VOAL

VOAL

Manovrat e prokuroreve te SPAK per te nxjerre pa “lag” ish Ministrin Beqaj Nga Gazmend Rusi

July 20, 2022

Komentet

GAZMENT BARDHI: LETËR PUBLIKE GAZETARIT DHE DREJTORIT TË ABCNEWS SOKOL BALLA

I dashur Kol Balla,
Familja ime, bashkëpunëtorë dhe miq të mi, më nisën të shqetësuar një video (video më poshtë – pjesë e shkëputur nga editoriali hyrës i emisionit tënd) ku më “këshilloje” që të mos thellohem në denoncime pasi karma të kthehet herë në formën e Vinit (në burg) e herë në formën e Visit (i zhdukur dhe i dyshuar se është vrarë), dhe në çdo rast fundi nuk është i lumtur.
Të falënderoj shumë për “këshillën”, por më lejo të të informoj ty dhe përmes teje Edi Ramën, se unë kam vendosur t’i shërbej interesit publik, pra do të THELLOHEM në denoncime! Por si gjithmonë, me fakte e prova!
Fati i keq i Edi Ramës dhe kujtdo që leh për llogari të pushtetit të tij është që kurrë nuk ka ndodhur që denoncimet e mija me fakte e prova të kenë rezultuar të pavërteta. Propaganda i ka sulmuar për disa ditë, por nuk e ka mbuluar dot kurrë të VËRTETËN!
Prandaj, rri i qetë dhe mos u shqetëso për fundin tim! Ndërkohë, fillo e shqetësohu seriozisht për fundin e Edi Ramës dhe të kujtdo që leh çdo ditë për llogari të pushtetit të tij!

‘Euronews’: Shqipëria hap kapitullin e parë të anëtarësimit, mes trazirave politike dhe protestave të opozitës

Shqipëria çel sot grupkapitullin e parë të bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kjo është konferenca e dytë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe unionit, 10 vite pasi vendi ynë mori zyrtarisht statusin e vendit kandidat.

Por hapja e bisedimeve zyrtare të pranimit në BE vjen disa ditë pasi mbështetësit e opozitës protestuan në rrugët e Tiranës, shkruan “Euronews”.

Presioni i brendshëm ndaj kryeministrit Edi Rama, i cili ka qeverisur që nga viti 2013, është në rritje.

Mbështetësit e opozitës protestuan javën e kaluar në rrugët e kryeqytetit duke i bërë thirrje Ramës të largohej pas burgosjes së ish-deputetit Ervin Salianji dhe liderit të opozitës, Sali Berisha.

Opozita ka deklaruar se Rama po sundon me grusht të hekurt, duke i heshtur kritikët dhe duke abuzuar me pushtetin e tij për të pakësuar rivalët politikë.

Fredi Beleri, ish-kryebashkiaku i Himarës dhe eurodeputeti, u lirua nga burgu muajin e kaluar pasi u mbajt me akuza për blerje votash, të cilat u kundërshtuan nga Greqia. Kjo e fundit i vendosi kusht Shqipërisë që në rast se Beleri nuk lirohej, do të bëhej pengesë për anëtarësimin e vendit në BE. sn

‘Guantanamo’ gati- Çfarë tregon burgosja e afrikanëve në Shqipëri

Kur Edi Rama tha se kishte vendosur personalisht të ndihmonte Italinë për krizën e refugjatëve afrikanë, dashje pa dashje ai vuri në test aktet e politikës shqiptare. Nuk ishte hera e parë që shteti shqiptar vendoste të ndihmonte një mik, një aleat si Italia. Po nuk ishte as hera e parë që kishim përballë një komunitet në nevojë.

Për ndihmat modeste që Shqipëria ka dhënë përkundrejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës është krijuar tashmë një traditë. Kur kanë pasur ndonjë ngërç me komunitete të caktuara, SHBA e kanë gjetur zgjidhjen sapo kanë hedhur sytë nga Shqipëria; gjithnjë e gatshme të ndihmojë, në raport me kapacitetet që ka.

Vetëm se kjo ndihmë që i kemi dhënë aleatëve ka qenë e frymëzuar gjithnjë nga dy motive; së pari servilizmi, së dyti humanizmi.

Deri sot, dy motivet kanë qenë në harmoni. Meqënëse nuk binin ndesh njëri me tjetrin, ishte legjitime edhe ndonjë mburrje për humanizmin e shqiptarëve, që janë ndjerë në anën e duhur të historisë.

Rasti i parë, ishte ai i ujgurëve, një grup i përndjekur dhe i shpallur terrorist nga Kina që iu dha mundësia të nisnin një jetë të re në vendin tonë, pasi kishin vuajtur izolimin në burgun e Guantanamos, sepse edhe SHBA kishte dyshime se mos ata bashkëpunonin me talebanët. Kur ujgurët u nxorrën nga Guantanamo, asnjë shtet nuk i pranoi më. Me kërkesë të SHBA, Shqipëria strehoi 3 prej tyre në 2006, ndërsa në 2009 mori edhe 5 të tjerë.

Pas ujgurëve me kërkesë të SHBA erdhën muxhahedinët, të njohur ndryshe si opozita e Iranit. Fillimisht u strehuan disa qindra në 2013. Më pas e zgjeruan kampin në Manëz dhe sot numërohen mbi 3 mijë vetë. Një pjesë jetojnë në kamp. Të tjerë janë arratisur për t’u shpërndarë nëpër Tiranë.

Pas muxhahedinëve, me kërkesë të SHBA erdhën afganët, që u vendosën në Shëngjin në vitin 2021. Nga rreth 800 afganë që erdhën, një pjesë u larguan drejt SHBA. Të tjerët jetojnë ende në hotelet e Shëngjinit, të paguara nga shoqatat humanitare.

Natyrshëm, çdo kryeministër i Shqipërisë ka promovuar anën humane. Borxhin apo thënë ndryshe, servilizmin ndaj fuqive më të mëdha e ka lënë në plan të dytë.

Në 2006 kur iu përgjigj pozitivisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ujgurët, Berisha citohet të ketë thënë mes të tjerash “Qëndrimi ynë bazohet tërësisht në një çështje të të drejtave të njeriut”.

Më vonë Edi Rama kur fliste strehimin e muxhahedinëve, shprehej me krenari se “I dhamë strehë mijëra iranianëve, kur në vendin e tyre i rrezikohet jeta nga Teherani”.

Me mburrje legjitime, Rama doli në CNN në vitin 2021 pasi u kishte siguruar qindra afganëve akomodim në hotelet e Shëngjinit. “Kanuni i parë ligjor i shqiptarëve i shkruar shekuj më parë e ka të shkruar se “shtëpia është e Zotit dhe e mikut”. Ndaj, kush nga ata që dëshiron të qëndrojë edhe mund të qëndrojë” –shprehej Rama në një nga mediat më prestigjioze të botës.

Vetëm se me afrikanët, Shqipëria po tregon një fytyrë tjetër, ku nuk ka asgjë për t’u mburrur. Sepse mes humanizmit dhe servilizmit, ka fituar ky i fundit. Ndihma për Italinë është vetëm servile, nuk ka asgjë humane në të.

Bashkëpunimi për burgosjen e refugjatëve afrikanë ka në thelb interesin, për sa kohë kryeministrja e një vendi të fuqishëm si Xhorxhia Meloni mund të ndikojë në ecurinë e integrimit të Shqipërisë. Në harmoni këtu janë interesi dhe servilizmi.

Për komunitet e tjera që u mikpritën në vendin tonë, u ofrua strehim, ushqim, siguri, madje edhe ndonjë pagesë minimale. Kurse në rastin e afrikanëve oferta është burgu, izolimi brenda një kampi, ku 3 mijë vetë do të mbyllen brenda megjithëse nuk kanë kryer asnjë vepër penale.

Asnjë vend tjetër brenda Bashkimit Europian nuk ia lejon vetes një akt të tillë fashist. Madje as vetë Italia. Për ta bërë këtë, ka gjetur Edi Ramën, që tre vite më parë citonte Kanunin për të përshkruar mikpritjen e mikut në shtëpinë e shqiptarit, me të njëjtën lehtësi që sot thotë se nuk di gjë c’bëhet në shtëpinë e tij./Lapsi.al/

111 VJET NGA MASAKRA E SERBISË GJENOCIDALE – PËR T’U KUJTUAR E ASNJËHERË PËR TU HARRUAR!- Nga MILAIM NELA

Si sot 111 vjet më parë në zonën e Topojanit do të kryhej një nga masakrat më të tmerrshme në historinë e Lumës.
Kjo ndodhi vetëm një vit pas Luftës së famshme të Lumës të udhëhequr nga Islam Spahia dhe Ramadan Zaskoci, luftë që do ti vinte digën ushtrise serbe për të mos e lënë të kapte Durresin e rrjedhimisht të bënte të pamundur shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë.
Në fshatin Topojan në vjeshtën e vitit 1913 do të ekzekutoheshin nga ushtria serbe në një kurth pabesie 620 burra, shumica kryefamiljarë. Do të thirreshin demek për tu pajisur me pasaporta që të kishin mundësi të punonin në Europë sipas dëshmitarëve që e kanë përjetuar atë periudhë të tmerrshme.
Një pjesë e kësaj kasaphane të papërsëritshme është bërë e ditur përmes gazetarit Marin Mema në dokumentarin ‘Termopilet Shqiptare’ e që është trasmetuar në një televizion kombëtar shqiptar.
Në stanet e dajëve të mi të fshatit Brekijë do të ekzekutoheshin 7 persona.
1. Dalip Brahim Zyberaj
2. Brahim Islam Zyberaj
3. Shahe Dalip Zyberaj
4. Sheme Beqir Zyberaj (Sinamati)
5. Ilmi Rrahim Zyberaj
6. Hanife Rrahim Zyberaj
7. Fetije Islam Zyberaj.
Autori i këtij shkrimi është stërnipi i Sheme Beqir Sinamatit e cila ishte rreth të tridhjetave. Ajo ishte nënë e 4 fëmijëve dy prej të cilëve të vrarë në atë masakër që janë në listën e mësipërme Ilmiut rreth 3 vjec dhe Hanifes vetëm 3 muajshe, në djep.
Nëna ime tashmë e ndjerë prej 3 vjetësh do të mbante emrin e gjyshes së saj të masakruar me 15 Tetor 1913.
Mbetën gjallë gjyshi im Mirdaim Rrahim Zyberaj atë kohë 7 vjeç dhe vëllai i tij Sami Rrahim Zyberaj 5 vjeç.
Që ta bëj më të qartë për lexuesin gjyshi im dhe vëllai i tij Samiu, do përjetonin para syve të tyre, masakrimin e nënës Sheme, vëllait Ilimi, motrës Hanife, gjyshit Dalip, hallës Shahe e të gjithë të tjerët të listuar.
Këta do mbeteshin dëshmitarët e vetëm okularë të asaj ngjarjeje të tmerrshme ngjarje që do linte gjurmë deri sa ata mbyllën sytë pasi edhe babai i tyre Rrahimi do vritej në luftë për trojet shqiptare vetëm pas dy vitesh. Sot e kësaj dite nuk i dihet as varri.
Gjyshi im siç e thashë dëshmitar okular i asaj ngjarje thoshte që kur ushtari serb do të shkallmonte një sënduk rrobash me bajonetë nëna Sheme do ti thoshte: Çfarê bën? Ai i kthehet dhe me një bajonetë përshkon trupin e Ilmiut 3 vjecar që ajo e kishte në krah dhe zemrën e saj e të dy do të binin të vdekur në tokë.
Ushtarët serbë që kishin ardhur nga fshati Xhaferaj me shumë gjasa pasi kishin kryer masakrën atje, nuk kursyen as Hanifen 3 muajshe në djep.
Ata kishin ardhur ti bashkoheshin Georgit një oficer serb që kishte ardhur para disa ditësh i maskuar si terzi (rrobaqepës).
Georgi sipas gjyshit pas masakrës do ti vinte flaken staneve duke marrë me vete 120 kokë bagëti do largohej bashkë me ushtarët. Sipas gjyshit ai ju jepte urdhër ushtarëve dhe ishte oficer serb.
Brahimi kishte vetëm 6 ditë që ishte martuar.
Shahja halla e gjyshit do të martohej pas dy javësh por ata e vranë tek çesma e ujit.
Gjyshin tim Mirdaimin dhe Samiun që mbetën gjallë do ti rriste gjyshja e tyre Ajshja që ishte kushërira e parë e Islam Spahisë në Kolesjan.
Këtë rrëfim të gjyshit Mirdaim unë e kam dëgjuar me dhjetëra herë kur isha fëmijë deri sa ai vdiq në vitin 1989.
Pra, brenda një dite bashkë me paraardhësit e mi që janë në listën e mësipërme dhe në memorialin e mëposhtëm (që u ndërtua falë përkujdesit të Korab Sami Zyberajt në vitin 2020) do të kryheshin masakra të njëkohshme në Brekije fshat rreth 75 të vrarë por numri real është disa here më i madh.
Po ashtu në Nimçë numri i të vrarëve nuk dihet por sipas burimeve ai fshat thuajse do të shuhej dhe po ashtu në Novosej ku perveç masakrave shtëpitë u bënë gërmadha nga djegia dhe bagëtitë u vodhën.
Këto masakra pavarësisht se jo në mënyrë të detajuar janë përmendur nga Leo Freundlich në librin e tij GOLGATA SHQIPTARE.
Një ushtar serb pjesëmarrës në ato masakra do ti shkruante Gazetes ‘Radniçki Novine’:
“I dashtun mik!
Nuk kam kohë të ju shkruaj gjatë por mundem me të thënë se gjëra të frikshme janë duke ndodhur këtu!
Tmerrohem prej tyre dhe vazhdimisht pyes si mundet me ndodhë gjera te tilla e si munden me qene njerezit aq barbarë me kry këto krime!
Asht tmerr, nuk guxoj edhe me e pasë kohën qe se kam me të thanë gjë tjetër por mundem me të thanë se Luma më nuk ekziston! Nuk ka mbetë gjë veç të vdekurve, pluhurit e hinit. Ka katunde me nga 100, 150 e 200 shpi ku nuk ka mbetë asnjë njeri, hiç asnjë një i vetëm!
I tubojmë nga 40-50 vetë e mandej i therim me bajoneta deri kur bjen edhe i mbrami i tyre!”
Ne pasardhësit e familjarëve të masakruar me 15 Tetor 1913 i kemi dokumentuar me emra dhe saktësi të vrarët tanë.
Kemi edhe varret dhe eshtrat për saktësi forensike shkencore nëse është e nevojshme.
Në këtë datë përkujtimore dua të ju bëj thirrje të gjithë pasardhësve të familjeve të masakruar me 15 Tetor 1913 por jo vetëm në atë ditë të tmerrshme të dokumentojnë të vrarët e tyre.
Çdo ditë që kalon humb një dëshmi, harrohet një emër.
Shumë familje të masakruara nuk kanë lënë pasardhës për shkak të masakrave tej çdo përmase por kushdo që ka dëshmi ju lutem dokumentojini e publikojini.
Unë i jam referuar vetëm masakrës së një dite në zonën e Topojanit por shumë të tjera kanë ndodhur nē fshatrat e rrafshës së Lumes, Pobreg, Has e Prizren.
Unë do shkruaj për këto masakra çdo vit, çdo përvjetor e sa herë të më jepet mundësia.
Kjo sepse Serbia Gjenocidale, shkaktari i këtyre masakrave për të cilat jo vetëm që nuk ka paguar por nuk ka marrë përgjegjësi sot e kësaj dite edhe për fajin e shqiptarëve që nuk kanë bërë dhe dokumentuar një dosje serioze të këtij gjenocidi.
Kjo Serbi është lëshuar valë valë çdo 30 a 50 vjet mbi trojet shqiptare duke i larë ato me gjakun e bijëve dhe bijave tona më të mirë.
Serbia nuk harron, Serbia nuk ndryshon sepse këtë punë e bën në mënyrë të përsëritur që nga mesi i shekullit të 19të.

Pensionistë, nxirrni në pension Edi Ramën! – Nga Agim Xhafka

Dje mbasdite te shkallët e pallatit tim dy të moshuar po mundoheshin të ngjitnin një dollap nuk e di në ç’kat.

-A keni nevojë për ndihmë?-i pyeta dhe vura një dorë për ta shtyrë lart.

Dihasnin ata, por dhe unë. Në një pushim kati u thashë:

-Po ç’ne ju me ngarkim-shkarkim mobilesh? S’keni as moshë, as fuqi.

-Nuk jemi hamej. Jemi marangozë. Festuam në verë 70-vjetorin, por dhe kur të jemi 80 vjeç do ngarkojmë e shkarkojmë mobilje nëpër pallate.-tha njëri prej tyre.

-Se me pension 13 mijë lekë të reja që marrim a shtyhet muaji? – më pyeti tjetri.

Ç’t’u thoja? Kishin të drejtë. Askush qoftë dhe i vetëm, pa grua e familje, nuk gjallon dot me aq lekë. Por i pyeta me qëllim:

-Nxirrni në pension Edi Ramën atëhere. Ai si mësues e ka mbushur moshën. I bën mirë dhe për shëndetin se me ato sëmundje që ka i bën dëm posti i kryeministrit.

-E si ta nxjerrim ne në pension?-pyetën e qeshën dy marangozët 70-vjeçarë.

-Kollaj fare. Shitjani votën atij. I thoni që nëse nuk na i rrit pensionet të paktën me 100 euro në muaj harroje votën tonë. Ja, kaq duhet. Ju s’jeni pak, jeni 700 mijë.

Ata heshtën ca çaste. Po bluanin çka u thashë. Më tej pyetën si me dëshpërim:

-Po ku do gjejë aq shumë para?

-Këtë ta mendojë ai, jo ju. Po unë them se e ka kollaj fare për aq para. Boll të jetë më i rreptë ndaj vjedhjeve që bën administrat e dalin fondet. Boll të mos shpërblejë shokët dhe rriten pensionet. Boll të harrojë koncesionet, rrugët me 24 milionë euro kilometrin. Boll të mos jetojë në qiell me charter, boll të ulë rrogat e ministrave e deputetëve, boll të..

Nuk e zgjata më tej. I futa në mendime. Kapëm sërish dollapin e me marrje fryme e me ofshama dëshpërimi ia dolëm ta ngjitnim te kati i tetë.

Kur po më falenderonin për ndihmën i cyta:

-Vitin që vjen mos harroni, nxirrni Ramën në pension. Se i erdhi mosha. Se i takon.

Scholz: Do të angazhohem personalisht për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

VOA/Leonat Shehu

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha të hënën se duhet një dinamikë e re në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa u bëri thirrje të dyja vendeve të mos lejojnë që e kaluara të pengojë rrugën drejt një të ardhmeje paqësore dhe të begatë.

Ai i bëri këto komente në fillim të takimit të Procesit të Berlinit, që këtë vit po shënon dhjetë vjetorin e themelimit.

“Unë mbetem i bindur se kjo e ardhme është në Bashkimin Evropian dhe ka vetëm një rrugë që të çon atje, zbatimi besnik dhe i plotë i marrëveshjeve që keni arritur tashmë. Unë do të vazhdoj të angazhohem personalisht me të dyja vendet për t’u siguruar që ne ta shfrytëzojmë këtë mundësi”, tha kancelari Scholz.

Ai tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor është ende i formësuar nga konfliktet e së kaluarës dhe është koha për ta kapërcyer atë të kaluar dhe për t’i kthyer sytë drejt së ardhmes.

“Deklarata për marrëdhënie të mira fqinjësore e propozuar nga vetë rajoni flet për drejtimin e duhur. Është një angazhim i qartë për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe në frymën e bashkëpunimit dhe me mjete paqësore. Kjo është ajo që e përfaqëson procesi i Berlinit dhe mbështet punën së bashku dhe gjetjen e një kompromisi në dobi të të gjithëve”, tha kancelari Scholz.

Kancelari gjerman tha se Bashkimi Evropian është i kompletuar vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë e tij ndërsa theksoi rëndësinë e zhbllokimit të Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore e njohur si CEFTA.

“Kjo marrëveshje nuk është asgjë më pak se një përparim për bashkëpunimin rajonal dhe zhbllokimi i CEFTA-s mundëson që tani të aktivizohen edhe disa marrëveshje të tjera. Për shembull, për punën ndërkufitare, lejet dhe rregullat e tregtisë elektronike në mbarë rajonin. Kjo do të ndihmojë në thellimin edhe më tej të tregut të përbashkët rajonal. Dëshiroj të përgëzoj Kosovën për kontributin në këtë sukses duke vendosur që javën e kaluar të hapë një pikë kufitare për mallrat serbe”, tha kancelari Scholz.

Autoritetet në Prishtinë thanë javën e kaluar se Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarët e saj në Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore e njohur si CEFTA dhe jo më nga misioni i UNMIK-ut, siç ka ndodhur deri më tani.

Ndryshimet në Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore pasuan vendimin e qeverisë së Kosovës që të heq masën e ndalimit të importeve të mallrave nga Serbia, mes shqetësimeve se refuzimi mund ta linte atë jashtë proceseve të rëndësishme siç është Procesi i Berlinit.

Ky proces është një nismë e hedhur nga ish kancelarja gjermane Angela Merkel, me synim thellimin e bashkërendimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian.

Kurti pritet nga Scholz: Pres me padurim rezultatet nga samiti i Procesi i Berlinit

Kryeministri Albin Kurti, është pritur nga kancelari gjerman Olaf Scholz, në prag të nisjes së samitit të Procesit të Berlinit.

Për pritjet Kurti ka shkruar në rrjetin social X, duke e vlerësuar lartë rolin që sipas tij ka luajtur Procesi i Berlinit për të sjellë më afër BE-së vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ne kemi punuar shumë për ta bërë samitin e këtij viti të Procesit të Berlinit një sukses. Për një dekadë, ai ka luajtur një rol kyç në mbajtjen e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor së bashku dhe për ta sjellë atë më afër BE-së. Pres me padurim diskutimet dhe rezultatet”, ka shkruar Kurti në rrjetin social X.

Në takimin e sotme në kuadër të Procesit të Berlinit, në të cilin do të marrë pjesë edhe Kurti, është paralajmëruar nënshkrimi i disa marrëveshjeve dhe deklaratave në mes të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Tri nga pesë marrëveshjet e nënshkruara në vitin 2022 në kuadër të Procesit të Berlinit nuk kanë gjetur zbatim ende.

Mes tyre është edhe marrëveshja për heqjen e regjimit të vizave mes Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Referuar këtij rasti, por edhe ngecjeve në marrëveshjet e tjera, zyrtarë të Komisionit Evropian janë skeptikë për përfitimet që mund t’i sjellë takimi i radhës në Berlin. sn

Scholz në samitin e Berlinit: Duhet dinamikë e re në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Samiti i Procesit të Berlinit, 14 tetor 2024.

 

Radio Evropa e Lirë

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen më aktivisht në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, duke u zotuar se do të punojë edhe personalisht me të dyja vendet.

Scholz i bëri komentet në hapje të samitit të Procesit të Berlinit, ku marrin pjesë përfaqësues të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe të vendeve partnere.

“Na duhet një dinamikë e re… do t’u thosha miqve nga Beogradi dhe Prishtina sot: Ju lutem mos lejoni që e kaluara t’ju frenojë në rrugën drejt një të ardhmeje paqësore dhe prosperuese. Jam i bindur se kjo e ardhme gjendet në BE dhe ekziston vetëm një rrugë që çon atje: zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura”, tha Scholz gjatë fjalës hyrëse.

“Unë do të vazhdoj të angazhohem personalisht me të dyja vendet, për t’u siguruar se ato e shfrytëzojnë këtë mundësi”, shtoi ai.

I lansuar në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel, Procesi i Berlinit shënon sivjet dhjetë vjet.

Synimi i samiteve të tij, të cilat mbahen çdo vit, është që gradualisht ta afrojnë Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut më pranë BE-së.

Nga gjashtë shtetet e rajonit, vetëm Kosova nuk është kandidate zyrtare për anëtarësim në BE.

Duke folur për rëndësinë e Procesit të Berlinit, Scholz tha se ai “është instrumenti më i mirë jo vetëm për bashkëpunimin rajonal, por edhe për përshpejtimin e integrimit evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

“Bashkimi Evropian është i kompletuar me Ballkanin Perëndimor si pjesë të tijën”, tha ai.

Scholz, po ashtu, paralajmëroi nënshkrimin e dy dokumenteve të reja në samitin e sotëm, që, siç tha, do ta bëjnë jetën e njerëzve më të lehtë.

I pari, sipas tij, ka të bëjë me një plan të ri veprimi për tregun e përbashkët rajonal, ndërsa i dyti ne një marrëveshje të re për lëvizjen, që përfshin edhe qasjen në arsimin e lartë.

“Një dekadë vullnet, punë e angazhim për ta afruar rajonin tonë më shumë drejt BE-së”, shkroi në Facebook kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili është i pranishëm në samit.

Përgjatë viteve, në Procesin e Berlinit janë bërë disa marrëveshje dhe deklarata, por shumë prej tyre kanë mbetur pa u zbatuar.

REL: Procesi i Berlinit hyn në vitin e 11

Krenare Cubolli

Liderë të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të disa vendeve të Perëndimit, do të mblidhen të hënën në kryeqytetin gjerman, me ftesë të kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scolz, për t’i diskutuar objektivat e radhës në kuadër të Procesit të Berlinit.

Shkurt për Procesin e Berlinit

Organizohet prej vitit 2014, me iniciativë të kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel, pas një pauze të vendosur nga zyrtarë të Bashkimit Evropian në proces të zgjerimit të bllokut evropian.

Procesi i Berlinit nuk e ka një strukturë fikse, pra nuk e ka një mekanizëm qendror koordinues, dhe mbahet në vende të ndryshme.

Ndër vite, takimet janë mbajtur në Tiranë, Londër, Paris, Vjenë apo Poznan.

Nuk ka as mekanizëm ndëshkues.

Përveç Qeverive të vendeve të Ballkanit – Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës – dhe 10 vendeve partnere perëndimore, në takimet e Procesit të Berlinit marrin pjesë edhe institucionet e Bashkimit Evropian, institucionet financiare ndërkombëtare dhe organizata rajonale.

Ai është zgjeruar ndër vite, dhe derisa të mbahet samiti kryesor, sikurse ky i 14 tetorit, përgjatë vitit mbahen edhe një mori takimesh në nivele ministrore, si dhe shumë evente anësore me fokus në fushën digjitale, biznesore, të rinjtë, shoqërinë civile, çështjet gjinore dhe konferencat shkencore.

Në faqen zyrtare të platformës thuhet se “Procesi i Berlinit i ndihmon Ballkanit Perëndimor dhe banorëve të saj të jenë më të afërt me njëri-tjetrin”.

Por, sa është arritur ky objektiv?

E vërtetë që takimet e liderëve të Ballkanit janë bërë të shpeshta dhe fotografitë e tyre të përbashkëta janë kthyer në diçka normale.

Megjithatë, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë konsideruar me raste pengesë në zbatim të disa marrëveshjeve.

Njëjtë, edhe mosnjohja e shtetësisë së Kosovës nga ana e Bosnje e Hercegovinës, ka penguar marrëveshje tjera. Njëra prej tyre është ajo për lëvizje të lirë.

Banorët e dy vendeve vazhdojnë të pajisjen me viza nëse duan të vizitojnë njëri-tjetrin.

Synimet kryesore

Përveç përmirësimit të bashkëpunimit rajonal, synim tjetër i Procesit të Berlinit është edhe rritja e bashkëpunimit të Ballkanit me BE-në, në mënyrë që rajoni të ketë standarde evropiane, dhe që banorët e Ballkanit të shohin rezultate konkrete.

Nisma është e fokusuar në zhvillim ekonomik, siguri energjetike, agjendë të gjelbër, partneritet për klimën, rritjen e lidhjeve në rajon përmes projekteve infrastrukturore dhe përfshirjen e e plotë të komuniteteve në procese shoqërore.

Ndër marrëveshjet më me nam janë ato për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe ajo që njihet si ‘Agjenda e Lishshmërisë” për përshpejtim të rritjes ekonomike dhe krijim të vendeve të punës përmes lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave.

Asnjëra prej tyre nuk është zbatuar pikë për pikë.

Çfarë është arritur ndër vite?

Marrëveshja për “roaming” apo heqjen graduale të tarifave për telefoninë mobile dhe internetin, ka hyrë në fuqi në vitin 2023.

Çfarë pritet nga takimi i 14 tetorit?

Njohësit e çështjeve politike kanë përmendur lansimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal 2.

Rruga për arritje të marrëveshjes është zhbllokuar pasi Kosova ka hequr ditë më parë një ndalesë në mallrat prej Serbisë, në pikëkalimin në Merdare.

Zyrtarët gjermanë në veçanti i kanë bërë thirrje të vazhdueshme Kosovës që të hiqte atë masë, me argumentin se po shkelte Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), dhe se po rrezikonte pjesëmarrjen në nismat rajonale.

Masat kufizuese u vendosën në qershor të vitit 2023, pas arrestimit të tre policëve kosovarë nga autoritetet serbe. Zyrtarët policorë u liruan ndërkohë, por masa mbeti në fuqi.

Zyrtarët evropianë përmendin vazhdimisht nevojën e kryerjes së reformave të nevojshme nga vendet e Ballkanit, në mënyrë që rajoni të integrohet sa më shpejt në Bashkimin Evropian dhe Rusia të mos ketë asnjë mundësi për destabilizim as të këtij rajoni, por as të BE-së përmes tij.

Aktualisht vetëm Kosova nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndonëse ka aplikuar zyrtarisht për t’u bërë anëtare, në dhjetor të vitit 2022.

Shkenca shqiptare kërkon investim të shumëfishuar dhe një ligj modern konsensual – Nga MYQEREM TAFAJ

Ditët e fundit po zhvillohet, fatmirësisht, një diskutim edhe në media për shkencën, ngaqë filloi diskutimi i projektligjit për shkencën në komisionet e Kuvendit. Unë e konsideroj pozitive që po hartohet një ligj i ri për shkencën dhe kërkimin shkencor. Në fakt ai mund të emërtohej “Ligj për kërkimin shkencor dhe Zhvillimin (Research & Development)”, ashtu sic emërtohet në vendet e tjera. Ligji i mëparshëm për kërkimin shkencor ishte i vjetëruar dhe nuk mund t’i përgjigjej peisazhit të sotëm të sistemit të arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe zhvillimit.

Por ajo që më duket më e rëndësishme është fryma e projektligjit dhe objektivat e tij. Unë mendoj se një projektligj i tillë për kërkimin dhe zhvillimin (K&ZH) duhet të ketë qëllim kryesor shumëfishimin e investimit që do të bëjë vendi ynë për një hop sasior dhe cilësor në veprimtarinë krijuese të K&ZH në funksion të: (i) zhvillimit të një Shoqërie dhe Ekonomie të mbështetur në vendin tonë si një vendi që synon të jetë antar i BE dhe i familjes së vendeve të zhvilluara; (ii) zhvillimit të kapaciteteve njëzore shkencore për të kryer K&ZH, si dhe (iii) rritjes së cilësisë së arsimit në tërësi, dhe, në mënyrë të vecantë, të arsimit të lartë ku formohen brezat e rinj të specialistëve, ekspertëve dje kërkuesve, të cilët do të përballojnë sfidat e zhvillimit të gjithanshëm të vendit në dekadat që vijnë të këtij shekulli si Shekulli i Dijes.

Parë në këtë këndvështrim, relacioni dhe dokumenti i analizës së projektligjit nuk janë bindës. E para është investimi që parashikohet deri në vitin 2030 për K & ZH. Në këto dokumente thuhet që në vitin 2030 Shqipëria do të investoj vetëm 0,16 % të GDP për kërkimin shkencor. Ky është një objektiv që nuk e përligj hartimin e një ligji të vecantë për K&ZH, sepse një masë e tillë investimi nënkupton që Shqipëria, edhe pas 6 vitesh do të investoj 4-5 herë më pak se sa disa vende të Rajonit që investojnë për K&ZH 0,7 -0,9 % të GDP. Edhe sot kur GDP e vendit është mbi 20 miliard Euro dhe vepra të mëdha që financohen nga buxheti nuk po ndërtohen, Fondi i Shkencës është shumë modest, vetëm 5,5 milion Euro, ose një financim faktik më pak se 500 Euro/pedagog apo kërkues në vit, ndërkohë që ky financim për perdagog apo kërkues për K & ZH, në disa vende të Rajonit dhe në vendet e reja të BE është të paktën 10 herë më i lartë dhe në vendet e zhvilluara shumë herë më i lartë. Pra ky objektiv parësor i mungon këtij projektligji.

Në asnjë fjali të relacionit nuk shprehet një objektiv i qartë se cfarë synimi ka qeveria për zhvillimin e komunitetit akademik kërkimor në Shqipëri. Sot, në sistemin tonë të arsimit të lartë punojnë afërsisht 5400 pedagogë e kërkues, pa përfshirë këtu doktorantët, ose 2,5 herë më shumë se në vitin 2005. Ky komunitet akademik përbën të paktën 90% të gjithë komunitetit shkencor të vendit. Edhe pse ky numër në leximin e parë mund të duket i madh, ai është akoma shumë i vogël, rreth 2,3 kërkues/1000 banorë (sipas Censusit 2023), të paktën 4 herë më i vogël krahasuar me vende të Rajonit (p.sh Kroacia, Sllovenia, Serbia), për të mos përmendur këtë raport në vendet e zhvilluara.

Eshtë e domosdoshme që investimi për K & Zh të rritet me shpejtësi dhe të jetë të paktën 0,6 % të GDP në 2028 dhe 0,8 % e GDP në 2030, ose gati 7-8 herë më i lartë se sa investimi aktual (qeveria ka raportuar 0,08 % e GDP, por Fondi për Shkencën është vetëm 5,5 milion Euro ose afërsit 0,03 % e GDP). Ndoshta dikush do të habitet përse duhet një rritje kaq e madhe e investimit për shkencën. Dhe pse do të habitet. Sepse koncepti i këtij ligji duket sikur synon të mbështetë vetëm një grup shumë të kufizuar të komunitetit akademik për kërkim shkencor dhe nuk niset nga parimi themelor i përmendur më lart: dija në universitete duhet të mbështetet në krijimtarinë shkencore të cdo pedagogu! Po të shihet në këtë këndvështrim, atëhere bëhet fjalë për një komunitet kërkuesish që u përmend më lart, prej 5400 pedagogë e kërkues në sistemin e AL, pa llogaritur këtu doktorantët. Nëse i shtohet këtij numri edhe rreth 1000 veta që bëjnë kërkime jashtë sistemit të arsimit të lartë, atëherë do të kuptohet lehtë se bëhet fjalë për mbështetjen e veprimtarisë së kërkimit shkencor të një komuniteti prej  të paktën 10 mijë pedagogësh e kërkuesish në vitin 2030 në gjithë Sistemin e Shkencës. Edhe me këtë numër Shqipëria do të ishte e fundit në Rajon për nga numri i kërkuesve /1000 banorë.  Pra, ky ligj duhet të konsideroj me përparësi komunitetin akademik të universiteteve si kapitalin më të madh human shkencor të vendit tonë. Ky kapital është një pasuri e madhe kombëtare, produkt i investimit të shoqërisë dhe të vetë familjeve shqiptare, të cilët kanë mbështetur, sidomos në tre dekadat e fundit, vajzat dhe djemtë e tyre për të kryer me rezultate shumë të larta në studimet universitare edhe jashtë vendit, në mënyrë që të zhvillojnë një karierë të suksesshme si pedagogë dhe kërkues në universitetet tona.

Unë mendoj se ligjbërësit, politikëbërësit dhe ekzekutivi duhet t’a shohin sistemin e shkencës, për rrjedhojë edhe këtë ligj, në lidhje të ngushtë me zhvillimin e arsimit tonë të lartë dhe rritjen e cilësisë së tij, si kolona kryesore e Sistemit të Shkencës. Arsimi ynë i lartë përballet sot me sfidën kërcënuese të uljes drastike të numrit të studentëve për shkak të emigracionit masiv dhe uljes së lindshmërisë. Largimi masiv i të rinjve ka shtruar sfida për të ardhmen e universiteve publike dhe private më vendin tonë. Në këtë kontekst, është e domosdoshme që të rritet me përparësi dhe shpejtësi investimi për kërkimin shkencor për universitetet dhe integrimin sa më të mirë të arsimit të lartë me kërkimin shkencor dhe inovacionin. E thënë thjesht fare, ky investim duhet të jetë aq i madh sa t’i japë mundësi cdo pedagogu dhe kërkuesi në universitete t’i kushtoj të paktën gjysmën e kohës së punës kërkimit shkencor, cka do të ishte një revolucion i vërtetë në prodhimtarinë shkencore botuese, edhe internacionale, të komunitetit akademik të universiteteve të vendit, në interes të zhvillimit ekonomik e social të vendit si dhe rritjes së cilësisë së përgatitjes së studentëve tanë. Vetëm universitetet që do të mbështetin mësimdhënien në kërkimin shkencor kanë të ardhme të sigurtë. Nëqoftëse do të anashkalohej ky zhvillim jetik në sistemin e arsimit të lartë dhe do të tentohej, përmes këtij ligji, të dërgohen fondet buxhetore kryesisht në një rrjet institucionesh kërkimore jashtë universiteteve, kjo do të ishte goditje fatale për të ardhmen e arsimit tonë të lartë. Ky do të ishte një mesazh demotivues edhe për pedagogët dhe kërkuesit e rinj (sot janë rreth 2500 pedagogë e kërkues të rinj) në sistemin e arsimit të lartë, se ata nuk kanë të ardhme në universitete dhe kanë dy rrugë: ose të braktisin karierën e tyre akademike shkencore, ose të largohen me shpejtësi jashtë vendit për ta vazhduar atë në universitetet e huaja, të cilët janë të uritur për të rekrutuar të rinj të talentuar si staf akademik shkencor. Por kjo do të bënte që brenda 5-10 viteve që vijnë, vendi ynë të humbiste të paktën 30 % të komunitetit akademik, kryesisht kërkuesve e pedagogëve të rinj, situatë e cila do të ishte një përsëritje e atij Brai Drain masiv që përjetoi Shqipëria në dekadën e parë pas përmbysjes së diktaturës.

Në diskutimet publike për këtë projektligj po debatohet për rolin e qeverisë në sistemin e kërkimit shkencor në këndvështrimin e ruajtjes së lirisë së kërkimi dhe autonomisë akademike nga ndikimi i qeverisë. Po diskutohet roli i qeverisë në zhvillimin e kërkimit shkencor duke iu referuar kryesisht përbërjes dhe funksioneve të Këshillit Kombëtar të Politikave të Shkencës, me status këshillimor për qeverinë. Projekti parashikon kryesimin e Këshillit nga Kryeministri dhe një përbërje mbizotëruese të antarëve të tij me disa ministrave dhe drejtorë të agjencive qeveritare. Në parim është shumë mirë që Shqipëria të ketë një Këshill të Politikave të Shkencës, por ai duhet të jetë funksional dhe fjala (propozimet, rekomandimet) e tij të dëgjohet. Kjo do të nënkuptonte që antarët e tij të ishin përfaqësuesit më të shquar të shkencës shqiptare dhe rekomandimet e tij të ishin një “ligj i pashkruar” për konsiderimin nga legjislativi dhe ekzekutivi. Modeli që propozohet në këtë projektligj nuk i përmbush këto kritere. Janë thuajse të gjithë, përjashtuar të dërguarit e Konferencës së Rektorëve, antarë të qeverisë dhe vartës të tyre. Kjo është përbërje me mbizotërim të përfaqësuesve politikë, e cila nuk është e zakonshme për vendet demokratike, ku antarët e Këshillave të tillë propozohen nga komunitetet që përbëjnë sistemin e shkencës, mbi bazën e kontributit të tyre në shkencën dhe zhvillimin e vendit. Ata formalisht emërohen jo nga qeveria por direkt nga propozuesit. Një prej tyre zgjidhet nga vetë antarët si Kryetar me një mandat zakonisht dy vjecar. Ka plot shembuj ose modele të Këshillave të Politikave të Shkencës në vendet demokratike që mund të konsiderohen si referencë.

Një cështje tjetër shumë e rëndësishme që ka tërhequr vemendjen e komunitetit akademik është kompetenca që ky ligj i jep ministrisë dhe Akademisë së Shkencave për vlerësimin e veprimtarisë shkencore.

Për t’a kuptuar më mirë këtë duhet ndarë vlerësimi i sistemit të kërkimit dhe zhvillimit (niveli makro) nga vlerësimi i veprimtarisë kërkimore (niveli mikro). I pari është niveli makro. Atë e kërkon ministria përgjegjëse, por kurrë nuk duhet dhe nuk kapacitete profesionale për t’a realizuar vetë një gjë të tillë. Ministria është institucion politikëbërës dhe jo një agjenci vlerësimi. Edhe sikur t’a bënte ministria ky vlerësim, si do të ishte krejtësisht i pabesueshëm, sepse kjo do të thoshte që ministria të vlerësojë punën e vet në fushën e K & Zh. Sot vlerësimi i sistemeve të K & Zh bëhet nga agjenci të specializuara dhe të certifikuara për vlerësime dhe akreditime, madje edhe internacionale, të K & Zh. Ministria thjesht e kërkon vlerësimin dhe përdorë raportet e agjensive të specializuara për politikëbërjen në fushën e K & Zh.

Shumë më delikat është aspekti tjetër, ai i vlerësimit të veprimtarisë kërkimore ose niveli mikro, i cili shtrihet deri në vlerësimin e projektideve dhe veprimtarisë kërkimore individuale të cdo kërkuesi. Kjo është praktikisht liria kërkimore. Të thuash që ministria do t’a bëjë këtë vlerësim, do të thotë të legjitimosh një kontroll indirekt politik mbi cdo kërkues, cka do të conte në një politizim të rrezikshëm të veprimtarisë së K & Zh si dhe në një mbështetje politikisht selektive të kërkuesve shkencorë. Kjo dukuri është reale jo vetëm në vendin tonë si vend i vogël, ku thuajse të gjithë njohin njeri tjetrin, por edhe në vende më të mëdha, madje edhe ato të zhvilluara. Shembull i freskët është reagimi i disa administratave qeveritare në vendet perëndimore ndaj profesorëve dhe kërkuesve të universiteteve që ishin në krye të protestave për luftën në Gaza. Diku administratat qeveritare kërkuan informacione nga fondacionet e shkencës për projektet kërkimore që kishin fituar profesorët më aktivë në këto protesta, cka shkaktoi një reagim të ashpër jo vetëm të komunitetit shkencor por edhe të  opinionit publik duke cuar në dorëheqje të menjëhershme të niveleve të larta përgjegjës ministrore. Kjo dorëheqje ndodhë në shoqëritë demokratike të konsoliduara. A mund të mendohet që në këtë nivel kaq të ulët të demokracisë, sic është rasti i vendit tonë, të ngrihet dikush në mbrojtje të lirisë së kërkimit të një profesori apo kërkuesi ?! Ky përcaktim i ligjit do të rritë rrezikun e diskriminimit, të cilin e ka edhe kuadri nënligjor aktual. Me këtë ligj, nëse ti je një pedagog/kërkues politikisht i “njerkës” do të jetë më vështirë të fitosh një projekt nga buxheti i shkencës, cka do të thotë që ti nuk merr dot as doktorantë në udhëheqje, nuk publikon dot, dhe, kësisoj, nuk avancon dot në karierën akademike për titull akademik. Kështu mbetesh vendnumëro si një mësimdhënës dhe ke vetëm dy rrugë: ose të emigrosh për të vazhduar karierën akademike ose të ndërpresësh atë dhe të kërkosh një punë tjetër. Por, më e rëndë akoma, është efekti diskrimininues politik që mund të sjellë ku përcaktim në ligj për të rinjtë e talentuar që dëshirojnë të vazhdojnë studimet e doktoratës, të cilët mund të privohen politikisht nga mundësia e përfshirjes në grupe kërkimore për të kryer studimet e doktoratës. Për ta mbetet vetëm një rrugë: të emigrojnë për të realizuar endrrën e tyre për karierë akademike në universitetet e huaja. Por kjo është kosto për të ardhmen e shkencës të vendit tonë.

Gjithashtu, në asnjë vend demokratik, akademitë e shkencave nuk kanë asnjë tagër të vlerësojnë veprimtarinë kërkimore të universiteteve apo institucioneve të tjera, por vetëm të antarëve, kërkuesve apo njësive kërkimore të saj. Akademitë nuk janë agjenci vlerësimi. Sigurisht akademitë mund të hartojnë opinione publike për gjendjen e sistemit të K & Zh. Eshtë njësoj sikur të shkruash në ligj që një nga universitetet e vendit vlerëson veprimtarinë e homologëve të vet, të Akademisë apo institucioneve të tjera të K & Zh.

Prandaj është e domosdoshme që ky ligj të mbyllë cdo shteg që lejon kontroll politik, qoftë edhe indirekt, mbi pedagogët/kërkuesit dhe lirinë akademike e të kërkimit shkencor.

Ky projektligj, ndoshta me qëllim, anashkalon rregullimin e manaxhimit dhe të funksionimit të të gjithë veprimtarisë së K & Zh në vendin tonë. Në fakt ky nivel i rregullimit është konkretizim se si do të realizohet konkretisht dhe do të mbrohet liria e kërkimit të cdo kërkuesi. Në vendet demokratike ky nivel realizohet përmes Fondacioneve ose Autoriteteve publike të pavarura të shkencës. Projektligji për këtë ka vetëm një togfjalësh: Agjencia Kombëtare e Kërkimit & Inovacionit (AKKSHI) si një agjenci aktuale nën MAS. Në fakt AKKSHI, me statusin që ka në varësi të MAS, nuk përmbushë dot kriteret për të qenë një agjenci autonome, e barazlarguar nga palët, objektive në manaxhim dhe që garanton realizimin e lirisë së kërkimit. AKKSHI duhet të jetë një autoritet publik i pavarur, i drejtuar nga një Bord ku përfaqësohen të gjitha palët dhe manaxhohet nga Drejtori ekzekutiv, i cili zgjidhet me konkurs publik. Statusi, përbërja, misioni, funksionet, detyrat, përzgjedhja e Bordit, e komisioneve shkencore dhe oponentëve të fushave si dhe e drejtorit të Përgjithshëm shkencor dhe sekretarit të Përgjithshëm ekzekutiv të Autoritetit apo Fondacionit duhet të përcaktohen qartazi në këtë ligj. Ajo mund të quhet edhe Autoriteti Kombëtar i Shkencës. Madje, për të mundësuar thithjen dhe manaxhimin e fondeve për K & Zh nga donatorët, është e domosdoshme të jetë një institucion i natyrës së fondacionit (p.sh. Fondacioni Shqiptar i Shkencës), ku edhe donatorët kanë një përfaqësues të tyre në Bord. Për këtë mund të merren modele të vendeve të tjera. Pa një institucion të tillë publik të pavarur është e pamundur që të garantohet liria e kërkimit që jep Kushtetuta, sipas së cilës cdo kërkues apo grup kërkuesish që ka një ide /projekt të K & ZH, që i shërben zhvillimit të vendit, të ketë mundësi reale të aplikojë dhe të konkurroj mbi bazën e meritës pranë një Autoriteti/Fondacioni ku vlerësimet dhe vendimet transparente për projektet i takojnë komisioneve të shkencëtarëve dhe oponentëve shkencorë sipas fushave dhe jo personave politikë dhe burokratëve. Me një fjalë garant për lirinë e kërkimit duhet të jenë vetë shkencëtarët që përfaqësojnë komunitetin shkencor të vendit.

Pa një kapitull të gjërë, i cili rregullon në mënyrë të detajuar manaxhimin dhe funskionimin e veprimtarisë së K & Zh, ky ligj nuk do të kishte asnjë vlerë. Nëse dikush mendon se kjo mund të realizohet përmes vendimeve të qeverisë, kjo nuk do garanton lirinë dhe autonominë në K & Zh dhe mbetet në predispozicionin e qeverisë së radhës. Ky nivel i rregullimit duhet ti mbetet Kuvendit përmes ligjit dhe jo qeverisë së radhës.

Dhe së fundi, projektligji duhet të rregulloj plotësisht mënyrën e financimit dhe të manaxhimit financiar të fondeve nga buxheti i shtetit dhe atyre nga burimet e tjera jo buxhetore që vijnë nga sektori privat si donacione. Ligji duhet të përmbajë edhe “Fondin për Shkencën dhe Inovacionin” në vendin tonë, burimet e tij dhe programet kryesore që e përbëjnë atë.

Ky projektligj është ende shumë larg nevojave reale të vendit për një hop real, sasior e cilësor, në kërkimin shkencor; ai nuk garanton lirinë akademike dhe të kërkimit, dhe, si i tillë është larg pritshmërive të komunitetit tonë akademik shkencor.

Në ligjbërje ka ligje që mund të jenë konsensuale edhe pse nuk kërkojnë shumicë të cilësuar në miratim në Kuvend. Në këtë grup ligjesh konsensuale i pari duhet të jetë ligji për shkencën. Shumica parlamentare duhet t’a kuptojë se ky ligj. në këtë formë. nuk i shërben vendit. Eshtë plotësisht e mundur që Komisionet parlamentare të marrin kohën e duhur në diskutim dhe të dëgjojnë opinionet e të gjithë faktorëve, në mënyrë që projektligji të plotësohet/ përmirësohet dhe të arrihet në një ligj modern për kërkimin shkencor dhe zhvillimin të pranuar gjërësisht, më së pari nga komuniteti akademik i vendit, pastaj edhe nga faktorët politikë. Modele shumë demokratike ligjesh moderne të K & Zh ka edhe në vendet afër nesh, si p.sh. Sllovenia apo Kroacia, si vende me një madhësi të ngjashme me vendin tonë.

Eshtë mirë që politika të bëj një hap prapa në miratimin e këtij ligji. Vetëm kështu mund të arrihet në një ligj modern konsensual, i cili do të ishte afatgjatë dhe mund të krijonte kushte reale për një hop cilësor në kërkimin shkencor në vendin tonë.

Fokusi te Perëndimi i kushton Kosovës barriera në botën islamike

Kosova ka mbi 1.5 milion banorë me shumicë myslimane, por me Kushtetutë është shtet laik.

 

Valona Tela

Vendi i fundit me shumicë myslimane që njohu Kosovën si shtet, ishte Bangladeshi, në vitin 2017.

Pavarësinë e saj – të shpallur më 2008 – e njohin pak më shumë se gjysma e 57 vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, e cila e përshkruan veten si “zë i përbashkët i botës myslimane”. Mes tyre prijnë Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Megjithatë, shumë të tjera – si Indonezia me mbi 275 milionë banorë apo Irani me mbi 88 milionë – nuk e njohin.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi ministritë e Jashtme të këtyre dy vendeve, ashtu si edhe atë të Tunizisë, Irakut dhe Sirisë, për t’i pyetur nëse janë duke shqyrtuar qëndrimin për Kosovën, por nuk mori përgjigje.

Ngjashëm, as Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës nuk iu përgjigj interesimit të REL-it për aktivitetet e saj lobuese në këto vende.

Në një intervistë dhënë gazetës Arab News në vitin 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është “gabim i madh” që disa vende me shumicë myslimane refuzojnë ta njohin Kosovën si shtet.

“Mendoj se ato janë keqinformuar nga Serbia. Disa prej tyre e mbajnë atë qëndrim edhe për shkak të lidhjeve të ngushta me Federatën Ruse. Unë u bëj thirrje të gjitha vendeve të botës që – për hir të paqes afatgjate, sigurisë së qëndrueshme dhe njohjes së të drejtave të njerëzve për liri dhe vetëvendosje – ta njohin pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Kurti për Arab News.

Kosova ka mbi 1.5 milion banorë me shumicë myslimane, por me Kushtetutë është shtet laik.

Pavarësisht mbështetjes së disa prej shteteve më të mëdha dhe më me ndikim në botë, Kosova nuk është ende pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe njihet vetëm nga pak më shumë se 100 prej 193 shteteve anëtare të OKB-së.

Gëzim Visoka, profesor i Studimeve të Paqes dhe Konfliktit në Universitetin e Qytetit të Dublinit, thotë se hezitimi i shumë vendeve me shumicë myslimane për ta njohur Kosovën, buron nga një ndërthurje komplekse e ndikimeve gjeopolitike dhe aleancave historike.

Në mesin e tyre, ai përmend në mënyrë të veçantë Iranin, për të cilin thotë se ka lidhje të ngushta me Serbinë dhe Rusinë dhe se është i prirë të ndjekë narrativë antiperëndimorë. Si i tillë, ai ka ndikim edhe në shtete si Siria, Libani e Iraku.

“Pastaj, janë dhe shtete si Maroku dhe Palestina, që kanë lidhje të veçanta me Serbinë, për shkak të problemeve të brendshme që kanë me rajone të caktuara dhe lidhjeve historike që ka krijuar ish-Jugosllavia me to”, thotë Visoka.

“Pra, kemi të bëjmë pak me perceptimin e Kosovës si një projekt perëndimor ose amerikan, dhe pjesërisht me trashëgiminë e Jugosllavisë në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore”, thotë ai për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Michael Bishku, profesor i Historisë në Universitetin Augusta, thotë se qëndrimi i disa shteteve mosnjohëse të Kosovës lidhet edhe me frikën e tyre se pavarësia e saj mund të krijojë precedentë, por edhe me presionin e Rusisë – aleates kryesore të Serbisë në skenën ndërkombëtare.

“Nuk mendoj se Irani do ta njohë Kosovën, sepse ai shkon në hap me Rusinë. Ato dy vende janë mjaft të lidhura. Irani e ndihmon Rusinë në luftën e saj në Ukrainë. Disa vende të tjera mund ta shqyrtojnë pozicionin e tyre ndaj Kosovës në të ardhmen, por Irani jo”, thotë Bishku.

Për Visokën, sinjale të mira te shumë vende me shumicë myslimane nuk kanë dërguar as disa veprime të Kosovës, përfshirë vendimin e saj për të krijuar marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe për të hapur ambasadën në Jerusalem.

“Statusi i Jerusalemit është i kontestuar dhe ka një konsensus ndërkombëtar që status quo-ja e tij të mos ndryshojë, derisa të gjendet një zgjidhje e konfliktit mes Izraelit dhe palestinezëve. Kosova ka shkuar një hap tutje dhe ka marrë anë në këtë kontest dhe kështu është perceptuar si akt jomiqësor nga vendet arabe”, thotë Visoka.

Kosova hapi ambasadën në Jerusalem në vitin 2021, pas një marrëveshjeje me Serbinë, të arritur në Shtëpinë e Bardhë. Vendimi atëkohë u kundërshtua nga Liga Arabe, por edhe nga Bashkimi Evropian, i cili e cilësoi si “fatkeq”.

Visoka thotë se Kosova, nga frika e stigmatizimit ose perceptimit si vend islamik, ka anashkaluar nevojën për të pasur marrëdhënie të mira me shumë vende joperëndimore.

“Në raport me Jerusalemin dhe Palestinën, Kosova ka hapësirë të jetë më eksplicite, të marrë qëndrimin e BE-së sa u përket zhvillimeve në Gazë, në Liban dhe të mos bëjë asgjë më shumë”.

“Por, Kosova ka qenë gati e njëanshme deri tani – ajo i ka dënuar sulmet e 7 tetorit të vitit të kaluar [në Izrael] dhe ka qenë kryesisht e heshtur ndaj krimeve dhe dhunës ndaj civilëve palestinezë”, thotë Visoka.

Sipas tij, Kosova duhet të krijojë një politikë të jashtme më parimore dhe më të balancuar, e cila do të dërgonte sinjale te vendet që nuk e kanë njohur, se ajo nuk është kundër botës arabe apo interesave të tyre..

Autoriteti palestinez, i cili me dekada lufton kundër pushtimit nga Izraeli, nuk e njeh Kosovën, dhe ish-udhëheqësi palestinez, Yasser Arafat, është kritikuar për lidhje të ngushta me ish-presidentin jugosllav, Sllobodan Millosheviq.

Bishku dyshon se shumë vende me shumicë myslimane janë mirë të informuara për Kosovën dhe kontekstin historik të pavarësisë së saj.

“Palestinezët janë të zemëruar dhe pyeten përse vendet perëndimore nuk brengosen shumë për njohjen e shtetit palestinez, aq sa për Kosovën”, thotë Bishku për Exposenë.

Me përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, gjatë vitit të kaluar, Kosova, në disa raste, ka shprehur mbështetje për Izraelin.

Kur Irani ka sulmuar shtetin izraelit më 1 tetor, kryeministri Kurti ka shkruar në X se Kosova mbështet të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur, si dhe të gjitha përpjekjet për arritjen e një armëpushimi të menjëhershëm.

Për analistët, Kosova nuk e ka luksin të marrë anë ose të jetë rajonale në politikën e jashtme, derisa nuk siguron njohje më universale.

Visoka pranon se ndërveprimi me vende si Siria, që kanë regjim autoritar ose gjysmë-autoritar, mund t’i kushtojë Kosovës në imazhin e saj perëndimor, por thotë se me një lobim të heshtur dhe të koncentruar, vendet mosnjohëse mund t’i ndryshojnë pozicionet.

Në atë rast, përfitimet për Kosovën do të ishin të mëdha, sipas tij.

“Përveç thellimit të bashkëpunimit ekonomik, politik, kulturor dhe ushtarak, këto vende kanë votë në OKB dhe do të ishin kyçe për avancimin e Kosovës si shtet sovran brenda OKB-së. Anëtarësimi në shumicën e organizatave ndërkombëtare kërkon dy të tretat e votave të anëtareve të tyre dhe blloku i vendeve arabe ose myslimane është i fuqishëm”, thotë Visoka.

Bishku pajtohet. Në rast të një solidarizimi më të madh të vendeve me shumicë myslimane, Kosova do të mund të bëhej edhe anëtare e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, thotë ai.

“Shqipëria është anëtare prej shumë kohësh. Në rast të anëtarësimit, edhe Kosova do të mund të merrte ndihmë financiare, e cila do të ishte e dobishme. Por, për aq kohë sa nuk ka solidaritet në këtë organizatë, është vështirë të thuhet se kur mund të ndodhë kjo”, thotë Bishku.

Turqia, e cila vetë e ka njohur Kosovën vetëm një ditë pas shpalljes së pavarësisë, u ka bërë disa herë thirrje vendeve me shumicë myslimane që ta ndjekin shembullin e saj.

Vetë presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ëshë zotuar para tre vjetësh se do të punojë për të rritur numrin e njohjeve të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë pyeti Ambasadën turke në Prishtinë për aktivitetet lobuese të Ankarasë, por nuk mori përgjigje.

Njohjen e fundit, Kosova e mori nga Izraeli në shkurt të vitit 2021.

Në një intervistë dhënë mediumit Kallxo në fund të vitit të kaluar, shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla, ka thënë se është duke punuar për njohje të reja, por se nuk mund t’ua imponojë vullnetin e saj shteteve të tjera.

Sido që të jetë, në një botë ku aleancat dhe partneritetet kanë rëndësi, Kosova do të duhej ta kishte kuptuar se pranimi i saj kërkon më shumë sesa, thjesht, një vullnet të mirë – ndoshta një diplomaci më serioze dhe një grimcë finese më shumë. REL

Kosovë- Marshi i opozitës në dritën e luftës hibride- Nga Dr Sadri RAMABAJA

Si dhe pse përjetohen zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 si një lloj “Shpate e Demokleut” nga opozita – kjo amalgamë e neotitistëve dhe olhokratëve tanë modernë?!
Qytetarët gjatë kësaj legjislature kanë krijuar bindje, se tashmë vota e tyre ka vlerë – ajo ndikon drejtpërdrejtë në vendimmarrjen politike.

 

1. Si u shndërrua Kosova në laborator eksperimental?

Republika e Kosovës me aktin më të lartë juridik, konsiderohet shtet i pavarur, sovran dhe i pandashëm. Për fat të keq, kjo frymë e kushtetutës nuk përputhej për kohë të gjatë me realitetin.
Kosova, duke u trajtuar edhe nga qendra të vendosjes politike si rast eksperimental, është duke u sfiduar në krijimin e së drejtës dhe zbatimin e saj, respektivisht në gjakimin për ndërtimin e shtetit të së drejtës. Kjo po ndodhë, jo pse nuk ka rend juridik, sistem juridik, por meqë normat juridike përkrah funksionimit të tyre, favorizoheshin kundruall subjekteve politike të cilat luanin një rol dominant në aspektin ekzekutiv të gjykatave. Kjo, tashmë duket qartë se nuk është e rastësishme. Në këtë kuadër, për ta argumentuar këtë tezë, ia vlen të hedhim dritë mbi historikun dhe mënyrën e ngritjes së sistemit juridik në Kosovën e pasluftës. Administrata e UNMIK-ut, duke qenë tejet e interesuar që të mbetet për kohë të gjatë në Kosovë, segmente të saj me orientim politik të hapur proserb, kishin bërë çmos që në Gjyqësorin e Kosovës të rikthehen pothuajse të gjithë lojalistët e pushtetit të Milosheviqit.

Nëse do t’i hidhni edhe sot një sy konkurseve të publikuara në atë kohë, nga të gjithë gjyqtarët që po sistemoheshin në sistemin e gjyqësorit nga poshtë -lartë, deri tek Gjykata Kushtetuese, administrata e UNMIK-ut kërkonte përvojë pune prej 3 deri në 10 vjet! [1]

Juristi i famshëm austriak, Hans Kelzen do të thoshte, shteti ka dy funksione themelore: krijimin e së drejtës dhe zbatimin e së drejtës. A mund të bëhej kjo me ish gjyqtarët e epokës së Millosheviqit?!

Nga qershori i vitit 1999, konkretisht prej atij momenti historik kur forcat serbe [ushtarake e të sigurisë] qenë detyruar ta lëshonin Kosovën, me akomodimin e shpejtë të UNMIK-ut, konform Rezolutës 1244, e tutje deri më 17 shkurt 2008, kur Kosva do të shpallte pavarësinë, ishte një periudhë e gjatë, kur dimokracitë liberale po e trajtonin Kosoëvn si një laborator eksperimental të inxhinjeringut social e politik. Pluralizmi i shpifur politik i Kosovës kështu po kalonte nga laboratori eksperimental serb i epokës së apart’heidit [1989-1999] – në atë të të ushtruarit të pluralizmit politik si një proces i shpërfillur, por sidoqoftë do të prodhojë një realitet të ri më 17 shkurt 2008.
Gjatë periudhës së administrimit të Kosovës nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), nga viti 1999 deri në shpalljen e pavarësisë në vitin 2008, kishte një kontekst të ndërlikuar politik dhe institucional që ndonjëherë rrëshqiti drejt një lloji shpërfilljeje për pluralizmin politik.
Kjo periudhë karakterizohej nga sfida të mëdha në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në nxitjen e një spektri të plotë politik, për shkak të faktorëve si:

Dominimi i UNMIK-ut mbi vendimmarrjen: UNMIK-u kishte kompetenca të gjera ekzekutive dhe legjislative në Kosovë, duke përfshirë kontrollin mbi institucionet kryesore të vendit dhe funksionimin e tyre. Për shkak se UNMIK-u kishte mandatin e mbikëqyrjes dhe krijimit të një sistemi të ri qeverisjeje, shumë herë vendim-marrja politike dhe institucionale binte në duart e një administrate ndërkombëtare, duke kufizuar sovranitetin e plotë të aktorëve politikë kosovarë dhe mundësitë e tyre për të vepruar të pavarur.

Mungesa e zgjedhjeve të rregullta dhe të besueshme: Në vitet e para pas luftës, UNMIK-u ishte përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve dhe për mbikëqyrjen e zhvillimit të institucioneve politike. Megjithëse zgjedhjet u organizuan për asambletë komunale dhe më vonë për Kuvendin e Kosovës, administrata e UNMIK-ut shpesh shihej si një faktor që ngadalësonte zhvillimin e një sistemi të vërtetë demokratik dhe pluralist, duke qenë se vendimet kyçe merreshin nga një administratë ndërkombëtare dhe jo nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit.

Roli i kufizuar i shoqërisë civile: Shoqëria civile në Kosovë në vitet e pasluftës ende nuk kishte fituar një fuqi të plotë për të ndikuar në vendimmarrje. UNMIK-u, duke qenë një administratë ndërkombëtare me mision të caktuar nga Kombet e Bashkuara, shpesh nuk u përgjigjej presioneve nga grupet e shoqërisë civile vendase, duke krijuar kështu një boshllëk në pjesëmarrjen qytetare.

Rrjedhimisht derisa UNMIK-u kishte si mision ndërtimin e institucioneve demokratike, shpesh ai u përball me ndeshtrasha të mëdha në lidhje me nxitjen e një sistemi të vërtetë pluralist në Kosovë. Kombinimi i rolit të fuqishëm të administratës ndërkombëtare dhe tensionet e brendshme politike që lehtësisht mud të degjeneronin në lufët civile, po të mos marshonin dhe etabloheshin fillimisht forcat e KFOR-it, bënë të vështirë zhvillimin e plotë të një sistemi politik të larmishëm dhe përfaqësues.

2. Mashtrimi kolektiv i shoqërisë

Tejzgjatja e Apart’heijdit serb bashkë me të ushtruarit e pluralizmit nën drejtimin e LDK-së, kishte krijuar predispozitat për një mashtrim kolektiv të shoqërisë,[2] duke ju larguar gjithnjë e më shumë Lirisë. U dashtë dalja në skenë e UÇK-së së vegjëlisë dhe sakrifica sublime e Timoteut modern Adem Jashari tok me familejen e tij, që historia të marrë kthesën e duhur.

Në përmasa pothuajse të njejta për ikje nga Liria, alias Republika funksionale, po ndikonte në ambientin politik kosovar edhe tejzgjatja e periudhës tranzitore nga UNMIK-u tek qeverisja vendore.

Shteti edhe pas shpalljes së pavarësisë, po trajtohej disi i shpifur, irreal, ose edhe më keq – si i huaj, nga ai miksim nomenklaturash politike, që ishin një lloj nusprodukti i dy dekadave – asaj të Apart’hejdit serb [LDK-së] dhe dekadës tjetër që shenjon qeverisja e UNMIK-ut [PDK-së].

Rrjedhimisht dekada e dytë e lirisë po shndërrohej në një shtrat të rrezikshëm prokrusti për Republikën [humbja e rreth 3000 ha në jug – dhuratë për Maqedonin e Veriut; humbja e 8200 ha në perendim – dhuratë për Malin e Zi dhe pregaditja e terrenit që në emër të “shkëmbimit të territoreve” me Serbinë], që nënkuptonte humbjen e 18 për qind të territorit së Republikës, që de fakto paraqet pjesën më jetike të saj. Krejt ky proces po shoqërohej me hapa real që do ta konceptonin dështimin e Republikës si proces të paramenduar bashkarisht me ideologët serb!

Shih për këtë, zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 i kam cilësuar si një revolucion demokratik i heshtur. Ai akt ishte më shumë se ushtrim i pluralizmit demokratik, si e njeh teoria e parlamentarizmit.
Përmes atyre zgjedhjeve, Kosova po bënte prerje epokash.
Qytetarët e Kosovës përmes atij revolucioni të heshtur, po dërgonin në histori amalgamën politike të neotitistëve dhe olhokratëve, që tashmë ishin shnëdrruar në gangrenë vrastare për trupin e brishtë të Republikës.

Në kontekstin aktual kosovar rikthimi tek termi “neotitistë”, ka për objektiv të përshkruaj politikanët ose grupet që e shohin periudhën jugosllave tutje si një kohë stabiliteti ekonomik dhe me gjasë edhe si një model për të adresuar sfidat e sotme politike dhe ekonomike.

Megjithatë, ata janë të vetëdijshëm se ideologjia titiste mbart një barrë historike për Kosovën, sidomos për shkak të rrugëve që u ndoqën nga shovinisëtt serb për shuarjen e asaj pak autonomie që gëzonte Kosoëva me kushtetutën e vitit 1974. Për këtë arsye, neotitizmi mund të jetë një pozicion kontravers në Kosovë, sidomos me ato shtresa që kërkojnë një identitet më të pavarur dhe larg nga trashëgimia e ish-Jugosllavisë, që ndërkohë pretendojnë ta mveshin me një lloj të nacionalizmi të shpifur urban dhe neoliberalizmi ala Donald Trump!

Ndërkaq nocioni “oligokratë” [në rastin e Kosovës të afërt me LDK/PDK-në], i referohet shpesh elitave politike dhe ekonomike që akuzohen për kontroll të tepruar mbi resurset dhe vendimet politike të vendit, duke kufizuar demokracinë e mirëfilltë dhe duke forcuar pushtetin e tyre përmes rrjeteve të interesave private. Në këtë kontekst, disa figura politike dhe subjekte të caktuara që kanë pasur ndikim të madh në qeverisjen e Kosovës në të kaluarën, kanë për qëllim të rikthehen në pushtet për të vazhduar zhvatjen e pasurive të vendit tutje dhe shnëdrrimin e Republikës në një satelit atipik të akcilës qendër vendim-marrëse, me rëndësi që ata ët jenë në pushtet!

Sipas intelektualit të njohur anglo-gjerman, Ralf Dahrendorf, demokracia përbëhet nga një “ansambël institucionesh”, që legjitimojnë ushtrimin e pushtetit politik, mundësojnë ndërrimin e pushtetit pa dhunë, kontrollin dhe balancën e ushtrimit të pushtetit, si dhe participimin e qytetarëve në ushtrimin e pushtetit. Gjatë këtyre katër viteve të qeverisë Kurti demokracia zuri fill të perceptohet si pushtet i qytetaërve, pa çka se “ansambli i institucioneve”, sidomos ai i Drejtësisë, stonoi.

Që nga teoria e Platonit mbi shtetin, ekziston edhe hipoteza se, çdo formë e sundimit mund të marrë njërën nga dy cilësitë që ndërlidhen me vizionin politik:
I. Njëra trajtë që orientohet në arritjen e mirëqenies dhe
II. Tjetra që bazohet ekskluzivisht në interesat e sundimtarëve. [Wolfgang Petritsch: 2019]

Nëse shoqëritë e shteteve demokratike thellojnë polarizimin dhe, në vend të kompromiseve dhe debatit, imponojnë vetëm vullnetin e shumicës (së aristokracisë SR), atëherë kemi të bëjmë me shënjuesin e dytë të demokracisë: atë të cilin historiani grek, Polybios (200 deri 12 vjet p. K.) e cilësonte si OLHOKRATI – sundim të fundërrinave. [3]
Olhokratët tanë kaherë janë pozicionuar tok në një tabor me kritikët e demokracisë liberale, duke i hapur rrugë promovimit të demokracisë iliberale. Përafrimi i tyre me Orbanin, Erdoganin…nuk ishte dhe nuk është i rastësishëm. Një qasje e tillë është një produkt i naivitetit dhe i cinizmit bashkë. Prandaj legjitimuesit e apart’heidit serb dhe imituesit e demokracisë në vitet ‘90, nga bota e civilizuar u panë më shumë si naivë politik, ndërkaq olhokratët shihen ashtu si janë: si cinikë e plangprishës. Por diskursi teorik në raport me këto fenomene pothuajse ka munguar ndër ne.
Sidoqoftë 14 shkurti i vitit 2021 bëri prerjen historike, duke dërguar në opozitë iliberalët dhe duke i sjell në pushtet liberalët demokratë të majtë.

Tek tashti, kur prerja e këtyre dy epokave po bëhet gjithnjë e më e qartë dhe rikthimi i pasuesve të titizmit tok me olhokratët po bëhet më e qartë se do të ishte kundërrevolucion tipik, në skenën politike e dipplomatike, por edhe në atë mediale, furishëm na shpërfaqen falangat bjellogardiste, si dikur në dhjetorin e vitit 1924, që po shoqëronin bandat e Ahmet Zogut në marshin e tij për rikthim në pushtet në Tiranë.

3. Zgjedhjet e 9 shkurt 2025 – referendum politik

Për më shumë se tri dekada kjo amalgamë e titizmit kosovar e veshur me petkun e demokracisë, e ngjizur në një lloj monstrumi politik tok me olhokratët që prodhoi puçi brenda UÇK-së më 1998, u rrit me një shpejtësi të habitshme, marramendëse dhe u shndërrua në një klasë politike çoroditëse, makute, thellësisht zhvatëse, që ka krijuar tentakulat e saj brenda sistemit politikë, në sektorin e financiarë dhe të krimit, duke u përqëndruar sidomos në sektorin e drejtësisë.

14 shkurti i vitit 2021 kishte ngjallur shpresën se Republika e Kosovës, përveç se ia kishte dalë të shkëputej nga kthetrat e asaj lukunie titste-olhokratiste, do të mund të shndërrohej në një lokomotivë për frymëmarrje të re brenda hapësirës sonë kombëtare. Këto katër vite që po lëmë pas, e provuan katërcipërisht se kjo shpresë kishte bazament real. Funksionalizimi dhe faktorizimi Republikës së Kosovës është prova më reale se Kombi ka mundësi të gjeneroj forca të reja edhe në fushën e mendimit politik dhe të pluralizmit real demokratik. Shteti i së drejtës mund të shndërrohet në ideal të këtij brezi politikanësh.

Ndërkohë atë që nuk e bëri dot Drejtësia e kapur – ndëshkimin e banditëve që zhvatën tërë atë pasuri të Republikës sidomos gjatë procesit të privatizimit,[4] duhet ta bëjë sërish qytetari përmes referendumit politik më 9 shkurt 2025.

Fenomeni i rrudhjes së partive politike tradicionale po thellohet edhe në demokraciët e etabluara në Perednim. Qytetari prandaj nuk i sheh LDK/PDK/AAK/AKR si alternativë pushteti.
LDK/PDK/AAK… vazhdojnë të funksionojnë si korporata oligarkësh që po pretendojnë të rikthehen në pushtet dhe të vrasin shpresën e disa brezave…
Ato tashmë nuk përbëjnë opozitën reale që do të duhej ta kishte korpusi politik i skenës plurale. Opozita reale në Kosovë do të fillojë të krijohet, shih për këtë, tek pas 9 shkurtit 2025.

4. Tendencat e hapura për rikthimin e Republikës në kthetrat e olhokratëve

Në një ese timen me titull sinjifikativ “Republika në kthetrat e olhokrëtve”, të shkruar në rrthana të jashtëzakonshme në vitin 2018, tek trajtoja fenomenin e grryerjes së shtetit, që ndryshe është trajtuar edhe si “vdekje e ngadalshme e demokracive”, i jam referuar, përveç tjerash, edhe dy profesorëve të universitetit të Harvardit, Steven Levinsky dhe Daniel Ziblatt. Aktualisht, demokracitë po vdesin jo nga një goditje e vetme (siç ishin grushtet e shteteve, kryengritjet apo atentatet dikur), por fare ngadalë dhe pothuajse pahetueshëm. Levinsky dhe Ziblatt sjellin një krahasim atipik të këtij fenomeni me atë që zhvillohet në fushën e futbollit: figurat autoritative, për të forcuar ndikimin e tyre në fushë, punën e parë që bëjnë, provojnë të vënë nën kontroll gjyqtarin kryesor në fushë, pastaj t’i margjinalizojnë lojtarët kryesorë të kundërshtarit dhe, së fundmi, edhe të ndryshojnë rregullat e lojës në dobi të vetes, ashtu që në fund, de fakto, nuk është e mundshme të flitet për lojë fer. [5]

Në terrenin politik e shtetëror, gjyqtarët e të gjitha niveleve të sistemit konsideroheshin nga olhokratët tanë, ashtu si edhe shërbimet e fshehta (AKIA, Shërbimi i Inteligjencës në polici, G2 në FSK), pastaj autoritetet rregullative dhe ato të ATK-së dhe, si instrumente të dobishme. Këto struktura, tashmë është si të thuash sekret publik, ishin të kapura nga SHIK-u alias PDK-ja.

Përmes mbetjeve të kësaj strukture, pushtti i ri i VV-së, që nga dita e parë e instalimit të tij, nga brenda e nga jashtë, do të lëvizeshin të gjithë zaret që ai të bie. Por, kishte diçka të brendshme, në frymën që kishte instaluar tashmë VV, që po kultivonte shpresën e funksionalizimit të Republikës. Ndërkaq në rrafshin historik, Lëvizja VV po shpjente tutje misionin historik që ka, jo vetëm në raport me të ardhmene Republikës së Kosoëvs, por edhe për kontributin në rrafshin e prosperimit dhe faktorizimit të Kombit.
Prandaj dështoi lufta hibride e shpërfaqur fillimisht në trajtën e një “mësymje sindikaliste”.
Intensifikimi i saj, në përmasat e një marshi opozitar qoftë edhe në dritën e luftës hibride, do të intensifikohet ndërkohë në prag të zgjedhjeve në trajtën e montimit të lajmeve të rreme dhe përhapjes së panikut, dezinformimit klasik dhe shpifjeve të ulta.
Pas marshin sindikal, ndërhyrja e Serbisë përmes Listës Serbe për të krijuar kaosin politk në veri dhe legjitimuar aneksimin e kësaj pjese të Republikës, do të marrë përmasa kulmore që shestontohej si proces i kalimit të kufijve të luftës hibride drejt agresionit klasik. [Rasti i Banjës, në Albanik/Leposaviq]. Ndërkq përlogaritja e gabuar, natyrisht si pjesë e ngushëllimit pas dështimit të brendshëm, se këtë rrëzim sërish do ta bënte faktori nëdrkombëtar, siç e pat bërë në kulmin e pandemisë administrata e Donald Trump-it përmes emisarëve të tij, ishte shpërfaqja më plastike e naivitetit politik dhe injorancës që në vetvete mbruante dhe mbrunë ajo shtresë e hollë e olhokratëve tanë të depushtetizuar më 14 shkurt 2021.

5. Kur zgjedhjet shihen si “Shpatë e Demokleut”

Strukturat neotitiste dhe ato që prodhoi mendësia olhokrate në Kosovë preferojnë rendin iliberal, autokracinë para demokracisë libreale. Prandaj këto struktura zgjedhjet shpesh i perceptojnë si një “Shpatë e Demokleut”. Prandaj përmes mediave vizive dhe portaleve pretendojnë të mbjellin frikë, panik, pasiguri dhe tension politik, duke rrezikuar jo vetëm stabilitetin politik, por edhe jetën dhe lirinë e qytetarëve. Ky koncept vjen nga legjenda e Demokleut, ku shpata që rri pezull mbi kokën e të ndëshkuarëve, simbolizon rrezikun e pashmangshëm që mund të bjerë në çdo moment. Në kontekstin e shoqërive iliberale, zgjedhjet prandaj mbartin një rrezik të ngjashëm për disa arsye:

Frika nga ndryshimi i pushtetit: Në shoqëritë iliberale, ku liderët autokratikë apo grupet dominuese kanë tendencën të mbajnë pushtetin, respektivisht ta marrin atë, përmes mjeteve të paligjshme apo jodemokratike (manipulim zgjedhor, censurë, represion), çdo palë zgjedhjesh për këto kuazielita paraqesin kërcënim real. Ata e shohin procesin zgjedhor si një moment kritik që mund të sjellë fundin e tyre politik, ndoshta edhe fizik, nëse humbasin kontrollin. Kjo është veçanërisht e vërtetë në sisteme ku korrupsioni dhe abuzimet janë kaq të përhapura sa që largimi nga pushteti mund të çojë në ndjekje penale ose hakmarrje nga grupet e reja.

Përdorimi i zgjedhjeve si fasadë: Zgjedhjet në shoqëritë iliberale, në rastin tonë nga strukturat iliberale neotitiste dhe të olhokratëve,shpesh përdoren si një mjet për të legjitimuar regjimet dhe për të krijuar një iluzion të demokracisë. Edhe pse procesi zgjedhor ekziston, ai është shpesh i manipuluar me qëllim të mbajtjes së pushtetit, respektivisht marrjes së tij. Kjo ndikon që tensioni të rritet, pasi çdo devijim nga plani mund të dëmtojë seriozisht stabilitetin e regjimit, duke nxitur frikë nga rezultatet e papritura.

Pasiguria për të ardhmen: Në ambientet politike ku kanë terren veprimi dhe vendimmarrje strukturat iliberale, rezultati i zgjedhjeve është shpesh i paparashikueshëm për publikun dhe aktorët politikë. Kjo ndodh sepse këto struktura kanë predisponim të manipulojnë rezultatet e zgjedhjeve në mënyra të fshehta, dhe populli nuk ka besim se zgjedhjet do të jenë të lira apo të ndershme. Kjo krijon pasiguri të madhe në radhët e qytetarëve, të cilët e shohin procesin zgjedhor si një rrezik që mund të çojë në ndryshim të dhunshëm të pushtetit.

Rreziku i destabilitetit: Nëse zgjedhjet në një shoqëri iliberale, respektivisht në ato komunitete ku strukturat iliberale pretendojnë ta marrin pushtetin, nuk pranohen nga opozita apo nga populli si legjitime, ato mund të çojnë në përplasje civile, protesta masive, ose madje edhe në dhunë të hapur. Ky është një tjetër aspekt i “Shpatës së Demokleut”, ku pasiguria për rezultatin dhe ndjekja e një procesi të pandershëm rrezikon të shkaktojë përmbysje të madhe shoqërore.

Mungesa e një kornize të fuqishme demokratike: Në shoqëritë ku institucionet janë të dobëta dhe nuk respektohen parimet e sundimit të ligjit, zgjedhjet shpesh janë përpjekje të tensionuara për kontroll dhe pushtet, në vend që të jenë shprehje e lirë e vullnetit të popullit. Kjo rrit ndjenjën e pasigurisë dhe bën që zgjedhjet të shihen si një moment kritik, ku mund të ndodhë një përmbysje e papritur e pushtetit, respektivisht marrje e pushtetit, duke u shndërruar kështu në një “Shpatë e Demokleut” mbi gjithë strukturën politike të vendit.

6. Lufta hibride ndaj Kosovës

Lufta hibride ndaj Kosovës dhe qeverisë së saj është një koncept që përshkruan përpjekjet komplekse dhe shumëdimensionale për të destabilizuar vendin, dobësuar institucionet e saj dhe ndikuar politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht. Ky lloj konflikti është shpesh i padukshëm dhe përfshin mjete të ndryshme që shkojnë përtej luftës konvencionale. Në kontekstin e Kosovës, lufta hibride po përfshinë veprime të tilla si dezinformimi, ndërhyrja politike, presioni ekonomik, përdorimi i tensioneve etnike dhe diplomacia agresive nga aktorët e brendshëm dhe të jashtëm, kryesisht të ndikuar nga Serbia dhe aleatët e saj, jo vetëm Rusia.

Një nga strategjitë e Serbisë dhe Rusisë në luftën hibride kundër Kosovës është përdorimi i mediave lokale, përfshirë portale dhe televizione, për të përhapur mesazhet e tyre. Në Tiranë dhe Prishtinë, ka portale dhe media të cilat, edhe pse jo të njohura publikisht si pjesë e një agjende serbe alias ruse, po amplifikojnë propagandën serbe/ruse përmes ribotimit të artikujve të burimeve pro-serbe/ruse ose përhapjes së narrativave që bien në linjë me interesat e Beogradit/Kremlinit.

Në këtë kuadër edhe beteja për ta dekurajuar votimin, sidomos të mërgatës sonë, është tërësisht antidemokratike. Në këtë kurth tashmë kanë rënë edhe mekanizma të bredshëm institucional [KQZ-ja], politik e medial.

Ja disa nga mënyrat se si kjo luftë hibride manifestohet aktualisht:

Dezinformimi dhe lufta mediatike: Një nga aspektet kryesore të luftës hibride është fushata e dezinformimit, e cila synon të destabilizojë situatën politike dhe sociale në Kosovë. Kjo përfshin përhapjen e lajmeve të rreme, narrativave të shtrembëruara dhe propagandës në mediat sociale dhe tradicionale, duke synuar të nxisë tensione brenda shoqërisë kosovare dhe të minojë legjitimitetin e qeverisë. Mediat e kontrolluara nga aktorë të jashtëm, si ato serbe dhe ruse, shpesh krijojnë ose amplifikojnë informacione të rreme për të krijuar një atmosferë të dyshimit dhe konfuzionit rreth vendimeve qeveritare, në përpjekje për të ulur besimin e popullit ndaj institucioneve të Kosovës.

Presioni ekonomik: Një tjetër taktikë e luftës hibride është presioni ekonomik. Për shembull, Serbia ka përdorur politika ekonomike për të mbajtur ndikim mbi serbët e Kosovës, por edhe tek një lagje e mirë e biznesit që ishte aktiv edhe gjatë dekadës së Apart’heijdit në Kosovë [1989-1999] dhe ka ndikuar në ekonomi jo vetëm në veriun e Kosovës, ku popullata serbe është më e përqëndruar. Ky presion përfshin gjithashtu mbështetjen e strukturave paralele që operonin në veri të Kosovës, të cilat kishin funksionuar deri vonë të pa cenuara nga qeveritë kosovare. Këto struktura sfidonin autoritetin e Prishtinës dhe përkeqësonin situatën e sigurisë dhe stabilitetit ekonomik në rajon. Këto struktura ekonomike që operonin në veri për kohë të gjatë, siç u dëshmua, ishin financuesit edhe të strukturave të sigurisë, që Serbia i mbante gjithandej dhe në fund edhe i aksionit ushtarak me elemente të veprimit terrorist që po planifikonte ta aneksojë veriun e Kosovës. Aksioni ushtarak në Banjë/Banjskë ishte pjesë e këtij akti.

Ndërhyrjet politike dhe diplomatike: Serbia, me mbështetjen e disa aleatëve ndërkombëtarë si Rusia etj., ka ndërmarrë një fushatë agresive për të bllokuar njohjet e pavarësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Përmes diplomacisë agresive dhe lobimit, Serbia ka arritur të bindë disa vende të tërheqin njohjet e tyre për Kosovën, gjë që si akt minon përpjekjet e Kosovës për integrim në organizata ndërkombëtare – në Kombet e Bashkuara dhe BE.
Ndërhyrja në proceset politike të brendshme në Kosovë, përmes mbështetjes së partive të caktuara ose aktorëve politikë, është gjithashtu pjesë e kësaj lufte hibride.

Përdorimi i mjeteve ushtarake dhe të sigurisë: Ndërsa Kosova dhe Serbia nuk janë në konflikt të hapur, tensionet e sigurisë mbeten një element i rëndësishëm i luftës hibride. Serbia shpesh ka përdorur demonstrime të forcës ushtarake pranë kufijve të Kosovës, duke organizuar stërvitje ushtarake dhe duke shfaqur një retorikë të ashpër që nxit frikën për një konflikt të mundshëm. Kjo krijon një ndjenjë pasigurie në Kosovë dhe një klimë tensioni që ndikon në stabilitetin e brendshëm.

Ndikimi i Rusisë dhe aktorëve të tjerë të jashtëm: Rusia ka qenë një mbështetëse e fuqishme e Serbisë në përpjekjet e saj për të destabilizuar Kosovën, duke përdorur luftën hibride si pjesë të strategjisë së saj për të rritur ndikimin në Ballkanin Perëndimor. Përmes fushatave të dezinformimit dhe mbështetjes diplomatike, Rusia përpiqet të krijojë një imazh të Kosovës si një vend i paqëndrueshëm dhe të sfidojë përpjekjet e Perëndimit për të integruar Kosovën në institucionet euro-atlantike.
Instituti për Studime Europiane në kuadër të Akademisë Ruse të Shkencave (IEE RAS) është një institucion akademik rus që fokusohet në çështjet e Evropës dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, duke përfshirë rajonin e Ballkanit, përfshirë Kosovën. Ky institut, si shumë të tjerë në Rusi, është i lidhur ngushtë me agjendat gjeopolitike të Kremlinit dhe, siç dëshmohet lehtësisht, ai është i përfshirë në hartimin e politikave dhe dokumenteve që mbështesin interesat ruse në çështjen e Kosovës.
Që të dy proektet: ai për Bashkësinë e Komunave Serbe [Zajednica] dhe Ballkani i Hapur janë ideuar dhe hartuar nga ky institut.
Rusia ka qenë gjithmonë një aleate e ngushtë e Serbisë dhe ka mbështetur fuqimisht refuzimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Në këtë kontekst, Instituti për Studime Europiane dhe akademikë të tjerë të lidhur me qendrat ruse të mendimit politik, shpesh përfshihen në hartimin e strategjive që mbështesin dhe forcojnë pozicionin serb dhe rus për çështjen e Kosovës.
Instituti për Studime Europiane në kuadër të Akademisë Ruse të Shkencave luan një rol të rëndësishëm në mbështetjen e pozicionit të Rusisë dhe Serbisë ndaj Kosovës, përmes studimeve, analizave dhe dokumenteve që ndihmojnë në formësimin e strategjive diplomatike dhe propagandistike kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Ai ndihmon në legjitimimin e pozicionit rus dhe serb, duke mbështetur veprimet politike që synojnë destabilizimin e Kosovës dhe pengimin e integrimit të saj në institucionet ndërkombëtare.

E përditshmja Korrieri më 6/6/2023 kishte publikuar një tekst me titull “LAVROV: Ka ndodhur diçka e paimagjinueshme, por askush nuk do të jetë në gjendje t’i shkatërrojë marrëdhëniet tona me Serbinë”, gjë që, siç konstatoi faqja e verifikimit të fakteve Faktoje, është dezinformatë. Kjo media serbe bën gjithashtu të ditur se, pikërisht në fillim të qershorit[2023], kur liderët e tre vendeve pjesëmarrëse dhe të ftuarit e tyre morën pjesë në një samit në Ohër, kishte përkuar me një tjetër lajm të bujshëm: vizitën e humbur të ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov në Beograd.
Pasi Bullgaria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut qenë detyruar të mbyllin hapësirën e tyre ajrore për avionët rusë, Lavrovit iu desh të anulonte udhëtimin e tij në Serbi. Në përgjigjen e tij për mediat ruse, ministri i Jashtëm goditi NATO-n dhe Bashkimin Evropian, duke thënë:
“Natyrisht ata që po manovrojnë gjërat në Bruksel nuk e kanë dashur këtë, nuk kanë dashur që ne t’i shprehim mbështetje Beogradit, ndër të tjera, dhe projektit të Ballkanit të Hapur. Tashmë është e qartë për të gjithë se Brukseli, NATO dhe BE duan ta kthejnë Ballkanin në projektin e tyre të quajtur Ballkani i Mbyllur”.[6]

Sfidimi i sovranitetit përmes mosnjohjeve ndërkombëtare: Fushata serbe për të bllokuar njohjet e Kosovës në arenën ndërkombëtare është një element i rëndësishëm i luftës hibride. Përmes lobimit dhe presioneve diplomatike, Serbia dhe aleatët e saj kanë ndikuar në reduktimin e numrit të vendeve që njohin Kosovën, gjë që automatikisht minon përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe për konsolidimin e sovranitetit të saj.

Përfundim

Në shoqëritë iliberale, respektivisht në komunitetet ku veprojnë struktura politike me prirje iliberale, zgjedhjet nuk përfaqësojnë një proces të natyrshëm demokratik, por më tepër një moment tensioni dhe pasigurie për elitat dhe për popullin. Frika nga humbja e pushtetit dhe pasojat e tij, respektivisht gjakimi për marrjen e pushtetit me çdo kusht, si dhe mungesa e një sistemi të qëndrueshëm dhe të drejtë, i bën zgjedhjet ngjarje që ngjasojnë me “Shpatën e Demokleut”, ku çdo veprim apo rezultat mund të ketë pasoja të rënda dhe të paparashikueshme për shoqërinë.
Kosova megjithatë, që prej vitit 2010, ka zhvilluar zgjedhje të rregullta dhe të pranuara në përgjithësi nga partitë politike pjeësmarrëse dhe nga komuniteti ndërkombëtar, madje si të lira dhe të drejta. Këto zgjedhje kanë siguruar një nivel stabiliteti politik, dhe rotacioni i pushtetit mes partive politike është bërë në mënyrë paqësore. Kjo ka forcuar besimin e mekanizmave ndërkombëtarë që Kosova po bën përparim drejt një demokracie funksionale, duke respektuar procesin demokratik dhe pluralizmin politik.
Ndërkaq qytetarët gjatë kësaj legjislature kanë krijuar një lloj bindjeje, se tashmë vota e tyre ka vlerë – ajo ndikon drejtpërdrejtë në vendimmarrjen politike; ata e ndjejnë përkujdesjen e pushtetit të tyre, rrjedhimisht nuk janë më të tjetërsuar nga politika.
Vazhdimi i pritshëm i mandatit për qevrinë Kurti më 9 shkurti i 2025, prandaj konceptohet si Shpatë e Demokleut nga nomenklatura mikse e neotitistëve dhe olhokratëve.

Lufta hibride ndaj Kosovës dhe qeverisë së saj është një strategji e ndërlikuar dhe shumëdimensionale që përfshin mjete të ndryshme për të destabilizuar vendin dhe për të dobësuar legjitimitetin e institucioneve të saj. Kjo luftë përfshin dezinformimin, presionin ekonomik, instrumentalizimin e tensioneve etnike, ndërhyrjet politike dhe diplomatike, si dhe përpjekjet për të minuar sovranitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Aktorët kryesorë, si Serbia dhe Rusia, janë të angazhuar në këtë luftë hibride, duke përdorur çdo mjet në dispozicion për të arritur qëllimet e tyre politike në rajon.


Send this to a friend