VOAL

VOAL

Zgjedhjet lokale në Kosovë, sot tërhiqet shorti për renditjen e partive në fletëvotim! Ja kur hapet fushata zgjedhore dhe nis votimi me postë

Tërheqja e shortit do të bëhet nga ora 11:00, thuhet në njoftimin për media nga KQZ-ja

Fushata zgjedhore nis më 13 shtator 2025 dhe zgjat deri më 12 tetor 2025, në orën 06:59

Regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës për votim me postë, i hapur më 23 korrik, ka përfunduar më 29 gusht 2025. Periudha për votim me postë nis më 17 shtator dhe përfundon më 11 tetor 2025.

Ndryshe në mbledhjen e 54-të të mbajtur të mërkurën KQZ vendosi për decertifikimin e 9 kandidatëve nga subjekte të ndryshme politike: një nga “Prishtina në dorën tënde”, një nga Partia Demokratike e Kosovës, një nga Lëvizja për Bashkimin e Shqiptarëve, dy nga Partia Liberale Egjiptiane dhe katër nga Alternativa. Këta kandidatë ishin certifikuar më herët për pjesëmarrje në zgjedhje.

KQZ miratoi edhe rekomandimin e Komisionit për Kundërshtim Administrativ, që kishte shqyrtuar 275 ankesa të aplikuesve të refuzuar për regjistrim si votues jashtë Kosovës.

Nga këto: 174 ankesa janë refuzuar për shkak të mosrespektimit të procedurës, 77 ankesa janë aprovuar pas kompletimit të dokumenteve, 24 shtetas janë rikthyer në Listën Votuese brenda Kosovës, me kërkesën e tyre për anulimin e regjistrimit për votim jashtë vendit. /Telegrafi/

Mesazh kërcënues ndaj Kurtit në Mitrovicën e Veriut, Policia nis hetimet

Radio Evropa e Lirë

Një mesazh kërcënues ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, është shfaqur në Mitrovicën e Veriut, të martën në mbrëmje.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se bëhet fjalë për një mbishkrim të shkruar në një mur në rrugën “Vasilije Ostrovski”, në qytetin e banuar me shumicë serbe.

Sipas Elshanit, pas konsultimit me prokurorin kujdestar, është inicuar rasti për kanosje.

Elshani ka thënë se, deri tani, nuk ka persona të dyshuar dhe as të arrestuar lidhur me këtë incident.

Ai ka shtuar se i njëjti mbishkrim, i shoqëruar me pamje grafike, ishte publikuar më herët në platformën e bisedave Telegram.

Në grupin “Koridor”, në këtë aplikacion, janë shpërndarë fotografi me mbishkrimin: “Sa Kosova zora svice, Albin Kurti mrtav biće” (shqip: “Në Kosovë do të agojë mëngjesi dhe Albin Kurti do të jetë i vdekur”).

Një tjetër fotografi paraqet të njëjtin mbishkrim, por edhe një imazh, ku një person i maskuar mban në njërën dorë kokën e Kurtit dhe në tjetrën një sopatë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se po vazhdon hetimet lidhur me rastin.

Formimi i qeverisë së re, LVV pritet të votojë këtë të diel Albin Kurtin për kryeministër

Ndonëse Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar plotësisht, Lëvizja Vetëvendosje po përgatitet për hapat e radhës drejt formimit të Qeverisë.

Telegrafi mëson nga burime brenda LVV-së se të dielën do të mbahet mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të këtij subjekti, në të cilën pritet të votohet Albin Kurti si mandatar për kryeministër.

Pas përfundimit të votimit nga Këshilli, emri i Kurtit do t’i dërgohet presidentes Vjosa Osmani, e cila më pas pritet të ndërmarrë veprimet sipas procedurës kushtetuese për mandatarin e Qeverisë.

Ky zhvillim sinjalizon përshpejtim të përpjekjeve të LVV-së për formimin e Qeverisë, pavarësisht se procesi i konstituimit të Kuvendit është zvarritur për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

Sipas Kushtetutës së Kosovës nenit 95 paragrafi i 2, thuhet se kandidati për kryeministër,jo më vonë se 15 ditë pas emërimit paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Në paragrafin 4 të këtij neni thuhet tutje se nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre. /Telegrafi

Përfaqësuesit e LVV-së në KQZ kritikojnë QUINT-in për “mbështetjen e Listës Serbe”

Radio Evropa e Lirë

Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë kritikuar vendimin për certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të tetorit, teksa Alban Krasniqi nga ky subjekt kritikoi ambasadat e shteteve të QUINT-it, duke thënë se ato i kanë dalë në mbrojtje “organizatave kriminale”.

Krasniqi nga LVV tha gjatë mbledhjes së KQZ-së më 1 shtator se pavarësisht vendimit të formës së prerë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, por edhe të Gjykatës Supreme, ai mendon se me certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 12 tetorit do të dëmtohet demokracia.

“Në komunat ku Lista Serbe pretendon të garojë, aty nuk do të ketë demokraci. E dinë prej ambasadorit e përfaqësuesit të BE-së, e gjithë këta të tjerët që janë të QUINT-it, e dinë shumë mirë sepse vetë e kanë deklaruar me radhë. Por, edhe ata fatkeqësisht janë duke u vënë në mbrojtje të organizatave kriminale në vend për hesape të tyre të ngushta apo edhe të karrierës së tyre politike”, tha Krasniqi.

Sipas tij, me certifikimin e Listës Serbe kanë dështuar institucionet e drejtësisë, por Qeveria dhe organet e sigurisë kanë kryer punën e tyre.

“Për mua Lista Serbe vazhdon të jetë një organizatë kriminale, me baza dhe përmasa të një organizimi terrorist dhe unë nuk mund ta pranoj si pjesë të sferës politike”, tha ai.

Më 21 gusht, KQZ-ja vendosi për moscertifikimin e Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Në atë mbledhje, Kurteshi dhe Krasniqi ishin të zëshëm kundër certifikimit të Listës Serbe, duke argumentuar se shumica e kandidatëve të saj janë pjesë edhe e strukturave paralele serbe, por e cilësuan këtë parti edhe si “dorë e zgjatur” e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Kosovë.

Më 24 gusht, PZAP-i urdhëroi që KQZ-ja të certifikonte Listën Serbe për zgjedhjet e tetorit, duke argumentuar se ky subjekt i ka përmbushur të gjitha detyrimet pasi ka paraqitur dokumentacionin e kërkuar, përfshirë deklaratën politike, kodin e sjelljes, listën e kandidatëve dhe formularët për konfirmimin e kandidatëve.

Vendimi i KQZ-së i 21 gushtit, për moscertifikimin e Listës Serbe ishte kritikuar nga vendet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian, të cilat i bënë thirrje Qeverisë në detyrë dhe partive politike të mos ndërmarrin ndonjë hap tjetër për ta penguar regjistrimin e Listës Serbe për zgjedhjet e tetorit.

“Unë mendoj që institucioni jonë [KQZ-ja], PZAP-ja dhe Gjykata Supreme në këtë rast janë bërë pjesë e një vendimmarrje e cila do ta dëmtojë rëndë demokracinë, edhe e cenon rendin kushtetues dhe është ironike që institucionet të tilla që do të duhej të ishin në mbrojtje, të bien në kundërshtim dhe lajthitje. Por, nuk mendoj që është lajthitje, por një vendimmarrje e qëllimshme si rezultat i presioneve, as të ambasadorëve ndoshta jo, të do diplomatëve që vijnë e sillen këndej, e do shërbëtorëve të tyre që vijnë e sillen poshtë e lartë e i bëjnë presion si ndonjë kryetari të partisë, ashtu edhe zyrtarëve të cilët i ngashënjen me ndonjë punëtori jashtë vendit e kështu me radhë”, tha Krasniqi.

Më 29 gusht, ndërkaq, Gjykata Supreme e hodhi poshtë “si të palejuar” ankesën e paraqitur nga Krasniqi dhe përfaqësuesi tjetër i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi sa i përket vendimit të PZAP-it.

Gjatë mbledhjes të KQZ-së, Kurteshi se i konsideron të “kundërligjshme dhe kundërkushtetuese” vendimet e PZAP-it dhe Gjykatës Supreme sa i përket Listës Serbe.

“Për më shumë, Supremja ka bërë një rrëshqitje shumë të madhe, i delegjitimon anëtarët e KQZ-së që e kanë kompetencë ligjore të votojnë për certifikimin ose kundër certifikimit, i delegjitimon për ankesë, kurse Listën Serbe e legjitimon për ankesë”, tha ai.

Edhe për zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit, anëtarët e LVV-së kishin kundërshtuar certifikimin e Listës Serbe. Por, PZAP-i dhe Supremja hodhën poshtë ankesat e tyre.

Lista Serbe vendosi të garojë në zgjedhjet e sivjetshme lokale, pasi kishte bojkotuar zgjedhjet e kaluara lokale, duke bërë që kryetarët shqiptarë ta merrnin dhe mbanin pushtetin në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit nga maji i vitit 2023.

Lista Serbe pritet t’i rimarrë të gjitha katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Ka a s’ka Kuvend?

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, gjatë një konference për media më 1 shtator 2025.

 

Arton Konushevci

Për njërin nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, Ismet Salihun, Kuvendi nuk është konstituuar ende, pavarësisht se kryetari i tij thotë të kundërtën.

“Konstituimi i Kuvendit të Kosovës ndodh vetëm kur plotësohen të gjitha organet – kryetari, nënkryetarët dhe komisionet. Deri atëherë, ky Kuvend nuk mund të konsiderohet i konstituuar”, thotë Salihu për Radion Evropa e Lirë.

Kryekuvendari Dimal Basha e shpalli të mbyllur seancën konstituive më 30 gusht, edhe pse nënkryetari serb nuk ishte zgjedhur.

Nga pesë nënkryetarët e kërkuar me Kushtetutë, katër u zgjodhën – tre shqiptarë dhe një përfaqësues i pakicave joserbe – ndërsa i pesti, nga komuniteti serb, nuk arriti t’i siguronte votat e mjaftueshme.

Basha tha se të gjitha mundësitë për zgjedhjen e tij janë shteruar dhe se seanca mund të konsiderohet e përfunduar.

“Për mua nuk ka logjikë që të bllokohet Kuvendi i Republikës për moszgjedhjen e një nënkryetari”, përsëriti ai më 1 shtator.

Pas krijimit të kësaj situate, Salihu sugjeron që të pritet zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese.

Më 30 gusht, Lista Serbe – partia më e madhe serbe në Kuvend – paraqiti ankesë në Kushtetuese, për mënyrën e votimit të nënkryetarit serb, duke kritikuar veprimin e Bashës që i hodhi në votim ndaras nënkryetarët e pakicave dhe përdori shortin për kandidatët serbë.

“Kushtetuta është shumë e qartë: grupi më i madh parlamentar i partive të komunitetit serb ka të drejtën të propozojë kryetarin ose nënkryetarin e Kuvendit”, shpjegon Salihu.

“Prandaj, serbëve u është bërë një padrejtësi, sepse nënkryetarin nga komuniteti serb kishte të drejtë ta propozonte vetëm Lista Serbe, pa marrë parasysh se a duam a nuk duam ne”, shton ai.

Lista Serbe propozoi vetëm Sllavko Simiqin për nënkryetar, por ai nuk arriti t’i siguronte 61 votat e nevojshme në asnjë nga tri rundet e votimit, ndaj Basha përdori shortin për të dhjetë deputetët serbë – nëntë nga Lista Serbe dhe një nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika, konsideron se “të gjithë kanë bërë gabime”.

“Në parim, procedura është shkelur edhe nga kryetari i Kuvendit, edhe nga përfaqësuesit serbë, sepse nuk kanë vazhduar me propozime, sipas rregullit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Tani asgjë… Na mbetet të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila besoj se do ta kthejë procesin e votimit për përfaqësuesit e komuniteteve në Kryesinë e Kuvendit… e sa do të zgjasë kjo, nuk e di”, thotë Rashiti për Radion Evropa e Lirë.

Sipas vlerësimit të tij, këto lëvizje janë bërë, në fakt, për ta vonuar konstituimin e Kuvendit dhe fillimin e procedurave për formimin e Qeverisë së re.

“Që nga fillimi ka ekzistuar e njëjta strategji: vonimi i proceseve për të siguruar një shumicë ndryshe parlamentare, duke krijuar rrethana që eventualisht do të favorizonin mbështetje më të madhe politike për një subjekt të caktuar, në këtë rast – kryesisht – për fituesen e zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje”, thotë Rashiti.

Dyshime të ngjashme janë shfaqur më herët edhe nga vëzhgues të tjerë, pasi Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk ka siguruar mjaftueshëm vota në zgjedhjet e 9 shkurtit për të qeverisur e vetme.

Rashiti thotë se këto “manovra politike” kanë ndodhur edhe në të kaluarën, por “kanë qenë më transparente”.

“Kam përshtypjen se të gjithë janë të vetëdijshëm se procedua [e konstituimit të Kuvendit] nuk është mbyllur dhe askush nuk do ta marrë veprimin për formimin e Qeverisë”, thotë ai.

Me ligj, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duhet të mandatojë partinë ose koalicionin fitues për formimin e Qeverisë, pas konstituimit të Kuvendit.

Pas një takimi që zhvilloi më 1 shtator me kryekuvendarin Basha, zyra e saj tha se “ekipi ligjor i Presidencës është duke bërë analizën lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës”.

Por, Zahir Çerkini, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, konfirmon po ashtu se Kuvendi nuk është plotësisht i konstituuar pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve.

“Neni 67 i Kushtetutës e thotë shprehimisht se Kryesia e Kuvendit përbëhet nga kryetari dhe pesë nënkryetarë, përfshirë detyrimisht një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet tjera joshumicë”, thekson Çerkini për Radion Evropa e Lirë.

“Rregullorja e Kuvendit e konfirmon se seanca konstituive nuk mund të quhet e përfunduar pa këtë hap. Kjo çështje është përcaktim i qartë kushtetues”, sipas tij.

Për konstituimin e plotë të Kuvendit, që nga 15 prilli, janë ndërmarrë dhjetëra përpjekje, por pa rezultat, për shkak të mosmarrëveshjeve politike.

Çështja është dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka dhënë dy vendime me afate dhe udhëzime për zhvillimin e procesit.

Afati i parë nuk u respektua, ndërsa i dyti skadon më 18 shtator.

Më 1 shtator, Basha thirri një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit për t’u konsultuar mbi funksionimin e institucionit, por ajo nuk u zhvillua për shkak të mungesës së kuorumit.

Dy nënkryetarë të partive ish-opozitare, që nuk pajtohen me vendimin e Bashës për seancën konstituive, nuk morën pjesë.

“Kuvendi ka zgjedhur kryetarin dhe katër nënkryetarët. Kryesia e Kuvendit ka të zgjedhur pesë nga gjashtë anëtarët e saj. Mbi 80 për qind e Kryesisë është funksionale dhe besoj se kemi kuorumin e mjaftueshëm për të vazhduar punët tona”, këmbënguli Basha.

Kryesia e Kuvendit mblidhet për të diskutuar funksionimin e institucionit

Radio Evropa e Lirë

Kryesia e Kuvendit të Kosovës mblidhet sot për të diskutuar hapat e mëtejshëm për funksionimin e institucionit ligjvënës, edhe pse ende nuk dihet se kush do të marrë pjesë.

Mbledhja u thirr të shtunën nga kryetari Dimal Basha, i cili e shpalli të përfunduar seancën konstituive, megjithëse nuk ishte zgjedhur nënkryetari nga radhët e komunitetit serb.

Në tri vazhdime të seancës, kandidatët e këtij komuniteti nuk arritën të siguronin 61 votat e nevojshme.

Sipas rregullores së punës së Kuvendit, seanca konstituive përfundon vetëm me zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve.

Në nenin 67 të Kushtetutës thuhet se Kuvendi duhet të ketë kryetarin dhe pesë nënkryetarë.

Katër nënkryetarë – tre nga komuniteti shqiptar dhe një nga pakicat joserbe – u zgjodhën më 26 gusht, së bashku me kryetarin.

Ndërkohë, të nëntë kandidatët e Listës Serbe dhe kandidati i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë dështuan të marrin votat e mjaftueshme.

Basha deklaroi se të gjitha mundësitë për zgjedhjen e nënkryetarit serb janë shteruar, ndaj seanca konstituive konsiderohet e mbyllur.

Qëndrimin e tij e mbështetën edhe bashkëpartiakët në Lëvizjen Vetëvendosje, të cilët kërkuan që vendi të kalojë tani në fazën e formimit të Qeverisë së re.

Megjithatë, partitë ish-opozitare e kundërshtuan këtë vendim, duke argumentuar se Kuvendi nuk është ende i konstituuar, pasi Kryesia nuk është zgjedhur në përbërjen e saj të plotë kushtetuese.

Disa ekspertë ligjorë paralajmëruan se situata mund ta çojë vendin drejt një krize të re kushtetuese.

Që nga 15 prilli janë bërë dhjetëra përpjekje për konstituimin e Kuvendit, por pa sukses, për shkak të mosmarrëveshjeve politike.

Çështja ka përfunduar edhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka nxjerrë dy aktgjykime me afate dhe udhëzime për mënyrën e zhvillimit të procesit.

Afati i parë nuk u respektua, ndërsa i dyti përfundon më 18 shtator.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e ka detyrim ligjor të mandatojë partinë ose koalicionin fitues për formimin e Qeverisë pas konstituimit të Kuvendit, u bëri thirrje forcave politike të gjejnë një zgjidhje në përputhje me Kushtetutën sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ajo nuk e komentoi vendimin e Bashës për ta shpallur të mbyllur seancën konstituive.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi ekipin e saj për hapat që mund t’i ndërmarrë, por nuk mori ndonjë përgjigje.

Lista Serbe ankohet në Kushtetuese lidhur me votimin për nënkryetarin serb të Kuvendit të Kosovës

Deputetë të Listës Serbe.

 

Radio Evropa e Lirë

Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, njoftoi të shtunën se është ankuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës kundër votimit ndaras për zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet pakicë gjatë seancës konstituive.

Në prag të takimit të Kuvendit për zgjedhjen e nënkryetarit serb, Lista Serbe njoftoi në Facebook se deputetët e saj dorëzuan sot një ankesë në Gjykatën Kushtetuese “për shkak të shkeljes së rëndë të të drejtave të popullit serb në seancat e kuvendit në Prishtinë”.

“Parimet kushtetuese dhe demokratike janë cenuar rëndë, ndërsa popullit serb i është pamundësuar ushtrimi i të drejtave të tij të garantuara”, thuhet në njoftim.

Ajo tha se pret nga gjykata më e lartë e vendit “të reagojë menjëherë dhe të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e sundimit të ligjit, si dhe të drejtave të popullit serb në përputhje me aktet juridike në fuqi”.

Ankesa e partisë së serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar erdhi pasi kryetari i porsazgjedhur i Kuvendit, Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras nënkryetarët e pakicave dhe më pas përdori shortin për kandidatët për nënkryetarin serb.

Juristët vlerësuan se një gjë e tillë ishte kundërkushtetuese, por se për ta konfirmuar këtë dikush duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Përfaqësuesja e komuniteteve të tjera joserbe, Emilija Rexhepi, u zgjodh nënkryetare e Kuvendit. Por, procesi ngeci kur erdhi puna te zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Lista Serbe, e cila në Kuvend ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët, këmbënguli ta propozonte Sllavko Simiqin. Megjithatë, ai nuk arriti të siguronte 61 votat e nevojshme as pas tri rundeve të votimit.

Pasi Lista Serbe nuk pranoi të propozonte dikë tjetër për nënkryetar, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, vendosi të hidhte short, sipas Rregullores së punës së Kuvendit, për të nxjerrë një emër tjetër nga komuniteti serb.

Përveç disa deputetëve të tjerë të Listës Serbe, për këtë post u propozua edhe Nenad Rashiq nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, aktualisht ministër në detyrë në qeverinë e Albin Kurtit.

As Rashiq nuk i mori votat e nevojshme kur u hodh në votim dy herë.

Rregullorja parasheh që “kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb”.

Ndërkaq, Kushtetuta e Kosovës thotë se nënkryetari “do të jetë nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara të komunitetit serb”.

Megjithatë, ekspertët thonë se i gjithë ky proces është jokushtetues.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se në bazë të Kushtetutës, praktikës së drejtësisë kushtetuese dhe praktikës parlamentare, në parim mënyra e votimit të nënkryetarëve bëhet në bazë të propozimit me shkrim të një kandidati që ka shumicën e votave të deputetëve të komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, kjo procedurë anashkalohet vetëm nëse nuk vjen fare propozimi nga përfaqësuesit në Kuvend.

“Andaj, shorti dhe votimi është duke u bërë në kundërshtim me Kushtetutë dhe me Rregullore. Çdo vendim që vjen si rezultat i kësaj forme është kundërkushtetues. Fatkeqësisht, edhe kjo fazë e ngërçit politik, siç duket, duhet të zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese, në mungesë të vullnetit politik për të zbatuar Kushtetutën dhe praktikën parlamentare”, tha Miftaraj.

Ai shtoi se kandidatura e Rashiqit është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, praktikën gjyqësore, praktikën parlamentare dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, pasi i njëjti nuk ka shumicën ose gjashtë nënshkrime nga deputetët e komunitetit serb.

“Në aspektin juridik, tërë këto votime janë të pavlefshme dhe s’kanë asnjë vlerë kushtetuese apo juridike”.

Të gjithë duhet ta votojnë z. Nenad Rashiq si nënkryetar të Kuvendit të Republikës – LISTA SERBE, PARAROJË E PROJEKTIT PËR RIPUSHTIMIN E KOSOVËS Nga Xhafer Shatri

 

Kur i dështuan përpjekjet për copëtimin e Kosovës, Beogradi u përcaktua për masa radikale përmes të cilave do ta aneksonte ushtarakisht veriun e saj.

Në këtë vijë, që nga fundi i vitit 2022, Vuçiqi përmes Listës serbe, mobilizoi strukturat e tij në veri të Kosovës me qëkllim krijimin e kaosit atje. Kriza u intensifikua përmes bllokimit të rrugëve, përmes sulmeve mbi policinë dhe mbi ushtarët e Kforit, shumë prej të cilëve u plagosën nga diversantë të stërvitur të Serbisë me snaiperë e deri në sakatim…

Me angazhimin maksimal të Serbisë, veriu i Kosovës prej vitesh ishte kthyer në tokë të askujt, ku bënin ligjin bandat e Radoiçiqit, veprimet e të cilave i koordinonte, i arsyetonte dhe i mbulonte Lista serbe.

Në të gjitha institucionet ku ishin «integruar» kuadrot e kësaj gjoja partie ato vepronin dhe silleshin si pjesëtarë falangash.

Talleshin me Kuvendin e Republikës, keqpërdornin njësitë e policisë të përbëra prej serbëve për ta frikësuar bashkësinë serbe e besa edhe për të vrarë përfaqësues të saj legjitimë, këqpërdornin paratë e buxhetit të Kosovës për të financuar aktivitetet e tyre kriminale, kontrollonin trafiqet, vidhnin rrymën për biznesin me kriptovaluta dhe për kultivimin e plantazheve me drogë…

Me një fjalë nuk linin gjë të zezë pa bërë.

Në thelb të të gjitha këtyre aktiviteteve kriminale ishin pjesëtarët dhe kuadrot e Listës serbe që bashkëpunonin ngusht me disa liderë shqiptarë!

***

Kulmi i kësaj veprimtarie armiqësore kundër Kosovës ishte agresioni në Banjën e veriut, kur, më 24 shtator 2023, mbi 50 terroristë të armatosur deri në dhëmbë e të udhëhequr nga shefi real i Listës serbe, Milan Radoiçiq u përpoqën të organizojnë një kryengritje të armatosur.

Ky ishte një aksion i mirëkordinuar nga Ushtria, BIA dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë. Mjafton ta ndëgjosh fjalimin e A. Vuçiq që mbajti më 21 shtator 2023, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në Nju-Jork, për t’u bindur se agresioni në Banjë ishte organizuar deri në imtësi nga Beogradi.

***

Lista serbe, pa e fshehur fare, përpiqet me të gjitha mjetet e mundshme t’i acarojë marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë. Ajo pasqyron mentalitetin etnoracist serb për shtetin. Sipas të cilit shteti duhet të jetë vetëm i serbëve dhe në shërbim të tyre, të tjerët, pra jo serbët do të tolerohen dhe janë aty për t’u shërbyer atyre; policit me u shfry në ta, administratorit për t’i zhvatë, popullsisë për t’ua sharritë drutë dhe për t’ua pastruar rrugët dhe oborret…

Lista e Radoiçiqit promovon publikisht projektin e Beogradit për ripushtimin e Kosovës.

Mendësinë kriminale dhe etnoraciste të Listës serbe më së miri i pasqyron ish ktryetari shumëvjeçar i saj, Goran Rakiq, i cili në një intervistë, në pyetjen e gazetarit se a e ka ndonjë mik shqiptar thotë me mburrje: Jo!

Merreni me mend, ka lindur në Mitrovicën multietnike, është rritur, ka krijuar familje, ka gati 60 vjet që jeton aty dhe nuk e ka asnjë mik shqiptar! Ky mund të jetë çdo gjë, por jo njeri.

Ndërkaq, zëvëndësi i tij shumëvjeçar, e në fakt shefi i mirëfilltë i Listës serbe dje dhe sot, gangsteri Milan Radoiçiq, ka vrarë jo vetëm shqiptarë por edhe serbë.

E ka terrorizuar bashkësinë serbe në Veri, e ka plaçkitur, e ka rrahur, e ka frikësuar deri në ankth…

***

E kundërta e këtyre janë Nenad Rashiq me një vistër personalitetesh serbe, që në fakt janë përfaqësuesit më legjitimë të interesave të bashkësisë serbe në Kosovë.

Përpjekja e disa kalemxhinjve shqipfolës të paguar me pare të Beogradit për ta paraqitur këtë si Sejdo Bajramoviq të Prishtinës, është një diversion vuçiqist kundër integrimit të bashkësisë serbe në Kosovë

Serbët që përfaqëson Nenad Rashiq duan të jetojnë në paqe e në harmoni me shqiptarët në Kosovë. Por këta luftohen me të gjitha mjetet nga falangat e Listës serbe, që ua vjedhin votat, ua kërcënojnë ithtarët dhe ua terrorizojnë familjet.

***

Shtrirja e pushtetit në veri të vendit është fitorja më e madhe e Kosovës në çerekshekullin e fundit. Ajo pjesë e territorit nuk është më konflikt i ngrirë dhe për këtë merita historike i takon qeverisë Kurti.

Shtrirja e pushtetit dhe shtetit ligjor në veri është mirëpritur nga të gjithë serbët që duan të jetojnë në paqe e në harmoni me shqiptarët…

Kjo është një goditje serioze për Listën serbe, e cila, me ndihmnën e pakursyer të Vuçiqit, akoma po arrin ta sundojë bashkësinë serbe në Kosovë dhe të abuzojë me të.

Prandaj, për shkaqet që u përmendën, ka ardhur koha që Lista serbe të ndalohet njëherë e përgjithmonë. E me të edhe të gjitha përpjekjet e Serbisë për ta destabilizuar vendin tonë sa herë të kenë nevojë regjimet në Beograd.

Por kjo nuk mund të bëhet as për kalkulime politike e as me improvizime qesharake përmes Komisionit zgjedhor, PZAP-it etj.

Këtë duhet ta bëjnë kryetarët e partive politike shqiptare përmes një vendimi të përbashkët politik: asnjë bashkëpunim dhe asnjë kompromis me Listën serbe.

Në anën tjetër organet e drejtësisë duhet të fillojnë një procedurë serioze hetimore të strukturave të kësaj falange dhe pasi të jenë mbledhur agumentet që janë me aq bollëk, të fillojnë procedurën për ndalimin e saj me ligj.

***

Sot, Kuvendi i Kosovës ka një rast historik për t’ia treguar vendin partisë së Milan Radoiçiqit.

Të gjitha deputetët duhet ta votojnë z. Nenad Rashiq si nënkryetar të Kuvendit të Republikës. Sepse ky akt është në përputhje me Kushtetutën dhe vullnetin e 99% të qytetarëve të Kosovës që janë për bashkëjetesë, për paqe e harmoni mes tyre.

Duhet ta mësojnë dhe ta dijnë të gjithë se me varrmihësit e shtetit nuk ka as lojë, as kompromis.

Dhe kjo nuk është as e tëra as e vetmja: Kuvendi i Republikës duhet t’i shqyrtojë shpejt dhe seriozisht të gjitha boshllëqet e Kushtetutës, të ligjeve e rregulloreve, sidomos dykuptimësinë e tyre, që janë bërë shkak serioz për përligjjen e rrezikshme të anarkisë në vend.

 

“Kemi gjetur një spray, disa gëzhoja, fishekë”, policia e Kosovës bastis shtëpinë e shtetases serbe të arrestuar për spiunazh në shërbim të Serbisë

Policia e Kosovës ka kryer bastisje në shtëpinë e serbes A.M., që së bashku me të dashurin e saj, J.I, pjesëtar i forcave ajrore kroate, u arrestuan në Kroaci nën akuza për spiunazh për Serbinë.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, i tha Radios Evropa e Lirë se bastisjet u kryen më 27 gusht rreth orës 20:00, pas publikimit të informacioneve se A.M., ishte arrestuar në Kroaci.

Elshani tha se menjëherë autoritetet kosovare kanë verifikuar adresën e të dyshuarës A.M., në Mitrovicë të Veriut.

“Kemi gjetur lokacionin e shtëpisë, kemi pranuar informacione se në atë shtëpi mund të ketë armë, kemi hyrë kemi bastisur këtë shtëpi, kemi gjetur një sprej, disa gëzhoja, fishekë dhe jemi larguar nga ai vend”, u shpreh Elshani.

Sipas Elshanit, autoritetet e Kosovës janë në koordinim të ngushtë me autoritetet kroate për këtë rast.

Më 28 gusht, Prokuroria e Qarkut në Split njoftoi se ndaj të dyshuarve ka caktuar masën e paraburgimit.

Kuvendi i Kosovës i vazhdon sot punimet në përpjekje për konstituimin e legjislaturës së nëntë

Kuvendi i Kosovës do t’i vazhdojë sot punimet në përpjekje për konstituimin e legjislaturës së nëntë.

Një ditë para tentimit të 60-të për konstituimin e Kuvendit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje partive parlamentare që të formojnë sa më shpejt Kuvendin dhe Qeverinë e re. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, shpreson që nesër të zgjidhet çështja e nënkryetarëve të Kuvendit.

“Kuvendi të konstituohet urgjentisht, po ashtu qeveria të zgjidhet urgjentisht. Çdo ditë e humbur është ditë e humbur për Kosovën, për popullin e saj, për perspektivën tonë euroatlantike, kështu që shpresoj që të gjendet një zgjidhje në përputhje me Kushtetutën sa më parë që të jetë e mundur”, ka thënë Osmani.

Votimi ndaras për nënkryetarët ka shkaktuar mospajtime në parlament dhe ka sjellë ngërçin e radhës, të cilin kryeministri në detyrë shpreson ta zgjidhin nesër.

“Besoj që më së miri do të ishte që të kryhet kjo punë nesër duke e përzgjedhur aty Nenad Rashiqin i cili e pranon Republikën e Kosovës, punon për institucionet e shtetit tonë dhe njëkohësisht është ministri i cili ka bërë më së shumti për komunitetin serb në vendin tonë”, ka deklaruar Kurti.

Ndërkohë, zyrtarët e Bashkimit Evropian i kanë bërë të ditur Kurtit se nuk do të zhvillojnë takime në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës derisa vendi të ketë një ekzekutiv me mandat të plotë.

“Në përputhje me këtë aktgjykim dhe në interes të qëndrueshmërisë institucionale dhe respektimit të sundimit të ligjit, vizitorët e nivelit të lartë nga shtetet anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së do të përmbahen, përkohësisht, nga mbajtja e takimeve me kryeministrin në detyrë dhe ministrat brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa të vijë një qeveri me mandat të plotë”, ka thënë Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.

Letra e Bashkimit Evropian ka shkaktuar reagime të shumta me kritika ndaj kryeministrit në detyrë.

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, ka theksuar se takimet duhet të zhvillohen në ambientet e Kryeministrisë, duke shtuar se kjo nuk e ndalon mbajtjen e takimeve edhe jashtë zyrës së tij, me dakordimin e palëve.

“Kushdo që kërkon takim me kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, duhet të vijë në vendin ku punon kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, gjithsesi kjo nuk do të thotë që nuk mban takime pune edhe jashtë zyrës së tij, por për këtë duhet të ketë dakordim të palëve”, ka thënë Kryeziu. bw

Agjentja serbe fliste me të akuzuarin e Banjskës, ai ka foto me Slavko Simiq. Detaje tjera nga afera e spiunimit në KFOR

Detaje të reja të publikuara nga mediat kroate, tregojnë se spiunja e dyshuar nga Mitrovica, 46 vjeçarja Ana Murganiq, kishte komunikim me të akuzuarin për sulmin terrorist në Banjskë, Vladimir Radivojeviqin, i njohur me nofkën “Mami”.

Lista Serbe e ka mohuar se e njeh spiunen e dyshuar nga Mitrovica, por Slavko Simiqi ka fotografi bashkë me Vladimir Radivojeviqin “Mamin”, me të cilin duken shumë të afërt.

Mediat kroate po pretendojnë se spiunja e dyshuar nga Mitrovica, Ana Murganiq, ka spiunuar për Listën Serbe, por Igor Simiq dje tha se as ai e as Lista Serbe nuk e njohën spiunen e dyshuar.

Por, provat që dalin në dritë, e tregojnë të kundërtën. Spiunja e dyshuar, e cila ra në pranga të kroatëve bashkë me të dashurin kroat J.I, pilot i KFOR-it, del se ka pasur kontakte edhe me një serb që akuzohet nga Prokuroria në Kosovë se ishte pjesë e sulmit terrorist në Banjskë.

Sipas mediave kroate, gjatë hetimeve është gjetur se serbja nga Mitrovica, komunikonte edhe me njërin prej të kërkuarve kryesor në rastin Banjska, Vladimir Radivojeciqin, i njohur me nofkën “Mami”.

Serbet

“A.M. i shkroi edhe shokut të saj të fëmijërisë, Vladimir Radivojeviq, i njohur si Mami, një nga përfaqësuesit e serbëve nga veriu i Kosovës. Ai vjen nga Mitrovica, ashtu si ajo, por autoritetet e Kosovës e konsiderojnë atë një nga udhëheqësit e të ashtuquajturave “Brigada Veriore”, një organizatë aktive në veri të vendit që është e lidhur me struktura nga Beogradi…

…Hetuesit e konsiderojnë mesazhin që A. M. i dërgoi atij si të diskutueshëm, duke shkruar: “Duhet ta sqarosh sulmin ndaj KFOR-it në çdo mënyrë që di dhe mundesh.” Po atë ditë, i dashuri i saj pilot i dërgoi një mesazh: “Vërtet e ke prishur punën mbrëmë” shkruan Index.Hr

E provat, sikurse këto fotografi, tregojnë se “Mami” kishte raporte të mira me zyrtarë të lartë të Listës Serbe. Aty ai shihet me Slavko Simiqin, njeriun që tash po pretendon të bëhet nënkryetar i Kuvendit.

Kujtojmë se “Mami”-t i ishte gjetur telefoni pranë bombës shpërthyese që rezultoi me vrasjen e Policit rreshter, tash heroit, Afrim Bunjaku në ditën kritike të 24 shtatorit 2023.

Mesazhi që mediat kroate publikuan që serbja ia dërgoi Radivojeviqit, lidhet me datën 25 dhjetori 2022, datë kur në Zubin Potok u sulmuan ushtarët e KFOR-it nga persona të maskuar.

Sipas mediave kroate, çifti që u arrestuar për spiunazh u takuan 9 vjet më herët, në vitin 2016, atëherë kur Ana Murganiq punonte si përkthyese në EULEX, ndërsa piloti kroat ishte pjesë e kontigjentit të KFOR-it.

Për Vladimir Radivojeviqin ose “Mamin”, më herët është raportuar se është njeri i afërt edhe me Aleksandar Vuçiq. Lista Serbe pasi e ka mohuar se nuk e njohin këtë grua, nuk ka folur për asnjë detaj lidhur me skandalin.

Dyshimet janë se piloti kroat duke shfrytëzuar pozitën e tij në KFOR, të dashurës serbe, i ka dhënë informacione mbi lëvizjet e trupave të misionit paqeruajtës të NATO-s, e cila më pas ia ka dhënë Listës Serbe. Spiunazh dyshohet se kanë bërë edhe në periudhën kur i dyshuari për sulm ndaj zyrave të KQZ-së, Dejan Pantiq, nga veriu, nuk mund të transportohej për në Prishtinë.Tv Dukagjini/

Votimi për nënkryetarin serb mban peng konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Nenad Rashiq nga pakica serbe shihet duke biseduar me deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvend.
Trim Haliti

• Deputetët dështuan edhe të enjten ta zgjedhin nënkryetarin serb për ta përmbyllur konstituimin e Kuvendit.

• Kryetari i Kuvendit i hodhi në votim përmes shortit pesë prej nëntë deputetëve të Listës Serbe. Secili prej tyre mori zero vota.

• Më pas, shorti i ra Nenad Rashiqit nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i cili mori vetëm 56 vota për, para se seanca të ndërpritej.

• Konstituimi i Kuvendit do t’i hapte rrugë formimit të Qeverisë së re, pas një ngërçi të gjatë politik, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

14:04

Çfarë ndodhi sot në Kuvend?

Të nderuar lexues të Radios Evropa e Lirë,

Këtu po e përmbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Më poshtë ju sjellim një përmbledhje të krejt asaj çfarë ndodhi më 28 gusht në Kuvend:

Deputetët u mblodhën të enjten për ta përmbyllur konstituimin e Kuvendit me zgjedhjen e nënkryetarit të pestë dhe të fundit të tij.

Megjithatë, ata dështuan sërish ta votonin nënkryetarin nga pakica serbe, duke e nxitur kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, ta ndërpriste seancën.

Pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që e gëzon edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar – nuk hoqi dorë nga kandidimi i Sllavko Simiqit për nënkryetar, kryetari Basha i hodhi në votim përmes shortit pesë prej nëntë deputetëve të saj. Secili prej tyre mori zero vota.

Më pas, shorti i ra Nenad Rashiqit, deputetit tjetër serb në Kuvendin e Kosovës, i cili nuk përkrahet nga Lista Serbe.

Rashiq është kryetar i partisë serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, dhe njëri i afërt me kreun e Lëvizjes Vetëvendosjes dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Rashiq – i cili nuk ishte votuar as në seancën e kaluar – i mori 56 vota për, 1 kundër, ndërsa 20 deputetë abstenuan.

Kjo nënkupton se Rashiq ka të drejtë të nxirret në votim vetëm edhe një herë.

Kuvendi i Kosovës, më 28 gusht 2025.

Kuvendi i Kosovës, më 28 gusht 2025.

Kjo bëri që kryetari Basha ta ndërpriste seancën, për vazhdimin e së cilës do të njoftojë më vonë administrata e Kuvendit.

Basha tha se e ndërpreu seancën për t’i thirrur në diskutime partitë e tjera parlamentare për ta votuar Rashiqin.

“Sa për njohurinë tuaj, jeni edhe dëshmitarë, [Rashiqi] është i vetmi deputet që po merr më së shumti vota për. Pra, teoria e gjasave që të zgjidhet nga komuniteti serb, gjasat më të mëdha i ka Nenad Rashiq, prandaj unë e mbylli këtë seancë këtu dhe i vazhdojmë diskutimet mes grupeve parlamentare që ta votojnë deputetin Nenad Rashiq”, tha ai.

Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, deklaroi pas seancës së Kuvendit të Kosovës se po shkelen të drejtat themelore të njeriut të komunitetit serb, rendi kushtetues dhe Rregullorja e punës së Kuvendit.

Për këto shkelje të pretenduara, Lista Serbe njoftoi se do të parashtrojë ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Faleminderit që ishit me ne!

13:11

Hekuran Murati: Nëse jo Rashiq, kush duhet të zgjidhet nënkryetar nga pakica serbe

Hekuran Murati

Hekuran Murati

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, i ka kritikuar partitë politike që kanë qenë në opozitë në legjislaturën e kaluar, PDK, LDK dhe AAK e Nisma, për mosvotimin e Nenad Rashiqit nënkryetar të Kuvendit të Kosovës.

“Nuk e kuptojmë cili është qëllimi i deputetëve të opozitës, ku një pjesë abstenon, siç janë deputetët e PDK-së dhe AAK dhe NISMA, ndërsa ata të LDK nuk merr pjesë në votim”, tha Murati për gazetarë.

Ai tha se dëshiron t’i pyesë ata se, “nëse jo Nenad Rashiq, kush nga pakica serbe duhet të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, sipas tyre”.

“Besoj këtë pyetje duhet t’ua bëjmë atyre vazhdimisht deri në seancën e ardhshme”, shtoi ai.

Sa për dijeni, një nga pesë nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës i takon pakicës serbe, sipas Kushtetues së Kosovës.

12:51

Lista Serbe: Do të parashtrojmë ankesë në Gjykatën Kushtetuese

Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, deklaroi pas seancës së Kuvendit të Kosovës se po shkelen të drejtat themelore të njeriut të komunitetit serb, rendi kushtetues dhe Rregullorja e punës së Kuvendit.

“Ata e dinë mirë se çfarë po bëjnë. Në seancën e kaluar kam biseduar disa herë me kryetarin e Kuvendit dhe i kam tërhequr vërejtjen për shkeljet dhe parregullsitë. Nënkryetari duhet të ketë mbështetjen e shumicës së deputetëve serbë, dhe në këtë rast ai është Sllavko Simiq”, tha Igor Simiq.

Siç shtoi ai, e gjithë kjo po bëhet për t’u zgjedhur Nenad Rashiq, të cilin, megjithatë, Lista Serbe nuk e mbështet.

Simiq shtoi se Lista Serbe do të paraqesë ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

“Lista Serbe dhe populli serb nuk janë pengesë e as dikush që dëshiron të bllokojë proceset, por vetëm kërkojmë që të respektohen të drejtat tona”, tha Simiq.

12:45

Krasniqi: Vetëvendosje do vazhdimin e bllokadës

Kryetari i partisë së dytë më të madhe në Kuvendin e Kosovës, PDK, Memli Krasniqi, e ka akuzuar partinë fituese të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, se “dëshiron” ta vazhdojë ngërçin politik.

Duke folur pas dështimit të radhës për ta konstituuar Kuvendin, Krasniqi tha për gazetarë: “Ju po e vëreni që ka një tentim për të mos shkuar tutje me konstituimin e Kuvendit, por çfarë më befason mua është fakti se si krejt Vetëvendosja, nga Kurti deri te deputeti i fundit, po angazhohen për ta bërë nënkryetar një deputet të komunitetit serb, që, nëse e krahasoj, shumë më pak janë angazhuar për Albulena Haxhiun apo Dimal Bashën”.

Seanca e sotme u ndërpre pasi Nenad Rashiq nga pakica serbe nuk i mori votat për t’u emëruar nënkryetari i pestë i Kuvendit.

Krasniqi shpjegoi se deputetët e partisë së tij po abstenojnë nga votimi për Rashiqin, “sepse mënyra e votimit është jokushtetuese”.

“Ajo çfarë e ka karakterizuar sjelljen e Vetëvendosjes nga 15 prilli është veprimi jokushtetues dhe këtë e ka dëshmuar dy herë Gjykata Kushtetuese”, tha Krasniqi.

Sipas tij, ndikimi politik dhe real i ngërçit është “fakti që po vazhdon bllokada e nuk po konstituohet Kuvendi dhe rrjedhimisht nuk po arrijmë ta fusim në afate kushtetuese Albin Kurtin për ta dëshmuar atë që e kemi thënë gjithë: ai nuk i ka votat për ta formuar qeverinë”.

Memli Krasniqi.

Memli Krasniqi.

Radio Evropa e Lirë

Një punim i Bashës i vitit 2012 nxit reagime në Kosovë

Kreu i ri i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.

 

Radio Evropa e Lirë

Një punim i vitit 2012, në të cilin bashkëautor ishte edhe kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka nxitur reagime të shumta në Kosovë më 27 gusht.

Në punimin me titullin: “Globalizmi në Ballkanin Perëndimor: Krimi transnacional, islami fundamentalist dhe aleancat e padrejta”, thuhej se “sipas rasteve të hetuara, fondet për UÇK-në erdhën nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, por edhe nga trafikantët e drogës që operonin në gjithë Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara”.

Pas raportimeve nga mediat për këtë punim, kreu i ri i Kuvendit, Dimal Basha, mohoi se ka shkruar ndonjëherë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Basha tha se kontributi i tij në këtë punim është vetëm në Kapitullin 3, “i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën”.

“Këtu përfundon përgjegjësia ime lidhur me punimin në fjalë”, shkroi ai në Facebook.

Edhe bashkëautorja e këtij punimi, Jana Arsovska, ka mbështetur pohimin e Bashës.

“Thënë shkurt, zoti Basha ka kontribuar vetëm në këtë kapitull, që hulumton përhapjen e islamit radikal në Evropën Juglindore, me fokus të veçantë në Kosovë”, ka thënë ajo për mediat në Kosovë.

Basha, në reagimin e tij, tha se e çmon lart luftën e UÇK-së dhe sakrificën e popullit të Kosovës për liri.

“Unë, Dimal Basha, e çmoj lart luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e popullit tonë për liri. Nga goja ime dhe nga duart e mia nuk është shkruar dhe nuk do të mund të gjendet asnjë përmbajtje që bie ndesh me këtë vlerë të shenjtë të popullit tonë”, shkroi Basha.

Ai u kërkoi falje qytetarëve të Kosovës, që tha se mund të jenë shqetësuar “nga ky raportim i rremë”.

Raportimet e mediave se Basha, që atëbotë ishte student, kishte shkruar një artikull me përmbajtje kundër UÇK-së, nxitën reagime të shumta në opinion.

Organizata e Veteranëve të UÇK-së shprehu “indinjatë për zgjedhjen e Bashës në krye të Kuvendit”.

“Ky person njihet për qëndrimet e tij denigruese dhe fyese ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e paraqitur atë si të lidhur me krimin dhe duke njollosur sakrificën më të madhe të popullit tonë. Është e papranueshme dhe e pafalshme që Kuvendi i Kosovës të drejtohet nga një njeri që ka fyer dhe sulmuar UÇK-në dhe dëshmorët tanë”, tha OVL e UÇK-së.

Kryetar i Drenasit, Ramiz Lladrovci, publikoi një pjesë të këtij punimi, dhe kërkoi shkarkimin e Bashës.

“Kosova jonë kishte dhe ka ‘kontribuues’ si Dimal Basha, por si këto dy faqe që dëshmojnë thellësinë e gënjeshtrës, seriozitetin e mashtrimit dhe antikombëtarizmit, nuk mund të gjenden nga autorë shqiptarë”, shkroi Lladrovci në rrjetet sociale.

Edhe figura të tjera politike, por edhe të shoqërisë civile reaguan me zemërim pas raportimeve për këtë punim.

Ndryshe, Basha u zgjodh në krye të Kuvendit të Kosovës më 26 gusht. Ai ka qenë deputet edhe në legjislaturat e kaluara dhe njihet për gjuhë të vrazhdë kundrejt atyre që i konsideron kundërshtarë.

Ai shpesh ka kritikuar partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, sistemin e drejtësisë, por edhe mediat.

Çfarë u tha tjetër në këtë punim?

punimin e publikuar më 2012 thuhet se përveç se UÇK-ja është “financuar nga trafikantët e drogës”, mbështetja nuk përfshinte vetëm para.

“Por, trafikantët e drogës dërguan persona të armatosur për të luftuar së bashku me UÇK-në dhe blinin armë në emër të UÇK-së”.

“Teksa lidhja midis UÇK-së dhe krimit të organizuar është e vështirë për t’u matur, ekzistojnë raste gjyqësore të njohura nga Gjermania, Italia, Belgjika dhe Republika Çeke, të cilat sugjerojnë fuqishëm një lidhje midis trafikantëve të drogës dhe UÇK-së”, u tha në këtë punim.

Sipas punimit, në Belgjikë bosi i “të ashtuquajturës mafi shqiptare la fishekë para dyerve të anëtarëve të diasporës shqiptare si kujtesë se taksat ‘vullnetare’ që ata kishin paguar për mbështetjen e Qeverisë në hije dhe UÇK-në, në të vërtetë nuk ishin ‘vullnetare’”.

Punimi pretendon se mbijetesa e UÇK-së “varej nga financimi që ofronin banditët patriotë, që operonin përtej kufijve. Të ashtuquajturat taksa vullnetare u dërgoheshin organizatave humanitare sikurse Vendlindja Thërret”.

Në punim, lufta në Kosovë më 1998-99 vlerësohet si “konflikt etnik”, teksa aty pretendohet se agjencitë perëndimore të inteligjencës “shpesh mbyllën sytë ndaj bashkëpunimit mes krimit dhe politikës në Kosovë”.

“Që nga fillimi i viteve 1990, shumë ishin të vetëdijshëm për lidhjen midis UÇK-së dhe trafikantëve të drogës. Pas konfliktit, UÇK-ja vetë u shpërbë formalisht, megjithatë shumë ish-komandantë të UÇK-së u përfshin në politikë. Me politikën erdhi edhe krimi”, thuhet në këtë punim.

UÇK-ja ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999.

Ministri Liburn Aliu njofton dorëheqjen pas zgjedhjes së Bashës kryeparlamentar

Radio Evropa e Lirë

Liburn Aliu ka njoftuar të mërkurën se ka dhënë dorëheqje si ministër në detyrë në Qeverinë e Kosovës, për shkak të, siç tha, zgjedhjes së Dimal Bashës në postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës një ditë më parë.

“Dua t’ju njoftoj që sapo e dorëzova te kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, letrën e dorëheqjes sime nga detyra e Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, shkroi Aliu në Facebook.

Ai shpjegoi se dorëheqja e tij vjen pasi dje bashkëpartiaku i tij, Dimal Basha, u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Aliu tregoi se e kishte njoftuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për vendimin e tij menjëherë pas zgjedhjes së Bashës të martën.

“Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, tha Aliu.

Aliu – i cili është anëtar dhe ndër themeluesit e Lëvizjes Vetëvendosje – nuk mori pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 9 shkurt.

Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar Qeverinë në detyrë për koment në lidhje me dorëheqjen e tij.

Basha, i cili u zgjodh me 73 vota për, njihet për gjuhën e tij të vrazhdë kundrejt atyre që i konsideron kundërshtarë.

Në të paktën pesë postime gjatë gushtit, ai e ka përdorur fjalën “langarecët” për t’i kritikuar opozitën, sistemin e drejtësisë, por edhe mediat.

Kush është Dimal Basha?

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës më 26 gusht.

Sipas biografisë së publikuar në ueb-faqen e kësaj partie, ai ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në qytetin e Ferizajt.

Studimet e larta i ka përfunduar në “John Jay College of Criminal Justice” në Nju Jork, duke diplomuar me vlerësimin më të lartë në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare”.

Basha, gjithashtu, ka përfunduar studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri”, në Universitetin “The New School University”, po ashtu në Nju Jork.

Në politikë, ai ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës për dy mandate dhe tashmë është zgjedhur për herë të tretë.

Çfarë nënkupton me fjalën “langarec” kryekuvendari Dimal Basha

Valona Tela

“Langarec” është shprehja që kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka përdorur shpesh kundrejt atyre që i konsideron kundërshtarë.

Platformat e langarecave”, “loja e langarecave”, “langarecat e çuditur me Albulenën”, “AGK-ja me langareca”, “Langareca dhe oligarkë”…

Në të paktën pesë postime gjatë gushtit, kjo frazë është përdorur për të kritikuar opozitën, sistemin e drejtësisë, por edhe mediat.

Çfarë nënkupton saktësisht me këtë fjalë, nuk është krejt e qartë.

Në një postim më 10 shkurt, Basha ka shkruar se “langarecë” nënkupton ‘njerëz pa karakter’.

Sipas shpjegimeve online, “langarec” është një term ofendues që u referohet personave të pandershëm, që shfrytëzojnë të tjerët dhe nuk kanë integritet.

“Shumica e mediave sot kanë dy lloje pronarësh, langareca dhe oligarkë – shpeshherë të kombinuar, por gjithmonë të koordinuar për të njëjtin qëllim. Langarecave u duhen qeveritë që i ushqejnë me ‘reklama’, kurse oligarkët kërkojnë qeveri që i ushqejnë me tenderë”, ka shkruar Basha në një postim në Facebook më 5 gusht.

Kush është Dimal Basha?

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës më 26 gusht.

Sipas biografisë së publikuar në ueb-faqen e kësaj partie, ai ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në qytetin e Ferizajt.

Studimet e larta i ka përfunduar në “John Jay College of Criminal Justice” në Nju Jork, duke diplomuar me vlerësimin më të lartë në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare”.

Basha, gjithashtu, ka përfunduar studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri”, në Universitetin “The New School University”, po ashtu në Nju Jork.

Në politikë, ai ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës për dy mandate dhe tashmë është zgjedhur për herë të tretë.

E, gjuhë të ashpër ndaj mediave, Basha ka përdorur edhe më herët, duke nxitur reagime nga organizatat që monitorojnë lirinë e shtypit.

Më 3 maj të vitit të kaluar, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar “intimidimin publik” të tij ndaj një gazetareje të RTK-së, pasi është pyetur “për kushtin e Asociacionit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”.

Me këtë rast, sipas AGK-së, Basha e ka krahasuar Transmetuesin Publik, RTK, me televizionin shtetëror serb, RTS.

AGK-ja e ka konsideruar si “sulm të papranueshëm ndaj lirisë së mediave dhe pluralizimit medial në Kosovë” edhe deklaratën e Bashës më 27 qershor, 2024.

“Kjo qeveri është e vetmja qeveri që ua ka ndaluar komplet tagjinë dhe asnjë cent nuk iu shkon më mediave”, ka thënë Basha, duke përmendur edhe juristen e mediave, Flutura Kusari.

“Në emër të lirisë së mediave nuk mund ta mbrojë lirinë e oligarkëve, por as ta zhvatë këtë Republikë”, ka thënë ai, duke iu referuar Kusarit.

Partnerët e Reagimit të Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR) e kanë dënuar ashpër “fjalimin e tij abuziv” kundër Kusarit.

“Ne qëndrojmë fuqishëm në solidaritet me kolegen tonë, si dhe me të gjithë aktivistët dhe gazetarët që përpiqen të mbrojnë lirinë e medias në Kosovë”, është thënë në reagimin e MFRR-së më 1 korrik, 2024.

Më pak se dy muaj më vonë, Basha, në një postim tjetër në Facebook, ka thënë se mediat në gjuhën shqipe “po i ndihmojnë Serbisë e Rusisë për të keqinformuar”.

Ai ka përdorur gjetjet e një raporti hulumtues nga Hibrid.info, në lidhje me çrregullimin informativ në Kosovë, porse ueb-faqja në fjalë e ka demantuar, duke thënë se fjalia e tij është koment personal i deputetit dhe nuk është pjesë e raportit.

Në një postim në dhjetor të 2024-ës, Basha ka ftuar miqtë e tij t’i shpërndajnë lajmet për arritjet e Qeverisë së udhëhequr nga Vetëvendosja, në lidhje me situatën energjetike në vend, duke thënë se “portalet argate nuk i shpërndajnë lajmet tona, aq më pak arritjet”.

Pas zgjedhjes së tij në krye të Kuvendit, Flutura Kusari, njëherësh këshilltare ligjore në Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, tha se Basha është një ndër sulmuesit më të mëdhenj të gazetarëve dhe të aktivistëve në Kosovë.

“Uroj që marrja e pozitës së re do të ndikojë sadopak që Basha të përmbahet dhe të menaxhojë më mirë mosdurimin e tij dhe të partisë së tij ndaj pushtetit të katërt”, shkroi Kusari në Facebook.

Në postimet e tij gati të përditshme në Facebook, Basha ka vazhdimisht në shënjestër edhe partitë kundërshtare.

“Mjerë LDK-ja ku është katandisur – prej akademikëve ka rënë në Big Brother! Tash, veç edhe fituesi i Përputhen në PDK edhe kompletohet opozita – gati për zgjedhje”, ka shkruar ai më 24 tetor, 2024, duke bërë krahasimin e partive me disa programe argëtuese.

Në një tjetër postim, më 16 shtator të vitit të kaluar, ai ka sugjeruar se opozita ka qenë “më shumë e koordinuar me krimin e organizuar se me ndërkombëtarët”.

Duke përdorur emrin dhe fotografinë e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, Basha ka treguar një barcoletë në një postim më 20 mars, me fjalor denigrues.

Ai ka mbështetur edhe fjalorin fyes të udhëheqësit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, kundrejt partive opozitare.

Për sistemin e drejtësisë, sikurse edhe për mediat, ka thënë se “mundohet ta zbehë integritetin dhe punën e Qeverisë Kurti”.

Në një postim më 16 korrik ka kritikuar shoqërinë civile dhe opozitën që thonë: “mos ua përmendni emrat gjyqtarëve”.

“Po doni t’i mbani sa më fshehtë që edhe kur të marrin vendime kriminale, mos të keni presion prej askujt a?”, ka shkruar Basha, duke përmendur emrat e tre gjykatësve të Gjykatës Supreme.

Basha kujtohet edhe për postimin e 9 shkurtit – në ditën e zgjedhjeve parlamentare, që i fitoi partia e tij.

Në vend të fjalës së menduar, ai ka përdorur simbole ***** – me gjasë për t’iu drejtuar partive opozitare, ndërsa ka postuar edhe një fotografi të Kurtit, duke e përshkruar si “të palëkundur dhe të pathyeshëm”.

Kuvendi është institucioni ligjvënës i Republikës së Kosovës, përgjegjës për miratimin e Kushtetutës, ligjeve, rezolutave, deklaratave dhe akteve të tjera të përgjithshme.

Në krye të 120 deputetëve dhe me “langarecët” në gjuhë deri më tash, mbetet të shihet se si Basha do t’i përshtatet njërit prej institucioneve më të larta të vendit.

Në fjalimin e parë si kryekuvendar, ai tha se “Kuvendi është zemra e demokracisë sonë, vendi ku përfaqësohen zërat e të gjithë qytetarëve”.

Basha tashmë ka pranuar urime nga figura të ndryshme – nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e deri tek Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.

Përndryshe, deri te konstituimi i plotë i Kuvendit ka mbetur edhe një hap: zgjedhja e nënkryetarit serb.

Radio Evropa e Lirë

Investigimi i Faktoje: 3069 farmaci në duart e 8 shpërndarësve, si funksionon oligopoli i ilaçeve

Nga Sebi Alla | Faktoje

Në një proces mëse të mirëorganizuar, një prodhues vendas i madh, tetë subjekte import- shpërndarje me shumicë dhe dyshimi i arsyeshëm për përcaktim çmimesh dhe cilësie, kanë kthyer 3069 farmaci të licensuara në të gjithë vendin si shitore të produkteve të diktuara nga grosistët e barnave.

Krahas dominimit të tregut nga subjekte të mëdha prodhuese dhe tregtuese, ekspertët e fushës ngrenë shqetësimin e rënies së cilësisë së medikamenteve, jo vetëm atyre të rimbursueshme por edhe atyre që tregtohen në farmacitë e hapura.

“Tregu shqiptar i farmacive të rrjetit të hapur, por zhytet nën kthetrën e monopolizimit”, thotë për Faktoje.al, ish-presidentja e Urdhrit të Farmacistëve, Diana Toma.

Edhe vetë institucionet shtetërore e konstatojnë monopolizimin e tregut në përcaktimin e çmimit dhe llojeve të medikamenteve, duke ua lënë në duar pak subjekteve një proces zinxhir prodhim dhe tregtim shumicë-pakicë.

“Çmimi i barnave në tregun farmaceutik nuk është element konkurrues pasi fiksimi i tij për të paktën një periudhe 6 mujore dhe përcaktimi i tij në pullën e kontrollit e bën atë të pandryshueshëm, duke sjellë kufizim të konkurrencës me çmimet e produkteve në tregun farmaceutik nga aktorët e këtij tregu”. Me këtë përfundin arrin Autoriteti i Konkurrencës pas një hetimi të gjatë, duke dalë me një raport përfundimtar (i fundit) në tetor të vitit 2022.

Kontrolli i plotë çmim-produkt!
“Në Shqipëri janë 3069 farmaci të licencuara; importues dhe shpërndarës në tregun farmaceutik (Tregtimi me shumicë i barnave) janë 233 licenca; Prodhuese në sektorin farmaceutik (Prodhimi i barnave) janë 10 licenca dhe farmaci spitalore (Shërbime spitalore), janë 27 licenca”, thotë QKB (Qendra Kombëtare e Biznesit), për Faktoje.al.

Edhe pse janë dhënë 233 licensa për subjekte të tregtim me shumicë të barnave, numri real i tyre është shumë më i vogël.

Nga një hetim i Autoritetit të Konkurrencës, rezulton se në vitin 2022 ishin 13 kompani të mëdha farmaceutike.

Ndërkohë nga verifikimet e Faktoje.al dhe pas përpunimit të të dhënave që vijnë edhe nga hetimi i Autoritetit të Konkurrencës, rezulton se aktualisht janë vetëm tetë subjekte të mëdha të cilët kontrollojnë tregun, por pasi hapin filiale me emra të tjerë tregtarë, “mbulojnë” aktivitetin e tyre, ç’ka japin ‘de jure” idenë se në vend ka shumë kompani tregtimi me shumicë.

“Në tregun farmaceutik kemi një shtresëzim të tillë; import-shpërndarje një kategori dhe prodhues një kategori tjetër, por produktet e të dy kategorive, shpërndarjen tek qytetari e realizojnë përmes farmacive të rrjetit të hapur. Fundi i hinkës është farmacia e rrjetit të hapur. Një pjesë nëpërmjet tenderave shkon në spitale, dhe një pjesë tjetër lëvrohet për qytetarët në farmaci”, thotë Toma.

Subjektet e mëdha prodhuese
Faktoje.al iu referua hetimit të Autoritetit të Konkurrencës i cili në një analizë të detajuar qartësisht dallon vetëm një kompani prodhuese barnash vendase, Profarma dhe tetë kompani të tjera tregtuese.

QKB ka të regjistruar 10 subjekte prodhuese, por Diana Toma saktëson se “vetëm një kompani është prodhuese barnash, (Profarma), ndërsa kompanitë e tjera prodhojnë produkte teknike mjekësore ose produkte parafarmeceutike”.

Autoriteti i Konkurrencës në të njëjtin raport (tetor 2022 i fundit) mori në shqyrtim tregun e ilaçeve dhe konstatoi se: “Mbështetur në analizën e të dhënave mbi vlerën e barnave të prodhuara në vend dhe të tregtuara nga ndërmarrjet e autorizuara për prodhim dhe tregtim, rezultoi se, ndërmarrja Profarma është prodhuesi më i madh farmaceutik në vend, i ndjekur nga Noval dhe Florfarma. Nga një kryqëzim i të dhënave të depozituar nga Profarma SHA dhe FSDKSH (lista e barnave te rimbursueshme), konstatohet se në listën e barnave të rimbursueshme, produktet e Profarma janë pothuajse në të gjitha rastet, alternativa më e lirë brenda barit xhenerik”, thotë AK, që gjithashtu nuk konstaton shkelje, pasi ndonëse sheh dominim tregu, e mbulon me çmimin e ulët të ilaceve, veçanërisht atyre të rimbursueshme.

Subjektet tregtuese
Autoriteti i Konkurrencës në hetimin e saj thekson se institucionet shtetërore, veçanërisht Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM) nuk i kishin vënë në dispozicion dokumentet përkatëse mbi kompanitë prodhuese dhe tregtuese, sa ilaçe kanë importuar dhe mbi cilësinë e tyre. Megjithatë Autoriteti i Konkurrencës del në përfundimin se për vitin 2022 “ndërmarrjet më të mëdha të importit të barnave mjekësore janë (Rejsi Farma SHPK, Incomed SHPK, Evita SHPK, IMI Pharma SHPK, Trimed SHPK, Aldosch Farma SHPK, Fufarma SHA, Pegasus SHPK, CFO Pharma SHPK, Delta Pharma-AL SHPK, Megapharma SHPK dhe Intermed SHPK)”.

AK konstaton gjithashtu se një subjekt tregtar ka dominuar përgjatë vitit 2020 me “vaksinën anti grip”, duke e konsideruar këtë shkelje, pasi rreth 75 % e kësaj vaksine gjendej vetëm në farmacitë e hapura, rrjet i këtij subjekti importues.

“Në përfundim të procedurave hetimore, Autoriteti i Konkurrencës konstatoi se: ’fiksimi i çmimet të shitjes së barnave në çdo nivel tregtimi, të përcaktuara në VKM nr. 143, datë 18.2.2015 “Për përcaktimin e marzheve të tregtimit dhe fabrikimit të barnave”, pika 1,2 dhe 3 sjell kufizim të konkurrencës në tregtimin me shumicë dhe pakicë të barnave”. Gjithashtu po ky institucion konstaton se, “ekzistenca e integrimit vertikal të ndërmarrjeve importuese farmaceutike dhe farmacive të rrjetit të pakicës, mund të sjellë krijimin e pozitës dominuese në treg”.

Pavarësisht qëndrimit të Autoritetit të Konkurrencës, tregu farmaceutik në vend jo vetëm nuk ka ndryshuar, por po thellon kontrollin nga një grup i vogël prodhuesish dhe tregtuesish me shumicë dhe pakicë të ilaçeve.

“…Tek farmacitë e hapura ka kompani të mëdha importuese të cilat duket se kanë bërë shtrirje nga tregtia me shumicë deri në pjesën fundore. Kanë hapur rrjetet e tyre farmaceutike”, thotë Toma, ndërsa shton se kjo ka sjellë “monopolizim të plotë nga prodhimi, depo të mëdha farmaceutike, shpërndarja dhe pastaj tregtia me pakicë nëpërmjet rrjeteve të tyre të farmacive të hapura”.

Hap e farmaci…!
Tre ligje kontroverse të viteve 2009, 2014 dhe 2015, nën sloganin e hapjes së madhe për licensimin e shumë farmacive dhe uljes së çmimeve të ilaçeve, duket se tashmë kanë sjellë dominim të tregut farmaceutik nga një grup i vogël biznesmenësh një prodhues vendas të barnave dhe tetë subjekteve të mëdha importuese të cilët kanë edhe rrjetet farmacish të shitjes me pakicë për të mbyllur ciklin prodhim-tregtim-shitje.

Në vitin 2009, Parlamenti miratoi ligjin 10081, për licensat dhe lejet, të propozuar nga qeveria.

“Nëse deri në 2009 kishim dhënjen e lejes për hapjen e farmacive nga Ministria e Shëndetësisë mbi kritere profesionale, distance etj, pas miratimit të këtij ligji këto kritere rrëzoheshin dhe me dëshirën e çdo individi i cili gjente një ambient edhe ngjitur me një farmaci tjetër, vetëm nëpërmjet vetëdeklarimit që bëhej, QKB-së, gëzonte të drejtën e hapjes së farmacisë”, thotë për Faktoje.al, Diana Toma, ish-presidentja e Urdhrit të Farmacistëve.

“Në vitin 2009 kur ju dha e drejta gjithkujt për të hapur farmaci, ndodhi që u shkëput lidhja mes farmacistit dhe farmacisë në pronësi. Pesha e përgjegjësisë iu la drejtuesit teknik dhe në këtë formë, i krijuam një mburojë artificiale pronarit të farmacisë që të bënte shkelje pa kokëçarje, pasi ‘faturat’ do i paguante drejtuesi teknik i farmacisë që tashmë nuk ishte pronar i subjektit”, thotë Toma, ndërsa këmbëngul se kjo formë largoi profesionistin farmacist nga tregu dhe i dha rëndësi konceptit tregtar edhe në fushën shëndetësore.

Dy ligjet që larguan cilësinë dhe ‘kapën’ tregun…!
Në vitin 2014 ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja për disa muaj premtoi ndryshime rrënjësore në sistemin shëndetësor në ligjin për barnat për shërbimin farmaceutik, duke premtuar ulje çmimesh dhe kontroll nga shteti. Gjithashtu edhe amendimet e këtij ligji një vit më vonë çimentuan industrinë farmaceutike në vend, duke paracaktuar çmimet, cilësinë dhe në mënyrë indirekte edhe kompanitë që do kishin më shumë akses në këtë treg të rëndësishëm. “Origjina e barnave që erdhën zëvendësuese, të barnave patentë, patjetër do i ketë çmimet më të lira, por kjo solli atmosferë mbytëse për kompanitë prestigjioze”, thotë Toma. “Kemi shumë farmaci që falimentojnë dhe që janë në pronësi të farmacistëve profesionistë dhe shtohet numri i këtyre farmacive që janë në pronësi të këtyre rrjeteve. Shohim që rrjetet farmaceutike shesin produkte më lirë sesa ne i blejmë në depo. Para cilit fenomen jemi? Para fenomenit që po investohet për të mbyllur farmacitë e tjera që është shkelje dhe mbyllje në mënyrë të pandershme apo para fenomenit që po pastrohen para”, thekson ish-presidentja e Urdhrit të Farmacistëve.

Kush kontrollon?
Agjencia Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM) në një përgjigje zyrtare për Faktoje.al tha se në vendin tonë janë të autorizuara për tregtim:

“Barnat e prodhuara në vendin tonë; barnat që kanë marrë autorizim për tregtim dhe që qarkullojnë në njërin nga vendet e Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanada, Turqi, Zvicër, Izrael, Japoni, Australi, Norvegji, Islandë dhe Mbretëri e Bashkuar; barnat që kanë marrë autorizim për tregtim lokal dhe që qarkullojnë në vend; barnat e prodhuara në vendet e Ballkanit, vetëm kur kanë marrë autorizim për tregtim dhe që qarkullojnë në vendin e tyre dhe barnat e pajisura me autorizimin e tregtimit nga (EMA) ose (FDA)”.

Ndonëse janë pesë autorizime, dominuese të tregut për përdorim spitalor dhe në farmaci private janë barna të prodhuara në vendin tonë, Turqi, apo një nga vendet e Ballkanit, kryesisht Serbi.

“Kompanitë e huaja prestigjioze që ishin deri në atë kohë, (viti 2015), u larguan të detyruara nga ana ligjore, apo konstatuan se nga përcaktimi i qeverisë do uleshin çmimet, që do të thotë se nuk do të kishin treg”, thotë ekspertja e farmaceutikës Diana Toma.

Sipas saj, largimi i detyruar i kompanive të mëdha farmaceutike nuk ishte i paqëllimtë. “Zhvendosja e tregut në vlerësimin tim është bërë vetëm për interesa të pastra fitimi për një shtresë apo kategori të caktuar individësh, duke mos e patur fare parasysh rëndësinë e prezencës së përfaqësive farmaceutike në Shqipëri të cilat në vetëvete janë garantues të stabilitetit të tregut farmaceutik të një vendi”.

Deputetët s’votojnë për tre kandidatë të LVV-së për kryetar të Kuvendit

Radio Evropa e Lirë

Gjatë vazhdimit të seancës konstituive, Hekuran Murati, Arbërie Nagavci dhe Dimal Basha nga Lëvizja Vetëvendosje s’arritën të siguronin 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në krye të Kuvendit të Kosovës.

Kjo ishte hera e dytë që Murati u propozua për këtë post, dhe hera e parë për Nagavcin dhe Bashkën.

Për Muratin dhe Nagavcin votuan 55 deputetë, 46 ishin kundër. Për Muratin abstenuan pesë deputetë, e për Nagavcin katër.

Ndërkaq, Basha mori 57 vota për, 25 ishin kundër dhe 24 abstenuan. Ai mori votën e Arben Gashit dhe Bekë Berishës, nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë.

Seanca konstituive u ndërpre dhe do të vazhdojë më 26 gusht, duke filluar nga ora 11:00.

Pas seancës, Hekuran Murati, tha se qëllimi i partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë është që të bllokojë formimin e institucioneve të Kosovës.

“Qëllimi i këtyre partive që rezultatin që nuk ua dha me votë qyteti, me këto makinacione të tentojnë të vjedhin rezultatin në tavolinë, përmes zvarritjeve të tilla”, tha Murati.

Sa i përket votës kundër të Partisë Demokratike të Kosovës për Dimal Bashën – ndonëse kjo parti ka shprehur se ka votë kundër vetëm ndaj personave që kanë qenë ministër në Qeverinë e Albin Kurtit – Murati tha se kjo dëshmon se problemi nuk ka të bëjë me emra të përvetshëm.

“Edhe kjo fraza ‘na duhen konsulta’ është vetëm një tentitivë për shtyrjen dhe vonesën e radhës sepse po shihet qartë qëllimi i tyre. Bëhet fjalë për makinacione – e jo për parime – sa herë që LVV ofron kompromis, partitë opozitare sjellin një kusht të ri”, tha Murati.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se kërkuan nga kryesuesi Avni Dehari pauzë 10-minutëshe me partitë e tjera para se të votohej për Bashën, por kjo nuk iu dha.

“Shpresoj që pasnesër Dehari të mos ketë arrogancë. Nëse ka një propozim që mund të marrë votat e PDK-së të japë një pauzë 10-minutëshe”, tha ai.

PDK-ja ka thënë se nuk voton ministrat e Qeverisë së Albin Kurtit, kujtoi Krasniqi, por Basha është deputet dhe tha se mund të marrë vota të partisë së tij.

“Rezerva kam për secilin”, theksoi Krasniqi, por shtoi se Basha sot edhe mund të zgjidhej kryeparlamentar nëse do të kishte një konsultë para votimit.

Pas seancës, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Arben Gashi, sqaroi se Basha ia kishte kërkuar votën më parë, prandaj ai e votoi.

Besian Mustafa tha se LDK-ja ka qëndrimin e saj që nuk voton kandidat të LVV-së pa një marrëveshje politike, por shtoi se deputeti Gashi, me votën për Bashën, shprehu qëndrimin e tij.

“Në mungesë të një marrëveshje politike, cilado parti që do të propozonte dikë për kryekuvendar, LDK-ja nuk ka pse ta votojë”, tha Mustafa.

Ky ishte vazhdimi i tretë i seancës konstituive që nga publikimi i aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese më 18 gusht.

Sipas aktgjykimit, deputetët kanë 30 ditë kohë për të zgjedhur kryetarin dhe pesë nënkryetarët.

Kryeparlametari duhet të zgjidhet me votim të hapur dhe një emër mund të hidhet në votim deri në tri herë.

Që nga publikimi i aktgjykimiz, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar edhe Albulena Haxhiun dhe Donika Gërvallën, por ato nuk kanë arritur të marrin 61 votat e nevojshme.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë thënë se votojnë për kandidatë të caktuar nga LVV-ja. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kanë argumentuar se nuk kanë votë për asnjë kandidat për kryeparlamentar pa një marrëveshje politike.

LVV-ja në seancat paraprake – para aktgjykimit të fundit të Kushtetueses – kishte insistuar në emrin e Haxhiut për kryeparlamentare. Tani kjo parti thotë se pas dështimit që Gërvalla dhe Murati të zgjidhen në drejtimin e Kuvendit, argumenti i partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë, se Haxhiu nuk është person i papërshtatshëm për këtë post, nuk qëndron. LVV-ja akuzon partitë e tjera për bllokim të krijimit të institucioneve.

Por, partitë e tjera thonë se tani LVV-ja po propozon emra që e di se nuk kanë votë për t’u zgjedhur kryeparlamentar. AAK-ja ka kërkuar të dijë emrin e kandidatit të LVV-së, para se ai të propozohet, por nuk gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Si nisi ngërçi politik?

Seanca konstituive ka nisur më 15 prill. Por, ajo deri më tani nuk është përmbyllur për shkak të mospajtimeve mes partive politike lidhur me formën e votimit të kryeparlamentarit.

Pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, disa herë dështoi të zgjidhej në krye të organit ligjvënës në gjashtë votime të hapura, Dehari më 1 maj ndryshoi rendin e ditës.

Ai më pas kërkoi nga Partia Demokratike, Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe që të propozonin nga një anëtar për një komision që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentarin.

Kjo u kundërshtua nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, të cilat refuzuan që të propozonin anëtar për këtë Komision.

Fillimisht, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës iu drejtua Kushtetueses për çështjen e ngërçit. Gjykata u përgjigj më 26 qershor, duke thënë se votimi duhej të bëhej sipas praktikave të deritanishme. Ajo u dha deputetëve 30 ditë afat ta përmbyllnin procesin e konstituimit, por ky afat u shpërfill.

Në ndërkohë, PDK-ja dhe LDK-ja, dorëzuan lëndë të ndara për çështjen e votimit të kryeparlamentarit.

Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme nga 27 qershori deri më 8 gusht, duke ua ndaluar deputetëve që të ndërmerrnin vendime dhe veprime për konstituimin e Kuvendit.

Më 8 gusht, Kushtetuesja njoftoi për vendimin për dy lëndët e paraqitura – aktgjykimin e plotë të të cilit e publikoi më 18 gusht – përmes së cilit tha se ndryshimi i rendit të ditës ishte shkelje, duke obliguar Kuvendit që t’i kthehet votimit të hapur.

Asnjëra nga subjektet nuk ka fituar vota të mjaftueshme për të bërë vet shumicën dhe po ashtu nuk është arritur një marrëveshje politike.

LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i fitoi 48 ulëse gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe partitë e tjera parlamentare nuk kanë pranuar ta votojnë kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, për emërimin e së cilës nevojiten të paktën 61 vota.

PDK-ja doli e dyta me 24 ulëse, LDK-ja e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9, dhe koalicioni mes AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla.

Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.

Zyrtarë të Listës Serbe takohen me Petkoviqin në Serbi, një ditë pasi s’u certifikuan për zgjedhje në Kosovë

Zyrtarë të Listës Serbe priten në një takim në Serbi nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, 22 gusht.

 

Radio Evropa e Lirë

Zyrtarë të Listës Serbe janë pritur në një takim në Serbi nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës nuk e certifikoi atë për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Petkoviq shkroi në X se takimi në qytetin jugperëndimor të Serbisë, Rashkë, u zhvillua “pas përpjekjes së Kurtit për ta ndaluar atë të marrë pjesë në zgjedhjet lokale”, duke iu referuar kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

“Diskutuam për situatën politike, të sigurisë dhe ekonomike në zonat serbe, si dhe për hapat e mëtejshëm dhe mbështetjen në mbrojtjen e interesave të popullit serb në Kosovë dhe Metohi”, shtoi ai.

Vendimi i Komisionit Qendror Zgjedhor i Kosovës u kritikua nga vendet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropain, të cilat i bënë thirrje Qeverisë në detyrë dhe partive politike të mos ndërmarrin ndonjë hap tjetër për ta penguar regjistrimin e Listës Serbe për zgjedhjet e tetorit.

Zyrtarët e Listës Serbe udhëtuan për t’u takuar me Petkoviqin në Rashkë disa orë pasi parashtruan ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kundër vendimit të KQZ-së për moscertifikimin e saj.

Pse s’u certifikua Lista Serbe?

Zyra e Partive Politike në KQZ – që ka për detyrë shqyrtimin e aplikimeve të partive politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje – rekomandoi certifikimin e Listës Serbe.

Megjithatë, anëtarët e Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ishin të zëshëm kundër certifikimit të Listës Serbe, duke argumentuar se shumica e kandidatëve të saj janë pjesë edhe e strukturave paralele serbe, por e cilësuan këtë parti edhe si “dorë e zgjatur” e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Kosovë.

Kurteshi tha se “90 për qind të personave që janë në listat e kandidatëve të Listës Serbe janë të anëtarësuar në institucione paralele serbe në Kosovë”.

Ai e kundërshtoi kandidaturën e Sasha Millosheviqit për kryetar të Novobërdës duke thënë se ai ishte emëruar nga Qeveria serbe për kryetar të komunës së Gjilanit, komunë kjo paralele serbe.

Millosheviq ishte emëruar për kryetar të Gjilanit nga Qeveria serbe më 27 shkurt 2020, si “kryetar i Organit të Përkohshëm të Komunës së Gjilanit”.

Por, Qeveria e Serbisë, më 7 gusht, mori mbi 20 vendime kadrovike për emërimin dhe shkarkimin e zyrtarëve të institucioneve, mes tyre edhe disa që kanë qenë në krye të organeve të përkohshme për komunat në Kosovë.

Këto pretendime u kundërshtuan nga Lista Serbe dhe nga Beogradi zyrtar.

Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq tha se ky vendim ishte “shembull flagrant i inxhinierisë politike që synon përjashtimin e popullit serb nga jeta demokratike”.

Vetëvendosje luftoi kundër certifikimit të Listës Serbe edhe për zgjedhjet parlamentare të shkurtit, dhe komisioni zgjedhor nuk e kishte certifikuar atë fillimisht edhe asokohe.

Megjithatë, pas ankesave në instanca më të larta, Lista Serbe u certifikua dhe mori pjesë në zgjedhje, duke i fituar 9 ulëse në Kuvend.

Lista Serbe vendosi të garojë në zgjedhjet e sivjetshme lokale, pasi kishte bojkotuar zgjedhjet e kaluara lokale, duke bërë që kryetarët shqiptarë ta merrnin dhe mbanin pushtetin në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit nga maji i vitit 2023.

Nëse certifikohet, Lista Serbe pritet t’i rimarrë të gjitha katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Gërvalla: PDK, LDK, AAK kanë vendosur të bllokojnë krijimin e institucioneve

 

Deputetja Donika Gërvalla nga Guxo – pjesë e koalicionit parazgjedhor me LVV-në – tha se dështimi që Hekuran Murati të marrë 61 vota për kryeparlamentar tregon se “s’është problemi tek emrat”.

Ajo akuzoi partitë politike që mandatin e kaluar ishin në opozitë se “kanë vendosur të bllokojnë dhe të shohim se deri ku mund ta çojmë bllokadën”.

“Bllokimi nuk lidhet me emra të përveçëm, thjesht lidhet me mosgatishmërinë e opozitës për të shkuar në një fazë të re, të konstituimit të vendit, të formimit të qeverisë”, tha ajo.

Gjatë paraqitjes për media ajo foli edhe për Listën Serbe, partinë e serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit. Kjo parti votoi kundër Muratit gjatë seancës së sotme.

Sipas Gërvallës, Lista Serbe është “parti që synimin e ka zhbërjen e Kosovës, një parti e nuk e ka vendin në Kuvend dhe në udhëheqje komunale. Andaj jemi këmbëngulës që certifikimi për zgjedhjet e tetorit nuk duhet të ndodhë dhe nuk duhet lejuar që të ndodhë”.rel

Prattipati: SHBA, e shqetësuar nga çdo përpjekje për ta kufizuar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet lokale

E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, thatë një takimi me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

 

Radio Evropa e Lirë

E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, ka thënë të enjten se ia ka shprehur kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, shqetësimin e Shteteve të Bashkuara nga çdo përpjekje për t’ua kufizuar partive serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të tetorit.

Duke folur për gazetarë pas një takimi me Kurtin në Prishtinë, Prattipati tha se bisedoi me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje për veprimet që “ne kuptojmë se kryeministri në detyrë dhe Vetëvendosje po shqyrtojnë t’i përjashtojnë disa nga partitë politike nga pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme lokale”.

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor.

“Që të jemi të qartë, ne besojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësinë e plotë t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre të zgjedhur”, tha ajo.

Nga 38 komuna sa ka Kosova, 10 prej tyre janë të banuara me shumicë serbe, kryesisht në veri dhe disa në pjesë të tjera të vendit.

Prattipati nënvizoi se është shumë e rëndësishme që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje, duke shtuar se “jemi të shqetësuar për çdo përpjekje që ua kufizon këtë mundësi.

“Fola për këto çështje me kryeministrin në detyrë dhe i theksova vëmendjen e Shteteve të Bashkuara për këtë çështje”, theksoi ajo.

Takimi i Prattipatit me Kurtin vjen një ditë pasi deputeti i Vetëvendosjes dhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, u shpreh se partitë tjera në vend kanë raporte të mira me partinë më të madhe të serbe në Kosovë – Lista Serbe – dhe se ato do të “kontribuojnë në certifikimin e saj për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale”.

Po ashtu, ky takim u mbajt vetëm disa orë para takimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ku pritet të shqyrtohet certifikimi i partive për pjesëmarrje në zgjedhje, mes tyre edhe i Listës Serbe.

Vetëvendosje luftoi kundër certifikimit të Listës Serbe edhe për zgjedhjet parlamentare të shkurtit, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e kishte certifikuar atë fillimisht.

Megjithatë, pas ankesave në instanca më të larta, Lista Serbe u certifikua dhe mori pjesë në zgjedhje, duke i fituar 9 ulëse në Kuvend.

Vetëvendosje e kishte arsyetuar kundërshtimin e certifikimit të Listës Serbe duke thënë se kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe vazhdon ta quajë atë provincë autonome të Serbisë, “Kosova dhe Metohia”.

Ndër arsyet e kundërshtimit të pjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhje nga Vetëvendosja është edhe fakti se partia serbe nuk është distancuar nga ish-nënkryetari i saj Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, ku u vra një polic kosovar më 2023.

Lista Serbe u themelua në vitin 2013 me mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe që atëherë ka pasur mbështetje për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës.

Deri më tani, në të gjitha proceset zgjedhore ku ka marrë pjesë, kjo parti ka fituar mbi 90 për qind të votave të komunitetit serb, por Misioni Vëzhgues i BE-së, në raportin e saj të vitit 2021, ka përfunduar se Lista Serbe ka “monopolizuar jetën politike ndërmjet serbëve të Kosovës” dhe janë shënuar raste të frikësimit dhe presionit ndaj votuesve nga kandidatët dhe aktivistët e kësaj partie.

KQZ-ja nuk e certifikon Listën Serbe për zgjedhjet lokale të tetorit

Radio Evropa e Lirë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës nuk e ka certifikuar Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve të Kosovës – për zgjedhjet lokale të tetorit.

Rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit, i mori vetëm 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime.

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e kanë kundërshtuar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të tetorit.

Duke folur në mbledhjen e KQZ-së, ku pritet të votohet për certifikimin apo jo të partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit, Sami Kurteshi tha se mbi “90 për qind të personave që janë në listat e kandidatëve të Listës Serbe janë të anëtarësuar në institucione paralele serbe në Kosovë”.

Kurteshi e ka kundërshtuar kandidaturën e Sasha Millosheviqit nga Lista Serbe për kryetar të Novobërdës, duke thënë se ai ishte emëruar nga qeveria serbe për kryetar të komunës së Gjilanit, komunë kjo paralele serbe.

“Ky luan rol dyfish”, tha Kurteshi. “Ky punon në institucione të një shteti që ka synime agresive edhe ushtarake ndaj Republikës së Kosovës”.

Ai ishte emëruar për kryetar të Gjilanit nga Qeveria serbe më 27 shkurt 2020, si “kryetar i Organit të Përkohshëm të Komunës së Gjilanit”.

Por, Qeveria e Serbisë, më 7 gusht, mori mbi 20 vendime kadrovike për emërimin dhe shkarkimin e zyrtarëve të institucioneve, mes tyre edhe disa që kanë qenë në krye të organeve të përkohshme për komunat në Kosovë. Ndër të shkarkuarve ishin Sasha Millosheiq, Zoran Todiq nga Leposaviqi, Novak Zhiviq i ngarkuar për komunën e Prishtinës, Goran Dançetoviq, kryetar i komunës së Obiliqit, Bozhidar Dejanoviq nga Vitia, etj.

Anëtari tjetër i Vetëvendosjes, Alban Krasniqi, tha se Lista Serbe është “dorë e zgjatur e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq” dhe se ajo nuk lufton për interesat e serbëve të Kosovës.

“I lus kolegët e mi të votojmë kundër certifikimit të Listës Serbe”, tha ai.

Zyra e Partive Politike në KQZ – e cila ka për obligim të shqyrtojë aplikimet e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje – ka rekomanduar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Anëtarja e KQZ-së nga Lista Serbe, Gordana Llaban, tha se nëse zyrës i është thënë se të gjithë kanë kaluar filtrat dhe se të gjithë kandidatët janë të rregullt, atëherë duhet të certifikohen të gjithë kandidatët.

“Nëse ekzistojnë çfarëdo dëshmish, le të kryejnë institucionet punën e tyre. Mendoj se janë përdorur shumë fjalë të rënda. Duke ju dëgjuar juve si flisni, pas kësaj unë mendoj se asnjë serb më nuk do të mbetet serb, pa u quajtur terrorist apo kriminel. Më intereson nëse i keni kontrolluar kështu listat e çdo partie. A ka kriminelë në ndonjë parti tjetër, apo janë të gjithë vetëm në Listën Serbe? Nuk mund ta lejoj që populli serb në Kosovë të barazohet me një numër terroristësh apo kriminelësh. Organet që janë përgjegjëse për këtë, le t’i ndjekin kriminelët dhe le t’i arrestojnë, por nuk mund të barazohet i gjithë populli serb me kriminelët”, tha Llaban, duke iu drejtuar Kurteshit.

Kurteshi ia ktheu duke thënë se “nuk e cilësoj popullin serb terrorist, por mendoj se Lista Serbe ka të kaluar dhe të tashme terroriste”.

Ndërkohë, anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, Arianit Elshani, tha se ai do të abstenojë nga votimi.

“Ne si PDK abstenojmë nga certifikimi, nuk jemi për certifikim, abstenojmë nga votimi përderisa nuk kemi veprime nga institucionte e sigurisë, të cilat na tregojnë rrugën që duhet ndiqet për këtë parti”, tha Elshani.

Në prag të mbledhjes së KQZ-së, ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, ia shprehu kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, shqetësimin e Shteteve të Bashkuara nga çdo përpjekje për t’ua kufizuar partive serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të tetorit.

Prattipati nënvizoi se është shumë e rëndësishme që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje, duke shtuar se “jemi të shqetësuar për çdo përpjekje që ua kufizon këtë mundësi.

“Fola për këto çështje me kryeministrin në detyrë dhe i theksova vëmendjen e Shteteve të Bashkuara për këtë çështje”, theksoi ajo.

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor.

Vetëvendosje luftoi kundër certifikimit të Listës Serbe edhe për zgjedhjet parlamentare të shkurtit, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e kishte certifikuar atë fillimisht.

Megjithatë, pas ankesave në instanca më të larta, Lista Serbe u certifikua dhe mori pjesë në zgjedhje, duke i fituar 9 ulëse në Kuvend.

Ambasada amerikane: Ngërçi politik po i kushton Kosovës, udhëheqësit duhet ta priotarizojnë progresin dhe stabilitetin

Flamuj amerikanë në Prishtinë.

 

Radio Evropa e Lirë

Ambasada amerikane në Prishtinë ka thënë të enjten se Kosovës po i kushton ngërçi politik dhe u ka bërë thirrje udhëheqësve politikë ta bëjnë prioritet progresin dhe stabilitetin e vendit.

Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënes i Ambasadës tha se partitë parlamentare në Kosovë duhet të punojnë së bashku për t’i themeluar institucionet e reja në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Kjo bllokadë e vazhdueshme politike po i kushton Kosovës me humbje të mundësive. Është koha që udhëheqësia të vendosë përparësi tek progresi dhe stabiliteti, për të mirën e të gjithë qytetarëve”, tha ajo.

Kjo deklaratë e Ambasadës amerikane vjen një ditë pas dështimit më të fundit të deputetëve për ta zhbllokuar ngërçin, gati pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare.

Deputetët u mblodhën të mërkurën për vazhdimin e seancës konstituive, pasi dy ditë më parë gjykata më e lartë e vendit e publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me këtë çështje, i cili i detyron ata ta bëjnë Kuvendin e ri brenda një afati prej 30 ditëve, i cili skadon më 18 shtator.

Megjithatë, konstituimi dështoi pasi asnjëra prej dy kandidateve të propozuara nga partia fituese e zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje – Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla – nuk arritën t’i marrin më shumë se 57 vota, që është 4 vota më pak se të paktën 61 votat e kërkuara për t’u zgjedhur.

Të mërkurën, edhe Bashkimi Evropian dhe Ambasada italiane në Prishtinë u bënë thirrje partive parlamentare t’i themelojnë institucionet e reja sa më parë.

Pas seancës, Vetëvendosje i akuzoi partitë e tjera të mëdha në Kuvend, si PDK, LDK dhe AAK, se me këtë dëshmuan se emri i Haxhiut nuk ishte problemi kryesor, por se ato “po synojnë bllokimin e formimit të institucioneve”.

PDK-ja përsëriti qëndrimin se ka votë vetëm për një kandidat të Vetëvendosjes, i cili nuk ka qenë pjesë e Qeverisë në mandatin paraprak.

LDK-ja tha Vetëvendosje e ka ditur që Haxhiu dhe Gërvalla nuk kanë vota të mjaftueshme. Në të kaluarën, LDK ka thënë vazhdimisht se nuk e voton asnjë kandidat të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.

Ndërkaq, AAK-ja tha se pret që edhe në seancën e radhës Vetëvendosje të propozojë emra për të cilët nuk ka mbështetje.

Kosova mbajti zgjedhje parlamentare në shkurt, por nuk ka qenë në gjendje t’i themelojë institucionet e reja prej atëherë.

E gjithë kjo krizë disamujore vjen si pasojë e mungesës së një marrëveshje politike mes partive parlamentare, pasi asnjëra parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme.

Vetëvendosje i fitoi 48 ulëse, PDK-ja doli e dyta me 24 ulëse, LDK-ja e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – me 9, dhe koalicioni mes AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla.

Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.

A duhet partitë të jenë më bashkëpunuese për konstituimin e Kuvendit?

As aktgjykimi i ri i Gjykatës Kushtetuese, dhe as disa javë pushim nga vazhdimet e seancës konstituive, duket se nuk iu shërbyen deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të reflektuar për zhbllokimin e krizës institucionale.

Pavarësisht se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e propozoi, përveç Albulena Haxhiut, edhe Donika Gërvallën për kryekuvendare më 20 gusht, epilogu ishte i njëjtë: asnjëra nuk i siguroi 61 votat e nevojshme.

Partitë tjera sërish nuk ndryshuan mendje. Secila e ka një arsye, dhe nuk i merr parasysh përgjegjësitë që qytetarët ia vunë mbi supe për formimin e institucioneve dhe për përfaqësimin e tyre në to.

Kushtetuesja përcaktoi që deputetët janë të detyruar të marrin pjesë në seancën konstituive, që një kandidat nuk mund të propozohet më shumë se tri herë nga partia fituese, dhe që procesi duhet të përmbyllet brenda 30 ditësh – në këtë rast deri më 17 shtator, në mesnatë.

Në aktgjykim, gjykata vlerësoi se konstituimi është në shërbim të përmbushjes së detyrimit kushtetues dhe e rikujtoi Nenin 74 të Kushtetutës, i cili përcakton se deputetët “ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës”.

Deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Pozicionet e partive

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ngulmojnë se nuk votojnë kandidatë të LVV-së që kanë qenë pjesë e qeverisë në legjislaturën e kaluar.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vazhdon t’i qëndrojë besnike qëndrimit që nuk ka votë për asnjë kandidat të LVV-së, përderisa të mos ketë marrëveshje për një qeveri të unitetit.

Nisma Socialdemokrate thotë se do të abstenojë, derisa të arrihet një marrëveshje politike.

Agon Maliqi, njohës i çështjeve politike, mendon se ish-opozita po tregohet korrekte, dhe akuzoi LVV-në për zvarritje të qëllimshme, “për të mos e lejuar konstituimin e Kuvendit dhe fillimin e afateve ligjore për formimin e qeverisë”.

Disa tjerë argumentojnë se rivalëve të LVV-së iu konvenon bllokada, pasi edhe nëse do të bëheshin të katërtët bashkë – PDK, LDK, AAK dhe Nisma – do t’i kishin gjithsej 52 vota, të pamjaftueshme për të formuar vetë ndonjë qeveri eventuale.

Fotografia e Shën Terezës në hyrje të Kuvendit të Kosovës.

Fotografia e Shën Terezës në hyrje të Kuvendit të Kosovës.

A kanë partitë qëndrime të sinqerta?

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, nuk mendon ashtu.

“Në radhë të parë, limitimi i emrave vetëm te kandidatët të cilët nuk kanë pasur, apo nuk kanë pozita ministrore, ngre pyetjen se a do të ishin të pranueshëm të gjithë 35 deputetët tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë vetë zotin [Avni] Dehari, i cili është konstatuar se e ka shkelur Kushtetutën?”.

Ai e përmend obligimin e përcaktuar nga Kushtetuesja që të gjithë deputetët të veprojnë në mirëbesim, ndonëse beson se ata të LVV-së kanë më shumë përgjegjësi, sepse kanë më shumë vota.

“Më shumë sesa për çështje procedurale dhe për përmbushje të obligimeve kushtetuese, ajo çfarë po e karakterizon situatën e tanishme është mungesa e plotë e vullnetit politik për të dalë nga kjo situatë, sepse të gjitha partitë duket se garën e kanë se kujt do t’i mbetet faji në rast të dështimit përfundimtar për konstituimin e Kuvendit, dhe eventualisht për shkuarjen në zgjedhje”.

Për LVV-në, mungesa e votave në të mirë të kandidaturës së Gërvallës dëshmon se problemi nuk ka qenë te emri i Haxhiut, prandaj i ka akuzuar partitë tjera për bllokim të formimit të institucioneve.

Vetë Haxhiu ka thënë se e drejta për të propozuar emrin e kryekuvendarit i takon ekskluzivisht LVV-së, dhe se partitë tjera nuk kanë hise aty.

Por, Cakolli kujton se Kushtetuesja e ka ngritur çështjen e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit në nivel kushtetues, rrjedhimisht nevojën për një marrëveshje politike.

“Në fund të ditës është pozitë politike, dhe për sa kohë që nuk është emërim, por është votim, nuk mund të pretendohet që vetëm pse e ka të drejtën LVV-ja, e ka të garantuar zgjedhjen e cilitdo prej kandidatëve”.

Ai beson se edhe një aktgjykim i vitit 2014 është pjesërisht fajtor për situatën e krijuar: “Në esencë është jodemokratik, sepse e kufizon propozimin vetëm te partia e parë”.

Objekti i Gjykatës Kushtetuese në Prishtinë.

Objekti i Gjykatës Kushtetuese në Prishtinë.

A janë zgjedhjet zgjidhje?

Edhe Cakolli, sikurse shumë njohës tjerë të çështjeve politike, beson se kriza aktuale do të përfundojë me shpallje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare – si pasojë juridike që do të përcaktohej nga Kushtetuesja.

Ata aludojnë në këtë përgjigje të mundshme të gjykatës ndaj një kërkese tashmë të tërhequr të presidentes Vjosa Osmani, se cilat janë pasojat nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afateve të përcaktuara. Pavarësisht tërheqjes së lëndës, gjykata ka të drejtë ta trajtojë atë.

Njohës të çështjeve kushtetuese besojnë se mosrespektimi i afatit 30-ditor, i vendosur nga Kushtetuesja, do të përbënte shkelje të normave kushtetuese.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Ambasada e Italisë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se po i ndjekin nga afër zhvillimet në këtë drejtim, dhe u kanë bërë thirrje deputetëve të veprojnë me përgjegjësi për t’i respektuar afatet ligjore.

Radio Evropa e Lirë

As Gërvalla nuk votohet për kryeparlamentare

Shkelqim Hysenaj

• Më 20 gusht, Kuvendi i Kosovës votoi për dy kandidate për kryeparlamentare, por as Albulena Haxhiu, e as Donika Gërvalla nuk morën 61 votat e nevojshme.

• Vazhdimi i seancës konstituive u mbajt pasi Gjykata Kushtetuese urdhëroi deputetët që brenda 30-ditësh – duke nisur nga 18 gushti – të themelojnë organin ligjvënës.

• Votimi për kryeparlamentarin u bë në mënyrë të hapur dhe, sipas vendimit, një kandidat mund të hidhet në votim vetëm deri tri herë.

12:20

Lulzim Peci: Një ditë shprese për konstituimin e Kuvendit

Lulzim Peci, nga Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), tha se sot ishte “një ditë shprese për konstituimin e Kuvendit”.

Kjo, për shkak se Lëvizja Vetëvendosje propozoi nga një emër për kryeparlamentar vetëm një herë. Një formë e tillë, sipas Pecit, “mund të shkurtojë kohën për konstituimin e Kuvendit”.

“Por, në fund të fundit, gjëja më e rëndësishme është se u respektua vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa të tjerat janë politike”, shkroi ai në Facebook.

12:14

Peci thotë se ka pasur pritje që LDK-ja dhe AAK-ja mund të mbështesnin kandidaturën e Gërvallës

Bashkëkryetari i partisë Guxo, Faton Peci, tha se ka pasur pritje që LDK-ja dhe AAK-ja mund të mbështesin kandidaturën për kryeparlamentare të Donika Gërvallës.

“Kam menduar që mund të reflektojë LDK-ja, për shkak se në gjenezë dhe veprimtari, Donika është më LDK sesa këta që sot janë në LDK”, tha ai për gazetarë.

“E dyta, nuk e kam hequr nga lista e pritjeve as AAK-në, përkundër ballafaqimeve të ashpra që Donika ka pasur me zotin Haradinaj”, shtoi Peci.

Sipas tij, “inati e mposht arsyen në politikë”, duke akuzuar partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë për bllokim të konstituimit të Kuvendit.

“Prej sot është e qartë që pretendimi i partive opozitare që problemi i moskonstituimit të Kuvendit është emri i Albulena Haxhiut nuk qëndron. Problemi i opozitës është se kanë hyrë në aranzhmane me grupe të tjera për të parandaluar Qeverinë Kurti 3”, theksoi Peci.

Ai tha se LVV-ja dhe partnerët e saj, ende nuk kanë vendosur se kush do të kandidohet në seancën e radhës.

Faton Peci, kryetar i partisë Guxo.

Faton Peci, kryetar i partisë Guxo.

12:00

Murati: LVV-ja ofroi kandidat tjetër, PDK, LDK e AAK kanë për qëllim bllokimin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, drejtoi akuza ndaj PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe partive të tjera për bashkim në bllokimin e konstituimit të Kuvendit.

Ai tha se këto parti janë bërë bashkë për të penguar formimin e institucioneve dhe si dëshmi për këtë, sipas tij, është mosvotimi i Donika Gërvallës për kryetare të Kuvendit.

“Ne kemi besuar se nëse bëjmë hapin e parë të kompromisit, sot do të ketë reflektim nga opozita”, u shpreh Murati.

“Ne ofruam dikë tjetër dhe u dëshmua që ata funksionojnë bashkë me Listën Serbe”, shtoi ai.

Hekuran Murati. Fotografi nga arkivi.

Hekuran Murati. Fotografi nga arkivi.

Murati, i cili kritikoi edhe Gjykatën Kushtetuese, tha se opozita është e interesuar të bllokojë procesin, pavarësisht emrit të kandidatit.

“Ata janë të interesuar të bllokojnë, pavarësisht emrit”, tha Murati.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, e quajti të çuditshëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ai tha se, po të ishte mundësuar votimi i fshehtë, njëra nga kandidatet, Albulena Haxhiu apo Donika Gërvalla, do të ishte zgjedhur kryetare e Kuvendit.

Murati, tha se partia e tij do të konsultohet me strukturat në ditët në vijim për të vendosur se si do të veprohet tutje.

Ai shtoi se emri i Donika Gërvallës për kryetare të Kuvendit ka dalë nga konsultimet brenda partisë.

11:50

Kadrijaj: Edhe në seancat e tjera LVV-ja do të propozojë kandidatë që nuk kanë vota

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e akuzoi LVV-në se me qëllim sot propozoi kandidate që nuk e kanë mbështetjen e partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë.

“Do të shihni, edhe në seancat në vijim do të propozohen figura të tilla që nuk kanë përkrahje”, tha ajo.

Kadrijaj tha se seanca e sotme është dashur të nisë me një “kërkimfalje” nga Dehari dhe LVV-ja, pasi siç tha, “e kanë shkelur Kushtetutën.

Ajo tha se partitë që ishin në opozitë kanë ofruar alternativa për daljen nga ngërçi politik, por LVV-ja nuk i ka pranuar këto opsione.

“Po shihet që LVV-ja nuk është e interesuar për zhbllokim të situatës” tha ajo, duke iu referuar propozimit për kryeparlamentare të Albulena Haxhiut dhe Donika Gërvallës.

Deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj.

Deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj.

Kompania kosovare thotë se vetëm tre persona janë të lënduar nga aksidenti në Gjermani

Radio Evropa e Lirë

Kompania Dubova Reisen konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se një autobus i saj, me udhëtarë nga Kosova u aksidentua në Gjermani në orët e para të 20 gushtit.

Nga kjo kompani thanë se vetëm tre pasagjerë kanë pësuar lëndime.

“Fatmirësisht, pasagjerët janë mirë, vetëm tre nga ta janë me lëndime të lehta për shkak të dëmtimit të xhamave. Aksidenti ndodhi rreth orës 00:30. Autobusi ishte në trasen e tij, një makinë ka ardhur nga e majtë, nga ana e shoferit, duke ia humbur drejtimin”, thanë nga kjo kompani.

Media gjermane, Rosenheim24 dhe Bild duke cituar policinë gjermane, thanë se 30 persona u lënduan gjatë aksidentit.

Sipas Bild, gjashtë nga pasagjerët u lënduan rëndë dhe u dërguan në spital, ndërkaq të tjerët, me lëndime më të lehta u trajtuan në departamentin e zjarrfikësve në Irsshenberg.

Autobusi i aksidentuar po bartte 50 pasagjerë, kur u përplas me një kamion të ngarkuar me mallra në autostradën A8, afër Irsshenbergut gjatë natës.

Autobusi ishte nisur drejt Mynihut dhe shoferi, slloven 49-vjeçar, si duket e pa kamionin shumë vonë. Kamioni, i ngarkuar me perime, po drejtohej nga një polak, 47-vjeçar. Autobusi i përplas në pjesën e pasme të kamionit, pavarësisht se shoferi tentoi që të shmangte aksidentin.

Pas këtij aksidenti, autoritetet gjermane mbyllën për trafik segmentin A8 për gati dy orë.

Qëndrimet e partive për aktgjykimin e Kushtetueses

Radio Evropa e Lirë

Kushtetuesja fillimisht publikoi më 8 gusht njoftimin për vendimin e saj lidhur me lëndët e dërguara nga PDK-ja dhe LDK-ja.

Edhe pas njoftimit, por edhe pas publikimit të aktgjykimit të plotë, partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, e mirëpritën vendimin. Por, ai u kritikua nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.

Pas publikimit të aktgjykimit, LVV-ja tha se Gjykata Kushtetuese shkroi “një rregull të ri” dhe tejkaloi juridiksionin e saj.

“Në bazë të ‘tezës’ së analogjisë me zgjedhjet e institucioneve të tjera, duket se Gjykata po përgatit terrenin për dhënien e së drejtës së propozimit ndonjë partie tjetër pas 30 ditëve, nëse dështon partia e parë për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit”, tha LVV-ja.

PDK-ja e mirëpriti aktgjykimin dhe theksoi se vendi ka nevojë për institucione funksionale, e jo zvarritje të procesit për formimin e tyre.

“Çdo ditë vonesë është dëm për qytetarët dhe për shtetin”, tha kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.

LDK-ja, ndërkaq, theksoi se mosrespektimi i vendimit të Kushtetueses “nuk është opsion”.

“Nuk do ta lejojmë asnjë përbuzje të shtetit dhe Republikës. Në këtë vend, mbi Kushtetutë nuk ngrihet askush”, tha udhëheqësi i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

LVV s’heq dorë nga Haxhiu: Konstituimi i Kuvendit i pasigurt

Albulena Haxhiu, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit.

 

Bekim Bislimi

Pas më shumë se tri javësh pauzë, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të tentojnë sërish konstituimin e institucionit më 20 gusht, nga ora 11:00.

Ky hap vjen pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila urdhëroi zgjedhjen e kryeparlamentarit brenda 30 ditësh përmes votimit të hapur, duke përcaktuar se kandidati mund të votohet vetëm tri herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.

Megjithatë, shanset për sukses duket se janë të pakta.

Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul sërish në emrin e Albulena Haxhiut, ndërsa opozita e deritashme nuk tregon gatishmëri për kompromis.

Njohës të çështjeve kushtetuese paralajmërojnë se dështimi mund ta çojë vendin në një situatë të re institucionale.

Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kuvendi i Kosovës nuk u konstituua për shkak të mosmarrëveshjeve politike.

Që nga seanca e parë konstituive më 15 prill, Lëvizja Vetëvendosje hodhi disa herë në votim Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por pa sukses.

Haxhiu shihet nga partitë e tjera si figurë përçarëse – gjë që edhe e vështirëson arritjen e konsensusit.

Më 1 maj, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndryshoi rendin e ditës, shmangu votimin e hapur dhe propozoi një komision për të mbikëqyrur votimin e fshehtë.

Në disa vazhdime seancash, PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe refuzuan të propozonin anëtarë për komisionin, duke bllokuar procesin.

Çështja u çua në Gjykatën Kushtetuese nga disa deputetë opozitarë të legjislaturës së kaluar.

Më 26 qershor, Gjykata urdhëroi Kuvendin të konstituohej brenda 30 ditësh, por afati u injorua.

Më 24 korrik, Kushtetuesja ndaloi mbajtjen e seancës konstituive pas skadimit të afatit, ndërsa më 8 gusht urdhëroi zgjedhjen e kryeparlamentarit përmes votimit të hapur.

Aktgjykimi u publikua më 18 gusht, duke nisur një afat të ri.

Sërish Haxhiu

Në vazhdimin e seancës më 20 gusht, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të propozojë sërish Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit të Kosovës, konfirmon deputeti i partisë, Arbër Rexhaj, për Radion Evropa e Lirë.

“Nëse brenda tri herësh nuk zgjidhet zonja Haxhiu, sigurisht që ne do ta diskutojmë veprimin e ardhshëm brenda grupit parlamentar”, thotë ai.

Rexhaj kujton se kryeministri në detyrë dhe udhëheqësi i LVV-së, Albin Kurti, ka premtuar se do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por shpreh shqetësim për kufizimin që ajo ka vendosur: një kandidat për kryetar Kuvendi mund të propozohet vetëm tri herë.

Sipas Rexhajt, ky vendim e zhvendos fuqinë e propozimit: nëse LVV-ja nuk arrin ta zgjedhë kryetarin brenda afatit 30-ditor, e drejta për propozim i kalon partisë tjetër.

Ai paralajmëron se kjo mund të “deformojë vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës, të cilët në zgjedhjet e fundit votuan LVV-në me 42.2% të votave”.

Cilat janë qëndrimet e partive opozitare në legjislaturën e kaluar?

Të pandryshuara.

Në Partinë Demokratike të Kosovës thonë se nuk do të votojnë për Haxhiun.

Deputetja Blerta Deliu-Kodra shpjegon se PDK-ja qëndron pranë qëndrimit të saj për të mos mbështetur asnjë nga emrat që kanë qenë pjesë e Qeverisë së kaluar, të udhëhequr nga Albin Kurti.

“Janë mbi 40 deputetë [të LVV-së] që kanë mundësi t’i hapin rrugë zhbllokimit. Gjithashtu, AAK-ja i ka propozuar dy emra [Saranda Bogujevci dhe Shqipe Selimi nga LVV-ja] dhe ato do t’i merrnin votat e deputetëve”, thotë Deliu-Kodra, duke shtuar se kompromisi pritet tani nga Lëvizja Vetëvendosje.

Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet gjithashtu kundër çdo kandidati të LVV-së për kryetar të Kuvendit.

Nënkryetari i partisë, Lutfi Haziri, thotë se deputetët e LDK-së do të marrin pjesë në votim, siç i obligon vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por se vota e tyre do të jetë kundër kandidatit të LVV-së.

“Bashkëpunimi, në rastin tonë, duhet të nënkuptojë marrëveshje politike. Nëse nuk arrihet një koncensus i gjerë për një proces, për emrin e përveçëm, atëherë bashkëpunimi shtrihet në marrëveshje politike. Kjo i takon partisë së parë [LVV-së]”, thotë Haziri për Radion Evropa e Lirë.

Ngjashëm, as Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do ta mbështesë Haxhiun.

Deputetja Time Kadrijaj shpjegon se pas tri propozimeve të Haxhiut, çdo votë nga AAK-ja do të varet nga kandidati tjetër që LVV-ja mund të propozojë.

“Nëse jepet ndonjë nga emrat që i kemi sugjeruar [Saranda Bogujevci dhe Shqipe Selimi] ose nëse është dikush që vërtet e meriton votën, atëherë do ta votojmë. Përndryshe, do të jetë qëndrimi i njëjtë”, thotë Kadrijaj për Radion Evropa e Lirë.

Ajo shton se vendimi i Gjykatës Kushtetuese i obligon deputetët të marrin pjesë në votim, por thekson se secili prej tyre ka të drejtë të votojë sipas bindjeve të veta.

Sipas saj, nuk ka asnjë mundësi për marrëveshje politike ndërmjet AAK-së dhe LVV-së si kusht për votimin e kandidatëve të propozuar.

Çka nëse nuk respektohet afati prej 30 ditësh?

Zahir Çerkini, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, tha më 18 gusht për Radion Evropa e Lirë se nëse Kuvendi dështon të zgjedhë kryetarin dhe kryesinë brenda afatit të parashikuar, krijohet një situatë kushtetuese që kërkon qartësim institucional.

Ngjashëm, Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se nëse afati 30-ditor nuk përfillet, Gjykata Kushtetuese ka për obligim t’i sqarojë pasojat ligjore.

Ato, thotë ai, mund të përfshijnë marrjen e mandateve të deputetëve të tanishëm dhe zëvendësimin e tyre me kandidatët pasues në listat e partive parlamentare.

Ai nuk e përjashton as mundësinë që, si rezultat i moskonstituimit të Kuvendit brenda 30 ditësh, Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë dhe të sqarojë mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja.

Bugqaku thotë se përgjegjësia kryesore fillimisht bie mbi partinë fituese, Lëvizjen Vetëvendosje, që duhet të tentojë të arrijë kompromis me partitë e tjera për të propozuar një kandidat për kryeparlamentar që merr së paku 61 vota.

Në rast se emri i Haxhiut nuk arrin të marrë shumicën e nevojshme dhe LVV-ja propozon një kandidat tjetër, përgjegjësia bie mbi të gjithë deputetët, thotë ai.

“Gjykata po kërkon një lloj përgjegjësie të dyfishtë dhe një lloj balancimi të dyfishtë të kosntituimit të Kuvendit brenda afatit prej 30 ditësh, duke theksuar se është detyrim i të gjithë deputetëve që të votojnë për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit”, thotë Bugaqku për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se shqetësimet e LVV-së se e drejta për propozim mund t’i kalojë një partie të dytë, janë të bazuara.

“Kjo e drejtë mund të ndryshojë vetëm në një situatë – nëse grupi më i madh parlamentar e keqpërdor të drejtën e propozimit për kryetar Kuvendi, si një mundësi për ta bllokuar konstituimin e Kuvendit”, thotë Bugaqku, duke theksuar se edhe partitë e tjera duhet të jenë të kujdesshme, pasi refuzimi i kandidaturave pa arsye, i bën përgjegjëse për mosrespektimin e vendimit të Kushtetueses.

“Moszbatimi i një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese është ekuivalent me moszbatimin e Kushtetutës”, pohon edhe Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Në një deklaratë të lëshuar më 19 gusht, Presidenca e Kosovës tha se konstituimi sa më i shpejtë i organit ligjvënës “është urgjencë shtetërore”.

Radio Evropa e Lirë

Më 15 shtator mbrojtja e Thaçit, Veselit, Selimit, Krasniqit

Radio Evropa e Lirë

Më 15 shtator, mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të nisë paraqitjen e provave për rastin e saj, tha trupi gjykues gjatë konferencës statusore që u mbajt në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Të pranishëm në sallë plenare janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, ndërkaq Jakup Krasniqi po e përcjell seancën përmes video-lidhjes.

Avokati i Hashim Thaçit, Lluka Misetiq, tha se idealisht shpreson që të përfundojë me provat dhe dëshmitarët deri në fund të tetorit. Por, do të dëshironte që të kishte kohë më pas – siç ka pasur edhe Prokuroria – për paraqitjen e mocioneve për prova jogojore.

Avokati i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis, tha se parasheh që do t’i duhet 1 javë kohë për paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve.

Ndërkaq, në nisje të konferencës, trupi gjykues kërkoi nga mbrojtja e Thaçit dhe Krasniqit që të japë afate kohore se kur do të nxjerrë deklaratat për dëshmitarët.

Mbrojtja e Thaçit tha se nga 11 dëshmitarë, për pesë prej tyre ende nuk ka nxjerrë përmbledhje e deklaratave. Avokati i Thaçit, Lluka Misetiq tha se autorizim po presim për një dëshmitar nga Mbretëria e Bashkuar, ndërkaq katër të tjerë janë nga SHBA-ja.

Mbrojtja tha se dëshmitarët nga SHBA-ja janë figura të larta dhe të rëndësishme, por nuk zbuloi identetitet e tyre.

Qeveria e SHBA-së, tha mbrojtja, është duke punuar që të japë autorizimet e duhura për këta dëshmitarë, pasi sipas mbrojtjes, ata do të paraqesin informacione shfajësuese.

Prokuroria e Specializuar tha se do t’i duhet një muaj kohë nga koha kur mbrojtja të nxjerrë këto deklarata të dëshmitarëve, deri në paraqitjen e tyre në gjykatë. Por, mbrojtja tha se nuk është e obliguar që t’i nxjerrë përmbledhjet e tyre.

Mbrojtja e Hashim Thaçit njoftoi se do t’i duhen 35.5 orë për dhënien e dëshmisë së dëshmitarëve që do të thërrasë në rast.

Gjykatësi pyeti mbrojtjen nëse të 11-12 dëshmitarët që mbrojtja e Thaçit ka planifikuar të ftojë do të japin dëshminë para gjykatës, dhe avokatët konfirmuan se po.

Ndërkaq, mbrojtja e Jakup Krasniqit njoftoi se planifikon që dy dëshmitarë do të japin dëshminë në gjykatore, ndërkaq dy të tjerë do të japin dëshminë me shkrim dhe kjo dëshmi veçse u është dorëzuar prokurorëve.

Sipas kësaj përllogaritje, gjykatësi tha se do të duhen 35 ditë punë – pesë orë në ditë dëshmi – për përfundimin e dëshmitarëve, duke parashikuar se dëshmia e tyre mund të përfundojë në dhjetor.

I pyetur nëse të gjithë dëshmitarët do të japin dëshmi në seancë të hapura, Mishetiq tha se ky është synimi.

“Nuk mund ta themi 100 për qind – mund të ketë segmente që do të jenë në seancë private – por synimi ynë është që përgjithësisht seanca të jetë publike”, tha ai.

Mbrojtja e Thaçit tha se për katër dëshmitarë që po pret autorizimet, janë në bllokun e fundit të dëshmitarëve, që mbrojtja ka planifikuar të ftojë.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.

Në konferencën e fundit statusore, të mbajtur më 22 korrik, ekipet e mbrojtjes të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), janë ankuar se nuk kanë kohë të mjaftueshme për përgatitjen e rastit të tyre.

Që nga 4 dhe 5 nëntori 2020, që të katër të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë, ku janë Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më prill të vitit 2023. Në mbi dy vjet, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri në gjykatore 125 dëshmitarë si dhe ka paraqitur rreth 3.000 prova materiale.

ZPS-ja deklaroi më 16 prill se ka përmbyllur paraqitjen e provave ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Pas prokurorisë, radhën do ta kenë ekipet mbrojtëse për të paraqitur çështjen e tyre.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.

Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave.

Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale – janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Kurti: Gjithmonë i kemi respektuar aktgjykimet e Kushtetueses

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se ekzekutivi që ai udhëheq i ka respektuar të gjitha aktgjykimet e lëshuara nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Kështu ai iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve nëse ai dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, do të respektojnë aktgjykimin e Kushtetueses lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit.

Kurti i bëri komentet të hënën, pak orë para publikimit të aktgjykimit të Kushtetueses për konstitutimin e Kuvendit.

“Nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese që Qeveria e Kosovës me mua si kryeministër nuk e ka respektuar. Dhe, nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, të cilin edhe unë si kryetar i LVV-së, si subjekti më i madh në vend e Kuvend, nuk e kam respektuar. Por, kur më pyesin sërish a do ta respektoj aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese kjo më bën të mendoj që do të jetë pazakonshëm i padrejtë, i padurueshëm, saqë ndoshta duhet ta konsiderojmë se çfarë duhet të bëjmë”, tha Kurti.

Sipas njoftimit, Kushtetuesja ka urdhëruar Kuvendin që brenda 30-ditësh të zgjedhë kryeparlamentarin e ri përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë.

Ky afat njëmujor ka nisur më 18 gusht, pas publikimit të aktgjykimit të plotë nga Gjykata Kushtetuese.

Aktgjykimi i Kushtetueses është mirëpritur nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, por është kritikuar nga LVV-ja e Kurtit.

LVV-ja e quajti vendimin arbitrar, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cilësuan fitore kushtetuese e demokratike, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) foli për rrëzimin e diktatit.

Aktgjykimi i plotë i Kushtetueses, për lëndët e ngritura nga PDK-ja dhe LDK-ja sa, hap rrugën për mbajtjen e seancës konstituive në ditën pasuese.

Kushtetuesja nuk ka treguar se cilat do të jenë pasojat, nëse deputetët e shpërfillin sërish urdhrin 30-ditor për bërjen e Kuvendit të ri.

Seanca konstituive për konstituimin e përbërjes së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e shkurtit nisi më 15 prill. Por, për shkak se asnjëra parti nuk ka arritur ta bëjë e vetme shumicën dhe nuk u arrit një marrëveshje politike, çështja ngeci te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.

LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i fitoi 48 ulëse dhe partitë e tjera parlamentare nuk kanë pranuar ta votojnë kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, për emërimin e së cilës nevojiten të paktën 61 vota.

Derisa LVV-ja ngul këmbë se Albulena Haxhiu është kandidate meritore, disa prej partive më të mëdha parlamentare, si PDK, LDK dhe AAK, e përjashtojnë atë si “përçarëse”.

PDK-ja doli e dyta me 24 ulëse, LDK-ja e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9, dhe koalicioni mes AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla.

Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.

Kushtetuesja publikon aktgjykimin për konstituimin e Kuvendit

Radio Evropa e Lirë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit.

Më 8 gusht, Kushtetuesja ka urdhëruar Kuvendin që brenda 30-ditësh të zgjedhë kryeparlamentarin e ri përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë.

Me publikimin e aktgjykimit të plotë, nis edhe rrjedhja e afatit 30-ditor, që nënkupton se deputetët nga sot mund të mblidhen për të konstituuar Kuvendin.

Çështja e trajtuar lidhur me formën e votimit të kryeparlamentarit është ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike. Por, Gjykata tha se kërkesat e lëndëve ndërlidhen edhe me lëndën e dorëzuar paraprakisht nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Gjykata konstatoi që kryesuesi i seancës konstituive duhet të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së seancës konstituive, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjidhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 herë për kandidatin/en e njëjtë”, u tha në aktgjykim.

PDK, LDK dhe AAK kanë kundërshtuar vendimin e 1 majit të kryesuesit të seancës, Avni Dehari, i cili ndryshoi formën e votimit për kryeparlamentar nga i hapur në të mbyllur.

Dehari iu kërkoi grupeve parlamentare që të propozonin një kandidat për komisionin që do të mbikëqyrte këtë votim, por PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe vazhdimisht e refuzuan, duke bërë që seancat të ndërpriteshin shpejt, e të thirreshin pothuajse çdo 48 orë.

“Gjykata rithekson që në rrethanat e rastit konkret, ushtrimi i funksionit të deputetëve të zgjedhur në pajtim me këtë Kushtetutën, ligjet dhe rregullat e procedurës së Kuvendit që rezulton në zgjedhjen e kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit është në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës, dhe i shërben ruajtjes së rendit kushtetues dhe garantimit të funksionimit të institucioneve. Si rrjedhojë, Gjykata sërish nënvizon se nuk ka interes më të mirë të Republikës së Kosovës, se sa organi më i lart përfaqësues të jetë i konstituuar dhe të fillojë sa më parë me funksionimin e tij dhe ushtrimin e kompetencave dhe detyrimeve të tij kushtetuese”, tha Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

“Gjykata sërish vë theksin në përgjegjësinë e deputetëve të zgjedhur të Kuvendit që veprimet e tyre duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën dhe frymën e saj dhe të njëjtit të kontribuojnë në mbarëvajtjen dhe bashkërendimin e punëve me interes publik për shtetin”, u shtua në aktgjykim.

Në aktgjykim u tha se seanca e nisur më 15 prill nuk është përmbyllur, pasi nuk janë kaluar edhe dy pika: zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve, të cilat tani duhet të përmbyllen brenda 30 ditësh.

Në aktgjykim, Kushtetuesja sqaroi se pse emri i një kandidati për kryeparlamentar mund të hidhet në votim vetëm tri herë.

Kjo pikë e vendimit ishte kritikuar ashpër nga LVV-ja, pasi Kushtetuesja kishte nxjerrë vendimin më 8 gusht.

Kushtetuesja tha se ky afat ndërlidhet me votimet e krerëve të institucioneve të tjera nga ana e Kuvendit, sikurse është zgjedhja e presidentit, e Avokatit të Popullit, proces që zhvillohet brenda një afati të caktuar koh9or dhe “përmes një numri të arsyeshëm të rundeve të votimit”.

“Prandaj, Gjykata vlerëson që kufizimi i mundësisë së votimit të të njëjtit/es kandidat/e për kryetar/e të Kuvendit deri në tri herë konsiderohet si një mekanizëm dhe mundësi që deputetët e zgjedhur, në frymën e bashkëpunimit konstruktiv të në frymën e ushtrimit të mandatit të tyre kushtetues sipas përcaktimeve të Kushtetutës të arrijnë që realizojnë detyrimet e tyre kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit/es të Kuvendit”, u tha në aktgjykim.

Njoftimi për këtë aktgjykim – i publikuar më 8 gusht – ishte mirëpritur nga partitë që më herët ishin në opozitë, por ishte kritikuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, e cila e kishte cilësuar si vendim arbitrar.

Disa orë para publikimit të aktgjykimit të Kushtetueses, kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh udhëheqësi i LVV-së, Albin Kurti, tha se gjithmonë i ka respektuar vendimet e Kushtetueses.

“Por, kur më pyesin sërish a do ta respektoj aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese kjo më bën të mendoj që do të jetë pazakonshëm i padrejtë, i padurueshëm, saqë ndoshta duhet ta konsiderojmë se çfarë duhet të bëjmë”, tha Kurti për gazetarë.

Në aktgjykim nuk përmenden pasojat e mundshme juridike, nëse deputetët nuk e respektojnë aktgjykimin, siç kishin bërë me aktgjykimin paraprak të publikuar më 26 qershor.

“Gjykata, fillimisht vë në dukje që bazuar në paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, vendimet e saj janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës”, u tha në aktgjykim.

Më 26 qershor, Kushtetuesja po ashtu kishte obliguar deputetët të konstituonin Kuvendin brenda 30-ditësh. Por, vendimi ishte shpërfillur nga deputetët.

Vazhdimet e seancës të mbajtura nga 27 qershori deri më 27 korrik janë shpallur të pavlefshme, pasi Kushtetuesja ka argumentuar se nuk ishte respektuar aktgjykimi i saj paraprak.

Pas aktgjykimit të parë, LVV-ja kishte ngulur këmbë se lejohej votimi i fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit, duke nxitur PDK-në dhe LDK-në që t’i drejtoheshin Kushtetueses.

Seanca konstituive nuk ka arritur të përmbyllet për shkak se asnjëra parti nuk ka fituar vota të mjaftueshme për të bërë vet shumicën dhe po ashtu nuk është arritur një marrëveshje politike.

LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i fitoi 48 ulëse dhe partitë e tjera parlamentare nuk kanë pranuar ta votojnë kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, për emërimin e së cilës nevojiten të paktën 61 vota.

Derisa LVV-ja ngul këmbë se Albulena Haxhiu është kandidate meritore, disa prej partive më të mëdha parlamentare, si PDK, LDK dhe AAK, e përjashtojnë atë si “përçarëse”.

PDK-ja doli e dyta me 24 ulëse, LDK-ja e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9, dhe koalicioni mes AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla.

Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.

Kurti: Duhet ta presim aktgjykimin e plotë të Kushtetueses

“Duhet ta presim aktgjykimin e plotë”, ka thënë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, para gazetarëve lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e seancës konstituive.

Deklaratën e shkurtër e duke mos u ndalur para mediave, Kurti e ka dhënë pas ceremonisë së 26-vjetorit të Doganës së Kosovës dhe diplomimit të gjeneratës së re të oficerëve doganorë.

Sipas KosovaPress, pyetja për kryeministrin ishte se a do ta respektojë Vetëvendosje aktgjykimin e Kushtetueses.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe brenda 30 ditëve. Në njoftimin e publikuar të premten e shkuar thuhet se Kushtetuesja ka përcaktuar që kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm deri në 3 herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.

Vendimi i Kushtetueses është kritikuar nga partia fituese e zgjedhjeve të shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje.

Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët mbajtën 54 vazhdime të seancës konstituive, por dështuan. Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndryshoi rendin e ditës, duke shmangur votimin e hapur dhe duke kërkuar formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar. Kjo u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision. sn

Sveçla kërkon hetim për lidhje të mundshme të policëve me të dyshuarin për vrasjet në Gjilan

Radio Evropa e Lirë

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se ka urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës që të angazhohet në hetimin e çdo lëshimi apo përfshirjeje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në atë që e ka përshkruar si “veprimtari kriminale të Mefail Shkodrës”.

Shkodra është shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan, që është raportuar më 10 gusht. Sipas Policisë, ai ka të kaluar kriminale.

Përveç Shkodrës, si i dyshuar kryesor, në kërkim janë edhe në dy persona tjerë.

“Në çdo deklarim publik dhe në çdo takim me mekanizmat që drejtoj, kam theksuar dhe kërkuar angazhimin maksimal të të gjitha strukturave për garantimin e integritetit personal dhe profesional të çdo shërbyesi publik në vendin tonë. Askush nuk është i paprekshëm apo i pandëshkueshëm veçanërisht brenda një institucioni që ka për mandat parandalimin, hetimin dhe luftimin e çdo veprimtarie ilegale në vendin tonë”, ka thënë Sveçla përmes një postimi në Facebook.

Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur se cilat janë motivet e vrasjeve.

Lidhur me këtë rast kanë reaguar edhe zyrtarë tjerë të lartë shtetërorë, përfshirë presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

“Presidentja kërkon nga organet kompetente që autorët e këtij akti makabër të kapen sa më shpejt dhe të dalin para drejtësisë, për t’u përballur me përgjegjësinë e plotë ligjore. Është për keqardhje që vitin e kaluar të njëjtit ishin lënë të lirë nga institucionet e drejtësisë, pas një kohe të shkurtër të kaluar në paraburgim, përkundër veprave të rënda për të cilat akuzoheshin”, është thënë në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca.

Edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka kritikuar sistemin e drejtësisë, duke thënë se bazuar në informacionet e siguruara nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, dy nga të dyshuarit për vrasjen e trefishtë kanë qëndruar vetëm pak muaj në paraburgim vitin e kaluar për shkeljet e kryera.

“Sistemi i drejtësisë duhet të tregojë përgjegjësi maksimale për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e qytetarëve”, ka thënë Haxhiu përmes një postimi në Facebook.

Përveç këtyre tri vrasjeve, në Kosovë ka ndodhur edhe një tjetër vrasje po më 10 gusht, veçse në qytetin e Prizrenit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ësht arrestuari i dyshuari dhe që gjatë bastisjes është gjetur edhe thika që dyshohet se është përdorur në rast.

Haxhiu: Dyshohet se gjyqtari Llaban është bashkëpunëtor i BIA-s serbe

Radio Evropa e Lirë

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se dielën se gjyqtari i pakicës serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, Radomir Llaban, dyshohet se është “bashkëpunëtor i Agjencisë për Siguri dhe Informim të Serbisë, BIA”.

Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Haxhiu tha se dyshimet bazohen në informacionet që ajo ka nga institucionet e sigurisë së Kosovës.

Ajo tha se BIA serbe e “komprementoi dhe ia organizoi zhvendosjen në Kosovë Llabanit” pasi ai ishte dënuar me gjashtë vjetë burgim në Serbi në vitin 2011.

“Mënyra se si ai u largua nga Serbia është enigmë, por dihet se Serbia e ka ende aktiv fletarrestimin për Llabanin”, tha Haxhiu.

Ajo tha se Llabani “ka raporte shumë të afërta me kryeterroristin, Millan Radoiçiq”, ish-nënkryetarin e Listës Serbe, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin e një grup serbësh të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku u vra një rreshter policor dhe tre sulmues.

“Falë këtyre marrëdhënieve, ai ka përfituar në prona të paluajtshme e punësim të familjarëve”, tha ajo.

“Me mjetet financiare dhe pasurinë e patundshme që merr edhe sot nga Serbia, Llaban paraqet kërcënim për sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës”, tha ajo.

Kush është Radomir Llaban?

Radomir Llaban është aktualisht gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Ai ishte emëruar gjyqtar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018.

Fillimisht, në maj 2018, Thaçi refuzoi ta dekretojë Llabanin deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë, por e dekretoi atë disa muaj më vonë.

Në vitin 2011, Llaban ishte shpallur fajtor nga një gjykatë në Serbi për veprën penale të marrjes së ryshfetit. Ai ishte dënuar me gjashtë vjet burgim.

Në vitin 2017, Serbia i ka dërguar EULEX-it një kërkesë për arrestimin e Llabanit, mirëpo misioni kishte thënë se nuk ka mandat ta bëjë një arrestim të tillë.

Radomir Llaban u propozua nga Lista Serbe për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozitë.

Mandati i gjyqtarit Llaban në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është nëntë vjet.

Radomir Llaban.

Radomir Llaban.

Haxhiu, megjithatë, u kritikua nga disa për mënyrën se si njoftoi se Llaban mund të jetë bashkëpunëtor i shërbimit të sigurisë së Serbisë.

Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, tha se “nuk i pëlqeu” konferenca për shtyp e Haxhiut.

“Thënë të vërtetën nuk e di nëse vërtet është agjent i BIA-së serbe, por gjërat e tjera që i tha zonja Haxhiu janë pak a shumë të vërteta. Megjithatë, konferenca pompoze për shtyp nuk është metoda e duhur për ta trajtuar problemin. Shteti serioz nuk operon me dyshime, por vetëm me fakte përtej dyshimit të bazuar, pra me ato që mundësojnë veprime konkrete”, tha Kryeziu.

Lulzim Peci, nga Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave në Prishtinë, e kritikoi Haxhiun për trajtimin e çështjes së Llabanit përmes konferencës për shtyp, duke thënë se “bashkëpunëtorët e BIA-s zihen, nxjerrën para gjykatave dhe dënohen – me kaq mbaron kjo pune”.

“Mirëpo, pa vendim gjyqësor të bëjmë thirrje dhe të deklarohet dikush si rrezik për siguri kombëtare nga krerë të shtetit është një precedent shumë i rrezikshëm, i cili mund të na përplaset fytyrës”, tha ai.

Llaban është person i kërkuar në Serbi, pasi ka shmangur vuajtjen e një dënimi prej gjashtë vjetësh burgim, të shqiptuar si pjesë e të ashtuquajturës “mafia doganore” – një grup i përbërë nga persona të akuzuar për marrje dhe dhënie të ryshfetit, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim dokumentesh.

Emri i tij ndodhet në listën e të kërkuarve në Serbi që nga viti 2012 dhe në atë të Interpolit që nga viti 2014.

Llaban mori vëmendje pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani – për shkak të Llabanit – e tërhoqi edhe kërkesën që në korrik ia kishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për të kërkuar sqarim lidhur me hapat e mëtejmë në rast se Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afat i caktuar më herët nga kjo gjykatë.

Si arsye për tërheqjen e kërkesës së saj, Osmani përmendi emërimin e gjyqtarit Llaban si gjyqtar raportues në këtë rast, duke e cilësuar një veprim të tillë si “shqetësues dhe të rrezikshëm”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha ditë më parë se Llaban u emërua më 2018 pasi i ishte nënshtruar “të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore”, për propozimin e tij nga Kuvendi i Kosovës dhe dekretimit nga presidenti i Kosovës.

Kushtetuesja tha se Llaban ka qenë i punësuar në gjykatën më të lartë të vendit nga viti 2011, fillimisht si këshilltar juridik, para se të emërohej gjyqtar më 9 gusht 2018.

Një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese mund të shkarkohen nga presidenti i Kosovës vetëm me propozimin e dy të tretave të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, dhe vetëm për kryerjen e krimeve të rënda ose për mospërfillje të rëndë të detyrave.

Haxhiu tha Prokuroria duhet “të nxjerrë aktvendim për fillim të hetimeve” ndaj Llabanit.

“Sot i bëjmë thirrje Prokurorisë që menjëherë t’i trajtojnë lëndët që ndërlidhen me Radomir Llabanin, që menjëherë të nxjerrin aktvendim për fillim të hetimeve nëse nuk e kanë bërë deri tash”, tha ajo.

Së voni, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar, akuzuar e gjykuar serbë e shqiptarë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.

Në qershor, gjykata në Prishtinë dënoi Aleksandar Vllajiqin me pesë vjet burgim, pasi ai u deklarua fajtor për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA).

Ekspertët kanë thënë se spiunazhi është kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës dhe arrestimet e fundit vetëm sa nxjerrin në pah rrezikun e vazhdueshëm.

Sipas tyre, ky aktivitet jo vetëm që destabilizon vendin brendapërbrenda, por dëmton edhe pozitën e tij ndërkombëtare.

Haxhiu: Kushtetuesja i kaloi kompetencat e veta

Ministrja Haxhiu e komentoi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila të enjten urdhëroi deputetët e Kuvendit të Kosovës ta zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditëve.

“Për mua njoftimi i Gjykatës Kushtetuese përbën shqetësim serioz, sepse është tejkalim flagrant i kompetencave që ka Gjykata Kushtetuese”, tha Haxhiu.

E pyetur nëse partia e saj, Lëvizja Vetëvendosje, do ta respektojë vendimin, Haxhiu tha: “Se cili do të jetë veprimi jonë pas këtij njoftimi, pas aktvendimit, do ta kuptoni kur të vijë koha. Në fakt unë nuk e di cilin ta respektoj tani, atë të vitit 2014, atë të para një muaji”.

“Natyrisht se vendimet e Kushtetues duhet të respektohen, por ato duhet të komentohen dhe të kundërshtohen siç po bëjmë sot këtu, pra nuk duhet të heshtim përballë të këtij tejkalimi flagrantë të kompetencave të Gjykatës Kushtetuese”, shtoi ai.

Vendimi është mirëpritur nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, por është kritikuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.

Vetëvendosje e quajti vendimin arbitrar, Partia Demokratike e Kosovës, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cilësuan fitore kushtetuese e demokratike, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës foli për rrëzimin e diktatit.

Haxhiu është kandidate e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit, por ajo ka dështuar të emërohet në votim të hapur, ndërsa edhe votimi i fshehtë për të është kundërshtuar nga deputetët prej se u thirr seanca konstituive më 15 prill, pas zgjedhjeve të shkurtit.

Vetëvendosja akuzon Kushtetuesen se po mban anë: Ka sfiduar vullnetin popullor

Lëvizja Vetëvendosje përmes një reagimi të gjatë e ka cilësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese si shkelje të Kushtetutës dhe ndërhyrje në kompetencat e Kuvendit të Kosovës. Sipas partisë fituese në zgjedhjet e fundit, vendimi i kësaj gjykate pasqyron motive partiake dhe se ka sfiduar vullnetin popullor. 

Sipas LVV-së, “njoftimi i publikuar sot nga Gjykata Kushtetuese përbën devijim të rrezikshëm nga roli kushtetues” dhe është “në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve”. Ata theksojnë se Gjykata, si organ i pavarur, ka detyrë të interpretojë dhe kontrollojë përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën brenda juridiksionit të saj.

LVV-ja pretendon se njoftimi nuk ka sqaruar asgjë tjetër “veçse që Gjykata ka tejkaluar kompetencat kushtetuese” dhe ka shpikur “norma të reja juridike” pa bazë kushtetuese. Ata e akuzojnë Gjykatën për “ndërhyrje substanciale në kompetencat e Kuvendit” duke cenuar rendin kushtetues.

Në reagim thuhet se miratimi dhe ndryshimi i Kushtetutës bëhet vetëm nga Kuvendi ose përmes referendumit popullor, dhe se anëtarët e Gjykatës nuk kanë të drejtë të marrin këtë rol.

“Kur një organ që duhet të jetë gardian i Kushtetutës fillon të prodhojë norma të reja ose të plotësojë norma që nuk janë paraparë, atëherë transformohet në një organ jashtëkushtetues”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

LVV-ja pyet se në cilin dokument kushtetues, rregullore të Kuvendit, aktgjykim apo jurisprudencë ndërkombëtare bazohet norma e re e vendosur nga Gjykata, që e kufizon propozimin e të njëjtit kandidat vetëm në tre herë.

“Pse jo dy herë, katër herë, dhjetë herë?”, pyesin ata, duke shtuar se gjykata ka shpikur arbitrarisht rregulla.

Partia e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, e quan vendimin “rast të paprecedentë” dhe “ndërhyrje flagrante” në kompetencat e Kuvendit. Ata theksojnë se Gjykata nuk mund të uzurpojë funksionin e hartimit ose amandamentimit të Rregullores së Kuvendit, pasi kjo përbën shkelje të parimit të ndarjes së pushteteve.

Sipas LVV-së, rregullat e reja të paralajmëruara nga Gjykata nuk mund të jenë pjesë e asnjë aktgjykimi nëse nuk janë të përcaktuara në Kushtetutë ose në Rregulloren e Kuvendit. Ata pretendojnë se vendimi “pasqyron motive partiake”, dhe se sa herë që LVV-ja duhet të veprojë sipas rregullave të vendosura nga vetë gjykata në raste analoge, “ato rregulla po ndryshohen”.

Ata kritikojnë edhe përmendjen e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, duke e quajtur “fokus të panevojshëm” dhe “etiketim politik sipas fjalorit të partive opozitare”. Sipas LVV-së, kryesuesi nuk është subjekt kushtetues, por vetëm subjekt i Rregullores së Kuvendit.

LVV-ja ka thënë se nëse kryesuesi i seancës ka vepruar gabimisht në procedurat për votimin e komisionit për votim të fshehtë, “pse Gjykata nuk e konstatoi këtë shkelje në aktgjykimin e shpallur më 26 qershor”, pas datës kur ishin ndërmarrë këto veprime.

Në fund, Vetëvendosje e akuzon Gjykatën Kushtetuese se “ka zgjedhur të mbajë anë, duke prekur parimet demokratike dhe sfiduar vullnetin popullor”. Ata e quajnë vendimin “paralajmërim serioz për rrezikun e një pushteti juridik të pakontrolluar, që në vend të kontrollit të pushteteve të tjera, vetë bëhet burim i kapjes institucionale”.

Vendimi i Kushtetueses, i bërë publik të premten, përcakton që deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e ri të Kuvendit përmes votimit të hapur dhe brenda afatit prej 30 ditësh. Po ashtu, është sqaruar se i njëjti kandidat mund të votohet maksimumi tre herë dhe se të gjithë deputetët kanë detyrim të marrin pjesë në procesin e votimit. /koha.net/

Vendimi i Kushtetueses pritet triumfalisht nga opozita

Radio Evropa e Lirë

Lëvizja Vetëvendosje e quajti vendimin arbitrar, Partia Demokratike e Kosovës, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cilësuan fitore kushtetuese e demokratike, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës foli për rrëzimin e diktatit.

Këto ishin reagimet e para ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila të premten vendosi që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta zgjedhin kryetarin e ri përmes votimit të hapur, ndërsa i njëjti kandidat mund të votohet vetëm deri në tri herë. Sipas Kushtetueses, konstituimi i Kuvendit duhet të përfundojë brenda 30 ditësh.

Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), deri më tani ka propozuar vetëm Albulena Haxhiun për postin e të parës së Kuvendit, teksa edhe pas aktgjykimit paraprak të Kushtetueses, kishte argumentuar se ajo mund të zgjidhej përmes votimit të fshehtë.

Hekuran Murati, deputet i LVV-së, njëherësh ministër në detyrë i Financave, e cilësoi si të padrejtë vendimin e Kushtetueses.

Ai tha se në aktgjykimin e vitit 2014, Kushtetuesja “për ta mbajtur PDK-në me çdo kusht në pushtet”, vendosi se Qeveria nuk mund të formohej pa fituesin e zgjedhjeve dhe kryekuvendari i takonte vetëm partisë së parë. Ndërkaq, kësaj radhe Kushtetuesja “thotë se vetëm votimi i hapur është i vlefshëm, dhe madje vendos edhe kufizim në vetëm 3 tentime, sepse fituesja është Lëvizja Vetëvendosje”.

“Kjo e fakton padyshim se vendimet e kësaj Gjykate nuk bazohen në Kushtetutë, por bazohen në atë se cila parti është në pyetje. Kjo nuk është drejtësi. Ky është arbitraritet klientelist, që synim ka t’ua sigurojë gardës së vjetër në tavolinë, atë çfarë nuk ua dha populli me votë”, shkroi ai në Facebook.

Saranda Bogujevci, deputete e LVV-së, tha se “demokracia përfaqësuese u anulua në Kosovë dhe nuk vlen më”.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se me këtë vendim të Kushtetueses, u vërtetuan qëndrimet e partisë së tij, që LVV-ja “e ka mbajtur peng Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke e bllokuar qëllimisht dhe në mënyrë të planifikuar funksionalizimin e tij për interesa të ngushta pushteti, me veprime tërësisht jashtë Kushtetutës”.

Sipas tij, ky vendim është fitore për rendin kushtetues.

“Ky është konfirmim i plotë se bllokada, shkeljet dhe veprimet arbitrare të Lëvizjes Vetëvendosje ishin jo vetëm antikushtetuese, por edhe thellësisht të dëmshme për demokracinë dhe shtetin tonë”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e mirëpriti vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke e cilësuar si “fitore të madhe për demokracinë”.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se me këtë vendim u vërtetua se LVV-ja shkeli Kushtetutën, për shkak se ndryshoi rendin e ditës dhe insistoi në votim të fshehtë për kryeparlamentarin.

“Fatkeqësisht, Kosova humbi kohë. Sot bëhen plot 180 ditë që nga mbajtja e zgjedhjeve. Gjysmë viti i humbur nga ata që imponimin e kanë si vlerë e përçmimin si metodë – gjithsesi paditurinë për të lexuar Kushtetutën e vendimet e saja si mburrje”, shkroi ai.

Ardian Gjini nga AAK-ja tha se me vendimin e Kushtetueses, “fitoi demokracia, u rrëzua diktati”.

Përmes një postimi në Facebook, Gjini tha se nuk mund të abuzohet në pafundësi me propozimin e vetëm një kandidati.

“Shteti nuk i nënshtrohet një individi”, shkroi ai.

Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët mbajtën 54 vazhdime të seancës, por dështuan që ta konstituonin organin ligjvënës.

Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndryshoi rendin e ditës, duke shmangur votimin e hapur dhe duke kërkuar formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar.

Kjo formë e votimit u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.

Gjatë seancave para 1 majit – kur votimi ishte i hapur – e propozuara e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, në disa votime nuk kishte arritur që të merrte 61 votat e nevojshme.

Haxhiu është cilësuar nga PDK-ja dhe AAK-ja si “figurë përçarëse”, ndërkaq LDK-ja ka deklaruar se nuk voton për asnjë kandidat të LVV-së për postin e kryetarit të Kuvendit.

Gjykata Kushtetuese merr vendim: Duhet votim i hapur deri në 3 herë për të njëjtin emër

 

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur.

Në vendimin e Kushtetueses konstatohet se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.

Po ashtu, në vendim thuhet se Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me  Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata ka urdhëruar kryesuesin që nga seanca e radhës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës – procedimi i votimit të kryeparlamentarit.

“TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, Kryesuesin e Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim  me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutësë Republikës së Kosovës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë”, thuhet në vendim.

Gjykata ka urdhëruar të gjithë deputetët që të marrin pjesë në seancën e ardhshme konstituive, si edhe në votim.

VENDIMI I PLOTE

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 7 gusht 2025 vendosi lidhur me kërkesat KO193/25 dhe KO196/25, në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së  “Vendimit të Kuvendit për votimin e Komisionit për votim të fshehtë, në kuadër të vazhdimit të seancës konstituive të Legjislaturës IX të Kuvendit, të mbajtur sipas transkriptit të datës 29 qershor 2025.”, të parashtruar nga KO193/25, Memli Krasniqi dhe 12 (dymbëdhjetë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe KO196/25, Hykmete Bajrami dhe 10 (dhjetë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Gjykata, vendosi:

TË DEKLAROJË, njëzëri, kërkesën të pranueshme;

TË KONSTATOJË, njëzëri, që deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme;

TË KONSTATOJË, njëzëri, që Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me  Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, Kryesuesin e Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim  me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutësë Republikës së Kosovës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë;

TË URDHËROJË, njëzëri të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës gjatë procedurës së zgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të pranishëm dhe të votojnë;

TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës të zgjedhin Kryetarin/en dhe nënkryetarët e Kuvendit të Republikës së Kosovës sipas pikave 3 dhe 4 të rendit të ditës të Seancës Konstituive brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi;

TË VAZHDOJË, njëzëri, masën e përkohshme të vendosur më 24 korrik 2025 deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi;

T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;

TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;

TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve.

Ambasada britanike: Të respektohen pavarësia dhe vendimet e Kushtetueses

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë përmes një postimi në Facebook ka bërë thirrje për respektim të pavarësisë dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka procedura të përcaktuara mirë për shqyrtimet dhe vendimet e saj. Aftësia e Gjykatës për të funksionuar në mënyrë të pavarur është jetike për demokracinë e Kosovës. Kjo duhet të respektohet dhe promovohet nga të gjitha palët dhe vendimet e Gjykatës të respektohen dhe zbatohen”, thuhet në postimin e kësaj ambasade.

Gjykata Kushtetuese është duke trajtuar kërkesat e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit.

Kjo gjykatë në prag të skadimit të afatit të vendosur prej saj (26 korrik) për konstituimin e Kuvendit kishte vendosur një masë të përkohshme dy javore që nuk i lejonte deputetët të marrin asnjë veprim deri më 8 gusht.

Ndërkohë, më 5 gusht, presidentja Vjosa Osmani në një konference për media njoftoi se ka tërhequr kërkesën e saj për shqyrtim nga Kushtetuesja për seancën konstituive, pasi gjyqtar raportues në këtë çështje ishte caktuar gjykatësi serb Radomir Laban, e për të cilin presidentja tha se konsiderohet si person i rrezikshëm për sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues. sn

Dredhza Braina: Po po, vendi i parë në botë, për mua, për ne, e për Kosovën!

Po po, vendi i parë në botë, për mua, për ne, e për Kosovën!🏆
Fituese e çmimit Global Cybersecurity Woman of the Year në kategorinë “Barrier Breaker”.🥇
Jam pafundësisht mirënjohëse për të gjithë ata që më kanë mbështetur gjatë këtij rrugëtimi, familja ime, miqtë, komuniteti dhe dashamirët, ju faleminderit nga zemra!
Ky çmim nuk është vetëm për mua, është për të gjithë ata që janë përballur me sfida, por nuk janë ndalur, kanë thyer heshtjen e kanë thyer barrierat.
Faleminderit ekipit të Cybersecurity Woman of the Year, veçanërisht Carmen Marsh, për krijimin e kësaj platforme ku gratë në sigurinë kibernetike jo vetëm njihen, por edhe fuqizohen. Faleminderit jurisë Cristina Dolan, Victoria Beckman, Bianca Lins, Darren Argyle, Jessica Robinson, Helen Oakley, e shumë të tjerë, për besimin që më dhatë!
Urime të gjitha fitueseve nëpër secilën kategori, është një nder i madh të jem mes jush!💙
Këtë çmim e trofe e fitova me emrin tim, por do e mbaj për të gjithë bashkëkombësit e mi. Ky s’është fundi i rrugës, është vetëm hapi i radhës.
Nuk do ndalemi këtu!🌍💻✨

FOTO- Vjosa Osmani publikon letrën e plotë që i dërgoi Donald Trumpi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohjen e saj ndaj presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për letrën që ai i ka dërguar së fundmi, ku shprehet përkrahja e vazhdueshme amerikane për Kosovën.

Përmes një postimi në faqen e saj zyrtare në Facebook, Osmani ka ndarë letrën publike dhe ka theksuar se Kosova do të mbetet e palëkundur në aleancën e saj me Shtetet e Bashkuara.

“Jam mirënjohëse Presidentit Trump për mbështetjen e tij dhe për mesazhin e fuqishëm që nënvizon partneritetin tonë. Kosova do të qëndrojë përherë përkrah Shteteve të Bashkuara, si në sfida ashtu edhe në arritje. Do të vazhdojmë të punojmë bashkë për të forcuar edhe më shumë këtë lidhje në të ardhmen”, ka deklaruar Osmani.

Në letrën e Trump, ndër të tjera, theksohet se raportet mes Kosovës dhe SHBA-së janë të bazuara në vlera të përbashkëta demokratike, respekt të ndërsjellë dhe synimin për një të ardhme të qetë dhe të zhvilluar.

“Ju falënderoj për udhëheqjen tuaj të vendosur dhe për miqësinë e sinqertë ndaj Shteteve të Bashkuara. Me padurim pres të vazhdojmë bashkëpunimin tonë në vitet në vijim”, shkruan Trump në mesazhin e tij.

Kujtojmë se disa javë më parë, Presidentja Osmani realizoi një vizitë zyrtare në SHBA, ku zhvilloi takime të rëndësishme me përfaqësues të lartë amerikanë.


Send this to a friend