bashkëqeverisja e BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së, të cilat në dhjetë vitet e fundit, siç theksoi ai, lanë pas vetes procese të montuara politike, varfëri, shpërngulje, si dhe largim nga integrimi evropian i vendit.

“Ne mbetemi të përkushtuar për axhendën reformuese të vendit dhe për kursin euro-atlantik të Maqedonisë, për zbatimin e Deklaratës së përbashkët të partive shqiptare në Maqedoni, por në veçanti për zbatimin e platformës sonë ‘Ridefinimi’, duke besuar se ajo është axhenda e vetme që Maqedonia të bëhet një shtet i barabartë, demokratik, funksional dhe i zhvilluar”, deklaroi Gashi.

Më herët, deputeti i LSDM-së, Petre Shilegov, njoftoi se me nënshkrimin e 20 deputetëve tashmë është dorëzuar propozim për kryetar të ri të Kuvendit kandidat i BDI-së, Talat Xhaferi.

Në ndërkohë, debati për propozimet për zgjedhjen e kryetarit, zëvendës kryetarit dhe anëtarët e Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve u ndërpren dhe do të vazhdojnë gjatë ditës së nesërme.

Konfirmimi i të cilëve është parakusht për vazhdimin e seancës konstituive kuvendore, e cila filloi më 30 dhjetor të vitit të kaluar, por u ndërpre për shkak se nuk u sigurua shumicë parlamentare për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të Maqedonisë. Konfirmimi i përbërjes së Komisionit është parakusht për vazhdimin e seancës konstituive kuvendore, e cila filloi më 30 dhjetor të vitit të kaluar, por u ndërpre për shkak se nuk u sigurua shumicë parlamentare për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të Maqedonisë.

Mal i Zi: Dëshmi për përfshirjen ruse në ngjarjet e tetorit 2016

Në procesin gjyqësor ndaj të akuzuarve për përgatitjen e sulmeve terroriste në Malin e Zi, po dalin në pah shumë fakte që argumentojnë se këto ngjarje i kanë organizuar disa qarqe të caktuara ruse dhe një pjesë e opozitës proserbe në Malin e Zi.

Dëshmitari i mbrojtur, i cili nënshkroi marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë, Aleksandar Singjeliç dëshmoi plot 11 orë para gjykatës së posaçme mbi përgatitjen e grusht shtetit në Mal të Zi për rolin e Rusisë dhe të partisë opozitare malazeze “Fronti Demokratik”.

Aleksandar Singjeliç, i cili njihet si një paramilitar serb që mori pjesë në luftërat e ish Jugosllavisë dhe në luftën e Ukrainës, përkrah rusëve, bëri të ditur se ai u rekrutua nga agjenti i sigurimit rus, Eduard Shishmakov, i cili i dha 200.000 euro për përgatitjen e planit për grushtet në Mal të Zi.

“Me Shishmakovin u njohëm që nga viti 2014 në një kamp lufte në Rusi dhe kemi pasur disa takime në Serbi ku përgatitëm detajet e aksionit, i cili do të shpinte deri te gjakderdhja në rrugët e Podgoricës”, tha Singjeliç.

Singjeliç ka pranuar se “sipas urdhrit të Shishmakovit ka rekrutuar personat, të cilët është dashur të mblidhen para Kuvendit, të shkaktojnë trazira dhe dhunshëm të hyjnë në këtë institucion, të gjuajnë në popull e më pas të likuidojnë kryeministrin e atëhershëm Milo Gjukanoviç”. Në aksion, sipas dëshmitarit të mbrojtur ka qenë i përfshirë edhe ish shefi i xhandarmerisë serbe Bratislav Dikiç, i cili ishte i ngarkuar të kontrollojë protestuesit para Parlamentit të Malit të Zi.

Singjeliç tha se pas dështimit të grushtshtetit ishte frikësuar për jeten e tij pasi, siç u shpreh ai “dy herë rusët tentuan të më vrasin në Beograd për çka u detyrua të dorëzohem në Mal të Zi”. Singjeliç po mbahet nën masat e rrepta të sigurimi dhe vendndodhja e tij është tejet sekrete.

Ndërkohë shërbimet e sigurimit ndërkombëtar bënë të ditur se oficeri rus Eduard Shishmakov, i cili ishte organizatori kryesor i ngjarjeve në Mal të Zi, merrte pjesë në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të Rusisë. Mjetet malazeze të informacionit, duke iu referuar këtyre shërbimeve theksojnë se Shishmakov është pjesëtar i sigurimit shtetëror rus dhe se ishte njeriu i besueshëm i Vladimir Putinit.

Kohëve të fundit Moska ka qenë jo vetëm kritikuese e ashpër e hyrjes së Malit të Zi në NATO, por jo rrallë herë kishte kërcënuar ish republikën jugosllave në, mënyrë të hapur nëpërmjet zyrtarëve rusë që të mos bashkohet me NATO.

Kësaj fushate iu bashkuan edhe përfaqësuesit e opozitës proserbe në Mal të Zi “Fronti Demokratik” ku dy deputetëve të saj iu hoq imuniteti me kërkesën e Prokurorisë së posaçme, të cilët dyshohen se kanë qenë të përfshirë në komplotin e grusht shtetit në Mal të Zi.

Ndërkaq, partitë opozitare kanë theksuar se grusht shteti i dyshuar është fabrikuar dhe kanë akuzuar partinë në pushtet se po shfrytëzon shërbimet e sigurimit për ta ruajtur pushtetin në Mal të Zi.

Në këtë kuadër analistët vlerësojnë se integrimi sa më i shpejtë i Malit të Zi në strukturat euroatlantike do të ndikonte në qëndrueshmërinë dhe sigurinë e Malit të Zi dhe rajonit.

Mali i Zi ka qenë i përfshirë në ngjarjet konspirative në prag të zgjedhjeve parlamentare të 16 tetorit të vitit të kaluar, ku policia malazeze arrestoi 20 shtetas serbë të akuzuar për përgatitje të sulmeve të armatosura ndaj institucioneve shtetërore në vend. Grupi i organizuar, i cili ishte formuar në territorin e Serbisë, Rusisë dhe Malit të Zi kishte për qëllim vrasjen e kryeministrit të atëhershëm Gjukanoviç dhe marrjen e parlamentit nga ana e një partie opozitare proserbe në Mal të Zi.

Vajgël: Gruevski na tha se nuk dorëzohet, sepse nuk i shkohet në burg

Situata në Maqedoni është shumë serioze, por ende nuk është pafundësisht alarmante, ka thënë sot Ivo Vajgël, anëtar i Parlamentit evropian që para disa ditësh ishte në Shkup.

“Ata që duhet të formojnë qeveri lejuan që kryetari i Komisionit të jetë nga radhët e VMRO-së, ashtuqë është shenjë e tolerancës”, ka thënë Vajgël për agjencinë Anadolija, cituar nga Al Jazeera.

“Më karakteristike, megjithate është deklarata që na e dha Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-së i cili ndau se do shkojë deri në fund, pasi nuk dëshiron të shkojë në burg. Nëse ai është motivi, kjo do të thotë se gjatë kohë nuk do të ketë kompromis”, ka thënë Vajgël.

Maqedonia, në prag të sanksioneve nga BE-ja

Rritja e presioneve nga bashkësia ndërkombëtare mund të ndihmojë në kapërcimin e krizës qeveritare në Maqedoni, e cila tani ka marrë edhe dimensionin e krizës etnike dhe ndëretnike, vlerësojnë njohësit e çështjeve ndërkombëtare. Komentet vijnë pasmesazheve të fundit në Shkup të komisionarit Johanes Hahn, i cili kërkoi respektimin e shumicës së re parlamentare dhe lejimin e formimit të qeverisë.

Mersel Bilalli, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Fon, thotë për Radion Evropa e Lirë se Maqedonia ka shansin e fundit për të evituar pasojat nga kriza e gjatë politike dhe sipas tij, masat ndëshkuese do të nisin që nga zyrtarët nëse edhe më tej vazhdojnë të shpërfillin thirrjet për kapërcimin e krizës institucionale.

“Mendoj se fillimi i sanksioneve do të jetë i lidhur me personalitete të caktuara, siç është presidenti i shtetit, ish-kryeministri, ndoshta edhe struktura të biznesit të lidhura me VMRO DPMNE-në, por edhe lobe tjera. Pra, unë mendoj se faza e parë mund të jenë sanksione personale e ndoshta më vonë ato mund të zgjerohen që për fat të keq, pasojat do t’i ndiejnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë”, thotë Bilalli.

Europarlamentari Ivo Vajgl në një deklaratë për mediet maqedonase tha se VMRO-ja duhet të respektoj rrethanat e reja dhe të mos e pengojë kalimin e pushtetit te shumica e re.

Ai tha se në rast se nuk ka përmirësim të gjendjes, ndoshta do të përdoren edhe instrumente tjera apo sanksione, ku bën pjesë edhe ndihma financiare. Vajgl deklaroi se ish-kryeministri Gruevski në takimet e realizuara me euro-parlamentarët u ka thënë atyre se “do ta çojë deri në vend(politikën e tij), pasi nuk i shkohet në burg”. Vajgl ka thënë se nëse ky do të ishte motivi, atëherë edhe një kohë të gjatë nuk do të ketë kompromis. Këto pretendime të euro-parlamentarit janë hedhur poshtë nga VRMO-ja, duke i quajtur “manipulime në shërbim të opozitës”.

Edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Denko Malevski, nuk e përjashton edhe mundësinë e vendosjes së sanksioneve, por fillimisht ndaj zyrtarëve, përfshirë edhe drejtuesit e VMRO-së, të cilët me të gjitha mënyrat e mundshme po pengojnë konstituimin e Kuvendit dhe të institucioneve tjera.

“Sanksionet mund të çojnë në prishjen e sistemit, por sa i përket individëve, sigurisht se Brukseli ka mekanizma të tillë dhe mund të aplikojë diçka të tillë. Paralajmërimet e tyre janë shumë serioze, më serioze edhe nuk mund të jenë. Ata janë kundër nxitjes së nacionalizmit, në veçanti, në kohën kur presin ndryshimet në pushtet apo respektimin e rezultatit zgjedhor dhe lejimin e funksionimit të shumicës së re parlamentare, ashtu siç ndodh në çdo shtet demokratik”, vlerëson Malevski.

Aplikimi eventual i sanksioneve, sipas komunikologut Mitko Gaxhovski, mund ta përkeqësojë gjendjen në Maqedoni, pasi pasojat do të bien edhe mbi qytetarin e rëndomtë.

“Nëse shteti përballet me izolim ndërkombëtar, kjo do të ketë pasoja të mëdha, madje edhe deri në pamundësinë e pagesës së pensioneve dhe pagave, që mund të çojë në situata të pakontrolluara dhe kjo gjithsesi se nuk do të ishte në favor të VMRO-së dhe të pushtetit të saj, pasi e gjitha kjo do t’u faturohej atyre nga ana popullit”, thotë Gaxhovski.

Partitë e shumicës së re parlamentare, LSDM, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët që kanë 62 deputetë, të premten kanë njoftuar se kandidati tyre për kryetar të Kuvendit është Talat Xhaferi nga BDI-ja, por kandidatura e tij duhet të kalojë në Komisionin për zgjedhje dhe emërime që drejtohet nga VMRO-ja.

Ajo ka bërë të ditur se do ta kundërshtoj[ çdo nismë që nuk e respekton fituesen e zgjedhjen apo VMRO-në, ndërsa këtë e kanë paralajmëruar edhe protestuesit, por me arsyetimin se do të kundërshtojnë zgjedhjen e çdo kryeparlamentari, i cili, sipas tyre nuk e dënon deklaratën e partive politike shqiptare, me të cilën, siç pretendojnë ata, federalizohet Maqedonia dhe rrënohet karakteri i saj unitar. (REL)

Vazhdon sot gjykimi për rastin e Almir Aliut

 Avokati i familjes Aliu, Asmir Alispahiç thotë se në raportin e mjekëve është konstatuar se i akuzuari për vrasje ka qenë në vetëdije gjatë kryerjes së aktit dhe ka pasur njohuri për pasojat që mund t’i ketë pas kryerjes së veprës, njofton Alsat M.

Sedat Aliu babi i të ndjerit Almir Aliut pret nga organet kompetente që të vënë drejtësinë në vend dhe apelon për mos zvarritjen e procesit gjyqësor.

Almir Aliu humbi jetën pak ditë pasi u shtyp me makinë nga ana e Boban Ilic në natën e 25 qershorit të vitit të kaluar.

Altman: Shqiptarët e dinë sa kundërproduktive është ideja e ‘Shqipërisë së Madhe’

Franz-Lothar Altmann

Ish drejtori i degës për Ballkanin të Institutit të Berlinit për çështje ndërkombëtare dhe të sigurisë, Franz Lothar Altmann, i tha Radios Evropa e Lirë, se ‘shqiptarët [kudo në Ballkan] janë të vetëdijshëm për faktin se sa kundërproduktive për ta është ideja e Shqipërisë së Madhe”.

Altmann, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Shërbimi për Ballkanin, foli për zhvillimet në gjithë Ballkanin dhe iu referua edhe situatës në Maqedoni, me theks në ‘platformën shqiptare që ka nxitur një reagim në shoqërinë e atjeshme’

“Nëse flisni me shqiptarët do ta shihni se janë shumë të vetëdijshëm për faktin se për ta është shumë kundërprokutive çdo rrëfim për Shqipërinë e Madhe. Do të mund të harronin hyrjen në BE nëse do të ëndërronin krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. Gjithashtu, shqiptarët në Maqedoni dhe ata në Kosovë nuk janë shumë të ngazëllyer me idenë që të jenë nën patronatin e Tiranës”, tha Altmann.

Duke iu referuar marrëdhënieve të tendosura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Altmann tha se ‘asnjëra palë nuk ka treguar vullnetin që të ndihmojë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel”.

Sipas tij, asnjëra palë “nuk ka treguar mirëkuptim për domosdonë e normalizimit të marrëdhënieve sepse jetojnë njëri pranë tjetrit”.

“Në vend të kësaj po i theksojnë dallimet”, tha Altmann për Radion Evropa e Lirë.

Franz Lothar Altmann e cilësoi si “të dobët Bashkimin Evropian në këtë moment” meqë, sipas tij, po përballet me “problemin e BREXIT, me gjendjen e rëndë në Hungari, Poloni dhe është në pritje të zgjedhjeve në Francë dhe Gjermani”.

“Prandaj BE-ja më shumë është e përqendruar në çështjet e brendshme se sa në zhvillimet në rrethinën e saj. Kjo natyrisht e ngarkon më tepër gjendjen në Ballkan”, tha Franz Lothar Altmann.

Carl Bildt: Një shkëndijë zjarri në Maqedoni ndez tërë Ballkanin

Diplomati suedez dhe njohësi i mirë i zhvillimeve të Ballkanit në vitet ’90, Carl Bildt, i ka kushtuar rajonit një analizë me theks të veçantë zhvillimeve politike në Maqedoni, transmeton Gazeta Express.

Bild vlerëson se situata gjeopolitike në Ballkan nuk duhet të jetë një befasi pasi që rajoni vazhdimisht ka qenë i paqëndrueshëm, që nga ikja e perandorisë Ottomane në shekullin e kaluar, duke shtuar se pas kësaj periudhe në Ballkan u tentuan të krijohen shtete kombëtare moderne. Sipas tij, nacionalizmi vazhdimisht është përplasur me mozaikin e jetës civile në rajon, duke ndezur konfliktet njëri pas tjetrit.

Duke mos i lënë anash zhvillimet politike pas rënies së ish-Jugosllavisë, luftëat nga Kroacia e deri në Kosovë dhe krimet e rënda si ai i Srebrenicës, Bild vlerëson se premtimi i BE-së në Samitin e Selanikit, më 2003, për ta futur tërë Ballkanin në BE, duket i vështirë për t’u mbajtur. Kjo, sipas tij, arsyetohet me faktin se me ardhjen e Jean-Claude Juncker në krye të Komisionit Evropian, u bë e ditur se nuk do të ketë zgjerim të BE-së, diçka që diplomati suedez e konsideron si shkatërrimtare.

Megjithëse Bild nuk beson që do të ketë luftë në Ballkan, ripësëritja e pyetjes nëse do të ndodhë një gjë e këtillë ka filluar ta shqetësojë suedezin, pasi që në analizën e tij përmend fillimin e Luftës së Parë Botërore me vrasjen e Franz Ferdinand-it të Austrisë.

Për të angazhuarin e dikurshëm të BE-së dhe OKB-së në Bosnjë, rajoni sot është duke u bërë më i ndezshëm dhe një zjarr që mund të ndizet, sipas tij, kësaj rradhe në Shkup, mund të djegë tërë Ballkanin.

Prandaj, Carl Bildt propozon që BE-ja të demonstrojë vullnetin për të vepruar, për të përshpejtuar integrimet evropiane të Ballkanit. Madje, Bildt propozon forca evropiane në rajon që do të bëjnë manovra ushtarake.

Bildt thotë se BE-ja duhet të zgjerohet më tej dhe se duhet të angazhohet politikisht në rajon, fillimisht përmes ndërmjetësimit në çështjet kufitare. Diplomati suedez kërkon nga BE-ja që të përballet me problemet në Ballkan, ose ta lejojë vet rajonin të merret me këto problem.

Shpërthen aktorja antishqiptare: Shqiptarët e mallkuar janë të zotë

Aktorja e njohur maqedonase, Sinolicka Trpkova ka shpërthyer në një moment dëshpërimi kundër qeverisë së Maqedonisë, por edhe kundër shqiptarëve, transmeton Gazeta Express.

“Duhet të mbahen zgjedhje të reja, në të cilat vetëm VMRO do të fitoj, sepse ashtu është rendi dhe populli është vetëdijsuar. BE s’ka çka përzihet. Po me çka do të jetoni o maqedonas të pastër? Çka prodhoni dhe krijoni, ikët nga arat dhe fushat, kurse ‘shqiptarët e mallkuar’ punojnë dhjetë herë më shumë se të gjithë ju. Nga fondet evropiane ushqehet gjysma e Maqedonisë. Populli i vërtetë punëtor ulërinë dhe rënkon nga vuajtja nën këmbët e juaja administrative. Vetë i keni përdhosur Konevskin, Janevskin dhe Racinin, e këndej gjuhën po e mbroni… Zoti na ruajtë prej disa perosnave që për herë të parë kanë dalë nga ndonjë shpellë, në të cilën kanë qenë të mbyllur mijëra vite? Ohri i ndotur? Liqeni i Dojranit i mbushur me fekale, Smogu vdekjeprurës në Shkup , Barok dhe karton në Vardar , Vodno e masakruar në gjysmë, fshatra të boshatisura, Maqedonia lindore e zbrazur, kreditet e juaja për brekë dhe bukë. Çka do tiu marrin. Çdo gjë është marrë”., është shprehur ajo.

Ahmeti takohet me Hahn: Platforma shqiptare ka dalë nga Marrëveshja e Ohrit

SHKUP – Pas takimit me Komisionerin për Politikë Fqinjësore dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, deklaroi se “porositë dhe mesazhet ishin shumë miqësore që vendi duhet t’i tejkalojë të gjitha marrëveshjet dhe të gjitha forcat politike në vend të marrin obligim deri në konstituimin e suksesshëm të institucioneve këtu në Maqedoni”, raporton Anadolu Agency (AA).

Kreu i BDI-së konsideron se subjektet politike në Maqedoni duhet të dialogojnë dhe të kërkojnë një zgjidhje, që situata mos të eskalojë, siç theksoi ai, deri në përplasjen qoftë mes etnive apo mes të njëjtit komunitet.

“Kam kërkuar nga zoti Hahn, si dhe nga tre përfaqësuesit e Parlamentit të Evropës që ato edhe më tej të na inkurajojnë dhe të lehtësojnë, me qëllimin më të mirë për tejkalimin e dallimeve që ne kemi si parti politike dhe institucionet të merren me çështjet shumë më serioze me të cilat përballet vendi ynë”, deklaroi Ahmeti.

Ahmeti shtoi se kjo krizë politike duhet të zgjidhet me mjete politike dhe të gjithë duhet të investojnë në drejtim të konstituimit të institucioneve dhe të funksionimit të tyre. Sipas tij, partia që drejton ai gjithmonë është përpjekur për të gjetur një gjuhë të përbashkët, me qëllim që të vendosin interesat shtetërore dhe kombëtare mbi interesat partiake.

Ahmeti duke kërkuar që partitë politike më të mëdha në vend, VMRO-DPMNE dhe LSDM, t’i afrojnë dallimet dhe të ofrojnë zgjidhje në drejtim të funksionimit normal të shtetit, deklaroi se: “E gjithë situata nuk do varet nga vullneti i mirë i BDI-së. Këtë vullnet duhet ta demonstrojnë dy forcat më të mëdha politike si VMRO, ashtu edhe LSDM. BDI për dy vite me radhë qëndroi në institucione me qëllimin më të mirë që vendi të mos eskalonte në krizë të pazgjidhur politike, me qëllimin më të mirë ne sakrifikuam dhe paguajtëm nga ato sakrifica që bëmë në zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar”.

Ahmeti komentoi edhe platformën shqiptare duke theksuar se “nëse dikush mendon duhet të tërhiqesh nga ajo deklaratë, duhet të kërkosh tërheqje nga vet Marrëveshja e Ohrit”, sepse siç theksoi ai, platforma mes subjekteve politike shqiptare në Maqedoni ka dalë nga Marrëveshja e Ohrit, por është duke u keqpërdorur për qëllime politike.

Eurokomisari Hahn i shoqëruar nga eurodeputetët Ivo Vajgl, Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan, deri më tani është takuar me kreun e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, atë të LR-PDSH-së, Ziadin Sela dhe me kreun e BDI-së. Pritet që Hahn t’i përfundojë takimet sonte edhe me kreun e LSDM-së, Zoran Zaev, dhe me kreun e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Hahn ndodhet në Maqedoni me qëllim që të arrihet një marrëveshje për dalje nga kriza politike në të cilën vendi është përfshirë për një periudhë të gjatë.

Johannes Hahn pritet me protesta antishqiptare në Shkup

Komisionari i Bashkimit Evropian për politika të fqinjësisë dhe negocim të zgjerimit, Johannes Hahn, u prit në Shkup me protesta të përkrahësve të partisë VMRO DPMNE të ish kryeministrit, Nikolla Gruevski.

Zoti Hahn bashkë me një grup euro parlamentarësh, arriti të martën në Shkup në një përpjekje për të ndihmuar daljen nga kriza politike të Maqedonisë e cila edhe pas më shumë se tre muajsh pas zgjedhjeve ende është pa qeveri.

Protestuesit hodhën parulla si “Nuk e japim Maqedoninë” dhe “nuk do të lejojmë shqiptarizimin e shtetit”.

Presidenti maqedonas, Gjorgje Ivanov, ka refuzuar t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë shumicës së re parlamentare, përkatësisht Lidhjes Social Demokrate me partitë shqiptare, me arsyetimin se ato do të rrezikonin sovranitetin e shtetit duke zbatuar atë që ai dhe partia VMRO-DPMNE e quajnë “platforma e Tiranës”, e që ka të bëjë me avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni. Ndër pikat kryesore të marrëveshjes së partive shqiptare është zyrtarizimi i gjuhës shqipe në të gjithë nivelin e pushtetit qendror.

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski, tha se partia e tij është duke përgatitur një dokument i cili do t’u ofrohet të gjitha partive më të mëdha, për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni. Ai nuk ka shpalosur hollësi të dokumentit që sipas tij, “nuk favorizon asnjë parti politike ndërsa ruan karakterin unitar të shtetit”. Ai ka përsëritur qëndrimin për zgjedhje të parakohshme, por edhe gatishmërinë që t’i japë mbështetje LSDM-së për themelimin e qeverisë “nëse ajo heq dorë nga mbështetja për platformën e partive shqiptare”.

Zoti Hahn, para fillimit të takimeve të së martës bëri thirrje “për respektimin e demokracisë dhe shumicës parlamentare. Mos nxitni tensione ndëretnike”, shkroi ai para se të arrinte në Shkup.

Kabineti i presidentit maqedonas, Gjorgje Ivanov, tha se presidenti i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Hungari, do të kthehet në orët e vona të mbrëmjes që i pamundëson, siç thuhet, “takimin me komisionarin Hahn”. Madje ai kishte hedhur idenë që në vend të takimit me të, zoti Hahn të takohej me protestuesit.

Presidenti Ivanov, që vjen nga radhët e VMRO-DPMNE-së, është gjetur nën trysninë ndërkombëtare për të rishqyrtuar refuzimin për t’i dhënë mandatin kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe analistët thonë se acarimi i përplasjeve politike mund të dalë jashtë kontrollit, duke i rritur më tej tensionet etnike në një rajon të trazuar, siç është Ballkani perëndimorë.

Ivanov: Nuk jap mandat pa u dënuar dhe hedhur poshtë platforma e Tiranës

SHKUP – Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov nuk do të realizojë takim me eurokomisarin për Zgjerim, Johanes Hahn, informojnë nga kabineti i presidentit.

Prej aty theksojnë se presidenti Ivanov, i cili dje qëndroi për vizitë pune në Hungari, në Maqedoni do të kthehet vonë në mbrëmje, me ç’rast nuk do të ketë mundësi për takim me eurokomisarin Hahn.

Se Ivanov në axhendën e vet nuk ka planifikuar takim me eurokomisarin Hahn dhe me tre eurodeputetët që të premten iu kumtua ambasadorit Samuel Zhbogar, thonë nga kabineti i shefit të shtetit.

“Presidenti Ivanov qëndrimet e veta tashmë ia ka kumtuar eurokomisarit për Zgjerim Johanes Han në takimin e tyre të fundit më 10 shkurt të vitit 2017 dhe ato mbeten të pandryshuara. Ivanov qartë porositi se nuk do të ndajë mandat, pa dënim paraprak publik dhe hedhje poshtë të, siç thuhet, platformës së Tiranës”, bëhet e ditur në kumtesën e kabinetit të Ivanovit.

Duke patur parasysh atë se presidenti nuk do të realizojë takim me eurokomisarin Hahn, nga kabineti thonë se presidenti Ivanov terminin e paraparë ua lë përfaqësuesve të iniciativës qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”, të cilët kërkuan takim me të.

“Është mirë eurokomisari të njoftohet me argumentet dhe shkaqet për të cilat disa qytetarë të Maqedonisë protestojnë mbi njëzet ditë”, thonë nga kabineti i Ivanovit.

Presidenti Ivanov dje qëndroi për vizitë pune në Budapest, ku pati takime me presidentin e Hungarisë, kryeministrin dhe me kryetarin e Parlamentit hungarez.

“Vdekje për shqiptarët”, maqedonasit protestojnë kundër shqiptarëve (Foto)

SHKUP – Të rinjtë maqedonas vijojnë gjuhën e urrejtjes dhe pankartat kundër shqiptareve.

“Vdekje për shqiptarët” është pankarta që e mbajnë të rinj maqedonas, të cilët ditëve të fundit janë pjesë e protestave kundër gjuhës shqipe dhe kundër kërkesave të partive shqiptare, informon INA.

Për momentin nga ana e Ministrisë së Brendshme nuk ka asnjë njoftim për të arrestuar apo masat që po merren ndaj këtij grupi që shprehin gjuhën e urrejtjes dhe frymën shoviniste.

Parullat e tilla kundër shqiptarëve janë hasur në disa qytete të Maqedonisë gjatë protestave të fundit, por edhe në stadiumet e futbollit.

Gruevski alarmon: Nëse realizohet plani i Zaevit, shteti mund të mos ekzistojë më

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, në një intervistë për televizionin “Kanal 5” ka deklaruar se partia e tij është duke përgatitur një dokument i cili do të mundësojë daljen e vendit nga kriza e thellë politike dhe në të njëjtën kohë do të ruaj unitetin e vendit. Gruevski tha se gjatë javës së ardhshme dokumenti do j’u dorëzohet partive më të mëdha politike në vend.

Sipas Gruevskit ky dokument nuk e favorizon as ndonjë parti politike e as ndonjë bashkësi etnike.

Ish kryeministri përsëri i ka bërë thirrje popullit që ta mbrojë shtetin. Ai thotë se nëse populli nuk e mbron vendin mundet të vijë deri aty që të mos kemi shtet.

“Është e nevojshme që kombi ta mbrojë shtetin e tij sepse shtetin mundet të mos e kemi. Të mos mendohet se nuk e kam thënë ja po e përsëris, nëse populli nuk e mbron shtetin mundet ta humbin. Të gjithë ato që mendojnë se tani do t’i lënë të formojnë Qeveri dhe të reagojë kur do vije ligji i gjuhëve në rend dite  atëherë mundet të jetë vonë për reagime. Paralajmëroj: Mundet të vije deri aty që të mos kemi shtet”, deklaroi Gruevski.

Në pyetjen e gazetarit se çfarë mundet të ndodh nëse nuk respektohet dëshira e popullit dhe a mundet të kontrollohet turma e njerëzve Gruevski tha se partia e tij do veprojë vetëm sipas ligjit por asnjëherë nuk mundet ta dijë dhe parashikojë se çdo të bëjë populli.

“Le ta mendojë ai që shkon kundër kombit. Asnjë nuk mundet ta dijë se si do reagojë populli ndaj asaj që bënë Zaevi”, tha Gruevski.

Për krizën politike në të cilën ndodhet vendi Gruevski e ka akuzuar kreun e LSDM-së, Zoran Zaevin, se në këtë mënyrë “krimineli i aboluar Zoran Zaev përpiqet t’i fshij krimet e tij”. Megjithatë Gruevski ka ripërsëritur qëndrimin e partisë së tij se nëse Zaev tërhiqet nga “platforma tiranase” ato do i ndihmojnë ta formojë Qeverinë në të kundërt nga VMRO këmbëngulin për zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokale.

Dorëzohet nisma për mbledhjen e Parlamentit, kryetar mund të bëhet një shqiptar

Një nismë për vazhdimin e seancës konstituive të Parlamentit të Maqedonisë, në të cilën duhet të zgjidhet kryetari i Parlamentit, me nënshkrimet e 67 deputetëve të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Bashkimit Demokratik për Integrim, Lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët, e ka dorëzuar të premten sekretari i përgjithshëm i LSDM-së .

“Sot dorëzuam iniciativë konkrete në Parlamentin e Maqedonisë që të mos ketë mëtej dilema rreth shumicës parlamentare. Këtu sot dorëzuam 67 firma të deputetëve edhe përkundër asaj që rregullorja nuk kërkon një gjë të tillë që të vazhdojë seanca konstituive”.

“Presim që Trajko Veljanoski menjëherë të thërras seancën konstituive të Parlamentit, që të fillojë të punojë Parlamenti si institucion shumë i rëndësishme në interes të shtetit. Hapi i parë do të jetë zgjedhja e kreut të Kuvendit. Hapi i parë i kreut të Kuvendit do të jetë që të heqë edhe argumentin e fundit të pakuptimtë të Ivanovit, i cili e ka për obligim që t’i japë mandatin kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, për të formuar qeverinë e ardhshme“, tha për mediat Oliver Spasovski, deputet i LSDM-së.

Spasovski tha se pret që në një afat të shkurtë kohorë të thirret seanca bashkërenduese me të gjitha partitë për t’i shqyrtuar opsionet për kryetar të ardhshëm të Kuvendit.

I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse Trajko Veljanovski nuk e thirrë seancën, ai tha se “çdokush duhet të jetë në shërbim të detyrës, të ketë përgjegjësi dhe të mos i mbajë peng institucionet”.

Nisma e deputetëve për të thirrur parlamentin është rezultat i konsultimeve disaditore ndërmjet partive parlamentare të cilat kanë formuar shumicën parlamentare prej 67 deputetëve përkatësisht Social Demokratëve dhe partive politike shqiptare.

Kundër kësaj shumice parlamentare e cila u arrit pas ujdisë për Ligjin për gjuhën shqipe, që garanton një shtirje më të gjerë në tërë territorin e Maqedonisë, për tre javë në Shkup, Iniciativa Qytetare “Për një Maqedoni të Përbashkët” në mbështetje të VMRO DPMNE-së, ka organizuar protesta.

Ndërkohë, nënkryetari i Bashkimit për Integrim, Izet Mexhiti, i tha Radios Evropa e Lirë se “kryetar i Parlamentit të Maqedonisë, mund të jetë një shqiptar”, për herë të parë në Maqedoni.

Ai tha se “kryetari shqiptar i Parlamentit do të reflektojë karakterin multietnik të shtetit.

Sipas tij, Trajko Veljanovski si kryesues i mbledhjes së parë konstituive të parlamentit nuk ka asnjë arsye ta pengojë thirrjen e parlamentit në një afat sa më të shkutër kohor, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Maqedonisë.

“Mendoj se tanimë janë pjekur kushtet që edhe kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, si një nga tre institucionet kyçe në shtet, të jetë shqiptar. Kjo është vënë edhe si kusht gjatë bisedimeve që kishim ne si BDI me VMRO DPMNE-në që dhe u absolvua. Nuk shoh asnjë problem që tani me LSDM të realizohej kjo kërkesë e jona. Drejtimi i parlamentit nga shqiptarët paraqet një moment të mirë për reflektimin e karakterit multietnik të shtetit”, thotë Mexhiti.

Ndërkohë, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, ka deklaruar se pret formimin e shpejtë të qeverisë së re, por se i gjithë procesi duhet të kalojë përmes procedurave ligjore.

“E dini se punët nuk varen vetëm nga Zaev. Me gjasë nuk varen as nga ndonjë individ, por nga të gjithë ne politikanët bashkë. Unë do të doja edhe në datë 20, 21, 22 por edhe më herët, të ketë Qeveri, por kjo nënkupton fillimisht caktimin e seancës, zgjedhjen e kreut të Kuvendit, kërkesë me shkrim deri te Ivanov dhe vendim nga ai se kur do të japë mandatin”, ka deklaruar Zaev.

Ndryshe më 30 dhjetor, pas verifikimit të mandateve të deputetëve të cilët u zgjodhën në zgjedhjet e 11 dhjetorit, u ndërpre seanca parlamentare pa zgjedhur kryetarin e parlamentit që do t’i hapte rrugë zgjedhjes së Qeverisë së Maqedonisë.

Presidenti i Maqedonisë mbetet në qëndrimin që të mos i dorëzojë mandatin liderit të Social Demokratëve edhe kundrejt sigurimit të shumicës parlamentare prej 67 deputetëve me pretekstin se përkrahja e platformës shqiptare cenon karakterin unitar të shtetit. (REL)

Vanhoutte flet për gjuhën shqipe dhe Deklaratën e partive shqiptare

Ish ndërmjetësi evropian për bisedimet ndërmjet partive politike në Maqedoni, Peter Vanhoutte, ka reaguar në lidhje me situatën e fundit në Maqedoni, konkretisht në lidhje me deklaratën e përbashkët të partive shqiptare siç njihet në opinion ‘platforma shqiptare’. Ai në rrjetet sociale ka shkruar se dygjuhësia nuk e ndanë Maqedoninë.

“Pavarësisht sugjerimit të disa prej liderëve politik dhe partive në Maqedoni, vendi nuk do të ndahet prej pranimit të faktit se të gjithë qytetarët janë të barabartë. Vendi nuk do të zhduket duke e pranuar një gjuhë të dytë”, kështu u shpreh ish ndërmjetësi ndërkombëtar në bisedime në Maqedoni, Peter Vanhoutte, në një postim në profilin e tij, përcjell Gazeta Express.

Përkundrazi, shtoi më tej Vanhoutte, “Duke e pranuar se ju jetoni në një udhëkryq prej kulturave të ndryshme është një pasuri, pasi ekonomia juaj, sistemi edukativ, kërkimet shkencore dhe kultura mund të përfitojnë nga ajo. Diveristeti është mjet për forcimin e shtetit tuaj, një mjet që ju duhet që ta ndërtoni një të ardhme më të mirë”.

“Një nga simbolet me të rëndësishme të cilitdo komunitet është gjuha. Në përgjithësi, a e kanë të drejtën njerëzit që ta përdorin gjuhën amtare? Po, ata e kanë. Për komunitetet me një madhësi të arsyeshme, është po ashtu e zakonshme që të lejohet edukimi në gjuhën e tij amtare, dhe po ashtu t’i lejohet që ta përdorë atë në shërbimet komunale, në spitale apo në gjykatë. A do të mund të ndahet një shtet sepse ky parim njihet? Për mua, ky është një parim bazë, një mënyrë që të tregohet minimumi i respektit ndaj qenieve njerëzore të cilët jetojnë së bashku me ju në të njëjtin shtet, transmeton Gazeta Express.

Jam rritur në Belgjikë, kam mësuar të flas të gjitha gjuhët zyrtare. Dhe gjithmonë kur dikush dëshiron të flas me mua në njërën nga ato gjuhë, unë menjëherë kyçesha në atë gjuhë. Kjo është e rëndësishme për të qenë i sjellshëm me bashkëqytetarët tuaj.

Le të jemi seriozë, çka do të jetë rreziku më i madh për një vend si Maqedonia? A është e ligjshme kërkesa e komunitetit shqiptar, për të cilën është i mundur një zgjidhje efektive, edhe pse shumë diskutime në parlament do të jenë të nevojshme për ta vendosur atë si duhet, apo është stili autoritar i disa liderëve, ku formimi i Qeverisë i mbështetur nga shumica parlamentare është bllokuar, ku zgjedhjet lokale nuk mund të organizohen, një sistem që është shumë afër kolapsit të tërësishëm.” – thuhet më tej në postim.

Kriza politike në Maqedoni mund të dalë jashtë kontrollit, duke i rritur më tej tensionet etnike në një Ballkan që shkon drejt destabilizimit

Kriza dy-vjeçare politike në Maqedoni po hyn në një fazë të rrezikshme, ndërkohë që nacionalistët po akuzohen për nxitjen e tensioneve etnike në përpjekje për të penguar hetimet për korrupsion.

Mijëra maqedonas kanë zhvilluar protesta kundër formimit të një qeverie koalicioni mes tre partive shqiptare dhe social demokratëve. Presidenti Gjorge Ivanov po mban anën e protestuesve dhe deri tani ka refuzuar t’i japë dritën e gjelbër një qeverie koalicioni, që do të linte jashtë partinë kryesore nacionaliste.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe analistët thonë se acarimi i përplasjeve politike mund të dalë jashtë kontrollit, duke i rritur më tej tensionet etnike në një Ballkan që shkon drejt destabilizimit.

Grupi “Për një Maqedoni të Bashkuar”, njoftoi të hënën se do të vazhdojë të organizojë protesta masive në Shkup dhe qytete të tjera në mbarë vendin kundër formimit të koalicionit. Grupi akuzon kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, si autori i vërtetë i idesë së koalicionit.

“Maskat kanë rënë”, tha në një deklaratë Bogdan Ilievski, njëri prej udhëheqësve të grupit. “Ne, – tha ai, – jemi në favor të një Maqedonie të bashkuar për të gjithë; jemi kundër platformave të hartuara në vende të tjera, që disa nga politikanët tanë nuk duan t’i kundërshtojnë në mënyrë të qartë. Pavarësisht nga përpjekjet e tyre për të fshehur qëllimet e vërteta, ata do të hasin në kundërshtimin e fortë të publikut demokratik. Njerëzit nuk do të kthehen në shtëpi”.

Një nga kërkesat kryesore të partive shqiptare është që gjuha shqipe të njihet si gjuhë e dytë zyrtare. Presidenti Ivanov i ka quajtur “kërcënim për sovranitetin e Maqedonisë” kërkesat për njohjen e të drejtave më të mëdha për shqiptarët.

Ngërçi mes dy grupeve më të mëdha etnike të vendit u keqësua dhjetorin e kaluar, kur partia nacionaliste maqedonase VMRO fitoi me rezultat të ngushtë zgjedhjet parlamentare. Partitë shqiptare nuk pranuan të hyjnë në një qeveri koalicioni me VMRO dhe vendosën të bëhen partnere me socialdemokratët.

Socialdemokratët thonë se presidenti Ivanov po nxit grindjet etnike. Ata argumentojnë se ai po e përdor situatën për të mos i dhënë mandatin e formimit të qeverisë udhëheqësit të tyre Zoran Zaev, pasi Presidenti Ivanov dhe ish-kryeministri Nikola Gruevski tremben se socialdemokratët do të hapnin hetimet rreth përgjimeve të paligjshme politike dhe akuzave për korrupsion, të cilat nuk i janë ndarë qeverisë së VMRO qysh nga viti 2015.

Mosmarrëveshjet mbi të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni mendohej se ishin zgjidhur më shumë se një dekadë më parë. Në vitin 2001, kryengritja shqiptare që zgjati shtatë muaj dhe që la më shumë se 100 të vrarë, përfundoi me një marrëveshje, e cila u siguronte shqiptarëve më tepër të drejta. Megjithatë, përparimi për zbatimin e marrëveshjes ka qenë i ngadalshëm.

“Për të shmangur burgosjen e miqve të tij, Presidenti Ivanov po nxit përplasjet etnike mbi një çështje të parëndësishme si përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet publike,” thotë Gjovalin Shkurtaj, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Zakonisht, politikëbërësit në Bruksel apo në Uashington nuk do të shqetësoheshin për mosmarrëveshjet politike në një vend me vetëm 2 milion banorë si Maqedonia. Mirëpo grindjet në Ballkan historikisht kanë pasur pasoja të rënda për Evropën, duke filluar me vitin 1914, kur një serb i Bosnjes vrau Kryedukën Franz Ferdinand, trashëgimtar i fronit austro-hungarez, gjë që solli Luftën e Parë Botërore. Dekada më vonë, pas Luftës së Ftohtë, shpërbërja e shtetit jugosllav u bë shkak për një konflikt të përgjakshëm që solli ndërhyrjen e NATO-s.

Në fillim të këtij muaji, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, vizitoi Shkupin dhe i bëri thirrje Presidentit Ivanov të lejonte zotin Zaev për të formuar qeverinë. “I kërkova presidentit të reflektonte për të ardhmen dhe ta anulonte vendimin e tij në interes të të gjithë qytetarëve të vendit”, u tha zonja Mogherini gazetarëve.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian ndërkaq kanë vazhduar përpjekjet për të shmangur acarimin e tensioneve etnike mes Serbisë dhe Kosovës. Në muajin janar, presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliç paralajmëroi se ishte i gatshëm të dërgonte trupa në Kosovë për të mbrojtur serbët e atjeshëm nëse kjo do të ishte e nevojshme. Presidenti serb tha se dy vendet ishin në prag të konfliktit.

Çështje të tjera që shkaktojnë ndarje mes partive dhe në opinionin publik janë ato që kanë të bëjnë me gjeopolitikën, pra nëse do të anohet nga Bashkimi Evropian apo nga Rusia.

Tensionet etnike janë në rritje edhe në Bosnje-Hercegovinë dhe Mal të Zi. Bosnja mbetet e ndarë mes serbëve, boshnjakëve dhe kroatëve dhe plagët e luftës së egër tre-vjeçare të viteve 1990 ende nuk kanë filluar të shërohen.

Rritjet e përplasjeve etnike përkojnë me përpjekjet e Kremlinit për të zgjeruar ndikimin në krejt Ballkanin, i cili po bëhet gjithnjë e më i paqëndrueshëm, thonë analistët. Moska vazhdon ofensivën e saj të joshjes, duke ofruar ndihma apo furnizime me armë të sofistikuara.

Historikisht Rusia e ka parë Ballkanin si sferën e saj të ndikimit.

Në Serbi, ofensiva diplomatike e Moskës ka dhënë rezultate. Nga një sondazh i organizatës Gallup, del se serbët e shohin Rusinë si aleate më të besueshme sesa NATO-n, organizatë që Beogradi zyrtar thotë se synon t’i bashkohet.

Në Maqedoni, Rusia po përpiqet gjithashtu të luajë kartën e saj. Moska akuzon Perëndimin se po përpiqet të instalojë në Maqedoni një qeveri që do të ndihmonte Shqipërinë të ndjekë politika ekspansioniste. Udhëheqësit e BE-së thonë se Moska është e vendosur të mos lejojë integrimin e Ballkanit në NATO.

Zoti Zaev ka paralajmëruar se llogaritë e gabuara në përplasjet e tanishme mund t’i “vënë zjarrin vendit.”

Vazhduan edhe sonte protestat kundër gjuhës shqipe dhe kundër shqiptarëve

Kanë vijuar edhe sonte protestat kundër gjuhës shqipe dhe kundrën platformës së përbashkët të partive politike shqiptare, transmeton Gazeta Express.

Edhe sonte në shumë qytete janë mbajtur protesta kundër zyrtarizmit të gjuhës shqipe. Protestuesit përsëritën kërkesën e tyre që LSDM-ja të tërhiqet nga platforma shqiptare, që sipas tyre cenon karakterin unitar të shtetit dhe synon ri-definimin, binacionalizimin dhe federalizimin e Maqedonisë./Gazeta Express/

Akademikët maqedonas kundër shqipes

Akademikët maqedonas kundërshtojnë përpjekjet e shumicës së re parlamentare të udhëhequr nga LSDM-ja për avancimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoni. Ata këtë e vlerësojnë si “të rrezikshme për shtetin maqedon” dhe që mund të çojë në “shqiptarizimin dhe islamizimin e Maqedonisë”.

Përpjekjet e tanishme për zbatimin e dygjuhësisë në të gjithë territorin e Maqedonisë shpijnë drejt shkatërrimit të karakterit krishter dhe ortodoks të popullit tonë dhe islamizimin dhe shqiptarizimin e vendit tonë”, ka deklaruar akademiku Mitko Maxhunkov, duke kërkuar nga shqiptarët të heqin dorë nga deklarata politike shqiptare, që parasheh avancimin e statusit të tyre juridik në Maqedoni.

Tani është koha që shqiptarët të kërkojnë falje dhe të tërheqin Platformën e tyre, ndërsa faktori ndërkombëtar të distancohet nga ajo platformë, e cila, me fjalë të tjera, shkatërron Maqedoninë ose e shndërron atë në Shqipëri, apo drejt projektit për Shqipërinë e Madhe”, ka deklaruar Maxhunkov në konferencës vjetore të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë.

Ndërkohë, kryetari i ASHAM-it, Taki Fiti ka shprehur shqetësim të thellë për retorikën nacionaliste në Shkup dhe përpjekjet për përçarje në baza etnike. Ai tërhoqi vërejtjen për situatën serioze që mund të përshkallëzohen në konflikt të rëndë.

“Është e rëndësisë kyçe zgjidhja e çështjeve që i preokupojnë marrëdhëniet ndëretnike që në kulmin e krizës në mënyrë shtesë politizohen dhe ashpërsohen. Ato duhet zhvillohen në një atmosferë të qetë dhe demokratike pa kushtëzime dhe kërcënime të ndërsjella përmes dialogut konstruktiv, tolerancës, respektimit të ndërsjellë të të gjithë akterëve politikë”, ka deklaruar akademiku Taki Fiti.

Qëndrimi i akademikëve maqedonas kundër shqipes është kundërshtuar nga tre akademikët shqiptarë, nga gjithsej 43 sa ka ASHAM-i.

Këtë nuk guxon ta bëj një akademik, duhet të distancohemi të gjithë këtu.Unë personalisht distancohem. Mendoj se të gjithë ne duhet të distancohemi nga këto qëndrime”, ka deklaruar akademik Alajdin Abazi.

Akademia maqedonase e shkencave dhe arteve edhe më parë ka ndezur tensione ndëretnike ndërsa veçohen ofendimet që kishte bërë ndaj shqiptarëve me Enciklopedinë maqedonase. Kjo Akademi në vitin 2001 kishte dalë edhe më një propozim për shkëmbimin e popullsisë dhe territoreve mes Maqedonisë dhe Shqipërisë.


Send this to a friend