VOAL

VOAL

Kosova mbyll institucione paralele serbe në dhjetë komuna

Ndërtesa e Postës së Serbisë në Graçanicë, më 15 janar 2025.

 

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se në mëngjesin e së mërkurës janë mbyllur komuna paralele të Serbisë, si dhe posta e zyra tatimore në dhjetë komuna të ndryshme të vendit.

Aksionet policore u ndërmorën në komunën e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skënderajt.

“Me aksion të përbashkët, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në postimin e Sveçlës në rrjetet sociale.

Në videon e publikuar nga ai, u pa edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, duke thënë se “nga sot, 28 komunat paralele, kriminale të Serbisë në Kosovë dhe pesë qarqet e tyre mbyllen përfundimisht”.

Autoritetet në Kosovë thonë se puna e këtyre institucioneve serbe, që ishin në funksion që nga paslufta më 1999, është “e paligjshme”, dhe nisën mbylljen e tyre qysh në fillim të vitit të kaluar.

Lisa Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – paralajmëroi se do të mbajë një mbledhje dhe adresim për mediat gjatë ditës.

Në Serbi, ministri i Jashtëm, Marko Gjuriq, e cilësoi aksionin e fundit të autoriteteve të Kosovës si një “përshkallëzim të rrezikshëm”.

“Këto lëvizje agresive nuk janë vetëm sulm ndaj institucioneve, por edhe përpjekje e hapur për t’i minuar të drejtat kolektive dhe identitetin e serbëve në Kosovë”, shkroi Gjuriq në rrjetet sociale.

Ai tha se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të heshtë, por “t’i mbrojë të drejtat e serbëve në Kosovë”.

Edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq – i cili ndodhet në Bruksel për takimin e parë të Komisionit të përbashkët Kosovë-Serbi për të pagjeturite cilësoi aksionin si “sulm” dhe tha se “një terror i tillë vë në pikëpyetje vetë dialogun”.

“Është e qartë përse [kryenegociatori i Kosovës, Besnik] Bislimi nuk u paraqit sot në Bruksel. Me delegacionin e Beogradit erdha me qëllim që sot të trajtojmë çështjen e personave të zhdukur, ndërsa [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti dhe Prishtina zgjodhën rrugën e dhunës dhe të veprimeve të njëanshme”, shkroi Petkoviq në rrjetet sociale.

Radio Evropa e Lirë raportoi më herët se Policia e Kosovës ka hyrë në Postën e Serbisë në Graçanicë dhe në komunën paralele të Prishtinës, e cila që nga paslufta funksionon gjithashtu në Graçanicë.

Para ndërtesës së Postës së Serbisë u vendos një shirit i verdhë dhe gazetarët e Radios Evropa e Lirë raportojnë se, aktualisht, zyrtarë të policisë ndodhen brenda këtyre dy institucioneve, ndërsa punonjësit e tyre janë duke u larguar nga objektet.

Komuna paralele të Prishtinës, e cila që nga paslufta funksionon në Graçanicë.

Komuna paralele të Prishtinës, e cila që nga paslufta funksionon në Graçanicë.

Policia e Kosovës tha se drejtoritë rajonale të Prishtinës, Gjilanit, Gjakovës dhe Mitrovicës së Jugut janë duke zhvilluar operacione policore, por nuk konfirmoi se për çfarë operacionesh bëhet fjalë.

“Pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen publike informacione shtesë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për REL-in.

Degë të tjera të Postës së Serbisë ishin mbyllur edhe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, më 5 gusht të vitit të kaluar.

Ky veprim u kritikua nga BE-ja dhe SHBA-ja, që atëkohë u shprehën “thellësisht të zhgënjyera” dhe e cilësuan aksionin si “të njëanshëm dhe të pakoordinuar”.

Edhe shumë institucione të tjera serbe u mbyllën në aksione të ngjashme të Policisë së Kosovës vitin e kaluar dhe në fillim të këtij viti.

Megjithatë, Radio Evropa e Lirë raportoi së voni se puna e tyre vazhdon, përkundër mbylljes.

Cilat institucione u mbyllën?

Policia e Kosovës mbylli më 8 janar Administratën Tatimore në Mitrovicën e Veriut, e cila funksiononte në kuadër të sistemit të Serbisë, për shkak të, siç u tha, “aktiviteteve të paligjshme”, si dhe kompaninë e sigurimeve nga Serbia “Dunav Osiguranje”, për shkak të dyshimeve se punonte pa licencë.

Kosova nisi mbylljen e institucioneve serbe qysh në janar të vitit 2024, duke ua vënë fillimisht drynin organeve të përkohshme komunale të Dragashit, Suharekës, Prizrenit dhe Rahovecit, të cilat gjendeshin në jug të lumit Ibër.

Pastaj u mbyllën organet e përkohshme komunale të Pejës, Istogut, Klinës, Skenderajt, si dhe ato në komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Ndërkohë u mbyllën edhe degët e Postës së Serbisë në veri të Kosovës, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq, Banka Kursimorja e Postës, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ Kosovë-Mitrovicë dhe Qendra për Punë Sociale në Vushtrri.

Të gjitha këto institucione me mijëra punëtorë funksiononin në sistemin e Serbisë. REL

EULEX-i përforcon njësitin policor të specializuar në Kosovë

Forcat e EULEX-it në Kosovë

 

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka thënë të martën se është duke e përforcuar Njësinë Policore të Specializuar (NJPS) të tij përmes dislokimit të përkohshëm të pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmërisë (EUROGENDFOR) nga Franca, Italia, Lituania dhe Portugalia.

Sipas njoftimit këta policë do të punojnë “krah për krah me NJPS-në e siguruar nga Policia e Polonisë për ta përmbushur mandatin e Misionit në mbështetje të stabilitetit në mbarë Kosovën dhe për të garantuar siguri për të gjitha komunitetet”.

Ky njoftim vie një ditë pasi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se aleanca ushtarake perëndimore është në kontakt me Kosovën dhe Serbinë që të sigurohet që të mos ketë destabilizim në Kosovë gjatë zgjedhjeve parlamentare që mbahen më 9 shkurt.

Rutte e ka quajtur situatën në Bosnje e Hercegovinë dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë si “çështje kyçë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Forcat shtesë të EULEX-it pritet të arrijnë në Kosovë gjatë ditëve në vijim si dhe sipas njoftimit do të kryejnë patrullime të dukshme.

Ky do të jetë dislokimi i pestë i njësitit rezervë së EULEX-it, ndërsa dislokimi i parë është bërë në mars 2022.

EULEX-i shërben si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë në kuadër të mekanizmit me tre nivele të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti, kurse misioni KFOR i udhëhequr nga NATO është i treti.

Kosova do të mbajë zgjedhje të rregullta parlamentare më 9 shkurt.

Mbajtja e votimeve po bëhet në kohën kur në dy vjetët e fundit tensionet kanë qenë të larta në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

Në shtator të vitit 2023, në veri të Kosovës një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter.

Gjatë këmbimit të zjarrit që pasoi në Banjskë të Zveçanit, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Ndërkaq, në nëntor të vitit të kaluar ndodhi një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.

Ky kanal furnizon me ujë disa komuna të Kosovës dhe uji i tij përdoret për ftohjen e termocentraleve.

Për të dy ngjarjet, Kosova e fajësoi Serbinë, e cila mohoi përfshirjen në sulme. REL

Presidenca polake e BE, Kosova kërkon pyetësorin dhe statusin e vendit kandidat

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian ka mbetur në sirtarët e Brukselit. Situata nuk pritet të ndryshojë as të paktën në pjesën e parë të vitit kur Polonia ka presidencën e Këshillit të Europës.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Polonisë pranoi se mundësitë janë të kufizuara për avancimin e statusit të Kosovës duke përmendur si arsye ndër të tjera edhe mungesën e njohjes së pesë vendeve të Bashkimit Europian.

Mungesa e rezultateve në dialogun me Serbinë shihet si arsye për mungesën e progresit.

“Kjo presidencë e Këshillit të BE, Polonia] po më duket më shumë e sinqertë që ia ka bërë me dije Kosovës që në rast se nuk përmbushen kriteret politike, veçanërisht me Serbinë që lidhen praktikisht edhe me kriteret e fqinjësisë së mirë nuk ka progres të mëtejshëm të Kosovës drejt Unionit Europian”, tha Arbnor Sadiku, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Qeveria e Kosovës nuk pajtohet që dialogu të jetë pengesë madje thonë se nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim është dëshmi se kur BE ka vullnet mund të gjejë konsensusin e nevojshëm për avancimin e rrugëtimit të Kosovës drejt unionit.

“Dialogu nuk mund të jetë pengesë apo kriter për ecjen para të Kosovës në rrugëtimin drejt integrimit evropian, përderisa vendi ynë nuk është pala bllokuese e procesit. Për më tepër, edhe stadi i rrugëtimit të Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së, nuk janë në të njëjtin nivel. Prandaj Kosova nuk mund të bllokohet që në krye të herës”, tha Klisman Kadiu, këshilltar i zv/kryeministrit Besnik Bislimi.

Qeveria thotë se janë gati të pranojnë pyetësorin dhe Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat.

Gjithashtu theksojnë se në vazhdimësi kanë punuar ngushtë dhe se kanë qenë në kontakt me Presidencat e Këshillit të BE-së të dy viteve të fundit, ndërsa njëjtë po veprohet edhe me presidencën polake.

“Vendimmarrja finale nuk varet nga ne, andaj duhet të ekzistojë edhe vullneti nga ana e Bashkimit Evropian që në një proces i cili shpesh theksohet se është i bazuar në meritokraci, pikërisht meritokracia të mbizotërojë, të vihet në shqyrtim e vlerësim serioz aplikimi ynë dhe të mundet Kosova të tregojë e dëshmojë nivelin e saj të përgatitjes dhe meritës për marrjen e statusit të vendit kandidat”, tha Klisman Kadiu, këshilltar i zv/kryeministrit Besnik Bislimi.

Kosova fajëson Serbinë për qasje destruktive në procesin e dialogut dhe për nxitje të vazhdueshme të tensioneve në terren. Mirëpo rezultate konkrete do t’u kërkohen të dyja palëve.

“Nga Kosova dhe Serbia do të kërkojnë rezultate konkrete në dialog dhe përmbushje të hapave të mëtejshëm, jo teori, jo më takime përmes ‘diplomacisë fluturuese’ pa asnjë rezultat konkret vetëm sa për sy e faqe ose për shtrëngim duarsh para kamerave të burrështetasve të Kosovës dhe Serbisë siç ka ndodhur deri më tani”, tha Sadiku.

Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Europian në dhjetor të vitit 2022, ndërsa është vendi i vetëm në rajon që nuk e ka statusin e vendit kandidat. sn

Asociacioni, dialogu… kush çka do të bëjë?

Katër kandidatët për kryeministër të Kosovës gjatë tubimeve zgjedhore.

 

Bekim Bislimi

Ndërsa Kosova u afrohet zgjedhjeve të saj parlamentare më 9 shkurt, vendi përballet me disa sfida kritike që mund ta formësojnë të ardhmen e tij.

Nga themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe e deri te normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, agjenda duket e ngjeshur.

Me pyetjen se si do t’i adresojnë ato, Radio Evropa e Lirë iu drejtua të katër kandidatëve për kryeministër – Albin Kurtit të Vetëvendosjes, aktualisht në pushtet; Bedri Hamzës të Partisë Demokratike të Kosovës; Lumir Abdixhikut të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinajt të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – por prej asnjërit nuk mori përgjigje.

Në vend të tyre u përgjigjën zyrtarët e partive, e në rastin e Vetëvendosjes as ata.

Si do të adresohet çështja e Asociacionit?

Për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje qysh në vitin 2013, por Kosova nuk e zbatoi atë, nga frika se mund të ndikonte në funksionalitetin e shtetit.

Në vitin 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, arritën edhe atë që njihet si Marrëveshja Bazë, e cila, përveç një niveli të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, kërkon nga palët që ta respektojnë integritetin dhe sovranitetin territorial të njëra-tjetrës, si dhe t’i njohin dokumentet dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës.

Serbia, në disa raste, është shprehur kundër saj dhe, sipas Kurtit, Vuçiq ka refuzuar ta nënshkruajë atë.

Duke folur së voni në një intervistë për median kosovare Kosovapress, Kurti tha se Asociacioni nuk duhet të vendoset në qendër të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, Marrëveshja Bazë, e cila e adreson edhe çështjen e Asociacionit, duhet të zbatohet tërësisht.

“Unë besoj që duhet të përqendrohemi te Marrëveshja Bazë. Neni 7 flet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb. Le të adresohet aty”, tha Kurti.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Mimoza Ahmetaj, nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se formimi i Asociacionit është obligim i Kosovës, edhe për shkak se është pranuar nga ana e Kurtit me anë të Marrëveshjes Bazë.

“Për ne është me rëndësi që të respektohet Kushtetuta”, thotë Ahmetaj, por nuk specifikon se cili është plani i PDK-së për Asociacionin në të ardhmen.

Bashkësia ndërkombëtare ka hartuar një draft-statut për këtë asociacion dhe ka kërkuar nga Kosova që ta dërgojë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese – gjë të cilën Kosova nuk e ka bërë.

Për nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ky draft-statut është rezultat i Marrëveshjes Bazë, të cilën ai e konsideron si të keqe.

Ai thotë se në rast se LDK-ja i fiton zgjedhjet e 9 shkurtit dhe merr pushtetin me në krye liderin e saj, Lumir Abdixhiku, do të bëjë përpjekje për rishikimin e draft-statutit të Asociacionit, në mënyrë që ai të mos jetë në kundërshtim me organizimin kushtetues të Kosovës.

“Dokumenti, si i tillë, para se të kalojë në shkallën tjetër [për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese] duhet – me ndërmjetësit ndërkombëtarë, në veçanti me rol të forcuar të amerikanëve në këtë proces – të shihet, që të jetë në përputhje me obligimet, zotimet kushtetuese që i ka Republika e Kosovës”, thotë Haziri.

Lulzim Blaka, zyrtar për informimin në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se kandidati për kryeministër i kësaj partie, Ramush Haradinaj, planifikon që draft-statutin për Asociacionin ta dërgojë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

“Pas përgjigjes së Kushtetueses, duhet të procedohet sipas obligimeve që i ka marrë Kosova si shtet”, thotë Blaka, duke shtuar se kjo nënkupton edhe zbatimin e Marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Si do të adresohet dialogu me Serbinë?

Nga viti 2011, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve.

Shumë prej marrëveshjeve të arritura mbeten pa u zbatuar dhe palët akuzojnë njëra-tjetrën për angazhim jo të duhur.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit në shtator të vitit 2023. Pak ditë pas atij takimi ka ndodhur sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit, për të cilin Kosova ka fajësuar Serbinë.

Për vazhdimin e dialogut, Kurti në disa raste ka kërkuar nga Serbia që ta dorëzojë Millan Radoiçiqn, i cili ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e sulmit, si dhe nga Vuçiqi që ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë.

Ahmetaj nga PDK-ja thotë se kjo parti planifikon t’i qaset dialogut me synimin “për arritjen e marrëveshjes përfundimtare”.

“…në mënyrë që Kosova të vazhdojë më tutje në procesin e konsolidimit të shtetit”, sipas saj.

Në një paraqitje në TV21 të Kosovës, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë se në dialogun e mëtejshëm me Serbinë, duhet të rishikohet Marrëveshja Bazë, e cila është “oferta më e varfër” që ka marrë Kosova.

“Kjo nënkupton që disa pjesë, duhet të rishikohen dhe të ndryshohen”, ka thënë Hamza.

Haziri thotë se për LDK-në dhe kandidatin e saj për kryeministër, Lumir Abdixhiku, njohja “de jure” e Kosovës nga Serbia do të jetë qëllimi kryesor i dialogut me këtë vend, në të ardhmen.

“Do të krijojmë ambient që Kosova në tavolinë, në raport të drejtpërdrejtë me Bashkimin Evropian, me rol të forcuar të SHBA-së si lehtësuese, si dhe në koordinim jashtëzakonisht të mirë edhe me NATO-n si partner i madh, t’i mbyllë çështjet që kanë të bëjnë me procesin e dialogut”, thotë Haziri.

Blaka i AAK-së thotë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi ka degraduar.

Nëse Haradinaj merr pushtetin, sipas tij, ai do të synojë që këtë proces ta përmbyllë me njohje të ndërsjellë.

“Dialogu duhet të rikthehet siç ka qenë, të dialogojmë për marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe obligative për të dyja palët, me njohje reciproke. Kjo ka qenë ajo që zoti Haradinaj e ka potencuar gjithmonë dhe kështu mendojmë të vazhdojmë edhe pas zgjedhjeve të 9 shkurtit”, thotë Blaka.

Si do të adresohen marrëdhëniet me aleatët perëndimorë?

Gjatë vitit të kaluar, Kosova ishte disa herë në shënjestër të kritikave nga aleatët ndërkombëtarë, për shkak të disa veprimeve në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.

Aleatët ndërkombëtarë kërkojnë që Kosova ta trajtojë në dialog çdo çështje që lidhet me këtë zonë, por kjo nuk ka ndodhur.

Ndaj, zyrtarët amerikanë, në disa raste, kanë thënë se veprimet e Qeverisë së Kosovës i kanë lëkundur marrëdhëniet me SHBA-në.

Në përgjigje, Kurti ka theksuar se SHBA-ja është partnerja kryesore e Kosovës, por kjo, sipas tij, nuk do të thotë se ato duhet të pajtohen gjithmonë.

Kurti, po ashtu, ka theksuar se do të bashkëpunojë ngushtë me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.

Për shkak të tensioneve në veri, Kosova, prej kohësh, është edhe subjekt i disa masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian.

Ahmetaj e PDK-së thotë se nëse kjo parti i fiton zgjedhjet, ajo do të vazhdojë ta bashkërendojë agjendën e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.

“Do të vazhdojmë që në koordinim me miqtë tanë, t’i heqim këto masa [të BE-së]”, thotë Ahmetaj.

“Ne do t’i ndryshojmë raportet e kushtëzuara që Qeveria e Kurtit ia ka sjellë Kosovës”, thotë në anën tjetër Haziri i LDK-së.

Ngjashëm, edhe për AAK-në, rikthimi i miqësisë dhe mirëbesimit me partnerët ndërkombëtarë do të jetë detyrë kryesore, thotë Blaka nga kjo parti.

Në shenjë mirëbesimi, thotë ai, Kosova do t’i përmbushë të gjitha obligimet që ka marrë përballë partnerëve ndërkombëtarë.

Kandidatët që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit, nisën zyrtarisht fushatën zgjedhore më 11 janar, por premtime e zotime ka kohë që bëjnë.

Në një anketë që publikoi Radio Evropa e Lirë në ueb-faqen e saj më 13 janar, politika e jashtme nuk duket se është vendimtare për pjesëmarrësit në këtë sondazh – para saj renditen politika ekonomike, reforma në shëndetësi dhe arsim.

Radio Evropa e Lirë

‘Për Serbinë e kemi ushtrinë e policinë’, Kurti mesazh Vuçiçit nga Gjakova: Do ju ndjekim cep më cep!

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ndryshe nga dy partitë opozitare, PDK e LDK që zgjodhën Prishtinën për tubimet hapëse, e ka çelur në Gjakovë fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij u ndal gjatë te raportet me Serbinë, duke u shprehur se për fqinjin verior qeveria e tij i ka tre alternativa.

“Për rininë e kemi punësimin, për gratë e kemi barazinë, për rininë i kemi shtesat, për opozitë e kemi opozitën, për Serbinë e kemi policinë, e ushtrinë, e dialogun, për pleqtë e kemi pensionin dhe për të gjithë e kemi shëndetësinë. Pra secili në vend të vetit”, tha Kurti duke dërguar një mesazh të qartë në Beograd.

“Janë dy parti, të cilët kanë qeverisur më së gjati. Herë bashkë e herë ndaras, por të cilat na e kanë bërë dëmin më të madh ën raport me kojshinë tonë të keq. Ne nuk mund ta ndryshojmë gjeografinë dhe historinë por ne mund ta ndryshojmë të ardhmen duke filluar qysh tash. Njëra prej këtyre partive, LDK është e tillë që Presidenti i Serbisë i thotë “Razumen”, dhe partia tjetër PDk është e tillë që Presidenti i Serbisë i thotë: “We are not problematic guys”. Por, koalicioni jonë, Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa i thotë atij ashtu siç është, ministër i Millosheviçit, aparati shtetëror e kriminal i të cilit nuk do të ketë vend sepse do ta ndjekim në çdo kënd, cep më cep, në Republikën e pavarur, demokratike e progresiste të Kosovës”, tha Kurti.  sn

Abdixhiku nga tubimi i hapjes së fushatës: Zotohem para jush që do t’ju prijë deri në fitoren e madhe

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nisi zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit. Në fjalimin e tij, kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiuku theksoi angazhimin e tij për një Kosovë më të mirë dhe duke shprehur besimin e plotë në fitoren e LDK-së.

Ai ftoi qytetarët që të bashkohen në përpjekjen për të sjellë ndryshimin e madh Kosovë.

“Unë jam Lumir Abdixhiku i jemi Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe zotohem para jush që do t’ju prijë deri në fitoren e madhe.

Le të festojmë së bashku; le të ringritemi si një.

Le ta bëjmë ndryshimin për këtë Republikë!

Zoti e bekoftë Kosovën,

Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës!” – tha ai. sn

Sot nis fushata zyrtarisht për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit

Sot nis zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit nga ora 12:00.

Dje ishte edhe dita e fundit e legjislaturës së tetë e Kuvendit të Kosovës meqë sipas ligjit zgjedhjet e rregullta për Kuvend mbahen më së voni 30 ditë para përfundimit të mandatit.

Siç ka njoftuar Komisioni Qendror Zgjedhor gjithsej 2.075.868 votues brenda dhe jashtë Kosovës do të zgjedhin mes 28 subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje me gjithsej 1.280 kandidatë që do të garojnë për 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje do të bëjë hapjen zyrtare të fushatës zgjedhore në sallën “Shani Nushi” në Gjakovë, duke filluar nga ora 18:00.

Partia Demokratike e Kosovës do ta bëjë hapjen zyrtare në sallën “1 Tetori” në Prishtinë me fillim nga ora 16:30.

Lidhja Demokratike e Kosovës bën hapjen zyrtare nga Pallati i Rinisë në Prishtinë me fillim nga ora 17:00.

Ndërkaq, koalicioni AAK – Nisma – Konservatorët – Forumi Intelektual E-30 dhe Lista Ideal me rastin e nisjes së fushatës zgjedhore në Kosovë bëjnë nderime në memorialin e familjes Jashari në Prekaz nga ora 10:45.

Po ashtu, Koalicioni për Familjen hap zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e përgjithshme nga ora 18:30m në Klan Arena.

Më 9 janar ka filluar procesi i votimit jashtë Kosovës përmes postes. sn

Qeveria e Kosovës miraton rritjen e pensioneve për kategoritë e luftës

Qeveria e Kosovës e ka miratuar të premten rritjen e pensioneve për të gjitha kategoritë e dala nga lufta e fundit në Kosovë, për 20 për qind.

Kabineti i kryeministrit Albin Kurti e miratoi përditësimi e një aneksi në Ligjin për kategoritë e luftës gjatë një takimi të premten, për ta mundësuar rritjen e premtuar tetorin e kaluar.

“Siç patëm njoftuar në tetor, sot, edhe zyrtarisht, do të aprovohet rritja për 20 për qind mbi shumën aktuale për familjet e dëshmorëve, invalidët, veteranët, pjesëtarë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimat e dhunës seksuale dhe viktimat civile”, tha Kurti.

Ministri i Financave i Kosovës, Hekuran Murati, tha se rritja për të gjitha kategoritë e veteranëve, invalidëve dhe viktimave të dhunës seksuale do të jetë 20 për qind mbi shumën e tanishme pensionale.

Për disa kategori ka rritje edhe përtej shkallës prej 20 për qind, tha ministri. Kategoritë që përfitojnë rritje mbi 20 për qind, janë familjet e dëshmorëve të UÇK-së që kanë dy dëshmorë ose më tepër, familjet e të zhdukurve të UÇK-së që kanë mbi dy të zhdukur dhe familjet e viktimave civile, tha ai.

Me rritjen e re, Murati tha se familja që ka një dëshmor lufte do t’i marrë 537 euro në muaj, familja që ka dy dëshmorë lufte do t’i përfitojë 806 euro, familja që ka tre dëshmorë do të marrë pension mujor prej 1.075 eurosh, ndërsa jo që ka katër dëshmorë lufte 1.344 euro

Skema e pensioneve për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës sipas kategorive përfshin 12.681 përfitues, sipas Agjencisë Kosovare të Statistikave (ASK).

Kjo është rritja e parë në 10 vjetët e fundit për këto kategori, prej kur ishin bërë këto skema më 2014, tha ai.

Rritja do të vlejë nga ky muaj, theksoi ministri Murati në një konferencë për media.

Viktimat e dhunës seksuale të luftës deri tani kanë marrë pension në vlerë prej 230 eurosh, dhe me rritjen e re të premten, ato do të gëzojnë pension prej 276 eurosh.

Numri i saktë i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nuk dihet. Sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20 mijë.

Pensioni i veteranit ka qenë 170 euro deri tani, dhe me rritjen prej 20 për qind, një veteran do t’i marrë 204 euro pension mujor.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 37.006 persona janë përfitues nga skema për veteranët e luftës. REL

“Një erë fryn, këtu ndalet rryma” – Shumë biznese të dëmtuara nga ndërprerjet e energjisë

Doruntina Baftiu

Me produkte të shkatërruara, pajisje të dëmtuara dhe kosto të shtuara, shumë biznese në Kosovë – nga furrat e bukës e deri te fabrikat e mëdha – janë dëmtuar nga ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike së voni. Probleme me rrymë, Kosova ka prej vitesh, kryesisht për shkak të vjetërsisë së termocentraleve.

Ende pa lindur dielli, furrtari Vllaznim Likaj kuptoi se në ditën e 30 dhjetorit të vitit të kaluar do ta kishte të pamundur ta mbushte furrën e tij me bukë, kifle, byrekë e pica.

Gjatë fundit të dhjetorit, në fshatin Davidoc të Shtimes – ku Likaj është shpërngulur nga Prizreni që katër vjet për të hapur furrën e tij – kishte ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike.

Ndërprerjet nganjëherë zgjasnin deri në pesë a gjashtë orë. Edhe kur kishte rrymë, Likaj thotë se tensioni jostabil ia dëmtonte pajisjet me të cilat punon.

“Dy siguresa të furrës i dogji krejt. Edhe një tjetër e dogji më vonë për shkak se herë vinte rrymë shumë e fortë, herë ndalej krejt”, tregon Likaj për Radion Evropa e Lirë.

Likaj, bashkëshortja dhe vajza e tij punojnë së bashku që ta bëjnë brumin, ta lënë atë të vijë për një kohë të caktuar, pastaj ta pjekin në temperaturë e kohë të caktuar, për t’iu shitur klientëve prodhime të nxehta në mëngjes, drekë e darkë.

Në zanatin që e ka trashëguar familja e tij që tre breza, çdo gjë duhet të jetë e planifikuar me orar. Por, planet shpeshherë u kanë dështuar.

“E kemi ditur që do të ketë probleme me rrymë, por jo bash kështu. Ka ndikuar shumë në cilësinë e prodhimit. Na mbeste brumi i ardhur, detyroheshim ta gjuanim. Shkurt e shqip, jemi dëmtuar”, thotë Likaj.

Por, nuk është vetëm furra “Te Rrethi” e Likajt që është përballur me këto probleme.

Lulzim Rafuna nga Oda Ekonomike e Kosovës tregon për REL-in se pothuajse të gjitha bizneset janë dëmtuar në një formë apo tjetër nga ndërprerjet e energjisë elektrike në vend.

Nevoja që bizneset të pajisen me gjeneratorë i bën prodhimet e tyre më pak konkurruese në treg, paralajmëron Rafuna.

“Sidomos kur je prodhues jo shumë i madh, kjo e rrit koston e prodhimit dhe menjëherë e bën produktin jonkonkurrent me produkte të tjera ose produkte të importuara”, thotë Rafuna.

Sipas tij, problemet po vazhdojnë ende – edhe tani kur ndërprerjet e energjisë elektrike nuk janë të shpeshta si në dhjetor të vitit të kaluar – pasi që, siç thotë, tensioni i rrymës nuk është ende stabil.

“Në momentin që ndalet rryma, i gjithë prodhimi që është në proces, shkon dëm. Në rast se linjat e reja të prodhimit nuk e kanë shumë stabil tensionin, atyre u shkaktohen probleme dhe dëme”, shton Rafuna.

Pikërisht këtë problem e ka ende Milazim Berisha, pronar i fermës dhe qumështores “Eurolona”.

Në kompaninë e tij në Fushë Kosovë nuk kishte rrymë as më 8 janar, kur ai i tregoi REL-it për problemet që i kanë shkaktuar ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike.

“Ditëve të fundit kemi pasur ndërprerje deri në 12 apo 13 orë brenda 24 orëve. Ju garantoj që secila pajisje në linjat tona të prodhimit është e dëmtuar”, thotë Berisha për REL-in.

Ai thotë se investimi në pajisje moderne të teknologjisë së fundit i është kthyer si bumerang. Këto pajisje më moderne janë plotësisht elektronike dhe atyre u duhet energji stabile për të funksionuar.

“Problemi është që nuk kemi as ekspertë apo mjeshtër të mjaftueshëm në Kosovë që e bëjnë riparimin e tyre. Shumë më lehtë kemi punuar kur kemi pasur modele të vjetra, që kanë qenë gjysmë-automatike”, thotë Berisha.

Ai thotë se ka investuar edhe në rreth dhjetë gjeneratorë të kapaciteteve të ndryshme, por se pajisjet e reja nuk e durojnë as kalimin e energjisë nga rrjeti energjetik i Kosovës në gjeneratorë.

Investimet thotë se ishte i detyruar t’i bënte para disa vitesh, shkaku i mungesës së punëtorëve.

“Këto pajisje që janë të nevojshme edhe për të qenë konkurrentë me [prodhimet e] Evropës, nuk janë të përshtatshme për këtë infrastrukturë në Kosovë. Vetëm një erë e lehtë nëse fryn, këtu ndalet rryma”, thotë ai.

Berisha ende nuk e di se sa është vlera e dëmeve që ka pësuar, por për një gjë është i sigurt: dëme ka pasur.

Ai tregon se kur ndërpritet furnizimi me energji në linjat e prodhimit, produkti që është në prodhim e sipër, shkon dëm, pasi që pajisjet ndalojnë menjëherë së punuari.

Qumështi që ka qenë në shishe mbetet, ta zëmë, pa kapakë dhe prishet shumë më shpejt se kur është i mbyllur siç duhet.

Rafuna tregon se Oda Ekonomike ka dërguar plot ankesa në Kompaninë Kosovare për Shpërndarjen e Energjisë (KEDS) dhe në Ministri të Zhvillimit Ekonomik për dëmet e shkaktuara ndaj bizneseve, por thotë se kërkesat kanë hasur në vesh të shurdhër.

Vetë Lika dhe Berisha nuk kanë tentuar të kërkojnë kompensim në KEDS. Ata thotë se në punën e tyre u duhet të bëjnë zgjidhje shpejt për ta kufizuar dëmin. Për këtë arsye, të dy kanë tentuar të gjejnë mjeshtër për t’i rregulluar pajisjet.

“S’kemi pasur as kohë të ankohemi”, thotë Lika.

“Na shkoi jeta duke u ankuar dhe tash po i marrim si normale këto probleme”, shton Berisha.

KEDS-i nuk është përgjigjur në pyetjet e REL-it se sa kërkesa për kompensime kanë pranuar dhe sa është vlera e dëmeve të shkaktuara gjatë periudhës kur kishte ndërprerje më të shpeshta të rrymës.

Ngjashëm, as Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk ka treguar nëse ka ndonjë plan për t’i mbështetur bizneset që janë dëmtuar.

Gjatë kohës sa problemet me furnizim me energji elektrike kanë qenë të pranishme kudo nëpër Kosovë, institucionet u kanë bërë thirrje qytetarëve që ta kursejnë atë, për shkak të mbingarkesës së rrjetit.

Por, pronarët e shumë bizneseve s’funksionojnë dot pa energji elektrike.

“Një gjë mund t’ju them: unë, personalisht, nëse do të mund ta ktheja kohën prapa, as edhe një cent nuk do ta investoja. Dhe, jam prej atyre që kam qenë jashtë Kosovës dhe jam kthyer”, thotë Berisha.

REL: Punonjës të strukturave paralele punojnë edhe nga shtëpia edhe pranë pikave kufitare pas mbylljes së tyre

Punë edhe nga shtëpia, edhe nga një qytet kufitar i Serbisë. Ky është rasti i Milloshit nga veriu i Kosovës tash e disa muaj, pasi autoritetet e Kosovës e kanë mbyllur institucionin ku ai ka punuar, me arsyetimin se veprimtaria e tij, brenda sistemit të Serbisë, ka qenë e paligjshme.

Identiteti i vërtetë i tij, institucioni ku ai punon dhe vendbanimi i tij në Kosovë janë të njohur për Radion Evropa e Lirë, por ai kërkon që të gjitha të mbeten anonime, nga frika se mund të akuzohet për “falsifikim dokumentesh” – ashtu siç e karakterizon, zakonisht, punën në institucionet serbe Prokuroria e Kosovës.

Në muajin dhjetor, REL-i ka përcjellë shkuarjen në punë të Milloshit dhe të disa qytetarëve tjerë në një qytet kufitar të Serbisë.

Ata nisen rreth orës 7:00 në mëngjes. Nganjëherë vonohen për shkak të tollovisë në trafik, por palët i presin me padurim para zyrave alternative, të vendosura në kontejnerë të zinj, pranë pikave kufitare: Bërnjak, Jarinjë e Merdare.

Disa kërkojnë certifikata ose dokumente të tjera administrative, të lëshuara nga autoritetet serbe, e të tjerë dokumente për kredi në bankë, apo të ngjashme.

Gjatë tri-katër ditëve të tjera të punës në javë, Milloshi punon nga shtëpia në Kosovë.

Në shtator të vitit të kaluar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk do t’i mbyllë institucionet për Kosovën dhe ka paralajmëruar hapjen e “zyrave moderne” në anën serbe të pikave kufitare.

Ai ka premtuar edhe më shumë të ardhura për ata që udhëtojnë, në mënyrë që t’u mbulohen shpenzimet.

Por ka edhe nga ata që nuk shkojnë në punë pas mbylljes së institucionit të tyre nga autoritetet e Kosovës.

Petri nga Mitrovica e Veriut është një nga ta. Ai shkon në Rashkë të Serbisë vetëm për të marrë rrogën, meqë dinari serb është hequr nga përdorimi në Kosovë qysh në shkurt të vitit të kaluar.

“Unë nuk shkoj në punë, por rroga më del në llogarinë në dinarë. Ndoshta edhe kjo është dashur të zgjidhet, në mënyrë që rroga të na dalë në euro”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

*Lidhur me këtë REL-i ka biseduar me disa banorë në veri. Derisa serbët lokalë thonë se këto masa ua vështirësuan jetesën, shqiptarët e kthyer në shtëpitë e tyre në veri 25 vjet pas luftës, e shohin këtë ndryshe.

Cilat institucione janë mbyllur deri tani?

Autoritetet e Kosovës kanë vazhduar edhe këtë vit me mbylljen e institucioneve që punojnë në sistemin e Serbisë e që Prishtina zyrtare i konsideron të paligjshme.

Më 8 janar është mbyllur Administrata Tatimore në Mitrovicë të Veriut – njërën nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit – ka thënë se autoritetet kosovare i kanë mbyllur hapësirat e saj, por jo edhe Administratën Tatimore të Republikës së Serbisë që vepron në Kosovë.

Pas një takimi me rreth 80 punonjës të kësaj administrate, ajo ka thënë se ata do të vazhdojnë t’i marrin normalisht të gjitha përfitimet nga buxheti i Republikës së Serbisë.

Takime të ngjashme, kjo parti ka mbajtur edhe me punëtorët e Drejtorisë për Urbanizëm, të Drejtorisë për Hapësira Banesore dhe Afariste dhe të Drejtorisë për Toka Ndërtimore në Mitrovicë të Veriut, të cilat janë mbyllur në fund të dhjetorit të vitit 2024.

Atyre u është premtuar se do të vazhdojnë të marrin paga dhe se do t’u ofrohet çdolloj mbështetjeje.

Kosova ka nisur mbylljen e institucioneve serbe qysh në janar të vitit 2024, duke ua vënë fillimisht drynin organeve të përkohshme komunale të Dragashit, Suharekës, Prizrenit dhe Rahovecit, të cilat gjendeshin në jug të lumit Ibër.

Pastaj janë mbyllur organet e përkohshme komunale të Pejës, Istogut, Klinës, Skenderajt, si dhe ato në komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Ndërkohë janë mbyllur edhe degët e Postës së Serbisë në veri të Kosovës, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq, Banka Kursimorja e Postës, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ Kosovë-Mitrovicë dhe Qendra për Punë Sociale në Vushtrri.

Të gjitha këto institucione me mijëra punëtorë kanë funksionuar në sistemin e Serbisë.

Presidenti serb, Vuçiq, ka thënë në mes të shtatorit se mbyllja e tyre ka lënë rreth 5.800 persona pa punë, por se ata do të vazhdojnë t’i marrin pagat e tyre.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e cilëson mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë si “konfiskim të pronës serbe dhe okupim”.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur këtë zyrë nëse ka ndonjë plan afatgjatë për institucionet që janë duke i mbyllur autoritetet e Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.

*Radio Evropa e Lirë më 5 gusht regjistroi mbylljen e nëntë objekteve të Postës së Serbisë në pjesën veriore të Kosovës

Marrja e aseteve dhe ndërprerja e projekteve

Gjatë vitit të kaluar, Agjencia Kosovare e Privatizimit ka përvetësuar edhe disa objekte në veri, duke thënë se ka juridiksion mbi to.

Disa prej tyre, ajo ua ka dhënë me qira biznesmenëve shqiptarë, të cilët kanë hapur dyqane ushqimore, restorante, pastiçeri apo kafene, por popullata lokale serbe, kryesisht, i bojkoton ato.

Po ashtu, në fund të vitit 2023, Agjencia e Privatizimit ka marrë nën kontroll resortin Rajska Banja në Banjskë, afër Zveçanit, rinovimi dhe ndërtimi i të cilit janë iniciuar nga Qeveria e Serbisë, përmes Zyrës së saj për Kosovën, në vitin 2015.

Zyrtarët serbë kanë thënë se Qeveria serbe ka investuar rreth shtatë milionë euro në këtë projekt.

Komuna e Zubin Potokut ka marrë nën kontroll edhe objekte banimi që janë ndërtuar me mjete të Qeverisë së Serbisë.

Në Mitrovicë të Veriut, ndërkohë, janë ndërprerë disa projekte të financuara nga Serbia – mes tyre, ndërtimi i një universiteti që do të funksiononte brenda sistemit serb.

Hyn në fuqi ligji në Kosovë, makinat më të vjetra se 10 vjet nuk mund të zhdoganohen

Nga 1 janar 2025, qytetarët e Kosovës nuk mund të zhdoganojnë automjetet më të vjetra se viti i prodhimit 2015. Me Ligjin për Automjete që ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës, thuhet qartë se veturat që janë më të vjetra se 10 vjet nuk mund të importohen.

“Në Kosovë nuk mund të importohen vetura më të vjetra se 10 vjet. Në Kosovë nuk mund të importohen vetura që nuk e plotësojnë standardin Euro katër”, thuhet në nenin 44 të Ligjit për Automjete. Gjithashtu, ligji parasheh që mjetet rrugore që importohen në Kosovë duhet të kenë certifikatë të konformitetit për vetura të reja dhe dëshmi të origjinës dhe pronësisë së mjetit ose pjesëve të veçanta të instaluara.

“Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i kushteve bazë të pajisjeve dhe instalimeve, të cilat duhet t’i ketë mjeti, dimensioni, masa më e madhe e lejuar dhe ngarkesa boshtore e mjetit, si edhe kushtet të cilat duhet t’i plotësojë mjeti në trafik, kushtet për importim, homologimin e tipit të mjetit, pjesës përbërëse, njësisë së pavarur teknike, kontrollimin teknik të automjeteve, kontrollimi i rregullsisë teknike në rrugë, regjistrimin e automjeteve, automjetet të cilat kanë dalë prej përdorimit, si dhe çështjet tjera lidhur me to”, thuhet në Ligjin për Automjete.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në Kosovë qarkullojnë afro 500 mijë vetura të regjistruara, ku mesatarja e vjetërsisë së tyre që qarkullojnë në Kosovë është 18 vjet. Mbi 144 mijë prej tyre janë nga Gjermania dhe i përkasin markës Wolkswagen. sn

Mbyllet administrata tatimore e Serbisë në veri të Kosovës

VOA

Policia e Kosovës mbylli të mërkurën një zyrë të institucioneve të mbështetura nga Serbia në Mitrovicën e Veriut, duke nxitur reagimin e përfaqësuesve politik lokalë të mbështetur nga Beogradi, të cilët thanë se kjo është pjesë e fushatës parazgjedhore të kryeministrit Albin Kurti.

Autoritetet thanë se zyra funksiononte si pjesë e administratës tatimore të Ministrisë së Financave të Serbisë.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, shkroi në rrjetet sociale se “ky institucion ka mbledhur ilegalisht mjete financiare nga qytetarë e subjekte që jetojnë e veprojnë në Republikën e Kosovës”, ndërsa theksoi se Kosova do të vazhdojë të luftojë “çdo paralelizëm kriminal të Serbisë përballë institucioneve” të saj.

Mbyllja e zyrës nxiti reagimin e Listës Serbe, e cila tha se me “nxjerrjen në rrugë të 80 punëtorëve serbë, Albin Kurti vazhdoi fushatën e tij parazgjedhore, të cilën e drejton ekskluzivisht mbi kurrizin e popullit serb, sepse nuk ka çfarë t’u ofrojë votuesve tij”.

Kjo parti e themeluar dhe mbështetur nga Beogradi do të jetë pjesë e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë ndërsa certifikimi i saj u shndërrua në temë debatesh pasi që lëvizja Vetëvendosje në pushtet kundërshtoi pjesëmarrjen e saj në zgjedhje.

Të hënën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfshiu Listën Serbe në fletëvotim, me gjithë reagimin e lëvizjes Vetëvendosje, e cila është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, pasi që në ditën e fundit të vitit që lamë pas, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se vendimi i këtij paneli për certifikimin e Listës Serbe është i detyrueshëm dhe duhet të zbatohet.

Kosova miraton ligjin- Nga 1 janari s’ka zhdoganim të automjeteve të prodhuara para vitit 2015

Nga 1 janar 2025 nuk mund të zhdoganohen vetura më të vjetra se viti i prodhimit 2015. Qeveria e Kosovës në vitin 2017 ka miratuar një ligj, i cili thotë se mjetet rrugore që importohen në Kosovë, nuk mund të jenë më të vjetra se 10 vjet.

Qytetarët e Kosovës janë goditur edhe ketë herë qysh në ditët e para të vitit të ri.

Më fillimin e vitit 2025, në Kosovë nuk mund të zhdoganohen vetura më të vjetra se viti 2015.

Kjo i bie që asnjë veturë më e vjetër se 10 vite nuk lejohet të zhdoganohet.

Me Ligjin për Automjete që ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës, thuhet qartë se veturat që janë më të vjetra se 10 vjet nuk mund të importohen.

“Në Kosovë nuk mund të importohen vetura më të vjetra se 10 vjet. Në Kosovë nuk mund të importohen vetura që nuk e plotësojnë standardin Euro katër)”, thuhet në nenin 44 të Ligjit për Automjete.

Gjithashtu, ligji parasheh që mjetet rrugore që importohen në Kosovë duhet të kenë certifikatë të konformitetit për vetura të reja dhe dëshmi të origjinës dhe pronësisë së mjetit ose pjesëve të veçanta të instaluara.

“Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i kushteve bazë të pajisjeve dhe instalimeve, të cilat duhet t’i ketë mjeti, dimensioni, masa më e madhe e lejuar dhe ngarkesa boshtore e mjetit, si edhe kushtet të cilat duhet t’i plotësojë mjeti në trafik, kushtet për importim, homologimin e tipit të mjetit, pjesës përbërëse, njësisë së pavarur teknike, kontrollimin teknik të automjeteve, kontrollimi i rregullsisë teknike në rrugë, regjistrimin e automjeteve, automjetet të cilat kanë dalë prej përdorimit, si dhe çështjet tjera lidhur me to”, thuhet në Ligjin për Automjete.

Ndryshe, qytetarët çdo herë e kanë kundërshtuar ligjin që është në fuqi për automjete, ndërsa ekspertët vlerësojnë se importimi i veturave më të vjetra se 10 vjet ka efekte negative.

Tash e disa vite deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka iniciuar plotësim-ndryshimin e Ligjit për Importin e Veturave, ku kërkohet heqja e kufizimit të vjetërsisë, por që ende nuk është marrë një vendim i tillë.

Sipas tij, ky ligj në Kosovë është krijuar me një standard të dyfishtë, deri sa potencon se një gjë e tillë i duket e padrejtë, porse nuk po gjen pajtueshmëri të deputetëve shumicë që të marrin pjesë në votim.

“Këto kritere nuk janë as në Zvicër, as në Gjermani, as në vendet e Ballkanit që janë të anëtarësuara, që janë pjesë e Bashkimit Evropian, prandaj mendoj që është e padrejtë dhe si e tillë kam kërkuar plotësim ndryshimin e ligjeve për automjete, por fatkeqësisht nuk e kam gjetur pajtueshmërinë e deputetëve shumicë që të marrin pjesë në votim”.

Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, ka deklaruar se “Veturat më të vjetra se 10 vjet në Kosovë janë 80 për qind të amortizuara dhe se në këtë drejtim duhet të ketë një mbikëqyrje më të madhe nga organet shtetërore”, duke shtuar se qytetari duhet të zgjedh ndërmjet veturës së re e me kosto të mirëmbajtjes më të lirë dhe asaj të vjetrës me çmim më të shtrenjtë. “Automjetet të cilët i kalojnë 10 apo 12 vite konsiderohen si të amortizuara për 80 për qind, prej këtij pozicioni nëse e shikojmë, atëherë ato duhet ta kenë një përkujdesje më të madhe nga organet shtetërore, për sa i përket kontrollimit teknik. Ne e dimë se në Kosovë e kemi kontrollimin teknik periodik për automjetet zyrtare ose për ato që janë në shërbim për palën e tretë, si dhe kontrollimin e rregullt, sidomos e kemi kontrollimin e jashtëzakonshëm”.

Sipas tij, paralelisht me ndryshimin e Ligjit për Automjetet, duhet të jetë edhe ndryshimi i Ligjit për Doganimin e Automjeteve.

Në Kosovë mbetet në fuqi ligji me të cilin një veturë mund të regjistrohet dhe të pajisjet me targat RKS, vetëm nëse është nga viti 2015-2025, konkretisht 10 vite më e vjetër nga viti ekzistues. Për një numër të madh të qytetarëve, regjistrimi i veturave të vitit 2015 është i pamundur, kjo për shkak se deri tek targat, më e lira do t’i kushtonte rreth 3500 euro, pa llogaritur blerjen e veturës në vendet evropiane dhe koston e importit deri në Kosovë. Në nenin 44 të Ligjit për Automjete që është miratuar qysh në vitin 2017, thuhet se “mjetet rrugore që importohen në Kosovë nuk mund të jenë më të vjetra se 10 vjet”.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në Kosovë qarkullojnë afro 500 mijë vetura të regjistruara, ku mesatarja e vjetërsisë së tyre që qarkullojnë në Kosovë është 18 vjet.

Mbi 144 mijë prej tyre janë nga Gjermania dhe i përkasin markës Wolkswagen./ Monitor.al

KQZ sot miraton fletëvotimin, të enjten nis votimi jashtë Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet, sot ku do ta miratojë edhe fletën e votimit për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Këtë e ka konfirmuar për RTKlive zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Mund t’iu konfirmoj se pas tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, më 8 janar, KQZ do të shqyrtojë dhe miratojë dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025”, tha ai.

Ndërkaq, të enjten pritet të fillojë votimi për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës.

“Pasi KQZ-ja të miratojë fletëvotimin e zgjedhjeve, më 9 janar do të fillojë procesi i votimit jashtë Kosovës për votuesit e regjistruar për të votuar përmes postës. Gjithashtu, miratimi i fletëvotimit mund t’iu shërbejë edhe subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore”, tha Elezi për RTKlive.

Fushata zgjedhore do të nisë zyrtarisht më 11 janar dhe do të zgjasë deri më 7 shkurt, derisa qytetarët do t’i drejtohen kutive të votimit më 9 shkurt. sn

KFOR-i ka shtuar forcat në jug të Mitrovicës, flasin ekspertët e sigurisë

KFOR-i ka shtuar numrin e forcave të tij në jug të Mitrovicës, ndërsa Asambleja Parlamentare e NATO-s ka alarmuar për rreziqe të shumta në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë.

Drizan Shala, ekspert i sigurisë, ka thënë  se NATO si mekanizëm politik dhe ushtarak ka detyruar shtimin e trupave të KFOR-it, transmeton Klankosova.tv.

“Komandanti aktual i KFOR-it ka deklaruar se, në varësi të zhvillimeve dhe analizave nga terreni, mund të ketë edhe shtim të numrit të trupave, dhe sipas planifikimeve, deri në vitin 2025 pritet një prani më e madhe e trupave të KFOR-it në territorin e Kosovës, me qëllim minimizimin e rreziqeve të mundshme”.

“KFOR-i nuk do të lejojë asnjë rastësi dhe do të intensifikojë aktivitetet për të ruajtur sigurinë e vendit, por kjo mund të shihet gjithashtu si një dobësim i sovranitetit të Kosovës”, tha Shala.

Ndërsa Adnan Zujeva, ekspert i sigurisë, e konsideron këtë shtim trupash si një shenjë të dobësimit të sovranitetit të Kosovës dhe të integritetit territorial, duke theksuar se prania e trupave të KFOR-it e dëmton këtë sovranitet.

“Në veri të Kosovës, ka një prani të madhe të trupave të NATO-s, përfshirë ato amerikane, turke dhe polake, ndërkohë që është paralajmëruar që edhe trupa sllovake do të mbërrijnë pas një muaji”.

“Kjo tregon se situata në këtë pjesë të Kosovës mbetet e brishtë”, tha Zujeva në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova.

Njëherësh Visar Reça, njohës i sigurisë, shtoi se Asambleja Parlamentare e NATO-s ka informacione më të detajuara për situatën në Kosovë dhe rajon dhe se ky rekomandim për shtimin e trupave ka për qëllim të shmangë befasi për organizatën e NATO-s në rast të ndonjë skenari të mundshëm./Klankosova.tv.

Albin Kurti: Jo Asociacion por njohje, BE të sanksionojë Serbinë

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se organet e sigurisë vijojnë të jenë vigjilente pas sulmit në kanalin e Ibër Lepencit në Zubin Potok dhe heqja e masave shtesë të sigurisë nuk është një opsion tani.

Në një intervistë për KosovaPress, Kurti tha se destruktiviteti i Serbisë ka shkuar duke u rritur dhe realiteti i ri, sipas tij në veri, i ka nervozuar.

“Organet tona të sigurisë, inteligjenca jonë përcjell me shumë vëmendje çfarëdo informacioni i cili mund të na tregojë çkado qoftë lidhur me sulmet e tyre të radhës, por unë e di një gjë që ato sulme nuk mund të planifikohen më në Kosovë, nuk mund të iniciohen përbrenda Kosovës. Ato janë sulme të cilat vijnë gjithmonë nga Serbia dhe organizohen atje.”

Duke u ndalur të dialogu mes dy vendeve, Kurti u shpreh se tani është radha e Bashkimi Europian dhe përfaqësues së re të politikës së jashtme Kaja Kallas për iniciativat për rrugën përpara.

Sipas tij, nuk pritet nga Beogradi të bëhet bashkëpunues pa ndërhyrjen e ndërmjetësit si dhe theksoi se marrëveshja bazë dhe aneksi duhet të zbatohen të plota dhe jo të përqendrohen tek Asociacioni.

“Nuk besoj që në qendër të raporteve Kosovë-Serbi është apo duhet të jetë Asociacioni, është njohja reciproke. Nuk mund të flasim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duke braktisur njohjen reciproke. Pra, në qendër të marrëveshjes bazike është së paku njohja reciproke defacto.”

Kurti deklaroi se Perëndimi duhet të sanksionojë Serbinë si e vetmja mënyrë për të parandaluar tensionimin e situatës dhe ekstradimin e Milan Radoiciç, i cili mori përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë.

Sipas tij, në të kaluarën, Perëndimi e kishte kërcënuar Vuçiçin me rikthimin e regjimit të vizave dhe largimin e investitorëve gjermanë në janar të vitit 2023 para se të pranonte marrëveshjen e Brukselit.

“Unë besoj që kjo është mënyra për të vepruar me Beogradin nëse perëndimi demokratik seriozisht e sanksionon destruktivitetin e Serbisë atëherë unë jam optimist që edhe Milan Radioçiqin shpejt do të na e dorëzojnë, mirëpo ne nuk kemi levë kundër Serbisë, siç ka Perëndimi.”

Duke u ndalur te zgjedhjet që pritet të mbahen pas një muaji, Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje synon të marr 500 mijë vota dhe të qeverisë e vetme, pasi tek partitë opozitare nuk sheh ndonjë partner të mundshëm koalicioni.

Ai tha se Qeveria nën drejtimin e tij ka shënuar suksese në të gjitha fushat prandaj meriton besimin e qytetarëve për një tjetër mandat.

KQZ: Dy milionë e 75 mijë e 868 qytetarë me të drejtë vote

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për certifikimin e Listës së Votuesve brenda dhe jashtë Kosovës për procesin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Sipas kësaj liste votuesish, numri i qytetarëve me të drejtë vote për këto zgjedhje është 2 milionë e 75 mijë e 868 votues.

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës, është: 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq, numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, është 104 mijë e 924.

Arianit Elshani, udhëheqës i këshillit për operacione zgjedhore tha se numri i votuesve, të jetë 999 votues nëpër zona rurale, kurse për zona urbane ai vazhdon të jetë 950.

“Secili votues mund të votoj rreth 10 kandidat, prandaj nuk kemi dashtë të tejkalojmë shifrën e 1 mijë votuesve”, ka thënë Elshani.

KQZ sqaron se votimi me kusht është i përcaktuar vetëm në një qendër të votimit në një komunë, nuk mund të votohet në të gjitha qendrat. sn

Ish-pjesëtari i UÇK-së mbërrin në Kosovë pasi u lirua nga burgu në Serbi

Ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hasan Dakaj, ka mbërritur në Kosovë të premten pasdite, pasi u lirua nga paraburgimi në Serbi, ku ishte mbajtur për një vit nën akuza për krime lufte, kanë konfirmuar familjarët e tij.

Dakaj ishte arrestuar më 5 janar 2024 në pikëkalimin kufitar në Merdarë, që lidh Kosovën dhe Serbinë.

Vëllai i tij, Gzim Dakaj, konfirmoi për televizionin Koha se Hasanin e morën të premten rreth orës 17:00 nga pika kufitare në Merdarë.

Mediat lokale publikuan pamje të Hasan Dakajt duke u përqafuar me të afërmit e vet në pjesën kosovare të pikëkalimit kufitar me Serbinë.

Dakaj akuzohej sipas nenit 142 të Ligjit Penal të ish-Jugosllavisë – që ishte në fuqi më 1999 – për krime lufte, privim nga liria e disa personave joshqiptarë, rrahje, torturë dhe vrasje.

Ministria e Jashtme e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë rreth lirimit të Dakajt nga burgu në Serbi.

Lirimi i Dakajt vjen rreth dy muaj pasi autoritetet serbe e liruan në tetor një shtetas tjetër kosovar të mbajtur nën dyshimin për krime lufte.

Sadik Duraku, me shtetësi të Britanisë së Madhe dhe Kosovës, u lirua më 15 tetor, rreth pesë muaj pasi ishte arrestuar nën dyshime për krime lufte më 1999.

Edhe dy shtetas të tjerë të Kosovës gjenden në paraburgim në Serbi, nën akuza për krime lufte: Nezir Mehmetaj dhe Tefik Mustafa.

Muajin e kaluar, Gjykata e Lartë e Serbisë e dënoi me gjashtë vjet burgim Nezir Mehmetajn, nën akuza për krime lufte kundër popullatës civile në fshatin Rudicë të Klinës më 1999.

Autoritetet e Kosovës vazhdimisht kanë kërkuar lirimin e Mehmetajt dhe qytetarëve të tjerë të Kosovës, që janë arrestuar nga Serbia nën dyshime për krime lufte.

Ministria e Drejtësisë e Kosovës në korrik të vitit 2024 kërkoi nga Serbia që të ekstradojë në Kosovë shtetasit kosovarë që mbahen atje.

Por, udhëheqësja e kësaj Ministrie, Albulena Haxhiu, deklaroi se është e vështirë që Serbia t’i përgjigjet pozitivisht kësaj kërkese, për shkak të mosbashkëpunimit të vazhdueshëm juridik.

Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë thirrje për proces të drejtë ligjor për personat e arrestuar në Serbi nën akuzat për krime lufte.

Puna e Prokurorisë serbe është kritikuar në të kaluarën.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, mungesa e transparencës dhe mungesa e informacionit – që duhet të jetë i qasshëm publikisht – e kanë përjashtuar publikun prej këtyre proceseve.

Në raportin e fundit të kësaj organizate është përmendur edhe mungesa e dëshmitarëve. Sipas tij, Prokuroria nuk ka qenë në gjendje të sigurojë asnjë dëshmitar kyç për më shumë se dy vjet në rastet për krime lufte.

Në Raportin e Progresit për Serbinë, për vitin 2023, Komisioni Evropian ka përmendur që “ritmi i gjykimit të krimeve të luftës në Serbi është përkeqësuar në vitet e fundit” dhe se duhet treguar përkushtim të vërtetë për zgjidhjen e rasteve REL

Nga janari deri në nëntor, diaspora dërgoi 1.2 miliardë euro në Kosovë

Remitancat e huaja në Kosovë arritën në 1,224 miliardë euro në periudhën janar-nëntor, nga 1,208 miliardë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tha banka qendrore, duke cituar të dhënat preliminare.

Vetëm në muajin nëntor, remitancat e huaja në Kosovë u rritën me 2.3% krahasuar me një vit më parë, tha banka qendrore e Kosovës në një publikim të të dhënave.

101.3 milionë euro është shuma e mjeteve të dërguara në muajin nëntor të vitit 2024.

Krahasuar me muajin tetor, remitancat nga jashtë ranë me 9.6% në muajin nëntor.

Në vitin 2023, remitancat e huaja në Kosovë u rritën 10% krahasuar me vitin paraprak. sn

​Maqedonci: Jemi duke gjeneruar opsione për furnizim me helikopterë

Tash kur pritet të hyjë në fazën e tretë, dhe të fundit, të procesit të tranzicionit, Forca e Sigurisë së Kosovës synon që të bëhet me pajisje ajrore. Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci thotë se janë duke “gjeneruar opsione për furnizimin me helikopterë” dhe sipas tij në ditët në vijim do të kenë “një informacion të qartë se ku është orientimi për helikpoterët”.

Maqedonci flet edhe për situatën e sigurisë dhe rrezikun nga grupet terroriste serbe.

Procesi i transformimit të Forcës, i cili ka hyrë në vitin e shtatë, po zhvillohet sipas planfikimieve, thotë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

“Jemi duke gjeneruar opsione për furnizim me helikopterë dhe besoj që në ditët në vijim do të kemi një informacion më të qartë se ku është orientimi ynë për helikopterët dhe qytetarët normalisht do të jenë të informuar për orientimin tonë dhe për qasjen tonë në raport me helikoptetët dhe gjithmonë synimi ynë është që para përmbylljes së fazës së tretë të tranzicionit, para vitit 2028, të paktën të kemi një pjesë të këtyre aseteve në FSK”, shprehet ai.

Gjatë këtij procesi, Kosova ka blerë dronë e automjete të ndryshme ushtarake. Shteti është fokusuar në investime për sisteme moderne të armatimit, në mesin e tyre edhe blerjen e anti-tankeve “Javelin”.

Me përfundimin e transformimit, FSK-ja pritet të ketë përgjegjësi ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci thotë se Serbia po vazhdon të paraqes kërcënim me vendosjen e 48 bazave të ushtrisë serbe përgjatë vijës kufitare me Kosovën.

Në Rashkë, Nish dhe Vranjë, thotë ai, janë vendosur baza të tjera të cilat nuk janë larg nga territori i Kosovës. Ai konsideron se rreziku për sulme është i mundshëm, marrë parasysh se ende nuk janë ndëshkuar terroristët e sulmit në Banjskë dhe në kanalin e Ibër-Lepencit.

Terroristët serbë sulmuan Policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023 dhe vranë rreshterin Afrim Bunjaku, në Banjskë të Zveçanit. Një vit më vonë, mbrëmjen e 29 nëntorit, nga një shpërthim i madh u dëmtua kanali i ujit i Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.

Autoritetet e Kosovës thanë se sulmi ishte terrorist dhe i kryer nga bandat kriminale të mbështetura prej Beogradit zyrtar.

Maqedonci deklaron se institucionet e sigurisë janë të afta dhe të përgatitura për t’u përballur me çdo kërcënim që tenton të cenojë sovranitetin e vendit.

Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti paralajmëroi për sulme të mundshme para dhe pas Vitit të Ri.

“Normalisht që rreziku gjithmonë është theksuar i mundshëm për një arsye të thjesht, për shkak që grupi i cili ka zhvilluar sulmin terrorist të 24 shtatorit dhe që dyshohet që është i implikuar edhe në sulmin e 29 nëntorit kundër infrastrukturës kritike, vazhdon të mbetet i lirë dhe i pandëshkuar në Republikën e Serbisë. Për më tepër Republika e Serbisë, më saktësisht institucionet atje vazhdojnë të lehtësojnë funksionimin e këtij grupi në territorin e Serbisë, duke e mbështetur edhe në aspektin financiar dhe administrativ këtë grup dhe që normalisht që e gjithë kjo është indikacion që ky grup mund të vazhdojë me sulme, dhe sulme terroriste të tilla që ndodhën edhe më herët lidhen shpesh me periudha të caktuara të vitit kur vlerësohet që vigjilenca mund të jetë më e ulët dhe kur vlerësohet që dëmi mund të jetë më i madh. Pra, normalisht që kryeministri i Republikës së Kosovës nuk thotë asgjë pa pasur paraprakisht informacion që drejton në atë drejtim”, tregon Maqedonci.

Ushtria serbe vazhdon të jetë e pozicionuar përgjatë vijës kufitare me Kosovën, thotë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

“Vazhdojnë të mbeten prezente 48 baza të xhandarmërisë dhe ushtrisë serbe, por përveç tyre Serbia ka të vendosur baza të tjera pikërisht në jug të territorit të saj, më saktësisht në Rashkë, në Nish dhe Vranjë, që gjithashtu nuk është distancë e largët nga territori i Republikës së Kosovës. Tri nga katër brigadat e mekanizuara të ushtrisë serbe janë të vendosura në këto baza dhe gjitha këto bazat tjera operacionale që janë përgjatë vijës kufitare, këto 48 bazat, janë një zgjatje operacionale pikërisht e këtyre njësive të mëdha që i kanë të vendosur në jug të territorit të Serbisë. Kjo patjetër që për neve paraqet kërcënim. Gjithmonë kur një shtet i vendos trupat ushtarake, që shteti fqinj në kufi është një kërcënim apo pjesë e një lufte të madhe hibride ku përfshihet edhe aspekti konvencional i kërcënimit”, shprehet ai.

Anëtarësimi i Kosovës në NATO ishte theksuar si çështje e rëndësishme nga autoritetet e Kosovës, sidomos pas sulmeve terroriste në veri.

Kjo çështje është një nga objektivat kryesore të institucioneve vendore, thotë Maqedonci, i cili shton se Forca e Sigurisë së Kosovës po ndërtohet sipas standardeve të NATO-s.

“Pengesë mbetet hezitimi i vendeve mosnjohëse për të mbështetur Republikën e Kosovës për t’u anëtarësuar plotësisht në NATO. Besoj që me një punë që do të bëjmë në të ardhmen edhe kjo pengesë do të evitohet dhe vendi ynë do të jetë pjesë e NATO-s”, shton ai.

Në fund të vitit të kaluar, Kosova ka nënshkruar marrëveshje me prodhuesin turk të industrisë së mbrojtjes për themelimin e fabrikës së municioneve në Kosovë.

Ministri Ejup Maqedonci thotë se në këtë mënyrë Kosova do të pavarësohet në aspektin e municioneve.

“Për herë të parë vendi ynë po fillon prodhimin e municioneve ‘Made in Kosova’, të cilat do të jenë 100 për qind prodhim i Kosovës dhe marka do të jetë markë e Kosovës edhe me prodhimin e tyre, në të ardhmen Kosova do të pavarësohet në aspektin e municioneve sidomos të atyre që shpenzohen më së shumti dhe gjithashtu do të ketë mundësinë që të bëhet vend eksportues duke marrë parasysh kapacitetet e fabrikës që mendohet që të ndërtohet dhe funksionalizohet në Kosovë. Por, edhe mundësitë për prodhuesit privat që gjithashtu qeveria jonë i inkurajon që të investojnë në Republikën e Kosovës në këtë fushë”, deklaron ai.

Kjo fabrikë do t’i ketë makineritë sipas standardeve të NATO-s dhe siç tregon Maqedonci, do të menaxhohet nga një ndërmarrje publike.

Kontrata përfshin edhe trajnimin e stafit nga Republika e Turqisë.

“Me nënshkrimin e kontratës nga kryeministri i Republikës së Kosovës më 16 dhjetor të vitit 2024, kompania shtetërore turke MKE ka marrë përgjegjësinë që të fillojë prodhimin e makinerisë për këtë fabrikë. Por edhe gjithashtu edhe të pjesëve të tjera përcjellëse, është për tu theksuar që nuk është vetëm çështja e linjave të prodhimit. Kosova përmes kësaj kontrate do të ketë mundësinë që të ketë edhe laboratorët për testimin e kualitetit, gjithashtu laboratorët për kalibrimin e atyre municioneve që do të prodhohen nga kjo fabrikë. Është më shumë se një fabrikë, është një kompleks i cili do të krijojë mundësi që edhe në të ardhmen të rritet dhe të bëhen investime të tjera për të rritur kapacitetet e këtij kompleksi dhe për të mos u kufizuar vetëm në dy llojet e municioneve, të cilat planifikohet të prodhohen në fazën e parë. Normalisht që kontrata është e klasifikuar dhe ka informacione të cilat nuk mund të bëhen të njohura për publikun. Mirëpo, çfarë mund të theksojë këtu është se sipas kontratës do të marrë më shumë se një vit dhe më pak se dy vjet për tu funksionalizuar në tërësi fabrika e municioneve 5/56 dhe 7.62, municione këto të cilat më shumti shpenzohen gjatë ushtrimeve”, thekson ai.

Në shtator të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ka miratuar konceptin për mbrojtje gjithëpërfshirëse Ky koncept synon të integrojë edhe qytetarët në sistemin e mbrojtjes së vendit.

Ministri i Mbrojtjes thotë se gjatë këtij viti prioritet do të jetë implementimi i këtij koncepti.

Qeveria, pjesë e së cilës është Maqedonci, e përfundon mandatin këtë fillimvit, pasi që zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen më 9 shkurt.

“Koncepti për mbrojtje gjithëpërfshirëse, programi është miratuar nga Qeveria e Kosovës. Hapat në vazhdim kanë të bëjnë me planet e veprimit. Koncepti për mbrojtje gjithëpërfshirëse nuk është ekskluzivitet vetëm i Ministrisë së Mbrojtjes. Do të përfshijë edhe ministri dhe institucione të tjera. Ne vlerësojmë që gjatë vitit 2025 do të bëjmë planet e veprimit për implementimin e këtij koncepti, normalisht do të duhet që të bëhet një grup ndërministror për të drejtuar zhvillimin e këtij koncepti. Është një koncept që aplikohet në vendet baltike dhe përafërsisht edhe në vendet skandinave dhe që mundëson që qytetarët e Kosovës të kenë rolin e tyre në kuadër të sistemit tonë të mbrojtjes…Ky nuk do të jetë i kufizuar vetëm në angazhimin e qytetarëve në sistemin mbrojtjes. Do të jetë gjithashtu program i cili do të mundësojë që vendi ynë të fillojë të rishikojë çështjen e strehimoreve, infrastrukturës kritike dhe elementeve të tjera”, shprehet ai në intervistën e KosovaPress.

Gjatë vitit të kaluar është validuar edhe regjimenti i dytë i këmbësorisë, që sipas Maqedoncit, ka shënuar arritje për zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes.

Kosova gjatë këtij viti do të jenë vend pritës i ushtrimit “Defender Europe 2025”, ku do të ketë njësi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës por edhe vendeve të tjera partnere./kp/

Ndërron jetë ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Anton Berisha

Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha ka ndërruar jetë. Lajmin për ndarjen nga jeta e kanë bërë të ditur familjarët e tij në rrjetin social Facebook.

Berisha ka shërbyer edhe si ambasador i Kosovës në Slloveni.

“Të dashur familjarë dhe miq,

Me pikëllim të thellë dhe zemër të rënduar ju njoftojmë se babai ynë i shtrenjtë, Anton Berisha, sot, më datë 2 janar, pas një sëmundjeje të shkurtër, u nda nga kjo jetë, duke lënë pas një boshllëk të paimagjinueshëm në zemrat tona.

Homazhet do të mbahen nesër (3 Janar) nga ora 09:00 deri në orën 12:00, në Kishën Katolike “Shën Katarina” në Pejë.

Varrimi i tij do të bëhet më datë 3 janar, në orën 13:00, në varrezat katolike në Pejë. Ndërsa e pamja do të mbahet  më 4 janar në restorantin “Koha 3”, në qendër të qytetit, nga ora 09:00 deri në orën 14:00”, shkruan djali i tij. bw

LVV nis ankesë në PZAP, kërkon anulim të vendimit për Listën Serbe

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), parti në pushtet në Kosovë, ka nisur të enjten ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kundërshtuar certifikimin e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Përmes një postimi në Facebook, kjo parti ka thënë se Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) në mënyrë të pashembullt dhe në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet, ia ka mundësuar këtij subjekti politik pjesëmarrjen në zgjedhje.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë më 31 dhjetor se vendimet e PZAP-së janë të obligueshme për institucionin që drejton, dhe çështjen e certifikimit të Listës Serbe e ka konsideruar të mbyllur.

Pse po ankohet LVV-ja?

Në mbledhjen fillestare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), më 23 dhjetor, Lista Serbe nuk është certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje, pas kundërshtimeve të LVV-së, me arsyetimin se Lista Serbe nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

Lista Serbe është ankuar më pas në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili e ka urdhëruar KQZ-në ta certifikojë këtë parti.

Më 31 dhjetor, KQZ-ja ka thënë se vendimi i PZAP-së për certifikim të Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit, është i plotfuqishëm dhe duhet zbatuar.

Lëvizja Vetëvendosje është ankuar edhe në Gjykatën Supreme për vendimin e PZAP-së, por ajo është hedhur poshtë ditë më parë.

“Nxjerrja e vendimit në emër të KQZ-së, por pa miratim të KQZ-së, është sulmi i radhës ndaj rendit tonë ligjor për shkak të Listës Serbe. Secili vendim i KQZ-së duhet t’i nënshtrohet votimit nga anëtarët e KQZ-së. Ky vendim nuk është i KQZ-së, sepse nuk është votuar. Është i paligjshëm, sepse bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ndërsa Lista Serbe nuk është certifikuar në përputhje me Ligjin, por është kontrabanduar kundërligjshëm”, është thënë në reagimin e partisë.

Megjithatë, LVV nuk ka treguar saktë se çka nënkupton me shkelje të Ligjit për Zgjedhjet.

Lista Serbe e pati konsideruar vendimin e parë për moscertifikim si të kundërligjshëm dhe pati akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për përfshirje në marrjen e këtij vendimi.

Perëndimi pati shprehur shqetësim për moscertifikim të Listës Serbe, ndërsa Bashkimi Evropian ka thënë më 31 dhjetor se politizimi i certifikimit të listave zgjedhore do të ishte kthim mbrapa për Kosovën.

Lista Serbe pati thënë se do të marrë pjesë në zgjedhje pas një periudhe të bojkotimit të proceseve politike në Kosovë.

Më 2022, pjesëtarë të kësaj partie patën dhënë dorëheqje në mënyrë kolektive nga institucionet e Kosovës, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të autoriteteve të Kosovës për shtrirje të autoritetit në gjithë territorin e vendit.

Njohës të çështjeve politike i patën thënë Radios Evropa e Lirë se moscertifikimi i kësaj partie në mbledhjen e parë të KQZ-së është pjesë e parafushatës zgjedhore të partisë në pushtet.

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit përbëjnë procesin e parë të rregullt zgjedhor në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë më 2008.

Deri tani janë mbajtur një mori zgjedhjesh të parakohshme. REL

FOTOT+VIDEO- Vajzë dhe djalë, dy fëmijët e parë të lindur më 2025 në Kosovë

Vajzë dhe djalë janë dy fëmijët e parë të lindur në vitin 2025. Të dy këto lindje janë realizuar në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK.

Pas ndërrimit të viteve për vizitë aty ishin kryeministri Albin Kurti, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Vizituam dy nëna, të cilat kanë lindur dy foshnje ne këtë nderrim vitesh. Zonja Teutë ka lindur vajzën Poemën, ndërkaq zonja Fortesa ka lindur djalin Diamantin. Të dy nënat dhe të dy foshnjet janë shumë mirë me shëndet. Dhe ne ju uruam mbarësi dhe jetë të gjatë bashkë me familjet e tyre”, tha kryeministri Albin Kurti.

Kurti shtoi se qeveria e tij ka pasur në fokus nënën dhe fëmijën. Sipas tij, është vitale për të ardhmen investimi për këto kategori.

Image

Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj tha se gjatë këtij viti do të fillojnë së funksionalizuari shërbime të reja.

“Presim që gjatë vitit 2025 qe të kemi suksese në vazhdimësi, gjithsesi në përkujdesje dhe në trajtim të pacientëve. Kemi disa shërbime të reja qe presim për vitin 2025 qe do të fillojnë, faktikisht kanë filluar por do të zhvillohen edhe do të presim edhe rezultatet e para qe në fillim të vitit 2025”, theksoi ai. sn

Gjykata Supreme hedh poshtë ankesën e LVV-së ndaj PZAP-së për Listën Serbe

Gjykata Supreme e Kosovës doli me aktvendim duke hedhur poshtë si të palejuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, e paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me cerfifikimin e Listës Sërpska.

Me vendimin e PZAP-së, me datë 25.12.2024 ishte aprovuar si e bazuar ankesa e Listës Sërpska dhe është anuluar njoftimi i KQZ-së së datës 23.12.2024. Kështu, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ishte urdhëruar për cerftifikim të Listës Sërpska dhe kandidatëve të saj për zgjedhjet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. sn

Kurti: E kam menduar vizitën në Hagë, por faktori kryesor që më ka ndaluar është se duhen plotësuar shumë formularë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për emisionin RTK PRIME, është pyetur edhe për arsyet e mosvizitës së tij në Hagë, tek ish-krerët e UÇK-së, Thaçi, Veseli, Selimi etj.

Ndonëse mbi këtë temë ditë më parë u deklarua edhe ish-kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, i cili për kryeministrin Albin Kurti, ka theksuar se ishte i dëshpëruar që nuk pati asnjë vizitë nga ai në Hagë, ndërkohë që Rexhep Selimi kishte marrë përshëndetje nga ai por jo edhe të tjerët.

Sidoqoftë, Kurti  ka dhënë një arsye për mosvizitën e tij në Hagë.

“Unë e kam menduar vizitën në Hagë edhe kam qenë i interesuar të shkoj, por faktori kryesor që më ka ndalur të shkoj është fakti që duhej plotësuar shumë dokumente formularë, ku ti nënshkruan në Gjykatën Speciale”, ka deklaruar Kurti. sn

Haxhiu: Kurti nuk ka refuzuar dëshminë në Prokurorinë Speciale

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i ka dalë në mbrojtje, kryeministrit Albin Kurti. Ajo është pyetur edhe për Konferencën e thirrur nga kryeprokurori Blerim Isufaj, deklaratat e Kryeministrit për Prokurorët, si dhe për thirrjen e Kurtit për t’u intervistuar në Prokurorinë Speciale.

Haxhiu tha se Kurti nuk e ka refuzuar dëshminë në Prokurorinë Speciale por ka ofruar disa ditë dhe data për ta dhënë dëshminë në zyrën e tij.

Ministrja e Drejtësisë shtoi se kryeministri Albin Kurti nuk është akuzuar për korrupsion, madje as nga kritikët e tij më të mëdhenj nuk është thënë asnjë fakt apo detaj. Zyrtarja e lartë e qeverisë Kurti tha se Kosova ka treguar se i respekton rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe se nuk ka hequr dorë nga reforma në Drejtësi.

Kurti është ftuar këtë muaj nga Prokuroria Speciale për të dëshmuar në një rast korrupsioni, saktësisht për rastin e keqpërdorimit të rezervave shtetërore. Ai nuk i është përgjigjur ftesës akoma, por i ka ftuar prokurorët të shkojnë tek ai.

Shumë zyrtarë qeveritarë dhe eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet e kanë cilësuar të motivuar politikisht ftesën që prokuroria ia ka adresuar kryeministrit të Kosovës, meqë ajo është bërë në prag të fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. sn

Saga e fluturimit Hamburg-Prishtinë’ Pasi u ulën në Beograd u kthyen për në Këln dhe pastaj sërish drejt Kosovës

Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës, ka dalë me një sqarim lidhur me fluturimin e djeshëm Hamburg-Prishtinë, i cili për shkak të disa problemeve teknike u detyra të aterrojë në Beograd.

AACK thekson se në bord ishin 155 udhëtar.

‘Fluturimi i planifikuar nga Hamburg për në Prishtinë nga operatori ajror ‘Eurowings’ (Flt.Nr. EW5704), i nisur në ora 14:30 me 155 udhëtar ne bord, për shkaqe teknike është detyruar të ulet në aeroportin ‘Nikola Tesla’ në Beograd në ora 16:27.

Operatori ajror Eurowings, menjëherë ka organizuar dhe ka dërguar një avion alternativ (Flt. Nr. EW6005) për të marrë udhëtaret e mbetur në aeroportin e Beogradit, dhe në ora 22:56 ky avion ka fluturuar me udhëtarët e njëjtë për në qytetin e Këln në Gjermani, ku është ulur në 00:45 pas mesnatës’, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se Autoriteti i Aviacionit Civil dhe institucione tjera shtetërore të Kosovës bashkë me aeroportin e Prishtinës, kanë qenë në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me operatorin ajror Eurowings për sigurinë dhe mirëqenien e udhëtarëve tanë që ishin në këtë fluturim.

‘Udhëtarët e kthyer në Këln, operatori ajror Eurowings i ka sjellë në Prishtinë paraditen e sotme në ora 10:00 (Flt. Nr. EW6006)’, theksohet në njoftim. SN

Dogjën shqiptarët për së gjalli- Kush janë 5 serbët e akuzuar për krime lufte

Sipas Prokurorisë, pesë serbët e akuzuar vranë 8 civilë shqiptarë, dy nga të cilët i kanë vendosur në grumbull drunjsh, e njërin e kanë djegur për së gjalli. Në njoftimin e organit të akuzës theksohet se, si pjesë të grupit kriminal, në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë të paidentifikuar, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, kanë marrë pjesë edhe në rrahje, maltretim, torturë, plaçkitje e dëbim të popullatës civile shqiptare

KOHA

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë të premten kundër pesë serbëve, që dyshohen për krime lufte të kryera në rajonin e Gjilanit.

Të dyshuarit janë: Dragan Cvetkoviq, Dragan Niçiq, Milosh Shoshiq, Nenad Stojanoviq dhe Slobodan Jevtiq. Sipas prokurorisë, ata vranë 8 civilë shqiptarë, njërin prej të cilëve e kanë djegur për së gjalli.

“Për pesë të pandehurit ekziston dyshimi i bazuar mirë se gjatë luftës në Kosovë, konkretisht në regjionin e Gjilanit, si pjesë e grupit kriminal, në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë të paidentifikuar të këtij grupi, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, kanë marrë pjesë në vrasjen e tetë (8) civilëve shqiptarë, e konkretisht dy nga këto viktima i kanë vendosur në grumbull drunjsh, ku njëri nga ta është djegur për së gjalli”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

“Kishin rrahur, maltretuar, torturuar, plaçkitur, dëbuar popullatën civile shqiptare, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë, andaj, me këtë, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale, Krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së”.

Kur pesë të dyshuarit u arrestuan në gusht, dëshmitarët rrëfyen për krimet.

Fitim Imeri ishte 17 vjeç kur forcat serbe ia vranë të atin dhe një të afërme më 5 prill 1999.

Ai i ka thënë KOHËS se kujtimet e krimit makabër në fshatin Llovcë të Gjilanit e lënë shpesh pa gjumë, meqë të atin Rrahimin atë ditë e pa të masakruar.

“Babai ishte i prerë shumë keq (me bajoneta v.j.), sidomos në pjesën e prapme të trupit. Ka qenë aq i hapur saqë i shiheshin pjesët e barkut”, rrëfen Imeri për babain që e pa të masakruar. “Diku prej atje (lart në rrugën e fshatit v.j.) ka pasur gjak rrugës, por në këtë pozicion poshtë ka pasur më së shumti gjak”.

Për këtë vrasje dhe të tjera në fshatrat përreth, me urdhër të Prokurorisë Speciale, në gusht janë arrestuar pesë serbët që janë rajoni i Gjilanit.

Veprimet e Prokurorisë Speciale ia kanë ngjallur Imerit shpresën për drejtësi sado të vonuar, por shprehet edhe i zhgënjyer e i mllefosur.

Vëllai i tij më i madh, Bekimi, është intervistuar nga Prokuroria Speciale për këtë krim.

Në Prokurori ka dhënë dëshminë e tij edhe Bexhet Mehmeti, një prej viktimave të rrëmbimit dhe keqtrajtimit nga forcat serbe në fshatin Llovcë.

“Mua personalisht bashkë me një bashkëfshatar dhe një mikeshën time, na kanë marrë peng aty në vendin e krimit, na kanë shoqëruar nëpër fshatrat përreth Gjilanit, deri në stacionin e tyre. Na kanë keqtrajtuar në formën më mizore”, ka rrëfyer Mehmeti. “Deri tani kemi qenë të zhgënjyer me sistemin, me organet tona, sepse nuk kanë vepruar me kohë. Mendoj se tani ka ardhur koha që Policia dhe Prokuroria ta kryejnë punën e tyre. Është çështje e tyre sa zgjat, por besoj se do të dalin para drejtësisë akterët”.

Mehmeti ka thënë se dy prej shtatë civilëve të vrarë, kanë qenë të djegur.

“Krimet kanë qenë barbare. Është e vështirë të përshkruhet”, është shprehur ai.

Pesë serbët e arrestuar dyshohet se në fshatrat Llovcë, Kokaj, Pogragjë e Uglar, në prill të 1999-s kanë vrarë, plagosur por edhe djegur për së gjalli viktima civile shqiptare.

Po ashtu dyshohet se kanë marrë peng, kanë dhunuar, plaçkitur e dëbuar civilë shqiptarë.

Shumë nga të mbijetuarit e krimeve të luftës dhe familjarët e viktimave kanë hezituar të deklarohen dhe të ofrojnë hollësi, meqë i kanë thënë KOHËS se janë udhëzuar nga Prokuroria të mos i zbulojnë detajet që mund të ndikojnë në hetim.

Por kanë theksuar se janë shumë më shumë serbë të përfshirë në këto krime, sesa pesë sa janë arrestuar.

LVV ankohet në Supreme ndaj urdhrit të PZAP-it për certifikimin e Listës Serbe për zgjedhje

Partia në pushtet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka bërë ankesë të premten në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për ta urdhëruar Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) ta certifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Përfaqësuesit e partisë në pushtet në KQZ kishin votuar kundër certifikimit të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – në një mbledhje të mbajtur më 23 dhjetor.

Dy ditë më vonë PZAP-i e pranoi ankesën e Listës Serbe duke e rrëzuar vendimin e KQZ-së, si dhe e urdhëroi atë ta certifikojë Listën Serbe, duke thënë se kjo parti kishte dorëzuar dokumentacionin në përputhje me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe me rregullat e tjera të KQZ-së.

Por, të premten, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, e dorëzoi ankesën në Gjykatën Supreme në emër të LVV-së ndaj vendimit të PZAP-it, sipas mediave lokale.

Përfaqësuesit e partisë në pushtet e kanë arsyetuar kundërshtimin e certifikimit të Listës Serbe duke thënë se kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe vazhdon ta quajë atë provincë autonome të Serbisë, “Kosova dhe Metohia”.

Vendimi i PZAP-it u mirëprit nga Lista Serbe, e cila e cilësoi vendimin e KQZ-së si përpjekje “për eliminimin e Listës Serbe” nga procesi zgjedhor.

E gjithë kjo, sipas këtij subjekti, u bë për të “favorizuar serbët e përshtatshëm me [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurti pasi çdo gjë është realizuar drejtpërdrejt nën urdhrin e tij dhe është motivuar politikisht”.

Njohësit e zhvillimeve politike kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se moscertifikimi i Listës Serbe nga KQZ-ja ishte pjesë e fushatës parazgjedhore.

Perëndimi kishte shprehur shqetësim dhe keqardhje për moscertifikimin e Listës Serbe pas vendimit të KQZ-së më 23 dhjetor.

Lista Serbe vendosi të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit pas një periudhe të bojkotimit të proceseve politike në Kosovë.

Më 2022, pjesëtarë të kësaj partie patën dhënë dorëheqje në mënyrë kolektive nga institucionet e Kosovës, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të autoriteteve të Kosovës për shtrirje të autoritetit në gjithë territorin e vendit.REL

Autoritetet energjetike: S’ka mungesë të rrymës në Kosovë, por mbingarkesë të rrjetit

Ndërprerjet me furnizim me energji elektrike po ndodhin për shkak të mbingarkesës së rrjetit për shkak të rritjes së konsumit, e jo për shkak të mungesës së energjisë, tha shefi ekzekutiv i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Evetar Zeqiri.

Këtë deklaratë ai e bëri pas takimit që ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli zhvilloi me KOSTT-in dhe Kompaninë Kosovare për Shpërndarjen e Energjisë (KEDS).

“Nuk ka mungesë të rrymës. Ne jemi duke prodhuar në maksimum në katër blloqe. KESCO po importon energjinë e munguar. Nuk bëhet fjalë për mungesë të energjisë, por bëhet fjalë për ngarkesë që ka prekur kufijtë”, tha Zeqiri.

“Problemi është i përkohshëm, vetëm në këtë javë dhe javën tjetër dhe pas kësaj pritet të çlirohen kapacitetet, të ulet ngarkesa dhe nuk do të ketë pengesa”, shtoi ai.

Ditëve të fundit, qytetarë në pjesë të ndryshme të Kosovës janë ankuar për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike. Institucionet e Kosovës, ndërkaq, u kanë bërë thirrje atyre që të kursejnë energjinë për shkak të mbingarkesës së rrjetit.

Ndërkaq, drejtori i Operimit të Sistemit në KEDS, Bujar Jupaj, tha për mediat se në periudhën nëntor-dhjetor ka pasur rritje të ngarkesës për 30 për qind, duke argumentuar se “ka rritje të kërkesës së paparashikuar”.

Ai tha se KEDS-i do të angazhojë 1.000 punëtorë shtesë për të intervenuar në rastet e mbingarkesës së rrjetit.

“KEDS-i ka rreth 730 mijë konsumatorë dhe nga të dhënat që i kemi, mbi 95 për qind të konsumatorëve që furnizohen në të njëjtën kohë. Po flasim për një 5 përqindësh të cilin e kanë një problem si pasojë e mbingarkesës”, tha ai, duke shtuar se piku i ngarkesës së rrjetit është arritur javën e kaluar me 2.500 megavatë të shpenzuara.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar se bizneseve po u shkakton telashe mungesa e energjisë elektrike. Ndërkaq, përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë thënë se institucionet ishin të papërgatitura për stinën e dimrit dhe masat e ndërmarra viteve të fundit, sikurse subvencionimi i pajisjeve efiçiente për ngrohje kanë çuar në rritje të konsumit.

“Subvencionimi i pajisjeve elektrike efiçiente ka rezultuar që shumë konsumatorë të ndryshojnë mënyrat e ngrohjes, duke kaluar në ngrohje me energji elektrike, qoftë përmes investimeve në klima apo pompa termike. Kjo ka shtuar kërkesën për energji në sistem, sepse qytetarët kanë kaluar nga ngrohjet me lëndë djegëse tradicionale në ngrohje me rrymë”, tha Dardan Abazi nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP).

Por, kështu nuk mendon ministrja Rizvanolli. Ajo i cilësoi si “të pasaktë” lidhjen e çështjes së subvencionimit të pajisjeve me rritjen e ngarkesës së rrjetit.

“Sigurisht që kur janë dizajnuar skemat e subvencionimit është menduar çdo detaj. Prandaj, edhe ka qenë kushti që nuk mund të përfitoni nga pajisjet ngrohëse efiçiente që ngrohin me energji elektrike, përveç nëse jeni konsumator që ngroheni me energji elektrike me pajisje joefiçiente dhe nuk keni asnjë opsion tjetër”, tha Rizvanolli.

Sipas saj, nga të dhënat e viteve paraprake, përfituesit e subvencioneve për pajisje efiçiente për ngrohje me rrymë kanë konsumuar më pak energji elektrike.

Megjithatë, ajo shtoi se në rrjet në tre vjetët e fundit është rritur numri i konsumatorëve, përkatësisht sipas saj janë 60.000 amvisëri të reja të kyçura në rrjet dhe 8.500 biznese.

Ministria e Ekonomisë e Qeverisë së Kosovës, që nga viti 2022, disa herë ka ndarë subvencione për qytetarët që blejnë pajisje efiçiente për ngrohje, përfshirë pompa termike, kondicionerë/klima efikase, si dhe kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket) dhe stufa individuale me biomasë. Thirrja e fundit u bë edhe në shtator të këtij viti.

Në janar të këtij viti, ajo ka njoftuar se gjatë dy viteve të fundit janë realizuar pagesa për mbi 15 mijë familje, në një vlerë rreth shtatë milionë euro.

Kosova aktualisht prodhon energji elektrike në dy termocentralet, Kosova A dhe B, që funksionojnë me thëngjill. Por, shteti po ashtu importon rrymë me qëllim që të përmbushë kërkesat në rritje të konsumatorëve. REL

Mbyllet edhe një institucion paralel në veri të Kosovës

Policia e Kosovës pranë ndërtesës ku ishte vendosur Ndërmarrja Publike për Urbanizëm, që vepronte sipas sistemit të Serbisë.

 

Policia e Kosovës ka mbyllur më 27 dhjetor një tjetër institucion që vepronte sipas sistemit të Serbisë – Ndërmarrja Publike për Urbanizëm në Mitrovicën e Veriut – ka konfirmuar për Radio Evropën e Lirë zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Ai tregoi se Policia ka reaguar pasi ka pranuar informacion se një ndërmarrje e tillë gjendet në një ndërtesë banimi afër Shkollës Teknike në Mitrovicë të Veriut dhe më pas ky informacion u vërtetua si i saktë.

“Pasi që është kontaktuar prokurori i rastit, dokumentet që u gjetën atje u konfiskuan dhe disa persona u intervistuan dhe rasti si falsifikim i dokumenteve i bashkëngjitet rastit të mëhershëm që e kishim me strukturën paralele të Mitrovicës së Veriut”, tha Elshani, duke shtuar se nuk ka të arrestuar për këtë rast.

Një ditë më herët u mbyllën dy ndërmarrje publike serbe, që punonin sipas sistemit të Serbisë: Drejtoria për Hapësirën Banesore dhe Biznesore dhe Drejtoria për Tokën Ndërtimore.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, këto institucione të mbyllura kundërligjshëm kanë grumbulluar pagesa nga qytetarët dhe bizneset për shfrytëzimin “e objekteve që janë kinse nën menaxhimin e tyre”.

Ndërkaq, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, ka thënë se Qeveria e kryeministrit Albin urti, po vazhdon me “aksione të paligjshme, përshkallëzuese” në veri të Kosovës.

Nga kjo parti thanë se do të bisedojnë me punonjësit e institucioneve të mbyllura për të shqyrtuar mundësitë e mbështetjes dhe ndihmës që mund t’u ofrohet atyre.

Institucionet enë Kosovëqë veprojnë në sistemin e Serbisë konsiderohen të paligjshme, dhe për këtë arsye, që në fillim të vitit ka nisur mbyllja e tyre.

Deri tani janë mbyllur disa organe të përkohshme komunale, Posta e Serbisë në veri të Kosovës, Banka Kursimore e Postës, Instituti për Sigurime Pensionale dhe Invalidore në Mitrovicën e Veriut, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviç, si dhe disa kompani komunale.

Po ashtu, Kosova ka ndaluar përdorimin e dinarit serb, gjë që ka vështirësuar pagesën e pagave për pjesëtarët e komunitetit serb që marrin rroga nga buxheti i Serbisë.

Këto hapa, Qeveria e Kosovës ka thënë se i ka ndërmarrë për të shtrirë sovranitetin, por është kritikuar nga komuniteti ndërkombëtar që kërkon që këto çështje të zgjidhen në kuadër të dialogut të Brukselit, në mënyrë që të shmanget rritja e tensioneve në terren.

Në anën tjetër, Serbia refuzon të mbyllë institucionet e saj në territorin e Kosovës dhe shumicën e tyre i ka zhvendosur afër pikave kufitare nga ana e Serbisë. REL

Treqind euro për 50 metra katrorë: Faturat e Termokos-it “ngrijnë” prishtinasit

Rregullimi i nivelit të ngrohjes në radiatorin e një banese në Prishtinë.

 

Doruntina Baliu

Qindra euro kanë qenë faturat për ngrohje për disa qytetarë të Prishtinës gjatë muajve tetor dhe nëntor. Kjo ndodhi pas ndryshimit të mënyrës së faturimit këtë vit nga ndërmarrja publike Termokos. Disa nga ankuesit dyshojnë se matja e konsumit nuk është bërë siç duhet.

Me t’u kthyer nga puna, në një pasdite, në javët e para të dhjetorit, Mehreme Hykolli u përball me një grumbull fqinjësh, të cilët qëndronin të shqetësuar në hyrjen e ndërtesës ku banojnë.

“Banorët ishin të shqetësuar, me fatura të Termokos-it në dorë. Shumica ishin mbi 200 euro”, tregon Hykolli.

Banorja e lagjes Bregu i Diellit thotë se atë ditë u trondit kur pa faturën e saj të ngrohjes për 30 ditë të nëntorit, në shumë prej 300 eurosh.

Hykolli jeton vetëm, në një banesë prej rreth 50 metrash katrorë. Ajo thotë se viteve të kaluara kishte pranuar fatura prej 35 deri në 37 euro në muaj nga ngrohtorja e qytetit.

“Nuk e duroj nxehtësinë e madhe. Në dhomën e gjumit nuk i ndez radiatorët. I ndez vetëm në sallon, kuzhinë dhe banjë. Unë punoj, deri në orën 4 nuk jam [në banesë]”, thotë Hykolli, e cila nuk e kupton se si iu faturua ky shpenzim.

Fatura e ngrohjes e Mehreme Hykollit për muajin nëntor.

Fatura e ngrohjes e Mehreme Hykollit për muajin nëntor.

Këtë vit, ndërmarrja Termokos, e cila është përgjegjëse për ofrimin e ngrohjes për disa lagje të Prishtinës, ka ndryshuar mënyrën e faturimit, e cila kishte qenë në fuqi për shumë vite.

Më parë, për rreth 25 mijë konsumatorë të Termokos-it, faturimi përcaktohej bazuar në sipërfaqen e hapësirave të banesave apo shtëpive, me një çmim prej 76 centësh për metër katror.

Me fillimin e sezonit të ngrohjes, më 15 tetor të këtij viti, Termokos bëri ndryshime rreth faturimit për rreth 7 mijë konsumatorë.

Tek ta, paraprakisht janë instaluar matës, për të përcaktuar nivelin e shfrytëzimit të ngrohjes, gjë që nuk ishte bërë më parë.

Çmimi për sasinë e shfrytëzimit të ngrohjes për sezonin 2024/2025 u përcaktua nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë, me një vendim të datës 12 nëntor 2024.

Sezoni i ngrohjes nga Termokos-i zakonisht nis më 15 tetor dhe vazhdon deri më 15 prill.

Vendimi për tarifat u mor pasi sezoni i ngrohjes kishte filluar dhe ishin kryer matjet e para për faturat që do të shpërndaheshin në fillim të nëntorit.

Ndërmarrja Termokos, në përgjigjet ndaj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me faturat, i është referuar vendimit të ZRRE-së për tarifat, ku sqarohet se çmimi për ngrohjen me matje është vendosur në 76 centë për kilovat në muaj.

Megjithatë, kjo ndërmarrje nuk ka dhënë shpjegime se si janë faturuar ditët e para të ngrohjes, para marrjes së këtij vendimi.

Një radiator me matës të shfrytëzimit të ngrohjes, në një banesë në Prishtinë.

Një radiator me matës të shfrytëzimit të ngrohjes, në një banesë në Prishtinë.

Mehreme Hykolli thotë se ka bërë ankesë pranë Termokos-it lidhur me faturat e sivjetme, por ende nuk ka marrë përgjigje.

“Vendimi im është që çdo muaj t’i mbledh faturat dhe të bëj ankesë për secilin muaj, pastaj t’i dërgoj në gjykatë. Vetëm kështu mund të mbrohem nga përmbaruesi kur të vijë për të më marrë gjërat e shtëpisë”, thotë ajo.

Për gjysmën e muajit tetor, Hykolli është faturuar 44 euro, shumë e cila për të është e papranueshme, pasi është më e lartë se ajo që e kishte paguar më parë për një muaj të plotë.

“Kam marrë trauma nga radiatori. Në banjë as nuk guxoj ta ndez më”, shton ajo.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Termokos-i nuk ka zbuluar numrin e ankesave të konsumatorëve, por ka bërë të ditur se “ka formuar një komision për shqyrtimin e ankesave, i cili po merret me trajtimin e secilës ankesë”.

“Sistemi i ri i faturimit sipas konsumit është sistem modern dhe i saktë”, tha zëdhënësja e Termokos-it, Afërdita Uka.

“Rreth 70 për qind e konsumatorëve tanë që janë faturuar sipas shpenzimit kanë përfituar fatura më të ulëta, ndërsa vetëm 30 për qind që nuk e kanë shfrytëzuar në mënyrë racionale ngrohjen kanë marrë fatura më të larta”, u shpreh ajo.

Shpenzim i pakontrolluar apo fatura të fryra?

Me faturën e parë të Termokos-it këtë vit u befasua edhe Faton Rama, banor i lagjes Dardania, në kryeqytetin kosovar.

Për ngrohjen e banesës prej rreth 90 metrash katrorë, për gjysmën e muajit tetor, ai pranoi faturë prej rreth 80 eurosh.

Duke menduar se mund të kishte ndodhur ndonjë gabim teknik, Rama thotë se vendosi të priste faturën e radhës për muajin e plotë të nëntorit.

“Kur mora faturën e dytë, prej 202 eurosh, ishte e papranueshme”, shprehet ai.

Fatura e Faton Ramës për ngrohje për muajin nëntor.

Fatura e Faton Ramës për ngrohje për muajin nëntor.

Edhe Rama pretendon se ngrohjen e ka shfrytëzuar në mënyrë racionale, sidomos duke pasur parasysh motin jo aq të ftohtë që ka mbajtur deri në këtë kohë.

“Unë kam dyshime se matësit nuk po matin si duhet, ose në formë reale. Jam ankuar, nuk kam marrë përgjigje akoma”, tregon Rama për Radion Evropa e Lirë.

Ai thotë se po e pret me frikë faturën e muajit dhjetor.

“Kur më ka ardhur 202 euro, ka qenë kohë e mirë, nuk e di se çfarë do të vijë tani”, shprehet ekonomisti 46-vjeçar.

Fluksi i ankesave të qytetarëve për faturat e ngrohjes ka nxitur reagimin e iniciativës CorrWatch, një grupim i disa organizatave të shoqërisë civile në Kosovë.

“Këto fatura janë konsideruar të fryra dhe të shpërputhura me standardet e mbrojtjes së konsumatorëve, duke pasur ndikim të drejtpërdrejtë në besimin e qytetarëve dhe në integritetin e procesit rregullativ në sektorin e ngrohjes termike”, është thënë në reagimin e CorrWatch, më 23 dhjetor.

Faturat e Termokos-it në kutitë postare në një ndërtesë banimi në Prishtinë.

Faturat e Termokos-it në kutitë postare në një ndërtesë banimi në Prishtinë.

Ky grup u ka bërë thirrje Termokos-it dhe ZRRE-së, si trup rregullues, që të ndërmarrin masa për shqyrtimin e këtyre faturave, dhe që “kostoja e tepërt të zbritet në faturat e dhjetorit”.

ZRRE-ja, e cila ka kompetencë për të bërë auditimin e faturimit, deri më tani nuk i është përgjigjur pyetjeve të REL-it për këtë çështje, apo për ndonjë auditim të mundshëm.

“Më lirë ngrohem me rrymë”

Përveç ankesave zyrtare në Termokos, qytetarët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për faturat e sivjetme edhe në llogaritë e tyre në rrjetet sociale, përfshirë edhe në ato të vetë ngrohtores.

“Nëse çmimi i ngrohjes me Termokos është ky që e keni faturuar këta dy muaj (trefishi i vitit të kaluar), shumë qytetarë do të detyrohemi të shkëpusim kontratat dhe të vazhdojmë ngrohjen me energji elektrike”, shkroi një qytetar në një postim në faqen e Termokos-it në Facebook.

Ankesat e qytetarëve në rrjete sociale.

Ankesat e qytetarëve në rrjete sociale.

Të tjerë qytetarë, si Hykolli dhe Rama, janë ankuar se kontrolluesi i temperaturës nuk po funksionon siç duhet, pasi radiatorët ngrohin vetëm kur ai vendoset në maksimum, përkatësisht te niveli i pestë.

Kështu, ata thonë se janë të detyruar të shfrytëzojnë nivelin maksimal të nxehtësisë.

Në anën tjetër, sipas udhëzimeve të Termokos-it, numri tre është niveli i rekomanduar i vendosjes së kontrolluesit të temperaturës.

“Na kanë këshilluar t’i lëshojmë [në nivelin e tretë]. Kur i lëshojmë në tresh, nuk ngrohin fare. Nuk duhet të faturohej”, thotë Rama.

Sipas Termokos-it, në rast se radiatorët nuk ngrohin në nivelin e tretë, “kjo nënkupton se temperatura e brendshme në banesë është më e lartë se 20 gradë celsius”.

Funksioni i niveleve të nxehtësisë në radiatorët me matje.

Funksioni i niveleve të nxehtësisë në radiatorët me matje.

Derisa presin shqyrtimin e ankesave, qytetarët thonë se nuk kanë mundësi të paguajnë faturat e larta.

“Vetëm mund ta paramendosh. [Gati] 300 euro për një muaj e gjysmë, shumë gjëra duhet t’i heq nga ushqimi i fëmijëve për t’i paguar ato. Nuk mund ta përballoj atë pagesë”, thotë Faton Rama, i cili jeton me bashkëshorten dhe tre fëmijë.

Edhe për Mehreme Hykollin, kjo është situatë e papërballueshme.

Ajo tregon se njeh qytetarë që kanë refuzuar ose kanë shmangur vendosjen e matësve, ndërsa vetë ajo kishte pranuar me dëshirë, me idenë se do të kursejë.

“Ne që jemi treguar qytetarë bashkëpunues, tani po mërdhijmë”, thotë Mehremja.

Për shpërndarjen e ngrohjes, Termokos-i shfrytëzon energjinë termike që buron nga termocentrali Kosova B i Korporatës Energjetike të Kosovës, përkatësisht nga avulli i ujit pas djegies së thëngjillit.

Ky sistem ka hyrë në fuqi nga viti 2014.

Deri në vitin 2014, Termokos-i ka përdorur mazutin si lëndë djegëse, por furnizimi me ngrohje nuk ka qenë gjithmonë i kënaqshëm.

Radio Evropa e Lirë

Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit

Vetëm një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti paralajmëroi se grupe terroriste po planifikojnë sulme të tjera në Kosovë gjatë festave të fundvitit, pas atij në kanalin e Ibër-Lepencit.

Por ushtria e Kosovës është gati t’i përgjigjet çdo kërcënimi. Kështu pretendon ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili në një intervistë për “Ditarin e Kosovës” në A2 CNN, flet për fuqizim të konsiderueshëm të forcave të sigurisë.

Sipas tij, armët e sofistikuara të blera rishtazi nga SHBA-ja, Turqia por edhe Gjermania kanë rritur ndjeshëm kapacitetet.

“Kemi pasur trefishim të buxhetit për ushtrinë gjatë këtij mandati dhe kemi arritur të blejmë dronë Bajraktar dhe sisteme të tjera shumë të rëndësishme. Raketat Javelin janë shumë të rëndësishme për mbrojtjen ndaj tankeve. Shpresojmë që t’i kemi që në vitin 2025”, deklaroi Maqedonci.

Sipas ministrit, “raketat Javelin nuk lejojnë depërtimin e mjeteve të blinduara dhe tankeve brenda territorit”.

Teksa deklaroi se për momentin do t’i përmbahen zotimit të dhënë në vitin 2013 për të mos dërguar ushtrinë në veri, Maqedonci theksoi se çështja do të shqyrtohej në të ardhmen.

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri

Një veturë e Policisë së Kosovës shihet pranë zyrave të mbyllura të dy ndërmarrjeve publike serbe.

 

Dy ndërmarrje publike, të cilat kanë vepruar në sistemin e Serbisë në Mitrovicën e Veriut – Drejtoria për Hapësirën Banesore dhe Biznesore dhe Drejtoria për Tokën Ndërtimore – u mbyllën më 26 dhjetor.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për Radio Evropën e Lirë se autoritetet lokale kërkuan ndihmë për të “çliruar disa zyra”.

Zyrat e këtyre dy ndërmarrjeve gjendeshin në një ndërtesë banesore në Mitrovicën e Veriut dhe për momentin nuk dihet në emër të kujt janë këto ambiente, ku kanë funksionuar këto ndërmarrje.

Elshani theksoi se është kontaktuar edhe prokurori i kompetent, pasi është konstatuar se në këto ambiente punojnë “struktura ilegale dhe paralele”.

Ai tha se është iniciuar rast për “falsifikimin e dokumenteve” dhe se ndërtesa ku kanë qenë këto zyra të ndërmarrjeve publike serbe do të jetë nën mbikëqyrjen e Policisë deri sa “rasti të zgjidhet”.

Ndërtesa ku gjendeshin zyrat e dy ndërmarrjeve serbe, që u mbyllën nga autoritetet e Kosovës.

Ndërtesa ku gjendeshin zyrat e dy ndërmarrjeve serbe, që u mbyllën nga autoritetet e Kosovës.

Pas mbylljes së zyrave të dy ndërmarrjeve serbe, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë reagoi duke thënë se “po uzurpohen” institucionet e Serbisë në veri dhe se këto hapa janë “në kundërshtim me marrëveshjet”.

“Rreth 70 punonjës të këtyre institucioneve janë legitimuar dhe më pas janë urdhëruar të largohen zyrat, pasi atyre u është thënë se nuk kanë çfarë të kërkojnë atje”, tha kjo zyre përmes një reagimi për media.

Ajo i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar në Kosovë të ndërmarrë masa të menjëhershme dhe “të parandalojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, nga shkaktimi i konflikteve”.

Ndërkaq, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, njoftoi se “hyrja” e autoriteteve të Kosovës në ndërmarrjet serbe nuk do të vënë në rrezik 70 punonjësit, dhe se ata do të vazhdojnë të marrin pagat e tyre.

Institucionet e Kosovës që veprojnë në sistemin e Serbisë konsiderohen të paligjshme, dhe për këtë arsye, që në fillim të vitit ka nisur mbyllja e tyre.

Deri tani janë mbyllur disa organe të përkohshme komunale, Posta e Serbisë në veri të Kosovës, Banka Kursimore e Postës, Instituti për Sigurime Pensionale dhe Invalidore në Mitrovicën e Veriut, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviç, si dhe disa kompani komunale.

Po ashtu, Kosova ka ndaluar përdorimin e dinarit serb, gjë që ka vështirësuar pagesën e pagave për pjesëtarët e komunitetit serb që marrin rroga nga buxheti i Serbisë.

Këto hapa, Qeveria e Kosovës ka thënë se i ka ndërmarrë për të shtrirë sovranitetin, por është kritikuar nga komuniteti ndërkombëtar që kërkon që këto çështje të zgjidhen në kuadër të dialogut të Brukselit, në mënyrë që të shmanget rritja e tensioneve në terren.

Në anën tjetër, Serbia refuzon të mbyllë institucionet e saj në territorin e Kosovës dhe shumicën e tyre i ka zhvendosur afër pikave kufitare nga ana e Serbisë. REL

Çedomir Aksiqi dënohet në mungesë me 15 vjet burgim për krime lufte

Fotografitë dhe emrat e personave të vrarë në kompleksin memorial për masakrën në Reçak. Fotografi ilustruese nga arkivi.

 

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 15 vjet burgim Çedomir Aksiqin për krime lufte të kryera në komunën e Shtimes.

Gjykimi ndaj tij është zhvilluar në mungesë dhe ai është dënuar për krime që, sipas aktakuzës, janë kryer në periudhën janar-maj 1999, raporton Betimi për Drejtësi.

Në nëntor të vitit 2023 nisi gjykimi ndaj Arsiqit.

Ky është rasti i parë i një gjykimi të tillë, pasi gjykimet në mungesë lejohen me Kodin e ri të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Në seancën e parë, Prokuroria tha se kishte shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore që Arsiq të ishte i pranishëm në gjykatë, por nuk ishte arritur.

Sipas aktakuzës, që u ngrit majin e vitit të kaluar, Çedomir Aksiq, së bashku me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, kishte urdhëruar dëbimin e banorëve të lagjes në pikën e quajtur “Kodra e Gështenjave”, vend midis fshatrave të Mulapolc, Reçak dhe Petrovë, në komunën e Shtimes.

Në aktakuzë thuhet se ata më pas kishin djegur shtëpitë e të dëmtuarave duke u shkaktuar kështu dëme morale dhe materiale.

Në vendin e quajtur “Lugu i Neshës”, në Petrovë të Shtimes, Çedomir Aksiq është akuzuar se e kishte ekzekutuar një person, familjen e të cilit paraprakisht e ndaluar.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, Aksiq kishte marrë pjesë në vrasjen e Hajriz Brahimit, Hakin Muratit, Sabri Muratit, Arif Muratit, Ahmet Mustafes, Sadik Mujotës, Skënder Halitit dhe Hanumshahe Mujotës, në Reçak.

Sipas aktakuzës, Aksiq është i lindur në Shtime, por adresa e tij aktuale është në Serbi.

Ndryshe, sipas Kodit të Procedurës Penale gjykimet në mungesë parashihen të mbahen në rastet kur i akuzuari heq dorë vetë nga drejta për të qenë i pranishëm në shqyrtimet gjyqësore.

Një gjykim i tillë mund të mbahet kur Prokuroria dhe Gjykata t’i kenë shtjerrë të gjitha mjetet për sigurimin e prezencës së të akuzuarit.

Sipas Kodit të Procedurës Penale, neni 303, gjyqtari ose kryetari i trupit gjykues mban seancë dëgjimore për të përcaktuar përse i akuzuari mungon dhe për të vlerësuar çdo sqarim apo dëshmi, nëse i akuzuari ka vendosur vullnetarisht të mungojë në gjykim.

Aty thuhet, po ashtu, se për marrjen e këtij vendimi, gjyqtari ose kryetari i trupit gjykues merr parasysh nëse janë bërë përpjekje të arsyeshme për ta gjetur të akuzuarin.

Por, gjykime të këtij lloji më herët ishin kritikuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Prishtinë. Nga ky Fond kanë argumentuar se fillimisht viktimat mund të jenë të kënaqura me drejtësinë, por më pas ata zhgënjehen pasi edhe kur ndonjë i akuzuar dënohet, më pas e kuptojnë se ai nuk do të arrestohet.

Në luftën e viteve 1998-1999 mbi 13.000 civilë besohet se janë vrarë në Kosovë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Të pagjetur, edhe sot e kësaj dite, mbeten mbi 1.600 persona – shumica prej të cilëve shqiptarë. REL

KQZ pret afatet ligjore për certifikimin e Listës Serbe

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po pret që të përfundojnë procedurat ligjore në mënyrë që të vendosë më pas për futjen në rend dite të çështjes së certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Më 25 dhjetor, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) anuloi vendimin e KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe dhe e urdhëroi atë që ta certifikojë këtë parti.

“Në vendimin e PZAP-it ka këshillë juridike, sipas së cilës lejohet ankesa kundër tij në Gjykatën Supreme, brenda 48 orëve nga momenti i marrjes së vendimit. Andaj, KQZ, para caktimit të kësaj çështje për në rend dite, do të presë përfundimin e procedurave ligjore”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Më 23 dhjetor, përfaqësuesit e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, votuan kundër certifikimit të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Ndërkaq, përfaqësuesit e partive të tjera abstenuan.

Lista Serbe, që e cilësoi këtë veprim të kundërligjshëm, e mirëpriti vendimin e PZAP-it dhe tha se vendimi i 23 dhjetorit ishte përpjekje “për eliminimin e Listës Serbe” nga procesi zgjedhor.

Në vendimin e tij, PZAP-i tha se Zyra për regjistrim, certifikim dhe kontroll financiar të subjekteve politike kishte rekomanduar që Lista Serbe të certifikohej pasi kishte dorëzuar dokumentacionin në përputhje me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe me rregullat e tjera të KQZ-së.

Pra, sipas PZAP-it, Lista Serbe ka plotësuar kriteret pasi ka dorëzuar “deklaratën politike”, listën e kandidatëve dhe aplikimin për secilin kandidatë dhe për këtë parti Zyra për regjistrim dhe certifikim ka marrë informacionet nga institucionet përgjegjëse për verifikimin e partive, ashtu siç kërkohet me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.

Paneli i gjyqtarëve, i përbërë nga gjyqtarët Arsim Hamzaj kryesues, Kujtim Pasuli, Hidajete Gashi-Alaj dhe Bujar Muzaqi tha se sipas Ligjit për zgjedhje, “KQZ-ja e certifikon subjektin politik me të drejtë pjesëmarrjeje nëse i njëjti e dorëzon aplikimin e dorëzuar në formën e përshkruar dhe në datën e vendosur nga rregullat e KQZ-së”.

Njohësit e zhvillimeve politike më herët gjatë javës i thanë Radios Evropa e Lirë se moscertifikimi i Listës Serbe nga KQZ-ja ishte pjesë e fushatës parazgjedhore. Ata paralajmëruan se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa do të marrë vendim në favor të Listës Serbe dhe do të obligojë KQZ-në që ta certifikojë këtë parti.

Lista Serbe ka njoftuar se do të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit pas një periudhe të bojkotimit të proceseve politike në Kosovë.

Më 2022, pjesëtarë të kësaj partie patën dhënë dorëheqje në mënyrë kolektive nga institucionet e Kosovës, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të autoriteteve të Kosovës për shtrirje të autoritetit në gjithë territorin e vendit.

Ish-nënkryetari i kësaj partie, Millan Radoiçiq, ka marrë përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, kur një grup i serbëve të armatosur vranë një rreshter të Policisë së Kosovës.

Autoritetet e Kosovës e konsiderojnë këtë sulm si terrorist dhe e fajësojnë shtetin serb për organizim dhe kryerjen e tij, por Beogradi hedh poshtë këto akuza.

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ e kanë argumentuar moscertifikimin e Listës Serbe me atë se kjo parti, sipas tyre, asnjëherë nuk e ka dënuar sulmin në Banjskë dhe nuk është distancuar nga “aktet terroriste që kanë ndodhur në Kosovë”.

Kosova kërkon ekstradimin e Radoiçiqit në Kosovë, ndërsa ai besohet se është i lirë në Serbi. REL

Pranohet ankimi i Listës Serbe, KQZ urdhërohet t’i certifikojë kandidatët e kësaj force politike

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka aprovuar ankesën e subjektit politik Lista Serbe në lidhje me moscertifikimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, 2025 në Kosovë.

 

Në vendimin e lëshuar nga PZAP-ja thuhet se është anuluar njoftimi i KQZ-së nën arsyetimin se Lista Serbe ka dorëzuar dokumentacionin në përputhje me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe rregullat shoqëruese të KQZ-së.

Gjithashtu thuhet se me votimin që është bërë në KQZ nuk është nxjerrë asnjë vendim.

Me tej thuhet se njoftimi është në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, prandaj KQZ-ja urdhërohet që ta zbatojë vendimin e PZAP-së.

“Anulohet njoftimi i Komisionit Qendror Zgjedhor, i datës 23.12.2024 dhe urdhërohet KQZ-ja që ta certifikojësubjektin politik Lista Serbe dhe kandidatët e këtij subjekti politik, sipas rekomandimit të Zyrës per Regiistim, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike në KQZ të datës 22.12.2024, për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025”, u tha në vendimin e publikuar nga PZAP-i. Panorama

Paralajmëron Kurti: Para dhe pas vitit të ri mund të ketë sulme terroriste në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media ka deklaruar se strehimi i Milan Radojçiçit në Serbi, mbështetja që i ofron Beogradi zyrtar me infrastrukturë për trajtime nuk mund të quhet ndryshe përveç koordinim i shtetit të Serbisë me Milan Radojçiqit dhe grupit të tij terrorist për ta zhvilluar më tej luftën hibride kundër Kosovës.

Sipas tij, tanimë Radojçiç nuk mund të organizojë aksione të tipit rus, por ka angazhuar persona të caktuar për aksione të caktuara në veri. Ai ka dhënë detaje për të gjitha sulmet që kanë ndodhur në veri.

“Kjo është kronologjia e 15 sulmeve nga 30 qershori deri më deri më 29 nëntor të cilat kanë qenë të përgatitura për ta dëmtuar Kosovën”, tha ai.

“Bazuar në informacionet inteligjente prapa urdhrit të sulmit në kanalin e Ibër Lepenc, qëndron Milan Radojçiç dhe grupi i tij terrorist që mbështetet nga Serbia. Sulmi është planifikuar Milan Radojçiç”, tha Kurti.bw

Çerdhe falas për tri kategori, Kurti: Edukimi i hershëm i fëmijëve është projekt strategjik

Qeveria e Kosovës prezantoi pilotimin e Programit të Kuponëve, në kuadër të Projektit “Edukimi dhe kujdesi në fëmijërinë e hershme për kapitalin njerëzor të Kosovës”.

Përmes këtij programi synohet rritja e përfshirjes në edukim për tri kategori të fëmijëve; ata nga familje me asistencë sociale, me nevoja të veçanta si dhe të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm këtë program, i cili do ta mbulojë pagesën për çerdhe dhe transporte, e qe financohet nga partneriteti me Bankën Botërore.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbëri Nagavci tha se përmes këtij programi po hidhet hapi i parë konkret në mënyrë që fëmijët e familjeve me asistencë sociale të kenë  qasje në edukim të hershëm.

Sipas Ministrisë së Arsimit Projekti do të nisë fillimisht  të zbatohet në Kryeqytetin Prishtinë, Lipjan, Prizren dhe Gjilan. sn


Send this to a friend