Qershor, 2026
Kultura që s’është…
(E kooperativës së thyer politike, vetëm e saj)
Në Gjermani dhe Kosovë sistemet politike janë juridikisht të njëjta: republikë parlamentare!
Në Schloss Bellevue, Berlin, Presidenti është përfaqësues pak a shumë honorifik. Solemnitete, tituj, pritje festive, takime shtetërore, fjalë të rrallë për kombin… Por, gjithsesi, ka dhe kompetencë suspedimin e përkohshëm të ndonjë ligji dhe rikthimin e tij për rishqyrtim në Bundestag.
E të tjera të ngjashme.
Ndërkaq Kancelari, në Willy Brandt 1, është Qendërpesha e fuqisë politike. Përcakton filozofinë e brendshme zhvillimore: ekonomike e sociale, migratore, arsimore, shëndetësore e, natyrisht, ushtrinë dhe politikën e jashtme.
Nuk ka ndodhur ndonjëherë, së paku në këto dyzetëvjetët e fundit, që në Bon a Berlin më pas, të ketë qeverisur një parti e vetme.
Kishte përherë koalicione që, shpesh, kishin dhe hijen e vet të pamirë. Sepse, kur koaliciononin dy partitë e mëdha (i quajtur Koalicioni madh), opozita ligështohej pak dhe kjo nuk ishte një punë aq e vyer për demokracinë.
Po si konturohet këtej një koalicion?
Partisë së parë fituese i takon, si një rregull absolut me frymë kushtetuese, posti i Kancelarit. Në Gjermani nuk mund të imagjinohet dot një formulë tjetër: pra që, në kombinimet partiake, kancelari të jetë i një partie të dytë apo, madje, të tretë, kurse ai vetë të spostohet shurdhërisht në selinë presidenciale. Aty ku nis paradhoma e pensionimit politik.
S’ka ngjarë, që këtej, e s’mund të pasojë kurrë. Sepse, thjeshtë, do të ishte një puç oborri, një përdhunim barbar i vullnetit politik zgjedhor.
Pra, partia koalitive, e dyta (si SPD tani), apo e treta, (si FDP dikur) merr, si rregull i paprekshëm, postin e vicekancelarit e, në pako, dhe ministrinë e punëve të jashtme.
Por, sipas kapacitetit investues në kontratën qeveritare, nënkuptohet t’i përkasë dhe ndonjë ministri tjetër.
Tani, meqë aspirojmë me afsh deri në dhimbje shtëpinë komunitare të Europës, aherë përse ndodh e kundërta në Kosovë?
Këndej, sipër Vjenës, s’ka hatërmbetje apo shantazhe, prapaskena terri apo ambicje iracionale.
Imagjinojeni për një çast sikur Wadephul, Vicekancelar e ministër i jashtëm nga partia e dytë (SPD), të refuzonte përbuzshëm postin dytësor. Dhe, me trysni e kushtëzim shpërfillës, të kërkonte hiç më pak se stolin e Kancelarit, kurorën e kohabitimit politik.
Dhe pastaj Kancelari, meqë pretendenti rregullshkelës nuk e ndien këtë detyrim, të hiqej menjanë për të ruajtur stabilitetin funksional.
Mirëpo, sikur kjo sfidë brutale të fitonte të drejtën diskrecionale të fuqisë dhe arrogancës, duke shantazhuar rrëzimin e sistemit, aherë do të flisnim për trokitjen e një kohe tjetër zymtore nga messhekulli i ikur.
E pse, ndaj, dhe deri kur në Kosovë duhet të jetë ndryshe?
Së prapthi?
Një zbulim hibrid i paparë në Europë. Që, pra, e dyta apo e treta parti t’ia mësyjë me vetëlejë e mendësi mujsharësh otomanë, fronit presidencial (që zgjedhet konsensualisht me pjesëmarrje edhe të shoqërisë civile) apo Zyrës së Kryeministrit (Kancelarit): me ngulm e kërcënim se, në të kundërtën, do të rrënohej i gjithë cikli zgjedhor!
Në Gjermani apo sisteme të ngjashme parlamentare, rendsjellja e tyre, është ligj, konsens, vlerë demokracie, logjikë, përvojë e betonuar dhe shkronjë e praktikë politike libertare.
Por, njëkohësisht, dhe akt e kulturë atdhetare!
Po ndër ne? Nuk e di…
Qoftë dhe për filloristët e demokracisë ky defiçit rëndon shumë. Rrëmon vetë themelet e Republikës dhe interesin e saj jetik. Është, gjithaq, përulje e poshtërim i popullit edukata politike e të cilit pulson lartë me Europën.
Dhe qytetërimin e saj!