VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Lubonja: Antishqiptare t’i japësh frymëmarrje kësaj qeverie, do jetë vonë nëse nuk marrim masa

By | April 27, 2018

Komentet

Raporti i OSBE/ODIHR: Presidenti ka bërë përpjekje për gjetjen e dialogut. PS nuk njeh dekretin

Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet lokale ka publikuar sot raportin paraprak. Për herë të parë një raport ndërkombëtar ka paqartësi për datën kur do të mbahen zgjedhjet vendore që ata po vëzhgojnë. Dokumenti nuk jep konkluzione për çfarë po ndodh këto ditë në Tiranë dhe as nuk sugjeron se cila do jetë zgjidhja, por pasqyron ngjarjet që vëzhguesit kanë parë në Shqipëri.

Që në nisje të raportit vihet theksi të bojkoti i opozitës dhe situata e rrallë, para së cilës ndodhen institucionet. Lidhur me mënyrën sesi po administrohet procesi kur në shumicën e bashkive ka vetëm një kandidatë të PS, raporti thotë qartë se Kodi Zgjedhor nuk e ka parashikuar zhvillimin e zgjedhjeve pa kundërshtarë.

Në raport përmendet dhe çështja e shtyrjes së datës së zgjedhjeve. OSBE shprehet se presidenti bëri përpjekje për gjetjen e dialogut duke dekretuar shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Ndërkohë që thekson se Partia Socialiste nuk e njeh këtë vendim.

“Presidenti Meta ka ofruar në mënyrë të përsëritur të lehtësojë dialogun mes palëve dhe në fund të muajit maj shprehu vullnetin për shtyrjen e zgjedhjeve. Më 10 qershor, duke iu referuar përgjegjësisë së tij kushtetuese për të mbrojtur pluralizmin dhe shqetësimeve për sigurinë publike, ai dekretoi shfuqizimin e dekretit për vendosjen e datës së zgjedhjeve. Më 11 qershor, PS-ja inicioi një debat në Parlament në lidhje me vlefshmërinë e dekretit për shfuqizimin e dekretit të vendosjes së datës së zgjedhjeve dhe shkarkimin e mundshëm të Presidentit”,- thuhet në raportin e OSBE.

Ajo që bie në sy është se vendimi i kreut të shtetit nga OSBE cilësohet si dekret, ndërkohë që PS-ja pretendon se presidenti nuk mund të nxjerr dekret për anulimin.

Raporti pasqyron me nota tejet negative situatën e mediave në Shqipëri. “Mjedisi mediatik është i larmishëm dhe karakterizohet nga një numër i lartë mediash që operojnë në një treg të kufizuar reklamash. Shumica e bashkëbiseduesve të MVZ-së së ODIHR-it kanë shprehur shqetësimin se media të mëdha u shërbejnë si platformave lobuese pronarëve të tyre, duke vënë kështu në pikëpyetje pavarësinë e tyre editoriale dhe duke imponuar autocensurën. Televizioni mbetet burimi kryesor i informimit politik. Procesi i përfunduar së fundmi i dixhitalizimit ka rezultuar në kontrollin nga një familje të tre prej pesë frekuencave televizive kombëtare private”,- thuhet në raport.

Prishtina preferon një marrëveshje kornizë për të vazhduar dialogun

Arton Konushevci

Një marrëveshje kornizë për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po kërkohet nga kryeministri, Ramush Haradinaj, sipas të cilit, përmes saj do të drejtohej më pas i gjithë procesi i finalizimit të dialogut. Një kërkesë të tillë, Haradinaj e ka sforcuar sidomos pas Samitit të Berlinit dhe takimit të mëvonshëm që zhvilloi me kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila bashkë me presidentin francez Emmanuel Macron, po kërkojnë një rol më të madh në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas kryeministrit të Kosovës, një marrëveshje paraprake, siç e quan ai, kornizë, lidhur me atë se për çka mund të merren vesh Kosova dhe Serbia dhe e cila do t’i përcaktonte vijat e kuqe të dialogut, do të ishte me rendësi të aprovohej nga palët dhe ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, që në fillim të bisedimeve të ardhshme.

Këshilltarja për media e kryeministrit, Ramush Haradinaj, njëherësh edhe zëdhënëse e Qeverisë së Kosovë, Donjeta Gashi, tha për Radion Evropa e Lirë se ajo që ka theksuar kryeministri është kornizimi i procesit të dialogut që, sipas saj, do të thotë se Kosova është e gatshme për dialog, por duhet të dihet se çka dhe ku do të shkohet me atë proces.

“Ky termi kornizim që është përdorur nga ana e kryeministrit Haradinaj, ka të bëjë me faktin se ne si Kosovë, dhe bashkësia ndërkombëtare si lehtësuese e këtij dialogu, duhet të kemi një formë apo platformë mbi bazën e të cilës do të dihet se çka do të diskutohet, për cilat marrëveshje konkretisht, pastaj afati i dialogut dhe çka synohet të arrihet me të”, shpjegon Gashi.

Ajo tha se pala kosovare nuk ka kushte për dialog, por ka kërkesa.

“Çka konkretisht, për secilën temë specifike, sa mund të zgjasë ky dialog dhe në çfarë nivelesh bëhet ky dialog, në kuptimin që nëse dialogojmë ta zëmë për një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme për të dyja palët dhe që derivon me njohjen reciproke, atëherë të specifikohet kjo gjë dhe kur të ulën palët në tavolinë të dihet saktë se cilat tema do të diskutohen”, tha Gashi.

Një element tjetër me rëndësi, sipas saj, është edhe përcaktimi i afatit kohor për dialog dhe marrëveshje ndërmjet palëve.

Në anën tjetër, Jeta Krasniqi, njohëse e procesit të dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se kornizimi i dialogut do të thotë të dihet se deri ku dhe për çka do të bisedohet. Por, sipas saj, palët në proces janë ende larg njëra-tjetrës me qëndrimet e tyre.

“Kemi pasur proces të dialogut që ka zgjatur tetë vjet dhe kemi ardhur në atë fazë që duhet të vendosen parimet e përgjithshme, duhet të vendosen vijat e kuqe dhe duhet të jenë të qarta të dyja palët dhe në këtë rast edhe ndërmjetësuesit, pra BE-ja dhe mbështetësit si shtete anëtare të BE-së, por edhe SHBA-ja, që të dimë se cili është epilogu i këtij procesi”, tha Krasniqi.

Marrë parasysh faktin se palët janë shumë larg në qëndrimet e tyre, Krasniqi beson se nuk mund të ketë shpejt as një kornizim të dialogut, siç po kërkon Haradinaj.

“Nga diskursi politik, si i Kosovës ashtu edhe ai i Serbisë, shohim se Serbia në mënyrë të vazhdueshme kërkon kompromis dhe kërkon që të shtyjë përpara tezën e shkëmbimit të territorit, duke bërë çdo gjë që të sabotojë shtetin e Kosovës me sjelljet e saj destruktive në arenën ndërkombëtare, por edhe retorikën nacionaliste që nuk i kontribuon aspak frymës së normalizimit. E Kosova e ka shumë të qartë kërkesën e saj, që është njohja reciproke”, tha Krasniqi.

Aktualisht, procesi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në formatin e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, është i bllokuar. Ndërkaq, një tentativë e re për t’i vazhduar takimet, po provohet të lansohet nga Merkel e Macron.

Për të vazhduar dialogun në Bruksel, Serbia ka vendosur kusht heqjen e taksës për mallrat e saj nga ana e autoriteteve të Kosovës.

Por, autoritetet në Prishtinë kanë deklaruar se taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe, nuk paraqet pengesë për vazhdimin e dialogut, por pengesa qëndron në mungesën e gatishmërisë së Serbisë për ta njohur Kosovën.

Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ritheksuar se e mbështesin dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Zyrtarët e lartë amerikanë kanë thënë se është fundamental për të ardhmen e të dyjave vendeve, Serbisë dhe Kosovës që të gjejnë një rrugë për të normalizuar raportet.

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Metthew Palmer në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë idealisht kjo do të thotë njohje e dyanshme dhe hapja e një rruge drejt integrimit evropian për të dyja vendet.

Ai ka deklaruar se nisma Merkel – Macron nuk paraqet zëvendësim të dialogut të Brukselit, por përpjekje për ta rifilluar procesin tashmë të bllokuar.

A do e shpërndajë Meta Kuvendin? Lëvizja e Presidencës në KQZ (dokument)

TIRANE

Përmes sekretares së Përgjithshme, Presidenca i është drejtuar sot me një shkresë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, përmes së cilës i kërkon t’i vihet në dispozicion lista shumë emërore e deputetëve.

Në shkresën drejtuar KQZ, presidenca kërkon t’i vihet në dispozicion numri aktual i mandateve të deputetëve të Kuvendit në shkallë vendi, si edhe lista emërore e deputetëve aktualë të Kuvendit të Shqipërisë për cdo zonë zgjedhore për cdosubjekt.

Lëvizja e radhës e presidencës, vjen një ditë pasi Kuvendi  votoi me 100 vota pro rezolutën kundër Kreut të Shetit, e cila e bën nul vendin dekretin e tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Kontrata e lobimit në SHBA, Prokuroria merr të pandehur Lulzim Bashën

Prokuroria e Tiranës ka thirrur kryetarin e PD-së, Lulzim Basha për të dëshmuar në datë 17 Qershor në prokurori, në lidhje me lobimin në SHBA .

Në fletëthirrjen e Prokurorisë shkruhet se Basha po thirret me cilësinë e të pandehurit, ku do të njoftohet për akuzën.

 

Çështja e pagesave për lobim të kryera nga ana e PD-së u hap në nëntorin e vitit 2017, kur firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë. Sipas deklarimeve të kompanisë ‘Muzin’ ajo ka marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017: pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë.

Nga këto deklarime të firmës Muzin, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha që është paguar nga PD-ja. Dy të tjerat mbetën të paqarta.

Pandeli Majko e pranon në Kuvend: Zgjedhjet pa opozitën, ne rrezikojmë të degradojmë në regjim

Ministri për Diasporën Pandeli Majko ka pranuar sot në Parlament se zhvillimi i zgjedhjeve pa opozitën do të konsideroheshin si jo normale dhe do ta degradojë PS-në në një regjim.

Por sipas tij, kërkesat e opozitës janë të kërkosh pushtet në tavolinë me anë të qeverisë tranzitore.

Opozita kushtëzon negociatat politike me largimin e PS nga qeveria, dhe ngritjen e një qeveri tranzitore, por kuptimi i qeverisë tranzitore është dorëzimi i pushtet në tavolinë. Aktualisht protestat e opozitës jashtë parlamentare është e një pale politike që do vetëm çfarë nuk do. Kriza politike nga bojkoti i zgjedhjeve parlamentare po zhvendoset në të qenë politike në krizë të sistemit.

Kriza politike është se  opozita ka fokusuar politikën e saj me Edi Ramën. Në marrëdhënie me të opozita ka bërë një gabim, ky është nënvlerësimi i tij.

Ta trajtosh atë si një politikan të dështuar dhe ta shpallësh se me të nuk hyj në zgjedhje, ka një kontradiktë domethënëse.

Si rregull përballë të dështuarit fitohen zgjedhjet. Politikanët e opozitës nuk janë sot mjaftueshëm në urrejtjen për Edi Ramën. Problemi qëndron në aftësinë e tij”, tha Majko.

Duke folur për zgjedhjet pa opozitën, Pandeli Majko u shpreh: “Shqipëria rrezon të bjerë në informalitet legal në mungesë të zgjedhjeve, teknikisht zgjedhjet pa opozitën nuk mund të konsiderohen normale dhe ne rrezikojmë degradim në regjim. Kjo situatë nuk është produkt, por pasojë e vendimeve të opozitës jashtë Kuvendit. Ajo e vlerësoi bojkotin si mekanizëm për të shkuar në zgjedhjet e përgjithshëm të parakohshme.  Kriza aktuale është pasojë e një politike opozitare që vepron sipas parimit të gjitha ose asgjë. Ky është gabimi i rëndë.

Partia Socialiste duhet të negociojë krizën edhe me trupën parlamentare që ka hyrë në Kuvend nga listat zëvendësuese të opozitës, çdo vendim duhet të kalojë nga votimi në Kuvendin e Shqipërisë. Sot politika në mungesë të Gjykatës Kushtetues nuk ka mundësi legale të negociojë afatet e Kushtetutës së republikës së Shqipërisë për zgjedhjet, por ky Kuvend ka të drejtë të ndryshojë Kushtetutën bazuar mbi këtë eksperiment negativ që po ndodh. Grupi i opozitës në Kuvend duhet respektuar për propozimet për ndryshimin e sistemit elektoral, pavarësisht se me deputetë të rinj, ata kanë të drejtë t’i japin historisë së këtij Kuvendi, vendimin dhe vlerësimin publik për to. Dekreti i Presidentit duhet regjistruar si një akt jo kushtetutës dhe jam dakord me propozimin e këtij qëllimi.

Presidenti ka gabuar dhe ka krijuar një problem. Ilir Meta është zgjedhur Presidenti nga Partia Socialiste, ai është produkti ynë.”, theksoi Majko.

PS e vendosur për 30 qershorin, Zguri: KQZ të ndërpresë procedurat për zhvillimin e zgjedhjeve

Vijon seanca parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë, ku socialistët shprehen të vendosur për të zhvilluar zgjedhjet me 30 qershor.

Nga ana tjetër, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri deklaroi sot se organi që drejton duhet të ndërpresë procedurat për zhvillimin e zgjedhjeve.

Zguri i qëndroi argumenteve të mbledhjes së dy ditëve më parë, duke shtuar edhe faktin se dekreti i presidentit Meta është botuar në fletoren zyrtare. Pasi s’pranoi të marrë përsipër gjykimin për kushtetueshmërinë e vendimit të presidentit Meta, njëlloj si në mbledhjen e mëparshme Zguri braktisi Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.

“Nuk dua të merrem me të drejtën e Presidentit të Republikës. Nuk mendoj se jam Gjykatë Kushtetuese që të citoj kushtetueshmërinë e vendimeve të presidentit. Bëhet fjalë për një dekret që ka marrë fuqi ligjore në fletoren zyrtare.

Nga një anë kam presidentin dhe nga ana tjetër Ministrinë e Drejtësisë …Kush jam unë të ballafqoj idetë e mia me vendimet e këtyre institucioneve? I qëndroj argumentit që kisha në mbledhjen e parë, shto argumentin që dekreti ka marrë fuqi në fletoren zyrtare. KQZ duhet të ndrëpresë procedurat për zhvillimin e zgjedhjeve”, tha Zguri.

Basha: Rama bën teatër gjoja do shkarkojë Presidentin, për të larguar vëmendjen

Sipas Bashës, Prokuroria e kapur tërësisht nga Edi Rama fjeti mbi dosjet “339/1”, 2017 dhe “184” 2016.

“Me qëllim që të mbronte kriminelët e kapur në flagrancë në përgjime zyrtare të Policisë, Prokurorisë dhe SHISH duke bashkëpunuar me Damian Gjiknurin, Vnagjush Dakon, Taulant Ballën, Pjerin Ndreun, Paulin Sterkaj, me një duzinë zyrtarë të lartë të PS, përfshi kreun aktual të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manjën dhe ish kreun e Komisionit të Sigurisë Xhemal Qefalinë.

Kjo shkallë masive dhe sistematike e kërcënimit të votuesve dhe shitblerjes së votës dhe dhunimit të procesit elektoral ishte shkaku i i vetëm për rezultatin paradoksal të 2017-ës dhe për maxhorancës fiktive, në fakt kriminale të Edi Ramës nga e cila buron edhe qeveria e tij ilegjitime.

Basha u shpreh sot se Edi Rama bën teatër me 30 qershorin dhe gjoja shkarkimin e Presidentit për të larguar vëmendjen.

“I vënë përballë kërkesës për largimin e përgjegjësit për këtë krizë të rënë politike dhe ekonomike, krijimi i një qeverie tranzitore, Edi Rama ka vënë në lojë teatrin e shkarkimit të Edi Ramës dhe bën teatër me datën 30 qershor. E gjitha ka një qëllim: të shfokusojë vëmendjen e opinionit publik, se e gjithë bota e di se ne kemi në krye të vendit një bandit të kapur me presh në duar që nuk përfaqëson legjitimitet, por ilegjitimet.

Një njeri që ka ardhur në pushtet me krimin. Farsa e nisur me shkarkim të presidentit, që përfundoi në një rezolutë dhe pastaj në një qortim jetik, bëhet vetëm se Edi Rama ka nevojë jetike të largojë vëmendjen nga fakti se është kapur të vjedhë zgjedhjet, të vjedhë qytetarët. Është pjesë e teatrit, që të ruajë pushtetin e paligjshëm, nëpërmjet të cilit ai dhe një grusht njerëzish rreth tij pasurohen, ndërsa fëmijët e shqiptarëve nuk kanë bukë të hanë”, u shpreh Basha.

Intervista – “Dy rrugët për të dalë nga kriza”, Moikom Zeqo: Shkarkimi i Metës, akt i rëndë për vendin

ANILA DEDAJ/ “2008-ta po e mban peng të ardhmen politike të Shqipërisë”, përsërit vazhdimisht mendimtari Moikom Zeqo.

 

Sepse për të, e drejta “prej monarku” e kryetarit për të caktuar listën e deputetëve është një nga atentatet më të mëdha që i është bërë Kushtetutës atë vit. E shikon si hap primar për të zgjidhur ngërçin politik, krijimin e një establishmenti të ri, pasi 140 ligjvënësit aktualë të Shqipërisë i konsideron në nivelet më të mjerueshme dhe gati anonimë.

Situata aktuale tregon, sipas profesor Zeqos, se partitë i pret një vdekje e bardhë. Një rrudhje dhe rrezik zhdukjeje që do të prekë jo vetëm partitë e vogla që Partia Demokratike ka në koalicion, por edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, si dhe vetë Partinë Socialiste.

Mendimtari analizon për “Panoramën” aktualitetin politik, duke u ndalur ndër të tjera te shtyrja e datës së zgjedhjeve, Kryeministri “mandator”, protestat “jo në emër të popullit” dhe ndikimi që situata ka te negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Si kanë ndikuar në situatën aktuale ndryshimet kushtetuese që ndodhën në 2008-n?

Ndryshimet e kobshme të vitit 2008 bënë që lista e deputetëve të përcaktohet nga kryetarët e partive. Pra, këta të fundit kanë të drejtën prej monarku që të caktojnë listën e deputetëve. Mirëpo, kjo është një nga atentatet më të mëdha që i është bërë Kushtetutës. Kushtetuta, e cila njeh procesin e zgjedhjeve që lidhen me votimin, thotë që votat janë të lira dhe të fshehta. Të lira janë kur unë votoj lirisht për kandidatin që më bind, pra, do të thotë që duhet të ketë alternativa, duhet të jenë listat. Mandej, të fshehta. Po si mund të jenë votat të fshehta, kur ka një listë publike, që e dorëzon kryetari i partisë në procesin e votimeve?!

Si mund të ketë votime të lira dhe të fshehta në një kohë kur kryetari ka krijuar listat. Mirëpo listat tregojnë se krijohet një klientelizëm politik. Dhe në vend që të krijohet një numër personalitetesh të vërtetë të politikës, pra, të vendimmarrjes, në listë përfshihen njerëz “të klonuar”. Dhe ne kemi një Parlament “të klonuar”. Ne jemi një republikë parlamentare me Kushtetutë parlamentare, çka do të thotë se në Parlament ne kemi përfaqësuesit e disa partive të elektorateve të ndryshme dhe nuk ekziston linja vertikale e ekzekutivit.

Kryetari i Parlamentit është një “spiker”, nuk është një kryetar për të komanduar. Natyrisht, aty është vendi ku votohen, ose jo, ligje, merren vendime etj.. Mirëpo, duke mos respektuar karakterin e mirëfilltë shumëpartiak të Parlamentit, ne në fakt jemi kthyer në një republikë kryeministrore. Pra, Kryeministri, i cili ka shumicën në Parlament, ka pushtetin e legjislativit, të ekzekutivit dhe mund të vendosë mbi gjithçka, sepse i ka numrat.

Dhe kjo alkimi e numrave erdhi pikërisht nga ndryshimet e kobshme të vitit 2008. Pra, në qoftë se nuk bëhet reforma për t’i modifikuar ato ndryshime, vështirë se do të kemi ndonjë të ardhme të madhe politike të Shqipërisë. Kjo sepse 2008-ta po e mban peng të ardhmen politike të Shqipërisë.

Shumica e ish-deputetëve të opozitës hoqën dorë nga mandatet, si mendoni se ndikon një veprim i tillë tek elektorati që i ka zgjedhur? A duhet që ata ta bënin opozitën brenda Parlamentit, apo jashtë tij?

Heqja dorë nga titulli juridik i deputetit të opozitës është një akt i paprecedent në Europë e në botë. Për t’u bërë deputet, për ta marrë këtë titull, është bërë një votim dhe mijëra njerëz kanë votuar. Kushtetuta parashikon që deputeti i një partie të caktuar, në momentin që merr këtë funksion ka lirshmërinë të quhet deputet i popullit, edhe nëse e shikon të përshtatshme të ndryshojë edhe parti. Sepse përfaqëson elektoratin e duhet të jetë më tepër besnik ndaj tij sesa ndaj partisë. Theksoj, se që të heqësh dorë nga titulli duhet të kesh një arsye të fortë, të jesh i sëmurë, në raste vdekjeje etj.. Mund të bëhet edhe një dorëheqje individuale, por dorëheqja kolektive do të thotë se nuk ke respektuar vullnetin e elektoratit që të ka votuar. Nuk është se e mblodhën këtë elektorat dhe morën pëlqimin e tij për të hequr titullin e deputetit, prandaj dorëheqja kolektive është antikushtetuese. Titujt juridikë të këtyre deputetëve krijojnë atë që quhet subjekt kushtetues i opozitës. Opozita nuk është një grumbull njerëzish që kundërshtojnë qeverisjen, opozita është një subjekt alternativ. Pra, në një moment është në opozitë, por në një moment tjetër duhet të jetë në pushtet, ndaj është një subjekt shumë i rëndësishëm.

Përse, sipas jush, palët politike nuk tentojnë rrugën e bashkëpunimit. Për interesa të kujt thellohet konflikti?

Në të vërtetë, duhet të ishte që maxhoranca dhe opozita të ishin komplementare. Pra, kritikat të ishin shumë të ashpra, por gjithsesi palët do të duhej ishin bashkëpunuese për hir të interesit të lartë kombëtar ose shtetëror, sepse tek e fundit janë të gjithë shqiptarë. Sipas meje, është shumë e gabuar retorika politike e skualifikimit të opozitës. Retorika që përdor Kryeministri: “Ne dhe Ata”. Ne të mirët dhe Ata të këqijtë! Kjo nuk është reale dhe as njerëzore. Pse? Sepse kushtetushmërisht titulli i një Kryeministri nga ana juridike do të thotë që duhet të qeverisë edhe ata që nuk e kanë votuar, dhe normalisht ne duhet të kishim një strukturë tjetër. Duhet që kryetarët e partive të mos ishin gjithmonë kryeministrat. Partitë mund të zgjedhin kryeministra dhe pa qenë kryetar partie, sepse nuk mundet dot, që edhe si kryetar partie, edhe si kryeministër të identifikohesh në luftën politike për të bërë këtë paradigmë: “Ne dhe Ata”. Nuk thuhet Ne dhe Ata, sepse janë të gjithë shqiptarë, pavarësisht kush ka të drejtë në debatin politik.

A ekziston rreziku që protestat të çojnë në një konflikt civil?

Kontradiktat politike nuk duhet të ndikojnë që mosbindja civile të shndërrohet në një konflikt civil. Nuk ekziston asnjë premisë që ky ekuacion të jetë i tillë, i dhunshëm. Mosbindja civile, siç e shpjegon edhe mendimtari amerikan Dejvid Thoro, nuk presupozon një konflikt civil, aq më tepër nuk presupozon një konflikt civil deri në përmasat e një revolucioni, për të rrëzuar me dhunë një qeveri të votuar.

Si ndikon e gjitha kjo situatë në hapjen e negociatave?

Padyshim që ndikon për keq, edhe hapja e negociatave ka një konvencionalitet politik. Për shembull, në qoftë se do hapen negociatat ky mund të jetë një proces që mund të vazhdojë shumë gjatë. Mos të harrojmë se dikur Bashkimi Europian ishte dakord për hapjen e negociatave dhe për futjen e Turqisë në këtë partneritet politik. Mirëpo, kanë kaluar më shumë se dy dekada dhe diçka e tillë nuk ka ndodhur ende. Pra, nuk është hapja e dritës jeshile konfirmimi që do të fillojnë negociatat. Ne nuk e dimë procesin e gjatë të negociatave se deri kur mund të vazhdojë. Por besoj se gjithë këto ngjarje krijojnë probleme të mëdha. Aq më tepër që edhe realiteti europian i BE-së është shumë i shqetësuar.

Së fundmi, Presidenti ka shfuqizuar dekretin për zgjedhjet e 30 qershorit. Si e shikoni ju një vendim të tillë?

Fillimisht, duhet të sqaroj se qëllimisht bëhet një ngatërresë nga propagandat e kundërshtarëve. Presidenti ka shfuqizuar datën e procesit zgjedhor, jo zgjedhjet. Ai nuk ka fuqi që të shfuqizojë procesin e të vendosë nëse do të bëhen apo jo zgjedhjet e pushtetit vendor. Nuk e lejon askush. A mundet që ai që përmes një deklarate të bënte me dije se data do të shtyhet? Diçka e tillë ka ndodhur edhe më parë. E ka bërë edhe Nishani me kërkesën e Ramës. Por a duhej caktuar një datë e dytë? Mendoj se duhet të ishte bërë diçka e tillë. Nuk e di se çdo të ndodhë, por nuk besoj që do të ndodhë, ajo që trumbetohet e propagandohet, se do të mblidhen votat e do të fillojë procedura e shkarkimit të Presidentit të Republikës. Kjo është një ngjarje që nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e Shqipërisë. Përpos kësaj, që të ndodhë diçka e tillë duhet të ketë një Gjykatë Kushtetuese. Nuk e besoj se do arrihet deri në atë pikë. Do ishte një akt shumë i rëndë për Shqipërinë një precedent i tillë.

A duhet konsideruar situata aktuale si alarmante?

Unë mendoj se kjo nuk është një situatë apokaliptike. Ne kemi kaluar dy situata apokaliptike në Shqipëri, shumë të rënda. Një ka qenë në 1997-n, ku pati armatosje e të vdekur. Një situatë që dukej pa zgjidhje. Ngjarja e dytë ka qenë ajo e grushtit të shtetit, të vitit ’98. Të dyja këto situata me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve mendoj se u zgjidhën. Kjo situatë nuk përbën një konflikt popullor. Protestat e një partie nuk mund të vërtetojnë ekuacionin që, “ne që po protestojmë jemi gjithë populli”. Nuk është gjithë populli dhe nuk mund të flitet në emër të të gjithë popullit nga një opozitë. Apo nga dy apo tre parti, s’ka rëndësi. Pra, nuk mund të kemi një identifikim të tillë. Është më tepër propagandë, nuk besoj kurrë se mund të ndodhë një konflikt, luftë apo revolucion civil, sepse flitet edhe për këtë.

Në një moment të tillë, a do të ishte një ide e mirë krijimi i një qeverie teknike?

Krijimi i një qeverie teknike, për mendimin tim, është një debat më shumë hipotetik. Nuk ka për të ndodhur!

Ju më herët thatë se kemi të njëjtën klasë të vjetër politike, ose “parapolitike”, a premtojnë ngjarjet e fundit ndryshime në këtë aspekt?

Ajo çka po ndodh, tregon se do të kemi një lëvizje. Unë vë re se edhe Basha flet me terma kundër establishmentit të vjetër. Mendoj se do të ketë një vdekje të bardhë të partive. Shumë nga këto partitë e vogla që ka në koalicion vetë Partia Demokratike nuk do të kenë më të ardhme. Do të ketë rrudhje shumë të madhe dhe rreziku i zhdukjes do të prekë edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Edhe vetë Partia Socialiste nuk e ka më qëndrueshmërinë e dikurshme dhe rënia e establishmentit të vjetër do të godasë vetvetiu. Pra, do të ridimensionohet edhe kjo parti e madhe. Ky proces ka ndodhur te fqinjët. Ndodhi në Itali dhe në Greqi. Në Shqipëri ndryshime të tilla ndodhin gjithnjë me vonesë, por në politikë mund të ripërsëriten fenomene që quhen analoge. Unë kam parë se si disa nga partitë simotra të PS-së janë kthyer në parti jo parësore. Për shembull, PASOK0-u në Greqi, nga parti e parë sot është katandisur parti e katërt. Po kështu ka ndodhur edhe në Itali, apo në Francë. Pse? Sepse në demokraci, partitë lindin dhe vdesin, në demokraci nuk ka lider. Lideri do të thotë, një njeri që udhëheq një popull të tërë. Ne nuk kemi më lider, kemi mandator! Pra, ne nuk mund të kemi ide nga ai që drejton një parti, apo ai që është kryeministër mandator. Sepse idetë kryesore, struktura mendore, janë në Kushtetutë. Vetëm Kushtetuta është ajo që udhëheq idetë kryesore.

Si do të duhej të sillej Kryeministri në këtë rast?

Rama duhet ta shikonte me pjekuri situatën, jo në mënyrë arrogante dhe absolutiste. “Ne dhe Ata”, ky ekuacion nuk të çon asgjëkund. Duhet t’i mëshojë kompromisit. Nëse kërkohen vërtet ndryshime të mira, atëherë puna duhet filluar nga 2008- ta. Duhen zhbërë ndryshimet e kobshme të atij viti, duhen reformuar. Nëse kjo ndodh, ka edhe premisa që të vijnë politikanë të rinj. Mos të harrojmë se kanë kaluar 30 vjet. Në qoftë se një politikan para 3 dekadash ka qenë 30 vjeç, sot është 60. Si s’kemi ne politikanë të rinj, apo forca politike të tjera. Ndryshimet e 2008-s përbëjnë një pengesë artificiale të krijuar nga politika e vjetër për të konservuar dhe galvanizuar vetveten.

Nëse flasim për opozitë zyrtare, disa deputetë të PD-së janë ende në Parlament. Sa mund të funksionojë, sipas jush, ky grupim i vogël deputetësh?

Nga pikëpamja juridike, kjo ecën. Por nëse flasim nga pikëpamja morale dhe politike, natyrisht që ky grupim s’mund ta përfaqësojë dot opozitën.

Cila është rrugëdalja, sipas jush?

Zgjidhjet janë dy. E përkohshme do të ishte ndërhyrja e ndërkombëtarëve për të qetësuar situatën. Përderisa kjo funksionoi në ’97-n e ’98-n kur rrethanat ishin më të rënda. Këtu situata do të zgjidhej shpejt. Ndërsa zgjidhja tjetër ka të bëjë me të ardhmen e politikës, dhe është prishja e establishmentit të vjetër politik dhe dalja e një establishmenti të ri.

Kuvendi mocion me debat për zhdekretimin e zgjedhjeve nga Presidenti, Meta konferencë për mediat pasdite

Presidenti i Republikës, Ilir Meta do të japë një tjetër konferencë për shtyp pasditen e sotme.

 

Konferenca është parashikuar të zhvillohet në orën 17:00, menjëherë pasi Kuvendi i Shqipërisë të zhvillojë mocionin me debat.

Kjo është konferenca e tretë e Presidentit Meta brenda pak ditësh që pas vendimit të së shtunës së shkuar për të zhdekretuar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Mazhoranca socialiste në pushtet ka kërcënuar me shkarkim të kreut të shtetit pasi sipas tyre ka shkelur Kushtetutën.

Marrja e vizës për në Amerikë, Ambasada e SHBA në Tiranë jep njoftimin e rëndësishëm

Të gjithë qytetarët që kanë viza amerikane dhe janë në prag të skadimit të tyre, do të mund t’i rinovojnë ato në rrugë postare.

 

Ambasada amerikanë ka bërë të ditur të se qytetarët të cilëve u skadon viza brenda këtij viti, do të mund të përfitojnë nga rinovimi me postë.

Kjo është e vlefshme vetëm në rastet kur këta shtetas nuk janë dëbuar nga SHBA-të apo nuk kanë të dhëna kriminale.

“Vera është gjithmonë një kohë e ngarkuar me udhëtime, prandaj dhe ju duhet të prisni më gjatë për një takim për vizë. Nëse viza juaj amerikane turistike e mëparshme skadon brenda 12 muajve të fundit, atëherë ju mund të kualifikoheni për programin tonë të rinovimit të vizës me postë.

Ky program është i hapur për njerëzit me viza ende të vlefshme ose të skaduara së fundmi, të cilët nuk janë dëbuar nga Shtetet e Bashkuara dhe që nuk kanë të dhëna kriminale.

Nëse i përmbushni kriteret, ju mund të anashkaloni qëndrimin në radhë për vizë! Përdorni programin tonë të rinovimit të vizës me postë! #PyetAnnën”, thekson ambasada amerikane në Tiranë.

Parlamenti i Holandës “dritë të kuqe” për negociatat e Shqipërisë, “dritë jeshile” për Maqedoninë

Parlamenti i Holandës ka vendosur t’i thotë “Jo” Shqipërisë për hapje negociatash, ndërsa vendimi për Maqedoninë e Veriut është pozitiv.

 

Mjafton që vetëm një nga 28 vendet anëtare të BE-së të vendos kundër, që negociatat për një vendim kandidat të mos hapen.

Parlamenti holandez ka votuar sot katër mocione për Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Sipas qeverisë holandeze, Shqipëria nuk arrin rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme dhe Këshilli i Punëve të Jashtme vëren se në bazë të këtij raporti të progresit mund të vërtetohet se Shqipëria nuk i plotëson kushtet e vendosura, duke i bërë kështu thirrje qeverisë holandeze të pajtohet me propozimin e Komisionit për fillimin e negociatave për pranimin në BE.

Mbledhja e Këshillit Kombëtar – Basha: Nuk ka as ndërmjetës dhe as kanale të fshehta mes meje dhe Edi Ramës

Nga mbledhja me dyer të mbyllura e Këshillit Kombëtar të PD, kryetari Lulzim Basha, i ka kushtuar rëndësi të veçantë përgënjeshtrimit të çdo zëri që flet për marrëveshje me kryeministrin Edi Rama.

 

Teksa thotë se kryeministri përdor dezinformimin dhe thashethemet politike për të ngjallur dyshime dhe pasiguri, Basha deklaroi se “Nuk ka asnjë negociatë me Edi Ramën. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pazar me Edi Ramën. Nuk ka as ndërmjetës dhe as kanale të fshehta mes meje dhe Edi Ramës”.

Ka dy gjëra që duhet t’i dini qartësisht- iu drejtua lideri i opozitës anëtarëve të Këshillit Kombëtar.

-Largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm i yni. Kjo nuk ka ndryshuar.

-Dalja para drejtësisë e të gjithë atyre që vodhën votat tona, votat e shqiptarëve është kusht i panegociueshëm.”

Duke theksuar këto dy pika që qëndrojnë në themel të kërkesave të opozitës, Basha u kërkoi anëtarëve të Këshillit Kombëtar të sqarojnë çdo demokrat dhe çdo qytetar që të mos bien pre e propagandës së Edi Ramës.

“Ne nuk dolëm nga Kuvendi për të bërë pazar. Ne nuk bojkotuam zgjedhjet lokale për të bërë pazar. Ne nuk kemi shpallur largimin e Ramës për t’u ulur me të në tavolinë. Do të ishte çmenduri dhe nuk do të sillte asgjë të mirë për vendin”, mësohet të ketë deklaruar Basha.

Gjatë mbledhjes, Basha mësohet të ketë deklaruar se objektivi kryesor i PD-së dhe i opozitës së bashkuar është largimi i kryeministrit Edi Rama, si mënyra e vetme për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.

“Ne ia dolëm që të ndalojmë procesin fals dhe kriminal të 30 qershorit. Tashmë është e qartë që nuk do ketë zgjedhje lokale pa opozitën..-u shpreh kreu i opozitës, duke vënë në dukje se gjithçka ka ndodhur deri tani për frenimin e një procesi kriminal një partiak është meritë e drejtpërdrejtë e qëndresës së shqiptarëve të bashkuar, përtej bindjeve politike. Basha përforcoi mesazhin kryesor të opozitës se “zgjedhjet pa dekret presidenti nuk janë zgjedhje dhe se zgjedhjet pa opozitën nuk janë zgjedhje”.

Lideri i opozitës u kërkoi anëtarëve të forumit më të lartë politik vendimmarrës të Partisë Demokratike që gjatë gjithë kësaj kohe të rrisin angazhimin publik qytetar në nivelin më maksimal.

“Ne duhet të jemi gati të bëjmë detyrën tonë për të mbrojtur demokracinë dhe rendin kushtetues dhe për të mos pranuar asnjë proces votimi fallco, në shkelje dhe dhunim të Kushtetutës”- u shpreh zoti Basha i cili tha se këto javë janë përcaktuese për 10-15 vitet e ardhshme