VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

(Updated) Për djeni të DFAE – EDA & Z.Amanda Bennett, VOA – Në mbrojtje të Agron Tufës – Prej 1997 Ambasada e Shqipërisë në Bernë është në duart e ish-nomenklaturës Nga Elida Buçpapaj

By | December 6, 2019
11 Comments
  • author avatar
    Progni.D 2 months ago Reply

    Te lumte mendja dhe pena znj Elida Bucpapaj. Si gjithmone,edhe ne kete shkrim, tregoni se, jeni nje gazetare qe shkruani me guxim,objektivitet dhe profesionalizem. Ju pershendes perzemersisht.

    • author avatar
      Elida Buçpapaj 2 months ago Reply

      Mik i respektuar Dod Progni, ju shpreh falenderimet dhe mirënjohjen bashke me te falat e Skënderit e të mijat. Bekim e respekt per Familjen tuaj te nderuar.
      Elida

  • author avatar
    Anonymous 2 months ago Reply

    Mjerisht mafia komuniste në Shqipëri ende mban strukturat aktive dhe mirë të organizuara. Kështu mos të ju duken çudi , ato kanë aftësi të bëjnë çdo gjë (sikurse kanë bërë) kërcnime dhe deri në vrasje. Shkrimtari i persekutuar Agron Tufa mirë ka bërë që është larguar duke kërkuar asil në një vend demokratik dhe të sigurt siç është Zvicra, sidomos edhe për familjen e tij.
    Nexhmije Mehmetaj

    • author avatar
      Elida Buçpapaj 2 months ago Reply

      Të flm shumë e dashur Nexhmije, sepse sot më shumë se kurrë shqiptarët duhet të fokusohen tek mbrojtja e vlerave të lirisë si dhe tek uniteti kombetar që kërkon ne krye shqiptaret me te ndershem. Komuniteti jone në Zvicer duhet t’i kthehet tradites shembullore të kohës kur Rugova ishte gjallë, sepse jemi burim i pashtershem i te mirës. Edhe ne ndajmë të njëjtin mendim se Agroni ka bere shumë mirë qe ka vendosur të qendrojë në Zvicer, që per komunitetin e gjysme milione shqiptareve eshte bere si Atdheu i vertete !

  • author avatar
    Anonymous 2 months ago Reply

    Duke lexuar shkrimin tënd, mendoja:sa mire qe ekziston I dhe ju kemi. Agron Tufa iku nga aty ku frika ishte më e madhe se shpresa!

    • author avatar
      Elida Buçpapaj 2 months ago Reply

      Ju flm shumë. Shumë e trishtë eshte kjo qe thoni, Shqiperia eshte kthyer ne vendin ku frika asht ma e madhe se shpresa! I frikshëm ky raport se shpresa vdes e fundit! Tash do te thote se frika vdes e fundit, dmth deri kur leshojme frymen te kemi frike! Mos e bej Zot!
      Ju shpreh mirenjohjen time!

  • author avatar
    Jozefina 2 months ago Reply

    Ku lumte zonja Bucpapaj , me Agronin humbi dhe ajo pak shprese qe kishim, une bej habine me te madhe di keto Ambasada nuk shruaj e agje, nuk dalin me nje deklarete , popull tek ne edhte mjeran i shtypur , prandaj dhe Agroni nuk pati mbeshtetje. Edhe njehere ju lumte , dhe Agronit e familhes se tij i uroj cdo te mire te mundeshme

    • author avatar
      Elida Buçpapaj 2 months ago Reply

      E dashur Jozefina, ju flm shumë për vlerësimin. Po është trishtim i madh per ate që po ndodh ne Shqiperi. Ne shqiptaret vete duhet te ndryshojme ate realitet. Po edhe une bashkohem me ju dhe i uroj gjithe te mirat Agronit dhe familjes! Ju pershendes!

  • author avatar
    tralala 2 months ago Reply

    nje mut jane si ballistat qe mbron tufa si komunistat qe shan se c mut jane teperdhjekurit i pame kemi punuar me ta po e tregoj me mire pjeper arbeleshi po e tregon taku me lubonjen qe vallah peshtyne enverin e tani lepijne tepegerat qe la enveri ca lepijne ps ca pd po megjithate po i marim te perndjekurit bura te mire ka 30 vjet nuk di as nje rast qe dikush prej tyre te kete ekzekutuar persekutorin e tyre kjo ca nga ju e shpjegon me gjoja lartesi jo eshte mungese kurajo perulje komunistat jane te ligj po trima rezikojne jeten kurse te perndjekurit jame me te ligj po jo trima po fiton trimi se kush jane klasa e permysur e ka shpjeguar shume mire ali asllani ne poezine e tij po jeni trima mond cakajt gjalle i kine akoma gjejani vendin

  • author avatar
    Pjerin Ndreka 2 months ago Reply

    Zoja Elida.Jam i gzuem që ekzistojnë ende gazetarë të papërkulun në luftën kunder neototalirizimit te atdheut e rikthimit të komunizmit në majat e shtetit shqiptar,si ju e Skënderi.Ju falnderoj për antikonformizmin tuej.Rasti i Prof.Artan Fugës duhet t’u bahet i njoftun të gjitha fuqive të mëdha e organizmave ndërkombtare.Ky rast asht ogurzi për demokracinë shqiptare,por edhe nji bankoprovë për të gjithë intelektualët patriotë shqiptarë.Jam me ju.

    • author avatar
      voal.ch 2 months ago Reply

      Mik i nderuar Pjerin Ndreka,
      Skënderi dhe unë të shprehim mirënjohjen tonë.
      E keni treguar edhe herë të tjera veten, si një shqiptar i denjë!
      Qofshi i bekuar me gjithë Familjen tuaj!
      Respektet tona
      Elida Buçpapaj

Komentet

Emrat, ja kush janë shqiptarët që u kapën me 1.3 ton kokainë në Greqi

Zbardhen emrat e 6 shqiptarëve të arrestuar për më shumë se 1.3 ton kokainë, e nisur nga Ekuadori fillimisht në Shqipëri e më pas në një port privat në Greqi.

Autoritetet kanë zbuluar emrat e shqiptarëve të arrestuar.

Ata janë: Ergon Tusi, Erlin Zotaj, Lekë Doda, Maksim Preçi, Sandër Pema dhe Arbër Përdeda.

Bashkë me ta janë arrestuar edhe dy shtetas grekë, ndërsa kreu i grupit ishte një prej shqiptarëve të arrestuar, por që ende nuk është identifikuar me emër.

Policia tha se po heton në disa pista, ndërsa është kërkuar informacion i plotë edhe nga autoritetet hetimore shqiptare për trafikantët e arrestuar dhe e kaluara e tyre.

BIJTE E IZRAELIT: Të më thahet krahu i djathtë, nëse të harroj ty Shqipëri! – Nga Luan Rama

Sa herë afrohet 25 janari, «Dita e Holokaustit» do më shfaqet gjithnjë fytyra e mikut të vjetër Josef Jakoel, një nga hebrejtë e shquar të Shqipërisë që para se të largohej në Izrael, tha shprehjen e tij të famshme: «Të më thahet krahu i djathtë nëse të harroj ty Shqipëri!» Dhe kjo thënie e tij kishte një të vërtetë të fuqishme dhe të rrënjosur në historinë e hebrenjve të Shqipërisë: atë të bashkëjetesës, të besës, mbrojtjes së hebrenjve. E kujtoj gjithnjë e mall fytyrën e tij, shtëpinë ku ka jetuar dikur pranë Shkollës së Kuqe në Tiranë në rrugën «Riza Cerova», ajo shtëpi e thjeshtë dykatëshe ku ai jetonte në katin sipër dhe plot me libra dhe e mbushur me aq dashuri, pasi Cefi, siç i thërrisnim të gjithë ishte një poliglot që fliste e lexonte në disa gjuhë, që veshët i mbante në radion e BBC dhe të Vois of America. Ishte një shpirt i madh, mjaftë i sjellshëm dhe me humor. Ishte i pari hebre që shkroi për historinë e hebrenjve të Shqipërisë. Më kujtohet kur më dha të lexoja një shkrim qe kishte shkruar në vitin 1988 për mbrojtjen e hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kishte dëshirë ta bënte të njohur dhe shkrimi u botua në gazetën «Bashkimi» të asaj kohe. E megjithatë atij i vinte keq që akti i madh i shqiptarëve për çështje ideologjike ndaj Izraelit ishte ende i panjohur në botë dhe se ai meritonte të njihej kudo dhe së pari nga Izraeli. Pikërisht atë kohë, Cefi filloi të mendojë për shkrimin e një libri të plotë mbi hebrenjtë e Shqipërisë që nga pikëtakimet e vjetra të hebrenjve dhe shqiptarëve, me sinagogën e tyre në epokën bizantine e më pas në Mesjetë në shekujt XVI-XVII, me historinë e Sabvatai Tsvi dhe më pas forcimit të komuniteteve hebraike dhe hebrenjtë e shekujve XIX-XX, kohë kur ata banonin kryesisht në Berat, Vlorë, Elbasan e gjetkë duke ruajtur tradicionet e tyre hebraike.

Kush e ka njohur Cefin atë kohë flet me admirim për të: gjithnjë i gatshëm për të dhënë mendimin e pavarur dhe kontributin e tij. Dikush madje na tregonte dhe një histori të këndshme çka tregonte një anë tjetër të tij. Një ditë vere Cefi po pinte një kafe me dikë në një kafene kur papritur filloi një rrebesh i madh. Të gjithë ikën me nxitim pa paguar. Kur shiu mbaroi dy orë më vonë, Cefi ishte kthyer në banak të paguante dhe kamerieri ishte habitur se ishte i vetmi që kishte ardhur tek ai.
Pas një pune intensive si financier e pastaj si pedagog i ekonomisë në Institutin Bujqësor të Kamzës, në pension, Cefi filloi të shkruante. Disa miq i kishin gjetur një makinë «Oliveti» dhe me të nisi të shkruante kujtimet e para, historitë e vjetra, me shpërnguljet dhe hebrejtë e ardhur në brigjet e Ilirisë nga Spanja, safaradët. Cefi e pëlqente shumë letërsinë. Parapëlqente librat e gjeografisë, historisë, biografitë e personaliteteve botërore dhe letërsinë, sigurisht. Ja pse përktheu dhe tregimet e shkrimtarit hebre Bashevis Singer që i kishte rënë në dorë «Një djalosh në kërkim të Zotit», apo një tjetër vepër të Filiber. Dinte t’i këndonte pothuaj të gjitha këngët e festivalit të San Remos, mes të cilave njëra që i pëlqente aq shumë «Finche la barca va…» e Orieta Berti. Por shqetësimi kryesor ishte libri që do tu kushtonte hebrenjve dhe shqiptarëve që i mbrojtën ata nga shfarosja. Gjithë jetën ai kishte jetuar në Shqipëri. Kishte lindur në Vlorë, ku kishin jetuar nëna e tij Sandra dhe i ati, Rafael. Por tashmë ata kishin vdekur me mallin për të parë një ditë «Tokën e Shenjtë». Por Cefi donte të tregonte ç’kishte ndodhur me hebrenjtë në Shqipëri dhe për këtë duheshin pyetur vetë hebrenjtë, kudo që ishin, për ngjarjet e tyre personale e familjare, për kujtimet historike e veçanërisht për kujtimet gjatë pushtimit fashist e nazist në Shqipëri. Çfarë ndodhi me hebrenjtë gjatë luftës? Si shpëtuan ata? Cilët ishin ata njerëz të thjeshtë që i mbrojtën si të ishin pjesëtarë të familjes së tyre e po kështu dhe ata qeveritarë që nuk i dhanë listat e hebrenjve në Shqipëri? Gjithçka duhej dëshmuar për familjet Veseli, Myrto, Herri, Zeneli, një listë e gjatë…

JETA E TIJ NJË ROMAN
Po, jeta e Cefit ishte në fakt një roman më vete pasi atij gjithnjë i ishte dashur të mbijetonte, si në kohë lufte ashtu dhe pas saj. Kur ishte student në Korfuz, gjatë luftës italo-greke, ushtria greke e arrestoi dhe bashkë me qindra të tjerë e nisën drejt një kampi të burgosurish në Korint. Cefi ishte me shtetësi shqiptare por edhe pse hebre atë e internuan. I kishin hipur në një anije por atje u sëmur shumë dhe desh vdiq nga ethet, por dy murgesha që ndodheshin aty u kujdesën për të dhe e shpëtuan. «Dy engjëjt e mi», thoshte Cefi kur kujtonte atë kohë. Familja nuk dinte asgjë se ku ndodhej biri i tyre. Shumë muaj më vonë më së fundi ai u kthye dhe erdhi në Vlorë. Portën ia hapi nëna e tij, Sandra, e cila nuk e njohu në fillim, aq shumë ishte dobësuar dhe kishte ndryshuar brenda aq pak muajve. Por pastaj ajo e kishte marrë në krahë. Ishte Cefi… Pikërisht në Korfuz ai ishte njohur dhe me Nako Spiru, që të dy student nga Shqipëria. Një miqësi i lidhi të dy dhe Cefi kujtonte me mall inteligjencën e Nakos kur bënte komentet në shkollë dhe që nganjëherë i bënte më mirë se dhe vetë mësuesi. “Ishte tepër i zgjuar dhe me shumë talent!” kujtonte ai.
Kur ushtria e Wermahtit marshoi drejt Shqipërisë, një ditë Cefi po kalonte rrugës kur papritur u takua me një shokun e tij të Shkollës Tregtare, Shyqyri Myrto. – Ku shkon kështu i humbur? – e kishte pyetur ai. – S’di çdo bëhet e fatin tonë! – ia kishte kthyer Cefi dhe i tregoi se duhej të fshihej bashkë me të motrën pasi mund ta arrestonin nga çasti në çast. – Eja në familjen time, do të jetojmë bashkë, – i kishte thënë menjëherë Shyqyriu dhe e kishte strehuar tek familja e tij në Kavajë. “Ishte një familje e madhe, – kujtonte Cefi, – dhe njerëz shumë të dashur që ishin gati të sakrifikonin për ne!”

Ndërkohë, Pepe Kantozi ndërkohë kishte marrë malet në Mallakastër bashkë me partizanët. Të tjerë hebrenj u lidhën me lëvizjen. Në Vlorë «Ceta Plakë» arriti të nxirrte nga Vlora e rrethuar shumë hebrenj dhe ti çonte në Dhërmi e gjetkë, nga ku shpëtuan. Doktor Spiro Litos, miku i tij, kishte qenë atëherë doktor në Prishtinë dhe ai mundi të nxjerrë nga kampi shumë hebrenj të burgosur, të cilët më së fundi shpëtuan. Po kështu, dhespoti i Beratit, Visarion Xhuvani strehoi hebrenj të tjerë në manastirin e Ardenicës, ashtu si në Kamëz Aqif dhe Ganimet Toptani që shpëtuan familjen Altarac dhe Sida Levin me birin e saj. Në Elbasan, Marko Menahem u mbrojt nga familja Nosi, të cilët e fshehën në fabrikën e tyre. Në Shkodër ishte familja e Dario Arditit. Dario kishte njohur në Firenze Qemal Stafën dhe ishin miq të afërt. Por kur gjermanët erdhën në Shkodër, atë dhe gjithë familjen, me përjashtim të Moisiut, i arrestuan dhe i çuan në kampin e Prishtinës. I ati mundi të kthehej pas luftës por vdiq menjëherë nga sfilitja e madhe ndërsa të tjerët, të gjithë përfunduan në kampet e shfarosjes. Emrat e shqiptarëve si Fatlli Imami, Haxhi Herri, Hasan Xhufi, Lilo Xhimitiku, Tol Todi e shumë e shumë të tjerë mbetën të paharruara në zemrat e hebrenjve.

Kujtimet e luftës ishin të shumta. Të atin, Rafaelin, fashistët italianët e burgosën gjatë pesë muajve meqë një makinë e shoqërisë «Levi-Jakoel» kishte çuar ndihma në mal tek luftëtarët e lirisë. Por ditët më të vështira për të gjithë hebrenjtë e Vlorës dhe gjetkë do të ishin pas masakrës së 4 shkurtit në Tiranë, kur Cefin kërkonin ta arrestonin. Nga fundi i luftës kur Shqipëria po çlirohej dhe ushtria e Wermahtit po tërhiqej me shpejtësi, ai mori vesh se Vlora ishte çliruar dhe bashkë me të motrën 16 vjeçare, Enriketa, nga Kavaja ku ishin fshehur u nisën drejt Vlorës. Rrugës panë një kamion dhe e ndaluan. Por kur hipin në të dalluan se ishte një ushtar gjerman. Cefi dinte ca fjalë gjermanisht, por nga ai udhëtim i kishte bërë përshtypje se ai gjerman çakërrqejf i përgjigjej gjithnjë “javol”, “javol”… E ku ta dinte ai se kishte me vete dy hebrenj. I kishte dhënë çakmakun që kishte si kujtim dhe ai i kishte çuar gjer në Fier… Që andej një makinë tjetër i kishte hedhur në Vlorë. Kur mbërritën në shtëpi dhe i kishte treguar të atit se kishte ardhur me një shofer gjerman ai e kishte qortuar: «Po ti paske qenë i çmendur!» Aty kishte gjetur tashmë dhe Viktorin me motrën tjetër Eftiminë, të cilët kishin qenë të fshehur në shtëpinë e Qamil Xhyherit.

Kur lufta mbaroi hebrenjtë e Shqipërisë filluan të presin lajmet e të afërmve të tyre nga Janina, Selaniku, Korfuzi, ata që ishin arrestuar nga nazistët dhe ishin nisur me trena drejt kampeve të shfarosjes. Ç’kishte ndodhur me ata? Cefi dhe prindërit e tij prisnin kthimin e Eftihisë bashkë me burrin dhe dy fëmijët, të arrestuar në Korfuz në maj të vitit 1944, por një heshtje varri mbretëronte. Për një kohë ata i mbante shpresa e shpëtimit. Por koha kalonte dhe pak nga pak lajmet filluan të vinin.
Kisha parë fotografitë e motrës së Cefit dhe të burrit të saj, të fëmijëve dhe ndër të tjera në një poezi kisha shkruar: «Rafael, Rafael, ku je shpirti im,/ thuamë ku është pjella ime,/ ah, ky tymi i zi i Gjermanisë që s’më lë të të shoh/ të shoh sytë e tu dhe buzën tënde të tharë/ gjithë diejtë e botës po më shuhen sot në Auschvitz,/ kam dalë nëpër kamp të kërkoj pjellën time/ por këta tela me gjëmba më kanë bërë gjak/ thuam burri im i shtrenjtë ku janë,/ I kërkoj ngado dhe nuk e dëgjoj zërin e tyre,/ Niso dhe Lina nuk më përgjigjen më,/ mos vallë janë duhitë e erës që i largojnë/ vallë i ke fshehur nën krahët e tu,/ thuamë Rafael, ku është pjella jonë me sy të bukur/ që cicëronin si zogjtë dhe rendnin si fluturat…»

Nga të parët u kthye Fortunia, e cila nga Gjirokastra ishte martuar në Janinë nga familja Vituli, të cilën e kishin arrestuar bashkë me familjen e burrit. Me qindra të tjerë ata i kishin nisur drejt kampeve të shfarosjes. Por gjatë seleksionimit, kur e panë Fortuninë të fuqishme, nazistët e kursyen dhe e çuan në grupet e punës, ndërkohë që të gjithë të tjerët u çuan drejt dhomave të gazit. Më së fundi nga Gjermania Fortunia ishte kthyer në Gjirokastër ku më vonë do të martohej përsëri po me një hebre që i kishte mbijetuar kampeve. Dhe ata ishin të pakët. Fortunia ende kishte të damkosur krahun e saj me numrin e kampit. Pikërisht atëherë hebrenjtë e Shqipërisë kuptuan gjëmën e madhe që kishte ndodhur me komunitetet hebraike. Nga letrat që vinin pikërisht ato vite ata panë turrat me flokët e të internuarve, malet me këpucë dhe valixhe, pirgjet e panumërt me kufoma… Ishte Holokasti

PAS-LUFTA
Vitet e para të pasluftës në Shqipëri ishin të vështira për familjen Jakoel. Rafaeli, i ati i Cefit bënte tregti në Vlorë ku jetonte dhe kishte hapur një dyqan edhe në Durrës. Jetonte në paqen e tij dhe hebrejtë mendonin se një epokë e re po fillonte për ta si për gjithë popullin shqiptar. Por shpejt, edhe ata do të zhgënjeheshin. Cefi e kujtonte gjithnjë atë kohë të dhimbshme kur dyqanin në Durrës ia sekuestruan të atit dhe kur një ditë, në shtëpinë e tyre të madhe në qendër të Vlorës erdhën nga Mbrojtja Popullore dhe u konfiskuan gjithçka. Mban mend kur një nga ata që kontrollonin, nxori nga dollapi kostumet e tij dhe në sy të tij i provonte duke qeshur. Kështu ata mbetën pa shtëpi dhe u detyruan të shkojnë në një shtëpi përdhese, gjersa Cefi i mori prindërit me motrën dhe u vendosën përfundimisht në Tiranë. Ashtu kokulur, të thjeshtë e të ndershëm dhe gjithnjë mirënjohës ndaj shqiptarëve që i shpëtuan qofshin këta (dhe komunistë me utopinë e tyre të barazisë), një jetë e re filloi për ta. Cefi ishte financier i zoti dhe në detin plot tallaze të jetës diti të çajë me punën, ndershmërinë dhe inteligjencën e tij si gjithë hebrenjtë e tjerë. Kështu Cefi krijoi familjen e tij simpatike, me Aliqin dhe dy vajzat që rriteshin në një mjedis intelektual ku flitej për letërsinë, muzikën, shkencën e historinë. Miqtë e tyre ishin intelektualë me emër si, Eqrem Çabej, doktor Paparisto, doktor Pavlo Pavli dhe shumë intelektualë të tjerë. Një piano dhe një violinë u blenë me sakrifica. Feliçeta luante piano dhe Ksenia luante violinë. Por kur Feliçeta kërkoi të vazhdonte Institutin e Lartë të Arteve për piano, kërkesa e saj u refuzua dhe kjo sepse ishte nga një familje me origjinë tregtare, të cilës i ishte konfiskuar gjithçka. Dhe kjo Cefit i dhëmbi shumë. Feliçeta e kujton dhe kësaj dite atë çast kur hyri në shtëpi dhe e pa të atin duke pirë një dopio raki dhe që qante. Ishte e para herë që e shikonte të qante, e para herë që pinte… S’dinte ç’të bënte, dhe ashtu që ta lehtësonte, me talentin e saj spikatës, u ul ne piano dhe nisi të luante Mozart. Ai qante dhe ajo luante, një trisht që do të kthehej në plagë në zemrën e tij. E megjithatë Shqipëria ishte një atdhe për të.

TRADICIONE HEBRAIKE
Mbaj mend kur nga fundi i viteve ’80, në plazhin e Shkozetit, Cefin e shikoja gjithnjë me dorëshkrimet e tij. Dhe gjatë kohës që shkruante, një nga dëshirat e tij ishte të tregonte se si tradicionet hebraike, edhe pse nuk kishin një sinagogë në Shqipëri, përsëri ato kishin mbijetuar me festat, ritet, gjuhën dhe lidhjet mes hebrenjve. Kujtonte dhe shkruante për ritet e varrimit ku i vdekuri futej në dhe pa arkivol meqë në Testamentin e Vjetër thuhej se «Je prej pluhuri dhe në pluhur do të kthehesh përsëri». Kujtonte Jehuda Saretën që kujdesej për ritet e tyre, për të kremtet apo festimin e Vitit të Ri hebraik siç e quanin ndryshe «Rosh Hashana»; për ditën e «Jom Kipurit» ose «Ditën e Pendesës së Madhe», ceremoni kjo që mbyllej me lutjen «Kol Nidrei», për të kremten e «Hanukasë», Dita e Purimit dhe Purifikimit te Altarit të Tempullit në muajin dhjetor… Me ardhjen e pranverës vinte Pashka apo «Pesah» e hebrenjve. Kështu traditat vazhdonin me këngët dhe vallet e tyre, me shallin e bardhë me dy vija blu anash apo me shallin e lutjes kur bekoheshin në emër të Abrahamit, Isakut dhe Jakovit… Një Bibël e vjetër në gjuhën greke ishte një nga librat me të çmuar të tij, pasi aty ishte Testamenti i Vjetër i popullit të tij, tregimet e Moisiut dhe të Abrahamit, luftërat e shumta të mbijetesës nëpër shekuj.
Pas një pune të palodhur shkrimi i librit mbaroi. Në krye të tij Cefi kishte vendosur një përkushtim për motrën e tij Eftihia që u tret në hiret e krematorit nazist: «Kushtuar Eftihisë, burrit të saj Rafo, djalit pesëvjeçar Niso, vajzës 2 vjeçare Lina – viktima të Holokaustit. Cefi» Dhe më pas një shënim të shkurtër: «E treta vajin tim në vajin e pafund të popullit tim. Sandra». Ishin falët e shtrenjta të nënës së tij.

Libri ishte padyshim jo thjesht një dëshmi familjare por dëshmi e gjithë komunitetit hebraik të Shqipërisë, e vetë historisë dhe gjurmëve të hebrenjve në Shqipëri. Cefi krenohej që hebrenjtë edhe pse të kërcënuar për tu shfarosur, ata u lidhën me luftën dhe luftuan për çlirimin e Shqipërisë. Madje e veçantë ishte dhe kërkimi i gjenealogjive të shumë familjeve hebre që kishin ardhur përsëri në Vlorë në 1850 duke filluar me familjen e Solomon Menahem Jomtov i ardhur nga Janina dhe vendosur në Delvinë me gjithë gruan e tij Astro Negrin. Por ai nuk mjaftohet vetëm me të por dhe pasardhësit e tij siç shkruan në dorëshkrimin e tij: «Nga martesa e tyre lindi një djalë, Menahem Solomon Jomtov, i cili u martua me Rakela Samuilidhi [Rachele Samuilidi], me origjinë nga qyteti Trikalla i Greqisë dhe jetonin n¸ Delvin¸. Rakela ishte izraelite me prejardhje nga Spanja, por në shtëpinë Jomtov flitej greqisht sepse anëtarët e tjerë të familjes nuk e flisnin spanjishten. Ky ¸sht¸ nj¸ nga shembujt e pak¸t t¸ p¸rzjerjes s¸ izraelit¸ve me prejardhje t¸ ndryshme. Nga kjo martesë lindën 6 vajza dhe 2 djem. Nga vajzat, e madhja Astridi, vdiq gjatë barrëlindjes së saj të vetme, tre t¸ tjerat u martuan në Greqi me të rinj izraelitë, ndërsa Viktoria, u martua me doktor Jani Melon dhe jetuan në Fier. Më e vogla, Ana u martua me Agim Sinën. Ajo ka vdekur dhe është varrosur në Krujë. Nga djemtë e Menahemit, i dyti Sami (Samuel), vdiq në Sarandë më 1937 dhe tjetri Solomoni (Tovi) Jomtov deri në muajin mars 1991 banonte në Vlorë, dhe këtej po atë muaj u kthye në Izrael. Në fillim familja Jomtov i mbajti të forta lidhjet me Janinën nga ku kishin ardhur. Kështu, kur vdiq plaku Solomon dhe e shoqja Astro, ata i varrosën në Janinë. Po ashtu, në Janinë u varros edhe nipi 17 vjeçar Sami. Të tjerët janë varrosur në Vlorë dhe në Krujë…»
Vetëm po të shohësh bibliografinë e këtij libri me titullin «Izraelitët në Shqipëri», (për të cilin po përkujdeset Brikena Çabej dhe Agron Alibali që e gjeti këtë dorëshkrim në Bibliotekën e Harwardit), e kupton seriozitetin e autorit, duke konsultuar në gjuhë të ndryshme vepra themelore për gjurmët hebraike në Shqipëri, nga Straboni, Apollodori, Josephus Flavius, Bonfante, Stipçeviç, etj e deri tek librat e Kristo Frashërit, Selami Islamit, Arben Puto, etj. Po kështu të shumta janë dëshmitë që Jakoel ka mbledhur nga Fejzi Hoxha, Doktor Litos, Shyqyri Myrtos, Kadri Kërçiku, Sado Qamil Xhyheri, doktor Ludovik Kalmari, Zhaneta Solomoni, Rafael Levi e Nesim Levi, Eftihia Silberman, e shumë të tjerë.

MIRËNJOHJA E MADHE
Në vitin 1991 ngjarje të mëdha ndodhnin në Shqipëri: dominoja e fundit e shteteve totalitare në Lindje po binte. Për hebrejtë erdhi dita të shikonin dhe ata tokën e Abrahamit, të realizonin kthimin e tyre në Izrael. Por kjo nuk ishte e lehtë, pasi martesat me shqiptarët, vdekjet dhe varret e të parëve, gjithçka i lidhte ngushtë me këtë tokë. Bashkë me mikun e tij fotograf Refik Veseli dhe hebrejtë Marko Menehem dhe Pepe Kantozi, etj, Cefi mendoi për krijimin e Shoqatës së Miqesisë Shqipëri – Izrael. Pikërisht në ditën e themelimit, në fjalën e tij, mes të tjerash Cefi do të thoshte frazën e tij të famshme: «Të më thahet krahu i djathtë po të harrova ty Shqipëri!» Që kohë më parë vajza e tij Feliçeta kishte shkuar fshehurazi nga Greqia në Izrael dhe në Institutin «Yad VaShem» të Holokaustit kishte dorëzuar listën e mbrojtësve shqiptarë që më pas do të shpalleshin «Fisnikë mes Kombeve». Dhe emrat e tyre do të shkruheshin mes «fisnikëve» të botës… pemë për nderin e tyre do të mbilleshin në kopshtin e madh të «fisnikëve». Më pas, në vitin 1991, një grup «shpëtimtarësh» shqiptarë me ftesë të Yad VaShem do të vititonin Izraelin dhe do të priteshin me shumë mirënjohje nga Instituti i Holokaustit. Gjithçka kishte qenë prekëse. Që atëherë, emrat e 75 fisnikëve shqiptarë (ata kanë qenë më të shumtë, por mjerisht dëshmitarët kishin vdekur në atë kohë) janë rreshtuar krah fisnikësh të tjerë nga e gjithë bota. Por Shqipëria e vogël është e veçantë pasi asnjë hebre nuk u dorëzua nga shqiptarët!

NË KIRIAT BALIK ME
JOSEF JAKOEL
Shumë vite më parë vizitova Izraelin dhe një nga vizitat e para që doja të bëja atje ishte të shkoja në varrin e Cefit të dashur, në «Kiriat Balik», që mbante emrin e një poeti të madh izraelit. Nga Haifa shkuam në ato varreza plot pemë ku ai prehej bashkë me gruan e tij Aliqi, krah më krah me të dashurën e tij, pasi historia e tyre ishte një histori e vjetër dashurie që kishte filluar që në rininë e tyre në shkollat e Korfuzit, kur i ati i Aliqit, doktor Koleka, republikan, ishte një i mërguar politik i viteve ‘30. Atëherë Cefi ishte në një kolezh e më pas në Shkollën Tregëtare. Prehej aty me ëndrrën e tij të realizuar e ndoshta ende pëshpëriste siç i kishte pëshpëritur Aliqit gjithnjë: «E ëmbla ime, dashuria ime!” – edhe pse ishin të moshuar. Preheshin bashkë në Tokën e Shenjtë ku jo larg ishin vendbanimet e reja të familjeve shqiptare në Haifa apo në kodrën e bukur të Carmel-it, duke vazhduar me tej në Tel-Aviv, Jeruzalem, Cesare, të cilat jetonin mes dy dashurive: Izraelit dhe Shqipërisë. Cefi flinte dhe unë kujtoja ato ditë e netë plot bujari kur ai n’a priste dhe n’a fliste me aq dashuri për «vëllezërit» e tij shqiptarë, për Shqipërinë që e kishte rrahur nga njëri cep në tjetrin. Jo, krahu i tij nuk ishte “tharë” ashtu si i gjithë shqiptaro-izraelitëve që shkuan në Izrael.
Tashmë të gjithë kanë vdekur, të mbijetuar dhe “shpëtimtarë” modestë. Vetëm aktet e dashurisë humane kanë mbijetuar, “besa” shqiptare për të mos e dorëzuar mikun që vjen në shtëpinë e tij, dhe ky akt jo vetëm nga njerëzit e thjeshtë, jo vetëm nga partizanë e nacionalistë por dhe ata që ishin në krye të qeverisë kuislinge. Besa qëndronte mbi politikat dhe ideologjitë. Ishte ajo që i dha emër Shqipërisë bujare nëpër botë…

OKB – Mbetjet Farmaceutike në Shqipëri një Problem Serioz

Këto mbetje ndahen në disa grupe të ndryshme për nga rëndësia dhe rrezikshmëria e tyre në organizëm e mjedis.

Mbetje farmaceutike konsiderohet çdo pasije apo produkt që del nga zona spitalore apo farmacitë dhe mbart një rrezik infektimi apo kontaminimi.

Këtu përfshihen të gjithë medikamentet që përdoren në qendra spitalore, farmaci, ambulanca, dentist apo veteriner.

Këto mbetje ndahen në disa grupe të ndryshme për nga rëndësia dhe rrezikshmëria e tyre në organizëm e mjedis.

Janë ndër të vetmet që nuk mund të depozitohen në landfillet normale të qyteteve, për shkak të rrezikshmërisë së madhe që mund të përcjellin.

Në të gjitha vendet e zhvilluara të botës janë hartuar plane të detajuara menaxhimi dhe asgjësimi sa më efikas të këtyre mbetjeve.

Në këtë artikull nga AgroWeb.org ju tregojmë më shumë mbi këtë çështje dhe menaxhimin e këtyre mbetjeve në vend.

Situata në Shqipëri

Edhe në Shqipëri egziston një ligj për menaxhimin e mbetjeve për të gjithë vendin.

Gjithashtu edhe një vendim i veçantë për mbetjet spitalore i cili përcakton qartë të gjitha masat e nevojshme që duhen marrë për këtë çështje.

Megjithëse përgjatë 30 viteve të fundit, duket se  panorama e menaxhimit të këtyre mbetjeve nuk është ajo e paracaktuara nga ligji.

Këtë e konfirmon edhe një nga publikimet e fundit të OKB për Shqipërinë, ku thuhet se keqmenaxhimi i mbetjeve kimike është një problem shumë serioz.

Në publikimin zyrtar të tyre thuhet se shpesh mbetjet farmaceutike groposen në toka të hapura për njerëzit apo digjen në ambiente publike.

Rreziku që vjen nga këto mbetje është i madh dhe konstant, pasi mund të infektojnë jo vetëm tokën, të mbjellat, por edhe ujin e lumenjtë.

Në këtë mënyrë mund të krijohen probleme të mëdha si në mjedis ashtu edhe në popullsi, duke krijuar rrezik për sëmundje të ndryshme.

Në vitin 2015 në vendin tonë u kapën rreth 1 ton ilaçe të skaduara të depozituara në një lum në komunën Zall Herr shumë afër Tiranës.

Sipas OKB ky problem vazhdon ende edhe sot, e kryesisht për shkak të keqmenaxhimit kombëtar të këtyre mbetjeve kimike nga organet shtetërore.

Çfarë pritet të bëhet

Për të parandaluar këto probleme edhe në të ardhmen Shqipëria dhe OKB po bashkëpunojnë në një projekt 20 mujor që ka nisur në Shtator të 2019.

”Një projekt ambicioz për të vendosur dhe forcuar panoramën institucionale në vend dhe kapacitetet ndërkombëtare në menaxhimin e mbetjeve kimike” – thuhet në publikimin nga OKB.

Nën vazhdën e këtij projekti, Shqipërisë do t’i duhet të themelojë një Njësi Menaxhimi të Mbetjeve që do të varet nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Paisjeve Mjekësore.

Qëllimi më i madh i krijimit të kësaj njësie është menaxhimi i duhur i mbetjeve farmaceutike, si dhe reduktimi sa më i madh i tyre.

Gjithashtu, një nga pikat e forta të këtij programi është rritja e ndërgjegjes dhe informacionit mbi dëmet që këto veprime shkaktojnë tek njeriu dhe mjedisi.

Publikohet raporti ndërkombëtar i korrupsionit: Shqipëria bën hapa pas, ja ku renditet për vitin 2019

Organizata ndërkombëtare Transparency International publikoi sot Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2019, i cili vlerëson se mbi dy të tretat e vendeve janë duke shënuar hapa prapa në përpjekjet anti-korrupsion.

Indeksi radhit 180 vende dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik.

Ai përdor një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 një vend shumë të pastër.

Shqipëria ne indeksin e ketij viti renditet ne vendin e 106, nderkohe qe ka qene ne vendin e 99.

Screenshot 1

Kosova, në indeksin e sivjetmë, radhitet e 101-ta me 36 pikë. Ky rezultat do të thotë se ka shënuar përkeqësim në luftën kundër korrupsionit krahasuar me vitin paraprak, kur ka qenë në vendin e 93-të, me 37 pikë.

“Kosova po kalon nëpër një ndryshim të pushtetit parlamentar, që mund të ofrojë një mundësi për ndryshime”, vlerëson Transparency International.

“Pas disa vitesh që ka kritikuar qeverinë dhe bashkësinë ndërkombëtare për mosadresimin e korrupsionit, Lëvizja Vetëvendosje, e cila së voni fitoi shumicën e ulëseve parlamentare, ka shansin të dëshmojë angazhimin e saj në luftën kundër korrupsionit”, thotë Transparency International, për të shtuar se kjo parti, gjatë fushatës zgjedhore, ka qenë ndër të paktat që u është përgjigjur kërkesave për zbulimin e kostove të fushatës.

Megjithatë, shton Transparency International, mbetet të shihet nëse qeveria e re do të sigurojë një standard më të lartë të integritetit politik.

“Ajo mund ta bëjë një gjë të tillë duke braktisur praktikën e zakonshme të emërimeve politike në ndërmarrjet shtetërore dhe duke vendosur një detyrim të fuqishëm ligjor për partitë politike që të zbulojnë financat e tyre”, thekson Transparency International.

Nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, përmirësim të lehtë në luftën kundër korrupsionit ka shënuar vetëm Mali i Zi.

Në indeksin e sivjetmë të organizatës Transparency International, ky vend radhitet në pozitën numër 66, krahasuar me pozitën 67 që ka pasur një vit më parë.

Bosnje dhe Hercegovina sivjet radhitet në të njëjtën pozitë si Kosova, 101, ndërsa vitin e kaluar ka qenë e 89-ta.

Serbia ka rënë nga vendi 87 në 91. Në aspektin global, raporti tregon se katër vende të G7-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, kanë treguar performancë më të keqe në luftën kundër korrupsionit, krahasuar me vitin e kaluar – në mesin e tyre: Kanadaja, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Gjermania dhe Japonia nuk kanë treguar asnjë përmirësim, ndërsa vetëm Italia ka marrë një pikë më shumë.

“Mungesa e përparimit të vërtetë në luftën kundër korrupsionit, në shumicën e vendeve, është zhgënjyese dhe ka efekte të thella negative për qytetarët në mbarë botën”, tha Patricia Moreira, drejtore menaxhuese pranë organizatës Transparency International.

“Për të pasur ndonjë shans për t’i dhënë fund korrupsionit dhe për të përmirësuar jetën e njerëzve, ne duhet t’i trajtojmë marrëdhëniet midis politikës dhe parave të mëdha. Të gjithë qytetarët duhet të përfaqësohen në vendimmarrje”, tha Moreira.

Rezultatin më të mirë në luftën kundër korrupsionit sivjet e kanë treguar: Danimarka, Zelanda e Re dhe Finlanda, ndërsa në fund të listës janë: Somalia, Sudani Jugor dhe Siria. REL

Lulja që Naim Frashëri solli në Sarandë

Bëhet fjalë pikërisht për lule Sarandën, apo bukenvilen, e cila gjendet në çdo cep të këtij qyteti.

Nuk ka person në Shqipëri që nuk e njeh këtë shkrimtar të famshëm i cili ka dhënë një kontribut thelbësor gjatë periudhës së rilindjes kombëtare.

Naim Frashëri, sipas të dhënave të AgroWeb.org, përveç pasionit të madh për letërsinë kishte edhe një tjetër kënaqësi.

Bëhet fjalë pikërisht për bimët, kryesisht lulet. Kjo mbase lidhet dhe me faktin se ky shkrimtar ka lindur në rrethin e Përmetit.

Kur jetonte në Turqi, poetin e tërhoqi një lule e veçantë e cila kacavirrej në pragjet e dyerve të drunjta të shtëpive karakteristike.

Edhe sot qytete të shumta të Turqisë vazhdojnë të karakterizohen nga ngjyrat e ndezura të kësaj luleje shumë të njohur edhe për ne.

Pasi u emërua si nëpunës në administratën e doganës në qytetin e Sarandës, mendohet se Naim Frashëri solli me vete një rrënjë të kësaj luleje.

Kështu nis dhe historia si kjo lule u kthye në simbolin e qytetit bregdetar shqiptar.

Bëhet fjalë pikërisht për lule Sarandën, apo bukenvilen, e cila gjendet në çdo cep të këtij qyteti.

Nëse doni ta keni bukenvilen në shtëpinë tuaj, mjaftojnë vetëm disa hapa për ta mbjellë.

Si ta mbillni

Merrni një vazo të madhe, lulja e Sarandës ka nevojë për një bazament të qëndrueshëm.

Në fillim vendosni disa guralecë, më pas shtëpi plehun e thatë.

Në mes të vazos gërmoni një gropë sa të mbulohen rrënjët e fidanit plotësisht.

Shtoni dhe pak pleh, dhe shtypeni ngadalë zonën rreth kërcellit të lules.

Ujiteni me masë

Bukenvilet dobësohen nëse kanë shumë ujë, dhe nuk arrijnë të çelin lulet, por qëndrojnë të gjelbërta gjatë gjithë vitit.

Nga ana tjetër nuk duhet të lejoni dhe që dheu i vazos të thahet plotësisht.

Gjeni një të mesme të artë, ujiteni aq sa të shikoni që plehu është i njomë mjaftueshëm.

Krasitni që të lulëzojë

Lulja e Sarandës ka nevojë për krasitje, në mënyrë që të forcohet dhe që të marri një formë të mirë.

AgroWeb.org ju këshillon që ta krasisni pasi bima të ketë rrëzuar lulet.

Mund të prisni disa centimetra degët e saj, në mënyrë që në pranverë të jetë akoma dhe më e fortë.

Ndotja e ajrit një problem serioz në Shqipëri e Kosovë – Këshillat e ekspertëve

Ajri i keq cilësohet si një nga shkaktarët më të mëdhenj të problemeve shëndetësore, të provokuara po vetë nga njeriu.

Ndotja e ajrit është tema e ditës jo vetëm për dëmet që i shkakton natyrës, por edhe për ndikimet e drejtpërdrejta që ka në organizëm.

Sipas ekspertëve  cilësia e jetës është shumë herë më e keqe dhe vdekjet shumë herë më të larta pikërisht nga ky faktor shumë ndikues.

Sipas të dhënave nga Organizata Botërorë e Shëndetësisë, për popullsinë e Ballkanit Perëndimor shkurtohen mesatarisht 1.3 vite jetë vetëm nga ndotja.

Ajri i keq cilësohet si një nga shkaktarët më të mëdhenj të problemeve shëndetësore, të provokuara po vetë nga njeriu.

Nën këtë vorbull ndotje nuk qëndron jashtë as Shqipëria e Kosova me shifra shqetësuese të cilat prekin përditshmërinë.

Të dhënat për Ballkanin

Çdo vit në zonën e Ballkanit numërohen rreth 5000 vdekje të parakohshme si pasojë e ajrit të ndotur.

Një problem shumë shqetësues edhe për Shqipërinë e Kosovën, të cilat megjithëse nuk hyjnë tek lista e qyteteve më të ndotur në botë, sërish janë mjaft të rrezikuara.

Në raportin e fundit të OKB, renditen 19 shtete të Ballkanit ku futet edhe Maqedonia e Veriut me Tetovën si një prej qyteteve problematike.

Rreth 19% e vdekjeve në këtë zonë ndodhin vetëm nga mungesa e ajrit të pastër.

Në të gjithë zonën e Ballkanit Perëndimor ndotja është masive në pjesën më të madhe të vitit.

Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetit të cilave iu referohet AgroWeb.org, sasitë e lejuara të ndotjes janë 10 miligramë për metër kub.

Ndërsa në këto zona kalohet me 40 miligramë metri kub për periudha shumë të gjata.

Përafërsisht në 120-180 ditë në vit ajri që qarkullon është i ndotur jashtë normave të lejuara.

Këto ditë janë më prezente veçanërisht gjatë periudhës së dimrit.

Në vendet Evropiane këto shifra të ndotjes nuk e kalojnë 35 ditë në vit.

Ndërsa ndotja vjen kryesisht nga smogu, kimikatet, gazrat, emetimet e fabrikave në atmosferë dhe sigurisht për shkak të makinave.

OKB po i nxit të gjitha vendet e rajonit të marrin masa urgjente ndaj kësaj gjendje.

Shqipëria dhe Kosova

Raporti i OKB e rendit Shqipërinë ndër 5 vendet më të ndotura në rajon, me një normë 5 herë më të lartë se vendet Evropiane.

Ndërsa për Kosovën ka bërë thirrje Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik atje të bëhet kujdes, pasi cilësia e ajrit i kalon nivelet e normales.

Në sezonin e dimrit, qyteti i Prishtinës po zhytet në smog që paraqet ndotje të kombinuar të ajrit me gazra dhe aerosole i cili vërehet gjithandej.– thuhet në njoftimin nga IKSHPK.

Edhe në Shqipëri e Kosovë ndotja e ajrit vjen si pasojë e djegies së gazrave të këqija kryesisht nga mjetet motorike.

Ndikimet në organizëm

Sipas ekspertëve ndër problemet më të mëdha që ndotja e ajrit shkakton tek njeriu janë ato me frymëmarrjen dhe mushkëritë.

Mund të çojnë në rritje të numrit të sëmurëve me sëmundjen e bronkitit, apo ato bronkiale tek moshat e thyera dhe tek më të vegjlit.

Një tjetër problem janë edhe problemet kardiovaskulare që mund të shkaktohen nga thithja e ajrit të keq për një kohë të gjatë.

Ambientalistët këshillojnë të përdorni sa më pak makinat dhe të digjni sa më pak dru për të evituar çdo problem me shëndetin dhe për të përkrahur natyrën.

Kosovë, përkujtohet Ibrahim Rugova në 14 vjetorin e vdekjes

Prishtinë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot akademi përkujtimore me rastin e përvjetorit të 14-të të vdekjes së presidentit të parë të Kosovës, njëherësh themeluesit të LDK-së, Ibrahim Rugova, raporton Anadolu Agency (AA).

Familja e ish-presidentit Rugova ka marrë pjesë në këtë ceremoni ku kanë qenë edhe qindra anëtarë të LDK-së, deputetë të kësaj partie si dhe qytetarë të shumtë nga vende të ndryshme të Kosovës.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se Kosova e humbi më 21 janar të vitit 2006 njeriun që krijoi idenë e madhe të lirisë dhe pavarësisë. Megjithëse, ai tha se vdekja, nuk e la atë ta shihte “pullazin e shtëpisë së cilën e kishte nisur vetë”.

“Rugova, njeriu i artit letrar dhe i dijeve humane filozofike, u vu në krye të popullit të tij në orë të kthesave historike që po ndodhnin në Evropë, ku muri i perandorisë komuniste po shembej ndërsa shpresa e popujve të shtypur për liri dhe demokraci sapo kishte nisur të shihej”, tha Mustafa.

Ish-presidenti Rugova është përkujtuar edhe nga udhëheqësit e institucioneve të larta të vendit.

Presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi nëpërmjet një shkrimi në rrjetet sociale tha se nderon “kontributin e madh të tij në rrugëtimin e gjatë dhe të mundimshëm të popullit tonë drejt lirisë dhe pavarësisë”.

“Politika paqësore dhe miqësia me SHBA-në e Perëndimin janë vlera të përhershme të trashëgimisë së Presidentit Rugova”, shkroi Thaçi.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë homazhe tek varri i ish-presidentit Rugova. Ai tha se “në emër të institucioneve të Kosovës por edhe si njerëz e bashkëpunëtorë nderojmë veprën e tij kulmore”.

“Vepra e tij por edhe vet ndarja fizike nga ne, mbahet në mend gjithë jetën, sepse ka zgjuar gjithë popullin e Kosovës”, shkroi Haradinaj në rrjete sociale.

Gjithashtu edhe kreu i partisë më të madhe të dalë nga zgjedhjet parlamentare të fundit në Kosovë, Vetëvendosjes, Albin Kurti, e ka quajtur ish-presidentin Rugova “njeri racional i pasionuar me gjuhën si histori dhe si institut dhe shqiptar i urtë që e donte popullin e vet ashtu siç është”.

Me rastin e 14-vjetorit të vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, në mëngjesin e sotëm anëtarë të LDK-së bashkë kanë bërë homazhe tek varri i të ndjerit si dhe kanë vizituar familjen Rugova në lagjen “Velania” në Prishtinë.

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut. Ai mbaroi shkollimin e mesëm në Pejë më 1967. Diplomoi në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës më 1971, qëndroi gjatë një viti akademik në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në letërsi ndërsa doktoroi në vitin 1984 në Universitetin e Prishtinës për letërsi.

Rugova është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës më 1988, i cili u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare që po kundërshtonte sundimin komunist serb/jugosllav në Kosovë. Më 23 dhjetor 1989 zgjidhet kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.

Ibrahim Rugova u zgjodh president i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004. Ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë më 21 janar 2006 në Prishtinë.

Zëri i Amerikës: Përkujtohet Kongresi i Lushnjes dhe 100 vjetori i parlamentit të Shqipërisë

Shqipëria përkujtoi sot 100 vjetorin e parlamentit të saj, i krijuar së pari nga Kongresi i Lushnjes, krahas qeverisë dhe institucioneve shtetërore. Një ceremoni ceremonish, ekspozita dhe konferenca shkencore në Tiranë e Lushnje.

“Vendimet e këtij Kuvendi Kombëtar janë mesazhe për reflektim, për të mbrojtur Kushtetutën, pluralizmin, integritetin e institucioneve shtetërore si dhe vlerat reale, pluraliste demokratike të parlamentarizmit shqiptar” – theksoi presidenti i Republikës, Ilir Meta në mesazhin e tij.

Kongresi i Lushnjës vlerësohet si ngjarja më e rëndësishme në historinë e shtetit shqiptar, pas shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë. Aty u rithemelua shteti shqiptar i pavarur, u krijua parlamenti e qeveria dhe shqiptarët shprehën vendosmërinë për të mbrojtur pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të shtetit.

“Kongresi mori vendime historike për të mos lejuar copëtimin e mëtejshëm të trojeve shqiptare, dhe u dërguan kancelarive europiane dhe SHBA-ve mesazhin se shqiptarët janë të vendosur të luftojnë deri në fund për të qënë të lirë e të pavarur. Ishte vetëm zëri shpëtimtar i Presidentit Udro Uillson që ndali projektin famëkeq evropian për copëtimin e Shqipërisë” – tha në një konferencë shkencore kryetari i parlamentit Gramoz Ruçi.

Parlamenti ishte i përbërë nga anëtarë me bindje të ndryshme politike, të cilët bashkëpunuan për të shpëtuar dhe zhvilluar Shqipërinë. Ata vlerësohen si burra themelues patriotë e idealistë, që mbrojtën vendin e tyre në ditët më të errëta.

“Kontributi i tyre është edhe sot një leksion që duhet përsëritur, në mënyrë që çdo shqiptar, qytetar i thjeshtë, aktivist, politikan a klerik të mos harrojnë se në fillim është kombi dhe mbrothësia e tij, më pas vijnë individët dhe karrierat e tyre. Respekti për qytetarin, për të drejtat dhe interesat e tij dhe përpjekja për të mbrojtur ligjet që sanksionojnë dinjitetin e tij janë detyrime të përhershme që na vijnë nga Kongresi i Lushnjes” – theksoi në një mesazh kryetari i Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha.

Kongresi i Lushnjes dhe institucionet që krijoi ai i dha fund në janar 1920 qeverisë së përkohshme të Durrësit, që ishte krijuar një vit më parë.

Qeveria dhe institucionet e tjera të formuara në Lushnje u zhvendosën më pas në Tiranën kryeqytet, ku vazhdojnë edhe sot funksionimin e tyre prej 100 vjetësh.

Presidentja zvicerane Sommaruga: “Bota është në flakë”

Presidentja e Konfederatës fton WEF (dhe botën) për të arritur rezultate reale në luftën kundër ndryshimit të klimës, duke kujtuar mësimet e natyrës

VOAL – Presidentja e Konfederatës Simonetta Sommaruga hapi punimet e Forumit Ekonomik Botëror Davos (WEF) të martën, duke theksuar sesi “bota është në zjarr, siç tha sekretari i përgjithshëm i KB dhe ajo që konfirmon atë që ka ndodhur në Amazon dhe që po ndodh akoma sot në Australi ” Ajo më pas prezantoi një video të shkurtër, në të cilën shihen koshere me mijëra bletë të zhvendosura në një “lokacion” të ri, megjithatë të ekspozuar ndaj kimikateve. Këto të fundit e pakësojnë numrin e bletëve, dhe e njëjta gjë ndodh diku tjetër, duke detyruar fermerët të kryejnë një pjalmim artificial të pamundur të bimëve.

Sipas Këshilltares Federale në krye të Departamentit Federal të Mjedisit, Transportit, Energjisë dhe Lidhjeve, kjo situatë ka “pasoja për të gjithë” dhe për speciet e tjera në veçanti, pasi ato nuk mund të bëjnë asgjë kundër dëshirës së njeriut. Në fakt, shpjegoi Sommaruga, “kur nevojat ekonomike konsiderohen superiore ndaj nevojave të kafshëve dhe natyrës” rreziku është serioz dhe “askush nuk mund të kufizohet në soditjen: duhet të veprojë për të mbrojtur biodiversitetin dhe klimën dhe të bëjë përpjekje konkrete për të ndaluar ngrohja globale “.

Dekania e ekzekutivit federal tha që ajo ishte “e shqetësuar” nga zhvillimi aktual i situatës globale të klimës. Prandaj ajo ftoi të kujtojnë mësimin e natyrës, sipas të cilit “çdo teprim nga njëra anë mund të shkaktojë një kundër-efekt edhe më të rrezikshëm nga ana tjetër”.

Simonetta Sommaruga e përmbylli fjalimin e saj duke theksuar nevojën për të “përdorur kohën këtu në Davos për të arritur rezultate konkrete”, në mënyrë që “të ndihmojmë vërtet zjarrfikësit kundër zjarreve” – ​​duke bërë gjithçka për të shmangur sidomos ata që do të vijnë.

ATS

Kurti: Rugova ishte humanist, intelektual e shqiptar i urtë që e donte popullin e vet

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka kujtuar në 14 vjetorin e vdekjes, ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugovën. Lideri i LV-së, ka deklaruar se Rugova ka qenë intelektual e humanist, që i ka evituar konfliktet e të cilin e ka vlerësuar si shqiptar të urtë që e donë popullin e tij, raporton Gazeta Express.

Kurti ka kujtuar edhe atë që historiani britanik Noel Malcolm ka deklaruar për Ibrahim Rugovën.

“Historiani britanik Noel Malcolm ka theksuar se Presidenti Ibrahim Rugova, në njërën anë, i ka bashkuar shqiptarët e Kosovës kundër Serbisë, ndërkaq, në anën tjetër, e ka ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës. Ai është kujdesur për popullin e Kosovës, por jo vetëm. Në vijim janë katër ekstrakte nga katër intervista të tij, njëra për shtypin gjerman (1992), tjetra për atë francez (1994), e treta (1991) dhe e katërta (1992) për ato të Kosovës”, shton ai.

Lideri i LV-së e ka publikuar edhe një intervistë të Rugovës dhënë në vitin 1992:

Në përvjetorin e 14 të vdekjes

Dr. Ibrahim Rugova ka qenë kritik letrar i kalimit nga strukturalizimi te post-strukturalizmi francez gjatë viteve ‘70, intelektual i angazhuar e humanist që ka evituar konfliktet, njeri racional i pasionuar me gjuhën si histori dhe si institut, dhe, shqiptar i urtë që e don popullin e vet ashtu siç ai është.

Historiani britanik Noel Malcolm ka theksuar se Presidenti Ibrahim Rugova, në njërën anë, i ka bashkuar shqiptarët e Kosovës kundër Serbisë, ndërkaq, në anën tjetër, e ka ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës. Ai është kujdesur për popullin e Kosovës, por jo vetëm. Në vijim janë katër ekstrakte nga katër intervista të tij, njëra për shtypin gjerman (1992), tjetra për atë francez (1994), e treta (1991) dhe e katërta (1992) për ato të Kosovës:

Spiegel: A ekziston shansi që Serbia të pranonte kërkesën e juaj për një shtet të pavarur të Kosovës?
Rugova: Alternativa e kësaj nuk mund të ishte synimi për Serbinë – pra një konstrukt i krizës së vazhdueshme brenda kufijve të saj. Ne do ishim të gatshëm, që të deklarohemi shtet neutral dhe që të heqim dorë tani për tani nga bashkimi me Shqipërinë. Sidoqoftë, më duhet ta pranoj se qëllimi ynë, për t’iu bashkangjitur Shqipërisë, është një synim i natyrshëm.

(Der Spiegel 24/1992
Spiegel: Besteht denn die Chance, daß Serbien Ihrer Forderung nach einem unabhängigen Staat Kosovo zustimmen könnte?
Rugova: Die Alternative dazu wäre für Serbien nicht erstrebenswert – nämlich ein permanenter Krisenherd innerhalb seiner Grenzen. Wir wären bereit, uns zum neutralen Staat zu erklären und vorerst keine Vereinigung mit Albanien einzugehen. Allerdings ist der Anschluß an Albanien, zugegebenermaßen, unser natürliches Ziel.)

* * *

Pyetje: Cilat janë propozimet tuaja për ekzistencën e shqiptarëve në një perspektivë afatmesme?
Përgjigje: Së bashku me të gjitha partitë e tjera përfaqësuese të shqiptarëve të ish Jugosllavisë, ne patëm formuluar tre opsione. I pari kërkonte një Kosovë të pavarur, sigurinë për shqiptarët e Maqedonisë që të njiheshin si komb shtetformues në Maqedoni dhe vetadministrimin për shqiptarët e Malit të Zi dhe jugut të Serbisë. Ky opsion i parë bazohej te hipoteza e mosndryshimit të kufijve mes Republikave të ish Jugosllavisë. Në rast se kufijtë ndryshonin, atëherë ne kërkonim një Republikë që të përbashkonte të gjithë shqiptarët e ish Jugosllavisë. Ky ishte opsioni i dytë. Opsioni i tretë: nëse ndryshonin kufijtë ndërkombëtarë, ne kërkonim bashkimin e tyre me Shqipërinë.

* * *

“Ne zhvillojmë luftë në Kosovë që dhjetë vjet, por nëse vjen deri te konflikti i hapur, normalisht se do të dimë se si të mbrohemi. Kuptohet, Shqipëria është këtu, madje do të kërkojmë ndihmë nga të gjithë ata që përkrahin çështjen tonë. Shpresoj se nuk do të ketë luftë, por ne shqiptarët luftën dhe vdekjen i kemi gjithmonë me vete, kështu që as luftës eventuale nuk i frikohemi. Nëse vjen deri te lufta, të jetë me sa më pak viktima sepse ne edhe ashtu dhamë shumë bij e bija krejt të rinjë për çështjen tonë. Internacionalizimi i çështjes sonë u bë pikë së pari duke iu falënderuar atyre që dhanë jetën për Kosovën.” – Ibrahim Rugova «Ne do të fitojmë», përgjigje lexuesve të revistës Zëri, 7 shtator 1991, faqe 8-12.

* * *

“Në këtë situatë është normale që të ketë edhe individë e grupe më radikale në këtë lëvizje të madhe të rezistencës paqësore, por në këtë situatë është vështirë që edhe radikalët të bëjnë diçka. Dallimet që kemi – rezistencë paqësore apo rezistencë e armatosur – i shoh jo si konfrontim, ashtu siç po dëshiron Sërbia t’i paraqesë, por si shenjë e frymës demokratike e tolerante, ndonëse nën okupim.” – Ibrahim Rugova

«Qëndrojmë në opcionin tonë për Kosovën e pavarur e neutrale», intervistuar nga Ruzhdi Demiri, Bujku, 6 nëntor 1992, faqe 3.

In Memoriam: Ibrahim Rugova (P)IS Mustafa – Populli rugovist Po – LDK Jo! Nga Elida Buçpapaj

 

U mbushën 14 vjet nga vdekja e Ibrahim Rugovës, Liderit të Pavarësisë të Kosovës dhe njëkohësisht kryetarit të LDK-së.

LDK – akronimi i Lidhja Demokratike e Kosovës – që të kujton si formulim Lidhjen e Prizrenit ishte një Lëvizje Kombëtare për çlirim nga pushtuesi dhe integrim në NATO dhe BE, që u përqafua pothuaj nga e gjithë elita dhe populli i Kosovës brenda dhe në diasporë. Pati një impakt të jashtëzakonshëm sepse u udhëhoq nga Ibrahim Rugova një mendimtar europianist, figurë me integritet brilant, e emancipuar e krahasueshme me Vaclav Havel.

Ishte vetë elita në Kosovë që e zgjodhi në krye të LDK-së Ibrahim Rugovën, sepse Rugova përfaqësonte figurën e pakontestuar, pa skeletë në dollapë, personalitetin unifikues, me vizion Euro-Atlantik dhe paqëtues.

Gjithë Kosova u kthye në popull Rugovian dhe votoi për LDK-në e Ibrahim Rugovës!

Asnjë emër nga elita shqiptare në Kosovë nuk do të kishte ndikimin e Rugovës për të zgjuar ndërgjegjen kombëtare dhe për të fituar besimin në metropolet e politikës Ndërkombëtare, veçanërisht SHBA.

Ibrahim Rugova sendërtoi dhe u dha frymë idealeve shekullore, me shallin e tij e tij proverbial, qendrimin gandist dhe shqiptimet lakonike, për t’i çuar mesazhet e tij direkt në veshin e popullit të Dardanisë dhe tek partnerët jetikë të Kosovës që janë SHBA dhe BE.

Rugova ka patur rreth vetes njerëz të vlerave, shumica të vrarë, por edhe djaj të maskuar me kostume rugoviste që i rrininin pranë si profiterë të imazhit prej karizmës së Ibrahim Rugovës.

Vdekja e Rugovës ishte traumë për Kosovën, të ardhmen dhe fatin e saj, sepse frenat e shtetit kaluan në duar të gabuara.

Vota e popullit Rugovist u shpërdor nga djajtë me maskën e Rugovës që tashmë kishin uzurpuar frenat e lidërshipit të LDK-së.

E megjithatë, vdekja e Liderit të Pavarësisë i dha fund teatrit brenda lidershipit të LDK-së, duke zbuluar në dritën e diellit cilat ishin fytyrat e djajve me maskën e Ibrahim Rugovës, që fuqizuan dhe i dhanë pushtet Klanit Pronto.

Vdekja e Rugovës ishte traumë për elektoratin Rugovian që u mashtrua disa herë nga kasta drejtuese e LDK-së, transformuar në një shtojcë të partisë që drejtonte Hashim Thaçi, i njohur ndryshe si Gjarpëri.

Vdekja e Rugovës i çorri maskën përfundimisht kastës së LDK-së që u bë palë në një qeverisje antidemokratike dhe të korruptuar, udhëhequr nga gjarpëri me horrat e tij.

E pafalshme për LDK-në, e fundosur përfundimisht që prej vdekjes të Rugovës, sepse ka shërbyer për të fuqizuar Hashim Thaçin dhe Klanin Pronto.

Në fillim ishte Fatmir Sejdiu që e futi LDK-në aleancë me PDK-në dhe prej 2010 (P)Is Mustafa e ka kthyer LDK-në në një dordolec mjeran të Gjarpërit.

Pse them (P)Is Mustafa:

Sepse ky personazh e mori LDK-në për ta nxjerrë nga stanjacioni ku e futi Fatmir Sejdiu, por në fakt, për një dekadë rresht është rrënimtari i fundëm këtij formacioni politik, duke i dhënë Kosovës vetëm të mbrapshtën.

Elektorati Rugovian reagoi dhe e ka goditur LDK-në përmes votës të lirë. LDk ka humbur gjysmën e elektoratit, por edhe ky elektorat që ka votuar është mashtruar nga makinacionet e (P)Is Mustafës!

Në zgjedhet e 2014 (P)Is Mustafa i premtoi elektoratit se partia e tij do ta kalojë në opozitë gjarpërin!

Elektorati Rugovian e besoi, sepse (P)Is Mustafa shpërdori figura të pastra si Teuta Rugova etj. që i përfshiu në listat e deputetëve, por që pastaj i shtypi me grushtin e hekurt të bashkëpunëtorëve, të diskretituar tashmë, si faqja e zezë e LDK-së.

(P)Is Mustafa dhe LDK, tanimë kanë njollën e zezë të historisë, sepse me vota të blera e duke shitur poste ambasadoresh arriti minimumin e duhur që bënë president të Kosovës Hashim Thaçin, pra e zgjatën pushtetin e Prontomafies.

Sapo Hashim Thaçi zgjidhet president i Kosovës, Prontomafia e hodhi (P)Is Mustafën dhe LDK si limon të shtrydhur.

Në kushte të tilla, (P)Is Mustafa dhe grupi i tij, një kope djajsh, do të duhej të jepnin dorëheqjen dhe LDK të drejtohej nga një lidërship i ri, që fatmirësisht është brenda këtij formacioni, por që po defaktorizohet sepse po i bindet verbërisht të zezës së Kosovës që është (P)Is Mustafa & Co, ndryshe Bishti i Prontomafies.

Në zgjedhjet e 2019 për të mashtruar rishtas Elektoratin Rugovian, (P)Is Mustafa bëri makinacionin e rradhës, kësaj here shpërdori figurën e pastër të Vjosa Osmanit për të mbuluar fytyrën e zezë të tij, duke e shpallur si kanditate për kryeministre nga LDK, por ndërkohë Vjosën dhe LDK-në i mban të lidhur me zinxhirë.

Normalisht kryetari i partisë është edhe kandidat për kryeministër, por tek LDK-ja ka vdekur demokracia prej 21 janarit 2006, ditën që vdiq Rugova dhe frenat e LDK-së i mori kasta e titistëve që hyri menjëherë në sintoni me gjarpërin dhe Prontomafien, duke akaparuar pushtet politik dhe ekonomik dhe duke i dhënë dërrmën demokracisë së brishtë.

Se kush është (P)Is Mustafa kemi prej 6 Nëntorit që e shohim rishtas për çdo ditë, tre muaj rresht, se sa destruktiv është, se ka kundër Kosovës është, duke e bërë të pamundur aleancën qeverisëse të LDK-së me LVV-në!

Mjerisht kjo figurë është totalisht e ndryshkur dhe pa asnjë impakt në Elektoratin Rugovian, sepse (P)Is Mustafën e urren e gjithë Kosova, por mjerisht vazhdon që të ushtrojë diktat tek figurat brenda LDK-së që e kanë faqen e bardhë, që duke iu bindur një faqeziu po cënojnë integritetin dhe po humbin besimin e tyre tek Elektorati Rugovian.

E kam fjalën për të parën Vjosa Osmanin! Që i bëj thirrje t’i shpërthejë zinxhirët e (P)Is Mustafës!

Albin Kurti është treguar durimmadh, durimi i tij duhej të kishte marrë fund pas muajit të parë të dështimit të bisedimeve me (P)Is Mustafën, sepse ishte e qartë se (P)Is Mustafa dhe kasta e tij në këto bisedime janë drejtuar nga vizioni si Bisht i Prontomafies, ndërsa kandidaten për kryeministre e përdorin sa për të larë gojën!

Kjo është situata sot në Kosovë, kur mbushen 14 vjet nga dita që Ibrahim Rugova kaloi në Amshim.

Të rënët e Kosovës për çlirim, Liri dhe demokraci janë Ëngjëjt Mbrojtës të Dardanisë!

Vonesat kanë qenë dramatike për Kosovën dhe të ardhmen e saj, por kanë shërbyer edhe si mësim, që Elektorati i Kosovës, sidomos ai Rugovian të ndërgjegjësohet përfundimisht kur të japë votën e vet.

Nëse Kosova do të shkojë nesër në zgjedhje, LDK-në nuk ka Zot që e shpëton më!  Dhe meriton që, për të gjitha të zezat të cilat ia ka shkaktuar Kosovës prej vdekjes së Rugovës, të paguajë me votën e lirë!

Ndërsa idealet e Rugovës nuk vdesin kurrë,  ato ideale i përfaqësojnë sot ata politikanë që synojnë ta kthejnë Kosovën në shinat e një shteti demokratik, me shtet të së drejtës dhe demokraci të konsoliduar!

Në Kosovë ka plot emra që ngjallin shpresë, por duhet të kenë konceptin e kohës, nuk duhet të ecin me hapat e breshkës, sepse populli i Kosovës po humb durimin!

 

“Të shqetësuar nga planet alarmante për shembjen e teatrit kombëtar”, ‘Europa Nostra’ letër Metës, Ramës e Veliajt: Ja projekti ku është përzgjedhur

Lëvizja për Mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ‘Europa Nostra’ i ka dërguar sot një letër presidentit Ilir Meta, kryeministrit Edi Rama dhe kryebshkiakut të Tiranës Erion Veliaj, ku del kundër shembjes së Teatrit Kombëtar.

Kjo lëvizje, në letrën në fjalë, e cilëson Teatrin Kombëtar, një vendndodhje me rëndësi të madhe kulturore dhe arkitekturore, jo vetëm në kryeqytetin e Shqipërisë, por edhe në Europë. Teksa theksohet fakti se teatri është nominuar nga Fondacioni Gjirokastra, si pjesë e një fushate të madhe të shoqërisë civile për të shpëtuar ndërtesën, për programin “7 vendndodhjet më të rrezikuara për 2020”, “Europa Nostra” shkruan se do të ishte e mjerueshme nëse kjo godinë do të prishej.

Letra për presidentin Ilir Meta
Subjekti: Teatri Kombëtar i Shqipërisë i përzgjedhur për 7 vendndodhjet më të rrezikuara

I dashur Z. President,

Me siguri jeni në dijeni që Europa Nostra, zëri europian i shoqërisë civile e angazhuar në trashëgiminë kulturore, është shumë e shqetësuar nga planet alarmante për të prishur Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, një vendndodhje me rëndësi të madhe kulturore dhe arkitekturore, jo vetëm në kryeqytetin e Shqipërisë dhe në vend, por edhe në Europë.
Për këtë arsye, ne ju dërguam një letër edhe në 18 korrik të 2018, duke theksuar rëndësinë e objektit dhe duke ju bërë thirrje të përdorni pozicionin tuaj të nderuar dhe ndikimin pozitiv, për të mbrojtur të çmuarin Teatër Kombëtar të Shqipërisë.

Ndërkohë, Teatri Kombëtar i Shqipërisë është nominuar nga Fondacioni Gjirokastra, si pjesë e një fushate të madhe të shoqërisë civile për të shpëtuar ndërtesën, për programin “7 vendndodhjet më të rrezikuara për 2020”. Kjo është një fushatë e shtrirë gjerësisht e shoqërisë civile në mbarë Europën, që identifikon monumentet e rrezikuara dhe vendndodhjet në Europë si edhe angazhon partnerë publikë dhe privatë, në nivel lokal, kombëtar dhe europian për të siguruar një të ardhme rijetëzuese dhe të qëndrueshme për vendndodhjet. Programi “7 vendndodhjet më të rrezikuara” nisi në 2013 nga Europa Nostra, me Bankën Europiane të Investimeve si partner themelues.

Në Nëntor 2019, paneli korespondues këshillues, përzgjodhi në një listë të shkurtë 14 vendndodhje nga të gjitha aplikimet për programin “7 vendndodhjet më të rrezikuara” – duke përfshirë Teatrin Kombëtar të Shqipërisë. Deklarata për shtyp në lidhje me këtë njoftim, mban datën 10 dhjetor 2019, dhe mori mbulim të gjerë mediak në të gjithë Europën. Nga kjo listë e shkurtuar, Bordi i Europa Nostra-s, do të përzgjedhë shtatë finalistët në mars 2020.

Duke u nisur nga vlerësimi unanim, i shfaqur nga Paneli Këshillues për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, me probabilitet shumë të lartë Teatri Kombëtar do të përzgjidhet si një nga “7 vendndodhjet më të rrezikuara”. Gjithashtu do të doja të shtoja që vendndodhje shqiptare janë përzgjedhur dy herë edhe në të shkuarën: Amfiteatri i Durrësit dhe Kishat Post-Bizantine në Voskopojë dhe Vithkuq. Në të dyja rastet, Europa Nostra e gjeti bashkëpunim me aktorët shqiptarë pozitiv dhe efektiv, duke theksuar konsideratën dhe respektin që vendi juaj ka për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Asnjë nga 29 vendndodhjet e përzgjedhura më parë në programin “7 vendndodhjet më të rrezikuara” është prishur dhe do të ishte risi nëse një fat i tillë i mjerueshëm do të ishte rezervuar për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, me gjithë mbështetjen e treguar në nivel kombëtar dhe Europian. Ne sërish shpresojmë shumë që mund të kemi mbështetjen tuaj aktive në mbajtjen dhe zhvillimin e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë dhe japim mbështetjen tonë për të vepruar në këtë drejtim.

Prof. Dr. Hermann Parzinger
President Ekzekutiv
Europa Nostra

** Letra për kryeministrin Rama **

Subjekti: Teatri Kombëtar i Shqipërisë i përzgjedhur për 7 vendndodhjet më të rrezikuara

Hagë, 17 janar 2020

I dashur Z. Kryeministër,

Me siguri jeni në dijeni që Europa Nostra, zëri europian i shoqërisë civile e angazhuar në trashëgiminë kulturore, është shumë e shqetësuar nga planet alarmante për të prishur Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, një vendndodhje me rëndësi të madhe kulturore dhe arkitekturore, jo vetëm në kryeqytetin e Shqipërisë dhe në vend, por edhe në Europë.
Për këtë arsye, ne ju dërguam një letër edhe në 18 korrik 2018, duke theksuar rëndësinë e objektit dhe duke ju bërë thirrje të përdorni pozicionin tuaj të nderuar dhe ndikimin pozitiv, për të mbrojtur të çmuarin Teatër Kombëtar të Shqipërisë.

Ndërkohë, Teatri Kombëtar i Shqipërisë është nominuar nga Fondacioni Gjirokastra, si pjesë e një fushate të madhe të shoqërisë civile për të shpëtuar ndërtesën, për programin “7 vendndodhjet më të rrezikuara për 2020”. Kjo është një fushatë e shtrirë gjerësisht e shoqërisë civile në mbarë Europën, që identifikon monumentet e rrezikuara dhe vendndodhjet në Europë si edhe angazhon partnerë publikë dhe privatë, në nivel lokal, kombëtar dhe europian për të siguruar një të ardhme rijetëzuese dhe të qëndrueshme për vendndodhjet. Programi “7 vendndodhjet më të rrezikuara” nisi në 2013 nga Europa Nostra, me Bankën Europiane të Investimeve si partner themelues.

Në Nëntor 2019, paneli korespondues këshillues, përzgjodhi në një listë të shkurtë 14 vendndodhje nga të gjitha aplikimet për programin “7 vendndodhjet më të rrezikuara” – duke përfshirë Teatrin Kombëtar të Shqipërisë. Deklarata për shtyp në lidhje me këtë njoftim, mban datën 10 dhjetor 2019, dhe mori mbulim të gjerë mediak në të gjithë Europën. Nga kjo listë e shkurtuar, Bordi i Europa Nostra-s, do të përzgjedhë shtatë finalistët në mars 2020.

Duke u nisur nga vlerësimi unanim, i shfaqur nga Paneli Këshillues për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, me probabilitet shumë të lartë Teatri Kombëtar do të përzgjidhet si një nga “7 vendndodhjet më të rrezikuara”. Gjithashtu do të doja të shtoja që vendndodhje shqiptare janë përzgjedhur dy herë edhe në të shkuarën: Amfiteatri i Durrësit dhe Kishat Post-Bizantine në Voskopojë dhe Vithkuq. Në të dyja rastet, Europa Nostra e gjeti bashkëpunim me aktorët shqiptarë pozitiv dhe efektiv, duke theksuar konsideratën dhe respektin që vendi juaj ka për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Asnjë nga 29 vendndodhjet e përzgjedhura më parë në programin “7 vendndodhjet më të rrezikuara” është prishur dhe do të ishte risi nëse një fat i tillë i mjerueshëm do të ishte rezervuar për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, me gjithë mbështetjen e treguar në nivel kombëtar dhe Europian. Ne sërish shpresojmë shumë që mund të kemi mbështetjen tuaj aktive në mbajtjen dhe zhvillimin e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë dhe japim mbështetjen tonë për të vepruar në këtë drejtim.

Prof. Dr. Hermann Parzinger
President Ekzekutiv
Europa Nostra

** Letra për kryebashkiakun Veliaj **
Subjekti: Teatri Kombëtar i Shqipërisë i përzgjedhur për 7 vendndodhjet më të rrezikuara

I dashur Z. Kryetar i Bashkisë,
Me siguri jeni në dijeni që Europa Nostra, zëri europian i shoqërisë civile e angazhuar në trashëgiminë kulturore, është shumë e shqetësuar nga planet alarmante për të prishur Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, një vendndodhje me rëndësi të madhe kulturore dhe arkitekturore, jo vetëm në kryeqytetin e Shqipërisë dhe në vend, por edhe në Europë.

Në Korrik 2019 Teatri Kombëtar i Shqipërisë është nominuar nga Fondacioni Gjirokastra, si pjesë e një fushate të madhe të shoqërisë civile për të shpëtuar ndërtesën, për programin “7 vendndodhjet më të rrezikuara për 2020”. Kjo është një fushatë e shtrirë gjerësisht e shoqërisë civile në mbarë Europën, që identifikon monumentet e rrezikuara dhe vendndodhjet në Europë si edhe angazhon partnerë publikë dhe privatë, në nivel lokal, kombëtar dhe europian për të siguruar një të ardhme rijetëzuese dhe të qëndrueshme për vendndodhjet. Programi “7 vendndodhjet më të rrezikuara” nisi në 2013 nga Europa Nostra, me Bankën Europiane të Investimeve si partner themelues.

Në Nëntor 2019, paneli korespondues këshillues, përzgjodhi në një listë të shkurtë 14 vendndodhje nga të gjitha aplikimet për programin “7 vendndodhjet më të rrezikuara” – duke përfshirë Teatrin Kombëtar të Shqipërisë. Deklarata për shtyp në lidhje me këtë njoftim, mban datën 10 dhjetor 2019, dhe mori mbulim të gjerë mediak në të gjithë Europën. Nga kjo listë e shkurtuar, Bordi i Europa Nostra-s, do të përzgjedhë shtatë finalistët në mars 2020.

Duke u nisur nga vlerësimi unanim, i shfaqur nga Paneli Këshillues për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, me probabilitet shumë të lartë Teatri Kombëtar do të përzgjidhet si një nga “7 vendndodhjet më të rrezikuara”. Gjithashtu do të doja të shtoja që vendndodhje shqiptare janë përzgjedhur dy herë edhe në të shkuarën: Amfiteatri i Durrësit dhe Kishat Post-Bizantine në Voskopojë dhe Vithkuq. Në të dyja rastet, Europa Nostra e gjeti bashkëpunim me aktorët shqiptarë pozitiv dhe efektiv, duke theksuar konsideratën dhe respektin që vendi juaj ka për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Asnjë nga 29 vendndodhjet e përzgjedhura më parë në programin “7 vendndodhjet më të rrezikuara” nuk është prishur dhe do të ishte risi nëse një fat i tillë i mjerueshëm do të ishte rezervuar për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, me gjithë mbështetjen e treguar në nivel kombëtar dhe Europian. Ne sërish shpresojmë shumë që mund të kemi mbështetjen tuaj aktive në mbajtjen dhe zhvillimin e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë dhe japim mbështetjen tonë për të vepruar në këtë drejtim.

Prof. Dr. Hermann Parzinger
President Ekzekutiv
Europa Nostra