VOAL

VOAL

Sarkozy e pranoi disfatën në zgjedhjet partiake

Nicolas Sarkozy gjatë fjalimit të mbrëmshën në Paris

Ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, e ka pranuar disfatën në raundin e parë të zgjedhjeve të Partisë Konservatore, për zgjedhjet presidenciale në vitin 2017.

“Nuk ia dola t’i bindi votuesit”, tha Sarkozy gjatë fjalimit të mbrëmshëm në Paris para mbështetësve të tij, pasi doli i treti në këtë garë.

Para tij u renditën ish-kryeministrat, Francois Fillon dhe Alain Jupe, të cilët do të ballafaqohen me njëri-tjetrin javën e ardhshme.

Zoti Sarkozy tha se do ta mbështes zotin Fillon, i cili ishte kryeministër i Francës në periudhën 2007-2012.

Rezultatet e pjesërishme të këtyre votimeve tregojnë se Fillon kishte gati 44%, Juppe afro 28%, ndërsa Sarkozy kishte mbledhur 21% të votave.

Mediat: Kancelarja gjermane Merkel kandidon për mandatin e katërt

Agjencia gjermane e lajmeve DPA, thotë se Angela Merkel do të kërkojë mandatin e katërt si kancelare e Gjermanisë në zgjedhjet e përgjithshme vitin e ardhshëm.

Duke cituar burime në selinë e Partisë Kristian Demokrate të Merkelit Dpa, njoftoi të dielën se ajo do të kërkojë ri zgjedhjen.

Nëse Merkel fiton në vitin 2017 dhe shërben gjithë mandatin prej katër vitesh, do të barazohet rekordin e mentorit të saj, një kohë, Helmut Kohl, I cili shërbeu 16 vjet.

Merkel, 62 vjeçare, u bë femra e parë kancelare e Gjermanisë në vitin 2005. Ajo është gjithashtu edhe liderja e parë e Gjermanisë së bashkuar që ëshë rritur nën komunizëm në ish Gjermaninë Lindore. (REL)

(Video)Sekreti i jetë gjatësisë i gruas më të vjetër të Europës që i i mbush 117 vjeç më 29 nëntor

Sekreti për të jetuar më gjatë?

Ema Morano, 117 vjeçe, gruaja më e moshuar e Italisë, Evropës dhe që renditet në vend të pestë mes personave më jetëgjatë në botë.

Historia e jetës së saj, është publikuar nga gazeta amerikane “New York Times”, ku Morano tregon recetën e jetëgjatësisë së saj. Ishte viti 1938, kur pas vdekjes së djalit, i cili ishte disa mujsh, vendos të ndahet nga bashkëshorti. Pastaj pretendentët nuk mungojnë, por ajo zgjedh të mos martohet sërish. “Nuk doja të komandohesha më nga asnjë”, – ka shpjeguar. U tha, u bë.

Ka dalë në pension në vitin 1975.

Në moshën gati 117-vjeçare, Morano jeton akoma e vetme, në apartamentin e saj me dy dhoma në Verbania, në Lago Maggiore. Asnjë ndihmë, me përjashtim të nipit, i cili çdo mëngjes shkon ta takojë dhe t’i përgatitë ushqimin. Sa i takon pjesës tjetër, gjithçka e bën vetë.

E lindur në 29 nëntor 1899 në Civiasko, në provincën e Verçelit, Morano transferohet në Lago Maggiore kur ishte akoma vajzë e vogël. Punoi në një fabrikë që prodhonte çanta. Që kur një mjeku i tha që vuante nga anemia, dieta e saj ka qenë gjithnjë e njëjtë: tre vezë të freskëta në ditë, të cilat janë shndërruar në dy vitet e fundit.

Sipas llogarive, në 100 vitet e fundit, ka ngrënë të paktën 100 mijë. Pjesa tjetër e menysë është e thjeshtë: pak mish i grirë krudo, një pjatë supë me makarona dhe një banane.

“Edhe pse sekreti për të jetuar gjatë, – ka shpjeguar Valter Longo, drejtor i Institutit të Jetëgjatësisë në Universitetin e Kalifornisë, – është një faktor gjenetik”.

Një nga motrat e Moranos vdiq 100 vjeçe, një tjetër në moshën 102-vjeçare.

Eksperti holandez i terrorizmit paralajmëron për rrezik në Evropë

Koordinatori kundër terrorizmit në Holandë, ka vlerësuar se organizata terroriste Shteti Islamik ka ndërmjet 60 dhe 80 operatorë në Evropë për të përgatitur dhe kryer sulme terroriste

Në një intervistë ekskluzive me AP, Koordinatori Kombëtar I Kundër terrorizmit dhe Sigurisë në Holandë Dick Schoof tha se IS ju ka thënë mbështetësve në Evropë “që të mos vijnë në Siri, por të bëhen gati për sulme në Evropë”.

Ai tha se Evropa ka pasur sukses në uljen e numrit të luftëtarëve të mundshëm të IS-it që udhëtojnë në Lindjen e Mesme, në vitet e fundit, por “kjo nuk do të thotë se kërcënimi i mundshëm i atyre që do të mund të udhëtonin është zhdukur”.

Mbi të gjitha, ai paralajëmroi se suksesi në çrrënjosjen e luftëtarëve të IS-it në Irak dhe Siri po i shpërndan militantët gjithandej botës.

Ai vlerësoi se rreth 4 mijë deri në 5 mijë evropianë aktualisht luftojnë me IS-in në këto dy shtete.(REL)

Obama: Thirrje Trumpit që t’i kundërvihet Rusisë nëse nevojitet

Barack Obama dhe Angela Merkel gjatë konferencës së sotme për gazetarë në Berlin

 

Presidenti amerikan, Barack Obama, i ka bërë thirrje pasardhësit të tij, Donald Trump, që t’i kundërvihet Rusisë kur ajo tu shmanget “vlerave tona dhe normave ndërkombëtare”.

Këto komente ai i ka bërë sot në Berlin, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Zoti Trump, i cili e merr presidencën amerikane më 20 janar, potencialisht ka sinjalizuar më tepër qasje pajtuese me Moskën.

Në vitet e fundit, lidhjet e Moskës me Uashigntonin kanë rënë në nivelin më të ulët prej periudhës së Luftës së Ftohtë, për shkak se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë përplasje lidhur me Ukrainën, Sirinë dhe çështjet e tjera.

Obama u tha reporterëve se shpreson se Trump është “i gatshëm t’i kundërviheet Rusisë, kur ajo të shmanget nga vlerat tona dhe normat ndërkombëtare”.

Pas një bisede telefonike me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, më 14 nëntor, zoti Trump ka thënë se ai pret që “të ketë marrëdhënie të fuqishme dhe të qëndrueshme me Rusinë dhe popullin e Rusisë”.

Megjithatë, disa republikanë të njohur në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, përfshirë senatorin John McCain, i kanë tërhequr vërejtjen Trumpit kundër përpjekjes për zbutjen e lidhjeve me Kremlinin.

GJERMANI – Obama: Shpresoj se Trump do t’i bëjë ballë Rusisë

BERLIN, 17 nëntor  – Presidenti amerikan, Barack Obama, deklaroi sot se shpreson që pasuesi i tij Donald Trump do t’i bëjë ballë Rusisë në rast nevoje dhe se nuk do të kërkojë të gjejë kompromise me çfarëdo çmimi me Moskën.

“Shpresoj se presidenti i sapozgjehur do të ketë vullnetin që t’i bëjë ballë Rusisë kur ajo të mos respektojë vlerat dhe normat ndërkombëtare”, deklaroi Obama gjatë një konference për shtyp të përbashkët me kancelaren gjermane, Angela Merkel, në Berlin.

Nga ana tjetër ai kërkoi që të mbahen në fuqi sanksionet ekzistuese kundër Rusisë për çështjen e Ukrainës deri sa marrëveshja e paqes e Minskut të aplikohet krejtësisht./AFP

 

Pas zgjedhjes së Trumpit, Danimarka rrit shpenzimet ushtarake

Kryeministri i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen.

Danimarka është e gatshme të rrisë shpenzimet ushtarake, tha kryeministri Lars Lokke Rasmussen, pas bisedës që zhvilloi me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.

Trump, gjatë fushatës, ka kritikuar vazhdimisht aleatët e NATO-s, duke thënë se nuk paguajnë mjaftueshëm për mbrojtjen e tyre.

Danimarka shpenzon në mbrojtje rreth 1.2 përqind të prodhimit të saj ekonomik, ashtu si edhe shumë vende të tjera të NATO-s.

Por, kjo shifër është larg objektivit prej 2% të vendosur nga NATO-ja.

Rasmussen tha se qeveria e tij po përgatitet për rritjen e shpenzimeve për ushtrinë dhe sigurinë kombëtare.

Pas zgjedhjes së Trumpit, shenja të ngjashëm kanë dhënë edhe Polonia dhe vende të tjera të Evropës.

Le Pen: ‘Paqja në botë” përfiton nga treshja Trump-Putin-Le Pen

Udhëheqësja e partisë së ekstremit të djathtë në Francë, Marie Le Pen

 

Udhëheqësja e partisë së ekstremit të djathtë në Francë, Marie Le Pen tha të mërkurën se zgjedhja e saj presidente vitin e ardhshëm mund të krijojë një treshe të liderëve botërorë me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump dhe presidentin rus, Vladimir Putin që do të ”ishte mirë për paqen në botë”.

Duke inauguruar selinë e fushatës së saj për zgjedhjet në Francë më 2017, më pak se 2 kilometra nga pallati presidencial Elysee, Le Pen tha se zyrat ishin “një ndalesë në rrugën e saj drejt destinacionit përfundimtar”.

Anti Evropë dhe anti emigracion, Le Pen 48 vjeçare ishte e vetmja politikane franceze e cila mbështeti Trumpin në zgjedhjet e SHBA-së.

Partia e saj Fronti Kombëtar është nxitur nga fitorja e Trump dhe nga vota e Britanisë për t’u larguar nga BE-ja, me shpresën për të filluar një valë të ngjashme anti – establishment në Francë drejt fitores në zgjedhjet e e ardhshme

“Ka një lëvizje gjithandej në botë. Një lëvizje në botë që kundërshton globalizmin e pakontrolluar, ultra-liberalizmin destruktiv… eleminimin e shteteve kombe dhe zhdukjen e kufijve”, tha Le Pen, transmeton AP.

Kancelarja Merkel do kandidojë për një mandat të katërt

Kancelarja gjermane Angela Merkel do kandidojë për një mandat të katërt. Lajmi konfirmohet nga Norbert Roettgen, përfaqësues nga Bashkimit Kristian Demokrat, gjatë një interviste për CNN.

“Merkel do kandidojë për një tjetër mandat, pasi është e gatshme të kontribuojë për të mirën e Gjermanisë.”- ka thënë Norbert Roettgen.

Gjermanët kanë qenë në pritje prej disa kohësh, për pasur të qartë faktin nëse Merkel do të ndjekë një mandat të katërt në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Një pjesë e madhe e elektoratit gjerman janë në kërkim të stabilitetit, në kohën kur Britania votoi pro largimit nga BE-ja, fitorja e Donald Trump në Shtetet e Bashkuara dhe rritja e lëvizjeve populiste në disa vende evropiane.

Maassen: Rusia mund të ndërhyjë në zgjedhjet e përgjithshme të Gjrmanisë vitin e ardhshëm

Hans-Georg Maassen

 

Shefi i inteligjencës gjermane, BfV, Hans-Georg Maassen, sot ka shprehur shqetësim se Rusia mund të përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet e përgjithshme të Gjrmanisë, në vitin e ardhshëm.

Në këtë kuadër, në intervistën për agjencinë Reuters, zoti Maassen e ka përmendur rastin e vitit të kaluar, të një femre ruse nga Berlini, për të cilën mediat ruse thonin se ishte rrëmbyer dhe dhunuar nga emigrantët. Por ky pretendim më vonë ishte hedhur poshtë nga qeveria gjermane.

“Kjo mund të ndodhë përsëri vitin e ardhshëm dhe ne jemi të alarmuar”, thsa Maassen.

Mëtutje, ai ka theksuar se “kemi ndjenjën se kjo është pjesë e kërcënimit hibrid, që synon ndikim në opinionin publik dhe në proceset e politikëbërjes”.

Javën e kaluar kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, tha se ka shenja të sulmeve në Internet dhe fushata të dezinformimit nga Rusia.

Zyrtarët amerikanë të inteligjencës kanë tërhequr vëretjen para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara këtë muaj, për fushatën e shkatërrimit të besueshmërisë së votimeve, që ata besojnë se ishte mbështetur nga Moska.

Gjermani: Policia bastis xhami e banesa – qeveria ndalon grupin islamik

Ilustrim – bastisje e policisë në Gjermani në tetor 2016

Policia në Gjermani ka zhvilluar bastisje heret në mëngjes në xhami, apartamente dhe zyra në dhjetë zona të Gjermanisë, ndërkohë që Qeveria ka ndaluar një grup të cilin e akuzon për përpjekje të rekrutimit të luftëtarëve për grupin militant Shteti Islamik, ka bërë të ditur ministria e brendshme.

Një zëdhënëse e ministrisë e përshkroi organizatën “Feja e vërtetë” si një rrjet mobilizues për grupin militant Shteti Islamik, megjtihëse tha se nuk ka shenja se vetë po planifikonte sulme, njofton AP.

Ministri i brendshëm Thomas de Maiziere beson se grupi po nxiste urrjetje, tha ajo. Ministri do të bëjë një deklaratë më vonë gjatë ditës edhe për arrestimet dhe për ndalesën. (REL)

Steinmeier përzgjidhet si kandidati i përbashkët për president të Gjermanisë

CDU/CSU dhe SPD që formojnë qeverinë në Gjermani kanë përcaktuar si kandidat për president ministrin e Jashtëm, Frank-Walter Steinmeier

BERLIN (AA) – Njoftohet se partitë e Bashkimit Demokratik Kristian dhe Bashkimit Social Kristian (CDU/CSU) me Partinë Social Demokrate (SPD) që formojnë qeverinë në Gjermani kanë përcaktuar si kandidat për president ministrin e Jashtëm, Frank-Walter Steinmeier, në vend të presidentit Joachim Gauck, detyra e të cilit përfundon më 12 shkurt.

Ministri gjerman i Ekonomisë dhe kryetari i përgjithshëm i SPD-së, Sigmar Gabriel, në një deklaratë në qendrën e përgjithshme të SPD-së ka theksuar se Steinmeier është një person që ka reputacion dhe që besohet në popull.

“Ne jemi të kënaqur që për detyrën e presidentit është propozuar si kandidat një person si Steinmeier. Është mirë që partitë në qeveri janë dakorduar në çështjen e një kandidati të përshtatshëm për detyrën e presidentit të popullit tonë”, është shprehur në fjalën e tij Gabriel. aa

Bullgaria e Modavia zgjedhin presidentë të afërt me Rusinë

Presidenti bullgar, Rosen Plevneliev (djathtas) gjatë një bisede me presidentin e zgjedhur, Rumen Radev, 14 nëntor 2016

 

Bullgaria po përballet me paqartësi politike me dorëheqjen e kryeminstrit të vendit pas rezultatit të zgjedhjeve që tregojnë se partia e tij ka humbur rëndë në raundin e dytë në zgjedhjet presidenciale.

Dorëheqja e Boiko Borisovit, kryeministër i vendit, erdhi pikërisht në kohën kur rezultatet treguan se kandidati socialist pro Moskës, Rumen Radev, një ish komandant i forcave ajrore, pa një përvojë politike, i fitoi zgjedhjet.

“E pranojmë vullnetin e qytetarëve dhe i urojmë ata që kanë fituar mbështetjen e shumicës së votuesve”, tha Borisov pak orë pas mbylljes së vendvotimeve.

Me zgjedhjet e përfunduara dhe votat e numëruara, Radev udhëheqë me mbi 59 për qind, ndërkohë kandidatja e partisë GERB në pushtet, Tsetska Tsacheva, ka marrë mbi 36 për qind.

GERB ka dominuar në politikën bullgare gjatë një dekade dhe Borisov u rizgjodh në dy mandate.

Radev e cilësoi rezultatin si “një votë negative për qeverinë që çon drejt një situate të re politike”.

Analistët thonë se Radev arriti që të marrë votat e bullgarëve të zemëruar me korrupsionin në mesin e klasës politike në vend.

Ai bëri thirrje për masa të ashpra për të ndaluar hyrjen e migrantëve gjatë një vale të euroskepticizmit gjithandej Evropës Qendrore dhe Lindore.

Gjatë fushatës së tij zgjedhore, Radev bëri thirrje për lidhje më të mira me Rusinë, duke e vënë gjendjen në Detin e Zi në kundërshtim me aleatët e saj të NATO-s dhe BE-së.

Radev, që dikur ka studiuar në Kolegjin Ajror të SHBA-së në Alabama, është zotuar që ta mbajë vendin e Bullgarisë në NATO, por ka thënë gjithashtu se “pro-europianizmi nuk do të thotë të jesh anti-Rus”.

Radev ka bërë thirrje për heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë, të vendosura për shkak të veprimeve të Kremlinit në Ukrainë, përfshirë edhe mbështetjen për separatistët atje, dhe aneksimin e Krimesë, gjë që ka shqetësuar shumë analistët me faktin nëse “Bullgaria tani do të afrohet më shumë me Moskën”.

 

bullgmol2

Njëkohësisht me zgjedhjet në Bullgari janë zhvilluar edhe zgjedhjet në Moldavi, një shtet që ka patur synime për anëtarësim në BE. Në zgjedhje, sipas rezultateve pothuaj përfundimtare, ka fituar kandidati pro-rus Igor Dodon, në raundin e dytë.

Dodon udhëheqë me mbi 52 për qind të votave ndaj kandidates pro evropiane, Maia Sandu që ka marrë mbi 47 për qind të votave.

Dodon, udhëheqës i partisë Socialiste, më heret tha në një konferencë me gazetarë se do të jetë president i të gjithë moldavëve “edhe i atyre që mbështesin bashkimin me BE-në, por edhe i atyre që duan lidhje më të ngushta me Rusinë”.

Ai kërkoi nga kundërkandidatja e tij që të ndihmojë “të qetësohet” shoqëria.

Probleme me votimet u shfaqën në ambasada dhe konsullata jashtë vendit, në Londër, Bukuresht, Bolgna, Moskë dhe në qytete të tjera, për shkak se zyrtarët e zgjedhjeve nuk dërguan fletvotime të mjaftueshme.

Dodon dëshiron që të ndryshojë lëvizjen e vendit drejt integrimeve evropiane, që përfshinë edhe marrëveshjen historike për bashkim të nënshkruar më 2014, përkundër kundërshtimit të fortë nga Rusia.

Ai është kritikuar në Ukrainë për shkak të deklarimit të tij se Krimea, e aneksuar nga Rusia më 2014, është territor rus.

Në një intervistë telefonike me transmetuesin rus, Rossiya 24, Dodon tha se “votuesit janë të bashkuar dhe votuan për miqësinë me Rusinë, për neutralitet dhe për ortodoksinë tonë e bashkimin e vendit”.

Ai tha se angazhohet për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare vitin e ardhshëm, dhe nuk do të pres deri në vitin 2018, për ta larguar qeverinë aktuale që favorizon lidhjet me BE-në.

Kryeministri aktual, Pavel Filip, tha se qeveria dhe presidenti i ri do të duhet të punojnë së bashku për interesa më të mira të vendit, duke shtuar se rruga drejt integrimit në BE “nuk mund të kthehet prapa”.

Moska, ndërkaq, druan nga një lëvizje e Moldavisë më afër BE-së, e ngjashme me atë që ndodhi në Ukrainë më 2014.

Rusia ka rreth 1,000 trupa të saj të stacionuara në territorin e kundërthënshëm të Transdniester, kryesisht të populluar me rus-folës, që u shkëput nga Modavia pas një lufte të shkurtër, me ç’rast u vranë disa qindra njerëz.

Moldavia është një nga vendet më të varfëra evropiane dhe kushtet ekonomike në vend janë përkeqësuar që prej trazirave që shpërthyen gjatë vitit 2014, kur afro 1 miliard dollarë – rreth 10 për qind e GDP (të ardhurave për kokë të banorit) së vendit – u zhdukën nga tri banka.

Gjatë kësaj jave, Fondi Monetar Ndërkombëtar aprovoi rreth 180 milionë dollarë kredi për mbështetje të Moldavisë – duke thënë se reformat qeveritare dhe një ekonomi më e fortë e kanë forcuar sektorin bankar. (REL)

Përgatiti: Arbër Vllahiu

Marine Le Pen: Unë do të bëhem presidente e Francës pas Brexitit dhe fitores së Trumpit

Liderja franceze e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, ka deklaruar se pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja dhe fitores së Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale në Amerikë, fitorja e saj në zgjedhjet në Francë është hapi i radhës në valën politike që e ka përfshirë vrullshëm globin.

Le Pen, e cila është lidere e Frontit Kombëtar të Francës, shtoi se fitorja tronditëse e Trumpit në Shtetet e Bashkuara ka treguar se e pamundura është e mundur, transmeton Express.

Duke folur për BBC, ajo u pyet se çfarë do të pasojë tani pas Brexit dhe fitores së Trumpt, ajo u përgjigj: “Marine Le Pen do të zgjidhet presidente e Francës.”

Franca do ta vazhdojë gjendjen e jashtëzakonshme deri në maj të vitit 2017

Në intervistë për BBC-në, Valls deklaroi se Franca do të mbajë zgjedhje presidenciale nën gjendje të jashtëzakonshme, siç tha, për të ruajtur “demokracinë e saj”

PARIS – Kryeministri i Francës, Manuel Valls, ka konfirmuar të shtunën se vendi i tij planifikon që të vazhdojë gjendjen e jashtëzakonshme deri në zgjedhjet presidenciale, të cilat do të mbahen më 23 prill dhe 7 maj të vitit 2017.  Në intervistë për BBC-në, Valls deklaroi se Franca do të mbajë zgjedhje presidenciale nën gjendje të jashtëzakonshme, siç tha, për të ruajtur “demokracinë e saj”.

“Për disa javë për shkak të zgjedhjeve presidenciale do të fillojnë tubimet. Doemos duhet të ruajmë demokracinë tonë”, deklaroi Valls.

Gjendja e jashtëzakonshme në Francë u vendos pas sulmeve terroriste të vitit të kaluar.

Më 13 nëntor në Paris u vranë 130 persona. Që atëherë në Francë ndodhën edhe disa sulme terroriste, prej tyre më vdekjeprurësi ishte në Nicë në muajin korrik, kur humbën jetën 85 persona, ndërsa u plagosën më shumë se 100.

“Charlie Hebdo” – ja ëndrra e ardhshme e Donald Trumpit

Në mes të javës elektorale në Shtetet e Bashkuara, revista satirike franceze “Charlie Hebdo” ka publikuar një karikaturë të presidentit të zgjedhur Donald Trump.

Në imazh shihet politikani republikan i ulur para laptopit të tij.

“Objektivi i ardhshëm i Donald Trump është Çmimi Nobel në Letërsi”, komentohet në karikaturën duke iu referuar Nobelit të Paqes që mori presidenti në ikje Barack Obama në fillim të karrierës së tij presidenciale dhe polemikës së gjeneruar nga dhënia e Nobelit të Letërsisë këngëtarit Bob Dylan.

Dita

trumpcharlie2

Ministrja gjermane e mbrojtjes i thotë Trumpit të mos e trajtojë NATO-n si ‘biznes’

Ministrja gjermane e mbrojtjes, Ursula von der Leyen

Ministrja gjermane e mbrojtjes, ka këshilluar presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, që të mos afrohet shumë më presidentin rus, Vladimir Putin dhe ta trajtojë NATO-n si një aleancë të shteteve të një mendjeje, më parë se sa një ‘biznes’.

“Ajo që, me shpresë, këshilltarët e tij do t’ia thonë dhe ajo që duhet ai ta mësojë është se NATO-ja nuk është vetëm një biznes. Nuk është kompani”, i tha televizionit gjerman ZDF Ursula von der Leyen.

Ajo tha se aleanca ushtarake është e udhëhequr nga “vlerat e përbashkëta dhe përvojat e përbashkëta historike.

Gjatë fushatës zgjedhore, Trump ka kërcënuar se do t’i braktisë aleatët e SHBA-së në Evropë nëse nuk shpenzojnë sa duhet në mbrojtje.

Von der Leyen e ka paralajmëruar Trumpin për mos afrohet me Putinin, duke theksuar se NATO ka qëndruar me SHBA-të pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2011

“Donald Trump duhet ta thotë qartë në cilën anë është. Nëse është në anën e ligjit, paqes dhe demokracisë apo nuk e çan kokën për këtë dhe në vend të kësaj po kërkon për një mik të mirë”, tha ajo.

Trumpi ka shprehur admirim për Putinin dhe tha se do të kërkojë përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë.(REL)

Juncker: Presim qartësime për çështje të ndryshme nga Trumpi

Jean-Claude Juncker, President i Komisionit Evropian

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker tha se është i nevojshëm një qartësim nga presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, rreth çështjeve siç janë tregtia, marrëdhëniet me NATO-n dhe ndryshimet klimatike.

“Do të donim që të dijmë se si do të zhvillohen gjërat me politikat e tregtisë globale’, tha Juncker në një takim të biznesit në Berlin.

“Do të donim të dinim se çfarë qëllimesh ka për aleancën e NATO-s. Ne duhet të dijmë se çfarë politikash për klimën ai synon të zbatojë. Kjo duhet të qartësohet në muajt e ardhshëm”, tha ai.

Juncker tha se nuk pret që marrëveshja tregtare ndërmjet SHBA dhe BE-së, e negociuar, të kryhet brenda dy viteve.

“Marrëveshjen tregtare me SHBA-në nuk e shoh si diçka që mund të bëhet brenda dy viteve të ardhshme”, tha ai. (REL)

Kaliforni: Një person është vrarë afër një vendvotimi

Pamje e vendvotimit në Azusa të Kalifornisë i cili ishte mbyllur pas të shtënave në një lokalitet të afërt

Një person është vrarë dhe së paku 3 të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë afër vendvotimit në qytetin Azusa në Kaliforni, duke i nxitur autoritetet që ta mbyllin vendvotimin, ka njoftuar policia.

Konsiderohet se i dyshuari për këto të shtëna ishte fshehur në afërsi.

Nuk ka pasur indikacione të menjëhershme se incidenti ishte i ndërlidhur me Ditën e Zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara ose për vendovimin, tha zëvendës sherifi i Los Anxhelosit, Vincent Plair.

Por, zyra e regjistrimit në Los Anxhelos, në rrjetin Twitter, i kishte këshilluar dje zgjedhësit që votën e tyre ta hedhin në ndonjë vendvotim tjetër.

Oficerët e agjencive të zbatimit të ligjit ishin sulmuar me të shtëna derisa kishin arritur në vendin e ngjarjes.

Hahn: Tregu i përbashkët në Ballkan i mundshëm brenda dy-tre vjetësh

Komisioneri i BE-së për zgjerim, Johannes Hahn

Komisioneri i BE-së për zgjerim, Johanes Hahn i tha Radios Evropa e Lirë se një treg i përbashkët i Ballkanit Perëndimor mund të jetë i mundshëm brenda dy ose tre vjetësh, nëse ka vullnet politik në rajon.

Hahn tha se “njerëzit duhet ta ndjenjë vlerën e shtuar të angazhimit evropian”. A tha se “mendoj se kjo është diçka ku duhet një vullnet politik dhe do të mund të jetë e mundshme brenda dy sose tre vjetësh”

Hahn i bëri këto komente para publikimit të raportit vjetor për zgjerim të Komisionit Evropian ku vlerësohen të arriturat dhe mungesat e rezultateve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që synojnë t’i bashkohen BE-së.

“Qëllimi ynë është ndalimi i ikjes së trurit nga rajoni, që t’i jepet rajonit një perspektivë dhe për shembull një treg i përbashkët në Ballkan do të mund të ishte njësynim dhe kjo përfundimisht do të krijonte vende pune”, tha Hahn për REL.

Një treg i përbashkët që përmbanë lëvizjen e lirë të njerëzve, mallërave, shërbimeve dhe kapitalit tashmë ekziston ndërmjet 28 vendeve të BE-së, por Hahn nuk specifikoi se si një treg, i përbashkët i vendeve aspiruese për t’u bërë anëtarë të BE-së, do të dukej.

Asnjëri nga vendet nuk pritet t’i bashkohet BE-së përpara vitit 2020, por blloku do të shoh mundësitë tjera për ta bërë BE-në më të pranishme në vendet aspiruese. Ndërtimi i infrastrukturës që lidh vendet më ngushtë me njëra-tjetrën është një nga mënyrat që Brukseli shpreson se do të rris popullaritetin në rajon. (REL)

Schulz: Fitorja e Donald Trumpit është e padiskutueshme dhe duhet respektuar

Fitorja e Donald Trump është e padiskutueshme dhe duhet respektuar, tha presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz

BRUKSEL – Presidenti i Parlamentit Evropian (PE) Martin Schulz është shprehur se “Në SHBA folën votuesit. Fitorja e Donald Trumpit është e padiskutueshme dhe duhet respektuar. E uroj Trumpin dhe Partinë Republikane për fitoren”.

Schulz ka bërë një deklaratë me shkrim pas fitores së kandidatit Republikan Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA. “Në SHBA folën votuesit. Fitorja e Donald Trump është e padiskutueshme dhe duhet respektuar. E uroj Trumpin dhe Partinë Republikane për fitoren”, ka deklaruar ai.

Ai theksoi se Trump ka arritur të jetë bartësi i brengave dhe problemeve të miliona amerikanëve. “Duhet interesuar për këto brenga, politika dhe oferta të besueshme. Kjo fushatë nuk do të mbahet në mend si më e mira në Amerikë. Kiritkat e ashpra dhe polarizimi u bënë katalizator i mosmarrëveshjeve. Trump do të ketë detyrë frikësuese, që është bashkimi i një populli që është ndarë”, ka thënë Schulz. aa

Gjermania ka nisur një hetim kundër kreut të Facebookut

Zuckernerg akuzohet se me vetëdije ka ndihmuar në nxitjen publike të dhunës dhe urrejtjes

BERLIN – Prokuroria Shtetërore e Gjermanisë ka nisur një hetim kundër njërit nga themeluesit dhe drejtuesit e rrjetit social Facebook, Mark Zuckerberg i cili akuzohet se “me vetëdije ka ndihmuar në agjitacionin e opinionit” Zuckernerg akuzohet se me vetëdije ka ndihmuar në nxitjen publike të dhunës dhe urrejtjes duke injoruar realitetin se përdoruesit e rrjetit Facebook publikojnë thirrjet për vrasje, kërcënojnë me dhunë, mohojnë gjenocidin mbi hebrenjtë si dhe mesazhe të tjera që janë në kundërshtim me normat dhe liritë ndërkombëtare. aa

Përmbyten dy anije me refugjatë në Mesdhe, 239 të vdekur

Si pasojë e përmbytjes së dy anijeve në ujërat mes Libisë dhe Italisë në Mesdhe kanë vdekur 239 persona, tha zëdhënësi i IOM-it, Joel Millman

ANKARA – Zëdhënësi i Organizatës Ndërkombëtare për Emigrim (IOM), Joel Millman, njoftoi se si pasojë e përmbytjes së dy anijeve me refugjatë në ujërat mes Libisë dhe Italisë në Detin Mesdhe jetën e kanë humbur 239 persona.n Millman, në deklaratën për gazetarin e AA-së tha se ”Si pasojë e përmbytjes së dy anijeve me refugjatë në ujërat mes Libisë dhe Italisë në Mesdhe kanë vdekur 239 persona”.

Ai bëri të ditur se numri i refugjatëve që kanë humbur jetën në Mesdhe këtë vit është rritur në 4.220.

Me rritjen e shpejtë të numrit të refugjatëve të vdekur në fatkeqësitë në përpjekjen për të kaluar në Evropë, Mesdheu u shndërrua në një varrezë të madhe.

Papa i telefonon ipeshkvit të Norcias: pranë të dëmtuarve nga tërmeti

Gjest i ri i Papës për të dëmtuarit nga tërmeti. “U çoj afërsinë time, lutjen  time, bekimin tim të gjithë njerëzve të Norcias e të Valnerinës”- tha Papa në një bisedë telefonike me kryeipeshkvin e Spoleto-Norcia-s, imzot Renato Boccardo. “Jam shumë i hidhëruar për trashëgiminë e fesë, që po humbet”, vijoi akoma Papa. E ndoqa, nga Skandinavia, këtë tragjedi të re të njerëzve tuaj e u luta për ju” – vijoi Françesku. Imzot Boccardo i foli Papës për njerëzit e tij, të vënë në këtë provë të rëndë, tejet të shqetësuar për ardhmërinë e tyre. E Françesku u përgjigj: “Duhen inkurajuar njerëzit, duhen mbështetur, që ta shikojnë me optimizën të  ardhmen”. Më pas Papa e porositi ipeshkvin: “Rrini pranë njerëzve, që të mos e humbasin shpresën edhe për të vijuar të jetojnë në trojet e tyre”.

Në zonën e dëmtuar nga tërmeti, në Qendër të Italisë, numërohen mbi 200 mijë banesa të dëmtuara dhe rreth 22 mijë të shpërngulur, të asistuar. “Duam të rrimë këtu e të ushqejmë thirrje të reja” – thotë atë Benedetto Nivakoff, zëvendës-drejtor i Abacisë benediktine të Norcia-s,  duke folur në mikrofonin tonë:

Përgjigje: – Shpresa riniset gjithnjë nga Krishti, jo nga rrënojat, por nga themelet shpirtërore. Jeta murgare e, si pasojë, jeta e të gjithëve, duhet t’i ketë themelet në shtegtimin drejt Parajsës, në udhën shpirtërore… Jo se ndërtesat nuk kanë pikë rëndësie, madje janë tepër të rëndësishme, por çaste të tilla na sjellin në mendje gjëra edhe më të rëndësishme.   Radio Vatikani

Presidenti çek injoron të mbijetuarin e Holokaustit, shkakton zemërim

Dhjetëra institucione të Çekisë dhe grupe civile kanë nxituar ta nderojnë personin 88 vjeçar, George (Jirzhi) Brady, i mbijetuar i Holokaustit, pasi presidenti i tyre, Milos Zeman, e tërhoqi ofertën për nderim shtetëror, që qartazi ishte koncesion ndaj Kinës.

brady
Zoti Brady, hebre nga Kanadaja, me origjinë çeke, i cili është i mbijetuar i kampit nazist të vdekjes në Aushvic, u tha mediave çeke se ai ka marrë shumë ftesa pas tërheqjes së minutës së fundit të presidentit çek, para ceremonisë së dhënieve të nderimeve shtetërore, më 28 tetor, saqë nuk është i sigurt se do të mund të marrë pjesë në të gjitha ngjarjet.

Ai, po ashtu, tha se tashmë nuk dëshiron ta marrë çmimin shtetëror për shërbim publik, për të cilin Zyra e presidentit Zeman paraparakisht e kishte ftuar në Pragë, që personalisht nga presidenti ta pranojë mirënjohjen.

“Nuk jam i interesuar. Kam plane të tjera”, i tha zoti Brady programit të radios çeke, Radiozhurnal, më 24 tetor.

Por, ai ka theksuar se ishte jashtëzakonisht krenar me çmimet që ia dhanë organizatat e tjera, duke treguar vetëdijen e çekëve për mizoritë e Holokaustit.

Ky person, i cili jeton në Toronto të Kanadasë, ka marrë mirënjohje për përpjekjet e tij për mbështetjen e fushatave globale për përkujtimin e Holokaustit. Në të kaluarën, Brady për punën e tij, pos të tjerëve, ishte nderuar nga mbretëresha britanike, Elizabeta, dhe nga qeveria gjermane.

Lidhja tibetiane

Kthesa e Zemanit ndaj zotit Brady, para festës kombëtare të Çekisë, më 28 tetor, i ka zemëruar shumë shtetas të këtij vendi, pasi duket se kishte lidhje me armiqësinë e presidencës me nipin e zotit Brady, Daniel Herman, i cili është ministër i Kulturës i Çekisë.

Herman ishte takuar me liderin shpirtëror tibetian, Dalai Lama, në Pragë, në mesin e muajit tetor, kundër dëshirës së presidentit Zeman, që kishte synuar shtimin e tregtisë me Kinën, e cila Dalai Lamën e konsideron separatist të dhunshëm.

Ministri Herman i tha Televizionit të Çekisë se “presidenti në mënyrë direkte më tha se nëse unë takohem me Dalai Lamën, atëherë daja im do të hiqet nga lista (e çmimeve) dhe kjo ndodhi”.

Personalitete udhëheqëse në Republikën e Çekisë, që kanë lëvizur ta njohin veprën e zotit Brady, pas tërheqjes së befasishme të Zemanit, përfshinë kryetaren e qytetit të Pragës, kryetarin e qytetit të dytë çek, Bërno, dhe rektorin e e Universitetit Palacky në Ollomouc.

“Jam e turpëruar me atë që po ndodhë lidhur me çmimin për zotin Brady”, ka shkruar në faqen e saj personale në internet, kryetarja e Pragës, Adriana Kërnacova, duke shtuar se kjo është arsyeja përse ajo e ka shfrytëzuar autoritetin e saj për ta nderuar Brady-n zyrtarisht me Çelësin e Pragës, si shprehje e mirënjohjes.

Rektori i Universitetit Palacky në Ollomouc, Jaroslav Miller, ka shprehur ndjenja të njejta.

“Nëse presidenti me të vërtetë e ka tërhequr atë nga lista e të nderuarve për shkaqe të pakuptueshme, Universiteti Palacky në Ollomouc do të jetë i nderuar që zoti Jirzhi (George) Brady ta pranojë çmimin tonë akademik”, ka shkruar Miller në rrjetin Facebook, dhe ka shtuar se “së paku ne do ta shpëtojmë nderin e Republikës Çeke dhe do ta nderojmë njeriun që bëri diçka për vendin e tij”.

Ndryshim i rrugës së Havelit

Ministri i financave i Çekisë, Andrej Babis, i ka hedhur poshtë pretendimet për çfarëdo lidhjeje ndërmjet këtyre zhvillimeve.

Por, ai ka konfirmuar se presidenti i ka thënë ministrit Herman që të mos takohej me Dalai Lamën.

Gjatë presidencës së tij, Zeman synon fuqishëm lidhje më të afërta ekonomike me Kinën, megjithë kundërshtimet nga grupet për të drejta të njeriut në Çeki, për shkak të politikave represive të Kinës në Tibet, i cili është aneksuar në vitin 1951.

Pekini i dekurajon shtetet e jashtme që të mos e pranojnë Dalai Lamën, i cili është lider shpirtëror dhe e udhëheq qeverinë e Tibetit në ekzil, në Indi.

Qasja e Zemanit dhe e paraardhësit të tij, Vaclav Klaus, në raport me Dalai Lamën, që është fitues i Çmimit Nobel për Paqe, është diametralisht e ndryshme nga ajo e presidentit të ndjerë, Vaclav Havel, disident çekosllovak dhe shkrimtar, që ishte ndërkombëtarisht i nderuar për promovimin e të drejtave të njeriut dhe mik i liderit shpirtëror tibetian, Dalaj Lama.

Familja hebreje që u ndëshkua nga nazistët

Familja e George (Jirzhi) Brady-t ishte e vetmja familje hebreje në qytetin e vogël, Nove Mesto, në ish-Çekosllovaki, e cila kishte jetë të qetë të klasës së mesme, derisa Gjermania Naziste e okupoi vendin në vitin 1939.

Prindërit e Brady-t u dëbuan menjëherë në fillim të luftës dhe raportohet se kanë vdekur në Aushvic.

George, 13 vjeçar, dhe motra e tij më e re Hana, së pari ishin dërguar për të jetuar me një familje të farefisit katolik në Çekosllovaki, por në vitin 1944 ishin dërguar në Aushvic.

George ishte dërguar në Aushvic, por mbijetoi. Motra e tij, Hana, u vra në dhomën e gazit, në moshën 13 vjeçare.

George pastaj u kthye në shtëpinë e dajës së tij, e përfundoi shkollën dhe në vitin 1951 iku nga Çekosllovakia komuniste.

Pasi e mori shtetësinë e Kanadasë, ai e themeloi një kompani të instalimeve hidrosanitare në qytetin Toronto.

Përvoja e familjes Brady është temë e librit “Valixhja e Hanës”, të botuar në vitin 2002, të autores Karen Levine.

Ky libër është përkthyer nga anglishtja në afro 20 gjuhë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Suedia e shpall zyrtarisht të vdekur heroin Wallenberg

Diplomati suedez Raoul Wallenberg, që shpëtoi dhjetëra mijëra hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore

Autoritetet suedeze zyrtarisht e kanë shpallur të vdekur heroin e Luftës së Dytë Botërore, Raoul Wallenberg, pas zhdukjes së diplomatit, i cili pati shpëtuar dhjetëra mijëra hebrenj nga forcat naziste gjermane.

Wallenberg, qe emëruar diplomat në Budapestin e okupuar nga nazistët në vitin 1944, dhe iu dha merira për ndihmë të mbi 20 mijë hebrenjëve në Hungari, duke iu lëshuar atyre pasaporta mbrojtëse gjatë muajve të fundit të Holokaustit.

Ai u arrestua nga forcat sovjetike në fillim të vitit 1945 dhe më pastaj u zhduk.

Rrethanat dhe data e vdekjes së tij mbeten misterioze, por Autoritetet Suedeze të Taksave, thanë se Wallenberg zyrtarisht u deklarua i vdekur, ka njoftuar e përditshmja suedeze Expressen.

Agjencia, që regjistron lindjet dhe vdekjet në vend e konfirmoi lajmin për AP.

Cesky Krumlov, qyteti i cili vizitorëve u mundëson kthim në mesjetë

Qyteti i vendosur në lumin Vltavi, është ndërtuar në shekullin e 13-të me dominim të elementeve gotik, të renesancës dhe barokut

PRAGË– Njëri nga qytetet më të vizituara çeke pas Pragës padyshim se është Cesky Krumlov, nga fakti se arkitektura e paprekur e tij, vizitorëve u mundëson kthim në mesjetë. Qyteti i vendosur në lumin Vltavi, është ndërtuar në shekullin e 13-të me dominim të elementeve gotik, të renesancës dhe barokut. aa

Tërmet në Itali – dëme të mëdha materiale

Një tërmet i fuqishëm prej 6.6 shkallësh goditi të dielën Italinë qendrore, duke shkatërruar ndërtesa dhe kisha historike në qytetet dhe fshatrat e vogla, tashmë të goditura nga lëkundjet e javës s kaluar.

Tërmeti i së dielës ishte më i fuqishmi që nga ai i 24 gushtit që la pas vetes rreth 300 të vrarë dhe rrënoi disa qytete.

Nuk ka njoftime për viktima nga tërmeti që goditi në mëngjes në orën 7:40 sipas kohës lokale dhe epiqendra e të cilit ishte afër qytetit Perugia. Ai la pas vetes dëme të mëdha.

Në mesin e ndërtesave të dëmtuara janë edhe Bazilika historike e Shën Benediktit dhe ndërtesa e administratës së qytetit në Norcia.

Krijohet zona e parë detare e mbrojtur në botë

Antarktiku

Delegatët nga 24 vende dhe të BE-së, janë pajtuar që në detin Ross në Anatarktik të krijohet zona e parë detare e mbrojtur në botë.

Rreth 1.57 milionë kilometra katrorë të Oqeanit Jugor do të mbrohen nga peshkimi komercial në një periudhë prej 35 vjetësh, njofton BBC.

Aktivistët për mbrojtjen e natyrës e kanë përshëndetur këtë hap dhe thonë se bëhet fjalë për një ekosistem të vecantë detar në rruzullin tokësor. Shpresojnë se kjo do të jetë zona e parë në mesin e shumë të tjerave në ujërat ndërkombëtare.

Në takimin e mbajtur në qytetin Hobart të Australisë, Komisioi për ruajtjen e resurseve të gjalla detara në Antarktik (CCAMLR) është arritur pajtueshmëria, njëzëri, që deti Ross të shënohet si një zonë e mbrojtur, pas shumë viteve të bisedimeve, ka thënë ministri i Jashtëm i Zelandës së Re Murray McCully.

Deti Ross përbën dy për qind të Oqeanit Jugor por është shtëpi e rreth 38 për qind e pinguinëve në botë dhe një numri të madh të botës ujrore, përfshirë edhe balenat. (REL)

Hungaria thërret ambasadorin rus për kritikat ndaj kryengritjes më 1956

Revolta në Hungari më 1956

Hungaria e ka thirrur ambasadorin rus pas deklaratave kritike në mediat shtetërore ruse për kryengritjen anti-sovjetike në vitin 1956.

“Do ta bëjmë shumë të qartë se nuk do të tolerojmë asnjeri që të bëjë deklarata denigruese për kryengritjen e vitit 1956 dhe heronjtë e tij”, tha, të martën, ministria e jashtme hungareze.

Televizioni shtetëror rus e ka përshkruar kryengritjen si një “trazirë” gjatë së cilës, sic thuhet, “mijëra ish-nacistë janë liruar nga burgjet”. Televizioni rus gjithashtu sugjeroi se perëndimi e kishte orkestruar kryengritjen.

Hungaria ka shënuar 60 vjetorin e kryengritjes me një ceremoni të madhe shtetërore më 23 Tetor.

Trupat sovjetike brutalisht shtypën kryengritjen anti komuniste në vitin 1956, gjatë se cilës 2.500 hungarezë dhe 700 trupa sovjetike u vranë dhe që nxiti largimin e mbi 200 mijë hungarezëve nga vendi i tyre. (REL)

Spanja po e rivlerëson lejen për furnizim të luftanijeve ruse

Ministria e jashtme e Spanjës po e rivlerëson lejen e cila i është lëshuar flotës së Marinës ruse me të cilin i mundësohet që të furnizohet në portin Ceuta.

E përdtishmja El Pais njoftoi se një flotë ruse, me aeroplanmbajtësen Admirali Kuznetsov, pritet të arrijë në Ceuta gjatë ditës së mërkurë.

Ceuta ndodhet në bregun verior të Afrikës përballë Gjibraltarit në Spanjë. Ajo është pjesë e mosmarrëveshjes ndërmjet Spanjës dhe Marokut por konsiderohet pjesë e Bashkimit Evropian.

Anijet luftarake ruse janë ankoruar aty të paktën 60 herë që prej vitit 2011.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka shprehur shqetësimin për “mundësinë e përdorimit të tyre në sulmet ajrore ndaj civilëve në Alep”. (REL)

Greqisë i livrohet kredi prej 2.8 miliardë eurosh

Mekanizmi Evropian për Stabilitet (ESM) ka lëshuar pjesën e kredisë prej 2.8 miliardë eurosh për Greqinë pas përmbushjes së reformave në kuadër të programit të tretë të shpëtimit

BRUKSE – Mekanizmi Evropian për Stabilitet (ESM) ka lëshuar pjesën e kredisë prej 2.8 miliardë eurosh për Greqinë pas përmbushjes së reformave në kuadër të programit të tretë të shpëtimit.

E themeluar për të siguruar mbështetje financiare për vendet me probleme financiare në Eurozonë, ESM ka njoftuar se ka lëshuar pjesën prej 2.8 miliardë eurosh të kredisë për Greqinë.

Kryetari i ESM-së Klaus Regling, në vlerësimin e tij rreth këtij zhvillimi, tha se kredia është lëshuar pasi Greqia ka vazhduar procesin e reformave pa ndërprerje.

“Qeveria greke ka sjellë në vend reforma të rëndësishme në lidhje me pesionimin, drejtimin e bankave, sektorin e energjisë dhe administratën e të ardhurave. Greqia po ashtu ka bërë hapa drejt privatizimeve të reja dhe funksionalizimit të fondit për investime”, ka thënë Regling. aa

Norvegji: Lejohet vendosja e ushtarëve amerikanë afër kufirit rus

Pamje e ushtarëve amerikanë gjatë një operacioni në kuadër të NATO-s

 

Shtetet e Bashkuara do t’i vendosin 330 ushtarë në Norvegji, ka njoftuar mbrëmë qeveria e këtij vendi, në një lëvizje që me gjasë do ta shqetësoj Rusinë fqinje.

Këta ushtarë amerikanë do të vendosen në bazën ushtarake Vaernes, afro 1 mijë kilometra nga kufiri i Rusisë.

Aktualisht, Shtetet e Bashkuara kanë pasisje ushtarake në Norvegji, që është aleate e NATO-s, por jo ushtarë.

“Është madhore për sigurinë e Norvegjisë, që aleatët tanë të vijnë këtu për të marrë njohuri se si të operohet në Norvegji dhe me forcat norvegjeze”, tha ministrja e mbrojtjes e Norvegjisë, Ine Eriksen Soreide.

Javën e kaluar, Ambasada e Rusisë në kryeqytetin Oslo të Norvegjisë, ka shprehur befasi për idenë e vendosjes së trupave amerikane në Norvegji, duke theksuar deklaratat e shpeshta të liderëve norvegjezë se Rusinë nuk e shohin si kërcënim.

Gjermania refuzon azilkërkuesit – 68 549 janë shqiptarë të Kosovës

Më shumë se gjysmë milioni azilkërkues të cilëve u është refuzuar kërkesa vazhdojnë të qëndrojnë në Gjermani, e me gjasë shumica prej tyre nuk do të deportohen, thonë të dhënat qeveritare gjermane.

Rreth 77,600 prej 549,209 azilkërkuesve të refuzuar janë turq, raporton “Die Welt”, të përcjellë nga ata nga Kosova (68,549) dhe Serbia (50,817).

Nga totali, vetëm një numër i vogël prej tyre do të deportohen, ka raportuar mediumi gjerman, transmeton Koha.net. rreth gjysma e azilkërkuesve tashmë kanë të drejtën e përhershme të qëndrimit në Gjermani, ndërsa rreth një e treta kanë leje të përkohshme qëndrimi.

Nga pjesa tjetër, disave u është kërkuar që të largohen por deportimi i tyre është suspenduar, ndërsa disa të tjerëve që u është kërkuar të largohen nuk e kanë këtë përjashtim, dhe si rrjedhojë rrezikojnë të deportohen.

Disa të tjerë e kanë të pamundur të deportohen duke “iu falënderuar” sëmundjeve, shtatzënive apo atyre që kanë fëmijë të vegjël, transmeton Koha.net.

Në bazë të ligjit gjerman, është e mundshme që të fitojnë leje qëndrim edhe njerëzit pa fëmijë për tetë vjet ndërsa për familjet me fëmijë pas gjashtë vjetësh, me kusht që nuk kryejnë ndonjë vepër penale, kanë së paku shkathtësitë e gjuhës të nivelit A2 dhe “mbijetesën” e kanë të siguruar nga punësimi apo pritet të punësohen në të ardhmen.

Madje, gjithnjë sipas ligjit gjerman, ka mundësi që leje të tilla të fitojnë edhe personat nën 21 vjeç nëse ata kanë jetuar në Gjermani për katër vjet.

Kancelarja Merkel pret nesër Presidentin Putin

Për herë të parë prej fillimit të krizës në Ukrainë, presidenti rus Putin udhëton në një samit në Berlin.

Presidenti i Rusisë Putin këtë të mërkurë do të takohet në Berlin me Presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, Presidentin e Francës François Hollande dhe Kancelaren gjermane Angela Merkel, në të ashtuquajturin samiti i Normandisë, për procesin e paqes në lindje të Ukrainës. Këtë lajm e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Steffen Seibert.

Ai bëri të ditur se në këtë takim do të bëhet fjalë në radhë të parë për zbatimin e Marrëveshjes së Minskut për Ukrainën, si dhe për hapat e tjerë që duhet të bëhen për vendosjen e armëpushimit të plotë dhe arritjen e paqes. Kjo është vizita e parë e Putinit në Berlin, prej fillimit të krizës në Ukrainë.

Merkeli ka qenë për vizitë në Moskë në maj 2015, pas aneksimit të Krimesë nga forcat ruse. Zëdhënësi i qeverisë, Seibert e ka konfirmuar të premten se Berlini është një vend ku mund të mbahet një takim i tillë. Vetë Moska e ka përmendur Berlinin si një vend të mundshëm për negociatat e ardhshme, më 19 tetor. Palët kanë pasur mosmarrëveshje të shumta rreth takimit të ardhshëm katërpalësh.

Takimi i fundit është mbajtur në tetor të vitit të kaluar në Paris.

Marrëveshja e Minskut pa rezultatet e shpresuara 

Marrëveshja e paqes është arritur në shkurt të vitit 2015, por deri sot nuk është zbatuar në tërësi dhe nuk i ka arritur rezultatet e shpresuara, që do të rezultonin me marrëveshjen për armëpushimin mes Ukrainës dhe forcave proruse në këtë vend.

Presidenti rus Putin e ka anuluar papritur javën e kaluar një vizitë të planifikuar për këtë të mërkurë në Paris. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha se për shtyrjen e kësaj vizite ekzistojnë disa shkaqe. Sipas tij, pala franceze ka hequr nga programi i vizitës disa pika të rëndësishme. Kohët e fundit ka pasur dallime shumë të mëdha mes Francës dhe Rusisë për gjendjen dhe zhvillimet në Siri.

Qeveria e Austrisë do të shembë shtëpinë ku lindi Hitleri

Shtëpia ku lindi Adol Hitleri do të shembet dhe do të zëvendësohet me një ndërtesë të re, e cila nuk do të ketë të bëjë asgjë me diktatorin nazist, ka njoftuar sot qeveria e Austrisë.

Qeveria austriake ka për qëllim që të shkatërrojë këtë shtëpi me qëllim që të zhduk trashëgiminë neo-naziste, e cila shpesh përdoret për pelegrinazh, njofton AP.

Plani për shkatërrimin e shtëpisë së Hitlerit tash duhet të votohet në Parlament. Por Ministria e Brendshme, ka thënë se shkatërrimi i këtij objekti është rekomanduar nga një komision i përcaktuar nga qeveria. rel

Partitë në pushtet por edhe ato në opozitë pritet që ta mbështesin këtë plan.

Skocia sërish aktualizon çështjen e referendumit për pavarësi

Ministrja e Parë e Skocisë Nicola Sturgeon, deklaroi se nga java e ardhshme do të dorëzojë për debat publik një projekt-ligjin të ri rreth referendumit për pavarësi nga Britania e Madhe

LONDËR – Ministrja e Parë e Skocisë Nicola Sturgeon, deklaroi se nga java e ardhshme do të dorëzojë për debat publik një projekt-ligjin të ri rreth referendumit për pavarësi nga Britania e Madhe.

Skocezët në vitin 2014 ishin kundër pavarësisë, ndërsa kjo çështje sërish u aktualizua më 23 qershor të këtij viti, kur britanikët përmes referendumit votuan për dalje nga Bashkimi Evropian (BE). aa

Gjermania nën presion për vdekjen e “terroristit të dyshuar”

Jaber al-Bakr

Qeveria e Gjermanisë ka kërkuar hetime të menjëhershme të vdekjes në burg të një refugjati sirian, i akuzuar për planifikim të sulmit me bombë.

Jaber al-Bakr ka vrarë veten në burgun në Lajpcih, mbrëmjen e së mërkurës, me sa duket me bluzën e tij.

Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, ka kërkuar “hetime të shpejta dhe të plota”.

“Ajo çfarë ka ndodhur dje, kërkon hetime të gjera dhe të shpejta nga ana e autoriteteve ligjore lokale. Po supozoj se kjo tani po bëhet”, tha de Maiziere.

Avokati i al-Bakr e përshkroi vdekjen si skandal gjyqësor, duke thënë se burgu ka qenë në dijeni se klienti i tij është në rrezik të vetëvrasjes.

Al-Bakr, i cili ka arritur në Gjermani si refugjat vitin e kaluar, është arrestuar në një banesë në qytetin Lajpcih, mëngjesin e së hënës.

Ai ka kërkuar ndihmë për sulme nga tre sirianë tjerë, të cilët kanë alarmuar policinë.

Autoritetet besojnë se ai ka pasur lidhje me grupin militant Shteti Islamik.

Vetëvritet siriani që planifikonte sulme në Gjermani

Në fotografi: Jaber Al-Bakr.

Një refugjat sirian, i dyshuar për planifikim të sulmeve terroriste në aeroportin e Berlinit, është vetëvrarë në qelinë e tij në Lajpcih, thanë zyrtarët gjermanë.

Ministria e Drejtësisë e landit të Saksonisë tha se Jaber al-Bakr është gjetur i vdekur dhe se hetimet kanë nisur.

Al-Bakr, i cili ka arritur në Gjermani si refugjat, është arrestuar në një banesë në qytetin Lajpcih, mëngjesin e së hënës.

Al-Bakr ka kërkuar ndihmë për sulme nga një sirian tjetër, i cili ka alarmuar policinë.

Që prej arrestimit, Al-Bakr, 22 vjeç, ka qenë në grevë urie, raportoi gazeta Der Spiegel.

Autoritetet besojnë se ai ka pasur lidhje me grupin militant Shteti Islamik.


Send this to a friend