Në emisionin televiziv “Zonë e lirë”, të ditës së premte kryeministri Edi Rama, në përgjigje të disa botimeve të fundit në DITA, tha se “nuk ka asnjë influencë interesash” nëse gruaja e kryeministrit është anëtare e Këshillit Drejtues të një banke private.
I palodhur në justifikimin e tij, por në fakt duke e trashur atë, ai shtoi se “Kryeministri nuk ka lidhje me bankat, nuk kërcet sepse është në profesionin e saj, nuk kërcet sepse e kanë thirrur për të dhënë mendimet e veta si profesioniste. Nga kërcet? Si kërcet?”
Më tej, me të njëjtën mendjelehtësi të habitshme për një kryeministër, ai mendoi se mund ta rëndonte peshën e pohimit të vet duke nënvizuar se “Dhe, po të them edhe një gjë tjetër, se qeveria amerikane e ka ndjekur me shumë shqetësim sulmin që i është bërë ABI Bank si një bankë amerikane dhe ata që janë angazhuar në këtë sulm, e dinë shumë mirë”.
Uauu!
Gazeta DITA gëzohet nëse qeveria amerikane i ndjek dhe i lexon me vëmendje editorialet e saj. Nëse kjo ka ndodhur, atëherë jemi të bindur se informacionet e shfaqura në DITA do të kenë sjellë edhe një dosje më shumë për shefin e qeverisë dhe aferat e tij qeveritare, por, siç edhe zoti Rama e di, euforia e tij kryeministrore nuk rrok në ato sfera. Ashtu si as presioni, duke cituar një qeveri të fuqishme, nuk i ndryshon asgjë asaj që është shkruar në DITA dhe të cilës i qëndrojmë sot e gjithë ditën.
Është interesant se sa me besnikëri zoti Rama ndjek linjën Berisha në përballjen e skandaleve publike me “amerikë” në sfond dhe me sa guxim e përdorin të dy qeverinë amerikane si një gjethe fiku për lakuriqësitë e tyre.
Të njëjtën gjë, si zoti Rama sot, deklaronte Berisha dje, kur, duke u përpjekur të mbulonte të pambulueshmen, ulërinte në Parlament: Mos u merrni me Gërdecin, se pas Gërdecit janë amerikanët dhe se, qeveria amerikane është e shqetësuar nga prononcimet dhe faktet që po paraqiten.
Koha tregoi se Gërdeci ishte një prodhim Made in Berisha, i madhi dhe i vogli, ku ishin futur edhe baxhanakët dhe se kur gjërat dolën në shesh, atje u dënuan me vite të gjata burgimi autorët e pjesës amerikane të krimit. Ndërsa pjesa shqiptare e krimit, si zakonisht, e fshehur pas jelekut berishian dje siç fshihet pas çitjaneve kryeministrore sot, doli pa u lagur.
Ashtu si Berisha dje që na thoshte, merruni me amerikanët se do e shikoni, edhe Edi Rama sot, mendjelehtësisht na kumton se një e vërtetë që nuk fshihet dot mund të përmbyllet në një “skenar amerikan”, krijuar në paradhomën e tij.
Trembja e mendimit dhe opinionit politik me amerikanët është një lojë e ulët politike, e pavlerë dhe tashmë, edhe e pabesueshme.
Në fakt, do të ishte shumë interesante që qeveria amerikane të dinte se në bordin e një banke private është gruaja kryeministrore dhe se, pas bërjes pjesë të saj në këtë bord, gjërat kanë ndryshuar “mrekullisht”, sikur të ishin prekur nga një dorë magjike!
Mendoni tani sikur, për një çast, zonja e parë e SHBA të ishte anëtare e një bordi bankar. Çfarë stuhie mediatike do të ngrihej! Por, të mos shkojmë kaq larg: le të na sjellë zoti Rama një shembull tjetër kontinental ose jashtë kontinentit të vjetër, ku një zonjë kryeministrore, qoftë edhe aq shumë e aftë dhe e pazëvendësueshme sa zonja Linda Rama, është në Këshillin Drejtues të një banke private, e aq më tepër me rrënjë të fshehura në një parajsë offshore.
Rama që sot shfaq besnikërinë dhe amerikanizmin e tij të skajshëm, jo shumë kohë më parë ka bërë deklarata skandaloze ndaj zgjedhjeve që priteshin në Amerikë. A nuk të kujton kjo Saliun me piruetat e tij anti dhe pro amerikane?
E vërteta është se “amerikanizmi” i qeveritarëve tanë zgjat aq kohë sa zgjat edhe mbështetja ndaj tyre. Sa herë kanë pasur nevojë dhe janë gjendur ngushtë, janë përpjekur që të ngrenë mbi fatin e tyre çadrën amerikane. Kur gjërat nisin e ndërrojnë, kur mendimi kritik përcillet në selinë qendrore të Departamentit të Shtetit, përfaqësuesit e saj na paraqiten si njerëz privatë dhe jo seriozë.
Rama është në fazën kur besueshmëria e tij në institucionet ndërkombëtare është në rënie. Ai, si duket, ka harruar, ose bën sikur harron që, “Zëri i Amerikës”, i cili, besnikërisht përcjell mendimin dhe qëndrimin e shtetit të tij, është këto ditë më këmbëngulësi në zbulimin e skandalit të Unazës, duke shkuar deri thellë, në rrënjët e qeverisë dhe në kupolën e saj. Ka mbetur pa shkuar deri tek emri i Ramës, i cili, edhe pse i thënë përmes rreshtave, është i kuptuar.
Por, ka disa pyetje, të cila gazetari i Tv Klan (televizion të cilin Rama dikur na e demonizonte kurse sot i kalon gjithë darkat ose në studiot e tij të transmetimit ose në restorantin privat të pronarit) nuk i bëri. Ose ishte bërë hesapi të mos bëheshin.
Në emër të transparencës që ka premtuar dhe detyrimeve ligjore dhe morale ndaj votuesve të tij që janë pjesa më e ndershme dhe më e vuajtur e shoqërisë shqiptare duam që zoti Rama të shpjegojë:
E para, si mund të paguhet gruaja e kryeministrit nga pronarë të fshehur në parajsat offshore? A e di zonja e kryeministrit nga vijnë këto fonde të pagjurmueshme? Cilët janë punëdhënësit e saj të padukshëm? E nëse janë ta zemë, terroristë apo mbështetës të terrorizmit?
E dyta, zoti Rama tha në intervistë që një pjesë e medieve e kanë “politike” dhe një pjesë tjetër presin “shpërblim”.
Politike se raporton një konflikt interesi me foto dhe dokumentacionin mbështetës? Ku është “politika” këtu? Është krejt normale që media të kërkojë transparencë, ç’lidhje ka kjo me politikën?
Shpërblime? Nëse kryeministri ka info të tilla përse nuk bën transparencën e këtyre shpërblimeve? Përderisa i përmend pa teklif, do të thotë që e njeh si praktikë. Pra ose të kanë kërkuar dhe ke refuzuar, ose ti vetë ke “shpërblyer” media dhe flet për “politikë” në rastet kur nuk ua gjen dot anën.
Njerëzit normalë të këtij vendi duan të dinë këto përgjigje nga zoti Rama dhe jo se çfarë mendon – në retorikën e tij – qeveria amerikane, e cila, ashtu siç ka ndodhur, shprehet qartësisht dhe pa pasur nevojë për përkthimin e dobët kryeministror.
DITA
Komentet