VOAL

VOAL

Moska-UNMIK-ut: Kosova të zbatojë marrëveshjet me Serbinë

Zëvendësministri rus i Punëve të Jashtme, Gennady Gatilov

Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Zahir Tanin, ka nisur një vizitë zyrtare në Moskë të Rusisë, me qëllim të, siç thuhet, mbajtjes së kontakteve me vendet që janë të interesuara për gjendjen në Kosovë.

Një zëdhënës i misionit UNMIK, Jan Malekzade, i tha Radios Evropa e Lirë se Tanin ka takuar zyrtarët e lartë të Ministrisë së Jashtme Ruse, përfshirë edhe zëvendësministrin Gennady Gatilov, për të diskutuar çështjet rajonale.

“Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm mban kontakte të afërta me të gjitha shtetet e interesuara për gjendjen në Kosovë dhe në veçanti me vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit. Ai së voni ka vizituar Uashingtonin dhe tani ndodhet në Moskë për të biseduar drejtpërdrejt me homologët e Federatës Ruse”, tha Jan Malekzade.

Misioni i OKB-së, që udhëhoqi me Kosovën që prej përfundimit të luftës e deri në shpalljen e pavarësisë së saj më 2008, prej mijëra punonjësve të saj ka zvogëluar numrin në disa qindra, duke kryer një rol të një zyreje politike. Misioni që funksionon mbi bazën e një Rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që prej vitit 1999, në baza të rregullta tre mujore harton raporte për sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, për gjendjen në Kosovë.

Vizita e shefit të UNMIK-ut në Moskë, Zahir Tanin, bëhet pak javë para raportimit të radhës për gjendjen në Kosovë dhe në pritje të rifillimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Ndërkohë, sipas një kumtese për media të Ministrisë së Jashtme ruse, në takimin me Tanin, zëvendësministri i jashtëm rus, Gennady Gatilov, i bëri thirrje Kosovës që të përmbushë obligimet e saj për të cilat ka arritur marrëveshje me Serbinë.

“Gatilov theksoi nevojën e zbatimit të obligimeve që pala shqiptare e Kosovës ka marrë me marrëveshjet e arritura me palën serbe”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Jashtme ruse, të cilën e citon agjencia e lajmeve Sputnik. Gjithashtu në kumtesë thuhet se pala ruse ka ritheksuar rëndësinë e punës se misionit të OKB-së në Kosovë, në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon. (REL)

Rruga Gjilan – Ferizaj merr emrin “Beau Biden”

Ferizaj Municipality Beau Biden St

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që rruga Gjilan-Ferizaj të mbajë emrin “Beau Biden”.

Në vendimin e qeverisë thuhet se “Beau Biden u mor me ndërtimin dhe menaxhimin e institucioneve juridike të Kosovës, ku ka trajnuar shumë gjyqtarë dhe prokurorë të rinj dhe me punën e tij ka ndihmuar dhe mundësuar themelimin e sistemit të ri penal juridik në Kosovë”.

“Beau Biden është biri i burrështetasit amerikan Joe Biden, Nënpresident i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një mik i madh i Kosovës, i cili me punën e tij, bashkë me Presidentin e SHBA-ve, Barack Obama, në mënyrë të vazhdueshme ka kontribuuar në shtetndërtimin e Kosovës, në zhvillimin e përgjithshëm, në forcimin dhe sigurinë e paqes në rajon. Kjo e bën familjen Biden mike të vërtetë dhe të përhershme të Kosovës”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, tha gjatë në mbledhjes së qeverisë se “përmes këtij vendimi tregohet falënderimi dhe mirënjohja e Kosovës për të gjithë ata që kanë kontribuar në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, posaçërisht për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Joseph Robinette “Beau” Biden III, ish-prokuror i përgjithshëm i shtetit Delauer në Shtetet e Bashkuara vdiq vitin e kaluar nga një sëmundje e rëndë. Ai kishte punuar në Kosovë si këshilltar i lartë në kuadër të Misionit të OSBE-së gjatë vitit 2001 në ndërtimin dhe menaxhimin e institucioneve juridike të Kosovës. Beau Biden ishte biri i Nënpresidentit amerikan Joe Biden.

Qeveria e Kosovës insiston për regjistrimin e popullsisë në veri

Qeveria e Kosovës është e gatshme që të ulet për të biseduar me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe drejtuesit e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, për të arritur një pajtim lidhur me nisjen e procesit të regjistrimit të popullsisë në këto katër komuna.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, i cili ka theksuar se procesi i regjistrimit të popullsisë në komunat veriore duhet të nisë së shpejti, por pa precizuar ndonjë afat të caktuar kohor.

“Shumë shpejt. Pra, ne e kemi tash lajmin që ka një lloj hezitimi për pjesëmarrje. Është diçka që mendoj se do të tejkalohet, duke pasur parasysh që ne si qeveri do të bisedojmë me të gjithë faktorët relevantë që t’ua shpjegojmë se kjo është në të mirën e tyre. ”

“Fundja, kjo është dhe do të bëhet me përkrahjen konkrete të Bashkimit Evropian dhe asgjë të keqe nuk ka në këtë drejtim, përkundrazi, të gjitha dobitë do të jenë në të mirë të komunitetit serbë, në normalizimin e mëtutjeshëm të raporteve në Kosovë, por edhe atyre ndër-fqinjësore”, ka thënë Abdullahu.

Ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës duhet t’i ketë të dhënat e sakta lidhur me numrin e popullatës nëpër komunat veriore, në mënyrë që shpërndarja e të mirave buxhetore dhe të mirave të tjera të shpërndahet në përputhshmëri të drejtë me numrin e tyre.

Ndryshe, në mënyrë që procesi i regjistrimit të jetë i mundur, nevojitet revidimi i Ligjit për regjistrimin e popullsisë, në të cilin do të duhej të parashihet formimi i një Komisioni të veçantë, i cili do t’i koordinonte aktivitetet në komunat e veriut. Nevojën për miratimin e një ligji të tillë, përveç institucioneve të Kosovës, e ka theksuar edhe Komisioni Evropian.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e Listës Serbe vlerësojnë se pas shqyrtimit të ligjit me kryetarët e komunave në veri, si dhe me përfaqësuesit e serbëve në nivelin lokal dhe qendror, nuk janë krijuar kushtet për zbatimin e një procesi të regjistrimit të popullsisë.

Slavko Simiq, kryetar i Listës Serbe, thotë për Radion Evropa e Lirë që rekomandimet ndërkombëtare e vënë në pah që regjistrimi i popullsisë mund të bëhet vetëm në kushte kur mjedisi ka siguri dhe stabilitet politik. Sipas tij, në rastin në veri, këto mungojnë.

“Mendoj që të gjithë ne, me forca të bashkuara, të investojmë shumë mund që të përmbushen standardet ndërkombëtare, në mënyrë që të mbahet regjistrimi në komunat, në të cilat ky regjistrim nuk është mbajtur në vitin 2011. Duhet të krijojmë një klimë reale politike dhe të sigurisë që serbët të dalin në mënyrë masive në regjistrim. Në këto kushte, jam i sigurt që qytetarët nuk do të dilnin në numër të madh dhe do ta kishim një pasqyrë joreale dhe një vlerësim joreal. Do ta kishim një regjistrim jo të besueshëm“, tha Simiq.

Ai ka shtruar se është absurde që deputetët e Listës Serbe të votojnë për projektligjin dhe më pas kryetarët e komunave në veri të mos mund ta zbatojnë atë.

Ndërkaq, Adrijana Hoxhiq, shefe e administratës komunale në Mitrovicë të veriut, duke folur për Radion Evropa e Lirë konsideron që regjistrimi i popullsisë në veri duhet të jetë një nga temat e dialogut në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ajo ka shprehur mendimin se regjistrimi i popullsisë duhet të bëhet për faktin se edhe buxhetet komunale përcaktohen në bazë të numrit të qytetarëve në komunat e përkatëse.

“Nuk është mirë që të bëhet regjistrimi në qoftë se ai proces nuk është i pranueshëm për të gjithë, e posaçërisht për ato komuna në të cilat duhet të ndodhë ai regjistrim. Pavarësisht asaj se si do të votohet në Kuvendin e Kosovës, është mjaft e rëndësishme që për këtë proces ta kemi një marrëveshje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës“, ka theksuar Hoxhiq.

Por, Abdullahu thekson se refuzimi eventual i përfaqësuesve të komunitetit serb do të jetë krejtësisht i papranueshëm dhe për të përjashtuar një bllokim të procesit duhet të gjendet zgjidhja me përfaqësuesit serb.

“Konsideroj që forma më e mirë për të dalë nga kjo situatë, nga kjo lloj përpjekje për një bllokim të kësaj natyre, është që të ulemi dhe të bisedojmë. Për më shumë, kjo fiton argument, kur i shtohet se edhe nga Komisioni Evropian kemi premtime konkrete se Komisioni do ta përkrahë këtë proces të regjistrimit të komunitetit serb me mjete materiale, që ai të mos na kushtojë edhe neve më shumë. Prandaj, benefitet do të jenë edhe në këtë sferë”, ka thënë Abdullahu.

Abdullahu ka shtuar se për realizimin e procesit të regjistrimit duhet të gjenden edhe modalitetet përkatëse dhe funksionale, si dhe të bëhen ndryshimet në ligjin për regjistrim.

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë është mbajtur në vitin 2011, por ai proces ishte bojkotuar nga komunat në veri të Kosovës, për faktin se atë proces e kishin organizuar institucionet e Kosovës. (REL)

Kosova bën përpjekje të reja për deradikalizimin

Autoritetet në Kosovë thonë se janë duke punuar në deradikalizmin, rehabilitimin dhe integrimin e personave të cilët kanë qenë pjesë në luftërat në Siri dhe Irak, përkrahë organizatave terroriste. Ata thonë se përpjekjet për të gjetur rrugët për përballje më këtë dukuri, po bëhen përmes strategjisë kombëtare për “Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit”, që është miratuar vitin e kaluar.

Bashkërenduesi i kësaj strategjie, Edon Miftari dhe njëherësh këshilltar për siguri i Kryeministrit të Kosovës thotë për Zërin e Amerikës se institucionet e Kosovës së bashku me partnerët ndërkombëtarë janë duke hartuar programe të posaçme për rehabilitim e personave që kanë qenë pjesëmarrës në luftërat në Siri dhe Irak.

“Këto nënkuptojmë programe që kanë të bëjnë me persona që janë duke e vuajtur denimin me burg për veprën penale të terrorizmit, në mënyrë që këta persona deri në momentin kur të lirohen nga denimi të jenë pjesë kontribuese e shoqërisë së Kosovës dhe të mos dalin nga burgu duke qenë ende të radikalizuar apo ende të kenë në një farë forme trurin e shpërlarë me fundamendalizëm që e kanë marr atje (Siri dhe Irak)”, tha ai.

Ai thotë se në këtë program do të përfshihen familjarë, organizata të ndryshme të shoqërisë civile dhe sociologë. Zoti Miftari thotë se institucionet e Kosovës tashmë kanë të gjitha kapacitetet e nevojshme për t’u përballur me këtë dukuri.

“Përkushtimi dhe vullneti qëndron. Në aspektin financiar ne qëndrojmë në një gjendje shumë të mirë për shkak se Kosova është një nga shtetet përfituese të një fondi global me një shumë prej pesë million dollarëve që do të fokusohet kryesisht për programet që do të zbatohen nga shoqëria civile dhe organizatat e ndryshme të shoqërisë civile në aspektin e rehabilitimit mirëpo edhe parandalimit, qoftë në vetëdijësim dhe me ri-integrim”, tha zoti Miftari.

Sociologu dhe studiuesi i çështjeve të religjionit Ismail Hasani thotë se ri-socializimi i personave të përfshirë në këto luftëra është një sfidë e madhe ndërsa veçon kohën e pasluftës dhe vështirësitë e kërkuara për integrimin e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shoqëri.

“Normalisht se rruga e ri-integrimit të këtyre njerëzve përkatësisht ri-socializimit është shumë herë më e vështirë se sa që ishte rruga e ri-socializimit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së menjëherë pas luftës. Ne e dimë se IOM dhe organizata tjera sa mund kanë shpenzuar për këtë proces, por megjithatë ri-socializimi i tyre në raport me ri-socializimin e këtyre njerëzve të radikalizuar është krejt e kundërt”, tha ai.

Zoti Hasani thotë se shenjat për radikalizim të jetës fetare janë parë vite më parë ndërsa thotë se kërkohet një bashkëpunim më i mirë ndërmjet institucioneve shtetërore dhe Bashkësisë Islame të Kosovës për të zbutur këtë problem.

“Të eliminohet në tërësi nuk ka mundësi përnjëherë sepse përmasat e radikalizmit kanë shkuar bukur thellë. Ne këto i shohim në jetën e përditshme me mënyrën e sjelljeve, veprimeve, kryerjes së ritualeve të ndryshme të njerëzve që janë jo të zakonshme për Islamin tradicional i cili është kultivuar në këto kordinata dhe njerëzit e kësaj përkatësie konfesionale mburren më të përkatësi. Por, me islamin tradicional, jo me islamin radikal, jo me veprimet të cilat përjashtojnë dhe jetojnë me eksluzivitetin në mënyrë të sjelljes, veshjes dhe mënyrës së veçantë të praktikimit të besimit, etj”, tha zoti Hasani.

Zoti Miftari thotë se gjendja ka filluar të ndryshojë viteve të fundit, pas angazhimit të institucioneve të Kosovës për tu përballur me këtë dukuri.

“Arsyet apo shkaqet pse kjo ka ndodhur në Kosovë ndoshta kanë të bëjnë me 15 vitet e fundit kur Kosova ishte nën administrimin e organizmave ndërkombëtarë, kur edhe nuk ka pasur funksionim të mirëfilltë ose kontroll të mirëfilltë qoftë të organizatave bëmirëse ose të atyre shoqërive të cilat kanë dhënë fianncime të ndryshme dhe kanë sjellë një lloj konflikti”, tha zoti Miftari.

Që nga viti 2014, autoritetet në Kosovë kanë bërë përpjekje që nëpërmjet arrestimeve dhe ligjeve të ndalojnë shkuarjen e qytetarëve të saj në luftërat në Siri dhe Irak përkrahë organizatave terroriste. Janë hetuar mbi 180 persona të përfshirë në vepra që lidhen me terrorizmin. Rreth 90 persona janë arrestuar dhe janë ngritur mbi 40 aktakuza, ndërsa janë dënuar edhe imam për rekrutimin e luftëtarëve.

Thaçi kërkon që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s

Bruksel: Jens Stoltenberg dhe Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shtruar nevojën që Kosova të ketë Forcat e Armatosura dhe të jetë pjesë e NATO-s. Këto qëndrime, Thaçi, sipas një komunikate për media, i ka shprehur në Bruksel gjatë një takimi që ka zhvilluar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Në takim, thuhet se u bisedua për mundësinë e inicimit të një dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe NATO-s, si dhe për bashkëpunimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) me Aleancën Veri-Atlantike.

Presidenti Thaçi është shprehur po ashtu se FSK-ja është e gatshme që të marrë pjesë në manovrat, por edhe të kontribuojë në misionet paqeruajtëse të NATO-s, sidomos në fushat ku është specializuar.

“Kosova është e vendosur që të bëhet anëtare e NATO-s”, ka thënë Thaçi.

Në takim, sipas komunikatës, sekretari Stolteberg dhe presidenti Thaçi biseduan edhe për përkushtimin e Kosovës për sfidat e sigurisë, radikalizmin dhe terrorizmin. Me këtë rast, presidenti Thaçi u shpreh se Kosova do të mbetet e vendosur që të luftojë pa kompromis çdo ekstremizëm dhe radikalizëm.

Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka theksuar se KFOR-i do të vazhdojë misionin e tij për një ambient të sigurt në Kosovë dhe do të garantojë lirinë e lëvizjes për aq kohë sa është e nevojshme.

Sekretari i Përgjithshëm vlerësoi se çfarëdo reduktimi i numrit të forcave të NATO-s në Kosovë do të bazohej në përmirësimin e kushteve në terren.

OVL UÇK: Numri i veteranëve i fryrë, t’i hetojë Prokuroria

Kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mbledhjen e fundit, shqyrtoj edhe çështjen e procesit të verifikimit të veteranëve të luftës së UÇK-së.

“Me këtë rast, kryesia dyshon se ka numër të fryrë të veteranëve, ose që ka nga ata të cilëve iu është dhënë statusi i veteranit por kjo bjen në kundërshtim me ligjin në fuqi, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, thuhet në një komunikatë për media.

Saktësinë e numrit të veteranëve, OVL UÇK mendon se institucionet e Kosovës përkatësisht Prokuroria e shtetit, duhet që ta vërtetojnë.

AKR zyrtarizon koalicionin me Vetëvendosjen në Prishtinë

PRISHTINË – Aleanca Kosova e Re (AKR) zyrtarizoi sot koalicionin e saj me Lëvizjen Vetëvendosje në komunën e Prishtinës. Pas shumë mosmarrëveshjeve dhe mosgjetjes së një gjuhe të përbashkët në Asamblenë Komunale të Prishtinës dhe bllokimit të shumë çështjeve në interes të qytetarëve të Prishtinës, AKR-ja ka vendosur të bëjë koalicion qeverisës lokal për të shtyrë proceset përpara në interes të qytetarëve.

“Mbi bazën e vullnetit politik dhe nevojën për zhbllokimin e gjendjes në Kuvendin Komunal të komunës së Prishtinës dhe me qëllim ofrimin e shërbimeve më të mira publike për qytetarët arrihet kjo marrëveshje koalicioni qeverisës lokal mes dy subjekteve politike: Lëvizjes Vetëvendosje, përfaqësuar nga kryetari i komunës së Prishtinës dhe nga kryesuesi i grupit të këshilltarëve komunal- dhe Aleancës Kosova e Re – përfaqësuar nga kryetari i degës së Prishtinës dhe kryesuesi i grupit të këshilltarëve komunal”, thuhet në njoftim.

AKR-ja në kuadër të koalicionit do të ketë dy drejtori, drejtorinë e bujqësisë dhe drejtorinë e kulturës në komunën e Prishtinës. AKR thotë se është e angazhuar që të gjitha proceset në nivel vendi dhe komune t’i shtyjë përpara në të mirë të qytetarëve dhe ky koalicion vjen për shkak të një parimi të tillë, pasi për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet subjekteve politike, pasojat janë duke i vuajtur qytetarët. /K.press

Serbia mban peng marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës

 Autoritetet në Prishtinë thonë se pengesat e bëra nga Serbia janë faktori kryesor i mospranimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, në veçanti në institucionet evropiane. Krahas mospranimit nga pesë vendet e BE-së, bllokimi i Kosovës nga Serbia i ka pamundësuar asaj të jetë pjesë e një numri organizatash jo vetëm rajonale, por dhe më gjerë.

Qeveria e Kosovës thotë se synimi parësor i saj janë mekanizmat evropianë, dhe me theks të posaçëm Këshilli i Evropës, një prej institucioneve që për Kosovën ka nxjerrë dhe raporte.

Këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Faton Abdullahu, i tha Radios Evropa e Lirë, se me pengesën që Serbia i bën Kosovës po shkel parimet themelore të anëtarësimit në BE.

“Qasja e Serbisë është plotësisht e papranueshme. Është një qasje politikisht delikuente dhe shumë e rrezikshme sa i takon sigurisë dhe paqes në rajon. Dhe për sa i përket plotësimit të njërës nga kushtet që vlen edhe për Serbinë, normalizimi i raporteve me fqinjët është si premisë për t’i shpejtuar hapat drejt integrimeve evropian”, tha Abdullahu.

Problemet me anëtarësimin e vendit në organizatat ndërkombëtare janë theksuar posaçërisht me faktin e mosnjohjes së Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së dhe kundërshtimit të fuqishëm të Serbisë në organizata ku ajo mund të ketë ndikim më të madh.

Megjithëse ishte paralajmëruar prej vitesh anëtarësimi i vendit në Këshillin e Evropës, Kosova mbeti ende jashtë tij, për shkak të pamundësisë së mbledhjes së votave të mjaftueshme. Aplikimi në këtë institucion evropian nuk është bërë, sado që autoritetet në Prishtinë e patën paralajmëruar vite më parë.

Abdullahu thotë arsyet pse Kosova deri me tash nuk ka aplikuar në ketë mekanizëm janë të ndryshme.

“Arsyet janë nga më të ndryshmet, por ajo çka mund të thuhet konkretisht është se ne kemi raporte të mira me Këshillin e Evropës. Nuk besoj se në të ardhmen e afërt do të jetë pengesë e madhe edhe tejkalimi i atyre sfidave që të njihemi edhe nga Këshilli i Evropës”, tha Abdullahu për Radion Evropa e Lirë.

Por, ndërkohë, autoritetet në Prishtinë thonë se me BE-në, pavarësisht telasheve me vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kanë arritur një marrëdhënie të re kontraktuale përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit që do t’i mundësojë vendit përafrimin me BE-në duke tejkaluar dallimet e sotme brenda vetë këtij mekanizmi.

Anëtarësimi në UEFA dhe FIFA, dy organizatat botërore të sportit, duket sikur kanë thyer mitin e mospranimit të Kosovës në botë.

Për qeverinë, Kosova ka ecur në drejtim të njohjes së saj në botë, por për opozitën, vendi nuk ka arritur të ndryshojë qasjen e institucioneve ndërkombëtare karshi tij.

Zgjim Hyseni, anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje tha për Radion Evropa e Lirë, se Kosovën për vite me radhë e ka karakterizuar një politike e jashtme e dështuar dhe kjo, sipas tij, është rritur me koalicionin e dy partive më të mëdha në vend, PDK dhe LDK.

“Në këtë drejtim, një prej faktorëve që ka penguar suksesin dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare ka qenë fakti që tashmë dihet, edhe në shtete tjera partnere, që Kosova udhëhiqet prej një klase politike të korruptuar. Kjo është reflektuar në mos-suksesin tonë sa i takon politikës së jashtme”, tha Hyseni.

Por, sipas tij mos anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare është ndikuar edhe nga qasja që Kosova ka pasur në raport me dialogun me Serbinë.

“Në rast se ne nuk e konsiderojmë si kapitull të mbyllur marrëdhënien tonë me Serbinë, dhe gjithmonë ende ka ende për të diskutuar këtu, ky është një argument në duart e diplomacisë Serbe që [mund të thonë] ju lutem mos bëni hapa të njëanshëm për ta njohur Kosovën sepse ne ende po diskutojmë për ta gjetur një zgjidhje sa i takon kësaj pune”, tha Hyseni.

Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane, konsideron se Kosova dhe institucionet e saj duhet të kenë qëllime të caktuara kur bëjnë kërkesë për anëtarësim në ndonjë mekanizëm ndërkombëtar.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës, duhet të thellojë reformat e brendshme për të forcuar kredibilitetin e vendit që mund të shfrytëzohet, sipas tij për anëtarësime në forume të ndryshme.

“Ne duhet t’i bëjmë prioritetet tona. Për mendimin tim çështja më primare e politikës së jashtme, sa i përket anëtarësimeve dhe njohjeve, është që vendi të fokusohet në pesë shtete anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Ne do të kemi telashe të mëdha pas 2-3 vitesh kur do të bëjmë hapa më serioz drejt anëtarësimit”, tha Muharremi.

Pengesa e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve vazhdon të jetë marrëdhënia ende e rëndë me Serbinë.

Të dyja palët janë futur në një dialog për normalizim të marrëdhënieve, dhe sado që marrëveshja e prillit e vitit 2013 parasheh që asnjëra palë të mos e pengojë tjetrën në rrugën e integrimeve evropiane, një gjë është ende e qartë: Kosova nuk ka arritur të përafrohet me një numër të institucioneve evropiane.

Brovina: Demarkacionin mund ta votojmë symbyllur

Nënkryetarja e PDK-së , Flora Brovina ka thënë se partia e saj e kishte propozuar Gani Kocin për ministër të Drejtësisë, por në mes ka dalur ndonjë pengesë.

“Ne e kemi diskutuar, dhe e kemi propozuar Kocin për ministër, por prej propozimit deri tek vendimi duket se ka pasur pengesa. Ne e mbrojmë Kocin, e respektojmë. Ai e di pse nuk u bë ministër”, ka thënë Brovina në Interaktiv të KTV-së.

Ajo ka thënë se opozita me gaz nuk mund të zgjidhë asgjë, porse personalisht ka shprehur dyshimet e saj për demarkacionin.

Megjithatë, ajo ka thënë se mund të merret një vendim brenda partisë për të votuar për këtë.

“Nëse hedhin gaz sërish, do ta votojmë symbyllur”, ka thënë Brovina.

Enver Hasani do të dalë para gjykatës pa “imunitet”

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, këtë javë do të pranojë ftesën për t`u përballur me akuzat për falsifikim të dokumentit zyrtar dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare në kohën sa ishte në krye të Kushtetueses.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka konfirmuar për “Kohën Ditore” se tashmë kanë proceduar me çështjen pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila e ka hedhur poshtë ankesën e Hasanit për mbrojtje të ligjshmërisë.

Procedura gjyqësore ndaj tij pritet të fillojë si çdo procedurë tjetër, duke mos e ngritur çështjen e imunitetit.

Kjo mund të bëhet vetëm nëse kërkohet ndërkohë nga palët. Kryetari i gjykatës së shkallës së parë, Hamdi Ibrahimi, ka thënë se kanë vendosur për procedimin e rastit.

Të hetohen nga Prokuroria veteranët mashtrues të UÇK-së

Kostoja e pensioneve të veteranëve të UÇK-së po rrezikon buxhetin dhe Marrëveshjen stand-by të Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Jo vetëm njohës të kësaj çështjeje, por edhe vetë ish-komandantë të UÇK-së i kanë bërë apel Prokurorisë së Shtetit të nisë hetim për deklarimet e rrejshme që janë bërë, të cilat, sipas tyre, po e dëmtojnë kredibilitetin e UÇK-së dhe buxhetin e shtetit, shkruan sot Koha Ditore.

Rexhep Selimi, ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ka thënë se në ushtri asnjëherë nuk kanë qenë të angazhuar 46 mijë veta.

Avdullah Hoti, ministër i Financave, ka thënë se në fillim të vitit ishin ndarë 25 milionë euro, të mjaftueshme për pagesën e pensionit prej 170 eurosh për rreth 12 mijë veteranë.

Ruaj Zot shqiptarët prej shqiptarëve, siç kanë thënë Konica e z. ambasador Donald Lu – Nga Skënder Mulliqi

 

Zbehja e imazhit në sytë e ndërkombëtarëve

Organet e drejtësisë kanë mbetur hallka më e dobët e pushtetit

Qortimi që ia bëri popullit ambasadori amerikan, Donal Lu, është shumë me vend. Është e pashpjegueshme së si po lejohen që këto struktura të kompremituara të udhëheqin shtetet tona

Pushtetet e pasluftës u treguan jomeritore në drejtimin e  shtetit të ri të Kosovës. Në vend të punës për shtetndërtim dhe mirëqenie pas okupimit shumëvjeçar nga Serbia, u përballëm me dy fenomenet më të këqija të mundshme. Me krimin e organizuar dhe më korrupsionin, të cilat i shkaktuan dhe po shkaktojnë dëme të mëdha Kosovës. Krimi dhe korrupsioni fatkeqësisht na janë bërë pjesë e jetës. Organet e drejtësisë kanë mbetur hallka më e dobët e pushtetit. Krimi i organizuar ekonomik e politik dhe korrupsioni bënë që të zbehet shumë imazhi i Kosovës në sytë e botës demokratike. Kastat politike në pushtet punuan më shumë për të mirën e tyre, duke e varfëruar popullin secilën ditë e më shumë. Pak u interesuan për zhvillim të ekonomisë dhe për zvogëlimin e numrit të lartë të të papunëve. Fushatat elektorale dhe premtimet e dhëna i shfrytëzuan vetëm sa për t’u ngjitur në pushtet. Me veprimet e tyre e futën vendin në krizë të rëndë politike dhe institucionale.

Logjika e autoritarizmit

U futën në bisedime maratonike më shumë për çështje politike me Serbinë, duke nënshkruar marrëveshje të cilat prekin edhe statusin politik të Kosovës. Asociacioni i Komunave serbe me kompetenca vendimmarrëse dhe Demarkacioni prunë deri te eskalimi i situatës politike dhe deri te kriza institucionale. Këto marrëveshje u kundërshtuan në Kuvend dhe me protesta të cilat u organizuan në kryeqytet nga opozitarët. Edhe përkundër të gjitha këtyre të këqijave askush nuk dha dorëheqje si akti më madhor moral dhe politik. Ndjenja e përgjegjësisë nuk po ekziston së në kokat e kësaj elite politike, sepse është ngulitur logjika e autoritarizmit. E vërteta e madhe për kastat udhëheqëse në Shqipëri dhe në Kosovë që doli nga goja e mikut të shqiptarëve ambasadorit amerikan në Shqipëri, Donald Lu, është mesazhi më i drejtpërdrejtë dhe është mesazhi më i fuqishëm së si jemi katandisur si komb dhe si shtete dhe se cila është e mira dhe e keqja jonë. “Unë kam pak kohë që rri në vendin tuaj. Në fillim më bëri përshtypje që çdo gjë që thoshin ambasadorët ju e merrnit për flori safi. Nuk kisha parë njerëz më të verbër në besimin ndaj të huajve. Por, pastaj, kur pashë se ata që ju drejtojnë apo merren me politikë tek ju janë më të pashpirt se çdo i huaj dashakeq ndaj jush, e kuptova pse na shikoni në dritë të syrit”. Shkëputa këta rreshta lexues të nderuar nga fjalimi i ambasadorit Lu dhe a ka gjë më turp për shqiptarët në të dyja anët e kufirit së të lejohet që në emër të popullit ta kalërojnë pushtetin kastat politike të korruptuara dhe servile. Kjo e fundit vlen më shumë për udhëheqjen tonë, e cila ia ka zënë vetit bishtin me derë dhe tash janë të detyruar të bëhen të dëgjueshëm dhe vetë të zbatojnë urdhra, ashtu siç kërkojnë ambasadorët e huaj të akredituar në Kosovë. Nuk ka njeriu as një pres ose pikë t’ia heq këtij mendimi të ambasadorit Lu.

Plaçkitin shtetin dhe popullin

Qortimi që ia bëri ai popullit është shumë me vend. Është e pashpjegueshme se si po lejohen që këto struktura të kompremituara të udhëheqin shtetet tona. “Librat e historisë thonë për ju shqiptarët e mi të dashur se nuk ju trembet syri dhe e keni ndjesinë e drejtësisë. Por, më ka bërë përshtypje që ndaj çdo padrejtësie ia mbathni nga sytë e këmbët. Në përgjithësi popujt e civilizuar nuk lejojnë që të manipulohen. Reagojnë ndaj qeverive. Ndërsa ju reagoni në mënyrë shumë të çuditshme. Ikni” thotë Lu. A ka shpjegim më të mirë dhe të hollësishëm së ky? Sigurisht së jo. Unë nuk dua të lavdërohem së kam shkruar dhe thënë ndër të parët, se gjithë kjo heshtje e popullit para këtyre regjimeve despotike nuk justifikohet. Regjimet në Shqipëri dhe në Kosovë sa më parë që të largohen nga skena politike, aq më afër do ta kemi shpëtimin nga kurthet të cilat na i kanë ngritur. Jo si zgjedhje ta preferojmë ikjen nga vendi siç e tha ambasadori i nderuar, Donald  Lu. Natyrisht së Lu është zhgënjyer duke pa së si secili që ngjitet në pushtet ia falë dreqit, duke plaçkitur shtetin  dhe popullin e vet. Lidhur me korrupsionin Lu shprehet: “Korrupsioni në drejtësi jo vetëm që i lejon gjyqtarët dhe politikanët të mbushin xhepat me para të pista; ai po shkatërron jetët e njerëzve të zakonshëm e të ndershëm. Të pasurit dhe të fortët e blejnë drejtësinë, ndërsa gratë, të varfrit dhe ata pa pushtet politik janë viktimat”.Këto ishin pjesë shkëputura nga një fjalim i ambasadorit amerikan, Donald Lu, gjatë prezantimit të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit. Zoti na ndihmoftë z. Lu, se ne deri më tash nuk ia kemi bërë argatin vetit që punët t’i kemi më mirë…

Enver Robelli: Mafiozët toskë dhe shvercerat gegë!

VOAL -Në një postim të shkurtër dje, menjëherë pas mbledhjes së tretë të qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë, mbajtur në sallën qendrore të Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, gazetari i atjeshëm Enver Robelli, i ka karakterizuar dy palët si ‘mafiozë toskë’ dhe ‘shvercera gegë’, duke përdorur në rastin e dytë një zhargon nga gjermanishtja për ‘zezakë’.

Ja postimi i plotë i Robellit:

Ishte një takim i suksesshëm i mafiozëve toskë me shvercerat gegë!

Dukagjin Gorani kalon tek Vetëvendosje

Analisti Dukagjin Gorani i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje. Kalimi i Goranit në këtë parti është bërë sot.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësi i Vetëvendosjes Frashër Krasniqi. Ai po ashtu ka thënë gjatë ditëve në vijim se kësaj partie do t’i bashkohen edhe figura tjera të rëndësishme.

Dukagjin Gorani është folur se ka synuar krijim e një subjekti politik, së bashku me disa anëtarë tjerë përfaqësues të shoqërisë civile, por që tani ka vendosur i vetëm që t’i bashkohet partisë më ta madhe opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje.

Hotel ‘Viktoria’ në Prishtinë – Policia e Kosovës vazhdon aksionin për lirimin e pronave të uzurpuara

Policia e Kosovës ka ndermarrë një aksion për lirimin e pronave që dyshohet se janë të uzurpuara, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Daut Hoxha, zëdhënës në Policinë e Kosovës. Aksioni është duke u zhvilluar tek Hotel “ Viktoria” në Prishtinë

“Policia e Kosovës është në funksion të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore në vazhdën e zbatimit të ligjit, në bashkëpunim më autoritete kompetente për largimin e uzurpatorëve nga pronat e uzurpuara. Edhe sot në Prishtinë ka vazhduar një operacion i tillë” ka thënë Hoxha .

Ndryshe, sipas të dhënave të AKP-së janë 170 prona të uzurpuara, nga 116 persona fizik dhe 54 persona juridik.

Klinaku: Komandantët i dyfishuan numrat e veteranëve

Avni Klinaku, kryetari i Lëvizjes për Bashkim, që para pak ditësh e cilësoi si skandaloz numrin prej 46,000 e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë që kanë fituar statusin e veteranit të luftës, thotë se këtë titull nuk e meritojnë të gjithë ata që e kanë marrë.

Në emisionin Zona e Debatit në Klan Kosova, Klinaku u shpreh edhe njëherë se listat janë skandaloze dhe numrat e individëve që luftuan në Kosovë janë dyfishuar.

“Që nga fillimi nuk na ka pëlqyer ky proces, me definicione jo të sakta dhe me krejt atë që ka prodhuar. Duhet të vijmë në nj konstatim nëse numri nuk është i fryrë, nuk ka çka të lëndohet askush, por nëse është i fryrë atëherë i bie se dikush është barazuar me dikë pa meritë. Pakënaqësia jonë është hartimi i ligjit dhe listat që kanë dalë nga aty, sepse janë skandaloze”, deklaron Klinaku.

“Shifrat që kanë pas shoqatat e dala nga lufta dhe dokumentet nga komandantët e zonave të cilat ata vet i kanë nënshkruar dalin të dyfishuara. Kjo e dëmton shëmbëlltyrën e këtij procesi”, ka përfunduar ai.

Gjykata Speciale e Kosovës pret dritën jeshile nga Brukseli

Përfaqësues nga Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës thonë se deri tash janë kryer të gjitha obligimet për themelimin e Gjykatës Speciale. Ata thonë se infrastruktura juridike për Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë tashmë është ndërtuar, përfshirë këtu aprovimin nga Kuvendi i Kosovës të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, tha se të gjitha veprimet për formimin e kësaj gjykate janë ndërmarrë, duke respektuar ligjet e Kosovës dhe rregulloret e veçanta. Andaj, ka vijuar ai, nuk ka asnjë arsye që institucionet e Kosovës të mos bashkëpunojnë me këtë gjykatë.

Haliti tha se askush nuk e ka dëshiruar një gjykatë të tillë. Por, ai beson se puna e kësaj gjykate do të dëshmojë edhe një herë se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe e drejtë.

“Në Kosovë nuk ka ndonjë çështje të pazgjidhur. Deri tash të gjitha çështjet janë miratuar në Kuvend dhe janë dërguar në Bruksel. Tani ka mbetur që Brukseli të bëjë rekrutimin e gjyqtarëve”, tha Haliti.

Edhe në Qeverinë e Kosovës thonë se obligimet e tyre karshi Gjykatës Speciale kanë përfunduar. Besnik Berisha, këshilltar i Jashtëm për çështje të Drejtësisë në zyrën e kryeministrit të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se kjo çështje tash është e përfunduar dhe se qeveria nuk ka dhe nuk do të duhej të përzihej në punët e sistemit të drejtësisë.

“Tash e tutje është çështje e pushtetit të drejtësisë. Është çështje që të merren ata dhe çdo ndërhyrje e qeverisë në parim do të përbente cenim të ndarjes së pushteteve”, tha Berisha.

Ideja për themelimin e një Gjykate Speciale buron mbi bazën e hetimeve të iniciuara nga Këshilli i Evropës, që si bazë kishin dyshimet e zviceranit Dick Marty, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dyshimet e tilla janë hedhur edhe mbi ish-udhëheqës të lartë të UÇK-së, të cilët aktualisht mbajnë poste të larta në institucionet e Kosovës, që nga presidenca e deri te dikasteret tjera të qeverisë, por edhe të partive politike.

Dren Doli, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, vlerëson se institucionet e Kosovës tashmë kanë dhënë konfirmimin e tyre se do të ndihmojnë punën e kësaj gjykate në momentin kur kanë kaluar amendamentet kushtetuese dhe ligjin për themelimin e saj.

“Pra, nuk ekziston asnjë arsye as ligjore apo objektive e cila mund të ndikonte që institucionet e Kosovës të mos ndihmojnë punën e Gjykatës Speciale në Kosovë. Ky është një përkushtim që Kosova e ka marrë. Natyrisht është e nevojshme që pjesa tjetër e institucioneve të Kosovës të punojnë dhe bashkërendojnë punë me Gjykatën Speciale, në mënyrë që mandati i saj të realizohet sa me parë dhe ato supozime që do të ngritën në gjykatë të qartësohen njëherë e mirë dhe përgjithmonë”, tha Doli.

Sidoqoftë, tashmë ka mbetur që një komision i posaçëm i Bashkimit Evropian të shpallë konkursin për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Gjykatës Speciale për krime të luftës në Kosovë, si dhe stafin administrativ për këtë gjykatë. Gjithashtu është paralajmëruar edhe mundësia eventuale e procedimit të rasteve të para nga ana e kësaj gjykate, gjatë këtij viti. Në qeverinë e Kosovës besojnë në paanshmërinë e Gjykatës Speciale dhe njësoj, siç thotë ata, besim të njëjtë duhet të kenë edhe qytetarët.

“Institucionet e Kosovës, në përgjithësi, mendojnë se tashmë është instaluar një klimë e respektimit të vendimeve të gjyqësorit. Është instaluar po ashtu një klimë e bashkëpunimit me institucionet e drejtësisë në shumicën e rasteve. Unë nuk besoj se ka ndonjë arsye për tu përgatitur për situata të eskalimit të [situatës] dhunës për shkak se besohet në një gjykatë objektive”, tha Besnik Berisha.

Gjykata pritet të hetojë krimet serioze të kryera në periudhën 1999-2000 nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe kundërshtarëve politikë. Gjykata Speciale pritet të nisë së operuari këtë vit. Selia e saj do të jetë në Hagë të Holandës. (REL)

Në shtëpinë e një serbi në Klinë gjenden shumë armë

Polica e Kosovës njofton se në oborrin e një shtëpie serbi të blerë nga një shqiptar në Klinë u gjetën shumë armë: granata, pushkë e fishekë.

Në raportin e vet ditor Policia e Kosovës, ka njoftuar se, transmeton Koha.net, ankuesi mashkull K/Shqiptar ka informuar se ka blerë një shtëpi nga një mashkull K/Serb dhe me kërkesën e ankuesit nga ana e FSK-së është bërë kontrollimi i oborrit të shtëpisë pasi që kishte dyshime se mund të kishte lëndë shpërthyese.

Gjatë kontrollit me eskavator në oborrin e shtëpisë janë gjetur dhe konfiskuar nga FSK-ja 11 copë granata dore, 1 AK/47 me 9 karikatorë, 470 copë fishekë të kalibrit 7.62mm, 1 kilogram eksploziv plastik dhe 6 copë detektorë elektrikë.
Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kompetent.

Familja e tre shqiptaro-amerikanëve të vrarë në Serbi kërkon drejtësi

Njerëzit i nderojnë trupat pa jetë të tre vëllezërve Bytyçi në Prishtinë, më 27 shkurt 2002

Familja e tre shtetasve amerikanë me origjinë nga Kosova, të vrarë gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999, tha se kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiçi, ka dështuar t’i realizojë premtimet, që të dyshuarit për këtë vrasje të sillen para drejtësisë.

Vëllezërit, Ylli, Mehmet dhe Agron Bytyçi, janë larguar nga Nju Jorku për të luftuar në radhët e kryengritësve shqiptarë kundër sundimit të Serbisë në Kosovë.

Ata ishin arrestuar pas një beteje dhe pastaj trupat e tyre të pajetë ishin gjetur në një varrezë masive në vitin 2001, raporton agjencia Associated Press.

Në një email dërguar kësaj agjencie, avokatët e familjes thonë se “përkundër kërkesave të përsëritura, familjes Bytyçi nuk i është dhënë asnjë njoftim për planet e ardhshme për të lëvizur në këtë rast”.

Avokatët thonë se kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “e ka gënjyer shumë herë familjen e tre shtetasve të vrarë amerikanë. Ai duhet të mbahet përgjegjës”.

I pyetur për të komentuar këtë situatë, një zyrtar i qeverisë, që ka folur në kushte anonimiteti, tha se “ne kemi punuar në këtë rast”.

Përfaqësuesit e familjes Bytyçi pretendojnë për lëshime të shumta në hetime.

“Dëshmitarëve nuk u janë dhënë sinjale të qarta se ata do të mbrohen. Ende nuk ka akuza. Megjithatë, kriminelëve të dyshuar të luftës po u shkon puna mjaft mirë”, thonë ata.

Mëtutje, përfaqësuesit e familjes Bytyçi pretendojnë se i dyshuari kryesor në këtë rast mbetet këshilltar kryesor i kryeministrit Vuçiç dhe presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliç, dhe Partisë Progresiste të tyre, raporton AP.

Kosovë: Frikësimi i dëshmitarëve vë në rrezik gjykimin “peshqve të mëdhenj”

Kërcënimet dhe frikësimet vazhdojnë të jenë arsyeja kryesore pse dëshmitarët në proceset gjyqësore, sidomos në rastet e cilësuara si të ndjeshme, shpeshherë refuzojnë tërësisht t’i tregojnë ato që dinë.

Mbrojtja e dëshmitarëve vazhdon të mbetet një nga sfidat për sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Kohët e fundit, organet e ndjekjes penale kanë kryer një varg arrestimesh, përfshirë edhe persona të profilit të lartë politik, apo siç quhen shpesh, “peshqve të mëdhenj”, të dyshuar për krim të organizuar dhe korrupsion.

Që nga viti 2011, Kosova ka ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve. Ai mundëson masa mbrojtëse për të siguruar mbrojtje të personit të mbrojtur nga rreziku serioz.

Mirëpo, ky ligj, sipas njohësve të sistemit të drejtësisë dhe avokatëve, nuk po gjen zbatim në Kosovë.

Betim Musliu, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thekson për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë asnjëherë nuk ka pasur ambient të përshtatshëm për dëshmitaret, e sidomos për dëshmitaret e mbrojtur.

Musliu thekson se brishtësia e sistemit të drejtësisë që nga pas lufta e deri me thash ka bërë që në asnjë formë dëshmitarët potencial nuk kanë pasur besim që t’u ofrohen prokurorive dhe gjykatave për të dhënë dëshmi.

“Nuk ka pasur asnjëherë programe specifike, të cilat do të ndikonin në ofrimin e dëshmitarëve për të dëshmuar për veprat tjera penale karakteristike, që mund të jenë, si krimi i organizuar apo korrupsioni. Vetëm së fundmi po flitet se në rastet e ashtuquajtura të profilit të lartë mund të ketë dëshmitarë të mbrojtur për të cilët tashmë ka filluar edhe një kërcenim (apo mbrojtje) nga ana e gjyqësorit, se vetëm përmendja e emrit të tyre mund të përbejë vepër penale nga kushdo qoftë”, tha Musli.

Për aplikimin e programeve për mbrojtje të dëshmitarëve, vijoi Musliu, deri më tani nuk ka pasur një seriozitet si nga ana e institucioneve vendore apo EULEX-it si dhe UNMIK-ut në të kaluarën.

“Prandaj do të duhej që shteti të investojë shumë e më shumë në hartimin e programeve të cilat do të ishin të favorshme për dëshmitarët. Kjo nuk ka ndodhur deri me tash dhe ky ambient, nëse vazhdon kështu, do të ndikojë që edhe ata që mund të jenë dëshmitarë të largohen e lëre më që të ketë dëshmitarë të ri që t’i ofrohen sistemit të drejtësisë”, u shpreh Musliu.

Ndërkohë, avokati Tomë Gashi konsideron se për faktin që ligji nuk po zbatohet, institucionet, sipas tij,duhet të ndërmarrin masa për realizimin e programeve të ndryshme në mënyrë që shumë çështje gjyqësore të zgjidhen.

“Sigurisht se ka mundësi të përmirësimit të këtij ligji, mirëpo është pak e pamundshme që në Kosovën e vogël të mos dihet identiteti i dëshmitarëve të caktuar, sepse për rastet të cilat janë në shqyrtim e sipër, zakonisht dëshmitarët vijnë nga vendi ku edhe i dyshuari jeton në afërsi”, tha Gashi.

Tutje, avokati Gashi thekson se me fillimin e funksionimit të Gjykatës Speciale, çështja e dëshmitarëve të mbrojtur do të vë në pah edhe më shumë moszbatimin e ligjit dhe programet e nevojshme që do të duhej t’i kishte Kosova.

“Këto mungesa janë shfrytëzuar që bashkësia ndërkombëtare të pranojë aprovimin dhe funksionalizimine një gjykate të huaj, duke pretenduar se në Kosovë nuk mbrohen fare dëshmitarët apo është jashtëzakonisht vështirë të mbrohen ata, për shkak të territorit të vogël dhe numrit të popullsisë që është rreth 2 milionë”, tha Gashi.

Në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit nuk kanë dashur që të flasin shumë për programet dhe ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Në një përgjigje me shkrim nga zyra për media që i është thënë Radios Evropa e Lirë, thuhet se në bazë të ligjit edhe masat e mbrojtjes mund të zbatohen para, gjatë dhe pas procedurës penale për personat e rrezikuar në lidhje me hetimet për veprat penale.

Në kuadër të institucioneve të drejtësisë ekziston një komisioni i cili merret me mbrojtjen e dëshmitarëve. Ky komision udhëhiqet nga kryeprokurori i Shtetit, kryesuesi i Zyrës së hetuesisë së Policisë së Kosovës, dhe drejtori i Drejtorisë për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Kosovës parasheh mbrojtje për dëshmitarët në procedurë penale, në rast se ka rrezik serioz për rrezikim të jetës, shëndetit apo pronës së dëshmitarit apo edhe anëtarit të familjes, siç është urdhri për masa mbrojtëse apo urdhri për anonimitet nga të pandehurit apo publiku.

Pas luftës, mbrojtja e dëshmitarëve si kompetencë u ka takuar organizatave ndërkombëtare; fillimisht administratës së Kombeve të Bashkuara – UNMIK-ut, e më pas misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX. (REL)

Ebadi në Prishtinë: Shoqëritë patriarkale pengojnë reformimin e Islamit

Nobelistja Shirin Ebadi po merr pjesë në konferencën ndëfetare në Prishtinë

Nobelistja nga Irani, Shirin Ebadi, tha të martën në Prishtinë, se Shteti Islamik është një ideologji e gabuar më parë se sa një grup terrorist dhe kjo , tha Ebadi, nuk mund të çrrënjoset me bomba.

Duke folur në hapje të konferencës ndërkombëtare për promovimin e dialogut ndërfetar dhe luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm, Ebadi tha se „lufta kundër talebanëve ka treguar se sa e pamundur është që të çrrënjoset një ideologji e gabuar me bomba „sepse talibanët janë forcuar më shumë dhe pyeti siç tha botën se pse po zbaton përvoja të pasuksesshme“.

Sipas saj, lufta kundër ideologjisë së gabuar bëhet vetëm duke shfrytëzuar ideologji të vërtetë.

„Myslimanëve të rinj, përparimtarë dhe modern, djemve, duhet t’u japim një platformë përmes së cilës do të dërgohen në botë dhe duhet t’u tregojmë të rinjve se ekzistojnë interpretime më të mira të islamit. Prandaj gjithnjë them se në vend që ISIS-in ta godisni me bomba – goditeni me libra“, tha Ebadi.

Ajo tha se shoqëritë patriarkale ndalojnë reformimin e islamit, sepse me interpretimin e saj të islamit „arsyetojnë veprimet e tyre dhe sjelljet e tyre“. Duke folur diskriminimin e rëndë ndaj gruas në shtetet myslimane, Ebadi tha se „nuk është Islami ai që i shtyp gratë, por interpretimi i islamit nga shoqëritë patriarkale shtypin gratë“.

„Prandaj të rinjtë duhet t’i mësojmë me interpretimet e drejta të Islamit. Duhet t’i mësojmë të rinjtë se duhet t’i përmbahen shpirtit të Islamit, dhe se duhet ta zbatojnë varësisht nga koha kur jetojmë. Sikur që më nuk udhëtojmë me deve, ngjashëm duhet edhe zakonet tona të përputhen me këtë shekull“, tha Ebadi.

Nobelistja Shirin Ebadi është mysafire nderi në Konferencën ndërkombëtare për promovimin e dialogut ndërfetar, që po mbahet në Prishtinë për herën e pestë, dhe foli në temën „Roli i gruas në promovimin e dialogut ndërfetar dhe luftën kundër ekstremizmit“.

Konferencën e hapi Presidenti Hashim Thaçi, i cili theksoi se nuk ka një aleat më të mirë se sa gruaja, nëna, bashkëshortja dhe motra në luftën kundër ekstremizmit.

Konferenca ndërfetare mblodhi sivjet mbi 300 pjesëmarrës nga 50 shtete të botës dhe përveç Shirin Ebadit nga Irani, po merr pjesë edh enjë nobeliste tjetër nga Jemeni, Raëakool Kerman.

Gjatë punimeve të konferencës një çmimi Kosovës për dialogun ndërfetar do t’i ndahet kryetarit të ri të Londrës, Sadiq Khan dhe themeluesit të shoqërisë Sant Egidio, Monsinjor Vincenzo Paglia. (Radio Evropa e Lirë)

Fshihet identiteti i dy dëshmitarëve kryesorë kundër Azem Sylës

 Një muaj pasi prokurori, Danilo Ceccarelli zbuloi identitetin e dy dëshmitarëve kryesorë kundër Azem Sylës, ka kërkuar nga Gjykata që identiteti i tyre tash e tutje të jetë i mbrojtur. Prokuroria ka refuzuar të flasë nëse mban përgjegjësi nëse në çfarëdo forme cenohen dëshmitarët, për shkak se vetë ua ka zbuluar identitetin. Përmendja e emrave në publik të këtyre dy dëshmitarëve përbënë vepër penale.

Prokurori i EULEX-it, Danilo Ceccarelli dhe gjyqtarja, Jeniffer Sill kanë marrë vendim që dy dëshmitarët kryesorë kundër Azem Sylës, t’i shpallin anonim, një muaj pasi vetë ua kanë zbuluar identitetin e tyre.

Emrat e këtyre dy dëshmitarëve me të dhënat e plota dhe pjesë të dëshmive të tyre, janë vënë në kërkesën e prokurorit për paraburgim për disa prej 21 të dyshuarve për krim të organizuar dhe shpëlarje parash.

Përveç kësaj, emrat e tyre përmenden edhe në vendimin e gjykatës për caktim të paraburgimit.

Dosja hetimore në këtë rast është publikuar thuajse e tëra në Insajder. Aty përmenden edhe emrat e këtyre dëshmitarëve.

Por, një muaj më vonë, gjyqtarja Jeniffer Sill, bazuar në kërkesën e prokurorit Danilo Ceccarelli që identiteti i këtyre dy dëshmitarëve të jetë i mbyllur. Këtë e kanë arsyetuar me rrezikun që u kanoset prej Azem Sylës dhe të tjerëve të cilët tashmë janë në dijeni se kush janë dëshmitarët kundër tyre.

Tash e tutje kushdo që ua përmend emrat publikisht këtyre dy dëshmitarëve, rrezikon të dënohet me burgi. Identiteti i tyre mbrohet me vendim gjykate.

“Edhe nëse identiteti i dëshmitarëve në këtë fazë tashmë mund të jetë i njohur për një pjesë të të pandehurve dhe avokatëve mbrojtës, e madje ai ka mundur që të diskutohet edhe në publik, gjykata e sheh të përshtatshme që të parandalojë çdo diskutim të mëtutjeshëm publik lidhur me identitetin e dëshmitarëve”, thuhet në vendimin e gjykatës që e ka Insajderi, e që ka të bëjë me caktimin e njëzetenjë seanca të mbyllura hetimore për të intervistuar këta dy dëshmitarë.

Prokuroria nuk ka dhënë përgjigje se cili është efekti mbrojtës, që tash e tutje mos të përmenden emrat e dëshmitarëve që janë zbuluar nga vetë prokurori. Nuk ka folur se pse Prokuroria nuk e kanë vlerësuar me kohë rrezikun për këta dëshmitarë. Po ashtu nuk ka folur nëse mbanë përgjegjësi në rast se këta dëshmitarë cenohen në çfarëdo forme.

“Ju informoj se prokuroria nuk mund të komentojë hetimet dhe çështjet që ndërlidhen me mbrojtjen e dëshmitarëve”, ka thënë Prokuroria e Shtetit në një përgjigje me shkrim për Insajderin.

Avokati i Azem Sylës, Tomë Gashi ka thënë për Insajderin se prokurori që fillimisht vetë i ka bërë publik emrat e dëshmitarëve të mbrojtur, e ka njoftuar mbrojtjen të premten se marrja në pyetje dy dëshmitarëve në procedurën e hetimit të veçantë, do të fillojë të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe se identiteti id ëshmitarëve është i mbrojtur.

“Mendoj se prokurori me këtë vetëm dëshiron që eventualisht në të ardhmen përgjegjësinë për dekonspirimin eventual të dëshmitarëve të cilët ai i ka përmendur me emër dhe mbiemër gjatë kësaj procedure, ta fajësojë dike prej avokatëve sepse të pandehurve nuk ka çka t’ju bëjë”, ka thënë Gashi.

Ndërkoë, sot prej orës 9 e 30 ka filluar marrja në pyetje e këtyre dy dëshmitarëve nga prokurori, gjyqtarja dhe avokatët mbrojtës në kuadër të hetuesisë së veçantë.

Në vendimin për miratimin e kërkesës së prokurorit për hetuesi të veçantë që ka siguruar Insajderi, përmenden arsyet se pse duhet të merren dëshmitë e këtyre dëshmitarëve tash, duke mos e pritur nisjen e procesit gjyqësor.

Gjyqtarja thotë se rreziku për këta dëshmitarë është në nivelin më të lartë. Pos kësaj, njëri prej këtyre dy dëshmitarëve pritet të largohet nga Kosova për shkak se siç thuhet është futur në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve.

Ish-deputeti Azem Syla është nën hetime për krim të organizuar e shpëlarje parash. Ai ndodhet në paraburgim prej një muaji. Prokuroria pretendon se bazuar në rezultatet hetimore të deritashme, deputeti Azem Syla, ka organizuar, i financuar dhe mbikëqyrur një grup kriminal.

Syla, së bashku me Fahredin Gashin, dyshohet se kanë fituar pronësi në mënyrë të paligjshme të dhjetëra hektarëve tokë të shtetit në vlerë mbi 30 milion euro.

Grupi pretendohet se ka nisur veprimtarinë që nga viti 2006.

Prokuroria pretendon se ngastrat e tokës të përvetësuara në mënyrë të paligjshme, dekada më parë ishin shpronësuar nga prona private dhe ishin bërë të shtetit. KBI Kosova Export, menaxhonte me to.

Pas luftës, këto prona në mënyrë të paligjshme – me vendime gjyqësore të paligjshme dhe me dokumente fals, janë bartur në emra të pronarëve të vjetër. Mirëpo, ata pronarë nuk kanë ditur fare për këtë. Në këtë mënyrë, pronat janë shitur pronarëve të rinj shqiptarë.

Prokuroria pretendon se dëshmitarët janë tepër të rrezikuar.

“Dëshmitari 1 ishte shpallur dëshmitar bashkëpunues në nëntor të vitit 2015. Prokurori potencon se deri më tani ky dëshmitar ka dhënë gjashtë intervista dhe se dëshmia e dhënë nga ky dëshmitar gjatë bashkëpunimit të tij është absolutisht vendimtare”, thuhet në vendim.

Sipas prokurorit statusi i rrezikut për dëshmitarin bashkëpunues formalisht është vlerësuar të jetë në nivelin më të lartë dhe kjo përbën një rrezik të madh se dëshmia e tij nuk do të mund të jetë në dispozicion në shqyrtimin gjyqësor. /Insajderi.com

KMDLNJ merr në mbrojtje Azem Sylës: Pse po e linçoni?

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar në lidhje me rastet e arrestimeve në Kosovë, ku ata persona po portretizohen nga opinioni si kriminel, ende pa përfunduar proceset gjyqësore për ta.

KMDLNj, duke përmendur rastin e Azem Sylës, thotë se ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së mori epitete kriminale nga më të ndryshmet, ende pa filluar procesi gjyqsor ndaj tij.

Sipas KMDLNJ arrestimet e fundit e të dyshuarve për vepra të rënda të penale në krye me Azem Sylën, paraqet shkelje të të gjitha neneve të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara , Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutës së Kosovës shkaku se të arrestuarit janë portretizuar si kriminelë të rrezikshëm, pa përfunduar hetimet e na të flasim për një vendim gjyqësor që dëshmohet fajësia e të arrestuarve të dyshuar e të cilët ende nuk e kanë një aktakuzë të ngritur.

“’Grupi i rrezikshëm kriminal, kriminelët që kanë bashkëpunuar me Serbinë, komandantë të Çagllavicës, Graçanicës ,etj; ata që e rrezikojnë jetën e dëshmitarëve të mbrojtur, etj ….’ këto janë cilësime që drejtpërdrejtë ndikojnë në procesin e hetimeve , bëjnë presion te hetuesit duke paragjyk uar fajësinë e të arrestuarve ende pa përfunduar hetimet dhe pa një vendim të një gjykate. Prokuroria e EULEX – it kërkon katër muaj paraburgim sikur edhe një proces të veçantë hetimor ndaj Azem Sylës shkaku se po u rrezikuakan dëshmitarët e mbrojtur. Këto janë sinjale të qarta se vështirë se do të ketë një proces të rregullt , të paanshëm , të pandikuar politikisht dhe të drejtë një atmosferë të linçimit publik të arrestuarve që tashmë duket se janë shpallur fajtorë”, thuhet ndër të tjera në reagim.

KMLDNj rikujton raste nga e kaluara ku njejtë të akuzuarit linçoheshin në opinion, ndërsa ata në fund të proceseve gjyqësore shpalleshin të pafajshëm.

“Vetëm vendimi i formës së prerë i gjykatave përkatëse, pas administrimit të provave, krijimit të kushteve për mbrojtje efektive të të akuzuarve, mund të vendosë për fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarve. Kështu ndodh në vendet demokratike nga vijnë prokurorët dhe gjykatësit e EULEX – it dhe atje mbrohet dinjiteti i të arrestuarve por edhe i të dënuarve kurse fushata linçuese përmes medieve do të llogaritej si e papranueshme. Në Kosovë ndërkombëtarët e testojnë opinionin duke i furnizuar disa medie me informata sensacionale sikur rasti i prokurorit Vrejsvik që deklaronte se Limaj i ka shpërdorur 80 milionë euro. Apo akuzat për rastin ‘Kleçka’ . Apo rasti i ish guvernatorit Rexhepi, drejtorit të Bankës Milazim Abazi e shumë raste të tjera që përfunduan në pafajësinë e plotë të të akuzuarve pasi që iu shkaktuan vuajtje të mëdha shpirtërore dhe fizikie , atyre dhe familjeve të tyre dhe pasi ua rrënuar krejtësisht karrierat duke i dëmtuar profesionalisht dhe moralisht”, thuhet në reagim.

Azem Syla dërgohet në gjykatë, nuk dihet pse

Në Pallatin e Drejtësisë është duke u mbajtur një seancë ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve.

Burime të “Zërit” bëjnë të ditur se prokurori i rastit ka kërkuar hetim të posaçëm ndaj të dyshuarave në rastin e tjetërsimit të pronave.

Të dyshuar në këtë rast janë 52 persona ndër ta edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla, dhe ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka.

Azem Sylës dhe Nuhi Ukës para disa ditësh u është vazhduar masa e paraburgimit edhe për nga tre muaj nga gjyqtarja e procedurës paraprake.

Prokuroria pretendon se të dyshuarit kanë tjetërsuar prona shtetërore në mënyrë joligjore në regjionin.

Janjiqi: Bashkësia e komunave serbe mund të vetëshpallet

Mitrovicë

Një raund i bisedimeve në Bruksel për çështje teknike ka ritheksuar dallimet ndërmjet palëve dhe ka ngritur shqetësime të reja për vazhdimin e dialogut, që duhet të çojë në normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Në Beograd, ndërkaq, janë shtuar zërat se në pamundësi të arritjes së një marrëveshjeje për çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe, Serbia do ta shfrytëzojë për shpalljen e njëanshme të bashkësisë së komunave.

Dushan Janjiqi, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike, i tha Radios Evropa e Lirë, se muaji korrik është afati i fundit për përfundimin e punës në hartimin e statutit të Asociacionit dhe në rast të mos përmbushjes së këtij afati ka rrezik që Serbia të ecë një hap përpara.

“Bashkësia ndërkombëtare druan se Beogradi ka përgatitur një skenar për vetëshpalljen e bashkësisë së komunave. Kjo do të thotë se, për shkak të pakënaqësisë me ngadalësinë e procesit, bashkësitë e komunave të vetëshpallen dhe të konstituohen.”

“Kjo do të jetë sfida më e madhe e këtyre bisedave teknike. Nëse në nivelin e ekspertëve vlerësohet se kjo frikë nuk është e arsyeshme atëherë me siguri më fillimin e qershorit, menjëherë pas krijimit të qeverisë së Serbisë, do të pasojë takimi i kryeministrave Vuëiq e Mustafa, që do të zhbllokojë çështjen e bashkësisë së komunave”, tha Janjiq.

Por, për ministren për dialog të Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, vetëshpallja e bashkësisë së komunave është një hap i pamundur dhe ritheksoi faktin se Serbia në të kaluarën ka bërë hapa të njëanshëm me të cilët, siç tha, ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit.

“Serbia e ka parasysh se pa i plotësuar të gjitha marrëveshjet e Brukselit mund t’ia bllokojë vetes rrugën për në BE”, tha Edita Tahiri për Radion Evropa e Lirë.

Çështja e strukturave paralele në veri të Kosovës, ndërkohë, ka bllokuar procesin e bisedimeve, duke krijuar hendek më të thellë mes palëve dhe duke pamundësuar edhe zbatimin e një numri marrëveshjesh, posaçërisht asaj për Asociacionin e Komnave me shumicë serbe. Për palën e Kosovës strukturat paralele duhet të zhbëhen për t’i hapur rrugën zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve, në veçanti për Asociacionin.

Për Serbinë, ndërkaq, themelimi i Asociacionit duhet të ketë një afat të përcaktuar kohor. Ndërkohë, kryetari i Listës Serbe në Kosovë, Slavko Simiq, i tha Radio Evropa e Lirë se Asociacioni i komunave serbe është i domosdoshëm sepse, sipas tij, nënkupton mbijetesë për popullatës serbe dhe është një çelës i marrëveshjes së Brukselit….

“Na duhet dialog, na duhet pak më shumë durim dhe të bëhet një presion mbi përfaqësuesit ndërkombëtarë, mbi bashkësinë ndërkombëtare dhe institucionet ndërkombëtare, që së bashku me shqiptarët të fillojmë sa më shpejt krijimin e bashkësisë së komunave serbe”, tha Simic.

Ndryshe, Asociacioni ngriti kundërshtimet e fuqishme në skenën politike në Kosovë, me opozitën që nuk lejoi mbajtjen e seancave të Kuvendit, duke përdorur gazin lotsjellës, situatë kjo që çoi drejt një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për shpërputhjen e statutit të Asociacionit me Kushtetutën.

Zhbërja e strukturave paralele, ndërkaq, është bërë çështje më e komplikuar, për faktin se strukturat koordinuese të krijuara nga Beogradi zyrtar që më 2013, për të ndihmuar në integrim në institucionet komunale të Kosovës, janë shndërruar në struktura poashtu paralele.

Takimi i nivelit të kryeministrave mendohet se do të zhbllokojë gjithë procesin, por për këtë nevojitet krijimi i qeverisë në Serbi dhe njëkohësisht edhe qetësimi i situatës në Kosovë. (REL)

Historianët: Ja si të zgjidhet me Manastirin e Deçanit problemi i pronave

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, ka përpiluar një marrëveshje mirëkuptimi përmes së cilës do të mund të zgjidhej problemi në mes të Komunës dhe banorëve të Deçanit me Manastirin e Deçanit.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në favor të Manastirit për tokat rreth tij dhe dy ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria”, të cilat komuna dhe banorët besojnë se janë pronë e tyre, historianët e Deçanit kanë përpiluar një dokument-marrëveshje që do të zgjidhte kontestin e kahmotshëm.

Ky dokument-marrëveshje, të cilin e ka Klan Kosova, kërkon nga Manastiri i Deçanit, “që t’u jap fund pretendimeve pronësore ndaj pronave publike-shoqërore të dy Ndërmarrjeve ‘Apiko’ dhe ‘Iliria’ dhe pronave të tjera private afër territorit të saj”.

Historianët deçanas thirren në një vendim të Gjykatës Komunale të Deçanit të viti 2002.

Sipas këtij vendimi, kur këto toka dhe dy ndërmarrjet i ishin dhënë Manastirit të Deçanit nga Republika e Serbisë gjithçka kishte ndodhur në kohën e masave të dhunshme.

“Prandaj Gjykata konstaton se kontrata e lidhur në mes të paditurit të parë, Manastirit të Deçanit dhe të paditurit të tretë, Republikës së Serbisë, është e pavlefshme dhe e kundërligjshme, pasi që i padituri i tretë ia ka dhuruar të paditurit të parë palujatshmërinë, që nuk i takon atij por që është pronë e NSH-së dhe punëtorëve të saj. Gjykata gjithashtu vëren se i padituri i dytë Komuna e Deçanit nuk e ka kontestuar padinë dhe se e ka pranuar atë”.

Por, përse do të pranonte Manastiri i Deçanit një marrëveshje të tillë dhe heqjen dorë nga tokat të cilat tashmë i ka në pronësi edhe me ligjet e Kosovës?

Dega e historianëve në dokumentin e përpiluar ka renditur edhe favorizimit që Manastiri do të kishte nga Komuna në qoftë se e pranon këtë marrëveshje.

Nëse krerët e Manastirit pajtohen me këtë propozim-marrëveshje atëherë komuna e Deçanit duhet jetë e gatshme të plotësojë nevojat e komunitetit që jeton në manastir, po ashtu edhe të plotësojë kërkesat e Manastirit.

Po që se këtë marrëveshje pajtohen ta nënshkruajnë Komuna e Deçanit dhe Manastiri i Deçanit atëherë garantues të saj do të jenë Qeverinë e Kosovës dhe Ambasadat e Quintit, njofton Klan Kosova.

Një përgjigje për këtë propozim ende nuk e kanë dhënë as nga Komuna e Deçanit e as nga Manastiri.

Kosova për çdo vit merr nga diaspora 600-700 milionë euro

 Diaspora ka qenë dhe do të vazhdon të mbetet e një rëndësie të veçantë për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Kështu u tha në konferencën “Diaspora-investimet dhe punësimi” që po mbahet në Prishtinë.

Pos prezantimit të projekteve për investime, në konferencë po debatohet edhe për mundësitë që ofron legjislatura e re në Gjermani, si shans real i punësimit të qytetarëve të Kosovës në këtë shtet, por edhe specifika të veçanta për çështje që ndërlidhen direkt me avancimin dhe përgatitjen profesionale të të rinjve në vendin tonë.

Kosova për çdo vit pranon nga 600 deri 700 milionë euro nga diaspora, dhe sipas folësve në këtë konferencë këto mjete duhet edhe të kanalizohen në investime në Kosovë.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami duke folur për reformat fiskale tregoi se ka përmirësime në fushën e të bërit biznes. Edhe ambasadorja gjermane në Kosovë Angelika Viets çmoi lart kontributin e diasporës për Kosovën e cila tha se në dy vitet e ardhshme Kosova do të ketë një rritje ekonomike deri 4 për qind.

Gjermania e Austria nuk iu besojnë dokumenteve kosovare

Ministria e Punëve të Jashtme është në pritje të konfirmimit për t’u bërë anëtare e 110-të e Konventës së Apostiles, një vulë e standardizuar që duke u vendosur në një dokument nga autoriteti kompetent i një shteti e bën atë të vlefshëm edhe për shtetet e tjera që kanë nënshkruar konventën.

Por kundërshtime dhe distancim nga implikimet bilaterale që dalin prej konventës tashmë kanë shprehur edhe shtete, të cilat e kanë njohur Republikën e Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Gjermania, Austria e Polonia kanë përjashtuar veten nga obligimet e ndërsjella edhe nëse Kosova pranohet, me arsyetimin se dokumentet nuk janë të sigurta.

Kundërshti kanë shprehur edhe disa vende të tjera në krye me Serbinë.

Kur propaganda mëton të kthehet në argument – Nga Skënder MULLIQI

Regjimet të cilat më shumë janë autokratike, për ta mbajtur pushtetin sa më gjatë shantazhojnë dhe prodhojnë kriza të ndryshme në vazhdimësi. Tjetër. Tentojnë që nepërmjet mediave që i kontrollojnë të krijojnë opinion krejt ndryshe, se gjoja opozita është ajo e cila po e rrezikon shtetin, dhe prodhojnë gjithashtu armiq të brendshem dhe të jashtëm. Edhe Kosova nuk është imune karshi veprimeve të tilla edhe pse është shtet në formim e sipër. Grupet e caktuara të oligarkisë pushtetare po i japin të rëna qetësisë së qytetarëve.

Kjo në të shumtën e rasteve bëhët për ta zhvendosur vëmendjen e opinionit të gjerë publik nga problemet madhore ekonomike dhe politike më të cilat po përballet vendi. Ngjarjet në Parlament dhe protestat në rrugët e Prishtinës, të bllokut Opozitarë, përpos kërkesave për anulimin e dy marrveshjeve asaj të Demarkacionit dhe të Zajednicës, ishin edhe luftë propagandistike, së cili taborr politikë do ta mund tjetrin. Ne këtë dy luftim po përdorët i tërë arsenali propagandistik dy palësh duke kërkuar në fund edhe fituesin.

Grupacioni politik në pushtet nga frika së mund tu luhatën pozitat pushtetare, gjendjën e krijuar politike dhe krizën institucionale, po e paraqisin si shumë të rrezikshme për shtetin, duke i identifikuar me ineteresat nacionale, edhe pse në fakt situata aktuale politike nuk e përcakton shkallën e rrezikshmerisë të shtetit. Në Parlament dhe në demonstrata kemi pasur elemente të dhunës nga Pozita dhe nga Opozita, ku secila palë pas secilës ndodhi ka paraqitur edhe arsyetimet e veta. Si gjithmonë oligarkia në pushtet mbrohet më argumentin e rrezikshmerisë së gjendjës së përgjithshme, duke bërë përpjekje ta bindin opinion, për ti arsyetuar veprimet e dhunës policore karshi protestuesve.

Më shumë u lanqua propagandë nga ana e pushtetit, për ta kthyer ate në argument. Deri diku me të njejat metoda u shërbye edhe blloku opozitarë kur bëhët fjalë për elementet e dhunës së shpërfaqur, së kërkesat e tyre politike ishin dhe dolën shumë të drejta. Vendimi Gjykatës Kushtetuese e vertetoi këtë. Arsenali propagandistik është vu në levizje edhe kohën fundit. Po dalin njerëz të cilët po adresojnë akuza të rënda karshi strukturave të larta në PDK-së të cilët gjinden në hiearkinë më të lartë të shtetit. Këto akuza lidhen me vrasje të bashkëveprimtarëve të tyre, lidhën më sabotim të luftës qlirimare, lidhen me keqperdorime të mëdha deri në tradhëti kombëtare. Të gjitha këto akuza mediatike të adresuara, e organet tona po bëjnë sehirë du ke mos marre asnjë veprim ndaj atyre të cilët janë përfolur.

Së këto përfolje mund të jenë të sakëta, flet edhe e dhëna së pikërisht të përfolurit krejt paslufën keqpërdorën pozitën e tyre në shoqëri. Kur gjendja e krizës insitucionale vazhdon kaq gjatë, secili pushtet në secilin shtet demokratik do të kishte marrë vendime të arsyeshme. Kjo tek ne nuk po ndodhë sepse grupet politiko–financiare nuk dëshirojë ti lëshojnë pozitat e tyre, duke tentuar ti mbrojnë pasuritë e pa ligjshme, e disa të krijojnë imunitet pushtetarë karshi Gjykatës Speciale. Kur jemi të Gjykata, po bëhën gjithëfarë skenarësh, të cilat skenare kan për qëllim ta mbajnë situatën politike jo stabile, që të abrogohet disi puna e kësaj gjykate.

Kjo kryneqësi e kastës në pushtet është metodë tipike staliniste, Ndërkombëtaret kan filluar më e kuptuar lojën e atyre te cilët duhet të largohen nga skena jonë politike. Pragmatizmi politik është i nevojshem si kurrë më parë. Qetësia në rajon nuk mbahet më njerëz të inkriminuar në vepra të ndryshme kriminale, dhe as më struktura politike me logjikë të sistemit të kaluar. Të krijohet një ambient i përshtatshem politik për debatimin e atyre temave të cilat edhe e prun krizën institucionale. Të gjitha problemet zgjidhen duke u ballafaquar me to, jo duke iu ikur atyre. Mos të na ndodh që edhe kët vit të jemi të mashtruar dhe të demoralizuar sikurse ishim gjatë vitit që e lamë mbrapa. Ose disi të mbijetojmë, deri atë ditë kur do ta kemi një pushtet meritorë

Arrestohet shtetasi i Shqipërisë që trafikonte narkotikë në Gjakovë

Një shtetas i Shqipërisë është arrestuar në Gjakovë, pasi në veturën e tij janë gjetur dhe konfiskuar dhjetë paketime që dyshohet që janë të mbushura me narkotikë të llojit marihuanë.

Për këtë rast Policia e Kosovës ka konfirmuar sa kanë konfiskuar edhe tri vetura që dyshohet se janë shfrytëzuar për trafikimin e narkotikëve.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull shqiptar shtetas i Shqipërisë, pasi që gjate kontrollit në veturë i janë gjetur dhe konfiskuar 10 paketime që dyshohet të jenë të mbushura me substancë te dyshuar narkotike të llojit Marihuanë. Lidhur me rastin janë konfiskuar edhe tre vetura qe dyshohet se janë shfrytëzuar për trafikimin e narkotikeve”, ka njoftuar Policia.

Murat Meha të martën në Kuvend për Demarkacionin

Në Komisionin për Integrime Evropiane, të martën do të flasë Murat Meha – kryesuesi i Komisionit Shterëror për Shënjimin e Vijës Kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, lidhur me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Kjo u bë e ditur nga agjenda e Kuvendit të Kosovës ku shihet se Murat Meha do të jetë pjesë e mbledhjes së Komisionit për Integrime Evropiane të datës 31 maj 2016.

LDK është në udhëkryqin më të madh – Nga Lulzim Zeneli

Lidhja Demokratike e Kosovës është, mbase në udhëkryqin më të madh prej vitesh. Përballë i ka dy sfida jo lehtë të përballueshme dhe të tejkalueshme: në njërën anë është në udhëheqje të Qeverisë, ku vështirësitë në përmbushjen e programit dhe premtimeve që u janë dhënë elektoratit janë të mëdha, ndërsa në anën tjetër kjo parti përballet me nevojën e pashmangshme dhe të domosdoshme të ndryshimeve të brendshme për ta bërë LDK-në një parti politike dinamike, tërheqëse për gjeneratën e re dhe gjithsesi aktive drejt rritjes së mëtutjeshme të saj.

Elektorati i LDK-së është i vetëdijshëm se të qenit në koalicion me një parti si PDK-ja, nuk është ndonjë privilegj me të cilën do të duhej të mburrej LDK-ja, sepse, për kujtesë të të gjithë neve, LDK-ja në zgjedhjet e fundit ka dalë partia e dytë në vend dhe jo e para, pra nuk është fituese e zgjedhjeve, por është në udhëheqje të Qeverisë në sajë të një marrëveshjeje koalicioni të arritur në momente kritike për vendin tonë.

Duke marrë në konsideratë sfidat e lartpërmendura dhe shumë të tjera, vlerësoj se LDK-së më shumë se kurrë i nevojitet insistimi i zbatimit maksimal të programit të saj në Qeveri, pavarësisht hezitimeve që mund të vijnë nga brenda apo pengesave qoftë edhe fizike që mund të orkestrohen dhe drejtohen nga opozita e vendit. Për të arritur këtë LDK-ja duhet të hapë debat të gjerë brenda strukturave të veta, jo vetëm për programin, por edhe për vizionin e së ardhmes si parti, vizion që do të ishte i pranueshëm dhe premtues për çdo qytetar të vendit tonë, e ky vizion politik i diskutuar dhe i miratuar gjerë, do të rimodelonte LDK-në si parti e rëndësishme e vendit tonë, e cila do ta konceptonte qartë pasqyrën e zhvillimeve të përgjithshme të vendit tonë pas 5, 10, 15 apo më shumë vjetësh, e jo të shkohet me improvizime të çastit dhe me projekte e vendime ad-hoc që e kanë dëmtuar dhe vazhdojnë ta dëmtojnë LDK-në nga brenda dhe e zbehin rolin dhe rëndësinë e saj në politikëbërjen kosovare.

Ky vizion i rimodeluar i LDK-së do të jepte përgjigje të qartë dhe zgjidhje efektive në çështjet e forcimit të ligjit, rendit dhe sigurisë, zhvillimit të demokracisë, përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe progresin e vazhdueshëm e të qëndrueshëm ekonomik, social, e kulturor të vendit tonë, duke e kthyer Kosovën në tregim të suksesshëm, me perspektivë të pashmangshme anëtarësimi në BE.

Për të arritur këtë, LDK-ja përmes vizionit të vet duhet ta bëjë të qartë përfundimisht dallueshmërinë prej partive të tjera në Kosovë. Pra, LDK-ja duhet të distancohet dhe të veprojë energjikisht kundër krimit dhe korrupsionit, kundër kulturës së pandëshkueshmërisë, kundër ekstremizmit fetar që po na rikthehet si njollë e zezë në imazhin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare, kundër monopoleve dhe klaneve të njerëzve me pushtet e ndikim formal e joformal politik. Kjo duhet të ndodhë sepse tradita e LDK-së është traditë e një partie me profil intelektual, akademik, pro-evropian, e në themel tolerante e demokratike.

Imediate për LDK-në është hapja ndaj kuadrove dhe njerëzve të rinj. Mbyllja në vete dhe riciklimi i figurave të njëjta tash e sa vite në strukturat e partisë, e ka shndërruar LDK-në parti inerte, me shumë pak gjak të ri brenda dhe me njerëz që para se ndërtimin dhe realizimin e një vizioni për të ardhmen e partisë interes primar kanë pushtetin e sotëm, akomodimin në funksione të caktuara qeveritare e komunale. Një praktikë e tillë e LDK-së duhet të ndryshojë, sepse para se pushtetin e sotëm, LDK-ja duhet të punojë për të nesërmen e saj, pra për rriten, zhvillimin dhe përtëritjen e saj.

LDK-së i nevojitet qëndrueshmëri. Qëndrueshmëria kërkon ruajtjen e kohezionit të brendshëm, e padyshim kohezioni i brendshëm ruhet dhe forcohet duke ndërtuar e respektuar standarde demokratike të organizimit dhe funksionimit partiak. Qëndrueshmëria është frytdhënëse kur ajo të jetë afatgjate, që bazohet mbi sistemin e vlerave dhe parimeve që burojnë nga vizioni për një LDK të fortë.

Prandaj, çdo ndryshim dokumentesh për organizimin dhe funksionimin e LDK-së duhet të bazohet, jo në interesin e pozicionit të sotëm të LDK-së, por për LDK-në e së nesërmes.

LDK-ja nuk duhet të vetëkënaqet me të qenit në Qeveri sot, nga pozicioni i partisë së dytë. LDK-ja duhet të organizohet e forcohet dhe të shtojë ambiciet e saja, që t’i fitojë zgjedhjet nesër, të dalë parti e parë. LDK-ja si parti e parë nuk na duhet vetëm neve, por i duhet Kosovës dhe të ardhmes së saj evropiane. Të arrihet kjo, LDK-së i nevojitet pa dyshim një ridimensionim i saj, nevojitet të demonstrojë vizion dhe qëndrueshmëri.

Nga Donika Gërvalla: Isa Mustafa, ky frikacak i papaprë

Donika Gërvalla posa ka dalë me një deklaratë të saj në rrjetin social që vjen si më poshtë:

“Sa për informacion:

Natyrisht që unë jam Kryetare e Degës së LDK-së në Gjermani. E zgjedhur në mënyrë korrekte dhe me votë të fshehtë. Z. Mustafa duhet të pushojë së treguari të pavërteta. Ai e di që zgjedhjet në Gjermani kanë qenë korrekte dhe që një gjë e tillë është e dokumentuar. Përsëritja e të pavërtetave para syve të një populli të tërë nuk i bën nder as Isa Mustafës dhe as njerëzve rreth tij.

Nuk jam e gatshme të pranoj edhe më gjatë përhapjen e të pavërtetave në adresë timen dhe të veprimtarëve të Degës në Gjermani. Jo vetëm unë jam ngopur me këto lojëra të shëmtuara intrigash dhe gënjeshtrash. Z. Mustafa, vihuni në kërkim të nderit tuaj, ose së paku pushoni së treguari të pavërteta aty ku një gjë e tillë është krejtësisht e panevojshme.

Këta njerëz i kanë shpallur luftë së vërtetës. Nëse nuk iu dalim ballë për ballë në këtë luftë, atëherë nuk do të na mbetet tjetër, veç se të jetojmë edhe ne në gënjeshtër.

Pikërisht Isa Mustafa, “i zgjedhur” pa i lëvizur qerpiku, para gjithë opinionit shqiptar dhe ndërkombëtar duke shkelur normat statutare të LDK-së në mënyrë krejtësisht jolegale me aklamacion, është personi i fundit, i cili do të duhej të gjykonte apo vlerësonte procese zgjedhore.
Aq më tepër që Statuti i LDK-së e përcakton saktë se kush merret me verifikim e zgjedhjeve brenda LDK-së. Një gjë duhet të kuptojë Isa Mustafa, që kohët kur kryetari i partisë bënte çfarë t’i tekej, në Kosovë kanë vdekur së bashku me shtetin jugosllav.

Të gjithë e dimë se çfarë e shtyn Isa Mustafën: Frika. Nuk është vështirë ta shohësh frikën në sytë e këtij personi, i cili ndërkohë është kthyer në një pengesë serioze për progres dhe zhvillim në Kosovë dhe LDK. Forma e komunikimit publik (jo vetëm në Facebook) dhe marrjes së vendimeve, Isa Mustafën e ka kthyer si brenda, ashtu edhe jashtë Kosovës në një karikaturë.

Dëmi që i është shkaktuar Kosovës edhe deri tani është i madh. Si miqtë, ashtu edhe kundërshtarët e Kosovës e dinë mirë se çfarë po ndodh këtu. Politika e vendit duhet të bëhet nga gra dhe burra të këtij vendi, të cilët janë të guximshëm dhe të qëndrueshëm, dhe jo nga frikacakë, të cilët nuk kanë probleme serioze me të vërtetën.

Statuti i LDK-së është shumë i qartë: kush nuk zgjidhet me votë të fshehtë, nuk konsiderohet si i zgjedhur, sepse votimi është i pavlefshëm. Isa Mustafa në vitin 2015 nuk është zgjedhur me votë të fshehtë. Këtu nuk ka asnjë hapësirë interpretimi.

Ambasadat e vendeve mike të Kosovë, duke u nisur nga SHBA-të e deri tek Gjermania janë njoftuar rreth zhvillimeve në LDK nën drejtimin e Isa Mustafës drejt një partie autoritare dhe jodemokratike. Po ashtu janë informuar edhe rreth rreziqeve që fshehin zhvillimet e tilla.

Askush nuk do të na ndalë të vazhdojmë të themi të vërtetën. Funksionarë, të cilët gënjejnë qytetarët dhe kombin, jo se jo.

Hapat e mëtejmë për rivendosjen e drejtësisë sipas Statutit të LDK-së dhe ligjeve të vendit do të pasojnë gjatë ditëve të ardhshme.”

Këtu përfundon deklarimi i Donika Gërvallës.

Gazeta Express bën sondazh: Shikoni ku është katandisur LDK nëse mbaheshin zgjedhjet sot!

Voal – NJë sondazhi nga gazeta Express në Kosovë i janë përgjigjur me preferencë rreth 20 mijë vetë pyetjes: Nëse zgjedhjet do të mbaheshin këte të dielë, cilin subjekt politik do ta votoni ?

LDK renditet e pesta. VV e para. Mund t’i shihni vetë dhe mund të merrni pjesë edhe vetë.

 

2016-05-28_17-48-54

Deputeti i LDKsë: Po i humbim mbi 8 mijë hektarë tokë me Malin e Zi

Shpejtim Bulliqi, deputet i LDKsë, ka kritikuar bashkëpartiakët e tij, se pse nuk dolën në mbrojtje të tokave që po i humb Kosova por po i kundërshtojnë ata që po ofrojnë fakte për këtë.

Këto kritika, Bulliqi i ka bërë në Kuvendin e Punës së LDK’së.

“Por te ju them te drejtën nuk kam prite një lufte kaq te ashpër nga bashkpartiaket e mi te cilët ne shumicën e rasteve e morën rolin e “super ekspertave” te kësaj fushe duke bere gara se cili do te jete me i ashpër ne paraqitjet e tyre televizive edhe pse kam prit qe këta do ta kenë brengen ma te madhe te humbjes se këtyre territoreve sesa brenga nga kush janë thëne këto sugjerime dhe vërejtje”, ka shkruar Bulliqi.

Me këtë rast, ai ka thënë se nuk do të këtë askush përkrahjen e tij, kur vendos që të humbë tokë të Kosovës. Ka thënë se Kosova po i humbë më shumë se 8 mijë hektarë tokë nga procesi i shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi. Krejt kjo për shkak të pazotësisë së Komisionit Shtetëror për demarkacionin.

“Per fund shprehe keqardhjen time te thelle per faktin qe nje nënshkrim i nje zyrtari shtetror i cilit do rangu qofte, qenka me i vlefshëm dhe nuk paska mundesi korrigjim se sa humbja e mbi 8000 ha toke te territorit te Kosoves, dhe nga ketu ju njoftoj publikisht qe per te tillet ne asnjë proces politik ne Kosove ne asnjë moment te karrieres sime politike nuk do ta kete përkrahjen tim”, ka shtuar ai.

LDK shpall zgjedhjet në Degën e Gjermanisë, Mustafa tallet me Gërvallën:

Voal – Donika Gërvalla është kryetare e Degës së LDK-së në Gjermani që kontestohet nga ky subjekt në qendër.

Kryetari i LDK-së dhe Kryeministri Mustafa paralajmëroi zgjedhje në degët e LDK-së në Gjermani e Zvicër.

“Sot kemi marrë vendim që t’i mbajmë zgjedhjet e reja në degën tona në Gjermani e Zvicër,” tha Mustafa.

Donika Gërvalla dhe Shefqet Dibrani, kryetar i Degës së LDK-së në Zvicër nuk u lejuan të marrin pjesë në punimet e Kuvendit të sotëm Zgjedhor.

Gërvalla nuk u lejua të hyjë as në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së të zhvilluar më 20 maj, duke u tërhequr zvarrë nga sigurimi.

Mustafa: Donika Gërvalla s’është Kryetare e LDK’së në Gjermani

Ai ka thënë se do të mbahen zgjedhje të reja për degën e LDK-së në Gjermani dhe Zvicër dhe se Gërvalla nuk është më e lejuar të hyjë brenda pasi nuk njihet më si kryetare, njofton Klan Kosova.

Sipas tij, një komision i LDK-së ka gjetur se atje ka pasur parregullsi në zgjedhjen e saj si kryetare e degës, “prandaj janë të domosdoshme zgjedhjet për këtë post”.

Gërvalla nuk u lejua sot të hynte në punimet e këtij kuvendi por ajo ishte larguar me forcë edhe javën e kaluar në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

Gjykata: Azem Syla mund të ndikojë tek dëshmitarët

Deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Sylës, do t’i duhet që pjesën më të madhe të verës ta kalojë në paraburgim, kjo pasi gjyqtarja e procedurës paraprake e EULEX-it, Jennifer Seal, i caktoi masën e paraburgimit edhe për tre muaj.

Së bashku me Sylën, paraburgimi iu caktua edhe shoferit të tij, Artan Vilës, por edhe Nuhi Ukës, Sabaudin Haxhiut, Avni Maxhunit, Hajrullah Berishës, Ilaz Sylës dhe Lubisha Vujoviçiqit, të gjithë këta të dyshuar në rastin e njohur të keqpërdorimit të ish-pronave shoqërore.

Paraburgimin për Sylën dhe të tjerët e kërkoi prokurori i EULEX-it, Danilo Ceccarelli, pasi konstatoi se të dyshuarit mund ta pengojnë procedurën.

“Përgjimet e fundit tregojnë se grupi është aktiv në pengimin e procedurave duke i fshehur dokumentet dhe duke komunikuar dijeninë e tyre për hetimet në vazhdim me njëri-tjetrin”, pretendoi prokurori Cecarreli në kërkesën e tij.

Avokati i Azem Sylës, Tomë Gashi, në kundërshtimin e tij ndaj kërkesës së prokurorit tha se Prokuroria nuk ka arritur të argumentojë dyshimin e bazuar se Azem Syla ka kryer veprën penale, ndërsa edhe rreziku i arratisjes nuk ekziston se i mbrojturi i tij është kthyer nga Shqipëria vullnetarisht, ndërsa mohoi rrezikun për ndikim në dëshmitarë duke treguar se dy dëshmitarë janë të mbrojtur.

Edhe Tahir Rrecaj e kundërshtoi kërkesën për vazhdim të paraburgimit duke thënë se kërkesa e prokurorit është e bazuar në fakte abstrakte.

Kundërshtime ndaj kërkesës së prokurorit bënë edhe avokatët e të dyshuarve tjerë.

Gjyqytarja e procedurës paraprake tha se për disa nga të dyshuarit ekziston rreziku i moderuar i arratisjes, por ky rrezik sipas saj për Azem Sylën është i ulët.

Megjithatë, gjyqtarja Seal u pajtua se ekziston rreziku që të dyshuarit të ndikojnë në dëshmitarë dhe të shkatërrojnë provat.

“Për disa nga të pandehurit, sikurse për Azem Sylën, ka shumë të ngjarë që ai do të udhëzojë të tjerët që të pengojnë dëshmitarët, apo t’i shkatërrojnë apo fshehin dëshmitë dokumentare”, thuhet në vendimin e gjyqtares Seal me të cilin miratoi kërkesën e prokurorit Ceccarelli për vazhdim të paraburgimit edhe për tre muaj.

Gjyqtarja Seal më tej tha se pajtohet se në këtë moment ka rrezik shumë të lartë se mund të ndikohet në dëshmitarë pasi hetimet janë shumë aktive dhe se grupi ka rrjet të madh të bashkëpunëtorëve në dispozicion.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake lidhur me këtë konsideron se ka shenja se dëshmitarët potencialë janë penguar dhe kërcënuar, apo u janë premtuar shuma të parave për deklarata të rreme,” vlerësoi gjyqtarja Seal.

Krejt në fund, Seal konsideroi se vazhdimi i paraburgimit edhe për tre muaj, do të jetë i mjaftueshëm për prokurorin Ceccarelli që t’i përfundojë shumicën e veprimeve hetimore.

Nuhi Uka, Ilaz Syla, Arton Vila, Sabaudin Haxhiu, Hajrullah Berisha dhe Avni Maxhuni ishin arrestuar më 27 prill, Azem Syla ishte dorëzuar dy ditë më pas, ndërsa Lubisha Vujoviq më 1 prill.

Të gjithë të arrestuarit dyshohen për vepra që ndërlidhen me krim të organizuar lidhur me prona në regjionin e Prishtinës.

Vjosa Osmani: Kadri Veseli do t’i zgjidhte situatat brenda LDK-së

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani ka deklaruar se sikurse në çdo Kuvend Pune, as kësaj radhe nuk u lejuan të hidhen në votim propozimet për të ndryshuar pikat e rendit të ditës.

Ajo njoftoi se bëri propozimin që Kuvendi të miratojë deklaratën që lejon anëtarët e këtij Kuvendi të distancohen nga dhuna e ushtruar ndaj Gërvallës, raporton KP.

Sipas Osmanit, lidershpi i LDK-së nuk e mori parasysh dhe u injorua, duke thënë se ndaj Gërvalles nuk u ushtrua dhunë.

Ajo tha se nëse Kadri Veseli do të vinte të futej brenda, atëherë do të bëhej një zgjidhje.

Sipas saj, akoma ka hapësirë që të rishqyrtohet propozim-marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi.

Osmani theksoi se nuk është për asnjë proces që do ta pengonte themelimin e Gjykatës Speciale, edhe nëse prishja e Qeverisë do ta pengonte një proces të tillë.

“U tha se ata deputetë të LDK-së që e kanë votuar Hashim Thaçin, kanë punuar në interes të vendit dhe ata që nuk e kanë përkrahur, kanë punuar për nevoja personale. Mustafa duhet të kuptojë që nuk mundet t’i fitojë njerëzit e vet duke sharë deputetët e tij”, tha ajo.

Dialogu me qytetarin drejtpërsëdrejti ekspozon kushtin thelbësor që ushqen demokracinë me legjitimitet – Nga Isuf B. Bajrami

Në Kosovë mund të flitet për pluri-par-titizëm, ndonëse kjo paraqet disa veçori që e dallojnë nga dukuritë e ngjashme në vende të tjera evropiane. Duke pasur parasysh veçoritë e çdo vendi, do të ishte e habitshme në fakt e kundërta, pra sikur pluri-par-titizmi politik të mos prezantohej alla-kosovarçe.
Pluri-par-titizmi merr formë në çastin kur me çdo kusht tenton të realizohet dominimi i par-tito-kracistëve në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike. Ky dominim nyjëzohet nëpërmjet pranisë dhe rrënjosjes masive të titistëve nëpër partitë e “mëdha” të vendit. Disa karakteristika që e dëshmojnë fare mirë këtë janë: programet fotokopje të partive politike; prirja për marrjen me çdo kusht e kompetencave institucionale; mungesa e lidhjes me bazën; ndarja e bazës elektorale mbi baza gjeografike,klanore e familjare; polarizimi i qëllimshëm i politikës.
Një nga tiparet universale të pluri-par-titistëve është edhe monopoli i veprimtarisë së tyre në politikë. Në Kosovë, kjo mund të pohohet pa frikë, për sa kohë që sindikatat, shoqatat, fondacionet, në përgjithësi shoqëria civile, është ende në gjumë, për të mos thënë në komë, duke ua dorëzuar politikën tërësisht partive pluri-par-titiste.
Partitë politike nuk janë të rrënjosura në shoqëri, as në territor, në kuptimin tradicional të përhapjes së organizatës partiake. Tërheqja e partive nga terreni ka pasoja të dyanshme; nga një anë partitë privohen nga funksioni i interpretimit të kërkesave sociale, duke filluar nga baza, çka do të thotë se partitë nuk janë në gjendje ta njohin realisht shoqërinë që duhet të përfaqësojnë; nga ana tjetër japin përshtypjen se nuk anojnë t’i uzurpojnë tërë hapësirat e jetës sociale. Par-tito-kracistët,rezultojnë kështu,përderisa refuzojnë të rrënjoset në shoqëri, por në të njëjtën kohë mëtojnë se përfaqësojnë legjitimishtë të gjitha instancat shoqërore. Kapilarizimi i strukturave partiake në shoqëri më kujton epoka të kaluara, por njëkohësisht edhe vulën e padiskutueshme të par-tito-kracisë së skajshme, si pushtet absolut i partisë mbi shoqërinë dhe ekonominë.
Më duhet të them se nga pikëpamja e përfaqësimit, sistemi i partive u shndërrua në par-tito-kraci në momentin kur partitë shprehin vetëm interesa madhore, të përgjithshme, përgjithësuese e centraliste, pra kur humbasin aftësinë e shprehjes së interesave të vogla, të diferencave, të veçorive. Reagensi i par-tito-kracisë identifikohet fillimisht tek paaftësia e partive për të interpretuar dëshirën për ndryshime rrënjësore, sepse inercia e partive dallohet edhe tek përpjekja për të ruajtur status quo-në e së kaluarës.
Rrjedhimisht shtrohet pyetja, a i duhen qytetarëve partitë politike që nuk e luajnë siç duhet rolin e tyre në shoqëri ?!!!
Këtu batuta për shkërdhato-kracinë e famshme pluri-par–titiste vjen e natyrshme, si fill i kuq që potencialisht ose realisht i përshkon të gjitha qelizat e shoqërisë stalinist-hrushqoviano-titiste.
Për të përqafuar me optimizëm pluralizmin demokratik, duhet në radhë të parë të sqarohemi nëse pluri-par-tito-kracia e sotme, e pjesshme ose tërësore, nuk është pjellë e kultit stalinist-titistë, pra nëse nuk është produkt i praktikave socialiste-vetëqeverisëse-titiste në mënyrë shabllone.
Ka nga ata që e shohin shpëtimin e deformimeve partiake tek ndikimet e huaja, ndoshta edhe tek globalizimi, që shkon përtej logjikës së partive nacionale. Në këtë rast mund të thuhej se në “laboratorin Kosovë” po testohet një variant i ri i pluri-par-tito-kracisë post totalitare komuniste.
Kur partitë organizohen në mënyrë demokratike, brenda kornizave të demokracisë së mirëfilltë pluraliste, për të mirën e qytetarëve që përfaqësojnë ligjërisht, pa ambicie monopolizuese e totalitarizuese, luajnë rol të rëndësishëm për bashkësinë shoqërore. Në të kundërtën, shndërrohen në problem për vetë jetën e qytetarëve për të cilën pretendojnë ta përfaqësojnë me qëllim që ta “përmirësojnë”.
Thelbi i sistemit demokratik është qytetari dhe dialogu i qytetarit me të ngjashmit e tij,e jo pushteti e monologu. Dialogu është thelbi ekspozues i demokracisë, përkatësisht përmes tij konvertohet pushteti në autoritet dialogues, ku qytetarët realizojnë vetveten e tyre dhe të tjerët në komunitet. Derisa dialogu është pjesa thelbësore, jo çdo dialog dhe komunikim shtrohet si duhet. Reklama politike është njëra prej formave komunikuese dhe, në të njëjtën kohë, manipuluese masive e qytetarëve. Pushteti në demokraci ka një status të veçantë, është i definuar qartë, dhe sa më i kufizuar që është ai mundësia për të abuzuar me të është ma i vogël.
Dialogu është kushti nëpërmjet të cilit njerëzit e realizojnë esencën e tyre në demokraci. Kjo do të thotë që njerëzit nuk mund të qeverisen para se të debatojnë lirshëm lidhur me formatin dhe rregullat e lojës së qeverisjes. Ky dialog, pra ka të bëjë me justifikimin e aktivitetit politik dhe, në planin koheziv, lidhet me një kontekst më të gjerë.
Pra, konteksti në fjalë siguron që politika në vetvete të mbart një infuzion demokratik dhe në mënyrë permanente të justifikohet para popullit,para një opinioni publik real, e jo fiktiv apo siç njihet ndryshe publik fantazmë i ardhur nga diku tjetër. Për të qenë e realizuar kjo në rrafshin horizontal e praktik, më tej, shtron nevojën e krijimit të një opinioni të edukuar që gjykon politikën dhe që është i aftë të dekodojë fjalorin politikë të së kaluarës,tashmes dhe të së ardhmes. Më saktësisht, kjo lidhet me domosdoshmërinë e një publiku aktiv që është barometri kryesor i legjitimitetit.
Demokracia do të duhej të siguronte disa kushte që vet konceptualizmi i saj të mos shtrembërohej. Një prej këtyre kushteve që demokracia do të duhej të siguronte, që shekullarizimi i politikës e bëri të mundur atë, është konvertimi i statusit të pushtetit.
Pra,në demokraci pushteti del si një vend i zbrazët: atë s’mund ta mishëroj më asnjë individ, organ apo parti, askush s’mund të jetë bashkësubstancial me të. Pushteti,sipas kësaj pikëpamje shihet qartë se është një “tokë e askujt”. Pra, kjo nënkupton se demokracia nuk i jep askujt një pushtet premordial-hyjnor në aspektin kohor.
Ata që janë aty, përkohësisht (pushtetarët), janë sepse i janë nënshtruar një procedure periodike, përndryshe nuk do të ishin ose nuk do të ishte vet demokracia. Kjo lidhet me atë që pushteti në politikë është si paraja në ekonomi, ata që e kanë pushtetin e kanë për një periodë të shkurtër dhe qëndrimi i tyre aty (posti) varet nga rezultatet e punës së tyre dhe vlerësimi që do t’u bëhet këtyre rezultateve nga zgjedhësit-populli. Sikurse ekonomistët që konkurrojnë dhe pushtojnë tregje për të fituar , ashtu edhe politikanët konkurrojnë për pushtet në “tregjet politike”apo të quajtura ndryshe zgjedhje periodike. Pra,qeverisja demokratike është e kufizuar në planin kohor nëpërmjet zgjedhjeve periodike demokratike dhe mundëson shpëtimin e pushtetit nga monopoli si në komunizëm.
Demokracia e shpreh ekzistencën e vet përmes arsyetimit të akt-veprimeve politike. Arsyetimi i akt-veprimeve politike në raport me qytetarin është përgjithshmërishtë i lidhur me legjitimitetin e atyre veprimeve. Ky legjitimitet ka të bëjë me kapacitetin e sistemit politik në fjalë për të prodhuar veprime,të cilat qytetarët do t’i konsideronin legjitime dhe të drejta. Premisa parësore është se, në demokraci e drejta është jashtë sferës së pushtetit të përjetshëm. Pra, në këtë proces kërkimi, akterët politikë të këtij sistemi (politikanët, partitë politike) kërkojnë legjitimitet përmes debatit, përkatësisht komunikimit. Fusha (hapësira) ku kërkohet ky legjitimitet është publiku, kurse koha më e përshtatshme për aktorët e skenës politike (tele-politikanët) në kërkim të këtij legjitimitetit është fushata parazgjedhore.
Megjithëse politikanët reduktojnë kërkimin e legjitimitetit në një akt elektoral. Legjitimiteti nuk duhet të shihet në këtë prizëm, si një akt, sepse edhe si i tillë nuk është. Legjitimiteti nuk paraqet një akt kërkim që e gjejmë njëherë e përgjithmonë. Ai duhet, dhe do të duhej të kërkohej vazhdimisht për faktin e thjeshtë se, veprimi politik (veçanërisht sot) është veprim i komunikuar, e për më tepër, i mediatizuar. Në këtë kontekst, pushteti (që është synim i akterëve politikë) për të qenë legjitim duhet ,ose do të duhej që vet pushteti të krijon parakushte,ku do të debatohej mbi legjitimen dhe jo legjitimen.
Për ta kuptuar komunikimin politik (gjuhën e pushtetit ose gjuhën e atyre që e synojnë atë), që është një komunikim veprimi dhe që lidhet drejtpërdrejt me atë që quhet politikë simbolike, duhet ta shqyrtojmë realitetin politik. Realiteti politik, është një realitet i dyfishtë. Pra, të gjitha veprimet politike ndahen në mes të dimensionit instrumental dhe dimensionit ekspresiv. Dimensioni instrumental (vlera nominale) i realitetit politik karakterizohet përmes efekteve të vërteta të veprimeve politike, kurse dimensioni ekspresiv-shprehës (vlera simbolike) karakterizohet me simbole që iu servohen publikut në mënyrë të fabrikuar. Pjesë e këtij komunikimi,që është karakteristikë e politikës së kaluar simbolike, janë p.sh: stemat partiake,himnet ,flamujt, karizma e politikanit, buzëqeshjet koinciduese, shtrëngimi i duarve, etj. Dimensioni ekspresiv i veprimit politik është i lidhur pazgjidhshmërisht me politikën simbolike dhe është për ta kuptuar komunikimin politik në rrethanat konkrete. Dhe, për më tepër, të dyja këto dimensione lidhen me mediet dhe rolin e tyre. Në këtë rast,qytetarët mund të pyesin: a është politika simbolike produkt i nënshtrimit mediatik, pra a bëhet fjalë për një politikë të “mediatizuar”, të nënshtruar nga mediet, që gjithnjë e më shumë po e humbë kuptimin e saj (sidomos gjatë fushatave zgjedhore, ku rregullat vendosen nga mediatorët)? Pra, politika simbolike ,së pari, është realitet i çdo shoqërie politike që nga fillimi i veprimit politik. Së dyti,politika simbolike bashkëkohore ka marrë një proporcionalitet të zhdrejtë në tërësinë e realitetit politik sot, pra ka një proporcionalitet të zhdrejtë në raport me dimensionin instrumental (veprimet konkrete politike) dhe, për më tepër, janë krijuar simbole të reja për shkak të veprimit të instrumenteve mediatike , që shpesh quhet edhe pushtet masmediatik.
Në realitetin faktik, simbolet përdoren për ndërmjetësimin politik ndërmjet akterëve politik (politikanëve,partive politike,etj.) dhe tele-publikut përmes reklamave mediale. Këto reklama mund të pasqyrohen si manipuluese, ku qytetari mund të humbë aftësinë e tij dalluese në këtë konfuzion të mjegullt dhe, pse jo, manipulues në përcaktimin e nevojave të tij. Metaforën e reklamës e përdor edhe përfaqësues i demokracisë minimaliste, ku politikanët i vendos në të njëjtën paralele me tregtarët dhe, sipas tij, që të dy e përdorin reklamën për të prekur indin emocional , emotiv, impulsiv të qytetarit.
Qytetari, posa hynë në fushën e politikës, për shkak të mungesës së informacionit burimor për nevojën e analizës së tij politike, gjykon në mënyrë adoleshente,fëmijërore. Pra, shikuar në këtë linjë diskursi mund të afirmohet se politika dhe tele-politikanët (pra, këtu bëhet fjalë për prezantuesit e politikës, jo politik-bërësit) janë shumë të shkëputur nga realiteti esencial, duke substituar agjendat politike me inskenime mediatike (apo bashkërenduar ato), dhe duke krijuar imazhe të paqena dhe identitete fiktive,e që e tëra akordohet me një tele-publik politikisht pasiv dhe që e kupton pakë apo aspak politikën. Pra, shikuar në tërësi, këto agjenda të bashkërenduara me inskenime politike ngjasojnë si një katalog, recetë, kod apo plan”hyjnor” që zbatohen ose synohet të zbatohen në tokë. Parë si tërësi këto agjenda premtimesh përmbajnë: fjalë, intelektual-izma, simbole, fraza jo-substanciale, premtime, supozime, dispozime për një botë tjetër.
Megjithëkëtë, mund të konkludohet se politika simbolike është e pashmangshme për çdo realitet politik, nëpërmjet së cilës tele-politikanët janë në gjendje të socializojnë dhe formojnë një vullnet politik. Akterët politikë me anë të kësaj politike simbolike reflektojnë emocionet e publikut, e që e tëra ngërthen atraktivitet, pse jo shpesh herë, edhe zbavitje, edhe pse nga politika kërkohet përgjegjësi, seriozitet, e jo zbavitje.
Meqenëse politika është komplekse për shumicën e qytetarëve, pra një sistem me shumë të panjohura,prezantimi i politikës para opinionit publik bëhet në formë ritualesh, stereotipash, skemash, simbolesh që përgjithësisht janë të pranuara nga publiku.
Përderisa politika simbolike paraqitet si politikë simbolesh, ritualesh, pak a shumë të kuptueshme, simbole që janë publikisht të pranuara nga realiteti publik, veprimi politik mbetet në terr prapa skenës së mediave.
Pra,demokracia e mirëfilltë është një teknikë politike që kërkon një tërësi kushtesh. Konvertimi i statusit të pushtetit, ose formula gjithë pushteti askujt, minon mundësinë për të abuzuar me pushtet, dhe është thembra e Akilit në një shoqëri politike para-demokratike.
Dialogu me qytetarin drejtpërsëdrejti, ekspozon kushtin thelbësor që ushqen demokracinë me legjitimitet, dhe fusha ku kërkohet ky i fundit është opinioni publik, kurse koha më e përshtatshme është fushata parazgjedhore.


Send this to a friend