VOAL

VOAL

Tre operacione në një jave, Antimafia sekuestron 260 milionë euro kokainë Nga Alba Kepi

Një mega sekuestrim kokaine, për llogari të mafias kalabreze Ndrangheta,  është kryer në rajonin e Kalabrisë në Itali.

Autoritetet e Antimafias, Antidrogës e të Financës italiane kanë sekuestruar në portin Gioia Tauro të Reggio Calabrias, 1300 kg kokainë e cilësisë mjaft të pastër me vlerë tregu 260 milionë euro.

Sekuestrimi i drogës është bërë në tre operacione të ndara brenda një jave.

Kokaina ka mbërritur në portin kalabrez në 3 kontenjer që transportonin kafe, mish dhe fruta ekzotike.

Dy kontenierë vinin nga Brazili ndërsa i treti nga Ekuadori.

Sipas Autoriteteve policore italiane, kokaina trafikohej për llogari të mafias kalabreze Ndrangheta e ishte e një cilësie mjaft të pastër, e që do të sillte në treg një përfitim prej 260 milionë euro, raporton Ora News.

Mënyrat e fshehejes së drogë në kontajerat që mbërrijnë nga Amerika e Jugut shfaqen çdo herë në evolucion“, informon antidroga italiane , gjë që bën që ekspertët e tyre të përdorin metoda hetimi gjithnjë e më të sofistikuara./Ora News

Lajçak nuk pret marrëveshje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, u ka thënë përfaqësuesve të vendeve anëtare të bllokut, se nuk pret ndonjë marrëveshje të shpejtë për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit. Ai po ashtu u ka thënë shteteve anëtare se nuk do të organizojë ndonjë raund të ri të bisedimeve, derisa në Kosovë të mos formohen institucionet e reja, që pritet të dalin pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Lajçak ka folur para ambasadorëve në Komitetin për politikë dhe siguri, ku ka prezantuar punën e tij të deritashme, kur po afrohet fundi i mandatit të tij njëvjeçar. Ky mandat skadon në fund të muajt të ardhshëm dhe sipas burimeve diplomatike, ai pret që Këshilli i BE-së t’ia vazhdojë mandatin.

Sipas burimeve, që janë në dijeni të diskutimeve në komitetin përkatës, Lajçak ka thënë se nuk mund të flasë më për afatet kohore se kur mund të pritet ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Këtë, ai e ka arsyetuar me situatën politike në Kosovë dhe nevojën që të pritet formimi i institucioneve të reja. Lajçak, sipas këtyre burimeve, ka thënë se duhet pritur po ashtu që edhe Prishtina e Beogradi t’u tregojnë qytetarëve të vetë se çfarë kompromisesh janë të nevojshëm për një marrëveshje eventuale.

Paraqitja e Lajçakut para përfaqësuesve të 27 vendeve anëtare duket krejt e ndryshme nga ajo që ai thoshte në vit më parë, në fillim të mandatit. Në atë kohë ai thoshte se nuk ka kohë për të humbur dhe se do të punojë për arritjen e një marrëveshjeje sa më shpejtë që të jetë e mundur.

“Është çështje muajsh e jo vitesh”, thoshin atëbotë nga Bashkimi Evropian.

Çka mendojnë në Kosovë dhe Serbi për dialogun?

Lajçak ka folur edhe për nevojën e bashkëpunimit mes BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ka konfirmuar se pret mbështetje për punën e tij nga administrata e re amerikane e presidentit, Joe Biden.

Në këtë diskutim thuhet se shumë përfaqësues të vendeve anëtare të bllokut evropian, e kanë konsideruar si lehtësim të madh faktin se tash do të ketë një mbështetje amerikane për dialog. Madje disa burime thonë se Lajçak ka përmendur edhe termin “sabotim”, duke thënë se “tash nuk pret më sabotime nga Uashingtoni”, duke iu referuar aktiviteteve të ish-ambasadorit Richard Grenell, i cili ishte emëruar si i dërguar i posaçëm i ish-presidentit, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi.

Kështu, viti i parë i mandatit të Miroslav Lajçakut dhe ekipit të tij ka mjaftuar vetëm për ta quajtur si sukses të madh faktin se dialogu ka rifilluar.

Që nga muaji shtator i vitit 2020, nuk ka pasur më takime të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut. Edhe pasi ai kishte rifilluar në korrikun e kaluar, palët kanë pasur qëndrime të kundërta për shumë pika, sidomos rreth krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kosova ka refuzuar që të bisedohet për këtë temë, ndërkaq Serbia ka insistuar që Asociacioni të formohet, pasi ka argumentuar se ky është obligim që del nga Marrëveshja e Brukselit.

Bashkimi Evropian vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që ta zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin, duke rikujtuar se Kosova “ka marrë obligim për këtë edhe përmes miratimit të sajë në Kuvendin e Kosovës”.

I dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak ka thënë në këtë takim, sipas burimeve diplomatike evropiane, se ai nuk do të rifillojë nga zeroja, por do të vazhdojë aty ku kanë mbetur me dialogun dhe kjo do të ndodhë pasi të krijohen institucionet e reja në Kosovë.

Sa i përket bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në BE i gëzohen këtij bashkëpunimi, por nuk janë në gjendje të thonë nëse edhe BE-ja e ndan qëndrimin se qëllimi i dialogut duhet të jetë njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç ka kërkuar presidenti amerikan, Joe Biden në një letër dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

E pyetur se çfarë marrëveshje pret që të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë, BE-ja thotë se “pret marrëveshje për normalizim gjithëpërfshirës të raporteve, ligjërisht obliguese, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, standardet evropiane dhe të pranueshme për të gjitha vendet e Bashkimit Evropian”.

Nën ndërmjetësimin e BE-së, dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Pas një pauze 20-mujore, dialogu rinisi në korrikun e vitit 2020.

Takimi i fundit i udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë u zhvillua në shtatorin e vitit të kaluar.

Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës, Brukseli zyrtar ka paralajmëruar se nuk do të ketë takime në kuadër të dialogut.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 14 shkurt.

Estonia do të drejtohet për herë të parë nga një kryeministre

Dy partitë më të mëdha politike në Estoni, kanë arritur marrëveshje për të formuar qeverinë e re, e cila do të drejtohet nga një kryeministre grua për herë të parë në historinë e këtij shteti.

Këshilli i partisë së qendrës së djathtë, Partia e Reformës dhe këshilli i Partisë së Qendrës, kanë votuar të dielën në të mirë të bashkimit në një kabinet të udhëhequr nga Kaja Kallas, e cila drejton edhe Partinë e Reformës.

Të dyja partitë “do të formojnë qeverinë, e cila do të vazhdojë të përballet me krizën e pandemisë, do ta çojë përpara Estoninë dhe do të zhvillojë të gjitha zonat dhe rajonet e shtetit tonë”, kanë thënë këto parti përmes një deklarate.

Qeveria e re do të zëvendësojë kabinetin paraprak, i cili ka dështuar si pasojë e një skandali të korrupsionit më herët gjatë këtij muaji.

Kryeministri Juri Ratas, ka dhënë dorëheqje më 13 janar, për shkak të skandalit, mirëpo ka insistuar se ai personalisht nuk ka bërë asgjë të keqe.

Dorëheqje e tij ka rezultuar me shpërbërje të koalicionit qeveritar, andaj presidentja Kersti Kaljulaid i ka kërkuar lideres Kallas që të formojë qeverinë e re.

Kaljulaid është po ashtu presidentja e parë grua e këtij shteti.

Kaja Kallas, avokate dhe ish-ligjvënëse e Parlamentit Evropian, ka udhëhequr Partinë e Reformës prej vitit 2018.

Pjesë e kabinetit të saj do të jenë gra në pozita kyçe në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Jashtme. rel

Armin Laschet zgjidhet në vend të zonjës Angela Merkel në krye të CDU-së

VOA

Partia e qendrës së djathtë të kancelares Angela Merkel, zgjodhi të shtunën zotin Armin Laschet, guvernatorin pragmatik të shtetit më të populluar të Gjermanisë, si udhëheqësin e saj të ri, duke dërguar një sinjal të vazhdimësisë disa muaj para zgjedhjeve, në të cilat votuesit do të vendosin se kush do të jetë kancelari i ri.

Armin Laschet, 59 vjeçar, kryeministër i shtetit perëndimor Rhine-Westphalia, doli fitues përballë zotit Friedrich Merz, duke siguruar 521 vota të 1 mijë e një delegatëve të partisë.

Në krye të CDU-së (Unioni Kristian-Demokrat), ai zëvendëson politikanen mbizotëruese të Evropës dhe një fituese të vazhdueshme të votës gjermane që nga marrja e detyrës në vitin 2005, e cila ka thënë se nuk do të kandidojë përsëri për kancelare.

“Dua të bëj gjithçka në mënyrë që të qëndrojmë të bashkuar gjatë këtij viti … dhe pastaj të sigurohemi që kancelari i ri në zgjedhjet federale të jetë nga unioni (CDU / CSU),” tha zoti Laschet në fjalimin e tij të fitores.

Votimi i së shtunës nuk është vendimtar se kush do të jetë kandidat i qendrës së djathtë për kancelar në zgjedhjet e Gjermanisë më 26 shtator, por zoti Laschet ose do të kandidojë, ose do të ketë fjalën e fundit se kush do të jetë kandidati.

Papa Françesku: Bota ka nevojë për unitet e vëllazërim, që ta kapërcejë krizën

Intervista e Papës në TG5, prek problemet e mëdha të kohës: nga pandemia, tek mbrojtja e jetës; nga njerëzit e pambrojtur e vlera e unitetit, tek politika e Kisha… Françesku ndalet tek temat e mëdha të aktualitetit në këtë fillimviti. E i fton të gjithë të vaksinohen e ta rizbulojnë vlerën e fesë, si dhuratë e Zotit.

R. SH. -Vatikan

“Ta ndjejmë veten më të bashkuar, më pranë njeriut që vuan, vëllezër, që të mund ta kapërcejmë krizën botërore shkaktuar nga pandemia”. Në fillim të intervistës dhënë TG5, Françesku ripohon se “nga kriza nuk mund të dalim kurrë si më parë, kurrë! Mund të dalim më të mirë, ose më të këqij”. Për Papën “duhet rishikuar gjithçka”. Vlerat e mëdha janë gjithnjë të pranishme në jetë, por këto vlera duhet të gjejnë shprehjen e vet në jetën e këtij çasti”. Numëron, më pas, një sërë situatash dramatike, duke nisur nga fëmijët që vuajnë nga uria e nuk mund të shkojnë në shkollë, për të vijuar me luftërat, që trondisin shumë zona të planetit. “Statistikat e Kombeve të Bashkuara lidhur me këtë – nënvizon – janë të frikshme”. Kujton se po të dalim nga kriza “pa i shikuar mirë këto gjëra, dalja  do të jetë një disfatë e re”. E do të jetë edhe më e keqe. T’i shikojmë – kujton – vetem këto dy probleme: fëmijët e luftërat.

Vaksinimi është aksion etik, jo opcion

Papa i përgjigjet, pastaj, pyetjes së gazetarit Fabio Marchese- lidhur me vaksinat. “Unë – pohon – besoj se etikisht të gjithë duhet ta bëjnë vaksinën. Nuk është opcion, është aksion etik. Sepse ti luan me  shëndetin tënd, luan me jetën tënde, por luan edhe me jetën e të tjerëve”. Këtë mendim jep Papa për vaksinat, për të shpjeguar, më pas, se ditët e ardhshme në Vatikan do të nisë vaksinimi e edhe se është regjistruar për këtë. “Po, duhet bërë” – përsërit – “nëse mjekët e paraqesin si një gjë që mund të bëjë mirë e që nuk ka asnjë rrezik të veçantë, pse të mos e bëjmë. Vërehet një mohim vrasës lidhur me këtë, e unë nuk arrijë ta shpjegoj psenë”. Për Papën , kjo  është kohë “kur duhet menduar për ne e kur duhet shlyer për një farë kohe fjala unë, që duhet vënë ndër kllapa. O do të shpëtojmë të gjithë “ne”, ose nuk do të shpëtoj as unë e askush! Mbi këtë argument Papa foli gjërë e gjatë, duke u ndaluar posaçërsisht tek reflektimi, që i pëlqen aq shumë: ai mbi vëllazërimin. “Kjo – vërejti – është sfida: të bëhem i afërt me tjetrin, i afërm me situatat, i afërt me probelemet, të bëhem i afërt me njerëzit”. Armike e afërsisë është  “kultura e indiferencës”. Flitet – konstaton – “për një menefregizëm të drejtë ndaj problemeve, por menefregizmi nuk është asapak e asnjëherë i drejtë. Kultura e indiferencës është shkarrimtare, sepse më largon nga tjetri”

Është “koha e fjalës ne”, për  ta kaluar krizën

“Indiferenca – vijon – vret, sepse largon. Ndërsa fjala kyçe, kur mendojmë për rrugëdaljet nga kriza, është afërsi”. Nëse nuk ka unitet, afërsia – kujton qortueshëm Papa – “mund të kriojojë tensione shoqërore edhe brenda Shteteve”. Flet, kështu, për klasën drejtuese “në Kishë, ashtu si në jetën politike”. Në këtë çast krize – nxit – edhe e gjithë klasa drejtuese nuk ka të drejtë të thotë unë, duhet të thotë ne e të kërkojë unitetin përballë krizës. Në këtë çast – ripohon me forcë, “politikani, pastori, i krishteri, katoliku, edhe ipeshkvi e meshtari, që nuk ka aftësi të thotë “ne”, në vend të “unë”, nuk është në naltësinë e duhur të situatës”. E shton se “konfliktet në jetë janë të nevojshme, por në këtë kohë kaq të shqetë, duhet të shkojnë “me pushime” për t’i lëshuar rrugë unitetit “të vendit, të Kishës, të shoqërisë”.

Aborti, para se të jetë çështje fetare, është njerëzore

Françesku nënvizoi përsëri se kriza, pasojë e pandemisë, po e nxjerr edhe më në pah “kulturën e hedhurinës”, në dëm të njerëzve të ligshtë, qofshin të varfër, migrantë a pleq. E më pas u ndalua tek drama e abortit, që i flak fëmijët e padëshiruar. “Aborti – nënvizoi – është problem njerëzor, para se fetar, problem i etikës njerëzore, e pastaj edhe fetare. “Është problem, të cilin edhe ateisti duhet ta zgjidhë në ndërgjgjen e vet. A është e drejtë – pyeti Papa – ta shkatërrosh jetën njerëzore, për të zgjidhur një problem, çfarëdolloj problemi qoftë? A është e drejtë të paguash një vrasës për ta zgjidhur këtë problem?”.

Capitol Hill, të mësohet nga historia: kurrë dhunë!

Papa kujtoi edhe faktet dramatike të 6 janarit të kaluar në Capitol Hill. Pohoi se mbeti i habitur, duke pasur parasysh disiplinën e popullit të SHBA-ve dhe pjekurinë e demokracisë së tyre. Gjithsesi – vijoi – edhe në realitetet që kanë arritur kulmin e pjekurisë, ka gjithnjë diçka që nuk shkon, ka njerëz që marrin rrugën e cila të çon kundër bashkësisë, kundër demokracisë, kundër së mirës së përbashkët. Tani që shpërtheu revolta, vijoi, u bë e mundur të “shihet mirë” fenomeni e edhe mundësia për zgjidhjen e tij. Françesku e dënon dhunën: “Duhet të reflektojmë e ta kuptojmë mirë e, për të mos u përsëritur, ta nxëmë mirë edhe mësimin e  historisë”. Këto grupe të parregullta, që nuk e kanë gjetur ende vendin  e tyre  në gjirin e shoqërisë, heret a vonë do t’i krijojnë këto situata dhune” – pohoi.

Feja, dhuratë për t’u kërkuar nga Zoti

Papa kujtoi, në fund, se edhe ai po i jeton personalisht shtrëngimet e shkaktuara nga pandemia. Pohoi se e ndjen veten “si në kafaz”, kujtoi shtegtimet e anuluara për të shmangur grumbullimin e turmave,  shprehu besimin se do ta vizitojë Irakun. Në këto kushte pohoi se i  kushton më shumë kohë lutjes dhe bisedave telefonike, për të kujtuar, më pas, sa të rëndësishme ishin për të disa  çaste, si Statio Orbis, në Shën Pjetër, më 27 marsin e kaluar, parë si “shprehje e dashurisë për gjithë njerëzit”, që të bën “të shikosh rrugë të reja për të ndihmuar njëri-tjetrin”. Reflektoi, kështu, për  besimin në Zotin që – kujtoi –  është mbi të gjitha, dhuratë. Për mua – nënvizoi – feja  është dhuratë. “As ti, as unë e asnjëri nuk mund ta ketë fenë me forcat e veta: është dhuratë, që na e fal vetë Zoti” e që nuk mund të shitet as të blihet. E, duke kujtuar një fragment nga Libri i Ligjit të Përtërirë, Papa i nxiti të gjithë të kërkojnë “afërsinë e Zotit”. Kjo afërsi në fe, është dhuratë, të cilën duhet ta kërkojmë!

Intervista përfundon me urimin që në vitin 2021 “të mos ketë hedhurina, të mos ketë as sjellje egoiste e uniteti të ketë epërsi mbi konfliktet”./RSH Vatikan

E djathta ekstreme në Evropën Lindore dhe Ballkan përkrah dhunën në SHBA

Robert Coalson

Vëzhguesit në mbarë botën u shokuan kur panë protestuesit e dhunshëm teksa sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan, në një përpjekje të dëshpëruar dhe të dhunshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve legjitime presidenciale, me qëllim që t’i japin edhe një mandat të dytë presidentit aktual, Donald Trump.

Por komentuesit nga e djathta ekstreme e spektrit politik në Evropën Lindore dhe në Ballkan, në shumë raste, u inkurajuan nga ajo që panë. Shumë nga ta ndanë kohën nga festimet për Krishtlindjen Ortodokse më 7 janar, për të treguar solidaritetin e tyre me protestuesit në SHBA, shumë prej të cilëve gjatë protestës valëvitën flamurin e Konfederatës amerikane, një simbol racist.

Një protestues mban flamurin e Konfederatës, pasi ka hyrë në Kongresin amerikan. Uashington, 6 janar, 2021.

Një protestues mban flamurin e Konfederatës, pasi ka hyrë në Kongresin amerikan. Uashington, 6 janar, 2021.

Andreas Umland, që shkruan ekskluzivisht mbi ekstremizmin politik në mbarë botën, shkroi në Facebook, se Trump nuk është i ndikuar ideologjikisht siç janë figurat djathtiste në mbarë botën.

“Termat e tillë si ‘fashist’ nuk tingëllojnë aq mirë për të, pasi terma të tillë kanë në vete një shkallë minimale të informacionit ideologjik, i cili, Trumpit thjesht i mungon”, tha ai.

“Megjithatë, ai pëlqehet nga e djathta ekstreme – jo vetëm në SHBA, por në mbarë botën”, shkroi Umland.

Anton Shekhovtsov, ligjërues në Universitetin e Vjenës, që është ekspert në neo-nazizëm dhe lëvizje të tjera ekstremiste në Rusi dhe gjetkë, pajtohet me këtë, duke thënë se Trumpi bën pjesë në mesin e “populizmave bashkëkohorë të djathtë në Evropë” që “bazohen në kombinimin e një nativizmi, autoritarizmi dhe populizmi”.

“Jo vetëm që ata operojnë brenda kornizave të demokracisë”, shkroi ai në një ese për ueb-faqen Eurozine, por “ata gjithashtu pretendojnë se janë demokratë më të mirë – një ide anti-establishment që rezonon te shumë votues të pakënaqur”.

Një numër i madh i figurave të së djathtës ekstreme në Evropën Lindore dhe në Ballkan, gjetën mbështetje për pikëpamjet e tyre gjatë ngjarjeve të dhunshme që u panë në Shtetet e Bashkuara.

Në Ukrainë, Serhiy Korotkikh, lider i Lëvizjes Azov e së djathtës ekstreme, që nga Departamenti Amerikan i Shtetit është cilësuar si “grup nacionalist i urrejtjes”, ka mirëpritur trazirat në SHBA, duke përdorur terma racist.

“Të bardhët më në fund vendosën të veprojnë dhe të marrin nën kontroll ndërtesën e Kongresit”, shkroi ai në rrjetin Telegram.

“Kjo është gjë e mirë edhe pse kësaj here mund të mos çojë askund. Por, mendoj se na jep neve një shans. Të bardhët janë ende këtu dhe ne e dimë çfarë të bëjmë”, tha ai.

Uashingtoni nën dry
Fotogaleri

Uashingtoni nën dry

Gjithashtu në Ukrainë, Andriy Portnov, ish-ligjvënës dhe zëvendësshef i stafit i presidentit pro-rus, Viktor Yanukovych – që u largua nga pushteti përmes protestave më 2014 – shkroi në telegram se “kryengritja” në Uashington “ishte turpi i një banana republike”.

“Çdo glorifikim i mëtejmë i gusht-shtetit tonë lokal duket edhe më qesharak dhe më margjinal (se më parë)”, shkroi ai.

Në Bjellorusi –ku po mbahen protesta që prej zgjedhjeve presidenciale të gushtit të vitit të kaluar, ku Alyaksandr Lukashenka pretendon se ka fituar mandatin e gjashtë – një kanal pro Lukashenkës në rrjetin Telegram, tentoi të paraqiste një standard të dyfishtë ndërmjet protestave bjelloruse dhe trazirave në Uashington.

“Le t’i emërojmë gjërat ashtu siç e kanë emrin. Nuk ishte kryengritje, por ‘një protestë paqësore, e mbrojtur nga amendamenti i dytë i Kushtetutës”, u shkrua në këtë kanal, duke iu referuar amendamentit të Kushtetutës amerikane, ku garantohet e drejta për të mbajtur armë.

“Ata nuk ishin protestues të dhunshëm, por ‘luftëtarë të vlerave demokratike’. Nuk kishte masakër në Kongres, por ‘një ekskursion arsimor me elemente interaktive’”.

Esenca e shumë postimeve të këtij kanali ishte mbi temën se Bjellorusia është më mirë nën dorën e hekurt, me të cilën autoritari Lukashenka ka udhëhequr me vendin që prej vitit 1994, sesa që të ndjekë shembullin e demokracive liberale të Perëndimit.

Kreu i Lëvizjes për ndryshim në Mal të Zi, Nebojsha Medojviq, i cili është pro-serb dhe pro-rus – po ashtu një entuziast i madh i Trumpit dhe i teorive konspirative që e përshkruajnë COVID-19 si një mashtrim nga ‘satanistët botërorë’ – në postime në Twitter e ka përshkruar Trumpin si “presidentin e parë amerikan, që prej Kennedyt, që ka kundërshtuar anarkinë dhe nga personat që sundojnë nga prapaskenat”.

“Ata duhej që të organizonin një vjedhje të madhe zgjedhore dhe të shkatërronin demokracinë në mënyrë që ta ndalonin atë”, shkroi Medojeviq, duke përkrahur pretendimet për mashtrime në zgjedhjet presidenciale amerikane të nëntorit të vitit të kaluar.

Ngjarjet në Uashington rezonancën më të fortë e gjetën në figurat e së djathtës dhe nacionalistët në Serbi. Nikola Sanduloviq, kreu i Partisë Nacionaliste Republikane, postoi në Twitter një fotografi të një mbështetësi të Trumpit, që përdhoste statujën e ish-presidentit amerikan, Gerald Ford, që gjendet brenda Kongresit, dhe me shkronja të mëdha shkroi: “Era e lirisë, drejtësisë dhe së vërtetës”.

Ai, po ashtu, postoi një dokument të ish-avokates së fushatës së Trumpit, Sindey Powell, dhe pretendonte se ajo përmbante dëshmi për ndërhyrjen e SHBA-së në zgjedhjet serbe përmes kompanisë që ofron shërbime për zgjedhje, Dominion. Këto pretendime të Powell se kompania Dominion ka qenë e përfshirë në mashtrime zgjedhore, janë diskredituar.

Një llogari e nacionalistëve serbë në Twitter, e quajtur “Slobodni Boem” ka shkruar: “Nuk ka rëndësi nëse Amerika bie tani apo pas 100 a 500 vjetësh. Serbia do të jetë këtu për ta parë këtë gjë”.

Njësoj edhe llogaria në Twitter, e quajtur “Srbski Info Shtab” ka mbështetur dhunën në Uashington dhe ka thënë se ka demonstruar se “diktatorët botërorë” duhet të ndryshojnë menjëherë gjërat në Amerikë “duke instaluar një sistem diktatorial”.

“Por, kjo gjithashtu do të thotë se ka rezistencë”, thuhet tutje në postim. “Një lëvizje të rezistencës”.

Nacionalisti serb, Dejan Beriq, që ka luftuar përkrah mercenarëve rusë në lindje të Ukrainës, ka postuar një video në YouTube, duke i bërë thirrje zyrtarëve të rendit në SHBA, që të mos përdorin dhunë ndaj “protestuesve paqësorë” ose të mos “shkelin të drejtën e tyre për të shprehur pakënaqësitë ndaj qeverisë”.

Ai, po ashtu, përdori sarkazëm duke thënë se refuzon që ta njohë presidentin e zgjedhur amerikan, Joe Biden, dhe bëri thirrje që të vendosen sanksione ndaj personave që e njohin Bidenin si president të zgjedhur të SHBA-së.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Merkel: E zemëruar dhe e trishtuar me ngjarjet në Kongresin amerikan

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se ishte e “zemëruar dhe e trishtuar” nga protestat e dhunshme në Kongresin amerikan.

“Rregull thelbësor në demokraci është që, pas zgjedhjeve, ka fitues dhe humbës. Që të dyja palët duhet të luajnë rolin e tyre me mirësjellje dhe përgjegjësi, në mënyrë që demokracia të fitojë. Presidenti (aktual amerikan, Donald) Trump fatkeqësisht nuk ka pranuar humbjen që prej zgjedhjeve të nëntorit, e as dje (më 6 janar) nuk e bëri një gjë të tillë”, tha Merkel para ligjvënësve gjermanë.

Kancelarja Merkel, megjithatë tha se inaugurimi i Joe Biden, si president i SHBA-së më 20 janar, do të hapë “një kapitull të ri” në demokracinë amerikane.

“Është tragjike humbja e jetës së njerëzve gjatë ngjarjeve të kësaj nate. Por, për mua ka shpresë sepse Kongresi e vazhdoi punën. Kongresi konfirmoi fitoren në zgjedhje të Joe Bidenit dhe Kamala Harrisit. Shtetet e Bashkuara do të hapin një kapitull të ri në demokracinë e tyre për më pak se dy javë”, tha kancelarja gjermane.

Më 6 janar, teksa nisi punimet Kongresi amerikan, protestues të dhunshëm, mbështetës të Trumpit, hynë në ambientet e Kongresit. Autoritetet thanë se gjatë protestave të dhunshme kanë vdekur katër persona.

Pasi nga Kongresi u larguan protestuesit, ligjvënësit certifikuan fitoren e Joe Bidenit në zgjedhjet e 3 nëntorit të vitit 2020. rel

Politikani italian vritet nga i biri, dhunohet barbarisht me gurë pas konfliktit për biznesin familjar

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në Itali.

Është gjetur i vrarë një politikan në zonën e Bergamos.

Politikani Franco Colleoni, 68 vjeç u gjet i vrarë përballë shtëpisë së tij dhe restorantit që kishte në pronësi.

Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti me të birin Francesco, 34 vjeç, me të cilin kishte konflikte të shpeshta për shkak të restorantit në pronësi të familjes së tyre.

Një nga fëmijët e viktimës, Francesco 34 vjeç, pas një sherri me Franco Colleonin për rihapjen e restorantit të tyre “Il Carroccio” degjeneroi në përdorimin e dhunës barbare nga 34-vjeçari, i cili në fund i gjuajti të atit disa herë në një gur në kokë.

Sipas mediave italiane motivi i ngjarjes janë marrëdhëniet e këqija familjare dhe në ato që lidhen me menaxhimin e restorantit familjar.

Gjatë natës, i arrestuari pranoi konfliktet me babanë e tij, por shprehej se nuk mbante mend asgjë për ngjarjen.

Franco Colleoni, 68 vjeç u gjet i vrarë përballë shtëpisë së tij dhe restorantit që kishte në pronësi. 68-vjeçari ishte sekretar i “Lega Nord” në Bergamo për 5 vite.

Papa Françesku mban lutjet ‘Urbi et Orbi’ për Krishtlindje: Përballë sfidës pa kufij mos ngremë mure

Papa Françesku ka mbajtur lutjet ‘Urbi et Orbi’ në Vatikan në ditën e Krishtlindjes. Papa ka bërë thirrje për ndërgjegjësim nga bashkësia ndërkombëtare që të garantojnë shpërnadrjen e vaksinës si shpëtim për të gjithë.

Ai deklaroi se përballë pandemisë që nuk ka kufij, qeveritë e vendeve duhet të punojnë që të ketë një bashkëpunim ndërkombëtar për vaksinën që të gjithë ta kenë atë.

Papa vazhdimisht ka kritikuar ashpër nacionalizmin për vaksinën.

“U bëftë që biri i Zotit të ripërtërijë në drejtuesit politikë dhe qeveritarë një frymë bashkëpunimi ndërkombëtar, duke filluar me kujdesin shëndetësor, në mënyrë që të gjithë të sigurohen aksesi në vaksina dhe trajtim. Përballë një sfide që nuk njeh kufij, ne nuk mund të ngremë mure. Të gjithë jemi në të njëjtën varkë, ”-tha Papa.

Gazetari spanjoll: Mafia shqiptare po mbjell malet tona me kanabis

Ferran Barber, gazetar spanjoll, në një lidhje me Skype në Syri Tv, tha se mafia shqiptare po i mbjell malet e Spanjës me kanabis.

“Mafia e madhe shqiptare ka gjetur mënyrën se si të kultivojë sasi të mëdha kanabisi në thellësi të territoreve të zbrazëta në Pirenej. E kam fjalën për malet që janë përpara vargmalit që ndan Spanjën nga Franca. Të gjitha këto parcela gjenden në këto vargmale”.

“Bëhet fjalë për plantacione shumë të mëdha. Ato ruhen nga shqiptarë, rumunë, libanezë, etj. Ka edhe plantacione në ambiente të brendshme”.

“Këtu bëhet fjalë për një fenomen të ri. Hetuesit janë të qartë se ka një model të përsëritur që konsolidon idenë se mafia shqiptare po shfrytëzon këto male për të zgjeruar biznesin e tyre.

Keni dëgjuar për Frankon, për diktatorin tonë. Ai ishte Enver Hoxha ynë. Ai pëlqente të ndërtonte diga. Ai vetëm vendoste gishtin në hartë dhe thoshte do ndërtohet këtu. Kjo do të thotë se ka disa zona të egra në veri të vendit, ku nuk banon askush, por është interesante se këto sipërfaqe në mal kanë të njëjtin mot dhe karakteristika mesdhetare si Shqipëria. Pra mafias nuk i duhet të marrë një farë të veçantë. Merr atë që është në Shqipëri. As nuk i duhet të zhvendosë biznesin në Europën Perëndimore sepse Spanja është në Europën Perëndimore.

Forcat spanjolle kanë gjetur plantacione të mëdha me mijëra bimë të fshehura në këto zona. Kjo është një deja-vu e asaj që po ndodhte në Shqipëri,” u shpreh ai.

Aktiviteti i tyre ka nisur në vitet ’90. Fillimisht ata janë marrë me grabitje dhe me trafikim të qenieve njerëzore. Ndërsa tashmë, gjithçka ka avancuar. Shqiptarët dhe rumunët kanë rol të rëndëishëm në trafikun e drogës në Spanjë. Një pjesë të biznesit të tyre, ata e kanë transferuar në Pirenej. Ka pasur sasi të vogla nga banorët e zonës, ndërsa tani bëhet fjalë për një biznes më të madh e më të rrezikshëm. Janë plantacione të mëdha, shumë shqiptarë janë vënë në pranga.

Diçka e tillë nuk është vënë re kurrë më parë. Një gazetar shqiptar më ka thënë se këtu po bëjnë pikërisht atë që po bëjnë më parë edhe në Itali. Ka vende në Spanjë që janë të virgjëra dhe të pabanueshme nga vendasit dhe për këtë arsye, ata e kanë të lëhtë të shkojnë drejt tyre dhe ta pushtojnë atë vend. Rojet e tyre zakonisht mbajnë thika edhe armë zjarri ndonjëherë. Para gjashtë mujash madje kanë qëlluar edhe ndaj policisë vendase. Por ata nuk ruhen vetëm nga autoritetet por edhe nga hajdutët.

Ata ndërtojnë magazina dhe mund të jetojnë në kampe prej muajsh, pa dalë prej aty që të mos ekspozohen. Në operacione të ndryshme që zhvilluara nga policia gjithçka është filmuar dhe aty është vënë re edhe përfshirja e mafias shqiptare. Shqiptarët nuk kanë nevojë as për bashkëpunimin e vendasve. Janë vende që nuk i njohin as spanjollët. Nuk i imagjinoni dot se si i gjejnë dhe se si i kamuflojnë parcelat me kanabis,”- tha Barber.

Kryeministri spanjoll në karantinë pasi Macron rezultoi pozitiv ndaj COVID-19

Madrid

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez është në karantinë për shkak të kontaktit të tij kohët e fundit me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, i cili sot rezultoi pozitiv me koronavirus, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sanchez dhe Macron darkuan së bashku në Pallatin Elysee të hënën, së bashku me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OCDE), Angel Gurria.

Dreka private ishte në festimin e 60-vjetorit të OCDE-së.

Mediat spanjolle njoftuan se sapo u njoftua rezultati pozitiv i Macronit, Sanchez i tha mbretit se ai nuk do të merrte pjesë në ndonjë ngjarje zyrtare dhe se do të hyjë në vetëkarantinë për një javë.

Sanchez ishte vendosur të merrte pjesë në një ngjarje me Mbretin Felipe VI në mesditën e sotme por nuk do të paraqitet aty.

Kryeministri duket të jetë pa simptoma për momentin dhe do të bëjë një test PCR, sipas protokollit shëndetësor spanjoll.

Kjo nuk është hera e parë që Sanchez vjen në kontakt të ngushtë me virusin.

Në mes të marsit, gruaja e tij dhe ministra të ndryshëm të kabinetit dolën pozitivë me koronavirusin, por kryeministri spanjoll nuk hyri në karantinë të rreptë dhe mori pjesë në një seri takimesh.

Në atë kohë, krye-epidemiologu spanjoll, Fernando Simon arsyetoi veprimet e Sanchezit, duke thënë se ka “përjashtime” nga karantinat në situata të caktuara.

Sulmi në zyrat e revistës Charlie Hebdo në Paris, 14 persona shpallen fajtorë

Një gjykatë në Paris ka shpallur fajtorë 14 persona për bashkëpunim në një seri të sulmeve vdekjeprurëse islamiste. Në janar të vitit 2015, si pasojë e sulmeve në zyrat e revistës, Charlie Hebdo dhe një dyqani hebre, kanë lënë të vdekur 17 persona. Njëmbëdhjetë të pandehurit janë paraqitur para gjykatës për të marrë vendimin të mërkurën, derisa tre janë në arrati.

Një prej të pandehurve që nuk ka qenë në gjykatë është Hayat Boumeddiene, partneri i Amedy Coulibaly, i cili është vrarë gjatë sulmit në dyqanin hebre. Boumeddiene, i cili ka ikur në Siri një javë para sulmeve, është shpallur fajtor për financim të terrorizmit dhe anëtarësimit në një rrjet kriminal terrorist. I pandehuri kryesor në gjykatë ishte Ali Riza Polat, i cili është shpallur fajtor për bashkëpunim në krim.

Të gjithë 14 të dënuarit janë shpallur fajtorë për një mori akuzash, përfshirë pjesëmarrjen në rrjet kriminal, e deri në bashkëpunim për sulmet e janarit të vitit 2015. Akuzat për terrorizëm janë hedhur poshtë për gjashtë prej 11 të pandehurve në gjykatë, të cilët janë shpallur fajtorë për krime më të vogla.

Kjo seancë gjyqësore, që është shtyrë vazhdimisht për shkak të pandemisë së koronavirusit, është zhvilluar në një periudhë kur Franca po përballet me një seri të sulmeve islamiste, si dhe me rikthim të debatit për karikaturat që shpërfaqin Profetin Muhamed. Më 2020, mësuesit Samuel Paty i është prerë koka afër shkollës ku punonte, nga një çeçen, disa ditë pasi ai u kishte ligjëruar nxënësve të tij për rëndësinë e fjalës së lirë.

Kryeministri i Bavarisë Markus Söder (53, CSU): Në Gjermani po aplikohet një lloj triage – Bergamo është më afër se mendon njëri apo tjetri !

Voal. ch – A kërcënohet me shembje sistemi shëndetësor gjerman?

Pas takimit të Koronës, Kryeministri i Bavarisë Markus Söder (53, CSU) paralajmëroi urgjentisht për mbingarkesë dhe të ashtuquajturin triazh.

“Ka tashmë njëfarë triage në Gjermani,” tha Söder.

Kjo do të thotë: Pacientët kategorizohen sipas ashpërsisë së sëmundjes së tyre –

kushdo që ka shansin më të madh për të mbijetuar trajtohet,

të gjithë të tjerët jo.

Në Bergamo, Itali, kjo ishte pikërisht ajo që ndodhi në pranverë.

Söder dje: “Bergamo është më afër sesa mendon njëri ose tjetri”.bild.de/EB/

Gjermania e gjitha në Lockdown – Merkel: Jemi të detyruar të veprojmë – Çdo tre minuta vdes një njeri nga korona në Gjermani

Nga 16 dhjetori deri më 10 janar Gjermania kalon në një mbyllje të dytë, përjashtim të pjesshëm do të ketë vetëm për tri ditët e festave të Krishtlindjeve.

Nga 16 dhjetori e deri më 10 janar Gjermania do të mbyllet sërish: Jemi të detyruar të veprojmë” tha Kancelarja gjermane Angela Merkel në një konferencë shtypi të dielën, më 13 dhjetor, në Berlin. Mbyllja e lehtë që kemi filluar qysh në 2 nëntor ka arritur një sukses të pjesshëm. “Arritëm ta ndalnim për ca kohë rritjen eksponenciale”, tha kancelarja, “por prej disa ditësh kemi sërish një rritje eksponenciale.”

 

Çfarë mbyllet, çfarë qëndron e hapur?

Do të mbylljen dyqanet e tregtisë me pakicë, me përjashtim të dyqaneve për nevojat e përditshme. Restorantet mbeten të mbyllura dhe do të kenë të drejtë të shesin vetëm gjellë për t’u konsumuar në shtëpi. Po ashtu nuk do të lejohet konsumimi i alkoolit në vende publike. Gjithashtu mbyllen edhe floktoret, studiot e kozmetikës, tatuazhit, masazheve etj.

Shkollat, kopshtet, dhe institucionet e kujdesit ditor. Përjashtim do të ketë, sikurse në verë, vetëm për fëmijët, prindërit e të cilëve nuk kanë mundësi të kujdesen vetë për ta, sepse janë në punë ku nevojitet prania fizike. Mësimi shkollor për këtë periudhë, ose do të ndërpritet, ose do të kalohet në distancë. Këtë e vendos secili land më vete.

 

Kontaktet reduktohen

 

Kontaktet duhet të reduktohen në maksimum, kërkoi kancelarja. Deri tani lejohen vetëm tubime me pesë vete, me anëtarë nga maksimumi dy familje, mundësisht gjithmonë të njëjtat. Përjashtim do të ketë nga data 24 deri në 26 dhjetor. Përveç familjes mund të ftohen edhe katër të afërm të gradës së parë, plus fëmijë deri në 14 vjeç. Por jo të tjerë. “Nëse ftoni të tjerë mundësisht t’i reduktoni të gjitha kontaktet për një jave”, tha kancelarja.

Kancelarja gjermane u bëri thirrje punëdhënësve që ose t’i lejojnë punonjësit të punojnë nga shtëpia, ose t’u japin leje, në mënyrë që të reduktohen sa më shumë kontaktet.

Veç të tjerash kancelarja u kërkoi qytetarëve që mundësisht të mos udhëtojnë gjatë Krishtlindjeve. Meshat dhe shërbesat fetare do të mbeten të hapura. “Jemi duke biseduar me kishat për konceptet higjenike”, tha kancelarja. Për të reduktuar

kontaktet do të ndalohet përdorimi i fishekzjarrëve, dhe po ashtu edhe pirja e pijeve alkoolike në publik.

Që tani po përdoret sistemi triazhë

Kryeministri i Bavarisë, Markus Söder tha në drejtim të kundërshtarëve të masave të qeverisë se “korona është katastrofë”. Çdo tre minuta vdes një njeri nga korona në Gjermani, tha ai. Në Bavari, ku numri i incidencës shtatëditëshe është mbi 200 në çdo 100 mijë banorë në shtatë ditët e fundit, në disa vende po përdoret që tani sistemi triazhë. Pra, mjekët vendosin se kush do të intubohet e kush jo”, tha Soeder, Bergamo është shumë më afër se sa mendon ndokush, tha politikani kristiansocial.

Söder tha edhe se parashikon që kjo mbyllje nuk do të mbetet me kaq, por do të zgjasë edhe pas datës 16 janar. “Përvoja tregon se vala e dytë dhe e tretë e pandemisë është edhe më e fortë se e para”, tha politikani kristiansocial.
Ndihma për ekonominë

Ministri i Financave, Olaf Scholz, tha se qeveria sërish do t’u vijë në ndihmë bizneseve që do të kenë humbje për shkak të mbylljes. Ai tha se janë parashikuar ndihma ekonomike deri në 500 mijë euro për sipërmarrje. Korona do t’i kushtojë taksapaguesit gjerman 11 miliardë euro në muaj.

“Dhe kjo është në rregull, sepse kemi të bëjmë me gra dhe burra që kanë punuar gjithë jetën e tyre për të ngritur këto biznese dhe me shumë njerëz që janë të punësuar në to”, tha ministri socialdemokrat. Scholz tha më tej, se shifrat e larta tregojnë gjithashtu se sa seriozisht duhen marrë këto masa nga qytetarët. Në buxhetin vjetor të vitit të ardhshëm, i cili u miratua të premten në Bundestag, janë vënë në dispozicion 39,5 miliardë euro shtesë ndihma ekonomike për sipërmarrjet, plus 25 miliardë për masat për luftimin e pandemisë.

 

Vaksina vjen në janar

 

E pyetur se kur do të mbërrijë vaksina në Gjermani dhe sa e sigurt është, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se pret që deri më 29 dhjetor Autoriteti Evropian për Licencimin e Barnave Farmaceutike, EMA, do të ketë marrë një vendim. “Pastaj vaksina do të shpërndahet menjëherë në të gjitha vendet e BE-së”, tha kancelarja.

Ajo tha se nuk duam të ushtrojmë presion politik ndaj Autoritetit, në mënyrë që të licencojë një vaksinë të sigurt. Merkel tha se ka besim te ky autoritet dhe se EMA merr në konsideratë edhe ekspertizat e autoriteteve kombëtare të vendeve anëtare, siç është instituti Paul Ehrlich në Gjermani.

Shifrat në rritje

Instituti Robert Koch (RKI) në Berlin lajmëroi se të dielën është rritur numri i infeksioneve të reja: 20.200 raste të reja dhe 321 vdekje të tjera u numëruan brenda 24 orëve. Në total, numri i infektimeve ka shkuar në mbi 1,3 milionë, dhe deri tani korona u ka marrë jetën 21. 787 vetëve.

Sipas RKI-së, e ashtuquajtura incidencë shtatë ditore është rritur deri në 169,1. Incidenca tregon se sa infektime të reja ka pasur në shtatë ditët e fundit në 100 000 banorë. Për RKI-në, situata është e menaxhueshme vetëm nëse numri infektimeve të reja është deri në 50 për 100 mijë banorë. Vetëm në këtë nivel mund të gjurmohet zinxhiri i infektimeve dhe të parandalohet përhapja.

Modestia e kancelares

Kancelarja Angela Merkel mbajti të mërkurën një fjalim emocional në parlamentin gjerman, ku kërkoi sërish mbyllje më të ashpër për të gjithë Gjermaninë. Më parë kërkesat e saj kishin dështuar prej kundërshtimit të kryeministrave të disa landeve federale, të cilat nuk i pranonin kufizimet. Vendimet e marra sot në Berlin u diktuan nga shifrat, dhe përkonin me kërkesat që bëri kancelarja të mërkurën në Bundestag.

Një gazetar donte të dinte, se a mendonte kancelarja që kishte pasur të drejtë? Përgjigja e 66-vjeçares vërtetoi edhe njëherë një nga vetitë e saj karakteristike, shmangien e lavdërimit per veten: “Nuk është sot koha për të parë se ç’ka qenë në të kaluarën”, tha ajo./DW

Helga Schmid emërohet Sekretare e Përgjithshme në OSBE

Vjenë

Katër drejtues të lartë u emëruan të premten në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), duke përfshirë Sekretaren e re të Përgjithshme Helga Schmid, raporton Anadolu Agency (AA).

Schmid, Sekretarja e Përgjithshme gjermane e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm, krahu diplomatik i BE-së, është e njohur për aftësitë e saj diplomatike, veçanërisht nënshkrimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin në vitin 2015.

Gjithashtu, Sekretarja e Shtetit e Portugalisë për Punët e Jashtme Maria Teresa Ribeiro u emërua si përfaqësuese për lirinë e medias.

Ish-ministri i Jashtëm i Kazakistanit Kairat Abdrakhmanov u emërua komisioner i lartë për pakicat kombëtare dhe politikani italian Matteo Mecaci tani është drejtori i zyrës për institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut.

Zyrtarët e lartë u emëruan unanimisht nga 57 shtete anëtare gjatë takimit të 27-të të Këshillit Ministror të OSBE-së në Tiranë të Shqipërisë.

Kryeministri shqiptar dhe kryesuesi i OSBE-së Edi Rama tha se ishte shumë e rëndësishme që vendet të merrnin angazhime të reja në drejtim të parandalimit të torturave si dhe për të forcuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai e përshkroi mbledhjen si takimin më të frytshëm në vitet e fundit.

Rama vuri në dukje se grupi është i gatshëm të sigurojë mbështetje për Suedinë e cila do të marrë presidencën e OSBE-së më 1 janar.

Shkrimtari italo-shqiptar Eltjon Bida me romanin e tij midis 20 finalistëve për Çmimin Ndërkombëtar Distojevski

voal.ch – Shkrimtari italo-shqiptar Eltjon Bida është i lumtur dhe këtë gjendje emocionale e lajmëron edhe në rrjetin social sepse libri i tij i shkruar në italisht ! “C’era una volta un clandestino” – “Ishte një herë një klandestin” është rendidur në 20 librat më të mirë finalistë për  Çmimin Ndërkombëtar Distojevski –  Premio Internazionale Dostoevskij. Romani i tij është edhe fitues i dy çmimeve të tjerë po prestigjiozë.

Romani tregon aventurën e një djali të vogël që largohet nga Shqipëria si klandestin dhe sot ai është pjesë e jetës letrare italiane.  voal.ch i uron që të jetë fituesi dhe suksese të mëtutjeshme!

 

 

Nga viti 2022, Gjermania ndalon përdorimin e qeseve plastike

Berlin

Që nga janari i vitit 2022, Gjermania ka vendosur të ndalojë qeset plastike njëpërdorimëshe, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një ligji të miratuar në Bundestag, ndalimi përfshin qeset plastike me trashësi prej 15 deri në 50 mikrometra dhe qeset e holla plastike që gjenden në seksionet e frutave dhe perimeve.

Ministrja e Mjedisit, Svenja Schulze, deklaroi se në vend të qeseve plastike, shportat e pazarit dhe torbat e pëlhurës që mund të lahen janë alternativa të mira.

Fondi Botëror i Kafshëve të Egra (WWF) mbron pikëpamjen se ndalimi i qeseve plastike ka një kuptim simbolik. WWF kërkon që qeset plastike të përdorura gjatë bërjes pazar në Gjermani të zvogëlohen në të gjitha fushat, pasi përbëjnë një për qind të të gjithë përdorimit të plastikës në vend.

Pasi qeset plastike u bënë të pagueshme në vitin 2015 në Gjermani, përdorimi i qeseve u ul me 64 për qind.

Një person në vend përdor mesatarisht 24 qese plastike në vit. Plastika mund të tretet për 400 vjet në ujë dhe 800 vjet në tokë.

Hagë: Mandati i Gjykatës së Posaçme për Kosovën – deri në njoftimin e Këshillit të BE-së

Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në Hagë, tha të enjten se mandati i Gjykatës së Posaçme të Kosovës do të zgjasë deri në një njoftim të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Vendimi i saj pasoi kërkesën e ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të bërë më 24 gusht që parlamenti i Kosovës të amendamentojë nenin 162 të Kushtetutës në bazë të të cilit është themeluar Gjykata e Posaçme, në gusht të vitit 2015, e cila trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Në propozimin e presidentit Thaçi dërguar kryesisë së parlamentit kërkohej ndryshimi i pikës 13 të këtij neni të Kushtetutës në të cilin thuhet se mandati i gjykatës “do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare”. Ai kërkoi që të përcaktohet se mandati “do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me qeverinë e Republikës së Kosovës”.

Në komentet e ish presidentit Thaçi dërguar Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, thuhej se “sipas formulimeve të paragrafëve 13 dhe 14 të Nenit 162 të Kushtetutës, në opinionin kosovar është shpërfaqur mendimi dhe përhapur bindja që mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të zgjasë në një periudhë më së shumti pesëvjeçare (5) nga koha e aprovimit të amandamentimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo ka ngjallur jo rrallëherë reagime të shumta tek akterë të ndryshëm”, thuhej në sqarimet e zyrës së ish presidentit Thaçi.

Kërkesa e zotit Thaçi ishte kundërshtuar nga Prokuroria e Posaçme e cila e cilësoi atë jo kushtetuese.

Propozimi i tij u dërgua në Gjykatën e Posaçme nga kryetarja e parlamentit Vjosa Osmani dhe më pas Dhoma e Posaçme e Gjykatës Kushtetuese në Hagë, e cila pasi shqyrtoi komentet e palëve, të enjten tha se “në pajtim me nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës, pikat 13 dhe 14, mandati i Dhomave të Specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka vazhduar dhe do të vazhdojë deri sa Këshilli i Bashkimit Evropian të njoftojë për përfundimin e mandatit të tyre”.

Gjykata e Posaçme për Kosovën e njohur me emrin Dhomat e Specializuara u themelua para pesë vjetësh, në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ngritja e saj pasoi pretendimet për krime lufte kundër pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që dolën në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019 nga prokurorët e Dhomave të Specializuara ndërsa pese veta, në mesin e të cilëve edhe ish presidenti Thaçi ndodhen në Hagë nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Akuzat kanë nxitur shumë reagime në Kosovë ku organizatat e dala nga lufta pohojnë se Gjykata është një etnike dhe nuk trajton mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999.

zëri i amerikës

Sarkozy përballë akuzave për korrupsion

Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy u paraqit në gjyq të enjten për t’u përballur me akuza për korrupsion. Ai akuzohet se është përpjekur për të korruptuar një gjykatës me qëllim që të merrte informacion në lidhje me një hetim rreth fushatës së tij presidenciale të vitit 2007. Ish-kreu i shtetit këmbëngul se është i pafajshëm.

Është e pazakontë të shohësh një ish-president duke hyrë në sallën e gjyqit me avokatët e tij për t’u gjykuar. Kjo skenë po ndodh në Paris, ku Nicolas Sarkozy përballet me akuza për rryshfet dhe përdorim të influencës.

Jean-Claude Beaujour, avokat i shoqatës Francë-Amerikë, komentoi për Zërin e Amerikës.

“Është shumë e pazakontë që një ish-kryetar shteti në Francë të ndiqet penalisht për korrupsion,” tha Beaujour. “Ish-presidenti Sarkozy dyshohet se është përpjekur për të korruptuar një gjykatës të rangut të lartë në këmbim të informacionit mbi një çështje gjyqësore që lidhet me vetë Nicolas Sarkozy-në”.

Prokurorët thonë se Sarkozy i premtoi një punë të paguar mirë në Monako një gjykatësi, në këmbim të informacionit të brendshëm mbi një hetim rreth pretendimeve se ai pranoi pagesa të paligjshme nga trashëgimia e trashëgimtares së firmës L’Oreal, Liliane Bettencourt gjatë fushatës së tij presidenciale në vitin 2007.

Sarkozy vazhdimisht i ka mohuar akuzat.

Gjyqtarët po e mbështesin çështjen e tyre në provat e regjistruara nga përgjimet e bisedave telefonike midis zotit Sarkozy dhe avokatit të tij. Të dy ata janë objekt i një hetimi tjetër për financimin e dyshuar nga Libia të fushatës së zotit Sarkozy në vitin 2007.

Ish-presidenti francez e ka kundërshtuar ligjshmërinë e përgjimit. Ai e mbrojti veten në fillim të këtij muaji në një intervistë për kanalin francez BFMTV.

Sarkozy tha se i vjen keq që e gjithë jeta e tij private ka qenë përgjuar. Sipas tij, është skandaloze që privilegji avokat-klient nuk u respektua pasi bisedat telefonike mbrohen sipas dispozitave të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. “Unë nuk jam mashtrues dhe kjo që po kaloj është skandal,” këmbënguli Sarkozy.

Gjyqi pritet të zgjasë tre javë. Nëse shpallet fajtor, ish-presidenti mund të përballet me deri në 10 vjet burgim dhe një gjobë 1.2 milion dollarë.

BE-ja pret vaksinimin e parë kundër COVID-19 para fundvitit

Bruksel

Presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian (BE), Ursula von der Leyen, njoftoi se vaksinimi mund të fillojë para fundit të vitit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Shohim dritë në fund të tunelit. Qytetari i parë i BE-së mund të vaksinohet para fundit të dhjetorit”, tha von der Leyen në llogarinë e saj në median sociale.

Duke theksuar që vendet anëtare të BE-së duhet t’i përfundojnë përgatitjet për shpërndarjen e vaksinave, von der Leyen deklaroi se vaksina është “biletë” për të dalë nga pandemia.

Javën e kaluar, presidentja e Komisionit Evropian tha se “Nëse gjithçka shkon mirë, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) mund të lëshojë autorizim të kushtëzuar të tregut për vaksinat e BionTech dhe Moderna në gjysmën e dytë të dhjetorit”.

Presidentja e EMA-së Emer Cooke gjithashtu njoftoi se mund të japin mendim pozitiv mbi vaksinat kundër COVID-19 përpara Krishtlindjeve.

Ndryshe, BE-ja ka rënë dakord të marrë 400 milionë doza vaksine me AstraZeneca, 300 milionë me Sanofi-GSK, 400 milionë me Johnson and Johnson, 300 milionë me Pfizer dhe BioNTech, 405 milionë me CureVac dhe 160 milionë me Moderna.

Shtyhet gjyqi i ish-presidentit francez Sarkozy

Ish presidenti francez Nicolas Sarkozy u paraqit të hënën për pak minuta në gjykatë për t’u përballur me akuzat për korrupsion, por gjyqtarët i pezulluan seancat deri më 26 nëntor për të vlerësuar shëndetin e njërit prej të pandehurve të tjerë.

Prokurorët e akuzojnë ish-presidentin se i kishte ofruar një punë të paguar mirë në Monako gjyqtarit Gilbert Azibert në këmbim të informacioneve konfidenciale rreth një hetimi për aludimet se zoti Sarkozy kishte pranuar pagesa të paligjshme nga Liliane Bettencourt trashëgimtare e firmës L’Oreal për fushatën e tij presidenciale të vitit 2007.

Një avokat i zotit Azibert kërkoi që gjyqi të pezullohej, sepse klienti i tij ishte në rrezik të lartë për t’u infektuar me COVID, për shkak të sëmundjes së zemrës.

Gjyqtarët urdhëruan një vlerësim të pavarur mjekësor deri të enjten, përpara se të vendosin nëse do ta vazhdojnë apo pezullojnë gjyqin.

Zoti Sarkozy, i cili ishte president nga viti 2007 deri në 2012 por ka ndikim mes konservatorëve, ka mohuar çdo shkelje në hetimet kundër tij dhe është përpjekur fuqimisht për pushimin e çështjeve gjyqësore.

Duke filluar nga viti 2013, hetuesit kanë përgjuar bisedat midis ish presidentit dhe avokatit të tij Thierry Herzog, për të hetuar aludimet.

Gjatë përgjimeve, ata mësuan se zoti Sarkozy dhe avokati i tij komunikonin duke përdorur celularë të regjistruar nën emra të rremë.

Sipas prokurorëve, nga përgjimet doli se zoti Sarkozy dhe avokati Herzog kishin diskutuar në shumë raste për të kontaktuar gjyqtarin Azibert, që shërbente në gjykatën e lartë të apelit dhe që ishte i mirinformuar për hetimin.

Herzog dhe Azibert janë që të dy në gjyq me ish presidentin Sarkozy, të akuzuar për korrupsion. Ata akuzohen gjithashtu për “shkelje të sekretit profesional”. Të tre përballen me deri në 10 vjet burg dhe gjoba të rënda nëse dënohen.

Zoti Sarkozy dhe partia e tij e qendrës së djathtë Les Republicains kanë thënë prej vitesh se hetimet kundër tij janë të motivuara politikisht.

Zbulohet në Spanjë nekropoli i famshëm islam i shekullit VIII, historiania: Është e rrallë të gërmosh dhe të gjesh 400 varre

Në qytetin spanjoll të Taustes, pranë Saragozës, u zbuluar një nekropol islam që daton që prej shekullit VIII me 400 varre dhe mbetjet e mbi 4 500 trupave në një hapësirë prej rreth pesë hektarë, theksoi për CNN Eva Gimenez, një arkeologe që po gërmon aktualisht në zonë me kompaninë “Paleoym”.

Në vitin 711 forcat arabe filluan pushtimin e Gadishullit Iberik, ku ata qëndruan për shtatë shekujt e ardhshëm deri në vitin 1492, datë kur zona u mor totalisht nga mbretëritë e krishtera.

“Pushtimi mysliman i Taustes u konsiderua si i rastësishëm dhe madje joekzistues nga disa burime, por shoqata kulturore e rajonit ka dyshuar prej kohësh se zona strehonte një koloni të madhe islame për shkak të të dhënave arkitektonike dhe mbetjeve njerëzore gjetur në qytet”, theksoi për CNN Miriam Pina Pardos, drejtoreshë e Observatorit Antropologjik të Nekropolit Islamik të Taustes me shoqatën kulturore “El Patiaz”.

“Është e rrallë të gërmosh dhe të gjesh 400 varre. Është e pabesueshme”, theksoi Pardos. Të gjithë skeletet ishin varrosur sipas zakoneve islame, të pozicionuar në të djathtë dhe të kthyer nga juglindja, drejt Mekës.

Gjyqi i Nurembergut i shërbeu së drejtës – Më 20 nëntor 1945 filloi Gjyqi i Nurembergut mbi krimet e Nazizmit

Voal.ch – Më 20 Nëntor 1945 filluan gjyqet e Nurembergut kundër oficerëve nazistë. Me nota tepër të qarta, gjatë punimeve të këtyre gjyqeve në Bavari, u dëgjuan tmerret e shkaktuara nga oficerë si Herman Gering, Rudolf Hes apo Albert Spir ndaj miliona hebrenjve, homoseksualëve dhe të burgosurve politikë e fetarë në kampet e vdekjes.

Nuremberg ishte qyteti ku Adolf Hitler organizoi së pari tubimet e partisë naziste me pishtarë dhe shpalli ligjet raciste të vitit 1935 që hapën rrugën për Holokaustin.

Gjyqet e Nurembergut u përpoqën të vënë në vend drejtësinë për tmerret e përjetuara dhe për miliona jetë të fikura nëpër krematoriumet dhe burgjet e vuajtjeve.

Pamjet e xhiruara në kampet e vdekjes tronditën botën. Regjistrime lajmesh, që u publikuan në atë kohë, nxorrën në dritë se ç’kishte ndodhur në kampet e përqëndrimit.

“Kampi më i tmerrshëm ishte Bukenvali, ku vetëm 20 mijë nga 80 mijë të burgosurit e dërguar u gjetën gjallë. Pjesa më e madhe e atyre që ende jetonin kur kampin e morën nën kontroll amerikanët, ishin në gjendje të pa shpresë”.

Gjermanët këmbëngulnin se nuk kishin pasur dijeni dhe se ishin po aq të tronditur sa kushdo tjetër kur mësuan për tmerret e nazizmit. Por jo të gjithë janë të bindur për pafajësinë e tyre. George Bria ishte gazetar për agjencinë e lajmeve Associated Press:

“Kampi Dakau ishte jo larg Mynihut, por të gjithë thonë se nuk dinin gjë! Jo larg tyre ishin furrat e djegies. Askush nuk e beson se ata nuk kishin dijeni”.

Tronditja publike nga pamjet dhe rrëfimet e të mbijetuarve çoi në thirrje masive për drejtësi dhe shpagim. Zgjidhja që u gjet ishte organizimi i gjyqeve për krime lufte në Nuremberg:

“Në qytetin e shkatërruar të Nurembergut, të rrënuar nga tonelatat e bombave të trupave aleate, gjykata qëndron si një monument ogurzi i shpresave të fundit të nazistëve për të dominuar botën”.

Vendet aleate: Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania dhe Rusia dërguan prokurorë. Sistemi ligjor në bazë të të cilit do të zhvilloheshin gjyqet, ishte një ndërthurje e sistemeve të këtyre vendeve.

Babai i senatorit amerikan Kris Dod, Thomas Dod ishte një ndër prokurorët amerikanë në gjykime. Ai ishte një jurist i ri në vitin 1945 kur shkoi në Gjermani për të marrë në pyetje figura famëkeqe si Herman Goring, Albert Spir apo Rudolf Hes.

Në vitin 2007, Senatori Dod publikoi një libër bazuar në letrat që i kishte dërguar familjes babai i tij, gjatë kohës kur vazhdonte gjyqi:

“30 mijë vetë ende ishin të varrosur nën rrënojat e Nurembergut, kur filluan gjykimet. 30 mijë vetë – veç ta imagjinosh erën e rëndë. 8 milion trupa ishin djegur, 6 milionë prej tyre hebrenj, të tjerët si rezultat i orientimit seksual, besimit fetar apo bindjeve politike”.

21 oficerë të lartë gjermanë, përfshirë Joakim von Ribentrop dhe Albert Spir, të dy bashkëpunëtorë të afërt të Hitlerit, u gjykuan dhe u shpallën fajtorë për krime lufte në gjyqet e Nurembergut.

Thomas Dod, në kujtimet e tij e analizon procesin si triumfi i sundimit të ligjit, ku vendet e qytetëruara realizuan një proces të drejtë për autorët e masakrave që kishin vepruar pa asnjë përfillje për ligjin.

Gjyqet e Nurembergut krijuan një praktikë të re të nxjerrjes para drejtësisë të udhëheqësve qeveritarë dhe mbajtjen e tyre përgjegjës në mënyrë individuale për krime të kryera kundër masave të pafajshme.

Këto gjyqe krijuan edhe konceptin e krimeve kundër paqes, e aktit penal të agresionit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.

plot njerëz që e dënuan procesin si një farsë politike, por gazetari George Bria i agjencisë Associated Press, thotë se duke pasur parasysh rrethanat dhe momentin e procesit, gjykimet mund të konsiderohen të drejta.

Historiani gjerman Hans Kristian Taeubrich thotë se gjyqet ishin shumë të rëndësishme për opinionin gjerman, pasi i ndihmuan gjermanët të ballafaqohen me krimet e kryera në emër të tyre:

“Gjyqet e Nurembergut janë të rëndësishme për 3 arsye:

së pari ato sollën para drejtësisë figura të larta të regjimit nazist, të cilat ishin përgjegjëse për krime të paimagjinueshme lufte. Vetëm disfata e plotë dhe gjykimi ndërkombëtar arriti t’u japë atyre ndëshkimin e duhur.

Së dyti, si rezultat i gjyqeve, bota dëgjoi për herët të parë çfarë kishte ndodhur gjatë 12 vjetëve të regjimit nazist.

Gjyqet ndihmuan gjithashtu Gjermaninë të ballafaqohet me aktet që ishin kryer. Ky proces ballafaqimi ende vazhdon”.

Gjyqet e Nurembergut u zhvilluan nga data 20 nëntor 1945 deri më 1 tetor 1946. Prokuror i kësaj gjykate ishte amerikani Robert Jackson.

Raphael Lemkin, një avokat i lindur në Poloni, i cili shërbeu si këshilltar i Jackson, ka meritën e krijimit të termit “gjenocid” në 1944 për të përshkruar shfarosjen e planifikuar që nazistët u bënë hebrejve.

Fjala është një bashkim i “genos”, fjala greke për “fis” ose “racë” dhe “-cide”, latinisht për “vrasje”.

Lemkin, i cili humbi gati 50 të afërm në Holokaust, e përcaktoi gjenocidin si “një plan të koordinuar të veprimeve të ndryshme që synojnë shkatërrimin e bazave thelbësore të jetës së grupeve kombëtare, me qëllim asgjësimin e vetë grupeve”. Gjyqet e Nurembergut shënuan proceset e para për gjenocidin.

Raphael Lemkin

Proceset gjyqësore të Nurembergut, në të cilat dolën para gjyqit udhëheqësit nazistë ushtruan ndikim të madh në të drejtën ndërkombëtare. Ato bazohen në Kartën e Londrës, e cila u nënshkrua nga aleatët në 8 gusht 1945.

Si bazë për proceset gjyqësore të Nurembergut shërbeu një marrëveshje vizionare e së drejtës ndërkombëtare (Karta e Londrës), e cila përcaktoi rregulloren e procesit për gjykatat ushtarake ndërkombëtare dhe amerikane, të ngritura posaçërisht për proceset e Nurembergut. Karta e Londrës u nënshkrua në 8 gusht 1945.

Më 20 nëntor 1945, në Nuremberg, një qytet që pak muaj më parë qe shpallur si “90 përqind i vdekur”, 22 burra hynë në Pallatin e Drejtësisë. Ata i kishin nxjerrë para gjyqit për krime, të cilat nuk qenë kryer kurrë më parë. Burrat ishin pjesë e asaj e klike drejtuese që kishte mbetur nga udhëheqja naziste dhe i patën kaluar muajt e mëparshëm të burgosur në një kështjellë në Luksemburg. Ata nuk e dinin se çfarë i priste.

Kreu i kopesë midis tyre ishte Hermann Göring, ish- Presidenti i Rajshtagut, kryekomandant i Flotës Luftarake Ajrore gjermane dhe pasardhës i mundshëm në post i Adolf Hitlerit. Në korrik 1945, në një konferencë shtypi, kur e pyetën, nëse e dinte që ndodhej në listën e kriminelëve të luftës, Göringu u përgjigj:”Jo. Kjo pyetje më habit, sepse nuk e marr dot me mend se pse mund të ndodhesha në një listë të tillë.”

Göringu nuk kishte idenë për procesin e jashtëzakonshëm e të komplikuar gjyqësor, pjesë e të cilit do të bëhej. Për procesin gjyqësor do të ishte e nevojshme që të hartoheshin nga e para bazat, pikat e aktakuzës dhe dënimet. Ndërtimi i tyre i ngjante pak ndërtimit të një rrjeti të energjisë, ujit dhe ujërave të zeza në Gjermani, punë të cilën aleatët duhet ta nisnin nga zero. Diçka të ngjashme me këto procese gjyqësore nuk kishte pasur kurrë.

Proceset e Nurembergut dhe Karta e Londrës qenë me rëndësi të madhe vizionare, thotë Lauri Mäksoo, profesore e së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Tartu-së në Estoni. “Nuk ekziston gjë më e rëndësishme në këtë fushë”, i tha Mäksoo DW. “Ndikimi për mënyrën si përkufizohen krimet ndërkombëtare ishte gjigand – këtu praktikisht u shpik për herë të parë koncepti “krime kundër njerëzimit”./VOA/DW/history.com

Gazsjellësi Trans Adriatik fillon funksionimin komercial

Stamboll

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) i gjatë 878 kilometra filloi operacionet tregtare për të transportuar çdo vit 10 miliardë metra kub gaz nga Azerbajxhani në Evropën Perëndimore, transmeton Anadolu Agency (AA).

TAP transporton gaz natyror nga fusha Shah Deniz në pjesën azerbajxhanase të Detit Kaspik për në pjesën perëndimore të Evropës. Gazsjellësi përfaqëson pjesën evropiane të Korridorit Jugor të Gazit dhe lidhet me gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek në Kipoi, duke kaluar Greqinë, Shqipërinë dhe Detin Adriatik, për të arritur në bregdetin e Italisë jugore.

Në kumtesën e kompanisë thuhet se operacionet tregtare kanë filluar tani, katër vjet e gjysmë pas përurimit të punimeve në Selanik të Greqisë.

Projekti, i cili do të luajë një rol të rëndësishëm në sigurinë e energjisë dhe diversifikimin energjetik të Evropës, siguroi financim prej 3,9 miliardë dollarësh nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Aksionarët përfshijnë BP, SOCAR dhe Snam me nga 20 për qind të aksioneve, së bashku me Fluxys (19 për qind), Enagas (16) dhe Axpo (5). Të gjitha kompanitë ranë dakord për një rezolutë mbi zhvillimin dhe ndërtimin e projektit në fund të vitit 2013.

“Sot, një vizion afatgjatë është bërë realitet. Si një operator i ri i sistemit të transmetimit, i zhvilluar dhe i ndërtuar në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira të industrisë, TAP mundëson diversifikim të dyfishtë duke përfshirë një rrugë të re, të besueshme dhe të qëndrueshme të energjisë dhe burimeve të gazit që arrijnë miliona përdorues evropianë, për dekada që vijnë”, citohet të ketë thënë Luca Schieppati, drejtori menaxhues i TAP-it.

Murad Heydarov, kryetar i bordit të drejtorëve të TAP-it, tha: “Korridori Jugor i Gazit është bartësi pionier i gazit natyror nga Azerbajxhani në Evropë dhe një nga sistemet më moderne dhe të besueshme aktualisht në dispozicion për transportimin e energjisë. Si një komponent kryesor i Korridorit Jugor të Gazit prej 3.500 kilometrash, TAP kombinon tiparet strategjike dhe konkurruese të tregut”.

Ai shtoi se tubacioni siguron që Evropa të mund të marrë furnizime nga një burim tjetër ndërsa mbështet objektivat kryesore të BE-së për arritjen e një tregu të integruar të energjisë dhe një përbërje të qëndrueshme, të sigurt dhe të larmishme të energjisë, duke kontribuar në rrjedhat e vazhdueshme drejt një tranzicioni të energjisë së pastër.

Rreth 55 mijë pjesë të tubacionit me peshë totale prej 520 mijë tonë u përdorën për projektin, për përfundimin e të cilit u deshën mbi 50 milionë orë pune.

“Sistemi TAP operon në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtarisht të cilësisë, shëndetit, sigurisë dhe mjedisit dhe është projektuar me potencialin për të dyfishuar kapacitetin e tij përçues në 20 miliardë metra kub në vit”, thuhet në deklaratë.

Makina fluturuese holandeze merr patentën rrugore në Evropë

Pas fillimit të provave për fluturim dhe ngarje në vitin 2012, firma holandeze Pal-V tani thotë se makina e saj fluturuese “Liberty” ka marrë miratimin në Bashkimin Evropian për përdorim në rrugë.

Robert Dingemanse, themelues i kompanisë, thotë se është dashur shumë punë për të përshtatur mjetin fluturues që paloset, për të marrë miratimin e përdorimit në rrugë. Mjeti është çertifikuar për frenat, zhurmën dhe ndotjen.

“Nuk ka patur asnjëherë rregullore të përbashkëta mbi funksionimin ajror dhe rrugor për një mjet. Kemi arritur të ndërtojmë një mjet që u përshtatet të gjitha rregulloreve, që janë rreth 5 mijë këkesa që duhen përmbushur.”

Kompania Pal-V ka patur një qasje më tradicionale në ndërtimin e makinës fluturuese dy vendëshe dhe me tre rrota për ngarje në rrugë. Drejtuesit duhet të kenë liçensën e pilotit për ta fluturuar atë.

Kompania thotë se mjeti mund të arrijë shpejtësi deri 160 kilometra në orë në rrugë. “Liberty” mund të përshkojë distanca ajrore prej 500 kilometrash me një shpejtësi deri 180 kilometra në orë me një serbarator.

Nëse je duke e ngarë makinën dhe paraqitet nevoja për të fluturuar, do të duhen vetëm dhjetë minuta që ta përshtatësh mjetin, thotë kompania.

Zoti Robert Dingemanse thotë se 90mjetet e para, që do të jenë me porosi, do të kushtojnë rreth 500 mijë euro, dhe do të jenë gati në vitin 2022. Më pas, variantet standarde do të kushtojnë rreth 400 mijë euro.

Këngëtari Bruce Dickinson i grupit “Iron Maiden” është një prej klientëve të parë të kompanisë. Firma nuk ka bërë të ditur se sa porosi janë marrë deri tani, ndërsa thotë se ka mjaftueshëm që fabrika e vogël holandeze të vazhdojnë punën për rreth 30 muaj. Pandemia, thotë zoti Robert Dingemanse, nuk ka ndikuar negativisht tek firma e tij.

“Është rritur interesi dhe kërkesa për makinën fluturuese si rezultat i pandemisë sepse mjeti të ofron distancim dhe aftësitë për të shkuar kudo nga toka apo ajri pa rrezikuar infektimin.”

Analistët vlerësojnë qasjen e kompanisë Pal-V në prodhimin e makinës fluturuese. David Gleave ëshë hulumtues për sigurinë e aviacionit.

“Çfarë qasje do të kenë kompanitë e tjera? Kemi parë shumë kompani që kanë bërë bujë dhe pastaj janë zhdukur, kryesisht në fushën e dronëve. Ndryshe me këtë mjet që është shumë praktik për të fluturuar dhe ngarë në rrugë.”

Firma Pal-V po shpreson që të marrë lejen e fluturimit me Agjencinë Evropiane të Sigurisë së Aviacionit (EASA), një proces i filluar në vitin 2015. Ata shpresojnë që kjo të arrihet në kohë për të filluar dërgesat e para në vitin 2022.

zëri i amerikës

Austria kthen izolimin e plotë

Austria ka vendosur masën e izolimit mbarëkombëtar në përpjekje për të vënë nën kontroll pandeminë e COVID-19.

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, u ka kërkuar austriakëve, që të mos takojnë askënd jashtë shtëpisë së tyre, në një përpjekje për të frenuar një rritje të shpejtë të rasteve me koronavirusin e ri.Ai tha që shkollat do të mbyllen dhe studentët do të mësojnë nga shtëpia duke filluar nga dita e martë, kur masat e reja do të hyjnë në fuqi. Të premten, Austria raportoi një numër rekord prej 9,586 të infektuar me koronavirusin e ri.

Kjo shifër ishte nëntë herë më e lartë se në kulmin e valës fillestare më parë këtë vit. Vendi ka regjistruar më shumë se 191,000 raste, që nga fillimi i pandemisë dhe 1,661 vdekje të lidhura me COVID-19. Deri më 6 dhjetor, sa është paraparë të zgjasin masat e reja, të gjitha dyqanet jo-thelbësore do të duhet të qëndrojnë të mbyllura. Të gjithë qytetarëve u është thënë, që nëse ua lejojnë kushtet, të punojnë nga shtëpitë.

Ministri i Shëndetësisë i Austrisë, Rudolf Anschober, tha se ky është shansi i fundit për të ndaluar kolapsin e shërbimit shëndetësor. Austria kishte vendosur masën e izolimit të saj të parë mbarëkombëtar në mars, gjatë valës së parë të pandemisë./rel

Erdogani uron Bidenin për fitoren në zgjedhje

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Joe Biden, dhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan – foto arkivi.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e uroi Joe Bidenin për fitoren në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Erdogan tha se marrëdhëniet dypalëshe janë të natyrës “strategjike” dhe se duhet të forcohen më tej, duke u bazuar në interesat e përbashkëta.

Erdogan përsëriti “vendosmërinë e Ankarasë për të punuar nga afër me administratën amerikane”, gjatë periudhës së ardhshme.

“Bashkëpunimi dhe aleanca e fortë” midis dy vendeve do të vazhdojnë të kontribuojnë në paqen në botë, tha Erdogan.

Marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Turqisë janë tensionuar kohëve të fundit për një varg çështjesh, përfshirë krizën në Siri dhe bashkëpunimin ushtarak të Ankarasë me Rusinë.

Mediat amerikane kanë parashikuar fitoren e Bidenit në zgjedhjet e 3 nëntorit në SHBA.

Presidenti i zgjedhur, Biden, ka thënë pas fitores se do të jetë president i të gjithëve, ndërsa ka paralajmëruar se prioritet i administratës së tij do të jetë lufta kundër pandemisë së koronavirusit.

Presidenti aktual i SHBA-së, Donald Trump, nuk e ka pranuar humbjen në zgjedhje.

Pa paraqitur asnjë provë, Trump ka thënë se zgjedhjet janë vjedhur. rel

Llukashenko: Bjellorusia do të bëhet fuqi bërthamore

Alyaksandr Llukashenko ka hapur zyrtarisht centralin e parë dhe të vetëm bërthamor në Bjellorusi, duke thënë se ky shtet i Evropës Lindore “do të kthehet në fuqi bërthamore”.

“Stacioni bërthamor Astravets përbën një hap drejt së ardhmes dhe garantimit të sigurisë së energjisë së këtij shteti”, ka thënë Lukashenka në një adresim përmes televizionit shtetëror më 7 nëntor.

Ndërtuar nga kompania ruse, Rosatom dhe e financuar nga Moska me 10 miliardë dollarë hua, ndërtimi i centralit bërthamor afër qytetit Astravets, është kundërshtuar nga Lituania, kryeqyteti i së cilës, Vilnus, është vetëm 50 kilometra larg.

Astravets tërheq ujin për reaktorët e tij ftohës nga Lumi Nevis, që po ashtu furnizon me ujë të pijshëm Lituaninë.

Bjellorusia ka nisur aktivizimin e këtij centrali më herët gjatë javës, duke e shtyrë Lituaninë që të ndalë importet e elektricitetit nga shteti fqinj.

Ndërtimi i këtij centrali është parë ndryshe edhe në mesin e bjellorusëve, të cilët janë përballur me dëme të mëdha si pasojë e katastrofës bërthamore të Çernobilit më 1986.

Një çerek i territorit të këtij shteti ishte kontaminuar në aksidentin më të tmerrshëm civil bërthamor në gjithë botën.

Ky inaugurim vjen teksa Bjellorusia përballet gati çdo ditë me protesta dhe greva, prej zgjedhjeve të 9 gushtit.

Opozita dhe Perëndimi besojnë se ky proces zgjedhor është manipuluar.

Lukashenka, i cili ka qenë në pushtet nga viti 1994 ka kundërshtuar akuzat dhe ka hedhur poshtë thirrjet e opozitës për të dhënë dorëheqje.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Kanadaja dhe shtete tjera, kanë refuzuar të njohin Lukashenkas si lider legjitim të Bjellorusisë.

Më 6 nëntor, BE-ja e ka shtuar Lukashenkan, djalin e tij, Viktar dhe 13 zyrtarë tjerë në listën e zezë të zyrtarëve bjellorusë, për rolin e tyre në falsifikimin e votave dhe shtypjes së protestave nga ana e qeverisë. rel

Mbi 300 000 persona të vdekur me koronavirus në Evropë

Në Evropë është tejkaluar shifra e 300 000 të vdekurve nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, teksa shtetet nga Rusia e deri tek Italia, kanë regjistruar rekord të personave të infektuar brenda një dite.

I gjithë kontinenti evropian tani pothuajse ka rikthyer kufizimet në lëvizje, me qëllim të frenimit të pandemisë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar për një rekord të ri të personave të infektuar brenda një dite në nivel global.

Evropa ka regjistruar 300,688 të vdekur nga virus, bazuar në të dhënat e agjencisë së lajmeve AFP, ndërkohë që dy të tretat e viktimave janë regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar, Itali, Francë, Spanjë dhe Rusi.

Rritja e shkallës së infektimit ka ndikuar në mbushje të kapaciteteve spitalore në këtë kontinent.

Kjo pasi, zyrtarët shëndetësorë janë duke paralajmëruar se vala e dytë e infektimit është më e fuqishme dhe më serioze.

Ndonëse Ministria e Shëndetësisë së Gjermanisë ka paralajmëruar se dyfishimi i numrit të pacientëve me COVID-19, në njësitë e kujdesit intensiv çdo 10 ditë, është i papërballueshëm, spitalet në këtë shtet kanë vazhduar të pranojnë pacientë të sëmurë nga kufiri francez.

Më shumë se 85 për qind e shtretërve për kujdes intensiv në Francë janë të zënë me pacientë të infektuar me koronavirus, apo mbi 4,000.

Të hospitalizuar janë mbi 30,000.

Situata është duke u përkeqësuar edhe në Rusi, aktualisht vendin e katërt me më së shumti të infektuar në botë.

Rusia ka raportuar 20,396 persona të infektuar më 7 nëntor, duke e çuar në mbi 1.7 milion, numrin e personave të prekur nga COVID-19.

Për dallim nga pjesët tjera të Evropës, Rusia nuk ka vënë kufizime në lëvizje dhe as nuk ka mbyllur bizneset.

Autoritetet ruse kanë thënë se nuk ka nevojë për diçka të tillë, sepse sistemi shëndetësor mund t’i përballojë rastet. rel

Sulmi në Austri: Qeveria austriake mbyll dy xhami – ndërsa hetime ka nisur edhe në Zvicër

voal.ch – Qeveria e Austrisë urdhëroi të premten mbylljen e dy xhamive, të frekuentuara nga një militant islamist, i cili ka vrarë katër vetë në Vjenë.

Dy xhamitë ndodhen në periferi të Vjenës – njëra quhet Melit Ibrahim në rrethin Otakring dhe tjetra Tewhid në zonën Majdling.

Ministrja e Integrimit e Austrisë, Susanne Raab, tha se agjencia vendase e inteligjencës BVT ka vlerësuar se “vizita në këto xhami e ka përshpejtuar radikalizimin e sulmuesit”.

Sulmuesi, i identifikuar nga autoritetet austriake si Kujtim Fejzullai, me prejardhje nga Maqedonia e Veriut, ka kryer sulmin të hënën, duke hapur zjarr në gjashtë lokacione në qendër të Vjenës.

Dy gra dhe dy burra janë vrarë dhe 23 janë plagour.

Policia e ka vrarë sulmuesin dhe ka zbuluar se ai ka pasur edhe shtetësi austriake, edhe shtetësi maqedonase.

Sulmuesi ka udhëtuar në Turqi në vitin 2018, në një përpjekje për t’u bashkuar me militantët e Shtetit Islamik në Siri, por është kapur dhe dërguar përsëri në Austri.

Grupi militant Shteti Islamik ka thënë se qëndron pas sulmit në Vjenë.

 

Të premten, edhe policia në Gjermani tha se ka bastisur shtëpitë e katër personave, për shkak të lidhjeve të dyshuara me sulmuesin e Vjenës.

Policia tha se ata nuk konsiderohen të dyshuar, porse kanë pasur kontakte me sulmuesin dhe dy prej tyre e kanë takuar personalisht.

Bastisjet u kryen në Kasel, Osnabryk dhe Pineberg, pranë Hamburgut.

Disa të dyshuar janë ndaluar në Austri, ndërsa hetime kanë nisur edhe në Zvicër./REL

Edhe dy shtetas të Maqedonisë së Veriut të përfshirë në sulmin në Vjenë

Katër civilë janë vrarë dhe 22 janë plagosur gjatë sulmit të së hënës në Vjenë, të cilin, autoritetet austriake e cilësuan si “terrorist”.

I vrarë është edhe një sulmues, të cilin autoritetet e idenifikuan si Kujtim Fejzullai, 20 vjeç, me shtetësi të Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Autoritetet maqedonase konfirmuan të martën se edhe dy shtetas të tjerë maqedonas kanë qenë të përfshirë në sulmin në Vjenë.

Kjo është shtëpia e familjes Fejzullai, në fshatin Çellopek të Tetovës. Autoritetet austriake thanë se Kujtim Fejzullai, 20 vjeç, është sulmuesi që vrau 4 persona në Vjenë.

Kjo është shtëpia e familjes Fejzullai, në fshatin Çellopek të Tetovës. Autoritetet austriake thanë se Kujtim Fejzullai, 20 vjeç, është sulmuesi që vrau 4 persona në Vjenë.

Ministri i Brendshëm austriak, Karl Nehammer tha se 14 persona janë arrestuar në lidhje me sulmin në Vjenë.

Ai shtoi se pas bastisjes së shtëpisë së sulmuesit, tashmë të vrarë, janë kryer edhe 18 bastisje.

Ministri i Brendshëm austriak tha se bazuar nga të dhënat, nuk ka indikacione se edhe një sulmues i dytë ka qenë i përfshirë në sulmin në Vjenë.

Ai po ashtu shtoi se sulmuesi në Vjenë, dukej se ishte integruar në shoqërinë austriake, por në fakt ishte e kundërta.

Sipas Nehammer, ai “ai arriti të mashtronte njerëzit brenda programit të deradikalizimit dhe përmes kësaj të lirohej nga burgu”.

Dy shtetas të Maqedonisë së Veriut, të lidhur me sulmin në Vjenë

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se përveç Kujtim Fejzullait edhe dy persona të tjerë, shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë qenë të përfshirë në sulmin e ditës së hënë në Vjenë.

“Nga lista e policisë austriake, e cila iu dorëzua disa policive, përfshirë edhe policisë sonë, konstatuam se edhe dy persona tjerë, përveç austriakut, gjithashtu kanë shtetësinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përkatësisht K.F. (i lindur në Modling, Austri), A.G. (i lindur në St. Polten, Austri) dhe U.A. (i lindur në Vjenë, Austri). Sektori për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar në Ministrinë e Brendshme u vu menjëherë në dispozicion të kolegëve nga Austria dhe ne po bashkëpunojmë intensivisht me të gjithë elementët që lidhen me këtë rast”, thuhet në njoftimin me shkrim të MPB-së në Shkup.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut gjithashtu njofton për një bisedë telefonike mes kryeministrit Zoran Zaev me kancelarin austriak, Sebastian Kurz.

“Kryeministri austriak i shprehu mirënjohje kryeministrit Zaev për solidaritetin dhe mbështetjen e shprehur. Kryeministrat shprehën gatishmërinë për të vazhduar komunikimin dhe bashkëpunimin në lidhje me sulmin terrorist nëse shërbimet austriake përcaktojnë një nevojë të tillë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Sulmuesi, mbështetës i IS-it

Ministri Nehammer tha të martën në mëngjes se sulmuesi i vrarë në të kaluarën ka qenë i dënuar për përfshirje në një organizatë terroriste.

Ai tha se “terroristi i dyshuar” ishte dënuar në prill të vitit 2019, për shkak se kishte tentuar që të udhëtonte për në Siri me qëllim që t’i bashkohej grupit militant, Shteti Islamik. Ai ishte dënuar me 22 muaj burgim, por ishte liruar me kusht në dhjetorin e vitit të kaluar.

Ministria е Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka thënë për Radion Evropa e Lirë se “është në kontakt të vazhdueshme me autoritetet e Austrisë për verifikimin e identitetit të sulmuesit, por edhe për lidhjet e tij të mundshme me persona të tjera. Policia austriake përmes INTERPOL-it ka paraqitur kërkesë për bashkëpunim për këtë rast dhe autoritetet tona menjëherë i janë përgjigjur kërkesës për veprim”.

Këto janë lokacionet ku kanë ndodhur të shtëna në Vjenë.

Këto janë lokacionet ku kanë ndodhur të shtëna në Vjenë.

Ministri i Brendshëm i Austrisë, Karl Nehammer, e përshkroi sulmuesin e vrarë nga policia si një “terrorist islamik”.

Duke folur në një konferencë për shtyp, ministri Nehammer tha se personi i armatosur rëndë – i vrarë nga policia –ishte një mbështetës i grupit militant, Shtetit Islamik (IS) dhe se shtëpia e tij ishte kontrolluar ku është sekuestruar video-material. Policia tha se ai kishte veshur një rrip shpërthyes të rremë.

Më parë, Nehammer tha se të paktën një sulmues “i armatosur rëndë dhe i rrezikshëm” besohej të ishte akoma i lirë. Zyrtarët u cituan të thoshin se mund të kishin qenë deri në katër sulmues. Ministri i Brendshëm kërkoi nga njerëzit të shmangnin Vjenën qendrore dhe u tha prindërve të mbanin fëmijët e tyre në shtëpi të martën.

Më herët gjatë ditës së martë, ministri Nehammer kishte deklaruar se 1,000 pjesëtarë të sigurisë ishin angazhuar në operacionet e kërkimit për sulmues të mundshëm, duke shtuar se edhe vendet fqinje kanë ofruar ndihmë në këtë drejtim.

Viktimat janë dy gra dhe dy burra. Njëra nga gratë thuhet se ishte kameriere. Gruaja e dytë vdiq nga plagët e saj në spital, thanë raportet.

Viktimat ishin në një zonë të qendrës së qytetit të mbushur me njerëz në bare dhe restorante, afër sinagogës qendrore të Vjenës, por nuk është ende e qartë nëse ajo ishte shënjestra e sulmit.

Shtatë persona që janë plagosur, sipas mediave austriake, kanë marrë plagë të rrezikshme për jetë.

Në mesin e të plagosurve është edhe një polic, 28 vjeç, i cili sipas Ministrisë së Brendshme, është jashtë rrezikut për jetë.

Qeveria austriake ka shpallur tri ditë zie.

Kancelari austriak Sebastian Kurz e quajti atë një “sulm të neveritshëm terrorist”.

Ai të martën tha se është i vetëdijshëm se kjo nuk është një “mosmarrëveshje midis të krishterëve dhe myslimanëve”.

“Por ne gjithmonë duhet të jemi të vetëdijshëm se kjo nuk është një mosmarrëveshje midis të krishterëve dhe myslimanëve ose midis austriakëve dhe migrantëve. Kjo është një luftë midis shumë njerëzve që besojnë në paqe dhe atyre pak që duan luftë”, tha Kurz.

Ndërkaq, gjatë një adresimi televiziv, Kurz u zotua se do të “kapim autorët dhe ata që qëndrojnë pas tyre”.

Liderët botërorë solidarizohen me Austrinë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dënoi sulmin në Vjenë, duke thënë se akte të tilla “ndaj njerëzve të pafajshëm” duhet të ndalen.

“Lutjet tona janë me njerëzit në Vjenë pas edhe një akti të terrorizmit në Evropë. Këto sulme djallëzore kundër njerëzve të pafajshëm duhet të ndalen. SHBA-ja qëndron me Austrinë, Francën dhe me gjithë Evropën në luftën kundër terroristëve, përfshirë edhe terroristët radikalë islamikë”, ka shkruar Trump në Twitter.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, të martën tha se “terrori islamik është armiku ynë i përbashkët”.

“Lufta kundër këtyre vrasësve dhe atyre që i nxisin – është lufta jonë e përbashkët,” shkroi zëdhënësi i Merkelit në Twitter, duke shtuar: “solidaritet” me Austrinë.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha se “Evropa është e bashkuar, dhe e vendosur. Ne jemi një”.

Turqia ka dënuar sulmin në Vjenë, duke thënë se qëndron në solidaritet me popullin austriak.

“Ne jemi të pikëlluar me lajmin se ka të vdekur dhe të plagosur si rezultat i sulmit terrorist që ndodhi në Vjenë”, tha ministria e Jashtme turke në një deklaratë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dënoi sulmin në Vjenë duke thënë se “Izraeli dënon sulmin brutal në Vjenë dhe qëndron në solidaritet total me Austrinë.

“Popujt e civilizuar kudo duhet të bashkohen për të mposhtur egërsinë e terrorizmit islamik të ringjallur”, tha ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një postimi në Twitter tha se sulmi terrorist në Vjenë është sulm “ndaj vlerave që ne ndajmë”.

“Ky moment i vështirë do të na afrojë më shumë në luftën kundër terrozmit”, tha Thaçi, duke shtuar se Kosova qëndron përkrahë popullit dhe shtetit austriak.

Policia ka thënë se sulmi ka nisur në sinagogën Seitenstettengasse.

Policia në Republikën Çeke ka thënë se ka nisur të kryejë kontrolle rastësore kufitare në kufi me Austrinë, pas shqetësimeve se sulmuesit mund të jenë nisur në atë drejtim.

Dëshmitarët thanë se sulmi ndodhi teksa qytetarët ishin në bare e restorante, duke shijuar natën e fundit, para se Austria të nisë së zbatuari kufizimet e reja në lëvizje, me qëllim të frenimit të koronavirusit.

Për këtë arsye, shume njerëz janë parë në qendër të Vjenës, nëpër bare dhe restorante, të cilat do të mbyllen deri në fund të muajit nëntor.

Mediat: Mes viktimave në Vjenë dhe një shqiptar nga Struga (EMRI)

Mediat e huaja raportojnë se një prej 4 viktimave nga sulmi terrorist në Vjenë është shqiptar.

Ato e kanë identifikuar viktimën si Nexhip Vrenezin, nga Struga e Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë nga pala tjetër, po ashtu kishte shqiptarë, pasi autor kryesor i sulmit ishte Kujtim Fejzullahu nga Maqedonia e Veriut i cili mbeti i vrarë nga forcat e policisë austriake pasi qëlloi mbi disa civilë e policë.

Po ashtu të përfshirë në këtë ngjarje dyshohet se janë dhe 12 të dyshuar të tjerë, prej të cilëve dhe shqiptarë nga Kosova.

Ish-futbollist në Austri, kush është agresori shqiptar i sulmit në Vjenë

Media austriake Heute i ka kushtuar një shkrim Kujtim Fejzullahut, shqiptarit me origjinë nga Maqedonia e Veriut që në një sulm terrorist në Vjenë vrau së pak 4 qytetarë si dhe plagosi mbi 15 të tjerë përfshi dhe një polic.

20-vjeçari Fejzullahu sipas medias austriake, ka qenë futbollist në qytetin e Mödling në adoleshencë, por aty ka rënë në kontakt me ekstremistë islamikë apo simpatizantë të ISIS që e kanë futur në rrugën e radikalizimit.

Ai njihet si frekuentues i xhamive, po ashtu kishte dhe rekorde penale teksa pjesë e lëvizjes Salafiste. Zbulohet se në korrik me një makinë jo të tijën ai ka shkuar në Sllovaki për të marrë municion. Atë do e siguronte për armën e tij AK-47.

Po ashtu përveç tij si të dyshuar për sulmin terrorist janë dhe 12 persona të tjerë. Ata jetojnë 10 në Vjenë dhe 2 në Sankt Pölten teksa arrestimet kanë filluar. Ata janë të gjithë me prejardhje të huaj nga Kosova, Bangladeshi dhe Çeçenia. Madje një prej tyre është ende minoren, vetëm 12 vjeç.

Vjenë: Pesë te vrarë në sulmin e së hënës

Marrë nga Associated Press

Pjesë të qendrës së Vjenës mbetën të mbyllura nga policia të martën në mëngjes pasi një sulm me armë në kryeqytetin austriak la pas vets pesë persona të vrarë, përfshirë edhe një sulmues.

Ministri e Brendshme tha se dy burra dhe dy gra vdiqën nga pasojat e plagëve që pësuan në sulmin e së hënës.

Sulmuesi i dyshuar, i cili mbante një pushkë dhe një jelek të rremë vetëvrasës, u qëllua dhe u vra nga policia.

Ministria e Brendshme tha se i dyshuari i vrarë ishte simpatizues i grupit Shteti Islamik.

Ministri i Brendshëm austriak, Karl Nehammer, tha se ai ishte një 20 vjecar me shtetësi të dyfishtë, të Austrisë dhe të Maqedonisë së Veriut.

Policia tha se sulmi ndodhi ndaj qytetarëve që kishin dalë për të shijuar një mbrëmje të fundit në Vjenë përpara se të hynin në fuqi masat e ndalim-qarkullimit për shkak të koronavirusit.

“Jam i kënaqur që policia jonë ishte në gjendje të neutralizonte një nga autorët e sulmit,” tha kancelari austriak Sebastian Kurz. “Ne kurrë nuk do t’i lejojmë vetes të frikësohemi nga terrorizmi dhe do t’i luftojmë këto sulme me të gjitha mjetet.”

Policia bllokon një rrugë pranë sheshit Schwedenplatz, pas sulmit në Vienë.

Policia bllokon një rrugë pranë sheshit Schwedenplatz, pas sulmit në Vienë.

Policia tha se disa të shtëna u qëlluan pak pas orës 8 në mbrëmje në një rrugë me shumë lëvizje në qendër të qytetit dhe se zjarri ishte hapur nga gjashtë pika.

Zyrtari më i lartë i sigurisë i Austrisë tha se autoritetet besojnë se bëhej fjalë për disa persona të armatosur dhe një operacion policor po vazhdonte disa orë pas sulmit.

“Duket se ka qenë një sulm terrorist,” i tha Ministri i Brendshëm Karl Nehammer medias publike ORF, duke shtuar se autorët e sulmeve ishin të armatosur me pushkë. Ai tha se ushtrisë iu kërkua të ruante zonat kyçe në qytet, në mënyrë që oficerët e policisë të kishin mundësi të merreshin me ndjekjen e autorëve të sulmit.

Kryebashkiaku i Vjenës, Michael Ludwig tha se 15 persona u shtruan në spital, shtatë prej të cilëve me plagë të rënda.

Oskar Deutsch, kreu i komunitetit hebre në Vjenë, tha se të shtënat ndodhën në rrugën para sinagogës kryesore të qytetit, por se nuk ishte e qartë nëse ajo ishte objekti i sulmit. . Sinagoga ishte e mbyllur në atë kohë, shkruante Deutsch në Twitter.

Rabini Schlomo Hofmeister tha se kishte parë të paktën një person që kishte hapur zjarr ndaj njerëzve që ishin jashtë në bare në rrugën poshtë dritares së tij.

“Ata po qëllonin me të paktën 100 fishekë para ndërtesës sonë,” tha rabini Hofmeister.

“Të gjitha këto bare kanë tavolina jashtë. Kjo mbrëmje është e fundit para masave të mbylljes,” shtoi ai. “Që nga mesnata, të gjitha baret dhe restorantet do të mbyllen në Austri për një muaj dhe shumë njerëz ndoshta donin të përfitonin nga kjo mbrëmje për të dalë jashtë.”

Kancelari Kurz tha se këto ishin “orë të vështira për republikën tonë” dhe u zotua: “Policia jonë do të veprojë me vendosmëri kundër fajtorëve të këtij sulmi të neveritshëm terrorist”.

Presidenti francez Emmanuel Macron shkroi në Twitter se francezët “ndajnë tronditjen dhe pikëllimin e popullit austriak të vënë sot në shënjestër të një sulmi “.

“Pas Francës, ky është një vend mik që është sulmuar. Kjo është Evropa jonë. Ne nuk do të dorëzohemi,” shkruante ai.

Franca ka përjetuar tre sulme për të cilat mbahen përgjegjës ekstremistë myslimanë në javët e fundit: një nga një refugjat pakistanez që plagosi dy persona para zyrave të dikurshme të gazetës satirike Charlie Hebdo; prerja e kokës së një mësuesi që u kishte treguar studentëve karikaturat e Profetit Muhamed; dhe një sulm vdekjeprurës me thikë të enjten në një kishë në qytetin mesdhetar të Nicës. Franca ka vendosur nivelin maksimal të sigurisë.

Autoritetet në Vjenë u kërkuan njerëzve të shmangin të gjitha hapësirat e hapura dhe transportin publik. Policia tha se tramvajet dhe autobusët nuk po ndalonin dhe u kërkoi përdoruesve të mediave sociale të mos postojnë video të operacionit policor në mënyrë që të mos rrezikojnë oficerët.

zëri i amerikës

Francë: Identifikohet autori i sulmit vdekjeprurës në Nisë

Lisa Bryant

Autoritetet franceze kanë identifikuar të dyshuarin për një sulm me thikë që la tre të vdekur në qytetin jugor të Nisës.

I dyshuari është identifikuar si Brahim Aouissaoui, një tunizian 21-vjeçar.

Sipas BBC-së dhe Reuters-it, Aouissaoui mbërriti me anije në ishullin italian të Lampeduzës në shtator. Pasi përfundoi një periudhë karantinë për koronavirusin, atij iu tha të ikte nga Italia. Ai mendohet se arriti në Francë më herët këtë muaj.

Aouissaoui nuk ishte në listën e militantëve të dyshuar nga Tunizia dhe nuk ishte i njohur nga shërbimet e zbulimit francez, tha Reuters.

Sulmi po trajtohet si një akt terrorizmi dhe Franca ka ngritur alarmin e saj të sigurisë kombëtare në nivelin më të lartë.

Zyrtarët thonë se sulmi ndodhi të enjten në mëngjes në kishën Notre Dame të Nisës. Dy persona vdiqën brenda kishës, thonë zyrtarët, dhe të paktën njërit prej tyre iu pre koka. Një person i tretë, i cili u plagos rëndë, arriti të largohej nga kisha, por vdiq pak më vonë.

Në një zhvillim tjetër, policia qëlloi për vdekje një burrë të armatosur me thikë në qytetin jugor francez Avignon. Dhe në Arabinë Saudite, një burrë u arrestua pasi plagosi një roje para konsullatës Franceze në Jeddah.

Kryebashkiaku i Nisës, Christian Estrosi e karakterizoi sulmin në qytetin e tij si një incident terrorist. Ai tha se ishte përsëri viktimë e asaj që ai e quajti islamo-fashizëm. Ai tha se i dyshuari, i dërguar në një spital pasi u plagos gjatë një arrestimi policor, vazhdoi të thoshte “Allahu Akbar” gjatë ndalimit.

Sulmi vjen ndërsa Franca përgatitet të fillojë një periudhë tjetër masash shtrënguese për t’u mbrojtur nga koronavirusi – dhe pas dy sulmeve të tjera me thikë, për të cilat po ashtu janë përgjegjës islamikët radikalë dhe të cilat janë të lidhura me karikaturat e Profetit Muhamed. Në një nga sulmet, mësuesit Samuel Paty iu pre koka pranë Parisit.

Po ashtu goditja e fundi, është më e fundit në një numër sulmesh terroriste islamike që ka prekur Francën në vitet e fundit, përfshirë një sulm xhihadist 2016 në Nisë.

Mbrojtja e fundit që i bëri Presidentit Emmanuel Macron karikaturave të Profetit Muhamed në emër të fjalës së lirë ka shkaktuar protesta dhe bojkot në një numër vendesh myslimane. Shumë myslimanë janë shumë të ofenduar nga karikaturat. Por në Francë, mijëra njerëz janë grumbulluar në mbështetje të shprehjes së lirë, përfshirë disa udhëheqës të shquar myslimanë.

Asambleja Kombëtare e Francës mbajti një moment heshtje për viktimat e sulmit të fundit dhe udhëheqësit myslimanë francezë i nxitën besimtarët të anulonin të enjten festimet për ditëlindjen e profetit Islam. Qeveritë evropiane dhe të tjera gjithashtu kanë dërguar mesazhe ngushëllimi dhe kanë dënuar sulmet në Nisë.

Francë, sulm me thikë në Nisë, vriten tre veta

Një njeri i armatosur me thikë vrau tre persona në një kishë të enjten në qytetin francez të Nisës.

Rreth orës 9 të mëngjesit, njeriu me thikë hyri në kishën Notre Dame të qytetit dhe i preu fytin kujdestarit të kishës, i preu kokën pjesërisht një gruaje të moshuar dhe plagosi rëndë një grua të tretë, sipas një burimi të policisë.

Kujdestari i kishës dhe gruaja e moshuar vdiqën në vend, ndërsa gruaja e tretë mundi të dilte nga kisha dhe të shkonte në një kafene aty pranë, por edhe ajo vdiq nga plagët.

Kryetari i bashkisë, Christian Estrosi, e cilësoi si një sulm terrorist ngjarjen, e treta e këtij lloji në Francë brenda dy muajve.

“Ai vazhdonte të përsëriste fjalët Allahu Akbar ‘(Zoti është i Madh) edhe kur ishte nën ndikimin e ilaçeve” pas plagosjes gjatë arrestimit nga policia” tha kryebashkiaku.

Prokurorët kundër terrorizmit kanë filluar një hetim mbi vrasjet, të cilat vijnë pas prerjes së kokës të mësuesit Samuel Pati në fillim të këtij muaji. Autori i atij sulmi, me origjinë çeçene, tha se donte ta ndëshkonte mësuesin sepse u tregoi nxënësve karikaturat e Profetit Muhamet gjatë një ore mësimi për edukimin qytetar.

Nuk është e qartë nëse vrasjet e së enjtes ishin të lidhura me karikaturat, të cilat konsiderohen fyerje nga myslimanët.

Që nga vrasja e mësuesit Samuel Pati, zyrtarët francezë, me mbështetje të gjerë nga publiku, kanë ripohuar të drejtën e tyre për të shfaqur karikaturat, shumë prej të cilave janë shfaqur gjerësisht gjatë marshimeve në solidaritet me mësuesin.

Shfaqja publike e imazheve ka shkaktuar një zemërim të thellë në botën myslimane dhe disa qeveri kanë akuzuar Presidentin Emmanuel Macron për ndjekjen e një axhende kundër fesë islame.

Nisa ishte shënjestër e një prej sulmeve më vdekjeprurëse në Francë vitet e fundit. Një tunizian 31-vjeçar drejtoi një kamion mbi turmën që ishte duke kremtuar Ditën e Bastijës më 14 korrik të vitit 2016, duke vrarë 86 veta.

zëri i amerikës

Von der Leyen: Vendet e BE mund të marrin vaksinën e COVID-19 në prill

Mbërritja e vaksinave të mundshme Covid-19 në vendet e Bashkimit Evropian mund të fillojë në Prill, tha Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.

“Numri i madh i furnizimeve pritet të fillojë në Prill”, tha zonja von der Leyen, duke shtuar se në rastin më të mirë kompanitë mund të dorëzojnë deri në 50 milionë vaksina në muaj në BE.

Von der Leyen premton se “ne do të jemi në gjendje të vaksinojmë 700 milionë njerëz” me një diapazon prej 20-50 milion doza të shpërndara çdo muaj në bazë të marrëveshjeve me kompanitë farmaceutike. Pastaj ajo shpjegon: “Masat u lehtësuan shumë shpejt, kjo është arsyeja pse ekziston vala e dytë”. Brukseli po synon për një Bashkim Evropian të shëndetit, me një paketë iniciativash të përbashkëta.

Komisioni po propozon një seri masash të reja për të luftuar pandeminë, duke thënë që rritja e re e infeksioneve në kontinent është “alarmante”.

Evropa përsëri duket të jetë epiqendra e pandemisë në të gjithë botën. Belgjika është një pikë e nxehtë dhe shumë vende po vuajnë gjithashtu norma rekord ditore të infeksionit.

Virusi po përhapet me shpejtësi në Holandë, pjesën më të madhe të Spanjës dhe Republikës Çeke, dhe Gjermania dhe Franca po përgatiten për bllokime të reja.
Belgjika ka numrin më të lartë 14-ditor të rasteve Covid-19 për 100,000 qytetarë, duke tejkaluar Republikën Çeke, sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.

Ajo tejkalon madje Francën dhe Spanjën. Në total, 11,038 njerëz kanë vdekur deri më tani nga pandemia në Belgjikë. Të martën, 689 njerëz u dërguan me urgjencë në spital me Covid-19, 60 më shumë se rekordi gjatë pikut të marsit.

Komisioni Evropian u ka kërkuar 27 qeverive të BE të bëjnë më shumë dhe në një mënyrë më të koordinuar për të trajtuar virusin.

Brukseli tha se qeveritë e BE duhet të koordinojnë strategjitë e tyre të testimit dhe të përdorin më shumë testet e shpejta të antigjenit, pavarësisht nga fakti që furnizimi global për këto pajisje tani po shtrëngohet.

“Situata është shumë serioze, por ne ende mund të ngadalësojmë përhapjen e virusit nëse të gjithë marrin përgjegjësinë (e tyre)”, tha zonja von der Leyen.

Në Republikën Çeke, zyrtarët e shëndetësisë thanë se rritja e rasteve të përditshme të vendit arriti një rekord të ri të lartë me 15,663 të Martën – aq sa Gjermania, e cila ka tetë herë më shumë popullsi.

Vendi kishte 284,033 raste të konfirmuara në total, më shumë se gjysma e tyre të regjistruar në dy javët e fundit. Deri më tani, 2,547 njerëz kanë vdekur, me një rekord 139 vdekje të regjistruar të hënën. Qeveria Çeke ka forcuar më tej rregullat, duke vendosur një shtetrrethim mbarëkombëtar midis orës 21:00 dhe 6 të mëngjesit.

Në Gjermani, numri i infeksioneve të sapo regjistruara në një ditë ka arritur edhe një rekord të lartë. Instituti Robert Koch, agjencia gjermane e kontrollit të sëmundjeve, tha se 14,964 raste të reja u regjistruan në ditët e fundit, duke e çuar totalin që nga fillimi i shpërthimit në 449,275.

Gjermania gjithashtu pati edhe 27 vdekje të tjera të lidhura me Covid, duke rritur numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 10,098.
Polonia, gjithashtu, ka shënuar një rekord të ri në infeksionet e përditshme, me të paktën 18,800 raste dhe janë regjistruar 236 vdekje të reja të lidhura me Covid.

Italia të martën regjistroi gjithashtu numrin më të lartë të saj një-ditor në pandemi – gati 22,000 raste të reja – dhe 221 vdekje të tjera.

Protestat janë organizuar në disa qytete italiane kundër shtetrrethimit brenda një dite në disa rajone. Kufizimet në mbarë vendin filluan këtë javë, duke mbyllur palestrat, pishinat, kinematë dhe teatrot. Restorantet kërkohet të mbyllen para orës së darkës.
Rastet totale të konfirmuara të Italisë u rritën në 564,778 dhe numri i të vdekurve arriti në 37,700. Rajonet e Lombardisë Veriore dhe asaj të Kampanias Jugore kanë përjetuar ngarkesat më të larta ditore në ditët e fundit.

Edhe Suedia, e cila shmangu një bllokim kombëtar dhe në përgjithësi vendosi masa shumë më të lehta sesa vendet e tjera evropiane, tani po u bën thirrje njerëzve të shmangin qendrat tregtare, dyqanet dhe transportin publik.

Javën e kaluar, komisioni tha se do të blinte deri në 22 milionë analiza antigjeni për të përmbushur “nevojat e menjëhershme” të vendeve të BE. Tani po u kërkon shteteve të blejnë më shumë përmes një skeme të përbashkët prokurimi.

Gjithashtu tha se shtetet duhet të kenë kërkesa të zakonshme testimi për udhëtarët që vijnë, duke përfshirë testet gjatë mbërritjes nëse testet nuk ishin të disponueshme në vendin e nisjes. Ai bëri thirrje për rregulla të koordinuara për karantinat.

Brukseli gjithashtu u kërkoi qeverive të ndajnë më shumë të dhëna mbi shpërthimet në vendet e tyre dhe mbi situatën në mjediset e tyre të kujdesit shëndetësor.

Gjermania merr vendimin e menjëhershëm- Merkel: Nga e hëna rifutemi në karantinë!

Pas Francës dhe Spanjës dhe Gjermania vendos për të rifutur vendin në karantinë.

Vendimi është marrë pak minuta më parë gjatë mbledhjes së kancelares Angela Merkel me drejtuesit e 16 landeve.

Kjo do të shihte që shkollat ​​dhe kopshtet të mbesin të hapura, por restorantet, baret dhe disa dyqane mbyllen për të paktën një muaj. Ngjarjet e mëdha do të anuloheshin edhe një herë dhe shkurajoheshin udhëtimet e panevojshme

Në të gjithë Gjermaninë, do ndalohen lëvizjet e panevojshme, do mbyllen objektet e argëtimit, baret, restorantet dhe disa dyqane të mbyllen, por mbeten hapur shkollat dhe kopshtet. Masat do të hyjnë në fuqi në të gjithë Gjermaninë nga 2 nëntori dhe do të zbatohen deri në fund të muajit.

Kjo vjen pas shtimit të rasteve me Covid-19 dhe humbjeve të jetës.

Në Gjermani gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 14.964 raste të reja me coronavirus, që është numri më i madh në baza ditore që nga fillimi i epidemisë, ka njoftuar Instituti Robert Koch.

Sipas përllogaritjeve, kostoja për një muaj bllokim varion nga 7 deri në 10 miliardë euro.

Kodi Zgjedhor, Komisioni Venecias: Opinioni ynë në dhjetor

Komisioni i Venecias njoftoi të martën se ka vendosur të jap vlerësimin e tij lidhur me ndryshimet e fundit të Kodit zgjedhor të bërëa nga parlamenti shqiptar në dritën e ndërhyrjeve kushtetuese të 30 korrikut, lidhur me zbatimin e një sistemi me lista të hapura.

Në përgjigje të kërkesës që Presidenti Ilir Meta i drejtoi Komisionit, drejtuesi i këtij institucioni, Gianni Buquicchio bëri të ditur se “në dritën e kohës së shkurtër para seancës së ardhshme plenare dhe të ndërlikueshmërisë së çështjes, Byroja e Komisionit ka vendosur të mos autorizojë procedurën urgjente”, duke shpjeguar se “opinioni do të përgatitet sipas procedurës së zakonshme dhe do t’i paraqitet seancës plenare për shqyrtim dhe miratim në dhjetor”. Në mbyllje të letrës, zoti Buquicchio vë në dukje se “sipas praktikës sonë, ky mendim në parim do të hartohet së bashku me ODIHR-in”.

Kërkesa e zotit Meta u shoqërua me debate, kryesisht rreth faktit nëse do të duhej të pritej opinion I Venecias, përpara se parlamenti të rivotonte ndryshimet në Kod, pas dekretit të Kreut të shtetit për t’ja kthyer atë pas deputetëve.

Shumica rikonfirmoi të martën vendosmërinë e saj për të miratuar ndryshimet. Presidenti Meta i bëri sërish thirrje parlamentit që të priste mendimin e Venecias. Por Komisioni i Ligjeve rrëzoi dekretin e tij, ndërsa vetëm dy përfaqësues të opozitës parlamentare votuan kundër, duke mbështetur idenë që rivotimi të bëhej pasi të shprehej Komisioni i Venecias.

Ashtu si dhe një ditë më parë, Komisioneri për Zgjerimin Oliver Harvelyi ripërsëriti gjithashtu qëndrimin se do të ishte e udhës që parlamenti të vepronte pasi të kishte një vlerësim nga ekspertët e Venecias. “I kënaqur që Kryeministri mirëpret mendimin e Komisionit të Venecias për ndryshimet kushtetuese të korrikut. Prandaj do të ishte e matur të presim që të shprehet, para se të rivotohet në Parlament. Pres zgjedhje të lira dhe të ndershme në prill 2021”, shkruajti komisioneri europian në një postim në Twitter.

Por kryeministri Edi Rama, i qëndroi mendimit se koha nuk pret, ndërsa shpjegoi se kishte patur një komunikim të drejtpërdrejtë me zotin Harvelyi. “Unë e kam sqaruar Komisionerin në bisedat që kemi patur, si gjithmonë biseda të drejtpërdrejta, miqësore, pa dorashka, që parlamenti nuk do të presë asnjë sekondë për arsye se ne kemi zgjedhjet në 25 prill dhe nuk ka asnjë mundësi të hyjmë në spiralen e një aventure ku na fton Ilir Meta, i cili nuk ka qëllim të përmirësojë Kodin Zgjedhor, por të sabotojë nga pozicioni i tij ekstremist antishumicë dhe antiparlament, këtë proces”, tha zoti Rama duke shtuar se lëvizjet e presidentit janë një “përpjekje që është tanimë një përpjeke botërisht e identifikuar si përpjekja e një lideri alternativ të një opozite të copëtuar dhe e një lideri absolut të një partie të degraduar”.

Për zotin Rama “Komisioni i Venecias është patjetër i mirëpritur të sjellë kur të pjekë, opinionin e vet. Ai opinion do të diskutohet me të gjitha forcat politike dhe natyrisht, duke patur parasysh kohën që kemi në dispozicion, do të mbetet për të adresuar çfarëdolloj çështjeje që mund të dalë përtej 25 prillit. Nuk kemi kohë për të humbur dhe nuk mund të hyjmë në asnjë aventurë, po e përsëris, sepse strukturat e reja të administrimit zgjedhor që kanë nisur punën, kanë nevojë të kenë të shkruar të zezë mbi të bardhë ligjin zgjedhor dhe implementimi i ligjit zgjedhor kërkon kohën e vet”.

Ndaj qëndrimit të Kryeministrit reagoi menjëherë Partia Demokratike. “Këmbëngulja arrogante e Edi Ramës në injorimin e apelit të Komisionerit për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi nxjerr zbuluar Kryeministrin autokrat që, për hallin e pushtetit të tij, është gati t’i shpallë luftë Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Shqiptarët nuk do ta lejojnë këtë! Reforma Zgjedhore dhe zgjedhjet demokratike janë kusht për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE. Duke mos dëgjuar këshillën për të pritur Opinionin e Komisionit të Venecias, Edi Rama po tenton të marrë peng të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe të hedhë në erë zgjedhjet e radhës”, shkruajti në Facebook Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi.

Më vonë dhe presidenti Ilir Meta, përmes një postimi në Facebook, falenderoi “miqtë e vërtetë të Shqipërisë, që duan çeljen sa më parë të negociatave me Bashkimin Europian dhe nuk duan të na ndajnë nga Maqedonia e Veriut, për durimin e tyre dhe këshillat e sinqerta. Shpresoj shumë që ato të dëgjohen me mençuri deri të enjten. Por i siguroj miqtë tanë të sinqertë ndërkombëtarë se kohës së injorimit të kushteve dhe standardeve për integrimin do t’i vijë fundi, në çdo rast, në 25 prill 2021. Pas kësaj date të gjitha kushtet do plotësohen rrufeshëm, me qëllim që Shqipërinë europiane ta ndërtojmë këtu dhe së bashku! Në 25 prill 2021, do fillojë epoka e re e sundimit të ligjit, që do të sjellë edhe sundimin e ligjit në Shqipëri”, nënvizoi Kreu i Shtetit.

zëri i amerikës


Send this to a friend