VOAL

VOAL

Më 20 nëntor 1952 u nda nga jeta Benedetto Croce, shkrimtar, filozof, historian dhe politikan italian

November 20, 2021

Komentet

Koço Kosta, arkitekti i absurdit dhe gjeografia e tjetërsimit- Nga LUAN RAMA

ExLibris

Në 85-vjetorin e lindjes së shkrimtarit

Në historinë e letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe të periudhës postkomuniste, Koço Kosta përfaqëson një nga rastet më të veçanta të shkrimtarit që nuk mund të lexohet brenda skemave tradicionale të realizmit shqiptar. Ai mbetet jashtë realizmit socialist, por edhe jashtë realizmit kritik të tranzicionit dhe postmodernizmit klasik europian. Vepra e tij krijon një univers autonom, ku historia, kujtesa, erotika, gjuha dhe absurdi ndërthuren në një strukturë ekzistenciale të errët e të fragmentuar.

Nëse romani “Absurdi” mund të konsiderohet kulmi konceptual i krijimtarisë së tij, ai nuk përfaqëson një shkëputje nga veprat e mëparshme, por emërtimin e hapur të një poetike të pranishme që në fillimet e saj. Nga “Unë dhe komiti” (1969), te “Mëhalla e Pelës” (2023) dhe deri tek romani në dorëshkrim  “I shkreti Foto Pagunë” të cilin unë kam patur fatin ta lexoj, përmes romaneve, novelave dhe tregimeve të tij, shfaqet i njëjti univers antropologjik: njeriu shqiptar si qenie e tjetërsuar, e çarë shpirtërisht dhe e paaftë për të krijuar marrëdhënie të qëndrueshme me realitetin.

Në këtë kuptim, Koço Kosta nuk është thjesht shkrimtar i absurdit; ai është anatomist i krizës së qenies shqiptare në kohën e socializmit dhe në tranzicionin pasues.

I. ABSURDI SI KATEGORI HISTORIKE DHE EKZISTENCIALE

Absurdi në veprën e Koço Kostës nuk paraqitet vetëm si atmosferë psikologjike apo teknikë narrative. Ai është mënyra përmes së cilës individi përjeton ekzistencën në një botë ku raportet midis njeriut, së vërtetës dhe realitetit janë shpërbërë.

Në traditën europiane, absurdi lidhet me krizën metafizike të njeriut modern; tek Kamy me heshtjen e universit, tek Kafka me burokracinë e pakapshme, tek Beketi me zbrazëtinë e pritjes. Tek Koço Kosta, absurdi merr dimension historik dhe kulturor shqiptar: ai lind nga deformimi i ndërgjegjes nën presionin e historisë.

Në sistemet totalitare, absurdi krijohet nga kontrolli total mbi jetën private, survejimi ideologjik dhe zhdukja e individualitetit.

Por madhështia e vizionit të Koço Kostës qëndron në faktin se absurdi nuk përfundon me rënien e sistemit totalitar. Në periudhën postkomuniste ai transformohet në absurdin e zbrazëtisë morale dhe shpirtërore.

Kështu, vepra e tij rrëzon iluzionin se liria politike mjafton për ta çliruar njeriun. Tek Koço Kosta, individi mbetet “peng” dhe “i plagosur” edhe pas rënies së sistemit që e shtypte.

Në këtë kontekst edhe natyra humbet neutralitetin realist dhe bëhet pasqyrim emocional i krizës së brendshme:

“Gjithçka gjallërohej përsëri, dhe, në zallin e bardhë përanë ujrave, mbi gurët e ngritur mu midis rrungajës nën degë të kërlëshura asish të palexueshme të drurëve, bëhej një pamje gazmore. Aq gazmore! Aq të fuqishëm, me kaq dufe e pasion e epsh na gatove , o Lumë!

O Qielli ynë! (Absurdi).

Këtu peizazhi nuk funksionon si dekor, por si shpërthim ekzistencial.

II. LETËRSIA E TJETËRSIMIT

Një nga boshtet themelore të krijimtarisë së Koço Kostës është tjetërsimi. Personazhet e tij nuk janë heronj të veprimit, por qenie të humbura në një realitet që nuk arrijnë ta kuptojnë dhe as ta kontrollojnë.

Ata jetojnë në pasiguri të vazhdueshme, nuk komunikojnë dot në mënyrë autentike dhe shpesh reduktohen në figura groteske. Ky depersonalizim është një nga tiparet më moderne të prozës së tij. Shpesh personazhet mbeten pa emër dhe identifikohen përmes detajeve fizike ose atmosferës së rrëfimit.

Ky proces kulmon në “Ata të dy dhe të tjerë”, ku personazhet kryesorë quhen Peshku i Kuq dhe Djaloshi i Pashëm. Këto nuk janë nofka, por forma të identitetit të shpërbërë. Personazhi nuk ekziston më si individ social, por si figurë perceptimi dhe gjendjeje.

Në një nga skenat më të forta të romanit:

“Përjashta Galerisë, përtej në trotuar, më në fund ndaloi, hoqi syzet, u kthye nga Peshku i Kuq, qeshi e vështroi drejt, e pështolli me krahët e gjatë dhe e puthi.

Dhe qau.

E di sa u preka? Edhe tani që e kujtoj prekem. Per kokën e

mamasë!

Qante nga gëzimi, sepse atje ishte me të. Që u takuan bashkë atje te Rembrandi. Nuk ta shpjegoj dot, nuk ta përshkruaj dot. Po çmendej nga gëzimi! Si të dashuruar! (Ata të dy e të tjerë).

Ky moment e zhvendos marrëdhënien njerëzore nga realizmi social drejt një intimiteti ekzistencial, ku arti bëhet më i rëndësishëm se identiteti.

Në  sistemet totalitare individi humbet veten për shkak të mungesës së lirive individuale; në tranzicion, për shkak të fragmentimit moral dhe zbrazëtisë shpirtërore. Ky deformim shfaqet qartë edhe në mënyrën si përshkruhet edukimi në romanin “Absurdi”:

“Fshati ynë! Edhe neve na sjellin në shkolla që të na mësojnë të shqyejmë, të hamë, të spiunojmë shoshoqin. Ç’nuk bëjnë që të na modelojnë të ligj e të pagdhendur. Perëndi!”

Kështu, Koço Kosta krijon figurën e “njeriut pa qendër”: një qenie që endet midis frikës, dëshirës, kujtesës dhe vetmisë pa arritur të ndërtojë identitet të plotë.

III. SHPËRBËRJA E NARRATIVËS KLASIKE

Një nga aspektet më të rëndësishme artistike të veprës së Koço Kostës është prirja drejt shpërbërjes së strukturës tradicionale narrative.

Në realizmin socialist rrëfimi duhej të ishte linear, konflikti i qartë dhe fundi optimist. Koço Kosta e saboton këtë model nga brenda.

Në prozën e tij koha fragmentohet, kujtesa ndërhyn vazhdimisht në rrëfim, realja dhe irealia bashkëjetojnë dhe subjektet nuk zhvillohen sipas logjikës klasike. Rrëfimi shpesh merr karakter halucinant dhe enigmatik, i ndërprerë nga shpërthime metaforike dhe gjendje psikike.

“O Fshati me kaq derte!”

Këto shpërthime emocionale e afrojnë Koço Kostën me traditën moderne europiane të Kafkës, Beketit dhe romanit ekzistencialist të shekullit XX. Megjithatë, ai mbetet thellësisht shqiptar në atmosferë, traumë historike dhe ndjeshmëri kolektive.

IV. GJEOGRAFIA E TJETËRSIMIT

Në korpusin letrar të Koço Kostës, hapësira nuk është sfond neutral ku zhvillohen ngjarjet. Ajo është strukturë psikike dhe metaforë e krizës ekzistenciale të personazheve.

Qyteti, fshati, rruga, hani, stina me borë, nata provinciale apo periferia urbane ndërtojnë një topografi ankthi dhe vetmie. Hapësira tek Koço Kosta nuk të orienton; ajo të humb. Personazhet lëvizin vazhdimisht, por nuk mbërrijnë askund. Rruga nuk çon drejt zgjidhjes; ajo bëhet metaforë e humbjes së kuptimit.

Ashtu si tek Kafka, individi endet në një realitet që nuk e kupton dot plotësisht. Por ndryshe nga Kafka, labirinti i Koço Kostës është thellësisht shqiptar: me lagështinë e provincës, mbylljen morale të komunitetit dhe heshtjen kolektive të trashëguar historikisht.

Natyra nuk paraqitet si harmoni romantike, por si pasqyrim i çrregullimit të brendshëm të njeriut. Bora shfaqet si figurë e izolimit dhe mpirjes emocionale; nata si territor ankthi; shiu si atmosferë paqartësie morale.

Një nga veçoritë më të dallueshme në shumicën e veprave të tij është prania e kafshëve si qenie narrative: kali, pela, qeni, gomari, lopa. Në “Mëhalla e Pelës” ato nuk janë dekor rural, por pjesë e strukturës emocionale të botës:

“Kali i Pelo Xhurapës… shkoi drejt pelës.”

Kafshët shpesh duken më të natyrshme dhe më të pandryshuara sesa njerëzit. Ato ruajnë lidhjen me instinktin dhe natyrën, ndërsa njeriu shfaqet i deformuar nga historia dhe ideologjia.

Në këtë kuptim, hapësira tek Koço Kosta ka gjithmonë dy nivele: një realist dhe konkret dhe një metafizik e psikologjik. Shqipëria e tij duket njëkohësisht reale dhe halucinante; jo vetëm vend, por edhe gjendje shpirtërore.

V. EROTIKA DHE TRUPI

Erotika në veprën e Koço Kostës nuk ka funksion sentimental apo romantik në kuptimin tradicional të letërsisë shqiptare. Ajo lidhet me vetminë, ankthin dhe nevojën e dëshpëruar të individit për të shpëtuar nga zbrazëtia ekzistenciale.

Në veprën e tij, marrëdhëniet njerëzore janë thellësisht të brishta. Personazhet afrohen fizikisht, por mbeten shpirtërisht të distancuar. Trupi bëhet mënyrë komunikimi atje ku gjuha dështon, por edhe ky komunikim mbetet i përkohshëm dhe i paplotë.

Prandaj erotika tek ai ka dimension tragjik.

Personazhet kërkojnë tek trupi i tjetrit ngrohtësi, strehim dhe harrim të përkohshëm nga absurdi i botës. Por ky pezullim zgjat pak; realiteti rikthehet gjithmonë me të njëjtën ndjenjë zbrazëtie.

Në këtë kuptim, edhe fragmentet me ngarkesë të fortë sensuale nuk ndërtohen si himn i kënaqësisë erotike, por si shfaqje e një trazimi të thellë të brendshëm. Në përshkrimin e gruas “si një sorkadhe adoleshente”, narratori mbetet i magjepsur nga bukuria fizike, por njëkohësisht i pushtuar nga një shqetësim që nuk shuhet. Pohimi: “Syri, shpirti im nuk ngopet me femër. Ajo është brenda vetes sime, ndaj s’gjej prehje”, e zhvendos erotiken nga dimensioni trupor drejt një përvoje ekzistenciale, ku dëshira nuk sjell qetësi, por vetëdije më të fortë të mungesës dhe pamundësisë për përmbushje.

Në këtë pikë, erotika tek Koço Kosta afrohet me traditën moderne europiane ku trupi nuk është simbol harmonie, por vend ku shfaqen ankthi, frika dhe vetëdija e dështimit njerëzor. Edhe te Kafka, trupi dhe marrëdhëniet njerëzore shfaqen shpesh si hapësira ankthi, tjetërsimi dhe pamundësie komunikimi. Dëshira dhe afërsia nuk sjellin përmbushje, por një ndjesi pasigurie dhe izolimi ekzistencial. Erotika, kur shfaqet, nuk është çliruese, por e ngarkuar me tension psikologjik dhe mungesë harmonie.

Edhe personazhet femërore nuk ndërtohen sipas modeleve tradicionale të idealizimit. Ato janë figura komplekse, të lënduara dhe enigmatike. Gruaja tek ai nuk është “muzë romantike”, por qenie po aq e vetmuar dhe e tjetërsuar sa burri.

Dashuria tek Koço Kosta nuk e shpëton njeriun nga absurdi; ajo vetëm e bën më të dukshme nevojën tragjike për afërsi dhe pamundësinë për ta realizuar plotësisht atë.

VI. GJUHA SI FORMË E KRIZËS

Një nga arritjet më të mëdha estetike të Koço Kostës është gjuha. Ai largohet nga realizmi transparent dhe komunikimi i drejtpërdrejtë.

Gjuha tek ai bëhet metaforike, simbolike, poetike dhe shpesh delirante. Fjalët nuk tregojnë vetëm botën; ato tregojnë krizën e vetë perceptimit të saj.

Kjo e bën prozën e tij intensive, të errët dhe të mbushur me tension të brendshëm poetik. Në këtë kuptim, Koço Kosta krijon atë që mund të quhet realizëm i ndërgjegjes së traumatizuar.

Kriza e gjuhës shfaqet qartë në mënyrën se si përshkrimi i trupit dhe i ndjenjës nuk mbetet në nivel referencial, por shpërthen në figura të ngarkuara poetikisht dhe emocionalisht. Shprehje si: “U bukurua dhe më. Shumë e bukur. Bukurane si një sorkadhe adoleshente që e pat zënë mëngjesi i parë…” tregojnë se gjuha nuk po përshkruan thjesht një realitet të jashtëm, por po e rindërton atë përmes një filtrimi të fortë subjektiv dhe imagjinar. Po ashtu, intensiteti i ndërhyrjeve emocionale të rrëfimtarit, si: “Sytë e mi të befur nuk dinin ku të ndalnin!” apo “Syri, shpirti im nuk ngopet me femër”, e zhvendos prozën drejt një gjendjeje ku fjala nuk kontrollon më përvojën, por përkundrazi, përvoja e tepruar erotike e shpërbën stabilitetin e gjuhës. Në këtë mënyrë, tek Koço Kosta gjuha bëhet vetë shenjë e një ndërgjegjeje të trazuar, ku realiteti nuk paraqitet, por përjetohet si shpërthim metaforik dhe emocional.

VII. PASURIA LEKSIKORE DHE MEMORIA ETNOGRAFIKE

Një nga dimensionet më të rëndësishme të krijimtarisë së Koço Kostës është pasuria gjuhësore dhe etnografike që përshkon veprën e tij. Nën sipërfaqen e absurdit ekzistencial dhe strukturave moderne narrative, veprat e tij ruajnë një marrëdhënie organike me kujtesën kulturore shqiptare.

Ai realizon një ndërthurje të rrallë: eksperiment modernist dhe ruajtje të memories gjuhësore shqiptare.

Proza e Koço Kostës karakterizohet nga një fond leksikor tepër i pasur, ku bashkëjetojnë fjala e ligjërimit të përditshëm bisedor, idiomat krahinore, fjalë të vjetra të shqipes, termat e jetës rurale dhe një metaforikë moderne me ngarkesë poetike.

Ai nuk përdor gjuhë sterile apo standard të thatë institucional. Përkundrazi, gjuha e tij ruan ritmin e artikulimit gojor, frymën e ligjërimit popullor dhe ngjyrimin emocional të shqipes së jetuar.

Në shumë fragmente të prozës së tij, fjala nuk shërben vetëm si mjet komunikimi, por si mbartëse e kujtesës kolektive.

Kjo e bën gjuhën e Koço Kostës njëkohësisht moderne dhe arkaike, poetike dhe popullore, filozofike dhe tokësore.

Kjo shfaqet në regjistrin e gjuhës së përditshme, ku dialogu ruan strukturën e ligjërimit popullor:

“S’ke hedhur samar? Vjeshtën që vjen.”

“Nuk i hyjnë koqet mashkullit. Gjynah!”

Edhe bota e kafshëve përfshihet në këtë sistem të gjuhës së gjallë:

“Kali i ri bëri fjalë me hingëllima brenda në grykën e gjatë.”

Në këtë aspekt, ai krijon një sintaksë të ndërmjetme mes rrëfimit modern psikologjik dhe ligjërimit bisedor tradicional shqiptar, duke e ndërthurur me kujtesën etnografike.

Sintaksa e tij nuk është lineare. Ajo fragmentohet, ndërpritet nga kujtesa dhe ndjek ritmin emocional të ankthit më shumë sesa logjikën klasike të tregimit. Kjo krijon një prozë me puls të brendshëm poetik dhe ndjesi të vazhdueshme paqëndrueshmërie ekzistenciale.

Një element tjetër i rëndësishëm është prania e botës etnografike shqiptare: zakone, rite, hapësira rurale dhe kode tradicionale morale. Por këto elemente nuk paraqiten në mënyrë folklorike apo dekorative. Etnografia tek ai nuk idealizohet; ajo shfaqet si pjesë e memories së një bote në shpërbërje.

Ai nuk shkruan për fshatin si mit kombëtar, por për rrënimin gradual të strukturave tradicionale dhe zhdukjen e lidhjeve njerëzore autentike.

Kjo krijon një nga paradokset më interesante të veprës së tij: ndërsa struktura narrative është moderne dhe e fragmentuar, materia gjuhësore dhe etnografike mbetet thellësisht shqiptare.

Koço Kosta modernizon formën, por ruan kujtesën kulturore.

Në fund, edhe kur personazhet humbasin identitetin dhe realiteti shpërbëhet, gjuha mbetet bartëse e kujtesës njerëzore. Absurdi mund të deformojë jetën, historia mund të plagosë individin, por gjuha ruan ende gjurmët e njeriut.

Dhe pikërisht këtu qëndron dimensioni më i thellë humanist i veprës së Koço Kostës.

VIII. KOÇO KOSTA DHE LETËRSIA SHQIPE

Koço Kosta zë një vend të veçantë në historinë e letërsisë shqipe moderne. Ai nuk i përket plotësisht asnjë rryme dominante dhe pikërisht kjo e bën një nga autorët më të pazakontë të prozës shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI.

Në kohën e realizmit socialist, kur letërsia shqiptare duhej të funksiononte sipas skemave ideologjike të optimizmit historik dhe heroit pozitiv, Koço Kosta krijoi gradualisht një botë krejt tjetër: të errët, të fragmentuar dhe estetikisht jokonformiste.

Ai nuk e kundërshtoi realizmin socialist me deklarata politike; ai e refuzoi estetikisht. Vetë mënyra si ndërtoi personazhin dhe rrëfimin ishte formë rezistence artistike.

Në vend të heroit ideologjik, ai solli individin e pasigurt dhe qenien e tjetërsuar. Në vend të realizmit transparent, ai solli ambiguitetin, mjegullën psikologjike dhe krizën e gjuhës.

Pas vitit 1990, kur shumë autorë shqiptarë kaluan drejt kronikës së tranzicionit ose eksperimentit formal postmodern, Koço Kosta vazhdoi të ruante boshtin e vet themelor: analizën e krizës së njeriut shqiptar.

Ai nuk u bë shkrimtar i ngjarjes politike; ai mbeti shkrimtar i traumës antropologjike.

Kjo e dallon nga shumë autorë të tranzicionit që e trajtuan rënien e komunizmit si çlirim përfundimtar. Tek Koço Kosta, rënia e sistemit nuk e shëron individin; ajo nxjerr në pah zbrazëtinë morale, fragmentimin social dhe krizën e identitetit.

Në këtë aspekt, ai është ndër të paktët autorë shqiptarë që krijuan vazhdimësi organike midis traumës totalitare dhe krizës posttotalitare.

Nga pikëpamja estetike, Koço Kosta përfaqëson një urë të rrallë midis traditës narrative shqiptare, modernizmit europian dhe antiromanit bashkëkohor.

Ai nuk kërkon ta kënaqë lexuesin; ai kërkon ta fusë atë në krizë.

Dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e tij: Koço Kosta e zhvendosi prozën shqipe nga rrëfimi i realitetit drejt eksplorimit të ndërgjegjes së traumatizuar shqiptare.

PËRMBYLLJE

Vepra e Koço Kostës përbën një nga hartat më të errëta dhe më të thella të shpirtit shqiptar në letërsinë moderne. Në të, historia shndërrohet në ankth, liria në zbrazëti, erotika në pamundësi shpëtimi dhe individi në qenie të përhershme të tjetërsuar.

Por përtej absurdit historik, proza e tij ruan një marrëdhënie të thellë me kujtesën kulturore shqiptare. Përmes pasurisë leksikore, elasticitetit sintaksor dhe elementeve etnografike, Koço Kosta arrin të shpëtojë në art gjurmët e një bote shqiptare në shpërbërje.

Ai është filozof i absurdit shqiptar, arkitekt i antiromanit modern shqiptar dhe hartograf i krizës së njeriut shqiptar.

Në fund, vepra e tij na çon drejt një përfundimi të hidhur: sistemet politike mund të rrëzohen, por plagët që ato krijojnë në ndërgjegjen njerëzore vazhdojnë të jetojnë gjatë.

Dhe pikërisht aty fillon letërsia e Koço Kostës.

Riorganizimi që duhet përshëndetur- Nga Prof Dr Fatmir Terziu

Më kujtohet një bisedë në Labinot të Elbasanit me Dinin, djalin e shkrimtarit të madh elbasanas Et’hem Haxhiademi, në prani të bashkëshortes së tij Dhuratës dhe time shoqe Luçianës, ndërsa ishim të ftuar për një drekë respekti, miqësore prej tij. Ishte një nga ato biseda që të mbeten gjatë në kujtesë, sepse nuk lidhen vetëm me një njeri, apo një kohë, por me vetë fatin e kulturës shqiptare. Dini më tregonte se e ëma i kishte rrëfyer se i ati nuk kishte fjetur për javë të tëra në vitet kur u bashkuan Lidhja e Shkrimtarëve dhe Lidhja e Artistëve në një organizëm të vetëm kulturor. Nuk ishte thjesht shqetësimi për një institucion. Ishte ankthi i një krijuesi që e kuptonte se arti dhe letërsia nuk jetojnë vetëm me talentin individual, por edhe me frymën që krijojnë institucionet ku mblidhen njerëzit e mendimit dhe të shpirtit. Teksa e dëgjoja Dinin, më dukej sikur ato fjalë vinin nga një kohë e largët, por çuditërisht tingëllonin shumë aktuale edhe sot, pas riorganizimit të Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe zgjedhjes së Dr. Mujo Buçpapaj në krye të saj. Edhe sot ka zëra, diskutime, rezerva dhe pritshmëri. Ka njerëz që e përshëndesin këtë hap dhe të tjerë që e shohin me dyshim. Por kjo është e natyrshme për çdo organizatë që ka peshë historike dhe morale në jetën kulturore të një kombi.

Shpresojmë të mos ndodh që gota të jetë bosh në një sallë plotë, si kjo e Hotel turizmit „Tirana“

 

Shpresojmë të mos ndodh që gota të jetë bosh në një sallë plotë, si kjo e Hotel turizmit „Tirana“

 

Në fund të fundit, kjo lidhje ka qenë aty gjatë gjithë këtyre dekadave. Emrat kanë ardhur e kanë ikur, kryesitë janë ndërruar, rrymat dhe bindjet kanë ndryshuar, por institucioni ka mbetur si një simbol i përpjekjes për të mbajtur të bashkuar botën krijuese shqiptare. Pikërisht për këtë arsye, riorganizimi i saj nuk duhet parë me mllef apo me ndarje, por si një mundësi për reflektim dhe ringritje. Historia e Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë është në vetvete historia e kulturës moderne shqiptare. E krijuar fillimisht më 1945 si Lidhje e Shkrimtarëve dhe më pas e bashkuar me Lidhjen e Artistëve në Kongresin e vitit 1957, ajo mblodhi rreth vetes emra që përbëjnë themelet e mendimit dhe artit shqiptar, Fan Noli, Sejfulla Malëshova, Lasgush Poradeci, Dhimitër Shuteriqi, Et’hem Haxhiademi, Dritëro Agolli, Sterjo Spasse e shumë të tjerë. Ajo nuk ishte vetëm një organizatë administrative, por një tribunë ku arti dhe letërsia shqiptare gjenin zërin e tyre publik.

Sigurisht, historia e saj nuk ka qenë pa plagë. Regjimi totalitar kufizoi rëndë lirinë e mendimit dhe krijimit, ndërsa shumë autorë u heshtën, u censuruan apo u përndoqën. Megjithatë, edhe në ato rrethana të vështira, talenti shqiptar arriti të krijojë vepra që mbijetuan përtej ideologjisë dhe kohës. Pas viteve ’90, sfidat ndryshuan formë, politizimi, fragmentarizimi, mungesa e fondeve dhe humbja graduale e ndikimit publik e dobësuan institucionin. Megjithatë ai vazhdoi të mbetet simbolikisht një shtëpi e përbashkët e krijuesve shqiptarë. Prandaj riorganizimi i sotëm duhet parë si një përpjekje për ta rikthyer këtë institucion në rolin që meriton. Nuk ka rëndësi vetëm emri i kryetarit apo përbërja e kryesisë. Më e rëndësishme është fryma që do të ndërtohet. A do të rikthehet meritokracia, debati estetik, promovimi i talenteve të reja dhe pavarësia nga ndikimet politike? Kjo është pyetja thelbësore.

Meritojnë respekt ata që morën përsipër ta riorganizojnë këtë organizatë në një kohë kur arti dhe letërsia shpesh mbeten në periferi të vëmendjes publike. Në një epokë të dominuar nga zhurma mediatike dhe konsumimi i shpejtë i gjithçkaje, mbajtja gjallë e një institucioni kombëtar të krijuesve është një sfidë më vete. Suksese Dr. Mujo Buçpapaj dhe gjithë Kryesisë së re. Por mbi të gjitha, suksese vetë frymës së krijimit të lirë. Sepse në fund të fundit, shkrimtari mbetet gjithmonë vetvetja. Ai mund të jetë pjesë e një organizate, ose jashtë saj, mund të duartrokitet, apo të kundërshtohet, por vlera e tij e vërtetë matet me veprën që lë pas. Institucionet ndryshojnë, debatet zbehen, emrat ndërrohen, ndërsa arti i mirë mbetet gjithmonë dëshmia më e fortë e kohës së vet.

Poezi nga Sami MULAJ

1. KU JAM
.
Në një kryqëzim,
dëgjoj një pyetje…
Dikush e pyeste veten:
Ah ! Ku jam ?
.
Dukej se ishte homeles,
në xhepat e tij nuk kishte asnjë çelës,
për të nuk kishte as adresë.
Pyetja e vetëvetes me afshamë Ah ! Ku jam ?!
A mos ishte për të pak shpresë.
.
Ku jam ?!
Të çmendurit kurr nuk e bejnë ketë pyetje.
Ata gjithmonë janë në vendin e ditur…
Ata i dinë të gjitha,
Nuk njohin kryqëzime në jetë.
.
Ku jam ?!
Ata që kanë humbur kujtesën,
kurr ketë pyetje nuk e bejnë.
Ata janë të lumtur,
edhe ata pa kryqëzime
janë gjithë ditën,
edhe kur flejnë.
.
Po, ata në parajsë…
edhe ata ketë pyetje nuk e bejnë,
tanimë, vendin e kërkuar
e kanë gjetë..
Në qiellin e shtatë
janë duke fluturuar
me flatra lehtë, lehtë.
.
Po, në të tjerët,
të vetmit me një çelës shtëpie…
.
Ah, ku jam ?!
Ndoshta vetëm për ne
kjo pyetje do të ishte e drejtë.
.
Ah, ku jam?!
.
2. MË PRIT
.
Krejt çfarë kam
janë kujtime,
pa ty ngjitë
pa të ardhmen mbeta,
është bosh
pa rrugën time.
.
Krejt çfarë kam
janë kujtime,
jam një lumë pa ujë
lotët nuk rrjedhin më,
shpirt i zbrazur
pa brigje.
.
Krejt çfarë kam
janë kujtime,
mbeta në ëndrra
nuk dua të zgjohem,
pa ty ngjitë
nuk nis dita ime.
.
Nuk mund të them Eja,
Ti nuk mund të ndahesh në copa
edhe për ata që ikën prej teje.
Ti u mban mend vetëm shpinën.
.
Nuk mund të them
as më prit,
në dhera të tjera
degë e filiza rrita.
.
Të lutem mos më ik
në ëndrra,
aty eja të më shohësh.
.
3. E VËRTETA
.
Mbeti rrugës
e ne rrugëve duke ikë prej saj
.
Mbeti mbyllë midis dhembëve
në majë të gjuhës së prerë
.
E plasaritur në buzët e vrejtura prej kafshimit të egër
.
Në mendjet e holla duke u perdredhë si e përdalë
.
Të tjerët nuk e t’hollojnë
t’vërtetën e kanë busull në ballë.
.
Po ne,…
Me t’pa vërtetat lumturohemi,
e dritën e ndalim me dalë.
.
4. E TRETA HERË
.
Po e humbim Shqipërinë ?!
.
Para gjashtëqind vjetësh
e humbëm bashkë me Ballkanin,
gjashtëqind vjet fajin ja lamë stepave e sulltanëve të Turqisë.
.
E humbëm në luftën e dytë, copë copë e shkyem,
tetëdhjetë vjet fajin ja lamë carëve e marshallëve të Rusisë.
.
Po e humbim tani
për të tretën herë,
fajin do ja lamë kaubojsve të Amerikisë…?
.
Të kuptojmë vetëm njëherë
o shqiptarët e mi.
Nuk do të ketë
kurr më të katërt herë…
Po e humbim Shqipërinë
prej marrëzisë !
.
5. NUK TË NDALON MOSHA
.
Të ndalemi për gjëra të reja se mos është vonë ?!
.
Pyetje që nuk merr përgjigje as nga gjunjtë
as nga mungesa
e gjumit të plotë.
.
Kurr nuk është vonë,
për gjëra të reja
në jetën tonë.
.
Gjithë jetën dashurova
me shpirt
tani,në të shtatëdhjetat si diçka të re
provoj përsëri.
.
Dashuria bashkë me ëndrrat
që kurr nuk mbarojnë
nuk e njeh moshën,
gëzimin e jetës e mban në gji.
.
6. E DASHURA MË BESNIKE
.
Është poezia…
Ka sy të kaltër e të bukur
me flatra si flutur
.
Pas më vjen gjithnjë
tek ulëm në gjunjë
në gurrë kur në grushta të saj, ujë pi.
.
Në degë të kumbullës
shkundet nga era,
e çdo mëngjes më futet në gji.
.
Ditët mi mbush aromë,
netëve si hëna sjell dritë,
në ëndrra bashkë mbështillemi
e bëhem një.
.
Nuk u martuam kurr,
si dashnorë të mirë
jetën e kaluam pa kunorë,
por emrin tim nuk e dyshove, të gjithëve jua tregove në sy,
e mbajte gjerdan në qafë,
shkruar në unazë të dorës
të rri.
.
7. RRUGA PA FUND
.
Më thoni
A ka ndonjë rrugë që nis e kurr nuk mbaron ?
Tokësore nuk ka,
as në qiell e ujore jo se jo….
.
Po, po është vetëm një,
është vetëm një rrugë,
rrugë pa fund.
.
Po, po është vetëm një,
është vetëm një rrugë,
rrugë pa kthim.
.
…me emrin Emigrim.
.
8. MBURRJA
.
Sytë me vështrim nga dritarja me një shikim bosh,
dëshirë për tu mburrur
një çmim krejt,
krejt i vogël,
një çek pa vlerë
sa një letër e zhubrosur hedhur në tokë.
.
Kujtimet dhe Dituria
si uji në rubinetë të prishur harxhohen e shkojnë kot.
.
Pse përpiqemi o Zot!
.
 9. HESHTJA E QYTETIT TIM
.
Kur një gurrë nuk gurgullon
Kur një strehë nuk pikon
Kur një oborr nuk gumëzhon
Kur një shtrungë nuk blegëron
Kur një kumbull nuk lulëzon
Kur një oxhak nuk tymon
 Kur zilja e shkollës pushon
E bejnë gjoksin tim të dridhet,
zemra rrahjet i shpeshton
.
Çdo heshtje…
Ah,
heshtja e qytetit tim
me shëtitoret pa hapa
sa shumë trishton.
.
10. TRE VARGËSH
.
* E DIELA
.
Si hëna gjysmë e zhveshur,
dy gisht mbi gjunjët e saj
ngulur sytë e mi
.
* KUJTIMET
.
Vasha të bukura
krejt të zhveshura
vërbojnë ëndrrat e mia.
.
* PRANVERË
 Vesa e mëngjesit
lag qerpiktë e petaleve, Parajsa e qiellit zbret në tokë.
.

Somnambul dhe histerik- Nga ARIF EJUPI

Këta rreshta janë shkruar si akt proteste kundër të ashtuquajturve “studentë”, hartues të “Memorandumit rreth Kosovës dhe Metohisë”

Nga stepat e Karpateve
në Shumadi,
nga Teshliqi e Rogatica
në Gradishë e Knezhevë,
nga Baçka e Lika
deri në Kosovë,
u zvarritët ndër shekuj
me mendësi pushtuese,
duke u treguar
të egër dhe mizorë.

Harbutë mbetët,
si në shekujt VI dhe VII,
ashtu edhe në shekullin XXI:
me dorë hajduti,
me shpirt lugati,
të etur për plaçkë,
për vrasje
e shkatërrim.

Sikur të kishit forcë,
edhe botën
do ta ndiznit flakë.

Në armiqësi me sllovenët,
të urtë e punëtorë;
me kroatët,
detarë e ushtarë shembullorë;
me shqiptarët,
shqiponja denbabaden,
ilirë e dardanë;
me boshnjakët e pafat,
por të ndershëm
e trima.

Malazezë e maqedonas
i joshët
dhe i mashtruat,
derisa dredhitë
dhe hiletë tuaja
i kuptuan.

Sipas jush,
Perëndia krijoi
vetëm për ju
qiellin, diellin
dhe tokën.

Menduat
se historia shkruhet
me dhunë,
zjarr
e thika.

O të verbër,
i keni shpallur luftë
edhe qiellit,
diellit
e hënës,
të vdekurve
dhe të gjallëve.

Me rrëfime helmuese
të baballarëve
e nënave,
mbollët veçmas
urrejtje e fashizëm
ndaj shqiptarëve,
që kurrë nuk u thyen
dhe nuk u përkulën.

Aty ku shkel
këmba juaj,
nuk rrjedh ujë
dhe nuk mbin bar.

Mitomanë e shejtanë,
ende keni ngelur.

Krimi
nuk mbulohet
me heshtje,
as me propagandë,
as me memorandume
të shkruara
me ngjyrën katran
nga tërbimi.

Zgjohuni
nga gjumi,
zgjohuni!

Shërohuni
nga histeria:
s’pushtohen dot
Kosova
e   Shqipëria.

ARIF EJUPI

ARTI I LEXIMIT DHE MIKU YNË, DHIMOJA – Dekalog me rastin e datëlindjes – nga Visar Zhiti – 

 

 

 

Marrëdhëniet me librat janë si me njerëzit…

Këtë desha të thosha, por po e nis me makinën e Dhimos.

1.

Takohemi shpesh e makina e tij ngjan me një bibliotekë me rrota, se ka libra gjithandej, letra të shkruara, duhet t’i mbledhësh dhe t’i shtysh më tutje që të ulesh, edhe sedilja pas është me libra, rrëmujë që më pëlqen, i shoh, flasim shpesh për librat, i kërkoj ndonjë të ri, por shoh që s’e ke, i them, është në bagazh, më thotë. Kur ndalim diku, e hap, libra dhe aty, anglisht e shqip, babiloni e vogël, ja, merre, jepja dhe… por lexo dhe këtë që ta diskutojmë, s’m’u duk ashtu siç po thonë, por…

 

2.

Librat nuk janë thjesht faqe të shtypura, që të tregojnë ngjarje dhe njerëz, libri për Dhimon është frymë njerëzore. Edhe takim si me njerëzit.

Të ndalësh te fjala, tek heshtja mes dy fjalëve, tek dhimbja, tek ajo që është lënë pa u thënë plotësisht. Se nuk duhet lexuar vetëm teksti, por dhe njeriu pas tij, prandaj dhe takohemi. Kështu thotë Dhimoja pak a shumë…

Librat janë si njerëzit. Disa kalojnë pranë nesh si kalimtarë të rastit, si përshëndetjet e tyre. Disa të futen në jetë, ashtu si disa fytyra që nuk largohen kurrë nga kujtesa, të trazojnë, për mirë dhe për keq, bëhen miq dhe kundërshtarë. të ndjekin gjithë jetën…

 

3.

Dhimoja e ndjen këtë.

Dhe pikërisht aty fillon arti i leximit.

Dhe na pëlqen ta bisedojmë. Ka lexime të pastra, të sinqertë, të pandikuara nga simpatitë jashtëlibrore apo nga e kundërta, siç na ndodh, sidomos për shkrimtarët bashkëkohës, ndokënd dhe e kemi njohur, e kemi takuar, paragjykimet në lexim ta prishin leximin, edhe vetëkënaqësia e të ndjerit i lëçitur, pa le ideologjitë, se kujt i përket një autor, i socrealizmit aq bezdisës dhe tani apo që ka qenë në burg, dhe kjo s’duhet ngatërruar me vlerat letrare, morale po, themi ne. Ka lexues intaçinj, që lënë librin dhe marrin hurin, qeshim ne…

Dhe Dhimoja babanë e ka patur në burg politik, po unë që kam qenë dhe vetë në burg, i them, por kjo nuk ndikon në leximin tim, më thotë. Kështu besoj. Po lexoj prapë “Rrugët e ferrit”, por më jep në « Kohën e britmës », se ia dhashë njërit, pa e mbaruar vetë, që ta lexonte, m’u duk sikur e donte…

 

 

4.

Dhimo Jano u rrit baltrave socialiste të fshatit, kooperativave, me gjyshin të ikur e babanë në burg, me biografi të keqe, pra, siç thuhej atëhere, pa përkrahje duke qenë dhe vlleh, çobanë, po jo, i them unë, s’kemi patur dallime të tilla, përkundrazi, luftë klase po, edhe të egër. Ndikon dhe në lexim, edhe tani, më duket.

Kur ra perandoria komuniste dhe Shqipëria jonë ndryshoi, Dhimoja kreu fakultetin Ekonomik në Tiranë, në moshë më të madhe se e studentit, ishte dhe i martuar, por e kishte ëndërr shkollën, por paskësh qenë dhe kohë e humbur, më thotë, se e shqetëson cilësia e shkollë, pastaj ai mërgoi në Greqi, të tjerë tregojnë vetëm për punët andej, vështirësitë, etj, ai kujton dhe librat që lexonte, e di ç’më tha një grua, kur po bisedonin për Dostojevskin, rrëfen: unë nuk e lexoj, por i përjetoj romanet e tij. Ky është lexim…

 

5.

Dhimoja mësoi të lexojë apo leximi është art, që nuk mësohet, e ke ose nuk e ke?

Ai lexon dhe libra ekonomikë, filozofi, ese, po edhe gazetat e mëdha amerikane online çdo ditë, ndihmon bizneset e tij, bursën, shkon ku ka investimet, andej këndej me makinën e tij, bibliotekë lëvizëse, në Chicago shokët e shohin si “të suksesshëm”, ai buzëqesh, arritje quan të qenit njeri, të krijosh ato mundësi dhe të guxosh të bësh…  I vjen keq kur të rinjtë nuk lexojnë letërsi, por gjithe kohës në celular, në fb, vanitete. Gezohet kur djemtë e tij i sheh me ndonjë libër në dorë dhe ma tregon…

Dhimoja bën dhe për të tjerët, ka shumë shokë e miq..  ashtu si librat…

Dhe do të flasim per Kafkën, Camus, Jungun… Dickens… Peterson, po edhe Coelho lexohet shumë, statistikat tregojnë se…Dhimoja i njeh ato… ja dhe ballkanasit tanë, Kazanzaqis, Andriq… sa më trondit Kosova me ato ç’ka hequr, pashë një film… patjeter flasim dhe për Kadarenë, është yni, unë e kam lexuar të gjithin… ty të pëlqejnë amerikanët Whitman, Hemingway, etj.  Po poezia sot si është?… Dhe s’ka si të mos flasim për atê që na dhemb, për letërsinë që erdhi nga burgjet…Shallamov, Sollzhenicin… At’ Zef Pllumi… Kasëm Trebeshina, Lubonja…po edhe ai që ti mke qenë në burg, ka kujtime me interes, më tërheq memuaristika, e vërteta… shfleton herë pas here për ndonjë emër a ndodhi “Rrugët e ferrit”, “Ferrin e çarë”…  Romani yt, “Funerali i pafundmë”, – më thotë, – po të kishte emrin e ndonjë shkrimtari të njohur në botë, do ta shikoje… sa mirë që doli dhe në SHBA anglisht dhe më uron prapë e buzëqesh paksa…

E kuptoj që e trishtojnë ata që s’dinë ë urojnë. Shkojmë marrim ndonjë birrë, thotë, i thërrasim dhe Strategut, Uliksit, Doktorit, e mbledhim grupin dhe një here….

 

6.

Si i ke marrëdhëniet me librat,

ashtu i ke dhe me njerëzit. Si thua? Se edhe librat janë si njerëzit, e thamë, por edhe njerëzit janë libra të gjallë…Tê lexosh njerëzit…Mbase.

Vazhdoj bisedën me Dhimon. Njoh njerëz të mirë, por që nuk lexojnë, s’e di… E kanë brenda vetes librin që s’kanë për ta lexuar kurrë dhe ka që lexojnë, por s’kanë pësuar gjë nga librat, shablloni madje ka shtuar energjinë negative të tyre.

Qesh kur më thotë që ndokënd libri “e çorienton”, më mirë të mos lexojë, të tjerë “i çakordon”, lexojnë keq… mjerë libri!…

Ehe mund të shkruash mirë apo dhe shumë mirë, kjo i takon estetikës, por libri gjithsesi ka karakterin e autorit të vet, vetëm karakteret e mëdha bëjnë vepra të mëdha, më thotë. Madje dhe leximi ka karakterin e lexuesit të vet, shtoj unë…

A mund të jetë leximi profesión?

Art po…

 

7.

Dhe i vazhdojmë bisedat me të tjerë, në tryeza të tjera, çështje të tjera, politika në SHBA dhe në Shqipërinë tonë, lufta tani, Irani, Kina, mos harroni Ukrainën, moslufta, demon…kracia… Presidenti, shkrimtarët mënjanas. Konica, Noli, themeluesit e “Vatrës” me libra…

Dhe na pëlqen të pranojmë se të lexuarit duhet të jetë mënyrë jetese. Dhe ndonjëherë, një libër të dhemb. Jo sepse është i trishtë, por sepse të thotë një të vërtetë që nuk doje ta dëgjoje. Libri duhet të jetë e vërteta…

 

8.

Dhimoja leximin e ka bërë artin e të vërtetave njerëzore. Jo thjeshtë që të zbulojë ato që s’i dinte, histori dhe mistere, por psikologji, trauma, pasoja, kuptim jete, etj.

Mund të mos shkruash bukur, por duhet të lexosh bukur patjetër, kjo për mua ka më rëndësi… Arti i të lexuarit nuk është vetëm arti i të kuptuarit, por: të lexosh me shpirt!

Libri nuk duhet të na presë veç në raft, ai duhet të jetë afër, me ne… edhe në makinë… si rruga, si mendimi dhe emocioni, që nuk ndalet… Edhe kur jemi në lëvizje, duhet të mbetemi brenda leximit. Libri të jetë brenda nesh. Shkrimtari na e zbulon…,

 

9.

Prandaj dhe kufiri mes librit dhe njeriut është pothuaj i padukshëm për Dimon. Ai  azhdon dhe i lexon librat si të ishin njerëz me zë, me karakter, me plagë dhe me heshtje dhe njerëzit i sheh si libra që duhen kuptuar, jo gjykuar menjëherë.

Disa “libra-njerëz” i hapen lehtë dhe të dhurojnë menjëherë kuptim. Disa të tjerë kërkojnë durim, si kapituj që nuk zbërthehen me një lexim të parë. Ka edhe nga ata që mbeten të mbyllur, por prapë të respektuar, sepse çdo libër ka të drejtën e misterit të vet.

 

10.

Dhimbjet dhe gëzimet jetojnë mes faqeve të shtypura të librave, sepse ua dhamë ne dhe ato na i kthejnë, të gjitha, edhe më shumë se ç’u dhamë, ku I gjen:e? Kjo është letëria, ky është leximi. Por dhe një bisedë është si një kapitull i ri, një njeri është si një roman i hapur dhe çdo takim është një faqe ku mund të nënvizosh ose le të harrohet.

– Na u bënë shumë libra dhe këtej, Dhimo, s’i mbartim dot…

– Po edhe duhen lënë, jo vetëm libra, por edhe njerëz, – ma kthen Dhimoja, – duhen flakur!… – dhe ma thotë ai që është aq njerëzor… Prandaj ai nuk nxiton as me librat, as njerëzit. Sepse e di që kuptimi i vërtetë nuk jepet menjëherë, ai zbulohet, prandaj dhe vazhdojmë të lexojmë, por edhe të takohemi… dhe pastaj mund të tregosh.

Po që ti ke datëlindjen sot? Edhe 100 vite të tjera, 100 librat m:e t;e mirë t:e shekullit, 1001 netë, gëzime po aq, edhe më shumë…

Edhe leximi është datëlindje, e jotja dhe e të tjerëve çdo ditë.

 

DREJTPERDREJT NGA  EURONEWS- Poemë nga Konstandin Dhamo

 

 


Ish presidenti

Kodin atomik i dorëzon

Presidentit të ri.

Mendoni :

Kodin atomik !

Mjafton një lajthitje

Prej aventurieri e zotëruesit

Dhe me një të shtypur të butonit të kuq,

Të kthehej në lëndë inorganike

Sërish mbarë planeti …

 

Si miq të rrejshëm,

Duke i shkundur fort

Duart shtrëngojnë

Dhe ndahen

Ndoshta si dy epoka …

Të sapozgjedhurit i sjellin veturën

E hapur,

Mos po ju duket si katafalk?

Jo, kurrsesi…

 

Garda republikane

Me motoçikleta prin përpara,

Me kuaj të lartë parade, prapa vjen,

Teksa avionët gjëmojnë dhe,

Qiellin ngjyrosin me flamurin tringjyrësh të kombit,

Sepse,

Në këtë ditë festive

Edhe qielli vetë është një dekor…

 

 

Kohë e bukur në zemër t’Europës,

Populli në shesh

I tëri është.

Jehojnë brohoritjet , ndrit entuziazmi,

Lart

Qesh e aprovon

Dielli.

 

 

Gjithçka ndodh bota po e sheh,

Transmetohet historia drejtpërdrejt!

Sa i pranishëm shteti, sa i përhershëm,

Sa i sigurt,

Sa mizorisht i sigurt !

Rrëzëllin te kopsat e uniformave,

Rrapëllin me motorët,

Rëndon me vulat e zyrave dhe bronzin

E emblemave;

Tremb me fytyrat

Çuditërisht të përsëritshme të rojave,

Me arkivat tremb , me urdhërat, burgjet,

Sekretet, përgjimet

Dhe krimin e organizuar…

 

 

Por, le t’i lëmë këto,

Presidenti duket me humor,

I rëndësishëm njëherësh

Dhe çehremirë.

Madje, tek rri më këmbë drejt

Mes veturës që feks

Që tani ka marrë

Aureolë lideri.

 

 

Flamujt trikolorë flatrojnë n’erë,

Populli brohorit, përshëndet,

Ja, presidenti mbërrin në shesh,

Nga vetura zbret;

Mos e largësoi sakaq

Pompoziteti i ceremonisë ?

Jo, aspak ;

Zbriti i mallëngjyer,

Duke mbetur

Krejt i natyrshëm

Dhe, këqyreni !

Ka shumë seksapil.

 

Flokët që ia shprish era

S’ ngurron herë pas here

T’i ndreqë me dorë

Përballë kamerave .

 

Takon veteranët e luftës,

Shtrëngojnë duart, përshëndeten,

Por të tejplakurit,

Mos nënqeshin pak mes mustaqeve?

Nënqeshin vërtet ata , por presidenti

Di çfarë të shohë , çfarë të mos shohë di…

Shtyhen turmat , vorbullohen, shkelen,

Më keq se edhe vetë turmat në Lindje të Europës…

Dhe presidenti s’resht së tokuri,

Së përshëndeturi s’resht

Shokë shkolle, kameradë , të panjohur gjithfarësoj,

Që mundën të bëjnë karrierë,

Që s’mundën të bëjnë karrierë…

O, ja edhe një dashnore e tij e hershme,

Bionde sensuale dhe provokuese !

Përmbajtshëm e përshëndet ai,

Gjithë ftohtësi fine,

Sepse tashmë është president

Dhe, si president

Tjetër etikë morale i kërkohet…

 

Jo më kot

Në mitingjet elektorale

Ku shfaqej besimplot ndër tribuna

Bëri mea maxima culpa

Coram populo …

 

Në përmbyllje

Tek obelisku , në shesh,

Pishtarin regëtitës ndez

Gjithë përkushtim religjioz

Si të kryente një akt ringjalljeje…

Po përse gjatë rrugëtimit ceremonial

Mes pështjellimit

Të stuhisë së brohoritjeve ,

Kërcëllimës së duartrokitjeve ,

Gjëmimit të avionëve dhe

Trokut mitik të kuajve,

Disa herë iu bë

Sikur përshkonte

Kalvarin e Krishtit ?

 

 

Eh, për aq kohë

Sa do t’i shërbente kombit

Do t’i ndiente thershëm

Dhembjet e plagëve

Nga gozhdët në duar dhe këmbë…

 

 

Sidoqoftë

Sa mirë do t’ish

T’i mbetej përgjithmonë

Ai gjesti spontan

I ndreqjes së flokëve me dorë…

 

 

 1991

                              

Më 22 maj 1967 u nda nga jeta Langston Hughes, poet, romancier, dramaturg dhe gazetar amerikan

 

VOAL- James Mercer Langston Hughes (Joplin, 1 shkurt 1901 – Nju Jork, 22 maj 1967) ishte një poet, romancier, dramaturg dhe gazetar amerikan.

Vitet e tij të hershme i dhanë Hughes një mori përvojash që do ta përgatitnin atë për të shkruar për njerëzimin. Si fëmijë dhe i ri, ai jetoi në shumë qytete, duke rënë në kontakt me njerëz të ndryshëm. Adoleshenca nuk ishte aq e lehtë për të. Pasi mbaroi shkollën e mesme në vitin 1919, Hughes kaloi një vit në Meksikë me të atin. Kjo e bëri atë thellësisht të palumtur dhe, i goditur nga depresioni, ai mendoi për vetëvrasje më shumë se një herë. I ati, duke besuar se shkrimi nuk do të ishte i mjaftueshëm për t’i garantuar siguri financiare, e regjistroi atë në Universitetin e Kolumbias për të studiuar inxhinieri. Hughes nuk zgjati shumë; pavarësisht mesatares së tij të mirë të notave, ai e la për shkak të paragjykimeve racore nga studentët dhe profesorët, duke mos pushuar kurrë së shkruari poezi. Një nga argëtimet e tij të preferuara ishte të ulej në një klub ku luhej muzikë bluz dhe xhaz dhe të shkruante poezi.

Ai u diplomua nga Universiteti Lincoln në Pensilvani në vitin 1929. Romani i tij i parë, “Jo pa të qeshura”, i botuar në vitin 1930, fitoi Medaljen e Artë Harmon për letërsi. Hughes, i cili pretendonte se ishte ndikuar fuqimisht nga Paul Lawrence Dunbar, Carl Sandburg dhe Walt Whitman, është më i njohur për portretizimet e tij të thella dhe të gjalla të jetës së zezakëve në Amerikë nga vitet 1920 deri në vitet 1960. Poezitë e Hughes u botuan shpesh në gazetën CPSU dhe ai ishte i përfshirë në iniciativa të promovuara nga organizatat komuniste, të tilla si lufta për të çliruar Scottsboro Boys dhe mbështetja e Republikës Spanjolle. Megjithëse i afërt me disa organizata socialiste në Shtetet e Bashkuara, të tilla si John Reed Clubs dhe Lidhja për Luftën për të Drejtat e Zezakëve, ai ishte më shumë një simpatizant sesa një pjesëmarrës aktiv.

Langston Hughes vdiq nga komplikacionet e kancerit të prostatës më 22 maj 1967.

Studiuesit dhe biografët në përgjithësi bien dakord se Hughes ishte homoseksual (megjithëse e mbajti këtë sekret nga publiku për të shmangur rrezikimin e karrierës së tij) dhe se shumë nga poezitë e tij përmbajnë aluzione për orientimin e tij seksual, ngjashëm me Walt Whitman. Ai gjithashtu e trajtoi temën në mënyrë më të qartë në tregimin e shkurtër “Blessed Assurance”.

Që nga botimi i librit të tij të parë në vitin 1926, Langston Hughes ia kushtoi jetën e tij shkrimit. Këto janë veprat e botuara deri në kohën e vdekjes së tij në vitin 1967:

An African Treasury (1960);
Poems from Black Africa (1963);
New Negro Poets: USA (1964);
The Best Short Stories by Negro Writers (1967).

Five Plays By Langston Hughes (1968);
The Panther and The Lash: Poems of Our Times (1969);
Good Morning Revolution: Uncollected Writings of Social Protest (1973);
The Sweet Flypaper of Life with Roy DeCarava (1984).

(Wikipedia)

NË LIBOHOVËN E DANEZES OLGA, ME SHPIRT TË TRAZUAR  DHE… PAKËZ MË TEJ- Ese nga Shkëlqim HAJNO

 

Kisha kohë pa shkuar në Libohovë. Maji i luleve, është ndoshta më i bukuri në qytetin me atraksione historike e kulturore. Rrapi gjigand, monument i rrallë gjeonatyror me rrënjë te burimet e gjirit të Buretos, ka shtrirë tendën e blertë të ftesës.

Sigurisht, investimet e viteve të fundit i kanë shtuar vlerat e hapësirave urbane dhe atyre private me bare, klube  e restoranteve.

 

  1. NË KËRKIM TË NJË BUSTI TË MUNGUAR

Gjëja e dytë që mund të bëja në Libohovë ishte të shikoja bustin e një figure interesante. Më saktë, të një heroine, të injoruar për dekada e dekada të tëra.

Kisha mësuar nga vendasit dhe burime të tjera pikërisht, historinë e OLGA SCHWEITZER LIBOHOVA e kësaj gruaje daneze, bashkëshortja e shtetarit të njohur Myfit bej Libohova, Ajo, edhe mbas vdekjes së të shoqit, më 1927-n, nuk u largua për në Danimarkë, por vendosi të qëndrojë në atdheun e saj të dytë.

Të dhënat thonë më tej se në vitin 1944, në operacionin e qershorit, ajo u tregua trimëreshë, hyri midis njëqind burrave, që gjermanët donin t’i pushkatonin, te Rrapi i madh, në qendër të fshatit.

Ajo e kërcënoi oficerin, se, nëse ai do të vriste burrat, më parë do t’i duhej të qëllonte mbi të.! Si pasojë e ndërhyrjes së danezes, Olga, duke folur gjermanisht, u shpëtuan nga vdekja e sigurt pikërisht 100 burrat shqiptarë nga Libohova

Në sheshin e madh publik ishte në vendin e tij vetëm busti i Avi Rustemit, bir i Libohovës.

Prit! Mos u nxito, thashë dhe shkova te ndërtesa Monumentale në qendër të Libohovës.

Në një fasadë pranë trotuarit, pashë një skicë të realizuar mbi një cope mermeri. Fytyra e nje gruaje: Olga Schweitzer Libohova. Realizime të tilla sheh rëndom, gjithkund në varrezat publike të qyteteve dhe fshatrave tona, anekënd Shqipërisë. Në Libohovë përdoret ende shprehja popullore “sa për të larë gojën!

Në krahë të pllakës, për hir të së vërtetës nuk mungonte edhe një pllakëz ku shkruhej një fjali për aktin e heroinës daneze. Sigurisht nuk ishin harruar autorët. Viti 2024, Shoqata Daneze-Shqiptare”

Kjo, është mirënjohja e ne, shqiptarëve për Olgën e Libohovës.?!!

Sa TURP!

Sepse frika traumatike kolektive shqiptare megjithëse kane kaluar mbi 35 vite nga diktatura, vazhdoka!. Ndoshta, jo në trajtën popullore që përdoret në Libohovë “si lepuri në bark!” por në trajta të reja moderne me “lepuj të tjerë të kohëve moderne”, poshtë kostumeve firmato të të zgjedhurve që u japim votën për të qeverisur e ruajtur edhe vlerat kulturore e historike, edhe kujtesën tonë kombëtare.Jo, se jane më të mençur (nga ç’u duket).

Por kësaj figure, Olgës, pas Luftës së Dytë Botërore, i mbetemi të gjithë borxhlinj sot: Ata të 100-tët që shpëtuan nga plumbi, po edhe bijtë e bijat e tyre, edhe nipërit. Edhe ne që  nuk kishim asgjë.!

Përse po?

Ndërsa shteti komunist shqiptar, më 1945-n, i grabiti të gjithë pasurinë, përfshirë këtu edhe 2500 libra të bibliotekës së Myfit Libohovës, të cilët u dogjën në mes të fshatit, që ajo i kishte shpëtuar njëqind jetë njerëzish.

Shpërblimi i veprës së saj unikale e trimërore, kërkonte pakëz dinjitet dhe burrëri se, ne shqipot, nuk i kemi, patur të huaja këto cilësi!

Mirëpo në kohën e “njeriut të ri me kubik”, Danezen fisnike e detyruan të jetojë në mjerim. E detyruan.Të punonte nxirrte kucka në skërkat përreth Libohovës. Më pas e internuan në vende të ndryshme, i burgosën djalin e vetëm që u kthye nga Italia për t’i shërbyer vendit të tij. Dhe e mjera jonë, e mira, Olga vdiq e dëshpëruar në fshatin Tresh të Lezhës më 1963-in. E hidhur të mësosh se Olga Schweizer Libohova, ishte e arsimuar në art dhe muzikë.Dhe nuk iu gjet dot të mjerës një pune qoftë në një zyre koopertive,,, Ajo ishte rritur në Paris dhe kishte ndjekur studime për piano në Stamboll (Konstandinopojë), ku edhe njohu Myfit bej Libohovën. gjë që e mundësoi të ndërhynte tek oficerët gjermanë në qershor 1944 dhe të shpëtonte rreth 100 burra të Libohovës nga pushkatimi (siç vëren edhe Memorie.al). Si gazetar dhe shkrimtar, besoj se sot, bijtë e Libohovës dhe të zgjedhurit  saj, do ta venë në vendin që i takon nderin dhe dinjitetin e tyre. Vlerësimin e një memorie historike  me nje vepër arti dinjitoze me  portretin/bust të Olgë Libohovës , gruas së bukur, princeshës që i deshi aq shumë që kur këmba e saj, aso motesh, kur burrat ishin vërtet burra; shkeli me këmbë frikën e vdekjes poshtë hijes së Rrapit gjigand që ështe një kujtesë historike edhe njerëzore.

  1. D.N. E MEMORIES KOLEKTIVE KOMBËTARE, DICKA KA PËSUAR.

Kur nisa idenë e këtij Shënimi mendova vetëm: “Olga e Libohovës” ose “Në kërkim të një busti të mungur” për një heroine daneze që shpëtoi njëqind burra libohovitë, duke rrezikuar jetën e saj.

Por nuk mjafton, e përtypa mendimin. Kur prekim fakte që na mbushin sytë me lotë edhe kur njeriu është në moshë pensioni, si i bëhet të MOS i anashkalosh?

Tashmë dihet historia dhe episodi i doktorit të shquar, Jani Basho, i cili mbaroi shkëlqyer studimet në Austri dhe ishte caktuar me punë po në vendin e studimeve nga autoritetet e kohës. Por një takim rastësor me mbretin Zog kishte një ftesë nga Mbreti: “Ktheu në Shqipëri!”.

Basho, pjesë e inteligjencës së argjentë të viteve ‘20-‘30 në Shqipëri., i vendosi “një kusht”: Unë kthehem nëse ju do të ngrini një spital shtetëror në Tiranë. Dhe Monarku e mbajti fjalën. Të tjerat dihen. Basho shërbeu me përkushtim e ithtarit  të vendi të tij të varfër deri në fund të jetës. Punoi edhe si mjek i Mbretit  dhe këtë e pagoi shtrenjtë tërë jetën, sa përfundoi në mjerim .

Sot, as në Tiranë e as kurrkund nuk ka një gjurmë të memories së kthyer ne art, për një figurë të tillë si Doktor BASHO,  një nga organizatorët kryesorë të sistemit modern mjekësor; themeluesin e shërbimit mjekësor ushtarak shqiptar dhe drejtor i parë i spitalit ushtarak në vitet 1928–1935. Njeriu me studimet në Vjenë,që mori pjesë në ngritjen e spitaleve moderne në Tiranë dhe konsiderohet nga studjues të fushës si një nga themeluesit e obstetrikës dhe gjinekologjisë moderne shqiptare, përtej faktit që punoi për hapjen e shkollës së mamive dhe për krijimin e Institutit të Lartë Mjekësor në Tiranë.

Njeriu modest Basho që ndërhyri për pajisjen me në  pasaportë shqiptare  në arrati nga kolera e ortekut nazist, për hebreun më të  famshëm në botë,  te  njohurin e tij në Vijenë, Albert Ajnshtajn (Albert Eistein).

 

****

Ishte një njeri që e ktheu pasurinë e tij në dobi të së mirës publike në Korçë me origjinë nga Vithkuqi. Filantropi Thoma Turtulli dhe familja tregtare “Vëllazëria Turtulli”. Këto vepra janë në këmbë edhe sot.

Biblioteka e Korçës, spitali, shkolla e mesme (Liceun ), Jetimorja dhe Kinemaja “Majestic”,) etj. E vërtetë:Thoma Turtulli e përdori pasurinë për të ndërtuar institucione që e kthyen Korçën në model qytetarie evropiane. Themeloi kinemanë “Majestic” më 1927, një nga të parat në Shqipëri dhe i dhuroi qytetit bibliotekën publike të inauguruar në vitin 1930 me rreth 30 000 libra .etj,.

Por me ndërrimin e regjimit, familja Turtulli u persekutua dhe varri monumental i filantropit, u shkatërrua; eshtrat e tij mbeten të humbura.

Megjithatë, emri i tij ruhet sot, në Bibliotekën e Fëmijëve të Korçës dhe në bustet që ai ndan me bashkëshorten në hollin e saj. Figura e Thoma Turtullit nderohet sot si simbol i qytetarisë korçare dhe e frymës së bujarisë që tejkaloi vërtet kohën .

E megjithatë, kjo familje sot nuk ka varr. Pushteti që zbriti nga malet i shkatërroi  në mënyrë barbare varrin monumental të familjes së shquar dhe eshtrat e filantropit të madh nuk dihet ende ku përfunduan!

Të gjesh sot një bust të denjë për njeriun e madh korçar, në hapësirat e bukura pubike të Korçës sonë, është e pamundur…!

Por të realizohet një i tillë, do të ishte veç të tjerash një kurim  i memories së traumatizuar kolektive dhe  një ilaç për vetë ndërgjegjen e qytetarëve korçaë.

 

****

 Vëllezërit EVANGJEL ZHAPA dhe KONSTANDIN ZHAPA ishin ndër filantropët më të mëdhenj shqiptarë të shekullit XIX. Ata vinin nga Labova e Madhe e krahinës së Lunxhërisë, pranë Gjirokastrës, dhe pasurinë e krijuar në Rumani e përdorën gjerësisht për arsimin, kulturën dhe çështjen kombëtare shqiptare.

Veprimtaria filantropike e Zhapave është shumë planëshe. Financuan hapjen e shkollave në jug të Shqipërisë, ndihmuan botimin e librave dhe teksteve shkollore, jepnin bursa për të rinjtë shqiptarë që të studionin jashtë, mbështetën përhapjen e arsimit në gjuhën greke dhe shqipe, sipas frymës arsimdashëse të kohës.

Nuk e harruan edhe vendlindjen, Labovën e Madhe: ndërtuan rrugë, ujësjellës dhe ndërtesa publike; ndihmuan kishat dhe institucionet fetare; dhanë fonde për njerëzit e varfër dhe jetimët.

Më i njohuri ndër vëllezërit ishte Evangjel ZHAPA, i cili: financoi ringjalljen e Lojërave Olimpike moderne në Athinë para Olimpiadës së vitit 1896; sponsorizoi “Olimpiadat Zhapiane” në vitet 1859, 1870 dhe 1875 në Athinë.

Për këtë arsye ai konsiderohet edhe një nga pararendësit e Rilindjes Olimpike moderne, përpara baronit Pierre de Coubertin.

Atje ku dijnë si ruhet trashëgimja veprat e filantropëve unikalë shqiptarë; sot janë ende në këmbë dhe i sheh me admirim në funksion plotë në kryeqytetin helen Athinë, tok bustet e tyre që admirohen nga të gjithë. (shih më poshtë:Pallati Zapio, Athinë, 1888, etj,.foto: SH.H)) 

…A.D.N. e memories kolektive kombëtare, ka pësuar medoemos diçka të keqe. Një krisje e tjetërllojshme, apo amnezi prej një aureje toksike këmbëngulëse dhe dhunës permanente me eksperimente në kudhrën metalike mbi karakterin historik të njeriut shqiptar, deri, në deformim dhe, mosozot shpërbërje, nga mungesa e empatisë për vlerat kombëtare dhe një megallomanie mjerane butaforike kur flitet për retorikë politike e patriotike . ///

 

 

Më 21 maj lindi Lucius Annaeus Seneca, filozof dhe dramaturg latin

VOAL – Lucius Annaeus Seneca lindi në Kordoba, kryeqytetin e Spanjës Betike, një nga kolonitë më të vjetra romake jashtë Italisë. Vëllezërit e tij ishin Novatus dhe Mela, babai i poetit të ardhshëm Lucan.

I lindur më 21 maj në një vit me origjinë të pasigurt, studiuesit përgjithësisht caktojnë tre data të mundshme: 1, 3 ose 4 p.e.s. (kjo e fundit është më e mundshme). Babai i filozofit, Seneka Plaku, ishte me gradë kalorësi dhe autor i disa librave “Controversiae” dhe “Suasoriae”. Ai ishte zhvendosur në Romë gjatë mbretërimit të Augustit. I apasionuar pas mësimeve të retorikëve, ai u bë një vizitor i rregullt i sallave të deklamacioneve. Në moshë të re, ai u martua me një grua të quajtur Helvia, me të cilën pati tre fëmijë, përfshirë djalin e tij të dytë, Lucius Annaeus Seneca.

Që nga rinia e tij, Seneka shfaqi probleme shëndetësore: i prirur ndaj krizave të të fikëtit dhe sulmeve të astmës, ai do të vuante për vite me radhë. Në Romë, siç dëshironte i ati, ai mori një arsim të plotë në retorikë dhe letërsi, megjithëse ishte kryesisht i interesuar në filozofi. Ndjekja e shkollës cinike të Sekstit ishte thelbësore për zhvillimin e mendimit të tij: mësuesi i tij, Quintus Sextus, ishte për Senekën modeli i një asketi imanent që kërkonte përmirësim të vazhdueshëm përmes praktikës së re të vetë-ekzaminimit. Midis mësuesve të tij të filozofisë ishin Sotioni i Aleksandrisë, Attali dhe Papirius Fabianusi, anëtarë të Neopitagoreanizmit, Stoicizmit dhe Cinizmit, përkatësisht.

Seneka ndoqi shumë nga afër mësimet e mësuesve të tij, të cilët e ndikuan thellësisht, si përmes fjalëve të tyre ashtu edhe përmes shembullit të një jete të jetuar në përputhje me idealet e tyre të shpallura. Nga Attali, ai mësoi parimet e Stoicizmit dhe zakonin e praktikave asketike. Nga Sotioni, përveç mësimit të parimeve të doktrinave të Pitagorës, ai u tërhoq për një kohë të shkurtër nga vegjetarianizmi. Për të trajtuar sulmet e astmës dhe bronkitin kronik, rreth vitit 26 pas Krishtit, Seneka udhëtoi për në Egjipt, i pritur nga prokuratori Gaius Galerius, burri i motrës së nënës së tij, Helvia. Kontakti me kulturën egjiptiane i lejoi Senekës të përballej me një koncept të ndryshëm të realitetit politik, duke i ofruar atij një vizion fetar më të gjerë dhe më kompleks. Duke u kthyer në Romë, ai filloi karrierën e tij ligjore dhe një karrierë politike, duke u bërë kuestor dhe duke u bashkuar me Senatin.

Seneca gëzonte famë të konsiderueshme si orator, aq sa e zemëroi Perandorin Kaligula, i cili, në vitin 39 pas Krishtit, kërkoi largimin e tij, veçanërisht për shkak të pikëpamjeve të tij politike që respektonin liritë civile. Seneka u shpëtua falë shërbimeve të mira të një dashnore të princepsit, e cila pretendonte se ai do të vdiste së shpejti gjithsesi për shkak të shëndetit të tij të dobët. Dy vjet më vonë, në vitin 41 pas Krishtit, Klaudi, pasardhësi i Kaligulës, e dënoi Senekën me internim në Korsikë me akuzën e tradhtisë bashkëshortore me të renë Julia Livilla, motrën e Kaligulës. Ai qëndroi në Korsikë deri në vitin 49 pas Krishtit, kur Agrippina e Re siguroi kthimin e tij nga mërgimi, duke e zgjedhur atë si kujdestar për djalin e saj Neron.

Seneca shoqëroi ngjitjen e Neronit të ri në fron (54–68), duke e udhëhequr atë përmes të ashtuquajturës “periudhë qeverisjeje të mirë”, pesë viteve të para të mbretërimit të tij. Gradualisht, marrëdhënia e tij me Neronin u përkeqësua dhe Seneka vendosi të tërhiqej në jetën private, duke iu përkushtuar plotësisht studimeve të tij. Ndërkohë, Neroni po bëhej gjithnjë e më intolerant ndaj Senekës dhe nënës së tij Agrippina. Pasi vrau nënën e tij në vitin 59 pas Krishtit dhe Afranius Burrus në vitin 62, ai mezi priste të gjente një pretekst për të eliminuar edhe Senekën. Ky i fundit, që besohet se ishte i përfshirë në një komplot për të vrarë Neronin (Komploti i Pisos, që daton që nga prilli i vitit 65) – në të cilin Seneka, siç e dimë, nuk ishte pjesëmarrës, por me shumë gjasa ishte në dijeni – u detyrua të merrte jetën e tij.

Seneka u përball me vdekjen me vendosmëri dhe qetësi stoike: ai preu venat, por për shkak të pleqërisë dhe kequshqyerjes, gjaku nuk rridhte, kështu që iu desh të përdorte kukutë, helmin që përdorte edhe Sokrati. Gjakderdhja e ngadaltë e pengonte Senekën të gëlltiste, kështu që – sipas Tacitit – ai u zhyt në një vaskë me ujë të nxehtë për të nxitur humbjen e gjakut, duke pësuar kështu një vdekje të ngadaltë dhe të dhimbshme, e cila në fund të fundit erdhi nga mbytja. Ndër veprat më të rëndësishme të Senekës kujtojmë: – gjatë mërgimit: “Ngushëllimet” – pas kthimit nga mërgimi: “Apolokuntosis” (ose Ludus de Morte Claudii) – bashkepunim me Neron: “De ira”, “De clementia”, “De tranquillitate animi” – shkëputja me Neronin dhe tërheqja nga politika: “De otio”, “De beneficiis”, “Naturales quaestiones”, “Epistulae ad Lucilium” – prodhimi dramatik: “Hercules furens”, “Traodes”, “Phoenissae”, “Medea” dhe “Faedra” (frymëzuar nga Euripidi), “Edipi”, “Thyestes” (i frymëzuar nga teatri i Sofokliut), “Agamemnoni” (i frymëzuar nga Eskili)./Elida Buçpapaj

GJENETIKË- Poe-prozë nga RUZHDI GOLE

Ç’gjen dhe humb diku dikund….

Sa afrohesh ta shohësh gjënë
të bërtet me duf dikush
për të të përzënë.

Çfarë humbet e sheh më vonë
fshehur mund t’jetë mes tonë.

Kujt t’i vësh gishtin me xixa
kë të shohësh sy ndër sy
sa e sheh … vidhet Ikja                          
ai s’është më aty,
bën përpjetë
bën t’poshtë.                     
dy krahë erë,
hapa bosh.

Hapa bosh? S’paska ikur?
Zëre, pa u ndjerë                                         
sos pa u fikur.

Ku me u fik
në ç’breg, në ç’brinjë
në retinë në vetëtimë.?

Ç’lë e merr ti me vete?
Këmba dridhet të përpjetë,
hov ngut bjerrë më poshtë.
Në një rrënjë ç’të plehërosh ?

Uji tharë, currilat mugen
nuk ke këmbë                                          
të shkosh                                               
më tutje.

Gjithandej ca retina ujërash,
këmbë pyjesh ndër përrenj,
me lënë rrungaje rrudhat
shtrojmë savanë
me borë të zezë.

Kjo retinë nuk është më e imja
veç e botës që shkon përtej,
pamje hiresh na gënjejnë.

Nuk gënjejnë tani por hershmi
kur rrëzonim kishën, tekstin,
kur me sytë dal përjashta
shihnim tinëz diç dimër
andrrash, pranvere
gëzonim diç,
gjelbëruar
veç një gisht.

Një gisht jete, disa plot,
pak zemër, qarë botë.

Botë qarë, gurgule,
këmba kapte
tjetër dhe.

Nuk i gjej gishtrinjtë kund
tek të  mitë ik’ me gungë,
me trallisje poshtë
të epërme,
cikma hiç
hiç rreze.

Trilli feks me një gisht qirinjsh.

Ç’humb dhe gjen arratish?
Arratish me këmbë tjetër                           
o prej pishë o veç letër.

Letër këmba, oh ç’lajthitje,
ajo laget, por nuk griset,
ajo çahet po nuk tretet
këmba mbath
për shputë
vdekjen.

S’është e imja më kjo këmbë
kjo retinë që kërkon gjënë,
as ky vesh që po platitet
të shurdhojë vorfnitë
mëditje,

as ky krah gjithë plasa – plasa
as ky gju – eshtra dërrasash
as thonjtë zilepsur zekthe
ndarë përgjysmë
alpin e vreshtë
në mes tonë
rreze – rreze
re, rrezmë.

S’është e imja asnjë krenajë?
kush ma fali, ç’fajtor pa faj ?
cili sy me retinën plumb
më rrëmben, më shtin
humb – humb?

Cila shputë thep thurrur,                            
ç’botë qirinjsh
vetull shkulur?

Ç’lë e ç’marr me vete bosh
veç një rrënjë të plehëroj,
ç’humb e gjej arratish?
Veç një frymë,
tjetër gisht.

QETËSOHUNI NJËHERË- Nga ARIF EJUPI

 

(Protestë ndaj atyre që përpiqen të pengojnë zyrtarizmin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut)

Qetësohuni njëherë,
o arinj të murrmë,
o korba të zinj.

Rrezet e diellit
nuk ndalen me shoshë.

Hënës ndriçimin
s’ia ndalin lehjet e qenve.

Lumenjtë pakojnë ujin,
por rrjedhën
nuk e ndalin.

Malet i dëmton acari,
por prapë
mugullojnë.

Bilbilave mund t’ua vonojnë këngën
të pabesët dhe mizorët,
por assesi
t’ua ndalin.

Shqiponjave mund t’ua prishin folenë,
por fluturimin
s’mund t’ua ndalin;
as dallëndysheve,
as pulëbardhave
shtegtimin.

Kohës
nuk mund t’i ndalet hapi.

Qetësohuni njëherë,
o arinj të murrmë,
o korba të zinj.

 

ARIF EJUPI
Gjenevë, 5 dhjetor 2025

DR. MUJË BUÇPAPAJ, FALËNDERON ME PËRULJE DELEGATËT E KUVENDIT VII TË RIORGANIZIMIT TË LIDHJA E SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE TË SHQIPËRISË, PËR VOTËBESIMIN PLEBISHITAR

Të nderuar delegatë të Kuvendit VII të Riorganizimit të Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë,
Të dashur shkrimtarë, artistë, studiues dhe krijues të hapësirës sonë kombëtare,
Me ndjenjë të thellë mirënjohjeje, përulësie dhe përgjegjësie morale, ju falënderoj nga zemra për besimin e madh që më dhatë sot, duke më zgjedhur me shumicë absolute votash në detyrën e Kryetarit të Lidhjes se Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Ky besim nuk është vetëm një vlerësim për jetën dhe veprën time letrare e kulturore; ai është mbi të gjitha një thirrje për shërbim, një amanet i lartë shpirtëror dhe qytetar ndaj kulturës shqiptare, ndaj fjalës së lirë, ndaj dinjitetit të krijuesit dhe ndaj misionit të shenjtë të artit në jetën e kombit.
Përulem me respekt para secilit delegat që mori pjesë në këtë Kuvend historik, para çdo zëri që foli me përgjegjësi për fatin e letërsisë dhe artit shqiptar, para çdo krijuesi që, në kohë të vështira për kulturën, vazhdon të mbrojë me dinjitet dritën e shpirtit njerëzor dhe identitetin tonë kombëtar.
Unë e konsideroj këtë votë si një besëlidhje të përbashkët për ta rikthyer Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në një tribunë të mendimit të lirë, të dialogut kulturor, të solidaritetit krijues dhe të mbrojtjes së interesave të shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë kudo ku ata jetojnë e krijojnë.
Në këtë çast solemn, kujtoj me nderim të gjithë ata personalitete të mëdha të letrave dhe arteve shqiptare që e ngritën këtë institucion me talentin, sakrificën dhe vizionin e tyre. Ne kemi detyrimin moral dhe kombëtar që këtë trashëgimi ta ruajmë, ta modernizojmë dhe ta përcjellim me dinjitet tek brezat që vijnë.
Ju siguroj se do të jem një kryetar i dialogut, i dëgjimit dhe i bashkëpunimit, duke i shërbyer me përkushtim çdo krijuesi, pa dallime, me bindjen se kultura është ura më e fortë që bashkon kombin dhe e lartëson shpirtërisht shoqërinë.
Falënderoj gjithashtu miqtë dhe përfaqësuesit e institucioneve kulturore nga Shqipëria, Kosova dhe trevat shqiptare në rajon për praninë dhe mesazhet e tyre vëllazërore, të cilat i dhanë këtij Kuvendi dimensionin e një bashkimi kombëtar kulturor.
Le të ecim së bashku drejt një epoke të re të dinjitetit krijues, të bashkëpunimit dhe të emancipimit kulturor.
Me mirënjohje dhe respekt të thellë,
Dr. Mujë Buçpapaj
Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë

Send this to a friend