VOAL

VOAL

Kancelarja gjermane vetizolohet pas kontaktit me një mjek të prekur nga COVID-19

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka marrë vendimin për të qëndruar në karantinë në shtëpinë e saj, pasi ka pasur kontakte me një mjek që më vonë u testua pozitiv për koronavirus.

Zonja Merkel u informua pas një konference për shtyp të dielën se një mjek që i kishte bërë asaj një vaksinë të premten pasdite kishte rezultuar si bartës i virusit bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert.

Zonja Merkel vendosi që menjëherë të qëndrojë e izoluar brenda shtëpisë e saj shtoi zoti Seibert. Ajo do të testohet rregullisht gjatë ditëve në vijim dhe do të vazhdojë të kryejë detyrat e saj si kancelare nga shtëpia tha ai.

Në Gjermani po ndërtohen spitale të përkohshme për t’i bërë ballë pandemisë. Autoritetet po përpiqen të ngrenë qendra të terapisë intensive që aktualisht kanë një kapacitet prej 28 mijë shtretërish. Të dielën në Gjermani u regjistruan më shumë se 23,129 raste personash të prekur nga virusi dhe 92 të vdekur. Zyrtarët gjermanë paralajmëruan se koronavirusi mund të godasë deri në 10 milionë persona në rast se nuk merren masat e duhura, përfshirë ajo që njihet si distancim shoqëror.

Italy Virus Outbreak

Italy Virus Outbreak

Italia vendosi të mbyllë të gjitha bizneset që nuk kanë rëndësi thelbësore ndërsa numri i vdekjeve në vend nga koronavirus u rrit të shtunën me 793 raste të reja, duke e çuar totalin e përgjithshëm në 4.825.

Europa tashmë është epiqendra e shpërthimit dhe virusi vazhdon të përhapet. Rastet e reja në Kinë, atje ku e ka zanafillën shpërthimi, kanë nisur të bien.

Të shtunën Italia njoftoi shifrën më të madhe një ditore në viktima si pasojë e virusit që prej shpërthimit të tij, në muajin dhjetor. Në Itali janë më shumë se 53,578 raste të prekurish me COVID-19 që rendisin këtë vend të dytin në botë pas Kinës për nga përmasat e përhapjes së sëmundjes.

Spanja, vendi i tretë në botë më i goditur, raportoi gjithashtu të shtunën numrin më të madh të vdekjeve brenda 24 orëve, 324 raste të reja, duke e rritur totalin në 1.375. E diela shënoi një tjetër rritje të madhe për këtë vend, sot njoftohen 1720 të vdekur dhe 28,572 të prekur nga koronavirusi. Zyrtarët spanjollë paralajmëruan se së shpejti sistemi i kujdesit shëndetësor në vend nuk do të jetë në gjendje të përballojë fluksin e të prekurve. Ata njoftuan gjithashtu planet për të shndërruar një qendër konferencash në Madrid në një spital të improvizuar. Në fillim të kësaj jave, një hotel me katër yje po në Madrid, u shndërrua në spital.

Në Britani kryeministri Boris Johnson ka urdhëruar mbylljen e restoranteve lokaleve e biznese të tjera për argëtim.

Singapori dhe Emiratet e Bashkuara Arabe raportuan dy vdekje të shtunën, viktimat e tyre të para nga koronavirusi. zëri i amerikës

Italia 651 viktima të koronavirusit 24 orët e fundit

ITALI

Italia vijon me rritjen e shirave sa i përket pacientëve të koronavirusit teksa janë 5 mijë e 476 viktima deri më 22 mars.

Po ashtu numri i të prekurve pritet të shkojë në 60 mijë teksa deri më sot shënon 59,138. Italia pësoi një rritje përsëri me 651 viktima sa i përket 24 orëve të fundit por numri i të rekuperuarve shënoi më i lartë 952, ndërsa në total 7024.

Por numri i të infektuarve vijon me hapa të mëdhenj teksa vetëm në 24 orët e fundit 5,560 rezultuan pozitivë.

Koronavirusi, Merkel jep shembullin e mirë, mban radhë në supermarket. Blen edhe verë italiane

Kancelarja gjermane, Angela Merkel jep një shembull të mirë në supermarket. Ajo u fotografua dje nga Bild Zeitung, tabloidi gjerman më i shitur, rreth orës 5 të pasdites, me të njetin kostum blu, pak pasi kishte mbajtur një fjalim para kombit të saj: “Gjithçka, tani, do të provohet”.

Kancelarja ia ka dalë të japë një shembull të mirë duke zbatuar rregullin e rreshtimit në supermarket. Ajo ka qëndruar në rresht deri sa I ka ardhur radha për të bërë pagesën në kasë.

Edhe kësaj here Merkel ka zgjedhur një market afër shtëpisë së saj për të bërë Pazar, në rrethin Mitte, në Berlin. Në karrocën e saj përvec disa ushqimeve ka edhe disa shishe me verë.

Të dhënat shokuese nga Italia, rreth 800 viktima nga COVID-19 në 24 orët e fundit

Italia po trondit botën me të dhënat nga COVID-19. Autoritetet kanë publikuar bilancin e 24 orëve të fundit sa i përket të prekurve me Koronavirus. Numri i viktimave ka shkuar në 4825, që do të thotë janë 793 viktima në 24 orët e fundit.

Rastet janë shtuar me 4821 duke e çuar në 42681 numrin total të rasteve aktive. Numri i të shëruarave ka shkuar në 6072 dhe 2857 janë në gjendje kritike.

Ndërsa numri i të vdekurve në të gjithë botën ka shkuar në 12773.

Nga viktimat e ditës së sotme vlen të theksohet se vetëm në zonën e Lombardisë e cila është edhe epiqendra e koronavirsut janë shënuar 546 viktima në 24 orët e fundit.

Rritet në mënyrë dramatike numri i të prekurve nga koronavirusi në Gjermani, 47 të vdekur

Është rritur në mënyrë dramatike numri i personave të prekur nga koronavirusi në Gjermani.

Mediat botërore raportojnë se numri i të prekurve në vetëm pak kohë ka shkuar nga 2705 në 12 662 persona. Instituti Robert Koch tha se shtimi i rasteve në të tillë mënyrë është një alarm për vendin.

Autoritetet kanë thënë se numri i të vdekurve tashmë ka shkuar në 47 vetë, duke u rritur me 16 persona nga 31 që u njoftuan të premten. bw

Italia merr masa të reja për të parandaluar përhapjen e Covid-19

Romë

Italia ka marrë masa të reja për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri (Covid-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në kuadër të një udhëzimi të nënshkruar nga ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza, në të gjithë vendin është ndaluar frekuentimi në parqe dhe lulishte si dhe të gjitha aktivitetet publike.

Në udhëzimin e ri, parashikohet që qytetarët të bëjnë aktivitete sportive individuale vetëm në afërsi të shtëpive dhe ruajten e distancës prej 1 metër mes personave.

Sipas udhëzimit të ministrit Speranza ndalohen edhe udhëtimet drejt shtëpive të dyta dhe atyre verore, mbyllen bufetë që shesin ushqime dhe pije përgjatë hekurudhave dhe buzë liqeneve, me përjashtim të bufeve që ndodhen nëpër autostrada, në spitale dhe aeroporte.

Masat në fjalë do të jenë të vlefshme deri më 25 mars dhe nëse do të jetë e nevojshme do të zgjaten.

Sipas lajmeve në shtypin italian, thuhet se disa ekspertë presin që mes 23 dhe 28 marsit të arrihet kulmi në numrin e personave ku virusi do të përhapet.

Sipas një dekreti të firmosur më 9 mars nga kryeministri italian, Giuseppe Conte, u vendos ndalesa deri më 3 prill e lëvizjes së lirë në të gjithë vendin, zbatimin e masave të karantinës së rreptë që kufizon hyrjet dhe daljet nga shtëpia përveç nevojave të detyruara si dhe pezullimin e arsimit në të gjitha nivelet e shkollave, përfshirë edhe universitetet si dhe pezullimin e të gjitha aktiviteteve sportive.

Për shkak të koronavirusit në Itali kanë vdekur 4.032 persona ndërsa 37.860 të tjerë janë në trajtim.

Numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri në Itali është rritur për 627 duke arritur në 4.032

Vijon me ritme të larta bilanci i viktimave dhe i të prekurve me koronavirus në Itali. Numri i viktimave të koronavirusit në vendin fqinj mbërriti në 4.032 brenda katër javësh.

Në konferencën për shtyp të së premten, kreu i Mbrojtjes Civile, Borrelli njoftoi se numri i viktimave në 24 orët e fundit është rritur me 627 duke shkuar në 4032. Gjithashtu janë edhe 4670 të prekur të rinj duke cuar numrin në total 37.860 nga virusi me origjinë nga Kina. Vetëm në Lombardi, e cila është provinca me e prekur nga COVID -19 kanë ndërruar jetë brenda 24 oreve 381 persona.

 

Sistemi i shumë lavdëruar shëndetësor i Italisë është sot në buzë kolapsi, sidomos në veriun e pasur të vendit, ku është dhe përqendrimi më i madh i infektimeve.

 

Mjekët kinezë që kanë mbërritur dy ditë më parë në Milano për të ndihmuar, thanë se masat e marra në Lombardi nuk ishin “të rrepta mjaftueshëm”.

Spanjë, numri i të vdekurve nga koronavirusi tejkalon shifrën 1.000

Madrid

Me 235 vdekjet e reja që janë shënuar në 24 orët e fundit në Spanjë numri i të vdekurve është rritur në 1.002 ndërsa në 19.980 numri i personave të infektuar nga koronavirusi i ri (Covid-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Drejtori i Qendrës së Ministrisë së Shëndetësisë për koordinimin e paralajmërimeve dhe shërbimeve emergjente shëndetësore, Fernando Simon, në një konferencë për media lidhur me Covid-19 tha se me një rritje me 235 vdekje të reja, në krahasim me dje numri i të vdekurve është rritur në 1.002, ndërsa ka arritur në 19.980 numri i personave të infektuar me shtimin e 2.833 rasteve të reja.

Simon tha se nga të sëmurët e përcaktuar me Covid-19 nën kujdes intensiv janë 1.141 persona.

“Vdekja është një realitet tek të sëmurët në situatë serioze. Po përpiqemi të garantojmë mbijetesën në masën më të madhe. Në disa raste ne nuk mund ta garantojmë këtë. Aktualisht numri i të sëmurëve që trajtohen në spitale është 10.542”, tha Simon.

Sipas të dhënave, në kryeqytetin e Spanjës, Madrid, i cili është rajoni më i prekur, numri i vdekjeve ka arritur në 590 ndërsa numri i personave të prekur në 7.165.

Për shkak të pamjaftueshmërisë së spitaleve në Madrid, dhomat e disa hoteleve të mëdha janë shdërruar në dhoma për të sëmurët dhe rastet e reja të Covid-19 kanë filluar të transferohen në këto vende.

Shtypi spanjoll ka shkruar se dy varreza të mëdha në Madrid kanë filluar të ofrojnë shërbim 24 orë dhe se personat që humbin jetën nga koronavirusi varrosen brenda 24 orëve.

Në Spanjë ku janë mbyllur kufijtë, janë angazhuar më shumë forca policore dhe ushtarake për të parandaluar daljen e njerëzve jashtë shtëpive gjatë fundjavës.

Pas Covid-19 ka shqetësime për krizë ekonomike

Epidemia e Covid-19 ka shkaktuar krizë ekonomike një Spanjë, e cila tashmë ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme.

Përderisa shumë kompani kanë larguar punonjësit nga puna, sipas një anketimi të publikuar në gazetën “El Pais” thuhet se gjysma e spanjollëve kanë frikë se do të humbin vendin e punës.

Ndërkohë edhe Banka Qendrore e Spanjës ka bërë paralajmërimin se “ekonomia e vendit mund të përballet me një situatë të paparë më parë”.

Kreu i Bankës Qendrore, Pablo Hernandez bëri thirrje për “më shumë masa financiare”. “Një ndërhyrje më gjithëpërfshirëse dhe më e koordinuar e Bashkimit Evropian nuk është më një altenativë, por një domosdoshmëri”, tha ai.

BE mesazh të prerë Prishtinës: Në kohën e krizës së pandemisë kërkohet unitet!

Në një intervistë për Telegrafin, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova ka folur për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke bërë thirrje që në situatën pas pandemisë COVID -19 të ketë unitet dhe konsensus politik për të tejkaluar krizën.

Ambasadorja Apostolava ka thënë se Bashkimi Evropian po ndjek nga afër zhvillimet e fundit politike në vend.

“Ne po ndjekim nga afër zhvillimet në vazhdim në Kosovë. Situata aktuale e pashembullt e shpërthimit të COVID-19 bën thirrje për konsensus, unitet politik dhe qëllim të përbashkët në krizë” ka thënë Apostolova për Telegrafi.

Sipas saj, në këtë kohë partitë politike duhet të kenë unitet për mirëqenien e popullit.

“Partitë politike duhet të kujdesen para së gjithash për mirëqenien e popullit të Kosovës mbi ndonjë interes partiak” ka thënë Apostolova.

Ndryshe, në kohën kur krejt bota edhe shtetet individuale po merren me çështjen e menaxhimit të situatës pas shpërthimit të pandemisë me COVID-19, në Kosovë ka shpërthyer kriza politike ndërmjet partnerëve të koalicionit Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kjo erdhi pasi kryeministri Albin Kurti ka shkarkuar ministrin e Brendshëm, Agim Veliu për të cilin tha pos tjerash se ka shpërndarë panik te qytetarët me deklaratat për coronavirusin.

Ndryshe, LDK ka prezantuar largimin nga Qeveria dhe ka nisur një mocion i cili është përkrahur deri tash nga AAK dhe NISMA Socialdemokrate për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Itali, kalohet rekordi kinez – 475 vdekje të reja nga COVID-19, shifra totale shkon në 2.978

Romë
Itali, 475 vdekje të reja nga COVID-19, shifra totale shkon në 2.978.

Urgjenca e koronavirusit dhe të dhënat ditore të Mbrojtjes Civile. Ekzistojnë gjithsej 28.710 pacientë në Itali, me një rritje krahasuar me të martën prej 2.648. Numri i përgjithshëm i të infektuarve – përfshirë viktimat dhe të shëruarit – arriti në 35713. Por të dhënat nga Campanja mungojnë. Ka 2978 viktima, një rritje nga e marta e 475. Dje rritja kishte qenë 345.

“Ka 1084 më shume të shëruar sot, një numër me të vërtetë i rëndësishëm, i cili i sjell ato në 4025, 37% më shumë se dje,” tha Komisioneri Angelo Borrelli në një konferencë për shtyp në Mbrojtjen Civile. “Ka 2648 më shumë pozitivë për një prirje të qëndrueshme këtë javë,” shtoi ai.

Vendet evropiane të ndërmarrin veprime të guximshme kundër pandemisë, thotë OBSH-ja

Drejtori për Evropën i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka bërë thirrje për veprime të guximshme, në të gjitha vendet evropiane kundër pandemisë së koronavirusit.

Duke e përshkruar Evropën si “epiqendrën” e re të shpërthimit global, drejtori rajonal i OBSH-së, Hans Kluge tha më 17 Mars se “çdo vend, pa asnjë përjashtim, duhet të ndërmarrë veprimet e tij më të guximshme për të ndaluar ose ngadalësuar kërcënimin nga përhapja e virusit”.

Ai tha se bota po përballet me “kohë të paparë” dhe se është e rëndësishme që vendet “të punojnë së bashku, të mësojnë nga njëri-tjetri dhe të harmonizojnë përpjekjet”.

Vërejtjet e Kluge erdhën ndërsa më shumë vende të BE-së shtrënguan masat e shëndetit publik, që kanë detyruar shumë biznese të mbyllen dhe banorët të qëndrojnë në shtëpi.

Në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar, udhëzimet janë shpallur nga presidenti, Donald Trump dhe kryeministri, Boris Johnson. Ata rekomandojnë që njerëzit të praktikojnë “distancimin shoqëror” – duke qëndruar të paktën dy metra nga njerëzit e tjerë në publik.

Por as Trump dhe as Johnson nuk kanë imponuar llojin e rregullave të detyrueshme të mbylljes mbarëkombëtare që tani janë në fuqi në vende si Italia, Spanja, Franca dhe Çekia. rel

“Nuk më plas për paratë”, guvernatori i Venetos: Do iu bëjmë tamponë të gjithëve

Rajoni i Venetos për të frenuar përhapjen e koronavirusit, synon modelin e “tamponëve në tapet”, ose ndryshe tamponë të gjithëve, mbi të gjithë njerëzit. Qëllimi është të gjurmojmë këdo që është pozitiv për Covid-19, në veçanti njerëzit e ashtuquajtur “asimptomatikë” të cilët, duke mos u izoluar, vazhdojnë të përhapin virusin. “Edhe nëse gjej vetëm një rast pozitiv – shpjegon guvernatori i Rajonit, Luca Zaia – do të thotë që do të kem 10 më pak të infektuar”.

Strategjia e tamponëve tapetë duket se ka funksionuar në Korenë e Jugut, ku autoritetet kanë testuar qindra mijëra njerëz, përfshirë kontrollimin e lëvizjeve të tyre përmes telefonave celularë dhe teknologjisë satelitore. Zaia, i cili të paktën tani për tani hedh poshtë polemikat “me autoritetin qendror dhe pretendimet për autonomi”, i tha “Il Corriere della Sera” se dëshiron të paguajë gjithçka me paratë e Rajonit.

“Nuk më intereson shumë buxheti – thotë ai – vlen gjithmonë më pak se jeta e bashkëqytetarëve të mi. Mos më bëj të them se nuk më plas për paratë, por me pak fjalë ne e kuptojmë njëri-tjetrin. Të gjitha me shpenzimet tona”. Dhe për të përmbushur nevojën për teste që “kompanitë i shpërndajnë me pikatore”, “ne do t’i bëjmë ato në shtëpi”.

 

Në mbështetje të linjës së tij, i ndryshëm nga ai i rajoneve të tjera, ai thotë se “nëse nuk do t’i kishim bërë tamponët të gjithëve, Vo ‘Euganeo do të kishte pasur një epidemi. Nëse për absurditet i bëni testin një popullatë të tërë, të paktën ju keni një rezultat kë duhet të izoloni”. Ajo që ndodh në Veneto është një rikonstruksion “i kontakteve të një personi të gjetur pozitiv dhe simptomatik dhe pastaj iu bëjmë të gjithëve me radhë tamponin. Jemi në një kuotë prej 40 mijë në të gjithë rajonin: 2.700 pozitivë pa simptoma, dhe kemi izoluar edhe 7 mijë të tjerë që kanë pasur kontakte me ta”.

 

Për disa anëtarë të komunitetit shkencor, a është bërja e tamponëve për të gjithë një lloj “rrjete fundore”? Zaia përgjigjet: “Respekt maksimal për të gjithë, me të vërtetë. Por është e njëjta botë që nuk na dha asnjë indikacion ndërsa po vinte koronavirusi. Shumë nga ata thanë se ishte një grip i thjeshtë. Të tjerët që maskën duhet ta vendosë vetëm personi i sëmurë” . bw

Franca mobilizon 100 mijë policë për shkak të koronavirusit

Ministri i Punëve të Brendshme të Francës, Christophe Castaner, ka njoftuar se janë mobilizuar 100 mijë forca policore dhe të xhandarmërisë për të kontrolluar lëvizjet e qytetarëve për shkak të shpërthimit të koronavirusit, raporton Anadolu Agency (AA).

Castaner tha se ata që nuk respektojnë rregullat e reja do të dënohen deri në 135 euro.

Presidenti Emmanuel Macron dje njoftoi se lëvizja do të kufizohet për 15 ditë, duke filluar nga sot.

Deri dje, Franca raportoi për 6.633 të infektuar dhe 148 të vdekur, një rritje prej 21 të vdekurve dhe 1.210 raste të reja nga virusi i njohur si Covid-19.

Virusi u shfaq fillimisht në dhjetor në qytetin kinez Wuhan dhe është përhapur në të paktën 146 vende dhe territore. Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli pandemi botërore.

Në Itali shkon në 2158 numri i viktimave, 349 vetë ndërruan jetë 24 orët e fundit

Në Itali, ka shkuar në 349 numri i personave që kanë vdekur nga koronavirusi.

Numri i të vdekurve ka shkuar deri tani 2158 . Ndërsa, 349 pacientë nga koronavirusi kanë ndërruar jetë në 24 orët e fundit.

Italia vazhdon të ketë numrin e të prekurve nga koronavirusi më të lartin në Europë dhe të dytin në botë, pas Kinës. Numri i viktimave tashmë thuajse është dyfishuar që nga dita e enjte, pikërisht për shkak të koronavirusit, raportojnë mediat botërore.

Italia deri tani ka shënuar 27.980 të infektuar, krahasuar me 15 113 katër ditë më parë. Agjencia e Mbrojtjes Civile tha se numri i vdekjeve është rritur me 19.2 përqind.

Numri i përgjithshëm i rasteve në Itali, vendi evropian i goditur më së shumti nga virusi, u rrit në 27.980 nga një 24747 rastet e mëparshme.

Itali, bilanc i frikshëm nga Covid-19, vetëm sot vdesin 368 persona, shkon në 1809 numri i përgjithshëm i viktimave

Rritet frikshem bilnaci i viktimave nga Covid-19 në Itali. Gjatë konferencës për shtyp të orës 18-00 Mbrojtja Civile deklaroi që numri I të vdekurve vetëm sot ka qenë 368, duke e cuar kështu numrin e viktimave gjithsej në të gjithë italinë me 1809.

Numri i personave pozitivë ka shkuar në 20603. Nga dje numri I të infektuarve është rritur me 2853, ndërsa numri I përgjithshëm I të infektuarve përfshirë viktimat dhe të shëruarit, ka arritur 27.747.

Personat e shëruar janë 2335, 369 më shumë se dje. bw

Franca hyn në fazën e tretë vendimtare të betejesë kundër koronavirusit

Paris

Kryeministri francez Edouard Philippe dhe Drejtori i Përgjithshëm i Shëndetësisë Jerome Salomon njoftuan masat e reja paraprake për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri, raporton Anadolu Agency (AA).

Salomon tha se Franca do të hyjë në fazën tretë të gatishmërisë emergjente për të luftuar virusin e njohur si COVID-19.

“Tani duhet të bëjmë gjithçka për ta penguar, për ta ngadalësuar, për ta këputur këtë shtrirje të epidemise”, tha ai.

Ndërkaq, Philippe deklaroi se nga mesnata e së shtunës, të gjitha “vendet publike” që nuk janë “thelbësore për jetën e vendit” do të mbyllen deri në njoftimin e mëtejshëm. Restorantet dhe kafenetë dhe objektet e kulturës franceze do të duhet të mbyllen, së bashku me kinematë dhe klubet e natës.

“Kjo është urgjente, tani është koha kur ne duhet të ndryshojmë sjelljen tonë”, tha ai.

Statistikat e fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tregojnë 4.499 raste të raportuara dhe 91 vdekje në Francë. Trembëdhjetë vdekje kanë ndodhur në 24 orët e fundit.

Transporti publik do të funksionojë në gjithë Francën, por Philippe kërkoi që të përdoret në një kapacitet të kufizuar, për punë dhe vetëm në raste të domosdoshme.

Philippe mendon se publiku duhet ta marrë më seriozisht frenimin e sëmundjes në sjelljen e tij të përditshme, duke i kërkuar kombit të “shmangë tubimin sa më shumë që të jetë e mundur, të kufizojë tubimet miqësore dhe familjare” dhe të largohet nga shtëpia vetëm për blerjen e sendeve kryesore.

Ish-shefi i NATO-s, Javier Solana, infektohet me koronavirus

Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, është dërguar në spital pas diagnostikimit me koronavirus, i ka thënë një burim agjencisë “Reuters”, duke shtuar se shëndeti i tij është duke u përmirësuar.

Lajmin për dërgimin e tij në spital fillimisht e publikoi gazeta ABC të premten. Kjo gazetë raportoi se Solana është shtrirë në një spital të Madridit.

Solana, 77 vjeç, ka shërbyer si sekretar i përgjithshëm i NATO-s nga viti 1995 deri në vitin 1999, më pas si përfaqësues i lartë i BE-së për Çështje të Jashtme nga viti 1999 deri në vitin 2009. Më herët, nga viti 1992 deri në vitin 1995, ai ishte ministër i jashtëm i Spanjës.

Ai kishte marrë pjesë në një tubim me ministren e jashtme të Spanjës, Arancha Gonzalez, të hënën e kaluar, shkruan “National Post”, transmeton Gazeta Express.

Kina ndihmon Italinë: Arrijnë në Itali ekspertë kinezë në luftën kundër Koronavirus: “Do t’ju ndihmojmë ta mundim”

Voal.ch – Ekspertë kinezë të mjekëve në luftën kundër Coronavirus mbërrijnë në Itali: “Ne do t’ju ndihmojmë ta luftoni atë”

Nëntë mjekë që janë specializuar në Covid-19 në muajt e fundit, së bashku me 31 ton furnizime shëndetësore, janë nisur drejt Romës.

Ata do të ndihmojnë kolegët italianë për të luftuar epideminë e koronavirusit .

Midis materialeve të sjella ka pajisje të njësisë së kujdesit intensiv, pajisje mbrojtëse dhe ilaçe antivirale.

“Tani është një luftë globale”, tha Sun Shuopeng, nëndrejtori i Kryqit të Kuq dhe drejtues i ekipit kinez për “Global Times” para se të largohej.

“Mënyra se si ne trajtojmë kontakte të ngushta, pacientë të sëmurë në mënyrë kritike dhe pacientë me simptoma të buta është e ndryshme,” shpjegoi Sun Shuopeng.

Sipas drejtuesit të ekipit, furnizimet mjekësore vijnë nga disa qytete kineze dhe gjithashtu përfshijnë disa ilaçe bimore siç është kapsula Lianhuaqingwen.

“Kapsula Lianhuaqingwen ka rezultuar e efektshme në trajtimin e Covid-19.

Vende të tjera kanë filluar të mësojnë efektivitetin e trajtimit të mjekësisë tradicionale kineze,” tha Sun.

Sun i tha Global Times se kthimi i ekipit mjekësor në Kinë do të varet nga mënyra se si po ndryshon situata në Itali./EB/

QEVERIA E SPANJËS NË KARANTINË, GRUAJA E ZËVENDËSKRYEMINISTRIT REZULTON ME COVID-19

Pandemia e koronavirusit ka mbërritur “në zemrën” e qeverisë spanjolle, raportojnë mediat e huaja.

Zëvendëskryeministri Pablo Iglesias është futur në karantinë pasi gruaja e tij, Ministrja e Barazisë Irene Montero, doli pozitive ndaj testit për COVID-19.

Tani të gjithë anëtarët e qeverisë, nga sot (12 mars) do të izolohen dhe do të testohen për virusin.

Një zëdhënës i qeverisë tha se “protokollet parandaluese” kanë qenë në fuqi prej disa ditësh në ndërtesat e parlamentit, por ato tani do të rriten.

Takimi i kabinetit qeverisës i planifikuar për sot do të përfshijë vetëm ministra që roli i tyre konsiderohet thelbësor për t’iu përgjigjur krizës.

Konferenca e zakonshme për shtyp pas takimit do të mbahet në distancë me Kryeministrin Pedro Sanchez duke iu përgjigjur pyetjeve në internet.

BE dënon vendimin e Trumpit për të ndaluar fluturimet nga Evropa

Bashkimi Evropian tha të enjten se vendimi i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të ndaluar fluturimet nga Evropa për në SHBA, është marrë “në mënyrë të njëanshme” dhe “pa konsultime”.

Duke folur nga Zyra Ovale të mërkurën vonë, Trump tha se fluturimet nga 26 vende të Evropës – që janë pjesë e zonës së lëvizjes së lirë Schengen – për në Shtetet e Bashkuara, do të pezullohen për 30 ditë, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit në SHBA.

Mbretëria e Bashkuar, Irlanda dhe vendet e tjera jashtë Schengenit nuk janë të ndikuara nga kjo ndalesë.

Përjashtime bëhen edhe për qytetarët amerikanë.

“Koronavirusi është krizë globale, nuk është i kufizuar në ndonjë kontinent dhe kërkon bashkëpunim në vend të veprimit të njëanshëm”, thanë përmes një deklarate të përbashkët presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

“Bashkimi Evropian është duke ndërmarrë veprime të fuqishme për të kufizuar përhapjen e virusit”, thanë ata.

Dhjetëra vende të Evropës janë prekur nga një koronavirus i ri, që besohet se e ka origjinën në Kinë.

Vendi i goditur më se keqi është Italia, me mbi 12,000 njerëz të infektuar dhe me mbi 820 të vdekur.

Rastet e para me koronavirusin, i cili shkakton sëmundjen e identifikuar si COVID-19, janë shfaqur në Vuhan të Kinës në muajin dhjetor.

Simptomat që i shkakton kjo sëmundje janë të ngjashme me pneumoninë.

Në SHBA janë mbi 1,300 raste të konfirmuara me koronavirus, ndërsa 38 pacientë kanë humbur jetën. rel

Vizitoi Italinë, Presidenti i PE Sassoli do të vetizolohet: 14 ditët e ardhshme do të punoj nga shtëpia në Bruksel

Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, ka thënë se ai do të punojë nga shtëpia për dy javët e ardhshme pasi vizitoi Italinë në fundjavë dhe do të ndjekë masat për vetëizolim.

Sassoli i cili është italian nga Firence thotë se kjo është një situatë delikate për të gjithë por koronavirusi nuk mund të bllokojë demokracinë prandaj ai do vijojë të ushtrojë detyrat e tij si President i PE nga shtëpia e tij.

“Këshillat e reja të paraqitura nga qeveria italiane shtrin$e zonën e mbrojtur në të gjithë territorin kombëtar. Kjo ka pasoja të rëndësishme për sjelljen e eurodeputetëve italianë. Për këtë arsye, unë kam vendosur pasi kam qenë në Itali gjatë fundjavës së fundit, si masë paraprake, të ndjek masat e treguara dhe të ushtroj funksionin tim si President nga shtëpia ime në Bruksel në përputhje me 14 ditët e treguara nga protokolli shëndetësor .Covid-19 i detyron të gjithë të jenë përgjegjës dhe të jenë të kujdesshëm. Është një moment delikat për të gjithë ne. Parlamenti do të vazhdojë të punojë për të ushtruar detyrat e tij. Asnjë virus nuk mund të bllokojë demokracinë”, tha Sassoli.

Italia veriore në karantinë – 16 milionë banorë të bllokuar nga përhapja e koronavirusit

Italia ka vendosur 16 milionë njerëz në karantinë derisa po lufton kundër shpërndarjes së koronavirusit.

Banorët në 15 provinca qendrore dhe veriore të Italisë duhet të marrin leje për të udhëtuar. Milano dhe Venediku janë tashmë të përfshira nga ky virus.

Shkollat, palestrat, pishinat dhe qendrat e skijimit do të mbyllen tërësisht si dhe të gjitha ngjarjet publike do të anulohen, tha kryeministri Giuseppe Conte.

Këto masa të jashtëzakonshme do të zgjasin deri më 3 prill.

Javën e kaluar, qeveria ka njoftuar për mbylljen e të gjitha shkollave dhe universiteteve për 10 ditë. Italia është vendi më i prekur Evropian nga virusi.

Numri i viktimave ka shkuar në 230 deri të shtunën, me më shumë se 36 viktima brenda 24 orëve. Numri i të prekurve ka shkuar në 5 883 të shtunën.

“Ne duam të garantojmë shëndet për qytetarët tanë. E kuptojmë se këto masa do të kërkojnë sakrifica, por na duhet të marrim përgjegjësi për veten”, tha kryeministri.

Nën masat e reja, banorët e rajonit të Lombardisë nuk do të lejohen të hyjnë ose të dalin. Ky rajon ka 10 milionë banorë dhe Milano është qendra kryesore.

Deri tash, 50 mijë persona janë prekur nga masat e karantinës në Italinë veriore.

Ndërkohë, Irani ka konfirmuar më shumë se 6 mijë të prekur dhe 145 viktima, në mesin e të cilëve edhe një ligjvënëse iraniane.

Më shumë se 100 mijë persona janë prekur nga ky virus në botë dhe rreth 3 mijë e 500 persona kanë humbur jetën. rel

Weber: Vendimi i Kurtit për taksën i njejtë me qëndrimin amerikan, s’e kuptoj pse s’i pëlqen Grenellit

Eksperti gjerman dhe njohësi i rrethanave politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Bodo Weber, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express ka folur rreth zhvillimeve të fundit politike në Prishtinë rreth dialogut me Serbinë dhe vendimin e qeverisë së re rreth taksës 100 %.

Weber ka thënë se vendimi i fundit i Albin Kurtit për heqje të pjesshme të taksës është një vendim që tregon një racionalitet dhe shprehje të vullnetit të mirë, ndërkohë shton se nuk e kupton pse një vendim i tillë është i papranueshëm për Richard Grenellin, kur dy kushtet e kreut të qeverisë kosovare janë plotësisht në përputhje me politikën amerikane.

“Një gjest i arsyeshëm i vullnetit të mirë në emër të qeverisë, që do të duhej të ishte përshëndetur jo vetëm nga Brukseli por edhe nga Washingtoni. Pse? Sepse vendimi i Kurtit për pezullimin e pjesshëm të taksës është i lidhur me dy kushte. Së pari, heqja e barrierave tregtare jo-tarifore nga Serbia drejt Kosovës. Kjo kërkesë është plotësisht në përputhje me obligimet e marra nga CEFTA, dhe me promovimin e idesë së Vuçiqit për të ashtuquajturin Minishengen, këtë e mbështet edhe ambasadori Grenell nëse nuk gabohem”, ka thënë Bodo Weber.

Ai tutje ka shtuar se kushtet e Kurtit janë në përputhje edhe me insistimin e presidentit Trump për drejtësi në marrëdhëniet e tregtisë në rangun ndërkombëtar.

Tutje eksperti gjerman ka thënë se edhe kërkesa e dytë e Kurtit që Serbia ti japë fund fushatës për njohjet është kërkesë edhe e QUINT-it, ku janë anëtare edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nuk shoh ndonjë arsye pse z. Grenell duhet të kritikojë një veprim të qeverisë së Kosovës, përveç nëse ai ka ndonjë qëllim jo të sinqert”, ka potencuar Weber.

Në këtë intervistë Weber ka folur edhe rreth mos koordinimit Thaçi-Kurti rreth politikës së jashtme, duke qenë se presidenti është kundër përfshirjes së BE’së në dialog me një të dërguar special, ndërsa Kurti në anën tjetër deklarohet se mezi pret që të punojë me emisarin e Brukselit për negociatat me Beogradin.

Analisti gjerman në këtë intervistë për Express ka thënë se Hashim Thaçi po e keqpërdor kritikën e bërë nga vetë Weber dhe kolegët e në DPC rreth nominimit të mundshëm të Miroslav Lajcak në pozitën e emisarit të Brukselit për dialogun Kosovë-Serbi.

Tutje Weber ka komentuar edhe konferencën e Thaçit të bërë pas kthimit nga Washingtoni. Sipas tij në atë fjalim, presideni i Kosovës i ka shpallur të vdekura negociatat e Brukselit.

“Presidenti Thaçi në konferencën e tij të jashtëzakonshme në Prishtinë, pas vizitës në Washington, pa u koordinuar me askënd, i shpalli të vdekura negociatat e drejtuara nga Brukseli. Mirë, perspektiva evropiane e Serbisë dhe Kosovës është e lidhur me këto negociata, dhe kjo nënkupton që presidenti juaj në mënyrë bazike ka deklaruar si të vdekura edhe aspiratat e vendit tuaj për t’u anëtarësuar në Bashkim Evropian”, ka theksuar Bodo Weber.

Anëtari i DPC në këtë intervistë ka komentuar edhe deklaratën e Thaçit se gjithmonë ka zhvilluar negociata në mënyrë transparente.

Weber thotë se sipas informacioneve që ka “njëri nga tre liderët që kanë marrë pjesë në negociatat e Brukselit, në marsin e 2018-ës ka vrapuar nëpër qytete evropiane me harta në dorë për të shkëmbyer territoret dhe për ta ndarë Kosovën. Megjithatë presidenti Thaçi dhe Vuçiq e publikuan idenë e tyre për shkëmbim të territoreve gjysmë viti më vonë, në gusht të vitit 2018”.

Teksa ka folur për deklaratat e Thaçit për transparencë në negociatat e Brukselit, Weber ka zbuluar edhe një detaj tjetër të padëgjuar deri sot.

Sipas analistit gjerman, presidenti Thaçi bashkë me ekipin e tij në fillim të negociatave për një marrëveshje finale dhe gjithëpërfshirëse në vitin 2017 ishin përgatitur që ta largonin kërkesën për njohje të plotë formale të Kosovës nga Serbia.

“Ndoshta gabohem, por nuk janë në dijeni nëse një gjë e tillë është diskutuar me ndonjë prej institucioneve relevante të shtetit apo politik bërësit”, ka potencuar Weber.

Tutje Weber thotë se përformanca aktuale e Thaçit karshi Washingtonit më shumë duket si një krizë serioze kushtetuese-kosovare sesa një problem i politikës së jashtme.

Eksperti gjerman tutje ka shtuar se Kosova ka të drejtën e botës për t’u ndjerë e pakënaqur me dobësinë e BE’së, por sipas tij për Prishtinën është më e favorshme që të anëtarësohet në një Evropë të tillë se sa të pajtohet me administratën e presidentit Trump.

“Kur bëhet fjalë për diferencat transatlantike dhe përballjen e Kosovës, presioni i pahijshëm politik që vjen nga administrata e Trumpit fatkeqësisht nuk është diçka e re për Kosovën. Por qeveria paraprake dhe koalicioni qeverisës ka demonstruar se një presion i tillë është i menagjueshëm. Në anën tjetër, Kosova ka gjithë të drejtën të jetë e pakënaqur me jo qëndrueshmërinë dhe dobësinë e BE-së. Edhe unë vetë jam. Por ngjitja në një BE të tillë është më e favorshme për interesin e Kosovës se sa pajtimi me administratën e Trumpit”, ka theksuar Weber.

Sipas tij Kosova do të mund të ndikojë në dialogun e BE’së, nëse siguron një qëndrim politik parimor dhe nëse insiston në kornizën dhe parimet origjinale të dialogut që Serbia duhet të pranojë realitetin e një Kosove të pavarur dhe që koha e ndryshimit të kufijve në Ballkan ka mbaruar. Shtuar kësaj, Weber thotë se Kosova duhet të prezantojë unitet në vend të kaosit të akterëve politik.

Weber tutje thotë se qeveria e Kosovës duhet të definojë pozicionin e saj negociues, duke filluar me negocimin e principeve, duke insistuar në definimin e dialogut politik. Sipas tij një gjë e tillë duhet të behët duke u bazuar në interesin e një Kosove të pavarur, multi-etnike që synon të ketë raporte të mira me të gjithë fqinjët, përfshirë edhe Serbinë.

“Nuk duhet ta dëgjojë askënd në veçanti as në Washington e as në Bruksel. Dhe duhet shtruar pyetja kushtetuese, se kush negocion në emër të Kosovës”, ka potencuar tutje anëtari i DPC, i pyetur se kë duhet të dëgjojë qeveria Kurti, Washingtonin apo Brukselin sa i përket dialogut me Serbinë.

Përveç tjerash Weber thotë se qeveria duhet të interesohet edhe për arritjen e një shumice të mjaftueshme bashkë me opozitën për miratimin e një marrëveshje të ardhshme me Serbinë.

Sa i përket luftës Kurti-Thaçi rreth asaj se kush duhet t’i drejtojë negociatat, Weber kujton vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që autorizonte kryeministrin për drejtimin e negociatave.

“Nëse nuk gabohem, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka përcaktuar se dialogut duhet të udhëhiqet nga kryeministri dhe qeveria. Një vendim i tillë parashihet edhe një rol të presidenti, por sigurisht që nuk e ka autorizuar atë që të veprojë një anshëm, e lërë më të marr vendime”, ka përfunduar Bodo Weber./GazetaExpress/

Itali, rritje me 50 për qind e numrit të të infektuara në 24 orë

Autoritetet në Itali thanë se numri i përgjithshëm i personave të infektuar ka arritur në 1.694, një rritje me 50 për qind krahasur me 24 orë më parë. Të ditën u njoftua gjithashtu se pesë persona të tjerë kishin humbur jetën si pasojë e virusit, duke e çuar numrin në 34. Ndërkohë autoritetet italiane njoftuan se 83 persona janë shëruar plotësisht.

Në Republikën Çeke autoritetet konfirmuan tri raste të të infektuarve me koronavirus. Ministri i Shëndetësisë Adam Vojtech, tha të dielën se që të tre kishin udhëtuar nga veriu i Italisë.

Sipas autoriteteve, pacientët, dy çekë dhe një student amerikan, që studionte në Milano – shfaqën simptoma të lehta.

Dy prej tyre janë në Pragë dhe i treti në qytetin Usti nad Labem, rreth 90 kilometra në veri të kryeqytetit.

Ministri Vojtech bëri thirrje që të shmangen udhëtimet e panevojshme në rajonin e veriut të Italisë, ku është regjistruar numri më i lartë i të infektuarve në Evropë.

Çekia është vendi i parë në Evropën Qendrore që raportoi rastet e infektimit me coronavirusin i cili ka prekur mbi 80 mijë veta në botë që ku u shfaq për herë të parë në Kinë.

Koronavirus: Shkrimtari i famshëm Luis Sepúlveda është pozitiv

Shkrimtari i famshëm kilian është shtruar në spital në një spital të Asturianit në Spanjë

VOAL – Luis Sepúlveda u shtrua në spital në një spital Asturian në Spanjë për shkak të pneumonisë akute dhe u testua pozitiv për testin e koronavirusit. Sepúlveda, i cili është 70 vjeç, është shtruar në Spitalin Qendror Universitar të Asturias (HUCA) në Oviedo me gruan e tij 66-vjeçare. Të dy kanë qenë të izoluar, zbulon gazeta “Voz de Asturias”.

Gruaja e tij Carmen Yanez, e cila thotë se është “mirë”, tha se simptomat e para u shfaqën kur u kthye në Gijon, ku ata jetojnë, pas një javë qëndrimi në Portugali, për të marrë pjesë në festivalin “Correntes d’Escritas”, midis 18 dhe 23 shkurt, në Póvoa da Varzim. Sepúlveda filloi të ketë simptomat e para të martën 25 shkurt, dy ditë pasi u largua nga Portugalia, por u vizitua nga një doktor të enjten më 27.

Spanja tani ka 73 raste të konfirmuara të koronavirusit. Kreu i Qendrës së Koordinimit të Emergjencave Fernando Simón tha të Dielën në mëngjes, duke shtuar se 90% e rasteve ishin importuar ose kanë të bëjnë me raste të importuara. Dy njerëz janë shëruar. Spanja mbetet në nivelin e gatishmërisë një, tha Simón. ats

Gjermania mirëpret vendimin e Kurtit për taksën

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Christian Heldt ka thënë se vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të nisur heqjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, është një hap i rëndësishëm që mund të çojë drejt rinisjes së dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Hap i rëndësishëm dhe kurajoz nga kryeministri Albin Kurti, vetëm disa javë pasi mori detyrën. Tani kjo duhet të çojë në një proces konstruktiv të heqjes së barrierave tregtare dhe të lëvizjes së lirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe riangazhim në dialog që çon në normalizimin e plotë”, ka shkruar ambasadori gjerman, Heldt në një postim në Twitter.

Më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi se nga data 15 mars, do të hiqet tarifa 100 për qind për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Ai ka thënë se nëse Serbia zotohet për heqjen e barrierave jotarifore dhe ndalë fushatën për çnjohjen e Kosovës, nga 1 prilli, taksa prej 100 për qind do të hiqet prej një periudhë prej 90 ditësh. Siç ka thënë Kurti në një konferencë për media, nëse Serbia nuk reflekton gjatë kësaj periudhe, Kosova nga data “15 qershor do ta rikthejë tarifën për importet nga Serbia, ndërkaq që do të vazhdohet edhe zbatimi i filluar më 1 prill i reciprocitetit”.

Ky vendim i kryeministrit Kurti nuk është mirëpritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ambasadori amerikan në Gjermani, njëherësh i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell, e ka cilësuar si “gabim” masat gjysmake të Kurtit, në raport me taksën.

“Ne nuk mbështesim masat gjysmake të kryeministrit Kurti. Pozicioni ynë është i qartë: tarifat duhet të hiqen plotësisht. Kurti po bën gabim serioz”, kishte deklaruar Grenell, pas njoftimit të Kurtit për taksën.

Por, Bashkimi Evropian ka mirëpritur vendimin eKurtit për nisjen e heqjes së taksës.

“Ky hap mund të ketë një efekt pozitiv në rivendosjen e tregtisë rajonale dhe të ofrojë një hapje për rifillimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, është thënë në një deklaratë të Peter Stano, zëdhënësit të Përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell.

Taksa prej 100 për qind ishte vendosur në nëntor të vitit 2018 nga Qeveria e kaluar e Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Pas vendosjes së taksës, Serbia ka refuzuar që të vazhdojë dialogun me Kosovën, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Brukseli dhe Uashingtoni në vazhdimësi i kanë kërkuar Kosovës që të heqë taksën, në mënyrë që t’i hapet rrugë vazhdimit të bisedimeve. rel

Merkel: Vendimi i Kurtit – hapi i parë drejt heqjes së tarifës

Emisari i SHBA’së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, nuk e ka pritur fare mirë vendimin e kryeministrit Albin Kurti për heqje të pjesshme të taksës ndaj Serbisë. Nga Bashkimi Evropian e kanë mirëpritur një hap të tillë, ndërkohë nga Qeveria Federal e kancelares Angela Merkel e shohin si hapin e parë drejt heqjes së plotë të tarifës 100 %.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të enjten në një konferencë për media ka njoftuar se qeveria që udhëheq ka vendosur që fillimisht të heq taksën 100 % ndaj produkteve bazë që Kosova importon nga Serbia. Ai ka thënë se një vendim të tillë do ta marrë me 15 mars, ndërkohë nëse Serbia ndal fushatën kundër pavarësisë dhe heq barrierat jotarifore për Kosovën, taksa 100 për qind të hiqet plotësisht me 1 prill për një periudhë 3 mujore.

E një vendim të tillë të kryeministrit Kurti, Qeveria Federale e kancelares gjermane, Angela Merkel, po e konsideron si hapin e parë drejt heqjes së plotë të taksës 100 % që thonë se është dhe mbetet synim i Berlinit zyrtar.

Kështu ka thënë një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express një zëdhënës i Qeverise gjermane.

“Qeveria Federale e sheh këtë si një hap të parë drejt heqjes së plotë të taksës 100 % të vendosur nga Kosova për Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën, që duhet të mbetet synimi ynë”, ka thënë ky zëdhënës për Gazetën Express.

Nga Berlini zyrtar thonë se është shumë e rëndësishme që Qeveria e Kosovës të pajtohet me një qasje të përbashkët.

“Sipas këndvështrimit tonë, është e rëndësishme që qeveria e Kosovës të pajtohet për një qasje të përbashkët”, ka përfunduar zëdhënësi i qeverisë gjermane.

Vendimi i qeverisë Kurti për të filluar heqjen e pjesshme të taksës nga mesi i marsit e ka mirëpritur Bashkimi Evropian. Gjithashtu në mbështetje të BE’së ka dalë edhe Italia. Ambasadori i këtij shteti në Kosovë ka thënë se pajtohen plotësisht me qëndrimin e Brukselit zyrtar.

Megjithatë vendimi i Albin Kurtit nuk i ka pëlqyer fare emisarit të Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Grenell në një reagim në llogarinë e tij zyrtare në twitter ka thënë se nuk pajtohen me një vendim të tillë, duke kërkuar heqje të menjëhershme të taksës pa vendosur kushte të tjera. Ai gjithashtu ka thënë se Albin Kurti po bën një gabim serioz, dhe se për një gjë të tillë është vënë në dijeni edhe Presidenti Hashim Thaçi.

Sot pa reaguar nuk ka qëndruar as vetë presidenti Thaçi. Sipas tij, kokëfortësia e Albin Kurtit po i dëmton rëndë raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Heqjen e taksës menjëherë dhe pa kushte po e kërkon edhe LDK’ja. Zv.kryeministri, Avdullah Hoti, ka thënë se partia e tij nuk qëndron në një qeveri e cila vë në pikëpyetje raportet me Ëashingtonin.

Ndërkohë Ramush Haradinaj po e quan Kurtin si një mashtrues i cili me vendimin për heqje të taksës i është nënshtruar Serbisë./GazetaExpress/

BE-ja mirëpret masat e kryeministrit të Kosovës për tarifat ndaj mallrave serbe

Bashkimi Evropian mirëpriti vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për heqjen e tarifave në importet e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, si hap i parë drejt heqjes së tërësishme të tarifave ndaj mallrave serbe.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, tha në një komunikatë se Brukseli po pret të mësojë më shumë hollësi, por e mirëpret vendimin si një hap të parë që mund të ketë një efekt pozitiv në rivendosjen e tregtisë rajonale dhe të ofrojë një mundësi për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.

“Është humbur shumë kohë. Besimi duhet të rikthehet urgjentisht. Serbia dhe Kosova duhet të krijojnë një mjedis të favorshëm që bisedimet të rifillojnë në dobi të të dyjave”, thuhet në komunikatë në të cilën theksohet se shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, është i gatshëm të luajë rolin e tij si lehtësues i bisedimeve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten se do të fillojë heqjen e kushtëzuar të tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, që u vendosën në nëntor të vitit 2018 në shenjë kundërvënieje ndaj qasjes së Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.

Ai tha se nga 15 marsi do të hiqen tarifat në lëndën e parë si shenjë e vullnetit të mirë dhe nëse Serbia i jep fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, më 1 prill do të hiqen tërësisht tarifat për një periudhë 90 ditëshe.

Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, tha të enjten mbrëma se Shtetet e Bashkuara nuk i mbështesin masat gjysmake të kryeministrit Albin Kurti dhe se qëndrimi është amerikan është që tarifat duhet të hiqen tërësisht.

Nuk ka pasur ende një reagim nga Beogradi i cili ishte tërhequr nga bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian duke kushtëzuan kthimin me heqjen e tarifave. zëri i amerikës

Koronavirusi- Milano ”kyçet”, boshatisen lokalet, supermarketet dhe Duomo

Krahina e Lombardisë është kyçur për 7 ditë pasi në ditët e fundit koronavirusi në veri të Italisë shpërtheu papritur.
Nga shkollat te teatrot, te muzetë, kinematë, baret dhe klubet e natës, të mbyllura ku parashikohet pezullimi i ngjarjeve ose iniciativave të çfarëdo natyre, ngjarjesh ose çfarëdo forme takimesh në një vend publik, përfshirë ato kulturore. Dhe njerëzit dynden në supermarkete për të mbushur karrocat e tyre të ushqimit me linja të gjata dhe rafte bosh.

Shfaqjet janë pezulluar gjithashtu në Piccolo Teatro deri në njoftimin e mëtejshëm; pastaj u mbyll Hangar Bicocca dhe muzeu i Gallerie d’Italia. Baret, klubet e natës dhe institucionet argëtuese duhet të mbyllen sipas rregullave rajonale nga 18 në 6.00, ndërsa nuk do të ketë kufizime për restorantet.
Edhe monumenti simbolik i qytetit, Duomo, do të mbetet i mbyllur për turistët si masa paraprake deri më 25 shkurt. Besimtarët do të jenë në gjendje të hyjnë për t’u lutur, por nuk do të jenë në gjendje të marrin pjesë në tubimet tjera që janë pezulluar deri në një datë për t’u përcaktuar, siç njoftoi kryepeshkopi i Milanos, Imzot Mario Delpini.

Dhe dyndja në supermarkete filloi pas bllokimit të qytetit, rafte u zbrazën shpejt dhe ka linja të gjata në arkë. Njerëzit gjithashtu lëvizin me dy ose tre karroca dhe disa maska për tu ruajtur nga virusi vdekjeprurës. Padyshim një e dielë ndryshe për një qytet që mbyllet nga coronavirusi.

Në Spanjë zbulohet shpella me 72 anëtarë të një fisi të zhdukur

Me anë të dronit u zbulua shpella me trupat e 72 anëtarëve të një fisi të zhdukur para 1 000 vitesh.

Në një shpellë të lashtë në ishullin Gran Canria të Spanjës, u zbuluan 72 persona me anë të një droni, nga disa arkeologë, raporton “Daily Mail”, transmeton lajmi.net.

62 ishin të rritur dhe dhjetë ishin fëmije, ata ishin të zhdukur para 1,000 vitesh më parë që i përkisnin fisit para hispanik të njohur si Guanche.

Sipas agjencisë arkeologjike të asaj zone, është thënë se ata kanë jetuar nga shekulli VIII deri në shekullin X.

Gjatë pushtimit të spanjollëve nga viti 1402 deri më 1496, është dashur t’i nënshtrohen pushtuesve dhe të zhduken etnikisht. Deri tani është menduar se ata kanë emigruar.

Sukses i padiskutueshëm i Eno Peçit si koreograf i “Opernball” 2020 Nga Elida Buçpapaj

Ishte një shfaqje brilante “Opernball” 2020, evenimenti më i madh artistik që organizohet në Vjenë.

Opera shtetërore e Vjenës u shndërrua në sallën më të bukur të vallëzimit në botë, nën drejtimin e ish solistit të Operas vjeneze Eno Peçi, sot koreograf i këtij institucioni që identifikohet me shpirtin vjenez dhe kranarinë e Austrisë. Me të drejtë pa dyshim!

Është e dyta herë, që koreografia iu besua shqiptarit Eno Peçi, i cili shpalosi artin dhe talentin e tij, sikur di vetëm ai, dmth në mënyrën më të përkryer të mundëshme.

Për suksesin e shfaqjes dhe të Eno Peçit shkruan sot në blogun e tij edhe kritiku i artit Ricardo Leitner, ku vlerëson që në titull elegancën dhe stilin e hollë të Eno Peçit.

“Normalisht unë nuk e komentoj “Opernball”, shkruan sot Ricardo Leitner – por këtë vit është një përjashtim. Unë jam duke shkelur rregullin tim. Por a nuk ka thënë dikush dikur se “Rregullat bëhen që të prishen. Sidomos kur rregulli është im, i vendosur prej meje ”?

Ricardo Leitner ka mbetur i shtangur nga magjia dhe mrekullia e shfaqjes. “Për herë të parë që kur pashë hapjen, u befasova nga koreografia.

Përdorimi i hollësishëm i hapësirës i përdorur nga Eno Peçi ishte thjesht i përsosur. Ishte, për mënyrën time të të menduarit, përdorimi i parë me të vërtetë origjinal i hapësirës.

Edhe pse çdo vit koreografët e vjetër vazhdojnë të postojnë versionet e tyre mjaft të zakonshëm, duke thënë qartë se sa të mrekullueshme ishin ato. Por problemi është: se të gjitha janë dukur njëlloj.

Ndërsa këtë herë z. Peçi na dha një “lexim” të ri, të freskët të hapjes. Se si përshtatej hapësira!

Chapeau!

Megjithëse moderimi i shfaqjes nga TV ORF ishte një nga më të mërzitshmit dhe joprofesionistët që kam përjetuar ndonjëherë, unë mbeta duke e parë atë. Dhe ia vlente!

Bravo, Eno Peçi:

Punë e shkëlqyeshme!”, përfundon kritiku i artit Ricardo Leitner!

Pra Eno Peçi ka prekur qiellin vjenez me këtë sukses të rradhës!

Ne shqiptarët mrekullohemi nga sukseset e Eno Peçit, i cili shkëlqen në vendin më të shkëlqyer të botës sikur është “Opernball e Vjenës!

Shfaqja e koregrafuar nga Eno Peçi ishte e fundit për Manuel Legris, si drejtor i Operas të Vjenës. Legris do të jetë drejtor i Baletit të Teatrit La Scala në Milano!

Unë jam një gazetare që e kam ndjekur fluturimin pindarik të Eno Peçit.

Dhe mund të përfytyroj pa vështirësi që një ditë Eno Peçi mund të jetë Drejtori i Teatrit më të famshëm të botës, sikur është Opera e Vjenës.

A jeni dakord me mua ?!

Besoj se po!

Fotografitë: Ashley Taylor
 

Merkel: Racizmi është një helm dhe ky helm gjendet në shoqërinë tonë

Berlin

Merkel: Racizmi është një helm, edhe urrejtja është helm. Ky helm gjendet në shoqërinë tonë.

Merkel: Do të bëhen çdo përpjekje për të ndriçuar të gjitha prapaskenat e këtyre vrasjeve të tmerrshme.

Steinmeieri dënoi të shtënat terroriste të ekstremit të djathtë

Berlin
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier dënoi të shtënat terroriste të ekstremit të djathtë. Ai bëri thirrje për solidaritet me të gjithë të kërcënuarit nga racistët

Peter Beuth: “Ksenofobia ishte motivi i sulmuesit në Hanau”

Berlin

Ministri i Punëve të Brendshme të shtetit federal gjerman Hessen, Peter Beuth, deklaroi se ksenofobia është motivi i sulmuesit që kreu sulmin terrorist të ekstremit të djathtë në qytetin Hanau, raporton Anadolu Agency (AA).

Ai konfirmoi se në sulmin humbën jetën nëntë persona, ndërsa janë plagosur disa të tjerë, prej të cilëve njëri më rëndë.

Ai theksoi se janë mbledhur deklarata të dëshmitarëve dhe video incizime mbi sulmin pas së cilit është gjetur kufoma e sulmuesit 43 vjeçarë dhe nëna e tij 72 vjeçare.

Ministri Beuth tha se sulmuesi ishte gjerman që jetonte në qytetin e Hanau.

“Të dhënat e para tregojnë se motivi i sulmuesit ishte ksenofobia”, tha Beuth, duke dënuar me forcë sulmin.

Ai theksoi se Zyra e Prokurorit Federal ka filluar hetimin për sulm të dyshuar terrorist.

Nga sulmi i armatosur në dy lokale Hanau për vdekje pësuan nëntë persona, në mesin e të cilëve ka edhe turq.

Sulmuesi Tobias R., një terrorist i ekstremit të djathtë, është gjetur i vdekur në shtëpi, gjatë operacionit të cilin e kreu ekipi i policisë speciale.

Sulmuesi posedonte leje gjuetie, ndërsa më vonë u gjet edhe letra dhe një video-mesazh.

Mblidhen 1.15 miliardë euro për Shqipërinë, Rama citon Biblën e Kuranin

Konferenca e Donatorëve ka rezultuar e suksesshme për Shqipërinë, pasi në total nga mbledhja e të gjithë shifrave që kanë përcjellë dhjetëra vendet pjesëmarrëse, rezulton se është tejkaluar fatura prej 1 miliard euro e dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit.

Në përfundim të konferencës, Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelji, tha se janë mbledhur plot 1.15 mld euro.

Varhelji: Kemi dëshmuar kurajë dhe solidaritet të jashtëzakonshmë. Kemi arritur të mbledhim 1.15 mld euro. Ky është një mesazh për të treguar se sa shumë e kemi përzemër Shqipërinë. Duhet të nisë ndërtimi në terren dhe ne jemi aty për ju.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama u shpreh se ka mbetur pa fjalë nga solidariteti i jashtëzakonshëm i vendeve që dhuruan për Shqipërinë. Kreu i qeverisë ka përdorur dy pasazhe nga librat e shenjtë, fillimisht nga Bibla, e në përmbyllje nga Kurani.

Rama: Kjo është përtej imagjinatës së shfrenuar, nuk di ç’të them. më lejoni të jem mistik se në ç’mënyrë tjetër mund të shpjegoj gjithë këtë.

Më lejoni të citoj diçka nga Bibla, korinthianët, ku thuhet: sepse në një frymë u pagëzuam në një trup dhe të gjithë vijmë nga e njëjta frymë dhe shpirt, nëse një pjesëtar nderohet të gjithë gëzojmë së bashkua.

Unë jam i nderuar shpresoj që të gjithë të gëzojmë të gjithë bashkë për Shqipërinë. Ndërsa citoj Biblën, udhëheq një vend që e ka vëllazërinë fetare siç edhe Papa Francesku e ka pagëzuar nuk mund të largohem pa e përmbyllur me Kuranin, dhe nuk gjej dot shembull më të bukur se ,jo që ndodhi sot: Njerëzimi është një komb i vetëm, faleminderit shumë

Vendin e parë në dhurim e mbajti Franca me plot 100 mln euro dhurim dhe 60 mln euro kredi. Më tutje Bashkimi Evropian së bashku me Komisionin, dhuruan për Shqipërinë 115 mln euro. Italia e vetme dhuroi 65 mln euro, ndërsa Turqia kapi shifrën e 43.6 milionë eurove.

Një shifër e lartë parash ka ardhur dhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat premtuan ndërtimin e plot 2 mijë njësive (banesa) në një vlerë prej afro 70 mln eurosh./Express

Senati voton që Salvini të përballet me drejtësinë

Lideri i partisë Liga, Matteo Salvini.

Senati në Itali ka votuar në të mirë të lejimit të prokurorëve për të gjykuar liderin e të djathtës ekstreme, Matteo Salvini, në akuzat për mbajtje të emigrantëve në det.

Salvini, i cili më parë ka shërbyer si ministër i Brendshëm në Itali, akuzohet për mbajtje në mënyrë të paligjshme të emigrantëve në një anije në Sicili në gusht të vitit 2019.

Rreth 116 emigrantë patën mbetur në anije atëbotë për gati një javë.

Të mërkurën, shumica e senatorëve kanë votuar që gjyqi kundër liderit të partisë kundër-imigrimit, Liga, të vazhdojë përpara.

Salvini ka thënë vazhdimisht se ai dëshiron të përballet me gjyq.

Ai i ka thënë Senatit se dëshiron “t’i tregojë botës” se politikat e tij për emigrimin “kanë shpëtuar jetën e mijëra personave”.

“Unë jam absolutisht i qetë dhe krenar me atë që kam bërë. Dhe do ta bëjë këtë gjë sërish, sapo të kthehem në qeveri”, ka thënë më vonë ai.

Senatorët nga partia e tij janë larguar nga dhoma, për të mos marrë pjesë në procesin e votimit.

Sipas ligjit italian, ministrat kanë imunitet parlamentar për veprimet që marrin derisa janë në pushtet. Mirëpo një komitet ka votuar muajin e kaluar për t’i hequr Salvinit imunitetin, duke e lënë vendimin e fundit në duart e Senatit.

Një tjetër votim zyrtar pritet të realizohet në orën 19:00.

Nëse merret vendim për gjyq kundër tij, Salvini mund të përballet me 15 vjet burgim. rel

Të votojmë për Sami Musa që të bëhet parlamentari i parë shqiptar në historinë e shtetit Gjerman…!

VOTOJMË PËR SAMI MUSA !

Të dashur bashkatdhetarë, kanë ngelur edhe pak ditë deri tek dita e votimeve për të dashurin tonë z. Sami Musa,

kandidat në „Partin Socialdemokrate në Gjermani „ – Hamburg.

ka nga ne që akoma nuk kemi plotësuar formularët.

Këto ditë janë momentet e fundit kur ne duhet t‘i plotësojmë, dhe nëse nuk e keni dërguar deri me tani, duhet të dielen më 23.02.2020-të, të shkoni deri në komunën ku banoni dhe të dorëzoni zarfin me fletëvotimin tënd.

Në mesin e kandidatëve të Hamburgut, është edhe një shqiptaro – gjermanë, aktualisht antarë në „Partin Socialdemokrate në Gjermani „ – SPD – Sami Musa, prandaj ka nevojë edhe për votën tonë….

Vëllezër e motra ju miq të nderuar,

të gjithë ju shqiptarë që jetoni në Hamburg e rrethin me të drejtë vote, mos ngurroni, plotësoni folmularët e fletëvotimeve dhe jepeni votën për Samiun.

Sami Musa mund të ndihmojnë edhe ata që nuk banojnë në Hamburg, por që kanë të afërm dhe miq tek të cilët mund të ndikojnë për ta ndihmuar Samiun duke votuar për te.

Urojmë që votat tona ta ndihmojnë Samiun që të bëhet parlamentar i parë shqiptar në historinë e shtetit Gjerman…!

 

Fotografia e Sami Musa

Veseli bën thirrje të mos hiqet taksa 100 për qind

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka shprehur shqetësim për siç ka thënë ai “ngutinë e tepruar të kryeministrit të ri për të përmbushur kërkesat e Serbisë dhe për të rehatuar Listën Serbe”.

Sipas kryetarit të partisë më të madhe opozitare në Kosovë, taksa 100 për qind ndaj importeve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës nuk duhet hequr, pasi sipas tij ai vendim ka qenë dinjitoz për Kosovën.

“Qeveria e re duhet të mos të dorëzohet para Serbisë përpara sfidave dhe vendimeve të mëdha që e presin Kosovën”, ka thënë Veseli në një postim në rrjetin social, Facebook.

Partia e Veslit ka qenë pjesë e koalicionit qeveritar, kur ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë vendim për taksën në nëntor të vitit 2018.

Thirrje për heqje të taksës patën bërë si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Bashkimi Evropian, mirëpo Haradinaj nuk ishte zmbrapsur.

Më herët gjatë ditës, edhe vetë Haradinaj i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të mos heqë dorë nga kjo masë.

Përmes një letre të hapur, Haradinaj ka thënë se “”në kundërshtim të Serbisë duhet të jemi bashkë deri në njohje reciproke, e jo të jesh për një reciprocitet pa njohje”.

Kurti në anën tjetër ka deklaruar të mërkurën se do të zëvendësojë taksën me reciprocitetin e plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë. rel

Kryetari i Turingenit jep dorëheqje pas kritikave për mbështetjen që mori

Thomas Kemmerich, kryetari i sapozgjedhur i landit gjerman, Turingen me ndihmën e partisë të së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë, ka thënë se do të japë dorëheqje për t’i hapur rrugën procesit të ri zgjedhor.

“Dorëheqja është e pashmangshme”, ka thënë ai.

Zgjedhja e Kemmerichut ka nxitur reagime të ashpra, derisa kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se fitorja e tij është e “pafalshme” dhe se procesi duhet të pezullohet.

Kemmerich u ka thënë gazetarëve të enjten se partia e tij e Demokratëve të Lirë, ka bërë kërkesë për shpërndarje të parlamentit në Erfurt.

“Ne duam zgjedhje të reja, për të larguar shenjat e mbështetjes së parties, Alternativa për Gjermaninë në zyrën e kryetarit”, ka thënë ai.

Votimi i së mërkurës është përshkruar si tërmet politik në Gjermani, pasi partitë e mëdha kanë refuzuar në të kaluarën të bëjnë marrëveshje me këtë parti.

Duke folur gjatë një vizitë në Afrikën Jugore, kancelarja Merkel ka thënë se zgjedhjet ne Turingen duhet të zhvillohen sërish.

“Ka qenë ditë e keqe për demokracinë, një ditë që ka thyer traditën e gjatë dhe krenare të vlerave të Partisë Demokristiane (CDU). Kjo nuk ka të bëjë aspak me atë që beson CDU-ja”, ka deklaruar ajo.

Shumë politikanë tjerë kanë bërë thirrje për dorëheqjen e Kemmerichut nga pozita që ka fituar, përfshirë kryetaren e partisë CDU, Annegret Kramp-Karrenbauer.

Kritikët e Kemmerich-ut kanë qenë të shokuar me faktin se dy partitë e qendrës së djathtë kanë bërë marrëveshje me partinë që ka qasje ekstreme ndaj imigrimit, lirisë së shprehjes dhe shtypit.

Partia, Alternativa për Gjermaninë, ka ligjvënës në të 16 parlamentet e landeve gjermane.

Në nivel kombëtar ajo mban 89 ulëse në Dhomën e Ulët të parlamentit nga 709 sa janë në total, duke e bërë atë partinë më të madhe opozitare. rel


Send this to a friend