VOAL

VOAL

PD: Ja emrat e policëve të Ramës të implikuar në trafikun e drogës

Partia Demokratike ka publikuar sot emrat e disa zyrtarëve të lartë të Policisë të cilët sipas saj janë të implikuar në trafik droge.

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka tha në një konferencë për shtyp se Rama nuk e ka më mendjen të bëjë punën e kryeministrit, por po promovon biznesin e drogës.

“Në funksion të biznesit të drogës Edi Rama ka shtrirë inkriminim e drejtuesve të Policisë, siç raportohet edhe nga qytetarë dhe punonjës me integritet të Policisë së Shtetit. Drejtori i Qarkut Durrës, Perlat Cullhaj bashkë me shefin e Komisariatit Krujë, Erjon Ismaili drejtojnë dhe kontrollojnë territorin dhe trafikun e hashashit në gjithë malësitë e Krujës, duke vjelë 30% të parave për çdo rrënjë kanabis për shefin e madh në Tiranë. Ata kanë sigurisht një aleat të mirë për këtë biznes kriminal, që është kryetari i Bashkisë, Bushi i famshëm, i proceduar në Itali për trafik droge. Drejtori dhe shefi i policisë së Ramës, sigurojnë kalim të lirë të mallit për në Itali në Portin e Durrësit, përmes Drejtorit të kufirit, Boge Budini, dhe zëvendës drejtorit të Kufirit, Moisi Sula”, tha Paloka.

Sipas tij “Aranit Arapi, Drejtor i Qarkut të Gjirokastrës, vegla qorre e Ramës, gardiani besnik i plantacioneve dhe hambarit të madh të drogës që shtrihet në gjithë zonën, vecanërisht në vendlindjen e ministrit të brendshëm. Dritan Lenja është proceduar nga shërbimi i kontrollit të brendshëm për shkelje, abuzime dhe lidhje me narkotrafikun. Me lobimin e fuqishëm të Armando Prengës, ai vjen në krye të policisë së Qarkut të Lezhës, deputetit të Edi Ramës që gjakosi qytetarët në derën e komisariatit të Kurbinit. Ndërsa kushëriri i afërt i Tahirit, që ishte drejtor në Lezhë, Alban Cela, shkon me ngritje, drejtor i Policisë së Qarkut Shkodër. Ja pra sesi Edi Rama inkriminon Policinë e Shtetit, sipas nevojave të baronëve të drogës. Ja pse Shqipëria është mbuluar nga droga si kurrë më parë. Ky biznes kriminal po asfikson vendin dhe ekonominë e ndershme, për të pasuruar një grusht njerëzish që ndajnë paratë me Edi Ramën”.

Policia shpërthen mjetin në shtëpinë e Murat Mehës

Policia e Kosovës në këto momente ka arritur që të shpërthejë mjetin në shtëpinë e Murat Mehës.

Burime nga terreni për “zeri.info”, kanë thënë se mjeti ka qenë granatë dore.

Arrestohet deputeti Driton Çaushi, për hedhjen e gazit lotsjellës

Ai është arrestuar nga Policia e Kosovës, derisa qëndronte në zyrën e grupit parlamentar, brenda Kuvendit të Kosovës

PRISHTINË- Policia arreston deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, pas hedhjes së gazit lotsjellës në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme, ku po shqyrtohej projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Ai është arrestuar nga Policia e Kosovës, derisa qëndronte në zyrën e grupit parlamentar, brenda Kuvendit të Kosovës.

Përkundër hedhjes së gazit, Komisioni për Punë të Jashtme ka miratuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Kosova dërgon një ekip të emergjencave për të ndihmuar Maqedoninë

Nisja e ekipit të emergjencave nga Kosova për në Maqedoni

Pas vërshimeve që ndodhën këto ditë në Shkup dhe pas kërkesë së shtruar nga Drejtoria për Mbrojte dhe Shpëtim e Republikës së Maqedonisë, Kosova ka dërguar një ekip nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent e Ministrisë së Punëve të Brendshme për të ndihmuar vendin fqinjë në menaxhimin e situatës.

Drejtori i përgjithshëm i Agjencia e Menaxhimit Emergjent, Fadil Kodra, e përcolli këtë ekip duke e udhëzuar për rregullat, procedurat dhe operacionet që do t’i kryejnë atje ne mbështetje të qytetarëve të goditur nga fatkeqësia, thuhet një komunikatat ë lëshuar për media.

“Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim e Maqedonisë, tani për tani më së shumti ka nevojë për pompa thithëse 800-1500 litra. Pasi ne kemi kapacitete të tilla, në përgjigje të kërkesës së kësaj drejtorie, ekipi i AME-së udhëtoi për në Shkup me këtë përbërje: tetë pjesëtarë, tre automjete, dy automjete me 4 pompa thithëse, gjithsejtë katër pompa 800-1500 litra dhe një automjet i komandës dhe mbështetjes logjistike”, thuhet në komunikatë.

Ekipi nga Kosova do të qëndrojë në mbështetje të drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Maqedonisë, deri me datë 12 gusht dhe gjatë kësaj kohe, do të kryej operacione të shkarkimit (thithjes) të ujërave nga shtëpitë e përmbytura nga vërshimet.

Gaz lotsjellës në mjediset e Kuvendit të Kosovës

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje hodhën gaz lotsjellës në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, i cili diskutoi marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Komisioni debatoi projektligjin e qeverisë së Kosovës për këtë çështje dhe kur po votohej për ta kaluar çështjen tek kryesia e parlamentit, deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, hodhi gazin lotsjellës.

Në një njoftim të shkurtër të kësaj lëvizjeje paralajmërohet se këmbëngulja e pushtetit “që përkundër fakteve të pakontestueshme po insiston në ratifikimin e demarkacionit, do të përballet me rezistencë të fuqishme. Kosova nuk ka tokë për të falur!”, thuhet në një postim në facebook të kësaj lëvizjeje.

Deputeti Çaushi është shoqëruar në polici.

Kosova po përballet tash e gati një vit me krizën më të thellë politike që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008, për shkak të mospajtimeve rreth një marrëveshjeje të arritur me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Të enjten qeveria e Kosovës miratoi projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi dhe e dërgoi atë për miratim në parlamentin e Kosovës.

Opozita dhe ekspertët e pavarur thonë se marrëveshja e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë dhe këto qëndrime u përsëritën edhe sot pas një takimi që zhvilluan të premten udhëheqësit e institucioneve e partive politike me diplomatët perëndimorë në Kosovë.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është vënë si kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vonesa e saj mund të bllokojë planet për miratimin e liberalizimit në strukturat e Bashkimit Evropian.

Fatkeqësitë natyrore rrezikojnë edhe Kosovën

Pamje nga vërshimet në Maqedoni

Autoritetet kompetente në Kosovë pohojnë se janë të përgatitura për menaxhimin e fatkeqësive eventuale natyre. Sipas tyre, kapacitet njerëzore ekzistojnë dhe janë trajnuar për këtë çështje.

Në anën tjetër metereologët, vlerësojnë se Kosova duhet të jetë më shumë e përgatitur për tu përballur me fatkeqësi të mundshme natyrore.

Edhe pse në Kosovë nuk ka ndonjë rrezik të parashikuar, meteorologët, vlerësojnë se Kosova nuk mund të jetë imune ndaj këtyre ndodhive, të cilat viteve të fundit kanë goditur vendet fqinje, kurse së fundi Maqedoninë.

Fatkeqësi, konsiderohet një ngjarje apo pjesë e ngjarjes e shkaktuar nga forcat madhore të natyrës apo forcat tjera te pakontrolluara, të cilat rrezikojnë jetën e njerëzve, kafshëve dhe pronave, në përmasat e atilla që kërkojnë ndërmarrjen e masave dhe dislokimin e forcave dhe resurseve të veçanta.

Sylë Tahirsylaj, profesor i Agrometeorologjisë në Fakultetin e Bujqësisë, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se Kosova nuk mund të ndahet nga rajoni, meqenëse, lëvizja e masave ajrore nuk ka atdhe.

Tahirsylaj i cili ka qenë drejtor i Institutit Hidro-Metereologjik,thotë se Kosova nuk gjendet në një situatë të mirë për shkak të degradimeve natyrore, ndotjeve industriale dhe shkatërrimit të shtretërve të lumenjve.

Prishtina, thotë ai është vendi më i rrezikuar nga këto proceset atmosferike për shkak të shkatërrimit të natyrës.

“Kosova është në një situatë alarmante. Sepse pas përfundimit të luftës, ka një degradim të shumëfishtë të natyrës nga faktori njeri. Mirëpo, orografia e Kosovës ka një specifikë nga shtet e rajonit, për arsye se në aspektin hidrologjik dhe metereologjikKosova është kulmi i Ballkanit. Rreth 99 për qind të lumenjve të Kosovës janë lumenj të shpejtë, të cilët e lëshojnë territorin e vendit tonë, nuk akumulohen, por shkojnë në drejtim të pellgjeve dhe zbrazen në dete”, ka thënë Tahirsylaj.

Kuvendi i Kosovës ka të miratuar Ligjin për Mbrojtjen nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë tjera, që ka për qëllim mbrojtjen dhe shpëtimin e njerëzve, kafshëve, pronave, trashëgimisë kulturore dhe mjedisit nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera

Në bazë të këtij ligji, shteti është përgjegjës për organizimin e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera si sistem unik dhe integral shtetëror.

Në Kosovë ekziston Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME)që funksionon në kuadër të Ministrisë se Punëve të Brendshme.

Fadil Kodra, krye shef ekzekutiv në këtë agjenci, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se janë gatishmëri të plotë në rast të fatkeqësive natyre.

“Reaguesit e parë në këto situata janë zjarrfikësit, pastaj shërbimi mjekësor dhe Policia. Ne jemi të gatshëm, çdo herë që ti dalim në ndihmë qytetarëve në raste të fatkeqësive natyrore”, ka deklaruar Kodra.

Sipas ligjit, në rast të fatkeqësive fillimisht niveli lokal është përgjegjës për zbatimin e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyre dhe fatkeqësitë tjera, thotë Kodra .

“Komunat e kanë përgjegjësinë, por nëse ato nuk mund të menaxhojnë situatën e bëjnë kërkesën në agjenci. Kështu, më pas Agjencia në bazë të situatës i angazhojmë edhe njësitet tjera, si Forcën e Sigurisë se Kosovës apo institucionet tjera”, thotë ai.

Bazuar në ligjin kompetent, për raste të tilla në Kosovë duhet të ketë strehimore dhe objektet tjera për mbrojtje, që ndërtohen me qëllim të mbrojtjes së njerëzve në raste të luftës apo rreziqeve tjera. (REL)

MALI I ZI NA I KA MARRË TERRITORE SA KREJT KOSOVA E SOTME, E PO DON PRAPË?! – Nga Ramiz LUSHAJ

 

Hej, moj Europë antike e moderne, te je kanë e mbete nji hallë mitologjike e stërlashtë dhe tepër e keqe për nipin tand: Ilir (Illyriues – I Lirë Jam), për pasardhësit e tij brezanik si Dardanin (Mbretëria Dardane), Autariatin (Mbretëria Autariate) e të tjerë, po ti, qysh Malin e Zi me katër krahina të vogla Rijeka, Katundi, Cermnica e Leshani dhe me dy konsullata prosllave – atë ruse e frënge, me nji madhësi fillestare territoriale as 1.500 km2, veç në tre shekujt e kaluem (XVIII-XX) e bane principatë, mbretni e shtet republikan me tokat etnike të shqiptarëve pellazgo-ilir-arbnor?!
Mali i Zi – ky “fëmijë i paligjshëm euro-otoman”, me klan ortodoks sllav – i paguar e frymëzuar nga Moska e Beogradi, nga Patriakana Ruse e Serbe, ia ka mbrri të jetë 13.812 km2 sipërfaqe, sepse “e kishte dyfishuar, trefishuar sipërfaqen e tij, kishte kaluar me një të rënë të lapsit nga 4.405 në 15.355 km2 në dëm të Shqipërisë… Ne po e sabotonim, po e qethnim territorin e Shqiperisë në dobi të Malit të Zi dhe Shqipëria ishte pa mbrojtje”- shprehej diplomati D’estornelles de Constand, Senator francez, Nobelist i Paqes (1909), Sekretar i Caktimit të Kufijve mes Shqipërisë e Malit të Zi (1879-1880).
Sa krejt Kosova e sotme është sipërfaqja tokësore e ujore që Mali i Zi e aneksoi me pushtime e vendime të “Të Mëdhenjve” nga territoret etnike shqiptare në brigjet e Limit e Moraçës, nga bregdeti Adriatik deri në Alpe: me Ulqin e Tivar, me Tuz e Podgoricë, me Plavë-Guci e Rrozhajë, me Kuçin, Vasojeviçët e Palabardhin , me një pjesë të madhe të liqenit të Shkodrës, etj.
Nga trungu etnik i Shqipërisë iu dha Malit të Zi, veçanarisht në Kongresin e Berlinit, në Konferencat e Londrës e të Parisit, mbi 10 mijë km2 territor etnik shqiptar. E jashtëzakonshme. Fatalitet. Kjo sipërfaqe, për nga madhësia, i bie të jetë sa Kosova e sotme. Pra, na e kanë marrë “një Kosovë”(!)
Atëherë çka po i kërkon ende Europa e shek. XXI shtetit të ri të Kosovës që t’i japin prapë sivjet Malit të Zi territore të tjera të reja (82 km2) e krahasimuar kjo, me një sipërfaqe tanësore sa 40 herë Principata e sotme e Monakos.
Çakorr-Pejë, Kosovë. Gusht, 2016.
demarkacioni-1

Maxhuni: Sulmi ndaj Kuvendit dëshmon se ka grupe më të organizuara se policia e FSK-ja

Sulmi ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës ishte akt me elemente terroriste.

Kështu e ka cilësuar drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, incidentin ndaj ndërtesës së kuvendit, i cili ndodhi 5 ditë më parë, raporton KTV.

E për këtë incident tashmë ka persona të intervistuar nga policia.

E derisa e quan akt terrorist sulmin ndaj kuvendit, shefi i policisë nuk heziton të krekoset se institucioni, të cilin ai e udhëheq, arriti të parandalonte edhe incidentet terroriste.

Mirëpo, për njërin nga anëtarët e këtij komisioni, arma me të cilën u sulmua Kuvendi dëshmon se ka grupe të organizuara që janë më të përgatitura se policia apo FSK-ja.

Siguria në vend për anëtarin e Nismës, Zafir Berisha, është në nivelin zero dhe institucionet, sipas tij, nuk po e paraqesin gjendjen reale.

Në këtë mbledhje të komisionit morën pjesë edhe anëtarët e komisionit nga AAK-ja dhe Nisma, të cilët tash e një kohë, po i bojkotonin këto takime.

E praninë e tyre ata e arsyetuan me faktin se kanë parasysh gjendjen e krijuar pas incidentit të fundit.

Analistët: Kosova në prag të dhunës politike

Një nga seancat me gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, 26 shkurt 2016

Mungesa e një debati politik, fillimisht në Kuvendin e Kosovës dhe në veçanti kundërshtimet e thella politike ndërmjet pushtetit dhe opozitës, mund ta fusin Kosovën në një cikël dhune, thonë analistët politik në vend.

Këmbëngulja e partive në pushtet dhe atyre në opozitë për të mos lëvizur nga qëndrimet e tyre lidhur me çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, përveç se e ka thelluar krizën politike në Kosovë, po e kërcënon edhe situatën e sigurisë.

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk e beson “që Kosova po futet në një cikël të dhunës politike”, megjithëse e cilësoi “sulmin mbi kuvendin e Kosovës si një atak të rëndë ndaj pavarësisë”.

Debati i organizuar në Kuvendin e Kosovës për çështjen e demarkacionit, sado që uli për herë të parë pas shumë muajsh deputetët e të gjitha forcave politike në një tryezë të përbashkët, megjithatë nuk ndryshoi qëndrimet e palëve dhe as nuk i uli tensionet e krijuara në skenën politike prej shumë muajsh.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, i tha Radios Evropa e Lirë se gjuha e ashpër politike, e përdoruar nga të dy palët, transmeton edhe akte të dhunës.

“Gjuha e ashpër politike pa dyshim se transmetohet edhe në aktet e dhunës, pasi që partitë politike nuk kanë kontroll mbi efektet të cilat i projekton gjuha e tyre tek elektorati dhe mund të ketë edhe akte të dhunës, të cilat vijnë si pasojë e acarimit të gjuhës dhe agresivitetit retorik, i cili është duke u shfaqur këto ditë në skenën politike kosovare”, thotë Muhaxhiri.

Një sulm mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës me mjete shpërthyese ndodhi pak kohë pasi qeveria e dërgoi në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.

Sulmi ndaj objektit zyrtar erdhi në kohën e krizës më të thellë politike në Kosovë, dhe pas një periudhe disa mujore të kundërshtimeve të ligjvënësve nga opozita ndaj marrëveshjeve të nënshkruara nga Qeveria për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Analisti Driton Selmanaj, nga Demokracia Plus, thotë për Radion Evropa e Lirë se skena politike në Kosovë është më e tensionuar se asnjëherë më parë, ku siç thotë ai, mungon edhe vullneti për të ndërtuar një qasje konstruktive për të ardhmen e vendit.

Sipas tij, kjo situatë politike, e krijuar nga politikanët në Kosovë, krijon hapësirë që të ketë më pas vend edhe për elemente radikale të natyrave të ndryshme.

“Në momentin kur kemi një destabilitet politik dhe institucional,kur kemi një skenë të politizuar, kur kemi një ambient të tensionuar politikisht, hapësira për veprim të çdo grupi radikal, të çfarëdo lloji, edhe që nuk lidhet me temat të cilat kanë krijuar tension, është ambient i përshtatshëm për ata të cilët nuk e duan të mirë e Kosovën apo perspektivën e saj”, thekson Selmanaj.

Partitë politike në pushtet dhe ato në opozitë, shton Selmanaj, duhet të gjejnë një konsensus politik, në mënyrë që të mos e lejojnë vendin që të futet në një cikël të dhunës, pasi që pastaj pasojat do të jenë të paparashikueshme.

“Situata e fundit, por jo vetëm kjo fundit, por edhe ato që kanë ndodhur më herët, si sulmi ndaj policisë apo sulmi ndaj zyrtarëve publik, apo gazi lotsjellës në Kuvend, duhet të përfundojë dhe të shërbejë si alarm për politikën, që ata të provojnë që çështjet që janë me interes të madh t’i adresojnë me kujdesin maksimal dhe t’i japin zgjidhje politike”, thotë Selmanaj.

Ndërkohë, sulmi ndaj Kuvendi të Kosovës, sipas analistit të çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, është një përpjekje për të destabilizuar vendin dhe se një sulm i tillë nuk duhet të injorohet nga autoritetet e vendit.

“Në aspektin simbolik ky sulm flet shumë, sepse është një sinjal që tregon se duhet të merret seriozisht nga politikanët kosovarë, sepse nuk ka asnjë dyshim se ngjarje të tilla mund të ketë edhe më tej, nëse nuk ka një zbutje të gjuhës së politikanëve, e cila do të ndikonte në qetësimin e situatës dhe tek elektorati i tyre”, shton Muhaxhiri.

Rastet e sulmeve ndaj ndërtesave shtetërore në Kosovë, si dhe të veturave zyrtare, kanë qenë të shumta edhe në të kaluarën.

Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës ishte sulmuar para jo më shumë se gjashtë muajsh me koktej molotovi, dhe ende nuk janë zbuluar as motivet dhe as autorët e sulmit.

Ekspertët e fushës së sigurisë vazhdimisht kanë shtruar nevojën e zbardhjes sa më të shpejtë të këtyre rasteve, meqë ato krijojnë, siç thonë, frikë dhe pasiguri tek qytetarët e Kosovës. (REL)

Xhemshit Krasniqi dënohet me 8 vjet burg për krime lufte

Fotografi arkivi e salles së Gjykatës Themelore të Mitrovicës

Gjykata Themelore e Mitrovicës e ka dënuar me tetë vjet burg dhe 1500 euro gjobë, Xhemshit Krasniqin për “krime të luftës kundër popullsisë civile” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”, thuhet në njoftimin e dërguar mediave nga EULEX-i.

Misioni Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX ka sqaruar se vendimi është marrë nga një trup gjykues i përbërë nga gjyqtarë ndërkombëtar.

“I pandehuri u shpall fajtor për arrestimin, ndalimin e paligjshëm, cenimin e integritetit trupor, të shëndetit dhe torturimin disa dëshmitarëve dhe civilëve të panjohur në kampet e UÇK-së në Kukës dhe Cahan (Shqipëri), si edhe në Prizren gjatë vitit 1999. I akuzuari i kreu veprat e tij në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të UÇK-së”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

Komunikata sqaron më tej se “me anë të një vendimi të veçantë, atij i është vazhduar paraburgimi deri sa ky aktgjykim ta merr formën e prerë”.

Prokuroria dhe i dënuari tash kanë të drejtë ankese ndaj vendimit.

Anton Quni: Majlinda Kelmendi është fytyra e Kosovës!

Anton Quni ka reaguar pas medaljes të artë që fitoi Majlinda Kelmeni:

Ja se çfarë shrkuan ai në rrjetin social:

Majlinda Kelmendi

“Kjo eshte fytyra e Kosoves dhe shqiptareve historikisht!

Me lote, krenari dhe sakrifice per Atdheun.

Me Majlinden,

fytyra e Atdheut buzeqesh nen çdo lot dhe rrudhe historike!”

majlinda-kelmendi-rio-olympics-judo-kosovo_3760043

Ende nuk dihen autorët e sulmit mbi ndërtesën e Kuvendit

Ende nuk janë zbardhur motivet e sulmit mbi ndërtesën e Kuvendi të Kosovës dhe autorët e këtij sulmi.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se janë duke punuar në mënyrë të vazhdueshme për zbardhjen e sulmit mbi ndërtesën e Kuvendit, që ndodhi ditë më parë.

“Policia e Kosovës është duke vazhduar hetimet, përderisa duke vlerësuar faktet, rrethanat dhe kohën në të cilën ka ndodhur sulmi, përveç trajtimit profesional të dëshmive që janë gjetur, policia ka ofruar edhe një shpërblim prej 10, 000 eurosh për cilindo qytetar që ka sado pak informacione që mund të shpien në kapjen sa më të shpejtë të kryesve të këtij akti kriminal”, thotë Hoxha.

Policia e Kosovës, shton Hoxha, “është e përkushtuar në garantimin e zbatimit të ligjit dhe do të përdorë të gjitha mjetet dhe procedurat e ligjshme për kapjen e kryesve të akteve kriminale”.

Sulmi mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, ashtu siç kishte njoftuar Policia e Kosovës, ishte bërë me mortajë dore në lëvizje me motoçikletë nga dy persona, të cilët braktisën mjetin transportues, duke e djegur atë dhe ikën në këmbë në drejtim të panjohur.

Shpërthimi kishte ndodhur në kohën kur kishte lëvizje të qytetarëve në shëtitoren e qytetit të Prishtinës.

Sulmi mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës me mjete shpërthyese ndodhi pak kohë pasi qeveria e dërgoi në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.

Rastet e sulmeve ndaj ndërtesave shtetërore në Kosovë, si dhe të veturave zyrtare, kanë qenë të shumta edhe në të kaluarën.

Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës ishte sulmuar para jo më shumë se gjashtë muajsh me koktej molotovi, dhe ende nuk janë zbuluar as motivet dhe as autorët e sulmit.

Ekspertët e fushës së sigurisë vazhdimisht kanë shtruar nevojën e zbardhjes sa më shpejtë të këtyre rasteve, meqë ato krijojnë, siç thonë, frikë dhe pasiguri tek qytetarët e Kosovës. (REL)

Thaçt në Rio, Jasharajt n’Kosovë! – Nga Florim Zeqa

 

Zakonisht në aktivitete të ndryshme ndërkombëtare, krerët e shteteve shoqërohen me bashkëshortet e tyre apo me ndonjë nga figurat markante të shtetit, varësisht prej rendësisë së aktivitetit.

Kreu i shtetit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka udhëtuar në Rio për të marrë pjesë në ceremoninë hapjes së Lojërave Olimpike, megjithatë nuk ka shkuar i vetëm, ai me vete e ka marr edhe djalin e tij, Endritin! Kjo nuk është e keqja më e madhe, krahas pjesëmarrjes së tetë sportistëve kosovar në Rio, “ekspedita” e kosovarëve në Lojërat Olimpike është e përfshirë edhe nga shumë zyrtarë të shtetit që e dhjetëfishojnë këtë shifër.

Mirëpo, në këtë “ekspeditë”, nuk gjenden njerëzit më të merituar, nuk gjenden ata që dhanë më së shumti për Kosovën dhe lirinë e saj. Pjesë e “ekspediës” janë bërë sahanlëpirësit dhe puthadorët e pushtetit, palaçot, servilët, antivlerat sportive, kulturore dhe kombëtare të vendit!

Nëse e marrim për bazë rendësinë historike të pjesmarrjes së Kosovës (për herë të parë si shtet) në Lojërat Olimpike, atëherë përkrah Thaçit në Rio do duhej të ishte jo djali i tij Endriti, por dikush nga pjestarët e familjeve emblematike; Jashari, Rugova, Ramadani, Haradinaj, Çeku, Pajazitaj,…etj! Kjo, edhe një herë e dëshmon keqpërdorimin e pushtetit dhe personalizimin e meritave e të tjerëve nga i pari i shtetit. Hashim Thaçi, për të satën herë po e dëshmon vetën si injorant të rryer dhe bukpërmbysësh njikohësisht.

Presidenti i shtetit tonë po harron, se karrierën politike e filloi pikërisht nga familja Jashari, duke u thirrur në sakrificën e tyre sublime, në gjakun e dëshmorëve të lirisë dhe luftën heroike të ushtrisë së lavdishme çlirimtare (UÇK) për t’u ngritur në majat e pushtetit dhe shtetit. Ashtu sikurse në aktin e rishpalljes së pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku prezent ishin familja Jashari, edhe në në hapjen e Lojërave Olimpike në Rio do duhej të ishte dikush nga më të merituarit për lirinë e Kosovës.

Sa herë që e ka punën ngusht, nga goja e presidentit ndëgjojmë fjalën “konsensus nacional”, vallë pse të njëjtën gjë nuk e aplikon edhe në ngarjet ceremoniale dhe me vlerë historike për shtetin. Thaçi nuk po e bënë një gjë të tillë ngase frikohet mos po varfërohet nga “meritat” (të cilat nuk i takojnë) për shtetin, në këtë rast të pjesmarrjes së Kosovës në Lojërat Olimpike të Rios. Sa do që presidenti mundohet t’u ikë meritave të tij (qoftë edhe duke shkuar në Rio) për katandisjen e shtetit, siq janë; humbja e sovranitetit në veri dhe tkurrja enorme e territorit të vendit në jugpërendim (me Malin e Zi dhe Maqedoninë), moszhvillimi ekonomik dhe kriza e thellë sociale e vendit, mosantarsimi në UNESCO dhe mosliberalizimi i vizave e deri të mosnjohja e Kosovës shtet nga BE dhe OKB,…targën e të cilave pasoja e bartë vet presidenti Thaçi me kompaninë e tij, tashmë të identifikuar me emrin sinjifikativ “Pronto”, të njohur në mbarë Kosovën, trojet shqiptare dhe Diasporë.

Megjithatë, është fat i mirë dhe shpresë për kombin, që familjet e sipërpërmendura emblematike nuk e bartin targën e turpit të grupit “Pronto”. Për fund dua të themë edhe diçka, patriotizmi është vlerë sublime, është vlerësimi i kontributit, meritatave dhe skrificave të gjithë bashkatdhetarëve, gjakut të dëshmorëve dhe ruajtjes së vlerave të lirisë. Populli i nderon dhe i çmon luftetarët e lirisë, ata që dhanë gjymtyrët e trupit për lirinë e vendit, sikurse që i mallkon çdo herë ata që përfituan në emrin e patriotizmit, skarificave dhe gjakut të derdhur për çlirimin e tokave të robëruara nga pushtuesit sllav.

Bisedimet Kosovë-Serbi – tashmë në nivel Presidentësh

Dhjetëra marrëveshje janë arritur deri më tash prej fillimit të bisedimeve teknike e politike me Serbinë, por një pjesë e tyre atëherë s’janë zbatuar. Kjo është njëra prej arsyeve pse Qeveria e Kosovës ka vendosur të kërkojë ndryshimin e formatit të njerëzve që do të bisedojnë. Tash, dialogu Prishtinë-Beograd do ta udhëheqin presidentët e dy Republikave.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri s’do ta ketë më barrën kryesore në dialogun Kosovë-Serbi. Kjo për shkak se kompetencat e saj do t’i marrë Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi.

Kjo është kërkesa që Kryeministri Isa Mustafa e ka bërë të qartë se nuk do të ketë vazhdim të dialogut në nivelin aktual. Kjo për shkak se s’po kanë rezultatet negociatat që zhvillohen në Bruksel nën udhëheqjen e BE’së dhe mbikëqyrjen e SHBA’së.

” Mendoj se dialogu duhet të fillojë me një format dhe koncept krejtësisht tjetër”, ka paralajmëruar Kryeministri në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë”.

Por, pse po bëhet një veprim i tillë?

Kryeministri jep shpjegimet.

“Sepse kjo çka po duket tani lidhur me moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, prolongimin e tyre dhe papërgjegjësinë totale të Serbisë lidhur me marrëveshjet që janë nënshkruar, dhe përforcimet e strukturave paralele, flet se dialogu nuk po jep rezultate për të cilat po zhvillohet dhe nuk ka seriozitet të palës serbe sa i përket dialogut”, ka thënë Kryeministri për REL.

Shefi i Qeverisë së Kosovës ka thënë se në nivelin tjetër të dialogut me Serbinë do të kërkohet një afat se deri kur do të vazhdojnë takimet pasi s’do të më bisedime pa afat.

“Ne do të bëjmë vërejtje konkrete dhe shumë të adresuara në BE lidhur me këtë gjendje. Ne duhet të profilizojmë saktë dialogun, duhet të kemi një agjendë të qartë të dialogut dhe po ashtu duhet të kemi një afat se për sa ne do të dialogojmë, sepse nuk mund të humbim kohë pakufi me dialog me Serbinë. Po e shohim se nuk ekziston vullneti i palës serbe që të zbatojë marrëveshjet e paketës së dialoguar”, ka shtuar ai.

Deri më tash, bisedimet me Serbinë janë zhvilluar në nivel më të ulëta. Beogradi është paraqitur në nivelin e drejtorëve, ndërsa, Prishtina në nivelin e Ministrave. Vetëm kur janë arritur marrëveshjet ato janë nënshkruar nga Kryeministrat.

Ndërsa, tash, marrëveshjet do t’i nënshkruajnë Presidentët Hashim Thaçi e Tomisllav Nikolic.

Dialogun Kosovë-Serbi e ka kundërshtuar në vazhdimësi Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa, AAK ka qenë krejtësisht e përfshirë prej fillimit në këtë proces përmes Nënkryetarit të Partisë.

Ish Presidenti Sejdiu: Demarkacioni me Malin e Zi nuk ka lidhje me Pakon e Ahtisaarit

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka komentuar në lidhje me çështjen e shumëpërfolur të kohës së fundit, atë të demarkacionit me Malin e Zi.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka sqaruar pozicionin e tij në lidhje me këtë çështje duke përmendur periudhën kur ai ka qenë President, 2006-2010, periudhë kohore kjo kur Sejdiu thotë të jenë zhvilluar bisedimet.

Por, ai thotë se gjatë këtij procesi, “në asnjë rast nuk është kërkuar ndonjë hartë e Kosovës dhe as që është ngritur ky problem, që do nënkuptuar se as që ka pasur nevojë, pasi kjo hapësirë dhe kufijtë në këtë pjesë të vendit, nuk janë konsideruar të jenë kontestues”.

Më tej, ish-kreu i LDK-së dhe ish-Presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, ka komentuar edhe sulmin e mbrëmshëm me predhë ndaj ndërtesë së Kuvendit, rast të cilin ka kërkuar që të zgjidhet sa më parë.

Ky është postimi i tij i plotë:

Të dashur miq,

Tema e demarkacionit e kufirit me Malin e Zi, me peshën dhe ndjesinë e vet, ka rritur në shkallë të lartë shqetësimin e qytetarëve të Kosovës. Këtë e dëshmoi edhe debati i mbajtur në Prishtinë më 3 gusht, lidhur më këtë temë, përkundër faktit se ishte jo pak i vonuar. Në të u paraqiten për opinionin publik elemente dhe fakte të reja, për të cilat institucionet e vendit do duhet të kishin vëmendje dhe kujdes duke i trajtuar në mënyre serioze, pa u nxituar dhe pa kapërcyer hapësirën e përgjegjësisë që kanë për të marrë vendime bazuar në dokumentet kryesorë shtetërorë të dhe në dobi të qytetarëve të saj.

Pos tjerash, gjatë debatit është përmendur Pakoja e Ahtisaarit dhe referenca e saj për këtë çështje, duke iu referuar kufijve të Kosovës deri në fund të vitit 1988. Kjo nënkupton, pa asnjë dilemë, pacenueshmërinë e kufijve të Kosovës, të cilët brenda territorit të saj përfshijnë pikat kyçe për të cilat është ngritur debati.

Si President i vendit në vitet 2006- 2010, periudhë kohore kjo kur edhe janë zhvilluar bisedimet, gjatë të cilit proces në asnjë rast nuk është kërkuar ndonjë hartë e Kosovës dhe as që është ngritur ky problem, që do nënkuptuar se as që ka pasur nevojë, pasi kjo hapësirë dhe kufijtë në këtë pjesë të vendit, nuk janë konsideruar të jenë kontestues.

Dihet botërisht se nuk ka pasur harta të tjera nga ato qe kanë përshkruar kufijtë e Kosovës, të cilët kanë qenë të sanksionuar edhe me Kushtetutën e vendit.

Nga Ekipi i Ahtisaarit, e di se janë kërkuar kufijtë e komunave të Kosovës, në pjesë të hapësirave, në të cilat janë formuar komunat e reja me shumicë serbe.

Këto komuna të reja të formuara më vonë nuk lidhen me hapësirat dhe brezin kufitar me Malin e Zi, për të cilin po bisedohet.

Janë momente tepër jetike për shtetin dhe shoqërinë tonë që kjo çështje të trajtohet dhe zgjidhet me urti, duke u mbështetur në faktet e qëndrueshme, shumë prej të cilave qytetarët e Kosovës kishin rastin t’i shohin gjatë debatit që u zhvillua më 3 gusht në Prishtinë.

Karshi kësaj, gjuajtja e mbrëmshme e ndërtesës së Kuvendit të Republikës, është absolutisht e papranueshme dhe e pajustifikueshme. Është tepër me urgjencë që organet e hetuesisë sa më parë të gjejnë akterët e këtij veprimi kriminal dhe të tillët të vihen para drejtësisë.

Është në përgjegjësinë i institucioneve të vendit dhe gjithë spektrit politik të tij – pozitë dhe opozitë të angazhohen për ç’tensionimin e kësaj situate në të cilën gjendet vendi dhe po kështu të ulen me përkushtim për të trajtuar problemet që i ka vendi.

Rruga e dialogut është e paalternativë.

Mallkimi i rradhës i Aktorit të famshëm Çun Lajçi: kësaj here aktori i njohur mallkon kryeministrin. Ja çfarë thotë ai!

Voal – Me të mallku Çun Lajçi e ke mbush kupën.

Aktori i mirënjohur Çun Lajçi ka kritikuar kryeministrin Isa Mustafa në lidhje me marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Lajçi me anë të postimi në ‘Facebook’ ka shkruar se tokat e Kosovës po i falen Malit të Zi.

Postimi i plotë Lajçit:

“Z.Kryeministër Isa Mustafa

Për shtatdhjetë vitet e mia mbaj mend ta kemi mallkue Ali Shukriun që ia dha Serbisë Preshevë-Medvegjë-Bujanov.

Tani për 70 vitet e ardhshme do të mallkohesh Ti që po ia fal Malit Zi Zhlebin, Moknat e Çakorrin.

Çka do t’falim mbas 70 viteve dhe kush do të jetë ai faqezi si Ju të dy!

Por Aliu paska qenë pak ma i mirë se Ti, se bani tramp me shkijet e Leposaviqit e Zubin Potokut të cilëve sot e kësaj dite ua pamë sherrin.

Po Ti çka fitove ?

Spo flas fjalë t’mëdhaja pos po ta përkujtoj kangën…

” t’zezen tande me nji parë pishtole”

Tash ik ma shpejt e strehohu të Ali Shukriu!”

Kumtesë e Komisionit Shtetëror: Kufiri me Malin e Zi pandryshueshëm dhe pa gabime

Pas debatit të 3 gushtit, Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, ka dalë me një kumtesë lidhur me Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit në mes Kosovës dhe malit të Zi.

Në kumtesën e lëshuar për media komisionin thotë se kufiri i Republikës së Kosovës me Malin e Zi ka mbetur i pandryshueshëm dhe pa gabime edhe sipas marrëveshjeve ndërkombëtare.

Komunikata e plotë e Komisionit:

Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror gjatë periudhës tre vjeçare 2012-2015, ka bere punën Ligjor duke përfshirë detyrat dhe obligimet e mbështetura në dispozita ndërkombëtare dhe vendore do të thotë në Kushtetutë dhe ligje. Ka bere punën teknik duke analizuar dokumentacionin zyrtar relevant për zbatimin e metodave teknike e profesionale sipas ligjeve.

Në takimin e 03 gusht 2016, përveç tjerash argumentet e Komisionit dhe pyetja e Kryeparlamentarit për përfaqësuesin e të drejtës ndërkombëtare nga grupi kundërshtues, përfundimisht u pranua se:

”Dokumenti i Marrëveshjes se 10 Qershorit 1999 dhe pakoja e Ahtisaarit janë marrëveshje Ushtarake dhe Politike Ndërkombëtare, obligative për Republikën e Kosovës”.

Kjo nënkupton qarte se vija kufitare R e Kosovës-Mal i Zi është në rregull.

Askush nuk e demantoj por nëpërmjet edhe të punimeve e pohuan se:

“Republika e Kosovës ka territor 10.906 km katror. Komuna e Pejës i kishte dhe i ka 603 kilometra katrore d.m.th. territor të pandryshuar”

Edhe kjo qartësoj se vija kufitare ndërmjet të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi është në rregull.

Sqarim: Këto marrëveshje ndërkombëtare se bashku me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me Kushtetutën e Krahinës se Kosovës 1974, si dhe më Aneksin 8, Sektori i Sigurisë neni 3.2 të Pakos se Ahtisaarit janë në përputhshmëri të plotë dhe të pandryshuar me vijën kufitare ndërmjet të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Komisioni këto marrëveshje i ka zbatuar me përpikëri.

Bashkëngjitur janë dy harta njëra nga marrëveshja e 10 Qershorit 1999 dhe e harta e tjetër e Komunës se Pejës e vitit 2015 por edhe deri me sot pa asnjë ndryshim as në territor e as në përkufizim. Komisioni e potencon prapë se harta e Komunës së Pejës me zonat kadastrale e vitit 2015 është e zbatuar nga të gjitha institucionet qe nga viti 1974 -2016.
Këtë përputhshmëri e kanë vërtetuar edhe ekspertizat profesionale ndërkombëtare si ajo e Komisionit Ad-Hoc ndërkombëtar, në mars 2016.

Komisioni Shtetëror nuk ka ndryshuar vijën kufitare e as territorin e Kosovës as për një metër të vetme, por ka vërtetuar dhe shënjuar vijën administrative të vitit 1988 ndërmjet ish Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës dhe ish Republikës Socialiste të Malit të Zi.

Guximi politik i Haradinajt dhe pragmatizmi i Bulliqit ndalin demarkacionin! – Nga Florim Zeqa

Ditë më parë në një debat me një grup bashkatdhetarësh, derisa i ofroja faktet e shkruara dhe audioinçizimet një bashkatdhetari gjakprishur dhe shpirtlig, rreth një çështje shumë më pak të rendësishme se demarkacioni ,…ky i fundit në vend që të më kundërpërgjigjej me argumente filloi të lavdërojë vetën për të kaluarën e tij jo shumë të ndritshme në vendlindjen e tij,… në atë moment u largova nga tryeza e bisedimeve në mënyrë demonstrative duke ja përseritur edhe një herë faktet e pamohueshme për kontekstin për të cilin ishim takuar.

Gjatë rrugës për në shtëpi, shoqëruesja ime, mbesa e Isa Boletinit më tha këto fjalë; “Ja ke bërë sikurse Ramush Haradinaj në tryezë me Murat Mehën për demarkacionin…”
Pa një, pa dy ja ktheva; “Ska pas faj Ramushi, me ata që nuk i pranojnë faktet, me shpirtëshiturit dhe gjakprishurit nuk ke mundësi të dialogosh ndryshe”.
Qëllimisht e fillova në këtë mënyrë shkrimin, që lexuesi të më kuptojë më lehtë dhe futet më thellë në temën që po trajtoj sot.
Politika, përveqse art i së mundshmës, është sfidë e pafundme e cila përveq njohurive dhe argumenteve kërkon edhe guxim dhe qendrueshmëri të lartë në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe shtetërore.
Është i pamohueshëm fakti, se sikur të mos kishte qenë Ramush Haradinaj me ja hedhë në fytyrë hartat e falsifikuara Murat Mehës, ndoshta çështja e demarkacionit me Malin e Zi do të kishte kaluar në heshtje edhe përkundër protestave të opozitës së bashkuar.
Ishte veprimi sa i guximshëm po aq edhe energjik i zotit Ramush Haradinajt që bëri të zgjohet ndërgjegja e disa prej deputetëve të përgjumosur në pushtet dhe opinionit të fjetur publik.
Reagimi i guximshëm i Haradinajt nuk ishte kundërshtim vetëm ndaj Murat Mehës dhe komisionit qeveritar, por ishte kundërshtim ndaj qasjes së gabuar qeveritare dhe mbështetësve të tyre ndërkombëtar.
Kur ndaj dukurive negative dhe të dëmshme për vendin nuk mirren parasysh faktet, duhet reaguar edhe forcërisht nëse e kërkon nevoja për të mbrojtur të vërtetën, në të kundërtën e vërteta rrezikon të mbytet në heshtje.
Nga ai reagim i guximshëm i Ramush Hradinajt në tryezë me kryetarin e komisionit shtetëror për demarkacion, zotin Murat Meha filluan të gjitha kundërshtitë e mëpastajme, jo vetëm në kampin opozitar, por edhe nga radhët e depuetëve të pozitës.
Tryeza e fundit e 3 gushtit 2016, fillimisht e inicuar nga deputeti i pozitës (LDK), zoti Bulliqi, i mbështetur edhe nga 23 deputetë të tjerë të kuvendit të Kosovës, i  mblodhi pushtet dhe opozitë, shoqëri civile, profesor universiteti, akademik të fushave të ndryshme dhe ekspert të demarkacionit të kufijëve. Nga debati i gjatë 12 orësh dolën në sipërfaqe të gjitha manipulimet dhe falsifikimet e komisionit shtetëror për demrakacionin me Malin e Zi.
Faktet e grupit të ekspertëve, akademikëve, shoqërisë civile dhe banorëve lokal të zonave të prekura nga versioni i ekspertëve të demarkacionit shtetëror, ishin aq fuqishëm të argumentuara, sa që do të jetë e vështirë të votohet versioni qeveritar i demarkacionit nga deputetët shqiptar.
Jo me liberalizim të vizave, por me asnjë lloj çmimi tjetër nuk guxojnë të sakrifikohen rreth 9 km territor i shtetit të Kosovës. Pas debatit të 3 gushtit për demarkacionin, nuk e besoj se do të dali ndonjë deputet, në damart e të cilit rrjedhë gjak shqiptari që mund ta votoj humbjen e rreth 9 mijë metrave katror të tokës shqiptare, të larë me gjak ndër shekuj.
Përfundimisht duhet të themi, se guximi politik i Ramush Haradinajt dhe pragmatizmi i deputetit Shpejtim Bulliqi parandaluan një të keqe të madhe për vendin,…në të njëjtën kohë ju tërhoq vrejtja edhe ndërkombëtarëve që të mos manipulojnë me këtë klasë të korruptuar dhe shantazhuar politike për interesa të fqinjëve tanë,…ngase në çdo rrethanë, territorit të vendit jemi të gatshëm t’i dalim zot me të gjitha mjetët, pa kursyer as jetën tonë.

Kijohet një ekip i prokurorëve për verifikimin e bisedave telefonike

Kyeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi ka marr vendim për krijimin e ekipës së prokurorëve nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, të cilët do të verifikojnë dhe analizojnë përmbajtjen e transkripteve të telekomunikimeve të përgjuara në rastin e ish Ministrisë se Transportit dhe Telekomunikacionit (MTPT).

Vendimi për formimin e këtij ekipi, u morr pasi Kryeprokuroi Lumezi pranoi raportin e kërkuar nga prokurori ndërkombëtar i EULEX-it, i cili është i ngarkuar me rastin e MTPT-së.

Në një komunikatë për media thuhet se “ky komision do të ketë objekt të analizimit dhe vlerësimit të gjitha ato materiale-transkripte origjinale të përgjimeve të telekomunikimeve, të cilat nuk kanë qenë të përfshira në aktakuzën e ngritur, kundër ish-zyrtarëve të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, nga ana e prokurorit ndërkombëtar të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Nëse do të gjenden elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale, të cilat do të mund të ndiqen penalisht, prokuroria do t’i fillojë hetimet për ato vepra penale, pavarësisht se nga kush mund të jenë kryer.

Zvicra e Turqia investitorët më të mëdhenj në Kosovë

Zvicra është shteti që ka investuar më së shumti në Kosovë, gjatë vitit të kaluar, pasuar nga shteti i Turqisë dhe Gjermanisë.

Sipas raportit vjetor të Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, investimet e Huaja Direkte (IHD) të pranuara në Kosovë gjatë vitit 2015 arritën vlerën prej 324.4 milionë euro. Sa i përket origjinës së investimeve të huaja Zvicra ka investuar rreth 73 milion euro, pastaj Turqia rreth 58 milion euro, Gjermania 45 milion euro.

Ndryshe, numri sipas të dhënave të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, numri i bizneseve me pronarë të huaj në Kosovë është 7212, kurse 1766 është numri i bizneseve me pronarë nga shteti i Zvicrës, Turqisë dhe Gjermanisë .

Patundshmëria dhe shërbimet financiare janë sektorët ku më shumti kanë kapital bizneset me pronarë të huaj..

Ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se numri i madh i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Zvicër,ka ndikuar që të investimet e këtij shteti të jenë më të pranishme në Kosovë, e konkretisht në sektorin e patundshmërisë.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se Kosova ka potencial të mjaftueshëm dhe të leverdishëm për investitorët ndërkombëtar, përveç patundshmërisë, sektorëky që sipas tij, nuk sjell ndonjë zhvillim për Kosovën në aspektin afat gjatë.

“Realisht nëse i analizojmë statistikat e investimeve të huaja në dy vitet e fundit, shohim se gjysma e investimeve të huaja direkt janë investuar në patundshmëri. Dhe rrjedhimisht ne kemi konsideruar se kjo është për shkak të numrit të madh të diasporës në vendet e Evropës e posaçërisht në shtetin e Zvicrës. Ndërsa sa i përket sektorit financiar, atëherë tërheqjes së investimeve të huaja nga Turqia, është respektim i hapjes se institucioneve financiare bankare në vendin tonë“, ka thënë Zeka.

Ndryshe, shteti ku më së shumti kanë emigruar kosovarët, është Gjermania me 35.25 për qind, e pasuar nga Zvicra me 22.94 për qind.

Por, përveç investimeve direkt, edhe vlera e remitencave që pranohen në Kosovë vijnë kryesisht nga Gjermania dhe shteti i Zvicrës.

Sidoqoftë, më gjithë rëndësinë e këtyre investimeve në sektorët e patundshmërisë dhe atë financiar, Arian Zeka shprehet se Kosova ka nevojë për investime të huaja edhe në sektorë të tjerë.

“Potencialet e vendit tonë për tërheqjen e investimeve të huaja direkte janë në ata sektorë ku vihen në përdorim burimet tona natyrore, e të cilat fatmirësisht Kosova i ka më bollëk”.

“Po flasim kryesisht, për sektorin minerar, gjenerimin e energjisë elektrike. Dhe sektorët tjerë më potencial të madh për tërheqje të investitorëve të huaj, është sektori i teknologjisë, informacionit dhe sektorët e agrobiznesit”, tha Zeka.

Të njëjtë sektorë potencial dhe strategjik për investitorët e jashtëm i përmend edhe Naim Gashi, ekspertë për çështje ekonomike.

Por, Gashi shpreh shqetësimin se në Kosovë ekzistojnë faktorë të shumtë të cilët dekurajojnë ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë.

“Janë problemet politike më të cilat Kosova ballafaqohet në dhjetë vitet e fundit, mandej problemet etnike që i kemi të brendshme më komunitetin serb. Problemet fqinjësore që i kemi më Serbinë, pasi ajo gjithmonë e saboton dhe lufton zhvillimin ekonomik të shtetit të Kosovës”.

“Pastaj ,janë problemet e brendshme, siç është shkalla e korrupsionit, infrastruktura fizike, rrugore, hekurudhore, burokracia në nivel lokal dhe qendror dhe jo stabiliteti më energji elektrike”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Gashi, ndërkaq shprehet se edhe mos miratimi i Projektligjit për Investime Strategjike, në Kuvendin e Kosovës, vë në dyshim investitorët e interesuar për shtrirjen e kapitalit të tyre në Kosovë. (REL)

Policia gjen dëshmi relevante të sulmit ndaj Kuvendit

Policia e Kosovës ka gjetur një numër dëshmish në afërsi të Kuvendit të Kosovës gjatë periudhës së zhvillimit të hetimeve, përfshirë edhe një mjet për hedhjen e predhave, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë zyrtarë të policisë, që megjithatë, nuk kanë dashur të ofrojnë hollësi të tjera, për shkak të, siç thonë, “ndjeshmërisë së hetimeve“.

Një zëdhënës i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i tha Radios Evropa e Lirë se “Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes ka gjetur dëshmi relevante, në mesin e të cilave edhe një mjet për hedhjen e predhave, shishe të benzinës (koktej molotovi) dhe një motoçikletë të djegur jo larg nga vendi i ngjarjes“.

Policia beson se dëshmitë nga vendi i ngjarjes do të çojnë drejt kapjes së autorëve të sulmit mbi Kuvendin e Kosovës, që ndodhi të enjten në mbrëmje rreth orës 23.

Burime zyrtare i thanë Radios Evropa e Lirë, se sulmi u bë me mortajë dore, në lëvizje me motoçikletë nga dy persona, të cilët braktisën mjetin transportues duke e djegur dhe ikën në këmbë në drejtim të panjohur.

Motivet e sulmit mbi ndërtesën e Kuvendi të Kosovës nuk dihen ende, po aq sa edhe autorët e tij.

Shpërthimi ndodhi në kohën kur kishte lëvizje të qytetarëve në shëtitoren e qytetit të Prishtinës.

Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës u sulmua para jo më shumë se gjashtë muajsh me koktej molotovi, dhe as atëherë nuk u zbuluan motivet dhe as autorët e sulmit.

Reagime ndaj sulmit mbi Kuvendin

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka reaguar ndaj sulmit mbi Kuvendin e Kosovës, përmes një postimi në Twitter.

“I tronditur nga sulmi në Kuvendin e Kosovës. Dhuna dhe gjuha që nxisin dhunën janë të papranueshme në demkoraci”, ka shkruar Delawie.

Edhe zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në dënimin e sulmit ndaj Kuvendit ka thënë se “është një sulm kundër demokracisë dhe përfaqësuesve të popullit të Kosovës dhe si i tillë është i papranueshëm’. Zyra e BE-së ka bërë thirrje “institucioneve të rendit e ligjit që t’i identifikojnë autorët dhe t’i sjellin përpara drejtësisë.”

Udhëheqësit politikë në vend e kanë dënuar sulmin mbi Kuvendin e Kosovës duke u bërë thirrje organeve të drejtësisë që të zbardhin sa më shpejt rastin dhe të sjellin përpara drejtësisë autorët e sulmit.

Qeveria e Kosovës ndërkaq në dënimin e sulmit ka theksuar se “ky është një sulm qyqar i drejtuar kundër të gjitha institucioneve dhe shtetit të Kosovës”.

“Pa dashur të paragjykoj nëse është në linjën e akteve të dhunshme të paralajmëruara, Qeveria e Kosovës konsideron se akte të tilla nuk do të arrijnë të ndalin përkushtimin dhe punën e institucioneve të Kosovës për realizimin dhe mbrojtjen e interesave të vendit”, thuhet në një deklaratë të qeverisë së Kosovës.

Ajo ka bërë thirrje organeve të rendit që të ndërmarrin të gjitha masat për zbardhjen e kryesve të këtij akti të rëndë kriminal dhe të vënë para drejtësisë kryesit dhe orkestruesit e tij.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar se “ajo për të cilën të gjithë duhet të pajtohemi është se dhuna nuk duhet të ketë vend në Kosovë”, dhe ka shtuar se sulmuesit “janë njerëz që nuk e duan Kosovën, që nuk ia duan të ardhmen evropiane qytetarëve tanë dhe nuk duan që fëmijët e Kosovës të rriten në paqe”.

Sulmi i mbrëmshëm mbi Kuvendin e Republikës së Kosovës përbën një sulm kriminal, me elemente të veprimit terrorist, i drejtuar kundër institucioneve dhe popullit të Kosovës, ka thënë Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli.

“Ne së bashku e kemi ndërtuar këtë shtet, së bashku duhet ta mbrojmë, ta zhvillojmë e fuqizojmë. Ftoj qytetarët tanë që të kenë besim në institucionet tona, në kapacitetet e tyre për të garantuar rendin, sigurinë dhe sundimin e ligjit në vend”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e ka cilësuar si “atak ndaj pavarësisë” sulmin mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, të enjten në mbrëmje.

Në një reagim të tij përmes rrjeteve sociale, Mustafa ka thënë se “askujt nuk i lejohet që të terrorizojë institucionet e vendit”, duke cilësuar Kuvendin si “organin më të lartë legjislativ dhe simbol i rregullimit tonë shtetëror dhe demokratik.

Kryeministri i Kosovës i bëri thirrje organeve të drejtësisë që të zbardhin sa më shpejtë rastin dhe që kryesit e veprës të dalin përpara drejtësisë. Ai kërkoi edhe ndihmën e qytetarëve për organet e ndjekjes për të zbardhur rastin.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti në opozitë, në reagimin e saj duke dënuar sulmin e ka cilësuar “si sulm mbi shtetin, mbi demokracinë dhe mbi të gjithë qytetarët e Kosovës”

“Kushdo që qëndron prapa këtij shpërthimi apo sulmi, çfarëdo që të jetë ai, është kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet në një deklaratë të AAK-së e cila kërkon kapjen e autorëve të sulmit dhe nxjerrjen përpara drejtësisë.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar zbardhjen e rastit dhe kapjen e autorëve.

Sulmi në ndërtesën e Kuvendit erdhi në kohën e krizës më të thellë politike në Kosovë, pas një periudhe disa mujore të kundërshtimeve të ligjvënësve nga opozita ndaj marrëveshjeve të nënshkruara nga Qeveria për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Të enjten qeveria e Kosovës dërgoi në Kuvend projekt ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion, pas një debati shume orësh shkencor-profesional të organizuar në Kuvend me pjesëmarrjen edhe të ekspertëve dhe shoqërisë civile.

Nisja në Kuvend e projekt ligjit ngjalli reagimin e serishëm të opozitës e cila kërkoi që të mos futej në votim i njëjti. Megjithëkëtë vlerësohet se marrëveshja për demarkacion mund të votohet në Kuvend brenda pak ditësh.

Marrëveshja për demarkacion u shndërrua në kushtin e Komisionit Evropian për liberalizim të vizave, pas rekomandimit për mundësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve nga Kosova në vendet e BE-së. a.v (REL)

(Audio) Dosja e Shefave III: Grabovci e Kryeziu vendosin natën për Bordin e Ujësjellsit – Nga Vehbi Kajtazi

 

Voal – Një nga bisedat telefonike të përgjuara të Adem Grabovcit shpalosë mënyrën më të errët se kush duhet të jenë anëtarët e Bordit të Ujësjellësit të Prizrenit. Grabovci bashkë me Njazi Kryeziun marrin vendimin përfundimtar, përtej kualiteteve të kandidatëve. Kriter për ta është vetëm nëse kandidati është i tyre. Biseda dëshmon se kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha është zgjedhur nga PDK-ja. Hoxha një kohë ka qenë edhe ushtrues detyre i kryeprokurorit të Shtetit.

Adem Grabovci dhe Njazi Kryeziu, kanë vendosur se kush duhet të jetë anëtarë të Bordit të ndërmarrjes së ujësjellësit të Prizrenit.

Në një bisedë telefonike në mes të shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci dhe nënkryetarit të PDK-së, Dega në Prizren, Njazi Kryeziu klasifikohen kandidatët në mënyrën më klandestine.

Grabovci, që i telefonon Kryeziu ia lexon 34 emra kandidatësh. Ata seleksionohen nga Kryeziu. Bashkëbiseduesit heqin nga lista kandidatë që nuk u përkasin atyre.

Në këtë bisedë të zhvilluar në nëntor 2011, dëshmohet se PDK-ja në Prizren ka zgjedhur për kryeprokuror, Sylë Hoxhën i cili në të kaluarën ishte zyrtar i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Hoxha ka qenë zëvendësministër i Drejtësisë nga kjo parti.

Teksa Grabovci ia lexon emrat e kandidatëve, Kryeziu i seleksionon ata duke i hequr nga lista kandidatët që i konsideron se nuk janë të PDK-së, por të Eqrem Kryeziut dhe Fatmir Limajt.

Në këtë përgjim tregohet po ashtu se edhe deputeti Nait Hasani, kishte shtyrë përpara emërimin e një të afërmi të tij, por që Kryeziu e heq nga lista.

“34 kanë konkurs”, e njofton Grabovci posa nis biseda.

“Esat Krasniqi, Dalip Hoda, Habib Elshani, ky shkon”, vazhdon ai teksa merr sugjerimin që Esatin ta mbajë të parin në listë.

Ata vazhdojnë heqjen nga lista të shumicës së kandidatëve duke i sharë e fyer dhe duke konstatuar se nuk janë të “tyre”.

Për Fadil Kryeziun, një aktivistë i LDK-së në Prizren, Njazi Kryeziu thotë se duhet të hiqet nga lista sepse mund të veprojë njëjtë si Sylë Hoxha.

“Kush i ka premtu, mos osht dikush prej tonve i paska premtu nashta”, pyet Kryeziu

“Jo, jo s`të thom unë me shti atë, qysh kemi me shti atë po ja bajmë me ta si me Sylë Hoxhën tani na e qin nanën”.

Insajderi sjell të plotë bisedën mes Grabovcit dhe Kryeziut.

Kryeziu: Allo

Grabovci: Ej.

Kryeziu : Urno shef!

Grabovci: Çka po bon?

Kryeziu: Qe

Grabovci: Atje te Drini, pe din?

Kryeziu: Po

Grabovc: A e ke, kënd e kem, a s’kem fol hiq as sen?

Kryeziu: Jo se kam të qartë.

Grabovc: 34 kanë konkuru.

Kryeziu: Për në bord a?

Grabovci: hë.

Kryeziu: Po, po unë s`kam as listë as kurgja hiq, kur skam listë qysh kam me të thanë kush ka konkuru.

Grabovci: Esat Krasniqi, Dalip Hoda, Habib Elshani ky shkon.

Kryeziu: Esatin mbaje të parin në listë.

Grabovci: Kënd, Esat..

Kryeziu: Krasniqin, po.

Grabovci: Shkon domëthanë?

Kryeziu: Po. Okej.

Grabovci: Hamëz Rama?

Kryeziu: Hiqe se s’pe nxhoh kush osht.

Grabovci: Ibrahim Bajraktari?

Kryeziu: S’po e nxhoh edhe kta.

Grabovci: Sami Gashi?

Kryeziu: Sami Gashi nuk po e di kush osht.

Grabovci: Xhelal Këpuska?

Kryeziu: Jo, jo.

Grabovci: Blerim Dyla?

Kryeziu: Jo.

Grabovci: Jeton Daku?

Kryeziu: Jo.

Grabovci: Bahrie Besimi?

Kryeziu: Bahrie Besimi?

Grabovci: Hë?

Kryeziu: Jo, s’po e di kush o.

Grabovci: Salih Sallteku?

Kryeziu: Jo, jo.

Grabovci: Fadil Kryeziu?

Kryeziu: Fadil Kryeziu?

Grabovci: Po.

Kryeziu: Kush i ka premtu, mos osht dikush prej tonve i paska premtu nashta?

Grabovci: Se di unë. A me shti a jo?

Kryeziu : Jo, jo s`të thom unë me shti atë, qysh kemi me shti atë po ja bajmë me ta si me Sylë Hoxhën tani na e qin nanën.

Grabovci: Bujar Hasani, më ka thanë Naiti o i joni.

Kryeziu : Bujar Hasani, ja qifsha nanën Naitit se drejtor i LDK-së osht ai. Bujar Hasani. Edhe le ta qin nanën Naiti me ta bashkë. Se drejtor i Eqremit oshtë ai.

Grabovci: Agron Shala?

Kryeziu : Azem Shala?

Grabovci: Agron.

Kryeziu: Agron Shala, jo s`pe di kush osht.

Grabovci: Rexhep Gashi?

Kryeziu: As Rexhep Gashin s’po e njoh.

Grabovci: Avni Caka?

Kryeziu: Avni Cakaj?

Grabovci: Po.

Kryeziu: S`pe di kush osht.

Grabovci: Naser Bajraktari?

Kryeziu: Qyky Naser Bajraktari po të kallxoj ty, ky thirret në emër të Partisë Demokratike edhe u bohet ma me kompetent se na në Prizren kur osht puna për PDK-në. Unë nuk ja di adresën këtij osht… m’doket i Fatmirit osht dikund i Malishëvës anena.

Grabovci: Une se shti pa m’thonë ti.

Kryeziu: Jo, qija nanën mos e shti, se po të kallxoj çka na ka ba tri vjet.

Grabovci: Luan Morina?

Kryeziu: Kush?

Grabovci: Luan Morina?

Kryeziu: Luan Morina, s`pe di kush është.

Grabovci: Bashkim Krasniqi?

Kryeziu: Bashkim Krasniqi, kha na kemi Bashkim Krasniqi…po s’di a osht i joni najkush.

Grabovci: Agim Thaçi?

Kryeziu: Agim Thaçi? Jo.

Kryeziu: Sa kena me i qu na tontit? A?

Kryeziu: Ami ti emrat Agim Thaçi. Amin Rrustemoviq.

Kryeziu: Po smuj, po qysh bre nonen ja qifsha me t`i dhanë emrat kur se di listën, kur se di kush ka konkurue. Esati e di që ka konkurs, se më ka vet.

Grabovci: Po qita janë që…

Kryeziu: Që kanë konkuru.

Grabovci: Drita Grazhda?

Kryeziu: Drita Grazhda, mahet me neve po s’osht me neve, se herën e kalume kur e kemi çue ka thanë më ka çue tjetër kush. A po din?

Grabovci: Atifete Zuma?

Kryeziu: Atifete?

Grabovci: Atifete Zuma.

Kryeziu: S`pe nxho.

Grabovci: Ali Zanaj?

Kryeziu: Edhe kta s’po e nxho.

Grabovci: Memnona Hajdini?

Kryeziu: Memnona Hajdini osht e koalicionit, .. osht grue e mirë. Duhet me e shti… për komunitete duhet me e shti qeto… ish deputete e jonja.

Grabovci: Amir Rrustemoviq.

Kryeziu: Amir Rrustemoviq?

Grabovci: He?

Kryeziu: Po, me mujtë me shti duhet me shti.

Grabovci: Afrim Berisha.

Kryeziu: Kush?

Grabovci: Afrim Berisha.

Kryeziu: Afrim Berisha, s`pe di kush osht.

Grabovci: Shqipe Arifi?

Kryeziu: Shqipe Arifi, osht e LDK-së.

Grabovci: Fat…

Kryeziu: Kush?

Grabovci: Fatmir Pireci?

Kryeziu: Ish-zëdhënës i Eqremit, qija nanën…

Grabovci: Daut Islami?

Kryeziu: Daut Islami, në qoftë se është qaj që po menoj unë, burrë i mirë po s’po di a është qaj që po menoj unë.

Grabovci: A osht i joni?

Kryeziu: Jo sosht.

Grabovci: Halit Isufi?

Kryeziu: Kush?

Grabovci: Halit Isufi.

Kryeziu: Halit Isufi, jo kta s’janë, po si regjion kanë konkuru ktu.

Grabovci: … Mizimi.

Kryeziu: Jo.

Grabovci: Mahir Vllaqo?

Kryeziu: Mahir Vllaqo, vëllau i Naim Vllaqos profesorit, s’janë me neve.

Grabovci: Sarandra Morina?

Kryeziu: Sarandra Morina, s’pe nxhoh, qikjo gjeneratë e re o.

Grabovci: Arben Krasniqi?

Kryeziu: Arben Krasniqi. Jo as kta s’pe nxho.

Grabovci: Qita jon emrat shoqi jam.

Kryeziu: Maj Amirin, Memnunën edhe Esat Krasniqin. Veç kqyre mirë Memnunin … e përdorin kartën e komuniteteve.

Grabovci: Po.

Kryeziu: Në kartën e komunitetve.

Grabovci: Memnunën…

Kryeziu: Amirin edhe Esat Krasniqin.

Grabovci: Fahrie Besimi, Habib Elshani, Esat Krasniqi.

Kryeziu: Po.

Grabovci: Qita unë po i propozoj.

Kryeziu: U ba shef.

Grabovci: Konsultohemi edhe një herë bashkë.

Kryeziu: Hajt.

Grabovci: Hajt. /Insajderi.com

(Në transkriptim të bisedave mund të ketë lëshime të vogla teknike).

Vajtimi i ekstremizmave fetarë në Kosovë – Nga Xhabir Hamiti

Shoqëria e jonë në vend që të merret me çështje të rëndësishme jetike dhe madhore të saj, ajo sot po detyrohet që të merret me fenomenin ekstremizmit të dhunshëm fetar, i cili sigurisht se më së paku do duhej të ishte pjesë e agjendës së saj ditore!.

Gazetarë dhe analistë të ndryshëm, përfshirë edhe ata të përmasave botërore së fundi u morën me neve, duke na paraqitur e portretizuar si shoqëri dhe vend të pëlleshëm, i cili po bënë vaditjen dhe rritjen e ekstremistëve të dhunshëm fetar!.

Një gabim i pafalshëm për neve?

Edhe pse është shumë e papranueshme që ne sot të përzgjidhemi në disa nga mediet botëror si një vend dhe shoqëri e cila kultivon ekstremizmin fetar dhe që prodhon terrorist potencial!.

Mendoj se një cilësim kaq gjeneral është i tepruar. Vogëlsia dhe pafuqia e jonë si vend i vogël dhe në konsolidimi e sipër nuk duhet të shërbejë si target për agjenda globale.

Ndërsa në anën tjetër, çdo njëri i cili ka pasur përgjegjësi publike në këtë vend, sidomos që nga pas lufta e deri më sot, duhet të ndihet përgjegjës dhe i turpëruar për neglizhencën dhe mosreagimin në kohë.

Në fakt, ajo që duhet të thuhet është se elementet e ngjyrosura me ekstremizëm në emër të fesë në përgjithësi erdhën tek ne gjatë dy dekadave të fundit. Më herët ato nuk ishin në mesin tonë. I sollën të tjerët në kohën me të ligë kur ne ende gjëmonim nga plagët e luftës shkatërrimtare.

Por, a i ndihmuam edhe ne sadopak zgjerimit të një interpretimi dhe predikimi të ngurtë në emër të fesë pas luftës në vendin tonë?
Përgjigjja është : Po i ndihmuam!

A ishim të vetëdijshëm për pasojat e mëvonshme që mund t`i kemi, kur vet toleruam mendimin fetar rigid të shtyrë nga agjenda politike të jashtme që të zë vend në shoqërinë tonë?.

Edhe për këtë përgjigjja është negative: Nuk ishim sa duhej të ishim!.
Ne gjithashtu nuk arritëm as të mbyllim derën për predikuesit e jashtëm dhe as të atyre të brendshëm, të cilët në Kosovën e pasluftës mendonin se Zotin e kanë më afër se të gjithë të tjerët, dhe se vetëm ata janë të thirrur që të flasin në emër të Tij.

Gjithashtu nuk e patëm as kapacitet teknik dhe logjistikë për të ndaluar propagandën e dhunshme në emër të fesë, të zhvilluar përmes mjeteve kibernetike, mirëpo për këtë sigurisht nuk jemi fajtor.

Por, cila është forma e parandalimit të mëtutjeshëm të një fenomeni të tillë?

Aq sa po shihet deri më sot ende nuk ka ndonjë hap konkret në parandalimin e ideologjisë fetare e cila çonë në ekstremizëm dhe radikalizëm të dhunshëm.

Sipas të dhënave të sakta, çdo vit nga Kosova mbi 40-50 studentë regjistrohen në universitete të ndryshme të botës, të cilat shumica e tyre me përjashtime të vogla janë të njohura për interpretimin dogmatik dhe të verbër të fesë.

Nëse këta studentë mbesin vetëm brenda domenit të universiteteve dhe të kurrikulave të tyre, çalimi dhe mangësia e tyre në raport me ambientin dhe rrethin tonë do të mbesin permanente.

Kthimi i tyre në vitet në vijim si dhe inkuadrimi i tyre në faltoret tona pa ndonjë parapërgatitje institucionale vendore, vetëm sa do ta rrisë problemin interpretimit të verbër të fesë, i cili pa asnjë dyshim se do të shtojë hutinë si dhe do jetë shkaktarë i luhatjes së tolerancës konfesionale, ndërkonfesionale dhe transkonfesionale.

Ne sot kemi aq shumë kuadro fetare vendore që më herët nuk i kishim, sa që fare nuk kemi nevojë të ikim jashtë vendit për të studiuar mësimet fetare.

Mjafton të përforcohen kriteret në institucionet tona edukative fetare dhe nga to të nxirren kuadro të mjaftueshme për vendin dhe ambientin në të cilin jetojmë.

Vajtimi është vesë i njeriut të dobët, jo vigjilent dhe jo vizionar për të ardhmen e tij.

Preventiva e sëmundjes është shumë më e lehtë sesa shërimi i saj.
Predikimet fetare të cilat nuk i kontribuojnë të mirës së individit, vendit tonë dhe shoqërisë në përgjithësi, nuk duhet duhet toleruar që të jenë pjesë e jona.

Sulmohet ndërtesa e Kuvendit të Kosovës

Ndërtesa e parlamentit të Kosovës është qëlluar të enjten në mbrëmje me një mjet shpërthyes që la pas vetes dëme materiale, por pa pasoja në njerëz.

Policia tha se tash për tash nuk dihen hollësi rreth këtij sulmi dhe as për autorët apo motivet e mundshme të tij dhe është duke kryer hetimet në vendin e ngjarjes.

Burime të policisë të pakonfirmuara, thanë se dyshohet që dy persona kanë qëlluar ndërtesën dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes me një motoçikletë që më pas është gjetur e djegur.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës reagoi duke e cilësuar këtë ngjarje një akt kriminal.

“Sulmi në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, është një sulm mbi shtetin dhe mbi demokracinë, është një sulm mbi të gjithë qytetarët e Kosovës. Kushdo që qëndron prapa këtij shpërthimi apo sulmi, çfarëdo që të jetë ai, është kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj. Aleanca për Ardhmërinë Kosovës, e dënon fuqishëm këtë akt kriminal dhe kërkon nga organet e rendit që të bëjnë krejt çka është në dorën e tyre, që të kapën autorët e tij dhe të nxirren para drejtësisë”.

Ndërtesa e Parlamentit ishte sulmuar edhe në muajin mars të këtij viti me shishe me benzinë dhe policia e kishte vlerësuar si “rast të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë”.

Rasti kishte pasuar një periudhë tensionesh politike dhe disa incidente kur në rrethana të pasqaruara ishin djegur makinat e disa zyrtarëve të Lidhjes Demokratike dhe Partisë Demokratike të Kosovës që përbëjnë koalicionin qeverisës.

Kosova po përballet tash e gati një vit me krizën më të thellë politike që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008, për shkak të mospajtimeve rreth një marrëveshjeje të arritur me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Të enjten qeveria e Kosovës miratoi projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi dhe e dërgoi atë për miratim në parlamentin e Kosovës.

Opozita dhe ekspertët e pavarur thonë se marrëveshja e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë tokë dhe hedhin poshtë pohimet e Komisionit Shtetërorë për kufirin se shënimi i tij është në pajtim me dokumentet në fuqi, përfshirë edhe planin në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është vënë si kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vonesa e saj mund të bllokojë planet për miratimin e liberalizimit në strukturat e Bashkimit Evropian. za

Të respektohet kodi patriotik – Nga Florim Zeqa

Patriotizmi është dashuria ndaj atdheut, besnikëria, gadishmëria e të qënurit në shërbim të popullit e vendit në çdo orë apo rrethanë kohore, duke mos kursyer asgjë nga vetja dhe pasuria, sepse atdheu është mbi të gjitha, është i shenjtë. Patriotizmi shërben si katalizator për ecjën përpara dhe zhvillimin e shtetit me vizion kombëtar, pa ndikime ideologjike apo ngjyrime të krahëve politik.
Dashuria ndaj atdheut dhe bashkomabsave, gjuhës, kulturës dhe traditave kombëtare është vyrtyt, është ndjenjë e papërshkruar me fjalë.
Patriotizëm, është të vlerësosh e kontributin e të tjerëve, të vlerësosh meritat dhe skrificën e të parëve, gjakun e dëshmorëve dhe ruajtjen e vlerave të lirisë.
Çështja kombëtare është diçka që ka të bejë më perceptimin personal të individit ndaj kombit e ndaj atdheut. Mbase dikujt kjo mundë t’i duket e thjeshtë, por në realitet është pak ma komplekse, per disa arsye:
­E para, ka të bejë me burimin e patriotizmit, i cili në radhë të parë rrjedhë nga familja. Një kryefamiljar i mirë i cili e respekton  dhe rehaton familjen e vet, padyshim se do të jetë i aftë të kontribuoj  për të mirën e fqinjëve të vetë dhe shoqërisë, në të kundërten nëse kryefamiljari nuk arrin të krijoi harmoni dhe qetësi shpirtërore në familjen e tij nuk ka pse të shkoi me tutje në shpërndarjen e “patriotizmit”.
E dyta, është etika (morali), një person që qendron mirë në aspektin moral, të njëjtin e dojnë dhe e çmojnë shumë fqinjët dhe rrethi shoqëror, pra, mund të jetë i dobishëm edhe për rrethin shoqeror, në të kundërten, një person që ka probleme morale, nuk mund të jetë i deshiruëshem dhe i dobishëm jashta familjes së tij.
E treta, është sinqeriteti, kjo e treta varet shumë nga dy të parat, që i bie, një person që rrjedhë prej një familje të mirë dhe të moralshme, pa dyshim do të jetë edhe vetë i sinqertë, në të kunderten personi që nuk ka edukatë të shendoshë familjare,e ka të veshtirë të krijoi personalitetin e vetë të ndryshem nga familja e tij.
Familja, morali, sinqeriteti, janë keto tri nga shumë elemente tjera që e bejnë individin të jetë patriot (atdhetar) i mirë. Përfshirja e këtyre elementeve dhe të tjerave si: humaniteti, besa, guximi, durimi, vendosmëria, burrëria, qëndresa, dashuria ndaj atdheut,… e që të gjitha keto më një emër do ti quaja KODI PATRIOTIK.
Kod ky, i cili duhet të jetë i respektueshem nga të gjithë, e në veqanti nga ata që e marrin guximin të thirren në emër të popullit, në emër të vlerave kombëtare e patriotike.
Për të kuptuar çështjen e kodit patriotik, më së miri e shofim nëse e bëjmë një refleksion të shkurtër historik nga viti 1990 e deri më sot.
Në vitet e 90-ta, udhëheqesit politik, veprimtarët e patriotët ishin sinonim i së mirës, admiroheshin e respektoheshin aq shumë nga populli i tyre, sa që  trajtoheshin si idhuj,…per faktin se kemi pasur një lidership të pergjegjëshem siq ishte Ibrahim Rugova, i cili në plotni i permbahej KODIT PATRIOTIK, ku si rezultat ka pas ushtrimin e pushtetit moral në tërë territorin e vendit, duke arritur për afro 10 vite rresht edhe mbajtjen e shtetit paralel të Kosovës me të gjitha shërbimet për qytetarët, karshi një okupimi të egër e barbar serb.
Kur e kujtoj periudhën e vitevë te 90-ta, më bënë të ndihem i privilegjuar dhe krenar që isha pjesë e aktiviteteve dhe veprimtarisë politike të levizjes paqësore (LDK), ku secili prej nesh dhamë krejtë çka kishim nga vetja jonë për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Ideali i vetëm i veprimtarëvë të asaj periudhe historike ka qënë shteti i Kosovës, e jo pushteti.
Ndërsa pas perfundimit të luftës e këndej, e veqmas këtyre viteve të fundit të pas ri-shpalljes së  pavarësisë së Kosovës, udhëheqësit politik, pozitë e opozitë shikohen më një sy tjeter, për faktin se nuk e respektuan siq duhet KODIN PATRIOTIK, të qasjes ndaj shtetit dhe qytetarëve.
“Patriotet” e ditëve të sotme, shtetin e kanë bërë burim të pasurimit të tyre, ndersa popullin e shfrytëzojnë si instrument gjatë fushatave zgjedhore për marrjen (mbajtjen) e pushtetit. Politikanët e ditëve të sotme “patriotizmin” e kanë shëndrruar në biznes ditor, për përvetësimin e pasurive nga pronat shoqërore e publike, duke u shkëputur krejtësisht nga hallet dhe problemet e popullit.
Nën “formulën” e privatizimit, Kosovën e kanë shndrru në një shoqëri skllavopronare, ku liderët shtetëror dhe partiak janë bërë pronar të pasurive shtetërore, duke e trajtuar popullin si skllavë ( shërbëtor ) të tyre.
Nga keqpërdorimi i KODIT PATRIOTIK, janë pasuruar e janë ngritur aq lartë sa që zërin e popullit nuk e degjojnë më, po mendojnë se janë berë vetë-Zoti.
 Ata që vetën e mendojnë si të tillë vertetë vlejnë pak, shumë më pak se njerëz.
Si pasojë e kësaj njerëzit e politikës, shiqohen më ironi nga popullata, janë bërë sinonim i së keqës. Shumë aktivist, veprimtar politik e atdhetar të devotshëm të çështjes kombëtare janë duke u djegur nën hijen e këtyre keq-përdoruesve të KODIT PATRIOTIK.
Populli i nderon dhe i çmon shumë veprimtarët e të gjitha periudhave historike, luftetarët e lirisë, ata të cilët dhanë gjymtyrët e trupit për lirinë që e gëzojmë sot, më pietet të lartë i kujton të gjithë dëshmorët e martirët, i kujton dhe nuk i harron asnjëherë të vrarët e të zhdukurit gjatë luftës, ku të gjthë së bashku janë bërë gurëthemel i fortë i shtetit të Kosovës.
Historia jo shumë e largët e popullit shqiptar na tregon mjaftë mirë se si patriotët e vertetë gjithmonë kanë sakrifiku gjithçka nga pasuria e tyre për popull e për atdhe deri të më e shtrënjta-jetën e tyre.
Ndërsa “patriotët” e ditëve të sotme çuditërisht, e bënën të kundërten e saj, duke e shfrytëzuar fatkeqësinë e popullit të tyre janë pasuruar tejë mase, ku nga hiqi u bënë milionera, në të njëjten kohë,…duke u thirrur në gjakun e dëshmorëve më qëllim të marrjes së primatit të “çlirimtarëve e shpëtimtarëve” të kombit , janë shndrruar në shkelësit më të medhënje të gjakut të dëshmoreve dhe martirëvë  të Kosovës.

Demarkacioni votohet të enjten tjetër

Pas dërgimit të Projektligjit të demarkacionit me Malin e Zi, nga Qeveria në Kuvendin e Kosovës, u raportua në media se sot do të votohet për ratifikim.

Por lajmi.net merr vesh nga burime se Demarkacioni do të votohet në seancën e rregullt e cila do të mbahet të enjten e ardhshme.

Albin Kurti: Demarkacioni e zhbën shtetësinë e Kosovës

Derisa para Kuvendit të Kosovës, po mbahet protestë, brenda ka filluar seanca parlamentare. Në fjalën e tij deputeti i Vetëvendosjes Albin Kurti ka thënë se Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi është marrëveshje kapitullimi për Kosovën

 

Albin Kurti në fillimin e seancës së Kuvendit ka thënë se Kosova nuk ka kufij e as territor me ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

“Marrëveshja e demarkacionit tregon se Kosova nuk ka kufij, nuk ka shtet, nuk ka qytetarë, e me këtë ne jemi refugjatë”, ka thënë Kurti.

Ai gjithashtu ka thënë se Marrëveshja e Thaçit dhe Hysenit me homologët malazez është marrëveshje e kapitullimit të Kosovës.

Mirëpo, krejt në fund, Kurti nuk arriti ta përfundoj fjalën e tij, ku iu drejtua deputetëve të Kuvendit se cilën Amerikë e duan, pasi iu ndërpre fjala nga nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti.

Ai tha se edhe Qeveria edhe opozita e duan fort SHBA’në, po sipas është e rëndësishme se cilën Amerikë e duan, atë të Alkapones apo të Kenedit, Rusveltit e Martin Luter Kingut./GazetaExpress/

Ku na mbetën 6000 hektarë? – Nga Luan Shllaku

Mbeta gjatë dje duke parë debatin shkencoro-profesional për kufirin me Malin e Zi. Dhe duket se njëra nga arsyet pse mbeta aq gjate ishte se krejt kohën pritsha argumente shkencore nga ata qe flitnin, por kot! Duket se disa prej tyre e kishin kap per bishti shkencen: na prezentonin, ose me mire te them na tregonin do harta, dhe fitova pershtypje se ne at pazar, argumenti shkencor ishte me i madh sa me e madhe qe ishte harta, qe e hapnin per disa sekonda.

Dhe per ta kthy kete shkence ne komedi, prezentuesit e te gjitha rrymave te mendimit, pasi qe e hapnin harten per disa sekonda, na thonin: siç po e shihni ketu, situata eshte kjo… Ne nderkohe qe asgje nuk ishim ne gjendje te shohim as te kuptojme nga keto prezentime!!! Prita me ore te tana qe ndokush, cilido, ta thote at fjaline magjike e cila do te ma qartesoje tere punen. Por se tha kush! Gara qe behej aty ishte: kush ka me shume harta, sidomos te medha, eshte shkencetare me i madh!

E tash, mbasi qe jemi te shkenca (nuk besoj se ka vend ne bote ku me kete term abuzohet ma shume), ajo qe arrita ta kuptoj eshte se kishin humbur diku nja 6000 hektare toke. Kishin humbur nga teritori i Kosoves, te jem me i sakte, qe implikon se kishin kaluar ne fondin tokesor Malazias. Dhe mu kujtu nje nga ligjet themelore te natyres, Ligji i Rruajtjes se Mases. Pra, shkencetaret qe ishin para neve dje ne kete debat maratonik, e dinin, se sipas ketij ligji ato 6000 hektare smund te humbin, por jane dikund.

Duhej thjeshte qe te dy palet te tregojne se ku janw tretur? Komisioni shteteror thonte se jane aty dikund, por nuk na solli ndonje qeles “shkencor” per t’i gjete! Komisioni i pavarur tregoi se e ka edhe dokumentacionin malazias ne dispozicion, por nuk na tregoi se ne cilat parcela katastrale, ne Mal te Zi, shkuan ato 6000 hektarë. Ose unë me te vërtet edhe këtë pjese se kam kuptuar si duhet, për çka ju kërkoj falje te gjitha palëve te involvuara. Ama, ndoshta faji është i tyre, se nuk me bene te kuptoj. Kete ma thotë edhe një rreth i gjere i njerëzve me te cilet shoqërohem.

E tash nese e kam kuptu mire deri ketu, mendoj se te gjitha paleve i mbetet t’i gjejnë këto hektarë te humbura, dhe te na tregojnë se pse janë aty ku janë? Nëse dështojnë, atëherë e kane edhe një mundësi: ta kundërshtojnë fuqishëm ligjin e rruajtjes se masës, dhe kush e di, mund te na dal edhe ndonjë nobelist nga kjo pune!

Vetëvendosje me përkrahësit mblidhen para Kuvendit (fotot)

Përkrahës të Vetëvendosjes janë mbledhur para dyerve te Kuvendit. Qëllimi i kësaj proteste është kundërshtimi i demarkacionit.

Ndërkaq, pjesëtaret e policisë janë vendosur para rrethojës se hyrjes të Kuvendit.

vvpr2vvpr3vvpr4vvpr5

Paralajmëron Albulena: Situata do të dalë jashtë kontrollit

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë se procedimi i marrëveshjes për Demarkacion në Kuvend nga ana e Qeverisë së Kosovës, është tradhti ndaj kombit, demokracisë, vullnetit të qytetarëve dhe fakteve.

Këto komente Haxhiu i bëri përmes një postimi në Facebook.

Postimi i plotë:

Qeveria në orët e hershme të mëngjesit, ka proceduar në Kuvend marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi edhe përkundër fakteve që dje pas argumenteve të profesoreve dhe eksperteve edhe njëherë u dëshmua se me marrëveshjen e nënshkruar nga Thaçi, Malit të Zi janë falë mbi 8200 ha!
Procedimi i kësaj marrëveshje është tradhëti ndaj kombit, demokracisë, vullnetit të qytetarëve dhe fakteve!

Është tashmë evidente që situata do të dal jashtë kontrollit dhe për këtë do të mbahen përgjegjës Mustafa, Thaçi e Veseli!

Nis seanca në Kuvend, ja cilët deputetë të opozitës po marrin pjesë

Deputetët tashmë kanë ardhur në sallën plenare ku për pak pritet të filloj seanca plenare e Kuvendit të Kosovës.

Nga deputetët e opozitës në sallë janë vetëm Albin Kurti, Mytaher Haskuka e Ismajl Kurteshi.

Ndërsa kabineti qeveritar ende nuk ka ardhur përpos ministres Hykmete Bajrami.

Vetëvendosje thërret popullin të mblidhet para Kuvendit

Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar qytetarët e aktivistët, që sot në orën 10:00 të mblidhemi para Kuvendit të Kosovës.

Sipas Vetëvendosjes, nëse nuk tërhiqet Qeveria, gjendja do të dalë jashtë kontrollit dhe rezistenca do të jetë edhe më e ashpër se kurdoherë.

Sipas VV-së është momenti vendimtar që të mbrohet Republikën nga këta kriminelë e zaptues, kurse demarkacioni nuk do të kalojë.

“Qeveria e Kosovës po e provokon situatën. Nëse nuk tërhiqet Qeveria, gjendja do të dalë jashtë kontrollit dhe rezistenca do të jetë edhe më e ashpër se kurdoherë”, kanë thënë në Vetëvetëvendosje.

 

Cilët deputetë të LDK – së vizituan Çakorrin (fotot)

Një ditë përpara se të mbahej tryeza shkencore lidhur me Demarkacionin, deputetët e LDK –së, Besa Gaxheri, Armend Zemaj, Arben Gashi si dhe ish kryetari i komunës së Pejës Ali Lajqi së bashku me disa anëtar të tjerë të LDK – së kishin vizituar Qakorrin pikërisht pikën ku mendohet se është kufiri.

Anëtari i LDK-së, Kushtrim Gjevukaj, të martën i ka postuar disa fotografi ku shihet së bashku me Gaxherin, Zemaj, Gashin e Lajqin, njofton Klan Kosova.

“Dr. Ibrahim RUGOVA kishte paralajmëruar për DEMARKACIONIN:

Kufiri me Malin e Zi do të jetë pika e Çakorrit !

Sot u zotuam qe amanetin e presidentit RUGOVA ta qojmë në vend !”, ka shkruar ai.

depldk2depldk3depldk4depldk5

Qeveria e dërgon në Kuvend demarkacionin

 Qeveria e Kosovës sot ka miratuar dhe proceduar në Kuvend Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Qeveria edhe mëngjesin e sotëm ndërroi agjendën e takimit. Ajo u mblodh 45 minuta më herët se sa e kishin paralajmëruar për media. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se prej kësaj marrëveshje varet liberalizimi i vizave dhe integrimet evropiane,m raporton TV Arta.

“Nëse në të ardhmen paraqitet ndonjë fakt që e dëshmon të kundërtën, atëherë Ligji e parasheh që ky proces mund të zgjidhet përmes arbitrazhit apo përmes marrëveshjes direkte me Malin e Zi”, ka thënë ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka ripërsëritur se ky vendim është i drejte dhe se kauza e opozitës është e paqëndrueshme. Ai ka thënë se Projektligji procedohet në Kuvend në mënyrë të rregullta, ndërsa Kryesia e Kuvendit vendos kur do ta mbajnë seancën për demarkacionin.

Presioni mbi deputetët mund ta kalojë demarkacionin

Kuvendi i Kosovës do të mund ta kalojë ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, për shkak të presioneve që deputetët mund t’iu nënshtrohen, kanë deklaruar njohës të rrethanave politike në vend.

Sipas tyre, presioni politik do të rritet posaçërisht ndaj atyre deputetëve të Kuvendit të Kosovës, nga partitë në pushtet, që kanë shprehur rezervat e tyre ndaj gjithë procesit të demarkacionit.

Miratimi i Marrëveshjes për demarkacion, thonë njohës të rrethanave, mund të kalojë në njërën nga seancat e ardhshme të Kuvendit, pavarësisht kundërshtimeve që mund të ngrisin sërish deputetët e opozitës në vend.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin varet vetëm nga presionet që mund t’iu bëhen disa deputetëve, në të kundërtën qeveria aktualisht nuk i ka votat e mjaftueshme për ta kaluar këtë proces.

“Është e qartë se kanë filluar presionet qoftë të hapura, qoftë në prapa skenë ndaj deputetëve të koalicionit qeverisës që nuk pajtohen me këtë demarkacion dhe votimi apo jo i demarkacionit do të varet nga suksesi i presionit qoftë ndërkombëtarë apo brenda partiak ndaj deputetëve të cilët nuk janë ende të bindur që ta votojnë”.

“Mirëpo, nëse këto presione arrijnë sukses, atëherë natyrisht qeveria do të trimërohet dhe do ta dërgojë demarkacionin në Kuvend, mirëpo nëse jo, atëherë mund ta presim edhe shpërbërjen e qeverisë dhe zgjedhjet e reja”, thekson Muhaxhiri.

Mbetet sigurimi i dy të tretave të votave të deputetëve për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, ngase nuk është vetëm opozita, por janë edhe disa deputetë nga partitë në pushtet që nuk e pranojnë versionin aktual të marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.

Petrit Zogaj, analist dhe drejtor ekzekutiv i organizatës “Fol”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tregon se koalicioni qeverisës nuk po tregon se ka votat e mjaftueshme që kjo marrëveshje të kalojë.

Mirëpo, Zogaj shton se koalicioni qeverisës po mundohet të bën gjithçka që është e mundur që demarkacioni të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.

“Mund të ketë presion, mund të ketë bindje, mund të ketë diskutime, por e shoh që lidershipi i të dyja partive politike në qeveri janë të interesuar që kjo marrëveshje të kalojë, por, kanë deputetë rebel që po tregohen se nuk mund të binden për të votuar marrëveshjen që Hashim Thaçi e ka nënshkruar në gusht të vitit të kaluar”, thekson Zogaj.

Ndërkohë, një debat për demarkacionin, i organizuar të mërkurën në Kuvendin e Kosovës, me pjesëmarrjen e Komisionit shtetëror, të ekspertëve, shoqërisë civile, deputetëve të të gjitha grupeve parlamentare dhe udhëheqësve të institucioneve të vendit, ka ripërsëritur qëndrimet e palëve.

Opozita thotë se demarkacioni duhet të zhbëhet për të rinisur një tjetër proces, por paritë në pushtet dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare kanë bërë thirrje për votimin e marrëveshjes me të cilën do të hapej perspektiva e Kosovës.

Këtë debat në të cilin u diskutua për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri e quan të kotë i cili nuk mund të rezultojë me asnjë element konstruktiv dhe të dobishëm.

“Në esencë nuk do të ketë kurrfarë rezultati është një tentim i zbrazët i cili për fat të keq do të vazhdojë mjegullojë çështjen e demarkacionit dhe nuk do të rezultojë me afrimin e qëndrimit të të dyjave palëve”, thekson Muhaxhiri.

Ndërkohë, analisti Petrit Zogaj, i cili ka ndjekur për së afërmi debatin e zhvilluar në kuvend për demarkacionin, thekson se ky debat vetëm sa i ka thelluar përçarjet mes palëve edhe më shumë.

“Çfarë ka shërbyer ky debat, vetëm se ata ia kanë detajuar kundërshtimet dhe mosmarrëveshjet më thellë dhe nuk pritet që ky debat t’i përafrojë qëndrimet,përkundrazi i ka larguar tutje dhe pothuajse e ka bërë të pamundshme që të arrihet ai konsensusi që kërkohet”, thotë Zogaj.

Mali i Zi dhe Kosova kanë nënshkruar marrëveshjen për përkufizim të vijës kufitare në Vjenë në fund të muajit gushtit të vitit të kaluar në praninë e presidentit malazez Filip Vujanović dhe kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, si dhe në prani të ministrit të jashtëm të Austrisë Sebastian Kurz.

Ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi është kushti i fundit të cilin Bashkimi Evropian pret që Kosova ta zbatojë, para se kjo e fundit ta marrë liberalizimin e vizave. (REL)

Hakif Bajrami: Kufiri është në Çakorr dhe pikë

Historiani Hakif Bajrami i përshirë në debatin për Demarkacionin ka dhënë fakte se komisioni shtetëror për demarkacion e ka bërë raportin gabimisht.

Bajrami në këtë debat ka paraqitur fakte nga hulumtimet dhe puna e tij si historian.

Bajrami i cili ka qenë drejtor i Arkivit të Kosovës tha se kufiri i Kosovës me Malin e Zi është në Çakorr.

Kryeprokurori Lumezi: Nuk ka akuzë për përgjimet telefonike

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi

Prokuroria e shtetit të Kosovës nuk do të fillojë hetime lidhur me bisedat e përgjuara telefonike të shefit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, me zyrtarë të ndryshëm të kësaj partie, përfshirë edhe ish-kryetarin e saj, Hashim Thaçi, dhe kryetarin aktual, Kadri Veseli.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se përgjimet e bisedave telefonike të zyrtarëve të lartë të PDK-së kanë qenë objekt i shqyrtimit ndërkombëtar, të prokurorit të Eulex-it, në rastin e ish-Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, në vitin 2011.

“Niveli i provave që kanë qenë objekt i vlerësimit nga prokurori ndërkombëtar, sipas tij, nuk kanë qenë të mjaftueshme për të ngritur akuzë”, tha Lumezi.

Bisedat e përgjuara të shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, u publikuan pak ditësh më parë nga gazeta në internet, Insajderi.com, dhe në bazë të tyre zyrtarë të lartë të Partisë, sipas gazetës, shfaqin ndikimin e ushtruar nga kjo parti në emërimet në postet qeveritare, në drejtësi, media dhe në polici.

Gazeta pohon se ka mbi njëmijë biseda të përgjuara telefonike, të nxjerra me vendim gjykate, gjatë fundvitit 2011, dhe ato u rishfaqën sërish pas gati pesë vjetësh.

Në dhjetor të vitit 2012 u publikuan disa përgjime, ku protagonist ishte prapë shefi i grupit parlamentar, Adem Grabovci, dhe në to u përfshinë çështje të ndryshme të veprimtarisë qeveritare e partiake.

Zyrtarë të EULEX-it, që përgjuan bisedat me vendim të gjykatës në kuadër të hetimeve në ministrinë e Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit, thanë se “materialet e bisedave u bënë publike pasi i ishin dorëzuar Gjykatës dhe Këshillit të Mbrojtjes në një proces gjyqësor”.

Pesë vjet më pas, publikimi i bisedave të përgjuara ka nxitur sërish reagime. Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka theksuar se publikimi i bisedave “është tendencë për eliminime politike”.

Organizata të shoqërisë civile kërkojnë ndriçimin e plotë të këtyre zhvillimeve, ndërsa në prokurorinë e shtetit thonë se janë “duke i analizuar ato”. (REL)

Debati: Presidenti dhe kryeministri mbështesin demarkacionin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi (djathtas) dhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u bëri thirrje sot pjesëmarrësve në tryezën shkencore-profesionale që të bëjnë “debat të hapur dhe profesional dhe të shpalosin argumentet. Ai tha se shenjimi i vijës kufitare me Malin e Zi ka marrë mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe Kosova, sipas tij, nuk ka humbur asnjë pjesë të territorit të saj”.

Debati i thirrur nga kryesia e Kuvendit të Kosovës, me kërkesë të 24 deputetëve nga radhët e LDK-së, LVV-së dhe PDK-së, do të përballë gjatë ditës së mërkurë komisionin shtetëror për demarkacion me Malin e Zi dhe eskpertët e fushës, si dhe deputetët e Kuvendit.

Presidenti Thaçi i dha një mbështetje të fuqishme komisionit shtetëror, duke e cilësuar punën e tij “të drejtë” që ka nxjerrë një “marrëveshje me Malin e Zi e cila është përkrahur nga të gjithë mbështetësit e Kosovës”.

“Shënjimi i vijës kufitare ka marrë mbështetje nga Bashkimi Evropian. Ju ftoj për një debat sa më të hapur dhe sa më profesional, ku do të shpalosen vetëm argumentet. Ftoj që të keni parasysh se sot nuk është në pyetje vetëm marrëveshja, por edhe aftësia shtetërore e Kosovës. Aftësia për të arritur marrëveshje ndërkombëtare, për të funksionuar si shtet dhe si anëtar i barabartë”, tha presidenti Thaçi, duke nënvizuar se “Kosova nuk ka humbur asnjë metër katror të territorit të vet.”

“Institucionet dhe komisioni kanë bërë demarkacion e nuk kanë bërë histori”, ka thënë presidenti Thaçi.

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka dhënë pothuaj të njëjtin vlerësim me Presidentin, duke thënë se “Kosova nuk ka humbur terroritror me marrëveshjen e arritur më Malin e Zi.

Ai tha se puna që ka bërë komisioni shtetëror për demarkacion është e drejt dhe caktimi i kufijve është bërë në mënyrë të saktë.

“Nëse themi se kemi humbur tokë. Ejani sot ta argumentojmë. Unë mendoj se përfundimi i këtij takimi meriton të jetë pranim i fakteve se nuk guxojmë të luajmë me fatin e Kosovës dhe të qytetareve të saj për interesa politike as të pozitës e as të opozitës. Ne duhet të punojmë bashkërisht për interesa reale të çdo njeriu në Kosovë”, tha Mustafa.

Debati për demarkacionin që po zhvillohet në një sallë alternative të Kuvendit, nisi me fjalën e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, i cili theksoi se debati për demarkacionin i ka munguar venditpër një kohë të gjatë.

“Duhet të punojmë për interesat e qytetareve dhe për dinjitetin e tyre. Kjo është një mundësi e mirë që ballafaqohen argumentet për kufirin. Është e rëndësishme që të përçohen mesazhe të mira që Kosova të këtë raporte të mira më shtete fqinjët”, tha Veseli. (REL)

Pas debatit, Kuvendi brenda ditësh miraton Demarkacionin me kushte

Liqenati – Rugovë – Vija ndarëse mes Kosovës dhe Malit të Zi

Pavarësisht rezultatit të tryezës për debat të thirrur nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës dhe klimës që mund të krijohet, procesi i miratimit të marrëveshjes së debatueshme për Demarkacion të kufirit me Malin e Zi, pritet të kalojë në një seancë të rregullt brenda gjysmës së dytë të muajit gusht, thonë burime të afërta me procesin.

Qeveria e Kosovës, thuhet se, brenda pak ditësh mund ta dërgojë në Kuvend Marrëveshjen për Demarkacion me Malin e Zi, duke kërkuar pajtimin e shumicës për të kaluar një kusht të domosdoshëm evropian.

Mësohet se drafti i ri që pritet ta diskutojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës gjatë javëve në vijim, do të përmbajë një klauzolë të veçantë me të cilën do të kërkohet që, siç thuhet, “çështjet kontestuese të rinegociohen me Malin e Zi”.

Ky thuhet të jetë një prej kompromiseve që mund të jenë arritur me opozitën, e cila ka kundërshtuar fuqishëm ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi, për shkak të, siç thotë, humbjes së një pjese të territorit të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë mëson se deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mund të vendosin që në vend të këtij formulimi të kërkojnë “arbitrazh ndërkombëtar” në diskutimin për Marrëveshjen për Demarkacion, që do të organizohej brenda javësh në Kuvend, dhe që si diskutim do të shënonte edhe një hap përpara në përmbushjen e një kushti të rëndësishëm evropian.

Nëse për asgjë tjetër, debati i Kuvendit të Kosovës, që pritet të mbledh për herë të parë palët në ‘konflikt’, do të mund të vlerësohet si një mënyrë për të tejkaluar një situatë të pamundshme të krijuar në Kosovë dhe për t’i hapur asaj rrugën për dy procese të rëndësishme: liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit dhe vazhdimin e punës për ndërtimin e Gjykatës Speciale.

Kushti i liberalizimit të vizave për Kosovën, i vënë nga Komisioni Evropian në rekomandimin e tij për lëvizjen e lirë të qytetarëve për Demarkacion të kufirit me Malin e Zi, përfundimisht duhet të plotësohet me fillimin e muajit shtator, kur Parlamenti Evropian do të duhej të votonte mbi raportin e raportueses Tanja Fajon për t’i hapur rrugën Këshillit Evropian që ta bëjë të njëjtën gjë.

Nëse Kosova kalon afatet e përcaktuara, dhe jo më larg se deri më 20 tetor, procesi i liberalizimit të vizave do të shtyhej për një periudhë të pacaktuar kohore, me cilësimin se ajo nuk mund të menaxhojë proceset e brendshme.

Gjithsesi se votimi në Kuvendin e Kosovës, në çfarëdo forme do të mund të shpëtonte edhe qeverinë aktuale të Kosovës e cila është gjendur përballë një konfrontimi të rëndë më opozitën, që po kundërshton Marrëveshjet e nënshkruara prej saj.

Me bllokadën që çon drejt problemeve edhe me partnerin e koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës është detyruar që të kërkojë përmes deputetëve të saj e në bashkëveprim me Lëvizjen Vetëvendosje një zgjidhje përmes tryezës për debat duke e cilësuar atë si të domosdoshëm për të nxjerrë vendin nga situata e krijuar.

Tryeza, i thanë Radios Evropa e Lirë zyrtarë të partive në pushtet, do të zbardhë edhe agjendën e Kuvendit në ditët në vijim. (REL)


Send this to a friend