VOAL

VOAL

Ndërron jetë ish-deputeti i parlamentit të Kosovës, Kujtim Paçaku

Kujtim Paçaku, ish-deputet i parlamentit të Kosovës nga radhët e komunitetit rom, ndërroi jetë të enjten në moshën 59 vjeçare.

Zoti Paçaku njihej për angazhimin e tij për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit rom në Kosovë.

Ai lindi në mars të 1959, në Prizren. Para se të përfshihej në politikë, punoi si arsimtar në një shkollë fillore ndërsa më vonë punoi edhe si gazetar, ndërsa ishte i njohur si poet.

Së fundmi zoti Pacaku ishte shpallur ambasador i paqes në një konferencë për kulturë dhe paqe në Ballkan.

Duke dhënë lajmin për vdekjen e zotit Paçaku, kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se “me angazhimin e tij të sinqertë politik, me kulturën e pasur prej poeti që posedonte, Kujtimi ishte zëri më autentik i qytetarëve romë të Kosovës dhe na ka nderuar të gjithëve”.

Presidenti Thaçi merr pjesë në Samitin e Sofjes

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar për në Bullgari. Thaçi do të marrë pjesë në punimet e Samitit të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor në Sofje.

Përmes një njoftimi të Zyrës së Presidentit, bëhet e ditur se Thaçi do të marrë pjesë në takimin dhe konferencën e përbashkët të liderëve të shteteve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor.

Pas arritjes në Sofje, presidentit Thaçi do t’i organizohet pritje zyrtare nga presidenti bullgar, Boyko Borisov.

Ai po ashtu do të marrë pjesë edhe në Forumin Ekonomik Botëror, që organizohet në kryeqytetin bullgar.

Zyrtarët evropianë e vlerësojnë këtë samit si jashtëzakonisht të rëndësishëm, pasi është i pari që nga Samiti i Selanikut, i cili ishte zhvilluar para plot 15 vjetësh.

Pjesë e Samitit të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor në Sofje do të jenë mbi 30 liderë të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Apeli e shpall të pafajshëm ish-rektorin Enver Hasani

Ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani është liruar nga akuzat për mashtrim.

Në njoftimin e Gjykatës së Apelit thuhet se “kolegji penal i Departamentit të Krimeve të Rënda i kësaj gjykate, ka gjetur se nuk është provuar se ai ka kryer ketë vepër penale të mashtrimit në kohën sa ishte rektor i Universitetit të Prishtinës”.

Për dy të akuzuarit e tjerë, Hakif Veliu dhe Albert Rakipi, Gjykata e Apelit e ka aprovuar kërkesën e prokurores dhe dy të akuzuarit do të dërgohen në vuajtje të dënimit prej një viti burgim efektiv.

Ish-rektori Hasani ishte gjetur fajtor nga Gjykata Themelore e Prishtinës dhe ishte dënuar me një vit burg me kusht. Po ashtu, gjykata kishte shpallur fajtorë edhe dy të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Albert Rakipi dhe Hakif Veliu.

Enver Hasani, Hakif Veliu si shef i prokurimit dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare, akuzoheshin për bashkëkryerje të veprës penale të mashtrimit në detyrë.

Ata dyshohej se kishin bërë keqpërdorime kur kanë lidhur kontratë për përkthimin e disa librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe, për nevoja të Universitetit të Prishtinës.

Kosova shënon 70-vjetorin e pavarësisë së Izraelit

Pllaka përkujtimore për hebrenjtë e vrarë gjatë Holokaustit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ka kërkuar nga institucionet izraelite që të njohin pavarësinë e Kosovës.

Ai ka thënë se në të ardhmen, Kosova dhe shteti i Izraelit do të thellojnë bashkëpunimin në mes vete.

Veseli i bëri këto komente me rastin e shënimit të 70-vjetorit të pavarësisë së Izraelit, ngjarje e organizuar nga Bashkësia Hebreje “Best Israel Kosova”.

Kryetari i kësaj bashkësie, Ruzhdi Shkodra, ka thënë se këtë përvjetor e bënë më madhështor pikërisht pasi në këtë ditë, Shtetet e Bashkuara kanë hapur ambasadën në Jerusalem, pasi Uashingtoni më herët gjatë këtij viti, e njohu Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Ndër të tjera, Shkodra ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli që të ushtrojë autoritetin e tij tek institucionet kompetente për ndërtimin e një sinagoge në Prishtinë.

Veseli, ndërkaq, ka premtuar se shumë shpejtë në qendër të Prishtinës do të ndërtohet sinagoga e re, “në mënyrë që edhe qytetarët hebrenj të kryejnë ritet e veta në mënyrë dinjitoze në shtetin e Kosovës”.

Në Prishtinë, deri në vitin 1963, ka qenë Sinagoga e Prishtinës në lokacionin në mes ndërtesës se Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Pikërisht në këtë lokacion, në shenjë përkujtimi për hebrenjtë e Kosovës që u zhdukën në kampet e nazistëve gjatë Holokaustit, tashmë është ngritur një memorial, në të cilin shkruan :“Populli i Kosovës nuk do t’i harrojë kurrë”.

Prishtinë, shërbehet bakllavaja më e madhe në vend

Në vigjilje të muajit të shenjtë të Ramazanit, disa të rinj në sheshin Nëna Tereza në qendër të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, kanë bërë shpërndarjen e bakllavasë me 4.500 copë

PRISHTINË – Në vigjilje të muajit të shenjtë të Ramazanit, disa të rinj në sheshin Nëna Tereza në qendër të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, kanë bërë shpërndarjen e bakllavasë prej 4.500 copëve, e cila është bakllavaja më e madhe e shërbyer në Kosovë deri tani.

Qytetarë të shumtë u mblodhën në vendin ku shërbehej bakllavaja falas nga disa të rinj të cilët ishin ideatorët e këtij organizimi në prag të muajit të Ramazanit.

Në emër të organizatorëve, Asdren Bytyqi në një prononcim për AA tha se që pesë vite me radhë në vigjilje të muajit Ramazan janë duke e bërë shpërndarjen e kalendarit të ramazanit, bakllavasë ose ëmbëlsirave të ndryshme në Prishtinë. Ai theksoi se janë të rinj vullnetarë dhe për qëllim kanë që t’i ëmbëlsojnë njerëzit në vigjilje të këtij muaji që sjell paqe, mirësi dhe më shumë solidaritet në mes të njerëzve.

“Andaj, dëshirojmë të fusim në psikologjinë e qytetarëve të rinj dhe të vjetër që ky muaj është i veçantë dhe duhet të dallohet nga të tjerët për nga simbolika e ushqimit, por edhe për nga simbolika e ëmbëlsimit, meqë ashtu siç fillon, ashtu edhe mbaron”, tha Bytyqi.

Ai përmendi rekordin për bakllavanë më të madhe në botë të cilin e mban Anakaraja, duke thënë se me këtë bakllava që servohet sot, kanë arritur 40 përqindëshin e bakllavasë në Turqi. Ai tha se janë të përgatitur që vitin e ardhshëm ta thyejnë rekordin e bakllavasë prej 11.800 copëve.

“Për vitin e ardhshëm synojmë që të futemi në regjistrat e Librit Guinness, ngase këtë vit kemi përgatit një bakllava me 4.500 copë, kurse vitin e ardhshëm synojmë t’ia thyejmë rekordin Turqisë në një ngjarje e cila është mbajtur në Ankara”, shtoi Bytyqi.

AKI verifikon imamët për deradikalizimin e burgjeve

Foto ilustruese

Ministria e Drejtësisë e Qeverisë së Kosovës ka dërguar për verifikim në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, listën me emrat e imamëve të autorizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, të cilët do të angazhohen në procesin e deradikalizimit brenda burgjeve të Kosovës, konfirmojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Lidhur me angazhimin e rreth 20 imamëve për t’iu qasur deradikalizimit të personave të caktuar, të cilët janë duke vuajtur dënimet në burgjet e Kosovës për veprat që kanë të bëjnë me terrorizmin, Ministria e Drejtësisë e Qeverisë së Kosovës dhe Bashkësisë Islame të Kosovës, ditë më parë kanë nënshkruar marrëveshjen e përbashkët.

Abelard Tahiri, ministër i Drejtësisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, theksoi se imamët e Bashkësisë Islame të Kosovës nuk do ta zëvendësojnë punën e psikologëve dhe sociologëve, të cilët janë të angazhuar nga qendrat korrektuese. Por, sipas tij, bashkëpunimi ka të bëjë me atë që nga qendrat korrektuese të evitohen literaturat fetare të paautorizuara, të cilat kanë depërtuar në këto qendra, dhe aty të dërgohet literaturë e autorizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës.

“Pasi që të përfundon procesi i verifikimit, atëherë imamët do ta vazhdojnë punën nëpër qendrat korrektuese. Duhet ta bëj të qartë për opinionin publik se nuk flitet për organizime masive, qoftë të ligjëratave, qoftë të organizimit të riteve fetare. Janë vetëm për ata persona, të cilët janë të radikalizuar dhe për personat tjerë që shprehin interesimin e tyre që të jenë pjesë e organizimit të këtyre riteve fetare brenda qendrave korrektuese, gjithmonë pa e cenuar asnjëherë sigurinë dhe funksionin e qendrave korrektuese të Kosovës”, tha ministri Tahiri.

Në anën tjetër, kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri Bajgora thotë për Radion Evropa e Lirë, se përvojat e vendeve evropiane që kanë angazhuar imamë në procesin e deradikalizimit të personave të dënuar, janë treguar të suksesshme. Sipas tij, Bashkësia Islame e Kosovës, bazuar në marrëveshjen me Ministrinë e Drejtësisë, tashmë ka caktuar imamët që do të jenë të përfshirë në zbatimin e programit të paraparë në marrëveshje.

“Në këtë rast, imamët që janë përzgjedhur, janë shumë meritorë, që kanë një kualifikim të mirë, imam që janë dëshmuar me punën dhe përkushtimin e tyre, deri më tash, në Bashkësinë Islame. Andaj, shpresojmë që edhe puna e tyre do të jetë e suksesshme, qoftë në ligjërimet për të cilat kanë nevojë të burgosurit, qoftë edhe me programet që janë për deradikalizimin e atyre që janë të burgosur”, tha Bajgora.

Ndërkaq, ministri Tahiri thekson se zbatimi i marrëveshjes ka të vetmin qëllim që t’i dilet përballë fenomenit të radikalizmit fetar në qendrat korrektuese, në mënyrë që personat e që vuajnë dënimin për radikalizëm fetar, pas përfundimit të dënimit të mos paraqesin rrezik për shoqërinë dhe për shtetin.

“Padyshim që në formën se si është tani, ata paraqesin rrezik për shoqërinë tonë. Mirëpo, ne në asnjë rrethanë, nuk do të tolerojmë që një gjendje e tillë të vazhdojë dhe do të marrim masa, në secilin rast që është i nevojshëm, që ky rrezik i mundshëm të evitohet. Këta njerëz, në momentin që do të përfundojnë dënimin e tyre, në momentin që dalin nga qendrat korrektuese, duhet të jenë të gatshëm që të mos paraqesin rrezik për shoqërinë tonë dhe të jenë të gatshëm që të inkuadrohen në punën e tyre ditore, të jenë pjesë e shoqërisë tonë”, tha Tahiri.

Kryeimami Bajgora ka shprehur bindjen se në rast se të gjitha palët e angazhuara në procesin e deradikalizimit të personave të caktuar, që vuajnë dënimet në qendrat korrektuese, e kryejnë punën e tyre si duhet, sukseset do të jenë të pashmangshme.

“Ne ende nuk kemi qasje në atë se sa është përqindja e radikalizmit të tyre nëpër burgje. Andaj, së pari neve na duhet ta bëjmë një regjistrim nëpër burgje se si qëndron situata dhe pastaj të fillojmë me programet përkatëse, për të cilat tashmë janë trajnuar imamët tanë nëpër seminare dhe konferenca të ndryshme që janë mbajtur vitin e fundit, por edhe të një trajnimi që është kryer në Angli, përkitazi me këtë çështje”, theksoi Bajgora.

Në qendrat korrektuese të Kosovës tashmë gjendet një numër i qytetarëve të vendit, të cilët po e vuajnë dënimin për pjesëmarrje në luftërat e huaja, në Irak dhe Siri, por edhe për tentimin për të shkuar në luftërat e huaja.

Më herët, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, patën theksuar se është vërejtur prania e radikalizmit në mesin e të burgosurve, madje edhe tek ata të cilët po mbajnë dënimin për vepra penale krejtësisht tjera dhe që nuk ndërlidhen me terrorizmin.

Sipas autoriteteve të Kosovës, rreth 316 persona nga Kosova kanë marrë pjesë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Besohet se në zonat e luftës ende gjenden 140 persona, ndërkaq që në Kosovë janë kthyer 117 prej tyre.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Brenda katër vitesh, Kosova me hekurudha moderne

Deri në vitin 2022, Kosova do ketë të përfunduar rrjetin modern hekurudhor që lidh atë me shtetet e rajonit dhe më gjerë.

Kështu bëjnë të ditur zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, sipas të cilëve, në muajin korrik pritet të fillojë rehabilitimi i rrjetit hekurudhor, Fushë Kosovë – Hani i Elezit në kufi me Maqedoninë, kurse më pas do fillojë rehabilitimi i hekurudhave Fushë Kosovë – Leshak, në kufirin me Serbinë.

Koordinatori për Ballkanin Perëndimor në Qeverinë e Kosovës, Gazmend Abrashi, ka treguar për Radion Evropa e Lirë se për këtë projekt mjetet financiare janë siguruar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), kurse një shumë më e vogël do të ndahet nga Qeveria e Kosovës.

“Rrjeti hekurudhor do të jetë i rindërtuar për shkak se qysh tash kemi marrëveshje me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe institucionet tjera relevante që do të investojmë mbi 209 milionë euro në rindërtimin e rrjetit hekurudhor”, ka thënë Abrashi.

Zyrtarë të Qeverisë se Kosovës, më herët kanë shprehur interesimin për ndërtimin e linjave hekurudhore Kosovë – Shqipëri.

Për projektet rajonale ishte diskutuar edhe në Samitin e Ballkanit Perëndimor që është mbajtur vitin e kaluar në Itali, në kuadër të të cilit liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ata të Bashkimit Evropian kanë nënshkruar Traktatin e Komunitetit të Transportit për vendet e këtij rajoni.

Kurse, marrëveshja për projektin për rehabilitimin e linjës hekurudhore ‘10’, ndërmjet Kosovës dhe BERZH-it, është nënshkruar në fillim të këtij viti.

Projekti hekurudhor ‘10’ i Kosovës është pjesë e rrjetit hekurudhor kryesor të Ballkanit Perëndimor. Një zgjerim i Rrjeteve Trans-Evropiane të Transportit që është pjesë e përpjekjeve më të gjera të Bashkimit Evropian për të promovuar lidhjen e transportit në Ballkanin Perëndimor.

Ndryshe, infrastruktura hekurudhore në Kosovë vazhdon të përballet me një gjendje jo të mirë.

Binarët, ndërtesat e stacioneve, stabilimentet sinjalizuese, pastaj operimet hekurudhore, lokomotivat, vagonët e udhëtarëve janë të vjetruara. Për shkak të kushteve teknike në linjat aktuale, shpejtësia e trenave mund të zhvillohet vetëm në 50 kilometra në orë.

Për shkak të kësaj gjendjeje, ekspertë të kësaj fushe konsiderojnë se integrimi rajonal përmes korridoreve hekurudhore është shumë i rëndësishëm për shkak se do të lehtësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave.

Sadullah Avdiu, profesori i lëndës “Projektimi i Hekurudhave”, në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, ka thënë se integrimi rrjetit hekurudhor është i domosdoshëm, pasi rrjeti hekurudhor i Kosovës nuk duhet të jetë i izoluar nga vendet e Evropës dhe më gjerë.

Madje sipas tij, transporti hekurudhor qoftë i udhëtarëve apo mallrave është dukshëm më i lirë dhe më i sigurt se transporti rrugor, dhe për këtë nevojitet modernizimi i infrastrukturës dhe mjeteve transportuese.

“Ky projekt është i kushtueshëm, por që është domosdoshmëri. Përveç modernizimit të infrastrukturës nevojiten lokomotiva të reja dhe vagonë të rinj”, ka thënë Avdiu për Radion Evropa e Lirë.

Për sigurimin e lokomotivave dhe vagonëve të udhëtarëve, Qeveria e Kosovës, do angazhojë operatorë privatë, ka thënë Gazmend Abrashi.

“Ekziston mundësia që një operator tjetër të jetë pronar i trenave, vagonëve dhe lokomotivës dhe ai do të paguan një përqindje të caktuar pronarit të infrastrukturës në këtë rast ‘Infraskosit’. Më këtë rast t’i lejojmë mundësi që edhe operatorët privat të marrin pjesë në këtë projekt”, shprehet Abrashi.

Në Kosovë operojnë dy kompani që merren më operimin dhe menaxhimin e infrastrukturës hekurudhore. “Trainkos” është përgjegjëse për operimet me trena si në transport të mallrave ashtu edhe të udhëtarëve, kurse kompania trjetër “Infrakos” merret me infrastrukturën hekurudhore.

Aktualisht, në Kosovë vija të rregullta për transport të brendshëm përmes trenave, ka në relacionin Prishtinë – Pejë, Hani i Elezit – Fushë Kosovë dhe anasjelltas.

Ndërsa, për transport ndërkombëtar, hekurudhat e Kosovës kanë një tren të rregullt, që quhet treni i shpejtë, i cili qarkullon një herë në ditë në relacionin Prishtinë – Shkup – Prishtinë.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Zëvendësministri Gjergj Dedaj nuk e di zyrën e shefit të tij

Pamje nga mbledhja e kryeministrit Ramush Haradinaj me zëvendësministrat e Qeverisë së Kosovës.

Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Gjergj Dedaj ka rrëfyer relacionin e tij me ministrin e Jashtëm Behgjet Pacolli. Dedaj ka thënë se kanë kaluar gjashtë muaj prej kur ai është në pozitën e zëvendësministrit, porse sipas tij, ai e ka të pamundur komunikimin me shefin e tij, Behgjet Pacolli.

Në takim me kryeministrin Ramush Haradinaj, Dedaj është ankuar për injorim të vazhdueshëm që siç thotë ai, i bëhet nga ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli. Deda ka thënë që as nuk e di se ku e ka zyrën shefi i tij.

“Unë personalisht kam vërejtje në komunikimin që kemi në relacionin me ministrin, sepse tash e gjashtë muaj, unë dua t’iu them zotëri kryeministër i nderuar se nuk kemi asnjë komunikim. Ministria e Jashtme është dikaster tejet i rëndësishëm dhe unë ende nuk e di zyrën e ministrit tim. Kjo më ka vënë në pozitë të vështirë çdo mëngjes”, ka deklaruar zëvendësministri Dedaj.

Dedaj i bëri këto komente në takim me kryeministrin Ramush Haradinaj i cili ka ftuar për raportim, tetëdhjetë zëvendësministrat e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj ka kërkuar nga zëvendësministrat angazhim maksimal.

“Ju e keni kuptuar përgjegjësinë kushtetuese që keni. Jemi në një periudhë që ka peshë për vendin, ku secili e ka rolin e tij. Ju ftoj të jemi bashkë që të mos dështojmë drejt rrugëtimit tonë drejt familjes evropiane’’, ka deklaruar Haradinaj.

Qeveria e drejtuar nga kryeministri Haradinaj ka numrin më të madh të zëvendësministrave.

Aventura e Shpendit në Devollistan! – Nga Florim Zeqa

Përderisa qytetarët e Kosovës ishin në pritje të një alternative të re politike, u erdhi goditja e radhës nga Devollistani. Partia më e re politike e ripërtërirë mbi hirin e një subjekti të djegur të skenës politike kosovare, nga figura poashtu të djegura dhe ricikluara politike përveqse nuk paraqet risi, shpërfaqë në mënyrën më të keqe egon e sëmurë për pushtet të pakufishëm të njerëzve me kredibilitet të humbur politik.
Përderisa Partia Social Demokrate (PSD) e viteve të ’90-ta e plotësonte mozaikun e sistemit pluralist në rrethanat e okupimit klasik, ku mbi 98 % e popullatës shqiptare ishin të rreshtuar në lëvizjen paqësore demokratike për çlirim nga pushtuesi serb, përkatësisht Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), të udhëhequr nga lideri shpirtërorë i shqiptarëve të Kosovës, presidenti historik Ibrahim Rugova,…PSD-ja e “re” e “çarkut të mbyllur” e rrebeluarëve të VV-së jo vetëm që nuk e pasuron, e bastardon akoma më tepër skenën politike kosovare.
Ngase këtu nuk kemi të bëjmë me emër, përmbajtje dhe orientime të gabuara politike.

PSD-ja e re në themele të vjetra

E ashtuquajtura PSD, mbi themelet e vjetra, në kushte normale do duhej të përfaqësonte interesat e shtresave më të nëpërkëmbura të shoqërisë. Mirëpo, në vendin e paradokseve të shumta, në Kosovën e kapur nga klanet dhe grupet e interesit, PSD-ja do të mbrojë ekskluzivisht interesat e mafio-oligarkëve më të inkriminuar ekonomik në vendin tonë.
Grupi i cili e ngjizi edhe një herë PSD-në e vdekur politikisht në Kosovë, janë grup i ngritur në karrierë politike nga VV-ja, përkatësisht lideri i saj Albin Kurti.
Kur jemi në këtë segment, vlenë për të ritheksuar atë që e kam thënë në të kaluarën; “Albin Kurti gabimin më të madh e bëri në momentin kur u tërhoq nga drejtimi i VV-së, për t’ua lënë në dorë të paudhëve,…rritja e VV-së pa kritere ju kthye në bumerang të madh këttij subjekti politik dhe liderit të saj”.
Në momentin kur të vegjëlit e ndien vetën “gjallë” në partinë e Kurtit, të joshur nga milionat e vllëzërve Devolli, i kthyen shpinën nënës parti që i rriti dhe ngriti në karrierë politike!

Ambiciet e sëmura të Shpend Ahmetit

Shpendi i vogël, i rritur dhe edukuar në frymën e internacionalizmit proletarë, i ushqyer nga milionat e bizneseve kriminale dhe i nxitur nga egoja për pushtet, froni në kryeqytet më nuk i bënë më përshtypje!
I bindur në mbështetjen e korporatës më të fuqishme në vend DEVOLLI COMPANY, synon të arrijë në majat e pushtetit qendrorë.
Për Shpendin e vogël, të shndërruar në dinozaur të kryeqytetit, i cili rrënoi në themel bizneset e vogla dhe të mesme në Prishtinë, pak ka rëndësi a e kalon PSD-ja pragun zgjedhorë apo jo! Ai, menjëherë pas zgjedhjeve nacionale do t’i vardiset subjektit më të madh në vend për kënaqjen e egos së tij personale.
Drejtuesit e subjektit politik PSD, filluar nga kryetari i vetëshpallur Shpend Ahmeti dhe ish kryetari i VV-së Visar Ymeri akoma e kanë të brumosur në kokat e tyre konceptin “kurtian” për shtetin e Kosovës. Mbase kjo është e vetmja vlerë që posedojnë drejtuesit më të rinjë të subjektit të vjetër, ndër më të vjetrit në Kosovë.
Problemi qëndron në faktin se, zbatimi i koncepteve të VV-së në PSD është i pamundur dhe atë për shumë arsye.
Këtij grupimi politik, përveq 12 anëtarëve të rregullt dhe disave me korespomdencë i mungon anëtarësia dhe shtrirja gjeopolitike në hapësirën kosovare.
Përkundër dëshirës së madhe, drejtuesit e PSD-së do ta kenë të vështirë të bindin elektoratin e varfër kosovar për t’u bërë pjesë e oligarkisë kriminale, e cila dominon tregun vendor me produkte të dyshimta të shtetit të Serbisë.
Deklarimi i rrejshëm i drejtuesve të subjektit të posangjizur një ditë më pas, se janë njëri ndër subjektet më të fuqishme në vend, e tregon qartë se ky subjekt i ngjanë një “kulle prej letre” e cila nuk i reziston as furtunës më të vogël!

PSD-në që nuk mundi ta ribëjë gjenerali, me Shpendin do ta marrë era

Të gjithë jemi dëshmitarë, kur vite më parë lakmia për pushtet i kishte vërbuar sytë gjeneralit, ish komandantit të TMK-së dhe FSK-së, Agim Çekut, i cili e braktisi karrierën ushtarake për t’u ngritur në karrierë politike.
Pas humbjes së postit të kryeministrit me 9 janar 2008, cak i gjeneralit ishte bërë PSD-ja e Kaqusha Jasharit, ku në vitin 2008 në mbledhjen e Këshillit Drejtues të PSDK-së, Agim Çeku ishte zgjedhur kryetar i partisë Social Demokratike të Kosovës. Zv/ministri aktual i FSK-së atë botë shprehej optimist se do të arrinte sukses me PSDK-në, por entuziazmi nuk kishte zgjatur shumë, pasi ai pas një kohe relativisht të shkurtër ishte rikthyer në PDK, në partinë e Hashim Thaçit për t’u kënaqur me postin e deputetit.

Agim Çekut edhe pse nuk i dhezi partia, i dhezi miqësia me Hashim Thaçin!

Ngjashëm me Agim Çekun, synon majat e pushtetit edhe oligarku Shpend Ahmeti me grupin e deputetëve të VV-së.
Për dallim nga gjeneral Çeku, Shpendin e mbanë shpresa tek milionat e mafio-oligarkëve ekonomnik dhe afërsia familjare që ka me Devollët, të cilët nga hiqi Shpendin e shndërruan në Dinozaur të Prishtinës, ndërsa Kosovën në Devollistan!
Aventura e Shpendit në PSD nuk do të përfundojë më mirë se ajo e Agim Çekut. Por mebetët të shihet se a do ta pranojë përseri nën sqetull Albin Kurti!. Akoma më i paqartë do të mbetët fati i deputetëve të larguar nga VV-ja; Aida Dërguti, Visar Ymeri, Faton Topalli, Fisnik Ismaili, Dukagjin Gorani, Driton Çaushi, Dardan Sejdiu, Frashër Krasniqi, Dardan Molliqaj, Besa Baftiu, Salih Salihu dhe Shqipe Pantina se a do t’i shkojnë deri në fund aventurave të Shpendit në Dvollistan!

Pacolli mbështet idenë e krijimit të zonës ekonomike amerikane

Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka mbështetur iniciativën për krijimin e një zone ekonomike amerikane, për tërheqjen e investimeve të huaja.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës Arian Zeka, tha se krijimi i zonës ekonomike amerikane do të jetë përgjigje e shumë kërkesave të investitorëve amerikanë, në rast se ata vendosin të vijnë të investojnë në Kosovë a ka ndonjë hapësirë të gatshme që ata mund të vendosen dhe të kenë kushtet minimale.

“Ne kemi marrë informatën për themelimin e kësaj zone nga burimet tona brenda qeverisë, por jo në mënyrë zyrtare. Po flasim 19 vite pas çlirimit të vendit ku dikush do të priste që do të ketë komunikim më të madh në nivel zyrtar ndërmjet sektorit publik dhe atij privat”, tha Zeka.

Zona ekonomike amerikane, sipas tyre, do të krijonte lehtësira për investitorët amerikanë në vend.

Nuk ka dritë jeshile për liberalizimin e vizave të Kosovës

Zëvendës presidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, gjatë vizitës që kishte në Kosovë nuk ka sjell ndonjë lajm të mirë për heqjen e vizave.

Madje ai ka drejtuar kritika ndaj politikanëve në Kosovë, të cilët sipas tij japin premtime për liberalizim të vizave derisa ende nuk ka asgjë të re.Ai tha se në Parlamentin Evropian nuk ka ardhur ndonjë dokument për t’u votuar për liberalizimin e vizave për Kosovë.

Wieland, i cili është po ashtu zyrtar i lartë në partinë e kancelares gjermane, Angela Merkel, i ka ftuar politikanët e Kosovës që të mos japin premtime për datën e liberalizimit të vizave.

“Shumë gjëra ende duhet të kryhen , po shoh që vendi ka bërë progres dhe ne jemi të gatshëm të mbështesim vendin në gjërat të cilat duhet të kryhen. Nuk shoh ndonjë mundësi që dokumenti për viza të vijë në Parlamentin Evropian që të votohet. Parlamenti Evropian insiston që kushtet të plotësohen. I rekomandoj të gjithë që të mos bëjnë premtime për gjëra për liberalizimin e vizave që mund të ndodhë shumë shpejt”, tha ai.

Kosova synon të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Ndërtesa e Këshillit të Evropës në Strasburg të Francës

Nuk do të jetë e largët dita kur Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, thonë përfaqësuesit politikë në Prishtinë.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, thonë se gjatë këtij viti Kosova pritet të aplikojë për anëtarësim në ketë mekanizëm.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Rejhan Vuniqi, tha për Radion Evropa e Lirë se aktualisht po punohet intensivisht në planin e veprimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, ka krijuar grupin profesional për këtë proces. Ky grup që ka funksionuar nën menaxhimin e ministrit ka hartuar një strategji dhe plan veprimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ky plan veprimi do të fillojë të zbatohet pas ndërtimit të konsensusit politik për ketë çështje, që në fakt është edhe faza e parë e këtij procesi”, tha Vuniqi.

Lexoni edhe këtë: Kosova sërish drejt INTERPOL-it dhe UNESCO-s

Këshilli i Evropës është një prej organizatave më të rëndësishme në Evropë dhe Kosova është i vetmi vend nga rajoni që nuk është pjesë e tij.

Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, njëherësh Kryetari i delegacionit të Kosovës në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës, tha për Radion Evropa e Lirë, se kërkesa për anëtarësim në këtë mekanizëm duhet të bëhet, por, siç tha ai, para se kjo të ndodhë duhet të ketë siguri se mekanizmat përkatës do ta përkrahin kërkesën për anëtarësim të Kosovës.

“Qeveria është deklaruar disa herë në veçanti ish-ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, duke përfshirë edhe presidentin e Kosovës, se ne do to të anëtarësohemi këtë vit apo atë vit, por përgjigja e mekanizmave të cilët merren me Kosovën në KE kanë qenë negativ duke thënë se ende nuk janë pjekur kushtet dhe nuk ka siguri, duke pasur parasysh mënyrën se si merren vendimet në Këshillin e Evropës që një kërkesë e tillë mund të kaloj dhe mund të futet në rend të ditës”, tha Haliti.

Megjithatë, sipas Halitit, pritet që Qeveria të bëjë kërkesën sipas rregullave dhe proceduarve të organeve të cilat do ta trajtojnë kërkesën e Kosovës.

“Deri tash ne kemi pasur përgjigje negative – neutrale, kështu do të thosha, duke na thënë që akoma nuk janë plotësuar kushtet dhe kërkesa juaj mund të mos shqyrtohet”, tha Haliti.

Procesi i anëtarësimit në këtë mekanizëm është më shumë teknik dhe kërkon shumë reforma, sidomos në fushat e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.

Deputetja Doruntinë Maloku – Kastrati, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, anëtare e Komisioni për Punë të Jashtme, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova më së largu deri në muajin gusht të këtij viti duhet të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Ajo tha se ky aplikim duhet të ndodhë në këtë kohë, në mënyrë që kërkesa të merret në konsideratë nga ministrat e vendeve anëtare të KE-së.

Maloku – Kastrati theksoi se Kosova duke qenë i vetmi vend në rajon që ende nuk është pjesë e Këshillit të Evropës, qytetarët e saj humbin shumë në fushën e të drejtave të njeriut e në shumë aspekte të tjera që lidhen drejtpërdrejt me demokracinë dhe sundimin e ligjit.

“Qeveria e Kosovës pati premtuar se aplikimi do të ndodhte në muajin dhjetor të vitit të kaluar ose ne janarin e këtij viti. Kjo, nuk ka ndodhur për arsye qe ne deputetët e opozitës nuk i dimë, porse është thënë vazhdimisht në media se dosja për aplikim nuk ka qenë e gatshme”.

“Hapat që ka ndërmarrë Qeveria për zhbërjen e Gjykatës Speciale, liria e pjesshme e medieve si dhe mungesa e sundimit të ligjit, janë sigurisht disa nga arsyet qenësore që ne nuk ishim të gatshëm për aplikim, sepse në këtë mënyrë, besoj, kemi tronditur besimin e shteteve mike, përkrahja e të cilave është qenësore për aplikim apo anëtarësim në secilin organizëm ndërkombëtar”, tha deputetja Maloku- Kastrati.

Njohësit e integrimeve evropiane kanë thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, ka pasur mundësi të bëhet shumë me herët pasi që, sipas tyre votat shumicë nga shtetet anëtare të KE-së kanë qenë në anën e Kosovës.

Deputetja Maloku- Kastrati tha është e pakuptimtë që Kosova edhe 10 vjet pas pavarësisë, ende nuk e ka dosjen e përfunduar për aplikim.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Raporti i ekspertizës konstaton se policët Trena e Dashi ishin vetë-aksidentuar

Pamje nga kërkimet për dy policët

 

 

Policët Armend Trena dhe Malësor Dashi, të cilët kishin rënë më 28 prill në lumin Lepenc, teksa po udhëtonin me veturën zyrtare në magjistralen Hani i Elezit-Kaçanik, sipas raportit të ekspertizës së komunikacionit, janë vetë-aksidentuar.

Kështu tha për Radion Evropa e Lirë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari.

Sipas tij, autopsia e trupave që u gjetën javën e kaluar në lumin Lepenc, ende nuk është publikuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Autopsia pritet të kryhet deri të hënën.

Ndryshe, trupi i Malësor Dashit u gjet pesë kilometra nga vendi i ngjarjes, pas gjashtë ditësh, ku dyshohej fillimisht se kishte rënë vetura. Ndërsa, trupi i Armend Trenës, u gjet në ditën e dhjetë të kërkimeve, gjashtë kilometra nga vendi i ngjarjes, në lumin Lepenc, më saktësisht në vendin e quajtur “Kulla me Çeshme’’.

Imamët do të luftojnë radikalizmin në burgjet e Kosovës

Të premten në Prishtinë, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe kryetari i Bashkësinë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për “realizimin e rehabilitimit dhe ri-integrimit të personave të burgosur”.

Ministri Tahiri tha se përmes ofrimit dhe organizimit të ligjëratave fetare për të burgosurit “besojmë shumë se do të rritet vetëdija si në mesin e personave të privuar nga liria, që mbahen në institucionet korrektuese, ashtu edhe në institucionet e përfshira në zbatimin e këtij memorandumi”.

Ai tha se idetë radikale kanë përfshirë gjithë botën dhe Kosova nuk ka mbetur imune nga kjo dukuri, por “fatmirësisht ka rënë ndjeshëm numri i qytetarëve të Kosovës që janë pjesë e konflikteve të huaja, kjo falë edhe angazhimit institucional për të ndërmarrë masa konkrete në parandalimin e kësaj dukurie”.

Kryetari i Bashkësisë Islame, myftiu Naim Tërnava, tha se do të jenë 20 imamë që do të përfshihen në këtë proces.

Myftiu Tërnava tha se Bashkësia Islame do të japë edhe më tej kontributin e vet në luftimin e çdo gjëje që shkon në dëm të Kosovës dhe do të jetë e përkushtuar që të luftojë ekstremizmin.

“Feja jonë islame nuk ka asgjë të bëjë me terrorizmin e radikalizmin. Bashkësia Islame e Kosovës ka qenë zëri i arsyes gjithherë dhe ka ngritur zërin e saj dhe ka bërë të ditur që islami është larg këtyre dukurive”.

Nga mesi i vitit 2012, Kosova është përballur me shtimin e shkallës së radikalizimit të të rinjve posaçërisht me përfshirjen e tyre konfliktet në Lindjen e Mesme

Sipas shënimeve të policisë së Kosovës, që nga atëherë 255 persona të gjinisë mashkullore në periudha të ndryshme kanë udhëtuar për në zonën e konfliktit dhe të cilët trajtohen si luftëtarë të huaj terrorist, ndërsa numri i luftëtarëve aktual atje është 60. Gjithnjë sipas policisë mbi 120 veta janë kthyer nga zonat e luftës në Siri dhe Irak, ndërsa edhe me tej atje ndodhen mbi 40 gra dhe mbi 50 fëmijë.

Numri i personave të vdekur në zonën e konfliktit është 74, prej të cilëve 71 persona të gjinisë mashkullore të vrarë, ndërsa 3 persona të tjerë raportohet të kenë vdekur nga shkaqe natyrore, thonë zyrtarët e policisë.

Qe nga viti 2014, pesë imamë janë akuzuar për lidhje me nxitjen dhe rekrutimin e luftëtarëve të huaj. Katër prej tyre janë shpallur të pafajshëm, ndërsa Zekirija Qazimi ish imam i Xhamisë “El-Kudus” në Gjilan, rreth 50 kilometra në lindje të Prishtinës, është dënuar me 10 vjet heqje lirie për rekrutim dhe për nxitje të urrejtjes.

Kosovë, përfundon stërvitja e FSK “Shqiponja 6”

Në Kosovë përfundoi stërvitja disaditëshe e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në bashkëpunim me ushtritë e tetë vendeve, e koduar si “Shqiponja 6”, që kishte për qëllim të sprovonte përgjigjen ndaj situatave emergjente.

Përmbyllja e stërvitjes me disa ushtrime fushore në periferi të Prishtinës, u ndoq nga afër edhe nga ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili vlerësoi lart profesionalizmin e kësaj force.

Wieland në Kosovë: Mos premtoni asgjë për vizat

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, bëri thirrje që të mos bëhen premtime lidhur me afatet për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ai i bëri këto komente në Prishtinë, ku po takohet me udhëheqës të institucioneve dhe partive politike. Zoti Wieland tha se tash për tash çështja e liberalizimit të vizave ndodhet në duart e Komisionit dhe Këshillit Evropian.

“Por unë mund të këshilloj këdo në Evropë dhe në Kosovë që të mos bëjnë premtime, që të mos krijojnë pritje për çështje të caktuara që do të ndodhin në një kohë të caktuar, nuk kemi parë ndonjë letër me të cilën parlamenti evropian voton, të ketë ardhur në parlament”, tha ai.

Udhëheqës të institucioneve të Kosovës kanë përsëritur pritjet që deri në fund të këtij viti do të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës, pasi që sipas tyre, janë përmbushur të gjitha kushtet.

Një ditë më parë, kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila priti nw Berlin presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, bëri thirrje për më shumë përparim në Kosovë në luftën kundër krimit e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Javën e kaluar, në Kosovë qëndroi një ekip faktmbledhës i Bashkimit Evropian, për të të vlerësuar punën e institucioneve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që është njëri nga kriteret për përfshirjen e Kosovës në regjimin e udhëtimit pa viza në Bashkimin Evropian. Ekipi për dy ditë me radhë u takua me institucionet përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit, posaçërisht për të vëzhguar rastet e shënjestëruara.

Autoritetet thonë se po bëjnë përpjekje që nëpërmjet ndryshimeve në Kodin Penal të forcojnë lutën kundër korrupsionit, duke ashpërsuar masat. Por, këto masa sipas vëzhguesve nuk janë të mjaftueshme pasi që sipas tyre vendi ka ligje të mira kundër dukurive negative, por, mungesa e vullnetit politik dhe ndërhyrja në sistemin gjyqësor po e pamundësojnë luftën e vërtetë posaçërisht kur bëhet fjalë për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.

Kryeministri i Maqedonisë me bashkëshorten vizitojnë në shtëpi Haradinajn

PRISHTINË – Kryeministri i vendit, Zoran Zaev i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Zorica Zaev, ka realizuar një vizitë sot në Kosovë.

Vizita e Zaevit nuk ka qenë zyrtare, ai është takuar vetëm me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj në shtëpinë e këtij të fundit.

“Bashkë me Aniten, mirëpritëm në shtëpinë tonë mikun dhe homologun tim maqedon, Zoran Zaev, me bashkëshorten e tij, Zorica, me dëshirën që miqësia jonë të reflektojë në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë”-ka shkruar Haradinaj në Facebook.
zaev-haradinaj
(BalkanWeb)

Shpend Ahmeti zgjidhet kryetar i PSD-së

Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Partisë Socialdemokrate të mërkurën zgjodhi me shumicë votash kryetar Shpend Ahmetin, nënkryetar Visar Ymerin dhe sekretare të përgjithshme Aida Dërgutin.

Shpend Ahmeti ka qenë zyrtari i lartë në Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryetar aktual i komunës së Prishtinës.

Presidenti Thaçi vizitë zyrtare në Gjermani

Thaçi nesër do të pritet në takim bilateral nga kancelarja Merkel, ku do të bisedohet për tema të ndryshme të interesit të përbashkët

PRISHTINË – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me ftesë të kancelares së Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel, ka udhëtuar sot për një vizitë zyrtare në Berlin.

Në një njoftim nga Presidenca e Kosovës thuhet se në kryeqytetin gjerman, Thaçi nesër do të pritet në takim bilateral nga kancelarja Merkel, ku do të bisedohet për tema të ndryshme të interesit të përbashkët.

Në këtë takim, sipas njoftimit, do të bisedohet për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy shteteve, për rritjen e shkëmbimit ekonomik dhe bashkëpunimin në fusha të tjera.

“Presidenti Thaçi do të kërkojë mbështetjen e kancelares Merkel për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, dinamizmin e perspektivës evropiane, si dhe vazhdimin e mbështetjes në fazën e fundit të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, – thuhet në njoftim.

Gjatë qëndrimit në Berlin, presidenti i Kosovës pritet të zhvillojë takime me përfaqësues të institucioneve të ndryshme në Gjermani. aa

Nunn: Miqësia ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së të jetë e përhershme

Delegacioni prej 50 anëtarësh nga Iowa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kuvendin e Kosovës

Një delegacioni prej 50 anëtarësh nga Iowa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po qëndron në Kosovë.

Delegacioni i kryesuar nga Zach Nunn, përfaqësues në Komitet për Marrëdhënieve Ndërkombëtare nga Iowa dhe Timothy Orr, gjeneral i Gardës Kombëtare të Iowa-s, zhvilluan takime në Kuvendin e Kosovës, me kryetarin e këtij institucioni, Kadri Veseli si dhe me disa komisione parlamentare.

Veseli tha se Iowa ka luajtur rol të rëndësishëm në gjithë procesin e shtetndërtimit të Kosovës.

“Në këtë sallë para 10 vitesh, Kosova, shtëpia e juaj e dytë, shpalli pavarësinë e vet. Historia e pavarësisë që sjell 17 shkurtin e vitit 2008 është plot dhimbje e lavdi për popullin tonë, janë më shumë se 100 vjet përpjekje e brezave për liri e pavarësi, një ideal që nuk u shua për asgjë”, theksoi Veseli gjatë një fjalimi para këtij delegacioni.

Shteti i Kosovës është realitet, theksoi Veseli, sipas të cilit, për një dekadë pavarësi dhe dy dekada liri, Kosova ka bërë hapa gjigantë në konsolidimin e institucioneve të qëndrueshme.

“Po ndërton gradualisht një shtet ligjor ku secili qytetar është i barabartë. Këto nuk janë vetëm meritë e jona, janë kontribut i miqve tanë ndërkombëtarë, është kontribut i secilit prej jush që na keni ndihmuar për arsim cilësor, ushtri profesionale”, theksoi Veseli.

Ndërkaq, kryesuesi i delegacionit nga Iowa, Zach Nunn rikujtoi angazhimin dhe ndihmën e Iowa-s për Kosovën. Ai tha se ky bashkëpunim duhet të jetë i përhershëm.

“Është mirë kur shoh se sa keni përparuar. Ne duam të jemi partner i juaj. Kosova ka bërë partneritet me ne dhe se ne kemi edhe konsullatën tuaj atje me çka janë vendosur marrëdhëniet edhe më të forta reciproke”, tha Nunn. Ai sqaroi se nga delegacioni prej 50 anëtarëve që po vizitojnë Kosovën, shumica kanë ardhur me vetëfinancim me dëshirën që bëjnë diçka në të mirë të Kosovës dhe bashkëpunimit të ndërsjellë.

Delegacioni nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka në agjendë edhe vizita e takime tjera me përfaqësues dhe institucione të Kosovës.

Vizat, integrimi dhe njohjet, ekspertize nga Suedia per Kosoven Nga Arben Vata, Stockholm

Good Government affairs, nje dere europiane e hapur per shqiptaret

 

Ndërsa Kosova është në momente vendimtare sa i takon procesit të liberalizimit të vizave me vendet e hapësirës Shcengen, dhe gjithashu në përpjekje për të shkuar më tej në rrugën e nisur për tju bashkëngjitur familjes së vendeve europiane, BE, nga Suedia vjen një lajm i mirë vjen për gjithë shqiptarët e Kosovës. Good Government Affairs, (GGA), me qendër në Stockholm ka ofruar mbështetjen e saj për qeverinë e Kosovës, duke premtuar bashkëpunim dhe ekspertizën më të kualifikuar për arritjen e këtyre qëllimeve vitale për shqiptarët. Lena Bäcker, njëra nga themeluesit e kësaj kompanie është tejet e vendosur dhe optimiste për të punuar shpejt dhe fort me qeverinë në Prishtinë për të arritur këto objektiva madhore. “Koha është pikërisht tani dhe jo më vonë”, thotë zonja Bäcker ndërsa shton se nëpërmjet Strategjisë së Ballkanit Perëndimor të Komisionit Evropian, një derë është hapur pak për Kosovën. “Ne në GGA mund të ndihmojmë që ta vendosim një këmbë në këtë derë për Kosovën dhe kështu kjo derë nuk do të mbyllet përsëri. Ne duam të mbështesim Kosovën për të forcuar imazhin dhe njohjen ndërkombëtare për Kosovën, për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e saj në BE”, vijon zonja Bäcker, e cila është e entuziazmuar nga takimet që ka pasur në Kosovë me autoritetet, por edhe qytetarë të thjeështë dhe të rinj, që sipas saj janë të etur për Europën dhe vlerat e civilizimit të saj. E dashuruar vërtetë jo vetëm me bukuritë natyrore por edhe me karakterin e veçantë të popullit shqiptar, Bäcker këmbëngul se Kosova nuk ka kohë për të humbur, pasi imazhi që egziston në botë për Kosovën nuk është ashtu sikurse shumë prej nesh e mendojmë. Bota ende ka të ngulitura në mendje pamjet e masakrave të regjimit të Sllobodanit mbi popullsinë civile dhe imazhet e bombardimeve. “Kosova është ende mjaft e panjohur dhe shumë njerëz e mendojnë vendin siç ishte 20 vjet më parë. Ata ende mendojnë se Kosova është në luftë”, thotë me keqardhje Bäcker.

Po çfarë është Good Government Affairs, (GGA) dhe cilat janë format me të cilat synohet të mbështeten përpjekjet e Kosovës për prosperitet?

Good Government Affairs, (GGA) ose Qeveria e Punëve të Mira, është një kompani me bazë në Suedi në përbërje të së cilës janë ish ministra, zëvëndësministra, drejtorë të përgjithshëm të korporatave të njohura, ekspertë të fushave të ndryshme që ndihmojnë qeveritë nëpër botë për të krijuar një rritje të fortë dhe të qëndrueshme për vendet e tyre. Falë kapaciteteve dhe lidhjeve që kanë anëtarët e këtij bordi, GGA ka mundësinë të bashkëpunojë me Komisionin Evropian, Bankën Botërore, FMN, OKB, USAID, OECD, Bankën e Zhvillimit, IDEA dhe Sida.

“Ne po punojmë me integritetin më të lartë. Qëllimi ynë është të mbështesim rritjen dhe zhvillimin afatgjatë në Qeveri. Ne besojmë se njohja e praktikave më të mira dhe përvoja e dëshmuar është çelësi i reformës së suksesshme. Kjo është arsyeja pse ne hyjmë në një rrjet të individëve me kualifikim të lartë që kanë mbajtur pozitat më të larta të qeverisë për të identifikuar, korrigjuar dhe ndihmuar zbatimin e praktikave më të mira brenda qeverisë. Përvoja jonë kolektive dhe rrjeti shtrirë, në Suedi dhe jashtë vendit, të fituara përmes karrierave emocionuese dhe sfiduese, na lejojnë të jemi vizionarë në çështje me të cilat përballen qeveritë sot. Vizioni ynë është të ndihmojmë në zhvillimin dhe të kuptuarit se si një ekonomi e re mund të ndikojë në kushtet e suksesit afatgjatë. Ne jemi të bindur se suksesi bazohet në një kombinim të njohurive strategjike, ekspertizës dhe aftësisë për të analizuar sfidat dhe nevojat. Së bashku ne kemi një përvojë unike dhe të kualifikuar në dhënien e konsultimit të nivelit të lartë. Kompania jonë gjithashtu merret edhe me bashkëpunimin e ndërsjelltë të nivelit të lartë si dhe sa i takon investimeve midis qeverive dhe vendeve të ndryshme”, shpjegon zonja Lena Bäcker.

Nga takimet e zhvilluar kohët e fundit në Kosovë, vihet re se ka nevojë për ndihmë dhe ekspertizë nga BE dhe GGA lidhur me investimet, mbështetjen në sektorin e arsimit dhe edukimit, minierave, energjisë, bujqësisë, privatizimit të kompanive publike, rritjen e aftësisë së parlamentit sa i takon Integrimit Evropian, përmirësimin e kapaciteteve qeverisëse në nivel qendror dhe lokal, po ashtu ndihmë në fushën e legjislacionit dhe rishikimin e ligjeve, parandalimin e krimit, reformën në arsim dhe shëndetësi, bashkëpunimin rajonal, etj. Për të realizuar plotësimin e këtyre objektivave, kërkohen takime intensive me BE, UN, UNESCO, OSCE, Interpol, OECD, OBT, FMN, Banka Botërore, etj, takime që do të merren përsipër nga një ekip expertësh që do të punojnë posaçërisht për Kosovën.

Në përbërje të këtij grupi janë :

– Walburga Habsburg Douglas ish-Princesha dhe deputete e parlamentit suedez. Ajo është vajza e Otto Von Habsburg, princit i fundit i kurorës së Mbretërisë Austro-Hungareze, që sikurse njihet nga historia ka pasur një rol vendimtar për pavarësinë e shqiptarëve në vitin 1912.

– Mats Hellström Ministër i Suedisë për 10 vjet, në postet e Ministrit të Tregtisë së Jashtme, Ministrit të Bujqësisë, Ministritë të Punëve të BE-së, Ministrit të Bashkëpunimit Nordik, Deputet për 27 vjet si Kryetar i Komitetit të Jashtëm, Ambasadori i shtetit Suedez në Gjermani si dhe Guvernator i Stokholmit.

– Roger Mörtvik ish zëvendësministri i arsimit të Suedisë. Aktualisht, Kryetari i kërkimeve shtetërore për arsimin e të rriturve.

– Aurora Pirraku Eriksson, master në lidership dhe kriminalistikë, kryetare e socialdemokratëve për Besim dhe Solidaritet në rajonin Västmanland dhe anëtare e bordit së këtij formacioni në rang kombëtar. Në një botim për shqiptarët e Suedisë, roli i saj është cilësuar model sa i takon ndihmës së dhënë për shqiptarët në procesin e vështirë të integrimit në Suedi.

– Lena Bäcker ish Drejtoreshë ligjzbatuese (Përmbarimit) të Suedisë. Ajo ka qenë përgjegjëse për të ndjekur pjesën suedeze të paketës ndërkombëtare të shpëtimit në “Taskforce for Greece”. Ajo është ngarkuar gjithashtu me detyra të larta qeveritare në vende të ndryshme në Evropë, Lindjen e Mesme, BE, FN, OECD, etj.

Me qëllim përshpejtimin e proceseve integruese dhe zhvillimin e Shqipërisë, në Tiranë është nënshkuar një kontratë me GGA.

 

Gjendet trupi i pajetë i policit të dytë të zhdukur në Lepenc

Pamje nga kërkimet për policët e zhdukur

Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka njoftuar se ka gjetur trupin e pajetë, të policit Armend Trena, në lumin Lepenc.

“Njësitë e kërkim shpëtimit të FSK-së, Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Emergjenca sot në orën 16:50, në kilometrin e 6-të (në hyrje të Hanit të Elezit) nga vend i aksidentit në lumin Lepenc, kanë gjetur trupin e pajetë të policit Armend Trena”, thuhet në njoftim.

Policët Armend Trena dhe Malsor Dashi kishin rënë më 28 prill në lumin Lepenc, teksa po udhëtonin me veturën zyrtare në magjistralen Hani i Elezit-Kaçanit.

Trupi i pajetë i policit Malson Dashit është gjetur ekipet e zhytësve dhe vullnetarëve më 3 maj.

Shala: “Cili ishte amerikani që i kërkoi Kosovës të mos hyjë në luftë në vitin 1991”

Blerim Shala thotë se më 1991 ka pasur rrezik real për nisjen e luftës edhe në Kosovë. E gjithë kjo thotë se nuk ndodhi për shkak të bisedimeve intensive mes Kosovës dhe SHBA-së.

“Unë jam i sigurt që sot nuk do të kishim diskutuar fare në Prishtinë sikur Kosova ta kishte filluar luftën në vitin 1991. Për fatin tonë të madh kemi pasur një udhëheqësi shumë të matur në atë kohë me Ibrahim Rugovën si lider të LDK-së. Nuk ka qenë vetëm Rugova mund të them se ka qenë një elitë politike shumë ma e matur shumë ma e pjekur dhe komunikimi jonë me Amerikën ka qenë intensiv’, thotë Shala.

Siç shkruan “INA”, ai ka shpjeguar se: “Mbi të gjitha ka qenë me rëndësi se ne kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me SHBA-të. Më kujtohet kur erdhën 7 senatorët në Kosovë, ka qenë gushti i vitit 1990. Kanë qenë Bob Doll, Alfonso D’Amato dhe senatorë të tjerë dhe D’Amato ishte i afishuar në atë kohë si një senator më pro shqiptarë se gjithë të tjerët”.

“D’Amato ishte brutalisht i qartë. Porosia ime dhe e Amerikës është: Nuk bëni të luftoni. Nuk bën të hyni në luftë sepse do të iu shfarosin si popull”, tregon Shala.

Thaçi dekreton Ligjin për ratifikimin e demarkacionit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dekretoi Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Dekretimi i këtij ligji pasoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ditë më parë ka vlerësuar se ratifikimi i Marrëveshjes për kufirin shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, nuk ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, duke u bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, ka dekretuar shpalljen e Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Ky dekret ka hyrë sot në fuqi, pas nënshkrimit nga presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga Zyra e presidentit të Kosovës.

Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi ishte ratifikuar në mars të këtij viti, në Kuvendin e Kosovës.

Platforma për finalizimin e dialogut me Serbinë nis të shqyrtohet në Kuvend

Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike shqyrton Projekt Platformën shtetërore për finalizimin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

Kjo platformë ditë më parë është dërguar nga Qeveria në Kuvend, ku mandaton presidentin Thaçi t’i udhëheqë negociatat.

Kjo platformë me një faqe e gjysmë tekst, e cila përmban nëntë pika, parasheh që dialogu të përmbyllet me njohje reciproke.

Qeveria thotë se e ka miratuar këtë platformë, duke qenë e përkushtuar për të ndërtuar paqe në rajon, për marrëdhënie të mira fqinjësore me shtetet e rajonit dhe duke rikonfirmuar se Kosova respekton marrëveshjet ndërkombëtare.

Me këtë platformë, Kosova insiston që dialogu të mbyllet me Marrëveshje ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme, përmes së cilës duhet të ketë njohje reciproke mes dy shteteve. Aty Presidenti autorizohet të zhvillojë bisedimet për arritjen e Marrëveshjes ligjore.

Ky është dokumenti i plotë:
Duke qenë të përkushtuar për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme në rajon dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha shtetet e rajonit,

Duke marr parasysh unitetin politik që ekziston në Kosovë për anëtarësimin e shpejtë të Kosovës në OKB, në Bashkimin Evropian dhe në Paktin NATO.

Duke rikonfirmuar se Republika e Kosovës respekton marrëveshjet ndërkombëtare dhe duke njohur rëndësinë e zbatimit të tyre në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe vendimet e saj;

Qeveria e Republikës së Kosovës, ka miratuar propozimin për Platformën shtetërore për finalizimin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve, e cila i procedohet Kuvendit të Republikës së Kosovës për shqyrtim të mëtejshëm:

Platforma shtetërore
Për finalizimin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve

Kuvendi i Republikës së Kosovës insiston që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me një Marrëveshje ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme, përmes së cilës duhet të ndodhë njohja reciproke ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Kuvendi i Republikës së Kosovës vlerëson se nënshkrimi i Marrëveshjes ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, do të mundësojë normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve fqinje, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial.

Kuvendi i Republikës së Kosovës mbështetë fuqishëm rolin lehtësues të BE-së dhe përkrahjen e SHBA-së për arritjen e Marrëveshjes ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme, si dhe garantimin e zbatimit të tërësishëm të saj.

Kuvendi i Republikës së Kosovës vlerëson se Marrëveshja ligjore ndërkombëtarisht e obligueshme do t’i mundësojë Republikës së Kosovës anëtarësimin në OKB, dhe në të gjitha organizatat tjera relevante ndërkombëtare në të cilat nuk është anëtarësuar.

Kuvendi i Republikës së Kosovës vlerëson që Marrëveshja ligjore ndërkombëtarisht e obligueshme do ta përshpejtojë thelbësisht procesin e anëtarësimit të Kosovës në Paktin NATO dhe në BE.

Kuvendi i Republikës së Kosovës konfirmon që Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Delegacioni i Kosovës që do të krijohet në koordinimin me të gjithë spektrin politik, në respektim maksimal të unitetit politik në vend, janë të autorizuar të zhvillojnë bisedimet për arritjen e Marrëveshjes ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme.

Delegacioni i Kosovës në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, në bazë të rrethanave dhe nevojave që do të kërkohen prej BE-së do të mund të përfaqësohen edhe nga përfaqësuesit e tjerë të institucioneve të Kosovës.

Presidenti i Republikës së Kosovës obligohet që t’i raportojë në baza të rregullta Kuvendit të Kosovës, për rrjedhat e dialogut në mes të Delegacioneve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Kuvendi i Republikës së Kosovës është autoritetit suprem i cili do të ratifikojë Marrëveshjen ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Gjendet trupi i pajetë i njërit nga policët e zhdukur në Lepenc

Ekipi i zhytësve nga Kosova, bashkë me vullnetarë të tjerë, tashmë kanë gjetur njërin nga dy trupat e pjesëtarëve të policisë, të cilët kanë rënë në lumin Lepenc.

Policia e Kosovë ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se njëri nga policët është gjetur në lumë.

Agim Gashi, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, tha se trupi u gjet në kilometrin e pestë nga vendi ku ka ndodhur aksidenti në drejtim të komunës së Hanit të Elezit.

Në një komunikatë për media nga Forca e Sigurisë së Kosovës, thuhet se “njësitë e kërkim-shpëtimit të FSK-së, Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Emergjenca, në kilometrin e pestë nga vendi i aksidentit, kanë gjetur trupin e pajetë të policit Malsor Dashi”.

Dy policët, Malsor Dashi e Armend Trena, mesnatën e së shtunës janë përfshirë në një aksident në magjistralen Kaçanik-Han i Elezit.

Ura në Mitrovicë pritet të hapet për qarkullim brenda një muaji

Arton Konushevci

Ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, e cila ndodhet në mes të dy komunave të qytetit, asaj jugore edhe veriore, vazhdon të jetë e bllokuar për qarkullim. Por, të paktën sipas autoriteteve lokale atje, pritjet janë që hapja e urës për qarkullim të ndodhë qysh muajin e ardhshëm.

Autoritetet lokale thonë se ende janë duke u kryer punë, derisa ura të jetë gati për lëvizjen e automjeteve.

Kryetari i Komunës së jugut në Mitrovicë, Agim Bahtiri, tha për Radion Evropa e Lirë se aktualisht nuk ka ndonjë pengesë tjetër për funksionalizimin e kësaj ure, përveç punëve të cilat pritet të përfundojnë së shpejti në pjesën veriore të qytetit.

Ai tha se në fillim të muajit qershor, të dy kryetarët e komunave, bashkë me një përfaqësues të Bashkimit Evropian i cili është financues i projektit, do të bëjnë zyrtarisht hapjen e urës.

“Mendoj se punët janë duke shkuar mbarë e mirë dhe do të përpunojnë në këtë muaj. Në muajin e ardhshëm do të bëhet hapja e urës”, tha Bahtiri.

Ai ka hedhur poshtë pohimet se punimet në urë po vonohen për shkak të ndikimit nga ana e Serbisë dhe dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në Qeverinë e Kosovës, thonë se ekziston një vullnet dhe gatishmëri e madhe që sa më parë ura mbi lumin Ibër të jetë funksionale.

“Për ne si Qeveri e Kosovës ekziston një vendosmëri e mirëfilltë që kjo urë të funksionalizohet sa më shpejt, që lëvizja e lirë e qytetarëve të ndodh dhe presim nga Brukseli si garantues i kësaj marrëveshjeje, që të ushtrojë presion mbi Serbinë që të ndodh funksionalizimi i saj”.

“Mund të ketë edhe punë të tjera teknike të cilat nuk kanë përfunduar, por lëvizja e lirë e njerëzve jo vetëm brenda për brenda një territori të shtetit të pavarur, por lëvizja e lirë e njerëzve në një kontekst global është mëse e rëndësishme, prandaj një pengesë e tillë duhet të mënjanohet sa më shpejtë”, tha për Radion Evropa e Lirë zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj.

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, mendon se Serbia është ajo e cila po vonon dhe bllokon funksionalizimin e urës në Mitrovicë. Sipas saj, për rifunksionalizimin e urës duhet t’i vihen kushte Serbisë.

“Hapja e urës është e bllokuar nga Serbia, siç është e bllokuar edhe energjia, kadastrat, diplomat dhe shuarja e strukturave paralele në shëndetësi dhe në arsim. Serbia i ka bllokuar këto, ndërkohë që Kosova ka filluar hartimin e statutit të Asociacionit. Tani, Kosova duhet t’i kërkojë Bashkimit Evropian që Serbisë t’i jap një agjendë kohore kur do ta zbatojë marrëveshjen për energjinë dhe marrëveshjet e tjera. Pra, pala e Kosovës, duhet të angazhohet maksimalisht”, tha Tahiri për Radion Evropa e Lirë.

Lidhur me ketë çështje, zyrtarët nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovës nuk kanë dhenë një përgjigje se kur mund të lirohet tërësisht për qarkullim ura mbi lumin Ibër.

Në pjesën veriore të Mitrovicës, sipas autoriteteve lokale, po vazhdojnë punimet në kuadër të ndërtimit të zonës së re urbane tek ura mbi lumin Ibër dhe hapësira përreth.

Punimet e reja, pasuan rrënimin e murit në këtë pjesë, i cili ishte ndërtuar ilegalisht nga autoritetet lokale të Mitrovicës veriore.

Ndërtimi i tij pati nxitur reagime të ashpra në Prishtinë.

Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës i patën dhënë një muaj afat komunës veriore të Mitrovicës që ta rrënonte murin, para se të ndërmerreshin hapa ligjor. Nisur nga situata që ishte krijuar, ky mur ishte rrënuar, në bazë të një marrëveshje të arritur ndërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në kuadër të Qeverisë së Kosovës dhe kryetarit të Komunës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq.

Tani, konstruksioni i ri, përbën një ndërtim betoni prej 53 metra të gjatë, kurse lartësia do të jetë nga 40 deri në 70 centimetra.

Aktivisti i Vetëvendosjes Egzon Balaj arrestohet në kufirin me Shqipërinë

Arrestohet aktivisti i Vetëvendosjes Egzon Balaj. Lajmi është konfirmuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Arrestimi ka ndodhur në kufirin me Republikën e Shqipërisë.

Vetëvendosje njofton se ai është dërguar menjëherë në paraburgim kurse i është thënë se arrestimi i tij është për shkak të pjesëmarrjes në një aksion të vitit 2015.

“Pushteti është duke vazhduar përndjekjen e aktivistëve derisa është krejt i pazotë përballë keqbërësve më të mëdhenj të vendit. Aktivistët e VETEVENDOSJE!-s dhe aksionet e organizatës gjithmonë janë në mbrojtje të së mirës publike. Asnjë gjyqi as policie nuk do të duhej t’i pengonte kjo. Sistemi gjyqësor e ka humbur orientimin duke e përndjekur VETËVENDOSJE!-n ose duke mbushur burgjet me njerëzit më të përjashtuar dhe të varfër e ndërkohë duke i mbyllur sytë krejtësisht para krimit e korrupsionit”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Të larguarit nga lëvizja Vetëvendosje, me subjekt të ri politik

Grupi i Deputetëve të Pavarur, të larguar nga lëvizja Vetëvendosje thanë të martën se kanë hedhur hapat e parë për krijimin e një subjekti të ri politik.

Deputeti i këtij grupi, Visar Ymeri, shpalosi një deklaratë, që siç tha, është pikënisje për mënyrën e themelimit të subjektit të ri. Zoti Ymeri tha se deklarata përmbledhë pikënisjet ideore, synimet dhe strategjinë publike për angazhimin politik. Ai tha se ende nuk është vendosur për emrin e subjektit të ri, i cili pritet të ketë drejtim social demokrat.

“Qëllimi parësor i yni është avancimi i angazhimit publik për zhvillim shoqëror dhe shtegdalja nga një dekadë e keq-qeverisjes shtetërore”, tha ai duke shpalosur mënyrën se si subjekti i ri e sheh të ardhmen e vendit.

“Ne besojmë se liria është edhe kolektive edhe individuale, por angazhohemi njëkohësisht që këtë liri ta realizojmë si një shtet që është bashkësi qytetarësh i cili ka sovranitet popullor, që është shoqëri plurale dhe solidare e që kushtëzon e mirëmbanë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik që prodhon drejtësi e barazi sociale te pjesëtarët e vet”, tha ai.

Zoti Ymeri tha se subjekti i ri do të angazhohet për siç tha një sistem politik e ekonomik i cili as nuk diskriminon e as privilegjon.

“Ne e pranojmë domosdoshmërisht konceptin e ekonomisë së tregut por njëkohësisht jemi të vetëdijshëm se ai e ka aftësinë e kufizuar që të krijojë bazë materiale e cila mundëson mirëqenien shoqërore dhe njëkohësisht nëse shoqëria dhe ekonomia vendosen nën diktatin e tregut atëherë shpërndarja dhe ri-shpërndarja e pasurisë pamundësohet dhe kështu krijohen anomaly shoqërore”, tha zoti Ymeri.

Grupi i Deputetëve të Pavarur përbëhet nga 12 deputetë në Parlamentin e Kosovës. Të gjithë këta kanë dhënë dorëheqje gjatë disa muajve të fundit nga strukturat e lëvizjes Vetëvendosje. Ata nuk përjashtuan bashkëpunimin me lëvizjen Vetëvendoje, në pikat që siç thanë mund t’i bashkojnë

Largimi i deputetëve pasoi krizën në lëvizjen Vetëvendosje, Pas publikimit të bisedave private të disa deputetëve të Vetëvendosjes në të të cilat ishte përvijuar edhe një shprehje fyese për themeluesin e lëvizjes, Albin Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje u themelua në vitin 2004 nga Albin Kurti. Deri në vitin 2010 kur u përfshi për herë të parë në zgjedhjet për pushtetin qendror, kjo lëvizje nëpërmjet protestave dhe aksioneve kishte kundërshtuar misionet ndërkombëtare në Kosovë dhe qeverinë e vendit.

Në zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit të vitit të kaluar, Vetëvendosje arriti të fitojë 32 vende në parlamentin e Kosovës duke u bërë subjekti i parë në Kosovë ndërsa në zgjedhjet për pushtetin komunal fitoi tri komuna përfshirë dy kryesoret Prishtinën dhe Prizrenin.

Dorëheqjet e lanë atë me 19 deputetë, duke e radhitur si forcën e tretë politike në parlamentin e Kosovës.

Mbledhja e parë për Asociacionin mbahet në veri

Strukturat administrative të katër komunave veriore të Kosovës do t’i ofrojnë mbështetje Ekipit menaxhues për formimin e Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Pajtimi për një gjë të tillë është arritur në mbledhjen e Ekipit menaxhues me kryetarët e katër komunave të veriut të Kosovës dhe dekanin e Fakultetit Juridik të Universitetit që funksionon në veri të Mitrovicës.

Vinka Radosavljeviq, koordinatore e Ekipit menaxhues, përmes një komunikate për medie, ka bërë të ditur se ky ekip ka mbajtur sot mbledhjen e parë me ekspertët ligjor të fushës së vetëqeverisjes lokale.

“Ekipi menaxhues do ta bazojë punën e tij vetëm mbi bazën e marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut në Bruksel, ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, duke respektuar Kartën evropiane për vetëqeverisjen lokale dhe principet dhe vlerat tjera demokratike evropiane të kësaj fushe”, ka deklaruar Radosavljeviq.

Në komunikatë gjithashtu është thënë se në përputhje me kompetencat dhe mandatin e punës, Ekipi menaxhues do të konsultohet me përfaqësuesit e OSBE-së, lidhur me punën e mëtejme, si dhe me instancat kompetente të institucioneve në Prishtinë.

“Raportet Kosovë-Arabi Saudite mund të zgjerohen me bashkëpunim ekonomik”

Haradinaj ka konfirmuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të krijuar kushte të përshtatshme për investime strategjike, që do të ndihmonin, sipas tij, zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës

PRISHTINË – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim një delegacion të Këshillit të Odave Saudite, si dhe përfaqësues të bizneseve të ndryshme nga Arabia Saudite, të kryesuar nga Khalid Abdulrahman AL Othman.

Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës bëhet e ditur se kryeministri Haradinaj gjatë takimit ka thënë se Kosova është vend i sigurt dhe i hapur për investime të huaja.

Sipas njoftimit, duke falënderuar delegacionin për gatishmërinë e shprehur për bashkëpunim, Haradinaj ka konfirmuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të krijuar kushte të përshtatshme për investime strategjike, që do të ndihmonin, sipas tij, zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

“Republika e Kosovës me Arabinë Saudite ka raporte korrekte bilaterale të cilat mund të zgjerohen në bashkëpunim ekonomik”, është shprehur Haradinaj.

“Kosova ka potenciale të mëdha për të pranuar investime direkte. Ne kemi krijuar ambient të përshtatshëm për investitorët e huaj, kemi resurse njerëzore, fuqi të re punëtore dhe të profilizuar si dhe kushte të volitshme për sa i përket legjislacionit në fushën e të bërit biznes”, ka shtuar ai.

Në njoftim thuhet se takimi me investitorët dhe biznesmenët nga Arabia Saudite është në vazhdën e përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për të dhënë mesazhin se Kosova po bëhet një treg atraktiv ku mund të investohet në shumë fusha. aa

Kalimi në sistemin presidencial forcon sovranitetin e shtetit! – Nga Florim Zeqa

Sistemi Presidencial dhe zgjedhja e presidentit të shtetit drejtëpërdrejt nga populli (ide e kamotshme e presidentit historik Ibrahim Rugova) do t’u jepte fund bllokadave paszgjedhore dhe mënyrës së kontrabandimit të postit të presidentit të shtetit nga partitë politike.

Reforma e ashtuquajtur zgjedhore e filluar në vitin 2010, e bllokuar nga qeveritë e kaluara dhe e harruar së fundmi nga pushtetarët aktualë duhet të ri-inicohet nga deputetët e kësaj legjislature për të shpëtuar vendin nga katandisja e mëtutjeshme.
Ndryshimi i Kushtetutës, përkatësisht ligjit dhe akteve nënligjore që mundësojnë reformën e mirëfilltë zgjedhore për kalimin nga sistemi parlamentar në atë presidencial, përveqse imperativ i ngutshëm kohorë, ka si mbetur e vetmja zgjidhje për nxjerrjen e vendit nga kolapsi i një sistemi të dështuar qeverisës 19 vjeçarë
Ngjashëm, sikurse zgjedhja e presidentit nesër, zgjedhja e kryetarëve komunal me votë të drejtëpërdrejtë nga populli, është modeli më i mirë i kalimit në sistemin presidencial.
Sistemi presidencial paraqet çelësin e evitimit të ngërçeve politike dhe krizave artificiale paszgjedhore të paraqitura në mënyrë serike në Kosovën e pasluftës!
Sistemi presidencial automatikisht krijon premisat e dy blloqeve të forta parazgjedhore, respektivisht bipolarizimin e skenës politike, gjegjësisht krahun e djathtë dhe të majtë apo krahun e qëndres së djathtë kundrejt krahut majtist (social, socialdemokrat, pse jo dhe komunist të qëndres së majtë).
Përderisa në sistemin parlamentar mundësia e manipulimit me zgjedhjet është jashtëzakonisht e madhe, në sistemin presidencial zvogëlohet në minimum ajo mundësi, pasi vota e sovranit (qytetarit) është vendimtare në përcaktimin e kaheve qeverisëse të vendit.

Sistemet presidenciale janë forma të paraqitjes së demokracisë reprezentative që dallohen nga sistemet e regjimit parlamentarë, pasi që tek këto forma fuqia politike mbi anën ekzekutive nuk paraqitet nga parlamenti por nga presidenti i shtetit të pavarur i cili është (do të jetë) edhe komandant suprem i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.

E veçanta e sistemit presidencial është zgjedhja e presidentit nga ana e popullit. I zgjedhuri e lidhë në vete funksionin e kryetarit të shtetit dhe të kryetarit të regjimit dhe nuk mund të shkarkohet nga këto detyra nga ana e parlamentarëve, pasi nuk ka veto parlamentare në këto sisteme qeverisëse.

Presidenti edhe pse nuk ka të drejtë iniciative për nxjerrjen e ligjeve, e ka të drejtën e vetos kundër parashtrimit të ligjit nga ana e parlamentarëve. Asnjë anëtarë i anës ekzekutive nuk ka drejtë të i takojë anës legjislative të sistemit në të njëjtën kohë.
Presidenti është fuqiplotë në anën ekzekutive dhe kontrolluese të institucioneve shtetërore.

Modeli francez i sistemit presidencial, i përshtatshëm për Kosovën

Parlamenti i Francës është legjislaturë dydhomëshe e formuar nga Asambleja kombëtare (Assemblée Nationale) dhe Senati. Deputetët e Asamblesë Kombëtare zgjedhen me votë për një mandat 5 vjeçar. Asambleja ka fuqi që të shpërbëjë kabinetin, kështu që shumica në Asamble vendosin për zgjedhjen e Qeverisë.
Senatorët zgjedhen nga një komision zgjedhor për një mandat 6 vjeçar , dhe gjysma e ulëseve vendosen me zgjedhje çdo 3 vjet. Fuqitë legjislative të Senatit janë të kufizuara; në një mosmarrëveshje midis dy dhomave, Presidenti i Francës, i cili njëkohësisht është dhe President i Shoqëris Franceze, i zgjedhur nga populli, me shumicën e tij.
Po që se në përzgjedhjen e parë, kandidatët nuk e arrijn shumicën, atëherë për përzgjedhjen e dytë nxirren vetëm kandidatët që kanë fituar shumicën nga përzgjedhja e parë.
Presidenti është kryetar i shtetit, është gardian i kushtetutës dhe e siguron aktivitetin e punëve publike dhe kontinuitetin e shtetit nëpërmjet fjalës gjykuese të tij.
Presidenti në marrëveshje me kryetarin e këshillit të ministrave (kryeministrin) dhe kryetarin e parlamentit (kryeparlamentarin)- mund të shpërbëjë parlamentin. Presidenti është kryekomandant i forcave të armatosura, kryeson marrëveshjet dhe kontratat ndërkombëtare dhe në raste të gjendjes së jashtëzakonshme është me fuqi plotë në gjitha aspektet pa kufizim.

Funksionimi i parlamentit në sistemin presidencial

Modeli francez i sisteminit presidencial qeverisës, i adaptuar për rrethanat e Kosovës do të ishte model i suksesshëm, i cili do të garantonte stabilitet politik dhe mirëqeverisje të vendit.
Përfaqësimi në parlament bëhet sipas fuqisë elektorale, e jo si deri më tani (me kontrabandim të deputetëve në Kuvend). Kompetencat ekzekutive i merr presidenti bashk me politikën e jashtme, ndërsa kryeministri merret më shumë me çështjet e brendshme organizative, si; Ministrinë e Punëve të Brendshme, pastaj Ministrinë e Arsimit, të Shëndetësisë, Kulturës , etj.
Sistemi presidencial garanton më shumë stabilitet qeverisës dhe pavarësi më të madhe për institucionet e pavarura në vend; si bie fjala; sistemin e drejtësisë (pavarësimin e plotë të prokuorive dhe gjykatave,…si dhe ajo çka është më kryesorja garanton pavarësi më të gjërë të institucioneve shtetërore edhe në raport me bashkësinë ndërkombëtare, gjegjësisht përfaqësitë diplomatike të akredituara në vendin tonë.

Republika Parlamentare, dështim i demokracisë

Sisemi parlamentar, gjegjësisht Republikat parlamentare nuk janë treguar të suksesshme në zgjidhjen e krizave politike paszgjedhore shkaku i polarizimit të skajshëm të skenës politike.
Probleme të kësaj natyre janë shfaqur dhe po vazhdojnë të manifestohen kriza të thella paszgjedhore edhe në shtetet më të zhvilluara si; Gjermania, Italia, etj,…e të mos flasim për Kosovën me një demokraci të brishtë paralamentare.
Jo vetëm për zgjedhjen e presidentit drejtëpërdrejt nga populli, por edhe për shumë arsye të tjera, legjislatura aktuale e Kuvendit të Republikës së Kosovës e ka për detyrë të themelojë një komision të pavarur (jasht) parlamentar, të përbër nga ekspert të fushës juridike për të ridizajnuar kushtetutën e vendit konformë kërkesave të kohës, për çuarjen para të proceseve demokratike dhe përmbylljen e sovranitetit të shtetit me formimin e ushtrisë-Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.
Kushtetuta aktuale e bazuar në të ashtuquajturën “Pako e Ahtisarit”, është bërë pengesë serioze e formimit të ushtrisë dhe pengesë e vendimarrjes në Kuvend. Ndryshimi i ligjit, përkatësisht rregullimi i një ligji për heqjen e votës së dyfisht (vetos) të serbëve në parlament, i cili i largon përfundimisht vargonjët serb nga qafa e Kosovës.
Për më shumë se kaq, përfundimisht Kosova, “De Jure” dhe “De Facto” e merr formën e shtetit sovran, me organizimin e ri të Sistemit Presidencial në njërën anë dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës në anën tjetër, shteti ynë do të bëhej partner i fuqishëm politik dhe ushtarak i Aleancës Veriatlantike, përkatësisht NATO-s dhe SHBA-së, si garantuesin më të fuqishëm të lirisë dhe pavarësisë së shtetit tonë.
Përfundimisht, sistemi presidencial i qeverisjes së vendit, do ta nxirrte Kosovën nga “çarku i mbyllur” politik. Kjo, përveqse do të pamundësonte kontrabandimin e postit të presidentit nga partitë politike vendore, do të pengonte edhe ndërhyrjet e tmerrshme nga jashtë, siq ishte rasti i zgjedhjes së presidentes përmes zarfit në vitin 2011, dukuri kjo e paprecendent në vendet e lira dhe demokratike!

Kosovë: Makina bie në lumë – dy policë të zhdukur

Autoritetet në Kosovë thanë se janë vënë në përpjekje për të gjetur trupat e dy pjesëtarëve të policisë, që llogariten të zhdukur që nga e mbrëma e së shtunës.

Autoritetet thanë se të dy policët po udhëtonin me një makinë zyrtare në rrugën që ligje dy komunat juglindore të Kosovës, Kaçanikun me Hanin e Elezit, rreth 60 kilometra larg Prishtinës. Makina ishte rrokullisur për shkaqe ende të panjohura duke rënë në lumin Lepenc që përshkon zonën .

Njësitë e policisë së Kosovës, njësitet e zjarrfikëseve, ekipet mjekësor dhe njësitë e Forcës së Sigurisë janë përfshirë në operacionin e kërkimit.

Të dielën pasdite u tha se edhe pjesëtarët e forcave paqeruajtëse të NATO-s po mbështesin operacionin i cili po bashkërendohet me autoritetet e Maqedonisë fqinje, meqë dyshohet se trupat mund të jenë bartur nga lumi që kalon nëpër Maqedoni.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri, Ramush Haradinaj përmes postimeve në rrjetet sociale e cilësuan lajm shumë pikëllues zhdukjen e dy pjesëtarëve të policisë.

Haradinaj shpreh shqetësim pas arrestimit të ushtarit të FSK-së

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shprehur shqetësimin e tij pas arrestimit të ushtarit të FSK-së me përkatësi serbe, Millosh Shoshiq në vendkalimin kufitar në Konçul.

Përmes një postimi në Facebook, kryeministri ka njoftuar se Shoshiq është arrestuar të premten nga Policia Serbe.

Haradinaj ka thënë se një praktikë e tillë është në ”kundërshtim të plotë me të gjitha angazhimet që Qeveria e Kosovës, bashkë me bashkësinë ndërkombëtare, ka pasur në dy dekadat e fundit për integrim të plotë të komunitetit serb në institucionet e Kosovës.

Që nga dita e djeshme, ushtari i FSK-së, Milosh Shoshiq (i përkatësisë serbe), po mbahet i arrestuar nga policia serbe në vendkalimin kufitar në Konçul. Për këtë veprim shpreh shqetësimin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kjo praktikë është në kundërshtim të plotë me të gjitha angazhimet që Qeveria e Kosovës, bashkë me bashkësinë ndërkombëtare, ka pasur në dy dekadat e fundit për integrim të plotë të komunitetit serb në institucionet e Kosovës.

Do t’i qëndrojmë pranë familjes Shoshiq.

RH

Vuçiçi: Nuk ia dhashë dorën sot Thaçit në Shkup, asgjë nuk i besoj

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka qëndruar në të njëjtën tavolinë me homologun e tij nga Serbia, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të një takimi të udhëheqësve rajonalë, në Shkup.

Megjithatë, mes tyre nuk ka pasur shtrëngim duarsh. Kështu ka bërë të ditur presidenti serb.

Vuçiq ka thënë se Thaçit sot nuk ia dha dorën në Shkup, ndryshe nga herët e kaluara.

Megjithatë, presidenti serb ka thënë se është e rëndësishme të flitet për të ardhmen, pavarësisht raporteve të hidhura, të manifestuara sot.

Takimi në Shkup, u ka thënë ai gazetarëve, nuk ka qenë i lehtë – dhe se çështja kryesore për të cilën është diskutuar ka qenë qëndrimi i Beogradit dhe i Prishtinës.

Vuçiq ka treguar se ka pasur polemika me Thaçin. I pari i Serbisë ka thënë se Thaçi ka pohuar se Serbia nuk po e zbaton marrëveshjen për energjinë, që, sipas Vuçiqit, nuk ekziston.

Ai po ashtu ka thënë se Thaçit nuk i beson për asgjë. Vuçiq ka thënë se e di që Thaçi ka qenë i informuar për vizitën e zyrtarit serb, Marko Gjuriq, për arrestimin e të cilit më pas dha urdhër.

Përkundër të gjithave, ka thënë Vuçiq, Serbia duhet të vazhdojë dialogun me Kosovën.

“Do të ishte marrëzi e madhe nëse do ta mbyllnim derën e dialogut dhe të prisnim që diçka do të zgjidhej”, është shprehur presidenti serb. /Express/

Kurir – Kërcënon Beogradi: Haradinaj arrestohet nëse vjen në Preshevë

Dje gjatë ditës pati spekulime se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është ftuar të vizitojë Preshevën. E ndaj kësaj ka reaguar ashpër ministri i Brendshëm në Serbi, Nebojsha Stefanoviç.

 

Ai ka paralajmëruar arrestimin e Haradinajt nëse hyn në Preshevë.
“Gjykata jonë është përgjegjëse për të. Urdhri mbetet në fuqi dhe ai patjetër që do të arrestohet”, ka thënë Stefanoviç për Kurir.

 

Haradinaj akuzohet nga Serbia për “krime lufte”, për çfarë është liruar dy herë nga Haga.
Kryeministri i vendit ishte arrestuar vitin e kaluar në Colmar të Francës, por më pas u lirua.

Kërcënimet për arrestimin e Haradinajt vijnë sidomos pas arrestimit të Gjuriçit në Kosovë.

Thaçi: Çështja e 1650 të pagjeturve duhet të diskutohet në Bruksel

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se çështja e personave të zhdukur duhet të diskutohet në Bruksel, në dialogun që po zhvillohet në mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Ai ka shprehur përkushtimin e tij si president i vendit që kjo temë të adresohet.

“Nuk do të rreshtin përpjekjet tona që kjo plagë e luftës të mbyllet sa më parë për të gjetur paqen, qetësinë dhe pajtimin”.

“Autoritetet e Beogradit duhet të përgjigjen dhe të ofrojnë të dhëna për 1650 të pagjeturit. Kjo çështje duhet të shtrohet edhe ne Bruksel sepse nuk pret më tutje, “ ka thënë presidenti Thaçi, pasi ka bërë homazhe tek përmendorja dedikuar personave të zhdukur në Ditën e të Pagjeturëve.

Valdete Daka kryetare e KQZ-së edhe për shtatë vjet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka emëruar kryetare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Dakën, edhe për një mandat.

“Deklaroj solemnisht se do t’i kryejë detyrat e mia si kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në mënyrë të ndershme, besnike, të paanashme, profesionale dhe të ndërgjegjshme”, ka thënë Daka gjatë betimit të saj.

Mandati i kryetarit të KQZ-së është shtatëvjeçar që nga dita kur emërohet nga presidenti i vendit.

Një serb akuzohet për krime lufte në Krushë të Vogël

Ceremoni e rivarimit të shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe në Krushë të Vogël. Mars, 2014

Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës kundër Darko Tashiq për krime lufte.

Në aktakuzë thuhet se Tashiq ka qenë pjesë e forcave paramilitare serbe në fshatin Krushë e Vogël, më 25-27 mars të vitit 1999.

“Akuzat ndërlidhen me një sulm në fshatin Krushë e Vogël i cili filloi më 25 mars 1999 nga forcat serbe, përfshirë policinë dhe paramilitarët, gjatë të cilit popullata civile i ishte nënshtruar vrasjeve brutale dhe të paligjshme, trajtimit çnjerëzor, vuajtjeve të rënda, ndërrimit të lokacionit dhe zhvendosjes, ushtrimit të masave të frikësimit dhe terrorit, konfiskimit/grabitjes dhe plaçkitjes së pronës, përdhosjes dhe shkatërrimit të trupave të viktimave të agresionit serb, të gjitha këto të kryera gjatë një periudhe dy-ditore”, thuhet në një deklaratë të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Gjatë sulmit në Krushë të Vogël, i cili zgjati dy ditë, u vranë 113 civilë.

Në nëntor të vitit 2017, i akuzuari Tashiq është arrestuar në bazë të një udhër-arresti ndërkombëtar pasi kishte tentuar të kalonte kufirin nga Serbia për në Kosovë dhe që nga ajo kohë ai është në paraburgim.


Send this to a friend