Vazhdoj të qendroj jashtë narracioneve rreth Hashim Thaçit, që kur ky u paraqit në Gjykatën Speciale, pa paragjykuar dhe duke besuar tek drejtësia!
Prej 1998 deri kur avioni me Thaçin ndryshoi drejtimin nga Washington DC në Hagë kisha shkruar boll bazuar në veprimet e tij dhe krahut politik që përfaqëson. Prandaj kur u vendos në Hagë zgjodha të hesht.
Por heshtja në kësi rastesh nuk është prej florinit sepse në sytë tonë kemi parë se si televizione kombëtare të Shqipërisë me në krye Blendi Fevziu, e kanë legjendarizuar figurën e Hashimit, duke manipuluar të vërtetën dhe shplarë trutë sidomos shqiptarëve të Shqipërisë që nuk e njohin fare as historine e as kulturën apo aktivizmin revolucionar e politik të Kosovës, duke shkuar larg dhe e barazuar Hashim Thaçin me Adem Jasharin.
Për sjelljet e gabuara apo fajet e Hashim Thaçit nuk do të bëj analiza sepse do të flasë drejtësia, por do të mjaftohem të sjell qendrimin e ekspertit Amerikan David L Phillips, kur trinomi Thaçi- Vuçiq-Edvin Rama po kthehej në rrezik për Kosovën dhe sigurinë e rajonit.
Eksperti Amerikan David L Phillips ishte këshilltar për marrëdhëniet me jashtë i Hashim Thaçit, kur ky u zgjodh president i Kosovës, në sajë të aleancës jolegjitime me Isa Mustafën pasi kjo aleancë i kundërvihej vullnetit të elektoratit që u kulmua me të paktën dy shitje pranie në kuorumin e votimit: nga njëra deputete që fitoi postin e ambasadores së Kosovës në Romë dhe tjetra në New York.
Gjithësesi ishte fat për Hashimin të kishte një këshilltar të tillë që nuk do ta lejonte assesi të gabonte, aq më tepër kur gabimet do t’i ktheheshin në boomerang.
Eksperti i shquar Amerikan nuk pranoi kurrë të bënte pazare me integritetin e tij moral dhe si think tank. Kur nuk gjeti dakordësi, ai u largua nga detyra e këshilltarit të Thaçit për shkak të kundështimit të idesë së Thaçit-Vuçiqit-Edvinit për korigjimin e kufijve me Serbinë, të cilën David L. Phillips e konsideronte tradhëti ndaj popullit të Kosovës.
Eksperti Amerikan David L. Phillips dha dorëheqje nga Këshilltar duke treguar edhe shkakun.
Philips u shpreh publikisht se ai ishte kundër ndarjes së Kosovës, po ashtu edhe kundër shkëmbimeve të territoreve, arsye thelbësore që lidheshin direkt me sigurinë e Kosovës, interesat Euro-Atlantike, dhe paqen afatgjatë në rajon.
Qendrimi i ekspertit Amerikan David L. Phillips ishte krejt ndryshe nga ai i Hashim Thaçit, i influencuar nga qoftëlargu Edvin Rama, mbështetësi i Dialogut të hapur, i prodhuar nga idetë mitomane të Vuçiqit!
Duket Hashimit ia kishte mbushur mendjen Edvini Rama se ndarja e territoreve do ta shpëtonte nga Haga!
Nëse Hashimi do të kishte dëgjuar këshilltarin e tij David L. Phillips, ai nuk do ta kish kaluar vizën e kuqe.
Sigurisht që siguria e Kosovës nuk do të mbetet kurrë në duar të mbrapshta.
Sepse vija e kuqe është aty, e përherëshme, aty ku ndahen heronjtë e Kosovës me antiheronjtë!
————
Më poshtë keni deklaratën zyrtare të dorëheqjes të ekspertit Amerikan David L. Phillips nga pozicioni si këshilltar i Hashim Thaçit –
David L. Phillips, Eksperti amerikan jep dorëheqjen si këshilltar i Hashim Thaçit: Korrigjimi i kufijve përfaqëson një tradhti historike të popullit kosovar