VOAL

VOAL

Gjermania heton lidhjet neo-naziste në radhët e policisë

August 18, 2020
blank

Komentet

blank

Venediktova: Sulmi në qytetin Kremençuk, krim kundër njerëzimit

VOA

Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova, tha sot se sulmi i djeshëm i Rusisë ndaj një qendre tregëtare, gjatë të cilit u vranë 18 vetë, mund të përbëjë krim kundër njerëzimit.

Prokurorja Venediktova, e cila kryeson hetimet për krime lufte, shkoi sot në kompleksin tregëtar në qytetin e Kremençukut, i cili u godit dje nga një raketë ruse.

Në kohën e goditjes, brenda qendrës kishte rreth 1 mijë vetë. Sipas shërbimit të urgjencës rreth 60 të tjerë janë plagosur.

Presidenti Volodymyr Zelensky e akuzoi Rusinë për sulm të qëllimshëm kundër civilëve.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken përmes një postimi në Twitter tha dje pas sulmit se, ky është akti i fundit i një sërë krimesh të kryera nga Rusia.

“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën dhe do ta mbajmë Rusinë përgjegjëse për krimet” theksoi zoti Blinken.

Presidenti francez Emanuel Macron tha sot në përfundim të takimit të Grupit të Shtatëshes se Rusia “nuk mund dhe nuk duhet ta fitojë këtë luftë”.

blank

Bombardimet ruse, Franca dërgon automjete të blinduara luftarake në Ukrainë

Franca do të dërgojë sasi të mëdha automjete të blinduara luftarake në Ukrainë .

“Këto mjete do të dërgohen për të lëvizur sa më shpejt në zonat nën zjarrin e armikut. Ushtarët ukrainas kanë nevojë për automjete të blinduara,”, njoftuan autoritetet franceze.

Gjithashtu do të dërgohen gjashtë topa të tjerë me rreze të gjatë CAESAR në Ukrainë, përveç 12 topave të vendosur tashmë për të kundërshtuar pushtimin rus.

Këto sisteme 155 mm , të përshtatura për kamionë, kanë një rreze veprimi deri në dyzet kilometra, në varësi të municionit.

Ata mund të godasin nga gjashtë deri në tetë herë në minutë.

Megjithatë, nuk është bërë me dije data se kur do të dorëzohen. Ndërkaq këto armaatime u premtuan nga presidenti francez Emanuel Macron më 16 qershor, kur ai vizitoi Kievin. bw

blank

Daria Kaleniuk: NATO, ndalo gjenocidin e Rusisë në Ukrainë, Armatose Ukrainën Tani!

Daria Kaleniuk me një tweet sot në Twitter ku kërkon që NATO të ndalojë genocidin e Rusisë në Ukrainë dhe të armatosë Ukrainën.

Daria Kaleniuk është një aktiviste ukrainase e shoqërisë civile, e cila është drejtoreshë ekzekutive e Qendrës së Veprimit Kundër Korrupsionit, me seli në Kiev.Gjatë pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, Kaleniuk u bë i njohur në mediat ndërkombëtare kur pyeti kryeministrin britanik Boris Johnson në një konferencë shtypi në Varshavë se pse disa oligarkë rusë me bazë në Londër nuk ishin shënjestruar me sanksione dhe pse ai nuk e mbështeti krijimin e një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë.

Ja tweet-i i Daria Kaleniuk:

“NATO, ndalo gjenocidin e Rusisë në Ukrainë, #ArmUkraineTani,

Armatose Ukrainën Tani.

Bashkohuni me ne në një tubim në Madrid më 29 qershor në mesditë gjatë Samitit të NATO-s.

Shpërndaje, të lutem. Nëse je gazetar eja në miting!”

 

 

blank

Eurodeputetja gjermane: ‘Ballkani i Hapur’, nismë pa parime dhe kritere, rrezikon procesin e anëtarësimit në BE

‘Euractiv’ bisedoi me eurodeputeten Viola Von Cramon-Taubadel pas samitit të BE-së të 23-24 qershorit në Bruksel, i cili u fokusua kryesisht tek çështja e zgjerimit, dhe ku pika kryesore ishte një takim kryesisht i pakënaqshëm me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe një ‘vendim historik’ për t’i dhënë statusin e kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë.

Por Von Cramon-Taubadel, e quajti vendimin ‘shumë të lirë’ dhe jo me ndonjë vlerë të madhe praktike. Ajo thotë se bisedimet me liderët e Ballkanit Perëndimor, ishin ‘një dështim i plotë’, dhe një rezultati i tillë vetëm sa e lumturon presidentin rus Vladimir Putin.

Eurodeputetja Viola Von Cramon-Taubadel nga të Gjelbërit gjermanë, është nënkryetare e delegacionit në Komitetin Parlamentar të Asociimit BE-Ukrainë, anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme dhe anëtare e Delegacionit të Parlamentit Evropian të Stabilizim Asociimit BE-Serbi.

Cili është mendimi juaj mbi atë që arriti ky samit ‘gjeopolitik’?

Më lejoni të shprehem hapur: Vendimi për Moldavinë dhe Ukrainën është shumë i lirë. Në një situatë gjeopolitikisht shumë të tensionuar, BE-së nuk i kushton asgjë t’i japë këtyre vendeve statusin e kandidatit. Por ato mund të mbeten përgjithmonë me këtë status në dhomën e pritjes, siç e kemi parë me Turqinë dhe Ballkanin Perëndimor.

Statusi kandidat është më e pakta që mund të bëjnë liderët e BE-së, pa pasur asnjë detyrim financiar. Sigurisht, është mirë që të kemi një unitetet të BE-së ndaj ukrainasve, ndërkohë që këta të fundit po përballen me këtë luftë të tmerrshme.

Ndërkohë, vendi tjetër aspirant Gjeorgjia, ka një problem. Dikur ajo ishte gjithmonë e para, kur bëhej fjalë për reformat, anti-korrupsionin, modernizimin e shoqërisë. Por tani gjeorgjianët kanë shkuar plotësisht në drejtimin e gabuar.

Dhe në vend se ta mbyllin hendekun, e kanë thelluar atë, duke e bërë të vështirë që Këshilli Evropian t’u japë atyre të njëjtin status si Ukraina dhe Moldavia. Është e drejtë që Tbilisit t’i  thuhet: kryej më parë detyrat e shtëpisë, dhe më pas do të të japim të njëjtin status kandidat siç kemi bërë për dy vendet e tjera.

Ndërkohë, le të hedhim një vështrim në Ballkanin Perëndimor. Çfarë arriti ky samit?

Në lidhje me Ballkanin Perëndimor, ky samit ishte një dështim i plotë. Më duhet ta pranoj se jam shumë e zhgënjyer. Dhe kur Komisioni Evropian e quan veten ‘komision gjeopolitik’, gjykoj se kjo është një shaka e hidhur. Shikoni: I thirrën në Bruksel të gjashtë udhëheqësit e Ballkanit Perëndim, dhe nuk u ofruan asgjë.

As Bosnje Hercegovina nuk e mori statusin e kandidatit. Më keq akoma: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk u lejuan të nisin negociatat e anëtarësimit, dhe as Kosova nuk përfitoi liberalizimin e vizave, një çështje që po zvarritet prej 4 vitesh tashmë. Ky është vërtet një sinjal katastrofik. Nga kjo situatë, unë shoh të lumturohet vetëm një njeri: shefi i Kremlinit, Vladimir Putin.

A janë të mira apo të këqija nisma rajonale sikurse është ‘Ballkani i Hapur’, i udhëhequr nga Beogradi?

Kjo është një iniciativë që nuk bazohet në parime, nuk bazohet as në standarde dhe kritere. Dhe nëse ecet përpara me këtë nismë, do të minohet procesi i anëtarësimit në BE i bazuar në merita. Ndaj unë nuk do e mbështes atë.

Nga ky samit mungoi mesazhi i qartë, se Serbia duhet të përafrohet me politikën e jashtme të BE-së, dhe t’u bashkohet sanksioneve të saj kundër Rusisë. Pse?

Ndoshta, dhe këtë e kam dëgjuar kohët e fundit edhe nga shoqëria civile në Beograd, ata nuk duan që t’i shkëmbejnë sanksionet me parimet demokratike. Liderët e BE-së kishin shumë frikë se nëse ushtroni shumë presion për sanksionet, atëherë duhet të hiqnin dorë nga parimet demokratike, liria e medias, pluralizmi partiak e kështu me radhë.

Prandaj unë nuk jam shumë e befasuar që mungoi një mesazh i tillë. Argumenti i vërtetë ndaj Serbisë duhet të jetë: nëse ju nuk përputheni me politikën tonë të jashtme, atëherë ne do të pezullojmë fondet. Por unë nuk kam dëgjuar askënd që ta thotë këtë.

Po në lidhje me idenë e Macron për krijimin e një Komuniteti Politik Evropian?

Nëse doni vërtet të krijoni diçka për një Evropë më të gjerë, kjo është pozitive. Por unë kam dëgjuar se ka shumë shqetësim se ky format i ri, mund të jetë si një ‘dhomë pritjeje’ e përhershme për të gjitha vendet që aspirojnë të anëtarësohen në BE. Dhe kjo ngre shqetësime serioze.

Më e pakta që mund të them, është se ky koncept ka nevojë për një ri-përcaktim më të qartë. /abcnews

blank

Bullgaria bllokoi Maqedoninë e Veriut e Shqipërinë, Borrell: Vendet e Ballkanit kanë të drejtë, të heqim veton në vendimmarrje

Josep Borrell, Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, njëherazi zëvendës president i Komisionit Evropian, mendon se vendimmarrja me unanimet në BE (vendosja e vetos) duhet ndryshuar. Kjo për shkak se sipas tij me vende unike që bllokojnë vendimmarrje të rëndësishme po cenohet rëndë besueshmëria e Bashkimit Evropian. Ky qëndrim i z. Borrell vjen disa ditë pasi dështoi Këshilli Evropian që të bënte Bullgarinë të hiqte veton ndaj Maqedonisë së Veriut, që penalizoi edhe Shqipërinë. Menjëherë pas këtij vendimi ishte Kryeministri Rama që kërkoi të ndryshojë mënyra se si BE merrte vendimet.

Borrell në shkrimin e tij të sotëm, të botuar në faqen zyrtare të Komisionit Evropian, shprehet se pas 2 vitesh e gjysmë eksperiencash duke u përballur me situata të tilla, është koha që të rishikohet procesi i vendimmarrjes.

“Gjatë viteve, ne kemi parë shumë raste kur shtetet anëtare ishin të ndara për çështje të politikës së jashtme. Dhe në parim është normale që ne kemi pikëpamje të ndryshme për të filluar, duke pasur parasysh dallimet tona në histori, gjeografi dhe kulturë strategjike politike. Por ajo që ka rëndësi në jetën politike nuk është se si nis një diskutim, por si përfundon ai. Fuqia e sistemit të BE-së ka qenë gjithmonë që disi t’i kthejë ndarjet në marrëveshje. Dhe këtu ka shumë rëndësi nëse një vendim merret me unanimitet apo me shumicë të cilësuar votash. Nëse vendet e dinë paraprakisht se vendimi përfundimtar mund të merret me shumicë votash të cilësuar, ato kanë një nxitje të fortë për të negociuar dhe për të formësuar konsensusin. Nëse ata e dinë se mund të bllokojnë gjithçka, nuk kanë një nxitje për të investuar në një kompromis të shëndetshëm”, shkruan përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë.

“Ne kemi parë dinamikë të ngjashme në hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, me një vend që bllokon atë që të gjithë të tjerët mund të bien dakord – përsëri me pasoja negative për besueshmërinë dhe ndikimin e BE-së”, vijon shkrimi i tij.

Sipas komisionerit Borrell vendet e Ballkanit Perëndimor, me të drejtë, kanë kërkuar që procesi i anëtarësimit të tyre të gjykohet sipas meritave të tyre.

“Kanë kaluar pothuajse 20 vjet më parë që BE-ja deklaroi në Selanik se “e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda BE-së”, kështu që një shkallë e caktuar padurimi nga ana e tyre, për të thënë të paktën, është e kuptueshme. Zgjerimi i BE-së me ato vende që janë të gatshme dhe të aftë për të përmbushur kushtet nuk është një “favor” apo një lëshim. Është në interesin tonë strategjik”, shkruan ndër të tjera Joseph Borrell./dita

blank

Sulmet me raketa në Odessa

Qyteti jugor i Ukrainës u godit natën mes të dielës dhe të hënës: të paktën gjashtë persona u plagosën

 

VOAL- Vazhdojnë lëshimet e raketave ruse drejt territorit ukrainas. Pas bombardimeve të fundjavës në Kiev dhe zona të tjera përreth kryeqytetit ukrainas, forcat ruse filluan një sulm, në natën mes të dielës dhe sot, të hënën, në rajonin jugperëndimor të Odessa duke përdorur bombarduesit Tu-22M. Kështu raporton agjencia Ukrinform, duke cituar autoritetet lokale.

Gjithashtu sipas burimeve lokale të paktën gjashtë persona u plagosën, duke përfshirë një fëmijë, njoftoi këshilli i qytetit të Odessa në Telegram.

“Pas një sulmi me bomba në një zonë të banuar të një fshati, disa shtëpi dhe objekte të tjera janë shkatërruar dhe kanë marrë flakë, në një sipërfaqe prej rreth 500 metra katrorë”, thuhet në shënimin e marrë nga agjencitë e lajmeve.

Vladimir Putin në lëvizje

Ndërkohë, televizioni shtetëror rus raportoi se presidenti Vladimir Putin do të vizitojë Taxhikistanin dhe Turkmenistanin këtë javë, udhëtimi i parë i kreut të Kremlinit jashtë shtetit që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Kanali 1 i Rossiya shpjegoi se Putin do të vizitojë dy shtetet e vogla të ish-Bashkimit Sovjetik në Azinë Qendrore dhe më pas do të takohet me presidentin indonezian Joko Widodo në Moskë. Agjencia ruse e lajmeve Ria Novosti shtoi se Putin gjithashtu planifikon të vizitojë qytetin bjellorus të Grodno më vonë këtë muaj dhe të marrë pjesë në një forum me presidentin bjellorus Alexander Lukashenko.
Kompanitë japoneze janë ende në Rusi

Më pak se 3% e kompanive japoneze në Rusi kanë vendosur të tërhiqen nga ai treg pas pushtimit të Ukrainës, përqindja më e ulët midis vendeve të G7. Kjo është dëshmi e një sondazhi të Teikoku Databank, i porositur nga Shkolla e Menaxhimit të Universitetit Yale, në SHBA, ku përfshiheshin 1300 kompani në mbarë botën. Nga 168 kompanitë japoneze që operojnë në Rusi, vetëm 4, ose 2.4%, dolën nga tregu, shumë më poshtë se 48% e kompanive britanike, 33% e kompanive kanadeze dhe 29% e kompanive amerikane. rsi-eb

blank

Norvegjia kujton viktimat e sulmit terrorist

Banorët në Oslo duke përqafuar njëri-tjetrin, pas sulmit të 25 qershorit.

RFE/RL

Norvegjia mban të dielën një ceremoni përkujtimore për të nderuar viktimat e sulmit që ka ndodhur në Oslo, në orët e para të 25 qershorit.

Autoritetet dyshojnë që sulmi ka qenë akt “i terrorizimit islamik”.

Dy njerëz kanë vdekur dhe 21 të tjerë janë plagosur si pasojë e të shtënave në tri lokacione në kryeqytetin norvegjez, Oslo, duke përfshirë një bar të homoseksualëve.

Princi norvegjez i kurorës, Haakon dhe princesha e kurorës, Mette-Marit, pritet të marrin pjesë në ceremoninë e 26 qershorit në Katedralen e Oslos, bashkë me kryeministrin, Jonas Gahr Støre, kanë raportuar mediat norvegjeze.

“Kjo gjë ka shkundur gjithë shoqërinë tonë”, është cituar të ketë thënë përfaqësuesi i kishës, Kristin Gunleiksrud Raaum, kanë raportuar mediat në Norvegji.

Ky incident ka rezultuar me anulim të Paradës së Krenarisë, për të caktuar një ditë tjetër më vonë gjatë vitit.

I dyshuari, i cili është arrestuar pak pas sulmit, është përshkruar si një burrë norvegjez, 42-vjeçar, me prejardhje iraniane, i cili veçse ka qenë i njohur nga shërbimet kundër-terrorizmit.

Shërbimet e sigurisë në Norvegji kanë rritur alarmin në nivelin më të lartë, pas kryerjes së këtij sulmi.

Shefi i sigurisë, Roger Berg, e ka konsideruar sulmin “akt terrorist islamik” dhe ka thënë se i dyshuari ka pasur “histori të gjatë të dhunës dhe kërcënimeve” si dhe problemeve me shëndetin mendor.

blank

John F. Kennedy, Presidenti i 35-të i SHBA : Ich bin ein Berliner 26 Qershor, 1963 Shqipëroi Elida Buçpapaj

“Ich bin ein Berliner”, është shprehja e famshme e shqiptuar në gjermanisht nga Presidenti i 35-të i SHBA John F. Kennedy më 26 Qershor 1963 në Rudolph Wilde Platz përpara Bashkisë së Schöneberg-ut, që asaj kohe ishte selia e bashkisë së Berlinit Perëndimor, përpara 450 mijë gjermanëve, 22 muaj pas ndërtimit nga sovjetikët të Murit të Berlinit për të ndaluar masat e emigracionit drejt Gjermanisë Perëndimore.

——-

Unë jam krenar që kam ardhur në këtë qytet si mik i kryetarit të nderuar të bashkisë suaj, që ka simbolizuar në gjithë botën shpirtin luftarak të Berlinit Perëndimor.

Unë jam krenar që po vizitoj Republikën Federale me Kancelarin tuaj të shquar i cili për shumë vite është duke udhëhequr Gjermaninë drejt demokracisë, lirisë dhe progresit.

Për të ardhur këtu jam në shoqërinë e miku tim Amerikan, Gjeneralit Clay, që ka qenë në këtë qytet gjatë momenteve të mëdha të krizës dhe do të vijë përsëri nëse është e nevojshme ndonjëherë.

Dy mijë vjet më parë mburrja më krenare do të qe të deklaroje se je qytetar romak (civis Romanus sum).

Sot, në botën e lirë, mburreja më kryelartë është të thuash: “Jam një Berlinas” –“Ich Bin Ein Berliner.”

E vlerësoj përkthyesin që është duke përkthyer gjermanishten time.

“Ka shumë njerëz në botë që me të vërtetë nuk e kuptojnë – ose të paktën ashtu thonë, se cili është ndryshimi midis botës së lirë dhe botës komuniste.

Le të vijnë ata në Berlin.

Ka disa që thonë se ‘komunizmi është e ardhmja’.

Le të vijnë ata në Berlin.

Janë disa në Europë e gjetiu që thonë se për ta është e mundur të bashkëpunosh me komunistët.

Le të vijnë ata në Berlin.

Dhe janë disa të tjerë që thonë se, po, është e vërtetë se komunizmi është system i djallit, por të lejon që të bësh progress ekonomik.

Lass’ sie nach Berlin kommen.

Le të vijnë ata në Berlin.

Liria ka shumë vështirësi dhe demokracia nuk është një sistem i perfekt, por ne kurrë nuk kemi ndërtuar mure që t’i mbajmë njerëzit tanë të rrethuar, të izoluar e të ndarë.

Ne nuk jemi të detyruar kurrë që të ndërtojmë mure per t’i penguar njerëzit tanë që të lëvizin lirisht.

Dua t’ju them, në emër të bashkatdhetarëve të mi, të cilët jetojnë shumë milje larg në anën tjetër të Atlantikut, që janë shumë larg nga ju, por ata janë krenarë, sepse ndajnë me ju, edhe në distancë, historinë e këtyre 18 viteve.

Unë nuk di asnjë vend, asnjë qytet, që paçka se është i rrethuar për 18 vitesh, jeton me vitalitetin, forcën, shpresën dhe vendosmërinë e qytetit të Berlinit Perëndimor.

Ndërsa ky mur është demonstrimi më i qartë dhe i gjallë i dështimeve të sistemit komunist, që e sheh e gjithë bota dhe që ne nuk e pranojmë me asnjë çmim, ashtu si tha edhe Kryetari juaj i bashkisë, ky mur është një shkelje dhe ofendim jo vetëm ndaj historisë, por edhe kundër njerëzimit, sepse ndan familjet, ndan burrat dhe gratë, vëllezërit dhe motrat, ndan një popull që dëshiron të jetë i bashkuar.

E vërteta e këtij qyteti është e verteta e Gjermanisë dhe paqja e vërtetë në Evropë nuk mund të jetë e sigurt kurrë, për deri sa njërit prej katër gjermanëve i mohohet e drejta elementare e njeriut të lirë, që është e drejta të ketë mundësi të vendosë vetë për fatin e tij.

Gjatë këtyre 18 viteve paqe dhe mirëbesim, ky brez dhe kjo gjeneratë e gjermanëve ka fituar të drejtën të jetë e lirë, ku përfshihet edhe e drejta e bashkimit të familjeve dhe kombit të tyre në një paqe afatgjatë e të qendrueshme, me vullnetin e mirë të të gjithë njerëzve.

Ju jetoni në një ishull të mbrojtur të lirisë, por jeta juaj është pjesë e së tërës. Atëhere lejomëni, si një miku juaj që jam, t’ju kërkoj t’i ngrini sytë e të shihni përtej rreziqeve të së sotmes, shpresat e së nesërmes, përtej lirisë të qytetit të Berlinit, dhe lirisë të Gjermanisë, për lirinë dhe progresin në të gjithë botën, përtej këtij muri ditën me paqe dhe drejtësi, përtej nesh, vetes sonë për të gjithë njerëzimin.

Liria është e pandashme.

Dhe kur një njeri i vetëm është i skllavëruar, asnjë nuk është i lirë. Kur të gjithë të jenë të lirë dhe ne shpresojmë që të vijë ajo ditë kur ky qytet të bashkohet në një, edhe ky vend, edhe i gjithë kontinenti i Europës në një botë me paqe dhe me shpresë. Kur më në fund ajo ditë do të vijë, dhe do të vijë patjetër, banorët e Berlinit Perendimor do të shfaqin në mënyrë të përmbajtur kënaqësinë se ishin në vijën e parë të frontit për gati dy dekada

Të gjithë njerëzit e lirë, kudo qofshin, ngado ku jetojnë, janë qytetarë të Berlinit, dhe prandaj, edhe unë si një qytetar i lirë, ndihem krenar dhe e them me mburrje: “Ich bin ein Berliner”. – Se unë jam një Berlinas. /Shqipëroi Elida Buçpapaj

blank

blank

KN-C29248 26 June 1963 President Kennedy’s address to the people of Berlin. Rudolph Wilde Platz, West Berlin, Federal Republic of Germany. Photograph by Robert Knudsen, White House, in the John F. Kennedy Presidential Library and Museum, Boston.

blank

blank

Ukraina nuk gjen qetësi, Kievi sulmohet me një “lumë” raketash në nisje të së dielës

Disa shpërthime të njëpasnjëshme janë dëgjuar mëngjesin e sotëm në Kiev. Sulmet ndodhën në orën 6:30 me orën lokale.

The Kiev Independent raporton për tre shpërthime dhe janë shkaktuar nga raketat ruse.

Paralajmërimi për sulmin ajror ka rënë disa herë gjatë natës në kryeqytetin ukrainas, vetëm pak kohë pasi dukej se Kievi ishte “zhdukur” nga shënjestra e Rusisë.

“Disa shpërthime ndodhën në lagjen Shevchenkivsky. Ekipet e shpëtimit dhe ambulancat ndërhynë në vend,” shkroi kryetari i bashkisë së Kievit Vitali Klitschko në një telegram.

Ndërkohë, deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko shkroi në Twitter: “Janë dëgjuar katër shpërthime, tani ka tym të zi mbi qytet. Raketat kanë goditur ndërtesat e banimit, ende nuk ka informacione për viktima të mundshme”. bw

blank

Në Kiev vendoset shtetrrethimi

Një shtëpi e bombarduar në Kiev

Ndalohet qëndrimi në rrugë qoftë me transport publik, qoftë në këmbë. Ndërkohë, sipas ukrainasve nga Bjellorusia, raketat po lëshohen kundër Chernihiv.

 

VOAL- Në rajonin e Kievit, shtetrrethimi është rivendosur, nga ora 23:00 deri në 5 të mëngjesit. Kjo u bë e ditur nga kreu i administratës ushtarake të rajonit të kryeqytetit Oleksiy Kuleba.

“Ju kujtojmë se shtetrrethimi ndalon qëndrimin në rrugë, vizitën në vende të tjera publike, lëvizjen nëpër qytet me transport publik ose në këmbë. Me përjashtim të autorizimeve specifike. U kërkoj banorëve të respektojnë kufizimet e përkohshme për sigurinë e tyre. qëllimi është që të lejohet kthimi sa më i shpejtë i banorëve “të cilët kanë ikur që nga fillimi i luftës”, shpjegoi ai.

Kiev, nga Bjellorusia raketat kundër Chernihiv

Disa raketa do të ishin lëshuar nga Bjellorusia në drejtim të rajonit kufitar Chernihiv. Këtë e ka bërë të ditur sot, të shtunë, ushtria ukrainase. Sipas një shënimi të inteligjencës ukrainase, sulmet e sotme janë një përpjekje e Moskës për të përfshirë ushtrinë e Lukashenkos në luftë.

Rusët raportuan shërbimet e Kievit, ata operuan drejtpërdrejt nga territori i Bjellorusisë: u përfshinë gjashtë avionë Tu-22M3 të cilët lëshuan 12 raketa lundrimi X-22.

Zona e nisjes është ajo e qytetit Petrykov, jo shumë larg Mozyr, rreth 50-60 kilometra nga kufiri shtetëror ukrainas. Avionët u ngritën nga aeroporti Shaykovka në rajonin Kaluga të Rusisë. Pastaj përmes Territorit Kaluga dhe Rajoneve Smolensk ata hynë në hapësirën ajrore të Bjellorusisë.

Pas lëshimit të raketave në rajonet e Kievit, Chernihiv dhe Sumy, ata u kthyen në aeroportin Shaykovka në Rusi, shpjegoi inteligjenca. “Ky është rasti i parë i një sulmi ajror kundër Ukrainës drejtpërdrejt nga territori i Bjellorusisë. Bombardimi i sotëm lidhet drejtpërdrejt me përpjekjet e autoriteteve të Kremlinit për të përfshirë Bjellorusinë në luftën në Ukrainë si një luftënxitëse të drejtpërdrejtë”, thuhet në deklaratë.

Një breshër raketash goditi Ukrainën gjatë natës. Një instalim ushtarak pranë Lviv në perëndim të vendit u vu sërish në shënjestër. rsi-eb

blank

Ukraina raporton për sulm “masiv” nga Bjellorusia

RFE/RL

Ukraina ka thënë se është përballur me “bombardime masive” të shtunën nga Bjellorusia fqinje, e cila njihet si aleate e Rusisë, por jo e përfshirë zyrtarisht në konflikt.

Njëzet raketa kanë shënjestruar fshatin Desna në rajonin Çernihiv, ka thënë ushtria ukrainase përmes një deklarate, duke shtuar se infrastruktura është goditur, por ende nuk ka raportime për viktima.

Bjellorusia ka ofruar mbështetje logjistike për Moskën prej kur kjo e fundit ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Edhe Bjellorusia, sikurse Rusia, është përballur me sanksione të Perëndimit.

“Sulmet e sotme janë të lidhura drejtpërdrejt me përpjekjet e Kremlinit për të përfshirë Bjellorusinë si bashkëluftëtare në luftën në Ukrainë”, ka thënë shërbimi ukrainas i inteligjencës.

Sulmet kanë ndodhur para një takimi të planifikuar për të shtunën mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe homologut të tij bjellorus, Alexander Lukashenko në Shën Petersburg.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

blank

‘Nëse i marrim këto armë, do e fitojmë luftën’- Flet kryediplomati ukrainas

Nga Paul Ronzheimer, BILD

Në funksion të sulmeve masive ruse në Ukrainën lindore, qeveria ukrainase po kërkon dërgesa më të shpejta të armëve të rënda.

Në një intervistë për BILD, ministri i Jashtëm ukrainas, Dimitri Kuleba tha: “I bëj thirrje Gjermanisë dhe partnerëve të tjerë të përshpejtojnë dërgimin e armëve të rënda. Ju do bëni një ndryshim të vërtetë. Çdo armë na forcon dhe na mundëson t’i afrohemi ditës kur do të fitojmë paqen për veten dhe për të gjithë Europën”.

Më urgjentisht, vendi i tij ka nevojë për sisteme MLRS dhe artilerie 155 mm, thotë Kuleba për BILD. “Është e vërtetë që municionet e kalibrit sovjetik po mbarojnë, por rezervat tona të municioneve të kalibrit të NATO-s po rriten me shpejtësi. Ne kemi nevojë për më shumë sisteme për t’i përdorur ato”.

Por a po e humb aktualisht Ukraina betejën në Luhansk dhe në Donbas?

Kuleba: “Forcat ukrainase po përparojnë në disa vende në vijën e frontit, rusët në vende të tjera. Është një vijë e madhe fronti në luftën më të madhe në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe është e kuptueshme që terreni po ndryshon duart, ne po bëjmë përparime, por edhe po tërhiqemi”.

Dhe më tej: “Ka disa pjesë të vijës së frontit ku është tepër e vështirë për forcat e armatosura ukrainase të përballojnë terrorin e artilerisë ruse. Nuk mendoj se kjo është një arsye për të nxjerrë ndonjë përfundim. Lufta vazhdon dhe Ukraina është e vendosur ta fitojë atë. Dhe e vetmja arsye për problemet e fundit në rajonin e Luhanskut është se Rusia i është drejtuar terrorit barbar me artileri, ndërsa ne nuk kemi artileri të mjaftueshme për t’iu kundërvënë tyre”.

E thënë shkoqur nga ministri i Jashtëm i Ukrainës: Nëse Perëndimi i furnizon me armët që nevojiten, Ukraina do e fitojë këtë luftë!

Sepse në këtë mënyrë zhduket avantazhi aktual i terrorit të artilerisë ruse.

Kuleba shpjegon: “Ata kanë një avantazh në artileri dhe po e përdorin në maksimum. Por ky është avantazhi i tyre i vetëm. Nëse marrim një numër të mjaftueshëm armësh të rënda dhe sisteme moderne artilerie, do të jemi në gjendje ta kthejmë valën në favorin tonë”.

Bilanci i Kulebës pas katër muajsh luftë: “Ukraina ka dëshmuar se është e aftë të luftojë dhe të fitojë beteja. Pengesat aktuale në prokurimin e armëve të rënda nuk do ta dobësojnë vendosmërinë tonë. Ukraina do ta fitojë këtë luftë”.

syri.net


Send this to a friend