Bisedë me koleksionistin e rrallë, ing. Kozma Dashi
Një rastësi e bukur ishte takimi me Kozma Dashin. Pas telefonatës së vonë të së dielës e lamë që të takoheshim të martën në Sheraton. Një pamje artistike (fundja me art merrej!), një aromë e ngjyrë disi e çuditshme. Dy burra që njihen për herë të parë dinë t’u vijnë rrotull edhe fjalëve, ndërsa mua po më dukej se gjithçka që thoshte, përplot mahni dhe kujdes, më vinte si para një një biblioteke të vjetër; veç që ishte edhe burrë i pashëm, veshur me shije, pa rrudha në fytyrë, me një të qeshur të lehtë e me sy të ngujuar mbi fytyrën time, jo për të parë përshtypjen që krijonte në lidhje me ato që thoshte por në mënyrën sesi e bënte (një paraqitje tërë elegancë), sigurisht as nga vjetërsia. Kishte qenë deputet dhe kjo nuk i hynte në punë, ashtu si nuk i hynte edhe mosha (padyshim një inxhinier i specializuar dhe me biznes të sigurt), me sy bojë kobalti të thellë e me një vijëzim të lehtë por që binte në sy. Më tërhoqi që në fjalën e parë. Mbi të gjitha dinte të afronte si me magji në bisedë. Një koleksionist i madh, i gjithanshëm, me energji dhe përplot plane e, padyshim, i ndriçuar plotësisht në projektet e veta.
Tri janë shtyllat e asaj që trashëgojmë nga shqiptarët e mëdhenj, më tha, me një siguri të hatashme: Aleksandër Moisiu, Gjon Mili dhe Ibrahim Kodra. Hm. Kam kërkuar për çdo njërin prej tyre vlera të mëdha. Dhe më tregoi një pamje rrëqethëse të syve të jashtëzakonshëm të Moisiut në Moskë, kur regjisori i madh e ngrinte «skenën në mes të sheshit dhe i ngjethte shikuesit me një madhështi më vete. Artistja ruse, piktorja e veçantë në stil e në formë, ndiqte një shkollë të sajën në ngjyrë dhe në paraqitjen e portreteve, duke u mbështetur në lashtësinë egjiptiane. Ata sy të Moisiut edhe tani që shkruaj s’më hiqen nga mendja! Mbeta gojëhapur dhe i pataksuar. Një gjë e rrallë, m’u bë t’ia thosha në sy Kozmait. Ai sikur ta ndiente kaloi tek Lasgush Poradeci. Nuk e beson, por unë vërtet kam gjëra të rralla. Një portret i Lasgushit: I parë në portrete të tjerë, por jo në atë pamje mbresëlënëse e që s’mund ta largoje nga përfytyrimi yt i kujtesës. I madh, me shprehje ngacmuese dhe ngashënjyese. Po mbi të gjitha si një koleksion i mrekullueshëm, i rrallë dhe që të dhuron një tjetër energji, me një rrezatim të çuditshëm. Pasaporta është gati, thotë koleksionisti i madh, autori një piktor mjaft i njohur, analiza artistike dhe ajo psikologjike, ngjyrat dhe sfida për t’i paraqitur në një publik të gjerë. Po punët e Lasgushit, piktori, vajzat me pamje magjie, si zanat e sapo dala nga pylli i ëndërrt, pranë një kroi, me ngjyra të shprehura qartë e me ngrohtësi të rrallë, si? Qafat e gjata dhe trupi që mbetet të ndizet me një përfytyrim makthi. Po këto? Ku? Kur? A do t’i jepen publikut? Se ky është një dimension i qashtër i Poetit. Fundja shkollimi i tij në pikturë na shtjell brenda magjisë së artit. Sytë e mëdhenj i sjellin pranë Moisiut…
Ah ! Puna e koleksionistit ! S’dihet pse duan të fusin në të një aromë vjetërsie, ca dosje që kanë zënë myk prej shumë vitesh, një ankth i pluhurt që mezi del në sipërfaqe. Kozma Dashi ka kohë që i ka hedhur pas shpine këto. M’u dha rasti t’i shoh disa syresh në telefonin e tij, në një çast pauze kur nuk bisedohej. Më dukej sikur aty pranë nesh vinin jehonat e largëta të mitingjeve dhe munxa e tyre luftarake tashmë sikur na zbaviste. Ç’ishin ato gjetje të rralla që ndoshta vinin erë myk saqë mund të të zinin teshtimat? Si i gjeti dhe arriti t’i bënte të tijat veprat e mëdha të piktorit neokubist Ibrahim Kodra? Dhe befas kemi dëshirë të flasim për personalitetin e tij krijues. Ibrahimi, Maestro Kodra, që fatin e njësonte me karakterin, që magelanizmin e tij e quante risi të pazakontë që i ushqente artin e përmasave botërore, krenarinë e mbyllur në një guaskë që edhe qeveria postkomuniste nuk ia gjeti dot tragën, apo ndoshta pse iu përvodh dyllit të sekuestros. Mund t’i merrje me radhë dhe të filloje për t’i vërejtur. Kam edhe portën e shtëpisë së tij të bërë aty për aty me pastel. Hm. Nëse do të jetë e mundur t’i bëhet monografia atij burri, sigurisht do jetë një punë fort e vështirë, sepse sheh vetëm brenda, me gjithë tentativën e lavdërueshme të Abdulla Tafës që e ka përvijuar gjigantin. Të bën përshtypje të thellë Kozma Dashi, veç që të imponohet me strukturën e të menduarit artistik, pa ndonjë skenar, krejt ndryshe nga ajo që përdoret zakonisht, të sjell nëpër mend variante të shumta te Shtëpia e Koleksioneve të rralla në Fier. Që nesër mund të jetë edhe në Paris.
Mos, mos e thuaj. Koleksionisti ka ca norma artistike paksa të rralla dhe me mjaft dinamizëm, patjetër me emocion si askund tjetër. Kjo edhe e bën të famshëm, gjë që më tërhoqi dhe më bëri të mendoj thellë, pasi i njihte mirë veprat, me ndjesinë e një argumenti të fortë e krejt të dobishëm. Nuk është e lehtë të mendohet me thjeshtësi. Kur iu desh të çonte ekspozitën e veshjeve popullore shqiptare nëpërmjet kartolinave të bëra para vitit 1944, në Helsinki, fliste për peripecitë për të siguruar në mënyrë mjeshtërore të dhënat rreth secilës kartolinë dhe për çdo veshje. Dhe tregonte rrjedhshëm si për një histori dashurie. E ç’ishte lahuria? Mëndafsh në gjithë ngjyrat e ndezura e të qeta që e hidhnin gratë mbi kohë (e lehtë që e merrte era!). Të bëhej se ishte shkruar një skenar për çdo kartolinë me veshjet e mrekullueshme shqiptare. Lahora e Pakistanit dhe Stambolli i Perandorisë Osmane. Origjina e vjetër ishte Lahora dhe myzeqarkat e ruanin me emrin që ua kishin lënë amanet gjyshet, e që ua kishin sjellë dhuratë burrat në kthim prej Stambolli. Dhe pas çdo përgatitjeje serioze, argumenti në një anglishte të pastër, madje dhe ngacmuese, të çonte në udhën e mbarë të një ekspozite me dinjitet. Pas suksesit të bujshëm të ekspozitave në Helsinki, apo në Londër, Paris e Madrid, duhej të mendonte seriozisht që ato kryevepra të mos mbeteshin pa u publikuar, pa dritën e botimeve për të qenë edhe në internet) sigurisht të mbrojtura, pasi mundësitë e tanishme janë të jashtëzakonshme. Balada e koleksionistit është bërë e njohur kudo, por të paktë janë ata që njohin thelbin e punës së vërtetë të tij, psikologjinë dhe artin, të cilat veshin bukur edhe specialitetin e ngushtë të inxhinierit, jo vetëm duke fituar disa çmime të rëndësishme ndërkombëtare, krahas projektit të tij për të pasur një arsenal të vërtetë të pikturës së vjetër shqiptare, Xega, apo Idromeno, Kushi apo libra të rrallë, filateli e fotografi, sende të rralla, modele të vjetra, porositë në libra të vjetër e të panjohur dhe objekte me interes vetëm kombëtar. Por… po futi duart politika? Nuk e di, çdo gjë mund të ndodhë. Dhe shembullin e kemi midis nesh, pasi ajo që ndodhi me Sotiraqin ishte dhe mbetet plagë dhe njollë mjaft e rëndë…
Shqipëria fashiste? Po, ekziston. Ashtu siç kemi qytetet shqiptare, jetën e vendit tonë në periudha kohore të largëta që të fut në ngasje për tema mjaft me interes. Po edhe lufta, pse jo. Për një koleksionist s’ka tabu, por kurdoherë bashkëpunim dhe art. Kësaj i mëshoj fort, sepse forca e argumentit artistik duhet ta shoqërojë bukur një vepër, apo një seri veprash. Koleksionistët takohen çdo javë në Tiranë dhe diskutojnë punët si shoqatë, tejkalojnë vështirësitë, u japin rrugëzgjidhje problemeve dhe sidomos veprimtarive ndërkombëtare. Një veprimtari e përbashkët me koleksione natyrisht të rralla, por që në to tingëllon bujshëm dhe me pretendim e patjetër për të fituar çmim. Këto ethe i shoqërojnë si një bekim dhe ata nuk harrojnë të vënë pse jo edhe maskën e vetëpërmbajtjes dhe të krenarisë së lënduar. Kjo ndodh në çdo veprimtari, duke mbjellë një interes që disa herë çmohet për pasionin dhe energjinë sfiduese dhe vazhdon të na kënaqë me forcë gati demoniake në çdo kohë. E me që zumë ngoje historinë më duhet të jem disi më konkret, shton koleksionisti i famshëm, pa e shuar buzëqeshjen e tij disi enigmatike, dukshëm të sinqertë dhe me një dozë ironie të fshehtë. Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare m’u desh të bëja një ekspozitë në Fier. Sigurisht me koleksionet e mia, nëpërmjet kartolinave, ku parakalonte e gjithë historia e vendit tonë, e trojeve tona. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Kuvendi i Alfabetit, Shpallja e Pavarësisë, burrat e mëdhenj të kombit, flamuri kombëtar, … vetëm koleksione të panjohura. Madhësitë origjinale. Por koleksioni i Shqipërisë fashiste është vërtet i rrallë. Ke për ta parë. Një magji e pa përshkruar…
Dhe siç ju thashë po merresha me projektin e Ibrahim Kodrës dhe doja të diskutoja pikat nevralgjike të albumit, librit, botimeve të shumta të bibliotekës së tij të pasur dhe me tregues të jashtëzakonshëm ku më duhej të rrëmoja me një kureshtje të ndezur si në një varrezë koleksionesh. Dua një tharm, thotë Kozmai, pa e lënë mënjanë gjuhën artistike, një gjetje vërtet të arrirë, përplot dokumente shpjeguese edhe të luftës. E përfytyroj koleksionistin në prag të kësaj ekspozite, dhe vjen një çast e nuk duron më, del nga zyrat e shtetit dhe ia nis me udhëtimet, dëgjon ç’rrëfejnë njerëz të zakonshëm, shënon në bllok plot raste që ngërthejnë emocione të forta, po asnjëherë nuk bën dramë, dhe ndërkohë nuk i del koha për gjithë ato shënime. Ai ka ardhur në këtë botë vetëm për punë të mëdha dhe mërzitet tmerrësisht shumë prej moskuptimeve. Mos vallë moskuptimet kanë vdekur? Jo. Atëherë e lë fare ekspozitën, e quan të dështuar bashkëpunimin, duke kërkuar të njihet vetë me dëshmitarët e kohëve të shkuara sigurisht duke qëmtuar të tjera dokumente, të tjera kërkime. Dhe e gjen duke lexuar dorëshkrime, të zë në gojë novelën e famshme të Cvajgut, Onufrin, piktorë të panjohur, i njeh nga afër dhe më në fund e gjen i udhëhequr më tepër nga parandjenja dhe një humor i këndshëm, që e shoqëron në bisedë. Duket si një bibliotekë me shumë relikte të zhdukura. Kushdo mund të thotë se po e humbiste dalëngadalë nën diellin e ftohtë të punëve që kërkonin si gjithnjë art dhe mençuri, dhe thua me vete se ky njeri i jashtëzakonshëm po i avitet muzgut të punëve të tilla që gjithë jetën të mbushin me frymëzim.
A mund të më falen ndonjëherë harresat, them, që të kem mundësi e të mbahem fort pas thelbit, tharmit që ngjiz punën e veçantë: librin dhe albumin për Ibrahim Kodrën? M’i lexoi mendimet Kozma Dashi dhe i qeshej me një pamje të rrallë. Më e natyrshme të thuhet se vepra e albumit për Maestro Kodrën mund të bëhet edhe një dashuri e mallkuar, siç janë rëndom dashuritë e mëdha. Nganjëherë ato iu ngjajnë humbjeve kur vërtet mendojmë se i kemi lënë diku dhe i gjejmë përsëri, ose i shpikim ngapak. Sa ka ndryshuar, mendoja, sytë këtij koleksionisti duhet të kenë mbetur po aq magjepsës. Kozma Dashi ishte mahnitur nga ky tharm kaq i veçantë, magjepsës, e kishte gjetur më në fund, ishte gati të fillonte sa më parë me një ekspozim të ri mjaft interesant… Por s’ndodh asgjë. Vetëm sa përhapet një lajm dhe presim të shfaqet një listë e re koleksionesh. Ç’trishtim që shoh në sytë e Kozma Dashit që përkrahjen e gjen në energjinë e tij, pa një përgjigje të qartë, ç’trishtim vërtet! Nuk duhet të humbasë asnjë shans i madh me këtë njeri të ditur. Po sa do të humbnim ende?
Ndodh dhe kështu, që fati të vijë sa për të trokitur dhe kur hap derën ai s’është më. Ç’t’i bësh, Kozma Dashi ndoshta s’ishte i sojit që s’merret me energjinë e tij, ndryshe ç’do t’i mbetej në fund? Ndoshta fati dhe i shpëtoi veprat e mëdha që i zotëron në mënyrë të mrekullueshme dhe në sasi që tërheqin vëmendje. Vepra e tij e pashoqe dhe titujt e librave të mëdhenj të rrëmbejnë, madje aq hollë sa ky njeri ka gjetur kohën të merret edhe me Bernatzikun e famshëm me veprën origjinale «Shqipëria – vendi i shqiptarëve». Ndoshta kështu dhe u jep një mundësi tjetër edhe kolegëve, se ky kërkim sjell pas përjetësinë…
Të shkruarit është gjë e lehtë. Gjithë ç’të duhet është të ulesh para makinës se shkrimit e të pikosh gjak.
Ernest HEMINGWAY
KUPLARAJA
MORAVIA, HEMINGUEJ, MORANTE DHE KODRA
«Kam këmbyer opinione dhe humor me Alberto Moravian, Lorenc Olivierin, Franko Xefirelin, Euxhenio Montalen, Dino Buxatin dhe Xhuzepe Ungaretin.»
Mistere, vetëm mistere. Kuplaraja e kish fillesën tek ajo natë e paharruar që i bëri të katër miqtë së bashku. Ishte një darkë me Alberto Moravian, të shoqen – poeteshën Elsa Morante, të madhin Ernest Heminguej dhe Maestro Kodrën, në nga restorantet e preferuara për ajkën milaneze. Dukeshin çuditërisht si të rrëgjuar, sikur vuanin prej një misteri të panjohur. Duhej të vinte gota e verës që të ndizej fjala, shikimet, nënkuptimet. Heminguej e donte Milanon dhe miqtë që jetonin aty. Një prej tyre ishte Maestro Kodra. Në qendër të skenës qe Heminguej. Sa e pa Elsa Moranten belbëzoi dhe ia nguli sytë gjoksit të madh të saj. Restoranti gëlonte. Një pianist, një grup balerinësh dhe një këngëtare dukej se do të mjaftonte, e krijonte dalldinë, e shmangte pakënaqësinë dhe i ndihmonte të krisurit.
Alberto Moravia i pashëm, pak i kërrusur, pinte verë të hollë, rrinte i heshtur dhe e priste me durim fjalën, ngjëronte ngapak gjëra të lehta, kur fliste me zërin e plotë, por asaj mbrëmjeje sesi dukej ca i dëshpëruar. Maestro Kodra nuk po ia gjente rastin për ta pyetur në lidhje me krijimet e fundit. Elsa Morante, ah Morante, me gjoksin e madh dukej e krijuar enkas për t’u rënë të tjerëve në kokë për të, dhe aq më tepër që linte pas një mjegull të lehtë mendimi se ajo nuk ia varte askujt. I vinte jashtëzakonisht keq që po e shihte gjeniun e letrave, Heminguejin, në gjendje disi të dalldisur që frikësohej se mos dikush atë mbrëmje të gëzuar do t’i vdiste në duar. E megjithatë pse, pse tërë ajo melankoli e çuditshme. Takimi nuk ishte bërë për Elsa Moranten, por Hemingueji sikur u fshihej të dyve, Kodrës dhe Moravias dhe mbeti i ngujuar tek ajo, sikur kishte ardhur enkas për të, ndonëse duket si e pabesueshme, edhe pse mes klientëve të përnatshëm. Takimi me Maestro Kodrën gjithnjë i kishte sjellë shans, ndonëse gjithnjë e quante shqiptar enigmatik, që për Heminguejin fshihte një qëndrim shpërfillës, ndonëse shpesh me një hije si të dëshpëruar, një mister, të cilin përpiqej që ta zbulonte patjetër. Dritë hije e veçantë. S’ka talente për pikturë këto kohë, thoshte, po ndoshta bëhet ky enigmatiku ynë! Dhe qeshte. Maestro Kodra e vuri re. Ti je një mik, mjeshtër! Heminguej qeshte përplot ëmbëlsi. Këtë e kam njohur nga afër. Por sytë e Heminguejit ishin ndezur. Vera milaneze bënte të sajën. Ai nuk thoshte dot se i pëlqente të shfaqej, të tregonte dhuntinë e tij të veçantë. Çfarë kishte në dorë? Çfarë i pëlqente më shumë? Gjoksi i shkëlqyer i Elsa Morantes. Moravia qeshte. Maestro Kodrën e mbuluan retë e mendimit dhe ndoshta ato të zakonit shqiptar. Mos e shiko kështu gruan e mikut tënd, o i pacipë. Mos kishte ndërmend të bënte ndonjë të pabërë? Shikim vërtet i ndezur, i koklavitur. Elsa, unë jam një nga ata të paepurit e seksit, duket sikur belbëzonte Heminguej me këmbënguljen e llahtarshme të shikimit. Të kujtohen personazhet? Pamje që tronditin shpirtrat. Dhe merita është e një figure kaq eksituiese, që ka një emër të madh: Morante…
Tani le të pimë pak, i tha Kodra Moravias. Skenën e restorantit e ndiqte shpura e bukur e mendimeve, një pafundësi e lakmuar, shpërfillje e çuditshme. Këtu mund të pinin vetëm verë, pafundësisht verë. Ia njihte damarin e keq në majë të gishtave Heminguejit. Gjer në hollësitë më të parëndësishme. Dhe kjo ishte meritë e Pikasos. Madje e dija ku mund të duartrokiste më fort. Ishte gati të vdiste për një vështrim ngulmues mbi gjoksin ulëritës të Elsa Morantes. E tmerrshme. Gjë që nuk durohej. E dija se ç’mund të bënte. E thirri një nga djemtë e restorantit dhe i pëshpëriti diçka. Ata e dëgjuan me kujdes Maestro Kodrën. Ai ishte restoranti i tij. Restoranti i serigrafive të mëdha, të gjitha me firmën e tij. Nuk i ecën kujtdo, Elsa. Ëndërron të luaj dikush edhe me ty. Dhe u bëhet fiksim! Ndoshta çmenduri. Erdhën të dy djemtë dhe i thanë diçka në vesh Heminguejit. Ai u ngrit menjëherë, gjithnjë duke mbajtur sytë mbi gjoksin madhështor të Morantes. Sy të ndezur. Vështrim i çmendur. Maestro Kodra buzëqeshte lehtë. Do të vëmë një bast, i tha Moravias. Dhe e vunë bastin: A do të ishte i ndezulluar vështrimi i Heminguejit kur të kthehej? Edhe më keq, tha Elsa. Të shohim! Ndoshta nuk e menaxhon dot mirë dashurinë, pa iluzione, nga zemërimi, nga vija e hollë midis gjenialitetit me çmendurinë. Kishte ardhur në qejf me sytë aq të zjarrtë, thoshte Moravia. Restoranti gjithnjë plot. Melodi me piano, zëri i ëmbël i këngëtares bukuroshë, balerinët, vera…
Ajo mbrëmje do të shkonte deri vonë dhe e dinin se sa të dilnin nga restoranti do të mbeteshin të vetmuar në bulevard, do të qëndronin një copë herë përpara një shtëpie fisnike dhe do t’i faleshin shenjtërisë, kopshtit me kangjella, aromave të mëdha që vinin së andejmi, kur drita e hënës vërshonte mbi ta dhe mbi qytetin e qetësuar. Por kjo do të vinte më pas. Moravia shihte të shoqen dhe Kodrën. Maestro po mërmëriste shqip, nuk kthente përgjigje, shikonte këmbët e veta, vazhdonte dialogun me veten dhe fisnikëronte këmbënguljen, kur e kur ngrihej dhe recitonte ndonjë varg me një italishte të pastër. Njeri i çuditshëm, mendoi Moravia që e kuptoi situatën, ndërsa Morante qe kthyer në një egërushe. Nuk ishin më aty sytë e dikujt mbi gjoksin e saj madhështor. Asnjë mendim s’futej dot kurrkund, prandaj dhe Maestro Kodrën s’e mbante vendi. Ç’njeri i fantaksur! Le të bërtiste në kor i gjithë restoranti. Dhe në ekspozitë Heminguejin s’keni për ta parë kurrë. Ju lutemi! Ishte art më vete ai gjoks, ai totem i jashtëzakonshëm, i një femre të rrallë, natyrisht si një kryevepër prej mjeshtri. Padyshim një fenomen. Maestro e mendonte paksa më ndryshe: Ky ishte apokalips në art. Ka aq shumë vërtetësi dhe parfum natyral peneli im, thua? E pse qenkam enigmatik, pse kërkoj që të mbretërojë ndershmëria? Sa do të doja të mbretëronte edhe lirizmi i freskët i shpirtit dhe i penelit! E di, askush s’mund ta fshehë prirjen e fshehtë dionisiake për t’i theksuar ca volumet, format që të lënë pa mend. Po vijat sensuale të femrës? Në mbyllje dua t’i jap krahë misterit, idhullit të dashurisë dhe sogjetimit të madh heminguejan. Si do t’ia përballonte shikimin atij? U drodh paksa. Por… Gjithçka ishte në vendin e vet. Gurët për t’i lëvizur i kishte ai. Pas disa ditësh ai mund të takohej sërish me ta pa u turpëruar. Do t’ia ndjenin hapat, parfumin e lehtë mashkullor aq tërheqës dhe do të ndalej. Nuk do të trokasësh në këtë shtëpi? Jo. As të dashurën nuk do ta puthësh? Jo. Jam shumë i trishtuar, më teprojnë mendimet e mia po edhe mjegulla e zakoneve të ënjtura që nga fëmijëria e largët më ngacmojnë, aq sa nuk kam fuqi për t’i ndjerë. O zot, vetëm unë do të dilja i humbur? Më vjen keq… Ishte zëri i Elsa Morantes dhe ai u drodh. Por vetëm kaq. Pastaj sikur donte ta mbante mend këtë çast për tërë jetën.
Pas një ore Hemingueji erdhi sërish. Koka ulur. Vështrimi i përhumbur, ndjehej që qe kthyer në tjetër njeri, i mërzitur si nga publiciteti, i velur nga fama dhe fotografët. S’më mbajnë këmbët, po ulem, tha. Një gotë verë dhe pas saj dua të më shajnë, o sa më pëlqen e shara. Dhe ngadalë e mblodhi veten. Maestro buzëqeshte. E dini ç’ndodhi, miq? Kjo është e jashtëzakonshme Elsa! E di që e kam nga Maestro Kodra! Vetëm ky, shqiptari enigmatik, që më do kaq shumë, mund ta bënte këtë. Dëgjove Alberto? Ky, ky e bëri lojën. Më dërgoi në kuplara! Ja, ky! Askush tjetër s’mund ta bënte këtë! Elsa qeshi dhe u duk se po mbytej. Dhe e qeshura e fshehur dhe disi e menduar e Kodrës. Alberto Moravia fshinte lotët. Paskam ardhur në ferr, vijonte mjeshtri i letrave, gjeniu, tani të kuptoj, Kodra, e ke nga tradita… Edhe spanjollët. Je treguar i madh, i zgjuar, tradicional. Kot. Rraskapitje. Ku është suksesi i bujshëm? Po emocionet e mëdha? Ç’u bë, ku u fsheh ajo, lumturia e të qenit serbes e megaloman, me gjërat e përsëritshme, të padjallëzuara. Thënie, filozofime, lindje dhe vdekje, të qeshura dhe të qara, spitale dhe shtëpi pushimi, luftë dhe paqe… Po si të erdhi në mendje, Kodra? Nuk ta harroj këtë gjë të bukur. Ma ule kokën. Isha ndezur, Elsa! Mendimi duhet të lëvizë. Dhe tek ne sonte lëvizi bukur. Më në fund. Pata shans se atje gjeta një mike të vjetër. Ja si ma hoqi nga dora ndershmëria dhe kanuni i shqiptarit enigmatik me emrin Ibrahim Kodra! Një piktor i madh, por e paska një të keqe, ky dhe kanuni i tij e marrin seriozisht dashurinë! Jua them unë…
Alberto Moravia qeshte me lot. Elsa Morante nuk përmbahej nga zemërimi dhe nga tensioni i tundej gjoksi i madh. Ky ishte shansi i Maestro Kodrës. Sikur e priste atë rast. Dhe ky u kthye në fat, që e ndihmoi egërsisht. Humba një shans të madh me Elsa Moranten, tani jam shurdhuar, jam brenda shkakut tim. Erdha si bohemian i marrë dhe mbeta në kutinë e tualetit. Dhe e kam nga mjeshtëria jote! Po, një bohem s’mund të dashurojë. Maestro, më bëre viktimë të kësaj nate. Shiko sa afër të vërtetave jemi, miqtë e mi.
Vera rridhte mbi tavolinë. Shprehje që s’bëjnë përshtypje, hidhi në tokë dhe përplasi në qiell. Kështu. Si shumë shaka e bukur kjo, Alberto. Tani s’di ç’të bëj pa Elsa Moranten. Më kuptoni? Pas na ndjek nata. Ajo kthehu kokën nga Heminguej, përplot gëzim dhe pëshpërima. Po shkalloj nga gëzimi i kësaj mbrëmjeje të veçantë.
Dhe mbeti thënia e Kodrës: Të katër do ta gdhijmë sonte! As vera s’përmbahet më, as kënga, as shendi, as arti dhe të katër u kthyen në totemë të veprës që po çelte tiparin në tryezën e sakatuar bohemiane…
Komentet