VOAL

VOAL

Ndryshimi i afateve, Rruga e Arbrit do jetë gati plotësisht vetëm në shtator 2023

August 12, 2022
blank

Komentet

blank

Gjykata e Posaçme merr të pandehur kryebashkiakun e Ramës

Gjykata e Posaçme merr të pandehur kryebashkiakun e Mallakastrës, Qerim Ismaili, për akuzën e falsifikimit të formularëve.

Gjykata pranoi kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar, ku seancën e radhës, e cila do mbahet më 19 tetor, pritet që SPAK të lexojë konkluzionet përfundimtare.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Ismaili dyshohet se ka fshehur një dënim në shtetin grek për rrahje në formularin e deklarimit, ngjarje e ndodhur në vitin 1998.

Hetimet ndaj tij nisën pas denoncimit të Partisë Demokratike.

Më herët edhe Prokuroria e Përgjithshme kishte vërtetuar dënimin penal në Greqi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u vu në dijeni por në fund vendosi që të mos ia hiqte mandatin e kryebashkiakut me argumentin se vepra penale që ai kishte kryer në Greqi, në Shqipëri dënohet vetëm me gjobë.syri.net

blank

Emigracion: Bie numri i familjeve shqiptare, 7.1 mijë më pak për tre vjet

Të dhëna të tërthorta tregojnë se, numri i familjeve në Shqipëri po bie me shpejtësi nga viti në vit, kryesisht si rrjedhojë e emigracionit të lartë.

Në anketën e përvitshme mbi buxhetin e familjeve, INSTAT raportoi se numri i familjeve arriti vitin e kaluar arriti në 765,551, ose 3412 familje më pak se në vitin 2020.

Të dhënat nga anketa e buxhetit të familjes tregojnë se numri i familjeve ishte me rritje deri në vitin 2018, por pastaj nisi rënia. Në vitin 2019 kishte gati 1000 familje më pak se në 2018 dhe në vitin 2021 numërohen 7.1 mijë familje ose 1 % më pak se në vitin 2018, kur shënohet dhe numri më i lartë i familjeve në dekadën e fundit.

Pas vitit 2014 u përhap emigrimi masiv i familjeve nëpërmjet kërkesës për azil ekonomik në vendet e BE, kryesisht në Gjermani dhe Francë. Këtë vit një rrugë e re emigracioni me gomone në Britani po gjeneron një trafik të ri të familjeve shqiptare.

Gjithashtu bashkimet familjarë me emigrantët e ikur në dekadën e parë të emigracionit po zbrazin vendin gjithnjë e më shumë nga familjet.

Anketa te mëparshme nga INSTAT kanë gjetur se emigracioni në dekadën e fundit mori tiparet e largimit të njësive familjare. Pas heqjes se vizave në vitin 2013 shanset për emigruar me gjithë familjen u rritën.

Gjeografia e emigracionit në dekadën e fundit ka prekur edhe qarqet me nivelin më të lartë të jetesës siç është Tirana, Fieri dhe Durrësi, ku të ardhurat mesatare të familjeve janë përgjithësisht mbi mesataren kombëtare.

Anketa e emigracionit 2011-2019 ka gjetur se, qyteti i Shkodrës pati nivelin më të lartë të emigracionit në raport me popullsinë e qarkut. Gjatë periudhës 2011-2019, ka emigruar 16.7% e popullsisë së qytetit, rreth 36 mijë persona, nga të cilët 15,700 janë emigrime familjare.

Pas Shkodrës, Fieri renditet i dyti për nivelin e lartë të emigracionit në raport me popullsinë. Në dekadën e fundit ka emigruar nga Qarku i Fierit 15,5% e popullsisë, ku 5% e tyre ishin të grupuar në familje. Nga Qarku i Fierit, i cili është dyti për nivelin e lartë të jetesës pas Tiranës, janë larguar mbi 48 mijë persona. Vendin e tretë e zë Qarku i Durrësit, i cili ka humbur 14.1% të popullsisë në dekadën e kaluar, ku popullsia është pakësuar me mbi 37 mijë persona.

Tirana zë vendin e katërt për nivelin e lartë të emigracionit në total. Popullsia e Qarkut të Tiranës është pakësuar me 13.7%, ose me 102 mijë persona gjatë 2011-2019, por 77 mijë persona kanë migruar të grupuar në familje. Anketa ka zbuluar se Tirana ka emigracionin më të lartë të njësive familjare krahasuar me qarqet e tjera. Gjatë periudhës, 10.3% e familjeve të qarkut kanë emigruar.

Në vend të pestë për emigrim të lartë vjen Elbasani, ku ka emigruar 12.5% e popullsisë banuese e regjistruar më 2011, ku 5.2% e tyre ishin të grupuar në familje. Në vendin e gjashtë, Qarku i Kukësit i cili ka humbur në emigrim 12.4% të popullsisë gjatë dekadës, më shumë se 10 mijë persona, por ky qark është prekur shumë edhe nga migrimi brenda vendit i popullsisë./B.Hoxha/MONITOR

blank

Indeksi i Bazelit: Shqipëria, me riskun më të lartë në rajon për pastrim parash

Shqipëria është renditur në vendin e 74 mes 128 vendeve të botës sa i takon indeksit të Bazelit kundër pastrimit të parave.

Ky pozicionim ka ardhur me një përmirësim me vetëm dy në raport me një vit më parë por Shqipëria kryeson si vendi me risk më të lartë në rajon sa i takon pastrimit të parave. Totali i pikëve të mbledhura për 6 treguesit e marrë në vlerësim është 4.92.

Kosova sipas indeksit ka një pozicionim më të mirë me një total pikësh prej 4.14, Serbia me 4.87, Maqedonia e Veriut me 3.94 , Mali i Zi me 3.99. Indeksi llogarit me 0 riskun më të ulët dhe 10 riskun më të lartë. Të tjerë vende afër nesh si Greqia apo Italia renditen me një pikëzim më të mirë prej respektivisht 3.71 dhe 4.55.

Vendet me riskun më të lartë të pastrimit të parave referuar indeksit janë Sudani i Jugut, Republika e Kongos, Afganistani, Haiti, Myanmar, Irani, Mozambiku apo Guinea, ndërkohë që vendet me rrezikun më të ulët sipas indeksit janë Estonia, Finlanda, Andora, Monako(për dy të fundit është bërë shënimi se mungojnë disa të dhëna të rëndësishme të pa raportuara), Suedia apo Islanda.

Por cilët janë elementët që merren në vlerësim për të nxjerrë pikëzimin final?

Së pari është kuadri ligjor për parandalimin e pastrimit të parave ku Shqipëria vlerësohet me 4.6, më pas vijnë korrupsioni dhe ryshfeti ku Shqipëria shënon 5.95 duke qenë një nga treguesit më negativë në vlerësimin por kryesimin në fakt e mban transparenca financiare me një vlerësim 6.14. Më mirë paraqitet transparenca publike me një vlerësim 3.4 ndërkohë që në nivele jo fort pozitive shfaqet edhe risku politik dhe ligjor me 5.54.

Pavarësisht këtyre treguesve Shqipëria cilësohet si një vend me rrezik mesatar të pastrimit të parave teksa ndaj saj ka “sanksione” të tilla si futja në listën e vendeve të treta me rrezik nga Britania e Madhe apo monitorim të rritur ( lista gri).

Në shkurt të vitit 2020 Shqipëria u rikthye në listën gri të vendeve që paraqesin rrezik për pastrimin e parave për shkak të deficencave strategjike të gjetura nga Task Forca për Veprim Financiar.

Sipas rekomandimeve të vitit 2020 Shqipëria duhet të punonte për të zbatuar planin e saj të veprimit, duke përfshirë:

(1) kryerjen e një analize shtesë të thelluar për të kuptuar sa duhet pastrimin e parave dhe rreziqet e tjera, dhe forcimin e koordinimit dhe bashkëpunimit institucional;

(2) përmirësimin e trajtimit në kohë të kërkesave për ndihmë juridike të ndërsjellë;

(3) krijimi i mekanizmave efektiv për zbulimin dhe parandalimin e infiltrimit kriminal të ekonomisë, përfshirë forcimin e kompetencave të autoriteteve kompetente për të ndërmarrë veprimet e nevojshme;

(4) duke siguruar që informacionet e sakta dhe të azhurnuara të pronësisë janë të disponueshme në baza në kohë;

(5) rritja e numrit dhe përmirësimi i sofistikimit të ndjekjeve penale dhe konfiskimeve për pastrimin e parave, veçanërisht në rastet që përfshijnë vepra kallëzuesish të huaj ose pastrim parash të palëve të treta;

(6) përmirësimi i zbatimit të sanksioneve financiare të synuara, veçanërisht përmes veprimit të zgjeruar mbikëqyrës dhe afrimit të synuar, proaktiv./N.Maho/MONITOR

blank

Në verilindje të Shqipërisë erozioni malor po dëmton infrastrukturën publike

VOA/Pëllumb Sulo

Reshjet e dendura, që përfshinë gjithë zonën malore në verilindje të Shqipërisë gjatë dhjetë ditëshit të fundit të shtatorit, kanë nxjerrë në dukje pasojat e rënda që shkakton erozioni malor. Në zona të tilla si Tropoja, Mirdita, Vau i Dejës apo fshati turistik i Thethit, jo vetëm që u rrezikua jeta dhe pasuria e disa familjeve, por infrastruktura urbane pësoi dëme të konsiderueshme. Eksperti i mjedisit, Mark Rupa, thotë se fenomeni pati një shtrirje të gjërë dhe se komunitetet lokale duhet të mbrojnë natyrën.


Gjatë muajit shtator kemi shumë humbje jete në të gjithë basenin e Mesdheut si pasojë e përmbytjeve. Fatmirësisht, në Shqipëri nuk pat raste të tilla, por ne duhet të jemi të gatshëm që, duke mbrojtë natyrën, duke e pyllëzu, duke e rritë vlerën e sipërfaqeve tona natyrore, të ruajmë jetën tonë, mirëqenien dhe do të kemi një të ardhme më të sigurtë në territoret ku banojmë”, thotë ai.

Erozioni malor, thotë eksperti Rupa, është mjaft problematik pasi varfëron tokën, ndryshon relievin e zonës duke dëmtuar infrastrukturën dhe banesat. Ndërsa për profesorin e gjeografisë, Ervis Krymbin, po vërehet një çrregullim i fenomenit të reshjeve pasi, brenda ditës bien reshjet e tre apo katër muajve.

Jemi mësuar që të shikojmë përmbytje në zonën e Nënshkodrës apo në rrethinat e Shkodrës, por përmbytja këtë herë u has pikërisht në zonën malore. Ka disa arsye që ndodh ky fenomen. Së pari, ka një shpyllëzim jashtëzakonisht shumë të madh të zonave malore dhe, normalisht, kur ka shpyllëzim hasim me këto fenomene negative, që ndodhin në territor, si përmbytja apo fenomeni i erozionit të tejskajshëm”, thotë ai.

Zona malore në veri të Shqipërisë ka sipërfaqen më të madhe me pyje, por, gjatë 30 viteve të fundit, ajo është dëmtuar ndjeshëm për shkak të prerjeve të jashtëligjshme, shfrytëzimit pa kriter dhe zjarreve thuajse të përvitshëm. Sipas ekspertit Rupa, përveç temperaturave të pazakonta të shtatorit, reshjeve të shumta, ndërtimit të hidrocentraleve lokale që kanë ndryshuar rrjedhën e ujërave malore, shkak për erozionin malor është edhe dëmtimi, përgjatë viteve, i mbulesës pyjore.

Zjarret e shkaktuara vitet e fundit nga njerëzit apo natyra kanë ekspozu sipërfaqe të jashtëzakonshme në Shqipëri, sipërfaqe që kërkojnë ndërhyrje urgjente përmes masave të gjelbra, mbjelljeve, por edhe sistemimeve malore me prita malore, me pyllëzime apo me sistemime”, thotë ai.

Për këto, thotë eksperti Rupa, është e nevojshme të angazhohen jo vetëm specialistët, por edhe vetë komunitetet lokale, ndërsa shteti mund të ndërmarrë skema financimi për të mbrojtur këto zona nga erozioni, por edhe për të punësuar banorët e kësaj zone me nivel të lartë të varfërisë. Edhe profesori i gjeografisë, Ervis Krymbi, thotë se institucionet duhet të jenë më të vëmendshme ndaj asaj që po ndodh në zonën malore në verilindje të vendit.

Shumë zona të tilla turistike, si Thethi apo edhe zona të tjera, janë atraksione të veçanta natyrore, prandaj duhet një vëmendje shumë më e madhe, nga të gjitha institucionet, për riparimin dhe parandalimin e këtyre dëmeve jashtëzakonisht të mëdha që shkaktohen në natyrë. Kjo, jo vetëm për aspektin turistik, por edhe për ata banorë të atyre zonave atje”, thotë ai.

Nderkohë, banorët e disa fshatrave të Mirditës dhe Vaut të Dejës, ku edhe dëmet në infrastrukturë janë më të mëdha, po protestojnë prej disa ditësh në përpjekje për të tërhequr vëmendjen e institucioneve vendore dhe qendrore për marrjen e masave të shpejta për frenimin e erozionit në këto zona.

blank

Nis funksionimin e plotë zyra e Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit

Zyra e Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit

VOA/Armand Mero

Të gjithë mallrat që kanë destinacion Kosovën, dhe kalojnë përmes Portit të Durrësit, tani mund të përmbyllin përfundimisht të gjithë procedurën e zhdoganimit në këtë port të Shqipërisë. Zyra e Doganës së Kosovës është në funksion të plotë që prej fillimit të këtij muaji.

Me këtë hap, porti i Durrësit, konsiderohet praktikisht si një port dhe i Kosovës, pasi sipërmarrjet që kanë aktivitet import-eksporti, nuk do të duhet të kryejnë procedura të dyfishta, si deri tani, dhe nuk janë më të detyruara që t’i nënshtrohen një kontrolli dhe procedurave të tjera doganore, në pikat tokësore të kufirit mes dy vendeve.

Ministrja shqiptare e Financave, Delina Ibrahimaj, e cila vizitoi të hënën portin e Durrësit, së bashku me homologun e saj nga Kosova, Hekuran Murati e vlerësoi këtë moment si shumë të rëndësishëm për lehtësirat që i ofrohen bizneseve dhe reduktimin e burokracive.

Janë rreth 1040 kompani të Kosovës të cilat përdorin portin e Durrësit dhe këto kapacitete çdo vit për të zhdoganuar mallrat e tyre dhe nga sot jo vetëm që do të kenë lehtësirat për të cilat dy qeveritë kanë rënë dakord mes njëra-tjetrës, përsa i përket problematikave të peshimit apo të plumbçosjes, apo edhe të heqjes së tarifave që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për bizneset e Kosovës, por nga ana administrative dhe burokratike ka një lehtësi shumë më të madhe, e cila jo vetëm do të shkurtojë kohën dhe kostot e zhdoganimit”, deklaroi ministrja Ibrahimaj.

Ndërsa, sipas ministrit Murati, bizneseve që kalojnë nga porti i Durrësit u kursehen afro 2 milionë euro, ndërsa shtoi se këtij procesi i shton një vlerë të jashtëzakonshme edhe vendosja e kontrollit fitosanitar veterinar përmes Agjencisë Kosovare të Ushqimit që është vendosur në portin e Durrësit së bashku me zyrtarët e Doganës.

Të dy ministrat deklaruan se grupet e punës nga Shqipëria dhe Kosova, po punojnë për kryerjen e një analize për të finalizuar bashkimin doganor, një angazhim i kahershëm i dy qeverive, në mënyrë që të hiqen të gjitha barrierrat e burokracitë mes dy vendeve dhe që bashkëpunimi tregtar të mos ketë asnjë pengesë.

blank

BIRN: Qeveria ndryshon ligjin e pronave sipas vendimit të Strasburgut, kompensime jo më pak se 10% e vlerës

Ministria e Drejtësisë prezantoi të martën në Komisionin parlamentar të Ligjeve projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.133/2015 Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, në përmbushje të detyrimeve të përcaktuara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykata Kushtetuese.

Ndryshimet në ligj adresojnë vendimin e 7 majit 2020 të GJEDNJ-së në çështjen “Beshiri dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, i cili e ka shpallur të papranueshme skemën e re të qeverisë me ligjin e 2015-ës për trajtimin dhe kompensimin e pronës. Ndryshimet kushtëzohen dhe nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese i shkurtit 2021, e cila shfuqizoi disa prej dispozitave të këtij ligji si të papajtueshme me Kushtetutën.

Zv. ministja e Drejtësisë, Adea Pirdeni tha para deputetëve se “projektakti përmban dispozita për formulën e përllogaritjes së vlerësimit financiar për pronat që rezultojnë me zë kadastral të ndryshuar dhe për të cilët garantohet tashmë kompensimi të paktën në masën 10 përqind të vlerës sipas zërit kadastral aktual”.

Ajo sqaroi se projekligji detyronte rishikim të vendimeve përfundimtare të marra nga Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) me skemën e vjetër të përllogaritjes dhe se bëhet fjalë për 4672 vendime që impaktohen nga skema e re.

“Në çdo rast është e garantuar se vlerësimi financiar i vendimeve përfundimtare për kthimin dhe kompensimin e pronës si dhe i vendimeve që kanë njohur vetëm të drejtën e kompensimit duhet të sigurojë që subjekti i shpronësuar të përfitojë jo më pak se 10 përqind të vlerës sipas zërit aktual kadastral,” tha ajo.

Vlera e parashikuar nga qeveria për rivlerësimin e këtyre vendimeve sipas zv/ministres kap shifrën 18.5 miliardë lekë dhe ATP-ja do të ketë një afat 3 mujor për të bërë rillogaritjen.

Ndryshimet në ligj po ashtu parashikojnë një mundësi të re për 6950 dosje të patrajtuara, ndërsa Pirdeni tha se ata që i janë drejtuar gjykatave mund të riaplikojnë nëse heqin dorë nga gjykimi.

Afati i ri ligjor për trajtimin e tyre do të jetë 31 dhjetor 2024.

“Projekligji i njeh të drejtën subjekteve që kanë tërhequr kërkesat e patrajtuara për njohje të pronës ose i janë drejtuar gjykatës së shkallës së parë që të heqin dorë nga gjykimi i çështjes dhe të paraqesin kërkesë pranë ATP-së,” tha Pirdeni, duke shtuar se kjo dispozitë vlen dhe për ata që i janë drejtuar gjykatës administrative për vlerësimin financiar të pronës.

Sipas relacionit shoqërues, ndryshimet bëjnë dhe rregullimin e autorizimit ligjor për Këshillin e Ministrave për të përcaktuar radhën dhe prioritetin e formave të kompensimit.

Deputetët e opozitës e cilësuan të një rëndësie të veçantë dhe kërkuan që të ishte ministri i Drejtësisë që të mbronte ndryshimet në komision, si dhe një seancë dëgjimore me grupet e interesit.

“Partia Demokratike e ka kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese dhe jemi para një realiteti të ri, ku qeveria detyrohet ta rishikojë pasi kjo gjykatë i ka shfuqizuar disa dispozita, ndaj këtu duhet të jetë ministri,” tha Dhurata Çupi.

Kërkesën e mbështeti dhe Oerd Bylykbashi, i cili shtoi se miratimi i ndryshimeve duhet të marrë kohën e duhur, pasi sipas tij, ligji “duhet të ketë kuptim si t’u kthejë pronën pronarëve dhe jo të bëhet një instrument për të mos e kthyer pronën”.

Kryetarja e Komisionit, Klotilda Bushka e cilësoi seancën vetëm prezantuese dhe njoftoi deputetët se në seancat e tjera komisioni do të ketë diskutime edhe në bazë të sugjerimeve e komenteve që do të adresohen në platformën e konsultimit publik./BIRN

blank

EMRAT- Ja 14 të arrestuarit e grupit kriminal në Durrës

Policia e Durrësit ka zbardhur emrat e personave të arrestuar në kuadër të operacionin të koduar “Porositësi”.

Grupi kriminal u godit pas marrjes peng të dy vëllezërve Gentjan dhe Indrit Beqiraj në autostradën Durrës-Tiranë, dy ditë më parë.

Dyshohet se dy vëllezërit Beqiraj po planifikonin të vrisnin Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe si Rrumi i Shijakut.

Ky i fundit, për të parandaluar ngjarjen e rëndë, u bëri dje pritë dy vëllezërve në autostradë.

Personat e arrestuar në operacionin ‘Porositësi’

1. Gentjan Beqiraj, 39 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;

2. Indrit Beqiraj., 32 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;

3. Flamur Bejko., 52 vjeç, banues në Durrës (punonjës i Policisë së Burgjeve, Durrës), për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;

4. Pellumb Hoxha., 52 vjeç, banues në Fushë Krujë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;

5. Idajet Hoxha., 42 vjeç, banues në Bulqizë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;

6. Armand Dalipi (Daka)43 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;

7. Fatjon Myrta, 52 vjeç, banues në Sukth, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”;

8. Blerim Elezi, 51 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”;

9. Gentian Sheshi., 50 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve”;

10. Kujtim Deliallisi, 64 vjeç, banues në Shijak, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve”;

11. Albano Hajdari, 38 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve”;

12. Fatjon Hajdari, 39 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”;

13. Armando Lama., 32 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve”, i dënuar më parë po për këtë vepër penale;

14. Altin Celami., 43 vjeç, banues në Tiranë (ushtarak në repartin e Pezë Helmës, Tiranë), për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve”;

Gjithashtu u referuan materialet shtesë në Prokurori, për shtetasin Ilirjan Feçi ., i arrestuar më parë në kuadër të operacionit “Golden Bullet”.

Në vijim të operacionit “Porositësi” u shpallën në kërkim shtetasit:

1. Agron Bejdolli., 51 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”;

2. Aleksander Laho alias Pellumb Muharremi, banues në Sukth, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”;

3.Dritan Ferra alias Dritan Muça alias Dritan Prifti,, 42 vjeç, banues në Shijak, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”;

4. Alban Skonja, 39 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale per kryerjen e vrasjes” e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;

5. Kevin Zeneli alias Kevin Suçi, 23 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale ‘’Vrasja’’, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal. Aktualisht është në kërkim ndërkombëtar, për një tentativë vrasjeje në Belgjikë.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, për shtetasin Kasander Noga , aktualisht i arrestuar në Belgjikë.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, kanë intesifikuar veprimet hetimore për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Policia njofton se: 

Në kuadër të veprimeve të thelluara të kryera në vijimësi, si dhe atyre të kryera gjatë dy ditëve të fundit, nisur edhe nga konflikti mes 2 vëllezërve me disa persona të tjerë, u bë e mundur zbardhja e disa ngjarjeve kriminale, si dhe qëllimi i konflikit të ndodhur më datë 02.10.2022, në autostradën Durrës-Tiranë, në vendin e quajtur “Koxhas”, ku disa persona me automjete kanë goditur motomjetin e dy vellezërve G. B. dhe I. B. dhe më pas kanë marrë me vete, njërin prej tyre, për disa minuta.

Në sajë të veprimeve të shpejta, reagimit dhe presionit policor, personat që kishin marrë në automjet shtetasin I. B., në pamundësi për të dalë me automjet nga perimetri i rrethimit të Policisë, e kanë lënë në rrugë shtetasin I. B., kanë braktisur automjetet dhe kanë mundur të largohen në këmbë.

Nga tërësia e veprimeve hetimore u bë dokumentimi i plotë i kësaj ngjarjeje dhe identifikimi i autorëve të saj. Është vënë në pranga njëri prej autorëve dhe janë shpallur në kërkim 3 të tjerë. Gjithashtu u sekuestruan mjetet e përdorura në këtë ngjarje. Në automjetin me të cilin është marrë peng shtetasi I. B. janë gjetur dhe fiksuar prova shkencore.

Në vijim të hetimeve të thelluara, të nisura më parë nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka rezultuar se personat e arrestuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vepruar në formën e një grupi të strukturuar kriminal, nga viti 2021 dhe në vazhdim.

Shtetasit G. B. dhe I. B., në periudha të ndryshme kohore, janë kontaktuar nga shtetasit K. Z. alias K. S. dhe I. F., për llogari të shtetasit K. N., kundrejt pagesave nga 50 mijë deri 150 mijë euro, për të kryer vrasjen e një shtetasi dhe të nipërve të tij, në qytetin e Tiranës, si dhe për vrasjen e shtetasit A. M., në qytetin e Durrësit.

Për realizimin e kësaj veprimtarie, 2 vëllezërit janë paguar paraprakisht me një shumë prej 6000 eurosh. Fillimisht ata kanë siguruar kushtet e nevojshme për kryerjen e vrasjes, si armë zjarri, automjet, motoçikletë, si dhe kanë marrë me qira një banesë, në afërsi të objektivit.

Në lidhje me objektivin e parë për të cilin ishte marrë porosia, për një shtetas dhe nipërit e tij, ishte planifikuar që vrasja të behej në zonën e Don Boskos, pasi ky shtetas frekuentonte një lokal të caktuar në këtë zonë. Pavarësisht porosisë dhe planifikimit, shtetasit G. B. dhe I. B. nuk kanë kryer veprime aktive në këtë ngjarje.

Vrasja e këtij shtetasi nuk u krye për shkak të ngatërrimit të objektivit dhe për pasojë, më datë 04.01.2022 u vra shtetasi A. Ç. alias E. Ç. dhe u plagosën 4 shtetas të tjerë. Autori i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë shtetasi K. Z., i cili pas ngjarjes është ndihmuar nga dy vëllezërit, për t’u larguar jashtë shtetit.

Në lidhje me planifikimin dhe marrjen e porosisë për vrasjen e shtetasit A. M., nga hetimet e thelluara rezultoi se 2 vëllezërit kishin siguruar kushtet për kryerjen e vrasjes së tij. Dy vëllezërit ishin porositur nga shtetasi K. Z. dhe kjo vrasje ka ndodhur pak kohë më vonë, por ende nuk është zbardhur plotësisht se nga kush është kryer kjo vrasje.

Nga hetimet e thelluara rezulton se prosositësi i dy vrasjeve të mësipërme është shtetasi K. N., i cili aktualisht është i arrestuar në Belgjikë. Ky shtetas ka porositur shtetasin K. Z., i cili ka paguar dy vëllezërit, për krijimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve.

Gjithashtu, dy vëllezërit janë kontaktuar dhe porositur edhe nga shtetasi F. B., që kundrejt pagesës të kryenin vrasjen e shtetasve S. Z. dhe I. H. Për këtë veprimtari kriminale, vëllezërit kanë marrë një shumë paraprake prej 3500 eurosh dhe kanë siguruar mjetet për realizimin e kësaj ngarjeje dhe konkretisht 4 kg eksploziv, si dhe një armë zjarri automatik, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, gjatë datës 3 tetor 2022.

Personat e tjerë të lartpërmendur, aktualisht të arrestuar, janë të përfshirë në aktivitetin kriminali të dy vëllezërve.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 1 kallashnikov, municion luftarak, 4 kilogramë eksploziv, fitil zjarrpërcjellës, detonator elektrik për shpërthime në distancë, 4 automjete, nga të cilat 2 blinduara, 2 motoçikleta, lëndë narkotike kokainë, 17 aparate celulare, 3050 euro, 2 armë gjahu shotgan, 1 thikë, sprajt neutralizues, 4 pistoleta sportive dhe 1 palë targa.

blank

Strasburgu rrëzon vetingun- Besnik Cani u shkarkua nga Luan Daci

Gjyqtari Besnik Cani, i shkarkuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, ka fituar gjyqin në Strasburg. Besnik Cani u shkarkua në 27 shkurt 2020 nga KPA.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit e shkarkoi nga detyra prokurorin Besnik Cani pas ankimimit që bëri Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM).

Fillimisht Cani kaloi vetingun pavarësisht disa problemeve që shfaqi me pasurinë. Më pas, ai u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Gjithashtu, edhe Komisioneri Publik ankimoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që pavarësisht problemeve me justifikimin e pasurisë dhe anën profesionale dhe etike, e konfirmoi në detyrë prokurorin Cani.

Pjesë e vendimit për shkarkimin e tij ka qenë dhe Luan Daci, i cili u dënua me vendim të formës së prerë me shërbim provë për falsifikim dokumentesh.

Tashmë hapet mundësia që të gjitha vendimet ku ka qenë pjesë ish-anëtari i KPA, Luan Daci, të ankimohen në Strasburg. syri.net

blank

Berisha jashtë sallës së Parlamentit: Basha të bëjë transparent problemin e fondeve ruse

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një prononcim për mediat jashtë parlamenti kërkoi që Basha të bëjë transparencë lidhur me akuzën e fondeve ruse.

Kjo thirrje është e disata herë që drejtohet Bashës pasi ai është anëtar i PD-së dhe deputet i grupit të PD, duhet të sqarojë të gjitha dyshimet që janë ngritur.

Pyetje: Keni një koment për disa takime që ka nisur Lulzim Basha me disa anëtarë të PD-së?

Berisha: I vetmi koment që kam unë për Lulzim Bashën është të bëjë transparent problemin e fondeve ruse. Kjo është shumë serioze. E them në mënyrë të vendosur. Unë nuk kam komunikuar kohët e fundit, por Komisioni i Auditit i krijuar për këtë qëllim atij do ti japë të drejtën të shpjegojë këtë aktakuzë të rëndë, por tërësisht personale, pasi është faktuar se ajo nuk ka pasur lidhje me asnjë institucion të PD, nuk ka hyrë dhe dalë nga arka e PD, asnjë qindarkë. Kjo është e sigurtë.

Unë mendoj se është e domosdoshme që ai të sqarojë këtë akuzë të përsëritur, tashme. U bë njëherë nga gazetarë të Mother Jones, por tani nuk janë gazetarë, por shërbime inteligjente të SHBA.

Pyetje: Këto takime i shikoni si të padëmshme që bëhen pak muaj para zgjedhjeve lokale?

Berisha: Nuk kam asnjë lloj impresioni. U thashë edhe njëherë, me Bashën kam vetëm këtë problem, përsa kohë ai është anëtar i PD-së dhe deputet i grupit të PD, ai duhet të bëjë transparencë dhe ky është një kusht shumë i rëndësishëm. Nuk mund të pranohet një gjë e tillë pa u sqaruar. Të gjithë presin këtë sqarim.syri.net

blank

Spiropali e përfshirë në aktivitet kriminal? Zagani: E dyshuar si kontigjent

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali rezulton në mesin e emrave të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale apo të dyshuar kontingjentë, në dokumentet e publikuara sot nga “Homeland Justice”.

Ish-shefi i anti-drogës, Dritan Zagani, teksa komentoi deklaratën e Spiropalit në edicionin e pasdites me Armela Ferkon në Syri Tv, tha se ministrja e Ramës ka të drejtë kur thotë se ‘gjithçka flitet është qesharake’.

Sipas Zaganit, Spiropali përfaqëson një shtet jo qesharak, por shtet bananesh që ja kanë ulur të brendshmet në tokë.

“Emri i saj për mendimin tim, duke mos pasur të dhëna dhe sqarim të plotë të Policisë së Shtetit, kjo kam dyshim mos është listë nga ato që policia i regjistron si të dyshuar për një vepër penale të ndryshme.

 Ngelen aty për një afat të pacaktuar. Kur nuk ka një aktivitet të provuar kriminal, nuk kalojnë më për procedim, ngelen thjeshtë të dyshuar si kontigjent.”-tha Zagani.

blank

Habit policia, hakerat nuk kanë marrë të dhëna, por mos i publikoni…

Pas publikimeve në media dhe në rrjetet sociale të të thënave shumë sensitive të policisë së shtetit kanë reaguar edhe këta ta fundit duke i kërkuar, medias që të mos publikojë të dhënat që janë bërë publike nga hakret e Homelen Justice

REAGIM I POLICISË SË SHTETIT:

Nga deklarimet e bëra sot në media dhe referimet e këtyre deklarimeve, sipas të cilave janë marrë të dhëna nga sistemi MEMEX, sqarojmë opinionin publik se ky sistem nuk është prekur dhe se këto të dhëna nuk kanë të bëjnë fare me databazën e sistemit policor MEMEX.

Policia e Shtetit njofton se, deri në këto momente, nuk janë prekur apo dëmtuar të dhëna sensitive që administrohen në këtë sistem, të cilat kanë të bëjnë me punën policore.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, po heton origjinën e rrjedhjes së këtyre të dhënave dhe apelon që, në zbatim të urdhrit të prokurorit, të datës 19.09.2022, të mos publikohen nga mediat audiovizive, të shkruara, online, në rrjete sociale apo në çdo formë të publikimit apo transferimit, të dhëna që postohen nga autorët e këtij sulmi kibernetik ndaj sistemeve dixhitale të Policisë së Shtetit. syri.net

blank

Hakerat publikojnë kartotekën e MEMEX- Berisha: Çdo gjë në këtë shtet të mafias, ndodhet në duart e krimit

Kryetari demokrat, Sali Berisha, denoncoi sot publikimin nga nga hakerat të listës së çdo shqiptari të dyshuar për krime në vend.

Berisha tha se ky është një moment jashtëzakonisht i rrezikshëm për vendin.

“Denoncoj vendosjen nën kontroll të plotë nga krimi shtetëror i të gjitha të dhënave të këtij vendi, me gjithë mohimet e papërgjegjshme të kreut të këtij shteti, që funksionon si një shtet i mafies.

Njoftimi i mëparshëm rezulton 100 përqind i vërtetë. Sot, nga sistemi MEMEX, i cili përbën kartotekën e punës 30-vjeçare të Policisë së Shtetit, janë publikuar 105 mijë emra shqiptarësh, të dyshuar, të hetuar nga policia për krime të llojeve nga më të ndryshmet.

Nga sistemi janë ekspozuar emrat në mënyrë që të paralajmërohen të gjithë ata që janë në vëzhgim, janë në hetim, janë në shqyrtim për aktivitete të ndryshme kriminale.

Është ky një moment jashtëzakonisht i rrezikshëm për vendin. Është ky një moment që dëshmon se çdo gjë në këtë shtet të mafias, ndodhet në duart e krimit.

Është ky një moment, në të cilin Shqipëria bëhet vendi më i rrezikshëm në Ballkan dhe Europë, pasi paralajmëron kështu, kontigjentet e delikuenteve të saj se janë në ndjekje dhe mbikëqyrje policore, dhe se ata për të shpëtuar, duhet të largohen,” tha Berisha.

syri.net


Send this to a friend