VOAL

VOAL

Martin Schulz hoqi dorë nga ambiciet për postet ministrore

Në deklaratën me shkrim, Schulz theksoi se votimi brenda partisë për marrëveshjen me konservatorët u rrezikua nga një diskutim për të ardhmen e saj

BERLIN – Kryetari i Partisë Socialdemokratike (SDP), Martin Schulz, tha se ka hequr dorë për t’u bërë ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Gjermanisë për shkak të turbulencave në partinë e tij, pasi u lidh marrëveshje për koalicionin me konservatorët e kancelares Angela Merkel.

Në deklaratën me shkrim, Schulz theksoi se votimi brenda partisë për marrëveshjen me konservatorët u rrezikua nga një diskutim për të ardhmen e saj.

“Deklaroj se nuk do të hyjë në Qeveri dhe sinqerisht shpresoj se kjo do t’i japë fund debateve brenda Partisë Socialdemokratike”, theksoi Schulz.

Funksionin e ministrit të Punëve të Jashtme momentalisht e ushtron Sigmar Gabriel, i cili para një viti kreun në Partinë Socialdemokratike ia lëshoi Schulz-it, dhe që atëherë u bë një nga politikanët më të popullarizuar në Gjermani.

Partia Socialdemokratike marrëveshjen e koalicionit të cilin e arriti të mërkurën do ta dorëzojë për votim në tërë anëtarësinë e partisë.

Sllovaki, hoteli avangard që duket si një galeri arti

Hoteli Galeria, i cili ndodhet në Bratislavë, tërheq vëmendjen me pamjen e saj avangarde, ndërsa duket edhe si një galeri arti

BRATISLAVË – Hotelet në mbarë botën përpiqen të gjejnë mënyra të ndryshme për të tërhequr vizitorë, për çka edhe garojnë në ofrimin e shërbimeve më të mira, por hoteli Galeria në Bratislavë të Sllovakisë, ka vendosur të shkojë një hap më tej dhe të lidhë artin me arkitekturën dhe turizmin.

Ky hotel, i cili është ideal për ata që duan ngjyra të ndezura, tërheq vëmendjen me pamjen e saj avangarde dhe duket edhe si një galeri arti. Mysafirët kanë rastin të akomodohen në dhomat e larmishme me mundësinë e shfrytëzimit të shërbimeve të shumta.

Si pjesa e jashtme ashtu edhe ajo e brendshme e hotelit risjellin veprat e piktorëve, themelues të drejtimeve të artit të famshëm të cilat edhe sot e kësaj dite tërheqin vëmendjen dhe janë tema të bisedave të shumta.

Hoteli nuk është interesant vetëm për ata që merren me artin, hotelerinë apo arkitekturën, por edhe fotografinë dhe marketingun, kurse vizitorëve u ofrohet një eksperiencë e paharrueshme. aa

Strategjia evropiane për Ballkanin: Përparësi Serbia dhe Mali i Zi

Komisioni Evropian shpalosi Strategjinë për Zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor, që ripërcakton nga njëra anë detyrimet kryesore që vetë vendet e rajonit duhet të përmbushin, me përqendrim të veçantë në Shtetin ligjor dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe mes tyre, ndërsa nga ana tjetër, flet për një angazhim në rritje të vetë Bashkimit Evropian për t’i mbështetur më shumë këto vende në rrugëtimin e tyre.

Në dokumentin e publikuar sot u tha ritmi i përparimit drejt Bashkimit Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimorë mbështetet në meritat dhe shpejtësinë e përparimit të tyre.

Strategjia shpjegon hapat që duhet të hedhin Mali i Zi dhe Serbia për të përmbushur procesin e anëtarësimit deri më 2025, ndërsa vendet tjera mund të synojnë atë afat. Mali i Zi dhe Serbia janë të vetmet vende që tashmë janë të përfshira në negociatat për anëtarësim. Perspektiva e tyre varet nga vullneti i fuqishëm politik, reformat e vërteta dhe të qëndrueshme, si dhe zgjidhjet përfundimtare të konflikteve me fqinjët.

Shqipëria dhe Maqedonia, thuhet në dokument, po shënojnë përparime të dukshme në rrugën e tyre evropiane dhe Komisioni është i gatshëm të përgatisë propozimet për hapjen e negociatave për anëtarësim.

Komisioni do të fillojë të përgatisë opinionin për aplikimin e Bosnjës për anëtarësim sapo të marrë pyetësorin e mbushur prej saj.

Kosova ka mundësinë për përparim thelbësorë nëpërmjet zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe të ecë përpara në rrugën evropiane sapo të lejojnë rrethanat.

Juncker: Pa zgjidhjen e kontesteve kufitare nuk ka anëtarësim në BE

Juncker u tha të martën deputetëve të BE-së se këto probleme detyrimisht duhet të zgjidhen para anëtarësimit, në të kundërtën nuk do të ketë proces të afrimit

BRUKSEL – Presidenti i Komisionit Evropian (KE), Jean-Claude Juncker, paralajmëroi të martën shtetet e Ballkanit Perëndimor të cilët shpresojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian (BE) se askush nuk do të anëtarësohet përderisa nuk zgjidh kontestet kufitare me fqinjët e vet.

Juncker u tha të martën deputetëve të BE-së se “këto probleme detyrimisht duhet të zgjidhen para anëtarësimit, në të kundërtën nuk do të ketë proces të afrimit”.

Paralajmërimit të tij i parapriu fjalimi i kryeministrit kroat Andreja Plenkoviç në Parlamentin Evropian.

Pikërisht Sllovenia dhe Kroacia, të dyja anëtare të BE-së kanë një kontest kufitar mes vete i cili daton nga koha e shpërbërjes së ish Jugosllavisë në vitet e hershme të 90-ta të shekullit të kaluar.

Kontesti ka të bëjë me pakënaqësinë e tyre nga një verdikt ndërkombëtar me të cilin Sllovenia fiton qasje të lirë në Detin Adriatik.

Juncker propozoi që Mali i Zi dhe Serbia të fitojnë një mundësi anëtarësimi në vitin 2025, por vetëm nëse përmbushin kriteret për anëtarësim në BE.

Komisioni Evropian sot do të publikojë strategjinë e re të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor me të cilën dëshiron të inkurajojë gjashtë shtetet të forcojnë përpjekjet për përmbushjen e kritereve. aa

Audienca e Papës me Erdoganin mbi Jeruzalemin, të drejtat e njeriut dhe emigrantët

Respektimi i të drejtave të njeriut dhe i ligjshmërisë ndërkombëtare, paqja në Lindjen e Mesme dhe statusi i Jeruzalemit, mikpritja e emigrantëve dhe kushtet e katolikëve në Turqi : këto janë temat kryesore të takimit së Papës Françesku me presidentin e Republikës turke,  Recep Tayyp Erdogan, i cili u prit në audiencë në Vatikan.

Të respektohet ligji ndërkombëtar

Gjatë bisedës, Ati i Shenjtë dhe presidenti i Turqisë, njofton Salla e Shtypit e Vatikanit, “u ndalën mbi gjendjen në Lindjen e Mesme, veçanërisht mbi statusin e Jeruzalemit, duke vënë në dukje nevojën e promovimit të paqes dhe të qëndrueshmërisë në rajon, përmes dialogut dhe negociatave, në respektin për të drejtat e njeriut dhe për ligjshmërinë ndërkombëtare”.

Në bisedime, edhe marrëdhëniet Vatikan-Turqi dhe gjendja e bashkësisë katolike

Gjatë atyre, që nota vatikanase i quan “bisedime të përzemërta”, u përmendën “marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Turqisë, si edhe u fol për gjendjen në vend, për kushtet e bashkësisë katolike, për impenjimin në mikpritjen e refugjatëve të shumtë dhe për sfidat e lidhura me të”.

Pas audiencës me Papën Françesku, presidenti Erdogan bisedoi edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin dhe me atë për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher./Radio Vatikani

 

Takimi Erdoğan-Papa Françesku, në fokus Kudsi dhe çështjet rajonale

VATIKAN (AA) – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe Papa Françesku gjatë takimit të tyre në Vatikan biseduan mbi rëndësinë që administratës amerikane t’i bëhet me dije për vendimin e gabuar të saj mbi Kudsin, transmeton Anadolu Agency (AA).

I shoqëruar nga një delegacion zyrtarësh të lartë shtetërorë në vizitë zyrtare në Vatikan, presidenti i Turqisë Erdoğan sot në Pallatin Apostolik në Vatikan zhvilloi takim kokë më kokë me liderin shpirtëror të katolikëve, Papa Françeskun.

Sipas burimeve presidenciale, në takimin i cili thuhet se ka kaluar në një atmosferë maksimalisht miqësore, Erdoğan dhe papa kanë këmbyer mendime në lidhje me Kudsin, refugjatët, zhvillimet në Lindjen e Mesme me në krye Sirinë, terrorizmin dhe marrëdhëniet mes pjesëtarëve të feve të ndryshme.

Në takim, presidenti i Turqisë dhe papa kanë theksuar nevojën për ruajtjen e statusit të Kudsit, ashtu siç përcaktohet në rezolutat e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare.

Erdoğan ka falënderuar papën për mesazhet e tij në lidhje me Kudsin, ndërkohë që edhe papa ka shprehur vlerësime pozitive për përpjekjet e presidentit Erdoğan në lidhje me Kudsin dhe ndihmat e dedikuara për refugjatët.

Erdoğan gjithashtu e ka informuar papën në lidhje me operacionet kundërterroriste të Turqisë në Siri.

Në takim është thënë se është e gabuar që terrorizmi të asocohet me fetë, duke u theksuar nevoja për luftë të përbashkët kundër ksenofobisë dhe islamofobisë.

Në këtë drejtim, palët kanë shprehur nevojën për distancim nga retorika provokuese e cila Islamin e asocon me terrorizmin.

Presidenti i Turqisë ka shpjeguar se në Turqi i japin rëndësi bashkëjetesës në paqe mes njerëzve të të gjitha feve, përfshirë edhe katolikëve, duke theksuar se si shembull konkret i këtij vullneti, Turqia së fundmi ka riparuar 14 kisha dhe një sinagogë.

Në fund, Erdoğan dhe Papa Françesku kanë theksuar se është e mundur të hedhen hapa të përbashkët për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit rajonal dhe mobilizim të komunitetit ndërkombëtar për përfilljen e dramave humanitare, ndërsa kanë ngelur dakord për t’i vazhduar kontaktet edhe në të ardhmen.

Erdogan takohet me Papën në Vatikan

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u takua sot me Papa Françeskun në Vatikan për bisedime që pritej të përqendroheshin te statusi i Jerusalemit dhe lufta kundër terrorizmit.

Zoti Erdogan është presidenti i parë turk që viziton Vatikanin në 59 vjet. Papa u takua me të gjatë vizitës që bëri në Stamboll në vitin 2014.

Në prag të nisjes për në Vatikan, Presidenti Erdogan tha se Shtetet e Bashkuara janë “të vetme” në vendimin e tyre për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit.

Zoti Erdogan dhe Papa Françesku kanë shprehur shqetësim ndaj këtij vendimi, që shumë aleatë të SHBA thonë se mund të çojë në dështimin e përpjekjeve për paqen në Lindjen e Mesme.

Ndërkohë në Romë forcat e rendit u përplasën me kurdët dhe mbështetësit e tyre që kishin organizuar një demonstratë të paautorizuar kundër vizitës së Presidentit turk.

Rreth 3500 forca të policisë ishin mobilizuar në Romë dhe autoritetet kishin shpallur një zonë të ndaluar për demonstruesit pranë Vatikanit, hotelit të zotit Erdogani dhe ndërtesat ku ai do të takohej presidentin dhe kryeministrin e Italisë.

Erdogani viziton sot Papa Françekun në Vatikan

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, foto nga arkivi

 

 

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, pritet të takohet me Papa Françeskun gjatë ditës së sotme, në vizitën e parë të një lideri turk në Vatikan në 59 vjet.

Zyra e Erdoganit ka thënë përmes një deklarate se të dy do të bisedojnë për statusin e Jerusalemit, marrëdhëniet Turqi-Vatikan, për Sirinë, krizën e refugjatëve, terrorizmin, ksenofobinë dhe islamofobinë.

Autoritetet italiane kanë vënë ndalim për protesta në qendër të Romës, gjatë vizitës së Erdoganit dhe 3,500 policë janë vënë në detyrë.

Papa dhe Erdogan janë takuar për herën e fundit më 2014, pas vizitës së papës në Turqi.

Marrëdhëniet në mes të Turqisë dhe Vatikanit kanë qenë të tensionuara nga qershori i vitit 2016, kur papa Françesku e kishte cilësuar “gjenocid”, vrasjen e armenëve nga dora e trupave otomane gjatë Luftës së Parë Botërore.

Ankaraja kundërshton përdorimin e termit gjenocid për të përshkruar këto vrasje dhe ka reaguar duke akuzuar papën për shpërndarje të “gënjeshtrave”.

Gabriel: Gjermania “dhe askush tjetër” përgjegjëse për Holokaustin

Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, foto nga arkivi

Nuk vihet në pyetje se Gjermania është përgegjësja e vetme për Holokaustin, ka thënë ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, pas reagimeve me të cilat po përballet Polonia fqinje për legjislacionin e saj kontradiktor për Holokaustin.

“Nuk ekziston as dyshimi më i vogël për atë se kush ka qenë përgjegjës për kampet e përqendrimit, kush ka vepruar aty dhe ka vrarë miliona hebrenj evropianë, ata janë gjermanët”, ka thënë Gabrial, sipas ministrisë së Jashtme të këtij vendi.

“Këto vrasje masive të organizuara, janë kryer nga shteti jonë dhe askush tjetër”, ka thënë ai.

“Bashkëpunëtorët individual nuk e ndryshojnë atë fakt”.

Senati polak ka miratuar më 1 shkurt amendamentet legjislative për të rregulluar fjalorin lidhur me Holokaustin dhe krime të tjera të periudhës naziste.

Ky projekligj duhet të nënshkruhet nga presidenti, Andrzej Duda, i cili ka paralajmëruar mbështetje.

Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Ukraina dhe shtete tjera kanë kritikuar ashpër këtë projektligj, sipas së cilit çdokush që akuzon Poloninë apo qytetarët e saj për bashkëpunim në krimet naziste, mund të ndëshkohet me burgim deri në tri vjet.

Kritikët kanë thënë se kjo mund t’i lejojë qeverisë të kundërshtojë raste në të cilat bashkëpunimi i polakëve kanë qenë i vërtetur dhe kjo do të frenonte fjalën e lirë apo studimet që janë të lidhura me Holokaustin.

Polakët kanë luftuar me vite kundër përdorimit të frazës “Kampet polake të vdekjes”, pasi konsiderohet se Polonia ka qenë më së paku përgjegjëse për vdekjet e personave aty.

Këto kampe janë ndërtuar nga nazistët kur kanë marrë kontrollin mbi Poloninë më 1939.

Një 28 vjeçar italian plagosi me armë zjarri gjashtë emigrantë afrikanë

Një 28 vjeçar italian goditi me armë dhe plagosi gjashtë emigrantë afrikanë të shtunën në një incident që zgjati dy orë, duke terrorizuar një qytet të vogël në Italinë qendrore, ku një nigerian u arrestua disa ditë më parë për vrasjen e tmerrshme të një të riu.

I dyshuari i sulmit, me lidhjet politike të krahut të djathtë, kishte një flamur italian të lidhur rreth qafës së tij pasi u arrestua disa orë më pas në qytetin e Maceratit. Autoritetet e identifikuan atë si Luca Traini, një 28 vjeçar, pa precedent të mëparshëm.

Traini kishte garuar për këshillin e qytetit me partinë Liga Veriore që ka pikëpamje anti-emigracionit, në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar në Corridonia, konfirmoi partia, por kandidati i saj për kryetar komune humbi garën. Agjencia e lajmeve ANSA citoi miqtë e tij të thoshin se Traini kishte qenë më parë i lidhur me partitë ekstremiste italiane, si partia neo-fashiste Forza Nuova dhe CasaPound.

Ndërsa sulmi i dhunshëm po ndodhte në Macerata në rajonin qendror Marche të Italisë, policia u tha banorëve të qëndronin brenda dhe urdhëroi ndalimin e transportit publik për të kufizuar numrin e viktimave. Të shtënat e tilla të dhunshme janë të rralla në Itali dhe zakonisht lidhen me mafian jugore italiane.

Spanja ekstradon në SHBA qytetarin rus të akuzuar për krime kiberbetike

Pyotr Levashov gjatë seance gjyqësore në Spanjë, foto nga arkivi

Spanja ka ekstraduar për në Shtetet e Bashkuara një qytetar rus, i cili është akuzuar nga autoritetet amerikane për zhvillimin e fushatave të krimeve kibernetike, duke përfshirë përdorimin e viruseve dhe aktivitete tjera të ngjashme.

Pyotr Levashov, 37 vjeçar ishte arrestuar në muajin prill, derisa ishte në pushime me familjen e tij në Barcelonë, ndërsa më vonë është paraqitur para një gjykate federale në Connecticut, duke u deklaruar i pafajshëm për akuzat e krimeve kibernetike, duke përfshirë vjedhjen e identitetit dhe konspiracinë.

Policia Kombëtare në Spanjë ka thënë se zyrtarët i kanë dorëzuar Lavashovin marshallëve amerikanë më 2 shkurt.

Prokurorët kanë thënë se ai ka vepruar përmes rrjetit, “Kelihos,” për infektimin e kompjuterëve, dhe instalimin e viruseve të ndryshme në këto pajisje.

Avokatët e të akuzuarit kanë thënë se ai është i pafajshëm dhe rasti është i motivuar politikisht.

Rusia ka luftuar në mënyrë agresive për të kthyer Levashov në vendlindje.

Moska është ankuar vazhdimisht për ndalimin e qytetarëve rusë jashtë vendit, duke akuzuar zyrtarët amerikanë për “kidnapimin e tyre”.

Autoritetet amerikane kanë thënë se duke kërkuar ndalimin në vendet e tjera kanë vepruar në mënyrë ligjore duke dërguar kriminelët e dyshuar para drejtësisë.

Ekstradimi është miratuar në muajin tetor nga Gjykata Kombëtare e Spanjës pasi ka kundërshtuar kërkesën e ekstradimit nga Moska.

Ambasada ruse në Uashington nuk është përgjigjur në kërkesat për të komentuar këtë rast.

Poloni: Senati e miratoi legjislacionin kundërthënës për Holokaustin

Pamje nga një senacë e parlamentit polak

Senati i Polonisë e ka miratuar legjislacionin kundërthënës, me të cilin rregullohet të shprehurit për Holokaustin, i cili ka për qëllim ta mbrojë imazhin e Polonisë. Ky legjislacion u miratua përkundër vërejtjeve nga Shtetet e Bashkuara dhe zemërimit nga ana e Izraelit.

Ky legjislacion, i miratuar mbrëmë vonë me 57 vota për dhe 23 kundër, e dy abstenime, parasheh dënim me burg deri në tri vjet, për çdokend që kampeve të koncentrimit të Gjermanisë naziste u referohet si “kampet polake të vdekjes” ose e akuzon Poloninë për bashkëpunim me krimet e nazistëve.

Ky legjislacion tash pritet të nënshkruhet nga presidenti i Polonisë, i cili e ka mbështetur atë.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë kërkuar nga Varshava që të hidhet poshtë ky legjislacion, duke thënë se ai e kufizon lirinë e të shprehurit dhe kërkimet shkencore.

Izraeli, po ashtu, ka thënë se legjslacioni paraqet përpjekje për mohimin e involvimit polak në vrasjet e hebrejve nga nazistët gjermanë.

Jolie: NATO-ja të luftojë kundër krimeve ndaj femrave në zonat e luftës

Angelina Jolie dhe Jens Stoltenberg gjatë konferencës së sotme për shtyp në Bruksel

Ylli i Hollivudit, Angelina Jolie, njëherësh e dërguar speciale e Kombeve të Bashkuara për refugjatë, ka thënë se shfrytëzimi i dhunimit si “mjet lufte” nuk duhet të pranohet dhe ka kërkuar që NATO-ja ta merr udhëheqjen në zmbrapsjen e krimeve kundër grave në zonat e konflikteve.

Aktorja Jolie ka folur së bashku me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, pas bisedimeve të sotme me të në selinë e aleancës perëndimore ushtarake në Bruksel.

“Ne sot kemi folur për rolin potencial të NATO-s në ndihmën e krijimit të përgjegjësisë më të madhe globale dhe zmbrapjes nga krimet kundër femrave në zonat e luftës, për ta shtuar përfaqësimin e grave në ushtritë dhe për ta forcuar stërvitjen dhe doktrinën për ta bërë NATO-n lider global ushtarak në këtë fushë”, tha Angelina Jolie.

“Dhuna kundër grave dhe fëmijëve, veçanërisht dhuna seksuale, është një veçori në rritje e konfliktit dhe e pasigurisë në gjithë botën”, tha Jolie dhe ka shtuar se “akoma, përdorimi i dhunimit si mjet lufte ishte shikuar si një ngjarje e paevitueshme e konfliktit dhe si krim më i vogël dhe problem shumë i vështirë ose shumë i dhimbshëm për shoqëritë për ta diskutuar”.

Jolie dhe Stoltenberg thanë se ata mund ta vizitojnë Afganistanin për të diskutuar për çështjen e abuzimit seksual të vajzave dhe djemve në këtë vend të shkatërruar nga lufta.

VW, BMW dhe Mercedes Benz në telashe, pranojnë testin e bërë me njerëzit dhe majmunët

Pas skandalit të përhapur në Gjermani, për mënyrën e testimeve të gazrave të automjeteve me naftë tek njerëzit dhe kafshët, Volkswagen ka marrë përgjegjësinë e plotë .

Shefi ekzekutiv i VW, Matthias Mueller, tha se prodhuesi gjerman i makinave kishte “marrë pasojat e para” për testet.

Ai tha se testimi i kafshëve ishte “i gabuar … joetik dhe i pështirë”, raportoi “Spiegel Online”.

VW ka pezulluar lobuesin e saj kryesor Thomas Steg, i cili pranoi se kishte dijeni për eksperimentin e bërë me majmunët, i cili u zhvillua në Neë Meksiko më 2014-ën.

Steg u shpreh se: “Ajo që ndodhi, kurrë nuk duhet të ketë ndodhur, më vjen shumë keq ” dhe mori “përgjegjësi të plotë”.

Mediat gjermane raportojnë se prodhuesit gjermanë të automjeteve kishin financuar një kompani të quajtur EUGT, për të studiuar ndikimin e tymrave të makinave në shëndetin e njeriut.

EUGT është financuar nga Volkswagen, Daimler (prodhuesi i Mercedes-Benz) dhe BMW për të kryer këtë studim.

Mirëpo, sipas shtypit gjerman, kompania EUGT ka përdorur njerëz dhe majmunë për të testuar ndikimin negativ të tymrave të automjeteve në shëndet.

Prodhuesit gjermanë të automjeteve kanë dënuar mënyrën e këtij studimi, duke thënë se nuk kanë qenë në dijeni të metodave që kishte përdorur EUGT.

Gjermani, policia në kërkim të hajdutëve që vodhën 44 tonë çokollatë

Policia të hënën njoftoi se dy kamionë me çokollata janë vjedhur në një park industrial në Freiberg

BERLIN – Policia gjermane është vënë në ndjekje të hajdutëve të cilët vodhën 44 tonë çokollatë në jug të vendit të premten e kaluar.

Policia të hënën njoftoi se dy kamionë me çokollata janë vjedhur në një park industrial në Freiberg. Vlera e çokollatës vlerësohet në 400 mijë euro.

Një kamion me rimorkio me targa polake u gjet të shtunën pranë kufirit gjermano-francez. Shoferi u arratis në këmbë kurse rimorkio mbeti me ngarkesën e sasisë të madhe të çokollatës.

Kamioni tjetër u gjet në qytetin Lahr, gjithashtu pranë kufirit me Francën. Dy të tretat e çokollatës janë ndërsa hajduti është arratisur.

Policia është vënë në kërkim të hajdutëve dhe u bëri thirrje qytetarëve që të raportojnë nëse posedojnë çfarëdo informacioni.

Rusia e studion propozimin e ri amerikan për Ukrainën

Kurt Volker (djathtas) dhe Vladislav Surkov

 

 

Sugjerimet e Shteteve të Bashkuara për vendosjen e një misioni të Kombeve të Bashkuara në pjesën lindore të Ukrainës, që është përfshirë nga lufta, duket se është i zbatueshëm dhe Rusia do ta studiojë atë me kujdes, është cituar nga mediat ruse, këshilltari i Kremlinit, Vladislav Surkov, pas takimit me kolegun amerikan, Kurt Volker.

Surkov dhe Volker janë takuar dje në Dubai.

Volker deri tash nuk ka bërë komente për këtë takim, por është paralajmëruar se do ta ketë një bisedë telefonike me media për ditën e hënë.

Prej prillit të vitit 2014, nga lufta ndërmjet forcave të qeverisë së Ukrainës dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, të cilët i kanë nën kontroll pjesë të rajoneve lindore, Luhansk dhe Donjeck, janë vrarë më se 10,300 vetë.

Marrëveshjet e armëpushimt të shpallura si pjesë e Marrëveshjeve të Minskut, pajtueshmëritë e shtatorit të vitit 2014 dhe shkurt të vitit 2015 për zgjidhje të konfliktit, kanë dështuar të respektohen.

Çeki: Milos Zeman është zgjedhur edhe për një mandat presidencial

Presidenti prorus, Milos Zeman, është rizgjedhur president i Çekisë edhe për një mandat pesëvjeçar.

Rezultatet zyrtare pas numërimit të 96.87% të fletëvotimeve tregojnë se Zeman ka fituar me 51.95% të votave, ndërsa rivali i tij proevropian, Jiri Drahos, i ka fituar 48.04%. Zoti Drahos e ka pranuar disfatën.

Zeman, 73 vjeçar, prej vitit 2013 është president i Çekisë, që është në masë të madhe funksion ceremonial.

Ai ka shkaktuar kundërthënie duke shprehur pikëpamje kundër migrantëve, pastaj me denigrim të myslimanëve dhe përmirësim të raporteve me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në kohën kur shumë në Evropë kanë shprehur shqetësim për përzierjen e Moskës në punët dhe në zgjedhjet perëndimore.

Zeman, po ashtu, synon marrëdhënie më të afërta me Kinën.

“Dëshiroj ta uroj fituesin e zgjedhjeve, Milos Zeman”, i tha Jiri Drahos, 68 vjeçar, masës së mbështetësve të vet.

Drahos dikur ishte kryetar i Akademisë së Shkencave të Çekisë.

Poloni, kremtimi i ditëlindjes së Hitlerit nga neo-nazistët shkakton debate

Liderët e vendit kanë dënuar ashpër ekstremistët, ndërkohë që autoritetet kanë nisur një hetim i cili deri më tani, ka çuar në arrestimin e gjashtë personave dhe sekuestrimin e pajisjeve

VARSHAVË – Një video incizim i neo-nazistëve në Poloni, i xhiruar fshehurazi, ka shkaktuar këtë javë kritika të ashpra dhe debate në Poloni, në shtetin ku regjimi i Adolf Hitlerit vrau miliona njerëz në kampet e përqendrimit dhe gjatë bombardimit të qyteteve.

Liderët e vendit kanë dënuar ashpër ekstremistët, ndërkohë që autoritetet kanë nisur një hetim i cili deri më tani, ka çuar në arrestimin e gjashtë personave dhe sekuestrimin e pajisjeve dhe një sasie municioni.

Opinioni është i shqetësuar se polakët e rinj, paraardhësit e të cilëve kanë qenë viktima gjatë Luftës së Dytë Botërore, mund të përqafojnë një ideologji të tillë.

Presidenti i vendit, Andrzej Duda, tha se “sjellja e neo-nazistëve duhet të çrrënjoset”.

Debati mbarëkombëtar u nxit nga një raport i publikuar në televizionin TVN24, në të cilin u shfaqën pjesëtarët e një grupi neo-nazist polak, duke kremtuar ditëlindjen e 128-të të Adolf Hitlerit.

Rruga më e ngushtë në Bagdad, e gjerë 30 centimetra dhe e gjatë 70 metra

Rruga ndodhet mes shtëpive të vjetra rreth nëntë dekada, në lagjen Kesr të Bagdadit

BAGDAD – Në pjesën e vjetër të kryeqendrës së Irakut, Bagdad, ndodhet një rrugë e ngushtë, më e ngushta në Irak me vetëm 30 centimetra gjerësi.

Rruga ndodhet mes shtëpive të vjetra rreth nëntë dekada, në lagjen Kesr të Bagdadit. Banorët lokal rrugën e quajnë “derbune”, që në përkthim i bie “rruga e ngushtë”.

E njëjta është e gjatë 70 metra, dhe në shtrirjen e saj, janë të vendosura tetë shtëpi. Të njëjtat janë të vjetra, të lëna pas dore dhe të vogla, që në mënyrë shtesë vështirëson jetën e personave që jetojnë në to.

Njëra nga vështirësitë me të cilët përballen banorët në këtë rrugë, është se nga shkaku i ngushtësisë së saj, nuk mund të futen me vetura, prandaj produktet për nevojat shtëpiake ata i bartin me biçikleta ose në dorë.

Pronari i njërës prej shtëpive në “rrugën më të ngushtë”, Yasir Mutassar, për AA tha se nuk janë në gjendje të blejnë mobilie të reja sepse nuk kanë si ti fusin brenda shtëpisë.

“Njëherë bleva një lavatriçe, por nuk munda ta vendos në shtëpi. Tentova për disa orë, dhe më në fund u detyrova ta shes”, tha ai. Përskaj vështirësive, ai ka 35 vjet që jeton në këtë shtëpi.

Ebu Abdullah, një tjetër banor në rrugën më të ngushtë në Bagdad, thotë se kanë vështirësi edhe në rastet kur ndonjë banor ndërron jetë.

“Nëse vdes dikush, arkivolin e nxjerrim nga kulmet e shtëpive tek rruga tjetër, dhe nga atje e dërgojmë te varrezat”, rrëfen Ebu Abdullah, sipas të cilit shtëpitë e kësaj rruge janë të banuara me arab. sunitë dhe shiitë.

Përmbytjet kërcënojnë Parisin, mbyllen rrugët dhe tunelet

Zyrtarët francezë bënë të ditur se në Paris janë regjistruar reshje dyfish më të mëdha se zakonisht

PARIS – Autoritetet e Parisit kanë mbyllur disa rrugë, tunele, parqe dhe katin e poshtëm të Muzeut Louvre për shkak të rritjes së nivelit të lumit Sene.

Reshjet e mëdha të shiut sollën evakuimin edhe në zonat e tjera përgjatë lumit Sene, pasi edhe edhe lumenjtë tjerë dolën nga shtrati.

Seine të enjten mbrëma arriti nivelin prej 4.53 metra në urën Austerlitz në lindje të Parisit.

Pritet që niveli i ujit të rritet edhe gjatë fundjavës. Zyrtarët francezë bënë të ditur se në Paris janë regjistruar reshje dyfish më të mëdha se zakonisht.

Kati i poshtëm i Muzeut Louvre do të mbyllet për publikun deri të dielën, por në muzeu nuk planifikojnë zhvendosjen e veprave artistike. aa

Tre të vdekur në një aksident hekurudhor pranë Milanos

Një tren i mbushur me udhëtarë ka dalë nga binarët pranë qytetit Milano në Itali, duke lënë së paku tre njerëz të vdekur dhe dhjetë të plagosur rëndë.

Autoritetet thanë se disa njerëz janë shpëtuar nga rrënojat e vagonëve që kanë dalë nga binarët pranë stacionit Pioltello Limito.

Policia tha se një problem gjatë ndërrimit të udhës po hetohet si shkak i mundshëm i fatkeqësisë.

Dëshmitarët thanë se treni është dridhur për disa minuta përpara aksidentit.

Gjermani, një politikan i AfD-së djathtiste konvertohet në Islam

Zëdhënësi i partisë Daniel Friese njoftoi sot se konvertimin e Wagner-it e mësuan madje pas dhënies së dorëheqjes

BERLIN – Një anëtar shumëvjeçar i të djathtës ekstreme Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka braktisur pozitën udhëheqëse në këtë organizatë politike pas kalimit në Islam, raportojnë mediat gjermane.

Këtë lajm e konfirmoi edhe zyra rajonale e partisë në Brandenburg. Siç theksuan, Arthur Wagner para dy javësh “për arsye personale” braktisi pozitën udhëheqëse në këshillin rajonal të partisë.

Zëdhënësi i partisë Daniel Friese njoftoi sot se konvertimin e Wagner-it e mësuan madje pas dhënies së dorëheqjes.

Gazeta e përditshme gjermane “Tagesspiegel” lajmëron se Wagner, i cili partisë nacionaliste iu bashkua në vitin 2013, menjëherë pas themelimit të saj, paraprakisht ka qenë aktiv në grupet që ndihmojnë refugjatët.

Partia AfD është e njohur për retorikën anti-islame dhe programin e saj të bazuar në fushatën e parandalimit të “Islamizimit të Gjermanisë”, sidomos pas vitit 2015 kur pothuajse një milion refugjatë, kryesisht nga Siria dhe Iraku, arritën në këtë vend.

Lajmet e rreme Papa Françesku i cilëson djallëzore

Papa Françesku i ka cilësuar lajmet e rreme si djallëzore, duke u thënë gazetarëve dhe përdoruesve të rrjeteve sociale që të nxjerrin në pah “taktikat gjarpërore” manipulative, të cilat po krijojnë ndasi në interesat politike dhe ekonomike, transmeton Reuters.

“Lajmet e rreme janë shenjë e qasjeje jotolerante dhe janë aty për të shpërndarë arrogancë dhe urrejtje”, ka thënë ndër të tjera Papa.

Ky dokument është publikuar pas disa mujsh debate në atë, se sa kanë ndikuar lajmet e rreme në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara dhe zgjedhjen e presidentit amerikan, Donald Trump.

“Shpërndarja e lajmeve të rreme mund të avancojë qëllime specifike, të ndikojë në vendimet politike dhe t’iu shërbejë interesave ekonomike”, është thënë në deklaratën e Papa Françeskut.

Puigdemont kandidat për president të Katalonjës

VOAL – Presidenti i Parlamentit katalan, Roger Torrent, shpalli se do të paraqesë emrin e Carles Puigdemont si kandidat për president të Katalonjës.

Emri i Puigdemont, i mbështetur nga fronti indipendentist që e ka shumicën absolute, është emri i vetëm që është lakuar gjatë konsultimeve mes grupeve politike ditëve të fundit, ka saktësuar Torrent. Sesioni i zgjedhjes së presidentit të ri katalan është parashikuar brenda 31 janarit.

Presidenti i deritanishëm, në azil në Bruksel, ka arritur të hënën në Kopenaghen për  të marrë pjesë në një debat në Universitet. Gjykata Supreme spanjolle ka refuzuar kërkesën për të riaktivizuar mandatin e arrestit evropian ndaj politikanit. Kryeministri Mariano Rajoy ka kërcënuar se do të vazhdojë ta zgjasë mbikqyrjen e Kataonjës nëse Puigdemont do të jetë në mërgim.

Lideri indipendentist, i cili duhet ta formojë qeverinë e re katalane, ka thënëse do të “qeverise nga Brukseli, por jo nga burgu”.

Politikani italian Nicoletti, kryetari i ri i APKE-së

Sesioni dimëror i Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës të vitit 2018 (APKE) u mblodh me kryesimin e letonezit Boriss Cilevics si anëtari më i moshuar, ku u zgjodh kryetari i ri i APKE-së

STRASBURG – Anëtari i Partisë Demokratike Italiane (PD), Michele Nicoletti, është zgjedhur kryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE).

Sesioni dimëror i Asamblesë së Përgjithshme të vitit 2018 të APKE-së u mblodh me kryesimin e letonezit Boriss Cilevics si anëtari më i moshuar, ku u zgjodh kryetari i APKE-së.

Parlamentari italian Nicoletti i cili ishte kandidati i vetëm u shpall kryetar pa asnjë votim. Ai në fjalimin e parë të tij si kryetar i APKE-së shprehu falënderimet për gjithë ata që kanë mbështetur kandidimin e tij.

Kryetari i ri 61 vjeçar i APKE-së gjithashtu njihet edhe me profesionin e tij si profesor i filozofisë politike. aa

Austri, mbahet vallëzimi tradicional i luleve në Vjenë

Fillimisht për dekorim u përdorën orhidetë në ngjyra të ndryshme si dhe tulipanë, trëndafila, karafilë dhe zambakë

VJENË – Në praninë e një numri të madh të qytetarëve në sallën Rathaus të kryeqytetit austriak Vjenë, u mbajt vallëzimi i 96-të i luleve.

Vallëzimi i sivjemë u mbajt nën moton “loja e ngjyrave”, kurse brendia e bashkisë së qytetit ishte dekoruar me lule të llojllojshme.

Ngjyrat kryesore të luleve janë e verdhë e çelët, e bardhë, kaltër e çelët dhe rozë. Fillimisht për dekorim u përdorën orhidetë me ngjyra të ndryshme si dhe tulipanë, trëndafila, karafilë dhe zambakë. aa

Evropë: Nëntë vetë kanë humbur jetën nga stuhia Friederike

Nëntë vetë, përfshirë dy zjarrfikës, janë vrarë nga stuhia e djeshme në pjesën veriore të Evropës, e cila e ka bllokuar edhe trafikun ajror dhe hekurudhor.
Nga stuhia kanë vdekur gjashtë vetë në Gjermani, dy holandezë dhe një person në Blegjikë.
Kjo stuhi me emrin, Friederike, i ka dëmtuar edhe shkollat dhe objektet e tjera në shtetin lindor gjerman, Thueringia, raporton agjencia AFP.
Policia gjermane tha se shpejtësia e erës në disa rajone, kishte arritur edhe 203 kilometra në orë.

Moti me stuhi dhe reshje shkakton 6 viktima dhe shumë dëme në Evropën Veriore

VOAL – Moti me stuhi, që po mbretëron nga e mërkura në shtete të ndryshme të Evropës Veriore, ka shkaktuar deri tani dy viktima në Hollandë, tre në Gjermani dhe një në Belgjikë. Shumë dëme kanë pasur transportet dhe popullsia.

Në Gjermani, për shkak të uraganit “Friederike”, trafiku hekurudhor i linjave të largëta është ndërprerë në gjithë territori. Ndërkohë janë të ndaluar të gjithë trenat në Vestfalinë e Sipërme Renane dhe në Saksoninë e Ulët.

Në gjendje alarmi është edhe Belgjika, Irlanda e Veriut, Skocia, Anglia Veriore transportet janë vështirësuar për shkak të borës. Shkollat janë mbyllur në shumë zona.

Stuhi të fuqishme në Holandë, shikoni si i përplas era njerëzit në tokë (VIDEO)

AMSTERDAM – Stuhi të fuqishme kanë mbërthyer Holandën këto ditë duke shkaktuar kaos në shumë qytete.

Madje edhe aeroporti i Amsterdamit ka pezulluar të gjitha fluturimet, po ashtu edhe shërbimi hekurudhor është jashtë funksionit.

Instituti Mbretëror i Meteorologjisë Holandeze lëshoi një kod të kuq, paralajmërimi më i ashpër i motit, për pjesë të mëdha të vendit të enjten dhe tha se fuqia e erës arriti në 140kph.

Gjithashtu zyrtarët u kanë bërë thirrje njerëzve të qëndrojnë nëpër shtëpi. Videot e mëposhtme tregojnë se si i ka marrë era njerëzit në rrugë.

Juncker: Të gjitha kontestet kufitare në Ballkan duhet të zgjidhen

“Pranimi në Bashkimin Evropian nuk është gjë e lehtë”, ka thënë sot presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.
Zoti Juncker, duke folur në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg, theksoi se “dëshiron tu tregojë shteteve në Ballkan se cilat janë pritjet” e Bashkimit Evropian nga vendet e Balkanit Perëndimor.
Në këtë kuadër ai theksoi:
“Hyrja në Bashkimin Evropian nuk është gjë e lehtë. Ajo nuk bie nga qielli. Duhet të punohet për këtë gjë. Po ashtu, dëshiroj të them në mënyrën më miqësore: të gjitha kontestet kufitare, të cilat ekzistojnë ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të zgjidhen para anëtarësimit”, tha Jean-Claude Juncker, i cili në fund të muajit shkurt dhe fillim të marsit e viziton rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Mogherini bisedë telefonike me presidentët Thaçi dhe Vuçiç

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Mogherini u bëri thirrje të gjitha palëve të tregojnë qetësi dhe përmbajtje si dhe të lejojnë sundimin e ligjit dhe drejtësinë për të marrë rrugën e saj

PRISHTINË – Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe zv/presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini ka zhvilluar bisedë telefonike me presidentin e Kosovës dhe atë të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç, pas vrasjes së liderit të serbëve të veriut, Oliver Ivanoviç.

Përmes një deklarate në faqen zyrtare të BE-së, thuhet se Mogherini fuqishëm ka dënuar vrasjen dhe se shpreh ngushëllimet e saj për familjen dhe miqtë e Ivanoviçit.

“Ajo theksoi shpresën se autoritetet kompetente të sundimit të ligjit të Kosovës nuk do të kursejnë asnjë përpjekje për të gjetur autorët dhe për të sjell ato para drejtësisë pa u vonuar. Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX, do të mbështesë autoritetet në përputhje me mandatin e saj”, thuhet në faqen zyrtare të BE-së.

Mogherini u bëri thirrje të gjitha palëve të tregojnë qetësi dhe përmbajtje si dhe të lejojnë sundimin e ligjit dhe drejtësinë për të marrë rrugën e saj.

Kujtojmë se Ivanoviç u vra sot me armë para zyrës së tij në veri të Mitrovicës.

“Misionet ndërkombëtare në Kosovë dënojnë vrasjen e Oliver Ivanoviçit”

Lidhur me vrasjen e liderin të serbëve të veriut kanë reaguar edhe përfaqësuesit e misioneve të huaja në Kosovë, duke e dënuar të njëjtin.

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, është shprehur se është i tronditur dhe thellë i pikëlluar pas lajmit për vrasjen e Ivanoviçit në Mitrovicën e Veriut.

“Ai ka qenë një nga përfaqësuesit më të shquar të serbëve të Kosovës për pothuajse dy dekada. Ka treguar angazhim të palodhshëm në të mirë të komunitetit të tij dhe ka qenë bashkëbisedues i vlerësuar në Kosovë,” ka thënë Braathu, njofton misioni i OSBE-së në Kosovë.

Sipas Braathu-t, vrasja e Ivanoviçit është thellësisht shqetësuese.

“E kam pasur privilegjin që ta njoh personalisht për vite dhe gjithmonë e kam admiruar intelektin, qetësinë dhe përkushtimin e tij. Të shohësh vrasjen e një politikani me gjakftohtësi në vitin 2018 në Kosovë është mendim shqetësues. E dënoj në mënyrën më të fuqishme këtë akt mizor dhe i ftoj zbatuesit e ligjit, por edhe akterët tjerë, që të bëjnë gjithçka që munden për t’i sjellë kryerësit para drejtësisë. Ky do të jetë test i rëndësishëm për sundimin e ligjit në Kosovë”, ka theksuar Braathu.

Ndërkaq edhe përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shef i UNMIK-ut (Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë), Zahir Tanin, dënon ashpër vrasjen e Oliver Ivanoviçit.

Në një komunikatë nga zyra për media e UNMIK-ut thuhet se “Ai beson që organet hetuese do të punojnë shpejtë dhe në mënyrë efektive, duke siguruar që të gjitha agjencitë ndërkombëtare në terren janë të gatshme për të mbështetur autoritetet në çfarëdo mënyre që mund të ndihmojnë në kapjen e shpejtë të atyre që janë përgjegjës për këtë krim. Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta dhe ato të gjithë familjes së OKB-së, familjes dhe miqëve të Ivanoviç”.

Gjithashtu edhe ambasadori SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, ka dënuar në mënyrën më të fuqishme të mundshme vrasjen e Ivanoviçit mëngjesin e sotëm.

“U bëj thirrje të gjitha institucioneve të drejtësisë në Kosovë, veçanërisht tash që policia, prokurorët dhe gjykatat janë të integruara, të hetojnë këtë incident shpejtë dhe në mënyrë profesionale dhe të nxjerrin autorët para drejtësisë. Nxisim të gjitha palët që të shmangin retorikën e rrezikshme, të jenë të qetë në këtë kohë të ndjeshme dhe të ripërkushtohen për të vazhduar punën drejtë normalizimit të marrëdhënieve dhe përmirësimit të jetëve të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë”, ka porositur Delawie, njofton ambasada e SHBA-ve në Kosovë. aa

Vitin e kaluar mbi 15 mijë fëmijë të pashoqëruar arritën në Itali

Në kumtesën e organizatës “Save the Children” thuhet se kjo shifër në vitin 2016 ishte 25.840

ROMË – Më shumë se 15.730 fëmijë të pashoqëruar vitin e kaluar kanë mbërritur në Itali përmes detit, bën të ditur organizata “Save the Children”.

Nga organizata thonë se fëmijët kanë ardhur në Itali të vetëm, pa shoqërues të anëtarëve të familjes ose mbikëqyrjen e një të rrituri.

Më tej theksohet se kjo shifër në vitin 2016 ishte 25.840.

Po ashtu në deklaratë thuhet se më shumë se 380 fëmijë presin për strehim në Itali dhe se për 79 prej tyre nuk është gjetur strehim, pavarësisht se kërkesat e tyre u miratuan.

Ndërkaq, 151 fëmijë presin për miratim nuk dihet identiteti i 154 fëmijëve të tjerë.

 

Më shumë se 80 vende të botës të prekura nga virusi salmonela

Logoja e kompanisë franceze, Lactalis, foto nga arkivi

Kompania franceze e qumështit, Lactalis, ka deklaruar që më shumë se 12 milionë kuti të qumështit për foshnje janë tërhequr nga tregu në 83 vende të botës, pas shqetësimeve se mund të jenë prishur nga bakteria salmonella.

Shefi ekzektutiv i kompanisë, Lactalis, Emmanuel Besnier, ka konfirmuar për skandalin e kontaminimit për një media franceze.

Produktet janë tërhequr nga tregu prej muajit dhjetor, që kur bakteria është identifikuar në një fabrikë në veriperëndim të Francës.

Revista e përjavshme, Le Journal du Dimanche, ka thënë se 35 foshnje janë diagnostikuar me bakterien salmonella në Francë, një në Spanjë dhe një rast i mundshëm në Greqi.

Javën e kaluar, ministri i Ekonomisë, Bruno Le Maire, ka thënë se çdo produkt që ende ka mbetur nëpër dyqane duhet të largohet menjëherë.

Thirrja për largim vlen për produktet e kompanive, Picot, Milumel, dhe Taranis.

Bakteria salmonella mund të shkaktojë barkqitje, të vjella dhe dehidrim.

Mund të jetë shumë e rrezikshme për foshnjat.

Lactalis, është një nga prodhuesit më të mëdhenj të produkteve të qumështit.

Portugali, të paktën 8 të vdekur nga zjarri në një ndërtesë

Zjarri në ndërtesën dy katëshe u shkaktua pas shpërthimit të një shporeti me dru, kurse sipas Mbrojtjes civile së paku 50 persona janë plagosur

LISBONË – Të paktën tetë persona e kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në zjarrin që shpërtheu në një ndërtesë në qendër të qytetit portugez Tondel, 250 kilometra në veri të Lisbonës, njoftuan autoritetet lokale.

Zjarri në ndërtesën dy katëshe u shkaktua pas shpërthimit të një shporeti me dru, kurse sipas Mbrojtjes civile së paku 50 persona janë plagosur, disa prej të cilëve kanë pësuar plagë të rënda.

Dëshmitarë okularë thonë se zjarri shkaktoi panik në mesin e rreth 60 njerëzve të cilët ndodheshin në ndërtesë ku merrnin pjesë në një turne të popullarizuar të lojës me letra.

Deri tek paniku erdh edhe si pasojë e tymit të dendur që përfshiu hapësirat e ndërtesës. Dhjetra zjarrfikës dhe dy helikopterë shpëtimi me shpejtësi arritën në vendin e aksidentit për të evakuuar të lënduarit.

Protestuesja e quan presidentin çek “prostitutë të Putinit”

Presidenti i Republikës Çeke, Millosh Zeman, është sulmuar nga një protestuese gjysmë e zhveshur me fjalët “Zeman, prostitutë e Putinit”, derisa ai ka qenë duke votuar në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale.

Duke thirrur disa herë të njëjtin slogan, gruaja ka vrapuar drejt Zemanit në një qendër votimi në Pragë, përpara se të largohej nga rojet e tij.

Femen, një grup ndërkombëtar i feministeve, tha në ueb-faqen e tij se gruaja është Angelina Diash, shtetase e Ukrainës.

Zeman fillimisht është nxjerrë jashtë nga qendra e votimit, por është kthyer shpejt për të votuar.

Ai garon për mandatin e dytë presidencial.

Zeman ka shkaktuar polemika duke shprehur pikëpamje anti-migrante, duke nënçmuar myslimanët dhe duke ngrohur marrëdhëniet me presidentin rus, Vladimir Putin, në kohën kur shumë në Evropë druajnë se Moska po ndërhyn në zgjedhjet dhe çështjet e tjera në Perëndim.

Kandidatët e tjerë për president të Çekisë përfshijnë tekstshkruesin Michal Horacek, ish-kryeministrin e krahut të djathtë, Mirek Topolanek, dhe Vratislav Kulhanekun, ish-shef i fabrikës çeke të makinave, Skoda Auto.

Arrihet marrëveshja për koalicion të madh në Gjermani

Pas një takimi maratonik prej gati 24 orësh u kumtua vendimi për marrëveshjen. Kancelarja Merkel mbetet në këtë post.

Liderët e partive të Unionit CDU/CSU Angela Merkel dhe Horst Seehofer, si dhe ai i socialdemokratëve Martin Schulz, siç njoftojnë agjencitë gjermane të lajmeve, kanë arritur marrëveshje gjatë një takimi prej gati 24 orësh, që të vazhdojnë koalicionin e madh në Gjermani. Përfaqësuesit e partive kanë hartuar një dokument prej 28 faqesh, i cili është dakorduar gjatë këtyre bisedimeve në nivelin më të lartë, thotë qarqet e afërta me negociatorët. Angela Merkel, Horst Seehofer dhe Martin Schulz do ta paraqesin gjatë ditës këtë marrëveshje para gazetarëve, transmeton DW.

Bisedimet përfundimtare mes këtyre partive për vazhdimin e koalicionit, i cili edhe tani është në pushtet, kanë filluar para një jave. Gjatë bisedimeve ka pasur mosmarrëveshje dhe tendosje për shumë çështje: refugjatët, ekonominë, financat… por thuhet se ato janë harmonizuar. Gjatë ditës do të dihet më shumë për marrëveshjet e arritura. Këtë marrëveshje duhet ta miratojnë edhe organet e partive që do të futen në koalicion.

Një miliard euro për supërkompjuterat

Bashkimi Evropian kërkon të ngushtojë dallimin me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën. Edhe Zvicra do të marrë pjesë në këtë projekt

VOAL – Bashkimi Evropian synon të investojë një miliard euro brenda vitit 2020 për të krijuar supërkompjutera më të përkryr, me qëllim që të kapërcejë vonesën e krijuar në këtë fushë në krahasim me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën. “Do të marrim pjesë në një maratonë,” ka dekluar Komisari evropian për kërkimin Carlos Moedas, “e na duhet të vrapojmë më shpejt.”

Një supërllogaritës lejon të trajtohen vëllime të mëdha të dhënash duke mundësuar llogaritje më komplekse, dhe mund të jetë e dobishme, mes të tjerash, për parashikime meteorologjike dhe për të zbuluar ilaçe të reja.

Paris: Gjenden disa nga stolitë e vjedhura në hotel Ritz

VOAL – Nje pjesë e mirë e vjedhjes së mbrëmshme me grabitje të stlive me vlerë “mbi 4 milionë euro” në hôtel Ritz in Place Vendôme në Paris është kapur nga forcar e rendit. Një burim i polcië franceze ka bërë të ditur se një pjesë e madhe e tyre janë kapur në çastin e ndalimit të tre prej pesë grabitësve.

Gjithnjë sipas policisë, njëri prej keqbërësve ende në ikje, ka humbur një çantë me stolira dhe me orë të vejdhura të mërkurën në mbrëmje.

Ikja e grabitësve ishte më e ndërlikuar se parashikohej. Ata kishin hyrë në hotel nga ana e prapme, kishin mbetur të bllokuar pas grabitjes, pastaj janë detyruar t’ua kalojnë objektet dy personave të jashtëm, të cilët kanë ikur pastaj me një veturë, duke i marrë me vete stolitë e vjedhura.

 

Norvegjia thirrje emigrantëve për punësim: 4 mijë euro rrogë për këto profesione!

E cilësuar si një nga vendet me standartet më të larta të jetesës, Norvegjia ka hartuar një plan të ri masash ku ofron mundësi punësimi për emigrantët që duan të punojnë në këtë shtet për disa profesione të caktuara.

Sipas një postimi të Zyrës Europiane për Punësim, Norvegjia po kërkon inxhinierë, mësues, mjekë, infermierë, shoferë autobusësh, kuzhinierë e kamerierë, me një pagë të mirë e cila varion nga 4 mijë euro në 5 mijë euro në muaj.

 

Norvegjia është një shtet i pasur me naftë, ka jetëgjatësi të banorëve, që kap moshën e 81 viteve dhe një të ardhur mesatare vjetore për banorët prej 58.810 dollarësh.

Për më tepër informacion shikoni në liknun: https://www.nav.no/workinnorway/en/Home


Send this to a friend