Ndarja e parakohëshme nga jeta e Prof.Dr.Maks Cikulit ka shkaktuar dhimbje të thellë jo vetëm për Familjen, të afërmit, kolegët, miqtë e shokët, por tek të gjithë shqiptarët që e kanë njohur profesionistin e shkëlqyer, shkencëtarin, mjekun humanist, njeriun e palodhur, intelektualin elitar, shtetarin me integritet.
Maks Cikuli një personalitet i rrallë që ia dha kontributin e tij të palodhur shkencës shqiptare, mjekësisë shqiptare, pacientëve, shteti dhe qytetarëve shqiptarë.
Ai ishte nga të vetmit, në mos i vetmi, që solli në politikë dimensionin e intelektualit, duke dëshmuar se atij i mjaftoi personaliteti i tij edhe në detyra të larta partiake dhe shtetërore, duke dhënë kontributin e tij të vyer në postet që pati dhe duke mos përfituar për veten e tij asgjë.
Cikuli u bë ministër i Shëndetësisë në vjeshtën e vitit 1994, pikërisht në kohën kur kishte shpërthyer kolera dhe çdokush mund t’i trembej përballjes me një situatë të tillë të pashembullt dhe në rrethana tejet të acaruara politike të asaj kohe.
Ai u dëshmua gjakftohtë shembullor në komunikimin dhe bashkëveprimin me mediat dhe arriti ta administronte situatën në mënyrën më të përkryer, duke krijuar në publikun e gjerë shqiptar qartësinë e duhur dhe gjendjen e duhur shpirtërore të përballimit të kolerës.
Të vetmet reforma që u bënë në sistemin shëndetësor të Shqipërisë në gjithë këtë periudhë të tranzicionit ishin ato që i ndërmori dhe i kreu Maks Cikuli. Para tij dhe pas tij në krye të dikasterit të shëndetësisë ishin përgjithësisht njerëz që ose nuk kishin të bënin me shëndetësinë, ose ishin të paaftë dhe të korruptuar.
E ka shkruar edhe Profesor Petrela, Shqipërisë i duheshin njerëz si Maks Cikuli. Ai ishte një personalitet me shumë shokë dhe miq nga elita intelektuale e mjekëve dhe nga elitat e tjera intelektuale në Shqipëri, pa e ndjerë asnjëherë nevojën të bëhej pjesë e klaneve përfituese të asnjë kategorie apo grupimi, pa u bërë asnjëherë pjesë e tyre. Sepse intelektualëve të mëdhenj, njerëzve të mëdhenj, siç ishte Maksi, gjithmonë iu mjafton personaliteti i tyre.
Kur klanet brenda Partisë Demokratike e mënjanuan, Maks Cikuli vazhdoi të mbante të njëjtin pozicion ndaj kësaj partie dhe njerëzve të saj deri në fund të jetës. Dhe nuk e ndryshoi qëndrimin ndaj kundërshtarëve të së djathtës.
Vetëm me njerëz si Maks Cikuli, Shqipëria mund të bëhet.
Maks Cikuli vjen nga një familje intelektuale, bir i dy mjekëve, i mjekut dhe shkrimtarit Zisa Cikuli dhe Zonjës Rachel Cikuli, në venat e tij rrjedh gjak shqiptar dhe hebre, një lidhje e mrekullueshme.
Kur Maks Cikuli është larguar nga kjo jetë, ne miqtë e tij ndjejmë boshllëk, pikëllim, por edhe krenari. Se e kemi patur Mik një njeri të tillë!
Miqësia e familjes tonë me Maks Cikulin ka në themel miqësinë e poetit Vehbi Skënderit, tim eti me mjekun dhe shkrimtarin Zisa Cikuli dhe bashkëshorten, mjeken Rachel Cikulin, një miqësi që ishte e shtrirë në rrethin e shkrimtarëve Sterjo Spasse e Nonda Bulka. Ishte një rreth vicioz shkrimtarësh që e vlerësonin, e çmonin njëri-tjetrin dhe që në momente të vështira i qëndronin pranë njëri-tjetrit.
Im atë pritej e përcillej në Familjen Cikuli, në Familjen Spasse, në ditët kur në fytyrën e tij përplaseshin dyert e të afërmëve tanë!
Im at, poeti Vehbi Skënderi i falej dhe i ishte mirënjohës tërë jetës miqësisë së miqve të tij sikur Marcel Proust kur thotë “Le të jemi mirënjohës ndaj miqve që na bëjnë të lumtur; ata janë kopshtarët që e bëjnë shpirtin tonë të lulëzojë “, në ditë kur bota duket e pashpresë.
Kaq sinqerisht duheshin dhe vlerësoheshin sa këtë dashuri të sinqertë e kishin përcjellë si edhe tek ne fëmijët, ne tek fëmijët tanë e kështu me radhë.
Tranzicioni i ka ndarë shqiptarët nëpër botë, por miqësitë e vërteta rrojnë gjithmonë e trashëgohen !
Dy mesazhe të shkëmbyera sapo kishte hyrë 2018 rezultojnë midis nesh të fundit, por dashuria, vlerësimi dhe respekti do të shkojë brez pas brezi, si trashëgimi tek fëmijët e familjeve tona, të Maksit, të Ilindenit, tanët e me rradhë…
Te dashur Elida e Skender,
Ju urojme Gezuar Vitin e Ri!
Rastesia e solli qe ne kete moment te jem me Ilinden Spassen duke folur per prinderit tuaj te ndjere e shume te nderuar.
Qe te gjithe ketej ju urojme shendet e begati.
Maksim Cikuli
Sent from my iPhone
Të dashur Maksi dhe Ilinden,
Ju flm shumë për këtë mesazh të bukur.
Prinderit tanë duheshin, çmoheshin dhe e respektonin shumë njëri-tjetrin.
Miqësia e tyre e shenjtë është trashëgimia jonë dhe e brezave që vinë.
Ne ju duam dhe ju çmojme ad hoc, ju e supermeritoni natyrisht, por ne na mjafton qe jeni bijte e Xhaxhi Zisës dhe Xhaxhi Sterjos.
Urimet me te mira per 2018!
Gëzuar! Me shendet e begati.
Kur t’ju bjere rruga ne Bazel, tek ne jeni ne shtepine tuaj.
Perqafimet tona
Elida dhe Skënderi
Jeta vazhdon dhe brezi i ri pastë një jetë të bukur, të angazhuar për të ndryshuar vendin sikur ka qenë në ëndërrat e gjyshërve dhe të prindërve !
Pa harruar kurrë Miqësinë! Miqësia nuk është ajo që të vjen pas kur je në majë të pushtetit apo suksesit, miqësia është ajo që në çdo rrethanë të jetës nuk të largohet kurrë!
VIJ ATY MIDIS JUSH PËR TË KUJTUAR VEHBIUN E DASHUR NË PËRVJETORIN E SHKUARJES SË TIJ Nga ZISA CIKULI, shkrimtar, mik i ngushtë i poetit VEHBI SKËNDERI
Komentet