*** Të mos lihen Presheva, Bujanoci dhe Medvegja në “mëshirën” dhe në varësinë e politikës dhe diplomacisë kolonialiste të Serbisë (1912-2015).
Siç bën të ditur gazeta “Kosova Sot” e Prishtinës, shqiptarët e Kosovës Lindore: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, më 12 shtator 2015, miratuan Deklaratën për formimin e Bashkësisë së Komunave Shqiptare nën Serbi. Ja teksti integral i kësaj Deklarate:
“ Këshilltarët shqiptarë të tri komunave të Luginës – Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, më 12 shtator 2015 miratuan Deklaratën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare në Serbi. Deklarata u miratua në mënyrë unanime, respektivisht asnjë nga 43 këshilltarët komunalë nga të tri komunat nuk votoi kundër. Kryetari i Preshevës Ragmi Mustafa gjatë mbledhjes tha se sot është një ditë historike. Ai tha se shqiptarët e Luginës çdo ditë janë nën trysninë e deklaratave kërcënuese të qeverisë së Serbisë. Ndërkaq kryetari i Këshillit Nacional Shqiptar Jonuz Musliu tha se rrugë tjetër nuk ka pos realizimit të të drejtave të shqiptarëve të Luginës. Sipas tij Serbia gjithmonë ka qenë e interesuar për spastrim etnik dhe për marrjen e tokave shqiptare. Musliu theksoi se shqiptarët janë të vendosur që të realizojnë vullnetin e tyre dhe asgjë më shumë.”( //http://www.kosova-sot.info/lajme/34112/miratohet-deklarata-per-themelimin-e-asociacionit-te-komunave-shqiptare-ne-serbi/12 shtator/2015//).
Një kërkesë e këtillë e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, është plotësisht e drejtë, e pranueshme dhe në frymën e standardeve ligjore dhe demokratike të Bashkimit Evropian (BE), pavarësisht reagimit negative dhe kërcënuese të kryeministrit Aleksandar Vuçiq dhe ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq se, nëse “shqiptarët e PBM-së formojnë Associacionin e Komunave Shqiptare, do të përdorin forcën”.
E pranuat “Zajednicën serbe”, pranoni edhe Bashkësinë shqiptare !
Duke qenë se politika dhe diplomacia zyrtare e Kosovës dhe e Shqipërisë kanë pranuar dhe mbështetur nënshkrimin e Marrëveshjes së krijimit të “Zajednica srpskih opstina” brenda territorit të shtetit të pavarur të Kosovës, të miratuar më 25 gusht 2015 në Bruksel nën monitorimin e Federica Mogherinit (përfaqësuese e lartë për politikë të jashtme dhe të sigurisë të BE-së) , të cilën së fundi, pa asnjë rezervë e përqafoi, edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani në takimin që pati me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjga në Tiranë, më 10 shtator, atëherë, as Nishani e as Jahjaga nuk kanë asnjë arsye, që të mos e mbështesin edhe Deklaratën e shpallur të shqiptarëve të Preshevës dhe të Bujanocit për themelimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare (AKSH) nën Serbi, ashtu siç e mbështetën me gëzim dhe me dashuri, edhe Marrëveshjen për formimin e Associacionit të Komunave Serbe në Kosovë.
Pra, që tani, në potez janë poltika, drejtësia dhe diplomacia e hollë dhe racionale e Tiranës dhe e Prishtinës, përfaqësuesit e të cilave urgjentisht, duhet të vihen në veprim për thirrjen e mbledhjeve të dy qeverive dhe të dy parlamnenteve, që njëzërit, të miratojnë Deklaratën e 43 këshillëtarëve të komunave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për themelimin e Associacionit të Komunave Shqiptare nën Serbi.
Për mbështetjen zyrtare të Deklaratës së përfaqësuesve legjitimë të popullit shqiptar të PBM-së për themelimin e Associacionit të Komunave Shqiptare, ndër të parët, FAJLËN e kanë Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, që ta ngrenë zërin sikurse në rastin e miratimit të “Zajednica srpskih opstina” në Kosovë.
Gjithashtu Jahjaga dhe Nishani urgjentisht, duhet t’i thërrasin kryeministrat e qeverive të tyre , Isa Mustafën dhe Edi Ramën”, që me procedurë të shkurtër ligjore , ta miratojnë Deklaratën e theksuar dhe, të njëjtën t’ua procedojnë për miratim të dy kuvendeve të Ilir Metës dhe të Kadri Veselit.
Pas kësaj procedure ligjore të miratimit të Deklaratës për themelimin e Associacionit të Komunave Shqiptare (PBM), qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë, këtë kërkesë t’ia dërgojnë për shqyrtim zonjës së lartnderuar Erica Mogherinit (përfaqësuese e lartë për politikë të jashtme dhe për siguri të BE-së).
Së fundi, nëse drejtësia, politika dhe diplomacia e Kosovës dhe e Shqipërisë (sipas procedures ligjore dhe demokratike) nuk e përligjin Deklaratën e 43 këshillëtarëve legjitimë të Preshevës, Bujanocit dhe Medevgjës për themelimin e Associacionit të Komnave Shqiptare, atëherë, kuptohet, këtë nuk do ta mbështesin as Beogradi as faktorët relevantë të bashkësisë ndërkombëtare.
Nëse ndodh ky absurd i faktorit brendashqiptar, atëherë, nuk kemi të drejtë morale, as ligjore, që t’i kritikojmë dhe t’I fajësojmë as Beogradin, as Brukselin (BE-në) e as Nju-Jorkun(OKB-në), por vetëm politikën dhe diplomacinë zyrtare të Tiranës dhe të Prishtinës.
Komentet