Dy heronjtë e dramës “Makbeth”, Makbethi dhe Banko, ndeshin tre gra magjistrica me mjekër burrash, të cilat përcaktuan edhe fatin e tyre. Ikja nga jeta e Faik Ballancës do të na sillet në kokë si luani në kafaz… Cili magjistar apo magjistricë përcaktoi fatin e tij tragjik? Por, sikur na qetëson disi thënia e Epikteti: “…Jam pjesë e universit, njësoj si ora pjesë e ditës; më duhet të jem i pranishëm si ora dhe të iki si ajo”, po ashtu jetoi dhe iku edhe ai. Pas ndarjes nga jeta, atë e ndoqën nga pas dy profeci.
E para, e fshehur, dinake, ziliqare e gjendur në qendër të çdo zemre artisti dhe që kërkon të mësojë “Nëse Faik Ballanca mund të mbartë prej vitesh gjithë këto cilësime; këtë famë të ngritur si urugan në qarqet letarare që, si ajo vera e mirë, sa më shumë kalon koha i rritet vlera edhe shija”, në një kohë kur dihet se përcaktimet, ashtu sikurse edhe punët, detyrat, veprat, vlerat apo antivlerat e lodhin njeriun? Pra, a mund t’i mbajë statura mendore, botkuptimore e fizike e tij dhe t’i meritojë ato?
Dhe e dyta, e lidhur ngushtë, si nata me ditën me të parën, shtron pyetjen: cilat janë dozat e mbivlerësimit, fantazisë, ortekut që zë e rritet vetë por edhe jo vetë, në shtratin emocional e përdëllimtar sa herë që kujtojmë një shkrimtar i cili ka derdhur plot finesë bukuritë shpirtërore në veprat e tij? Unë mendoj se të dyja këto nuk janë gjë tjetër veçse një përplasje midis të vërtetës dhe trillimit artistik. Gjithë kjo që shohim e përjetojmë rreth krijimtarisë së tij letrare, shkëndijimet e këtyre përplasjeve… Por ndoshta nuk ekziston asnjë instrument apo analizë që mund t’i ndajë ato nga kapërthimi ideoartistik apo thënë ndryshe, “shapin nga sheqeri”.
Faik Ballanca shkëlqeu në fushën e letërsisë në vitet ’60-’70 të shekullit të kaluar, por tregimet e tij ruajnë edhe sot një freski dhe rini e cila ka tërhequr vemendjen e kolegëve dhe studiuesve të letërsisë. Në të vërtetë jeta e shkrimtarit është edhe vetë krijimtaria e tij, kjo për fakin sepse është ai “Zoti” krijues që u jep formë dhe jetë episodeve të heronjve të veprave të tij letrare. Por, ndonëse në veprat e Faik Ballancës janë zhytyr me dhjetëra “polumbarë” letrarë, duke zbuluar mjaft anë interesante të “sekreteve “ të këtij mjeshtri të tregimit, mbi jetën e tij “preferohet” një kalim drejtvizor. Por disa të dhëna interesante, si fakti që zotëronte tre gjuhë të huaja qysh në rininë e hershme, nëpërmjet të cilava njohu në origjinal letërsinë dhe teknikat letrare të shumë shkrimtarëve të mëdhenj, na shtyn të mësojmë për “magnetin” që e tërhiqte atë përpara, por edhe vullkanin që e shtynte nga pas…
Këtë vështrim të mangët rreth jetës dhe veprës së Faik Ballancës do ta vlerësoja si një mungesë të një Stefan Cvajgu shqiptar, sepse vetëm një i tillë, mund të na japë pasionin, botkuptimin, kontraditat dhe stuhitë e brendshme që hidhnin përpjetë zemrën dhe mendjen e këtij shkrimtari të ndjeshëm si një termometër shpirtëror për shoqërinë njerëzore në të cilën jetoi. Dhe ndoshta, po si ai termometri që mat temperaturat e larta, nuk mundi t’i përballonte më tej ato.
Kujtoni me këtë rast dramat e dhjetëra shkrimtarëve të mëdhenj…Braktisjen e familjes natën e 28 tetorit të viti 1905 në Jasnaja Poljana dhe vdekjen e gjeniut të letrave, Leon Tolstoit; ditaret e tij dhe të shoqes, Sofie Andrevna … Mbushur plot kontradita e dritëhije të dhimbshme.
“Njeri i vështirë, egoist, jo e lehtë për t’i ndenjur pranë”, – shkruan në ditarët e saj Sofia Andrevna, gruaja e devotshme, kuruesja e të gjitha teksteve të tij, nënë që kish rritur e vetme të trembëdhjetë fëmijët e kësaj martese. “Sot, teksa po redaktoja tekstet e Levoçkas (Lev Tolstoi), – shkruante në ditar ajo më 1890, – lexova frazën: “Dashuria nuk ekziston. Ekziston vetëm kënaqësia e mishit e ajo racionale për të pasur një shoqëruese jete”. Po ta kisha lexuar 20 vjet më parë, nuk do të isha martuar me të”.
“Kur të ketë jetuar deri në fund jetën e tij dashurore me mua, do të limitohet cinik e i pamëshirshëm të më largojë nga ekzistenca e tij. Për të universi reduktohet në atë çka lëviz rreth gjenisë së tij, veprës së tij. Nga ajo çka e rrethon merr vetëm atë që i shërben talentit e punës së tij. Fati im është vetëm qenia sekretare e një burri-shkrimtar”.
“Enciklopedia e gjallë” e letërsisë amerikane, Harold Bloom, nënvizon: “Nëse një punim nuk përmban shkëlqim estetik, forcë njohëse dhe origjinalitet autentik, nuk ia vlen ta lexosh.” Në krijimtarinë letrare të Faik Ballancës mishërohen të tri këto kërkesa.
Karakteristikë dalluese e Ballancës është dashuria për njeriun e cila përshkon tekstin dhe nëntekstin e tregimeve të tij. Ashtu si mjaft tregimtarë të njohur, nëpërmjet tyre ai u përpoq të zbulojë të fshehtat e jetës njerëzore dhe si të thuashm t’i prekë me duar apo t’i kqyrë me shqisat e tij. Por kjo është vetëm njëra anë e mjeshtërisë së tij letrare, sepse pjesa tjetër vijon me përpunimin artisik të këtij realiteti dhe me mesazhet që dëshiron t’u përcjellë lexuesesve. Këtu e ka burimin freskia e tregimeve të Ballancës dhe gatimi i lëndës jetësore me përthyerjen artistike prej shkrimtari të talentuar.
Në parathënien gjashtë vëllimshe të Aleksandër Kuprinit, Kostandin Paustovski do të shkruante për talentin e tij: “Ato skena dhe ngjarje jete i gjejmë të hedhura në veprat letrare, që nga realiteti në faqet e librave, ato vazhdojnë jetën e tyre, njëlloj si në realitetin nga ku janë marrë. Kështu i mbjellin drurët dhe rasatet së bashku me plisin apo shukën e dheut amë, që të mos vyshken dhe, të mund të zënë e të hedhin shtat”.
Një tipar tjetër i Faik Ballancës është trajtimi në mënyrë artistike i ngjarjeve nga realiteti, pa pritur të kalonte koha dhe të kthjellohej pamja. Për fat të keq, sot mjaft tregimtarë e kanë më të lehtë të shkruajnë për të kaluarën dhe fëmijërinë e tyre sepse me sa duket e ndjejnë veten të papregatitur ndaj të sotmes të mbushur me ngjarje nga më të pasurat dhe ndoshta ky fakt shkakton edhe hutimin dhe mosorientimin e tyre. Ballanca mishëron tiparet, që sipas Kostandin Paustovskit, duhet të ketë një shkrimtar i mirë:
“Shkrimtari duhet të dijë kaq shumë, sa s’e mendon dot. Ai duhet të kuptojë gjithçka! Ai duhet të punojë si ka dhe jo të rëndë pas lavdisë. Hyni nëpër shtëpitë, nëpër panaire, nëpër fabrika, në hane. Kudo, rreth e rrotull, në spitale, në miniera, në burgje. Kështu! Që jeta t’ju lagë si alkoli! Që të bëhet liker i mirë. Atëherë ju mund t’ua jepni njerëzve si një balsam çudibërës!”
Për shkak të rrethanave jetësore të pakthyeshme, Faik Ballanca ka lënë për lexuesit vetëm romanin “Nomeja e largët”. Por tregimet dhe novelat ishin ato që i dhanë emrin e nderuar që gëzon në letërsi, sepse në këtë fushë, ai ndihej si lulishtari në kopshtin e tij.
Ballanca ia doli të përgjonte lëngimet, “ohet” dhe “pohet” e heronjve anonimë dhe nga klithma shpirti, t’i endtte në avlamendin e vet për t’i shndërruar pastaj, në tregime mbi jetët dhe fatet njerëzorë. Sigurisht, çdo shkrimtar është i veçantë, por kur arti i tij, shkakton tek lexuesi emocione, nuk mund të mos tronditemi nga veçanësia dhe prurjet e rralla artistike.
Faik Ballancën e karakterizon një vitalitet i fuqishëm artistik sepse ka ditur të qëmtojë në larminë e temave të periudhës në të cilën jetoi, të pasqyrojë dhe t’ia sjellë ato lexuesit pa makaiazh ose ngjyrime politike.
Pasuria më e madhe e krijimtarisë së një shkrimtari nuk janë tematika dhe motivet e veprave të tij, por sendërtimi i tyre artistik, shndërrimi i një realiteti të caktuar në procesin krijues të shkrimtarit, ashtu sikundër natyra farkëton me dëborën e dimrit tokën, apo e qëndis atë me lulet e gjethnajën e pranverës dhe të vjeshtës…
Krijimtarinë e Ballancës e karakterizon lirizmi, me nuanca nga më të pasurat. Lirizmi i tyre ushqehet jo vetëm nga imagjinata e kujtesa për të kaluarën dhe ëndrrat për të adhmen, por edhe nga diçka që shkreptin e përflak shpirtin e njeriut. Kështu edhe në gjendje “memece” ato flasin me heshtjen e tyre flatruese. Nuk di të them më tej nëse ato kanë të bëjnë edhe me vetë lirinë njerëzore… Por në një farë kuptimi luajnë edhe rolin e “një skaneri”; sepse nëpërmjet tyre, ashtu sikurse silvikultorët zbulojnë praninë e dimrave të egër nga shqyrtimi i madhësisë së rrathëve në trungun e një peme, dëshmohet dashuria për të bukurën në jetë, sikurse mungesa e tyre, dëshmon shtrëngimet e regjimeve ndaj lirive të një shoqërie dhe rreziqet që kërcënojnë ta venisin atë. Ai zotëronte aftësinë për ruajtjen e njëfarë misteri në shpërfaqjen e një tregimi. (Kur Heminguejin e pyetën një ditë nëse e dinte se si do të përfundonte tregimi kur e kishte filluar, ai tha, “Jo, nuk ia kam idenë”.)
Tek tregimi “Ishim shokë të një moshe” i vëllimit “Tregime të zgjedhura”, Ballanca dëshmohet armiku i pamëshirshëm i meskinitetit, hipokrizisë njerëzore dhe servilëve. Në letërsinë shqipe ai mban vendin e parë, në këtë hulli, “rrugë letrare artistike” të cilën Dritero Agolli do ta çonte më tej, si një punë të filluar, por ende të pambaruar, me botimin e romanit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” në vitin 1973.
Tek tregimi “Ishim shokë të një moshe” spikat qëndrimi, jo vetëm estetik e letrar, por mbi të gjitha njerëzor i autorit. Në kujtesën e lexuesit mbetet i gjallë dhe i freskët heroi i tregimit, xha Ferhati, një këpucar pensionist. Përballë tij qëndron i biri i tij i adaptuar, Abedini, një nëpunës i ri, shok i autorit, që kariera dhe etja për pushtet ia kanë errësuar sytë, burokratizuar mendjen, trupin dhe shpirtin. Xha Ferhati i lutet plot mall e dashuri autorit, t’i tregojë Abedinit kur ta takojë, se për fat të mirë, Bejzadja, gruaja e tij, që e kishte rritur, nuk paskësh patur kancer femër, por mashkull dhe ia kishte hedhur paq vdekjes; ishte gjallë! Por ai, djali i tyre, Abedini, me sa duket, i mbytyr nga punët e zyrës në qytet, nuk kishte patur kohë as të hidhej një vrap deri në fshat të shihte nënën e sëmurë. Plaku e fton në shtëpi autorin sepse e ëma donte të çmallej me një shok të të birit. Rresht pas reshti rritet si një ortek ndjenja e respektit për njeriun e thjeshtë dhe me zemër të madhe sikurse edhe e kundërta; po kaq shumë edhe neveria e qëndrimi përçmues i autorit për njeriun e prishur nga endrra e sëmurë për karierë, shokut të tij të shkollës, Abedinit. Duke na dhënë me realizëm dhe me art skena të tilla, autori e lë në gjykimin e lexuesit qëndrimin ndaj figurës së tij servile dhe hileqare.
“Mbama pak pallton, çun”- është një tregim antikonformist, tipik në hullinë e tregimeve që mbart brenda strukturës së tij, formës dhe përmbajtjes, lirizmin; d.m.th, shprehjen në një mënyrë të thellë dhe të sinqertë të ndjenjave ndaj njerëzve si shoku Dilo, që dje, gjatë luftës çlirimtare u përleshën me bishën naziste dhe tani krejt modest dhe pa rënë në sy përjeton situata të rëndomta jete dhe pune.
“Mbasdite të lagura”, pasqyron një temë të brishtë dhe të trishtuar, si vetë mbrëmja; një djalë në moshë, Didikua, që shokët duan ta martojnë me një vajzë të cilën ai nuk e ka parë kurrë ndonjëherë më parë. Skicimi i portertit të heroit të tregimit, ashtu sikundër bën një mjeshtër pikture përpara telajos, hidhet me panelata të shpejta, por që ia dalin të pasqyrojnë një karakter timid e të ndrojtur para vajzave, atë të Didikos. Ja një paragraf nga tregimi:
“ …Nganjëherë ai tregohej shumë i hedhur dhe i gjallë. Fliste rrjedhshëm e natyrshëm me to dhe pastaj stepej menjëherë. Kur binin për të fjetur, ai mendohej gjatë dhe i dukej sikur kishte thënë një mijë budallallëqe dhe ishte bërë qesharak.”
Faik Ballanca zotëronte sekretet e arkitekturës së ndërtimit të tregimit. Nga shtigjet e fjalës dhe frazës ky magjistar i shpërfaqjes së karaktereve njerëzorë i udhëheq heronjt e tregimeve drejt shtigjeve ku prodhohet emocioni. Në fund të fundit, a nuk është edhe stili i një shkrimtari vetë jeta e tij apo vendosja e fjalës dhe fjalive në vendin dhe kohën e duhur? Por në mënyrë të kursyer dhe kuptimlote; të ngarkuar me emocione, aroma përmbajtësore, njësoj si pika e një flakoni aromatik e prodhuar nga shtrydhja e mijëra luleleve të rralla. Asnjë fjalë e tepërt, apo fjalë që u ngjan atyre gurëve që rrëketë i nxjerrin me forcë e vrull të egër mbi asfaltin e rrugës apo udhë e pa udhë.
“Njerka” është një tregim i “guximshëm”, sepse cili shkrimtar do të guxonte ta shkruante atë duke qenë se bëhet fjalë për një temë gati të shterrur nga përrallat e të gjithë popujve të botës? Faik Ballanca na habit e step me guximin artistik dhe mjeshtërinë e të treguarit. Ndoshta ky është rasti kur nga një material “anti-tregim”, sepse bëhet fjalë për njerkën, e cila e ka të humbur si në jetë ashtu edhe në art betejen për të përfaqësuar një hero dhe njeri me dimensione të larta njerëzore, ai ia del të mbrujë një vepër të lartë artistike. Gjatë sendërtimit të tregimit, njësoj si Franc Anton Masmeri, babai i magnetizmit, për të cilin shkruan Stefan Cvajgu, Ballanca na ysht me magjinë dhe talentin e tij duke na ftuar, me mjaft përkujdesje, si të na shoqëronte drejt një shtegu që kalon mbi një humnerë shpirtërore. (Dhe vërtetë, të shkruash me kaq dashuri e dhembshuri për njerkën është si t’ia kesh dalë të kapërcesh një rrezik të vërtetë). Heroinës së tregimt, një vajzë e rritur, e mbetur pa nënë, duke marrë për dore motrën më të vogël, i pëlqente të kundronin në vetmi perëndimin e diellit, detaj ky mjaft i gjetur e domethënës psikologjik, sepse, e kundërta, kundrimi i lindjes së diellit mbart dhe simbolizon shpresën, gëzimin për jetën. Por ja që peisazhit të tregimit i duhen ngjyra të trishta, të cilat i mbart perëndimi i një dielli, sikundër vetë përmbajtja e tregimit; nëna e vdekur prej disa vitesh. Apo pasazhi në vijim të këtij tregimi, kur të ulur në një tryezë dreke, babai, xhaxhai me të shoqen dhe dy motrat, pinin të gjithë verë. Por nëse të tjerët nga gëzimi, dy motrat jetime pinin nga hidhërimi. Nga cili hidhërim? Po, ja, që vendin e nënës së tyre të dashur, të bukur dhe të mirë, këtej e tutje do ta zinte një grua tjetër, krejt e panjohur dhe e huaj për ato.
Kurdoherë i saktë dhe i kursyer tregohet Ballanca në ndërtimin e frazës apo karaktereve, njësoj si ai kopshtari që mbjell vetëm lule të rralla, të cilat gjallojnë në një kopësht të lulëzuar, pa i bërë hije e karshillëk askujt, por që e pasurojnë dhe ndezin deri në flakërim njëra-tjetrën duke çuditur me thjeshtësinë e bukurinë e tyre edhe vetë natyrën!
Tek tregimi ”Motra” kemi modelin e një përshkrimi të mbarsur me mjaft kuptime, mesazhe dhe gjendje emocionale. Bëhet fjalë për fytyrën e një studenti (njësoj si “Porta” e një ndërtese) që kishte lënë shtatëzanë “motrën” e heroit të tregimit. Ja si përshkruhet fytyra e tij:
“…Ai ishte i bukur, por mua fytyra e tij m’u neverit menjëherë. Ishte një fytyrë shumë e ëmbël, që të velte, dhe gjërat që të velin unë nuk i gëlltis dot”.
Referuar standarteve të kohës shumica e shkrimtarëve nuk do të kishin guxuar të shpalosnin hapur dhe pa poza, naze apo zbukurime të moralshme ndërhyrjen e tyre për mbrojtjen e nderit të “motrës” së tyre, por do të ishin mashtruar nga trajtimi i situatës brenda normave të moralit të kohës, kur të tre vëllezërit, i shkojnë në shtëpi studentit që kishte lënë shtatëzanë “motrën” e tyre dhe si në një betejë të vërtetë, ia mësyjnë në dhomë, Ymeri duke hyrë me vrull nga dera dhe Sufi duke kërcyer nga dritarja në dysheme. Ata e detyrojnë me forcë që të kërkojë për martesë dorën e “Motrës” së tyre, Dritës. Kur kthehen në shtëpi të qetuar e të lehëtsuar se kishin “vënë në vend drejtësinë e munguar”, ndodh ajo që në art quhet “Colpo di scena”, Ballanca, përmes këtyre skenave marramendëse, jep karakterin e Dritës, një vajze pa baba, dhe më një shpirt edhe më të bukur se sa pamja e jashtme, e cila, ndonëse e mbetur shtatëzanë, e refuzon me neveri martesën me njeriun, i cili kishte luajtuar me ndejnjat e saj të pastra të dashurisë. Po, me të vërtetë skena të tilla që përmbysen si nga një tërmet i fuqishëm është i aftë t’i “prodhojë” dhe pasqyrojë vetëm një shkrimtar i talentuar.
Në tregimet e Faik Ballancës pas çdo heroi dhe peisazhi qëndron një zemër e madhe dhe ndjeshme që regëtin sëbashku me fatin dhe jetën e heronjve, që shkëlqejnë apo shkojnë në ferr, sikundër në jetën e përditshme duke i përçuar lexuesit një kënaqësi të veçantë artistike, plot finesë, art dhe kulturë. (MILOSAO)
Komentet