Llogaritë bankare të kompanisë “Albania Land Development” u sekuestruan me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme më 2 qershor 2026, por dy institucionet që vendosën mbi këtë masë, prokuroria dhe gjykata, deklaruan se në këtë fazë të “hetimit” nuk kanë njoftim për të ndarë me median. Mendohet se shuma e sekuestruar është 200 mln dollarë në një bankë të nivelit të dytë, në kuadër të hetimit që SPAK ka nisur mbi projektin turistik luksoz në Zvërnec, i lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.
Hetimi ka nisur mbi dyshimet ngritura se tjetërsimi i pronësisë së tokës gjatë vitit 2024, i hapën rrugë zhvillimit të projektit në një nga zonat më të ndjeshme mjedisore të Shqipërisë.
Kompania, në pronësi të sipërmarrësve nga Katari, vëllezërve Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat, ka blerë sipërfaqet e tokës ku planifikohet ndërtimi i resortit dhe konsiderohet një hallkë kyçe në realizimin e investimit.
Projekti përfshin ishullin e pabanuar të Sazanit dhe qindra hektarë të peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë, një ekosistem bregdetar me rëndësi të veçantë për biodiversitetin.
Megjithëse investimi është lidhur publikisht me kompaninë “Affinity Partners” të Kushnerit dhe investitorët nga Katari, leja e zhvillimit është miratuar për kompaninë “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k.
Sipas të dhënave zyrtare, kompania ka adresën në katin e 12-të të kullës European Trade Center (ETC) në Tiranë. Dokumentacioni publik tregon vetëm një administrator shqiptar, Andi Jorgji, dhe një kapital fillestar prej 5 milionë lekësh.
Ndërkohë, projekti është shoqëruar me kundërshtime të forta nga qytetarë dhe organizata mjedisore. Protestat nisën në fund të muajit maj, pasi në zonën e Zvërnecit u vendosën gardhe që kufizuan hyrjen e banorëve dhe turistëve në plazh. Demonstratat janë shtrirë edhe në Tiranë, ku protestuesit kanë kërkuar ndalimin e projektit, mbrojtjen e zonës së mbrojtur dhe transparencë mbi procedurat që i hapën rrugë investimit.
Tensionet u rritën pas publikimit të pamjeve ku roje private të sigurisë shfaqeshin duke dhunuar dhe tërhequr zvarrë një protestues. Pas incidentit, autoritetet revokuan licencat e dy kompanive të sigurisë private, arrestuan një roje sigurie dhe morën masa ndaj drejtuesve lokal të policisë. Ndërsa kryeministri Edi Rama ka deklaruar se investimi do të vijojë pavarësisht hetimeve, çështja po tërheq vëmendje të gjerë publike për shkak të përmasave ekonomike të projektit, hetimeve mbi pronësinë e tokës dhe rëndësisë mjedisore të zonës ku ai pritet të zhvillohet.
Drejtorët hije të projektit

Credits: shteg.org – Drejtorët hije/Ilustrim
Më 13 gusht 2024, në vapën e rëndë të Tiranës, një zyrtar regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit shtypi butonin “Aprovo”. Në atë sekondë lindi zyrtarisht shoqëria “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k. Zyrat e saj u vendosën lart, në katin e 12-të të kullës European Trade Center (ETC), përgjatë Bulevardit Bajram Curri. Gazetarët e “shteg.org” nuk gjetën asnjë shenjë të kësaj kompanie me një emër që premton zhvillim ndërkombëtar. E vetmja gjë që rezulton në letër është një administrator shqiptar të quajtur Andi Jorgji dhe një kapital fillestar prej 5,000,000 lekësh.
Gjurmët e letrave të çojnë drejt veriut të Europës, në një zyrë sterile “kutie postare” në katin e parë të World Trade Center në Amsterdam, ku dy persona në hije, një shtetas rus dhe një shtetase bullgare, thurën një rrjet kompanish me vlerë “1 Euro”.
Për të kuptuar se si u projektua kontrolli i Zvërnecit, duhet të kthejmë kohën pas, saktësisht dymbëdhjetë ditë përpara se kompania shqiptare të hapej.
Është data 1 gusht 2024. Ndërsa në Shqipëri flitej nën zë për planet e mëdha të resorteve në Pishë Poro, në Amsterdam të Holandës regjistrohet një kompani e quajtur “Universal Properties Projects B.V.”. Adresa e saj është “Strawinskylaan 1431, 1077XX Amsterdam”. Ajo nuk ka zyra fizike, as punëtorë dhe as fabrika. Është një kompani “guaskë” (shell company). Kapitali i saj i themelimit është 1 Euro.
Kjo kompani me vlerë sa një kafe e thjeshtë u krijua me një qëllim të vetëm, të zbriste dymbëdhjetë ditë më vonë në Tiranë dhe të blinte 100% të aksioneve të kompanisë shqiptare “Zvërnec South Adriatic Development”, duke injektuar atje kapitalin prej 5,000,000 lekësh.
Në industrinë offshore, kompanitë guaskë vendosen gjithmonë brenda njëra-tjetrës, si kukullat ruse “Matrioshka”.
Dokumentet e Orbit tregojnë se shoqëria 1-euroshe “Universal Properties Projects B.V.” zotërohet plotësisht nga një tjetër entitet më i vjetër dhe më i sigurt, “Interroyal B.V.”, e cila ndan saktësisht të njëjtën adresë: “Strawinskylaan 1431, Amsterdam”. E krijuar më 10 qershor 2004 me një kapital prej 18,000 eurosh.
Kontrolli kapital i Interroyal B.V. ndahet mes dy personave që ligjërisht mbajnë statusin Pronar Përfitues Fundor.
Nikita Maximovich Vinogradov, një shtetas rus i lindur më 7 shkurt 1991, i cili kontrollon mbi 25% të aksioneve në hije, dhe Zoya Georgieva Gyurova, një shtetase bullgare e lindur më 17 tetor 1988, e cila gjithashtu kontrollon mbi 25% të aksioneve.
Të dy këta persona nuk janë investitorë të pasurive të paluajtshme që kanë zbritur në Vlorë me shpurën e investitorëve strategjikë. Ata janë “drejtorë” profesionistë.
Kur gazetarët kërkuan për biografinë publike të Nikita Vinogradov apo Zoya Gyurova, sistemi Orbis nxjerr një fjalë të thjeshtë e të ftohtë: “No data available”. Ata nuk ekzistojnë në konferenca biznesi, nuk kanë intervista dhe as profile publike. Megjithatë, ata kontrollojnë miliarda në letra.
Dokumentet zbulojnë se Nikita Vinogradov është zyrtarisht Drejtori i Përgjithshëm (“Algemeen Directeur”) i Dutch Trust Management B.V. që nga viti 2019. Kjo kompani trusti është “makineria” që administron adresën “Strawinskylaan 1431” dhe që mbron sekretet e klientëve në mbarë botën. Zoya Gyurova është partnerja e tij ekzekutive në të njëjtin bord.
Ata janë specialistë të krijimit të paravanëve ligjorë. Vinogradov mban 7 role aktive në 6 kompani të ndryshme holandeze, ndërsa Gyurova menaxhon një rrjet edhe më mbresëlënës me 12 role aktive në 10 kompani të ndryshme.
Se sa të fuqishëm janë këta dy “menaxherë hijesh”, këtë e tregojnë dy fije të tjera të padukshme që zbulon regjistri i Orbit. Njëra që të lidh me pushtetin gjeopolitik të Pekinit dhe tjetra me atë të Tiranës.
Gjurmët e pronarëve përfitues të projektit në Zvërnec

Credits: Facebook – Në një fotografi grupi të publikuar nga vizita në Zvërnec, Ivanka Trump dhe Kryeministri Edi Rama shfaqen së bashku me disa pjesëmarrës të tjerë, mes të cilëve është i pranishëm edhe Musa Kastrati.
Mëngjesin e 30 majit, në telefonat e disa mediave në vend u shpërnda deklarata e kompanisë “Zvërnec South Adriatic Development”, në të cilën thuhej se po përballej me një fushatë dezinformimi dhe përpjekje për të diskredituar projektin turistik në Zvërnec. Sipas saj, investimi prej mbi 4 miliardë eurosh po zhvillohet në përputhje me ligjin, mbi prona private të blera ligjërisht dhe me mbikëqyrjen e institucioneve shqiptare. Kompania thekson se projekti synon të krijojë mijëra vende pune, të respektojë standardet mjedisore dhe të kontribuojë ndjeshëm në ekonominë shqiptare, ndërsa premton se dokumentacioni teknik dhe mjedisor do të bëhet publik pas përfundimit.
Ndonëse deklarata u paraqit si një reagim zyrtar i kompanisë zhvilluese, gjurmët e shpërndarjes së saj çojnë edhe te aktorë të tjerë. Sipas burimeve të “shteg.org”, dokumenti u qarkullua fillimisht nga stafi i marrëdhënieve me publikun të Kastrati Group, përpara se të publikohej në faqen zyrtare të kryetares së Bashkisë së Vlorës. Përfshirja e emrit të grupit nuk kalon pa u vënë re, sidomos në dritën e fotografive të publikuara nga vizita e Ivanka Trump në Zvërnec, ku mes personave që e shoqëronin shfaqej edhe Musa Kastrati, djali i biznesmenit Shefqet Kastrati.
Kompania Kastrati Group nuk iu përgjigj pyetjeve për koment. Po ashtu, as Bashkia e Vlorës dhe institucionet e tjera të shtetit shqiptar të përfshira në këtë projekt.
Shteg.org nuk mundi të kontaktonte asnjë prej përfaqësuesve të “Zvërnec South Adriatic Development”, por pronarët përfitues të saj, shtetasi rus Nikita Vinogradov dhe bullgarja Zoya Gyurova, referuar dokumenteve të OpenCorporates, rezultojnë po ashtu si pronarë përfitues edhe në “AIR BP ALBANIA”, një kompani me objekt veprimtarie tregtimin e karburanteve të avionëve, me seli të zyrave qendrore në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe atë të Aeroportit të Kukësit.
Përfshirja e tyre vjen si rrjedhojë e strukturës korporative të shoqërisë holandeze United World Technologies B.V. (e cila zotëron 50% të aksioneve të Air BP Albania). Kjo kompani operon përmes një modeli të mbyllur “Trust-i”, ku pronësia e plotë kontrollohet nga fondacioni menaxhues Stichting Administratiekantoor United World Technologies dhe administrohet nga Dutch Trust Management B.V. Për shkak të kësaj strukture fiduciare, ku investitorët e fundit kapitalë apo përfituesit realë nuk identifikohen nominalisht në regjistrat publikë, ligji parashikon që si pronarë përfitues të regjistrohen pikërisht përfaqësuesit ligjorë të strukturës më të lartë, që në këtë rast janë Gyurova dhe Vinogradov.
Analiza e kompanive të tjera që kjo dyshe përfaqëson në Holandë tregon se roli i tyre shkon përtej administrimit formal të disa shoqërive. Dokumentet e regjistrit Orbit zbulojnë dy lidhje domethënëse që ndihmojnë për të kuptuar peshën e tyre në botën e korporatave ndërkombëtare: njëra të çon drejt interesave të lidhura me gjigantin shtetëror kinez të energjisë, ndërsa tjetra drejt një prej rrjeteve më të fuqishme të biznesit në Shqipëri.
Dokumentet e provojnë se më 25 nëntor 2025, shtetasi rus Nikita Vinogradov dhe bullgarja Zoya Gyurova u emëruan që të dy si anëtarë të Bordit të Drejtorëve të kompanisë “Bestuurder; Directeur B” në kompaninë “SOIHL Netherlands Investment B.V.”. Edhe këto kompani kanë po të njëjtën adresë në Amsterdam, rrugën Strawinskylaan 1431.
Ky entitet është krahu i investimeve offshore i “Sinopec Overseas Investment Holding Limited”, gjiganti shtetëror i naftës dhe gazit i qeverisë së Kinës. Në këtë bord, “pronarët përfitues” të Zvërnecit ulen krah për krah me zyrtarë të lartë kinezë si Ning Li dhe Baosheng Zhang, duke menaxhuar flukset e naftës kineze.
Dokumenti i Orbit për Zoya Gyurova tregon një lidhje të dokumentuar të nivelit të parë me Klodian Allajbeu.
Gyurova ka shërbyer në bordin e kompanisë “Media A.B.C. Holding B.V.”, një entitet i regjistruar midis Holandës dhe Cambridge-it në Britaninë e Madhe. Përmes këtij pozicioni, dokumentet investigative e lidhin atë direkt me rrjetin e kontrollit të Spitalit Amerikan në Shqipëri, duke përfshirë personat e lidhur të Nivelit 2 si Dr. Iris Allajbeu, Mario Karaj, Andrei Christian Krikliwy dhe Samsara Hamzaraj.
Sipas dokumenteve të referuara, Vinogradov dhe Gyurova shfaqen në role drejtuese dhe përfaqësuese në struktura korporative jashtë Shqipërisë, të cilat lidhen edhe me kompani aktive në vend, ndërsa mënyra e ndarjes së pronësisë përfituese mbetet e ndërmjetësuar nga struktura të ndërlikuara juridike ndërkombëtare.
“Wag the Dog”

Credits: LSA – Foto nga protesta
Kur një kryeministër del përpara kamerave për të menaxhuar një krizë të madhe publike, ai zakonisht ofron një zgjedhje: midis vizionit të tij për progres dhe “prapambetjes” së kritikëve të tij. Pas javësh të tëra tensioni në bregdetin e Vlorës, Edi Rama zgjodhi pikërisht këtë rrugë.
I gjendur përballë një dallge zemërimi popullor, të ndezur nga videoja e një protestuesi që tërhiqej zvarrë pas një gardhi me tela me gjemba në Zvërnec, Kryeministri shqiptar mbajti një fjalim të gjatë dhe emocional. Ai pranoi se dhuna e rojeve private ishte “e neveritshme”, njoftoi shkarkimin e menjëhershëm të Drejtorit të Policisë së Vlorës për relativizim të ngjarjes, hoqi licencën e kompanisë private të sigurisë dhe urdhëroi arrestimin e rojeve.
Por përtej menaxhimit të incidentit fizik, fjalimi i Ramës hapi perden e një beteje shumë më të madhe gjeopolitike dhe korporative. Nga njëra anë qëndron narrativi zyrtar i qeverisë për një investim elitar prej 4 miliardë eurosh dhe, nga ana tjetër, qëndrojnë dokumentet e ftohta të regjistrave tregtarë dhe inteligjencës korporative Orbis.
Edi Rama e vizatoi projektin e Zvërnecit si biletën e Shqipërisë për në “Ligën e Kampioneve” të turizmit global. Ai hodhi poshtë me forcë ato që i quajti “legjenda të përhapura me shumë helm”, thashethemet se toka po i falej Izraelit për të sjellë palestinezët, apo se “ca rusë në bashkëpunim me oligarkët shqiptarë po rrafshojnë zonën për të ndërtuar pallate”.
Sipas Ramës, e vërteta është tërësisht ndryshe dhe e mbikëqyrur rreptësisht:
Kryeministri deklaroi se negociatat kanë nisur që në vitin 2023. Ndërsa ishulli i Sazanit është tokë publike ku shteti po kërkon të jetë ortak, toka në Zvërnec është 100% pronë private e regjistruar në hipotekë prej shumë vitesh.
Rama specifikoi se pasuritë objekt zhvillimi janë në pronësi të shoqërisë “Albania Land Development”, e cila si ortak ka vetëm shoqërinë “Sazan Holding”. Në majë të këtij zinxhiri, sipas tij, qëndrojnë dy bashkëpronarët e gjigantit “Power Holding” nga Katari. Paratë, tha ai, janë të mbikëqyrura në mënyrë strikte “euro për euro” nga Agjencia Kundër Pastrimit të Parave dhe partnerët ndërkombëtarë.
Kryeministri tha gjithashtu se Pishë-Poro nuk është park kombëtar i paprekshëm (si Vjosa), por një peizazh i mbrojtur i Kategorisë së Pestë (IUCN), që lejon bashkëjetesën e natyrës me turizmin e nivelit të lartë. Ai zbuloi se Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) e kishte rrëzuar masterplanin e parë në shtator 2024, sepse ishte shumë intensiv. Vetëm në mars të vitit 2026 u pranua një projekt tërësisht i rikonceptuar, ku u hoq marina dhe u vendos një brez mbrojtës nga vija e lagunës.
Rama këmbëngul se nuk ka asnjë projekt arkitektonik të miratuar. Leja e infrastrukturës e dhënë në prill 2026 ishte thjesht për “rrugë kalimi të përkohshme”, që studiot mjedisore të vendosin pajisje për të studiuar biodiversitetin. Për të mbrojtur këtë vizion, investitorët (të promovuar globalisht nga Jared Kushner) kanë angazhuar pesë nga studiot më elitare të arkitekturës në botë: BIG (Danimarkë), Kengo Kuma (Japoni), Jean Nouvel (Francë), Emre Arolat (Turqi) dhe K-Studio (Greqi), duke sjellë marka si AMAN, Cheval Blanc dhe Atlantis.
Kryeministri Rama e krahasoi zemërimin e publikut me skenarin e filmit “Wag the Dog”, ku një krizë dhe një luftë me Shqipërinë fabrikohen nga mediat përmes simboleve të rreme (si gardhi me tela). Ai argumentoi se makineritë në terren thjesht po merreshin me gurë për të hapur rrugë kalimi për pajisjet e studimit mjedisor, pasi “studimi mjedisor akoma nuk është bërë”.
Kryeministri nuk dha shpjegime pse kompania e zhvillimit u nxitua të ngrinte një gardh të rrethuar me tela me gjemba dhe të përdorte dhunë aq agresive përmes rojeve private, sa të detyronte shtetin të ndërhynte me shkarkime të nivelit të lartë të policisë, nëse leja e prillit 2026 ishte thjesht për rrugë kalimi të përkohshme mjedisore dhe asgjë nuk është finale.
Kush e pagoi “faturën” mjedisore të Zvërnecit?

Credits: shteg.org – Zona ku do të zhvillohet projekti
Dritan Brako, me profesion inxhinier hidroteknik, diku nga mesi i dhjetorit u kontraktua nga administratorja e kompanisë “Zvërnec South Adriatic Development”, Isida Çela. Ai nënshkroi një kontratë për nisjen e punës për vlerësimin e ndikimit në mjedis për projektin, për të cilin kompania ka siguruar një leje zhvillimore për një sipërfaqe mbi 466 hektarë.
Inxhinieri i tha “shteg.org” se është kontraktuar nga znj. Isida Çela, por tashmë në realizimin e studimit janë bashkuar edhe ekspertë të tjerë dhe se puna është ende në fazën paraprake.
“Për të realizuar një studim duhen minimumi 6 muaj kohë, por mund të shkojë edhe dy vite”, thotë Brako, sipas të cilit projekti ka pësuar shumë ndryshime nga aplikimi i parë që është dorëzuar.
Bazuar në dokumentacionin e aplikimit, projekti “Zvërnec Peninsula – Kompleks Multifunksional” përfshinte njësi shërbimesh, banimi dhe hotelerie nga 1 deri në 8 kate, por edhe objekte banimi, shërbimesh, hotelerie, rekreacioni, si dhe mole parkimi të mjeteve ujore.
Inxhinieri thotë se projekti ka ndryshuar, megjithatë ende po punohet për ndikimin në mjedis që do të ketë zhvillimi i tij, duke pasur parasysh që do të zhvillohet në zonën e mbrojtur “Pishë Poro-Nartë”, shpallur me VKM-në Nr. 596, datë 25.09.2024, “Peizazh i Mbrojtur Ujor/Tokësor” (Kategoria V), në monumentet natyrore “Laguna Limopuo” dhe “Kodrat Molasike të Zvërnecit”.
Brako po ashtu sqaroi se edhe çështja e pronësisë së projektit është e dokumentuar sipas certifikatave të lëshuara nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ndërsa për të ekziston edhe një Vlerësim Strategjik Mjedisor (VSM).
Ky vlerësim, i cili i hap rrugën ligjore ndërtimeve në peizazhin e mbrojtur, nuk u pagua nga investitorë të Nju Jorkut apo llogari transparente të Katarit. Ai u porosit dhe u financua drejtpërdrejt nga një mozaik përfituesish vendas, një aleancë e pazakontë mes bankave me histori të përgjakshme, biznesmenëve të lidhur me pushtetin, kompanive nën hetim për pastrim parash dhe emrave të skeduar për lidhje me mafian italiane.
Deri në vitin 2022, ata kontrollollonin së bashku një parcelë gjigante prej 1,536 hektarësh në zonën e mbrojtur.
“Qendra Kërkimore për Zhvillimin Rural, me kërkesën e subjekteve private pronarë, në proporcione të ndryshme të sipërfaqeve në zonë, ka kërkuar Vlerësimin Strategjik Mjedisor”, thuhet zyrtarisht në dokumentet që i hapën rrugë ndërtimit të aeroportit të Vlorës.
Dokumentet e lidhura me Vlerësimin Strategjik Mjedisor zbardhin emrat e vërtetë që qëndrojnë pas regjistrimeve të tokës në këtë perimetër strategjik.
Pronari më i madh i tokës në këtë zonë të mbrojtur është një bankë e nivelit të dytë në Shqipëri. Ky institucion financiar mban në portofolin e tij plot 600 hektarë.
Një nga njerëzit më të pasur në Shqipëri, Vasil Naçi, kontrollon përmes kompanisë së tij Agna Sha 240 hektarë të tjerë. Portofoli i tij shtrihet nga tregtimi i pijeve energjetike dhe pasuritë e patundshme, e deri te sektori i ndërtimit dhe energjisë.
Një sipërfaqe e barabartë zotërohej nga kompania “Singapore Europe Real Estate” (S.E.R.E.), pjesë e konglomeratit në pronësi të biznesmenit Samir Mane.
Biznesmeni Gazmend Demi, posedon 180 hektarë në këtë zonë. Pjesa tjetër e tokës brenda 1,536 hektarëve të projektit mjedisor mbulon histori që kanë kaluar nëpër zyrat e prokurorive për krime të rënda.
Kompania Adhenis sh.p.k., në pronësi të Artur Shehut, kontrollon 150 hektarë brenda zonës së mbrojtur. Pronat e përfituara nga Shehu në bregdetin e Vlorës kanë qenë prej vitesh objekt i hetimeve intensive nga prokuroria shqiptare, ndërkohë që emri dhe e shkuara e tij janë lidhur në dosje investigative me operacionet e pastrimit të parave të mafias italiane.
Në këtë rrjet pronësish figuron edhe një kompani e krijuar në vitin 2012 nga një shtetas indian dhe shqiptari Denis Alimehmeti. Në gusht të vitit 2015, Prokuroria shqiptare hapi një procedim penal për pastrim parash ndaj Alimehmetit, pas sinjalizimeve për transaksione me vlera jashtëzakonisht të mëdha në llogaritë e tij. Ndonëse hetimet u pushuan në vitin 2017 me argumentin se nuk provohej evazioni fiskal, kalimi i këtyre kapitaleve mbi letrat e zonës së mbrojtur mbetet një pikëpyetje e madhe.
Nga ana tjetër, në Zvërnec vijon prej vitesh një konflikt i pazgjidhur pronësie.
Rreth 250 familje pretendojnë të drejta mbi këto toka, qoftë si pronarë të hershëm, qoftë si përfitues të akteve të njohjes së pronësisë të lëshuara në bazë të ligjit 7501. Mosmarrëveshjet kanë prodhuar një sagë të gjatë gjyqësore, e cila ende nuk ka marrë fund. Pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, çështja është rikthyer për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë, ku po rishqyrtohen pretendimet mbi sipërfaqe të konsiderueshme kullotash dhe pyjesh. Në një zonë ku interesat ekonomike po rriten me shpejtësi, fati i këtyre pronave mbetet ende i paqartë, ndërsa banorët vazhdojnë të presin një zgjidhje përfundimtare nga drejtësia.
Lindita Çela
Lindita Çela është një gazetare investigative e shquar, e njohur për raportimet e saj të përpikta dhe të guximshme mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri. Me një karrierë që shtrihet për mbi dy dekada, Çela është konsoliduar si një figurë e rëndësishme në fushën e gazetarisë investigative, duke fituar vlerësime si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar për punën e saj.








Të uroj sukses.Të qëndrosh i vendosur ,i pastër solid e i palodhur.
Mos prano nga ish partitë ,dmth ps,pd,lsi .Prano njerëz të devotshëm e pa urretje për çdo gjë.Mbi të gjitha intelektualë qelibarë.