Në katër komunat veriore të Kosovës, në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, sot janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e këtyre komunave.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të gjitha vendvotimet janë hapur nga ora 7:00, kurse nga ora 19:00 ka filluar mbyllja e tyre, kur edhe ka nisur numërimi i votave.
Gjatë natës pritet të shpallen edhe rezultatet preliminare.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se procesi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat veriore kaloi mirë dhe pa ndonjë problem.
“Të drejtën e votës e shfrytëzuan 24.592 qytetarë apo 42.42 për qind e qytetarëve me të drejtë vote”, tha Daka.
Zgjedhjet në veri janë vëzhguar edhe nga koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV).
Në mesin e parregullsive, thuhet në njoftimin e DNV-ë, është raportuar votimi me dokumente të Serbisë, votimet familjare, raste të votimit jashtë kabinave si dhe tentimet për të votuar më shumë se një herë.
DnV ka raportuar për 23 votime familjare, për gjashtë ankesa në lidhje me listen e votuesve, pastaj në pesë raste janë raportuar votime jashtë kabinës së votimit dhe dy raste të tentimit për të votuar dy herë.
Një rol në këtë proces e kishte edhe Policia e Kosovës. Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, i tha Radios Evropa e Lirë se që nga bartja e kutive të votimit në orën 3:00 të mëngjesit, nuk është shënuar asnjë incident.
Në zgjedhjet për kryetarë të këtyre komunave janë kandidatët nga Lista Serbe, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Bazuar në renditjen e KQZ-së, në garë për kryetar të Leposaviqit janë Fisnik Veseli nga Lëvizja Vetëvendosje, Shaqir Hetemi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Zoran Todiq nga Lista Serbe.
Në Zubin Potok garojnë Liridona Kahrimani nga Lëvizja Vetëvendosje, Hysen Mehmeti nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Sërxhan Vulloviq nga Lista Serbe.
Në Zveçan, për kryetarin e kësaj komune garojnë, Avdi Peci nga Lëvizja Vetëvendosje, Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Vuçina Jankoviq nga Lista Serbe. Kurse, në Mitrovicën e Veriut garojnë, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, Gonxhe Çaushi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Goran Rakiq nga Lista Serbe.

Gjatë ditës, Presidenti i Kosoves, Hashim Thaçi i ka përgëzuar subjektet politike dhe qytetarët në komunat veriore për, siç ka thënë ai, fushatën e qetë zgjedhore dhe ka uruar që të ketë një proces të rregullt zgjedhor.
“Kosova ka ndërtuar traditë të zgjedhjeve të suksesshme. Zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës po mbahen sipas ligjeve të Republikës së Kosovës dhe janë në shërbim të integrimit sa më të mirë të të gjitha komuniteteve në institucionet e Kosovës. Kandidatëve për kryetarë u uroj suksese dhe i ftoj që të vazhdojnë të punojnë për përmirësimin e jetës së qytetarëve në komunat e tyre”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në ditën e votimit do të hapen 44 qendra të votimit me gjithsej 87 vendvotime. Janë 12 kandidatë në garë për kryetar në këto komuna, nga tre kandidat për secilën komunë. Në katër komunat ku do të mbahen zgjedhjet, të drejtë vote kanë 57 mijë e 938 votues.
Në Leposaviq, të drejtë vote kanë 18.164 persona, në Zubin Potok 8.535, në Zveçan 9.229 votues dhe në Mitrovicën e Veriut 22.055 persona më të drejtë vote.
Lista votuese është bazuar në ekstraktin e Regjistrit Qendror Civil, i cili përpilohet nga Agjencia e Regjistrimit Civil.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar 464 vëzhgues të zgjedhjeve të cilët përfaqësojnë dy parti politike, dy misione ndërkombëtare, një nga Komisioni Evropian, dy misione diplomatike, 12 ambasada, një organizatë joqeveritare ndërkombëtare, katër organizata joqeveritare vendore dhe 15 media.
Edhe përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova ka kërkuar që zgjedhjet të jenë transparente, gjithëpërfshirëse dhe të besueshme.
“BE-ja pret që të gjithë aktorët e përfshirë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunat në veri të Kosovës të respektojnë integritetin e procesit zgjedhor. BE-ja thekson rëndësinë e respektimit dhe zbatimit të rekomandimeve të Misionit Vëzhgues të BE-së nga zgjedhjet e kaluara”, ka theksuar Apostolova.
Kryetarët e komunave veriore: Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq, më 26 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë pakënaqësie ndaj vendosjes së taksës doganore prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës për importet nga Serbia.
Më vonë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, caktoi datën 19 maj për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore.








