VOAL

VOAL

Lufta brenda llojit – Nga Sulejman MATO

July 28, 2017
blank

Komentet

blank

Kjo është arsyeja kryesore pse burrat vrasin partneret e tyre- Nga Aurel Dasareti

Nga Aurel Dasareti,  USA, ekspert i shkencave ushtarake- psikologjike

Vrasësit kalojnë nëpër disa faza  përpara se të vrasin partnerin ose  ish-partnerin e tyre. Përndjekja nga  ish-të dashurit dhe sjellja  kontrolluese duhet të ndezin dritat  paralajmëruese.
***
Nevoja e mashkullit (burrit) për  kontroll të femrës (gruas) është një  faktor i rëndësishëm, paralajmërues për atë që mund të ndodhë.

Prindërit e mi (babai psikolog, nëna  psikiatër) kanë parë shumë shembuj të  grave në marrëdhënie që fillojnë me pasion  të stuhishëm dhe më vonë zhvillohen në  sjellje kontrolluese.

Gratë në rrethana të tilla mund të kenë  arsye të mira për të kërkuar ndihmë në  një qendër krizash.

Kur burrat vrasin partneret ose ish-partneret e tyre, ata shpesh kanë qenë  jashtëzakonisht kontrollues. Dhe krimi  zakonisht planifikohet shumë më mirë sesa  mendohej më parë.

Psikologët kanë identifikuar një model  shumë të qartë veprimi me disa faza që zakonisht i paraprin vrasjeve nga burrat të grave me të cilat ata kanë pasur një  marrëdhënie intime. Për shembull, është e  zakonshme që marrëdhëniet të bëhen  serioze shumë shpejt, me dasma apo fëmijë, përpara se burri të përpiqet të kontrollojë  gruan…

Duke mësuar nga përvojat e vrasjeve të  mëparshme, është e mundur të identifikohet se cilat lloje të marrëdhënieve mund të jenë  të rrezikshme për gratë.

Shpresoj që  oficerët e policisë, punonjësit e  shëndetësisë dhe autoritetet ta kenë  parasysh këtë kur takojnë gra që  kontaktojnë për ndihmë.

Vrasjet kryhen në shumë mënyra. Por hapat që çojnë në veprim janë mjaft të  qëndrueshme.

Modeli me disa hapa (faza) mund të  përdoret në lidhje me forma të tjera të  vlerësimit të rrezikut. Mund të kontribuojë  në një dimension shtesë kur profesionistët  dhe viktimat duhet të vendosin se çfarë të bëjnë.
***
Gratë kanë një rrezik shumë më të lartë për t’u vrarë nga të dashurit ose ish- bashkëshortët e tyre sesa anasjelltas.  Shpesh burri ka disa faktorë rreziku që  mund të interpretohen si  “flamuj të kuq“.

Më shpesh, vrasja ndodh në afekt, por herë  pas here është edhe e planifikuar.

Është e rrallë që burrat të vrasin gratë e tyre në psikozë. Ata përgjithësisht  konsiderohen të kenë qenë penalisht të  arsyeshëm.

Burrat, nga ana tjetër, kanë më shumë gjasa të vriten nga miqtë ose të njohurit meshkuj. Shumë burra kanë një nevojë më të madhe  për kontroll dhe ndjenja e tyre e nderit kërcënohet në një masë më të madhe nëse gruaja, p.sh. dëshiron të largohet prej tyre, t`i lërë ata.

Disa meshkuj mund të ndihen aq të kërcënuar nga braktisja saqë reagojnë me zemërim, inat dhe xhelozi. Ilustrim: “Nëse nuk mbetesh e imja, nuk do të jesh e askujt tjetër”

Këta janë disa faktorë rreziku që shpesh kanë të përbashkët vrasësit partnerë.

Autori:
 Ka qenë shpesh dëshmitarë i dhunës (mes prindërve) në moshën fëmijërore

Është rrahur e dhunuar nga prindërit në moshën fëmijërore

Ka ushtruar vetë dhunë në të kaluarën

Ka qenë i dënuar më parë

Ka abuzuar me alkool dhe/ose droga të tjera

Mjedisi i dëmshëm social në fëmijëri dhe në moshë madhore…

blank

Këputet një jetë…, një zemër ndalet, një shpirt e lë tokësoren dhe dhimbja është qielli i kësaj situate…- Nga PËRPARIM KABO

Këputet një jetë…, një zemër ndalet, një shpirt e lë tokësoren dhe dhimbja është qielli i kësaj situate…
Para disa ditësh shihja në youtube filimin komedi” Zëvendësi i grave” dhe shijova lojën e Mirush Kabashit, Birçe Haskos, Aleko Prodanit, Viktor Gjokës, etj…
M’u kujtuan vitet kur u xhirua ai film, dhe ashtu, pa ndonjë shtrëngim, më doli nga thellësia e qenies : “ Oh, çfarë artistësh!”
Në buzënate dhe dritëshkrepje Mirushi ynë e la frymën e fundit…
Në një Apologji të vërtetë, mes jetës së sosur dhe asaj të pasosur, me një sintaksë qiellore, Mirush Kabashi, tha: “Po iki…”
Aktori i roleve krejt të spikatura, që para 1990-s, zgjuarsisht mori role të personazheve negative, problematike, e kështu, shmangu format stampa të heroit pozitiv…
Kështu, te “ Dora e ngrohtë”, filmi i Kujtim Çashkut, te filmi “ Binarët”, i Muharrem Fejzos, apo te “ Gëzhoja e vjetër”, i Sajmir Kumbaros.
Të bësh art nën shëmbëlltyrën e atyre që ke ideal dhe model ,nuk është keq, por të krijosh profilin tënd, krejt të mëvetshëm, siç e realizoi Mirush Kabashi, është ndryshe.
Kështu nuk je shëmbëlltyrë e modelit ku je referuar, por je model ku të tjerët do duhet të referohen…
Në Teatër, ku ai nisi hapat e para, edhe sikur vetëm “ Apologjinë e vërtetë të Sokratit”, të përmendim,
e Kostas Varnalis, ( pjesa mund të jetë luajtur nga shumë aktorë,) Sokrati i Kabashit ka qenë dhe mbetet një Sokrat shumë emocionues, për ndërtimin tejet organikisht të rrëfimit, thyerjeve ideore dhe përjetimit emocional.
Të gjithë ikin një ditë…, ky është dënimi i njerëzores…
Çfarë mbetet pas?
Kjo është vijëgjurmë që tregon: kush ishe, çfarë bëre, pse dhe si do të kujtohesh…
Jeta e njeriut është frymë, jetë e gjallë dhe kujtime…
Si lum ai që i ka të tria të arrira!
Si tha ai: “Bisht qeni do të mbetesh!”-edhe kjo batutë të mban në kujtesë.
Kohët e fundit Ju e kishit për zemër të recitonit letrën e Ajnshtajnit për të bijën , ku zbulohej se energjia më e fuqishme është dashuria njerëzore…
Ju e kishit , e keni dhe do ta keni këtë dashuri, nga miqtë dhe publiku.
Lamtumirë, Mirush Kabashi!
P.Kabo. 5 dhjetor, 2023.
blank

DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË- Nga FRANK SHKRELI

(Në përvjetorin e lindjes)
“Nuk kishte avokat më të mirë që të shpjegonte hallet e Kombit shqiptar dhe të
drejtat e tij”, Presidenti Bill Clinton

Shpesh ndodh në historinë e kombeve – të mëdha e të vogla – që në rrethana e situata të caktuara, nga gjiri i një kombi dalin individë të cilët, me idetë e tyre, ringjallin dhe ndryshojnë jetën dhe historinë e kombit të vet. Unë besoj se i tillë ishte Dr Ibrahim Rugova, për shqiptarët. A thua është e rastit a po një mister hyjnor që çerek fundin e shekullit të kaluar, Dr. Rugova u bë zëdhënsi i të drejtave të shqiptarëve të Kosovës dhe i mbarë Kombit shqiptar në periudhën post-komuniste. Individë të një kombi si Ibrahim Rugova, shpeshëherë dënohen prej fatit për të pësuar nga vet bashkatdhetarët e tyre, keqkuptim, kritika, vuajtje dhe në përgjithësi, mos-mirënjohje për kontributin e dhënë për të mirën e përbashkët. Në histsorinë e shqiptarëve, për fat të keq, mos njohja e meritave për njerëz të caktuar të historisë, nuk është gjë e re. Thuhet se as Gjergj Kastriotin -Skenderbe nuk e kuptuan aq mirë bashkohasit e tij.

Kam drojë se ky fat po ndjekë edhe Presidentin historik të Dardanisë, Dr Ibrahim Rugovën edhe pas kalimit të tij në amshim, megjithë kontributet e tija të shumta në historinë e re të Republikës së Kosovës dhe të Kombit shqiptar në përgjithësi, sidomos, në ndërkombëtarizimin e “çeshtjes së Kosovës” dhe mundësive që ai krijoi për lirinë dhe pavarësinë, që gëzon sot Republika e Kosovës, duke bërë miqë për shqiptarët anë e mbanë botës, por veçanërisht Shtetet e bashskuara dhe demokracitë perëndimore..

Po e kujtoj sot Dr Ibrahim Rugovën, në ditëlindjen e tij, jo për të thënë ndonjë gjë të re për Presidentin historik të Dardanisë, pasi gjatë viteve kam shkruar dyzina artikujsh për veprimtarinë e Dr. Rugovës dhe për lidhjet e tija të veçanta me Shtetet e Bashkuara, por thjesht, po e kujtoj, shkurtimisht, për të mos e harruar! Po kujtoj vizitën e parë të Dr. Rugovës në Shtetet e Bashkuara në vjeshtë të vitit 1989, një vizitë që sipas disave, ndryshoi jetën e tij personale dhe historinë e Kosovës. Ishte një vizitë, që sipas vërejtësve të ngjarjeve të asaj kohe, hapi rrugën për vizita të shumta që ai bëri më vonë në Washington, me qëllim për të mbajtur në qendër të vëmendjes amerikane çështjen e Kosovës, pasi ishte i vetëdijshëm se në qoftë se Kosova do të zhdukej nga vëmendja politike dhe diplomatike e Shteteve të Bashkuara, siç ishte deri në atë kohë, vaj medet për popullin shqiptar të Kosovës.

Nga këndvështrimi i sotëm, mund të thuhet se Dr. Ibrahim Rugova u kthye në Kosovë nga vizita e tij e parë në Shtetet e Bashkuara Tetorin e vitit 1989, me një frymëzim dhe me një ndjenjë dhe pse jo me një angazhim personal dhe patriotik për të kontribuar në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, në cilindo nivel që ta hidhte fati. Pak pas kthimit të tij në Kosovë nga vizita në Washington ai zgjidhet kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në këtë detyrë ai siguroi një platformë legjitime nga e cila do të shpjegonte situatën ashtu siç ishte në Kosovë dhe nga pikëpamja historike shqiptare. Do të fliste dhe do të mbronte të drejtat e shqiptarëve në mënyrën e tij të qetë, por bindëse, me bashkëbiseduesit e tij në nivelet më të larta politike dhe diplomatike kombëtare dhe ndërkombëtare.

Sidomos nga miqtë e kombit shqiptar, Dr. Rugova shikohej si një zëdhënës i denjë dhe mbrojtës i besueshëm i interesave të shqiptarëve. Zëri i tij dëgjohej dhe respektohej. Me këdo takohej, bënte miq për veten dhe për kauzën e të drejtave të shqiptarëve. Ai nuk kishte një personalitet kërcënues dhe i shpjegonte gjërat me fakte. Ish-presidenti amerikan Bill Klinton, protagonisti kryesor i fushatës për të siguruar mbështetjen ndërkombëtare për shpëtimin e shqiptarëve të Kosovës nga terrori i Serbisë, ka pohuar se, “Si askush tjetër, Dr. Ibrahim Rugova e shpjegonte çështjen shqiptare nga pikëpamja historike dhe njerëzore”. “Nuk kishte avokat më të mirë që të shpjegonte hallet e kombit shqiptar dhe të drejtat e tij”, ka thënë Presidenti Klinton. Ndërsa, Presidenti George W. Bush e ka kujtuar Presidentin Rugova me rastin e vdekjes, duke thënë se “Shtetet e Bashkuara humbën një mik me të vërtetë të madh, i cili siguroi gjithashtu edhe respektin e të gjithë botës për qëndrimet e tij kundër dhunës”.

Për më tepër, Dr. Ibrahim Rugova, si askush më parë ose më vonë, fitoi besimin dhe mbështetjen e pa kushte të komunitetit shqiptaro-amerikan. Pothuaj pa dallim feje krahinash dhe pa marrë parasysh bindjet politike. Si rrjedhim mobilizoi shqiptaro-amerikanët që të shëndërroheshin në një lëvizje lobuese të fortë e historike – e pa parë deri atëherë – në përpjekjet ushtarake dhe diplomatike për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Një lëvizje kjo e papërsëritëshme deri sot dhe nuk besoj se do përsëritet më, në historinë e këtij komuniteti – të pakën siç duken punët sot.

Kjo lëvizje e fuqishme lobuese është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së Presidentit Rugova që e ka zanafillën në atë vizitë të vitit 1989, i ftuar në Amerikë nga Kisha Katolike Shqiptare në Nju Jork, së bashku me akademikë të shquar shqiptarë nga trojet shqiptare, për të marrë pjesë në seminarin për Imzot Pjetër Bogdanin.

Dr. Rugova ishte i bindur se për Kombin shqiptar nuk kishte rrugë tjetër, përveç radhitjes së tij, ndershmërisht, me të drejta dhe me përgjegjësi të plota, përkrah kombeve të përparuara të Perëndimit dhe përfundimisht, si pjesë e pandarë e organizmave Euro-Atlantike. Për të arritur këtë objektiv, ai ishte i bindur se shqiptarët kishin nevojë për të bërë miq dhe mbështetës të tyre në nivel ndërkombëtar. Ai siguroi përkrahjen e Perëndimit, e sidomos të Shteteve te Bashkuara të Amerikës, për në rrugën e bashkimit dhe të integrimit të Kombit shqiptar në organizmat euroatlantike me vendet perëndimore. Ai e kishte bërë të qartë prej fillimit se ku do të mbështetej më shumë, duke thekësuar shpeshëherë “miqësinë e përhershme midis popullit shqiptar dhe popullit amerikan”.

Ndryshe nga klasa politike post-komuniste shqiptare, Presidenti Ibrahim Rugova ishte i vetëdijshëm për dëmet që regjimi komunist i kishte sjellë gjatë dekadave imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në radhët e miqve të vjetër të Kombit shqiptar, si Shtetet e Bashkuara. Dhe për të siguruar mbështetjen e miqve të Kombit shqiptar si Shtetet e Bashkuara, ai besonte se me shembjen e komunizmit, Kombi shqiptar duhej të ndërtonte baza të reja dhe të forta të ekzistencës së tij në shekullin XXI, mbi vlerat dhe në themelet e trashëgimisë shpirtërore, historike dhe patriotike të rilindësve të vërtetë shqiptarëve.

Ishin këto karakteristike, cilësi, parime por edhe kultura e tij njerëzore plotë urtësi e modesti, të gërshetuara me vlerat më të mira të Kombit shqiptar, ato vlera që më në fund, e ndihmuan Dr Rugovën që të bënte miq për Kombin shqiptar dhe të sensibilizonte botën në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në përgjithësi në trojet autoktone në Ballkanin Perëndimor, ku kanë jetuar me shekuj.

Në këtë përvjetor të lindjes, Dr Ibrahim Rugova duhet të kujtohet gjithashtu, jo vetëm për miqtë e shumtë që i bëri Kosovës dhe shqiptarëve, anë e mbanë botës, por edhe për shembullin e tij si njeri dhe si udhëheqës shqiptar i kohërave moderne, i cili mbi të gjitha, besonte se dashuria për Kombin dhe mbrojtja e interesave kombëtare dëshmohet para botës, duhet të jenë në përputhje me ruajtjen e nderit personal dhe emrit të mirë shqiptar, në botë.

blank

Dr Rugova duke folur me rastin në seminarin kushtuar 300-vjetorit të vdekjes së Ipesghkvit Pjetër Bogdani, New York, 7 Tetor, 1989 -Fordham University
blank
Libri Kushtuar Seminarit, me autor Tonin Mirakaj, aktivist i dalluar i komunitetit shqiptarit amerikan, për dekada.
blank

Ngushëllimet më të thella familjes së viktimës, Liridonës. Dënim me vdekje për vrasësit dhe ata që urdhërojnë (paguajnë) vrasësit- Nga Aurel Dasareti

Kjo letër është një plotësim (kam diçka për të shtuar) në letrën time të funditKjo është arsyeja kryesore pse burrat vrasin partneret e tyre”

Më shumë gra të reja janë të ekspozuara ndaj dhunës serioze nga partneri intim. Dhuna ndaj grave ka qenë dhe është një problem shumë serioz në botën shqiptare…

Letra ime e fundit (përfshirë gjithë të tjerat prej vitit 2002 e deri sot) nuk përmbajnë asnjë Konflikt Interesi (zero) dhe bazohen në profesionin tim, jo në thashë e thanat.

PS: Profesioni është punë që përbën mënyrën e të jetuarit ose në të cilën ai (ajo) është i trajnuar.

Shpërndajeni te miqtë e juaj, nëse keni mundësi. Shumica nga ne kemi motra dhe vajza, dhe ato portale (media) që nuk do ta botojnë këtë, domethënë se injorojnë problemet që mund t`u ndodhë edhe femrave të familjes.

Për një komb të caktuar siç janë shqiptarët, duhen gjetur ligjet që i përshtaten…

PS: Për “intelektualët e gjithëdijshëm” dhe disa pronarë të mediumeve antikombëtare (që maskohen gjoja se kombëtare) tema është shumë më e  rëndësishme se sa për shembull ndodhitë në Lindja e Mesme…

Kalofshi mirë, Aurel Dasareti

blank

PORTUGALIA SHTET MIK I KOSOVËS DHE SHQIPTARËVE SHËN NËNË TEREZA “NJË URË QË NA LIDH”- Nga Frank Shkreli

Marrëdhëniet midis Republikës së Kosovës dhe Portugalisë e kanë zanafillën kur Aleanca Euro-Atlantike Perëndimore vendosi të sulmonte Serbinë në Mars të vitit 1999, atëherë kur Portugalia si vend anëtar i NATO-s ndihmoi në sulmet ajrore kundër Serbisë dhe më vonë Lisbona dërgoi trupa ushtarake si pjesë e forcave të Nato-s, për ruajtjen e paqës në Kosovë. Marrëdhëniet midis dy vendeve u zyrtarizuan pas shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës më 17 shkurt, 2008, kur Portugalia njohu, zyrtarisht, shtetin e pavarur të Republikës së Kosovës në Tetor të vitit 2008 – njëra prej shteteve të para që bëri një gjë të tillë.

Në vijim, Lisbona ka vazhduar të tregojë interesimin e saj miqësor për Republikën e Kosovës edhe në nivel ndërkombëtar, sidomos gjatë mandateve të saja si kryesuese e Presidencës së Bashkimit Evropian, në periudha kritike për të ardhmen e Kosovës – sidomos gjatë fazës së bisedimeve përfundimtare në vitin 2007, që çuan më në fund në bashkrendimin e qëndrimeve evropiane për Pavarësinë e Republikës së Kosovës, në Shkurt të vitit 2008.

Sipas Ambasadës së Republikës së Kosovës në Lisbonë, lidhjet miqësore midis dy vendeve janë çimentuar gjatë viteve: rreth 7000-ushtarë portugezë kanë shërbyer në Kosovë, përfshirë një numër të konsideruar zyrtarësh e diplomatësh në misionet europiane dhe ndërkombëtare. Ky numër i madh dinamik po afirmon gjithnjë e më tepër lidhjet dhe marrëdhëniet dypalëshe duke u shënërruar kështu në një urë ndërnjerëzore, kulturore dhe ekonomike bashkëpunimi. Këto janë, njëherësh, edhe themelet e marrëdhënieve tona të së ardhmës, thuhet në portalin e Ambasadës së
Republikës së Kosovës në Portugali. Marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis Prishtinës dhe Lisbonës pasqyrohen edhe nga vizitat e nivelit të lartë midfis dy vendeve, përfshirë vizitën e 16 Nëntorit, 2023 – e dyta vizitë e Presidentes së Republikës së Kosovës, Zonjës Vjosa Osmani në Portugali – vizita e parë e Presidentes Osmani në Libonë ishte në Tetor, 2021.

Vizita e dytë zyrtare dy javë më parë e Presidentes së Republikës së Kosovës, Zonjës Vjosa Osmani në Portugali, ishte një provë tjetër e lidhjeve dhe një partneriteti të veçant midis Prishtinës dhe Lisbonës – një pasqyzrim i një thellimi të këtyre marrëdhënieve të forta e miqësore diplomatiko-politike, midis dy vendeve. Portugalia, si një vend anëtar i NATO-s dhe i Bashkimit Evropian, vazhdon të jetë një zë i fuqishëm në favor të çeshtjeve në interes të Republikës së Kosovës, në nivelin evropian dhe atë ndërkombëtar, përtej Evropës.

Në kuadër të vizitës në Portugali, dy javë më parë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani vlerësoi lartë marrëdhëniet e përgjithëshme midis Republikës së Kosovës dhe Portugalisë, duke thenë se “potenciali i këtyre raporteve, në fusha të ndryshme, është i jashtëzakonshëm”. E para e Republikës së Kosovës, gjatë vizitës së fundit në Lisbonë, është takuar me udhëheqsit më të lartë të Portugalisë, përfshir Kryeministrin António Costa. Presidentja e Kosovës u prit edhe nga Presidenti portugez, Marcelo Rebelo de Sousa. “Kosova dhe Portugalia kanë ndërtuar raporte të shkëlqyeshme, të bazuara në vlera të përbashkëta”, është shprehur ajo për vizitën e zhvilluar dy javë më parë në Portugali. Vizita e Presidentes Osmani përkoi me 15 vjetorin e njohjes së Kosovës nga Portugalia dhe lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve. “Ky është një moment i rëndësishëm dhe historik për të shprehur mirënjohjen për shtetin dhe popullin e
Portugalisë, për kontributin e dhënë përgjatë viteve. Kjo mbështetje ka ndikuar shumë në avancimin e qëllimeve tona parësore në rrugën e integrimeve euro- atlantike, forcimin e paqës dhe stabilitetit rajonal”, ka theksuar Presidentja Osmani në takimin me Presidentin portugez.

Zonja Osmani vizitoi Lisbonën me ftesë të Web Summit, e shoqëruar nga delegacioni i bizneseve të Kosovës në fushën e ICT-së, ku edhe mbajti një fjalim – një takim ky i nivelit të lartë që në këtë fushë konsiderohet si një ngjarje kryesore e teknologjisë në botë.

“Teknologjia duhet të jetë gjithnjë në shërbim të njerëzimit dhe jo ta mbizotërojë atë. Duhet të jemi gjithnjë e më të angazhuar për të garantuar gjithë përfshirjen, diversitetin dhe etikën, në çdo hap të këtij rrugëtimi transformative”, është shprehur Zonja Osmani.

Ndërkaq, në kuadër të vizitës në Portugali — në një provë të thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale – presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryetari i Lisbonës, Carlo Moedas përuruan shtatoren e Shën Nënë Terezës, e vendosur në qendër të kryeqytetit të Portugalisë, Lisbonë. “Bashkë me kryetarin e qytetit të Lisbonës, Carlos Moedas, përuruam shtatoren e
shenjtores shqiptare Shën Nëna Tereza. Kjo shtatore nuk është thjesht një vepër arti, por mbi të gjitha, një urë që na lidhë me idealin e përjetshëm të shërbimit vetëmohues dhe dashurisë për të tjerët. Le të shërbejë kjo statujë si një kujtesë e vazhdueshme e bamirëses më të madhe që njohu njerëzimi!”, është shprehur Presidentja Vjosa Osmani me rastin e përurimit të Shtatoressë së Shën Nënë Terezës shqiptare në Lisbonë të Portugalisë.

Pa dyshim se edhe vendosja e statujës së Shën Nënë Terezës shqiptare në Lisbonë të Portugalisë, në këtë moment të historisë, në marrëdhëniet e shkëlqyera midis Republikës së Kosovës dhe Portugalisë — është një vlerë e shtuar në marrëdhëniet kulturore — por jo vetëm — dhe tepër miqësore midis këtyre dy vendeve mike dhe një dëshmi e qartë i një marrëdhënjeje të mrekullueshme në rritje e sipër midis Prishtinës dhe Lisbonës.
Frank Shkreli

blank

Presi dentja Osmani bashkë me kryetarin e qytetit të Lisbonës, Carlo Moedas, përuruan shtatoren e shënjtores Shqiptare Shën Nënë Tereza

blank

BE po bën gjoja antiruse Serbinë, ndërkaq u iku Bosnja te Rusia- Nga SHABAN MURATI

Shënime nga blloku diplomatik

Diplomacia e BE, shërbimet sekrete dhe ushtarake të vendeve të mëdha të BE, nuk e shohin apo bëjnë sikur nuk e shohin që Bosnje-Hercegovina, ose më saktë gjysma e saj “serpska republika”, që është defacto shtet i pavarur, u iku nga duart dhe shkoi te Rusia.

Në 24 nëntor 2023 ministri i mbrojtjes i Bosnje-Hercegovinës dhe zëvendëskryeministër i saj, Zukan Helez, deklaroi publikisht se Rusia ka ngritur në “serpska republika” kampe ushtarake, ku stërviten forca speciale vendase(serbe) dhe ruse. Nuk ishte as ndonjë tabloid dhe as ndonjë portal periferik, që lëshonte lajmin. Ishte një nga zërat shtetërore më autoritativë dhe i cili disponon shumë burime të zbulimeve ushtarake.

Ministri i mbrojtjes i Bosnje-Hecegovines deklaroi se disponon fotot e këtyre kampeve dhe theksoi se: “Në fakt ky nuk është sekret, njerëzit mund t’i shohin ato kampe, fshatrat rreth Rogaticës, njerëzit kanë bërë foto, që bëhen stërvitje ushtarake atje gjatë ditës. Unë i kam fotot”.

Ministri i mbrotjes tha se këto kampe ushtarake ndodhen nën mbrojtjen e forcave të ministrisë së brendëshme të “Serpska republikës”.

Pra Rusia ka ngritur jo një, por disa kampe ushtarake stërvitjeje në territorin e Bosnje-Hecegovinës. “Serpska republika” jo vetëm është bërë shtet defakto i pavarur, por edhe po i jep kampe e baza ushtarake Rusisë në Ballkan. Realizohet kështu premtimi publik i presidentit të “serpska republikës”, fashistit Dodik, që i ka premtuar prej kohësh presidentit rus Putin se ai do t’i japë një bazë ushtarake Rusisë.

Natyrisht Rusia i ka ngritur këto kampe ushtarake jo për integrimin europian dhe as për integrimin atlantik të Bosnje-Hercegovinës. Duke analizuar këtë alarm të ri të ministrit të mbrojtjes dhe zëvendëskryeministër i Bosnje-Hercegovinës, portali i specializuar “intellinews.com” tërhiqte vëmndjen në 24 nëntor se deklarata e tij “është në vazhdim të raporteve të mëparshme amerikane, që theksonin se Rusia ka mundësi të armatosë dhe të stërvisë grupe paramilitare në “serpska republikën” proruse dhe mund t’i përdorë ata që të shkaktojë një konflikt ushtarak në këtë shtet ballkanik të pastabilizuar politikisht”.

Çfarë presin BE dhe Nato? Nga kryeqendrat europiane vazhdojnë përrallat se ata po i bëjnë lëshime strategjike Serbisë, që të ikë nga Rusia. Ndërsa Europa nanuriset me ëndrrat e divorcit të Serbisë nga Rusia, Moska u ka marrë gjysmën e shtetit të Bosnje-Hercegovinës dhe ka ngritur kampet e saj ushtarake në qendër të Ballkanit Perëndimor.

Serbia ka ikur pa kthim te Rusia. Bosnja iku tani. Mali i Zi po ikën, sepse Rusia mori atje qeverinë në 2020, në vitin 2023 mori edhe presidencën, e cila pa u ulur mirë në kolltuk nxitoi të bashkohej me projektin Vuçiç-Lavrov të “Ballkanit të hapur” dhe bën kryetar parlamenti kryeçetnikun serb Mandiç, i cili në 2016 ishte protagonist në grushtin e shtetit ruso-serb në Mal të Zi kundër Natos.

Nuk e dijme me kë po tallet BE: me shtete e Ballkanit Perëndimor apo me veten. Rusët nuk po vijnë, siç paralajmëroja në librin tim me të njejtin titull. Rusët kanë ardhur në Ballkan.

blank

Shqipfolësit e degjeneruar grabitin, vrasin, terrorizojnë popullsinë- Nga AUREL DASARETI

 

Është një provokim kundër qytetarëve /krim i rëndë kur plehrat shqipfolëse (që meritojnë për t`u varur) gjuajnë edhe kundër policisë të cilët rrezikojnë jetën për sigurimin e popullsisë. Fëlliqësirat e tilla, shumë të rrezikshëm edhe për jetën e mbrojtësve të rendit (policisë) meritojnë plumbin…

Popullata shqiptare terrorizohet nga fëlliqësira të degjeneruar që prej kohësh janë të përmasave të pakufishme, një festë e lumturisë së mashtruesve, një zbavitje plaçkitjeje, grabitjeje, një thikë e kthyer kundër pronave të kursyera të njerëzve.

Plaçkitja (grabitja) është në të drejtën ndërkombëtare të luftës kur forcat e armatosura përvetësojnë hapur dhe në mënyrë të paligjshme pronën e popullatës civile armike gjatë luftës duke shfrytëzuar frikën e popullsisë nga lufta ose epërsinë e tyre ushtarake. Nëse përvetësimi nuk është i hapur, konsiderohet vjedhje ose e ngjashme.

Në ligjet penale civile dhe ushtarake të shumicës së vendeve, plaçkitja (grabitja) dënohet me dënime të rënda. Sidomos grabitjet ku kriminelët përdorin armë edhe kundër ligjit/rojeve të sigurisë. Dënimi me vdekje do të qetësonte shpirtrat e ndyrë, prindërit e të cilëve duhej t’i abortonin….

Gjatë grabitjes këta kriminelë kanë qëlluar në drejtim të policisë dhe kanë plagosur policinë. Ata duhet të dënohen me burgim të përjetshëm. Fatkeqësisht, plumbat e policisë “heshtën” vetëm njërin prej kriminelëve dhe e dërguan në ferr, të gjithë duhej të ishin atje…

Shqiptarët e Kosovës (dhe jo vetëm) patjetër të pastrojnë vendin nga bajgat që terrorizojnë qytetarët.

Aurel Dasareti

blank

NË DITËN E PAVARËSISË KOMBËTARE, 2023- Dokumenta të Agimit të Lirisë: “Memorandumi i shqiptarëvet që kanë dalur maleve”- Nga Frank Shkreli

Në numrin e revistës mujore kulturore “Leka”*, numri 4, prill, i viti 1937, botohej  “Memorandumi i Shqiptarvet që kanë Dalun Malevet”, dërguar Perandorisë  Otomane.

Memorandumi që mban datën, “Në Shqipnie me 28 të Vjeshtës III,  1910) është një thirrje drejtuar jo vetëm Perandorisë Osmane, por edhe “Botës së qytetnueme të Evropës”, ku shprehen pakënaqësitë dhe padrejtësitë nga “Shqiptarët e Dalun Malevet” dhe në të cilin i paraqiten qeverisë otomane kërkesa specifike si dhe plotësimin e tyre.

Ata shprehen se, “Me anën e ksaj, na Shqiptarët që gjindemi malevet, po paralajëmorjmë hyqymetin e sotshme të Perandorisë Ottomane si dhe gjithë botën e qytetnueme t’Evropës se i vetmi shkak që na jemi bamun firare edhe kemi dalë malevet ashtë Qeveria Ottomane vetë. Me të vërtetë, po të mos ishim bamu firare, kush na siguron se shumë prej nesh – në mos të gjithë –do të mos ishim varun,do të mos ishim burgosun, ose do të mos ishim bamun syrgjyn si shumë prej shokëve tonë, megjithqë nuk kemi tjetër faj, përveç se Zoti na ka bamun Shqiptarë dhe na dëshirojmë që të aresohemi me anë të gjuhës t’onë amtare dhe të vdesim Shqiptarë.”

Malësorët thonë në Memoradumin e tyre drejtuar Qeverisë Otomane dhe “botës së qytetënueme”– në një kohë kur Evropa i quante Shqiptarët njerëz të egjër barbarë e kundërshtarë të çdo përparimi, siç është shprehur At Gjergj Fishta në shkrimin Lot e Gjak — se ata nuk kanë dalë maleve për të rrëmbyer ose për të vrarë ndonjë njeri. “Përkundrazi”, theksojnë ata, “Kemi dalë për një qellim të shënjtë për me i kallzue botës se nuk jemi të kënaqun me Qeverinë e sotshme të Perandorisë Ottomane, për me protestue mbe botën e qytetnueme për të gjitha pa drejtësitë që ashtë tue bamë sot kjo Qeveri kundër Kombit Shqiptar dhe për me luftue deri me nji, derisa Qeveria turke të bindet dhe të mbushë kërkimet t’ona.”

blank

Në “Memorandumin e Shqiptarvet që Kanë Dalun Malevet”, të vitit 1910, bëhën tri kërkesa kryesore, pa të cilat ata thonë se, “Nuk munt të rrojmë”, e të cilat kanë të bëjnë me lirinë në përgjithësi, ndërsa kërkesat e tjera, sipas tyre, kanë të bëjnë me, “Qetësinë dhe Përparimin e vendit”.

Ata paraqesin këto tri kërkesa kryesore në memorandumin e tyre: Në “Memorandumin e Shqiptarvet që Kanë Dalun Malevet”, të vitit 1910, bëhën tri kërkesa kryesore, pa të cilat ata thonë se, “Nuk munt të rrojmë”, e të cilat kanë të bëjnë me lirinë në përgjithësi, ndërsa kërkesat e tjera, sipas tyre, kanë të bëjnë me, “Qetësinë dhe Përparimin e vendit”.

Ata paraqesin këto tri kërkesa kryesore në memorandumin e tyre:
1)“Një falje të përgjithshme për të gjithë vëllaznit tonë Shqiptarë, qofshin ata Myslimanë, qofshin Kristianë, të dënuem për politikë.
2)Liri të plotë për të gjithë Shqiptarët, Myslimanë edhe Kristianë që të aresohen me anën e gjuhës amtare, me shkronjat tona kombtare.
3)Liri të plotë që të hapen të gjitha shkollat shqip të mbylluna prej Qeverisë; liri të plotë për të dalë të gjitha gazetat shqip të ndalume nga Qeveria dhe të hapunit e Shtypshkronjës Shqip që ka mbyllun Qeveria.”

blank

Këto ishin tri kërkesat bazë të Memorandumit të malësorve kryengritës të “dalur maleve”, por ata njëherazi ngulnin këmbë që qeveria otomane — për hir të qetësisë dhe përparimit të vendit të tyre – të plotësonte edhe një numër kërkesash të tjera. Kërkon që mësuesit të mos jenë turq, por shqiptarë, pasi “ata dijnë gjuhën shqipe dhe zakonet e vendit”, dhe që qeveria të jepte, “Urdhër zyrtarisht që gjuha shqip të mësohet nepër të gjitha shkollat që gjënden në Shqipni, jo me shkronjat arabisht, por me shkronjat tona kombëtare.”

Duke paraqitur këto kërkesa, natyrisht, se pas pas 500-vjet robërimi otoman, ata kishin si shqetësim kryesor ruajtjen e identitetit kombëtar, të gjuhës e të kulturës shqiptare, por ishin të shqetësuar edhe për mirëqenjen e popullit në përgjithësi dhe konsideronin si të rëndësishëm edhe zhvillimin ekonomik dhe bujqësor të vendit.

I kërkonin qeverisë otomane, “Të hapi Shkolla bujqësie, tregtare dhe normale në tre ose katër qytete të mëdha të Shqipënisë dhe që të gjitha shkrimet të jenë shqip me shkronjat tona kombëtare.”

Në memorandumin e tyre ata nuk shpreheshin kundër pagesës së taksave, por vendosmërisht kërkonin që ato, “të holla të përdoren për me bamun xhade dhe udhë të hekurta në Shqipni.”

Këto ishin mjaft kërkesa të avancuara për atë kohë, nga një popull i shtypur për 500-vjet. Kërkonin që qeveria otomane,“Të hapi banka bujqësie, të cilat t‘u japin Shqiptarëve të holla për me blemun vegla dhe maqina për me punuem vendin e tyne dhe kështu të mundin të fitojnë për të rrojtur…”

Madje, i bënin thirrje qeverisë otomane që “të lejojë kapitalin e huaj të hyjë në Shqipëni, për tregti e për bujqësi…por që këto kapitale të mos kenë prapa tyne ndonji propagandë të huaj…”

Përveç këtyre kërkesave, Memorandumi përmbante edhe një paralajmërim të fortë për qeverinë otomane dhe për botën tjetër nëqoftse këto kërkesa nuk do të plotësoheshin: “Le t’a dijë mirë e tanë bota e qytetnume dhe veçanërisht Qeveria e Perandorisë Ottomane, se të gjithë Shqiptarët, Toskë e Gegë, nuk do të pushojnë së luftuari për këto tri kërkime, që thamë më sipër…” dhe se , “Të gjithë me anën e kësaj, po e lajmërojmë hyqymetin e Turqisë se e morëm ftesën që na dërgoi, me anë të cilës na jepte haberin se na falë fajin që kemi bamun.?!dhe na këshillon që të zbresim nga malet dhe të kthehemi nëpër shtëpiat tona.”

“Memorandumi i Shqiptarvet që kanë Dalun Malevet”, dërguar Perandorisë Otomane, e që mban datën, “Në Shqipnie me 28 të Vjeshtës III, 1910), vendosmërisht i përgjigjet qeverisë otomane duke i thënë se, “Fjala e jonë e fundit për Qeverinë Ottomane ashtë se nuk kemi bamun ndonji faj dhe nuk do të këthehemi të gjallë në katundet tona derisa kërkimet që numëruam në këtë shkresë
do të mos mbushen dhe gjersa të mos marrim siguri të plotë se kurrë ndonjë herë tjetër do të mos shkelen” më, këto liri e të drejta.

*(Burimi:Revista e përmuajshme “Leka”, botimi I klerit katolik shqiptar dhe organ i shoqatës LEKA, themeluar më 9 dhjetor 1928 në Shkodër, shërbente si një revistë mujore kulturore, politike, filozofike, shoqërore, historike, letrare, pedagogjike e folklorike. Numri I parë doli në qarkullim, në prill të vitit 1929. Në vitin 1941, botimi I saj u ndërpre përkohësisht, ndërsa në vitin 1942 doli një botim i veçantë me rastin e 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. “Leka” do të botohej deri në vitin 1944, kur u mbyll nga regjimi komunist I Enver Hoxhës.
(Ribotim)

blank

Rekujem:Këtë nëntor u mbushën 90 vjet që kur poeti Osip Mandelstam krijoi Epigramin kundër Stalinit Esse nga Elida Buçpapaj

 

Hyrje

Dje ishte nëntor, sot është nëntor, fundnëntori.

Nëntori të cilit i referohem nuk është as i sotshmi dhe as i djeshmi apo i nesërmi, por i nëntëdhjetë viteve më parë.

Nëntor moskovit i egër, i ngrirë nën terrorin e Çekës.

Nëntori është muaji më i padëshiruar në dymbëdhjetë muajt e vitit të kryeqytetit rus. Kemi vizituar Moskën e erës Jelcin, kur rruga nga aeroporti Sheremetyevo Alexander S. Pushkin ishte e mbushur me banderola që prisnin këngëtarin Tom Jones. Tiranën e lamë në kulmin e pranverës mes lulëzimit të dorëzonjave, jargavanëve dhe akacieve ndërsa Moskën e gjetëm në ngjyrë gri, me këmbët të mbuluar nga bora llohë.

E shtyrë nga kurioziteti fillova të pyes për pranverën ruse, për muajt më të bukur, më të vizituar nga turistët. Në nëntor jo, më thanë në nëntor nuk shkohej në Moskë. Në nëntorin bolshevik, mendova.

 

Nëntor 1933

 

E pra pikërisht në një ditë të zymtë e të ashpër nëntori moskovit, në mes të Terrorit të Madh, spastrimeve, syrgjynosjeve e vrasjeve masive në gjuajtje të antiTrockistëve dhe armiqve të popullit, poeti me prejardhje hebreje Osip Mandelstam do të krijonte Epigramin kundër Stalinit.

Kjo poezi me 16 vargje, ndarë në dy strofa, me një satirë therëse, nëntorin e sivjetëm mbushi 90 vjet. Ndërsa më 27 dhjetor bëhen 85 vjet kur krijuesi i saj poeti Osip Mandestam vdiq nga tifoja në kampin e përqendrimit në Vladivostok. Atje mbeti i pavarrosur deri në pranverë kur e hodhën në një varrezë masive. Por Epigrami i tij kundër Stalinit jeton.

***

Osip Mandelstam së bashku me Nikolai Gumilev, Anna Akhmatova dhe Sergey Gorodetsky në fillim të dhjetë vjeçarit të dytë të shekulli XX do të krijonin shkollën moderne poetike të Akmeizmit si një vijimësi e poezisë dhe kulturës botërore për t’u shprehur për së drejti e qartas përmes imazheve, në ndryshim nga misticizmi i simbolistëve rusë. Ishte Periudha e Argjendtë e lulëzimit të poezisë ruse pas Periudhës së Artë të kohës së Pushkinit, Lermontovit, Fjedor Tjutçevit. Por që nuk do të zgjaste shumë.

Atë ditë kur u takuan për të diskutuar rreth projektit të shkollës së tyre poetike në The Stray Dog Cafe, Shën Petersburg, që njihej asaj kohe si një kafè pikëpjekje për artistët dhe shkrimtarët rusë, asnjëri prej tyre nuk do ta merrte dot me mend se çfarë do ta priste Rusinë dhe ata vetë.

As një dekadë më vonë më 1921 poeti Nikolai Gumilev, bashkëshorti i poeteshës Anna Akhmatova do të arrestohej dhe vritej nga Çeka, KGB e asaj kohe, krijuar menjëherë me ardhjen në fuqi të bolshevikëve për të ushtruar terror të kuq. Nën drejtimin direkt të Leninit.

Poeti dhe shkrimtari Ivan Bunin, Nobelisti i parë rus që e mori këtë çmim pikërisht në vitin 1933, ndërsa jetonte në Paris si një emigrant i arratisur dhe pa kurrëfarë shtetësie, në “Manifestin e emigrimit rus” botuar më 1924 do të shkruante: “Rusia ishte e banuar nga një familje e fuqishme, e cila ishte krijuar nga puna e bekuar e brezave të panumërt.”… Ndërsa shtëpia e familjes të madhe “fjalë për fjalë u shkatërrua me një vëllavrasje të padëgjuar. Një bastard, një idiot moral që nga lindja, Lenini i paraqiti botës .. diçka monstruoze, marramendëse, ai përçau vendin më të madh në Tokë dhe vrau miliona njerëz në dritën e diellit…”

Ivan Bunin e shkruante këtë manifest jashtë Rusisë, natyrisht duke e marrë parasysh rrezikun. Kjo diçkaja monstruoze bëri që shumë poetë e shkrimtarë rusë tash të quajtur sovjetikë do ta përjetonin nën lëkurën e tyre “Terrorin e Madh” që, pas vdekjes së Leninit më 1924, do ta udhëhiqte Stalini, një gjakatar edhe më i pashpirt.

Qielli i errët i nëntorit bolshevik i kishte marrë nën vete poetët, sepse sikur thoshte Yevgeny Yevtushenko “Në Rusi të gjithë tiranët besojnë se poetët janë armiqtë e tyre më të rrezikshëm.”

Por jo vetëm në Rusinë sovjetike. Edhe në Shqipërinë staliniste dhe poststaliniste.

 

Samizdat – Disidencë nën terror

 

E megjithatë, në klimën më të egër të vrasjeve, dëbimeve, internimeve, përgjimeve, frikës, çmendinave, syrgjynosjeve dhe më vonë, edhe nën diktatin e kafazit me hekura burgu të Doktrinës Zhdanov në Rusinë sovjetike, pati disidencë. Ky term lindi pikërisht aty prej shpirtit të poetëve, shkrimtarëve dhe gazetarëve që guxonin të rebeloheshin me qëllimin që t’i linin botës dëshmi, t’i linin brezave trashëgimi.

Në kulmin e censurës dhe përgjimeve, kur kishin veshë muret dhe rruga ku ecje, ku të denonconin miqtë e të afërmit, në Rusinë Sovjetike lindi letërsia dhe gazetaria klandestine, krijimtari që mësohej përmendsh apo kopjohej me dorë, sepse makinat e shkrimit ishin të regjistruara, dhe pastaj shpërndahej dorë më dorë e gojë më gojë, si një veprimtari e mirëfilltë disidente që gjallonte në mesin e një tiranie mizore.

Ky fenomen unik në llojin e vet do të quhej Samizdat (vetëbotim) për të sfiduar barbarinë e censurës sovjetike.

Disidenti i shquar rus Vladimir Konstantinovič Bukovskij, që kishte provuar tortura shnjerëzore në birucat e KGB në Lubyanka do të shkruante rreth Samizdat. «Ne nuk prisnim të fitonim, nuk kishim as shpresën minimale për një fitore. Por secili kishte të drejtë t’iu thosh bijve të tij: “Unë bëra gjithçka sa munda”.

Osip Mandelstam dhe gruaja e tij Nadezhda Mandelstam nuk patën fëmijë. Epigrami kundër Stalinit mbeti trashëgimtari i poetit dhe gruas së tij, si trashëgimi e mbarë njerëzimit. Të dy, burrë e grua, hoqën të zezat e ullirit. Nadezhda Mandelstamit pas internimit iu lejua të kthehej në Moskë vetëm në vitin 1964, 26 vjet pas vdekjes së Osipit. Në dy librat e saj me kujtime që do të botonte, ajo denoncon degradimin moral dhe kulturor të Bashkimit Sovjetik të viteve 1920 e më vonë dhe e lartëson figurën e Osip Mandelstam si të një martiri.

Osip Mandelstam në epigramin e tij e skaliti figurën e Stalinit si të një gjaksori paranojak, të cilit gjaku njerëzor i ngjante si ai i mjedrave.

Në nëntorin e 1933 Osip Mandelstam ua recitoi përmendsh epigramin miqve të tij të ngushtë, midis të cilëve edhe Boris Pasternakut and Anna Akhmatova-s. Në materialet e botuara rreth këtij takimi shkruhet se Pasternaku u trondit pa masë kur e dëgjoi. “Ajo që më reciton nuk ka të bëjë me letërsinë apo poezinë, ky nuk është një fakt letrar, por akt vetëvrasjeje që unë nuk e miratoj dhe në të cilin nuk dua të marr pjesë. Ju Osip nuk më recituat asgjë, unë nuk dëgjova asgjë dhe ju lutem të mos ia recitoni askujt tjetër.”
.
Megjithëse Osip Mandelstam nuk e hodhi në letër epigramin e tij therrës kundër Stalinit, dikush i shkroi dhe çoi vargjet në duart “me gishta të dhjamur krimba” të diktatorit. Një poezi me 16 vargje mjaftoi dhe për Osip Mandelstam nisi rruga drejt vdekjes. E arrestuan në majin e 1934 dhe e dënuan me vdekje.

Osip Mandelstam-it i dhanë Epigramin e Stalinit të shkruar. Ai mund të mos pranonte se ishte autori i saj, sepse poezinë nuk e kishte zbardhur kurrë në letër. Por ai e pranoi menjëherë se ishte e tija, pasi e shihte diçka të pamundur që një poet të mohonte veprën. “Unë jam gati të vdes – poezia është një fuqi sepse për të vritesh” i kishte thënë të shoqes më 1934. Nadezhda Mandelstam në dy librat e saj me kujtime shkruan “se Osip Mandelstam kishte zgjedhur formën e vdekjes së tij në respekt ndaj kulturës ruse për poezinë.”

Pas ndërhyrjes së Nikolai Bukharin-it, dënimi kapital iu zbut me internim bashkë me Nadezha Mandelstam-in për ta arrestuar prapë në majin e 1938 dhe internuar për në moskthim.

Për shkak të epigramit të Mandestam arrestuan edhe bashkëshortin e tretë të Anna Akhmatova studiuesin dhe shkrimtarin Nikolay Punin si dhe të birin e saj 22 vjeçar Lev Gumilev, të cilit do t’i shkonte pas për shtatëmbëdhjetë muaj rresht në burgun e Leningradit, nga ku do të merrte shkas të shkruante Requiem, një poemë monumentale kundër tiranisë staliniste.

Me Epigramin kundër Stalinit, Osip Mandelstam kishte firmosur vdekjen e tij. Syrgjyn gjallë e syrgjyn vdekur do të shkruante Noli në elegjinë kushtuar Luigj Gurakuqit. Syrgjyn gallë dhe syrgjyn vdekur do të mbesë edhe Osip Mandestam. Për viganin liberator do të ketë një varr, për poetin vigan nuk do të ketë as varr. Osip Mandestam do të vdiste në një nga Gulagët sovjetikë në Lindjen e Largme, më 27 dhjetor 1938, pak ditë përpara se të mbushte 47 vjeç. Nuk e kishte pranë as Shpresën e tij – në rusisht Nadezhda quhet shpresë. Ai mbeti edhe pa varr, eshtrat e tij humbën në një varrezë masive afër Vladivostokut, por jo Epigrami me talljen therëse të poetit kundër tiranit

Osip Mandestam jeton edhe pas nëntëdhjetë nëntorësh me Epigramin e mosbindjes kundër Stalinit, që i kushtohet gjithë autokratëve, diktatorëve, tiranëve, ku poeti iu mëson qytetarëve si të jetojnë të lirë.

Filozofi francez Éttienne de La Boétie thotë se “diktatorët dhe tiranët duken të mëdhenj e të gjatë kur ne gjunjëzohemi.” Epigrami kundër Stalinit është një grotesk politik që na bën ta mbajmë trupin drejt, të papërkulur e të pagjunjëzuar.

Osip Mandestam e shkroi Epigramin kundër Diktatorit në një ditë nëntori moskovit, ku vjeshta ishte e egër dhe e ashpër njëjtas si klima e terrorit stalinist. Është trashëgimia e tij e mosbindjes që na e la ne dhe brezave.

Prej atij nëntori deri te ky nëntor kanë kaluar 90 vjet. 90 vjeçar do të duhet të jenë edhe ato 16 vargjet e Epigramit të Osip Mandestam kundër Stalinit, por që nuk njohin as plakje, as syrgjyn dhe as vdekje.

Ndërkaq, sa i përket vjeshtës sovjetike kur janë shkruar këto 16 vargje, mjerisht, vitet kanë rrjedhur por vjeshta  ka mbetur e ngrirë në vend.

Më poshtë po ju sjell Epigramin kundër Stalinit të shqipërua prej meje.

Epigrami kundër Stalinit

 

Ne jetojmë pa e ndjerë tokën nën këmbë

 

Ne jetojmë pa e ndjerë tokën nën këmbë hije,
Bisedat tona s’mund të dëgjohen dhjetë hapa larg,
Dhe aty ku thuhet një gjysmë fjalie,
Duhet të përmendet kaukaziani i Kremlinit qoftëlarg.
Gishtat e tij të trashë të dhjamosur si krimba,
Fjalët e tij të sakta janë të rëndë kuintaloshë,
Mustaqet e tij qeshin me antena buburrecash
Dhe çizmet i shkëlqejnë lart e poshtë.

Rreth tij një turmë udhëheqësish qafëhollë,
i shërbejnë rreth e rotull gjysmënjerëzorë.
Disa fishkëllejnë, disa mjaullijnë, disa rënkojnë, rënkues,
Ai është i vetmi që i ndëshkon, ndëshkues
Si me patkua, dekretet i falsifikon u hyn në hak:
Disa i godet në ijë, disa në ballë, disa në vetull, disa në sy.
Sikur ha mjedra për çdo vrasje e gjak
Gjoksi i Osetianit vjen duke u fry e fry.

 

E shqipëroi Elida Buçpapaj

 

 

 

 

blank

Historia siç është bërë dhe jo siç e kanë fshirë- Nga SHABAN MURATI

1-Telegram i nënkonsullit të Austro-Hungarisë në Durrës, Von Rudnay, dërguar Ministrisë së tij të Jashtme:
Durrës, 27 nëntor 1912, Nr.6501, Tel.nr.152
Natën mes 26 dhe 27 (1912), tre krerë (pari) më dorëzuan mua, një dokument, (Një për Shkëlqesinë tuaj dhe një për Qeverinë italiane), lidhur me shpalljen e suksesshme të DEKLARATËS SË PAVARËSISË.
2-Telegram i nënkonsullit të Austro-Hungarisë në Durrës, Von Rudnay, dërguar Ministrisë së tij të Jashtme:
Durrës, 27 nëntor 1912, Nr.6645, Nr.Tel.156
Flamuri kombëtar shqiptar u ngrit nën brohoritje. Mutesarrifi u shkarkua. Hamid bej Toptani, governator i përkohshëm. Mitropoliti zvarrit ta njohë “QEVERINË E PËRKOHSHME”. Paria e vendit u doli serbëve përpara, mbi lëvizjen e tyre mungojnë njoftimet. Ata janë nisur prej Krujës.
3- Telegrami i Proklamimit të Indipendencës shqiptare, nga Lef Nosi në librin e tij ”Dokumente historike”, 1924:
Nr.13300, Durrës,13 Vjeshta e tretë 1328-1912 7.30 ora e ditës.
Popullit të ndershëm të qytetevet: Elbasan, Berat, Janinë, Gjinokastër, Lushnje, Korçë, Starovë, Vlonë, Përmet. Ju apim lajmen e gëzushme, se me hirin e të Naltit Perëndië, ndashti shpallëm indipendencën, n’emën të kombësiës sonë të shenjtë e të gjithë Shqipniës.
4- Gazeta “Taraboshi” e Shkodrës, 22 janar 1914:
Ismail Kemal Vlora më 27 nëntor 1912 e ngriti flamurin kombëtar shqiptar në ndërtesën e Qeverisë së Përkohshme në Durrës.
5-Gazeta britanike “Daily Telegraph” 27.11. 1912:
Flamuri kombëtar shqiptar u ngrit në Durrës më 27 nëntor 1912 dhe ka një shqiponjë të zezë dykrerëshe ne një fushë me ngjyrë të kuqe.
6- Gazeta austriake “Wiener Bilder” datë 1.12.1912: Udhëheqësi shqiptar Ismail Kemal bej, në krye të një asambleje nga paria, në Durrës shpalli Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë.
(Nga libri “”Historia e shtetit dhe së drejtës shqiptare” i historianit Prof.Dr.Eqrem M.Zenelaj, Prishtinë, 2016, fq.340-399)
7- “Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë në Durrës në 26 Nëntor 1912 mban firmat e Ismail Qemalit dhe të djalit të tij, të përfaqësuesve të parisë së Durrësit dhe të përfaqësuesve të tre konfesioneve fetare”.
-(Prof.Dr. Eqrem M.Zenelaj, “Diplomacia e Ismail Kemal Be Vlorës”, Prishtinë, 2013, fq.325).
8- Për Shpalljen e Pavarësisë në Durrës njoftohen po atë ditë me telegram shumë qytete të Shqipërisë dhe teksti i telegramit është ky:
“Ju njoftojmë lajmin gazmor se me mirësinë e lartë hyjnore tani e Shpallëm Pavarësinë në emër të kombësisë sonë të shenjtë e në emër të të gjithë Shqipërisë.
Ju bëjmë të ditur se nga memorandumet që kemi hartuar, një kopje ja kemi paraqitur Konsullatës Austriake, tjetrën Konsullatës Frenge e të tretën kopje Konsullatës Austriake si zëvëndëse e Konsullatës së lartë të Italisë”. (“Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj”. Botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Shtetërore të RPSSH, Tiranë, 1963, fq.28.)
blank

Historia që do të duhej të ndodhte…- Nga PËRPARIM KABO

Sot, më 25 nëntor, 2023, u mbushën 110 vjet nga lindja e shkrimtarit Petro Marko.
Ishte lajmëruar prej ditësh që kjo ditëlindje do të përkujtohej. Sektori i Bashkisë së Tiranës, që i pëlqen të vetëquhet “ i rekreacionit”, kishte bërë gati sheshin ku do të inagurohej busti i shkrimtarit të lirisë, këtij shpirti të bukur, që provoi mbi veten dhe mbi familjen të gjitha stuhitë, mosvlerësimin, internimet, burgosjen e tij dhe të djalit…, por ai nuk u dha, nuk u mposht, nuk u shit te pushteti. Megjithëse ditë me shi, banda frymore po luante sot marrshe luftarake dhe kamerat e stacioneve televizive, të rreshtuara si armët në llogore, po prisnin që t’ia nisnin punës me të mbërritur Ai… Aaaai, i pari…, i madhi i qytetit, Kryetari i Bashkisë, zoti Filimon…
Koha po kalonte, njerëzit në shi po e humbnin durimin…
Më në fund, nga një makinë luksoze, zbriti shefi. U afrua, dhe reporterët , sikur i pickoi grenza, iu vërsulën me mikrofonët , për të marrë intervistën…
Ne, ia nisi ai,- kemi një plan të madh për vlerësimin e figurave të shquara të kulturës dhe historisë, Petro Marko, etj, etj…
Pastaj ai hoqi mbulesën dhe u shfaq busti i tij. Flokët e derdhura, cigarja gjysmë e fikur në cepbuzë dhe ai shikimi i hedhur larg e një tis trishtimi…valzonte gjithçka.
Duartrokitje dhe një grup, krejt spontanisht, ia nisi të brohorasë: Petro Marko, Petro Marko,Petro Marko!Ashtu si në fillim të viteve 1990, kur rinia e asaj kohe shkoi poshtë dritares së shtëpisë së tij, atje, në fund të bulevardit “ Dëshmorët e Kombit”…
Pranë mikrofonit u afruan disa folës që lexonin ca tekste standarde dhe pa ndonjë frymë apo emocion… Shiu e shtoi vrullin dhe piklat përplaseshin mbi bronxin e bustit… Në atë çast u duk sikur busti përsëriti fjalët lapidare të shkrimtarit:” Kur erdha në jetë, bota ish në stuhi.Edhe kur ika nga kjo jetë, ajo ishte në stuhi…,
por , mesa duket edhe tani , në jetën e përtejme, shëmbëlltyra ime, derdhur në metal, do duhet të jetojë në stuhi…
Kjo histori nuk ndodhi , sepse askush nga pushtetarët nuk u kujtua për këtë 110- vjetor të lindjes së shkrimtarit Petro Marko. Institucionet ishin nisur për një pushim të gjatë, në drejtime krejt individuale…
Heshtja kishte mbuluar qytetin, kujtesën, dhe bashkia kishte në punë vetëm policinë që merrej me parkimet e parregullta dhe planin e gjobave…
Na fal, Petro Marko …! Historia tashti blihet e shitet, eh ti nuk ishe dhe nuk mund të jesh nga i llojë brumi i thartuar ! Ndaj ndjesë, por nuk mund të ketë njē bust për ty.
Jemi të turpëruar para teje Petro Marko.
P.Kabo. 25 nëntor, 2023.
blank

Shqipëria duhet të hapë konsullatë në Sanxhak dhe në Luginën e Preshevës!- Nga REFIK HASANI

Shqipëria ka obligim moral e kushtetues  të brengoset edhe për shqiptarët  jashta shtetit administrativ, ku shqiptarët në Serbia kan organizuar  Referendumin  e Krahinës së Sanxhakut, mbajtur më datën 25,26 dhe 27 tetor 1992.
Kurse përveqë  Referendumit të Krahinës Shqiptare në Serbi, mbajtur më datën 1 e 2 mars 1992, është edhe kryengritjen e armatosur ku përmesë Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit,është sakrificë e kësaj krahine për realizim të drejtës së këtij Referendimi.
Shqipëria, ende  nuk ka krijuar asnjë fondë, kurse Republika e Kosovës tani ka fondin për  Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Kurse të pa mbështetur mbesin shqiptarët në Sanxhak.
Publikisht apeloj se Shqipëria, është momenti  fundit  që të angazhohet seriozisht, dhe  të hap konsullatë si  në Sanxhak dhe në  Luginën e Preshevës, që kjo të ndihmonte mjaftë.
Konsullata shqiptare, do të duhej  të hapet në Luginën e Preshevës, para se të pësoj si Sanxhaku.
Këto dy  Krahina  jan Rajonet  më të pazhvilluara ekonomikisht dhe më të  diskriminuara në gjithë Evropën.

Send this to a friend