VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

SHKUP – OPOZITA PROTESTON NESËR

 

VOAL – SHKUP – Opozita maqedonase ka paralajmëruar një protesët të madhe për ditën e nesërme para zyrave të qeverisë, ndërkohë që i bën thirrje autoriteteve të rendit që të mos pengojnë ardhjen e protestuesve nga qytetet tjera, ashtu siç ka ndodhë në të kaluarën.

Opozita e drejtuar nga Lidhja Social Demokrate thotë se protestuesit do të qëndrojnë para qeverisë deri sa të largohet kryeministri Nikolla Gruevski nga pushteti. Por, partia e kryeministrit maqedonas, ka paralajmëruar,  nga ana tjetër, një kundër-protestë, siç e quajnë mjetet e informimit, për ditën e hënë, në po të njejtin vend, para qeverisë, në mbëdhtetje të kësaj të fundit.

Vëzhguesit vërejnë se pushteti po përpiqet, në këtë mënyrë, të nxisë përplasje midis përkrahësve të tij dhe opozitës. Në protestën e nesërme është paralajmëruar pjesëmarrja edhe e shqiptarëve, të cilët duan largimin nga pushteti të Nikolla Gruevskit.

Në këtë kuadër, një bisedë telefonike e ish-ministres së rendit, Gordana Jankullovska, e publikuar dje nga opozita maqedonase, ku ajo flet për “nevojën e shkatërrimit të shqiptarëve dhe që kjo të bëhej brenda një dite të vetme”, ka zgjuar neveri tek shqiptarët, jo vetëm në Maqedoni, ndaj saj.

Ndërkohë, sot drejtuesi opozitar Zoran Zaev publikoi biseda të përgjuara ku dëgjohet kryeministri Nikolla Gruevski me bashkëpunëtorë të ngushtë të tij duke folur për çështjen e emrit të Maqedonisë dhe gatishmërinë për të pranuar propozimin: Republika Veriore e Maqedonisë, me një referencë gjeografike në kllapa si “Shkupi” ose “e Vardarit”; ndonëse  autoritetet maqedonase gjatë procesit të bisedimeve për emrin, publikisht janë treguar të vendosura për të mos bërë lëshime.

Gjendja në Maqedoni, megjithatë, shikohet me shqetësim nga komuniteti ndërkombëtar. za

JAHJAGA I PËRGJIGJET IVANOVIT – DUAM HETIM TRANSPARENT PËR KUMANOVËN

VOAL – PRISHTINË – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka bërë thirrje që për ngjarjet e fundit në Kumanovë të Maqedonisë, të bëhet një hetim kredibil dhe transparent.

Ishte presidenti i Maqedonisë, George Ivanov, ai i cili e bën Kosovën përgjegjëse për zhvillimet tragjike në Kumanovë, ku si pasojë e përleshjeve ndërmjet një grupi të armatosur dhe policisë maqedonase, është thënë se kanë mbetur të vrarë 22 persona.

Për këto zhvillime, Ivanov ka alarmuar edhe shtetet tjera botërore.

Ndërkaq, zëdhënësi i Presidentes së Kosovës, Arbër Vllahiu, ka deklaruar se palët në Maqedoni duhet të përmbahen nga dhuna në mënyrë që të krijohen mundësi për një hetimi të hollësishëm.

“Presidentja Jahjaga në vazhdimësi të zhvillimeve në Maqedoni ka mbajtur komunikim të rregullt me bartësit tjerë të institucioneve relevante në Kosovë dhe ka reaguar ndaj këtyre zhvillimeve, duke kërkuar nga palët të përmbahen nga dhuna”, ka thënë Vllahiu.

Sipas tij, presidentja Jahjaga “ka bërë thirrje për hetim transparent dhe kredibil të ngjarjeve në Maqedoni dhe ka shprehur gatishmërinë e institucioneve të vendit për ofrim të ndihmës në zbardhje të plotë të zhvillimeve në qytetin e Kumanovës”.

Njëherësh, Jahjaga, ka vijuar Vllahiu, kërkon që të zbatohet Marrëveshja eOhrit, në mënyrë që shqiptarët e Maqedonisë të trajtohen të barabartë me komunitet tjera.

“Ripërsërisim edhe njëherë faktin se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për një Maqedoni shumetnike, stabile, të përkushtuar për të drejta të barabarta të të gjitha komuniteteve dhe zbatim të Marrëveshjes së Ohrit, e orientuar fuqishëm në rrugën euroatlantike, që ndërton dhe respekton marrëdhëniet e mira fqinjësore si një parakusht i integrimeve”, ka thënë Vllahiu.(rel)

NJË JAVË PAS – ENDE SHUMË PAQARTËSI RRETH AKSIONIT POLICOR NË KUMANOVË

VOAL – LAGJIA E TRIMAVE, KUMANOVË – Edhe një javë pas aksionit policor në Lagjen e Trimave në Kumanovë që përfundoi me një epilog tragjik, 22 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur dhe të arrestuar, mbeten shumë enigma se çfarë në të vërtetë ka ndodhur në këtë qytet.

Pjesëtarët e grupit të armatosur që prezantohej si Ushtria Çlirimtare Kombëtare, përmes komunikatave të ndryshme që lënë dyshime mbi paraqitjen e tyre në kohën kur Maqedonia ndodhet në krizë të thellë politike, deklaronin se riorganizimi i tyre vjen “si pasojë e pozitës së pavolitshme të shqiptarëve dhe represioneve të vazhdueshme nga regjimi aktual”.

Por, teori tjera nuk përjashtojnë mundësinë që grupi, apo disa nga pjesëtarët e tij të ishin vënë në shërbim të qendrave të caktuara, në veçanti të pushtetit për të shpërqendruar vëmendjen nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve të opozitës, e cila përmes publikimit të bisedave të shumta telefonike të zyrtarëve, pretendon se ka nxjerr në sipërfaqe “veprimtarinë kriminale të pushtetit aktual”, që drejtohet nga kryeministri Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO DPMNE-së.

Dilema mbi gjithë atë që ka ndodhur në Kumanovë, më 9 dhe 10 maj, shfaqi edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në prononcimin e parë dhe të vetmin pas përleshjeve në Lagjen e Trimave.

Ahmeti, partia e të cilët është pjesë e Qeverisë, tha se struktura të caktuara dëshirojnë destabilizimin e vendit, ndërsa u shpreh se nuk mund të besojë se ish-shokët e tij të luftës të jenë futur në skenarë të kryeministrit, Nikolla Gruevski, siç flitet në opinion.

“Çfarë interesi kishte ky grup që të vihet në funksion politik të Nikolla Gruevskit? Unë s’mund ta besoj këtë. Tani lindin shumë pikëpyetje! A ka shtete në rajon që kanë pasur kontakte me këta njerëz? Cilat janë ato shtete që duan destabilizimin e Maqedonisë?”.

“Së paku zyrtarisht asnjë shtet nuk është prononcuar se dëshiron destabilizimin e Maqedonisë. Të gjithë duan rajon stabil, por në rajon nuk mund të kontrollohen të gjitha grupet që kanë interesa të ndryshme nëpër vende të ndryshme. Kjo që ka ndodhur ka nevojë për një hetim shumë të fortë, përfshirë edhe angazhimin e hetuesisë ndërkombëtare që të shohim se në shërbim të kujt ishin ata dhe çfarë dëshironin të realizonin”, deklaroi për Alsat, Ali Ahmeti.

Ai njoftoi opinionin se si me bashkëpunëtorët e tij, kishin menaxhuar situatën pas vënien së kontaktit me grupin, i cili, sipas kreut të BDI-së, kishte ofruar të vetëdorëzohet pas rrethimit të hekurt nga forcat policore.

Ahmeti tha se nga përfaqësues të partisë së tij para dy javësh kishin kontaktuar me disa nga anëtarët e grupit pas spekulimeve për veprimtarinë e tyre, por një nga anëtarët e tij kishte mohuar një gjë të tillë.

Ndërkaq, presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, në takimin e Këshillit të sigurisë kombëtare, deklaroi se gati para një viti institucionet kishin marrë informacione se një grup i armatosur po synonte destabilizimin e Maqedonisë dhe se nga fillimi i këtij viti, për këtë ishin njoftuar edhe 17 shërbime ndërkombëtare të sigurisë të vendeve anëtare të BE-së dhe të rajonit.

“Mund të konstatoj se shkëmbimi i informacioneve me qëllim të parandalimit të qëllimeve të këtij grupi, nuk dha rezultat. Për dy ditë në Kumanovë ka ndodhur ajo që para disa muajve e paralajmërova edhe në fjalimin tim para Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Autorët dhe të gjithë të përfshirët në këtë akt terrorist do të paguajnë shtrenjtë për atë që tentuan t’i bëjnë shtetit dhe qytetarëve tanë “, tha Ivanov.

Ndërsa, kryeministri Nikolla Gruevski deklaroi se forcat e rendit kishin arritur të eliminojnë një nga “grupet terroriste më të rrezikshme në Ballkan që kishte për qëllim sulme terroriste ndaj institucioneve shtetërore dhe objekteve tjera publike”.

Kjo deklaratë e presidentit Ivanov ka hapur dilema nëse shërbimet e huaja ndërkombëtare u besojnë informacioneve të palws së Maqedonisë, por edhe sinqeritetit në bashkëpunimin mes tyre.

“Me siguri se ata, pasi kanë analizuar informacionet e tyre, me ato që kanë marr nga Maqedonia, kanë konstatuar se nuk ka nevojë që të bëhet diçka më tepër lidhur me vazhdimin e informimit të ndërsjellë. Mosreagimi i atyre, absolutisht, nxjerr konstatimin tjetër se shërbimet e huaja nuk i marrin parasysh vlerësimet tona, apo se kanë vlerësime të kundërta nga ato që institucionet tona prezantojnë”, thotë Bllagoje Markovski nga Forumi Ballkanik për Siguri.

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike, Xhelal Neziri, nuk e përjashton mundësinë që ngjarjet në Kumanovë të kenë lidhshmëri me krizën politike që ka kulmuar me atë që njihet si aferë e përgjimeve me biseda të publikuara të zyrtarëve, që sipas opozitës, dëshmojnë përfshirjen e tyre në krime të rënda.

Neziri dyshon se e gjithë kjo mund të jetë inskenuar për të shpërqendruar vëmendjen nga kjo aferë e madhe, por edhe si luftë ndërmjet dy koncepteve, atij pro-vlerave perëndimore dhe tjetrit për ruajtjen e gjendjes së tanishme të vazhdimit të izolimit të vendit.

“Në momentin kur në Maqedoni pritet të bëhet një kthesë tepër e madhe, në momentin kur një koncept pro-evropian dhe pro NATO-s, po fillon të fuqizohet në Maqedoni, kur kishte një përafrim në këtë qëllim dhe një relaksim të raporteve ndëretnike, ndodhi ajo që shihet si tentim për të penguar dhe rrënuar tërë këtë koncept. Ky koncept nënkupton hapje të një perspektive krejt të re në Maqedoni për integrimin e saj në strukturat euroatlantike”.

“Pra, në Maqedoni kemi dy vija të ndryshme që po garojnë ndërmejt vete, ajo e progresit dhe e integrimit të vendit drejt strukturave euroatlantike dhe vija tjetër, e cila tenton ta mbajë vendin në gjendjen e tanishme, të izoluar dhe të bllokuar nga integrimi euroatlantik”, thotë Neziri.

Por, derisa vazhdojnë dilemat dhe hipotezat se çfarë ndodhi një javë më parë në Kumanovë, banorët e Lagjes së Trimave thonë se kurrë nuk do të mund t’i harrojnë traumat dhe tmerrin e asaj që përjetuan gjatë dy ditëve sa zgjatën përleshjet e armatosura që dogjën e rrafshuan për tokë shtëpitë e tyre.

“Nuk po mund ta përshkruaj atë që ka ndodhur… Fëmijët ende i kam me trauma, gjithë natën zgjohen qajnë, bartësin, thonë oj nënë a vijnë prapë; vetëm pak me kërcit nëpër shtëpi ata bërtasin dhe qajnë”, tregon Sanije Shabani.

“Kjo njollë kurrë nuk do të hiqet, gjithmonë do ta mbajmë derisa të futemi nën dhe, kjo nuk harrohet”, thotë Xhevrije Shabani.

“Çka të tregoj, nuk kam si ta përshkruaj këtë gjendje. Për fëmijën tim 8 -vjeçar nuk e kam ditur nëse do ta vrasin ose jo! Vetëm shpirti ynë e di se çfarë kemi kaluar, vëllezërit invalidë, nëna njëjtë, e të na e bëjnë këtë, çudi e madhe është”, thotë Skënder Ajdini, një tjetër banor i Lagjes së Trimave në Kumanovë.

Gjatë luftimeve të ashpra të një jave më parë, janë vrarë 22 persona, prej tyre 8 pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe 14 të grupit të armatosur, ndërsa 30 të tjerë janë dorëzuar.

Prej tyre 18 janë shtetas të Kosovës, 11 të Maqedonisë, 2 prej të cilëve me banim në Kosovë dhe 1 shtetas i Shqipërisë.

Gjatë luftimeve, sipas një komisioni qeveritar për vlerësimin e dëmeve, janë dëmtuar rëndë 66 shtëpi, familjet e të cilave aktualisht janë strehuar te të afërmit e tyre. rel

ÇFARË THONË NË FAMILJEN DACI, E CILA U BASTIS DJE NGA POLICIA E KOSOVËS

 

Familja Daci nga Irzniqi i Deçanit është vizituar nga Policia paraditen e së premtes. Në shtëpinë e Dacëve aksioni policor i bastisjes është zhvilluar me pretekstin se dyshohen për armëmbajtje pa leje.

Mirëpo, Asim Daci, i cili në momentin e ardhjes së forcave policore gjendej në shtëpi, shprehet i mllefosur me veprimet e autoriteteve kosovare.

Ai tregon se Policia kërkonte të dinte se cila është lidhja e tyre me Begë Rizajn, njërin nga udhëheqësit e Grupit të Kumanovës.

Klan Kosova ka kuptuar se Policia ka bastisur edhe familjet e Mirsad Ndrecajt dhe Sami Ukshinit, por anëtarët e familjeve tyre kanë mohuar një gjë të tillë.

Ndonëse të bastisurit kanë deklaruar se e gjithë kjo kishte lidhje me rastin e Kumanovës, Policia në një komunikatë për media ka thënë së ky operacion policor është ndërmarrë duke vlerësuar rëndësinë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në vend, si dhe parandalimin e çfarëdolloj veprave kriminale.

Komunikata e Policisë konfirmon se sot ka pasur bastisje në 38 lokacione, kryesisht në shtëpi banimi në qytetin e Prishtinës, Gjilanit, Pejës, Gjakovës, Ferizajt dhe Prizrenit. /Klan Kosova/

JANKULLOVSKA – SHQIPTARËT MUND T’I ZHDUKIM PËR NJË ORË

 

 

VOAL – SHKUP – Opozita në Maqedoni ka vazhduar publikimin e bombave dhe ajo e publikuar dje nga Zaev vërteton urrejtjen e Gordana Jankullovkës për shqiptarët.

Ajo thotë mes tjerash se mund t’i shtypin shqiptarët brenda një ore.

Në një bisedë telefonike me shefin e kabinetit të kryeministrit Gruevski, Martin Protuger tregon planet e saj të errëta ndaj shqiptarëve.

Në bisedë dëgjohet ku Protuger e pyet: “Nëse do të kemi luftë”?,

Jankullovska i përgjigjet: “Nëse ne tregohemi të fuqishëm për një orë do t’i zhdukim, mirëpo puna është që të mos tregojmë tani muskuj”.

Ajo ka ofenduar shqiptarët edhe duke folur edhe me bashkëshortin e saj. “Po merrem me këta “shiptarishtat”. Shiptarishtat po më nervozojnë shumë. Si mund të jenë aq budallenj”, thotë Jankullovska, në bisedë me bashkëshortin e saj, Vllatko Ilievski.

‘SÜDDEUTSCHE ZEITUNG’: MAQEDONIA – KJO NJOLLË E ZEZË E EUROPËS

 

Brukseli duhet të bllokojë menjëherë të gjitha donacionet për Maqedoninë deri në sqarimin e plotë të të gjitha akuzave nga hetimet e pavarura, ndërkombëtare si të skandalit të përgjimeve ashtu edhe të gjakderdhjes në Kumanovë. Është koha e fundit të hiqet dorë nga pasiviteti, shkruan në një koment e përditshmja e njohur gjermane «Süddeutsche Zeitung».

E madhe është habia në lidhje me atë që po raportohet nga Maqedonia: bëhet fjalë me gjasë për keqpërdorim masiv të pushtetit nga ana e qeveritarëve, për skandale përgjimi, korrupsion dhe për dyshimin se një incident vdekjeprurës në qytezën e Kumanovës, të cilin e paguan me jetë së paku 22 njerëz, është inskenuar. Si mund të bëjë vaki që një shtet, i cili është kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2005, mbase pa u vërejtur shndërrohet nga një shtet demokratik model në pseudodemokraci autokratike?

Përgjigjja është se rrëshqitja e kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili qeveris nga viti 2006, në qeverisje autoritare nuk ka qenë e pavërejtur. Por paralajmërimeve të shumta në disa nivele, bile deri te Komisioni i BE-së, nuk kanë nxitur vëmendjen e duhur. Për këtë ekzistojnë disa shkaqe: për shembull numri i madh i krizave të tjera, të cilat kanë ndikim më të rëndësishëm se sa situata në një vend me vetëm dy milionë banorë; ose fakti se në Ballkan pothuaj nuk janë të përfaqësuara më mediumet e huaja; ose konstruksioni i gabueshëm i mekanizmit të BE-së për anëtarësim.

Nëse një vend si Maqedonia kurorëzohet nga kryetarët dhe kryeministrat e BE-së si kandidat për anëtarësim, shpesh injorohen mangësitë dhe hapat prapa. Ose gjendja zbukurohet me fjalë nga ana e komisionerit përgjegjës për anëtarësim në BE. Kështu ka qenë në rastin e Kroacisë; kështu është sot në Maqedoni dhe në Serbi. Kryeministri i saj i gjithëfuqishëm Aleksandar Vuçiq po shfaq po ashtu tendenca autoritare, por përkundër sinjaleve paralajmëruese nga opozitarët, mediumet apo ish-ministrat ai është i mirëpritur në Bruksel dhe Berlin.

Në rastin e Maqedonisë vëzhgues lokalë dhe të huaj prej kohësh kanë dhënë alarmin dhe kanë kërkuar pa sukses nga BE të mbajë një qëndrim më të ashpër kundër Gruevskit. Sinjale paralajmëruese ka pasur shumë kohë para se opozita të zbulonte nga mesi i shkurtit se qeveria pak a shumë e ka përgjuar ilegalisht pothuaj tërë klasën politike të vendit  dhe ka keqpërdorur pushtetin deri në manipulim të zgjedhjeve: mediumet opozitare si televizioni A1 u detyruan të mbyllen. Gjatë zgjedhjeve, të cilat në prill 2014 e konfirmuan në postin e tij Gruevskin, po ashtu kishte shenja manipulimi – për rrethanat diplomatike vëzhguesit e OSBE-së i kritikuan zgjedhjet mjaft qartë.

Në raportet e tij Komisioni Europian në të vërtetë nuk i la pa i përmendur ngecjet e Kroacisë, por në nivel të BE-së kjo nuk kishte pasoja konkrete, të ndjeshme për Gruevksin. Madje edhe pasi u bë publik skandali i përgjimit komisioneri për zgjerim i BE-së Johannes Hahn gjatë një vizite në Shkup nga mesi i shkurtit nuk e përmendi publikisht skandalin. Ai vetëm kërkoi një «hetim të pavarur, transparent». Kjo kërkesë sot në Maqedoni është plotësisht jorealiste, sepse tërë aparati i pushtetit, përfshirë drejtësinë, kontrollohet nga Gruevski.

Së paku ambasadorët perëndimorë, siç janë përfaqësuesi i Gjermanisë apo i SHBA-ve, tani po përpiqen të ndërmjetësojnë. Por kërkesës së opozitës për dorëheqje të kryeministrit të diskredituar nuk i janë bashkuar publikisht as diplomatët, as BE-ja. Kjo do të ishte ndërhyrje në politikën e brendshme dhe nga diçka e tillë trembet Bashkimi Europian. Por Brukseli ngaherë ka pasur mundësi të tjera: ta zëmë ngrirjen e menjëhershme të të gjitha donacioneve për Maqedoninë deri në sqarimin e plotë të të gjitha akuzave nga hetimet e pavarura, ndërkombëtare si të skandalit të përgjimeve ashtu edhe të gjakderdhjes në Kumanovë. Është koha e fundit të hiqet dorë nga pasiviteti.

NË KOSOVË OPERACION KONTROLLESH LIDHUR ME KUMANOVËN

VOAL – PRISHTINË – Policia bastisi shtëpitë e personave të dyshuar si të përfshirë në ngjarjet e fundjavës në Maqedoni

Në Kosovë policia ka kryer një operacion kontrollesh nëpër shtëpitë e familjeve të personave të dyshuar se ishin përfshirë në përleshjen e armatosur të fundjavës në Kumanovë të Maqedonisë.

Kontrollet janë kryer me urdhër të prokurorisë së posaçme e cila tha se kushdo që e ka kaluar kufirin me Maqedoninë së fundmi do t’i nënshtrohet procedurave hetimore, ndonëse nuk është saktësuar periudha kohore.

Autoritetet në Maqedoni thanë se 23 pjesëtarë të grupit të armatosur me të cilin është përleshur policia maqedonase, janë shtetas të Kosovës.

Autoritetet në Kosovë kanë shprehur shqetësimin e tyre më zhvillimet në Kumanovë duke dënuar “çfarëdo përfshirjeje të shtetasve të Kosovës në incidentet në Maqedoni”. Ata thonë se janë duke bashkëpunuar me autoritetet në Maqedoni për të identifikuar personat nga Kosova të cilët janë përfshirë në përleshje, por kanë hedhur poshtë çdo mundësi që të ketë pasur çfarëdo përpjekje të organizuar nga Kosova për ndërhyrje në Maqedoni. rel

Zëri i Amerikës: Shtohet numri i forcave policore në Kumanovë

 

Të premten në Kumanovë është shtuar numri i forcave policore nëpër rrugët kryesore dhe para institucioneve shtetërore. Gjendja ka shqetësuar banorët. Autoritetet nuk bëjnë shpjegime, përveç asaj se po marrin masa sigurie. Ndërkaq, një pjesë e medias spekullon se forcat e shtuara të sigurisë ndërlidhen me kërcënimet eventuale të njërit prej pjesëtarëve të grupit të armatosur, i cili mundi t’i arratisej policisë.

Personi i quajtur Sulejman Osmani ka folur për mjete të informimit ku ka thënë se pasi i ishte dorëzuar policisë speciale maqedonase ishte detyruar t’ua zbulojë atyre vendin e armatimit, në një fshat të zonës së Karadakut dhe, ndonëse i prangosur, kishte arritur të arratisej.

Por, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka hedhur dyshim për të kaluarën e këtij personi gjatë konfliktit të vitit 2001, dhe ka shprehur habi se si mundet një njeri me pranga në duar të arratisej!

Zoti Ahmeti në një intervistë dhënë televizionit Alsat-M në Shkup ka bërë të ditur për përpjekjet e tij që të negociojë dorëzimin e grupit të armatosur, ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, pasi i ishte kërkuar ndihmë me telefon nga vetë grupi. Zoti Ahmeti tha se përmes njerëzve të partisë së tij ka njoftuar institucionet përkatëse dhe Ambasadën e SHBA-së dhe përfaqësinë e OSBE-së, gjithashtu, në lidhje me kërkesën e grupit për t’u dorëzuar pa kushte. Sipas, tij, njëzetë e gjashtë pjesëtarë të grupit të armatosur janë dorëzuar, por gjatë kësaj, ka pasur komplikime, me gjasë mosmarrëveshje tek një pjesë e grupit të armatosur dhe se në këtë kohë janë vrarë edhe dy ose tre policë.

Zoti Ahmeti ka pranuar se qysh para këtij konfikti, kishte pasur dijeni për synimet për krijimin e destabilizimit në Maqedoni dhe kishte dërguar një zyrtar të partisë së tij që të bisedonte me Sami Ukshinin, të njohur si komandant Sokoli, për të hequr dorë nga veprimet e tilla dhe ai, Sokoli, të ishte shprehur se nuk ishte pjesë e ndonjë plani të tillë.

Nga ana tjetër, autoritetet e Rendit thonë se nuk ka pasur asnjë lloj negociatash me grupin terrorist, siç e quajnë ata, për t’u dorëzuar.
Policia maqedonase ka njoftuar se nga dhjetë të vrarët në Kumanovë kanë arritur të zbulojnë identitetin e dy vetave dhe ata janë Mirsad Ndrecaj me nofkën Komandant Nato dhe Begë Rizaj që është konfirmuar nga zyra e Interpolit në Shkup.

Megjithatë, një pjesë e medias shpreh mosbesim ndaj njoftimeve të zyrtarëve qeveritarë maqedonas lidhur me ngjarjet e përgjakshme në Kumanovë. Ka që shprehin dyshime se rasti mund të ishte i sajuar nga vetë struktura maqedonase të sigurisë për të tërhequr vëmendjen nga kriza politike dhe skandali i përgjimeve dhe për të frikësuar, njëkohëshisht, popullatën që të mos i bashkohej opozitës në protestat për rrëzimin e pushtetit.

ALBIN KURTI KËRKON SËRISH DEBAT PËR KUMANOVËN

VOAL – PRISHTINË – Mosdiskutimi në Kuvendin e Kosovës për ngjarjet në Kumanovë sipas Albin Kurtit dëshmon për atë se deputetët e kuvendit të Kosovës si përfaqësues të popullit nuk i përfaqësojnë as sa për sy e faqe ata.

Sipas Kurtit ngjarjet e fundit në Maqedoni kanë për qëllim pakësimin e popullsisë shqiptare atje, që aktualisht kalon edhe çerekun e popullsisë së përgjithshme në Kumanovë.

Kurti thotë se ngjarjet e fundit i kanë konvenuar më së shumti Gruevksit dhe Vuçiqit.

Ai kritikoi të gjithë krerët e institucioneve për deklaratat e tyre që sipas Kurtit, asnjëri nga ta nuk e dënoi aktin në Kumanovë, por folën vetëm për vete.

“Të gjitha deklarata e krerëve institucional të Kosovës ishin deklarata që mendojnë vetëm për vete e jo për qytetarët e Kumanovës. Asnjëri nga ta nuk e dënuan këtë akt. Ambasador të ndryshëm perëndimor e tejkaluan edhe çdo fjalor por këtë nuk e bënë politikanët tanë. Unë jam i bindur që shumica e deputetëve të Kosovës nuk e mendojnë këtë si shefat e tyre, por është edhe arsyeja pse nuk u lejua ky debat”, tha Kurti.kp

JEP ALARMIN VËLLAI I KOMANDANT MALISHEVËS – TË ARRESTUARIT PO TORTUROHEN PËR VDEKJE

VOAL – PRISHTINË – Vëllai i Muhamet Krasniqit, alias “Komandant Malisheva”, njërit nga të arrestuarit në Maqedoni pas konfliktit në Kumanovë, ka alarmuar sot për gjendjen e të arrestuarve nga policia maqedonase.

Alban Krasniqi në profilin e tij në facebook ka shkruar se gjendja e të burgosurve është e rëndë dhe ata janë në rrezik për jetë.

“Urgjente: Gjendja e të burgosurve është shumë e rëndë dhe rrezik për jetë. Ata i janë nënshtruar torturave çnjerëzore nga policia maqedonase, derisa kanë plagë të rënda duke mos u ofruar kurrfarë mjekimi. Ndërhyrja në ofrimin e ndihmës mjekësore është jetike”, shkruan Alban Krasniqi. kp

FAMILJARËT SOT VIZITOJNË 23 KOSOVARËT E ARRESTUAR NË RASTIN E KUMANOVËS

 

VOAL – PRISHITNË – Ardian Arifaj, këshilltar i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi informoi se sot u mundësohet familjeve nga Kosova që të vizitojnë në Burgun e Shutkës të afërmit e tyre, që u arrestuan në aksionin e javës së kaluar në Kumanovë.

Bëhet fjalë për 23 shtetas të Kosovës, që ishin pjesë e grupit të armatosur dhe që u prangosën nga policia në ditën e përleshjeve, pas një dorëzimi të tyre.

“Është paralajmëruar që të premten familjet do të lejohen t’i vizitojnë personat e arrestuar. Ajo ju takon autoriteteve maqedonase që t’jua mundësojnë të arrestuarve edhe të kontaktohen nga ambasada por edhe të vizitohen nga familjet”, tha më tej Arifaj.

Ai tha se ende nuk kanë marrë asnjë konfirmim zyrtar nga autoritetet e Maqedonisë për shtetas të Kosovës të vrarë apo të plagosur gjatë konfliktit të armatosur në Kumanovë.“Zyrtarisht nuk kemi asnjë konfirmim për viktima nga Kosova në Kumanovë”, deklaroi Arifaj.

KONFIRMOHET – KOSOVA KISHTE DIJENI PËR INCIDENTET NË MAQEDONI

VOAL – Tre muaj para se të zhvillohej konflikti i armatosur në Kumanovë mes njësiteve ushtarake e policore maqedonase dhe një grupi luftarësh shqiptarë, të gjithë mekanzimat përgjegjës në Kosovë, dalin të kenë qenë në dijeni se diçka po përgatitej të ndodhte në shtetin fqinj.

Tribuna Channel ka marrë konfirmim zyrtar se Agjencia Kosovare e Inteligjencës qysh në muajin shkurt e kishte njoftuar presidenten e vendit, Atifete Jahjaga, kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, ministrin i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, si dhe drejtorin e Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, se shërbimi sekret maqedonas i kishte kontaktuar disa qytetarë të Kosovës më qëllim të inskenimit të sulmeve në Maqedoni.

Këtë e ka konfirmuar kryetari i Komisionit Parlamentar për mbikëqyrje i AKI-së, Haxhi Shala, gjë që del se edhe mbikqyrësit parlamentar kanë qenë të informuar për zhvillimet në fshehtësi.

Shala ka thënë se AKI e ka bërë raportin të cilin e kanë cituar mediet dhe për këtë komisioni ka qenë i informuar. Raporti më shkrim, sipas tij, nuk i është dorëzuar komisionit, por deputetët janë informuar gojarisht nga zyrtarë të AKI-së se kjo e fundit ka njoftuar krerët më të lartë të shtetit për mundësinë e destabilizimit të gjendjes në Maqedoni.

Se çka thotë Haxhi Shala për informatat nga AKI, e çfarë përgjigjesh japin zyrtarët e institucioneve mund ta mësoni në kronikën televizive. /Tribuna Channel/

INFORMATORËT SERBË – MIJALLKOV E ORGANIZOI KONFLIKTIN NË KUMANOVË


 

VOAL – Sasho Mijallkov, shefi i shërbimit maqedonas të kundërzbulimit, i cili të martën dha dorëheqje nga ky post, sipas dyshimeve të shërbimeve serbe të sigurisë, ka pasur rol aktiv në organizimin e “sulmit terrorist” në Kumanovë.

Njeri që shpesh vizitonte Beogradin, ku për dy ditë i linte deri në 5,000 euro me një mikeshë të tij të afërt.

Mijallkov tash e një dekadë konsiderohet si njeriu më i fuqishëm në Maqedoni, i cili mban lidhje me politikanët dhe kriminelët më me ndikim nga Shqipëria dhe rajoni.

Qëllim i sulmit ishte shkaktimi i incidentit ndëretnik, i cili do ta mbronte qeverinë e Gruevskit nga sulmet e opozitës maqedonase, e cila për 17 maj bënte përgatitje të organizojë mitingun e rrëzimit të pushtetit.

Por, gjërat dolën nga kontrolli dhe “incidenti ndëretnik” i planifikuar u shndërrua në “sulm terrorist”, tha për gazetën serbe Blic një burim i mirinformuar nga shërbimet sekrete serbe, transmeton lajmi.net.

Sipas këtyre dyshimeve, Mijallkov vihet në lidhje direkte me organizatorin e sulmit, Mirsad Ndrecaj, i quajtur Komandanti NATO.

Mijallkov ka rrejt të zhvilluar biznesi në Çeki dhe Sllovaki, thotë ky burim.

“Ka biznes të zhvilluar në Sllovaki dhe Çeki. Po ashtu, është nën vëzhgim nga ana e shërbimeve sekrete të huaja, të cilat me të madhe po përgatiten ta dëshmojnë kapitalin e tij të përfituar në mënyrë të dyshimtë”, tha ky burim.

“Ai është mysafir i shpeshtë edhe në Beograd, ku ka një mikeshë të afërt, për të cilën për dy ditë shpenzon deri në 5,000 euro”.

“Fal lidhjeve, Mijallkov në Serbi hyn pa regjistrim në kalimin kufitar”.

MAQEDONIA – NUK ISHTE PËRLESHJE NDËRETNIKE, POR OPERACION KUNDËR GRUPIT TERRORIST

​Në letrën informuese që ua ka dërguar shteteve të Bashkimit Evropian, Qeveria e Republikës së Maqedonisë i ka njoftuar ato për rrjedhën e aksionit të armatosur të së shtunës në Kumanovë.

VOAL – PRISHTINË – Në non paperin, që e ka siguruar “Koha Ditore”, shteti maqedonas thotë se operacioni nuk ishte përleshje ndëretnike, por ishte i drejtuar kundër një grupi terrorist me ambicie politike, që synim përfundimtar kishte të rrezikonte rendin dhe sigurinë në Republikën e Maqedonisë.

Liderët kryesorë të këtij grupi, sipas Qeverisë maqedonase, janë: Muhamed Krasniqi, shtetas i Kosovës, i njohur si “Komandant Malisheva”; Mirsad Nrecaj, shtetas i Kosovës, i njohur si “Komandant NATO”; Sami Ukshini, shtetas i Kosovës, i njohur si “Komandant Sokoli”; Beg Rizaj, shtetas i Kosovës, i njohur si “Komandant Begu” dhe Demë Shehu, shtetas i Kosovës, i njohur si “Juniku”. Liderët, sipas letrës, figurojnë si themelues të strukturave paramilitare dhe kanë pasur tentativa të pasuksesshme për të siguruar mbështetje politike.

MILAIM ZEKA – NË KUMANOVË VETËM TRE SHQIPTARË TË VRARË, 7 TË MASAKRUARIT JANË EMIGRANTË NGA LINDJA E MESME

VOAL – PRISHTINË – Gazetari Milaim Zeka, i cili posa është kthyer nga Kumanova, ka treguar për Telegrafin se autoritetet maqedonase kanë spekuluar rëndë lidhur me numrin e të vrarëve, kurse kanë ushtruar dhunë të rëndë mbi të burgosurit dhe civilët.

Zeka thotë se nuk është e vërtetë që janë vrarë 14 luftëtarë shqiptarë nga grupi i armatosur, por janë vrarë gjithsej tre, kurse shtatë të tjerë janë emigrantë nga Lindja e Mesme, të cilët autoritetet maqedonase i kanë vrarë dhe gjymtuar për të pamundësuar identifikimin e tyre.

“Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska tha që janë 14 të vrarë, por sipas burimeve të sigurta në Kumanovë bëhet fjalë vetëm për tre shqiptarë të vrarë nga grupi i armatosur, kurse shtatë të tjerë janë refugjatë nga vendet e lindjes, mbase Sirisë që janë marrë dhe janë dërguar në Lagjen e Trimave, ku janë ekzekutuar e masakruar, sa që është e pamundur të identifikohen”, tha Zeka.

Ai ka konfirmuar se në luftime janë vrarë vetëm tre shqiptarë, Mirsad Ndreca, Beg Rizaj dhe Xhafer Zymberi.

Zeka më tej ka rrëfyer për torturat që u janë bërë të burgosurve.

“I burgosuri Beg Bajra është tepër i torturuar sikurse edhe të tjerët. Nga lëndimet që u janë shkaktuar në fytyrë ka qenë e pamundur të bëhet edhe identifikimi i identiteti i tyre në gjykatë…”, tha Zeka.

Ai tha Prokuroria maqedone u ka ofruar të burgosurve të nënshkruajnë deklarata që të pranojnë fajësinë për terrorizëm, me çka do të dënoheshin deri në 15 vjet burgim, në të kundërtën, u është thënë se ndaj tyre mund të ngritet padi edhe më e rëndë me çka rrezikojnë dënim të përjetshëm.

Gazetari Zeka thotë se policia maqedonase ka maltretuar edhe popullatën civile.

“Janë maltretuar edhe civilë të verbër, duke i detyruar të qëndrojnë me orë të tëra në këmbë duke i kërcënuar se do tu hedhin nitroglicerinë në sy. Një të riu, që ishte i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit në Lagjen e Trimave, nuk i ishte ofruar ndihma duke i thënë se plagën e kishte të vjetër”, tha Zeka, duke rrëfyer tmerret e pamjeve që kishte hasur në Lagjen e Trimave, pas tërheqjes së policisë maqedonase.kp

RRËFEHET ALI AHMETI: AI I KA NJOHUR TË GJITHË DJEMTË E GRUPIT TË ARMATOSUR NË KONFLIKTIN E KUMANOVËS:

Kreu i BDI-së, ka folur për herë të parë pas konfliktit në Kumanovë. Ai në një intervistë dhënë për Televizionin Alsat të Maqedonisë, ka thënë se i ka njohur të gjithë djemtë e grupit të armatosur.

Ahmeti po ashtu ka deklaruar se nuk arrin ta kuptojë se si këta njerëz kanë rrezikuar një lagje të tërë e mbi të gjitha edhe vetën.

“Samiun e kam njohur më 2001 dhe në atë vit pas përfundimit të luftës nuk e di a e kam takuar edhe një herë. Është një djalë i qetë jo euforik. Edhe të tjerët që i përmendët i kam njohur, përveç Dem Shehut. Kanë lëvizur, kanë ardhur dhe kanë vizituar selinë e BDI-së. Nuk e mohon askush se kanë qenë shokët tanë dhe askush nuk e mohon veprimtarinë e tyre. Nuk mund ta kuptoj se si mundën këta njerëz ta bëjnë këtë. Si mund që këta njerëz të hyjnë dhe të rrezikojnë një lagje të tillë dhe të sakrifikojnë jetën e tyre, cili ishte ideali”, ka thënë Ahmeti në intervistën dhënë Televizinot Alsat në Maqedoni.

Ai më pas edhe tregoi të gjithë ngjarjen se si e ka kuptuar se ndodhi konflikti në Kumanovë.

Ahmeti ka treguar se këtë e ka kuptuar përmes një telefonate.

Ai po ashtu ka treguar se si ka negociuar dorëzimin e Grupit të Armatosur.

Tha se qysh në orën 10:20 të ditës kritike kishte marrë telefonatë ku i ishte kërkuar ndihma për largimin e grupit nga vendi i ngjarjes.

“Në komunikime e sipër, në ora 10:20 më vjen një sms dhe më thotë që jam në vendin e ngjajres. E hapi telefonin dhe mu drejtu: kryetar jam në vend të ngjarjes dhe ndihmona, unë mendova që është dikush jashtë përleshjes. Ai më tha: Të lutëm ndihmona . Mua mu dridhë trupi. O të lutem ndihmona se unë jam brenda në luftime. Edhe tash po më dridhet trupi. Tërë trupi mu është dridhur. Ku je? Këtu në luftime. Çfarë të ju ndihmoj? Ai më pastaj më tha: Kemi gabu, o Ali Ahmeti çu në këmbë dhe hapna rrugën. As nuk e pyeta as nuk u prezantua kush është. Po fliste qetë . Pas një ore përsëri i ra telefoni. I thirra të gjithë njerëzit që i kam që të vijnë në seli dhe të paraqesim një opsion. Unë i thash që nuk mund ti përgjigjem kërkesës suaj që të hapë korridor se mund të ju vret dikush se ju vret në besë time”, ka treguar Ahmeti.

Ai ka thënë se i ka njohur disa nga djemtë e grupit të armatosur në Kumanovë.

Ahmeti po ashtu ka deklaruar se nuk arrin ta kuptoj se si këta njerëz kanë rrezikuar një lagje të tërë e mbi të gjitha edhe vetën.

“Samiun e kam njohur më 2001 dhe në atë vit pas përfundimit të luftës nuk e di a e kam takuar edhe një herë. Është një djalë i qetë jo euforik. Edhe të tjerët që i përmendët i kam njohur, përveç Dem Shehut. Kanë lëvizë kanë ardhur dhe kanë vizituar selinë e BDI-së. Nuk e mohon askush se kanë qenë shokët tanë dhe askush nuk e mohon veprimtarinë e tyre. Nuk mund ta kuptoj se si mundën këta njerëz ta bëjnë këtë. Si mund që këta njerëz të hyjnë dhe të rrezikojnë një lagje të tillë dhe të sakrifikojnë jetën e tyre, cili ishte ideali” ka thënë Ahmeti.

Ai hedh dyshime për të arratisurin Sulejman Osmanin i cili ka ikur nga duart e policisë maqedonase një ditë pasi së bashku me një grup personash të armatosur në Kumanovë ishin dorëzuar organeve të policisë.

Ahmeti tha se nuk e njeh Sulejman Osmanin por ka dëgjuar se ai ka qenë i arrestuar në vitin 2001 nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare.

Ahmeti tha se ai person tash gjendet në Kosovë, ndërsa pranon se disa nga familjarët e të arrestuarve nga Kosova e kanë thirrur për të marrë më shumë informata për ngjarjet në Kumanovë.

Ahmeti, ka thënë se ndarja e Maqedonisë nuk është në interes të shqiptarëve të Maqedonisë.

Ai tutje në intervistën dhënë për Televizionin AlsatM, ka thënë se interesi i gjithë shqiptarëve është që të zbatohet në përpikmëri marrëveshja e Ohrit.

“Nuk është në interes të shqiptarëve as ndarja e Maqedonisë, sepse nuk ke si e ndan. Interes i shqiptarëve është të zbatohet në tërësi marrëveshja e Ohrit, në germë dhe në frymë”, ka deklaruar Ahmeti.

Në pyetjen pse nuk e ka vizituar Lagjen e Trimave siç ka bërë lideri i opozitës Zoran Zaev, Ali Ahmeti ka thënë se ai e ka kryer punën e tij me aq sa ka pasur mundësi.

Siç tha ai “unë kam bërë shumë për atë lagje, unë e ndjej veten mirë që asnjë civil nuk është vrarë në këto përleshje”, tha Ahmeti.

Ai pranoi se nuk ka dashur të dalë në publik tek banorët sepse nuk ka dashur as të fyhet e as të puthet nga dikush.

Ahmeti premtoi se do të angazhohet për t’iu ndihmuar banorëve të kësaj lagjeje që kanë pësuar nga këto ngjarje.

TELEVIZIONI ZVICERAN SRF PËR MAQEDONINË: TRI DORËHEQJE DHE NJË DYSHIM I TMERRSHËM

Pas përleshjeve vdekjeprurëse mes policëve dhe gjoja terroristëve shqiptarë kanë dhënë dorëheqje dy ministra dhe shefi i shërbimit sekret. Ndërkohë po shtohen indikacionet se qeveria mund t’i ketë inskenuar luftimet – opozita po bën thirrje për protesta masive.Një zëdhënës i qeverisë deklaroi se ministrja e brendshme Gordana Jankulovska, ministri i transportit Mile Janakieski dhe shefi i shërbimit sekret Sasho Mijalkov kanë dhënë dorëheqje pas luftimeve të ashpra në Maqedoni. Sipas zëdhënësit, kryeministri Gruevski i ka pranuar dorëheqjet. Gjatë përleshjeve në qytetin e Kumanovës në fundjavë u vranë 22 njerëz dhe 37 u plagosën. Ministria e Brendshme u akuzua se kishte bërë gabime të rënda gjatë aksionit policor kundër shqiptarëve të armatosur.Ndërkohë, sipas televizionit zviceran, po shtohen indikacionet se qeveria qëllimisht ka mundur t’i inskenojë luftimet. Gjenerali i pensionuar maqedonas Ilija Nikolovski përsëriti tezën e tij se të armatosurit nuk kanë qenë terroristë, siç pretendon qeveria, por mercenarë të paguar. Sipas tij është e pamundshme që një arsenal aq i madh armësh të sillet në vend pa u vërejtur. Edhe portali «Libertas» kritikoi se nga ana e qeverisë ka vetëm dezinformata. Autoritetet deri më tani nuk kanë sjellë asnjë dëshmi për pretendimin e tyre se bëhej fjalë për terroristë me përvojë, nënvizoi ky medium. As ministrja e brendshme, as kryeministri dhe as gjeneralët e nivelit të lartë në polici nuk u shfaqën gjatë aksionit në Kumanovë. Po ashtu deri më sot nuk është zhvilluar një hetim zyrtar i luftimeve të ashpra.Opozita maqedonase, e cila tashmë një vit bojkoton parlamentin, ka bërë thirrje për protesta masive të dielën kundër kryeministrit Nikola Gruevski. Konflikti shpërtheu në mes të një krize të rëndë politike në Maqedoni. Qeveria Gruevski po ballafaqohet me akuza të rënda korrupsioni. Opozita e akuzon atë edhe për përgjimin ilegal të 22 mijë njerëzve.Konflikti në Maqedoni hedh një hije mbi raportin e vështirë mes etnive në këtë ish-republikë jugosllave. Në vitin 2001 në Maqedoni ndodhi një kryengritje e shqiptarëve etnikë. Ajo përfundoi me një marrëveshje, e cila u premtonte më shumë të drejta shqiptarëve. Por raporti i shqiptarëve ndaj qeverisë në Shkup mbetet i tensionuar. Një e katërta e 2,1 milionë banorëve të këtij shteti ballkanik janë shqiptarë etnikë.

Luftimet në fundjavë ngjallën shqetësime edhe në arenën ndërkombëtare. BE, NATO, OKB dhe qeveria gjermane bënë thirrje për deeskalim. Maqedonia është kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2005 dhe aspiron hyrjen në NATO.

NË KUMANOVË MBIZOTËRON FRIKA, PIKËLLIMI DHE KAOSI

Përleshjet me armë në qytetin verior të Maqedonisë kanë lënë pas një popullsi të traumatizuar. Gjithnjë e më të zëshme po bëhen akuzat se qeveria me këtë aksion synonte të hiqte vëmendjen nga skandalet.

Besar M. dridhet ende nga frika. «Kur i kam dëgjuar të shtënat të shtunën në orën pesë, shikova nga dritarja. Pasi më panë ushtarët nga autoblinda, hapën zjarr», tregon 72-vjeçari. Ai ishte mbështetur për muri. «Zoti më ka ndihmuar», thotë ai, «përndryshe do të kisha mbetur i vdekur». Familja e tij banon në mes të lagjes së Kumanovës ku forcat e sigurisë të shtunën dhe të dielën zhvilluan përleshje me armë. «Nuk jemi terroristë. Përse nuk na kanë evakuuar? Përse nuk e kanë larguar popullsinë civile?», pyet vajza e tij 20-vjeçare. Familja ka frikë të tregojë emrin e vërtetë. Vrimat nga të shtënat në shtëpi dëshmojnë se këtu dikush ka shtënë kundër një familjeje të parrezikshme. Zonja M. thotë: «Ju këtë e keni parë në fotografi, ndërsa ne i kemi imazhet në kokë».

Në Kumanovë askush nuk thotë të ketë parë terroristë apo kriminelë, me të cilët forcat e sigurisë kanë zhvilluar përleshje. Sipas deklaratave të njerëzve në vendin e ngjarjes fjala ishte për policë dhe ushtarakë  me tri lloje uniformash. Askush nuk e di nëse ka pasur viktima civile. Familja M. – katër persona – është fshehur me orë të tëra mes kornizës së derës. Shtëpia fqinje është shndërruar në gërmadhë. Këtu banojnë vëllezërit Ibrahimi, njëri prej tyre ka jetuar në Zvicër njëzet vjet. Shtëpia ishte ndërtuar tek para dy vitesh. Tani çdo kund shihen vrima nga të shtënat prej granatahedhësit. Askush nuk e di se kush ka luftuar këtu. Shumë njerëz besojnë se fjala ishte për njerëz të paguar.

Nga ndërhyrja policore kundër një grupi të kriminelëve në Kumanovë, me ç’rast u vranë tetë policë dhe 37 u plagosën, policia është shtuar në Maqedoni. Aksioni i policisë shihet si përpjekje e qeverisë për të shpëtuar lëkurën e vet duke e shpikur një armik të jashtëm dhe pastaj duke u hequr si shpëtimtare e vendit.

Por këtë mesele të qeverisë nuk po e kapërdijnë shumë maqedonas. Edhe shtetet perëndimore po qëndrojnë në distancë. Në një deklaratë shumë të qartë të ambasadorit amerikan Jess Bailey që u lëshua të hënën u bë e qartë se nuk do të qëndrohet më tutje duarkryq. Ambasadorët e shteteve më të rëndësishme të BE-së qëndruan pas Bailey, kur ky i fundit kërkoi më në fund llogaridhënie nga qeveria sa i përket veprimeve të këqija, të cilat janë bërë publike muajve të fundit përmes telefonatave të përgjuara. «Ky qëndrim i vazhdueshëm indiferent hedh dyshime serioze në obligimin e qeverisë së Maqedonisë për parime demokratike dhe vlera të bashkësisë euroatlantike», tha Bailey.

BE po mendon që të mos propozojë më negociata për anëtarësimin e Maqedonisë. Por kjo me gjasë nuk do t’i bëjë përshtypje regjimit. Prej vitesh Maqedonia nuk jep asnjë shenjë se është e gatshme të zbatojë reformat e kërkuara. Synimi për anëtarësim në BE është shndërruar në një demagogji. (Adelheid Wölfl aus Kumanovo, DER STANDARD, 13.5.2015)

SULEJMAN OSMANI – DONIM NJË REPUBLIKË SHQIPTARE BRENDA MAQEDONISË

 

VOAL – KUMANOVË – Sulejman Osmani i arratisur nga duart e Policisë së Maqedonisë pas ngjarjeve të Kumanovës në një rrëfim për RTK-në mohon spekulimet se grupi i armatosur ishte për qëllime materiale.

Osmani thotë se qëllimi i grupit është krijimi i shtetit shqiptar brenda Maqedonisë i njëjti model si Republika Serbe në Bosnjë.

Sipas tij grupi i luftëtarëve është më shumë se 2 mijë veta.

Osmani thotë se nuk janë dorëzuar në mungesë të municionit por se njëri nga shokët kishte folur me telefon dhe se I kishte thënë se në Lagjen e Trimave janë edhe përfaqësuesit e OSBE-së.

“Ne menduam se OSBE po na merr në dorë e jo policia. Po ta kishim ditur nuk do të ishin dorëzuar por do të qëndronin aty deri sa të vriteshin”, thotë Osmani.

Pas arrestimit ai ishte detyruar të tregonte vendin e fshehjes së armëve në Goshincë ku më pastaj ishte ikur maleve.

Osmani tregon se Mirsad Ndrecajn e ka parë të plagosur në momentin kur janë arrestuar por që nuk di më shumë se çka ka ndodhur me të.

NISHANI DEKRETON AMBASADORIN NË SHKUP – TIRANA KËMBËNGUL PËR HETIM NDËRKOMBËTAR TË KUMANOVËS

 

Kandidatura e Fatos Rekës ishte mbajtur pezull, prej disa muajsh, për shkak të përplasjeve mes presidentit dhe qeverisë. Në takimin e ministrave të Jashtëm të Natos, ministri shqiptar Ditmir Bushati kërkoi hetim ndërkombëtar për ngjarjet e Kumanovës

VOAL – TIRANË – Presidenti Bujar Nishani dekretoi sot ambasadorin e Shqipërisë në Shkup, zotin Fatos Reka. Kandidatura e tij ishte mbajtur pezull prej disa muajsh nga presidenti Nishani me arsyetimin se për emërimin e tij ai nuk ishte konsultuar më parë nga ministri i Jashtëm apo kryeministri.

Dekreti i sotëm vjen pas debatesh dhe kritikash të përsëritura ndaj tij, vecanërisht ditët e fundit, kur ambasada e Shqipërisë në Shkup u gjend pa titullarin e saj, ndërsa në Maqedoni tensionet u rritën në fundjavë për shkak të ngjarjeve në Kumanovë, zonë e banuar nga një shumicë shqiptarësh.

Pikërisht situata e ndezur atje, detyroi ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati të emëronte një ditë më parë, një diplomat tjetër, Bashkim Ramën, si të ngarkuar me punë. Ky i fundit pritet të luajë rolin e titullarit edhe për disa kohë, pasi ambasadorit Reka do t’i duhet të presë procedurat e nevojshme diplomatike, të marrjes së agrimentit nga ana e presidentit maqedonas, para se të nisë nga detyra.

Tirana zyrtare përmes disa deklaratave të njëpasnjëshme ka shprehur “shqetësim të thellë për zhvillimet dramatike në Kumanovë”. Këtë shqetësim e ngriti sot edhe ministri i Jashtëm Bushati gjatë diskutimeve për situatën në Maqedoni në takimin e ministrave të Jashtëm të Nato-s në Antalia të Turqisë. Sipas ministrit Bushati, lidhur me ngjarjet e Kumanovës “është i domosdoshëm një hetim ndërkombëtar, për të sqaruar në mënyrë të plotë dhe transaparente atë që ndodhi fundjavën e shkuar”.

KUMANOVA – KËTO JANË PROCEDURAT SE SI FAMILJARËT MUND T’I VIZITOJNË TË PARABURGOSURIT NË SHKUP

VOAL – SHKUP – Ambasada e Kosovës në Maqedoni, ka publikuar procedurat se si familjarët e të arrestuarve në Kumanovë mund t’i vizitojnë ata në qendrën e paraburgimit në Shkup.

Njoftimi i plotë i Ambasadës:

Në lidhje me shtetasit e Kosovës, të cilët gjenden në paraburgim në Shkup, informohen familjarët se për të realizuar vizitat,(në bazë të Ligjit për Procedura Penale të nenit 178 të RM) duhet ndjekur procedura si në vijim:

• Familjari duhet paraqitet në Gjykatën Themelore 1 Shkup, në Shkup, ku do paraqes kërkesën për vizitë familjarit të paraburgosurit. Kjo mund të bëhet me apo pa avokat. Pas aprovimit të kërkesës, po atë ditë realizohet vizita;

• Datat e mundshme për vizitë janë: 19 dhe 20 maj, si dhe 3 dhe 4 qershor; përgjithësisht vizitat lejohen dy herë brenda muajit.

• Familjarët mund të sjellin veshmbathje, ushqim dhe barna çdo ditë pune, ato duhet dorëzuar tek porta e burgut. Ushqimi duhet të jetë i blerë brenda Maqedonisë dhe i shoqëruar me faturën fiskale;

• Gjykata Themelore Shkup 1 , në Shkup është afër ndërtesës së RTV të Maqedonisë; ndërsa Burgu i Shkupit gjendet në komunën e Shutkës.kp

KUMANOVA – DEKLARATË E 4 PARTIVE NË SHKUP

VOAL – SHKUP – Katër drejtuesit e partive më të mëdha politike në Maqedoni, të mbledhur në Shkup, miratuan, para pak çastesh, një deklaratë të përbashkët ku thuhet se takimi synon nxitjen e vlerave demokratike, përfshirë të drejtën për të protestuar, ndërkohë që dënojnë dhunën, pavarësisht nëse ajo bëhet për qëllime kriminale, apo politike.

Në takimin e organizuar nga ambasadori amerikan në Shkup Jess Baily dhe shefi i zyrës së BE-së, Aivo Oraw marrin pjesë kryeministri dhe kryetari i partisë VMRO-DMPNE, Nikolla Gruevski,   kryetari i Lidhjes Social Demokrate të opozitës Zoran Zaev, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti dhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi.

Diplomatët perëndimorë në Shkup, kanë zhvilluar këto ditë takime intensive me krerët më të lartë shtetërorë dhe drejtuesit politikë në përpjekje për uljen e tensioneve pas ngjarjeve në Kumanovë dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të krizës që ka përfshirë vendin për muaj të tërë nga skandali i përgjimeve.

Ndërkohë, autoritetet maqedonase njoftuan se numri i personave të vrarë, që i përkisnin grupit të armatosur në Kumanovë, nuk është katërmbëdhjetë, siç kishin njoftuar fillimisht, por dhjetë. Një pjesë e medias dhe e opinionit publik i shohin me mosbesim njoftimet e autoriteteve në Shkup, në lidhje me ngjarjet në Kumanovë.

SADULLA DURAKU – ALI AHMETI MË DËRGOI NË KOSOVË TË BISEDOJ ME KOMANDANT SOKOLIN, KY MË THA: NUK JAM NË KUMANOVË

VOAL – KUMANOVË – Pak ditë para se të ndodhte përplasja në Kumanovë, me porosi të Ali Ahmetit, Sadulla Duraku, kryetar i komunës Lukovë, ka takuar në Kosovë Sami Ukshinin, e njohur si Komandant Sokoli për të mësuar se cili është motive që duan të hyjnë në Maqedoni.

Në një intervistë për Ballkan Magazinë, për gazetaren Linda Karadaku, Duraku thotë se takimi ishte bërë në Kosovë dhe komandant Sokoli kishte mohuar që kishte lidhje me ngjarjen.

“Më ka dërguar Ali Ahmeti të takohem dhe më ka kërkuar të mësoj motivin. Sami Ukshinin e kam takuar në Kosovë dhe nuk e kam kuptuar motivin por ai më ka thënë që nuk jam atje,” tha Duraku.

Komandant Sokoli është njëri prej të arrestuarve si pjesëtarëve të grupit të armatosur të cilën policia maqedonase arrestoi në Kumanovë.

Kryetari i komunës Lukovë shton se edhe Shqipëria duhet të shpjegojë motivin pse shqiptari nga Shqipëria ndodhej në Kumanovë.

Për Durakun ngjarja e ndodhur në Kumanovë nuk do të shkaktojë konflikt etnik pasi për herë të parë shumë banorë që janë serbë në Kumanovë i kanë ardhur në ndihmë shqiptarëve të lagjes së Trimave, banesat e të cilave u shkatërruan gjatë operacionit policor.

Duraku e quan të panjohur dhe të pakuptimtë ajo që ndodhi për dy ditë në Kumanovë, por shton se deri tani nuk ka të dhëna për viktima mes civilëve.

“Ka qenë e panjohur dhe pakupimtë ajo që ndodhi. Popullata është e shqetësuar por falë zotit ,ne për momentin nuk kemi të dhëna që kanë vrarë civil por vetëm për dëme materiale në Kumanovë. Banorët janë të shqetësuar por falemi që nuk kemi të vrarë.

Përveç të vrarëve që janë 8 policë dhe jo zyrtarisht nga grupi I armatosur janë të vrarë 12- 14 vetë, nga popullata civile nuk kemi viktima.

Nuk ka ardhur askush të na thotë që familjarët e tyre janë vrarë përveç disa familjeve të afërmit e të cilëve janë të shoqëruar në polici deri në momentin e sqarimit të rrethanave.” Oranews.tv

ÇUN LAJÇI POEZI PËR KOMANDATIN BEG RIZA

Çun Lajçi me poezi për komandantin Beg Riza

Për rënien e komandantit Beg Rizaj në Lagjen e Trimave në Kumanovë Aktori i shquar Çun Lajçi ka kushtuar një poezi, që ia ka dedikuar Begut.

Lajçi këtë poezi e ka shkruar në profilin e tij në Facebook.

Ja vargjet e tij:

Rrjedhë lumi
( Beg Rizes)
Mi ktheni rrugët andej
Lumin ma leni të rrjedhë
Zemrës sime pa dallgë,
Ëndërrat e bardha ua le
Juve që ëndërroni lule.
Dallandyshet nëse ikin
Foletë mos ua prishni.
Ju mjaftojnë mbase dy gur
Tri dërrasa e një grusht Dhé
Të ma bëni një shtëpi!

Komentet

MIRSAD NDRECAJ DHE BEG RIZAJ U KAPËN TË GJALLË – POLICIA I SHPALL TË VDEKUR

VOAL – KUMANOVË – Derisa situata vazhdon të jetë e mjegullt dhe e paqartë rreth zhvillimeve të fundit në Kumanovë, njëri nga pjesëtarët e grupit të armatosur, Sulejman Osmani, i njohur si “Sula”, i cili ka arritur t’ju ikë policisë maqedonase, ka thënë se tre nga kosovarët e shpallur të vdekur, ishin kapur të gjallë nga policia.

Dy nga udhëheqësit e grupit të armatosur, Mirsad Ndrecaj, i njohur si komandant “Nato”, dhe Beg Rizaj, i njohur si komandant Begu, konfirmohet se janë në mesin e 14 personave të vrarë gjatë përleshjes së armatosur me policinë e Maqedonisë, ku po ashtu u vranë tetë policë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë e ka konfirmuar zyrtarisht se Ndrecaj dhe Begu janë në mesin e personave të vrarë gjatë aksionit të policisë në Kumanovë, dhe se identiteti i tyre është vërtetuar në bashkëpunim me Byronë e INTERPOL-it.

Mirëpo Osmani, i cili ka arritur t’ju ikë policëve maqedonas, ka thënë për të përditshmën Zëri se, Xhafer Zymberi, Mirsad Ndrecaj dhe Muhamed Krasniqi, i njohur si Malisheva,janë kapur të gjallë nga policia maqedonase.

“E di që Xhafa, Nato dhe Malisheva kanë qenë të plagosur, por janë kapur të gjallë nga policia. Më pastaj se çfarë ka ndodhur nuk e di, sepse policia maqedonase ka bërë shpërndarjen e grupit”, ka thënë Osmani, për të cilin mediet kanë raportuar se ishte ai që ka treguar vendndodhjen e armatimit të grupit, shkruan e përditshmja Zëri.

Në anën tjetër, jozyrtarisht thuhet se numri i personave të të vrarëve në përleshjen që ndodhi ditë më parë në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, mund të jetë më i vogël se sa që ishte thënë në fillim. Sipas medieve maqedonase, nuk janë 14 të vrarë në mesin e grupit të armatosur, por vetëm dhjetë prej tyre. /lajmi.net/

KOMANDANT SULA – TË RRETHUARIT U DORËZUAN ME NDËRMJETËSIM TË ALI AHMETIT

Njëri nga pjesëtarët e Grupit të Armatosur, Sulejman Osmani, i njohur si “Sula”, i cili ka qenë pjesëmarrës në betejën e Kumanovës, por që deklaron se ka arritur t’ju ikë policisë maqedonase pas dorëzimit të grupit, ai ka folur për këtë rast ku sipas tij ka qenë i përfshirë në ndërmjetësim mes policisë dhe grupit Ali Ahmeti lideri i BDI-së, dhe deputeti Artan Grubi, Xhezair Shaqiri –

Komandant Hoxha nga ky takim mes tij dhe Komandant Sula. Me ç’rast ai thotë se me shumë vështirësi sot ka arritur ta takojë dëshmitarin e vetëm të gjallë nga incidenti i armatosur në Kumanovë, e ai është Komandant Sula.

“Diku në malet e Karadakut në territorin e Maqedonisë me vështirësi të madhe e takova dëshmitarin e vetëm të luftërave te Lagjja e Trimave në Kumanovë – Komandant Sula. Ndëgjoni me vëmendje deklaratën e tij se si ka ndodh dorëzimi i ushtarëve tek policia maqedonase me ndërmjetësimin e Ali Ahmetit”, – thekosn Xhezair Shaqiri./tetovasot/

SHKUPI ZYRTAR – NUK JANË 14 POR 10 TË VRARËT NË KUMANOVË

VOAL – SHKUP – Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka konfirmuar zyrtarisht shkrimet e Alsat M se trupat e Mirsad Ndrecajt, i njohur si komandant NATO dhe Beg Rizajt, komandant Begu janë në mesin e të vrarëve në aksionin policor të Kumanovës.

Identiteti i tyre ishte vërtetuar në bashkëpunim me Byronë e Interpolit në Shkup. Siç ka marr vesh dje Alsat-M jo zyrtarisht nga Ministria e Brendshme sot kanë konfirmuar se tek Ndrecaj janë gjetur edhe dokumentet e tij të identitetit. Policia thotë se është e sigurt edhe për identitetin e një tjetër të vrari, i cili është shtetas i Maqedonisë.

“Deri tani është konfirmuar pozitivisht identiteti i Mirsad Ndrecajt, i lindur më 17.06.1979, nga Kosova i ashtuquajtur Komandant NATO për të cilin kishte dyshime se është një nga udhëheqësit e grupit të armatosur. Arriti konfirmimi pozitiv për identitetin e Beg Rizajt i lindur më 25.12.1977, nga Kosova i njohur si komandant Begu. Nga të vrarët, është konfirmuar identiteti i Nusret Kaloshit i lindur më 18.04.1975, shtetas i Maqedonisë”, njoftojnë nga MPB-ja.

Në njoftimin publik nga MPB-ja shkruhet se vazhdon identifikimi edhe i trupave tjerë të gjetur. Fillimisht, u raportua se janë gjetur gjithsej 14., por burime të sigurta policore thonë se ai ishte numër nga terreni, dhe se ka variacione të mundshme të vogla në numrin përfundimtar.

Nga burime të tjera spekulojnë se ka mundësi që numri i viktimave në të vërtetë të jetë 10. Zyrtarisht, Ministria e Brendshme nuk bëri komente mbi këtë çështje.

Përveç se është konfirmuar identiteti i Ndrecajt dhe Rizajt, nga MPB-ja thonë se vazhdon identifikimi edhe i 30 të arrestuarve të tjerë.

Zyrtarisht, ajo që mund të shihet nga fotografitë e djeshme të aksionit, u konfirmua se në polici është Sami Ukshini, i njohur si Komandant Sokoli. Alsat M, që dje njoftoi se përveç Sokolit, MPB-ja në Kumanovë ka arrestuar edhe Muhamed Krasniqin i njohur si komandant Malisheva dhe komandant Junikun, Demë Shehun.

Deri tani, policia nuk e ka konfirmuar lajmin, për shkak se sipas informatave jozyrtare, Malisheva dhe Juniku kanë dhënë identitet të rremë, dhe ende pritet konfirmim përfundimtar. Siç raportuam edhe dje, është thuajse e sigurt se të pesë personat që janë konsideruar si udhëheqës të grupit të Kumanovës, të gjallë ose të vdekur, janë në duart e policisë. /Alsat-M/

RAMUSH HARADINAJ – RAJONI RREZIKOHET NGA QEVERITË KRIMINALE DHE TË KORRUPTUARA

VOAL – PRISHTINË – Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj në një shkrim të postuar në Facebook ka thënë se Aleanca distancohet nga dhuna por ka potencuar se rreziku I vetëm që ka rajoni janë qeveritë e kriminalizuara.

Postimi i Haradinajt në Facebook:

Ngjarjet në Kumanovë tregojnë se rajoni nuk është i rrezikuar nga “patriotët etnikë”, por nga qeveritë e korruptuara dhe të kriminalizuara të këtij rajoni.

Lëvizjet për ndryshim këto qeveri nuk do të mund t’i ngulfasin duke përdorur dhunën apo konfliktet e paqena ndëretnike.

Ne si Aleancë distancohemi nga dhuna dhe nga çdo formë e zgjidhjes së problemeve në çfarëdo forme të dhunshme, por edhe njëherë potencojmë se i vetmi rrezik që ka rajoni, qëndron tek qeveritë e kriminalizuara dhe të korruptuara.

CARL BILDT – BASHKIMI EVROPIAN T’I PËRKUSHTOHET ME SHUMË BALLKANIT

VOAL – Ish kryeministri i Suedisë, Carl Bildt, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se nuk pret që konflikti i armatosur në Kumanovë të transferohet në vende të tjera të rajonit. Megjithatë, ai ka theksuar nevojën që Bashkimi Evropian t’iu kushtojë më shumë vëmendje ngjarjeve në Ballkan.

Radio Evropa e Lirë: Serbia ka thënë se do të harmonizojë politikën e jashtme me politikën e Bashkimit Evropian. Si e shihni nivelin e këtij harmonizimi?

Carl Bildt: Mendoj se është e rëndësishme që të ndodhë harmonizimi, sepse ai reflekton faktin se vende të ndryshme ndajnë vlera dhe interesa të përbashkët. Andaj, harmonizimi gradual i politikës së jashtme të Serbisë me atë të Evropës do të ishte ndarje e vlerave dhe inetersave të njëjtë.

Por, kur bëhet fjalë për sanksionet kundër Rusisë, Serbia vazhdon të mos ndjekë vijën e BE-së. Mendoj se është për keqardhje. Jo se sanksionet do të ndryshojnë shumëçka sa i përket Rusisë, por ato janë pjesë e paketës sonë politike, për të ruajtur rendin evropian.

Duhet të dihet fakti se Rusia ka rol shumë aktiv në lojën për ndarje në Evropë dhe ka rrezik që Rusia të luajë me Serbinë në atë mënyrë që do të dëmtonte interesat e saj.

Radio Evropa e Lirë: Kur duhet ta përshtasë Serbia plotësisht politikën e saj të jashtme me BE-në?

Carl Bildt: Mendoj se kjo ndodh gradualisht. Natyrisht, harmonizimi i plotë bëhet kur të bëhet anëtare e BE-së, por paraprakisht duhet të dëshmojë përkushtimin për t’u bërë anëtare. Sa më parë që kjo ndodh, aq më mirë.

Radio Evropa e Lirë: Një pjesë shumë e rëndësishme e rrugës evropiane të Serbisë janë marrëdhëniet me Kosovën. A ka rrezik nga ngecja në dialogun Kosovë-Serbi dhe në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit?

Carl Bildt: Ky rrezik gjithmonë ekziston, por shikuar nga anash, mund të them se është mbresëlënëse se sa probleme janë zgjidhur. Kanë mbetur probleme që janë më të vogla nëse krahasohen me ato që janë zgjidhur tashmë. Kanë mbetur detaje dhe gjithmonë ka rrezik nga tensionet rreth detajeve.

Radio Evropa e Lirë: Fundjavën e kaluar ka pasur një konflikt të armatosur në Kumanovë të Maqedonisë. Çfarë mendoni se qëndron prapa kësaj ngjarjeje?

Carl Bildt: Nuk e di. Do të doja të kem më shumë informacione në lidhje me këtë. Të gjithë do të donim. Por, siç duket, ka qenë një grup që ka bërë përpjekje të vendosë diçka në Kumanovë. Kjo ka ndodhur në momentin kur kemi probleme të tjera në Maqedoni, çfarë është shqetësuese.

Radio Evropa e Lirë: A ka rrezik nga transferimi i këtij konflikti në vendet fqinje?

Carl Bildt: Deri më tash, nuk ka pasur shenja për këtë. Nëse shihni periudhën nga viti 2001, kur ka pasur konflikt, e deri më tash, ajo ka qenë e qetë dhe e qëndrueshme. Mendoj se të gjithë shpresojnë se kështu do të vazhdojë.

Radio Evropa e Lirë: Më herët keni vlerësuar se Ballkani është më i ndjeshëm se pjesët e tjera të Evropës. Pra, ka ndodhur konflikti në Maqedoni, paqëndrueshmëria politike atje, Dodik kërcënon me referendum në Republikën Sërpska… A po i kushton BE-ja vëmendje të mjaftueshme Ballkanit?

Carl Bildt: Mendoj se kjo është e saktë dhe se duhet t’iu kushtojmë më shumë vëmendje ngjarjeve në Ballkan. Ka edhe gjëra të mira atje, nuk mund të themi se gjithçka është problematike. Është arritur përparim i rëndësishëm në 15 vjetët e fundit, këtu nuk ka dyshim.

Por, nganjëherë, harrojmë se ka ende çështje të hapura dhe fokusin e bartim te çështje të tjera. Ekziston një nevojë e qartë që BE-ja të jetë më akive rreth çështjeve në Ballkan.
Përgatiti: Valona Tela

MESAZHI I LUFTËTARIT: MOTËR ME SIGURI DO TË VRITEM, M’U KANË VRA SHUMË SHOKË! NUK KEMI ASNJË PLUMB! NA TRADHËTUAN!

VOAL – Është trishtues dhe rrëqethës rrëfimi i fundit nëpërmjet telefonit i njërit prej luftëtarëve që me siguri ka mbetur i vrarë në luftimet në Kumanovë. Biseda rrëqethëse këputet pas pak, asnjë shenjë më dhe asnjë gjurmë… vetëm të shtënat e fundit dëgjohen. Ai i lë amanet motrës ngushëllimin për nënën.
“Me siguri do të vritemi! Nuk na ka mbetur asnjë plumb, mu kanë vrarë shumë shokë, po të kishim municion akoma do luftonim, … edhe këtë vend të trimave do ta mbushnim me varre të tyre. Na tradhtuan motër, por mos më qani e kemi pagur veten.
Mos e le nanën të mërzitet së baba është ma i fortë”.
Dhe këtu merr fund gjithçka, ndihen të shtënat!/ BS

AMERIKANËT ME INCIZIME: QEVERIA KISHTE KONTAKTE ME GRUPIN E ARMATOSUR

VOAL – Dorëheqjet e mbrëmshme të ministres së Punëve të Prendshme të Maqedonisë, Gordana Jankullovska dhe shefit të shërbimit sekret të këtij vendi, Sasho Mijallkov, kanë pasuar pas një takimi që ata kanë pasur në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup.Sipas burimeve të portalit Libertas, në këtë takim, Jankullovskës dhe Mijallkovit u janë dhënë regjistrime (incizime) nga kontaktet telefonike midis përfaqësuesve të Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundëzbulimit (DSK) me grupin e armatosur, konkretisht me personin e quajtur komandant NATO dhe njerëzit e tij.Siç thuhet më tej, aty u është dëshmuar përfshirja e DSK-së, e cila ka biseduar me grupin e armatosur në Kumanovë.“Shqiptarë të punësuar në DSK kanë kontaktuar përmes telefonit me grupin e armatosur, duke thënë se ata kanë kontaktuar me urdhër direkt të shefit të DSK-së, i cili ka pyetur se çfarë kompensimi kërkojnë që të tërhiqen. Praktikisht MPB ka hyrë në bisedime me ta”, thotë burimi i Libertas, transmeton INA.Paralelisht me këtë, edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në marrëveshje me partnerët e koalicionit ka kërkuar ndihmë nga OSBE për të tërhequr tre persona të afërt me të që ishin pjesë e grupit, që më pas të negocion me ta.“Gjatë takimit të sotëm në ambasadën amerikanë, edhe Ahmetit iu bë e ditur se komuniteti ndërkombëtar përmes këtyre incizimeve e ka të qartë edhe përfshirjen e Qeverisë në ngjarjet në Kumanovë dhe se aksionin e përgjakshëm MPB-ja e filloi kur veçse në terren kishin humbur jetën disa pjesëtarë të forcave policore”, bën të ditur burimi.

“Dorëheqjet që ndodhen janë logjike pas takimeve mes ambasadorëve dhe zyrtarëve”, ka thënë burimi diplomatik, duke mos e bërë të qartë nëse edhe kryeministri Nikolla Gruevski së shpejti do të japë dorëheqje, edhe pse sipas burimit, ka pasur informatat për kontaktet e kushëririt të tij me grupin kriminal.

MPB KONFIRMON: MIRSAD NDRECAJ DHE BEG RIZAJ NË MESIN E TË VRARËVE

VOAL -​ SHKUP -Ministria e Brendshme ka konfirmuar zyrtarisht se trupat e Mirsad Ndrecajt, i njohur si komandant NATO dhe Beg Rizajt, komandant Begu janë në mesin e të vrarëve në aksionin policor të Kumanovës. Identiteti i tyre ishte vërtetuar në bashkëpunim me Byronë e Interpolit në Shkup.Siç njoftoi dje Alsat-M, nga Ministria e Brendshme sot kanë konfirmuar se tek Ndrecaj janë gjetur edhe dokumentet e tij të identitetit. Policia thotë se është e sigurt edhe për identitetin e një tjetër të vrari, i cili është shtetas i Maqedonisë.

“Deri tani është konfirmuar pozitivisht identiteti i Mirsad Ndrecajt, i lindur më 17.06.1979, nga Kosova i ashtuquajtur Komandant NATO për të cilin kishte dyshime se është një nga udhëheqësit e grupit të armatosur. Arriti konfirmimi pozitiv për identitetin e Beg Rizajt i lindur më 25.12.1977, nga Kosova i njohur si komandant Begu. Nga të vrarët, është konfirmuar identiteti i Nusret Kaloshit i lindur më 18.04.1975, shtetas i Maqedonisë”, njoftojnë nga MPB-ja.

Në njoftimin publik nga MPB-ja shkruhet se vazhdon identifikimi edhe i trupave tjerë të gjetur. Fillimisht, u raportua se janë gjetur gjithsej 14. Por burime të sigurta policore thonë se ai ishte numër nga terreni, dhe se ka variacione të mundshme të vogla në numrin përfundimtar. Nga burime të tjera spekulojnë se ka mundësi që numri i viktimave në të vërtetë të jetë 10.

Zyrtarisht, Ministria e Brendshme nuk bëri komente mbi këtë çështje. Përveç se është konfirmuar identiteti i Ndrecajt dhe Rizajt, nga MPB-ja thonë se vazhdon identifikimi edhe i 30 të arrestuarve të tjerë. Zyrtarisht, ajo që mund të shihet nga fotografitë e djeshme të aksionit, u konfirmua se në polici është Sami Ukshini, i njohur si Komandant Sokoli.

Alsat M, që dje njoftoi se përveç Sokolit, MPB-ja në Kumanovë ka arrestuar edhe Muhamed Krasniqin i njohur si komandant Malisheva dhe komandant Junikun, Demë Shehun. Deri tani, policia nuk e ka konfirmuar lajmin, për shkak se sipas informatave jozyrtare, Malisheva dhe Juniku kanë dhënë identitet të rremë, dhe ende pritet konfirmim përfundimtar.

Siç raportuam edhe dje, është thuajse e sigurt se të pesë personat që janë konsideruar si udhëheqës të grupit të Kumanovës, të gjallë ose të vdekur, janë në duart e policisë.

Ohridsky – UASHINGTONI BLLOKON LLOGARITË DHE PRONAT E POLITIKANËVE MAQEDONAS

VOAL – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrë vendim për t’i bllokuar llogaritë bankare dhe pronat e politikanëve maqedonas nga të gjitha eshallonet e pushtetit, si dhe të një numri të madh biznesmenësh të afërt me pushtetin, për të cilët ekzistojnë dyshime për krime dhe korrupsion, lajmëroi portali maqedonas “Ohridsky”.

Diplomat i paemëruar i lartë amerikan për portalin e ka konfirmuar lajmin, duke shtuar se rekomandim për të vepruar në mënyrën e njëjtë i është dhënë edhe Brukselit, respektivisht të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Bllokimi i llogarive dhe pronave të krerëve të politikës dhe biznesit në Maqedoni, sipas të njëjtit burim, do të zgjasë deri sa në vend të krijohet klimë stabile politiko-ekonomike dhe “deri në lirimin e organeve gjyqësore nga kthetrat e politikanëve”.

PROTESTA SOT NË SHKUP – TË DORËHIQET QEVERIA NË TËRËSI

VOAL – SHKUP – Organizatorët e protestave në Maqedoni, lëvizja qytetare “Protestoj”, kanë përshëndetur dorëheqjen e dy ministrave, Gordana Jankullovska dhe Mile Janakievski, dhe drejtorit të Kundërzbulimit, Sasho Mijallkov, si “një shenjë inkurajuese se veprimi i qytetarëve po sjell ndryshime”, por njëkohësisht konsiderojnë se ato janë vetëm “rekonstruksion kozmetik”.

Së këndejmi, siç transmeton KosovaPress-i, ata për sot në orën 18 në Shkup, kanë thirrur protestë të re para Qeverisë kundër pushtetit aktual dhe me kërkesë për dorëheqje të kryeministrit Nikolla Gruevski dhe të gjithë anëtarëve të kabinetit të tij.

Organizatorët e protestave të përditshme para Qeverisë thonë se tashmë është e qartë se “lëvizja do ta mposhtë regjimin e padrejtë dhe çnjerëzor”.

“Dorëheqjet janë fitore e qytetarëve dhe shenjë inkurajuese se veprimi ynë i përbashkët tashmë po sjell ndryshime pozitive. Por, ne nuk do të ndalemi me kaq! Rekonstruksioni kozmetik i Qeverisë, apo zëvendësimi i një elite të korruptuar me një tjetër nuk do të ndihmojë për tejkalimin e krizës sistemore me të cilën po ballafaqohen Maqedonia dhe qytetarët e saj”, thuhet në komunikatën e lëvizjes “Protestoj”.

Ata porosisin se do të vazhdojnë protestat deri në plotësimin e tri kërkesave të të tyre kryesore: dorëheqjen e menjëhershme të tërë Qeverisë në krye me Gruevskin, lirimin e të gjithë aktivistëve të arrestuar nga 5 maji e këtej dhe formimin e Qeverisë për demokratizimin e institucioneve dhe mundësimin e zgjedhjeve fer dhe demokratike.

“Zëshëm dhe vendosmërisht të kërkojmë dorëheqje nga tërë qeveria”, thuhet në thirrjen për protestën e sotme në Shkup.

Editoriali – DETYRIMET TONA NDAJ SHQIPTARËVE TË VRARË E TË ARRESTUAR NË KUMANOVË

VOAL – Në zhvillimet e para pak ditëve pati shumë shqiptarë të vrarë dhe të arrestuar nga ana e forcave speciale të Maqedonisë. Politika jonë në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup e ka për detyrë që të bëjë të mundur ndriçimin e plotë të zhvillimeve të atyre ditëve në Lagjen e Trimave në Kumanovë dhe të dalë sa më shpejt me versionin e saj zyrtar, në mënyrë që të nxirren mësimet e duhura dhe të merren masat e duhura. Ne si komb e kemi për detyrë të tregojmë se jeta dhe integriteti i bijve tanë është i çmuar dhe i shenjtë. Prandaj atyre që dhanë jetën nga plumbat e Maqedonisë t’iu bëhen të gjitha nderimet dhe shërbesat e lamtumirës në vendlindjet e tyre. Për të arrestuarit të sigurojmë një proces absolutisht të drejtë, dhe transparent duke përfshirë avokatë sa më të zotë, mundësisht edhe ndërkombëtarë, dhe duke sensibilizuar të gjitha organizmat shqiptare e ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Është koha e fundit që ne ta mbrojmë të vërtetën shqiptare të shkelur, të fyer, të nëpërkëmbur dhe të poshtëruar nga një Maqedoni, e cila në këtë çerek shekulli është dëshmuar e pabesë dhe armiqësore ndaj qytetarëve të saj shqiptarë dhe ndaj kombit shqiptar në tërësi. Seriozitetin tonë në këtë përkushtim kemi rastin dhe mundësinë tashmë ta shpalosim pikërisht në rastin e zhvillimeve në Lagjen e Trimave të qytetit të Kumanovës, duke i përmbushur një për një detyrimet tona ndaj bashkëkombësve tanë që e humbën jetën dhe ndaj atyre që ndodhen të arrestuar. Nëse i neglizhojmë, nëse nuk i përmbushim me dinjitet këto detyrime, ashtu si do të bënte çdo komb i vërtetë evropian, atëherë nuk kemi pse të ankohemi kurrë më për papërgjegjësitë, për vrazhdësitë dhe për barbaritë e Maqedonisë ndaj popullit shqiptar në Maqedoni dhe ndaj kombit shqiptar në tërësi, nuk kemi pse ta deklarojmë më kurrë shqiptarinë tonë, atdhetarinë tonë.

PYETJA E VOGËLUSHES ZAMIRA JASHARI NGA KUMANOVA – NËNË, A VRASIN FËMIJË?

VOAL – KUMANOVË – Zamira Jashari ishte vetëm një nga vogëlushët që përjetoi tmerrin e mëngjesit të 9 majit. 6-vjeçarja nga fshati Ropalcë, e cila ditën e përleshjeve mes grupeve të armatosura dhe policisë, ndodhej tek dajat e saj në Kumanovë, rrëfen përjetimin e saj për mëngjesin e së shtunës.

Në një intervistë për Radio Pendimi vogëlushja nga Kumanova ka një porosi për politikanët: Kurrë s’do merrni votat tona. Fotografia e saj preku thellë zemrat e opinionit, ndërkohë që të njëjtën tronditje pësuan të gjithë fëmijët e Kumanovës.

Zamira Jashari tregon se ka pasur frikë se mos vritej bashkë me familjen e saj. Ndërkohë që si një fëmijë i çiltër pyetja e saj për nënë ishte: “Ma’, a vrasin fëmijë?”.

Gazeta zvicerane «Südostschweiz»: Maqedonia nuk mbijeton si shtet nëse i sulmon shqiptarët

Po u ngritën maqedonasit kundër shqiptarëve, atëherë shteti i vogël nuk ka shans të mbijetojë. Nëse grinden, siç ka ndodhur muajve të fundit, dy kampet politike të kombit maqedonas, atëherë konflikti, herët apo vonë, po ashtu do të shndërrohet në konflikt etnik. Atëherë shqiptarët do të ikin nga shteti pa perspektivë dhe në fundosje e sipër – dhe ata do të ikin duke e marrë me vete territorin ku banojnë, shkruan në komentin e saj gazeta zvicerane «Südostschweiz».

Prej vitesh në Europë jehon vajtimi se sa e tmerrshme është kur vendet hyjnë para kohe në BE – si për shembull Rumania dhe Bullgaria. Maqedonia tregon se çfarë ndodhë nëse një vend e lini të vuajë urie dhe me dorë të shtrirë. Pa perspektivë konkrete të anëtarësimit kombet e vogla në Europën Juglindore e humbin kompasin. Me çdo vit që largohet anëtarësimit proeuropianët humbin terren dhe liderët autoritarë dhe oligarkët kriminelë fitojnë përparësi. Në fund pasojnë kaosi dhe lufta civile. Maqedonia gjendet pak para tyre.

Ky zhvillim fatal i këtij vendi të vogël të Ballkanit na nisur para tamam shtatë vjetësh: në një samit të NATO-s në Bukuresht, kur Maqedonia duhej të bëhej anëtare, delegati grek befasisht ngriti dorën për veto. SHBA-të dhe fuqitë e mëdha perëndimore rrugën supet dhe e harruan këtë. Që nga atëherë e tutje kush thoshte «Europë» në Maqedoni dhe kërkesën e tij për modernizim dhe reforma e arsyetonte me shpresën për hyrje në BE, ai korrte vetëm ngërdheshje cinike. Ata nuk na duan, përgjigjej qeveria.

Ende është e paqartë nëse këto ditë në Maqedoni vërtet po ngre krye ekstremizmi shqiptar apo konflikti është inskenuar nga qeveria. Diçka e tillë mund të pritet prej saj: rrethi më i ngushtë i pushtetit viteve të fundit ka vepruar në mënyrë ekstreme manipuluese. Por, në thelb, për epilogun e konfliktit nuk luan rol nëse pas kësaj qëndron vërtet një «ushtri çlirimtare» apo këtu i ka gishtat e përzier policia sekrete. Qeveria nuk gëzon kurrfarë kredibiliteti dhe nuk do të mund ta luftonte efektivisht ekstremizmin edhe sikur të donte. Po u ngritën maqedonasit kundër shqiptarëve, atëherë shteti i vogël nuk ka shans të mbijetojë. Nëse grinden, siç ka ndodhur muajve të fundit, dy kampet politike të kombit maqedonas, atëherë konflikti, herët apo vonë, po ashtu do të shndërrohet në konflikt etnik. Atëherë shqiptarët do të ikin nga shteti pa perspektivë dhe në fundosje e sipër – dhe ata do të ikin duke e marrë me vete territorin ku banojnë.

NËNKRYETARI I PARLAMENTIT EVROPIAN KËRKON DORËHEQJEN E GRUEVSKI


Nënkryetari i Parlamentit Evropian, Alexander Graf Lambsdorff i ka kërkuar kryeministrit Nikolla Gruevski që të jap dorëheqje.Ai në një prononcim zyrtar ka kërkuar që Gruevski të jap dorëheqje dhe me këtë të kontribojë për zgjidhjen e krizës, informon INA.

“Shpërthimi i dhunës në Maqedoni përbën një fotografi të thellë shqetësuese. Kryeministri Nikola Gruevski patjetër duhet të tërhiqet si barrierë që është në rrugën për uljen e tensioneve etnike, që sërish janë rindezur, por edhe për zgjedhje të reja që do të mbaheshin në kushte adekuate demokratike. Pa një aksion të shpejtë, rajoni sërish do të jetë buzë një lufte qytetare. Në situatë e tillë, duke pasur parasysh Marrëveshjen e Ohrit, asnjëherë nuk duhej të vinte”, theksoi nënkryetari i PE-së, Lambsdorff.

Parlamenti Evropian ishte një nga faktorët kyç të BE-së që ishte përfshirë në zgjidhjen e krizës në Maqedoni dhe nxitjen e negociatave midis dy partive më të mëdha maqedonase në Bruksel, por që rezultuan të dështuara, edhe përkundër ndërmjetësimit nga eurodeputetët Ivo Vajgl, Richard Hovit dhe Eduard Kukan. (INA)

Dorëhiqen njerëzit më të afërt të Gruevskit, ikin 3 ministra dhe kreu i Shërbimeve Sekrete

VOAL – Njerëzit më të afërt të Kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, dhanë dorëheqjen mbrëmjen e së martës. Tre prej tyre kanë qenë edhe personazhet më të akuzuar nga denoncimi i skandalit të përgjimeve që vijon të trondisë vendin prej shumë javësh.

Dorëheqjen e dhanë ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, ai i Transporteve, Mile Janakievski dhe shefi i Shërbimeve Sekret të Maqedonisë, Sasho Mijallkov.

Dorëheqja e Jankullovskës vjen pas ngjarjes në Kumanovë ku mbetën 22 të vrarë, prej të cilëve tetë pjesëtarë të policisë. Ndërkohë, pas tyre dha dorëheqjen edhe Zoran Stavreski si ministër i Financave dhe zëvendëskryeministër.

Mediat thonë se pritet edhe dorëheqja e Prokurori Publik, Marko Zverlevsk. Ndërkohë Kryeministri Nikolla Gruevski, tashmë ka dorëzuar në Kuvend propozimin për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Qeverisë.

Kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski ka caktuar për sot në ora 13:00 seancën për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të kabinetit qeveritar.

Ndërkohë, mediat maqedonase njoftojnë se në orët në vijim pritet që të ketë të tjera dorëheqje nga anëtarë të Qeverisë, por edhe zyrtarë të lartë të shtetit. Nuk ka asnjë informacion nëse do të ketë dorëheqje të ndonjë prej ministrave shqiptarë të partisë së Ali Ahmetit.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaevi ka komentuar dorëheqjet e para të Qeverisë, ku tha se ky nuk është qëllimi i partisë së tij, por ky është vetëm një hap drejt fundit të Nikolla Gruevskit.

“Çdo gjë që kemi diskutuar është konfirmuar. Kjo është dëshmi e përgjimit dhe për vërtetësinë e bisedimeve. Dorëheqjet e ministrave nuk janë qëllimi ynë përfundimtar. Ky është vetëm një hap drejt fundit të Nikolla Gruevskit”, shkruan Zoran Zaevi, lideri i opozitës maqedonase.

Por nga këto zhvillime duket se një gjë është e sigurt, që vetë Kryeministri Nikolla Gruevski duket se nuk ka asnjë plan për të dhënë dorëheqje, pa të cilin opozita thotë se nuk ka zgjidhje të krizës politike që ka mbërthyer vendin prej kaq kohësh.


Send this to a friend