VOAL

VOAL

O N H E Z M I – emri i vjetër i Sarandës – Poezi nga ATDHE GECI

May 10, 2022

Komentet

STATUJA E PJETËR ARBNORIT  APO TRASHËGIMIA E MADHËRISHME  QË LA PAS? – Kur do të ishte 90 vjeç –  Nga Visar Zhiti 

E dëshirueshme shumë, po dhe gëzueshëm normale do të kishte qenë që familja e Pjetër Arbnorit dhe miqtë, por dhe Shqipëria sot, të sillnin tortën e ditëlindjes së tij me qirinjtë me numrin 90 që do të tregonin moshën dhe ai në krye t’u frynte për t’i shuar mes haresë dhe brohërimave dhe të ngrinte gotën e verës si bashkëshort dhe prind dhe gjysh, por dhe si bashkëvuajtës i lartë në burgjet e rënda të një diktature barbare, si deputet më pas dhe kryeparlamentar dinjitoz por dhe si shkrimtar i veçantë.
Po ai iku i qetë dhe me një heshtje të mistershme 19 vjet më parë duke i lënë të gjitha, edhe për të mos shqetësuar, por në rregull me veten dhe botë…

RIKTHIMI I STATUJTË

Rikthimi si statujë i Pjetër Arbnorit para Parlamentit që udhëhoqi si Kryetari i parë i tij në Shqipërinë postdiktatoriale, pluraliste dhe demokratike ishte ngjarje me rëndësi, do të thosha, por jo se erdhi fryma e tij, s’ishte ringjallje, pavarësisht se në zemrën e familjes së tij ai është përherë si dhe te miqtë, bashkëvuajtësit dhe bashkëpunëtorët…
Edhe si statujë prapë Pjetër Arbnori është më i mënjanuari, për të mos thënë më “i persekutuari” i statujave aty përreth, pas lulishteve në rruginën ku rojet me armë nuk i lejojnë kalimtarët, përveçse deputetët, i vendosur para murit të ngrehinës së Parlamentit, që duket e ulët dhe fare e mpakur, jo vetëm pse në krah të saj është ngritur xhamia më e madhe në Ballkan, por dhe prej cilëlisë së deputetëve brenda.
Statuja e Pjetër Arbnorit u duhej, por jo më Pjetër Arbnori dhe çuditërisht atë e sollën jo bashkëpunëtorët e tij, partia e tij, por kundërshtarët, ata të partisë, që kur ishte e vetme, e burgosi.
Tashmë në bronz, statujë, gjithsesi na (ri)kujton atë se sa njeri ai ishte, e kundërta e bronzit, shumë njerëzor, ndërkohë dëshmitar dhe kundërshtar i paepur i së keqes, qendrestar në burgje dhe triumfator për të gjithë bashkëvuajtësit e tij.
E sulmuan, e përfolën? Po. E deshën dhe e nderuan? Po, dhe më shumë…
E krahësuan me Nelson Mandelën, e ka patur më të vështirë se ai, them unë. Mandelës i thoshin që po të ndërronte mendim e qendrimet, e lironin nga burgu. Me të burgosurit shqiptarë nuk kishte tolerime të tilla dhe ishin të ndaluara rreptësisht idetë.
Václav Havel në burg kishte makinë shkrimi në dhomën ku e mbanin mbyllur, për të burgosurit shqiptarë kishte vetëm makina torturash dhe punonin si skllevër kampeve, në miniera të tmerrshme, etj, etj.

*  *  *

Pjetër Arbnori është një dukuri, mund të themi. Sa e veçantë, po aq dhe shembëlltyrë. Erdhi nga terri i thellë i dënimeve dhe u bë i njohur në postdiktaturë, në tranzicionin e vështirë, që s’mbaron, teksa i ishte bashkuar lëvizjes për demokraci duke u bërë dhe lider i urtë. Ashtu mbeti, dinjitoz, me luftë të brendshme, jo revolucionar, që besoj se nuk e honepste më, por ai shkaktonte dhe shamatë përreth, jo vetëm nga opozita e tij. I ngadaltë, po i sigurtë. I dijshëm, pa shumë fjalë, por dhe polemist dhe orator. Edhe shkrimtar Dha më shumë se ç’mori. Donin më shumë prej tij, por aq ishin mundësitë. Realitetit i dha praninë emblematike tonën. Donin të harrohej, befas kur s’pritej, u kthye i statujtë. Që edhe ajo përflitej. Ai përsëri hesht, shumë e më shumë.
Na ka lënë disa libra për të cilat një studiues në Itali, Prof. Giuseppe Gradilone, kur ishte Drejtor i Katedrës së Albanalogjisë në Universitetin “La Sapienza” në Romë shkruante se Arbnorin nuk e çoi letërsia në liri, por robëria, burgu e çoi atë te letërsia.
29 vjet burg. Më shumë se mosha e shkrimtarit, bashkëqytetarit të tij, Migjenit.
Qendresa e Arbnorit, fati i tij, lartësimi dhe ndihmesa, të harruarit dhe rikthimi janë me interes, vërtet përbëjnë një dukuri, ku më shumë se sa Arbnorin, kuptojmë kohën, ecurinë e saj dhe të tjerët, ata që bëjnë kohë dhe si. Dhe me Arbnorin kuptohet Shqipëria e sotme, demokracia e saj, mes traumave dhe shpresave, mashtrimeve dhe arritjeve, humbjeve dhe harresës, lirisë dhe kaosit në dyert e mbyllura të Europës.
Ai, Arbnori, është pjesë e historisë bashkëkohore ashtu si mes atyre që e njohën dhe punuan, që e deshën dhe e sulmuan, atëhere dhe prapë që i përballi urtësisht në gjallje dhe ende më urtësisht i statujtë.
Statuja e tij ashtu e mënjanuar, që sikur është bërë më shumë për të mos u dukur se sa për t’u dukur, prapë thotë dhe shqetëson kujtesën, jo vetëm parlamentare, të akademisë aty pranë, të rojeve me armë, të partisë së tij, që proteston, do të meritojë atë fitore kur kishte në gjirin e saj Pjetër Arbnorin, – e deshën apo u duhej (?!) – Arbnori shqetëson gjithsesi pushtetin, qoftë dhe me atë thënien anekdodike që “socialistët nuk janë socialistë, por specialistë”, pra mungonë idealet, etj, etj, por në fund të fundit Arbnori bëri që të bashkohen simbolikisht përballë statujës së tij.
Por më shumë se sa statuja, Shqipërisë i duhet Fryma e bashkëvuajtësve të Pjetër Arbnorit, idealet e tyre dhe ëndrra, sepse dhe kundërshtarët e tyre janë të detyruaf dhe kanê interes atë Shqipëri për të cilën ata u persekutuan, por qendruan, u martirizuan, por triumfoi ideali i tyre dhe kryeministri tani mund ta thotë me zë të plotë se cilët ishin në anën e drejtë të historisë. Kurrsesi ata që sollën tiraninë. Prandaj dhe u desh dhe s’u pengua metamorfoza e tyre antikafkiane…

ARBNORI-NJERI,
NJËRI NGA NE.

…e njoha dhe punova me atë, do të doja të thosha diçka, grimca ndodhish, që mendoj se shpjegojnë më përtej. Më thërrasin qendresa dhe dëshpërimi i tij i fundmë, triumfi dhe zhgënjimet, urtësia e tij thërret po aq shumë.
Së pari emrin “Pjetër Arbori” e dëgjova në burgun e Spaçit, ma tha këngëtari Sherif Merdani… atje në Burrelin e zymtë, muretrashë është dhe ai… di shumë, i urtë…
Emri i tij më kumboi mirë, sikur bashkohej e shenjta me arbëroren. E si mund të futej në burg ai emër? Shkruante dhe përkthente, thoshin. Tregimeve dhe romaneve të tij u vinte emër shkrimtari të huaj, sikur ishin përkthime. Me emër tjetër ai ishte regjistruar dhe në universitet, sepse nuk i lejoheshin studimet e larta për shkak të biografisë, ia kishin pushkatuar babanë. Pastaj dhe atë e dënuam me pushkatim se donte të themelonte një parti tjetër, klandestine, demokratike. Pushkatimin ia kthyen në burgim të përjetshëm..
Me emër tjetër universiteti, pastaj parti tjetër e fshehtë dhe me emër tjetër romanet e tij në burg, të gjitha për të mos u tjetêrsuar si njeri së brendshmi.
Por s’ishin tjetër qëndresa e tij në një jetë pa jetë, guximi i të qenit sa më njeri dhe në ferr, kur s’lejohej, mbrojta e vetes, ngjitja e copave të thyera, dinjiteti i natyrshëm, grevat e urisë në burg dhe në parlament, drejtimi i tij me urtësi të hekurt, përballjet me sulmet e egra të kundërshtrve dhe diabolike të të vetëve.

*  *  *

Dua të risjell këtu copëza rrëfimesh domethënëse, i nxora nga harresa. Njeëra është te burgologjia ime “Rrugët e ferrit”.

1.
DUHANI I PJETRIT…

Burrë i ditur në Burrel (në burg), thonë, është Pjetër Arbnori. Prift është ky? Jo, ka qenë mësues. Shkruan romane. Po ta pëlqeu shkrimin Pjetri, ta dish, ka vlera.
– Kush do të bëjë poezinë më të bukur për dritën e hënës, do t’i jap atë 1 kg duhan që më ka ardhur nga shtëpia, – u thotë Pjetri shokëve të dhomës së vet.
Vërtet ç’ujëvarë drite, një tuberkuloz i florinjtë dergjej në frëngji! Kurse hëna s’dukej, jo se e kishin zënë retë, por muret ciklopike. Drita e hënës sikur gurgullonte nga ajo copë nate përtej.
U përzgjodh juria (me të burgosur). U mblodhën poezitë, copa letre, copa lëkure, shpirti… ca ishin gati, dikush po donte të përshtaste një tjetër a të bënte të re. Dhe si më e bukura u zgjodh ajo e kolonjarit Luan Burimi. Po ky e ka poezinë në mbiemër. Në emër ka luftën. Ngjan pak me të Alfred De Myse. Jo, jo, është origjinale. Ka frymëzimin popullor të krahinës së vet. Është stili i tij kështu. Urime, Luan! E mrekullueshme ideja jote, Pjetër, për këtë konkurs në burg!
Asnjë gazetë nuk do të shkruajë, s’do të flasin radiot, televizioni. Poetët jashtë, ata të realizmit socialist, marrin çmime të mëdha, me poema për diktatorin, për komunizmin, Partinë, u japin dekorata atyre, pará, studio, udhëtime jashtë shtetit. E ata asgjë nuk thonë, jo protestë, jo, por as një mërmërimë. Të paktën këtë konkurs poetik në burg, dhe s’është i pari, për një hënë që s’kursen ta derdhë dritën dhe për ne, të dënuarit, kujtoheni…

2.
Më pas, kur ra perandoria komuniste e Shqipëria mori tjetër udhë, do të na ndodhnin gjëra që as guxonim t’i ëndërronim.
Ja, Pjetër Arbnori do të vendosej si kryeparlamentar pikërisht në zyrën e diktatorit Enver Hoxha, në ngrehinën ku kishte qenë Komiteti Qendror i PPSH-së e shndrruar tashmë në Kryesi të Kuvendit.
Në burgologjinë time të dytë “Ferri i çarë”, e rrëfej këtë, përjetim imi:

PJETRI NË ZYRËN E ENVERIT

Kur hyra për herë të pa rë në zyrën e Diktatorit në ngrehinën e Komitetit Qendror, pata ankth dhe një frikë të tjetërllojtë, të mistershme. Kujtova se do të kapërceja mbi kufoma për të mbërritur në atë derë. Trokita. Ja, ja, nga kjo zyrë i vinin mynxyrat Shqipërisë. Shandani në tavan po më dukej si kokë e prerë, e kapur nga flokët e përgjakur. E pabesueshme.
Në poltronën e tij qe ulur Kryetari i porsazgjedhur i Parlamentit, Pjetër Arbnori, mbas 29 vjetësh burg. Prapë me rojë ai, dikur e ruanin si të burgosur, tani…
“Pse, nuk u pushkatua ki? – pyeti fantazma e Enver Hoxhës. – Apo u kthie këtu pas vdekjes së vet, fantazmë si unë? Kot ia falëm atë dreq jete, na paska dashur të themelojë parti tjetër ki, është dhe katolik, do të më kenë mashtruar, vetëm tradhtarë kam pasur përreth, jo bashkëpunëtorë.”
– Dua të punojmë bashkë, – më tha Pjetër Arbnori, – merru me bibliotekën dhe shtypin këtu. Pranon?
– A nuk është e tmerrshme?… – e në vend të thosha “zoti”, desh mërmërita: – Shën Pjetër.
Pashë në tryezën e tij telefonat. M’u dukën si mjete torture.
– Nuk di t’i përdor, – më tha, – sidomos këta të brendshmit. Butonat kanë ende emrat e anëtarëve të Komitetit Qendror dhe të ministrave të pushkatuar. S’dihej a u telefononte dhe atyre, i thërriste të vrarë. Poshtë ndërtesës është labirinti, bodrumet dhe kanalet e nëndheshme. Të çojnë nëpër vilat e gjithë udhëheqjes. Në punë do të vish me kravatë.
Ndërsa po më përcillte, vura re se i tërhiqte si zvarrë këpucët e bardha, “ngaqë ka mbajtur gjatë vargonj ndër këmbë, – mendova, – dhe vazhdimisht ka ecur me shapka burgu.”
– Dëgjo, po të duash, zbrit me ashensorin e Enver Hoxhës, del më shpejt, – dhe më shtrëngoi duart.
Kur u mbyllën dyert, m’u duk se isha në një dhomë të ngushtë nga ku do të shpërthente gazi i vdekjes. Nëpër pasqyra më fanitej Enveri. Jo kaq pranë tij, o Zot! Ashensori po zbriste për në ferr.

3.
PARA SE TA BËNIN STATUJË
DHE MË PAS

Nga të qenit simbol i vuajtjes dhe i qendresës në diktaturë dhe deri sa u bë statujë në demokraci është në mes koha e Pjetër Arbnorit – njeri. Meqënëse ai i mbart dhe i bashkon këto dy kohë, le ta quajmë dhe ne atë “demokraturë”, me të gjitha kuptimet që i japin asaj…
Kam ndjesinë se, e përsëris, që ta kuptojnë se e kemi kuptuar dhe e dinim, në fund të fundit më shumë janë dashur simboli dhe statujat e martirëve, të të pushkatuarve, atyre që vdiqën burgjeve dhe i përndoqën gjithë jetën, gjatë gjithë regjimit mizor që sundoi gjysmë shekulli e vazhdon ndryshe, se shpirti i tyre, idealet dhe porositë, fryma e te përndekurve, e them shpesh, ajo është era që solli ndryshimet dhe rruga për t’u bashkuar me kulturën EuroAtlantike.
Dukuri kësisoj kanë  dhe kohë të tjera, dhe vende të tjerë, besoj, por jo kaq të rëndomtësuar deri në mosmirënjohje e pabesi sa tani në vendin tonë.
Besoj se njerëz si Pjetri kuptonin ç’po ndodhte si promotorë të demokracisë dhe u vunë me shpirt në ndihmë të ndryshimeve, e kapnin veten që edhe po përdoreshin, por më e rëndësishmja se tërheqja ishte dhënia e moralit të tyre kohës, e të drejtës, bashkëpunimi me kundërshtarët, me të konvertuarit, s’kishte kusht tjetër, kjo bëhej për Shqipërinë.

* * *
Arbnorin unë e pashë të ishte i qetë, gjë që e bënte të dukej si me shumë heshtje, me një si tis trishtimi të pandarë, edhe kur buzëqeshte sokratisht.
Shef i shkëlqyer, thoshim. I palodhur. I drejtë. Si kryeparlamentari i parë në demokraci, në ngrehinën e Kryesisë kishte dhe punonjës të së kaluarës, kur aty ishte Komitetit Qendror i PPSH-së, që frika po u dilte shpejt nga ne. Pjetër Arbnori jo vetëm që nuk bëri luftë klase, por kur dilnin delegacione apo grupe jashtë shtetit, kujdesej vetë që t’u vinte radha të gjithëve dhe atyre që kishin 10 apo 20 vjet punë e nuk kishin dalë kurrë jashtë me Enverin.
Arbnori u përball. Përgjigjej rrallë ose fare. Kujtoj kur e sulmoi një herë deputeti Azem Hajdari. Kishte filluar shpërdorimi i dosjeve, i atyre që kishin mbetur pas djegieve. Në media unë dola në mbrojtje të Pjetrit, jo vetëm si bashkëvuajtës i tij, se ne ishim vetë dosjet e gjalla, por në mbrojtje të së vërtetës. Azemi më erdhi në zyrë gjithë përzemërsi, jo vetëm që më dha të drejtë, por dhe më përgëzoi. Ishte rrezatimi i Pjetrit, që lëshonte mirësi. Drejtpeshues dinjitoz i çështjeve. Mbaj mend që vizitoi në burg dhe vejushën e diktatorit, Nexhmie Hoxhën, të dënuar për shpërdorim të fondeve shtetërore në Bllok dhe jo të shpërdorimit të pushtetit, të rrënimit të Shqipërisë, të izolimit të saj, të vrasjeve dhe persekutimit gjeneral.
Kushtet e burgut te vejushës së diktatorit ishin ku e ku sa herë më të mira, madje luksoze, po të krahësosheshin me ato të Pjetrit dhe të të gjithë burgosurve shqiptarë të regjimit të asaj.
Pjetri takonte me shumë dëshirë Shenjtoren Nënë Tereza, kur vinte në Tiranë, po e kisha parë të ikte me qejf dhe në takimin me atë aktorin komik anglez, i njohur si Pitkini, që kishte ardhur për një vizitë në Tiranë.

* * *

Te Pjetri ndjehej familja, përkujdesi, nëna dhe motrat në burg dhe tani bashkëshortja, ngazëllimi i dy fëmijëve të tij, vajza dhe djali që kishin emrat e prindërve të tij, i kishte ngjallur, – siç thuhet popullorçe.
Sqima në veshjen e tij kishte dorë gruaje, ngjyrat e çelëta, jakat e bardha, këpucët e bardha. Ishte bashkëshort i mirë, gjithë kujdes si babai i dy vogëlushëve të bukur. I pëlqente të fliste për ta.
I shkoja shpesh në zyrë Kryetarit dhe i kërkoja takime të atyre që i kërkonin ndihmë, ndonjë grup për pronat që nuk po i merrnin dot, ndokush për shkollë për fëmijët e ish të persekutuarve, donte të futej në punë një tjetër, ish i burgosur. Dua në doganë, kërkonte njëri. Pse pikërisht atje, më thoshte Pjetri, mjafton të futesh në punë.
Kujtoj poetin Frederik Rreshpja, bashkëvuajtës me ne, mik imi, kur isha student në Shkodrën tonë, që më tha t’i thosha Pjetrit se po i konfiskonin shtypshkronjën, nga që kishte shtypur trakte, që bënin thirrje për të mos votuar referendumin për Kushtetutën e re dhe kundër Presidentit Berisha.
Ç’të bëjmë? – më pyeti Arbnori, – ai s’është as me ne, – buzëqeshi shpotitshëm. Po na bashkonin pranga dhe vuajtja. Dhe poezia… po dhe aq sa kishte të drejtë. Dhe Pjetër Arbnori si Kryetar i Kuvendit (s’e duronte fjalën “Popullor”) dha porosi me shkrim që të mos cënohej Frederik Rreshpja, as të përdorej zell politik e gjoba, jo më shumë se ç’e përmbante ligji, mundësisht më pak.
Në zyrën e tij hynin shpesh deputetët Uran Butka, Pjetër Pepa, mbaj mend dhe botuesin Shefki Hysa, po përgatitej vepra e radhës, etj, etj.

 

Me Arbnorin kisha udhëtuar me helikopter për një takim të gjerë kulturor në Sarandë. Në kthim ai do të ikte në Shkodër, por unë doja të ndalja në Lushnjë, te ime më dhe ai u tha pilotëve që të uleshin ku të mundnin. Helikopteri zbarkoi në fushën ndanë stadiumit. Të rinjtë që po luanin me top, e ndërprenë…
Nën helikat që krijinin vorbulla të forta ere, zbrita unë, ou, kush na qenka!…
Arbnori erdhi dhe vetë në Lushnjë për të parë në teatër një pjesë të tim eti, “Përqafime i dy kundërshtarëve”, rivihej në skenë pas gati gjysmë shekulli, që nga koha e luftës. Por ne duhet ta dekorojmë këtë autor, tha.
Ne takimet zyrtare i pëlqente të thoshte se ai, si Kryeparlamentar, ishte katolik, Kryeministri ortodoks dhe Presidenti mysliman. Një rastësi kuptimplotë për ne, shtonte. I rëndonte koka si e Çurçillit.
E kisha parë dhe në takime të vështira. Mbaj mend atë me një grup të madh parlamentarësh grekë, mbi 20 veta, të cilët kërkuan që në takim të ishin vetëm me të. Dolën këshilltarë e bashkëpunëtorë të tij, unë nuk dola, mbase nuk rashë në sy se ndodhesha mes grekërve. Ai i vetëm i përballoi me sukses, tregoi se e njihte historinë e tyre po aq mirë, në mos më shumë se ata. Dhe e mbrojti bindshëm situatën e rënduar në Jug dhe premtoi zgjidhjen.
Kisha qenë me Arbnorin-kryetar Parlamendi në vizitat zyrtare në Maqedoni e në Rumani. Me homologun e tij rumun, një autoritet me ndikim të madh, Arbnori ishte perfekt.
Gjeja rast dhe i thosha të mos harronte Ditarin e Burgut, duhej botuar patjetër, jo vetëm romanet dhe novelet dhe letrat. Aty, te ditari është rëndesa…
– Eh, – më thosh, – nuk kam kohë tani, kur të dal në pension.
– Po jepua të tjerëve, të paktën ta daktilografojnë.
– Eshtë me një alfabet që e kisha shpikur vetë, – më shpjegonte, – për të mos ma kuptuar policët e burgut dhe tani e kam harruar, nuk e lexoj dot as unë.
Kur përgatiti për botim novelën lirike “Bukuroshja dhe hija”, i thashë se është e çuditëshme historia se si e kishte shkruar atë në birucë, në ata shiritat e bardhë anëve të gazetave. E kishin dënuar nga që kishte lënë shtrembër shapkat e veta të grisura në fund të shtratit.
Megjithëse i ngarkuar me shumë punë, e shkruajti natën hyrjen që ia kërkova. Ja, tha. Ia bashkëngjita novelës si një hyrje, aq sa absurde dhe e trishtë. Poeti Teodor Keko, deputet kundërshtar me Arbnorin, shkruajti një kritikë vlerësuese për librin, i goditur më shumë pikërisht prej saj, hyrjes, kaq e bukur, e rallë, – më tha dhe mua.
Nën kujdesin e shkrimtarit Novruz Shehu, mik imi, dolën të gjitha letrat e burgut të Arbnorit në vëllimin e madh “E dashtun Nanë”.
Më pas në Itali Arbnorin do ta prisja edhe unë, punoja në ambasadë si ministër këshilltar për kulturën. Si asnjë personalitet tjetër i lartë, ai kishte dhurata për të gjithë personelin, që nga ambasadori e deri te pastruesja.
Djalit tim të vogël i dhuroi një arush të madh. Shoferi atje na tha se për herë të parë merrte një dhuratë nga një funksionar i lartë.
Pjetër Arbnori si shkrimtar që vinte nga burgjet mbajti një ligjëratë në Universitetin “La Sapienza” në Romë, në auditorin e madh të mbushur plot. Aty njoha dhe vajzën e shkrimtarit Ernest Koliqi, themelues i Albanalogjisë në atë Universitet. I iku regjimit, që e kishte dënuar me vdekje si kolaboracionist….
Dhe në New York, më treguan kolegë, i tillë ishte shfaqur Arbnori, dinjitoz dhe modest, po edhe si burrë shteti, po kështu dhe në Washington.

PRESIDENTI I MUNGUAR

Mbas vitit të çmendur 1997, kur Partia Demokratike dhe Arbnori ranë në opozitë, pritej, jo vetëm nga adhuruesit e tij, që ai me konsensus të ishte Presidenti i Republikës. Si Kryetar Parlanenti, tani që s’ishte më, kuptohej që s’kishte patur shok, i rrallë, i shkëlqyer, – thoshin.
Po si President? Aq më mirë do të ishte! Sfidant! Vinte nga burgu dhe gjykatësit që e kishin dënuar, ishin ende gjykatës, madje dhe të ngritur në pozitë. Eh, këtë s’e falnin bashkëvuajtësit, shumica. Ndërsa krerët lart, pozitë-opozitë do ta duronin dot Presidentin e Republikës një ish të burgosur politik, kur vetë i kishte rritur ai regjim, edhe me pekule. Ç’duhej bërë? Ja, si me statujën më pas, me mirë statujë se sa president. Simboli i tij duhej zbehur. I të gjithëve si ai. Ndoshta kjo ishte e vetmja çështje ku bashkoheshin pozita me opozitën.

Pjetri dinte të ishte dhe i sakrificës. Për fjalën e lirë u fut në një grevë të vështirë urie, i mësuar me to nga dikur.
Ndërkaq dhe më pas e ruante atë buzagazin dhe humorin shkodran mes miqve. Dhe miqtë e tij mbeteshin të pandryshuar, po ata që kishte patur në burg në qeli e pasburgut, kur punonte si marangoz. Po kështu dhe heshtja dhe një ai trishtim misterioz.
Kur rierdhën në pushtet demokratët, po thuhej se ai mund të shkonte ambasador pranë Selisë së Shenjte në Vatikan. E priste me shumë dëshirë, por nuk më kanë thënë gjë, më tha urtësisht një pasdite, kur ishim në një koktej.
Ndërkaq unë i kërkova ndihmë për djalin, do të fillonte shkollën, klasën e parë. Ai u përkujdes, shkoi te Ipeshkvi ynë Rrok Mirdita dhe im bir u regjistua në shkollën katolike “Ylber” në Tiranë, ku ishin dhe fëmijët e tij e ai zuri miqësi me ta.
Takoheshim përzemërsisht në përurime librash. Rrallë. Si të papunë të dy. Dukej sikur dhe harresa po marrshonte fitimtare. A thua kishte mbaruar misoni i Arbnorit?

PIRAMIDË DHE BRONZ

Iku vetëm në Napoli, për të mos i bërë merak familjarët, për të kryer një ndërhyrje kirurgjikale, aspak të vështirë, por ndodhi ajo që s’pritej, befas vdes në spital.
E shoqja, Suzana, kërkoi që ceremonia mortore të mos ishte zyrtare. U mblodhëm shumë qytetarë në Katedrale në Shkodër.
Ndërkaq Piramidës së diktatorit Hoxha, të rrjepur e bërë copë-copë, por të shndërruar në Qendrën Ndërkombëtare Kulturore, i vunë emrin “Pjetër Arbnori”, të atij që i kishte marrë zyrën së pari Enverit.
Tani dhe piramidën? Por nëse do të prishej siç diskutohej e protestohej, do të humbte dhe emrin e ri. Por faji s’do ishte i askujt.

Kur punoja në Ministrinë e Kulturës, i emëruar si drejtues i saj, një ditë më bie telefoni në zyrë. Ishte shkrimtari Stefan Çapaliku. Më tha se skulptori Sadik Spahija kishte realizuar një bust të Arbnorit dhe se është në nderin e të gjithëve që ajo skulpturë të vihet diku në Tiranë, në Parlament, kudo, patjetër.
Më bëri përshtypje një si këmbëngulje e tij. Sikur kërkonte të trande pluhur harrese. Dhe nisa interesimin tim më lart. E njihja fuqinë e atij skulptori, e kisha parë te grupi skulpturor i poetëve të Librazhdit, sa tronditëse! Kërkova vendin ku mund të vendosej. Po nuk është realizuar mirë busti, mora një përgjigje nga një zyrë. Dhe ca më lart më thanë për ta lënë për më vonë këtë çështje.
Ç’kanë ata me anën artistike te veprës, u nxeh me të drejtë Çapaliku, detyra e tyre është të caktojnë vendin se ku mund të vihet, se për anën artistike përgjigjen artistët, konkursi, komisioni që e ka miratuar. E kur më vonë?
Ndieja një si bosh te vendet ku mund të vihej skulptura e Pjetër Arbnorit. Te qenë zënë të gjithë piedestalet. Boshi më kaloi dhe brenda vetes. Një si braktisje dhe ankth i ftohtë… Më mirë vonë se kurrë. Me ironi apo pa ironi?
Mbasi priti nja 10 vjet statuja e Pjetrit, e nxorën për ta vënë në lulishten para ngrehinës ku ai punoi si Kryeparlamentar. Dhe e sollën kundërshtarët e tij. U mblodhën në përurim jo vetëm familjarët dhe miqtë e përhershëm, por Kryeparlamentari Ruçi, ai që akuzohej drejtpërsëdrejti për masakrën e 2 prillit në Shkodër, ku Pjetër Arbnori ishte mes protestuesve, Presidenti i Republikës Meta, i përfolur për korrupsion galopant, i arrestuar vitin që shkoi, ndërsa nga opozita ishte kryetari Basha dhe Zonja Topalli, ish Kryeparlamentarja tjetër demokrate, e para grua. Të dy s’do të flisnin me njeri-tjetrin e plot aventura të tjera. Erdhi dhe Berisha – themeluesi i opozitës zyrtare, President dhe Kryeministër i saj, lideri historik. Me të cilin Arbnori bashkëpunoi me përkushtim e besnikëri.
Më dukej sikur nga çasti në çast shtatorja e Arbnorit do të shpërndante cigare të dredhura, nga ai duhani i tij i burgut.
Ai urtësisht gjithsesi sikur e dha një tërmet të vogël kundër harresës së dëmshme. Busti i tij mbartte qortim për të gjithë në heshtje. Dhe ashtu siç nuk pëlqehet qortimi gjithmonë, edhe pamja e tij e bronztë ngjalli pakënaqësi dhe shkaku s’është më Pjetri, por simboli i tij.
Ndjej që më thërret dhëmbja e atyshme. Statuja e Pjetrit ka enigmën e një zemërimi sublim të një të burgosurit të madh, zhgënjimin dhe ëndrrën e vrarë. Edhe nëse nuk e pikasëm te origjinali. Dhe fletët e librit në krah. Të shkruara e të pa shkruara. Nga që kemi mjaft për të thënë, edhe pas vdekjes.

* * *

Unë shkruajta  me rastin e vendosjes së bustit të Pjetër Arbnorit, artikulli doli në disa media dhe jashtë vendit. Aq. Dhe do të harrohej dhe bronzi i tij si për të shmangur më pas sa më shumë dhe atë ëndërr e atë frymë që vjen nga martirët, të vrarët dhe të burgosurit e të internuarit, nga revoltat e studentëve dhe të qytetarëve, aq të domosdoshme për lirinë dhe të drejtat e njeriut dhe të popullit dhe të atdheut. Duhet të rinisë nga opozita. Në pritje të një vizioni të ri të lidershipit.

E rëndësishme është rikthimi i asaj fryme. Duke u sjellë busti i Arbnorit prej kundërshtarëve, le ta shohim, mendoja atëhere si një përpjekje për t’u pajtuar bashkarisht me historinë, një mirëkuptim dhe shtrirje dore, ndjesa e paguxuar dhe kështu busti i Pjetër Arbnorit bëhet më i patundshëm dhe dyfish i vyer. Ngjan si i një porosie biblike, që “armiqtë t’i bëjmë vëllezër” dhe Pjetër Arbnori, aq sa ishte e munduar, ia doli. Edhe tani me vetminë e trishtë të një satuje.
Apo ishte mashtrim, më thotë një zë tjetër. Gjithsesi statuja është… ajo për ju, ne pasuritë e Shqipërisë, deri dhe te florinjtë e familjes së Pjetrit, që ia konfiskuan, kur e arrestuan dhe nuk i mori kurrë, edhe pse e fitoi të drejtën me gjyq. Ma tha vetë Pjetri:  E di që s’do t’i marr, por fitova moralish, – e mbylli.

EPILOG I VOGËL,
JO VETËM PËR MUA.

Na ndodh shpesh të flasim me shokë, më shumë për të kaluarën, ku e tashmja është si një zgjatim i keq i saj, por për më mirë, – themi, jo një zëri. Janë po ata ose bijtë e tyre, që bënë diktaturës, që duan të bëjnë dhe demokracinē, por po e sundojnë…
Natyrisht që kujtohet dhe Pjetër Arbnori, me nderim për dinjitetin, për qetësinë në Parlament, thotë një tjetër, drejtpeshimin, për vuajtjen, mos-hakmarrjen, shtojnë, duhet të bënte më shumë për shtresën e vet, vazhdon ndokush që e di veten shtresë tjetër, madje duhej të jepte dorëheqjen, hidhet një tjetër, që vetë s’ka guxuar për asgjë, ju mashtrian, ju, të persekutuarve…
Pse? Ty jo?…
Po prapë jemi ne… – ma thonë si me humor të zi, por dhe me kënaqësi dinake. Edhe pse jetojnë në SHBA, të lirë, janë pasuruar shumë, por s’u ikën nostalgjia për kohën e tyre, enverizmi u shpifet në eshtra si reumatizma kur vrenjtet moti, kur Moska nxjerr dhëmbët apo Kina po bëhet superfuqi, sipas tyre, i deh globalizmi… Bashkëvuajtës të mi dëshpërohen me të drejtë, prapë s’jemi mirë, thonë, ka dhe nëpërkëmbje, harrim të qëllimshëm, ai dëmshpërblimi i qeverisë dukej si shpërblim i dëmshëm, kam shkruar dikur. Por gjithsesi e kam gjetur përgjigjen time, ngushëllimin, çelsin. Unë them:
– Ne fituam, kauza jonë, nuk u bëmë ne komunistë, as Pjetër Arbnori me shokët e tij, por ata u bënë siç donim ne, kapitalistë, pavarësisht… A po ndërtojmë sistemin kapitalist, ekonominë e tregut, – vazhdoj të them, – me të drejtat e njeriut të parat, liritë dhe besimin? Ata, ata erdhën në rrugën tonë… Kush ka fituar?

Më 18 janar 1689 lindi Monteskjé, një ndër përfaqësuesit më të mëdhenj të iluminizmit francez

VOAL- Charles-Louis de Secondat, Baroni i La Brède dhe Montesquieu, lindi në kështjellën familjare në La Brède, në jug të Francës, më 18 janar 1689, nga Jacques de Secondat, Baroni i Montesquieu dhe Marie-Françoise de Pesnel, baronesha e Bredës.

Familja e tij është një familje magjistratësh e cila në mënyrë të pashmangshme e drejton drejt studimeve juridike. Pas diplomimit, më 1708 ai u transferua në Paris, ku filloi karrierën e tij si avokat, megjithëse interesat e tij ishin të përqendruara kryesisht në shkencë dhe vepra letrare. Më 1715 ai u martua me Jeanne de Lartigue, një protestante, bashkëkohëse e tij e pasur dhe fisnike. Një vit më pas ai trashëgoi nga një xhaxha baroninë e Montesquieu me të ardhura të ndryshme të lidhura me këtë titull, përveç detyrës së Presidentit të Parlamentit. Menjëherë pasi u bë anëtar i Akademisë prestigjioze të Shkencave të Bordosë dhe, më 1727, në atë të Francës.

Në moshën 32-vjeçare ai botoi veprën e tij të parë në mënyrë anonime, “Shkronja persiane”, një satirë thumbuese mbi zakonet e Parisit oborrtar dhe klerik, ende e lidhur me absolutizmin e “regjimit të lashtë”, ndërkohë që tashmë mbronte një model më shumë liberale dhe të shkëputura nga intoleranca fetare në organizimin e shoqërive njerëzore. Libri pati një sukses të tillë sa ndezi një gjueti për identitetin e autorit të tij, i cili përfundimisht u gjurmua dhe u bë jashtëzakonisht i popullarizuar edhe përtej kufijve francezë.

Më 1728 u nis për në Evropë: vizitoi Vjenën, Hungarinë dhe më pas zbriti në Itali, në Venedik, Milano, Torino, Firence, Romë dhe Napoli; ai u nis përsëri, fillimisht në Gjermani, më pas në Holandë dhe në fund në Angli, ku qëndroi për një kohë të gjatë, duke mbetur i magjepsur nga kushtetuta e saj politike. Ai u kthye në Francë vetëm pas tre vjetësh. Këtu ai u tërhoq në kështjellën e tij të La Brede për të organizuar shënimet e tij të shumta të udhëtimit dhe për të filluar përsëri të shkruante.

“Letrat” u pasuan, në vitin 1734, nga “Konsideratat mbi shkaqet e madhështisë së romakëve dhe të dekadencës së tyre”, një vepër e një natyre krejt tjetër me të cilën Montesquieu u thellua në analizën e proceseve historike, duke i identifikuar ato në njeriu dhe natyra, dhe jo më në Providencën Hyjnore, janë shkaqet përcaktuese. Më 1748 ai botoi “Fryma e ligjeve”, një vepër e mbushur me ide tolerance dhe lirie që do të krijonte një precedent dhe do të përfaqësonte një viaticum për brezat e ardhshëm që do të nxirrnin prej tyre në shekullin shumë të trazuar të nëntëmbëdhjetë. “L’esprit des lois” do të jetë një nga librat më të lexuar të shekullit. Në esenë e tij, Montesquieu shpreson që vendet evropiane të kenë forma qeverisje të ngjashme me atë angleze dhe formulon doktrinën e “ndarjes së tre pushteteve” rigoroze: legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor.

Më 1757 ai shkroi një “Ese mbi Shijen” për “Enciklopedinë”, kryeveprën revolucionare dhe monumentale të Diderot dhe D’Alembert.

Pas një përkeqësimi progresiv të shikimit të tij, Montesquieu vdiq në Paris më 10 shkurt 1755, në moshën 66-vjeçare.

Montesquieu, së bashku me Diderot dhe disa të tjerë, duke përfshirë Rousseau, Voltaire, Condillac, d’Holbach, përfaqësonin iluminizmin francez me një origjinalitet dhe pjellori të tillë, saqë ata ndikuan shumë në të gjithë botën intelektuale të kontinentit.

Veprat e tjera të tij janë: “Dialogue entre Sylla et Eucrate”, nga viti 1722; “Reflektime mbi Monarkinë Universale”, 1724; “Udhëtim në Pafos”, 1727; “Mbrojtja e shpirtit të ligjeve”, 1750; “Një histori e vërtetë”, botuar pas vdekjes më 1892. Në fushën shkencore, një hob i tij, ai botoi tre ese të shkurtra: “Les cause de l’écho”, “Les glandes linfanes linfa” dhe “La case de la pesanteur des corps. “./Elida Buçpapaj

LUANI-djali i kulakut – Tregim nga Përparim Hysi

Natyrshëm që këtë tregim për LUAN ISUF JAUPLLARIN,me origjinë nga fshati PËRRENJAS i SKRAPARIT,po e shkruaj tani,në vitet e postdiktaturës,se mos më merni për “trim” që nuk e njihja frikën,në shkelje,qoftë dhe me penë një shkrim anti.
Nëse po e shkruaj tani,them se e meriton që,sado tash është 80-vjeçar,ka qëkur u rrëzua diktatura,rron me familjen e tij,mu tek kodra e vilës së ZOGUT në Durrës.
Kam dy shkaqe madhore që po shkruaj për të. Ngaqë e njoh mirë, LUAN ISUF JAUPLLARI,sa punëtor ka qenë,por dhe aq i zgjuar dhe trim. Kulak u bë se i ati,ISUFI, qe vëllai i nacionalistit ORHAN JAUPLLARI,që diktatura e vrau dhe pasuesit,u shpallën kulakë. Kjo”damkë e turpshme” qe si titull që trashëgohej dhe nga fëmijët.Kur vranë xhaxhan e tii,ORHANIN,LUANI nuk kish lindur. Sidoqoftë,damkën e “trashëgoi” si me “hipotekë” deri sa ra diktatura. E shumta,si krahënjomë që ishte,punoi si murator në sektorin e ndërtimit komunal të fermës”Çlirimi” në FIER. Qe martuar dhe kish tri fëmijë dhe,ngaqë rronte me prindërit në një hyrje të një pallati dhe ngaqë qenë ngusht me njëqind kërkesa,arrriti të marrë lejen për të ngritur një shtëpi. Kur mori lejen,më tha:-Shtëpinë do ta bëjë me dy kate vetëm e vetëm për t’u treguar këtyre se nga vijmë dhe kush jemi. Për lexuesit:shtëpia e ORHAN JAUPLLARIT në PËRRENJAS të SKRAPARIT qe goxha e madhe dhe gati si”saraje”. E ngriti me dy kate (e vetmja shtëpi në MBROSTAR-URA të FIERIT-fshat me mbi dymijë banorë që ishte me dy kate) dhe e dinte mirë,që”sytë e veshtë e mbretit” jo vetëm përgjonin,lëpinin jargët nga zilia,ndaj për çdo tullë, llaç,hekur,mbante faturat dhe çdo kontrollor apo vullnetar që ngrinte akuza,mbetën me gisht në gojë. Por jo vetëm kaq…
*
Fshati ynë qe i madh dhe kishte vetëm një klub. Aty,herë pas here,kthenim dhe ndonjë gotë. Qemë rreth 6-veta dhe midis të tjerëve dhe LUANI. Epo,-tha njëri,- të ngremë një shëndet për shokun X… Shoku X… qe sekretari i organizatës së partisë së fshatit. Ndërsa ne rrëkëllyem gotën,LUANI nuk e piu. Qe guxim i madh,por LUANIT nuk ia hante qeni shkopin.
-Ti,- tha i revoltuar dollibashi,- nuk pi shëndetin e shokut X… (pyetja kish kontanacion të rëndë,aq më tepër që ti,LUAN,je bir kulaku).
-Jo nuk e pi,- nguli këmbë si mushka,LUANI. Nuk e pi për një të gjallë,se nuk e di se ç’proçkë bën nesër. Dhe iu”vërsul” dollibashit:- Ore qe sot në zbor ti? Ç’u bë me komisarin?Dje na mbajti leksion për moral,sot erdhën e arrestuan se kish përdhunuar atë vajzën me të meta afër repartit. Dollibashi u mund dhe ne e kaluam me të qeshur. Me të qeshur dhe me të ngjeshur.
*
As dy vjet nuk kish LUANI në shtëpinë e re dykatshe mu buzë xhadesë dhe u përmbys diktatura. LUANI u bë me krahë dhe,sado e ngriti me gjak e djersë, më tha:- Do ta shesë shtëpinë! Mos,-i thashë unë,-ti dhe jotshoqe FATIMJA nuk derdhët djersë vetëm,por dhe gjak.FATIMJA u tretë si qiri,se fëmijët qenë të vegjël.
-E di pse do e shesë,- tha ai. Do vete në TIRANË dhe do ble Shtëpinë ku u themelua partia. SE nga jo”shtëpi” na u pi gjaku mua dhe gjithë pasuesit.
Dhe vërtet që e shiti.Pak paradoksale,por e vërtetë:Shtëpinë dyktashe të djalit të kulakut, LUAN ISUF JAUPLLARI,e blenë dy nipojtë e e NACIONALISTIT të madh ABAS ERMËNJI.
LUANI drejt e në Tiranë për të blerë atë Shtëpi muze,por ata që adminstronin nuk e shitën dhe LUANI që krahët i kish të”njoma” jo vetën nuk u kthye në MBROSTAR-URA,por e ngrit shtëpinë në DURRËS,tek vila e ZOGUT dhe jo vetëm kaq:ngriti furrëbuke dhe shiste,në fillim të demokracisë deri në FIER. Natyrshëm,ka hequr dorë nga biznesi dhe gëzon pensionin së bashku me bashkëshorten,FATIMEN. Unë i uroj:-Të kenë njëri-tjetrin për një shekull!
*
Epilog
Enkas po e shkruaj këtë tregim për LUAN JAUPLLARIN,se jo vetëm ia vlen,por marrë shkasë nga ajo thënia e tij:-Nuk pi shëndet për një njeri me pozitë,sa është gjallë. Dhe vërtet ka të drejtë. Unë ,nga gjaku jam skraparli,dhe kur lexova se ka dalë një libër për 100-personalitet e SKRAPARIT,tak më erdhi në mend,dollia e LUANIT:-Nuk pi shëndet për një me pozita sa është gjjallë. Në listë si person që nderon SKRAPARIN,ishte dhe një politikan që veç e turpëron SKRAPARIN,jo ta nderojë. E si mund të kesh respekt për një libër,kur bëhet një shkallë barazie të një krenarie, me pandershmërinë a ca më shumë turpin. Nuk hyj në ato”ujërat e tjera”(meriton, nuk e meriton),se,sado në atë libër,fare mirë mund të ish përfshirë dhe xhaxhai im i ndjerë, Juristi HILMI QAZIM HYSI, që dikatura e pushkatoi me Grupin e dytë të deputetëve në vitin 1948,por autori,sado është nga Vërzhezha (nga ishte dhe Hilmiu),nuk e pa të arsyeshme. Më mirë atë të turpit,se atë të nderit. Kishte hak LUAN JAUPLLARI që nuk pi shëndetin për një njeri me pozitë se kush edi ç’bën nesër?

Tiranë, 17 janar 2025

BASHKËVUAJTËSI ME PLUMBIN NË SHPATULL… KOSTANDIN GJORDENI- Nga VISAR ZHITI

KOSTANDIN GJORDENI paska ndërruar jetë, shok nga Durrësi, më dhimbet shumë, kujtoj shëtitjet e rralla me të gjatë bregut te detit (si në oborrin e burgut brenda telave me gjemba) dhe flisnim për një det tjetër, atë vuajtjeve me dallgë tmerresh.
Kostandini tani ishte me një krah, se kishte hequr së voni plumbin që mori në revoltën e të burgosurve në Qafë Bari, – kështu më tha, u preka shumë, edhe unë isha atje, pranë tij, kur u përgjak…
Kam shkruar dhe në burgologjinë time “Ferri i çarë”. Nëpër paragrafë kërkoj emrin Kostandin Gjordeni:
REVOLTA
…edhe durimi s’durohej më…
…filloi paraditen e një dite pa emër…pse pa emër?… dhe quhet dita e revoltës së të burgosurve të Qafë-Barit, po ja, nga që ditët në burg janë tepër njëlloj, si uniformat e burgut, me vija, ditët kështu, netët si uniformat e zeza të policëve. Brenda telave me gjemba dukej sikur kishte shenjtorë të sfilitur dhe djaj të marrosur.
…U futën nja 10-15 policë. U përhapën në krye. Pastaj u futën policë të tjerë me të burgosur të tjerë me pranga në duar ose të lidhur me tel, veshur me leckat e punës, me fytyra të nxira aq sa s’njiheshin. Ata…
Ra heshtje barbare, e cila u ça kur hyri brenda oficeri i rojës. Si zakonisht nuk përshëndeti, s’kishte pse.
…”Këtu ju mbajmë për punë dhe jo për istorira. Në galeri, marrsh, kush të dëgjojë emrin. Maskarenj, pisa”.
Policët lëvizën. Filloi rrahja. Përballë nesh. Të burgosurit e lidhur mundoheshin t’u shmangeshin goditjeve, mënjanoheshin, por shqelmi me çizme, sa të mëdha, staliniste, u dërrmonte kërcinjtë e zhveshur, uleshin pak sa për vetëmbrojtje, por grushti s’kuptohej nga vinte, rënkime, gjak.
…Të guximshëm të tjerë, më të krisurit, po çanin përpara, duke hipur mbi kurrize e kokë, drejt betejës. Një tryezë u ngrit lart dhe u hodh me rrapëllimë andej ku policët dhe oficeri i rojës nuk po iknin dot.
Po fluturonin stola si zhgaba druri, rrapëllima, thyerje xhamash.
Të dalim jashtë dhe të na shohin kush jemi! Dera u përmbys e, duke shkelur mbi të, u turrën jashtë policë e të burgosur. Një patericë vringëllinte anë e kënd. Shih, shih, Haxhi Baxhinozi, Bajram Vuthi me leva, ku i gjetën? Po thikat? Janë të mencës. Ia nguli në bark? Kujt? Of-icerit… Lazër Shkambi rrokulliste parvazin e një dritareje. “Eviva! – thirri Vllas Koçi, – Poshtë Partia e këtyre!” Nëpër këmbë kapela ushtarake me yll të kuq e oficerit të rojës.
…kryengritje? S’dihet ku do të dalë…dhe gurë, shumë gurë… ku u gjetën gurët…
Vërtet po e ndiqnin armiqtë, por ushtari te kulla sipër portës zbrazi automatikun. Ku, ku? Në ajër, pse? Por nga dritarja poshtë e komandës një tjetër oficer qëlloi me revolver në drejtim të të burgosurve. Njëri prej tyre ndali, u ul më gjunjë dhe vuri dorën mbi shpatull afër qafës. Aty ku i përvëloi. Pa gjakun e vet mes gishtave, s’ndiej ndonjë dhembje të madhe, tha, s’është gjë vdekja, oh…S’duhet të ketë rrezik jete, jo, po thoshin ata që e rrethuan. Rrezik jete apo vdekjeje? Lërmë, shtyu, të sulmojmë. Kush është plagosur, kush? Ai djali i ri nga Durrësi, Kosta Gjordeni. Një tjetër pranë hoqi këmishën e vet dhe ia vuri mbi të çarën e përgjakur. Të dhemb? Jo, më djeg pak. Ta lyejmë me duhan, e ndal gjakun, tha një malësor dhe shkoqi 4-5 cigare që i kishte dredhur më pare. Mos e lini gjakun të shkojë dëm, ta bëjmë flamur si në kryengritjen e Spaçit. Pije më mirë, ndonjë i dobët që s’ka gjak. Mjaft, s’është ambulancë këtu, jemi në betejë. Kush do detyra, le të vijë… “Rroftë Flamuri pa yll! – kishte brritur Hysen Xhani në Spaç, – Poshtë qeveria e Tiranës!” “Ja vdekje, ja liri!”, – dëgjuan thirrje të tjera. “Nuk punojmë në galeri…”. “Rroftë Bashkimi Europian!” – u ngrit mbi të tjerët zëri i Bedri Çokut. E padëgjuar kjo thirrje, si, po bashkohet Europa, po ne?
DËNIMI I REVOLTËS
DHE DËNIMI I BURGUT
Ra çanga, hekur mbi kokë. Na mblodhën në mensë prapë… Policët me shenjë plagësh. Gjysma kokësh të lidhura me fasho, copa krahësh të thyer. Komunikim. Zëri i komisarit donte të ngjante i fortë, i patundur dhe vetë po rrinte drejt si ato tabelat e qitjeve. Batare armësh. Diktatura e proletariatit e shtypi revoltën e armiqve… dhe… gjyqi i popullit… heshti. Uli sytë mbi letër, pa syze…
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi shqyrtoi dosjen në ngarkim të së pandehurve… na u mor fryma, emra, emra… vendosi këto dënime: Sokol Sokoli, me vdekje, pushkatim; Tom Ndoja, me vdekje, pushkatim… Sokol Progri, me 25 vjet burg, Vllasi Koçi, me 25 vjet burg, Martin Leka me 16 vjet burg, Haxhi Baxhonozi me 21 vjet burg, Bajram Vuthi, me 15 vjet burg, Ndue Pisha me 25 vjet burg, Lush Bushgjoka, me 12 vjet burg,
Kostandin Gjordeni, me 10 vjet burg, Lazër Shkëmbi, me 12 vjet burg dhe Hysen Tabaku me 11 vjet burg. Për të gjithë vuajtja e dënimit fillonte më 22 maj… po e të pushkatuarve? E Sandër Sokoli… me kokën që i varej supeve, e hodhën mbi të tjerët në makinë, kufomë, kockathyer dhe të lidhur… firmat e tre gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë…
Pastaj dënuan dhe burgun. Si?! Të dënuar në një vend të dënuar…
Më vjen zëri i Kostandinit tonë… Akuza e tij do të ngrihet si Kostandini i legjendës nga varri dhe asnjëherë s’do të jetë i qetë vendi po nuk u ndeshkuan krimet dhe padrejtësitë…
Ai kthen kryet pas dhe na vështron…
Visar Zhiti

“Një çati për kulturën”, nismë për të mbrojtur trashëgiminë e Ndre Mjedës!

INES SULAJ/ Figura e Ndre Mjedës është një nga figurat më tërheqëse në mbarë historinë e letërsisë shqipe. Mjeda ishte novator në poezinë shqipe. Ai solli polimetrinë, kombinimin e vargjeve teke me çifte, kombinimi i vargjeve 10 rrokshe me vargje 5 rrokshe. Mërgimi, malli dhe brenga për atdheun, si dhe e kaluara e lavdishme e tij, , si dhe e kaluara e lavdishme e atdheut janë temat, të cilat mbizotëruan në poezinë e Mjedës. Edhe pse i ri ai ishte i gatshëm të shkruante poezi malli, edhe poezi atdhetare edhe poema historiko-mitologjike, falë talentit të shquar, por edhe përgatitjes së tij shumë të mirë gjuhësore e stilistike dhe përgatitjes intelektuale.

 

Që në arsimimet e para në fshatrat e katundit është gjetur një vjershë e cila tregonte për talentin e Ndre Mjedës, një ndër hartimet letrare më origjinale të hershme të tij.

Në vjeshtë të vitit 1883 Ndre Mjeda shkroi poezitë e para origjinale, përktheu e filloi të përshtaste nga poetë të huaj romantikë. Mjeda përzgjodhi për të shqipëruar poezitë europiane ndër më të njohurat e kohës, por këtë e bëri përmes personalitetit të tij artistik. Në 1884 ai filloi të përshtaste poezi si Fratricide e poetit Giusseppe Vllavrasi i Toskënisë, dhe Vaji i Dallëndyshes të cilën e përshtati nga Tomaseo Grossi. [1]Poezia Vllavrasi i Toskënisë u hartua në kushte të një depresioni të brendshëm shpirtëror të Mjedës, natyra e poezisë ishte shqiptare, fabula shqiptare por edhe problemi ishte tipik shqiptar. Kjo poezi u bë popullore në Shqipëri dhe u përfshi ne Ahengun Shkodran duke u kënduar në dasma e koncerte. Gjithashtu me anë të kësaj poezie Mjeda frymëzoi piktorin Kol Idromeno për të krijuar një ndër veprat më interesante me titullin Gjakmarrja. [2]

Pasi mësoi nga traditat e vlerat folklorike të popullit, nga gjuha e gjallë e tij Mjeda shkroi poezi të tilla si : ”Mikut tem Pal Morettit”, ”Mall për atdhe”, “Vaji i Bylbylit”, ”Gjuha shqype”. Që në moshën 20 vjeçare krijoi poezinë ”Vaji i Bylbylit” e cila u bë një nga veprat më të shquara të kohës dhe të letërsisë sonë të traditës. Kjo poezi nuk do ishte vetëm një nismë e mbarë për fillimet e tij poetike, por do të mbetej përcaktuese e rrugës që ai do të ndiqte deri në fund të këtij rrugëtimi në fushën e krijimtarisë letrare. Kjo poezi u bë antologjike hyri në tekstet shkollore e u përkthye në shumë gjuhë të botës. Ndre Mjeda e ndjente gjuhën si element kryesor tregues të kombësisë. Njohës me rrënjë të gjuhëve të shumta, ai e vlerësoi gjuhën shqipe që tanave jau del, si një dritë pa hije .Poezia Gjuha Shqipe , refleksion i vuajtjeve që kishte poeti për gjuhën e tij ,e cila ishte aq e bukur dhe e fisme por s’trajtohej e tillë nga rrethet studimore të kohës.. Në fund të vitit 1888 krijoi një tufë me poezi brilante si ”Malli për atdhe”, ”Shtegtari”, ”Po shkon me bujt te Zoja”, ”Varri i Skonderbegut”. [3] Mjeda shkruante poezi kur kishte problem me veten, kur e mbulonte gjendja e pashpresë atëhere kur e kaplonte pesimizmi. Poezitë e tij largoheshin nga ngjyrimet politike dhe i përqaseshin trajtave letrare, të cilat synonin botën e brendshme të njeriut. Ndre Mjeda krijoi jo vetëm ”Juvenilia” e mirënjohur, por edhe poemat ”Lissus”, “Scodra” e ”Liria” dhe ato do të jenë jo vetëm një “histori e popullit” por do të jenë dhe një histori e shpirtit të tij , dhe sidomos histori e filozofisë dhe e gjuhës së tij. [4]

Ndërsa Mjeda hartonte poezinë ”Scodra” ai luante me mitologjinë, duke krijuar figura që vetëm një ëndërrimtar mund t’i fantazonte. Poema ”Lirija” është një nga kryeveprat e poezisë shqipe, e cila është prova e parë e Mjedës për t’i kthyer lirikat e tij në një stil klasik, një stil të përsosur, që ishte niveli më i lartë i të shprehurit poetik. Në 1902 me rastin e përfshirjes së Mjedës në çështjen e Iballës për hapjen e një shkolle të parë shqipe në Alpet e Veriut si dhe për ato të bashkimit të shqiptarëve në kryengritjen antiosmane, ai hartoi poezinë “Bashkoju”. Ideja themelore e poezisë përbente thirrjen spontane të brendshme, por të përjetshme të Mjedës drejtuar popullit shqiptar për të qenë i bashkuar.

Më 20 nëntor 1908 pas përfundimit të Kongresit të Manastirit, Mjeda hartoi më një frymë tringellimin “Andrre”, e cila u përkthye në anglisht, italisht, rusisht, rumanisht etj. Në të njëjtin ditë e çast ka hartuar dhe poeti tjetër i njohur, Gjergj Fishta, sonetin me titull “Tingllim”. Ishte një shpërthim poetik i mrekullueshëm i dy poetëve të mëdhenj në çastin solemn të shpalljes së vendimit të alfabetit, që në fakt ishte shpallja e pajtimit kombëtar. Mjeda shkruante poezi kur ishte i frymëzuar, kur donte të çlironte vetveten nga përjetime të tensionuara. Poezia për Mjedën ishte mbi të gjitha “mënyra e jetës, e jetës integrale”. Poezia për Mjedën ishte një dhunti hyjnore, Mjeda e shihte poezinë si një produkt të natyrshëm të qenies dhe vetëdijes së tij.

ALBANOLOGU

Kontributi i Mjedës, përveç në fushën e poezisë është mjaft i vlefshëm dhe i vyer edhe në fushën e Albanologjisë. Që në moshë të re ,kur ai ishte student në seminaret jezuite, ai studio shkrimtarët e vjetër si Buzukun, Budin dhe Bogdanin si dhe alfabetet e tyre. Gjuha e të cilëve sipas Mjedës mund të shërbente për një afrim të mundshëm në mes të 2 kryedialekteve të shqipes, qoftë edhe pasurimin e gjuhës shqipe. Ai mblodhi thuajse gjithë gramatikat shqipe si dhe krijoi një bibliotekë albanologjike rreth 80 libra, punë që s’e kishte bërë asnjë tjetër. Që në fillim të viteve 1886-1887 Mjeda filloi punët me alfabetin e gjuhës shqipe. Atij i bënte përshtypje se alfabeti, i cili përdorej në librat shqip kishte karakter italianizant dhe nuk shprehte natyrën e tingujve të gjuhës shqipe. Që në fillimet puna e tij me alfabetin shqip u karakterizua nga një rigorozitet shkencor, ç’ka ishte në natyrën e Mjedës. Duke ruajtur parimin bazë, Mjeda mënjanoi shkronjat jolatine, si dhe u përpoq të minimizojë fenomenin e diagramave që vërehej ne Katekizmin e Kristoforidhit duke zëvendësuar më shkronja diakritike. [5]

Gjatë studimeve në Krakow (1891-1892) ai u përfshi në rrethin e gjerë të studimeve albanologjike kryesisht studime historike, folklorike, gjuhësore e etnografike. Në 1891-1896 Mjeda hartoi një vepër të rëndësishme siç ishte Fjalori Etimologjik i Gjuhës Shqipe .Ndre Mjeda falë një formimi shkencor të plotë, pati largpamësinë që duke u mbështetur në konceptet filologjike më të përparuara të kohës, të përqafonte teorinë e prejardhjes ilire të popullit shqiptar e të gjuhës shqipe. Natyra dhe prejardhja e gjuhës shqipe përbënte një nga preokupimet kryesore të Mjedës. Që në 1892 Mjeda filloi të thurte plane për hartimin e një vepre gramatikore krahasuese të shqipes, sepse kjo lidhej me planet e tij për t’u kthyer në atdhe e për të ndërtuar një shkollë shqipe të mesme mbi baza shkencore, kjo u realizua vetëm në vitin 1900.

Në periudhën që ai studioi në Krakow, ai pati letërkëmbim të dendur me albanologun austriak Gustav Meyer si dhe albanolog të tjerë të huaj. Angazhimi i Meyer do luante rol të dukshëm në mbrojtjen e planeve e guximshme të Mjedës për ortografinë e re të shqipes. Ndre Mjeda së bashku me Meyer u përpoqën të zbulonin lidhjen mes gjuhës shqipe, ilirishtes dhe mesapishtes. Në vitin 1896-1897 Gustav Meyer së bashku me ndihmësin e tij Ndre Mjedën boton ”Studime Shqiptare V” dhe “VI”. ”Studime Shqiptare VI” u botua në 30 shtator 1897 në Vjenë dhe ishte e përbërë nga tekste shqiptare të ndara në dy pjesë , ku pjesa e parë ishte me tekste gegërisht, të cilat ishin punë e Ndre Mjedës dhe pjesa e dytë me tekste toskërisht[6]. Në 1898 Mjeda mori statusin e shkrimtarit dhe historianit zyrtar në Krakovë, Poloni.

Në vitin 1900 ai hartoi një gramatikë krahasuese të gjuhës shqipe, ku binte në sy prirja e Mjedës për të përdorur metoda krahasuese.[7] Në kohën që Mjeda ishte duke hartuar gramatikën e krahasuar të gjuhës shqipe, ai zotëronte shumë mirë italisht, latinisht, greqisht e vjetër, frëngjisht, spanjisht, portugalisht, polonisht, serbokroatisht dhe gjermanisht. Ai përpiqej të studionte pasurinë leksikore, fenomenet dialektologjike morfologjike, fonetike, si kanë ndryshuar me kohë dhe krahina të ndryshme.

Një ndër meritat më të shquara të tij, është se në kushtet e pushtimit Osman, themeloi dhe drejtoi shoqërinë gjuhësore ”Agimi”. Albanologu Mjeda ishte personi më aktiv i saj, i cili punoi me këmbëngulje për alfabetin e gjuhës shqipe me shenja diakritike si dhe për hartimin e teksteve shkollore. Gjatë periudhës së veprimtarisë së shoqërisë (1901-1909) u hartuan rreth 30 tekste shkollore me alfabetin e shoqërisë “Agimi”. Tekstet shkollore ”Agimi” patën një përdorim të gjerë dhe disa prej tyre u ribotuan katër herë duke u përdorur deri ne vitin 1930. Në vitin 1934 u botua Vrejtje mbi artikuj e premna pronës të gjuhës shqipe kjo vepër e rendit Mjedën ndër të parët studiues shqiptarë që ka trajtuar problemin e ndërlikuar të origjinës së përemrave pronor.

Mjeda ishte i pari albanolog shqiptar që mori pjesë Kongresin e XIII Ndërkombëtar të Orientalistëve ne Hamburg në 10 shtator 1902 . Tema që mbajti në këtë Kongres, e cila u referua nga Mjeda në gjuhën latine ishte “Shqyrtimi i qellzoreve në dialekte të ndryshme të Shqipërisë”. [8]Në këtë Kongres Mjeda u njoh dhe u përkrah nga shumë personalitete shkencore të kohës nga mbarë bota siç ishin, Holger Pedersen (filolog danez), Maurice Bloomfield (filolog amerikan), Karl Patsch (historian austriak) etj. Pas mbarimit të këtij kongresi ,Mjeda hartoi një vepër kushtuar alfabetit shqip me titullin ”Promemoria”, e cila është një analizë për punën e Mjedës për modifikimin dhe popullarizimin e alfabetit të tij me shenja diakritike. Alfabeti i hartuar prej Mjedës me disa ndryshime, kishte fituar miratimin e dijetarëve më të mëdhenj të Europës, pothuaj pjesës më të madhe të ipeshkvijve shqiptarë si dhe administratës austriake. [9]

Në 1904 pas zgjidhjes përfundimtare të problemit të alfabetit Mjeda hartoi Abetaren, “Arithmetiken”, “Katekizmi”, “Këndime për shkolla të para të Shqypniesë”, “Numeratore për shkolla të para të Shqypniesë”, “Të mbledhunit e mbësimeve të krishtena për shkolla të para të Shqypniesë”, “Drejtues i drejtshkrimit”, “Histori e Shejtë”. [10] Këto libra u botuan në Vjenë dhe u ndanë në katër konsullata, Shkodër, Prizren, Shkup dhe Durrës. ”Abetarja Shqipe” e Mjedës u përdor rreth tre dekada në shkollat shqipe, sidomos në veri dhe u shfrytëzua nga shume autorë hartues abetaresh.[11]

Abetarja e Mjedës është ndër të parat abetare shqipe që u transkriptua sipas alfabetit latin të Kongresit të Manastirit, nga vetë autori Ndre Mjeda në 1910. Veprimtaria e Mjedës në Kongresin e Manastirit përbën fazën më kulmore e më të shquar ,në mes të punës së tij shumëvjecare për alfabetin shqip. Mjeda sakrifikoi punën e tij 20 vjeçare për hir të interesit të kombit dhe pranoi alfabetin e Stambollit.

Pas hartimit në mënyrë të suksesshme të librave për arsimin fillor, Mjeda në shkurt 1909 hartoi dy libra të tjerë, ”Historia dhe Gjeografia” për shkollën qytetare të cilat në përmbajtjen e tyre historinë dhe gjeografinë e Shqipërisë.

POLITIKANI

Gjatë viteve 1912-1915, Mjeda u angazhua kryesisht me politikën kombëtare, ndërkohë që e kishte “thyer” pendën poetike. Pas 1912-ës kishin ardhur kohë vendimtare për fatet e Shqipërisë, prandaj Mjeda vendosi të sakrifikojë punët dhe planet e vjetra: ai iu kushtua plotësisht politikës kombëtare. Mjeda mori pjesë aktive në jetën parlamentare 1921-1924 duke u radhitur në opozitën shqiptare, ku u shqua për opsionet, për përgatitjen e gjithanshme, për hartimin e ligjeve, për drejtimin me kompetencë të komisioneve parlamentare, si dhe për debatet në seancat plenare.

Mjeda u zgjodh si deputet i Shkodrës që në krijimin e Parlamentit të parë shqiptarë në vitin 1921. Që në fillimet e parlamentit, Mjeda u zgjodh si anëtar i komisionit parlamentar të bujqësisë, ku u dallua për kontributin e tij. Ai qe mjaft aktiv në debatet për bujqësinë shqiptare dhe për ndihmesën që dha për hartimin e projektligjit mbi favorizimin e bujqësisë shqiptare. Mjeda interesohej për Zadrimën, fshatrat në zonën e Luginës së Drinit, Barbullushin në periudhën që ishte deputet në Tiranë, për të zgjidhur ankesat dhe problemet e fshatarëve. Më 20.07.1921, Mjeda votoi kundër projektit të qeverisë së Xhafer Ypit për futjen e duhanit të huaj në Shqipëri, me qëllim mbrojtjen e prodhimit vendas. [12]Angazhimet e Mjedës në bujqësi lidheshin ngushtë me aspiratat e tij atdhetare e demokratike. Ai ishte i pari që solli veglat bujqësore për fshatrat e Zadrimës dhe shpenzoi një pjesë të mirë të kohës për tu marr me bujqësi. Mjeda synonte përmirësimin e jetës së popullit , kryesisht përmes punës së vetë njerëzve.

Pas drejtimit të komisionit bujqësor, Dom Ndre Mjeda së bashku më Mustafa Krujën u caktuan në Komisionin Parlamentar të Drejtësisë. Mjeda pati një veprimtari të gjerë në këtë komision parlamentar kryesisht për hartime projektligjesh. Mjeda u përfshi dhe në çështjen e Mirditës, në 03.07.1921 Mjeda dhe deputetët e Shkodrës, i drejtohen Kryeministrit, Iliaz Vrioni ku përshkruanin gjendjen e vërtetë të Mirditës, duke treguar rrugët e zgjidhjes së çështjes së Mirditës.[13] Ai ishte krejtësisht i angazhuar në drejtim të ruajtjes së pavarësisë dhe integritetit kombëtar. Në 11 tetor të këtij viti u krijua me iniciativën e Avni Rustemit ”Bashkimi i Shenjtë” që përbëhej nga 40 deputetë ku morën pjesë dhe Ndre Mjeda, Gjergj Fishta dhe Luigj Gurakuqi të cilët punuan për krijimin e një qeverie të aftë për të përballuar situatën e rëndë të krijuar nga ndërhyrjet jugosllave.[14] Bashkimi i Shenjtë u shpërbë dhe filloi lufta mes dy partive politike të dy partive të mëdha: popullores dhe asaj përparimtares ku bënte pjesë dhe politikani Ndre Mjeda. Nuk ishin të gjithë deputetët në nivelin e Mjedës që të arrinin të përcaktonin bashkëjetesën në mes të diversitetit dhe unitetit , asaj që ishte e tanishme dhe asaj që do ishte e ardhme, e vetjakes dhe përgjithshmes.

Mjeda është ndër politikanët shqiptarë ndoshta i pari që solli praktikën e lobingjeve në Shqipëri, praktikë kjo e vendeve të qytetëruara, ku lufta politike dallohej për tolerancë e civilizim. Në vitin 1923 Ndre Mjeda së bashku me Hilë Mosin përgatitën projektligjin për zbritjen e taksës për lejet e gjahut të peshkut . Mjeda ngriti zërin në seancat e parlamentit, në mbrojtje të interesave të vegjëlisë, të qytetarëve katolikë, për shtresat e varfra të popullit si dhe për arsimimin e tyre. Në 05.03.1923 Mjeda u zgjodh në Komisionin e Arsimit, Punëve Botore e Bujqësi. Mjeda u tregua ndër më vepruesit në punimet e parlamentit duke punuar njëkohësisht në 2 ose 3 komisione parlamentare.

Ndre Mjeda që kishte njohur rregullat e lojës në perëndim, këmbëngulte për hartimin e ligjeve, rregulloreve që rregullonin veprimtarinë e parlamentit. Njohës i mirë i ligjeve si dhe gjuhëve të mëdha europiane, ai kishte mundësi të shfrytëzonte përvojën e shteteve me tradita demokratike. Mjeda u caktua nga Komisioni i Drejtësisë dhe hartoi ligjin e Këshillit ligjgatitës të cilin e ndau në 4 kapituj me 25 dispozita, kapitulli 1 përmbante ”Krijimin dhe organizimin e Këshillit”, kapitulli 2 përmbante ”Sekretarinë”, kapitulli 3 përmbante ”Të drejtat dhe detyrat e Këshillit” dhe kapitulli 4 përmbante ”Dispozitat tranzitore”. [15] Ndre Mjeda hartoi rregulloren e parlamentit Rregullorja e brendshme e Parlamentit, e cila u miratua nga Parlamenti Shqiptar. Këto dispozita përcaktonin ligjin për formimin e komisionit për shqyrtimin e zgjedhjeve të deputetëve, si dhe funksionimin e tij. Mjeda kryesoi komisionin parlamentar të arsimit, ai shqyrtoi organikën e Ministrisë së Arsimit, nga pozita e tij si specialist i vjetër i kësaj fushe. Ai paraqiti në cilësinë e kryetarit të komisionit të arsimit, 3 projektligje të rëndësishme për arsimin kombëtar: ligji organik për profesorët e shkollave të mesme, ligji mbi mësuesit shëtitës dhe ligji mbi revistën pedagogjike.

Në vitin 1923 Parlamenti Shqiptar krijoi komisionin parlamentar të posaçëm, Komisionin e Arkeologjisë me në krye Ndre Mjedën. Mjeda njihej për interesimin e tij për gjetjet arkeologjike në vendin tonë, i cili i konsideronte si një nga burimet më efikase për të vërtetuar autoktoninë e shqiptarëve. Me këtë rast u angazhuan studiuesi nga Viena, Dr. Karl Patsch, Justin Godart i cili ishte shef i kërkimeve arkeologjike franceze në Shqipëri dhe Leon Rey arkeologu francez. Ndre Mjeda së bashku me ministrin e arsimit bënë përpjekje për të kufizuar zonat në të cilat ishte planifikuar për të bërë kërkime arkeologjike nga pala franceze në Durrës edhe pse qeveria franceze donte të kishte të drejtë të bënte kërkime në gjithë territorin shqiptar.

Në 12.05.1923 në parlament pasi filluan bisedimet mbi projektligjin mbi komunitetet fetare , Mjeda ngriti zërin për të drejtat e qytetarëve katolike ndërkohë që njihet për përpjekjet për të respektuar besimet e të tjerëve, për të bashkëpunuar e dialoguar me të tjerët.[16] Përpjekja e Mjedës për të biseduar me deputetët ortodoksë, flet për botëkuptimin e tij demokratik. Në 1925 Mjeda u tërhoq përfundimisht nga jeta politike ,dhe vendos ti shërbejë atdheut në një fushë tjetër në atë të gjuhësisë.

“Një çati për kulturën”, nismë për të mbrojtur trashëgiminë e Ndre Mjedës

Ndre Mjeda përveç se aktivist për çështjen kombëtare, poet, politolog albanolog, arkitekt gjuhëtar njohës i 9 gjuhëve të huaja, dhe një nga figurat kryesore të alfabetit shqip, ka qenë dhe ministër i Bujqësisë, i cili solli praktikat më të mira nga Austro-Hungaria dhe i zbatoi në bujqësi për komunitetin e tij në Zadrime.

Pas 20 vjet emigracion u kthye të japë kontributin e tij për komunitetin. Pra, ky është dhe një mesazh shumë aktual ndërkohë që zonat rurale po braktisen. Shtëpia e Mjedës ndodhet shumë afër Fishtës (Mrizi Zanave) dhe ky model kulturor bazuar në figurat e Mjedës dhe Fishtës mund të ndihmojë për promovimin e turizmit kulturor, p.sh. në krijimin e një parku letrar. Para se të kthehej në muzeun e Mjedës, vend që reflekton dhe ruan trashëgiminë mbi jetën, veprën dhe praktikën e poetit të shquar shqiptar Ndre Mjeda, Kukëli ishte banesa e tij e kahershme. Kukëli për Mjedën ishte vendi i frymëzimit të përditshëm, vend nga ku kanë buruar vepra të jashtëzakonshme në letërsinë shqiptare, e si hapësirë është e lidhur fort me identitetin tonë kombëtar. Kjo hapësirë muzeale, ka përbri një ndërtesë e cila ka nevojë për ndihmën tonë të menjëhershme për t’ia kthyer vendasve për art, kulturë dhe ekonomi të qëndrueshme. Kukëli mban me krenari traditat tona e tanimë kemi mundësinë që të gjithë të krijojmë një mjedis që artizanët vendas ta kenë një shtëpizë për të paraqitur punimet e tyre dhe për të krijuar një mundësi për shkëmbim të frytshëm. Në thelb, kjo ndërtesë që gjendet pranë kompleksit muzeal Mjeda, ka nevojë për restaurim të çatisë në mënyrë që të mos thellohet rrënimi i saj.

Bashkë me renovimin e çatisë vjen edhe një plan i rehabilitimit të ndërtesës që ruan të gjitha aspektet dhe karakteristikat arkitekturore të saj, e mbi të gjitha e bën hapësirën e jetueshme për vendasit që duan ta përdorin e që kanë kontribuar gjithë jetën e tyre në Kukël. Qëllimi ynë përfundimtar është të transformojmë kompleksin muzeal Ndre Mjeda në një park kulturor dhe letrar, një hapësirë ku studiues, shkrimtarë, poetë dhe artistë nga Shqipëria dhe e gjithë bota mund të mblidhen për seminare, konferenca dhe festivale kushtuar letërsisë, poezisë, dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare. Ndaj para nesh paraqitet një rast unik, ku secili prej nesh mund të kontribuojë në një rijetëzim e një vendi që u jep dëshirë vendasve të paraqesin punët e tyre ashtu sikurse e meritojnë, duke u dhënë jo vetëm shpresë, por edhe stabilitetet se ajo çfarë ata kanë dhënë për Kukëlin do t’u kthehet në vlerësim e mbështetje.

Ndihma e secilit prej nesh do të ishte mëse e vyer. Për të dhuruar për këtë nismë si dhe për të mësuar më me detaje mbi qëllimet, planet si dhe për prapavijën historike të ndërtesës dhe Kukëlit mund të klikoni në këtë vegëz: https://whydonate.com

[1] Mentor Quku, Mjeda, vëll, 1.Ilar,Tiranë,2004,fq264.
[2] Mikel Prendushi,Rudolf Mëhilli,Les Lettres Albanaises,Aspects de la vie et-de
la creativite de l’artiste Kolë Idromeno,Tiranë,1983/3,fq.162.
[3] Arkivi Qendror Shtetëror,fondi Ndre Mjeda,fletore e dorëshkrimeve të korrigjuara të Mjedës.
[4] Mark Gurakuqi, Jeta dhe Vepra e Ndre Mjedës ,Tiranë,1967
[5] Mentor Quku,Ndre Mjeda, vëll, 1.Ilar,Tiranë,2004,fq,439.
[6] Jup Kastrati,Dymbëdhjetë letra të Ndre Mjedës dërgue albanologut Gustav
Meyer,Arsimi popullor,vëll 22, nr.1, fq 10-26, Tiranë, janar-shkurt 1967.
[7] Mentor Quku,Ndre Mjeda, vëll, 1.Ilar,Tiranë,2004,fq,448.
[8] Jup Kastrati,katër punime të panjohuna të Ndre Mjedës, Gjuha, letërsia dhe
historia në shkollë, nr 1,fq 143,Tiranë,5.7.1966
[9] Holger Pedersen,Albania, Brukselles,vëll.6,nr. 6, fq. 202, shtator 1902.
[10] Mentor Quku,Mjeda,vëll 3, pjesa 1,Ilar,2007, Tiranë, fq 313-317.
[11] Mentor Quku, Abetarja e Ndre Mjedës, Zëri i Rinisë, vëll 43, nr.21, fq.3,
Tiranë, 14.3.1984
[12] Bisedimet e Këshillit Kombëtar,Tiranë,1921,vëll. 1, nr. 13, fq. 194-197 ,
mbl.35, më 20.7.1921.
[13] Arkivi Qendror i Shtetit Tiranë, letër e deputetëve të Shkodrës drejtuar Iliaz
Vrionit, më 3.7.1921.
[14] Qazim Koculi, Ca shpjegime mbi ngjarjet e Dhjetorit, Mbrojtja
Kombëtare,vëll.3, nr. 3,fl. 4, Vlorë, 22.1.1922
[15] Arkivi Qendror i Shtetit, fondi. Parlamenti, v.1922, fq .56-59.
[16] Bisedimet e Këshillit Kombëtar,1923,vëll.3, nr.41, fq.714.
[17] Jup Kastrati. Biografia e Ndre Mjedës, Shkodër, 1967,fq. 5-17.

SHNDËRRIM ME ZË- Poezi nga ATDHE GECI

 

 

Ndodhë që djepi disa popujve të lëkundet

nga lëndimet e luftërave  dhe  të betejave

historia për të djeshme mund të pendohet

për disa gjëra  që  mund  të ishin ndryshe

.

Jeta e popullit tim  është tejet e plagosur

kemi humbje në konferenca të dëmshme

ne të gjithë jemi lindur  ta  jetojmë jetën

ndaj e ndaj pasionin me gjithë atdhetarët

.

Kam ende frymë për ta kënduar kohën

dhe kam motive që kurrë s´përfundojnë

në një jetë kaq të rëndë  dhe komplekse

ka gjëra që pa përballje  nuk plazmojnë

.

Me vuajtje e dhimbje herët jam martuar

një çast i bukur i  jep shëndet dashurisë

letra e bardhë  mbetet  sheshi i betejave

aty unë e vej lapsin  për të tëra dashurit

.

Nuk e nënvlerësoj lirinë që dje e fituam

atdheu nuk plazmon pa të gjitha kohërat

diellin që duhet ta naltojmë për atdhe, e

do një shndërrim me zë nga vet populli!…

.

Atdhe Geci – Dortmund, 17. 01. 2025

Enigma e një prekje- Tregim nga FATBARDH AMURSI



Sa herë që gjyshit i shkrepte për të pirë ndonjë gotë, më jepte shishkën, një të tillë s`e kam parë kurrë, thoshte se ia kishin sjellë nga Stambolli dhe, ia krisja vrapit për tek dyqani i Lipit, pavarësisht këshillës së tij, që të mos nxitoja se ia thyeja shishkën, që e kishte aq shumë merak. Nuk kish hallin tim, ngaqë besonte se të vegjëlit nuk vriten kur rrëzohen, sikurse i kishte ndodhur atij, që, një rrëshqitje këmbe dhe zuri krevatin. Më lehtë mund të bashkohej qielli me tokën se sa kocka e gjyshit, dëgjova të thoshte im atë. Lipit nuk i lejohej t`i shërbente fëmijëve të moshës sime, por ai e shkelte rregullin, duke më thënë: “Yt gjysh më ka shpëtuar kokën.” Pra, Lipi, jetonte falë gjyshit tim. Vërte ia ke shpëtuar jetën, i thashë një ditë gjyshit. Ai pohoi me kokë. Kokën ma mbush me përralla, ndërsa të vërtetat m’i fsheh, iu ktheva unë, duke marrë pamjen e të pakënaqurit. Se mos vetëm atij, shtoi pas pak. Kundrejt shokëve që mburreshin me të vetët se kishin vrarë gjermanë e ballistë, derra dhe rosa të egra, pse të mos mburresha me gjyshin, që vetëm shpëtonte jetë? Me këtë akt ia kalonte dhe doktorëve, po pse nuk mbahej për hero? Mbase ngaqë ai ishte mësuar t`i fshihte meritat. Ama dhe ai Lipi, kur ia vija lekët mbi banak, si s’më tha njëherë të paktën: këtë radhë një të qerasur nga unë, por mjaftohej me shprehjen: me gjyshin tënd s’kam të larë?! Ia thashë gjyshit pakënaqësinë. Ka gjëra që nuk paguhen, ma ktheu ai. Edhe ti ama, vetëm nga këto që s’paguhen bën, desha t’ia thosha.

Sapo kapërceva pragun e pijetores së Lipit, një burrë disi teatral në ecje, shakaxhi estrade me sa kujtoj, iu sul nga pas priftit i ndodhur aty dhe pasi e prek me të shpejtë në kurriz, i thotë me zë të lartë: “Ta lashë, uratë!” Ngula vështrimin në rrasën e priftit për të parë se ç`ishte ajo e lëna: asgjë, por, çudia pasoi dhe me priftin, i cili iu vu pas shakaxhiut dhe, ngaqë s`mundi ta arrinte, u afrua tek unë dhe më ra fort tek supet, duke thënë të njëjtat fjalë me zë lartë: “Ta lashë!” Kalova dorën tek supi, asgjë, por, urata iku i lehtësuar, sikur të kishte hequr nga vetja një barrë të madhe. Që diçka kishte lënë, s`diskutohej, mos unë s`isha në gjendje ta shihja?! Nis të më mundoj asgjëja. Sapo shkova në shtëpi, ia tregoj gjyshit këtë histori të pakuptimtë gjestesh, që, vite më pas, do më dukej si gjëja më me kuptim në këtë botë sikuresh, virusesh, quajtur si “armiku i padukshëm”. Madje, identiteti ynë na qënkish vetëm tek shenjat e gishtave. Gjyshi qeshi aq shumë, sa bëri dhe një “oh”, ngaqë lëndoi pjesën e këmbës të futur në allçi. Isha mësuar të qeshnin me naivitetin tim.

-Ka plasur keq kjo lojë me të ngecme, që, po e luajnë të gjithë! Vuajtjet që i taksim vetes, nisin përherë si lojë.
-Mos unë duhej t`ia lija dikujt para se të vija në shtëpi?-E dija zakonin, që kur kthehesh nga varrezat, më parë, duhej të futesh diku.
-Hajd, ma lërë mua, që të mos mbetet merak!
-Po ti s`lëviz, kështu që e prekura do mbetet tek ty?!
-Ma lërë, ma lërë.-dhe zgjati dorën ta prekja.-Je i vogël, helbete, të mbetet ndonjë fiksim kot së koti e na mbetesh me cen!-desha s`desha e preka, duke shqiptuar me përtesë fjalët: “ta lashë”. Por mendja punonte për efektet e prekjes, sidomos kur dëgjoja njerëzit të thoshin: “Jam shumë i prekur nga fjalët e tua” dhe përr lotët. Sëmundjet ngjitëse transmentoheshin vetëm duke u prekur.

“Mos e prek! Rrezik vdekje!”-shkruhej në kabinat elektrike. “Hë, provoje dhe preke, ta mban!”-i mburrej kapteri i lagjes dikujt, duke bërë me shenjë nga uniforma.

Pas disa ditësh gjyshin e gjetëm pa jetë me shishen e uzos në dorë. U fol se Lipi u mërzit shumë, për këtë fund të pamerituar të gjyshit, me shishkën allaturka të uzos në dorë. S`u muar vesh se kush përhapi fjalët se gjyshi vdiq i helmuar nga ajo uzo e flamosur, që Lipi e bënte nga ca lëndë toksike të rrezikshme. Hë, i bëhet atij, që të ka shpëtuar jetën, kjo hile? Mos vallë ajo që unë ia kisha lënë gjyshit, ishte hilja? Gjyshi vetëm uzon e Lipit preferonte dhe pse i ndodhi pikërisht, kur ai karagjozi preku priftin, urata ma ngeci mua dhe unë gjyshit me dashjen e tij? Ligësirat, shfreu im atë dhe shtoi: sa herë u vret sytë e bardha, duan ta bëjnë pis. Shpifsit po i merrja me mend. Ata duhej të ishin në anën e atyre, që mburreshin me të vrarët. Kur erdhi prifti të bënte shërbesat e veta, unë ia mbërtheva sytë gjithë inat, pasi fatkeqësinë e lidhja me atë: “ta lashë”. Ç’dreqin të ishte ajo që të gjithë i trëmbeshin dhe nxitonin t’ia ngecnin njëri-tjetrit? Prifti, pasi ngushëlloi pjestarët e familjes, mua veçmas më tha: “Të ketë lënë uratën!” Desha ta pyesja uratën se si lihej urata, por ai tundi temjanicën, nga ku dilte tym. Thoshin se me të trëmbte djallin. Tani më kapi një tjetër kurjozitet: si urata e gjyshit do quhej e bërë tek unë dhe pse djalli ishte i padukshëm? (Një shoku im më fliste për një testament, që kishte lënë gjyshi i tij, por, siç më tha im atë: ishte apostafat për ndarje të pasurisë.) Edhe Lipi të njëjtën gjë më tha: të ketë lënë uratën dhe më preku në sup, atje ku prifti më la atë, që kurrë se mësova se ç’ishte?! I mërzitur nga humbja e gjyshit, të nesërmen, mora shishkën e tij dhe shkova në dyqanin e Lipit.

-Yt atë të dërgoi?-më tha ai.
-Gjyshi s’kish tjetër të më linte, veç shishkës. Meqë ai me këtë hiqte mërzitë, po provoj dhe unë t`i heq me uzon e tij. Mbase këtu më ka lënë dhe uratën…
-Ti je i vogël dhe më ndalohet të të shërbej.
-Kam qenë dhe më i vogël dhe s’më ke kthyer asnjëherë bosh?!
-Yt gjysh shëmbëllen me lulet, të cilat, për vete thithin gazin karbonik për t’u dhënë të tjerëve oksigjenin. Kur ke emrin e mirë të gjyshit, përse të duhet vesi i tij?-Hodha vështrimin nga koka e Lipit. Nga ajo kokë të cilën ia kishte shpëtuar gjyshi im dhe, më erdhi mirë, që nderin e kishte bërë tek njeriu i duhur.

Fatbardh Amursi

Më 14 janar 2014 u nda nga jeta poeti i shquar argjentinas Juan Gelman

VOAL- Juan Gelman (3 maj 1930 – 14 janar 2014) ishte një poet argjentinas. Ai botoi më shumë se njëzet libra me poezi midis 1956 dhe vdekjes së tij në fillim të 2014. Ai ishte një qytetar i natyralizuar i Meksikës, ku mbërriti si një mërgimtar politik i Procesit, juntës ushtarake që sundoi Argjentinën nga 1976 deri më 1983.

Në vitin 2007, Gelmanit iu dha çmimi Miguel de Cervantes, çmimi më i rëndësishëm për letërsinë në gjuhën spanjolle. Veprat e tij hyminzojnë jetën, por janë gjithashtu të përshkuara nga shqetësimet sociale dhe politike dhe pasqyrojnë përvojat e tij të dhimbshme me politikën e Argjentinës.

Juan Gelman Burichson lindi më 3 maj 1930 në lagjen Villa Crespo të Buenos Aires nga emigrantë hebrenj nga Ukraina. Si djalë, ai lexoi gjerësisht letërsinë ruse dhe evropiane nën kujdesin e vëllait të tij Boris. Babai i tij, José Gelman, ishte një revolucionar social që mori pjesë në Revolucionin Rus të 1905; ai emigroi në Argjentinë, u kthye menjëherë pas Revolucionit të Tetorit, dhe më pas u kthye në Argjentinë përgjithmonë, i zhgënjyer.

Gelmani mësoi të lexonte kur ishte tre vjeç dhe e kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë duke lexuar dhe luajtur futboll. Ai zhvilloi një interes për poezinë në moshë shumë të re, i ndikuar nga vëllai i tij Boris, i cili i lexoi disa poezi në rusisht, një gjuhë që djali nuk e dinte. Përvoja e leximit të veprës së Fjodor Dostojevskit (1861) në moshën tetë vjeçare i la një përshtypje të thellë.

Si i ri, ai ishte anëtar i disa grupeve të shquara letrare dhe më vonë u bë një gazetar i rëndësishëm. Ka përkthyer edhe në Kombet e Bashkuara. Ai ishte gjithmonë një veprimtar i flaktë politik. Në vitin 1975, ai u përfshi me Montoneros, megjithëse më vonë u distancua nga grupi. Pas grushtit të shtetit në Argjentinë të vitit 1976, ai u detyrua të mërgohet. Në vitin 1976, djali i tij Marcelo dhe nusja e tij shtatzënë, María Claudia, 20 dhe 19 vjeç, u rrëmbyen nga shtëpia e tyre. Ata u bënë dy nga 30 mijë desaparecidët, njerëzit që u “zhdukën” me forcë pa lënë gjurmë gjatë sundimit të juntës ushtarake. Në vitin 1990, Gelman do të identifikonte eshtrat e djalit të tij (ai ishte ekzekutuar dhe varrosur në një fuçi të mbushur me rërë dhe çimento). Vite më vonë, në vitin 2000, ai ishte në gjendje të gjurmonte mbesën e tij, e cila lindi në një spital përpara vrasjes së María Claudias dhe iu dha një familjeje pro-qeveritare në Uruguaj. Eshtrat e María Claudias nuk janë gjetur ende.

Në mërgimit e tij të gjatë, Gelmani jetoi në Evropë deri në vitin 1988, më pas në Shtetet e Bashkuara dhe më vonë në Meksikë, me gruan e tij, psikologen argjentinase Mara La Madrid.

Në vitin 1997, Gelmani mori Çmimin Kombëtar të Poezisë Argjentinase, si vlerësim për veprën e tij jetësore, dhe në vitin 2007 çmimin Cervantes, çmimi më i rëndësishëm për shkrimtarët e spanjishtes. Ai gjithashtu pati një karrierë të gjatë dhe të shkëlqyer si gazetar, duke shkruar për gazetën argjentinase Pagina/12 deri në vdekjen e tij.

Gelmani përfshiu oficerin e policisë uruguaian Hugo Campos Hermida në një padi ligjore të paraqitur në Spanjë për “zhdukjen” e resë së tij në Uruguaj.

Në fillim të shekullit të 21-të, presidenti uruguaian Jorge Batlle Ibáñez urdhëroi një hetim dhe mbesa e Gelmanit, Macarena Gelman, u gjet. Macarena, e cila kishte jetuar si fëmijë i birësuar, mori mbiemrat e prindërve të saj dhe filloi një karrierë si aktiviste për të drejtat e njeriut.

Gelmani vdiq në moshën 83-vjeçare nga komplikimet me preleukemi në shtëpinë e tij në lagjen Condesa të Mexico City. Mbesa e tij, Macarena, fluturoi nga Uruguai për të marrë pjesë në funeralin. Tri ditë zie kombëtare u shpallën nga presidentja e Argjentinës, Cristina Fernández de Kirchner.

Arkivi i Juan Gelmanit, i cili përfshin drafte shkrimesh dhe një koleksion dosjesh që ai mbante në lidhje me hetimet e tij për të drejtat e njeriut, është i disponueshëm për kërkime në Seksionin e Dorëshkrimeve në Departamentin e Librave të Rrallë dhe Koleksioneve Speciale në Universitetin Princeton në Shtetet e Bashkuara. Wikipedia

TAKIMI IM ME POETIN ESENIN -BIRI Nga ROZI THEOHARI, Boston

voal-online.ch

E Diel, 12.14.2014, 12:10pm (GMT1)

 

Ishte një radhë e shkurtër tek prisnim me tim shoq të blinim disa fruta në një shitës ambulant në downtown Boston. Para nesh, një çift rus, meso burrë e meso grua pëshpërisnin të befasuar tek shihnin me habi madhësine e luleshtrydheve, gati-gati sa një mollë.”Shiroka strana maja radnaja!”(I gjerë është atdheu im), mërmërita unë nga prapa vargun e parë të një kënge ruse. Rusët kthyen kokën dhe buzëqeshën. “Shiroka është Amerika tani, -tha gruaja,- dhe na dha të njohur. Ishte pranverë e vitit 1994, sapo kishim mbërritur në Amerikë, e njëjta gjë edhe për çiftin rus…kështu pak nga pak filluam miqësinë. Shëtitjet së bashku buzë oqeanit na njohën edhe me emigrantët e tjerë rusë, disa moskovitë, disa peterburgas, ukrainas, bjellorusë…, disa çifute, të tjerë – ortodoksë etj. Rikujtonim edhe një herë miqësitë e kapitulluara shqiptaro-sovjetike, universitetet, muzikën, terrorin e kuq, dramat familjare etj. Bota kishte ndërruar fytyrë e kjo po incizohej pak nga pak edhe në kodin shpirteror të ish njeriut me ndërgjegje socialistekomuniste. As që mund të permendej tani madhështia e shtetit sovjetik, kufijtë e tij të gjerë dhe hiearkia e diktaturës së proletariatit. Amerika si përherë kishte hapur krahët me bujarinë e saj, duke pranuar, me stomak të fortë, ish- bolshevikë, ish- komunistë, ish- bashkëpunëtorë të spiunazhit, që dikur dëshironin t’i bënin varrin…Dhe ajo i pranonte e i bënte njeri pas tjetrit qytetarë amerikanë duke filluar që nga i biri i Hrushovit…Amerika ndër vite kishte pranuar e mbrojtur disidentët sovjetikë, personalitete të shquara të artit e të shkencës. Një çift i moshuar bashkëshortësh më tregonin se dikur patën qenë autoritete të rëndësishme në Moskë dhe kishin votuar për Stalinin, ndërsa në Massaçusetts votuan për një president amerikan. Një mikeshë ruse më habiste me rrëfimet për radhët e gjata që duhej të mbaje në Moskë për të blerë një biletë për të vizituar mauzoleumin ku prehej Stalini. Po ashtu, në pritje të gjatë deri sa të të vinte radha për t’u futur në mauzoleum. Trupi i Stalinit ishte i shkurter, me flokë të kuqërremta e të thinjura. “Pse kishim kaq frikë nga nje burrë kaq i vogël?”, – thoshte ajo. Një mike tjeter, çifute ruse, kujtonte me lot në sy se pas Revolucionit te Tetorit çifutet e pasur i futën në burg dhe me revolverin te koka u kerkonin florinjtë. “Gjyshja ime, atëhere vajzë e vogël, qante sepse nuk e pranonin anëtare të organizatës se pionierit, për arsye se e kishte babanë në burg…”,- thoshte ajo.

Në rajonin e Bostonit sot jetojnë mijëra rusë të përfshirë në komunitetin rus, me organizatat e shoqatat e tyre, me qendrat e mjekimit profilaktik e ambulator nga mjekë e specialistë rusë, por edhe me dyqanet, klubet, libraritë e bibliotekat, sallat e shfaqjeve e koncerteve.

Veriu i Bostonit njihet si vendi ku breza të kaluar poetësh amerikanë patën krijuar klubet e tyre të poetëve ku mblidheshin e recitonin poezitë e veta, botonin edhe revista me kritika e vlerësime rreth krijimtarisë së shkrimtarëve bostoniane. Pak a shume kjo traditë vazhdon edhe sot dhe duket se në vazhdën e saj është ngritur klubi i poetëve rusë në veri të Bostonit. Aty mblidhen per muaj poetë rusë të moshuar, të ardhur nga vendlindja dhe poetë të rinj të shkolluar në Amerikë, si dhe dashamirës të poezisë. Poetet recitojnë poezitë e veta ose poezi nga poetë të shquar rusë dhe nga e gjithë bota… Miket ruse më kishin folur për këtë klub e më kishin ftuar të shkoja me to, por për mungesë kohe e kisha shtyrë muaj pas muaji. Duke shëtitur përgjatë oqeanit, në muajin gusht, Sima, shoqja ime ruse më tha se më 22 shtator , në klubin e poetëve rusë do të merrte pjesë edhe poeti Aleksander Sergejeviç Esenin, i biri i Sergei Eseninit. Ky lajm më erdhi aq papritur sa gati ngriva e m’u mor fryma . Se pari, nuk e dija në se mund te ishin gjallë fëmijët e Eseninit të famshëm dhe, e dyta e më e paimagjinueshmja, se njeri prej tyre jetonte e frymonte aq pranë shtëpisë ku banoja, buzë Atlantikut. Dëshira ime për ta takuar këtë personazh u bë gati e papërballueshme dhe i thashë Simës se me sa padurim prisja që të vinte shtatori, per t’i marre atij një intervistë… “Ti duhet më mirë t’i shkosh në shtëpi,- më këshilloi ajo,- në klub nuk do të gjesh kohën dhe qetësine e duhur.”

Fillova të takoj të njohurit e miqtë e tij për të më ndihmuar. Por mora pergjigje jopremtuese, mbasi plaku Esenin nuk para i kishte qejf intervistat mbasi gjithë kohën merrej me studimet e veta filozofike e matematike. Ishte matematikan i dëgjuar. Së fundi sigurova numrin e tij të telefonit, e keshilluar nga miqtë që të mos e përmendja veten gazetare. Ishte e henë, 10 shtator 2007 ora 9 e darkes , u mendova disa herë para se ta ngrija receptorin e telefonit. Me gishtërinj të djersitur formova numrin e tij të telefonit dhe… m’u pergjegj një zë i dobët, i dridhur, i hollë, pleqërie. U prezantova duke folur në anglisht, ai ma ktheu po në anglisht, pastaj vazhdoi në rusisht. I thashë se isha një mike shqiptare, që dëshiroja të takohesha me të më 21 shtator , në ditën e perkujtimit të lindjes së babait të tij Sergei Esenin. Ai më tha se babanë e kujtonte me 3 tetor, sipas kalendarit te ri. Pas nje pauze i thashë se lusja Zotin që ma solli mbarë këtë ditë të bisedoja me të në telefon. Ai ma ktheu se nuk besonte në Zot…Pas një pauze tjetër i thashë: “Vij të takohem me ju, mbasi kam dëgjuar që jeni një matematikan i suksesshem…” “Pikerisht,-tha ai,- tani po zhvilloj nje teoremë e të lutem më merr pas një ore, kur ta përfundoj.” I telefonova pas një ore, i thashë se isha Rozi dhe e pyeta me interesim se si doli teorema. Zeri i tij u bë me i ngrohtë, me tha se i pelqente të më therriste Roza, si një emër rus, e filloi te fliste me pasion për studimet dhe idetë e tij te reja në fushën e matematikës. E informova se kisha mbaruar Fakultetin Ekonomik në Tiranë dhe matematika më kishte pëlqyer gjithmonë e dëshiroja të mesoja diçka rreth studimeve të tij. Ramë dakord ta takoja dy ditë më pas, më 12 shtator, të merkurën në mesditë, gjatë shëtitjeve të tij në buzë të oqeanit, i shoqëruar nga Ludmilla, një infermiere ruse, e cila kujdeset për shëndetin e tij. Aleksandri më tha të vija me Oleg Pavlloviçin, një të njohurin e tij. Takova Olegun, përgatita pyetjet e intervistës, përktheva disa vargje nga rusishtja, bëra gati çantën me magnetofonin, aparatin fotografik dhe bllokun e shënimeve. Për fatin tim, të nesërmen, në një ditë të ngrohtë e plot shkëlqim dielli, duke parë plazhin plot njerëz e umbrella, nuk i shpëtova dot tundimit e u futa të lahesha në oqean në një ujë të akullt… Mëngjesin tjetër u gdhiva me fytin e zërin të bllokuar dhe me një kollë qe s’pushonte. I telefonova Olegut e i shfaqa keqardhjen qe nuk mund të shkonim. Dëgjova një murmurimë mospëlqimi nga ai në telefon. Mezi e kishim përgatitur këtë ditë. ” Rri në shtrat e shëroju mire para se të caktojmë një takim të dytë”, tha ai.

ME ALEKSANDER SERGEJEVIÇ ESENININ

Takimi i dytë u bë ditën e hënë, më 17 shtator, në orën 12 të drekës. Oleg Pavlloviçi erdhi më mori në shtëpi me makinë e më tha se duhej të ishim te Aleksandri në mesditë. Esenini është matematikan dhe i respekton numrat. Nuk munda t’i përmbaja dot rrahjet e zemres kur trokitëm në derën e apartamentit të tij, e sigurt se derën do të na e hapte ai vetë. Para nesh u shfaq figura e një burri të gjatë, elegant, me një pamje fisnike, veshur me pantallona të zeza dhe kemishë të mëndafshtë gri. Në fytyrën e tij ovale të bardhë e me disa njolla pak të kuqërremta nga pleqëria, spikasnin dy sy te mëdhenj, sferikë, blu e të qartë, të gjallë e të lëvizshëm, kërkues e të njomur nga një hijeshi shprehëse. Ishin sytë e të atit, Sergei Eseninit, që “shkëndijonin si lulzimi i luleve në një arë me thekër”. Unë pashë sytë e poetit Esenin. Ata vazhdojne të jenë gjallë edhe sot!… Po ashtu ,te mjekra dhe te buzët e rrumbullakta e të fryra ishte krejt i ati. Kishte mustaqe e mjekër të thinjur, një mjekër të stilit skandinav, e ndarë në dy pjesë simetrike nën gushë … Atë moment përsërita me vete “Sytë e Eseninit jetojnë akoma!” Ndërkohë kishim këmbyer përshëndetjet dhe kur toka dorën me të, ai u perkul me respekt e më puthi dorën. Një shenjë mirësjelljeje ndaj femrës, një gjest që nuk e takon te burrat amerikanë. Pas kesaj puthjeje dora ime mbeti si e ngrirë e më vinte keq që të shkruaja me të. Në sallonin e pritjes të tërhiqnin vemendjen vetëm librat, shumë libra, revista shkencore, dosje, letra të vecanta me ekuacione matematike, shpërndare kudo, në biblioteke, mbi tavolinë, mbi rafte, karrike, aty dhe në dysheme. Infermieres ruse Ludmilla i duhet punë per t’i sistemuar ato vazhdimisht. Aleksandri qëndronte gjysme i shtrire në një kanape dhe po nga ai pozicion fliste. Unë u ula në një karrike përbri kolltukut , e papërqëndruar e disi e turbulluar sepse duhej të hapja bisedën për matematikën…Duke e parë Aleksandrin në pozicionin shtrirë, me sytë e mi të mjegulluar, si në një palimpsest shëmbelleva trupin e të atit, Sergei Eseninit, trupin e tij të pajetë që prehej në shtratin e lamtumirës, në Shtëpine e shtypit në Moskë, më 30 dhjetor 1925. Në kokë më godisnin fjalët e metalta, fjalët e shkruara me gjakun e ngrirë të trupit të tij:
Lamtumirë, miku im, lamtumirë/I dashur, tani të kam në zemër/………../Lamtumirë , miku im, pa përshëndoshje dhe pa fjalë/………./Nuk është gjë e re të vdesësh në këtë jetë/Por edhe të jetosh, sigurisht, nuk është e re…/

U ktheva shpejt në realitet dhe me një drithërimë i kujtova Aleksandrit se si vajzat ruse edhe sot e kësaj dite çojne te varri i të atit lule, zemra e fotografi. Të njëjtën gjë do të bënin edhe vajzat shqiptare, po të kishin mundësi, sepse Sergei Esenini është poeti i dashur i shqiptarëve dhe ne i pekujtojmë me nderim përvjetoret e tij të vdekjes e të lindjes…Ai më dëgjonte me sytë gjysmë të mbyllur. Pas nje pauze shtova:
“Aleksander Sergejevic…sot ndjehem e nderuar dhe e lumtur të ndodhem pranë jush…”
“Siç e dini,-tha ai,- babai im, Sergei Aleksandroviç, ka lindur me 3 tetor 1895, sipas kalendarit te ri, dhe unë e përkujtoj vetëm në këtë ditë e jo më 21 shtator, siç më thatë ju në telefon. Unë jam i vetmi, fëmija e tij i fundit i mbetur gjallë.”

Fatmirësisht ai e vazhdoi bisedën për të atin dhe unë fillova te lexoja shpejt një listë me emra e data që i kisha nxjerrë nga librat biografikë. Gjatë jetës së tij të shkurtër Esenini njohu disa gra me të cilat pati lidhje martesore, por edhe fatkeqësi ndarjeje. Me 1913-1915 Sergei Esenini ishte i martuar me Ana Izriadnovën dhe kishin nje djalë, Jurin. Juri u arrestua me 1937 dhe u vra nga çekistet. Me 1917 Esenini u martua me Zinaida Raikh dhe kishin një djalë e nje vajzë: Kostandinin, reporter sporti, i cili vdiq me 1986 dhe Tatiana, e cila vdiq me 1992. Më 1922 u martua me valltaren amerikane Isadora Dunkan dhe më 1925 u martua me Sofija Tolstojen, mbesën e Tolstoit…Aleksandri përsëriti: “Po, une jam i vetmi femijë mbetur gjallë”. Ai kujtoi se vëllai i tij i madh, Juri, u ekzekutua sepse e urrente Stalinin. Ndërsa me vellanë tjetër, Kostandinin, kishin qenë vellezër e miq të mirë. Ai vazhdoi: ” Babai e takoi nënën time çifute Nadjezhda Volpin në vitin 1923 dhe në 12 maj të vitit 1924 u linda në Petersburg, unë, Aleksandri, duke më quajtur pas emrit të gjyshit. Mbiemri im është Volpin Yesenin…” Pastaj vijoi të tregonte për të atin:
” Sergei Esenini, im atë, jetoi e shkroi lirikat e tij në kohë luftrash, revolucionesh, lufte civile. Ai ishte poet nacional rus, poet fshatar me rrënjët në fshatin rus dhe nuk mund t’i përkiste as forcës historike të klasës punëtore dhe as partisë komuniste. Në fillim babai shpresonte se revolucioni do të sillte një të ardhme të mirë, por më vonë u zhgënjye nga bolshevikët. Madje ai nuk ishte i zoti të lexonte edhe pak faqe nga librat e marksizmit…Ne lirikat e tij ai nuk i këndoi njeriut bolshevik, por dramës së njeriut, me nota melankolike dhe plot zjarr. Babai im ishte poeti i fundit fshatar dhe mbeti poeti i popullit edhe pas vdekjes. Poezitë e tij i rezistuan periudhës së Stalinit, megjithëse rendi në fuqi nuk i aprovonte… Ai ishte kundër teorisë “art për art”. Shpirti i babait ishte mbushur plot dashuri për jetën dhe tokën, e cila është e lidhur aq shumë me jetën e njeriut…Megjithëse për disa kohe ishte anëtar i “imagjinistëve”, ai u nda edhe prej tyre, më 1924, dhe udhëtoi për në Kaukaz. Në këtë vit babai dëshironte të udhëtonte me nënën time Nadjezhdën, në Iran, por qeveria bolshevike nuk i dha vizën dhe ai vizitoi e qendroi në Tiflis, Baku dhe Batum. Aty shkroi ciklin “Motive persiane.””… Kur i ati ndërroi jetë në dhjetor 1925, Aleksandri ishte vetëm një vit e gjysmë dhe shqiptonte fjalën “papa”, ndoshta dhe në momentin e fundit të jetës së tij.
“- Ju kishte pare babai ndonjëherë?,” – e pyeta.
“- Disa më kanë thënë se babai nuk më ka parë kurrë. Por disa të tjerë kanë pohuar se babai më ka parë dy herë para se të ndodhte vdekja e tij tragjike.”Ai vazhdoi të tregonte se i ati pothuaj ishte i dehur për shumë kohë dhe në atë gjendje nuk i kontrollonte fjalët dhe sharjet. Ai i shante çifutet me fjalet “Zhidovskaja Morda”, dhe kishte pasur probleme nga këto sharje. Atëhere në Bashkimin Sovjetik kishte ligje të rrepta kundrejt personave që ofendonin ndjenjat e kombësive të tjera. Kështu, duke udhëtuar me tren, babai i pirë e pa logjike, filloi të shante çifutët, e pranë tij, si gjithnjë, ndodhej një njeri i KGB-se. Ai e arrestoi dhe gjyqi i zhvilluar shpejt vendosi ta dërgonte në klinikën psikiatrike. Pasi doli nga klinika, ai i dha fund jetës në hotelin ” Angleterre” në Leningrad…Mbase kërkuesit e biografisë së tij mund të dyshojnë se ndoshta vdekja erdhi nga qeveria, sepse ai nuk ishte më mik i qeverisë. “Megjithëse babai me Gorkin kishin qenë vazhdimisht miq, Gorki nuk e ndihmoi në fund të jetës së tij, mbasi nuk ishin kaq miq si më parë,” -perfundon Aleksandri dhe mediton për një çast me sytë e mbyllur…Kur i celi përsëri ata sy që shkrepëtinin me rreze të kaltra, i drejtova pyetjen:
“-Në cilën moshë ishit kur u ndërgjegjësuat për babanë e famshëm që kishit?”
“-Siç ju thashë, kam lindur në maj 1924, në Leningrad, dhe jam rritur nga nëna ime Nadjezhda Volpin dhe gjyshi nga ana e nënës. Nëna ime, një figurë e njohur e letërsisë, ka qenë poete dhe përkthyese nga gjuhët kryesore evropiane : frengjishtja, anglishtja, gjermanishtja, por edhe nga gjuhë të tjera…Ndërsa babai ishte lindur në fshat, në një familje ortodokse, nëna ime rridhte prej një familjeje çifute, elite, nga shtresa e vjetër e intelektualëve të Moskës. Tetë vjetët e parë të jetës i kalova në Leningrad e më vonë, bashkë me nënën, u vendosëm në Moskë pranë familjes së gjyshit. Nëna ime ka ndikuar shumë në edukimin tim intelektual. Ajo dëshironte të studioja gjuhët evropiane duke filluar nga gjermanishtja e frengjishtja. Frengjishten e mesova vetë, por edhe me ndihmen e mesueses që ma vuri nëna. Në të njëjtën kohë lexoja edhe poetë francezë, poezite e të cilëve ishin mbresëlënëse…Gjyshi ishte avokat dhe unë fillova të lexoja edhe disa nga librat e jurisprudences, aq sa mund të kuptoja në moshën 14-15- vjeçare. Leximi i këtyre librave më ngjalli dëshiren që më vonë t’i vihesha studimit të filozofisë. Pra, me këtë bagazh kulture isha kur fillova të interesohesha e të lexoja edhe poezitë e babait, Sergej Eseninit. Isha 14 vjeç, kur lexova poezinë e parë të tij “Çjornij çellovjek” (“Njeriu i zi”) dhe kuptova se babai im i madh kishte famë në gjithë vendin .”
Une hapa bllokun e lexova në shqip e rusisht disa vargje nga kjo poezi: /Ah mik, o miku im,/ Sa i sëmure jam, tash e di!/ ……./ Dhe përseri, hija e njeriut të zi/ Ulur në karriken time rri!/ Ai heq kapelen pa teklif/ Shkujdesur heq pelerinen…/
Aleksander Sergejeviçi uli kokën e murmuriti në rusisht: “është një poezi e mirë…”
“-Esenini, profeti e poeti fshatar, u be mit e legjendë dhe sot vazhdon të cilësohet poeti më i dashur i Rusisë…Pra, duke lexuar poezitë e tij, ju lindi dëshira për të shkruar edhe vetë?”,- e pyeta Aleksandrin.
“- Ndoshta nuk është plotësisht ashtu!,- u pergjegj ai,- Siç ju thashë, jam rritur e edukuar nën kujdesin e nënës sime çifute, e cila bashkë me gjyshin dëshironin të bëhesha nje intelektual i kompletuar. Sigurisht që në moshë të re, duke lexuar poetët francezë, unë u frymëzova të shkruaja edhe vetë poezi, kjo ndjenjë erdhi në mënyrë të natyrshme tek unë e u zhvillua më tej. Në moshën 14 vjeç, kur isha në gjimnaz, dëshira ime e zjarrtë ishte të studioja sa më shumë matematikë, qysh në atë moshë, perveç librave të shkollës shfrytezoja edhe literaturë plotësuese. Matematika hodhi rrënjë në shpirtin tim e do të më shoqëronte gjithë jetën.” Pastaj ai tregon me një zë të ngadaltë e ëndërrimtar se si e priti me padurim ditën kur u regjistrua në Universitetin e Moskes për të studiuar matematikë. Atë ditë të shënuar të jetës së tij nuk e harron kurrë, ishte e premte dhe dy ditë më vonë, të dielën, më 22 qershor 1941 Gjermania naziste i shpalli luftë Bashkimit Sovjetik. Ai ishte i ri në moshë, por e morën në luftë. Ndërkaq mjekët e kthyen prapë në jetën civile duke i vënë diagnozen e skizofrenisë, pa e testuar e pa e ekzaminuar. Shkak për këtë u bënë poezitë e tij antisovjetike…Ndër poezitë e para që Aleksandri shkroi në vitin 1941, ishte dhe ajo me titull “Skizofrenia”, e cila fillon ne planin individual : /Unë prisja””doktorët të mbaronin murmuritjen…/, dhe mbaron ne planin universal””me skizofrenët që shkaktuan Luftën e Dytë Botërore.
Sidoqoftë, perjashtimi nga ushtria i solli mbarësi Aleksandrit, mbasi tani ai iu pervesh studimeve në Fakultetin Mekanik Matematik ne Universitetin e Moskes, ne moshen 17 vjeç. Në të njëjtën kohë, perveç matematikes, Aleksandri studioi edhe filozofinë. Autorët e tij të preferuar ishin Niçja, Kant e mjaft teoricenë të tjerë. Vazhdonte gjithashtu të shkruante poezitë e tij të verteta e të jashtezakonshme për realitetin e momentin kur krijoheshin. Aleksandri kurrë nuk i besoi materializmit dhe kurrë nuk e zbatoi metodën e realizmit socialist. “Ishte koha ime e vyer e thellimit te studimeve, deri në qershor 1949, kur më burgosën”, -perfundon Aleksandri.
“-Pse ju burgosën?”,- e pyeta.
“- Isha vetëm 25 vjeç. Më burgosën për shkak të poezive të mia antisovjetike; sepse lexoja në rrethe të ngushta miqsh poezitë e mia, të cilat ishin kundër rendit në fuqi. Përpara burgosjes më shtruan ne spitalin psikiatrik duke menduar se u perkisja episodeve psikike të familjes Esenin. Mjekët perdorën lloj- lloj aparaturash e medikamentesh mbi trupin tim për të vertetuar diagnozën false, por nuk ia arriten. Unë pohoja vazhdimisht se jam ky që jam dhe nuk mund të ndryshoj. Truri im ishte i shendoshë dhe i etur për studime…Më nxorën nga spitali e më futën në burg. Pranë meje qëndronte një civil i KGB-se , i cili më spiunonte vazhdimisht. Për here të parë në jetën time u gjenda prapa hekurave . Hetuesit, mbasi më sollën “vërdalle” me pyetje e kërcënime, më urdheruan të merresha vetëm me matematikë e jo me vargëzime.”
Kur Aleksandri mbaroi anspiraturën dhe mbrojti disertacionin e kandidatit te shkencave, po në vitin 1949, u dergua me dënim ne Kazakistan, në punë të detyrueshme, në qytetin Semipallatinsk, vendi ku grumbulloheshin njerëzit e sapodalë nga burgjet. Jeta në Semipallatinsk ishte e vështirë, mbasi atje vetëm punohej rëndë, pa pagesë, e të jepej vetëm ushqim e strehim…”Në vitin 1950,- vazhdon Aleksandri,- e vazhdova dënimin në Karagandë, me cilësimin e padeshirueshëm: “element social i rrezikshem” . Megjithatë, unë aty punova si shkencëtar dhe shkrova vargje si poet. Unë u bëra shkencëtar i matematikës në Karagandë…Më 1953 kur vdiq Stalini erdhi edhe shpetimi yne,- thotë Aleksandri,- isha i lire… u ktheva në Moskë e vazhdova të merresha me studime…”
“-Cili eshte specialiteti juaj ne fushen e matematikës?”,- e pyeta.
“- Unë studioj matematikën logjike, bazat e matematikës dhe ultraintuitionizmin. Matematika lidhet me logjikën, filozofinë dhe moralin…Por kur isha në vendlindje, nuk e ndava vjershërimin krahas matematikës.”
“-Tamam si matematikani Lewis Carroll , autori i librit “Liza ne boten e çudirave”, – i thashë unë, megjithëse rasti juaj është më specifik, ju ishit biri i dy poetëve…A janë prindërit tuaj poetët më të preferuar për ju?”
“- Jo,- u pergjegj ai,- poetët e mi të pelqyer janë Bloku dhe Gumilevi”…Pas pak ai shtoi edhe emrin e Bodlerit.

GJETHI I PRANVERËSNjë turist amerikan që vizitoi ish- Bashkimin Sovjetik në verën e vitit 1959, e takoi dhe e porositi Aleksander Sergejeviçin të shkruante një esse me titull “Një traktat i lire filozofik”. Aleksandri e shkroi shpejt essenë dhe bashkë me të i dha të huajit edhe një pjesë të poezive të tij. Libri profetik me emrin e Aleksandrit u botua në Perëndim, në vitin 1961 ,me titull “Gjethi i pranverës”, në gjuhët ruse dhe angleze. Botimi i tij pati jehonë të madhe. Ishte libri i dytë pas “Doktor Zhivago” te Pasternakut, që botohej jashtë kufijve sovjetike, pa pelqimin e qeverisë. Në kopertinën e përparme te librit, poshtë titullit është shkruar nga dora e Aleksander Eseninit: “Në Rusi nuk ka liri te shtypit, po kush mund të thotë se nuk ka liri të mendimit?” Akti i Aleksander Sergejeviçit u denua nga qeveria sovjetike si “akt ilegal” që u jep të huajve sekretet e shtetit dhe filozofi i shquar u arrestua për spiunazh. Pas burgosjes, sipas procedurave të parapergatitura, ai u dergua përsëri në spitalin psikiatrik. Por esseja e shkurtër e A.Volpin-Eseninit, me kalimin e viteve fitoi rëndësi historike si një ndër librat më të rëndesishëm që kishin depërtuar jashtë perdes së hekurt, duke u cilësuar “Lëvizja disidente”. Poezitë e tij, të cilat kurrë nuk u botuan në shtypin sovjetik, lexoheshin fshehurazi nga intelektualët, të cilët shpesh i vlerësonin më shumë se poezitë e të atit.
“-Aleksander Sergejeviç,- i drejtohem me respekt njeriut me mjekër të bardhë që rri gjysmë shtrirë në kolltuk, pranë meje,- nuk dua t’ju lodh me pyetje, vetëm dua të di si i keni kaluar situatat e veshtira…ju u arrestuat për herë të dytë më 1959…më 1961 u botua jashtë atdheut libri juaj klandestin…
“- Pesë herë jam futur në institucionet psikiatrike”,- shtoi ai dhe tundi në ajër dorën e tij të djathtë me gishtërinjtë e hollë e të gjatë, sikur donte të thonte: “Vafshin të gjithë në djall!”…Pas pak, ai tha me zë të lartë: “Për çka shkrova dhe veprova, nuk pata asnjë shqetësim për pasojat që më prisnin…”, fjali e cila është shkruar me dorën e tij në fund të librit “Gjethi i pranverës”.
Pas një pauze shtova: “- Jeni cilësuar si zëdhënësi i parë i Gllasnosit!”- . Aleksandri ktheu kokën nga unë me sytë që i shkreptinin. “- Ne sheshin “Pushkin” të Moskës,-vazhdova une,- tamam aty…ju perfytyroj duke mbajtur fjalimin tuaj historik…duke përmendur “Glasnost”, këtë fjalë që e patët gjetur ne Kodin Procedurial dhe e bëtë publike…”Glasnost” që nënkupton çfare ndodh prapa dyerve te gjyqit…ju u bëtë disidenti rus, i cili hapi rrugën e “Lëvizjes së Gllasnostit”…Pas arrestimit të dy shkrimtarëve, në shtator 1965, ju Aleksander Volpin Esenin, organizuat “Mitingun e Glasnostit” më 5 dhjetor 1965 ne sheshin e Pushkinit, i ndihmuar e i pasuar nga poetet e rinj ruse…Ju folët në mitingun pranë monumentit të Pushkinit, ku arkivoli i babait tuaj kaloi për të fundit herë 40 vjet më parë…Ju folët në mitingun historik përballë ndërtesës së gazetës bolshevike “Izvestija” dhe perhapët idetë tuaja për liritë e të drejtat e njeriut…Megjithëse mitingu u nderpre nga KGB-ja, ju Aleksander Sergejeviç fituat sepse u cilësuat “simboli i lirise”, “lider”, dhe emri juaj si filozof, matematikan, poet dhe disident u kthye në legjendë në mbarë Rusinë…”
“-Mos harroni se KGB-ja më arrestoi pas mitingut, – tha ai me nënqeshje,- por më mbajtën 50 minuta në zyrat e tyre dhe më liruan.
“-Dhe ju më vonë u takuat e bashkëpunuat me Saharovin?”
“- Disa here.”- u pergjegj ai.
Tashme ishte krijuar një levizje disidente në opozitë me qeverinë sovjetike, lëvizje që kishte program dhe qellime te caktuara. Për regjimin sovjetik, e vetmja zgjidhje ishte t’i lejonte të emigronin jashtë këta elementë te padeshirueshem. Pra, per shkencëtarin e famshëm rus Aleksander Esenin, që merrej me studime logjike, ishte “logjik” edhe perfundimi i karierës së tij, duke e lënë atdheun në maj të vitit 1972, me trenin që e çonte në Vjenë.
“-Ju emigruat dhe vendoset te vinit në Amerikë?”,- e pyeta.
“-Unë e lashë Rusinë përgjithnjë…nuk kisha rrugë tjetër,- psheretiu ai,- për të vazhduar punën time intelektuale, duke zhvilluar më tej idetë e mia filozofike e politike…
Ne vitin 1972 pushteti sovjetik më deboi nga atdheu,-përseriti ai me nje ton zemërimi.- Me njerëzit e rendit në fuqi kam patur gjithnjë kontradikta, sepse i shprehja hapur idetë e mia për lirinë e individit dhe kjo mjaftonte për t’u armiqësuar me pushtetin. Pasi më debuan e dola jashtë kufjive sovjetike, disa muaj i kalova në Greqi, Francë, Itali. Italia ishte e fundit dhe prej aty u nisa për në SHBA, në të njëjtën kohë erdhi edhe Brodski.”
(Nga kronikat mësohet se edhe poeti Josif Aleksandroviç Brodski erdhi në Amerikë dhe u emerua profesor i letërsisë ne Universitetin e Kembrixhid, Mass. Brodski ishte disident i qetë e indiferent. Esenini ishte tip i revoltuar, gjaknxehtë e i papermbajtshëm.)
Aleksander Sergejeviçi udhëtoi nga Italia në shtetin e Nju-Jorkut, në Bufalo e më vonë udhetoi për në Boston, ku babai i tij kishte ndenjur disa kohë me amerikanen Isidora….Aleksandri u emërua profesor ne Universitetin e Bostonit dhe vazhdoi me studimet e botimet në fushën e filozofisë dhe shkencës së matematikës. Kur e pyeta për familjen e tij më tha se në Amerikë ishte divorcuar me bashkëshorten dhe se nuk kishin femijë. “Jeta ime i përket shkencës!”, -tha ai. “Por…edhe poezisë”,- i thashë unë.- Ai tundi dorën sikur nuk donte t’u jepte rëndësi poezive të tij. “Kam dëgjuar nga miqtë tuaj se ju recitoni permendsh, bukur , poezitë tuaja…Do të dëshiroja të regjistroja në magnetofon një recitim nga Aleksander Sergejeviç Esenini.”
Ai ngriti pak kokën, e mbështeti mbi një jastëk të vogël e filloi vargjet e para. Ishte një poezi e tij e shkruar në vitin 1950. Poezia nuk ka titull por po e quaj “Zemër e thyer”, sepse kështu fillon vargu i parë. Ajo i kushtohet dashurisë së bashkëshortit të burgosur dhe gruas së tij e cila vuan në një gulag. Vite të tëra pa u parë e pa komunikuar me njeri-tjetrin. Zëri i tij rezononte zërin e thellë të të atit, të cilit dikur i pelqente të recitonte permendsh për kuajt, për krishtin e embel, për udhëtimet, retë, revolucionin…, përpara degjuesve dhe admiruesve të tij. Aleksandri recitoi me një ndjenjë revolte, me mërzi, sytë e tij blu të qetë digjeshin nga një zjarr i brendshëm. Shpirti i tij që rënkonte, i drejtohej shoqes së jetës, e cila vuante larg dhe, po ashtu, vuante edhe ajo për bashkeshortin e saj mbyllur në hekura:
Zemërthyer…ndjenjash harruar…më ndan nga ti ligji i rreptë marcian,
Sa shumë e dashuronim njëri-tjetrin dikur,
Tani helmuar zvarritem i padukur si një insekt në mur…

Gjatë recitimit, në sytë e qiellta të poetit filloi të dukej pak nga pak revolta, e cila shprehej me ndryshimin e bluse, me zmadhimin e bebëzave ku degëzoheshin damarë të imët ngjyrë gjaku e që shkonin në harmoni me zërin që ngrihej plot revoltë kundër politikës. Por tonet e zërit uleshin sa here permendej dashuria e tyre e ndërprerë dhe e pafat…Gjuha ruse merr vlera të mëdha gjatë recitimit, me muzikalitetin dhe ëndërrimin… Duke mbajtur aparatin e incizimit pranë fytyrës së tij, u mrekullova nga shprehja e atyre syve të qarte blu, sytë e gjallë të Eseninit, ku vlonte lava e kuqe e kundërshtimit…Dukej sikur në ata sy shprehej mënia, dëshperimi dhe revolta e gjithë poetëve të botës qe i kanë kënduar e i kendojnë lirise.
Aleksandri na lajmëroi se pas recitimit do të mbaronte edhe koha e takimit. Kur na priti në fillim, ai na caktoi nje limit kohe prej gjysmë ore, por biseda shkoi mbi një orë e gjysmë. I dhurova me nenshkrimin tim tri librat e mi me poezi në anglisht dhe ai shkroi në gjuhën ruse në bllokun tim të autografëve: ” Milloj Roze…Rozi e dashur…Në këtë botë ku neve nuk na është dhënë më shumë se zero, vështirë të besosh në Zot!… Aleksander Sergejeviç Volpin Yesenin, Shtator 17, 2007″
Në përkthimin shqip të autografit unë e modifikova fjalën me të cilën Aleksandri shante Zotin në variantin rusisht. Kjo më solli ndërmend nje poezi të të atit, Sergei Eseninit, i cili, po ashtu, në atë mënyrë shante hënën. Kur po bëheshim gati të largoheshim, ai na ftoi të pinim diçka, por ne nuk donim ta vinim në mundim dhe e falënderuam duke i uruar të takoheshim përsëri i ftuar në shtëpitë tona. Ai na percolli deri te dera e jashtme, e perqafova dhe ai u perkul perseri e më puthi dorën.

NE KLUBIN E POETËVE RUSË

Ishte e enjte, 20 shtator 2007, kur i telefonova Aleksander Sergejeviçit e i thashë se isha Roza.
“- Rozafa?”,- tha ai me një zë përgëzues e më informoi se e kishte lexuar legjendën e Rozafës në anglisht, në librin tim, që ia kisha dhuruar dhe i kishte lënë mbresa. Këto fjalë sikur më çliruan pak nga emocioni dhe e njoftova se do të vinim ta merrnim në shtëpi me Oleg Pavlloviçin, ditën e shtunë, me 22 shtator, për të shkuar së bashku në klubin e poetëve rusë, në Revere, Mass.
Valentina Pattersor, një grua e re ruse me profesion inxhiniere, por dashamirëse dhe admiruese e poezise, e ka vënë në dispozicion të klubit shtëpinë e saj të madhe dykatëshe. Një bjonde e bukur dhe e sjellshme, veshur me nje fustan te zi dekolte dhe me cizme të bardha ruse, Valentina na priti te dera tërë buzëqeshje e ngrohtësi si të ishim dasmore. Burra e gra ruse, rreth 60 vetë te moshave të ndryshme, u takuan me njeri-tjetrin, kembyen bisedat e rastit, trokitën gotat e verës, e syrit tim nuk i shpetoi mënyra se si e pritën e u kujdesën plot dashuri kur në mes tyre u shfaq Aleksander Sergejeviçi. Pasi e përqafoi, Valentina e shoqëroi poetin plak tek nje poltron i rehatshëm pranë vatrës dhe i solli një pjate me sallatë e gatime të kuzhinës ruse. Unë u kujdesa të ulesha pranë Aleksandrit, mbasi më kishin mbetur dy-tri pyetje pa përgjigjet e tij. Nderkohë në dy sallat u bë qetësi dhe poeti i ri rus Boris Berdnikov filloi të recitonte poezitë e tij të fundit, por edhe poezi nga Ahmatova, Esenini etj. Une recitova në gjuhën shqipe dy poezi nga Sergej Esenini:
SHAGANE: /Shagane, shpirti im, Shagane/Nga veriu unë jam, të kam thënë/Ti s’e di thekrën tonë si fle/Dallgëzuar nën dritën e hënës/Shagane, shpirti im, Shagane!…/
LETËR NËNËS: /Gjallë je ti moj, nënoshka ime?/Gjallë jam dhe unë. Të përshëndes!/Paqja mbulofte këtë mbrëmje/ Izbën tëndë deri në mëngjes…/
Gjate leximit hidhja vështrimin vjedhurazi tek fytyra e Aleksandrit, me sy të mbyllur. Ai mbante ritmin me levizjet e pakta te kokës së tij të shogët.
Drejtuesi i seancës mbrëmësore, pasi bëri paraqitjen time si gazetare shqiptare, përmendi me nderim emrin “Smail Kadare” dhe bëri një prezantim të shkurtër të veprës së tij. Shumë dëgjues nga salla përsëritën emrin “Smail Kadare”. Unë përmenda edhe emrin e Dritëro Agollit, poetit tonë fshatar, të ngjashëm me Eseninin rus…Pas recitimeve pasoi nje pushim i shkurtër dhe filloi koncerti në oborrin e pasme të rrethuar të shtepisë. Një këngëtar rus këndoi e shoqeroi me kitare këngë ruse të vjetra e të reja. Ritmi i këngëve ndiqej me buzëqeshjen e grave të reja dhe me psherëtimën e “babushkave.” Sikur u krijua një qiell i vogël rus. Megjithëse më ka pëlqyer muzika ruse, ajo që më tërhoqi më shumë vemendjen atë natë ishte kujdesi që tregonin bashkatdhetarët për Aleksander Sergejeviçin. Ata e ftuan poetin të ulej në reshtin e parë pranë një tavoline të vogël e i servirën disa pije. Kur filloi fresku i mbrëmjes, një nga të ftuarit e zhveshi pullovrin e tij të leshtë dhe ia dha ta vishte Aleksandrit, i cili ishte vetëm në kemishë. Aleksandri e falënderoi mikun dhe vazhdoi të ndiqte meloditë me emocion dhe i perhumbur në kujtimet e tij.

NJË BUQETË ME LULE NGA POETËT SHQIPTARËMëngjesin e 3 tetorit 2007 i telefonova Aleksander Sergejeviçit dhe i shfaqa dëshiren t’i bëja një vizitë në shtëpi për të përkujtuar 112 vjetorin e lindjes se babait, Sergej Aleksandroviçit. Ai e priste me kënaqësi vizitën time e më ftoi të shkoja atë pasdite. Në dyqanin e luleve pranë ndertesës sonë zgjodha dymbëdhjetë trendafilë të kuq të errët dhe shitësja i kombinoi bukur me luleshqerra të bardha e me gjethe dafine. Në kartolinë tekstin e shkrova në anglisht:
“Aleksander Sergejeviçit Esenin-Volpini…Këtë buqetë me lule në kujtim të pervjetorit të 112-të të lindjes së babait tuaj, poetit te famshëm rus Sergej Aleksandroviç Eseninit, në emër të poetëve shqiptarë””kudo në botë. Me dashuri e respekt, Rozi Theohari, Boston, 3 tetor, 2007”
Kur ia dorëzova buqetën, Aleksander Sergejeviçi më perqafoi dhe më falënderoi, pastaj pozuam disa fotografi. Dhoma e tij e pritjes ishte si gjithnjë plot libra e fletë të shpërndara kudo. Aleksandri, veshur me nje kostum bezhe me kuadrate kafe, u ul si përherë në kolltukun e tij pranë televizorit.
“- Sot kujtova ditën e lindjes së babait, i cili e pati jetën të shkurtër,- na tha ai pas pak,-por kujtova edhe nënën time, Nadjezhdën, e cila jetoi gjatë…Ajo vdiq më 1998 e ndoshta i ngjaj edhe une asaj e jetoj deri më 100 vjet. Kam shumë plane për studimet e mia e më duhet kohë…vetëm kohë!”
Unë i përmenda disa vargje të të atit, Eseninit, per muajin e tij të lindjes, tetorin, ku përshkruante keqardhjen dhe dhembjen ne shpirt që tetori ua merrte jetën dhe bukurinë luleve shumëgjyrëshe e i kthente ato në “skelete te metalta”. Pastaj, papritur e pyeta:
“- Vazhdoni ta ndieni veten bir i Eseninit te madh?”
“- Po këtë pyetje ma bëjnë edhe të tjerë! Duhet ta dini se per emigrantët rusë në Amerikë unë njihem dhe dihem qe jam Esenin-Biri. Për amerikanët jam shkencëtar, matematikan dhe filozof, ndërsa për veten time, unë kam individualitetin tim, personalitetin tim dhe pavarësine time…Unë jam poeti 83-vjeçar Esenin-Volpin!”
“- Dëshironi të ktheheni në Rusi?”,- e pyeta.
“-Unë e kam vizituar Rusinë pas Perestrojkës. Po të më ftojë qeveria ruse, do të kthehem të jetoj në vendlindje. Përndryshe, do të qëndroj ketu në Boston, do të kaloj pleqerinë duke vazhduar studimet e duke shëtitur buzë oqeanit.”
Aleksandri pa orën e murit e u kujtua se ishte koha e perëndimit të diellit. Ai na propozoi të bënim një shëtitje në breg, mbasi shtëpia e tij ndodhet pranë plazhit… Unë dhe Olegu e vumë në mes poetin Esenin e shëtitnim të heshtur pergjatë bulevardit të Atlantikut. Që aty mund të shohësh çdo mëngjes diellin e kuq që duket sikur kërcen hareshëm nga oqeani dhe perendimin e tij ose “sunset” prapa Saugusit. Tek shihja qiellin e perflakur në sfond të vijës së përthyer të gratacieleve të Bostonit, thosha me mend vargjet e Eseninit:
/Krahët e kuqe të diellit në perëndim/ Janë duke vdekur qetësisht/ ……../Mos u bëj kaq melankolike, izba ime përbri,/ Sepse vetmuar jemi une e ti…/
Ecja e pyesja veten, a e ndien vetminë Aleksander Sergejeviçi? A vazhdon të jetë “zemërthyer” si në vargjet e poezive të tij?
Tetor 2007. Larg, në horizont, në vijën që ndan oqeanin nga qielli, dallohet grupi i patave të egra që fluturojnë në drejtim të lumit Mystic. Ato vazhdojnë rrugën e emigrimit duke çarë qiellin në formën e shkronjës “V”, e cila të kujton mbiemrin “Volpin”.
Aleksandri ndali hapat befasisht e na tha se tani do të ndaheshim. E dija se ishte veshtirë ta takoja përsëri. Kur po përshëndeteshim, ia mora dorën e tij të djathtë, e mbajta në dy pëllëmbët e mia dhe ndjeva pulsimin e gjakut eseninian. Ua mbërtheva vështrimin syve të tij të kristaltë si të larë nga ujërat e Vollgës, ku ishte incizuar kodi eseninian i lirikave…
Unë e përqafova, ai më puthi lehtë në faqen e majtë dhe u përkul e më puthi dorën.
Lamtumirë, miku im, lamtumirë…
Do svidania, moj drug , do svidania…

Boston, tetor 2007

 

ROZI THEOHARI

www.voal.online.ch

Kurtin e forcojnë kritikët e tij të çartur! – Nga KIM MEHMETI

Gjatë fushatës parazgjedhore në Kosovë thuajse të gjithë pyesin pse drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje nuk marrin pjesë nëpër debate televizive? Përgjigjja është shumë e thjeshtë: sepse e kanë kuptuar se ata më së shumti i forcon kritika çmendurake ndaj tyre dhe se më së miri përfaqësohen nga kritikët e tyre, të cilët kur i dëgjon, të duket se flasin me gojën e Radojçiqit.

Andaj se VV është e partia më e fortë në Kosovë dhe se ajo do i fitojë edhe këto zgjedhje parlamentare, më së miri dëshmojnë kundërshtarët e saj që nuk mund të përmbahen e sillen si të çartur. Dhe të cilët as që mund ta fshehin se më së shumti Kurti i ka dëshpëruar pse edhe duke qenë Kryeministër nuk u bë si ata – hajdut!

Ndërkohë mbetet e vërteta se VV është e fortë sepse ka kundërshtarë drejtuesit e PDK’së të cilët ia gjetën emrin lirisë, por assesi ta zbulojnë mbiemrin e hajnisë si dhe, drejtuesit anemik të LDK’së të cilët të vetëdijshëm se nuk kanë kurrnjëfarë fizionomie politike, e përdorin portretin e Rugovës.

Duke shpresuar  kështu se sërish do u jepet mundësia që, njësoj si disa herë në të shkuarën, popullin ta zhvatin qetë e butë dhe duke i  buzëqeshur.

Kuptohet, të sundosh pesë vite e të mos kesh bërë gabime është e pamundur. Por të verbuar nga urrejtja patologjike ndaj Kurtit, kritikët as që i shohin gabimet e tij reale.

Siç është për shembull gara e tij me Piktorin se kush do t’i marrë peng shqiptarët që jetojnë jashtë Shipërisë e Kosovës e që e çoi atë të ndërhynte në zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë, ku i ‘forcoi’ shqiptarët e këtushëm duke i copëtuar si dhe, duke e përkrahur VLENin e përdorshëm vetëm për qeverinë më proserbe që ndonjëherë ka pasur ky vend: atë të VMRO-DPMNE’së!

Në të vërtetë, si majtist i rreshkur, Kurti i çmon lart vetëm ata që e adhurojnë. Madje atij i duket e pabesueshme të ketë shqiptar që nuk e ka atë idhull. Andaj atë më së shumti mund ta dëmtojnë dhe ta harxhojnë politikisht vetëm adhuruesit e tij të verbër.

Kurti e di këtë dhe prandaj adhuruesve të vet ua ka ndaluar pjesëmarrjen nëpër emisione debatuese dhe nëpër TV ekrane ku të gjithë flasin vetëm për të dhe askush nuk flet për partitë tjera.

Adhuruesve të vet ai ua ka lënë në disponim vetëm rrjetet sociale ku, rëndom, budallai ia zbërthen politikën të hutuarit.

Disa krijime të z. Andrea Zalli, dhe pak fjalë…- Nga SENAD GURAZIU

( koment për të cilin, kuptohet, nevojiten fjalë, fjalë, fjalë, dhe vetëm fjalë : )
…”frymëzuar” nga ca poezi fabuloze të z. Andrea Zalli, po jua nis dhe unë një të “ngjashme” – krijimet e z. Zalli i lexova postuar nga ai në portalin VoAl, e që të cilat s’di pse quheshin “humoristike”, paçka se ato janë dhe humoristike, afërmendsh, si qasje autoriale patjetër se e kanë segmentin e humorit… dhe gjithë ingredientët e tjerë të mprehtësisë fabuleske, e megjithatë temat serioze dhe thjeshtësia e fuqisë poetike sikur më bënin ta “harroja” humorin, në fakt… më seriozisht s’di si lexohet asnjë poezi tjetër, asnjë krijim tjetër – teksa po kërceja ndërmet postimeve (meqë nuk janë në 1 faqe të vetme) desh u kënaqa duke provuar t’i “lidh” me situatat dhe me nivelizimet e së përditshmes, madje dhe me politikat, prore ma falnin atë shijen e ëmbël të fabulave dhe kuptohet as buzëqeshja nuk mungonte…
…po jua sjell këtu lidhjet e disa vjershave të z. Zalli – si zakonisht, duke klikuar tek rubrika Kulturë > nënrubrika: Letërsi, vetë (kur më duhet diç) sakaq kam qasje tek secili postim i dikujt, kjo dhe është ajo mrekullia e “hyperlinks” siç dihet, s’do koment kjo punë, ne e marrim si të “gatshme”, pothuaj prore sikur harrojmë t’jemi mirënjohës për këtë gjë kaq thelbësore që na e dhuron virtualiteti internetik, meqë e bën lidhjen dhe kontekstualizimin e materies fare të lehtë, na lidh me materien e secilës bibliotekë të globit, na e mundëson ta kemi në pëllëmbë ndërtekstualitetin siç ia thuhet me “shpejtësinë e dritës”, më lehtë s’ka qenë kurrë ndonjëherë në historinë e teksteve të njerëzimit, mund t’kemi qasje… bie fjala në gjithçka që ka “shkarravitur” në letër Ajnshtajni, dhe secili Ajnshtajn i kësaj bote, secili filozof e secili shkencëtar, secili poet e secili shkrimtar, kemi qasje saora në secilin dorëshkrim të historisë, si dhe paralelisht na mundësohet t’kemi qasje në gjithçka që NE vetë kemi “shkarravitur” ne për autorët e për Ajnshtajnat e kësaj bote – ka dhe më tepër se kaq madje, bie fjala ankandet e botës merren madje dhe me shitjen e letrave të tyre personale, merren me rrotullimin e fitimprurjes e me komercializmat e vetë “famës” (publikimi i letrave dhe i dashuriçkave… hm, kjo s’do duhej, kjo i tejkalon normat… do duhej ndaluar, do duhej shpalluar e jashtligjshme, booo mozomokeq, cenohet pa pikë turpi privatësia e të vdekurve : ) sot e dimë psh. çfarë i pati shkruar Ajnshtajni të dashurës së vet, secilën herë kur mërzitej a kur vuante (si shembull dmth. jo patjetër duhet t’jetë fjala për Ajnshtajnin), neser do i publikojnë dhe emailat tanë, do dihen dhe marrëzitë e kalamallëqet tona me të dashurat… shkurt e troç gjithçka, ja pse disa gjëra megjithatë do duhej t’jenë të ndaluara – urojmë të ndalohen, urojmë që e adhmja të avancohet, urojmë që ligjet e futurizmit t’i mbrojnë, t’i respektojnë sekretet private, amoriadat, dashuriçkat e të vdekurve : )
[ disa nga postimet e z. Zalli, dhe më poshtë “Kali i Nilit dhe Zogjtë”, 2009 ]
– – –
KALI I NILIT DHE ZOGJTË
Senad Guraziu, 2009
Hippopotamus, të gjithë e dinë
pse ke turp ti “qos” natyre,
s’ke gëzof, far’ leshi burrash
as qime, gjithmonë i “parruar”
a la natura në turbullirë fshihesh,
si shtyllak ngulesh nga turpi
në vend, gjoja mediton… s’mund
të përdridhesh si Anakondat
e prapë si një gjarpër i trashë
tmerron, vetëm verbërinë dhe sytë
mbi ujë mban, mos mendo keq
Horusi dhe Sethi s’të shajnë, jo
kurrë s’të përqeshin – ata të duan!
Hippopotamus, si nuk e sheh
ti mizor deltash, moçalesh, kënetash
si nuk e ndjen këtë pafajësi natyre,
gjithë ata zogj naivë tek cicërojnë
çiltër mbi ty, ngrohtësisht si rrezet,
butësisht e freskët si puhia e bjeshkëve,
prapë të besojnë, tek ty fluturojnë,
ndër dhëmbët monstruoz…
ndalojnë, dhe t’i pastrojnë
aq natyrshëm – ata të duan!
Hippopotamus, ti i vret madje
dhe këlyshët e tu mizorisht, nuk “ndjen”
as më të egrin, më të frikshmin
anima-instikt, aq egërsisht
egërsohesh për zonën tënde të influencës,
për “ekosistemin” e grykësisë,
mos ti shpirt demoni, më parë dëgjo
klithmat, thirravajet, mos i vrit
fëmijët e tu, të natyrës – ata të duan!
Hippopotamus, turp të kesh
nga paturpësia jote e natyrshme –
njëjtë si zogjtë, si fëmijët e tu, natyra
të fal natyrshëm, falë pavetëdijes tënde
për egërsinë – natyra të do,
Hippopotamus!

Dy poezi të reja nga TAHIR BEZHANI

 

NATË E BEZDISHME

Natë e vonë, pa hënë
Hap dritaren e dhomës rrëmbimthi
Rrok gjithandej hapësirën
Do ndrydhje si ethe të nxehta
Lëvizin poreve të trupit
Instinktivisht tymosi një cigare
Thithi nikotinë n ‘pafundësi
Mendimet theren tehut të kohës…

Çdo gjë në ikje, vrapim i pandalshëm
Log i madh mashtrimesh jeta
Përjetimet nuk perëndojnë kurrë
Përplasen shpresave harkore
Shtrirë në shtratin e këngës idhnake
Përzier me sumbulla lotësh hullinave
Si valë të tërbuara deti valëviten…

Shpirti i zhgënjyer shkrihet
Vështrimeve të hutuara
Sa e bezdisshme nata
Sa e kalltë duket dita
Si një valle pa muzikë
Zbrazësi e pafundme
Rrugëve mbesin gjurmët dëshmi….

PËRPLASJE ME VARGUN

Një heshtje grith brenda vetes panda
Përtypë copat e djegura të mendimeve
Vijnë valë të nxehta nga tokë e gjakosur
Një aromë dhimbje e mbjellë moti
Vargje si zjarr ngacmojnë prore
E ikin si hajdute, pa gjurmë…

N ‘kujtime kërkoj
Rrugëtimet e mundshme
Asnjë hapësirë kalimi
Pos ushtimës prapa
Si spirancë anije humbur n ‘furtunë…

Zëra nga larg më vijnë si tingëllimë
Një revoltë e padukshme thellësive valëvitet
Në heshtje afrohen këngë të pakënduara
Në buzët e shkrumbuara ledhatojnë vajin
E kënga nuk del se nuk del jashtë vetes
Është mllef i dalldisur kohëve…

Rri e ndryrë ngujimeve të fshehura
Si në ëndërr veten e pyes, deri kur
Përplasje, grindje me vargun e tërbuar
Një klithje spontane pëlcet si porosi jete
-Ah! Khajam! Khajam i mjerë!…


Send this to a friend