VOAL

VOAL

Komiteti i Parlamentit Europian voton kundër ndërrimit të orës

Bashkimi Europian ka ndërmarrë hapa shtesë për të shfuqizuar llogaritjen e kohës gjatë verës dhe dimrit. Komiteti i Parlamentit Evropian votoi të hënën me 23 vota pro dhe 11 kundër, për ndalimin e ndryshimit të orës që kishte ndodhur për dekada në baza vjetore, në pranverë dhe në vjeshtë, transmeton AP.

Mbetet për deputetët të vendosin se çfarë ore verore apo dimërore do të miratohen në të ardhmen, ndërsa në BE ka diskutime se cila nga këto dy orë duhet të bëhet standard.

Shumë shtete anëtare kanë krijuar një ndryshim në kohë gjatë krizës së naftës në vitet 1970 si një përpjekje për të kursyer energji. Që nga viti 1996, të gjitha vendet e BE-së ndryshojnë orën në të njëjtën kohë. Propozimi tani shkon përpara Parlamentit Evropian dhe parlamenteve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Vatikani do të hapë arkivat e Luftës së Dytë Botërore

Papa Françesku ka thënë se Vatikani do të hapë plotësisht arkivat e fshehta nga koha e Luftës së Dytë Botërore, kur kishën katolike e drejtonte Papa Pius XII.

Hapja e arkivave është kërkuar nga hebrenjtë për dekada të tëra.

Disa përfaqësues të hebrenjve e kanë akuzuar Papa Pius, i cili ka qenë në krye të Kishës Katolike nga vitit 1939 deri 1958, se gjatë Luftës së Dytë Botërore, nuk e ka kundërshtuar me forcë Holokaustin.

Mbrojtësit e Papa Pius thonë se ai punoi në prapaskenë, duke shpëtuar ata që u persekutuan nga nazistët. Ata po ashtu thonë se Papa Pius hapi dyert e Kishës për strehimin e hebrenjve.

Arkivat do të hapen më 2 mars të vitit 2020, në 81 vjetorin e zgjedhjes së Pius XII si Papë, njoftoi Papa Françesku në një fjalim për anëtarët e Arkivave të Fshehta të Vatikanit.

Ai tha se “Kisha nuk ka frikë nga historia”, duke shtuar se trashëgimia e Pius ishte trajtuar me “disa paragjykime dhe ekzagjerime”.

Lajmi u mirëprit nga Komiteti amerikan-hebraik (AJC), një nga grupet kryesore të hebrenjve në botë.

“Për më shumë se 30 vjet komiteti ka bërë thirrje për hapjen e plotë të arkivave të fshehta të Selisë së Shenjtë nga periudha e Luftës së Dytë Botërore” tha Drejtori Ndërkombëtar i Çështjeve Ndërfetare të AJC-së, Rabini David Rosen.

Në vitet 1930, antisemitizmi i sponsorizuar nga shteti në Gjermaninë naziste, hapi rrugën për Holokaustin, në të cilin u vranë gjashtë milionë hebrenjë.

Reformistët properëndimorë – fitues të zgjedhjeve në Estoni

Partia Reformiste e qendrës së djathtë, fitoi zgjedhjet parlamentare të së dielës në Estoni, por nuk ka vende të mjaftueshme që do t’i siguronin qeverisje pa lidhur koalicion me ndonjërën nga partitë rivale.

Reformistët e udhëhequr nga ish ligjvënësja, Kaja Kallas, fituan 29 për qind të votave, të ndjekur nga partia e Qendrës së kryeministrit Juri Ratas, që fitoi 23 për qind të votave.

Të dyja partitë janë zotuar se do ta mbajnë larg pushtetit Partinë konservative Popullore të Estonisë (EKRE), e cila fitoi 18 për qind të votave.

Në vitin 2007, Estonia u bë një nga vendet e para të botës që u godit nga një sulm kibernetik i Rusisë. Që nga periudha e sulmit, Estonia është shndërruar në një ndër vendet që konsiderohen si më të avancuarit teknologjikisht në botë.

Shtetasit e Estonisë votojnë në mënyrë elektronike dhe komunikojnë në të njëjtën mënyrë me politikanët. Gjithashtu, ligjvënësit mund të iniciojnë projektligje në mënyrë elektronike.

Forca kryesore e këtij avancimi teknologjik është “e-Estonia”, një projekt unik që ndërlidh qeveritarët me qytetarët.

Përgjatë pjesës më të madhe të historisë së tij, ky vend baltik me vetëm 1.3 milionë banorë, është dominuar dhe shfrytëzuar nga vendet fqinje më të mëdha. Analistët thonë se tashmë projekti “e-Estonia” ka ndihmuar estonezët të lënë pas të shkuarën.

Arrestohet kryepeshkopi i Kishës ukrainase në Krime

Kryepeshkopi Kliment

Zyrtarët e sigurisë së Rusisë kanë arrestuar kreun e Kishës Ortodokse ukrainase në gadishullin e aneksuar të Krimesë, raporton Current Time.

Ende nuk është e qartë arsyeja e arrestimit.

Kryepeshkopi Kliment është arrestuar në një stacion autobusësh në kryeqytetin e Krimesë, Simferopol, raporton rrjeti në gjuhën ruse i REL-it, Current Time.

Kisha Ortodokse ukrainase përmes një komunikate ka thënë se Kliment është dërguar stacionin policor të rajonit të Kyivit.

Vetë Kliment ka konfirmuar arrestimin e tij në një bisedë telefonike me agjencinë AFP. Ai ka thënë se policia nuk i ka treguar se pse e ka ndaluar.

Arrestimi i kreut të Kishës vjen disa javë pasi Kisha Ortodokse në Ukrainë fitoi pavarësi, duke i dhënë fund kontrollit fetar mbi 330-vjeçar nga Rusia.

Evropa synon marrjen e masave për t’u mbrojtur nga Kina

Flamuri i Kinës.

Bashkimi Evropian është duke tentuar të krijojë një strategji të mbrojtjes ndaj Kinës dhe ka rritur volumin e punëve sa i përket diplomacisë, ashtu që t’i kufizojë Pekinit kapacitetin për të blerë kompani të huaja në bllokun evropian, kanë thënë diplomatë dhe zyrtarë, transmeton Reuters.

Pavarësisht një agjende që ka dominuar largimi i Britanisë nga Bashkimi Evropian, liderët do të shfrytëzojnë samitin e 21 marsit për të diskutuar politikën e Kinës, për herë të parë pas disa vjetëve.

Këto takimeve janë pjesë e përpjekjeve për veprim para se presidenti kinez, Xi Jinping të udhëtojë në Itali dhe Francë, dhe para se BE-ja të realizojë samitin me Kinën më 9 prill.

Optimizmi evropian është kthyer në zemërim për shkak të veprimeve të ngadalësuara të Kinës për të hapur ekonominë, si dhe për shkak të idesë së krijuar në Bruksel se Pekini nuk ka mbajtur premtimin për të ecur drejt tregtisë së lirë dhe globalizimit.

Katër diplomatë evropianë, që kanë kontakte të ngushta me Kinën, kanë thënë se kanë humbur shpresën kur janë në pyetje çështjet biznesore.

“Kinezët gjithmonë thonë fjalë të mirë, mirëpo kur vjen koha për marrjen e vendimit, ata gjithmonë vonohen” ka thënë një zyrtar evropian, duke përmendur afatin e vënë në tetor të viti të kaluar për Kinën, që të finalizojë një marrëveshje, e cila njeh sistemin e BE-së për mbrojtje të emrave të produkteve ushqimore

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze, Lu Kang, u ka thënë gazetarëve të premten se Kina shpreson që Evropa mund të ofrojë “ambient të drejtë dhe jodiskriminues” për kompanitë kineze.

Me më shumë se 1 miliard euro në ditë në tregti të dyanshme, Bashkimi Evropian është partneri kryesor i Kinës në tregti.

Doris Pack: Nuk duhet lejuar ndryshimi i kufijve në Ballkan

Ish-deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pack ka vlerësuar se nuk duhet lejuar ndryshimi i kufijve në Ballkan, marrë parasysh historinë e tij dhe periudhën e viteve të 90-ta.

Në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Pack ka thënë se shumë politikanë të sotëm evropianë nuk kanë qenë pjesë e politikës në vitet e 90-ta, prandaj edhe nuk mund ta kuptojnë situatën apo edhe nuk e njohin atë.

“Nëse jeni vërtet të vetëdijshëm se çfarë ka ndodhur viteve të kaluara në ato vende atëherë nuk duhet të lejoni të ketë ndryshim të kufijve. Nëse kjo ndodhë atëherë shënon fillimin e fundit. Ne e dimë se çfarë ka ndodhur në këtë rajon. Shumë politikanë të sotëm evropianë nuk kanë qenë pjesë e politikës në vitet e 90-ta prandaj edhe nuk mund ta kuptojnë situatën apo thjesht nuk e njohin atë. Por ata që kanë njohuri se çfarë ka ndodhur aty, ata që e njohin rajonin dhe mentalitetin e tij, duhet të jenë shumë të kujdesshëm” ka thënë ajo.

Përveç tjerash, Pack ka thënë se për të është e pakuptueshme sesi presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi janë pro kësaj politike.

“Ajo që po luhet tani nuk është në interesin e Kosovës, 95 për qind e qytetarëve të Kosovës janë kundër ndryshimit të kufijve. Unë shpresoj se zgjidhja do të gjendet, por jo në ndryshimin e kufirit”, ka shtuar ndër të tjera Pack.

Duke folur për ndikimin e Rusisë në rajon, ish-deputetja Pack, e cila njëherësh ka qenë edhe raportuese e Parlamentit Evropian për Bosnje Hercegovinën, ka thënë se Rusia nuk ka interes për të ndihmuar vendet e rajonit të Ballkanit.

“Rusia ka interesa egoiste, në kuptimin se ajo nuk dëshiron që këto vende të jenë pjesë e NATO-s. Dështoi me Malin e Zi, por nuk do të ketë sukses as me Maqedoninë. Ajo përdor interesin e BE-së në Ballkan për të shkaktuar ndonjë problem” ka vlerësuar ajo.

Konferenca për Sigurinë – Liderja e re e CDU-së jep alarmin: Rusia kërkon të destabilizojë Evropën

Në prag të Konferencës së Mynihut për Sigurinë, liderja e re e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer flet për politikën e jashtme me BERLIN POLICY JOURNAL dhe thote mes te tjerash se Rusia po kerkon te destabilizoje Evropën.  

“Rusia është një fqinj shumë më i madh dhe më i rëndësishëm për Gjermaninë-por dhe një fqinj më problematik. Rusia ka axhendën e saj. Dhe dukshëm kjo axhendë përfshin një përpjekje për të destabilizuar Evropën, dhe për pasojë, Gjermaninë”- thote ajo.

Znj. Kramp-Karrenbauer, si Saarlandeze që jeni, njiheni për qëndrimin tuaj të përkushtuar pro-evropian. Por ju ende duhet të bëni emër në sferën e politikës së jashtme-a është ajo një temë që ju intereson? Është politika e jashtme ajo që fillimisht më shtyu drejt politikës. Në atë kohë ishte pushtimi sovjetik i Afganistanit dhe debatet mbi vendimin e dyanshëm të NATO-s. 

Mendoj se sot ka ende akse për të cilat duhet të shqetësohemi. Le ta quajmë të parin aksi evropian. Mbetet në mënyrë të palëkundur në interesin kombëtar të Gjermanisë që Evropa të ketë fuqinë për të vepruar. Megjithatë, për momentin diskutimet midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, veçanërisht Gjermanisë, janë bërë më të ashpra dhe më të vështira. Për ne është një sfidë e madhe ruajtja e kësaj aleance dhe kësaj miqësie, sepse është më e rëndësishme se kurrë. Është një shenjë vërtetë paralajmëruese kur një sondazh drejtuar shtetasve gjermanë tregon se ata kanë më shumë besim tek presidentët e Rusisë, madje dhe të Kinës, sesa tek Presidenti i Shteteve të Bashkuara.

Por ju vetë keni thënë se ju duket që Trump dhe Putin janë njëlloj të vështirë. A nuk tingëllon kjo pak sikur po i barazoni ata të dy? Jo, nuk është çështje e barazimit të tyre. Nga pikëpamja e qëndrimeve, vlerave dhe solidaritetit historik, unë jam më pranë Shteteve të Bashkuara-pavarësisht diskutimeve aktuale politike. Me atë kam dashur të them se të dy vendet kanë sfidat e tyre në klimën aktuale. Sa i takon ShB, sfida qëndron kryesisht tek fakti se, të paktën për momentin, kemi një administratë politike që është e shkëputur deri diku nga marrëveshjet ndërkombëtare. Kjo rrugë veprimi ka një ndikim të konsiderueshëm në çështjet gjeo-politike.

Në të kundërt, Rusia është një fqinj shumë më i madh dhe më i rëndësishëm për Gjermaninë-por dhe një fqinj më problematik. Rusia ka axhendën e saj. Dhe dukshëm kjo axhendë përfshin një përpjekje për të destabilizuar Evropën, dhe për pasojë, Gjermaninë. Ajo po kërkon të përdorë fqinjët e saj më të dobët për të rritur fuqinë e vet. Kjo shkon kundër interesave të Evropës dhe të Gjermanisë.

Meqë po flasim për këtë temë, duhet të përmend dhe sfidën që paraqet Kina. Kina qeveriset nga një regjim shumë i fuqishëm, vlerat e të cilit ndryshojnë qartazi nga tonat. Ajo kërkon që në terma afatgjatë të zbatojë rregullat e saj në botë.

Le ti hedhim një vështrim më të plotë SHBA-ve. A nuk po mashtrojnë veten gjermanët me skepticizmin e tyre ndaj Trump? Në fund të fundit, tendenca amerikane për tu tërhequr në vetvete ishte e dukshme dhe në kohën e Obamës-ai vetë nuk arriti të ratifikonte siç duhet Marrëveshjen e Parisit për Klimën. Në politikën amerikane ka pasur sigurisht një tendencë drejt introversionit kombëtar, edhe në kohën e Obamës. Gjatë historisë, këto dy orientime-angazhimin ndërkombëtar dhe tërheqjen-i shohim në luftë me njëri-tjetrin. Megjithatë, risia është që nën drejtimin e Trump politika ndërkombëtare shihet si një biznes i madh. E njëjta gjë mund të thuhet për marrëdhënien me Evropën, dhe me NATO-n.

A mendoni se është e mundur të dalim nga kjo? Disa sigurisht do të thonë se ShB janë të sigurta për të vazhduar këtë rrugë. A mendoni se kjo mund të ndreqet? Për momentin unë ende nuk shoh ndonjë debat të gjerë në Shtetet e Bashkuara që mund të tregojë një ndryshim të kursit. Prandaj Gjermania dhe Evropa janë të nevojshme-prandaj ne duhet të marrim përsipër më shumë përgjegjësi. I gjithë debati vërtitet rreth politikës së sigurisë dhe të mbrojtjes. Është një çështje e qëndrimit tonë në një botë që po ndryshon. Duhet të pyesim veten nëse jemi të kënaqur thjesht duke qenë një nga ekonomitë më të fuqishme në botë, apo nëse duam të marrim përsipër më shumë përgjegjësi politike. Ajo me të cilën po përballemi është një diskutim shumë i vështirë për politikën e brendshme.

Pra, sipas mendimit tuaj, Gjermania nuk është thjesht një “Zvicër e madhe”? Jo, Gjermania nuk mund të jetë kurrë një “Zvicër e madhe”. Gjermania duhet të marrë më shumë përgjegjësi. Ne tashmë jemi një qendër shumë e fortë në Evropë, kjo është diçka që e vura re në Bruksel. Gjermania ka kapacitetin që të marrë përsipër edhe interesat e ndryshme të partnerëve të saj më të vegjël evropianë dhe të garantojë një ekuilibër-dhe kjo është ajo çfarë pritet nga ne. Por ne duhet të luajmë një rol më të madh në mbrojtje. Debati i Dy Përqindëshit është më shumë se çështje parash, është edhe çështje cilësie. Duhet të diskutojmë dhe për sigurinë kibernetike, infrastrukturën dhe mbrojtjen e saj, si dhe për pajisjet dhe fuqinë absolute punëtore. Nuk ka aspak kuptim të shtohen trupat e NATO-s, nëse nuk mund ti lëvizim ata nëpër Evropë në rast emergjence, për shkak se rrugët dhe urat e saj nuk janë të përshtatshme për këtë punë.

A nuk tingëllon kjo si një taktikë diversioni, pjesë e qëllimit të 2 përqindëshit që Gjermania nuk e ka arritur? Veçanërisht pasi qeveria gjermane po synon vetëm 1.5 përqind deri në vitin 2024. Ne duam ti përmbahemi synimit të 2 përqindëshit, por vetëm një përqindje e PBB nuk është veçanërisht vendimtare në vetvete, pasi në periudha të recesionit ekonomik duhet ti drejtohesh rritjes së tarifave pa para shtesë. Me rritjen e qëndrueshme të PBB, 1.5 përqind është një përpjekje e konsiderueshme, por e nevojshme. Një qeveri duhet sigurisht të merret me kërkesa të tjera për shpenzime në buxhetin e saj. Por, siç e kam thënë, edhe ne duhet të zhvillojmë një debat mbi cilësinë. Mund të shohim llogaritë e vendeve të tjera: deri diku kjo do të jetë për forca bërthamore, dhe pjesërisht për mirëmbajtjen e bazave të kushtueshme jashtë vendit.

Përse nuk jepni shifra të sakta-a nuk do të ishte kjo një qasje më e ndershme? A nuk është 1.5 përqind e buxhetit për forcat e armatosura federale rreth 60 bilion euro? Nuk e kam aspak problem të jap shifra të qarta. Shifrat jepen më së voni gjatë planifikimit financiar afat-mesëm dhe në buxhet. Megjithatë, në këtë aspekt, më kujtohet përgjegjësia e parlamentit: krahas forcave të armatosura federale kemi dhe një ushtri parlamentare e cila mund të vihet në funksion vetëm pas rezolutave që bëhen nga Bundestagu. Megjithatë, Bundestagu, si ligjvënës buxhetor duhet të garantojë gjithashtu që forcat e armatosura federale të jenë të pajisura mjaftueshëm për tu kthyer nga shërbimi përgjithësisht me shëndet të mirë. Përndryshe, duhet mbajtur një debat i ndershëm dhe duhet bërë thirrje për shpërbërje të forcave të armatosura.    

Pse duket që është kaq e vështirë që në Gjermani të kemi një debat të hapur për politikën e jashtme dhe sigurinë? Ndoshta ka të bëjë me historinë tonë. Por kohërat kanë ndryshuar: Evropa dhe Gjermania janë në udhëkryq. A duam të luajmë një rol të pavarur në rrafshin global? Nëse po, duhet të bëjmë përpjekje më të mëdha në këtë aspekt-dhe kjo vlen veçanërisht për Gjermaninë. Veçanërisht që kur ne, ndryshe nga pothuajse çdo vend tjetër, për eksportet tona mbështetemi fuqishëm në një situatë të qëndrueshme ndërkombëtare. Siç e them unë, nuk ekziston më një dallim klasik midis politikës së brendshme nga njëra anë dhe politikës së jashtme nga ana tjetër. Siç e pamë dhe me politikën e emigracionit, destabiliteti në zonën përreth Evropës herët apo vonë do të ndikojë tek politika e brendshme. Kjo është arsyeja pse ajo priret të acarohet kur debatet ndjekin modelin e njohur të njërës anë që mbështet armët dhe anës tjetër që mbështet pensionistët e varfër gjermanë. Ky lloj debati ka pak të bëjë me një politikë gjermane të përgjegjshme.

Ish Ministri i Punëve të Jashtme, Sigmar Gabriel ka paralajmëruar një efekt tjetër: a do të mund të frikësonin shpenzimet e shtuara ushtarake nga ana e Gjermanisë fqinjët e saj të BE-së? Kush është e vërtetë, paralajmërimi i Gabriel, apo fjalët e ish Ministrit të Mbrojtjes, Volker Rühe, i cili ka deklaruar se Forcat e Armatosura Federale duhet të jenë ushtria më e fuqishme në Evropë? Mendoj se kemi ende rrugë për të bërë para se të bëhemi ushtria më e fuqishme në Evropë (qesh). Dhe as që është ky qëllimi im. Paralajmërimi i Gabriel nuk është i saktë për dy arsye, sepse nuk po flasim për konkurrencë mes ushtrive të ndryshme kombëtare. Po flasim për forca të armatosura të përfshira në aleanca si ajo e NATOs, që në shumë mënyra janë të ndërthurura me Evropën. Dhe synimi im i shprehur është që të punojmë që në terma afatgjatë të krijojmë një ushtri tjetër evropiane. Sipas mendimit tim, nuk ka asnjë rrezik që Gjermania të bëhet një kërcënim në vetvete.  

A mendoni se integrimi u Evropës do të bëjë që Franca të shtrijë mburojën e saj nukleare mbi Gjermaninë dhe BE-në, sic u sugjerua nga Kryetari i Konferecës për Sigurinë të Mynihut, z. Wolfgang Ischinger?  Sigurisht që kemi të bëjmë me një situatë të re … po lidhur me pezullimin e Traktatit të Forcave Nukleare me Reze të Mesme (The Intermediate-Range Nuclear Forces (INF) Treaty)! Të gjitha forcat tona duhet të synojnë, para së gjithash, arritjen e një marrëveshjeje brenda 6 muajve të ardhshëm. Në fakt, ne mund kërkojmë një traktat i cili përfshin jo vetëm Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, por edhe fuqi të tjera si Kina, apo vende të tjera që kanë armë nukleare. Përveç kësaj, nuk do të “lija asnjë variant jashtë tryezës” dhe nuk

Thoni që nuk do linit asnjë variant jashtë tryezës. Doni të thoni që do merrnit në konsideratë edhe armët nukleare për Gjermaninë? Jo, asnjëherë.

Akuzuat Rusinë se po përpiqet të destabilizoje Gjermaninë dhe BE-në. A duhet që Qeveria të ndërmarrë një qasje tërësisht të ndryshme në lidhje me Moskën? Para së gjithash, Rusia është një vend shumë i madh dhe i larmishëm me njerëz të mrekullueshëm dhe potencial të jashtëzakonshëm. Në të njëjtën kohë, kemi një qeveri ruse, e cila ndërmerr veprime drastike e të ngurta në vendin e vet dhe i mohon popujve të tjerë të drejtën e vetëvendosjes – konfliktet në Gjeorgji dhe Ukrainën lindore, si dhe aneksimi i Kriemesë e kanë treguar këtë. Ne duhet të jemi të qartë për këtë. Nëse Rusia po përdor fabrika deklaratash provokative për të udhëhequr fushata keqinformimi në Perëndim apo për të influencuar zgjedhjet, këtë fakt nuk mund ta fshehim.

Shumë po ankohen tani për sanksionet ekonomike të BE-së, Por kritikët duhet t’i gjejnë emrin një alternative tjetër. Ata besojnë se nuk duhet t’i pranojmë veprimet e Rusisë të cilat shkelin ligjin ndërkombëtar, por nuk ofrojnë akoma ide për sanksione të tjera. Meqë e kemi përjashtuar ndërhyrjen ushtarake, unë e mbështes mbajtjen e sanksioneve derisa të dalë një zgjidhje tjetër më e zgjuar se kjo .

Por a nuk është Nord Stream 2 krejtësisht në kundërshtim me këtë? Në pikëpamjen time, Nord Stream 2, paraqet konflikt interesash. Është një projekt ekonomik, që u vu në lëvizje shumë kohë më parë, nga një tjetër qeveri gjermane. Përveç kësaj, ne kemi mbajtur marrëdhënie ekonomike me Rusinë gjatë kulmit të Luftës së Ftohtë, edhe për raste furnizimi me energji.  Këto marrëdhënie ishin të qëndrueshme. Pra në të vërtetë, është cështje interesash – të interesave të Gjermanisë, sigurisht, por edhe interesave të Ukrainës dhe popujve të Evropës Lindore. Pastaj, ka partnerë si Shtetet e Bashkuara, që sigurisht po ndjekin interesat e veta ekonomike. Sigurisht është legjitime të shtrohet pyetja nëse Gjermania po varet më shumë se ç’duhet nga gazi rus. Aktualisht po ndërtojmë terminale gazi natyror të lëngshëm (Liquefied Natural Gas Terminals) – potencialisht për gaz amerikan. Në këtë këndvështrim, nuk mendoj se varësia paraqet një rrezik të konsiderueshëm.

Aq i diskutueshëm sa gazsjellësi është, duhet të jemi realistë dhe të pranojmë që është i paevitueshëm. Duhet menduar për kontrata dhe leje. Nuk kam kohë të merrem me një politikë që bën prononcime të fuqishme publike për mënyrën se si duhet vepruar – duke qenë ndërkohë të vetëdijshëm për situatën kontraktuale.

Por SHBA po e rrit presionin për përfundimin e gazsjellësit – madje edhe me kërcënimet për sanksione. Të kërcënosh njëri-tjetrit me sanksione nuk është mënyra më e mirë për t’u sjellë me partnerët dhe miqtë. ShBA ka interesat e veta ekonomike, që janë legjitime. Është e shqetësuar që Gjermania, një nga ekonomitë më të forta të botës, është tepër e varur nga Rusia. Por Uashingtoni duhet ta dëgjojë përgjigjen e Gjermanisë: ne jemi në procesin e diversifikimit dhe kemi burime të tjera furnizimi. Eksperienca nga e shkuara na thotë se Rusia ka qenë gjithmonë një furnizues i besueshëm gazi madje edhe në kulmin e konfliktit.

Por a nuk është Nord Stream një simbolikë e faktit që ju, jo gjithmonë i kushtoni vemendjen e duhur interesave të partnerëve më të vegjel të BE-së, që i përshkruat më parë?  Për mua personalisht, dhe shumë të tjerë, Nord Stream 2 nuk është një projekt që e kemi për zemër. Por vendimmarrja e rëndësishme, në zemër të projektit, është marrë në të shkuarën. Nuk është e mundur që projekti thjesht të kthehet mbrapsht. Gjithashtu kemi interesa ekonomike shumë legjitime kur bëhet fjalë për furnizimin me energji. Konsultimet në Bruksel kanë treguar së asnjë nuk është i fiksuar që cështja të zgjidhet sipas mënyrës së tij. Fakti është që të mbajmë në vëmendje interesat e fqinjeve tanë evropianë, dhe zbatimi i këtyre interesave ka qenë dhe do vijojë të jetë një konstante e politikës së jashtme gjermane.

Kina paraqet më shumë një sfidë apo një mundësi? E kemi parë gjithmonë ekonominë e tregut social qoftë si një model ekonomik, qoftë si një model për shoqërinë. Ky model e provoi superioritetin e tij gjatë konfliktit të sistemit të vjetër me shtetet komuniste. Por Kina është një nga konkurrentët tanë, një konkurrent që është ekonomikisht i suksesshëm, por nuk ka sistemin tonë social. Dhe kjo është një tjetër sfidë e re shumë e madhe.

Nuk jam e frikësuar nga Kina. Megjithatë, sigurisht që kemi nevojë për një lloj politike strategjike industriale në këtë konkurrencë mes sistemeve.

Të marrim rastin e rezolutës së BE-së mbi Siemens-Alstrom. Duke pasur parasysh të gjithë ligjet evropiane dhe kombëtare mbi konkurrencën, ju mund ta kuptoni përse Komisionerja e BE-së për Konkurrencën mori atë vendim. Por, është ekzagjerim të thuhet se në 8 apo 10 vitet e ardhshme Kina nuk do të jetë bërë një konkurrues i rëndësishëm në sektorin e hekurudhave në Evropë. Ja përse mendoj se fjalët e Ministrit të Ekonomisë, z. Peter Altmaier, janë një mundësi për reflektim, që është absolutisht i nevojshëm dhe shumë e vonuar. Unë jam thellësisht e bindur se kemi nevojë për një pozicion tjetër strategjik në politikën industriale. Kjo nuk është aspak e lidhur me mbështetjen time për zhvillimin e sipërmarrjeve shtetërore (state owned). Ajo është një cështje mjaft  kometuar.

A jeni e shqetësuar se mos evropianët do të ‘përplasen’ mes dy superfuqive, Kinës dhe SHBA-ve – apo do u duhet të zgjedhin anën e kujt të mbajnë?  Ne evropianët jemi në udhëkryq. Nëse nuk jemi më në gjendje të mbrojmë politikat dhe vlerat tona, rrezikojmë të mbetemi peng i lojerave të një kombi apo një tjetri, Për ta ndaluar këtë, kemi nevojë për një Evropë të bashkuar e cila ka fuqinë të veprojë.

Një pyetje tjetër për ju: ku e vendosni kufirin gjeografik të Evropës, për rrjedhojë edhe atë të BE-së? Kur shikon dy nga shtetet themeluese të BE, Franca dhe Italia, tek punojnë së bashku, kupton që problemi më shqetësues përqarkon cilësinë e komunitetit tonë, dhe jo cështjet e dimensioneve gjeometrike.

Vajza e zëdhënësit të Putinit punon në Parlamentin Evropian

Gregory Zhygalov

Vajza e zëdhënësit të Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, punon si praktikante në Parlamentin Evropian në Bruksel dhe ka qasje të pakufizuar në dokumente të ndryshme të BE-së, ka mësuar Radio Evropa e Lirë.

Yelizaveta Peskova, 21 vjeçare, vajza e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, shërben si trajnere së bashku me Aymeric Chauprade, një anëtar francez i Parlamentit Evropian, i cili e kishte përkrahur haptas aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë në vitin 2014.

Emri i Yelizaveta Peskova gjendet në faqen zyrtare të Parlamentit Evropian te pjesa ku shkruhet për anëtarin francez të Parlamentit Aymeric Chauprade.

Politikani francez e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ajo është pjesë e ekipit të tij.

Deputeti franzec në PE, Aymeric Chauprade

Deputeti franzec në PE, Aymeric Chauprade

“Sigurisht, zonja Peskova është vajza e një personaliteti të rëndësishëm në Federatën Ruse, por si studente, ajo nuk ka më pak të drejta sesa të rinjtë tjerë për të bërë një praktikë si pjesë e studimeve të saj”, tha Chauprade në një përgjigje të dërguar përmes postës elektronike.

Ai tha se Peskova nuk punon aktualisht në Rusi dhe as për ndonjë shtet ose entitet privat.

“Rrjedhimisht nuk mund të ketë konflikt interesi në ushtrimin e mandatit tim si anëtar i Parlamentit Evropian”, shtoi Chauprade.

Ai është anëtar i Komitetit për Marrëdhënie më Jashtë si dhe anëtar i Nënkomitetit për Siguri dhe Mbrojtje të Parlamentit Evropian.

Gjithashtu, politikani francez, është pjesë e delegacionit të Komitetit të përbashkët BE-RUSI të Parlamentit.

Ai ishte një nga vëzhguesit ndërkombëtar në referendumin e mbështetur nga Moska në Krime. Ushtria ruse e aneksoi gadishullin ukrainas në mars të vitit 2014. Në atë kohë, Chauprade e quajti referendumin “të justifikuar”, një pozicion ky që ishte në kundërshtim me atë të Bashkimit Evropian.

Një rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e mbështetur nga 100 vende e shpalli referendumin të pavlefshëm.

Disa deputetë të Parlamentit Evropian të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë thanë se nuk janë në dijeni se një e afërme e zyrtarit të lartë rus është duke punuar me ata në Parlamentin Evropian.

Sandra Kalniete nga Grupi më i madh Parlamentar, Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë, e konsideron si “neglizhencë” angazhimin në Parlamentin Evropian të vajzës së zyrtarit të lartë rus.

“Kjo është shkelje e rregullave të përgjithshme të sigurisë të Parlamentit Evropian”, tha Kalniete.

Petras Austrevicius, nga grupi liberal në PE, e quajti angazhimin e Peskovës një “turp të madh në fytyrën e Parlamentit Evropian”.

“Nuk mund të besoja se Kremlini mban duart në xhepat dhe zemrën e institucioneve të BE-së”, i tha Radios Evropa e Lirë, eurodeputeti, Petras Austrevicius.

E pyetur nga Radio Evropa e Lirë një zëdhënëse që flet në emër të vajzës së zyrtarit të lartë rus, tha se nuk mund të konfirmonte punësimin e saj në Parlamentin Evropian.

Si praktikante, Peskova ka qasje të pakufizuar në ndërtesat e Parlamentit Evropian në Bruksel dhe Strasburg si dhe mund të marrë pjesë në të gjitha mbledhjet e komiteteve dhe organeve tjera të Parlamentit Evropian.

Meqenëse kontrollet nganjëherë janë shumë të lehta, ekziston edhe mundësia që ajo të jetë e pranishme në tubimet e grupeve të tjera politike. Ajo gjithashtu ka qasje në rrjetin e brendshëm të Parlamentit Evropian dhe rrjetin e brendshëm të deputetëve të partisë së deputetit francez ku e bën praktikën.

Praktikantët në Parlamentin Evropian paguhen nga buxheti i eurodeputetit përkatës, i cili financohet nga taksapaguesit evropianë.

Ende është e paqartë nëse është duke u paguar dhe sa para merr vajza e zëdhënësit të Kremlinit si pjesë e praktikantëve në Parlamentin Evropian.

Deputeti e përcakton se sa paguhet një praktikant dhe shuma ndahet nga shpërndarja mujore që bën për stafin nga një buxhet prej 25 mijë eurosh.

Pagesa maksimale për një praktikant është rreth 1,600 euro, megjithëse është e mundur që eurodeputetët të punësojnë praktikantë pa pagesë.

Peskova është një nga fëmijët e shumtë të elitës politike të Rusisë që banojnë ose studiojnë në Evropën Perëndimore.

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov

Babai i saj, i cili ka shërbyer si zëdhënës i Putinit për gati dy dekada. Udhëheqësi i opozitës ruse, Aleskei Navalny, disa herë ka folur për të duke vënë në pah pasurinë e tij.

Peskova është shumë aktive në rrjetet sociale ku tregon për jetën glamuroze që bën ndërmjet Brukselit, Parisit dhe Moskës. Ajo ka rreth 80,000 ndjekës në Instagram.

Megjithatë në rrjete sociale ajo nuk ka ndonjë foto të postuar nga Parlamenti Evropian por kryesisht duke vizituar monumente në Bruksel.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Mesazh i fortë nga Gjermania: Kosova të besojë fort tek ne!

“Jemi të vendosur ta ndihmojmë Kosovën dhe këtë ua kemi thënë kolegëve kosovarë javën e kaluar, se ata duhet të besojnë fort në mbështetjen e Gjermanisë”. Kështu ka thënë ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Mas për gazetën gjermane “Stuttgarder Nachrichten”.

“Duam perspektivë evropiane për Kosovën, ndërsa reformat, të cilat janë kryer atje, janë mbresëlënëse dhe duhet të pranohen”, ka thënë Mass, i cili ka konfirmuar mbështetjen e mëtejshme financiare të Gjermanisë për Kosovën.

Gazetës gjermane Shtutgarder Nachrichten, Ministri i jashtëm gjermane Heiko Mass i ka thënë se “Qeveria gjermane e konsideron të gabueshme nëse BE-ja dhe Gjermania heqin dorë nga mbështetja për Kosovën, përfshirë këtu dhe ndihmën financiare. “Po të ndodhë kjo , për një kohë të shkurtër do të shembet e gjitha ajo që është arritur me një mund të madh për një kohë të gjatë”, shkruan RTK.

Në artikullin e gazetarëve Franz Feyder, Christoph Reisinger të botuar në gazetën gjermane “Stuttgarder Nachrichten”, kushtuar Kosovës, gazeta citon ministrin e Jashtëm Heiko Mass, të ketë thënë se “reformat të cilat janë kryer atje, janë mbresëlënëse dhe ato duhet të pranohen”.

Edhe pse kanë kaluar 20 vite pas përfundimi të luftës, në të cilën ishte e angazhuar NATO dhe partnerët e saj në Kosovës, Mass konfirmon edhe më tej vazhdimin e ndihmës financiare të Gjermanisë për këtë vend. I pyetur nga Stuttgarder Nachriten lidhur me këtë çështje, ministri jashtëm gjerman Mas ka thënë se: “Duam perspektivë evropiane për Ballkanin perëndimor dhe për Kosovën. Reformat të cilat janë kryer atje, janë mbreslënmëse dhe ato duhet të pranohen”, ka thënë ai.

Mass ka thënë gjithashtu se “e konsideron të gabueshme nëse BE-ja dhe Gjermania heqin dorë nga mbështetja për Kosovën, përfshirë këtu edhe ndihmën financiare. „Po të ndodh kjo , për një kohë të shkurtër do të shembet e gjithë ajo që është arritur me një mund të madh për një kohë të gjatë”, ka theksuar Mass teksa ka shtuar se “Gjermania është e vendosur të ndihmojë Kosovën – dhe këtë ua kemi thënë kolegëve kosovarë javën e kaluar, se ata duhet të besojnë fort në mbështetjen tonë”.

Qeveria gjermane shkruan tutje Stuttgarder Nachriten, nga viti 2014 deri në vetin 2018, ka mbështetur Kosovën me gjithsej 179,33 milionë euro. Paratë kanë shkuar për zhvillimin e infrastrukturës, ekonomisë dhe reformave në administratë dhe gjyqësi, por edhe për të ndihmuar në luftimin e krimit të organizuar dhe kriminalitetit.

Përveç kësaj ndihme direkte financiare nga Gjermania, Kosova ka marrë brenda periudhës 2014 – 2017 më shumë se 350 milionë euro nga Bashkimi Evropian. Ndërkaq, për periudhën njëvjeçare 2018 – 2019, Bashkimi Evropian ka parashikuar një ndihmë financiare prej 295,3 milionë euro për Kosovën.

Sipas artikullit të gazetës gjermane Stuttgarder Nachrichten, injeksioni financiar nga Bashkimi Evropian për Kosovën përbën pothuaj një të tretën e buxhetit shtetëror të Kosovës.

Në Bruksel është hapur “Panairi i Çokollatës”

Ne kryeqendrën belge, në Bruksel, po mbahet “Salon Du Chocolat”, panairi i çokollatës i njohur në mbarë botën si njëri nga eventet kryesore që bën bashkë adhuruesit e kësaj ëmbëlsire.

Panairi në fjalë ka tërhequr vëmendjen e opinionit, por edhe të mediave belge dhe atyre ndërkombëtare, pasi në sallën Tour Taxis që ka tetë mijë metra katrorë, po marrin pjesë 130 prodhues të çokollatës, kryesisht nga Belgjika e cila spikat në prodhimin e saj.

Këtë vit në panair do të prezantohen dhjetëra lloje të ëmbëlsirave dhe çokollatave që prodhohen vetëm në Belgjikë, për çka janë organizuar edhe kënde për degustim të çokollatës dhe ëmbëlsirave tjera që janë të përgatitura në bazë të çokollatës.

Vizitorët e panairit kanë mundësi të shohin prezantime të shumta në lidhje me fillimet e para të prodhimit të çokollatës në botë, por edhe popullaritetin e saj përgjatë historisë.

Panairi i çokollatës do të jetë i hapur deri më 24 shkurt. aa

BE-ja kërkon 3.8 milionë punëtorë të kualifikuar

Bashkimit Evropian i mungojnë rreth 3.8 milion punëtorë, më së shumti nga fusha e mjekësisë, specialistë dhe punëtorë të kualifikuar nga metalurgjia si dhe teknologjia informative, kanë bërë të ditur të dhënat e fundit nga EUROSTAT-i.

Më së shumti, rreth 1 milion e 200 mijë punëtorë i kërkon Gjermania, ku nga janari i vitit 2020-të, do të hyjë në fuqi një mënyrë e thjeshtëzuar e miratimit të vizave gjashtëmujore, për ata që duan të kërkojnë punë. Kjo masë i referohet të gjitha vendeve jashtë BE-së, përfshirë Ballkanin Perëndimor.

Krahas Gjermanisë, rreth 821.000 punëtorë të kualifikuar i kërkon Britania e Madhe pasuar nga Çekia me 271.000, Polonia 156.000, Belgjika 149.000, Austria 126.000, Spanja 125.000, Suedia 103.000 si dhe Hungaria 87.000.

CDU/CSU: Shqipëria rrezikon çeljen e negociatave, duhet dialog mes forcave politike

Grupi parlamentar i CDU/CSU ka reaguar mbi situatën politike në vend, pasi deputetët e opozitës dorëzuan mandatet.

Përmes zëdhënësit të saj Florian Hahn, CDU/CSU vlerëson se Shqipëria po humbet shumë kredite në sytë e miqve europianë.

“Shqipëria për momentin është duke luajtur shumë me kredibilitetin tek miqtë evropianë. Në rast se perspektiva për çeljen e negociatave për në BE në mesin e vitit të kaluar ishte ende rozë, tani po shfaqen re të zeza. Protestat e aktuale në Tiranë pengojnë qeverinë, si dhe paralizojnë funksionimin e parlamentit. Protestat dhe demonstratat bëjnë pjesë tek të drejtat e njeriut dhe janë një tipar dallues i demokracisë, në rast se ato zhvillohen në mënyrën e duhur. Por deputetët e partive tona partnere në Shqipëri i bëjnë një shërbim të keq (autogol) qëllimit të tyre, nëse nëpërmjet dorëzimit masiv të mandateve do të shkaktojnë një stanjacion politik dhe do të nxisin protesta të dhunshme. Një qëndrim refuzues nuk i shërben as vendit, as qytetarëve.

Prandaj ju bëj thirrje miqve tanë në Shqipëri për vetëpërmbajtje. Qeveria dhe opozita duhet të zhvillojnë menjëherë bisedime, në mënyrë që të rifillojë funksionimi i parlamentit dhe të rivendosen marrëdhënie të qarta. Perspektiva evropiane është vënë në rrezik.”– deklaron zëdhënësi i CDU/CSU gjermane.

Ish-zëdhënësi i NATOs: Marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të jetë prioritet i udhëheqjes së ardhshme të BE-së

Ish-zëdhënësi i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, Jamie Shea, ka vlerësuar se arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë prioritet për udhëheqjen e ardhshme të Bashkimit Evropian, e cila do të caktohet pas zgjedhjeve të majit të sivjetmë për Parlamentin Evropian.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE’ja, i cili është nisur nga Përfaqësuesja e Lartë e BE’së, Catherine Ashton, dhe i cili është vazhduar nga pasardhësja e saj, Federica Mogherini, ka sjellë shumë dobi të prekshme, në fusha si menaxhimi i kufirit, tregtia dhe telekomunikacioni”, shkruan Shea, tani profesor i Strategjisë dhe Sigurisë në Universitetin e Ekseterit, në Angli.

“Përtej dallimeve të njohura politike, për çështjet si njohja, dialogu ka përmirësuar jetën e përditshme të popujve në të dyja anët e kufirit. Prandaj, ai duhet të vazhdojë. Por, për të qenë i suksesshëm, duhet të përmbushen obligimet, për shembull në fushën e energjisë, ose në funksionimin e sistemit të gjykatave. Dialogu duhet të bazohet në besim”, vlerëson ish-zëdhënësi i NATO’s, në shkrimin e tij të botuar në Reaction.life, përcjell Gazeta Express.

Sipas Sheas, një përfundim i suksesshëm i dialogut duhet të përfshijë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, zhbllokimin e rrugës së të dy vendeve drejt anëtarësimit të mundshëm në BE, dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Për këtë nevojitet vullnet politik, unitet dhe bashkëpunim ndërmjet Britanisë, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, që vazhdon të ketë një rol kyç diplomatik për të luajtur që të sjellë paqe në Ballkanin Perëndimor, siç kemi parë në çdo fazë të konflikteve në ish-Jugosllavi. Nëse kjo s’arrihet, vrulli do të humbet, duke dëmtuar atë që është arritur deri më sot në dialogun e ndërmjetësuar nga BE’ja”, shkruan Shea.

Ish-zëdhënësi i NATO’s thekson se “në muajt e fundit, megjithatë, përparimi ka rrezikuar të ngecë. Sugjerimet për ndryshime kufiri kanë përçarë komunitetin ndërkombëtar, si dhe institucionet e Kosovës, dhe mosmarrëveshjet kanë lindur kryesisht pas reagimit ndaj fushatës që Rusia dhe Serbia po kryejnë për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, më së fundi në Interpol”.

“Përderisa optimizmi mbetet dominues në vend, ekzistojnë shenja të qarta që zhgënjimi po rritet. Në nëntor, Kosova ka vënë një taksë prej 100% ndaj mallrave serbe, si shenjë e zemërimit të saj që Serbia ka bërë fushatë për të bllokuar përpjekjen e saj për anëtarësimin në Interpol”, thekson Shea, në shkrimin e tij.

Shea kujton se në përpjekje për të zbutur krizën, ambasada amerikane në Prishtinë ka bërë thirrje që vendimi të rishikohet, dhe ka lënë të kuptohet se mbështetja e saj për Kosovën mund të mos jetë e pakushtëzuar.

“Habitshëm, për një kryeqytet që ka një statujë të Bill Clintonit, paralajmërimi tërhoqi pak vëmendje në Prishtinë”, shkruan Shea.

“Deklarata e Amerikës përbën një porosi në një kohë vendimtare për Prishtinën: Se ajo duhet t’i zbatojë obligimet ndërkombëtare. Por, më së rëndësishmi, ky incident duhet të shërbejë si alarm për të gjithë miqtë e Kosovës, se bllokadat aktuale nuk mund të vazhdojnë pafundësisht, nëse duan që kosovarët ta ruajnë besimin në Perëndimin dhe në vlerat perëndimore”, vlerëson ish-zëdhënësi i NATO’s.

Ky besim, sipas tij, “është i fuqishëm, por jo i pathyeshëm; dhe siç kemi parë gjetiu në rajon, ka shumë fuqi dhe forca të tjera, me qëllime më pak të mira, që janë të gatshme dhe të afta për të shfrytëzuar zhgënjimet popullore dhe për të zënë një vakum të krijuar nga mungesa e vëmendjes dhe angazhimit perëndimor”.

“Siç kemi parë gjetiu në Ballkanin Perëndimor, edhe udhëheqjet e frymëzuara vendëse vazhdojnë të kenë nevojë për mbështetjen dhe inkurajimin e lojtarëve kyç jashtë rajonit. Frika e regresit dhe prapakthimit është një arsye për më shumë angazhim. Sepse, çështja e Kosovës është një çështje që Perëndimi mund ta zgjidhë; dhe duke e zgjidhur atë, mund të arrijë një tjetër sukses, shumë më të nevojshëm; për rajonin, por edhe për sigurinë e krejt Evropës”. /Express/

Pompeo në Bratisllavë: Evropa të rezistojë ndaj ndikimit rus dhe kinez

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, porositi vendet e Evropës Lindore dhe Qëndrore që t’i rezistojnë ndikimit rus dhe kinez.

Pompeo po merr pjesë në manifestimet për 30 vjetorin e rënies së komunizmit.

Ai tha në Bratisllavë të Sllovakisë se Kina dhe Rusia përbëjnë një kërcënim të dyfishtë për përparimin e demokracisë dhe tregun e lirë, që nga rënia e Murit të Berlinit në vitin 1989.

Vendet e Evropës Lindore dhe Qëndrore, sipas tij, janë më të ndjeshme për shkak të “investimeve grabitqare” dhe ndërhyrjeve politike.

Sekretari amerikan i Shtetit, tha se për të luftuar këtë kërcënim, Shtetet e Bashkuara po rrisin angazhimin në rajon përmes një marrëveshjeje mbi bashkëpunimin e mbrojtjes dhe programeve të shkëmbimit.

Sekretari amerikan e filloi turin në Evropë me vizitën në Hungari ndërkaq ndalesa e dytë e tij ishte Sllovakia. Ai gjithashtu do të vizitojë Poloninë, Belgjikën dhe Islandën.

Pompeo: Hungaria është tepër filoruse

VOAL – Hungaria është konsideruar si një vend gjithnjë e orientuar ndaj interesave të rusëve dhe kinezëve nga kreu i diplomacisë amerikane Mike Pompeo, i cili të hënën në Budapest, pjesa e parë e udhëtimit të tij në Evropën Qendrore, ka shprehur shqetësim mbi ndarjet që po krijohen midis vendeve perëndimore.

“Ne nuk mund ta lejojmë Vladimir Putin të minojë marrëdhëniet midis shteteve miqësore, anëtarë të NATO-s”, tha Pompeo.

Homologu i tij Peter Szijjarto u përgjigj duke përcaktuar se ka një hipokrizi të madhe në kritikat e rezervuara për Kremlinin nga vendet që i përkasin Aleancës Atlantike, por që vazhdojnë biznes me Moskën, në veçanti në sektorin e energjisë. AFP

Qindra mijёra protestojnё nё Romё

Demonstruesit iu pёrgjigjёn thirrjes sё sindikatave italiane duke protestuar pёr njё politikё ekonomike mё ambicioze tё qeverisё. Prej vitesh nuk ka pasur protesta tё ngjashme nё Itali.

Nёn moton “Njё e ardhme pёr punёn” demonstruesit kёkruan investime masive publike dhe private dhe reforma tё ambicionuara. Protesta e sё shtunёs (09.02) ishte mё e madhja e kёtij lloji qysh prej katёr vjetёsh.

Pёr protestat sindikatat kishin organizuar dymbёdhjetё trena tё posaҁёm dhe 1300 autobusё, anije dhe avionё me kosto tё ulёt. Nё ditёn plot Diell dhe nё njё atmosferё tё shpenguar demonstruesit marshuan pёrmes kryeqytetit tё Italisё. Edhe pёrfaqёsues tё sipёrmarrjeve si dhe anёtarё tё nivelit tё lartё tё partisё social-liberale demokrate (PD) dhe partive tё tjera tё majta merrnin pjesё nё manifestimin e protestёs.

Sindikatat i konsiderojnё mjaft tё rezervuara planet pёr investime tё qeverisё sё pёrbёrё nga lёvizja populiste “Pesё yjet” dhe partia radikale e djathtё Lega. Po ashtu reforma e pensioneve e planifikuar, sipas sindikatave, nuk ёshtё e mjaftueshme. Me vendosjen e njё page mujore bazё pёr italianёt e varfёr pёrfaqёsuesit e punёtorёve konsiderojnё se mund tё zbutet lufta kundёr varfёrisё dhe papunёsisё.

Italien | Großdemo in Rom (picture-alliance/NurPhoto/A. Ronchini)

“Me njё kёmbё drejt recesionit”

“Qeveria duhet ta ndryshojё kursin, ne ndodhemi me njё kёmbё drejt recesionit”, tha Annamaria Furlan, shefe e sindikatёs sё dytё tё madhe nё Itali, CISL.  Pёrmes rrjetit Twitter  ajo i falenderoi demonstruesit pёr angazhimin e tyre. Ishte njё nismё “e jashtёzakonshme”, shkruan ajo.

Ekonomia e Italisё u tkurr nё tremujorin e fundit tё 2018 pёr shkak tё rёnies sё eksporteve. Kjo i shton problemet gjithёsesi tё mёdha qё ka qeveria me buxhetin.

Ndёrkaq shefat e koaliconit qeverisёs nё Itali komunikuan ristrukturimin nё kryesinё e Bankёs sё Rezervave dhe tё Autoritetit Mbikqyrёs CONSOB. Skandalet e fundit nё banka janё krijuar, sepse nё pozicionet pёrgjegjёse nuk i janё pёrgjigjur detyrimit pёr mbikqyrje, tha Matteo Salvini nga Lega nё Vicenza. Njё zёdhёnёse e Bankёs Qendrore nuk pranoi tё komentojё.

jmw/jj (afp, La Repubblica, rtr)

“Jelekët e Verdhë” vazhdojnë me protestat masive në Francë

Mijëra protestues kanë hyrë në javën e trembëdhjetë të protestave në Francë, duke rritur kështu presionin ndaj presidentit Emmanuel Macron.

Protestuesit e njohur si “Jelekët e Verdhë” kanë marshuar të shtunën në Paris ku ndodhën disa përleshje dhe përballje me autoritetet e rendit, si dhe një protestues lëndoi dorën me një eksploziv të vogël.

Protestat masive në Francë filluan në mes të muajit nëntor të vitit të kaluar, kundër ngritjës së cmimit të naftës dhe më pastaj rezultoi me rritjen e pakënaqësisë ndaj qeverisjes së Macronit.

Disa protestues kanë hedhur mjete të forta ndaj forcave të sigurisë, si dhe dogjën një veturë të policisë, e disa xhama të dyqaneve u dëmtuan.

Ministria e Punëve të Brendshme tha se numri total i protestuesve në Francë ka arritur në 12 000, duke përfshirë 4 mijë në Paris.

Doris Pack ‘shuplakë’ Ramës: Komentet tuaja nxisin dhunë ndaj grave

Në lidhje me sulmin që Edi Rama bëri ndaj deputetes demokrate Albana Vokshi reagoi sot edhe presidentja e EPP-së Doris Pack.

Pasi Vokshi i kërkoi Ramës të heqë nga facebook videon që identifikon prindërit e vajzës së mitur, të abuzuar seksualisht në Kavajë, kryeministri reagoi me ironi ndaj saj.

“Komentet në rrjetet sociale të kryeministrit të Shqipërisë Rama duke ofenduar gratë politikane, nuk janë vetëm degradim dhe ofendim ndaj gruas, por nxitje e dhunës kundër gruas në një vend ku të drejtat e saj janë të kërcënuara dhe të dhunuara çdo ditë”, shkruan Pack.

Qindra agjentë rusë dhe kinezë operojnë në Bruksel

Qindra agjentë të intelegjentës ruse dhe kineze janë duke operuar në Bruksel, ka raportuar Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i Bashkimit Evropian (EEAS).

Sipas raportit të publikuar në gazetën gjermane “Welt am Sonntag”, duke cituar diplomatët e BE-së, thuhet se janë rreth “250 spiunë kinezë dhe 200 spiunë rusë në Bruksel”.

Në raport thuhet se diplomatët e BE-së dhe militantët partiakë këshillohen të qëndrojnë larg nga disa pjesë të Bruskelit, duke përfshirë edhe restaurante dhe kafiteri afër ndërtesës së Komisionit Evropian.

Agjentët e intelegjencës ruse dhe kineze, punojnë në ambasadat e vendeve të tyre ose të dërguar në mision, thuhet në raport.

BE pajtohet për rregulla më të forta ndaj gazsjellësit rus

Ambasadorët e Bashkimit Evropian u pajtuan që t’i ashpërsojnë rregulloret mbi një gazsjellës të diskutueshëm nga Rusia në Gjermani, por vendosën që të mos mbështesin plane që mund të kërcënojnë përfundimin e tij.

Puna në gazsjellësin Rrjedha Nordike 2 – i gjatë 1,225 kilometra dhe që kalon nën Detin Baltik – është në realizim e sipër dhe pritet të përfundojë në fund të vitit 2019.

BE-ja do që t’i fusë gazsjellësit që hyjnë në bllok nën rregullat e saj për energjinë.

Por Gjermania ka pasur frikë se kjo do ta bënte gazsjellësin joekonomik dhe të paarritshëm.

Raportohet se 27 nga 28 ambasadorët e BE-së janë pajtuar me propozimin që Gjermania të mbetet negociatorja kryesore në projektin Rrjedha Nordike 2.

Rusia aktualisht furnizon rreth 40% të BE-së me gaz.

Me vite, blloku ka qenë i shqetësuar për mbeshtetjen në gazin rus.

Polonia ka paralajmëruar se Rusia mund ta përdorë Rrjedhën Nordike 2 për të dëmtuar sigurinë e energjisë në Evropë, ndërsa presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka cilësuar Gjermaninë si “rob” të Rusisë për shkak të gazit të saj.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka bërë përpjekje t’i sigurojë shtetet e Evropës qendrore dhe lindore se tubacioni nuk do ta bëjë Gjermaninë të mbështetet plotësisht te Rusia sa i përket energjisë.

“Gjermania do të zgjerojë rrjetin e terminaleve të gazit. Ne nuk duam të jemi të varur vetëm nga Rusia”, ka thënë Merkel të enjten.

Ambasadori gjerman në OKB: Ndryshimi i kufijve, i rrezikshëm

‘Ndryshimet e kufijve në Ballkan, janë ide të rrezikshme.’ – deklarata vjen nga ambasadori gjerman në OKB, Christoph Heusgen. Në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, Heusgen gjithashtu ish-këshilltar i kancelares Angela Merkel për politikën e jashtme për 10 vite, thotë se marrëveshja përfundimtare mes Kosovës e Serbisë nuk duhet të përfshijë kufijtë në Ballkan.

“Asnjë marrëveshje në Bruksel nuk flet për ndryshimin e kufijve, ne në Gjermani mendojmë se këto ide nuk i kontribuojmë zgjidhjes. Këto përpjekje janë të rrezikshme dhe e destabilizojnë rajonin”, u shpreh ambasadori Heusgen

Ndër të tjera ai kritikoi Serbinë për lobimin kundër Kosovës, duke thënë se në këtë formë po tregojnë se nuk e duan anëtarësimin në BE. Duke u ndalur në taksën 100 % që Kosova vendosi ndaj Serbisë, Heusgen vlerësoi se vendimi duhet të të tërhiqet, pasi i kontribuon zhvillimit ekonomik në Ballkan.

Franca tërheq ambasadorin e saj nga Roma

Zëvendëskryeministri italian, Matteo Salvini.

Qeveria italiane nuk dëshiron të ketë mosmarrëveshje me Francën ka thënë zëvendëskryeministri italian, Matteo Salvini të enjten, duke shtuar se ai do të ishte i lumtur nëse do të takohej me presidentin francez, Emmnauel Macron për të diskutuar tensionet e fundit, transmeton Reuters.

Duke u përgjigjur pas vendimit të Francës për të tërhequr ambasadorin e saj nga Italia, Salvini ka thënë përmes një deklarate se ai dëshiron të rikrijojë lidhjet me Parisin, mirëpo Franca duhet të adresojë tri çështje “thelbësore”.

Sipas tij, policia franceze duhet të ndalojë kthimin e emigrantëve në Itali, si dhe të ndalojë kontrollet e gjata kufitare, që kanë bllokuar trafikun.

Ai po ashtu ka përmendur se ëstë shumë e rëndësishmë që Parisi të lirojë rreth 15 militantë të majtë italianë, që kanë pranuar refugjatë në Francë në dekadat e fundit.

Franca ka kërkuar kthimin e ambasadorit të saj nga Roma të enjten, për shkak të siç kanë thënë autoritetet franceze, sulmeve të vazhdueshme dhe të pabaza nga liderët politikë të Italisë.

Ministria e Jashtme italiane nuk ka komentuar vendimin e Francës, i cili sipas burimeve diplomatike ka qenë i pashembullt nga viti 1945.

Merkel bisedon me kryeministrat e vendeve të “Grupit të Vishegradit”

Kancelarja gjermane Angela Merkel do të bisedojë në Bratisllavë me kryeministrat e Sllovakisë, Polonisë, Çekisë dhe Hungarisë për të shënuar 30 vjetorin e rënien së “Perdes së Hekurt”.

Qeveria gjermane tha para takimit se ndryshimi politik në këto vende ka ndihmuar procesin e ribashkimit të Gjermanisë.

Merkel fillimisht do të takojë kryeministrin sllovak, Peter Pellegrini për të diskutuar çështjet ekonomike, të politikës së Jashtme dhe ato evropiane.

Megjithatë Merkel ka hasur në kundërshtimin e Polonisë dhe Hungarisë lidhur me politikën e saj të kufijve të hapur për refugjatët.

Polonia, Shtetet e Bashkuara, shtetet baltike dhe disa vende të tjera të BE-së kanë shprehur gjithashtu shqetësime rreth projektit, tubacioni i dytë i gazit që lidh Rusinë drejtpërdrejt me Gjermaninë nën Detin Baltik.

Kjo do të shmangte tubacionet ekzistuese të gazit përmes Ukrainës dhe kritikët thonë se do të rriste varësinë e energjisë nga Rusia.

Kryeministri polak Mateusz Morawieck e ka quajtur tubacionin një armë të luftës hibride që Moska dëshiron të përdorë për të minuar sigurinë evropiane të energjisë dhe solidaritetin e BE-së dhe NATO-s.

Falimentoi kompania gjermane ajrore Germania

BERLIN – Kompania ajrore gjermane “Germania”, ka paraqitur falimentim për arsye të rritjes së çmimeve të karburantit dhe ruajtja e fuqisë së dollarit përballë euros.

Në deklaratën e publikuar nga kompania, është theksuar se të gjithë fluturimet duke filluar nga mbrëmë janë anuluar dhe punonjësit janë njoftuar.

Nga klientët që kanë marrë pako pushim është kërkuar që të kontaktojnë kompanitë turistike, për të bërë rregullime në biletat e tyre.

CEO i kompanisë, Karsten Balke tha se, përpjekjet për të plotësuar nevojat afatshkurtra të likuiditetit të kompanisë kanë qenë të pamjaftueshme. “Nuk kemi zgjidhje tjetër përpos të kërkojmë falimentim”, tha ai.

Germania Airlines që 30 vite shërben duke fluturuar në qendrat e pushimeve në Detin Mesdhe, Afrikën Veriore dhe Lindjen e Mesme. Kompania në vit bart mbi 4 milionë pasagjerë, ndërsa zhvillonte fluturime nga 18 aeroporte në Evropë.

Kjo është kompania e dytë pas Air Berlin e cila kishte njoftuar falimentim në vitin 2017. aa

Astronautët evropianë përgatiten për ecjen në Hënë

Testet e para për të studiuar efektet e gravitetit dhe pajisjeve

Ridërgimi i njeriut në Hënë është më shumë se një ëndërr për Evropën, e cila ka filluar të përgatisë astronautët e saj për udhëtimet hënore të ardhshme. Veshur me kostumet hapësinore, simulimet e para për testimin e instrumenteve dhe pajisjeve mbi hirin vullkanik të Lanzarote, në Spanjë, ndërsa në laborator janë duke u përpjekur të provojnë efektet e dobëta të gravitetit hënor, i cili i detyron të kalojnë më shumë se një ecje, shpjegojnë ekspertët e Agjencisë Hapësinore Evropiane (ESA). “Mendojmë se hedhja në Hënë mund të krijojë forca të ngjashme me ato të shkaktuara nga ecja dhe drejtimi në Tokë: kjo mund t’u lejojë astronautëve të mbajnë kockat dhe muskujt në gjendje të mirë përmes lëvizjes ditore”, shpjegon inxhinier Tobias Weber. “Kjo do të zvogëlonte nevojën për pajisje trajnimi si ajo e përdorur në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor“.

Për të minimizuar pajisjet e nevojshme, në simulimet në Lanzarote u provua një tabletë e veçantë (e quajtur Libri Elektronik i Terrenit) që gjeolokalizon astronautin gjatë udhëtimit, katalogon mostrat sipas vendit në të cilin janë mbledhur, integron informacionin që vjen nga mjete të tilla si kamera dhe mikroskopë dhe madje lejon një bisedë zanore me qendrën e kontrollit, të gjitha në sajë të një softueri të zhvilluar nga Leonardo Turchi, një inxhinier i ri konsulent i ESA-s./Dita

Burimi ansa.it

Mogherini shumë e lumtur nga Daçiç!

Ministri i Jashtëm Ivica Daçiç është i njohur për sjelljen e tij prej servili dhe ai përsëri e demonstroi këtë në Bukuresht në një takim jozyrtar të ministrave të jashtëm të BE.

Daciq iu afrua Federica Mogherinit dhe e puthi atë në dorë, por edhe Mogherinit, me sa duket, ky gjest i pëlqeu asaj duke mos hequr buzëqeshjen nga fytyra.

 

Prokurori: Holanda të lirohet nga përgjegjësia për Srebrenicën

Gjykatës së Lartë në Holandë iu kërkua të përmbysë një vendim që e mban këtë vend pjesërisht përgjegjës për vdekjen e rreth 300 burrave myslimanë në Srebrenicë të Bosnjës, më 1995.

Prokurori i përgjithshëm i gjykatës, Paul Vlas, tha se një gjykatë holandeze e apelit, më 2017, ka marrë vendim “të pakuptueshëm” duke u mbështetur në konstatimin se paqeruajtësit holandezë nuk kanë bërë mjaftueshëm për t’i mbrojtur burrat që kanë kërkuar strehim në bazën e tyre.

Opinioni i prokurorit do të merret parasysh kur gjykata të marrë vendimin e saj përfundimtar, më 19 prill.

Në total, 8,000 burra dhe djem myslimanë janë vrarë nga forcat serbe të Bosnjës, nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiq, në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë.

Vrasjet janë konsideruar si masakra më e keqe në tokën evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore.

Shumë nga viktimat kanë ikur në Srebrenicë – zonë e shpallur e sigurt nga paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara – porse trupat holandeze nuk kanë qenë në gjendje t’i mbrojnë.

Qeveria e Holandës ka dhënë dorëheqje në vitin 2002, pasi ka pranuar dështimin e saj për t’i mbrojtur viktimat, por ka thënë se paqeruajtësit kanë qenë në “mision të pamundur”.

Në vendimin fillestar në vitin 2014 është thënë se ushtarët holandezë duhet të dinin se burrat do të vriteshin nga forcat serbe të Bosnjës nëse do të detyroheshin të largoheshin nga baza.

PE njeh Guaidon si president të përkohshëm të Venezuelës

BRUKSEL – Parlamenti Evropian (PE) vendosi që të njohë liderin opozitar të Venezuelës, Juan Guaido, i cili u vetëshpall si president i përkohshëm i vendit.

Anëtarët në sesionin e Parlamentit Evropian në Bruksel me temë “gjendja në Venezuelë”, votuan për projekt-rezolutën në lidhje me këtë vend.

Si rezultat i votimit me 439 vota ‘pro’ dhe 104 ‘kundër’, projekt-rezoluta e cila parasheh njohjen e Guaido-s si presidenti të përkohshëm të Venezuelës u miratua në PE.

Në projekt-rezolutë gjithashtu u bë thirrje që t’i jepet fund shkeljeve të të drejtave të njeriu në Venezuelë nga qeveria aktuale.

Zhvillimet në Venezuelë

Tubimet e mbështetësve të opozitës dhe qeverisë në Venezuelë shkaktuan zhvillime të rëndësishme në aspektin e vendit dhe rajonit.

Juan Guaido u vetëshpall president i përkohshëm, ndërsa ky hap u njoh nga SHBA-ja, Australia, Kanadaja, Kolumbia, Peru, Ekuadori, Paraguaji, Brazili, Kili, Panamaja, Argjentina, Kostarika dhe Guatemala.

Ndërsa vendet si Meksika, Turqia, Rusia, Kuba, Kina dhe Bolivia përsëritën mbështetjen e tyre për qeverinë dhe presidentit Nicolas Maduro. Më pas presidenti Maduro, gjatë një fjalimi nga ballkoni i pallatit presidencial Miraflores në Karakas, duke iu drejtuar mijëra qytetarëve të Venezuelës, njoftoi ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve me SHBA-në dhe u dha afat 72 orë diplomatëve amerikanë të largohen nga vendi. Në një deklaratë të mëpasshme, Maduro bëri të ditur përfundimin e marrëdhënieve diplomatike dhe vazhdimin e marrëdhënieve tregtare. aa

Fuqitë kryesore të BE-së mekanizëm për anashkalimin e sanksioneve të SHBA-ve ndaj Iranit

BERLIN – Fuqitë kryesore të Bashkimit Evropian (BE) kanë vendosur një mekanizëm të ri me qëllim të vazhdimit të bashkëpunimit tregtar me Iranin, duke anashkaluar sanksionet e SHBA-ve kundër këtij vendi.

Instrumenti për mbështetje të shkëmbimit tregtar (INSTEX) do të hapet me seli në Paris.

Televizioni shtetëror gjerman (NDR) njofton se në krye të INSTEX do të jenë një ekspert bankar gjerman.

Boshtin e mekanizmit të ri e përbëjnë Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe, që në këtë mënyrë dëshirojnë të mbajnë gjallë marrëveshjen ndërkombëtare mbi programin bërthamor të Iranit, nga e cila vitin e kaluar u tërhoqën SHBA-të.

Në këtë mënyrë edhe kompanive evropiane do t’u mundësohet mënyrë alternative e transaksioneve financiare me partnerët iranianë.

Të gjitha anëtareve të BE-së do t’u hapet dera e INSTEX, ndërsa organet drejtuese do të emërojnë Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe, të cilat së bashku me Rusinë, Kinën dhe SHBA-të janë nënshkruese të marrëveshjes ndërkombëtare me Iranin.

Ndryshe nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka tërhequr SHBA-të nga marrëveshja me Iranin, zyrtarët në Londër, Paris dhe Berlin besojnë se kjo marrëveshje është mënyra më e mirë për të parandaluar Teheranin nga zhvillimi i armëve bërthamore. aa

Bora në Paris, qytetin e dritave, modës dhe dashurisë

PARIS – Një numër i madh qytetarësh kanë shijuar shëtitjen në “Jardin des Tuileries”, Paris, e cila mbrëmë ishte e mbuluar me borë.

Veshja e bardhë e kryeqytetit francez ka mahnitur turistët vendas dhe të huaj të cilët shëtitjen nëpër parkun e famshëm parisien e shfrytëzuan për fotografi.

“Jardin des Tuileries” është parku më i vjetër në Paris. Në afërsi të saj ndodhet edhe godina e operas ndërsa këtu fillojnë edhe sheshet dhe avenytë sipas të cilave njihet qyteti i dritave, modës, artit dhe dashurisë. aa

Stoltenberg: Pakti bërthamor SHBA-Rusi në rrezik

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se Rusia nuk po tregon ndonjë shenjë pajtueshmërie me Marrëveshjen e Raketave të nënshkruar gjatë epokës së Luftës së Ftohtë. Kjo deklaratë vjen shtatë ditë para tërheqjes së njoftuar të Shteteve të Bashkuara nga e njëjta marrëveshje.

Pas bisedimeve të mbajtura të premten në Bruksel, Stoltenberg tha se “për fat të keq marrëveshja është në rrezik dhe nuk ka shenja të përparimit.”

Marrëveshja për forcat bërthamore të mesme e vitit 1987 midis Shteteve të Bashkuara dhe ish- Bashkimit Sovjetik, ndalon prodhimin, testimin dhe lëshimin e raketave balistike nga toka me një distancë midis 500 dhe 5.500 kilometra.

Nga Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se në qoftë se Rusia nuk e kthen respektimin e rregullave të marrëveshjes, ata më 2 shkurt do të bëjnë një tërheqje gjashtë mujore nga marrëveshja.

Uashingtoni i mbështetur nga aleatët e NATO-s, e akuzon Moskën për zhvillimin e një rakete të re, e cila siç thonë ata e shkel marrëveshjen e bërë me qëllim të mbajtjes së raketave bërthamore larg nga Evropa.

Rusia thotë se marrëveshja nuk është shkelur por Shtetet e Bashkuara po gjejnë justifikim të rremë për të dalë nga marrëveshja.

Policia gjermane konfiskon disa “punime të Hitlerit”

Pikturë që besohet të jetë punuar nga lideri nazist, Adolf Hitler.

Policia gjermane ka konfiskuar tri piktura, që është thënë të kenë qenë punime të liderit nazist, Adolf Hitlerit, meqë ka pasur dyshime se janë të rreme.

Punimet ishte planifikuar që të prezantohen në një ankand në Berlin më 24 janar.

Policia në Berlin ka thënë se ata kanë marrë pikturat nga Shtëpia e Ankandit Kloss, për të hetuar falsifikimet e pretenduara.

Para se të fillonte ankandi, një zëdhënës i Shtëpisë Kloss i ka përshkruar punimet e Hitlerit si të pavlera në aspektin artistik.

Hilteri ka pasur synime për t’u bërë artist para se të përfshihej në politikë.

Ai më pas ka drejtuar Partinë Naziste dhe ka organizuar vrasjen e 6 milionë hebrenjve gjatë Holokaustit.

Popullsia e Gjermanisë arrin shifër rekorde

Flamuri i Gjermanisë.

Numri i popullsisë në Gjermani ka arritur në 83 milionë deri në fund të vitit të kaluar, ka njoftuar Zyra Federale e Statistikave të këtij shteti.

Kjo shifër tregon për një rritje prej 200 000 personave në krahasim me vitin 2017, ka thënë kjo Zyrë më 25 janar.

Të dhënat njëherësh përbëjnë një rritje të re prej kohës së bashkimit të Gjermanisë, dhe është thënë që migrimi ka ndikur në këtë rritje.

Më 1990, pas bashkimit të të dy Gjermanive, popullsia e shtetit është thënë të ketë qenë 79.3 milionë.

Zyra e Statistikave ka thënë se ka përdorur të dhënat e natalitetit dhe mortalitetit deri në muajin shtator, ndërsa shifrat e emigrantëve deri në muajin gusht.

Të dhënat përfundimtare pritet të publikohen në periudhën korrik-gusht.

Komisionari Hahn ofron zgjidhje për të vazhduar dialogu në Bruksel

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johanes Hahn, deklaroi se ka ofruar zgjidhje për çështjen e tregtisë mes Beogradit dhe Prishtinë dhe se po pret përgjigjen nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë.

Komisionari Hahn, në një intervistë për televizionin N1, ka thënë se në Forumin Ekonomik të Davosit, ka biseduar me presidentët Thaçi dhe Vuçiq dhe se në detaje i ka njoftuar me propozimin e tij.

“Propozova që të bashkërendohen të gjitha çështjet përkatëse tregtare që kanë të bëjnë me Serbinë dhe Kosovën. Unë jam i gatshëm që ta drejtoj këtë bisedë dhe kjo do të ishte bazë për të supozuar që është i mundur vazhdimi i dialogut i ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini “, tha Hahn.

Komisionari Hahn në këtë intervistë tha gjithashtu se Thaçi dhe Vuçiq e kuptuan propozimin e tij dhe ditëve në vazhdim pret përgjigjen e tyre pozitive.

Ai shtoi se besonte se problemi mund të zgjidhej dhe se “dialogu i Serbisë dhe Kosovës mund të vazhdojë deri në fund të vitit”.

Serbia nuk po e vazhdon dialogun për normalizimin e raporteve me Kosovën derisa autoritetet në Prishtinë të shfuqizojnë vendimin për tarifën 100 përqind për mallrat serbe.

Qeveria e Kosovës nuk po e shfuqizon masën pasi po kërkon njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë.

Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja i kanë kërkuar disa herë autoriteteve në Prishtinë, shfuqizimin e tarifës ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës.

Kulla Ejfel do të mbyllet për vizita nga shkaku i borës

PARIS – Kulla Ejfel, një nga simbolet e Parisit, kryeqytetit të Francës, është mbyllur për vizita për shkak të reshjeve të borës.

Informacioni është shpërndarë në llogarinë zyrtare të kullës në median sociale.

Në njoftim theksohet se hapur është vetëm restoranti në katin e parë.

Enti i përgjithshëm meteorologjik i Francës njoftoi se për shkak të reshejve të borës është shpallur alarmi portokalli në 24 zona, në mesin e të cilave është dhe Parisi.

Kompania RATP, e cila është e ngarkuar për trafikun hekurudhor, metronë dhe autobusat në Paris dhe rrethinë, ka njoftuar se në rajonin Ile de France për shkak të borës janë anuluar 150 linja autobusi. aa

OBSH, emigrantët nuk po sjellin sëmundje infektive në Evropë

Refugjatët dhe emigrantët që mbërrijnë në Evropë nuk kanë sjellë sëmundje infektive, thotë një raport i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në studimin e saj të parë për shëndetin e emigrantëve në Evropë, OBSH-ja u bën thirrje qeverive evropiane t’u sigurojnë emigrantëve qasjen në shërbimet shëndetësore.

Italia urdhëroi në muajin nëntor konfiskimin e anijes me emigrantë “Aquarius”, duke pretenduar se në bord kishte rroba të infektuara të lëna pas nga refugjatë që mund të ishin të infektuar me AIDS, meningjit dhe turbekuloz. Ekspertët e mjekësisë e hodhën poshtë këtë pretendim.

Autorët e raportit të OBSH-së thonë se ky është një shembull i legjendave për shëndetin e emigrantëve që mbërrijnë në Evropë.

“Refugjatët dhe emigrantët që vijnë në Evropë, nuk sjellin me vete sëmundje ekzotike të transmetueshme. Sëmundjet që ata mund të kenë, janë të pranishme prej kohësh në Evropë. Gjithashtu, kemi programe shumë të mira parandalimi dhe kontrolli për këto sëmundje”, thotë Dr. Zsuzsana Jakab, e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Megjithë kushtet e tmerrshme me të cilat përballen, raporti i OBSH-së thotë se emigrantët kanë përgjithësisht shëndet të mirë. Por, ata rrezikohen të sëmuren gjatë udhëtimit.

Njerëzit që largohen nga vendet e tyre përballen me një ekspozim më të madh ndaj infeksioneve, me kushte të varfëra jetese dhe me mungesën e kujdesit shëndetësor.

“Në shumicën e vendeve, emigrantët e paligjshëm nuk mendoj se kanë qasje tek sistemet e kujdesit shëndetësor. Emigrantët e paligjshëm janë të padukshëm në sytë e autoriteteve”, thotë zonja Jakab.

OBSH-ja paralajmëron se ndërsa po zhvillohet një debat jomiqësor për emigracionin në Evropë, shumë vende mund të mos përmbushin nevojat shëndetësore të popullsisë emigrante.

Traktat i ri mes Gjermanisë dhe Francës

Kancelarja gjermane Angela Merkel paralajmëroi sot për rrezikun e rritjes së nacionalizmit në Europë dhe bëri thirrje për rigjallërimin e bashkëpunimit ndërkufitar, pasi ajo dhe homologu i saj francez nënshkruan një traktat për rigjallërimin e miqësisë shumëvjeçare mes vendeve të tyre.

Marrëveshja e re u nënshkrua në qytetin e lashtë të Gjermanisë Perëndimore Aachen, pikërisht 56 vjet pas Traktatit Elysee të vitit 1963, që përcaktoi marrëdhëniet e afërta që do të kishin të dy vendet pas shekujsh me konflikte, të cilat morën në fund me Luftën e Dytë Botërore.

“Në të gjitha vendet tona është duke u fuqizuar populizmi dhe nacionalizmi”, i tha zonja Merkel zyrtarëve francezë, gjermanë dhe europianë, që ishin mbledhur në qendrën e qytetit Aachen.

Ajo tha se bashkëpunimi ndërkombëtar po kalon nëpër një rrugë të vështirë dhe ajo përmendi si shembull largimin e Britanisë nga Bashkimi Europian, si dhe rritjen e prirjeve proteksioniste në mbarë botën.

Traktati i Aachen-it synon fuqizimin e bashkëpunimit ndërkufitar mes të dy vendeve, si dhe përmirësimin e koordinimit mes tyre për çështje ndërkombëtare, si ndryshimet klimatike dhe terrorizmi.

Gjermaisë dhe Francës shpesh i referohen si lokomotiva të Bashkimit Europian, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi tek vendet e tjera anëtare, të cilat ndjehen të anashlakuara nga marrëdhënia e afërt mes Parisit dhe Berlinit.

Sfondi historik i traktatit Aachen

Një ditë dimri më shumë se gjysmë shekulli më parë, Franca dhe Gjermania Perëndimore nënshkruan një traktat që synonte për të lënë pas shekujt e konflikteve që përfshinë dy luftëra botërore shkatërrimtare. Në kushtet e Luftës së Ftohtë, uniteti evropian ishte i kufizuar në një treg të përbashkët prej gjashtë anëtarësh, i cili fillimisht hodhi poshtë kërkesën e Britanisë për anëtarësim. Pak njerëz e parashikuan në atë kohë se ky traktat i janarit 1963 do të ndihmonte në çimentimin e një bashkëpunimi franko-gjerman për të realizuar atë që përfundimisht u bë Bashkimi Evropian me 28-anëtarë.

Pikërisht 56 vjet më vonë, më 22 janar 2019, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, nënshkruan një pakt të ri, i cili përballet me sfida të reja. Të dy udhëheqësit janë dobësuar në vendet e tyre dhe BE-ja po lufton me çështjen Brexit, nacionalizmin në rritje dhe ndarjet mbi çështjet thelbësore si migracioni, ekonomia dhe mbrojtja.

Disa analistë thonë se traktatit të ri të Aachenit i mungon substanca, ndërsa nacionalistët francezë të ekstremit të djathtë kanë hedhur paralajmërime të rreme duke pretenduar se Parisi planifikon të lëshojë pjesë të territorit të vendit dhe të ndajë me Berlinin pozitën si vend anëtar i përherëshëm i Këshillit të Sigurimit. Pakti ngre një pyetje më të gjerë: Sa rëndësi ka bashkëpunimi franko-gjerman në Europën e sotme të rrethuar nga vështirësitë?

“Dikur thuhej se kur Franca dhe Gjermania binin dakord për diçka, kjo pak a shumë kthehej në një vendim për BE-në. Tani, kjo nuk mjafton”, thotë Manuel Lafont Rapnouil, kreu i zyrës së Parisit i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Marrëveshja e re synon të thellojë bashkëpunimin franko-gjerman në fushën e arsimit, mjedisit, sigurisë dhe politikës ekonomike, ndër të tjerat.

Qyteti gjerman Aachen, i njohur në frëngjisht si Aix-la-Chapelle, është shumë simbolik – dikur ka qenë kryeqytet i perandorit frank Karli i Madh. Një vit para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, u bë qyteti i parë gjerman i kapur nga aleatët pas një beteje shkatërrimtare.

Por kritikët thonë se traktati i ri mbetet shumë larg ambicieve për një Evropë më të fuqishme dhe të unifikuar, që presidenti Macron theksoi në një fjalim të vitit 2017, pak muaj pas marrjes së detyrës. “Një pakt i ri, por pak ambicie,” shkruante gazeta franceze Le Monde, në prag të nënshkrimit.

“Është një bazë mbi të cilën mund të punojmë, por që reflekton kufizimet e dy qeverive”, thotë Joachim Bitterlich, ish këshilltar i ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl, për gazetën Le Journal du Dimanche të Francës, në të cilën ai përmend mangësitë në fusha si migrimi dhe bashkëpunimi energjitik.

Gazetari rus Leonid Bershidski përshkruan disa çështje që ai beson se pengojnë marrëveshjen, siç janë interesat e ndryshme gjermano-franceze në fusha si mbrojtja dhe bashkëpunimi ekonomik.

“Shprehjet simbolike të solidaritetit janë të rëndësishme në këto kohë përçarjesh. Por në jetën reale, për të punuar së bashku është e vështirë, madje edhe për partnerët me qëllimet më të mira”, shkruante ai në një artikull për gazetën Bloomberg.

Presidenti Macron dhe kancelarja Merkel takohen në një pikë të ulët popullariteti në mandatin e tyre si udhëheqës. Kancelarja gjermane po shqyrton largimin nga posti, pasi tashmë ia ka dhënë kontrollin e partisë së saj të Bashkimit Kristian Demokratik një aleateje, Annegret Kramp-Karrenbauer. Presidenti Macron ka parë rënien e popullaritetit të tij në nivel rekord mes protestave të vazhdueshme kundër reformave të tij dhe rritjes së kostos së jetesës.

Ndërsa Bashkimi Evropian ka shfaqur unitet në negociatat me Britaninë rreth çështjes Brexit, blloku është i ndarë në shumë aspekte të tjera – edhe pse partitë nacionaliste pritet të rrisin fuqinë e tyre në rritje në zgjedhjet e Parlamentit Evropian këtë maj.

“Britania po largohet. Italia drejtohet nga populistët. Spanja ka një qeveri të pakicës. Polonia dhe Hungaria udhëhiqen nga parti konservatore, dhe asnjë qeveri nuk dëshiron t’u japë institucioneve në Bruksel më shumë pushtet”, shkruante revista The Economist, duke përshkruar disa nga pengesat.

Në Francë, protestuesit e jelekëve të verdhë kanë përhapur fjalë që vijnë nga e djathta ekstreme se presidenti Macron synon t’ia japë Gjermanisë rajonin francez Alsace-Lorraine, ndërsa kreu i ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, ka sugjeruar se Pakti Aachen parashikon që Franca të ndajë me Gjermninë vendin e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, gjë që presidenca franceze e hedh poshtë si “lajm padyshim të rremë”. Traktati parashikon, në të vërtetë, që të dy vendet të kërkojnë në mënyrë prioritare një vend të përhershëm për Gjermaninë në Këshillin e Sigurimit.

Megjithatë, pak analistë të BE-së shohin ndonjë alternativë ndaj Francës dhe Gjermanisë si nyjen përfundimtare që lidh bllokun.

“Pas Brexit, pas krizës së migracionit, pas çdo gjëje që kemi pasur, le të bëjmë thjesht deklaratën politike se 27 shtetet anëtare të BE do të dëshironin të vazhdojnë dhe të përmirësojnë bashkëpunimin e Bashkimit Evropian”, tha Frantisek Ruzicka, sekretar shtetëror i Sllovakisë për Çështjet Evropiane, gjatë një vizite të fundit në Paris. Pa bashkëpunim të fortë franko-gjerman, shtoi ai, “bashkëpunimi evropian nuk do të ekzistojë”.

Traktati Aachen “është aty për t’u kujtuar dy vendeve dhe pjesës tjetër të Evropës që edhe kur nuk shikohen sy më sy, edhe kur është e vështirë, kjo marrëdhënie është e rëndësishme”, thotë Lafont Rapnouil i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë. “Të dy vendet besojnë se kjo është e rëndësishme, dhe është pika ku fillon gjithçka”, thotë ai.

Shtatë për qind e ndërmarrjeve në BE kanë përdorur robotë vitin 2018

Shtatë për qind e ndërmarrjeve brenda Bashkimit Evropian (BE) që punësojnë së paku dhjetë njerëz gjatë vitit 2018 kanë përdorur robotët industrialë ose ata të shërbimeve, tha të hënën zyra e BE-së për statistika (Eurostat).

“Ndërmarrjet e mëdha më shumë përdorin robotët (25 përqind e ndërmarrjeve që punësojnë 250 ose më shumë persona) sesa ndërmarrjet e mesme (12 përqind e ndërmarrjeve që punësojnë 50 deri 249 persona)”, tha Eurostat.

Të dhënat statistikore flasin se 5 përqind e ndërmarrjeve të vogla që punësojnë mes 10 dhe 49 persona, vitin e kaluar kanë përdorur robotë.

Numri më i madh i ndërmarrjeve që kanë përdorur robotët industrialë ose ata të shërbimeve janë nga Spanja, më saktësisht 11 për qind, ndjekur nga Danimarka dhe Finlanda me nga 10 për qind secila dhe Italia me 9 për qind.

“Niveli më i ulët i përdorimit është regjistruar në Qipro (1 për qind), pasuar nga Estonia, Greqia, Lituania, Hungaria dhe Rumania (të gjitha me 3 për qind)”, tha Eurostat.

Zyra e statistikave tha se robotët industrialë janë përdorur më shumë se robotët e shërbimeve, kryesisht në ndërtimtari me 16 përqind, ndërsa robotët e shërbimit në prodhim dhe në tregti me pakicë, me 4 përqind.

Eurostat sqaron se robotët përbëhen nga elementët përkatës siç janë struktura mekanike, sensorët, kompjuteri, njësia e kontrollit dhe të njëjtit mund të klasifikohen në robotë industrialë dhe robotë të shërbimeve, varësisht nga natyra e përdorimit të tyre.

“Ndërsa robotët industrialë kryesisht përdoren në automotizimin industrial, ndërsa robotët e shërbimit kanë një nivel të caktuar të autonomisë dhe aftësisë për të vepruar në mjedise komplekse të cilat ndonjëherë kërkojnë bashkëveprim me persona”, thotë zyra e BE-së për statistika. aa

Forcat e Armatosura Gjermane shënojnë ceremoninë tradicionale të Vitit të Ri, pianistja e shquar nga Kosova Lule Elezi interpretoi para 700 vetave

Jo vetëm ushtarakët ishin pjesë e kësaj audience të madhe që numëronte mbi 700 persona. Ky koncert i Lule Elezit është përcjellë nga afër edhe nga personalitete të ndryshme nga fusha e politikës, ekonomisë, kulturës, administratës dhe Forcave të Armatosura Gjermane nga Berlini dhe shteti federal Brandenburg.

E veshur me një fustan të zi, me një elegancë të hollë  prej një pianiste të shquar, kosovarja Lule Elezi ka performuar në piano me rastin e ceremonisë tradicionale të Vitit të Ri të Forcave të Armatosura Gjermane, komandantët e Forcave Territoriale (komanda në Brandenburg) dhe Komanda e Përbashkët e Forcave të Armatosura Gjermane në Postdam , e cila ishte e ftuar për të shënuar këtë koncert madhështor, shkruan KultPlus.

Jo vetëm ushtarakët ishin pjesë e kësaj audience të madhe që numëronte mbi 700 persona në sallën Nikolaisaal të Potsdam . Ky koncert i Lule Elezit është përcjellë nga afër edhe nga personalitete të ndryshme nga fusha e politikës, ekonomisë, kulturës, administratës dhe Forcave të Armatosura Gjermane nga Berlini dhe shteti federal Brandenburg.

Me tingujt e veprave të Frederik Shopen, Lule Elezi ka magjepsë audiencën gjermane me programin e saj nga krijimtaria e Shopenit, e cila në këtë koncert është përcjellë edhe nga 25 atashe ushtarak të dërguar nga shtetet respektive, nga ambasadorë të shumtë të akredituar në Gjermani, si dhe ambasadorja kosovare Mimoza Ahmetaj, që aktualisht është shefe e misionit të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Strasburg.

“Ishte një koncert madhështor, të përcillet interpretimi im nga njerëzit më me ndikim në këtë pjesë të Gjermanisë, dhe nga një masë kaq e madhe, me të vërtetë është emocion që nuk harrohet. Intepretimi im u prit jashtëzakonisht mirë”, ka thënë Elezi për KultPlus, e cila ka treguar se pikërisht nga ky koncert kanë pasuar edhe disa oferta të tjera për bashkëpunime të radhës.

Performanca e shkëlqyeshme e pianistes Elezi u ndoq me kënaqësi nga audienca, që disa herë me ovacione dhe duartrokitje të gjata, dëshmoi profesionalizmin e këtij koncerti.

Pianistja Elezi do të ketë koncertin e radhës më 1 shkurt, në qytetin Ebersëalde, në veri të Berlinit./KultPlus.com

Lule Elezi me Lieutenant General Erich Pfeffer

Send this to a friend