VOAL

VOAL

Steinmeieri: Emërimi i Johnsonit, lajm i hidhur

Kryediplomati gjerman, Frank-Walter Steinmeier

Emërimi i ish-kryetarit të Londrës, Boris Johnson, në postin e sekretarit të jashtëm britanik ka shkaktuar habi.

Johnson ka udhëhequr fushatën për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian dhe më pas është tërhequr nga gara për postin e kryeministrit, i cili duhet të udhëheqë negociatat për shkëputje nga blloku.

“Është e hidhur për Britaninë e Madhe. Njerëzit atje janë duke përjetuar një zgjim të pakëndshëm, pasi politikanët e papërgjegjshëm fillimisht e nxorën Britaninë nga Bashkimi Evropian dhe më pas u ikën përgjegjësive… Të jem i sinqertë, kjo më duket shokuese. Dhe, natyrisht, nuk është e hidhur vetëm për Britaninë e Madhe, por edhe për Bashkimin Evropian”, ka thënë ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier.

Johnson po ashtu ka shkaktuar shtangie në Evropë, duke krahasuar qëllimet e Bashkimit Evropian me ato të Adolf Hitlerit dhe të Napoleonit.

Kryeministrja e re britanike, Theresa May, e ka emëruar atë në pozitën që deri të mërkurën e ka mbajtur Philp Hammond. Ky i fundit tani është bërë kancelar.

May është zotuar se do të udhëheqë një qeveri që punon për të gjithë dhe “jo vetëm për disa të privilegjuar”.

Gjermani, policia në kërkim të personave që përhapin gjuhën e urrejtjes

Policia njoftoi se autoritetet kanë bastisur shtëpitë e rreth 40 personave të dyshuar për publikimin e përmbajtjeve anti-semite dhe të ekstremit të djathtë në internet

BERLIN – Autoritetet në Gjermani janë duke kryer bastisje të shumta në mbarë vendin në kërkim të të dyshuarve për përhapje të gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale.

Policia federale ka njoftuar se autoritetet kanë bastisur shtëpitë e rreth 40 personave të dyshuar për publikimin e përmbajtjeve anti-semite dhe të ekstremit të djathtë në internet.

Ligji gjerman kufizon lirinë e shprehjes, nëse ajo përfshin nxitje të dhunës, madhështimin e nazizmit, diskriminimin racor apo mohimin e Holokaustit. aa

Austria pritet ta shkatërrojë ose ta kthejë në supermarket shtëpinë e Hitlerit

Qeveria austriake pritet të marrë nën kontrollin e saj shtëpinë ku u lind Adolf Hitleri në vitin 1889, në mënyrë që të parandalojë faktin që ajo të bëhet vend pelegrinazhi nga neonazistët. Pronarja aktuale, një grua e moshuar e dalë në pension, ka refuzuar ofertat e përsëritura disa herë për blerjen e shtëpisë në Brunau am Inn, në të kaluarën.

Megjithatë, ka ende mosmarrëveshje se çfarë do të bëhet me atë shtëpi në të ardhmen. Ministri i Brendshëm dëshiron shkatërrimin e saj, ndërsa të tjerë thonë se ngritja e një muzeumi apo qoftë edhe e ndonjë supermarketi do të ishte një mënyrë më efektive e “depolitizimit” të saj.

“Vendimi është i domosdoshëm, sepse republika jonë dëshiron të parandalojë faktin që kjo shtëpi të bëhet vend kulti për neonazistët në çfarëdolloj mënyre. Gjë që ka ndodhur disa herë në të kaluarën, kur njerëzit janë mbledhur përreth saj dhe kanë hedhur slogane nga më të ndryshmet”, tha ministri i Brendshëm, Wolfgang Sobotka. “Mendimi im është që ta shembim këtë shtëpi”, shtoi ai.

Gjithsesi, zv.kancelari Reinhold Mitterlehner tha se një projekt me “vlera edukative”, siç mund të jetë një muzeum, do të ishte një zgjidhje për përdorimin më të mirë të asaj shtëpia, të paktën nga sa raporton gazeta “Die Presse”.

Një numër gjithnjë e në rritje njerëzish vizitojnë atë shtëpi, sipas të dhënave të Qendrës së Dokumentimit të Rezistencës Austriake (DCAR).

Por, kreu i organizatës, Gerhard Baumgartner tha se prishja e asaj ndërtese nuk do ta zgjidhte problemin, pasi ekstremistët e krahut të djathtë do të “krijonin” në vend të saj “Sheshin e Hitlerit” apo “Parkun e Hitlerit”, në mënyrë që të kenë diçka për të vizituar në të ardhmen.

“Ajo ndërtesë duhet të depolitizohet totalisht dhe atje duhet të ngrihet diçka që askush nuk do të dëshironte të fotografohej”, tha ai për rrjetin televiziv “ORF”. Duke vendosur atje një supermarket apo një stacion zjarrfikëseje do të jepte efektet e dëshiruara, thotë Baumgartner.

Shteti austriak e ka marrë me qira atë shtëpi që prej vitit 1972 dhe aktualisht paguan rreth 4.800 euro në muaj për atë. Në atë ndërtesë, në të kaluarën janë strehuar edhe punonjës për njerëzit me aftësi të kufizuara, por që prej vitit 2011 ka mbetur bosh, sepse pronarja i ka refuzuar vazhdimisht idetë për përdorimin e saj në të ardhmen, sikurse edhe ofertat për blerje nga shteti austriak.

Presidentja lituaneze: NATO e sheh Rusinë më të rrezikshme se ISIS-i

Nerijus Aleksiejunas, këshilltari për politikën e jashtme i presidentes së Lituanisë Dalia Grybauskaite tha se NATO-ja e sheh Rusinë si më të rrezikshme se organizata terroriste ISIS

VILNIUS (AA) – Nerijus Aleksiejunas, këshilltari për politikën e jashtme i presidentes së Lituanisë Dalia Grybauskaite tha se NATO-ja e sheh Rusinë si më të rrezikshme se organizata terroriste ISIS.

Aleksiejunas duke folur në radion Ziniju tërhoqi vëmendjen se në vendimet e marra në Samitin e NATO-s që u mbajt në Varshavë të Polonisë është biseduar më shumë për Rusinë.  aa

Aksident hekurudhor në Itali, 20 të vdekur

“Katastrofa është sikur të jetë rrëzuar avion. Shërbimet e shpëtimit dhe mbrojtja civile janë në vendngjarje, por fatkeqësisht kemi viktima”, shkroi Mazzilli në Twitter

MILANO– Numri i të vdekurve nga përplasja e drejtpërdrejt e dy trenave, që ndodhi sot në rajonin jugor italian Pulia, është rritur në 20, raportojnë mediat italiane, duke iu referuar një zyrtari anonim rajonal.

Në vazhdim është aksioni i shpëtimit në të cilin pjesëtarët e shërbimit të ndihmës emergjente, zjarrfikësit dhe vullnetarët tentojnë të nxjerrin pasagjerët tjerë nga trenat e aksidentuar, njoftuan autoritetet.

Autoritetet bëjnë thirrje për dhënie të gjakut duke theksuar se dyshojnë që në trenat e aksidentuar gjenden akoma pasagjerë. Massimo Mazzilli, kryebashkiaku i Corato, në afërsi të të cilit erdhi përplasja e dy trenave deklaroi se skenat nga vendi i ngjarjes janë tmerruese, por se shërbimet janë duke kryer punën e tyre. aa

Popullsia e BE-së rritet nga emigracioni

Pas rritjes së emigrimit popullsia e Bashkimit Europian (BE) në fund të vitit 2015 arriti në 510.1 milionë banorë.

Në informacionet e përpiluara të gazetarit të AA-së nga të dhënat e Eurostat, popullsia e BE-së me 28 shtete, nga 1 janari 2016 në krahasim me periudhën e kaluar ka shënuar rritje për 1.8 milionë persona (3.5 në një mijë) dhe ka arritur në 510.1 milionë banorë.

Nga ana tjetër numri i fëmijëve të lindur vitin e kaluar në BE ka arritur në 5.1 milionë ndërsa numri i të vdekurve ka arritur në 5.2 milionë. Në këtë drejtim, edhe pse se për herë të parë në historinë e Evropës vërehet ndryshim “natyror” në kahe negative në popullsinë e saj, numri neto i migrantëve ka ndikuar në rritjen e popullatës së përgjithshme.

Don Kishoti në anglisht, dhurata e mbretit spanjoll për Obamën

Mbreti i Spanjës dhe mbreteresha Letizia – Arkiv

Pallati mbretëror spanjoll ka thënë se mbreti Filipe VI do ia jap një dhuratë speciale presidentit amerikan, Barack Obama.

Fjala është për versionin anglisht të Don Kishotit, romanit të njohur spanjoll me autor Miguel de Cervantes Saavedra.

Kopertina prej lëkure e librit thuhet ta ketë edhe një vulë zyrtare amerikane dhe atë të familje mbretërore të Spanjës.

Në të siç raporton Associated Press është i shkruar edhe një dedikim në anglisht dhe i nënshkruar nga mbreti dhe bashkëshortja e tij, mbretëresha Letizia.

Shtëpia e Bardhë ende nuk e ka treguar se cila do të jetë dhurata e presidentit amerikan, Obama për mbretin.

Barack Obama po qëndron në Spanjë për një vizitë shkurtër pasi mori pjesë në samitin dy ditor të NATO-s në Varshavë.

Lideri amerikan ka vendosur ta shkurtojë vizitën në Spanjë pasi dëshiron që nesër ta vizitojë Dallasin ku tre ditë më parë u vranë pesë policë amerikan.

Garat me dema në Spanjë, humb jetën një toreador

Toreadori 29 vjeçar Victor Barrio ka marrë goditje në kraharorin e tij gjatë garave me dema në Teruel të Spanjës

MADRİD – Gjatë garave me dema më të famshme në botë të zhvilluara në Spanjë, një toreador ka humbur jetën si pasojë e goditjeve të një demi

Metadori 29 vjeçar Victor Barrio ka marrë goditje në kraharorin e tij gjatë garave me dema në Teruel të Spanjës. Ndërhyrja e mjekëve ka qenë e menjëhershme por për shkak të plagëve të marra toreadori nuk i ka shpëtuar dot vdekjes.

Në një deklaratë për shtyp doktorët thanë se toreadori kishte marrë plagë të rënda në pjesën e djathtë të kraharorit dhe si pasojë ka gjetur vdekjen.

Barrio është toreadori i dytë i cili humb jetën gjatë garave me dema në Spanjë. Në vitin 1992 toreadori me emrin Ramon Soto Vargas humbi jetën pas disa plagëve të marra nga goditjet me brirë të një demi.

Përfundon Samiti dyditor i NATO-s në Varshavë

Temat të cilat u diskutuan në Samit ishin rritja e pranisë ushtarake të Rusisë, lufta kundër terrorizmit, sulmet kibernetike, mbështetja e NATO-s në Afganistan dhe situata në Ukrainë

VARSHAVË – Vendet anëtare të NATO-s gjatë takimit dy-ditor të mbajtur në Varshavë morën vendim që masat e posaçme të sigurisë të caktuara për Turqinë të zbatohen në tërësi, të jenë fleksibile në përputhje me zhvillimet e situatës dhe se në bazë të nevojës të mund të korrigjohen.

Punimet e Samitit përfunduan në Poloni. Temat të cilat u diskutuan në Samit ishin rritja e pranisë ushtarake të Rusisë, lufta kundër terrorizmit, sulmet kibernetike, mbështetja e NATO-s në Afganistan dhe situata në Ukrainë.

Në fund të Samitit është publikuar deklarata në të cilën theksohet se NATO si nga lindja ashtu edhe nga jugu përballet me kërcënime dhe probleme të sigurisë.

U tha se burimi kryesor i jostabilitetit rajonal, duke përfshirë edhe aktivitetet ushtarake provokuese të Rusisë në territorin e NATO-s, me qëllim të arritjes së qëllimeve politike përmes forcës, kërcënimeve dhe qëndrimit atakues.

Në sigurinë e vendeve të NATO një ndikim të thellë ka situata e sigurisë në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut. Terrorizmi, sidomos aktivitetet e organizatës terroriste DAESH, kanë arritur përmasa të papara duke depërtuar edhe në territoret e aleatëve. Terrori ka krijuar kërcënim të drejtpërdrejtë për vendet anëtare të NATO-s dhe komunitetin ndërkombëtar.

Suksesi efikas kundër DAESH-it në Siri do të jetë i mundur vetëm me qeveri legjitime. Në Siri, ka nevojë për një tranzicion të vërtetë urgjent dhe politik.

Njëzëri u dënuan “sulmet barbare” të organizatës terroriste DAESH ndaj civilëve, veçanërisht ndaj minoriteteve etnike dhe fetare.

“Nëse rrezikohet siguria e vetëm një prej aleatëve tanë, ne nuk do të të përmbahemi nga të gjitha hapat e nevojshëm për të plotësuar mbrojtjen”, thuhet në deklaratën e publikuar.

Në vjeshtë, në luftën kundër organizatës terroriste DAESH, do të fluturojnë avionët AWACS në hapësirën ajrore ndërkombëtare, për të mbështetur shkëmbimin e informacioneve.

Gjithashtu u dënuan të gjitha format e dhunës të kryera nga forcat e regjimit të presidentit sirian Bashar al-Asad dhe mbështetësve të tij kundër civilëve dhe strukturave civile.

“Dënojmë sulmet e kryera nga DAESH-i, Al-Nusra dhe grupe të tjera të shpallura si organizata terroriste nga OKB-ja”, thuhet më tej në deklaratë.

Përveç kësaj, regjimit sirian i është bërë thirrje që ti përmbahet vendimit të marrë nga Kombet e Bashkuara, si dhe të ndërmerren hapat e nevojshme për tranzicion politik në vend.

Poashtu u dënuan edhe “veprimet agresive” të Rusisë në Ukrainë, të cilat shkelin ligjet ndërkombëtare.

Në Afganistan është vazhduar misioni ushtarak i NATO-s, e cila deri në fund të vitit 2020, do ti jepet mbështetje financiare.

Përveç kësaj, është vërejtur se sulmet kibernetik paraqesin kërcënim për sigurinë e Aleancës dhe se janë po aq të dëmshme për komunitetin moderne sikur sulmet “tradicionale” dhe se është e nevojshme që të merren masa të caktuara për parandalimin e këtyre sulmeve. aa

Kriza institucionale vazhdon të thellohet në Spanjë

Kryeministri në detyrë i Spanjës, Mariano Rajoy – Arkiv

Partia socialiste po e kundërshton miratimin e qeverisë së re të kryeministrit në detyrë, Mariano Rajoy partia e të cilit doli fituese e zgjedhjeve të muajit të kaluar.

Me këtë kriza institucionale në Spanjë duket se do të thellohet edhe më shumë edhe pas shtatë muajve bllokadë.

Politika spanjolle praktikisht konsiderohet e ngrirë prejse janë mbajtur zgjedhjet në dhjetor duke mos i dhënë partisë së djathtë të Rajoy shumicën e nevojshme për të votuar qeverinë e re dhe duke e detyruar kështu atë që të negociojë me partitë e tjera.

Partia e Popullit e kryeministrit në detyrë arriti të shtojë votat në zgjedhjet e përsëritura më 26 qershor, por sërish nuk ishte e mjaftueshme që të themelojë e vetme qeverinë e re.

Mirëpo, lideri i partisë rivale, Pedro Sanchez duke folur publikisht për herë të parë prejse janë mbajtur zgjedhjet ka thënë të shtunën se partia e tij as nuk votojë në favor e as nuk do të abstenojë gjatë mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë që udhëhiqet nga Partia e Popullit.

Merkeli bisedon me Erdoganin për tensionet mes dy shteteve

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan – Arkiv

Kancelarja gjermane thotë të ketë zhvilluar një bisedë konstruktive me liderin turk, Rexhep Taip Erdogan, në Varshavë ku po mbahet takimi i liderëve të vendeve anëtare të NATO-s, ndonëse çështjet ende mbesin të pazgjidhura tërësisht.

Ky është takimi i parë në mes të dy liderëve prejse parlamenti gjerman e ka votuar muajin e kaluar një rezolutë që vrasjet masive të vitit 1915 të armenëve nga Perandoria Osmane i njeh si gjenocid.

Ky votim kishte nxitur reagime të ashpra të Turqisë e cila i hedh poshtë akuzat.

Prej këtij votimi, Ankaraja ka refuzuar qasjen e parlamentarëve gjerman në bazën ajrore Incirlik të Turqisë, ku 250 ushtarë gjermanë po marrin pjesë në operacionet e NATO-s kundër grupit militant Shteti Islamik, pjesa e Irakut.

“Ne kemi diskutuar çështjet e jashtëzaonshme. Atmosfera ishte konstruktive…me qëllim që të zgjidhim konfliktet ekzistuese”, iu ka thënë Merkel gazetarëve në Varshavë.

BE-NATO, marrëveshje e re bashkëpunimi

Voal – Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk dhe presidenti i Komisionit të BE-së Jean-Claude Juncker nënshkruan sot një deklaratë të përbashkët me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Varshavë.

Deklarata synon përmirësimin e bashkëpunimit në aspekte të ndryshme të sigurisë.

Zoti Tusk tha pas nënshkrimit se Bashkimi Evropian ka nevojë të rrisë vlerën e tij si “një mik i NATO-s,” duke shtuar se bëhet fjalë për “jetën reale.”

Zoti Junker tha se në klimën e rritjes së paqëndrueshmërisë globale, BE dhe NATO kanë “çdo arsye për të punuar më ngushtë së bashku.”

Ndërkohë, zoti Stoltenberg tha se ai ka ndarë me përfaqësuesit e BE-së disa kërkesa bazë për secilin vend, që lidhen me sigurimin e energjisë, furnizimin me ushqime dhe me ujë dhe me vazhdimësinë e qeverisë./voa

NATO miraton vendosjen e trupave të reja në Evropën Lindore

Samiti i NATO-s në Poloni, 8 korrik, 2016

Udhëheqësit e NATO-s miratuan të premten dislokime të reja të forcave të armatosura në lindje të Evropës, në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj agresivitetit në rritje nga Rusia.

Udhëheqësit e 28 vendeve anëtare zyrtarisht autorizuan katër batalione shumëkombëshe, me nga 1,000 trupa, të cilat do të udhëhiqen nga Kanadaja, Gjermania, Britania dhe Shtetet e Bashkuara dhe do të vendosen në Poloni dhe në tri shtetet baltike: Letoni, Lituani dhe Estoni.

NATO po ashtu u zotua se do të adresojë një varg sfidash të tjera, si ekstremistët e Shtetit Islamik, sulmet kibernetike dhe konfliktet që kanë nxitur miliona njerëz të kërkojnë strehim në Evropë.

Samiti dyditësh i NATO-s në Varshavë vjen në kohën kur vendimi i Britanisë së Madhe për të braktisur Bashkimin Evropian ka hedhur hije mbi unitetin e Perëndimit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, tha se ky samit mund të jetë “momenti më i rëndësishëm për aleancën transatlantike që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë”.

“Jemi mbledhur në kohën e pasigurive në rritje”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke hapur samitin dhe duke falënderuar ushtarët që mbrojnë “afro një miliard njerëz në 28 shtetet anëtare të aleancës në Evropë dhe në Amerikën Veriore”.

“Do të marrim vendime të rëndësishme për të forcuar mbrojtjen e vendeve tona nga sulmet prej çdo drejtimi”, shtoi Stoltenberg.

Pjesa më e madhe e fokusit është te Rusia, e cila ka aneksuar Gadishullin e Krimesë nga Ukraina në mars të vitit 2014 dhe vazhdon të mbështesë separatistët në lindje të Ukrainës.

“Agresioni i Rusisë në Ukrainë kërcënon vizionin tonë për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe”, ka shkruar presidenti Obama në një koment të publikuar në gazetën Financial Times, disa orë përpara fillimit të samitit.

Ai ka vënë theksin edhe te sulmet e Shtetit Islamik, të cilat, sipas tij, “kanë masakruar njerëz të pafajshëm në vendet e NATO-s, nga Orllando deri në Paris, Bruksel e Stamboll”.

“Besoj se vendet tona duhet të kenë vullnet politik dhe të bëjnë angazhime konkrete për t’u përballur me këto sfida”, ka shkruar Obama në Financial Times.

Ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë ka rritur shqetësimet në vendet lindore të NATO-s, përfshirë Poloninë dhe shtetet e Baltikut, të cilat kanë qenë nën kontrollin e Moskës deri në rënien e komunizmit dhe në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, një çerek shekulli më parë.

“Jemi dëshmitarë të një politike të agresionit dhe mungesës së respektit për të drejtën ndërkombëtare, sovranitetin e brendshëm dhe integritetin territorial”, tha nikoqiri i samitit, presidenti i Polonisë, Andrzej Duda.

Udhëheqësit e Finlandës dhe të Suedisë po marrin pjesë në samitin e NATO-s për herë të parë, gjë që tregon për rritjen e bashkëpunimit në kohën e rritjes së aktiviteteve ushtarake të Rusisë pranë kufijve të tyre.

Planet e NATO-s për të rritur mbrojtjen kanë zemëruar Moskën, e cila, për kohë të gjatë, ka akuzuar aleancën për nxitje të armiqësive me zgjerimin e saj në lindje.

Në një intervistë për gazetën Kommersant, ambasadori i Rusisë në NATO, Aleksandr Grushko, ka thënë se aleanca ka “agjendë konfrontuese” dhe se Moska do të ndërmarrë kundërmasa.

NATO i hedh poshtë këto akuza, duke thënë se agresioni i Rusisë në Ukrainë ka detyruar përgjigjen.

Kritikët e lëvizjeve të NATO-s thonë se dislokimet e planifikuara nuk janë të mjaftueshme për të shërbyer si pengesë serioze ndaj Rusisë dhe se vetëm mund të rrisin zemërimin e saj.

Por, ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, në forumin e ekspertëve në Varshavë, ka thënë se “Putin nuk ka nevojë për provokime, ai është provokues”.

Një gjë që nuk pritet të në Varshavë janë lëvizjet drejt anëtarësimit të Ukrainës dhe Gjeorgjisë në NATO, të cilat, tash e ca vite, kanë aspirata të tilla.

Mali i Zi është duke marrë pjesë në samitin e Varshavës me status vëzhguesi, pasi ka nënshkruar Protokollin e Anëtarësimit me NATO-n në muajin maj dhe pritet t’i bashkohet aleancës vitin e ardhshëm.

Përgatiti: Valona Tela

Nënshkruhet deklarata e përbashkët BE-NATO

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe presidentët e Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian, respektivisht Donald Tusk dhe Jean-Claude Juncker nënshkruan sot deklaratën e përbashkët BE-NATO për një bashkëpunim më të ngushtë kundër luftërave hibride, sigurinë kibernetike dhe detare si edhe shkëmbimin e informacioneve dhe manovrat e përbashkëta.

”Kjo deklaratë bashkëpunimi mes Bashkimit Evropian dhe NATO-s për të bashkëpunuar më ngushtë se kurrë më parë është një vendim historik”, deklaroi Stoltenberg pas ceremonisë.

”Dy organizmat kanë instrumentet për t’i përballuar edhe të vetme sfidat, por së bashku jemi një ekip i mrekullueshëm”, theksoi ai.

Stoltenbergu: Nuk duam një tjetër Luftë të Ftohtë

Stoltenbergu theksoi se do të pozicionohen njësi multinacionale të NATO-s në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni

VARSHAVË – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka deklaruar se “Nuk duam një tjetër Luftë të Ftohtë. Lufta e Ftohtë ka ngelur në të kaluarën. Jemi në kërkim të një dialogu konstruktiv dhe të kuptimtë me Rusinë”.

Në deklaratën para hapjes zyrtare të Samitit të NATO-s të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive që po organizohet në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë, i cili ka mbledhur krerët e shteteve dhe qeverive të 28 vendeve anëtare të NATO-s dhe vendeve partnere, Stoltenberg tha se në samit do të diskutohet e ardhmja e NATO-s si pjesë e vlerave të përbashkëta.

Duke u shprehur se në samit do të merren vendime për përforcimin e mëtutjeshëm të mbrojtjes së përbashkët, Stoltenberg theksoi se do të pozicionohen njësite multinacionale të NATO-s në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni.

Stoltenberg theksoi se këto njësite do të jenë të përkohshme dhe të ndërrueshme me rotacion.

Ndërkaq, duke vënë në pah se aleanca ka marrë masa parandaluese ndaj rreziqeve në krahun jugor të NATO-s, Stoltenberg tha se “E kemi forcuar mbrojtjen ajrore të Turqisë me Sistemin e Alarmimit të Hershëm dhe Kontrollit (AWACS) dhe sistemet e mbrojtjes raketore.”

Stoltenberg gjithashtu tërhoqi vëmendjen se do të forcohet edhe mbrojtja kundër sulmeve kibernetike dhe atyre me raketa balistike, duke thënë se çdo veprim është në të mirë të mbrojtjes, është proporcional, transparent dhe në përputhshmëri me ligjet ndërkombëtare.

– “Jemi në kërkim të dialogut me Rusinë”. aa

Juncker: Heronjtë e pikëlluar të Brexitit braktisin anijen

Heronjtë e djeshëm të Brexit sot janë heronjtë e pikëlluar, ka thënë Juncker para Parlamentit Evropian

STRASBURG- Presidenti i Komisionit Evropian (KE) Jean-Claude Juncker dënoi ashpër mbështetësit e Brexitit, Boris Johnson dhe Nigel Farage, të cilët hoqën dorë nga udhëheqja e Britanisë së Madhe në procesin e daljes së saj nga Bashkimi Evropian (BE).

“Heronjtë e djeshëm të Brexit sot janë heronjtë e pikëlluar”, ka thënë Juncker para Parlamentit Evropian.

Ai shtoi se avokatët e largimit të Britanisë nga BE-ja u tërhoq nga funksioni duke vepruar si retro-nacionalistë e jo si patriotë.

“Patriotët nuk tërhiqen kur gjërat bëhen të vështira, ata qëndrojnë”, tha Juncker në Strasburg, transmeton BBC.

Kreu i KE-së tha se nuk e kupton përse mbështetësit e Brexit në Britani do të dëshironin fillimin e procesit formal të daljes.

“Në vend që të zhvillojnë plan, ata braktisin anijen”, konstatoi Juncker. aa

Pas Brexitit, referendum në Hungari

Tronditjet që shkaktoi vota e Britanisë për daljen nga Bashkimi Evropian po ndihen edhe në Evropën Lindore, ku përfaqësues të lëvizjeve nacionaliste thonë se vendimi i britanikëve po i frymëzon t’u rezistojnë politikave të BE-së. Në Hungari, Bashkimi Evropian përballet me një tjetër problem: atje pritet të zhvillohet referendumi për të pranuar apo jo planin e kuotave, të propozuar nga Kancelarja Angela Merkel, që u imponon vendeve të BE-së një numër të caktuar refugjatësh.

Skena të ngjashme me pamjet nga ky kamp 40 km larg Budapestit po ushqejnë debatin për referendumin. Azil-kërkues të rinj mbërrijnë çdo ditë.

“Përse nuk lejohemi të vijmë në Evropë? A nuk jemi edhe ne qenie njerëzore si ju? A nuk kemi edhe ne dëshira dhe të drejta si fëmijët tuaj,” pyet Mano, një refugjat afgan.

Por në sytë e banorëve të zonës përreth kampit, refugjatët janë burim kërcënimi. Mbështetja për referendumin në zonë është e lartë:

“Më duket se nuk duan të asimilohen e të sillen si ne. Nuk e përfillin kulturën tonë. I kuptoj shumë mirë britanikët,” thotë banori Attila Szigeti.

Attila thotë se nuk është racist. Ai thotë se filloi të rruante kokën si neonazistët, pasi pa refugjatë para banesës.

“Me këtë pamje që kam, nuk kam përse trembem, pasi më mendojnë si njeri të rrezikshëm”.

Qeveria e kryeministrit Viktor Orban po shpenzon miliona dollarë për reklama. Referendumi do t’i pyesë votuesit nëse mbështesin rregullat e BE-së për të pranuar një numër të detyruar shtetasish të huaj, pa miratimin e parlamentit hungarez.

Ndërkohë që në popullatë është përhapur frika nga të huajt, analistët parashikojnë një fitore të lehtë për fraksionin anti-emigracion.

“Ai e ka portretizuar Brukselin si armik të kombit hungarez. Ai ka thënë se në 1848-’49 i bëmë rezistencë Vjenës, në 1956 u ngritëm kundër Moskës dhe tani do të ngrihemi kundër Brukselit,” thotë analisti Nick Sitter.

Partia opozitare e ekstremit të djathtë, JOBBIK, që gëzon mbështetje nga Rusia, e sheh referendumin britanik si mbështetje për kauzën anti-BE në Hungari.

“Kur njerëzit të shkojnë tek kutitë e votimit, do të hedhin një votë të qartë kundër Brukselit dhe politikave të BE-së lidhur me imigracionin,” thotë Morton Gyongyosi i Partisë Jobbik.

Në përgatitje për referendumin, Budapesti është mbushur me pankarta dhe simbole që kujtojnë luftrat kundër fuqive të huaja gjatë shekullit të kaluar, që nga nazistët e deri tek sovjetikët.

Mbi 20 vjet pas rënies së komunizmit dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, hija e dominimit të huaj mbetet e gjallë në mendjet e shumë hungarezëve. Ndodh shpesh që të dëgjosh në Budapest njerëz që i referohen Brukselit si “Moska e re”.

Referendumi i Hungarisë do të hedhë në votë politikat e BE-së për imigracionin. Ekstremi i djathtë thotë se pas tij mund të vijë vota për largim nga blloku.

Trupi i studentit të zhdukur amerikan gjendet në Romë

Ilustrim

Trupi i studentit amerikan, Beau Solomon, i cili është zhdukur në Romë tre ditë më parë, është gjetur të hënën në Lumin Tiber, ka bërë të ditur policia e Italisë.

Solomon, 19 vjeç, nga Uiskonsini, është zhdukur vetëm pak orë pasi ka arritur në Itali për një program shkëmbimi në Universitetin John Cabot.

Universiteti me seli në Romë ka konfirmuar vdekjen e Solomonit përmes një deklarate.

Universiteti ka thënë se Solomon, për herë të fundit, është parë nga shokët në orët e hershme të datës 1 korrik, kur është larguar nga një kafene në Romë.

Policia ka thënë se nuk e përjashton vrasjen. Sipas njoftimeve të mëhershme, Solomon ka pasur plagë në kokë.

Familja e Solomonit ka thënë se kartela e tij e kreditit është përdorur edhe pas zhdukjes së tij.

Johannes Hahn: BE 96 milionë Euro për 3 projekte hekurudhore në Serbi, Shqipëri dhe Kosovë

Në lidhje me Brexit, Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn ka thënë se zgjerimi i BE-së nuk ndalet

Gjatë Samitit për Ballkanin Perëndimor në Paris,  Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka thënë se dalja e Britanisë nga BE-ja nuk nënkupton ndalimin e zgjerimit të BE-së.

Hahn, duke folur në forumin biznesor në kuadër të Samitit për Ballkanin Perëndimor në Paris, ka thënë se perspektiva e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE do të vazhdojë tutje, pavarësisht se BE-ja ka hyrë në një fazë të vështirë.

“Kemi vendosur të sigurojmë 96 milionë euro për tre projekte të infrastrukturës hekurudhore në Serbi, Shqipëri dhe Kosovë”, ka thënë Hahn.

“Fakti që ballafaqohemi me largimin e një vendi nuk do të thotë fund i procesit të zgjerimit”, ka shtuar ai.

Britania e Madhe, në referendumin e 23 qershorit, ka vendosur të braktisë BE-në, pas më shumë se 40 vjetësh anëtarësi./REL

Stoltenbergu: Jemi duke u përballur me kërcënime të paparashikuara

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka deklaruar se janë duke u përballur me kërcënime të paparashikuara dhe testime komplekse

BERLIN – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, ka deklaruar se Lufta e Ftohtë është histori dhe se duhet të mbetet kështu.

Stoltenberg në deklaratën e tij për gazetën gjermane “Bild am Sonntag”, theksoi se Samiti i NATO-s i cili do të mbahet javën e ardhshme në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë, mbahet në një periudhë të rëndësishme në aspektin e sigurisë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjithashtu theksoi se janë duke u përballur me kërcënime të paparashikuara dhe testime komplekse, duke përfshirë edhe Rusinë e cila është e gatshme për të përdorur forcën për ndryshimin e kufijve. aa

Sturgeon: Të garantohen të drejtat e qytetarëve të BE-së në Skoci

Sturgeon ka theksuar se qytetarët që banojnë në Skoci janë të shqetësuar nga rezultati i “Brexit” dhe pasiguria e sjellë nga rezultati

LONDËR – Kryeministrja e Qeverisë Rajonale të Skocisë Nicola Sturgeon, në lidhje me vendimin për “Brexit” që doli në referendumin për statusin e Britanisë në BE të mbajtur javën e kaluar, ka kërkuar që të garantohet sa më parë që nuk do të ndryshohen të drejtat aktuale dhe statusi i qëndrimit për 173 mijë qytetarë të BE-së që jetojnë në Skoci.

Liderja e Partisë Kombëtare Skoceze (SNP) Sturgeon pas rezultatit të referendumit, ka bërë thirrje për respektimin e të drejtave të punës për qytetarët e BE-së që jetojnë në Skoci. Ajo në këtë kontekst i ka dërguar një letër 5 kandidatëve të cilët garojnë për postin e kreut të Partisë Konservatore në vend të kryeministrit britanik David Cameron.

Në letrën e sajë duke rikujtuar se populli skocez në referendumin për statusin e Britanisë në BE ka votuar për qëndrimin në Union, Sturgeon ka theksuar se qytetarët që banojnë në Skoci janë të shqetësuar nga rezultati i “Brexit” dhe pasiguria e sjellë nga rezultati.

Brexit – Sturgeon: Skocia e fortë në Evropë

Fjala në hapjen e sesionit të parlamentit të ri

VOAL – EDINBURG, 2 KORRIK – “Skocia do të ketë një rol në një Evropë më të fortë.” Kështu tha kryeministrja skoceze Nicola Sturgeon në fjalën e hapjes të sesionit të paralmentit skocez, pas fjalimit të Mbretëreshës Elizabetë, shkruan voal.ch.

“Parlamenti, shtoi liderja skoceze, “mund të realizojë dëshirën e popullit,” duke iu referuar faktit se 60% e skocezëve votuan ‘Remain’ në referendumin për Brexit.

Hollande: Vendimi i Britanisë për të dalë nga BE-ja nuk mund të anulohet

Presidenti i Francës, Fraçois Hollande, ka deklaruar se vendimi i popullit britanik për daljen nga BE-ja nuk mund të anulohet apo të vonohet

PARIS – Presidenti i Francës, Fraçois Hollande, ka deklaruar se vendimi i popullit britanik për daljen nga BE-ja nuk mund të anulohet apo të vonohet.

Hollande pas një takimi me kryeministrin e Britanisë, David Cameron, në një deklaratë për mediat vuri theksin tek avantazhet e të qenit në Bashkimin Europian. Ai theksoi se populli britanik duhet të mendojë për humbjen e këtyre avantazheve. “Por vendimi është dhënë tashmë. Nuk mund të ketë kthim nga ky vendim. Tani duhet të mendohen përfundimet e këtij vendimi”, ka pohuar ai ndër të tjera.

Presidenti francez më parë në një deklaratë për mediat kishte theksuar se historia e përbashkët e BE-së dhe Britanisë së Madhe ka mbaruar dhe se BE-ja do të vazhdojë rrugën e saj pa Britaninë e Madhe.

Sobotka – Zemanit: Nuk kemi ndërmend të mbajmë referendum për BE dhe NATO

Qeveria e Republikës së Çekisë nuk e ka ndërmend të mbajë çfarëdo referendumi për anëtarësinë e vet në Bashkim Evropian dhe NATO, kështu ka thënë sot zyra e kryeministrit çek, Bohuslav Sobotka, vetëm një javë pasi Britania votoi befasisht për ta lënë bllokun.

Ndërkohë, dje në mbrëmje, presidenti i Çekisë, Milos Zeman, i bëri thirrje vendit që të mbajë një referendum për anëtarësinë e vet në dy organizatat, edhe pse tha se ai e mbështet vendin që të qëndrojë në këto organizata./Gazeta Express/

Përsëriten zgjedhjet presidenciale në Austri

Gjykata Kushtetuese e Austrisë, vendosi të premten që të përsëritet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, duke i dhënë kësisoj edhe një mundësi kandidatit të Partisë së Lirisë që të bëhet presidenti i parë i krahut të djathtë në një vend të Bashkimit Evropian.

Vendimi u mor një javë pasi vota për largimin nga Bashkimi Evropian la të kënaqura grupet kundër BE-së në Britaninë e Madhe. Shqetësimet në lidhje me emigracionin dhe vendet e punës ishin pjesë e fuqishme e fushatës për referendumin britanik, ngjashëm me zgjedhjet në Austri.

Gjykata Kushtetuese austriake tha se parregullsitë në numërimin e mbi 700 mijë votave të dërguara me postë, tregojnë se ka dyshime të mjaftueshme për rezultatin e zgjedhjeve.

Norbert Hofer, i Partisë së Lirisë me qëndrime kundër emigracionit, humbi në zgjedhjet e 22 majit përballë udhëheqësit të të gjelbërve me më pak se një për qind të votave, përkatësisht me 31 mijë vota.

Shënohet 100 vjetori i Betejës së Sommes

Në Francë sot do të shënohet 100 vjetori i Betejës së Sommes, një nga kapitujt më vdekjeprurës të Luftës së Parë Botërore.

Presidenti francez, Francois Hollande, Kryeministri britanik, David Cameron dhe zyrtarë të tjerë të lartë që përfaqësojnë shtetet të përfshirë në këtë luftë do marrin pjesë në ngjarjen që e shënon këtë betejë.

Ofensiva britaniko franceze kundër forcave gjermane ka zgjatur 141 ditë në territorin e Francës në vitin 1916, ndërsa aty raportohet të jenë vrarë dhe plagosur më shumë se një milion persona.

Porosia gjermane për Shqipërinë: Harrojeni hapjen e negociatave. Do t’iu heqim edhe statusin

Gjermania paralajmëron politikën për pasoja nëse nuk miratohet reforma në drejtësi

Gjermania ka shtuar presionet ndaj politikës shqiptare për miratimin e Reformës në Drejtësi, duke u treguar edhe më e ashpër me paralajmërimin se, nëse reforma nuk do të miratohet më 21 korrik, jo bisedimet, por Shqipëria mund të humbasë edhe statusin e vendit kandidat.

Kryetari i Komisionit për Çështjet Europiane në “Bundestag” tha se, “ne vërtet ju kemi mbështetur, por nuk do të qëndrojmë gjithmonë pas shpinës tuaj. Tashmë do të na keni edhe përballë”.

“Durimi ynë nuk është i pafund. Ne nga ana jonë, Qeveria federale, Bundestagu ju mbështesim në të gjitha çështjet dhe në këtë kuadër ju keni marrë statusin e vendit kandidat, por nëqoftëse ne, në fund të ditës na krijohet përshtypja që kjo reformë nuk është e dëshiruar, që lufta ndaj korrupsionit nuk funksionon ashtu siç duhet, atëherë edhe ne në fund të ditës të marrim vendimin që t’ju heqim statusin e vendit kandidat”, thotë Gunther Krichbaum.

Për Gjermaninë, 21 korriku është dita vendimtare dhe palët e përfshira në këtë proces duhet të jenë të tregojnë përgjegjësi.

“Data 21 korrik është një datë vendimtare përsa i përket kësaj çështje sepse duhet marrë një vendim. Ajo që duhet të shmangim ne është që në fund fare Bashkimi Europian dhe natyrisht që opozita dhe qeveria duhet të ecin në të njëjtën udhë dhe të gjejnë një kompromis. Mendoj që të gjitha palët e përfshira të jenë të ndërgjegjshme për përgjegjësine që kanë në këtë rast”, thuhet në deklaratë.

 

Pas SHBA-së Këshilltari i lartë i CDU-së: Votojeni, ose keni kosto

Voal – Apelit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për miratimin e reformës në drejtësi i shtohet dhe shteti i fuqishëm i BE-së, Gjermani. Këshilltari pranë grupit politik të CDU, Hans Jochim-Falenski, në konferencën ku u prezantua raporti mbi ecurinë e procesit të Berlinit, tha se reforma në drejtësi është kyçe në rrugën intriguese, duke lëshuar dhe një apel bashkë me një paralajmërim për politikanët shqiptarë.

“Reforma në drejtësi është reformë madhore dhe mund të ishte model për të gjithë rajonin. Këtë reformë ta miratoni para 21 korrikut ose në të kundërt do kishte kosto për ata që nuk po e miratojnë. E rëndësishme është edhe implementimi i kësaj reforme.
Këshilltari në Bundestagun Gjerman, vlerësoi progresin e Shqipërisë, por kërkoi vijimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa apeloi dhe për mbylljen e Reformës Zgjedhore, me qëllim garantimin e zgjedhjeve të lira, pasi siç tha ai, në të shkuarën nuk u janë përgjigjur standardeve europiane”, tha Falenski. Gjithashtu, ai bëri të ditur se vetëm nëse miratohet reforma në drejtësi, atëherë do të jepet drita jeshile për çeljen e negociatave me BE-në.
“Raportet e Komisionit Europian në të kaluarën kanë qenë të zbukuruara e të hartuara në mënyrë miqësore, ndaj ne kemi krijuar një mosbesim të shëndetshëm ndaj tyre. Tashmë duam të krijojmë një panoramë tonën duke udhëtuar në vendet e Ballkanit. Panorama ime për situatën është kjo: Ju keni 5 prioritete për të përmbushur, por në pikëpamjen time janë 7. Të drejtat e njeriut dhe reforma në drejtësi, që mund të jetë model për gjithë rajonin. Votojeni përpara 21 korrikut. Vendimtarja për Budenstagun gjerman është implementimi i saj. Ju duhet të ndryshoni 40 ligje, duhen ndryshuar dhe duhen verifikuar prokurorë dhe gjykatës, kjo do kohë. Dritën jeshile do ta japim nëse e shikojmë një pjesë të madhe të reformës të implementuar”, tha Hans-Joachim Falenski.
Zyrtari i lartë i CDU-së e konsideron se përmbushja e disa prioriteteve nga Shqipëria ka ngelur në vend nga raport-progresi i fundit. Ai thekson se në drejtim të parandalimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk është bërë asnjë përmirësim dhe shton se priten zgjedhje me standarde. “Nëse vëmë re raport- progresin e komisionit dhe do ta përktheja me fjalët e mia raportin e fundit do të thosha: Në krahasim me raportin paraardhës nuk është bërë asnjë hap përpara, e kam fjalën këtu për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivele të larta. Këtu ka shumë punë për t’u bërë derisa ne të themi po jeni në rrugën e duhur. Në lidhje me reformën zgjedhore presim që zgjedhjet e 2017 të jenë me standarde, sepse zgjedhjet e mëparshme nuk u janë përgjigjur standardeve europiane”, tha Falenski.
Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Integrimin, Majlinda Bregu, u shpreh e zhgënjyer nga formimi dhe motivimi i politikanëve shqiptarë për të dhënë kontributin e tyre në rrugën e integrimit të vendit. “Fatkeqësisht, në Parlamentin shqiptar ka pak njerëz që kanë lidhje me profesionin. Është e vështirë të gjesh mundësi të diskutosh me ta për procesin e integrimit. Është e vështirë të gjesh një deputet apo parlamentar t’i kërkojë llogari një ministri. Deputetët kanë mungesë informacioni, seancat tona kanë pak diskutim mendim dhe shumë zhurmë”, theksoi Bregu.Bushati pret Krichbaum

Në Tiranë ndërkohë ndodhet për një vizitë zyrtare kryetari i Komitetit për Çështjet Europiane në Bundestag, Gunther Krichbaum dhe grupin e deputetëve të CDU/CSU. Deputetët e partisë së Merkel kanë zhvilluar takimin e parë me kryediplomatin Ditmir Bushati. Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme në fokus të bisedimeve ka qenë reforma në sistemin e drejtësisë. “Shkëmbyem pikëpamje mbi perspektivën europiane të vendit, ecurinë e reformave në përmbushje të 5 prioriteteve kyçe për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE dhe bashkëpunimin rajonal përmes projekteve konkrete në kuadër të Procesit të Berlinit. Roli i Bundestagut në mbështetje të reformave shtet-konsoliduese në Shqipëri e rajon mbetet i pazëvendësueshëm. Rruga para nesh është e qartë. Miratimi i reformës në fushën e drejtësisë si pasqyrim i një pune të përbashkët të ekspertizës më të mirë vendase me atë ndërkombëtare, shënon pikënisjen e një reforme radikale në sistemin e drejtësisë. Një reformë për shqiptarët, jo për partitë politike, e as për mendësinë e sindikatës të salduar në sistem. Një reformë në përputhje me aspiratën e mbi 93% të shqiptarëve”, shkruan Bushati në rrjetet sociale.

Reagime solidarizuese nga e gjithë bota për sulmin terrorist në Stamboll

Presidenti i Francës, François Hollande, duke dënuar sulmin terrorist në aeroportin Ataturk në Stamboll, duke theksuar se sulmet në Turqi rëndojnë gjendjen atje

PARIS/ROMË – Në lidhje me sulmin terrorist në Stamboll ka patur reagime nga e gjithë bota duke u shprehur solidariteti me popullin turk.

Presidenti i Francës, François Hollande, duke dënuar sulmin terrorist në aeroportin Ataturk në Stamboll, duke theksuar se sulmet në Turqi rëndojnë gjendjen atje.

Në një konferencë për mediat pas mbledhjes së Samitit të Liderëve të BE-së në Bruksel, Hollande u shpreh e dënon me gjithë forcë këtë sulm makabër.

Nga ana tjetër edhe kryetari i Asamblesë Parlamenare të Këshillit të Europës, Pedro Agramunt në llogarinë e tij në Twitter, ka shkruar: “Jam i tmerruar përballë një tjetër sulmi në Stamboll. E dënoj ashpër këtë sulm. Dua të theksoj se jam me Turqinë dhe popullin turk.”

Kryeministri i Francës, Manuel Vals në llogarinë e tij në Twitter shkruan: “Jam i tmerruar nga sulmi terrorist barbar ndaj aeroportit Ataturk në Stamboll. Franca është pranë Turqisë në luftën kundër terrorizmit.”

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në llogarinë e tij në Twitter shprehet: “Dënoj fuqishëm sulmin në aeroportin Ataturk në Stamboll. Zemra ime është me të plagosurit, familjet e të ndjerëve dhe të gjithë popullin turk.”

Ndërkohë edhe Presidenti i Këshillit të Bashkimit Europian, Donald Tusk, pas mbledhjes së Liderëve të BE-së në një konferencë për mediat në lidhje me sulmin në aeroportin Ataturk në Stamboll, ka deklaruar: ‘’Dërgoj ngushëllimet e mija për familjarët dhe të afërmit e viktimave dhe të plagosurit në aeroportin Ataturk në Stamboll. Në kohë të tilla duhet të jemi të bashkuar.”

Gjithahstu edhe Kryeministri italian Mateo Renzi dënoi sulmin terrorist në Stambolli. Kryeministri Renzi i ndodhet në Bruksel në Këshillin e BE-së në një deklaratë pas daljes nga samiti duke cekur sulmin në aeroportin Ataturk tha: “Dëshiroj të shpreh afërsinë time të thellë me qeverinë dhe popullin turk për shkak të kësaj ngjarjeje të përjetuar”.

Ndër të tjera Renzi u shpreh se këtyre ndodhive kërcënuese terroriste së bashku duhet t’u jepet një përgjigje shumë e fortë. Ndërsa në llogarinë e Twiterit Renzi ka publikuar mesazhin: “Zemrat tona solidarizohen me dhimbjen e popullit turk kundër këtyre lajmeve tragjike të ardhura nga Stambolli. Ne jemi kundër terrorit në çdo vend”. aa

Për shkak të grevës mbyllet Kulla Eiffel

Punonjësit nga shumë sektorë paralajmëruan për sot grevë të përgjithshme në Paris për shkak të ndryshimit të ligjit të punës në Francë. Protestat janë bërë gjithë e më të ashpra

PARIS – Për shkak të protestave në mbarë Francën kundër projektligjit të punës sot është mbyllur Kulla Eiffel, ndërsa kompania e cila menaxhon objektin më të famshëm të Parisit, njoftoi se nuk ka punonjës të mjaftueshëm për hapjen e saj.

Kompania njoftoi se një numër i caktuar i të punësuarve marrin pjesë në grevë dhe nuk disponon kapacitete të mjaftueshme të punëtorëve për sigurinë.

Punonjësit nga shumë sektorë paralajmëruan për sot grevë të përgjithshme në Paris për shkak të ndryshimit të ligjit të punës në Francë. Protestat janë bërë gjithë e më të ashpra.

Në rrugët e Parisit, protestat që filluan para marsit, vazhduan pothuajse në të gjitha qytetet e mëdha, ndërsa jo rrallëherë përfunduan edhe në dhunë.

Sturgeon nesër në Bruksel për mbetjen e Skocisë në BE

Udhëheqësja e Skocisë, Nicola Sturgeon

Zyrtarja më e lartë e Skocisë, Nicola Sturgeon do të udhëtojë nesër për në Bruksel me qëllim që të diskutojë metodën e mundshme të qëndrimit të Skocisë në Bashkimin Evropian.

Vizita është e para pas referendumit të 23 qershorit kur britanikët vendosën që vendi i tyre të largohet nga BE-ja.

Gjatë një fjalimi të sotëm në parlamentin skocez, Sturgeon ka thënë se ajo do të takohet me presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz, ndërsa e ka në plan që qëndrimin skocez t’ia bëj me dije drejtpërdrejt edhe Komisionit Evropian.

Sturgeon ka thënë se largimi nga BE do të ishte kundër dëshirës së popullit skocez.

“Skocia ka votuar qartazi për mbetje në BE dhe unë jam e vendosur që zëri i Skocisë të dëgjohet”, ka thënë Sturgeon duke shtuar se ajo është “jashtëzakonisht shumë e përkushtuar për të mbrojtur vendin e Skocisë në BE”.

Mbi 62 % e votuesve në Skoci kanë votuar për mbetje në BE në referendumin e 23 qershorit.

Ndaj Britanisë do të vlejë modeli i marrëdhënieve BE-Norvegji

Pas votës historike britanike për t’u larguar nga Bashkimi Evropian, udhëheqësit e vendeve anëtare po debatojnë marrëdhëniet e ardhshme me vendin që së shpejti do të jetë ish anëtar.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha në parlamentin gjerman të martën se ndonëse Britania do të humbë privilegjet e saj si anëtare e BE-së, ajo do të mbetet aleat i ngushtë në NATO. Ajo tha se BE-ja nuk duhet të harrojë çështjet tjera të ngutshme, siç është kriza e migruesve, por duhet të ngrihet edhe më e fortë dhe të shmangë shpërbërjen e mëtejme.

Ajo përmendi Norvegjinë si një shembull se mund të jenë marrëdhëniet ndërmjet Britanisë me Evropën, një vend jashtë BE-së që ka qasje ne tregun e lirë për shkak të vullnetit që të respektojë lëvizjen e lirë.

Kancelarja Merkel, tha se asnjë diskutim formal lidhur me marrëdhëniet e ardhshme nuk mund të hapet përderisa Britania nuk fillon procedurat formale të largimit.

Në një takim të jashtëzakonshëm të Parlamentit Evropian për të diskutuar votën britanike, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha se shpreson që Britania do të ruajë marrëdhëniet miqësore me BE-në, por nënvizoi se negociatat nuk janë të mundura përderisa Britania nuk e sqaron pozicionin e saj.

“Në nuk mund të lejojmë që të mbetemi në një periudhë të zgjatur pasigurie” tha ai.

Votuesit britanikë miratuan largimin nga BE-ja me një epërsi të ngushtë, por kryeministri David Cameron, tha se parlamenti duhet të ratifikojë vendimin para se të fillojë procesi i largimit. Cameron tashmë ka paraqitur dorëheqjen duke theksuar se do të respektojë rezultatet e referendumit, ndonëse teorikisht, qeveria mund të përmbysë atë.

Nëse parlamenti ratifikon vendimin, procesi i largimit mund të zgjasë dy vjet dhe brenda asaj kohë, Mbretëria e Bashkuara do të vazhdojë të jetë formalisht anëtare e Bashkimit Evropian.

Kroacia i vë në shitje ishujt, çmimi më i lirë 750 mijë euro

Kroacia ka 1 185 ishuj nga të cilat vetëm 66 janë të banuara, por së shpejti mund të ndyshoj gjithçka.

Të gjithë janë të pabanuar dhe janë disa  prej tyre që nuk kanë pasuri të patundshme ose  janë në shkatërrim e sipër. Shumë pronarë pretendojnë se ishujt e tyre janë një investim ideal për dikë që mund të përballojë një vend turistik privat dhe luksoz, shkruajnë mediat kroate.

Disa janë shitur për vite me radhë. Ndërsa disa janë ende në shitje, ndërsa çmimi i tyre kap shifrën  nga 750 mijë euro deri 1.5 milion euro.

Paris–Berlin–Romë boshti i projektit të ri europian

Makineria e një Europe të re shfaqet në përpjekje për të gjetur zgjidhje për situatën e krijuar pas referendumit britanik.

Në Berlin sot do të takohen kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti francez, François Hollande, kryeministri italian Mateo Renzi dhe presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk. Qëllim i këtij minisamiti është të jepen konturat e BE-së së re, të gjendet mënyra më serioze e shkurorëzimit me britanikët dhe kthimi i besimit në projektin europian.

Sipas raportimit të medieve, Franca ka marrë përsipër reformën rrënjësore të BE-së, e cila duhet të sillet rreth boshtit tresh Paris-Berlin-Romë. Qëllimi është krijimi i një unioni të fuqishëm, në të cilin nuk do të ketë më bllokada në të gjitha nivelet.

Papa Françesku: Evropa e kërcënuar nga “ballkanizimi”

 Kreu i Kishës katolike, papa Françesku ka tërhequr vërejtjen nga rreziku i “ballkanizimit” të Bashkimit Evropian dhe ka vlerësuar se për ta evituar këtë, BE do të duhej të forconte “kreativitetin” e vet dhe të mësojë për të pranuar “ndarjet e shëndosha” në radhët e veta.

Duke biseduar me gazetarë në avion pas kthimit nga vizita në Armeni, transmeton Koha.net, papa ka përmendur rrezikun nga rajonet si Skocia e Katalonja që ta shpallin ndarjen dhe kjo gjë do të sillte “ballkanizimin e Evropës”.

“Që Evropa ta kthejë fuqinë që e ka pasur në rrënjët e veta, duhet të jetë kreativitet dhe ndarje të shëndoshë (…), që do të thotë të ketë më shumë pavarësi, ë shumë liri të vendeve të Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.

Zgjedhjet nuk e zgjidhin krizën politike në Spanjë

Lideri i Partisë Popullore të Spanjës, Mariano Rajoy

Partia Popullore e Spanjës, e cila udhëhiqet nga kryeministri në detyrë, Mariano Rajoy, ka fituar zgjedhjet parlamentare të së dielës, por jo edhe shumicën e nevojshme për të qeverisur vetë.

Partia Socialiste ka dalë e dyta, ndërsa aleanca e krahut të majtë Unidos Podemos e treta.

Zgjedhjet e përsëritura kanë dështuar të zgjidhin ngërçin politik, i cili zgjat që gjashtë muaj.

Rezultati jobindës në zgedhjet e dhjetorit ka shkaktuar negociata të pasuksseshme midis partive.

Por Rajoy ka thënë se partia e tij ka fituar zgjedhjet dhe për këtë arsye ka të drejtë të qeverisë.

Ministrat e BE-së i kërkojnë Britanisë dalje të shpejtë nga Unioni

Ministrat e Jashtëm të gjashtë shteteve themeluese të BE-së kërkuan që sa më shpejtë të fillojë procesi i daljes së Britanisë së Madhe nga Unioni

BERLIN – Ministrat e Jashtëm të gjashtë shteteve themeluese të BE-së të cilat u takuan në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin kërkuan që sa më shpejtë të fillojë procesi i daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Shefat e diplomacive të Gjermanisë, Francës, Holandës, Italisë, Belgjikës dhe Luksemburgut, Frank-Walter Steinmeier, Jean-Marc Ayrault, Bert Koender, Paolo Gentiloni, Didier Renyders dhe Jean Asselborn, u takuan në Villa Borsig të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë për të biseduar mbi rezultatet e Britanisë për dalje nga BE-ja.

Steinmeier në deklaratën e tij pas takimit, theksoi se e respektojnë rezultatin e referendumit në Britani dhe se pas këtij rezultati kuptojnë se ky vend duhet të merret me punët e saj të brendshme.

Por, Steinmeier tha se pas rezultatit në Britani ky vend duhet të fillojë negociatat duke e zbatuar nenin e 50-të të Marrëveshjes së Evropës për dalje nga BE-ja. “Procesi duhet të fillojë sa më shpejtë derisa nuk është bllokuar”, tha ai.

Steinmeir theksoi se në mbledhje kanë deklaruar që shtetet evropiane të mbahen së bashku meqë kjo është një detyrë e përbashkët.

Nga ana tjetër ministri i Jashtëm i Francës Ayrault tha se populli britanik në mënyrë të hapur ka treguar qëndrimin e tij. “Kryeministri britanik Cameron e mori këtë përgjegjësi dhe tashmë duhet ti vuajë pasojat. As vet ai nuk i priste këto rezultate”, shtoi ministri francez.

Ayrault kërkoi që në mënyrë të shpejtë të zbatohet neni i 50-të. “Tashmë nuk mund të lejojmë që të fillojë një periudhë e cila do të ketë mosbesim”, tha ai. aa

Hollande: Vota britanike ka shtruar pyetje për mbarë planetin

Hollande premtoi se do të mbajë marrëdhënie të mira me Britaninë, veçmas lidhur me kalimin e migrantëve mes dy vendeve, si dhe bashkëpunimin ekonomik dhe ushtarak

PARIS – Presidenti i Francës François Hollande është shprehur se vota britanike për dalje nga Bashkimi Evropian (BE) ka shtruar pyetjen për mbarë planetin.

Hollande të shtunën premtoi se do të mbajë marrëdhënie të mira me Britaninë e Madhe, veçmas lidhur me kalimin e migrantëve mes dy vendeve, si dhe bashkëpunimin ekonomik dhe ushtarak.

Duke folur pas takimit në Paris me Sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon, Hollande tha se “për tërë planetin është shtruar pyetja, se çfarë do të ndodhë?”.

Ai apeloi për shkëputje të qetë mes Britanisë dhe BE-së pasi populli britanik në referendum të enjten u shpreh për të braktisur Unionin.

Hollande, vendi i të cilit është nga themeluesit dhe shtyllat e unitetit evropian, gjatë të shtunës do të mbajë një sërë takimesh me liderët e partive politike në Francë në tentim që BE-ja të ruhet nga përçarja pas Brexit.

Brexiti do ta zvogëlojë ekonominë e BE-së 2.8 trilionë dollarë

Duke u bazuar në shifrat për vitin 2015 dhe 2016, dalja e Britanisë do të ketë efekt me 2.8 trilionë dollarë në ekonominë e Unionit

Pas largimit të ekonomisë së dytë më të madhe të Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe, pritet që Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i BE-së të zvogëlohet për 2.8 trilionë dollarë.

Sipas të dhënave që gazetari i AA-së i ka përpiluar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), PBB-ja e përgjithshme e ekonomisë së BE-së me treg të përbashkët për vitin e kaluar ishte 16 trilionë e 220 miliardë dollarë. Kontribut më të madh në këtë shifër ka dhënë Gjermania, ndërsa menjëherë pas saj Britania me 2 trilionë e 849 miliardë dollarë. Shifra në fjalë përkon me 17.6 përqind të PBB-së së përgjithshme të BE-së.

Edhe këtë vit pritet që kontributi i Britanisë në ekonominë e BE-së të realizohet në nivelin 2 trilionë e 761 miliardë dollarë. Ndërsa parashikohet që BE-ja 28-anëtarëshe të nxjerrë PBB prej 16 trilionë e 477 dollarëve, nëse kjo shifër llogaritet pa Britaninë, atëherë ajo shkon në 13 trilionë e 716 miliardë dollarë.

Në këtë mënyrë, duke u bazuar në shifrat për vitin 2015 dhe 2016, dalja e Britanisë do të ketë efekt me 2.8 trilionë dollarë në ekonominë e Unionit.

Përveç pjesës në PBB-në e BE-së, shifrat po ashtu tregojnë se Britania ka rëndësi të madhe për BE-në edhe nga aspekti i popullsisë. Nga popullsia totale e BE-së e cila vitin e kaluar kishte 507.4 milionë banorë, 65.1 milionë banorë jetojnë në Britani.

Ndërkaq, këtë vit pritet që popullsia e BE-së të shënojë rritje në 509.6 milionë, ndërsa ajo e Britanisë në 65.6 milionë banorë. Pa Britaninë, pritet që popullsia e BE-së të zvogëlohet për 66 milionë banorë.

Shtetet themeluese të BE-së takim pas Brexitit – Steinmeier: Ta forcojmë Evropën

Pas vendimit për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja ministrat e Punëve të Jashtme të 6 shteteve themeluese të Unionit u takuan në Berlin

BERLIN – Pas vendimit për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian (BE) ministrat e Punëve të Jashtme të 6 shteteve themeluese të Unionit u takuan në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin.

Shefat e diplomacive të Gjermanisë, Francës, Holandës, Italisë, Belgjikës dhe Luksemburgut, Frank-Walter Steinmeier, Jean-Marc Ayrault, Bert Koender, Paolo Gentiloni, Didier Renyders dhe Jean Asselborn, u takuan në Villa Borsig të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë për të biseduar mbi rezultatet e Britanisë për dalje nga BE-ja.

Steinmeier në deklaratën e tij para takimit tha se nuk duhet hyrë në gjendje histerike dhe shokuar pas vendimit të britanikëve. “Nuk duhet shqetësuar. Nuk mund të bëjmë sikur të gjithë përgjigjet janë të gatshme. Nuk mund të hyjmë në depresion dhe pasivitet pas vendimit të Britanisë”, tha ministri gjerman.

Ai porositi se me shkëmbimin e ideve që do ta bëjnë sot është e nevojshme që shtetet të cilat kanë mbetur në BE të tregojnë vullnet për të forcuar Evropën pas vendimit të Britanisë.

Steinmeier tha se duhet prodhuar zgjidhje në fushat si refugjatët, migrimi, punësimi i të rinjve dhe siguria, ku njerëzit kërkojnë përgjigje. aa


Send this to a friend