Kreu i Kuvendit, Ilir Meta në prezantimin e kandidatëve të LSI-së në Lushnje deklaroi se koha e politikës së vjetër të pabesive do të marrë fund më 25 qershor.
Meta u tha se dy partitë PS dhe PD kanë dështuar në zhvillimin e vendit.
“Dy ish-emigrantë duan të përzënë gjithë shqiptarët nga vendi”, tha Meta.
Ai shtoi se “arroganca, konflikti politik, përçarja dhe pabesia duhet të marrin fund”.
Meta gjithashtu bëri thirrje nga Lushnja që dy kryetarët të largoheshin nga Shqipëria, dhe emigratët të ktheheshin në vend.
“Njerëzit duan të ikin nga Shqipëria sepse siç shkruante Dritëroi në vitin ’94, kur Saliu i parë u çmend dhe donte të bënte dhe ai një Kushtetutë të merrte një tepsi të madhe për vete, Dritëroi shkroi: Në vendin tim në vendin tënd, një kokë e çmendur të gjithë po i çmend.
Ndaj i bëj thirrje 600 mijë të rinjve dhe të rejave të mos u shkojë mendja të largohen nga vendi më i bukur në botë.
Por jo vetëm të rikonfirmojnë votën për LSI-së si forcë e parë ,por dhe të kërkojnë votën e familjarëve.
1 milionë shuplaka kundër oligarkisë.
Bënë marrëveshje që të marrin si shushunja fshehurazi koncesionet.
Shqiptarët janë të mençur dhe para se të ikin 56% e shqiptarëve për shkak të këtyre të dyve, të kthejmë këta në emigracion e shqiptarët të kthehen në Shqipëri”, tha Meta.
“Timonieri i lodhur e ka mendjen vetëm te karrigia e tij, ndërkohë populli largohet.
Kjo është arroganca e tij.
Erdhi fundi i kapitenit të kanabisit, që shantazhon njerëzit për votë për të mbajtur në punë shushunjat e koncesioneve”, tha Meta.
Kreu i LSI-së ka komentuar dhe akuzat ndaj ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti.
Ai tha se ata që e akuzojnë sot, i çuan lekët e fermerëve vetëm për kulla dhe projekte pa kuptim.
Komentet