Ata që janë në pushtet kanë frikë nga ndryshimet.
Ata që janë përmbysur ëndërrojnë ndryshime dhe punojnë për to.
Kurse vegjëlia rri në mes dhe paguan dëmet.
— Sokrati
Nëse ka një e vërtetë që ka udhëtuar pothuajse e pandryshuar nëpër shekuj, ajo është se lufta për pushtet rrallëherë pushon. Ndryshojnë emrat, flamujt, sistemet dhe sloganet, por mbetet i njëjti cikël: dikush përpiqet të ruajë pushtetin, dikush tjetër përpiqet ta marrë atë.
Mes tyre qëndron njeriu i zakonshëm.
Ai nuk zgjohet në mëngjes duke menduar për strategjitë e partive. Nuk fle duke llogaritur koalicionet. Nuk i kalon ditët duke ndërtuar pushtet. Ai zgjohet për të siguruar jetën, për të rritur fëmijët, për të mbajtur familjen, për të ruajtur dinjitetin.
Por pikërisht ai është ai që paguan më shumë.
Kur ekonomia dobësohet, ai e ndien i pari.
Kur çmimet rriten, ai shtrëngon rripin.
Kur institucionet dështojnë, ai pret në radhë.
Kur drejtësia vonon, ai humbet besimin.
Kur politika polarizohet, ai humbet qetësinë.
Pushteti dhe opozita shpesh paraqiten si kundërshtarë të përbetuar. Në skenë duken të ndarë nga gjithçka. Por nga këndvështrimi i qytetarit, nganjëherë ato duken si dy brigje të të njëjtit lumë: të zëna me njëra-tjetrën, ndërsa uji rrjedh mbi jetët e njerëzve.
Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi e Luginën e Preshevës, shqiptari i zakonshëm ka dëgjuar premtime për dekada. Ka dëgjuar fjalë për zhvillim, reforma, integrim, rilindje, ndryshim, transformim. Disa prej tyre kanë sjellë përmirësime reale. Të tjera kanë mbetur vetëm jehonë fjalësh.
Megjithatë, populli vazhdon të presë.
Pret një shkollë më të mirë për fëmijët.
Pret një spital ku njeriu të trajtohet me dinjitet.
Pret një gjykatë ku e drejta të mos ketë çmim.
Pret një administratë që shërben dhe nuk sundon.
Pret një treg pune ku suksesi të vijë nga aftësia dhe jo nga lidhja.
Kjo pritje nuk është thjesht ekonomike. Ajo është morale.
Sepse njeriu nuk ushqehet vetëm me bukë. Ai ushqehet edhe me ndjenjën se jeton në një vend ku ka vlerë, ku respektohet dhe ku e ardhmja nuk është një derë e mbyllur.
Ndoshta drama më e madhe shqiptare e dekadave të fundit nuk është varfëria, as mungesa e burimeve. Drama më e madhe është largimi i shpresës.
Kur një i ri largohet nga vendi i vet, ai nuk merr me vete vetëm valixhen. Ai merr me vete energjinë, dijen, ëndrrat dhe vitet e tij më të mira.
Kur largohet një mjek, largohet një pjesë e kujdesit të nesërm.
Kur largohet një mësues, largohet një pjesë e dijes së ardhshme.
Kur largohet një sipërmarrës, largohet një mundësi për punësim.
Kur largohet një student i shkëlqyer, largohet një mundësi për zhvillim.
Dhe kështu kombi humbet jo me zhurmë, por në heshtje.
Asnjë sirenë nuk bie.
Asnjë kambanë nuk lajmëron.
Vetëm aeroportet mbushen dhe fshatrat zbrazen.
Në këtë pikë duhet bërë një pyetje e vështirë:
A ekziston politika për qytetarin, apo qytetari për politikën?
Në teori, përgjigjja është e qartë. Në demokraci pushteti duhet të jetë shërbim. Funksioni i tij është të krijojë kushte që njeriu të jetojë më mirë, më lirë dhe më me dinjitet.
Por sa herë që pushteti fillon ta shohë veten si qëllim në vetvete, ai largohet nga misioni i tij.
Dhe sa herë që opozita e sheh ndryshimin vetëm si rrugë drejt pushtetit, ajo rrezikon të bëhet pasqyrë e asaj që kritikon.
Prandaj shoqëritë përparojnë vetëm kur lind një kulturë ku shteti është më i rëndësishëm se partia, ku institucioni është më i rëndësishëm se individi dhe ku interesi publik është më i rëndësishëm se fitorja politike.
Historia shqiptare është histori mbijetese.
Ky popull ka kaluar pushtime, perandori, ndarje kufijsh, luftëra, represione dhe tranzicione të gjata. Ka kaluar periudha kur gjithçka dukej e humbur dhe megjithatë ka gjetur forcë për të vazhduar.
Kjo është arsyeja pse shpresa nuk është luks për shqiptarët. Ajo është një formë mbijetese.
Por shpresa nuk mund të mbahet gjallë pafundësisht vetëm me fjalë.
Ajo ka nevojë për drejtësi.
Ka nevojë për meritë.
Ka nevojë për mundësi.
Ka nevojë për institucione që funksionojnë.
Ka nevojë për njerëz që mbajnë përgjegjësi për atë që premtojnë.
Në fund, pyetja nuk është se kush do të fitojë zgjedhjet e ardhshme.
As kush do të jetë në pushtet nesër.
Pyetja është më e thellë:
A do të arrijmë të ndërtojmë një shoqëri ku fëmijët të mos kenë nevojë të largohen për të ëndërruar?
Ku pleqtë të mos ndihen barrë?
Ku puna të vlerësohet?
Ku ligji të vlejë për të gjithë?
Ku politika të matet me shërbimin dhe jo me propagandën?
Sepse kur të vijë ajo ditë, formula e vjetër do të humbasë forcën e saj.
Atëherë pushteti nuk do të ketë frikë nga ndryshimi.
Opozita nuk do ta kërkojë ndryshimin vetëm për vete.
Dhe vegjëlia nuk do të paguajë më dëmet e betejave të të tjerëve.
Atëherë qytetari nuk do të jetë më spektator i historisë.
Do të jetë arsyeja pse historia shkruhet.
Vendi i Lekës,14.06.2026





Z. Shkreli, pertej deklaratave fasad te ministrit Bushati tipike ne politiken tone, me kujton shprehjen : Fjalet e bukura dhe guret ne strajc.Problemi i shqiperis eshte shume me i thelle , une besoj se klasa politike postkomuniste ka falimentuar tashmè misionin e saj. Sot Shqiperia vetem emrin ka demokratike, sistemi politik , gjygjesor, administrativ eshte pothuajse komplet i korruptuar,kemi rreshqitur ne nje sistem me kuptimin e mire te fjales kleptokratik,per nje njeri te thjeshte eshte skandaloze te jetosh ne Shqiperi .Populli shqiptare eshte nenshtruar nen peshen e varferis,droges, korrupsionit ,frikes , dhunes dhe pasiguris per te ardhmen. Marka e shtetit shqiptare ne Europe eshte koltivimi , trafiku i droges dhe emigracioni ne formen e azilit politik! Lideri Rama , Basha, Meta-Kryemadhi, Berisha jane drejtuesit dhe pergjegjesit kryesor te ketije deshtimi spektakolar keta zoteri kane se bashku 112 vjet ne politik; Ngjarjet e koheve te fundit nuk lenè pike shprese ne te ardhmen e vendit. Siç dihet zgjedhjet u manipoluan si ato parlamentare, po ashtu edhe brenda PD. Ne kombinim me çadren e PD u miratua amnistia politike me ndryshimin e ligjit 449,kjo loje eshte kuptuar mire nga SHBA ; Prokuroret dhe gjykatesit e korruptuar kane ankimuar ligjin e vetingut dy here ne Gjykaten Kushtetuese duke penguar reformen e drejtesis, keto jane disa fakte qe tregojne qarte se Lideri politik Shqiptare eshte i imponuar , eshte kunder reformes se drejtesis ,dhe nuk perfaqson vullnetin e lire te popullit . Zotrit Rama,Basha, Berisha, Meta nuk ju pelqen demokracia e vertet prendimore , mè shume shikojne nga Turqia e Erdoganit dhe Lidhjen Arabe ; merit eskluzive e z. Sali Berishes i cili beri shqiperin antare ,pa asnje konsulte popullore o miratim ne parlament. Me deshperim shohim z. Rama ne vizita zyrtare ne formen e nje karikature sportive,drejtesisht i perjashtuar nga fotografia zyrtare me Zëvëndës Presidentin e SHBA-es Zotin Mike Pence . Ndersa sulmet ndaj historis, kultures dhe Heroit Kombetare ka vite qe ka nis, por mbulimi i Skenderbeut ka shenuar nje faqe tjeter te zeze ne historin e politikes post komuniste! Klasa politike ka bere dhe vazhdon te beje loje te dyfisht me Prendimin , shume mendojme se lideri shqiptare, eshte tejkaluar nga koha. Shqiptaret natyrshem shikojne e shpresojne nga SHBA dhe Europa,por a mundemi ne si popull te dalim nga izolimi 27 vjeçar kleptokratike i nduhmuar nga Turqia e Erdoganit qe sipas informacioneve pritet ne shqiperi me 25 shtator ?