Ish-kandidatja për deputete e PD në Shkodër, Senada Mehmeti, ka reaguar ndaj aksionit të IKMT-së dhe Policisë së Shtetit në Theth, ku po shemben dhjetëra ndërtesa gjatë kulmit të sezonit turistik.
Në intervistën e dhënë për SYRI TV, Mehmeti e cilësoi situatën si një “katastrofë” dhe kërkoi ndalimin urgjent të shembjeve, hetim të menjëhershëm për vendimet që kanë çuar në këtë situatë, si dhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në zonë. Sipas saj, banorët e Thethit po ndëshkohen padrejtësisht ndërkohë që ndërtime të tjera në vend janë toleruar nga institucionet.
Senada Mehmeti: Që në momentet e para kam qenë dhe kam parë se çfarë po ndodh këtu. Kjo është një katastrofë. Do ti bëj thirrje organeve kompetente, të ndalojnë menjëherë prishjen. 80% e tyre janë prishur por të shpëtojmë ato që kanë mbetur. Të ndalohet menjëherë shembja dhe shkatërrimi që po bëhet në zonën e Thethit.
Gjithashtu, do i bëja edhe thirrje organeve hetuese, të hetojnë se çfarë po ndodh në Theth dhe të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Pasi, të hetohet kush i ka dhënë këto leje. Kush i ka mbikëqyrur, kush i mbikëqyr ndërtimet.
Si ka mundësi që të gjitha këto ndërtime janë bërë nën hundën e pushtetit lokal dhe vendor dhe tani po shkatërrohen. Dhe mbi të gjitha, kush e ka dhënë urdhrin për shembjen dhe ku është ai urdhër. E kam kërkuar për ditë të tëra urdhrin e shembjeve dhe në të vërtetë nuk ka dalë asnjë urdhër zyrtar dhe banorëve nuk iu është vënë nën dispozicion asnjë urdhër, se nga buron ky urdhër dhe a janë zbatuar të gjitha procedurat ligjore për shembjen.
Dua të theksoj se Thethi nuk ka asnjë lidhje me zonat e tjera të Shqipërisë. Është një zonë u banorët janë autoktonë këtu. Banorët po ndërtojnë biznese familjare, shtëpizat e tyre familjare, të gjitha ekologjike dhe prej druri pa beton. Po iu prishen në mes të sezonit turistik pa asnjë paralajmërim.
Banorëve këtu duhet t’u vihet këtu me doemos një lloj rregulli, një lloj ligji sesi ata të aplikojnë në mënyrë ligjore që mos të përballen më me këtë ndërhyrje që nuk e di nëse është ligjore apo jo. Një pjesë e tyre e kanë apeluar vendimin në gjykata dhe iu është shembur ndërtimi pa dalë ende vendimi gjyqësore. Kemi një lloj kakofonie mes institucioneve dhe mendoj që edhe aksioni do të dalë antiligjor.
Komentet