Protesta e opozitës shqiptare ditën e djeshme në bulevardin para Kryeministrisë në Tiranë, nuk ka mbetur jashtë vëmendjes së medias ndërkombëtare.
Mes tyre edhe britanikja “The Mirror”, e cila i ka kushtuar vëmendje protestës kombëtare, duke raportuar se mijëra qytetarë u mblodhën në Tiranë në një demonstratë të thirrur nga opozita, në reagimin e tyre ndaj skandaleve të korrupsionit të qeverisë dhe zv/kryeministres Belinda Balluku.
Media informon se tubimi u mbajt përpara Kryeministrisë, ku protestuesit shprehën pakënaqësinë për thellimin e krizës politike në vend dhe kërkuan llogaridhënie si dhe drejtësi për aferat e dyshuara që përfshijnë kontrata të mëdha shtetërore.
“Demonstrata e organizuar nga Partia Demokratike në opozitë, u mbajt në përgjigje të akuzave për korrupsion kundër zëvendëskryeministres dhe tërhoqi mijëra njerëz”, shkruan The Mirror, duke iu referuar aferave të zbuluara nga SPAK për Belinda Ballukun.
“Një krizë politike është thelluar në Shqipëri që kur prokurorët antikorrupsion akuzuan zëvendëskryeministren Belinda Balluku për ndërhyrje në kontrata të mëdha shtetërore në fund të tetorit. Ajo dyshohet se ka ndërhyrë në tenderët publikë për të favorizuar kompani specifike në projekte infrastrukturore, të tilla si Unaza e Madhe e Tiranës dhe Tuneli i Llogarasë. Balluku i ka mohuar akuzat kundër saj, duke i quajtur ato “insinuacione”, “gjysmë të vërteta” dhe “gënjeshtra”, shkruan “Mirror”.
Më tej thekson se pavarësisht se u shkarkua nga detyra në nëntor nga Gjykata e Posaçme e Shqipërisë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar – SPAK – Balluku u rikthye në pushtet nga gjykata kushtetuese muajin e kaluar, duke çuar në protesta të gjera. SPAK është përpjekur t’i heqë imunitetin parlamentar për të lejuar arrestimin e saj, por ky vendim është shtyrë deri më 28 janar.
Rama e ka mbrojtur Ballukun dhe tha se vendimi për shkarkimin e saj vendosi “një precedent unik dhe të rrezikshëm”, duke shtuar se “pezullimi është absurd si koncept”. Ai i tha Politico muajin e kaluar se ishte “normale” që agjencia antikorrupsion të bënte gabime pasi është një “institucion i porsalindur me një pushtet të pavarur të porsalindur” që ka bërë “shumë gabime”.
“Udhëheqësit e opozitës kanë thënë se protestat antiqeveritare do të vazhdojnë”, vijon artikulli i The Mirror.