Që nga tetori i vitit 2020, Chaplin’s World ka organizuar festimet e 80 vjetorit të një prej filmave ikonë të Charlie Chaplin: “Diktatori”. Në përkujtim të këtij filmi, Chaplin’s World dhe Fondacioni i Muzeut Charlie Chaplin filluan fushatën #LETUSALLUNITE: një projekt afresk njerëzor i klasit botëror për t’i dhënë nderim filmit, artistit e për të bashkuar qytetarët e botës rreth vlerave universale.
Janë 2.326 pjesëmarrës nga 69 vende të ndryshme të botës që formuan shkronja të cilat u përdorën nga artisti zviceran NOTsoNOISY Guillaume Reymond, për të riprodhuar të gjithë fjalimin përfundimtar të filmit “Diktatori”, i cili do të ekspozohet deri në fund të vitit në një kanavacë afresk të instaluar më shumë se 37 metra të gjatë në murin rrethues të Chaplin’s World si dhe në faqen e tij në internet; duke e bërë kështu veprën dhe nderimin për aktorin dhe kauzën e tij të arritshme për të gjithë.
Chaplin’s World është një muze i krijuar në kujtim të jetës dhe veprës së Charlie Chaplin, i themeluar në Zvicër, në Corsier-sur-Vevey, pikërisht aty ku ka jetuar aktori i madh nga 1952 deri në vdekjen e tij në 1977. Ky muze u krijua nga Philippe Meylan, Arkitekt dhe sipërmarrës zviceran dhe Yves Durand, muzeograf nga Quebec, në partneritet me Muzumin Grévin, që zyrtarisht u hap më 16 Prill 2016.
Ekspozita e përkohshme, “Chaplin and the Dictator”, e inauguruar këtë pranverë, e cila përkujton gjithashtu këtë film kryevepër që u shfaq në kinematë amerikane në vitin 1940, do të jetë e hapur deri më 30 shtator 2021.
Në këtë ekspozitë shfaqen foto të panjohura më parë, si dhe skena të prera gjatë xhirimeve të njërit prej filmave më emblematikë në historinë e artit të shtatë.
Ekspozita është një kujtesë për rëndësinë e kësaj vepre vizionare. Chaplin, i cili kaloi jetën duke mbrojtur të drejtat e njeriut, kishte filluar të mendonte që në vitet 1930 për pasojat e ardhjes së nazizmit. Përtej kontekstit të tij historik, filmi mbetet tmerrësisht aktual duke treguar shkatërrimet e një diktature.
“Që në atë kohë Charlie Chaplin ishte një nga regjisorët e paktë që kritikoi Hitlerin dhe Nazizmin. Atij iu desh të përballej me kërcënime me vdekje si dhe me një presion të madh, veçanërisht nga qeveria amerikane, për të mos e bërë filmin e tij. Ai e financoi atë vetë për të provuar se ishte i lirë dhe se nuk e lejoi veten të ndikohej”, ka treguar për shtypin zviceran Eugène Chaplin, një nga djemtë e mjeshtrit të kinemasë së heshtur.
Filmi si një paradi saterike e nazizmit, i pari film me zë i artistit të madh, që fut në shenjestër direkt Adolf Hitlerin, u shfaq premierë më 15 tetor 1940 në New York, me skenar, regji, muzikë, producent dhe dy rolet kryesore të interpretuar nga Charlie Chaplin. Por në shumë vende të tjera të përfshira në Luftën e Dytë Botërore, ky film u shfaq nëpër sallat e kinemave vetëm pas përfundimit të konfliktit.
Filmi “Diktatori i Madh”
“Më shumë se në çdo gjetje komike”, do të shkruante Orwell për filmin “Diktatori i Madh”, “hijeshia e Chaplin qëndron në aftësinë e tij për të riafirmuar të vërtetën – të mbytur nga fashizmi dhe gjithashtu, disi komikisht, nga socializmi – se vox populi është e barabartë me vox Dei dhe se gjigantët janë krimba”.
“Diktatori i Madh” tregon historinë e një berberi hebre që nuk e pranon shtypjen e regjimit të Adenoid Hynkel, një karikaturë e Adolf Hitlerit, por që është fizikisht identik me diktatorin. Dhe pikërisht në këtë ngjashmëri fizike realizohet filmi. Në fund të filmit puna shkon aty, sa që berberin e ngatërrojnë me diktatorin dhe kështu shkëmbehen vendet, diktatorin e çojnë në Geto, ndërsa berberi përfiton nga situata për të mbajtur një fjalim të tolerancës dhe paqes në fund të filmit, që titullohet Let’s all Unite:
Lexuesit po ua sjell këtë fjalim të hatashëm që ka aq tingull aktual. Mos harroni se “Diktatori i Madh” është shfaqur më 1940, ndërsa SHBA kanë hyrë në luftën e Dytë Botërore pas sulmit në Pearl Harbur, në dhjetor 1941.
Fjalimi mitik tek “Diktatori i Madh”
“Më vjen keq, por nuk dua të jem perandor. Kjo nuk është puna ime. Unë nuk dua të sundoj ose të pushtoj askënd. Do të doja t’i ndihmoja të gjithë – nëse është e mundur – hebrej dhe, johebrej – të zinj e të bardhë. Të gjithë duam të ndihmojmë njëri-tjetrin. Qeniet njerëzore janë të tilla. Ne duam të jetojmë nga lumturia e njëri-tjetrit – jo nga mjerimi i njëri-tjetrit. Ne nuk duam ta urrejmë dhe përçmojmë njëri-tjetrin. Në këtë botë ka vend për të gjithë. Dhe toka e mirë është e pasur dhe mund të sigurojë për të gjithë. Mënyra për të jetuar mund të jetë e lirë dhe e bukur, por ne e kemi humbur rrugën.
Lakmia ka helmuar shpirtrat e njerëzve, ka barrikaduar botën me urrejtje, na ka tërhequr në mjerim dhe gjakderdhje. Ne kemi zhvilluar shpejtësinë, por kemi mbyllur vetveten. Makineritë që japin bollëk na kanë lënë në skamje. Njohuritë tona na kanë bërë cinikë. Mënçuria jonë të ashpër dhe jo dashamirës. Ne mendojmë shumë dhe ndjejmë shumë pak. Më shumë sesa makineritë, kemi nevojë për njerëzimin. Më shumë se për zgjuarsinë, ne kemi nevojë për mirësinë dhe butësinë. Pa këto cilësi, jeta do të jetë e dhunshme dhe të gjitha do të humbin…
Aeroplani dhe radioja na kanë afruar së bashku. Vetë natyra e këtyre shpikjeve thërret për mirësinë tek njerëzit – bërtet për vëllazërinë universale – për unitetin e të gjithëve. Edhe tani zëri im po arrin miliona në të gjithë botën – miliona burra, gra dhe fëmijë të dëshpëruar – viktima të një sistemi që i bën burrat të torturojnë dhe burgosin njerëz të pafajshëm.
Atyre që mund të më dëgjojnë, u them – mos u dëshpëroni. Mjerimi që është tani mbi ne nuk është veçse kalimi i lakmisë – hidhërimi i njerëzve që kanë frikë nga rruga e përparimit njerëzor. Urrejtja e njerëzve do të kalojë, dhe diktatorët do të vdesin, dhe fuqia që ata morën nga njerëzit, do të kthehet te njerëzit. Dhe për sa kohë që njerëzit vdesin, liria nuk do të vdesë kurrë …
Ushtarë! Mos e pranoni t’i bindeni egërsisë – atyre që ju përçmojnë – ju skllavërojnë – që e fusin në regjimente jetën tuaj – që ju tregojnë se çfarë të bëni – çfarë të mendoni dhe çfarë të ndjeni! Kush ju detyron – ju trajton si bagëti, ju përdor si mish për top. Mos pranoni t’iu bindeni këtyre njerëzve të pashpirt – makineri – me mendje makineri dhe zemër makineri! Ju nuk jeni makineri! Ju nuk jeni bagëti! Ju jeni burra! Ju jeni njerëz! Ju keni dashurinë e njerëzimit në zemrat tuaja! Ju nuk urreni! Vetëm urrejtja urren! Ushtarë! Mos luftoni për skllavëri! Luftoni për liri!
Në Kapitullin e 17-të të Shën Lukës është shkruar: “Mbretëria e Zotit është brenda njeriut” – jo një njeri, as një grup njerëzish, por te të gjithë njerëzit! Tek ti! Ju, njerëzit keni fuqinë – fuqinë për të krijuar makineri. Fuqinë për të krijuar lumturi! Ju, njerëzit, keni fuqinë ta bëni këtë jetë të lirë dhe të bukur, për ta bërë këtë jetë një aventurë të mrekullueshme.
Atëherë – në emër të demokracisë – le ta përdorim këtë fuqi – le të bashkohemi të gjithë. Le të luftojmë për një botë të re – një botë të denjë që do t’u japë njerëzve një shans për të punuar – që do t’iu japë të rinjve një të ardhme dhe pleqërisë një siguri. Me të tilla premtime, brutaliteti dhe shëmtimi janë ngritur në pushtet. Por ata gënjejnë! Ata nuk e përmbushin atë premtim. Ata kurrë nuk do ta bëjnë!
Diktatorët mendojnë për lirinë e tyre, por ata skllavërojnë popullin! Tani le të luftojmë për ta përmbushur atë premtim! Le të luftojmë për të çliruar botën – për të hequr barrierat kombëtare – për të hequr dorë nga lakmia, nga urrejtja dhe intoleranca. Le të luftojmë për një botë me arsye, një botë ku shkenca dhe përparimi do të na çojnë në lumturi të gjithëve ne, të gjithë njerëzimit.
Ushtarë! Në emër të demokracisë, le të bashkohemi të gjithë! Let us all unite!”
Pikërisht bazuar në këtë fjalim të famshëm, World’s Chaplin gjeti çelësin për një operacion unik, duke ftuar vizitorët të transformojnë imazhin e tyre në Charlot. Janë 2.326 pjesëmarrës nga 69 vende të ndryshme të botës që formuan shkronja të cilat u përdorën nga artisti zviceran NOTsoNOISY Guillaume Reymond për të riprodhuar të gjithë fjalimin përfundimtar të filmit “Diktatori” i cili do të ekspozohet si afresk deri në fund të vitit në një kanavacë të instaluar më shumë se 37 metra të gjatë në murin rrethues të Chaplin’s World si dhe në faqen e tij në internet; duke e bërë kështu veprën dhe nderimin për aktorin dhe kauzën e tij të arritshme për të gjithë.

Komentet