VOAL

VOAL

KUSH JAM UNË? – Poezi nga CARL SANDBURG – Përktheu SKËNDER BUÇPAPAJ

August 21, 2018

Komentet

Mos!- Poezi nga Viron KONA

Mos bëj si hëna, që me dritë hua ndriçon,
kurse faqen e herrët e fsheh, s`e tregon!
Mos bëj si ajsbergu, që t ‘mashtron në sy,
copën më të madhe e fshehë në thellësi!

Mos bëj si ca njerëz, me lajka t ‘bojatisin,
pas krahëve të tu, të shajnë edhe shpifin!
Mos bëj si politikani, që t ‘premton botën,
por të kthen shpinën, sapo të merr votën!

Mos bëj si fajdexhiu, që “t ‘gjendet” n ‘hall,
kur ia kupton hilenë, ke dal peshk në zall!
Mos bëj si spiuni, që ty fshehtas t ‘përgjon,
të “shet” intimitetet, edhe rogën siguron!

Mos bëj si frikacaku, që premton besnikëri,
por të lë në baltë, që të shpëtoj kokën e tij!
Mos bëj si gjyqtari, që betohet për drejtësi,
sapo ndien erën e pareve, bën vendim të ri!

Mos bëj si servili që bën zakonin e qëmotit,
përherë pas të madhit, si qeni pas të zotit!
Mos bëj gjahtarin, që gjuan zogj e dhelpra,
torbën e ka t ‘mbushur plot me gënjeshtra!

Këto lloj mostrash i gjen në gjithë dynjanë,
në pamje duken engjëj brenda janë katran!
Me hile dhe mashtrime, të shfrytëzojnë ata,
kur ti kthjellohesh, të kanë marrë gjithçka!

ÇAST LAMTUMIRE- Nga MITRUSH KUTELI

… Pra, bir, mos qaj: ky është ligji e qënies
Të vijë rrotull dhe të kthehet rishtaz
Përbrenda gjirit t’amës s’amëshuar
Të mosqënies.
.
Ku janë ata që patën qënë? Shkuan
Atje ku qenë – lanë prapa tyre
Një tingull n’erë, shuar dalngadalë,
Si çdo qënie.
.
Nga shtati i tyre ngjizet rishmë jeta
Që duhet rrojtur: mbajtur, vojtur, falur
Kur çasti i madh troket në derën tonë
Urdhëronjës.
.
Koprace është jeta në të mira
Dhe dorëhapur gjëmash dhe mënxyrash –
Të gjitha duhen hequr dhe duruar
Zemërkthjellët.
.
Un’ rrethin tim e mbylla keq a mirë,
Si vdekëtar i thjeshtë – hallkë e lidhur
Dhe shkoj i velur hojesh dhe sherbelesh
Pa keqardhje.
.
Do rroj, shpresoj, ca kohë, brenda teje
Se kjo ka qënë ëndra ime: shpirtin
Tim trashëgim të ta le pas vdekjes
Siç e mora.
.
Vazhdo dhe ti të jetës shteg, të shkruar:
Të larta mos lakmo – se shtypës bëhesh
As poshtë shumë mos rrëshqit, se shtypesh,
Qofsh i lumtur!

VIDEO- Pamje filmike Exclusive: Poeti i madh shqiptar Gjergj Fishta në vitin 1930

Pamje filmike Exclusive: Poeti i madh shqiptar Gjergj Fishta në vitin 1930

Me rregulla e me ligje – i di Meta punt’ e veta- Pak humor nga S. Guraziu

…fort e saktë kjo grafika, fort e qëlluar, sa humoristike, sa simbolike, sa “metaforike”… po aq dhe realistike, madje nëse nevoja dhe “fantastike”, në fund të fundit rregullat janë për t’u thyer, ashtu thuhet, apo jo, të gjitha ligjet e shtetit janë diç si “rregulla”, madje dhe vetë kushtetuta e një vendi është thjesht diç si “rregullore” (që duhet respektuar nga isntitucionet, nga qeveria, nga gjithkush, pa përjashtime), dhe populli në Kosovë e ka një thënie fort simpatike, urtësia thotë “i di Meta punt’ e veta” (nuk duhet t’ju shkojë mendja sakaq tani tek Ilir Meta, jo sepse doli që ky nuk i dinte dhe aq mirë punët e veta, por sepse thënia e popullit është shumë më e moçme, s’ka ekzistuar atëherë fare ky Meta… i presidencave), urtësia e popullit aludon që duhet ta ‘njohim mirë punën tonë, ta dimë se ç’jemi duke bërë, ta dimë cilën rregullë jemi duke e thyer’…

…dmth. e gjitha ç’kërkohet nga ne është që t’mos zihemi, t’mos kapemi “me kërpesh n’dorë” (siç ia thotë populli me fjalën tjetër të urtë, urtësi speciale kjo për hajnat e lashtë të bagëtisë), duhet sadopak vigjilencë, sadopak kujdes, kurrë t’mos na zënë, sidomos jo në flagrancë (uaaa ashtu mos pyet, do ishte katastrofa vetë, do ishte më keq se në rastin e Metës, jo tragjedi presidenciale por tragjedi personale, do bëheshim gazi i botës, do na reklamonin në TV, dhe gazetat do shkruanin, emri ynë do figuronte gjithandej në rubrikat e “faqes së zezë”)…

…pra pakashumë i gjithë “gjenialiteti” që nevojitet është që t’mos zihemi – njësoj si me ato kamerat policisë për shpejtësinë, policët s’mund ta mbulojnë udhën komplet, s’mund të instalojnë kamera përgjatë 100 km të “rrugëtimit” tonë (për fat të mirë ende s’na përcjellin me satelit, nuk i dihet por tani për tani s’kanë buxhet… për fat të mirë kjo metodë fort e kushtueshme për policinë), e gjitha ç’duhet është ta dimë ku janë “përafërsisht” kamerat e tyre… dhe e kryer, s’jemi pastaj aq budallenj sa t’mos bëhemi të kujdesshëm, ashtu-kështu ndërgjegjen e kemi të pastër kristal, dhe kështu dmth. ia kalojmë super, herë si super-girl e herë si super-man, as gjoba, as kundravajtje, as gabime, as dënime… rehat : )

KUR TË VJEDHIN JETË… – Intervistë e shkrimtarit italian Renato Minore me Visar Zhitin –

 

“POETI QË KA SFIDUAR REGJIMIN…”

Renato Minore është gazetar i njohur italian. Ai është lauruar për letërsi moderne dhe është specializuar në filologjinë moderne, ka dhënë mësim lëndën e teknikës së komunikimit në Universitetin e Romës dhe në LUISS.
Ndërkaq ai ka punuar në RAI dhe në gazeta e revista si “La Repubblica”, “Messaggero”, “Il Mondo”, etj,
Renato Minore njihet dhe si shkrimtar dhe poet.
Ka botuar librat me poezi “I nuovi giorni” (Ditët e reja), antologjinë “Quinta generazione” (Gjenerata e pestë), “Non ne so piú di prima” (S’e di më si më parë), “O caro pensiero” (O mendim i dashur”) etj, ndërsa në prozë “I ritorni, (Kthimet), “Leopardi: l’infanzia, le cittá, gli amori” (Leopardi, fëminia, qytetet, dashuritë”, “Lo specchio degli inganni” (Pasqyra e gënjeshtrave”, etj, po kështu është autor esesh dhe përkthimesh, është nderuar shumë çmime letrare, dekorime dhe është emëruar në juri të ndryshme letrare.
Në numrin e fundit të revistës së madhe italiane “50 & PIÚ” – tetor 2024, është botuar një intervistë e tij, marë shkrimtarit Visar Zhiti.

Renato Minore dhe Visar Zhiti,
Camaiore 2024

Visar Zhiti është një nga shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë, ndoshta më kompleksi dhe më i plotë pas vdekjes së Ismail Kadaresë. Poet dhe narrator, ka shkruar shumë libra poezi, tregime, romane dhe ese.
Libri i tij më i fundit është një koleksion i mrekullueshëm i poezive, “Rrugë që rrjedhin nga duart e mia”, (publikuar nga shtëpia botuese PuntaCapo, përkthimi i Elio Miracco-s), të cilit i është ndarë çmimi ndërkombëtar i poezisë.
Historia e tij ka nuanca të dhimbshme, edhe tragjike: sepse shumë i ri ai u dënua me dhjetë vite burg nga regjimi diktatorial shqiptar për poezinë e tij. Pas rënies së Perandorisë komuniste, ai punoi për shumë vjet në diplomaci në ambasadën e Shqipërisë në Romë, në Vatikan dhe në Uashington (ku tani jeton në SHBA). Ai është një shkrimtar i përkthyer dhe i njohur në shumë vende, dëshmitar i një kohe të egër që ka bërë të vdesin burgjeve qindra shkrimtarë dhe intelektualë si ai.

E takoj me rastin e çmimit ndërkombëtar “Camaiore” dhe pyetja e parë është e detyrueshme: ishin vërtet poezitë e tua kundër regjimit? A kishit ndjeshmërinë për të goditur një sensibilitet politik, për të përdorur një eufemizëm?
Zhiti, në një mënyrë të ndritshme, na përcjell odisenë e tij:

“Po, vërtet, nuk e dija se po shkruaja kundër dikujt dhe kundër diçkaje. Më dukej natyrale të thithja ajrin e kohës, atë që shihja përreth meje.
Dërgova përmbledhjen me poezi “Rapsodia e jetës së trëndafilave” te e vetmja shtëpi botuese që ekzistonte e regjimit.
U vlerësua si ‘e trishtuar’, jo në përputhje me direktivat politike, me një gjuhë si ajo e Ezopit, tepër e pasur me metafora.
Akuza ishte se kisha bërë propagandë kundër regjimit, unë në të vërtetë nuk kisha shpërndarë ndonjëherë vargjet e mia. Në një poezi, “Demokracia në natyrë”, kam shkruar se në botën e natyrshme ekziston një demokraci e jashtëzakonshme, sepse trëndafilat nuk janë kundër ullinjve, zogjtë nuk janë kundër qenve dhe ne duhet të mësojmë prej saj.
Kështu, në moshën njëzet e gjashtë vjeçare përfundova në burg, i dënuar me 10 vjet heqje lirie.

Umberto Eco e ka shkruar këtë duke e lidhur me rastin tuaj: “poezia i bën me frikë regjimet autoritare dhe diktatoriale, edhe nëse flet për trëndafilat”.

Regjimi e ndalonte poezinë. Në burg mendoja të shkruaja për të lënë një dëshmi, pastaj kuptova se arsyet ishin më të thella, më magjike dhe pothuajse me frymëzim hyjnor. Duke shkruar, doja të krijoja lirinë tonë, sepse kur shkruan je në lirinë tënde dhe je si shkrimtarët e tjerë, me të gjithë ata që jetojnë në Romë, në Paris, në Uashington.

Një përvojë si e juaja lë gjurmë të pashlyeshme. Të mendosh se keni shkruar pas kësaj, pavarësisht nga kjo plagë e pambyllur?

Në burg vazhdova të shkruaja si mundja, duke fshehur poezitë nën këmishë, në dyshek, në këpucë. Ishin dhe vargje të bëra me mend, duke i mësuar më pas. E gjitha një enciklopedi poetike e vuajtjes. Është si një vragë, diçka e pashlyeshme. Por mbi këtë përvojë ishte dhe rritja, duke u forcuar vokacioni im për të thënë si në vargje ashtu edhe në prozë realitetin tim, të vërtetën time.
Regjimi na e ndalonte poezinë, sepse në ato çaste isha i lirë të shprehja emocionet dhe kreativitetin.

Kam lexuar poezitë e para të Kadaresë. Ishin të frymëzuara nga realizmi socialist. Kamuflohej për të jetuar? Pastaj, për vetë pranimin e tij, adoptoi teknikën e largësisë, të metaforës: shkruante si u prenë kokat e funksionarëve të Perandorisë Osmane…

Kadare është një shkrimtar i madh, një shkrimtar i pamasë. Kam pasur me të raporte afërsie, të miqësisë. Veprat e tij do të mbeten. Problemi është tjetërkund: regjimi kishte shkrimtarët e tij të paguar për të shkruar, të tjerë i dërgonte në burg. Mund të thuhet: regjimi shfrytëzoi talentin e Kadaresë ashtu si dhe Kadare shfrytëzoi regjimin. Ai si një shkrimtar i madh, kishte krijuar regjimin e lirisë së tij.

Vizionari me flatra dhe gruaja e ndaluar, Funerali i pafundëm – romanet e tuat janë ndërmarrje të vërteta narrative, nuk kanë angazhimin e memuarit dhe të autobiografisë që shpesh i përkushtohen poetët e tjerë. Por konsideroheni më shumë si poet apo më shumë si narrator?

Poezia është të shkruarit e vazhdueshëm, që nuk ndalet kurrë. Në copëza, në pulsime, në iluminime. Poezia mbetet mbajtësja e zgjedhur e thirrjes për liri dhe shpagim. Romanet kanë nevojë për vazhdimësi, e kanë hapin e gjatë dhe të detyrojnë.
Po shkruaj një tjetër dhe do të duhet kohë që të përfundoj.

Cilat janë temat e këtij libri të fundit të poezive, përveçse atyre të dhimbjes gjatë dhjetë viteve në burg?

Poeti gërmon në ndërlikimet e shpirtit, duke treguar për shpresën, dëshirat, fillimet e reja dhe duke i dhënë fjalës një valencë ndryshe, duke i dhënë kështu një botë të gjithë të vetën.

Ju a e falni atë që ju ka vjedhur kaq shumë jetë?

Unë mund të fal atë që më ka bërë keq mua, por nuk mund të fal atë që i kanë bërë keq të tjerëve dhe Shqipërisë. Nëse kush ka kryer krime, do falje, duhet t’ua kërkojë të vdekurve, të pushkatuarve, atij që ështen në dhé. Ata duhet të falin, do të ishte një e drejtë e tyre. Unë, po, e kam bërë: poezitë e mia janë një hakmarrje dhe një falje dhe jam i lumtur që ato kanë gjetur dritë në botë, sidomos në Itali, që për mua është një tjetër atdhe shpirtëror.

Dhe në fund: pse nuk ktheheni në Shqipëri, çfarë ju ndalon? Kujtimet apo tjetër gjë?

Kam jetuar burgun, jam një shkrimtar shqiptar, kam punuar me ndergjegje, e dua atdheun tim dhe njerëzit e mi dhe më pas, kur puna ime si diplomat përfundoi, jam ndjerë i lirë të shkoj në rrugët e dhimbjes dhe të trishtimit tim.
Kam zgjedhur të jetoj jashtë Shqipërisë, por atdheu është brenda meje, jam një copë e tij, e gjithë bota është atdhe për secilin prej nesh. Dhe kështu jetoj larg, në Amerikë, por larg kujt? Është e rëndësishme të jesh brenda vetes.

Përktheu nga italishtja Eda Zhiti.

ALI PASHË TEPELENA NE KOMITET- Tregim humoristik nga Shkëlqim HAJNO

 

Me universitet për letërsi dhe shtatë vite pune si mësimdhënës në fshatin Loficë, Emilio Ragnoi, prej pesë muajsh ishte transferuar tani, nga fshati në qytetin e lindjes P.,një qytet administrativ, qendër rrethi dhe aktivitetesh. Pas një trajnimi për emërtimet e objekteve nga Akademia e Shkencave në Tiranë, Emilio, e ndjente veten një specialist i pasionuar pas figurave të historisë së vendit që i hanin duart në praktikë të zbatonte edhe njohuritë e trajnimit të ri.
Muajt e parë të punës në seksionin e arsim-kulturës, ai konstatoi me kënaqësi se në zyrën e komitetit ekzekutiv ku sapo shkeli u mirëseardh nga shoku i zyrës, inspektori i sporteve, Demo Dunavati.Tek ai, kuptoi se gjeti shumë cilësi dhe se kishte si të thuash, një kimi shpirtërore që i afronte e i bënte koefident me njeri-tjetrin dhe shpesh, ndryshe nga disa burokratë të zyrave të karfosur pas kravatave, me Demon, kishte një komunikim me humor megjithëse inspektori i sporteve ishte ku e ku, më i madh në moshë.
Një ditë tetori, Demo,dashamirësi numër një i tij në seksion, hyri i dyti në zyrën e kulturës dhe të sporteve në Komitetin Ekzekutiv:
-Mirëmëngjes, Mili! Si m’u gdhive?
-Nadia mirë, Demo. Faleminderit!. – shpesh Emilio për humor e përdorte përshëndetjen e mëngjesit me kolegun si dikur me shokët e tij shkodranë të dhomës në qytetin Studenti.
-Të të pyes: Ç’ke bërë dje pasdite Emilio? Ç’ke bërë dje, mo ditëzi?
-Ç’kam bërë?!
-Hiç, hiç! Po dje pasdite ku ishe, mo?-e theksoi edhe më të fort të folmen dialektore nga qyteti jugor i origjinës Demoja dhe shtoi:
.-Për shembull në orën pesë të pasdites?
-Në pesë? Ika për një kafe me Petritin dhe Qazimin te Rrapi i Selamit. Folëm pak për numrin e ri te gazetës Drita dhe diçka më vonë shkova për peshk, për të hedhur grepat e natës në Vjosë tutje, diku në Majkosh…
Demoja iu kthye i habitur:
-More, bën gallatë ti, bën humor me mua apo ke lajthitur?!.
-Seriozisht e kam. Të ta them përsëri programin e pasdites? Nen për nen?
-Për kokë të Daros që më ka bërë kokën, ti ke lojur menç! Nuk thonë kotë që ju letraret jeni pak si allosoj, pak si të lojtur, për kokë të mamasë, të them! Njëlloj jeni të gjithë! Më vdekshin të gjithë, që po më habit. Ti nuk je në vete mo ditëzi dhe do vizituar te doktor Ruli…Ja, kështu!
Heshti një hop dhe shtoi:
– Edhe te doktor Mashua, madje…po deshe.
Emilio Ragnoi u kthjell plotësisht dhe e flaku tej indifierencën.
-Seriozisht e kam. Të thash të vërtetën. Pse? Si është puna? Ç’ka ndodhur, Demo?! Ç’kam bërë sipas teje? Se ju të sporteve jeni të habitshëm….
-Si mo ç’ke bërë? E di ti, që dje pasdite, në ora pesë ishte mbledhja e Komitetit Ekzekutiv?
-Jo. Nuk e dija. E çë, pastaj?. Ç’punë kam unë me mbledhjen.Unë nuk jam anëtar i Komiteit Ekzekutiv. Jam një copë inspektor i thjeshtë i kulturës dhe përpiqem që këtë punë ta bëj mirë dhe me pasion, besoj. Edhe kaq! Ndaj shkova për peshk, në Majkosh deri në mbrëmje…
-E po dëgjo këtu se, më bëre derr e shkuar derrit! Për atë mbledhje Komiteti ti kishe paraqitur edhe një propozim në emër të Seksionit të arsimi-kulturës. Një propozim për emërtimet e rrugëve dhe disa objekteve publike. Kështu? Madje unë dija diçka se më kishe thënë prej ditësh se po punoje për këtë gjë në makinë shkrimi dhe letër dylli….
-Po. E vërtetë. Fiks fare!
-Po e di ti, që ai që paraqet propozimet në Komitet, domethënë njeriu i seksionit si puna jote, duhet të jetë vetë prezent për t’i mbrojtur dhe argumentuar ato që propozohen me shkrim ? Mund të presë dhe pyetje nga anëtarët e Komitetit. Dhe përgjigjet jepen nga personi që përfaqëson zyrën propozuese…në rastin konkret, si, zotëria jote….
-Jo. Nuk e dija. Po ta dija do të shkoja. Nuk më ka thënë njeri për këtë. Seriozisht…
-Nuk e dije?
-Po. Sinqerisht që nuk e dija. Mendoja qe kjo punë, domethënë propozimi, do të shqyrtohet kur t’i vijë radha nga ata të Komitetit Ekzekutiv që marrin në fund të fundit vendimin e miratimit ose mosmiratimit. Kaq di unë.
-Ashtu? E po, sytë që të pëlcasin tani!Po e di ç’bënin pararendësit e tu në këtë zyrë shoku Note Boni dhe Arsen Stefani kur hartonin projekt vendime? Merreshin dy muaj rresht me nje projekt-vendim. Mirëmengjesi, Stefo!, i thosha unë ato ditë të projekt vendimit ! Ai: Po merrem me projekt vendimin, xhan i Stefos! Mirëmëgjes Note! Po merrem me vendimin e Komitetit, mo Demo! Lena tani, për kokë të mamasë! Madje shoku Note dinte jo vetëm saktesisht datën e mbledhjes së Komitetit dhe emrat e anëtareve që do të shqyrtonin propozimet, po deri edhe numrin e këpucëve te grave te titullarëve. Po jo kështu ufo siç je ti! Cu-buuu!
Ik hidh grepat e natës tani, edhe, pi kafe me poetët te Rrapi i Selamit!-e mbylli ligjëratën Demo.
-Përse?
– Sapo takova Ademin. Adem Lakon, ndihmësin e krietarit në kat të dytë. E di ç’më tha, mo? Ato propozimet që erdhën nga seksioni juaj për t’u shqyrtuar dje në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv, domethënë nga zyra e kulturës, kanë një problem serioz dhe puna do të shkojë tani deri në Komitetin e Partisë së rrethit!.Domethënë, skandal…..E gërmova pak Ademin e paradhomës së kryetarit se, përse e kishte fjalën konkretisht.
-Për atë propozimin ose atë proçkën më mirë të themi, që bulevardi kryesor i qyteti tonë historik të marrë emrin e Ali Pashë Tepelenës! Pak të duket ty kjo? .-filozofoi Adem Lakoja. -Ndaj, Ali Pashë Tepelena, domethënë propozimi për emërtimin, do të shkojë tani te Partia! Domethënë do të gjykohet nga Byroja e Partisë së rrethit!
-Kështu më tha Ademi i paradhomës së Kryetarit dhe lëvizi dorën në ajër për të më treguar drejtimin ku binte komiteti i Partisë që udhëheq të gjithë punën e rrethit tonë.
Pastaj për ta holluar pak uthullën e sjellë nga paradhoma e kryetarit, tha:
-Po propozimet e tjera që u miratuan pa asnjë problem, çfarë ishin?
-Emra rrugësh, shkollash…Me dëshmorë, heronj…Luftë. Gjëmime.-bëzajti Emilio i shpërqëndruar.
Demo Dunavati buzëqeshi me nëntekst. Por Emilio shtoi:
-Me duket se diku, nuk e di se ku, në cilën vepër, shoku Enver ka thënë diçka vlerësuese për figurën e Ali Pashë Tepelenës….E ka vlerësuar , po ku, në ç’numër vepre? E dyzeta? E dyzetepesta? E pesëdhjeta? E gjashtëdhjeta? Shtatëdhjeta?…. Nuk e di…
Demoja kërceu nga karrigia në këmbë:
-Hopaaa! Ja ku e gjete zgjidhjen!. Po këtë thuaji krietarit, mo qyqar! Ç’më vjen vërdallë si humbameno?- dhe u kthye nga etazheri ku prej vitesh ishin radhitur si në rreshtore një tog me vepra të Enver Hoxhës. Mori dy vepra me kapak kapital ngjyrë mavi. I përplasi me njera-tjetrën të ikte pluhuri dhe i vendosi mbi tryezë.
Demoja e pa që në fytyrën e mikut të tij u vizatua pezmatimi dhe e zbuti pak tonin.
-Mbase e gjen, po jam i sigurt për këtë, por them ka shtuar ndonje gjë nga xhepi edhe ai kokëgorrica, i paradhomës së krytarit, që e ka kokën si pjepër Luzati, Adem okllaija që me duket se ka gëlltitur petësin e petave të byrekut kur i tollëte e ëma, ndaj edhe kur rri gati-tu kur kalon kryetari. Tëmën e sëmës! Kaq të madhe nuk besoj se do ta bëjnë!…
Pastaj, me atë humorin e origjinës së tij shtoi duke buzëqeshur:
-Mili, pak punë ka Partia në rreth, me korrjen e misrit në kooperativa, po do të merret tani edhe me Ali Pashë Tepelenën , Pashain e madh të Janinës!….Tëmën e sëmës! E di ç’them unë?
-Pa hë? Tëmën e sëmës?-ia ktheu me një humor të hidhur Mili i menduar.
-I di ç’them unë o byrazer? Kërko një takim në zyrë me Krietarin, shokun Destan, dora vetë. Pa ndërmjetës. Pasdite. Se ai shkon në zyrë çdo pasdite deri në mbrëmje. Sot, më mirë. Hekuri, thotë mamaja ime, Darua,- rrihet sa është i nxehtë, i skuqur në zjarr!…

***
Në po atë ditë në orën nëntëmbëdhjetë, Emilio Ragnoi ngjiti shkallët e katit të dytë të Komitetit Ekzekutiv. Në sqetull mbante një vepër të Enver Hoxhës. U ndal te zyra e paradhomës së kryetarit shokut Destan.
-Stop! Ku shkon? -i tha Ademi, përgjegjësi i zyrës.
-Dua të takoj shokun Destan…
-Po ai nuk ka pritje pasdite!…
-I thuaj që inspektori i kulturës, Emilio Ragnoi është pas derës dhe kërkon vetëm dy minuata kohë….
Ademi u përtyp për t’i dhënë më shumë rëndësi postit në rolin e bulldogut pas porte dhe tha:
-Prit ! Ulu aty!
Milit i erdhi ndërmend epiteti i Demos për Kokëgorricën, si pjepër Luzati me kravatë…Sa i saktë që je more Demo, tha me vete. Preçiz fare, si bisturi gjermane!
Ademi doli buzagaz nga porta e Kryetarit dhe që nga brenda zyrës u dëgjua zëri i shokut Destan Vusta:
-Hajde, hyr brenda Emilio. Eja!
Mili u afrua i drojtur deri në mesin e tryezës së gjatë përballë titullarit dhe hoqi nga sqetulla e djathtë veprën e Enver Hoxhës…
-Përse je munduar, more djalë?-tha kryetari. -Çfarë e ke atë në dorë?-pyeti me një zë prej babaxhani.
-Mësova se disa nga propozimet e seksionit tonë të arsim-kulturës nuk janë miratuar në mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv.
Kryetari në vend që ngrysej buzëqeshi, çka e ç’armatosi Emilion. Kryetari ishte ngritur tani në këmbë. Mori nga portmantoja me veshje damasku ngjyre alle një pellush ushtarak kinez me jakë të madhe gëzofi, në modë aso kohe nga udhëheqësit partiakë dhe ekzekutivë edhe nëpër rrethe.
-Të gjitha u miratuan!
-Po Sheshi “Lord Bajron”?
-Edhe Lordi jot u miratua!-tha me qetësi kryetari.
-Po shëtitorja, domethënë emërtimi saj, nuk u miratua….-bëzajti inspektori i kulturës.
-Po. Kishte një kundërshtim, u ngrit një anëtar Komitetit që është edhe anëtar i byrosës së Partisë në rreth. Shoku Vero Sahatçiu . Ai tha diçka për kundër…Tha se Komiteti dhe propozuesi duhet të shqyrtohen ne Byro të Partisë që sjellin emrin e një feudali, të Ali Pashës për ta vënë si emër në bulevardin kryesor….kur ne kemi mijëra dëshmorë dhe heronj të popullit…sa të duash…
-Po shoku Vero, e di çfarë ka thënë shoku Enver për Ali Pashën?
-Çfarë ka thënë, more djalë?-pyeti kryetari tepër kureshtar.
-Ja ta gjej,-tha Emilio duke shfletuar me nxitim nëpër qindra faqe kuturu të një vepre të Enver Hoxhës që mbante në duar.
-More ma thuaj! Lere, mos e lexo! Se jam nisur e më presin në kooperativën e Bohotinës-tha kryetari.
Shyqyr, mendoi Emilo se nuk do ta gjeja dot kurrë!
-Ç’ka thënë shoku Enver?-pyeti sërish titullari i Komitetit.
-Ka thënë se …ishte një kohë…se ishte një kohë kur Ali Pasha ishte një Skënderbe i dytë i Shqipërisë….
-Uaa! E ka thënë këtë shoku Enver?!
-Po! -e ngriti zërin një oktavë më lart, Emilio.
-Dëgjo këtu more djalë,-tha kryetar Destani.- Sille, propozimin përsëri për mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv. Do ta kalojmë që ç’ke me të! Le të thotë ç’të dojë shoku Sahatçi ! Kjo punë është edhe me vota! Edhe une jam në byronë e Partisë…Ik o djalë! Natën e mirë!
Emilio doli nga zyrat e kati të dytë duke i zbritur tre e nga tre shkallët deri sa doli në oborrin e Komitetit. Ndjeu t’i ngriheshin baluket përpjetë nga një erë e freskët vjeshte që vinte nga Gryka e Sajmolit dhe e rifte në fytyre dhe në shpirt. Donte t’ia rrëfente të parit mikut të tij Demir Dunavatit këtë bisedë.
U kthye vrik për në zyrën e katit të pare ku shkruhej Seksioni i Arsim-Kulturës. Sektori i Kulturës. Pas pak çastesh e pa veten tek rishkruante mbi një letër dylli në një makinë shkrimi propozimin për emërtimnin e bulevardit kryesor të qytetit. Letra e dyllit do të shumëfishohej në aq kopje sa kishte anëtar Komiteti Ekzekutiv.
***
Rreth katër dekada më pas,nga rrëfimi i Emilio Ragnoit, një çift në moshë të tretë i ndodhur në qytetin P. ndali këmbët pranë lokalit që dikur thirrej Libraria e Niqit. Në krahun e djathtë të murit në lartësinë e portës së lokalit dallohej pa vështirësi një pllakë mermeri ku shkruhej emërtimi i vendosur rreth pesë dekada më parë nga ish Komiteti Ekzekutiv: Bulevardi “Ali Pashë Tepelena”
-Bëjmë një foto këtu?-tha burri i thinjur.
-Ç’pamje ka këtu?! Të dalim pak më tej ku duket pamja e bulevardit ose me tej, te pejzazhi i lumit,-ia ktheu gruaja të cilës i valezonin flokët nga era e famshme e këtij qyteti.
-Jo! Këtu duhet një foto, Lilika! Pastaj bëjme atje ku thua ti,-u dëgjua zëri i thinjoshit me xhakavento pa mëngë.
-Si urdhëron zotrote, Emilio Ragnoi!- buzëqeshi gruaja me një celular aifon në dorë.
-Dhe mos harro Lilika: nuk do të largohemi nga ky qytet pa pirë kafe me dy miq të hershëm nga shekulli i tetëmbëdhjetë : Me Demir Dunavatin dhe Destan Vustën. Pyeta dhe më thanë që mbahen mirë për moshën që kanë.
–Si urdhëron zoti, Emilio. Me kënaqësi!,-tha gruaja me emrin Lilika.///

—-o0o—-

Pier Paolo Pasolinit Poezi nga Elida Buçpapaj

 

Në Lido di Ostia
Tirreni i plagosur grushton
fillim e mbarim
nuk m’u desh Stillnox*
Tirreni në Lido di Ostia zjen si llava
nata nuk e zbut detin
deti e hedh natën në hava
as zilja e zgjimit nuk u desh
në Lido di Ostia nuk mund të flesh

në barin buzë detit
të pritëm Pier Paolo Pasolini
një diell po përpinte Tirreni
një diell po digjej
në Adriatik si eshka
përballë plazhit
me një të vetme pistë vallzimi
tek Hekurudha e Breshka

në Lido di Ostia erdhëm
të takonim shpirtin tënd të lirë
kur dielli hurmë vjeshte
gëlltitet me hurba dallgësh
në perëndim
nga Tirreni i vjetër,
i sfilitur furishëm
që s’shterrë kurrë,
vjen shpartallim
marsh funebër
pa armëpushim

në Lido di Ostia
Tirreni gjuan me gurë blu
prej 2 Nëntorit 1975
dëshmitar i përjetshëm
i vrasjes tënde të bujshme
Tirreni fshikuĺlon
për drejtësi ujshëm
mbi kreshta dallgësh
kaktusesh prej resh
në Lido di Ostia
shpirti yt pa paqe i rebeluar
Tirreni dhe Mamma Roma
nuk lejojnë të flesh

dy dete autostradash paralele
kaltërsi të bruzta të rimta
andej në Adriatik – Epidamni, Apollonia,
Iliria, Teuta, Durrahu
në det të hapur notarë
shigjeta e kujtesës
busullën drejt bregut sĥënon
këndej rebelimi i Tirrenit shkumbëzon
t’i shpëtojë nga fundi i detit
i paepur luftëtar
pezmet, dëshirat e dëshpërimet e tua
të mbytura që të konsumuan
përpara se të të vrisnin
Tirreni ky polumbar

****

Poezi e përfshirë në vëllimin poetik të autores Skaterr, Onufri 2024

 

Për një gërmë – Tregim nga Përparim Hysi

 

Prolog
Është pak paradoksale dhe pak e dyshimtë,po,kur të lexoni me vëmendje, do të bindeni që për një”gërmë” u “vra” një dashuri. Këtu nuk është për t’u kapur në ato”lojëra” fjalësh,kur supozohet që për një presje a zhvendosjes së saj,herë nga padija dhe herë e qëllimshme,është vendosur dhe fati i një njeriu. Se,historikisht,për një gërmë edhe janë vrarë njerëz,se,kur thotë LAO TZE”Fjalët e vërteta nuk tingëllojnë bukur dhe fjalët që tingëllojnë bukur,nuk janë të vërteta.” Unë nuk merrem me sofizma,por gjithmonë u referohem fakteve dhe,para se të tregoj se ç’ka ndodhur,ashtu në”vija të trasha”, se sa vlerë merr qoftë dhe një gërmë e vetme, shiko se si ka ndodhur në luftën e madhe patriotike të B.S.kundër hitlerianëve. Një zbulues rus që dinte gjermanisht,jo vetëm depërtoi në zyrat e Gestapos,por arriti të vrasë një oficer të saj. Jo vetëm e vrau,por ngjeshi dhe mbante në brez koburen e tij. Në një mbrëmje vallëzimi,tek rrotullohej me partneren e tij,kolegu i viktimës,sa i pa koburen,ndaloi vallëzimin dhe iu drejtua:”Kjo kobure është e Herr X… dhe,si është e mundur që gjendet tek ju?
Zbuluesit nuk ia hante qeni shkopin,ia rrëmben nga duarët akuzuesit dhe me”diplomaci” i thotë:-Mos u mundoni të përdhosni amanetin e Herr X… që ma dhuroi në grahmat e fundit. Mbrëmja vazhdoi pa një incident,por jo gjithmonë”diplomacisë” i shkon kungulli mbi ujë. Dhe ja sa rëndësi ka një gërmë! Zbuluesi vazhdoi punën e tij dhe zhduku shumë gestapistë,po kur një polic e ndaloi për dokumentet,pa që një fjalë qe shkruar gabim.Ta zëmë që një shipfolës,sado që flet mirë,tek shkruan,gramitikisht,bën gabim. Ta zëmë fjalën “FIER”,ta shkruajë”FIERË” apo Tiran pa ë në fund.Polici jo vetëm e vuri re gabimin,por tha:-Një gjerman me shkollë,kurrë nuk e bën këtë gabim. E arrestoi si të dyshimtë dhe,mandej,e pushkatuan. Veç për një gërmë.
*
Unë me Kamilën qemë në të njëjtën shkollë dhe,që të dy,konviktorë. Konviktorë qemë dhe,sado që nga çupat,na ndante veç një çap,kurrë nuk pati qoftë dhe një incident. Kishte një disiplinë të rreptë dhe,sa qeshë unë në shkollë, as u pa ndonjë lidhje dashurie. Epo dashuria,sa e bukur është,aq e padukshme është.Si ajëri! A rrohet pa ajër?Pa më thoni:-Kush e pa ajërin? Kështu dhe dashuria! Sa e bukur,aq e mistershme dhe e fshehtë. Kështu ndodhi dhe me mua e Kamilën. Unë qeshë maturant,ajo në vitin e tretë. Qe çudi se lidhja jonë nuk u bë as në konvikt,por as edhe në shkollë. U bë,kur bënim provat në kor. KAMILA këndonte bukur.Qe soliste. Ne i bënim jehonë zërit të saj,kur solua e saj kish nevojë për jehonë.Qe mesviteve ’50-të të shekullit të shkuar,kur vendi ynë kish miqësi të madhe me B.S. dhe këngët e koncertit tonë,dominoheshin me këngë për luftrat heroike të popujve sovjetikë. Ishte fjala për një komandant hero dhe,sado kanë kaluar mbi gjashte dekada, nuk kam se si harroj vargjet”solo” të KAMILËS dhe jehonën tonë:
Solua e KAMILËS: “Vij reparti bregut
Nga udhëtimi i gjatë
Kokën e ka lidhur
Gjaku i kullon
Nëpër gjurmët e gjakut
Bari kuqëlon”
Pas këtyre vargjeve,jehonë me mbi dy oktavë si jehonë heroizimi:
-Hej,hej,Komandanti ynë!
Natyrisht,ngaqë shquhem si një zë bassi,nga bërtitja ime,më shumë doja t’i bija sy Kamilës,se sa heroizmit të atij komandantit rus. Këto prova në kor,u bën intensive se në 10 shkurt 195…,ishte jubileu i krjimit të Ushtrisë së Kuqe,dhe Profesori ynë i muzikës,mend humbte në peshë,aq me përkushtim punonte. Unë,ngaqë flokët i kisha si gjemba iriqi,nuk lashë vazo me brilantinë në dyqan dhe mundohesha ta haja me sy atë, solisten. Isharete me të bëja,po fjalë,as gëk dhe as mëk. Epo ç’duhen fjalët,thosha me vete. Ajo duhet ta vërë re,pse kot”pëllas” unë me zë të trashë:”Hej-hej komandanti ynë”. Nën zë:”Hej-hej,kjo solistja jonë!”. Askujt nuk i tregoja se ç’ndjeja përbrenda. Nëse qëllonte që ajo,duke shikuar nga unë,çonte,si e druajtur.një buzëqeshje fine,unë tak dhe buzën vesh më vesh.Kjo buzëqeshje e saj më prishi gjumin dhe nuk flija rehat. Tek ngjtja shkallët për në katin e dytë,djathtas,në katin e parë flinin gocat dhe,sado sytë më mbesnin andej,mezalla se çapitja andej. Por rasti a nuk është mbreti i botës? Dëgjova “solisten” që t’i thosh një shoqeje të saj:- Ah, të kisha një bogaçe të ngrohtë me dy çapa do ta gllabroja! U vodha nga studimi i mbasditës dhe,rugicave që mos bija në sy,mbrrita tek furra ku dhe shiteshin bogaçet.Mora katër copë njëherësh dhe thirra në emër atë shoqen.Ia dhashë duke i thënë:-E dëgjova ç’të tha Kamila dhe,ngaqë do këndojë në mbrëmje, hajini dhe t’ju bëjë mirë! E ndjeja veten qeshqek se,ja, më së fundi,”solistja” do e marrë vesh që unë e dua.Në mbrëmje qenë provat dhe unë mend e mbarova vazon me brilantinë.Haja inat me veten:po m’u gjetën këta dreqflokësh si gjemba iriqi? Asnjë krëhër nuk i shtronte. Sidoqoftë, u bëra me krahë,kur KAMILA po dilte në skenë dhe,kur pa nga unë, lëshoi një buzëqeshje. Tani kush më mbante mua? Nën zë,ia thashë:”Soliste,moj soliste që më je si shpirte!”. Filloi koncerti dhe KAMILA me atë zë si kanarinë po zotëronte sallën dhe unë,për të kontrolluar”iriqat”mbi kokë,vura dorën që t’i shtroja,kur gishta m’u ngallosën si të lyer me gjalpë.U dhashë një të fshirë pas pantollonave dhe”kruajta”zërin për të dominuar mbi të tjerët. Dhe u bëra aq trim,sa u zotova:” O sot,o kurrë!”.
*
Pas koncertit nuk e takova dot,por qetësoja veten:- E mira pret! Ç’ bie sahati,se sjell moti. Një mbrëmje,aty para konviktit,tek dëgjonim atë emisionin “Ju flet,MOSKA!”,u ndodhëm pranë e pranë. Tani nuk prita më dhe nisa të flisja.Natyrshëm,nuk do sjell për ju,fjalë për fjalë,por mora vesh:ishte jetime.Rritur në një “Shtëpi fëmijësh” dhe kishte vetëm një vëlla,oficer në MARINËN LUFTARAKE. I tregova për vete dhe i bëra komplimente për zërin e saj prej kanarine. Më falnderoj dhe,tek do ndaheshim,më tha:-Të falnderoj për ato bogaçet e ngrohta dhe nuk di si t’jua shpërblej.
-Mos i zërë në gojë se, si jetime,tash e tutje je motra ime. Iku,si me vrap,dhe,kur u kthiella,zura të rrah kokën me grushta.Po për ç’motër flet apo je si Hallili që i tha MUJIT::”Krejt çikat eJutbinës,janë bash motrat e mia!!!”.Hajde kokëbrilantinë hajde.! Epo nuk është aq e kollajtë që t’I thuash një femre të dua.SE dashuria sa e bukur është po aq e vështirë bëhet për t’u shfaqur.Nuk ka trimëri në dashuri.Apo nuk mora sëpatën dhe preva këmbët e mia?I thashë motër asaj që e dua. Hajde”vëlla”,hajde!
Për të ndrequr,çfarë prisha, i shkrova një letër. Aty i tregova se ç’lloj vëllai isha për të.Kur ia dhashë,sikur hoqa një mal nga supet dhe,ndërsa prisja përgjgje, isha në gjendjen e asaj gruas që”torturohet” për të sjellë në jetë fëmijën e saj. Lindja vjen me dhimbje,por dhe dashuria. Kur më solii përgjgjen,ndjeva aq gëzim,sa ndjen dikush që del nga një”eklips” ku shpëtoja vetëm unë dhe ajo. Ky pakt i fshehur nuk qe vemë me”vulë të thatë”, E “njomën” me puthje nën një kaki me drurë të shtrembër,por kokrrat i kishte mjaltë të ëmbal se qe nga ato me farë.
*
Unë dola në punë dhe”motra” apo Solistja vazhdonte vitin e katërt. Gjatë këij viti merreshim vesh me letra. Në muajin maj ajo mbarontte mësimet dhe në dyjavëshin e parë të qershorit kishte provimet e maturës. Pakti,mes nesh,sa të mbaronte unë do shkoja tek i vëllai për të treguar lidhjen tonë. Në fillim të majit shkova e takova dhe më tha:”Unë do të shkruaj se si i kam punët me vëllan dhe ti të më shkruash se si do vazhdojmë më tej.”
Prita letër dhe letra nuk erdhi. Ajo e dërgoi letrën për adresën time dhe letra,në vend të vinte në PREZË ku punoja unë,shkoi në PEZË. Ajo prit përgjigje dhe unë prit letër. Mjerisht, e humba”motrën” që doja.
I vëllai do nissej me shërbim 2-vjeçar në RUSI dhe,ngaqë motrën nuk kish ku ta linte,e martoi fët e fët me një shokun e tij ushtarak. Solistja do këndonte diku tjetër. Që atëherë,KAMILËN nuk e pashë më dhe nuk e mora vesh,pse nuk më shkroi atë letrën.
*
Epilog
Kishin kaluar vjete nga dashuria ime e parë dhe,natyrshëm, jo vetëm mora një tjetër,por u bëra dhe me fëmijë.
Një ditë prej ditësh,kur po pinin kafe me një çift,miqësh të mi. befas e shoqja e mikut tim e zbrazi:
-Mos i fol timshoqi,se nuk e meriton. E mora si me shpoti këtë rekomandim,por ajo shtoi:-Ky e mori një letrën tënde ku të pohohej dashuria,por ngaqë është kurioz i sëmurë,sa pa emrin tënd, e hapi dhe,pasi e lexoi,nuk pati më guxim që të kërkonte falje.E grisi dhe e hodhi
-Mos i fol,-thuaj se bërtiti. Kurse miku(pse kot thonë që më ruaj nga mqtë se nga armiqtë ruhem vet) u tkurr dhe u nxi në fytyrë si një faqezi që nuk dua t’i përmend emrin. Ja,kështu,për një gërmë u vra një dashuri.
Tiranë,31 tetor 2024

Kulti i gënjeshtrës… (Mbi filozofinë e pushtimit dhe ëndrrat jetime)- Esé nga REX KASUMAJ

Vjeshtë, 2024

 

1. Astropolitikë

Ndërsa tjerrja fijëfillin e shkrimit, gjurmoja, shënoja përanësh dhe kaloja nëpër ide që prisnin.

Por, krejt lehtësisht, doli në pah fitueshëm një varg poetik.

E si mund t’i prijë epokës së re të fuqive në botë, arti i vargnimit të bukur?

Por ishte pikërisht i tillë. Paralajmëtar që nga thellësia e largësisë.

Është vargu i Ali Podrimjes: “ku je nisur admiral, s’ka më dete të papushtuar”!

Tani gjeopolitika e yllit tokë, po vdes. Sepse, a nuk tha poeti se s’ka më dete të papushtuar?

Ndaj dhe fuqitë e mëdha, Amerikë, Kinë e, poaq, Rusi, zhvendosin ngadalë betejat në gjithësi. Dhe gjeopolitika ripërmasohet në të magjishmën astropolotikë. Një kompeticion i ri për gjetje e ngulime yjësh ku, edhe atje, do të ketë jetë, minerale, ujë e pasuri përrallore…

Gjeopolitistët e njohur nga dy shekujt e ikur, Admirali Alfred Thayer Mahan dhe Halford Mackinder, nënvizonin teorinë se për të qenë i parë në influencën ndërkombëtare, duhet të zotërosh detra, lumej, gryka e male…

Me gjasë, po ky parim është përkitshëm i njëjtë me caksundimin e yllnajës rreth botës….

Kështu, së paku, arsyeton Tim Marshall, një publicist i shquar brit.

E Kosova vuan ende dhimbjen e vet të vjetër.

Një rrip i ngushtë Dhéu emërlashtë, për paradoks, mbahet peng nga trualli i vet. Dy-tri vendbanime serbësh që kurrë më parë ndër vite nuk ishin të banuar prej tyre, bëjnë viktimën.

E, tutje, alarmojnë Europën. Ndërkaq ajo, e lodhur në udhëkryq, ndjek me ofshâmë vuajtjen shtihane të tyre.

2. Doktrinë

Mora në dorë këto ditë Lao Tzenë. Në fakt e rishfletoja për të satën herë. Sepse kështu, si librat e zbritur Qiellit, lexoj autorët e mëdhenj.

Dhe, do të ndaloja tek nënvizimi im i hershëm: pushtuesi më i madh, luftës i shmanget ngaherë.

E, fill më poshtë, gurçmuari tjetër: Fjalët e vërteta bukur s’tingëlllojnë dhe fjalët që tingëllojnë bukur të vërteta s’janë…

I mrekulluar do të thoshja në heshtje: sa vështirë t’i afrohesh këtij Lisi të madh të mëndjes njerëzore!

Ndaj mbetesha larg. Kurreshtar i djegur. I varfër. Jashtë rrezes së një mëshire të Naltësisë.

Por, sërish, në të parë, a s’duket pak e huqur? Ndaj dhe vogëlsisht pyesja: si ndodh që një pushtues të ketë namin e tillë dhe t’mos ketë bërë asnjë mësymje legjendare?

Apo, mbase, janë Aftësia rrënimtare dhe, njëkohësisht, Refuzimi fisnik i saj që shpjegojnë nyjëtimin e pandehmës së filozofit të shquar larglindor.

E pra, pushtuesi i mundshëm posedon fuqinë e luftës, por kundërshton përdorimin e saj për pushtime pragjesh, fatesh e gëzimesh të huaja.

Ajo mbahet, kështu, e rezervuar vetëm për Atdheun. Agimet a muzgjet e tij të kuqëlimta!

Por historia njerëzore kumton deshpërim sa herë kronistët hapin fletët e saj. Ndër mijëra vjetët e kësaj bote, vetëm rreth dy a treqind të tyre, njeriu do të jetojë paqen e denjë të lumnisë.

Sa pushtues rendnin të ndërkryer, ashtu si sot, të afërt e të largët, territoreve e atdheve të huaj?

Sepse, mjerisht, Rendet botërorë mbështeten në Fuqinë e jo në të drejtën e Lao Tzesë. Tri herë jemi zgjëruar nga favoret e aleatëve, pohonte me lavd “politikani folklorik e shkrimtari mediokër” serb
(portret i shtypit gjerman), Vuk Drashkoviq. Madje, pikërisht për këtë, Zhorzh Klemanso e quante Serbinë e luftës së parë botërore, një ngordhësirë të aleatëve.

Por, për çudi, viktima e përsëritur luftëhumbëse, vijon teatrin ku lot prapë rolin kryesor të ngordhësirës duke keqermuar rretherrotull saj…

Dramaturgu i pambërritshëm Shekspir, thoshte se rastis të fillosh me rol të parë, pastaj të vijosh me të dytin dhe, së mbrami, të përfundosh në pëshpëritës. Mirëpo, Serbia ishte përherë e tillë: vetëm një pëshpëritëse në skenë të madhe që përçonte ngordhërisht rrëzomën e saj të shpifur…

Ndaj, nuk di një komb (i ndërtuar, si ky, mbi fenë) që ka ngritur në nivel kulti apo doktrine shtetërore, mjeshtërinë e Pëshpërimës. E pra, të Gënjeshtrës së përsëritur pafundësisht, deri në transformimin e saj, kur si reflekset mashtruese të dritës nordike, nis t’i ngjasojë rrejshëm të vërtetës…

3. Orëndalje

Ç’ëndrra kanë e ç’plane thur njeriu në rende regjimesh, kur e drejta e shtetit rrëzon prorë të drejtën e qytetarit?

Më frymëzoi për paralelen Benjamin Balint, një autor hebre nga Jerusalemi tek (për festën Simchat Tora) shkruan: lufta tashmë na mësoi se, teksa orët vijojnë të tikojnë, koha pushon së rrjedhuri natyrshmërisë së saj.

Mirëpo s’është lufta e vetmja planprishëse e kohës që nuk vjen.

Tiranitë e krimokracisë promovojnë një kulturë ende më të përsosur të së Keqes. Vjedhnajë, shtypje, mashtrim elektoral, burgje politike, varfëri dhe panjëjtësi shansi jetik, a nuk janë armaturë që ngrejnë murin e pamundësisë?

Një mur që, poashtu pjesë e përbetimit, mban hapur një vrimë shpëtimi. Është porta e ikjes!

Pa mundur të lidhë fijet e një ëndrre për të ardhmën, madje as të mendojë atë, njeriu bën çfarë i ka mbetur e fundme: braktisjen e atdheut, të shndërruar tash sa mote në fatkeqësi!

Madje, për njeriun e vogël edhe muri, kalimi i tij, është i paqasshëm. Ditës së nesërme, si do thoshte Agolli, mund t’i lë takim vetëm në varrezë.

Vërtet jetojmë epokën e globalizmit, por cinike gjithnjë, s’merr përgjigje pyetja: bashkëjeton në këtë epokë dhe Zvicra, Luksemburgu ose këtej më poshtë, Sllovenia?

E pra, janë regjimet, ashtu si formati tipik i Ramës në Tiranë, që jetimërojnë shpresën e njeriut dhe vyshkin si lulen thatësira, ëndrrën e tij…

Dhe koha, ndryshe nga ndjenja e Benjaminit që i bëhej t’mos rridhte natyrshëm, ka ndaluar fare. Është ngrirë në një formë pa prekje, pa ngjyrë e pa lëvizje dhe as orë që tikon…

4. Drejtpeshim

Bota, natyrisht, përplaset në trekëndëshin mes forcës e interesit. Dhe unë, anise nuk jam proletar marksist që të mallkoj këtë ligj historie, ndonjëherë klith më vete për vulën e të Padrejtës.

Por, do t’më ndodhte të provoja, një çast, të ëmblën e ligështisë. Një rënje të pabesueshme që më ndrynte pastaj në kodin e pendesës.

Tek Montefiore, libri i tij “Jerusalemi, një biografi” gjeta një të vërtetë që, i krusmuar vitesh, fluturoja pëmbi retë e mashtrimit e poshtërisë.

Një kapitull i librit i kushtohej pushtimit dhjetëvjeçar të Jerusalemit nga Mehmet Ali Pasha, shqiptari që sfidonte madhërisht Portën sulltanore. Dhe titulli ishte diellësisht i qartë: “Pushtimi shqiptar i Jerusalemit” (“Albanische Eroberung”). Aspak i një qyteti të rëndomtë. Periferik. E të humbur diku yrtesh të shkretë. Por i qytetit më mistik e më të amshuar të botës.

Isha sfilitur së dëgjuari një jetë: invadime, plojë, dëbime, masakra, tokë e djegur, fëmijë të therur…e të gjitha nga shpatë armiku mbi shqiptarë.

Dhe tani një galdim i smerladtë më kapullonte krejt. Ja pra, edhe ne, shpatarë të rrallë, paskëshim marrë në dorëzim kështjella e rrëmbyer kalorsisht gra të gjindjes së huaj…

Por do të ndihesha keq, më pas, për prapësitë e të birit të Pashait shqiptar, Ibrahimit ose leshkuqit, si i thoshin, meqë bjond ishte nga viset e Arbërit.

Por, sërish, disi fshehur, njëlloj krenie për drejtpeshimin e munguar që sëmbonte, e ndiej akoma sot…

r.

TË PASUROSH PANORAMËN E POEZISË BASHKËKOHORE- ÇMIMI NDËRKOMBËTAR I EKSELENCËS, MILANO 2024, I JEPET SHKRIMTARIT SHQIPTAR VISAR ZHITI – Nga Julia Pepa –

 

 

Në metropolin europian të Italisë së Veriut, në Milano u dha Çmimi Ndërkombëtar i Ekselencës, “Cittá del Galateo” – 2024, që mban emrin e humanistit të madh Antonio de Ferrariis (1444-1517) dhe i përkushtohet promovimit të veprave për paqen dhe drejtësinë shoqërore. Mirënjohja prestigjoze u jepet poetëve, shkrimtarëve, gazetarëve, eseistëve, studentëve, autorëve të huaj, grupeve dhe institucioneve që janë shquar në krijimtari dhe veprimtaritë e tyre në ndërtimin e një shoqërie paqësore, që përfshin respektin ndaj drejtësisë.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve u zhvillua në Sallën Girardi të Qendrës PIME, Via Moses Bianchi 94. Milano. Manifestacioni ishte organizuar dhe koordinuar nga nga znj. Regina Resta, presidente e Verbumlandiart dhe e Çmimit të Ekselencës.

Bëhet e njohur se në Komitetin shkencor të Ekselencës Kryetare e komisionit ishte Maria Pia Giulia Turiello, doktore në ligjshmëri dhe shkrimtare, Kryetar Nderi ishte Francesco Lenoci, profesor në Universitetin Katolik të Milanos, President i Komunikimit – Goffredo Palmerini, shkrimtar, gazetar, President i Marrëdhënieve Ndërkombëtare – Hafez Haider, poet, kandidat për Çmimin Nobel për Paqe dhe Letërsi.
Anëtarë të Komitetit Shkencor të Ekselencës po përmendim Annella Prisco, shkrimtare, kritike letrare, Claudia Piccinno – poete, përkthyese, doçente, etj, deri edhe Pierfranco Bruni – shkrimtar, poet dhe eseist, arkeolog, kandidat për Çmimin Nobel për Letërsinë, etj, siç dhe njoftohet.

NË KADEGORINË E LETËRSISË DHE STUDIMEVE TE HUAJA

U nderuan me këtë çmim:

1- Guaman Jara Allende Neumane – Poet, kritik letrar, shkrimtar, përkthyes, interpretues dhe emeritus akademik
2- Narcisa Soria Valencia – Konsulle Ekuadorit, mbrojtës i të drejtave të njeriut për gratë, fëmijët dhe njerëzit shumë të cenueshëm
3- José Pulido – gazetar, shkrimtar dhe poet venezuelian.
4- José Sarria – Poet, eseist dhe kritik letrar, anëtar i Akademisë Mbretërore të Kordobës.
5- Pedro Rodríguez Oliva – Profesor i Arkeologjisë në Universitetin e Malagës.
6 – Ramón Martínez López – Poet, anëtar i Shoqatës Kolegjiale të Shkrimtarëve.
7 – Visar Zhiti – shkrimtar dhe poet shqiptar.

Salla ishte plot me poetë, shkrimtarë, ekselenca nga mbarë Italia e të huaj, të fushave të ndryshme si në dretësi, mjekësi, për kontributet e ndryshme që i kanë dhanë shoqërise, patjet:er dhe në letërsi, në gjinitë e saj, poezi, prozë, eseistikë, studime letrare, etj.
Mes emrave që u thirrën, ishte she ai i shkrimtarit tonë, Visar Zhiti.
Motivacioni i çmimit të Ekselencës ishte ky:
“Ka arritur të zhvillojë një stil unik poetik, me zgjidhje novatore gjuhësore dhe forma që pasurojnë panoramën e poezisë bashkëkohore.”

Mes duartrokitjeve, çmimin e tërhoqa unë, Julia Pepa, jetoj në Milano si pedagoge e frengjishtes, mike familjare e fituesit tonë.
Shkrimtari Visar Zhiti dhe im atë, Pjetër Pepa, kanë qenë deputetë në Parlamentin shqiptar, kanë punuar të dy në diplomaci, edhe im atë ka qenë ambasador në Vatikan dhe kanë bashkëpunuar në botimin e librave përkujtimorëve të martirëve shqiptarë, im atë është autor i një botimi në shqip, italisht dhe anglisht i persekutimit të klerit katolik shqiptar, me parathënien e Visar Zhitit, “Dosja e diktaturës”.
Në Çmimet e Ekselencës unë përshëndeta në emër të Visar Zhitit, por m’u duk se përshendeta dhe në emër të të gjithë të përndjekurve politikë, të poezisë tonë, që po përhapet gjithandej, gëzohem dhe jam krenare që Visarin e cilësojnë si pasurues i panoramës së poezisë bashkëkohore.
Pra, ndjeva se përshendeta dhe në emër të vendit tim…

Pamje nga takimi…

TRAJTESAT KOHORE DHE PESHA EMOCIONALE NË PROZEN E GJON MARKUT OSE PSIKOLOGJIA E TRADITËS NË ARTIN LETRAR- Nga Tahir Bezhani

Gjon Marku: ” Vij e hyj brenda teje”,tregime,2023, botues Emal Tiranë.

“ Jam një germë e shkruar në gur prej stërgjyshërve të mi fisnik, ku fjala ruhet e shenjtë dhe e shtrenjtë”
( autori)

Gjon Marku, një krijues i njohur anekënd trojeve tona shqiptare, i cili me veprat e tija letrare e shkencore, po le gjurmë te thella në rrugëtimin e tij si krijues me cilësi të larta prozaike, poetike, duke udhëtuar kah majat e elitës krijuese . Pra, është një krijues brilant i cili me talentin e shkathtësitë e veçanta, para publikut lexues kudo që folët shqipja, përherë e më tepër, po e zgjon kureshtjen tek masa e lexuesve të pasionuar. Tematikat e përzgjedhura në trajtimin e pendës së Gjon Markut, në prozën e shkurtër e të gjatë, ( së fundmi edhe në poezi), janë tema bashkohore të kohës, ku njeriu ,qytetari jonë, gjendet i mbështjellë në lëvozhgen e kësaj problematike trajtuese. Gama gjithëpërfshirëse tematike jetësore nga penda e mprehtë e Gjon Markut, e ngritë autorin në piedestalin e krijuesit, aty ku dëshirojmë të gjithë ta kemi e ta lexojmë gjithmonë.

Gjon Marku,autori i librit.

Gjitha ato që u ceken më lartë ,lexuesi mund t’i shijojë në librin me tregime, ”Vij e hyj brenda teje,” një libër solit me 270 faqe, ku gjejnë vend njëzet e katër tregime artistike me tematika të ndryshme nga ambiente të jetës sonë të përditshme, duke mos lënë anash assesi, traditat mirditase dhe jetën nën rrethanat e kohës së kaluar, si eminentë psikologjike e logjike e ngulitur në kujtesën tonë.
Librin me tregime “Vij e hyj brenda teje,” autori, si çdo krijues tjetër emblematik, e fillon me vendlindjen ,me ambientin jetësorë të Mirditës së lavdishme, duke evokuar kujtimet e jetës, të cilat ia ngrisin përherë zjarrin e mallit e dashurinë për urëzat e oxhakut të kullave, aty ku fjala zë vend si guri.
Në tregimin e parë me titull “ Të lutem më fal,” autori sikur se i kërkon falje truallit të vet, ambientit mirditas, nga i cili kohë më parë ka ikur në qendër të Tiranës për jetë e punë. Vizitat e herëpashershme vendlindjes, autorin e mbushin tej mase me nostalgji e mall, posaçërisht kur takohet me ata pleq të urtë e gojëtar të Mirditës, me të cilët dikur, ka ndarë gëzimet e hidhërimet e jetës. Rasti i takimit gjatë një vizite me plakun Lalë Kola, ishte mjaft indikativ për të “ndezë” emocionet e përmallimet e autori, të cilin e takon “në cep rrugës ulur, shuaj e ndiz një llullë shqope, me një kollë ftohje në gjoks, ulur në një guri, të cilit i dridheshin thinjat nga flladi i maleve….” Në këtë rast, autori përshkruan momentin dhe e ndjen dhimbjen në thellësi, për faktin se nga fshati kanë ikur, (thuaja) ,e gjithë rinia jashtë vendit dhe zbrazësia shpirtërore ishte dukuri prekëse në të gjitha rrethanat…Kjo dukuri jo vetëm se është një hall jete të jetuarit në vetmi, por si dukuri, (e pa përvojë),jashtë traditës. Nga ky këndvështrim, autori shpërthen me dufin e tij poetik, duke përshkruar momente të ndjeshme:” Brenda meje fle një dhimbje që nuk mbaron kurrë, sikur merr jetë e bëhet hija jote….”
Duke u thelluar në brendinë e këtij libri me shumë vlerë, në secilin tregim të lexuar, gjënë përditshmërinë e kohës në shumë aspekte, trajtuar me elokuencë artistike, nga një pendë tani e mirënjohur e prozës shqipe.
Gjon Marku, në tregimet e përfshira në këtë libër, nuk anashkalon aspektin e diskriminimet të institucioneve shtetërore nga të gjitha nivelet, si një dukuri tejet negative të kohës dhe të zhvillimit të demokracisë në vend. Korrupsionin, nepotizmin, imoraliteti, falsifikimet e ndryshme në çdo segment të jetës, janë dukuri me peshë mbi shoqërinë në ecje, të cilat pengojnë zhvillimin normal të individit dhe shoqërisë në tërësi. Njeriu i futur në shpirtin dhe zemrën e popullit, në këtë rast krijuesi letrarë si Gjon Marku, nuk e ulë kokën para dukurive të tilla, të cilat paraqesin shëmtinë pushtetare dhe vrasin ndërgjeien qytetare, por i ve në spikamë, lufton dukuritë negative përmes pendës së tij.
Të gjitha prapështitë pushtetare, autori më së miri i ka cekë në tregimin ”Ti vjedh paratë e baxhanakut për me ble një diplomë”. Vet titulli i tregimit mjafton që të kuptojmë dukurinë që trajtohet brenda rreshtave të tij, e që ka peshë të veçantë shoqërore e politike, si dukuri….
Padyshim se Gjon Marku, në tregimet e tij artistike, trajton me një ndjenjë të veçantë aspektet e luftës në Kosovë, aty ku gjaku i derdhur këputi me gërshërë për një kohë dashurinë mes dy të rinjve nga tmerret e papara shkaktuar nga bishat e Karpateve. Njëherit, duke përshkruar sakrificat e papara e qëndresën heroike në trojet tona ,autori tregon ndjenjën e kombëtarizimit. Sa bukur e me shumë emocione e përshkruan këtë situatë, qëndresë, përmes protagonistëve të tregimit, ku Valoni e Nora, zbërthejnë bukur esencën shpirtërore të qëndresës njerëzore. Nora i bashkëngjitet formacionit ushtarak të U Ç K-së, duke luftuar me mish e me shpirtë për lirinë e vendit ndaj një barbari klasor.
Në këtë vazhdë të rrëfimit, padyshim se zgjojnë kureshtjen mëritë mes popujve me ngatërresa edhe kur takohen në qytete-shtete të ndryshme të Evropës si rasti i Daniellit me Valonin në një universitet Zviceran. Valoni nuk dëshiron të vendoset në një dhomë konvikti me Daniellin kinse ai e “pi duhanin”…Ky moment ceket si një rast eklatant mes “botës” se ngatërruar njerëzore, ku si mesazh shprehet dukuria civilizuese e pajtimit ndërnjerësorë

Traditat dhe aspektet mitologjike në tregimet e Gjon Markut.

Aspektet e traditës zënë një vend të veçantë në prozën e Gjon Markut, i cili me dije e nivel të lartë ,i trajton si dukuri e fenomen i shoqërisë sonë shqiptare në të kaluarën dhe të tashmen. Fenomeni i vrasjeve,( gjakmarrjes), si një plagë e vjetër, të cilën na e lanë në prehër armiqtë tonë historikë, ndërsa ne e përkundim ende, si dukuri negative, në meset tona, për fatin e keq. Në tregimin “Monedha e munguar e gjakut”, përmes protagonistëve Pjetër Gjini e Deda, përmes të cilëve gërshetohet ngjarja e hidhur, vrasje, përshkruhen momentet tejet prekës që nga akti i shëmtisë deri te akti fisnik i pajtimit mes tyre. Kulla, si gjithmonë, vendi i kuvendit te burrërisë e fisnikërisë, bujarisë shqiptare, trajtohet si pjesë historike iliro-shqiptare me te gjitha veçoritë e trojeve tona shqiptare, kudo.
Në fillet e gjakimit të dy familjeve, kërkohet “BESA sipas traditës kanunore, ndërsa djali i gjakësit tenton të del nga kulla pa e pyetur babën, me ç ‘rast babai i thotë: ” pse ke dalë prej kulle babë, gjakësi kërkon të marrë hak e nuk na ka dhënë besë?…” Në këtë këndvështrim autori me vigjilencë ka dashur të ven në dukje mospajtimet mes gjeneratash, si e paarsyeshme vëllavrasja, dhe, si traditë, t’ia shpjegoi djalit “rregullat” rojës, ashtu si janë. Në këtë aspekt, mendoj se autori i librit, tregon gjithë dijen, talentin dhe filozofinë e jetës në rrethana të caktuara kohore. Tregimi “Monedha e munguar e gjakut” përfundon me pajtimin mes dy familjeve Pjetri- Deda, me angazhimin e njerëzve përparimtarë të rrethit, ilaka e gojëtarë te vendit.
Ka një fenomen që para ndodhive të këqija në familjet shqiptare, paraprijnë disa gjëra mitologjike, si lajmëtarë të keqes familjare. Këto paralajmërime mitologjike, vijnë nga krrokamat e korbit, shpendkeqes e disa zërave mistike të paparë, si ëndrrat etje. fenomene, ku autori i materializon mirë në prozën e tij dhe u jep konotacion filozofikë e historik.

Autori i librit “Vij e hyj brenda,” Gjon Marku, gjithë përfshirjen tematike në këtë libër, e libra tjerë, e ka bërë, e bënë me një dashuri e përgjegjësi personale, ashtu siç duhet, me guxim e talent të përsosur. Përgjegjësia dhe dashuria, si dhe guximi ndaj veprimit që ndërmerr, gjithmonë të ngrisin në piedestalin e merituar.
Stili dhe gjuha si mjete artistike në prozën e Gjon Markut.
Lexuesit e Gjon Markut, tani më, janë të njohur me karakteristikat e të shkruarit si në prozë, ashtu edhe në poezi. Gjuha e rrjedhshëme, fjalët e përdorura ne vendin e duhur sipas rrëfimit të rastit,” pa filozofime” siç ndodhë tek disa, përbëjnë njërën nga vlerat e artit gjuhësorë të autorit. Në çdo rrëfim tregimtarë, bënë një përshkrim poetik të ambientit, të natyrës, fenomeneve natyrore sa që tregimi të gjason në prozën poetike. Ndonëse, këtë formë të shkruarit të tregimeve e konsideroj si stil personal dhe mjaft frymëzues e të qëlluar nga aspekti persona. Ka një dukuri që e dallon Gjon Markun në prozën e tij bashkohore. Ai është përdorues i shkathet i fjalëformimeve të reja, neologjizmave, që na bie në sy edhe si lëvrues i gjuhës shqipe.
Për librin me tregime, “Vij e hyj brenda teje,” mund te shkruhen edhe shumë e shumë faqe tjera, komente recensione nga këndvështrime të ndryshme, sepse , me të drejtë, secili lexues i librave të Gjon Markut, mund të nxjerrë konkludime të reja nga se i tëri është pasuri nisur nga shumë aspekte letrare

Gjakovë,29.tetor,2024 Tahir Bezhani

“Shen Gen”- Tregim nga Flamur Topi

Një ditë, në të ardhmen, askush s’ka për të besuar se ka ndodhur kështu.

Mbështetur në shpinoren e kolltukut anatomik, me duar të kryqëzuara mbi gjoks, me kokën paksa të përkulur mbi klavikulë, vështrimin nga poshtë-lart përmes syzeve të rëna mbi hundë, sytë e picërruar si t’ia vriste shkëlqimi i fortë i dritës, hijerëndë dhe autoritar, Bepe Heimlich Vandersen, nëpunësi i vjetër i shërbimit konsullor, ia kishte ngulur shikimin e përqendruar si prej hetuesi turmës që mbushte sallën A të pritjes.

I vështronte një më një pa u druajtur. Qenë të paktë ata që i rezistonin zotit Bepe. Kthenin kokën mënjanë në çast apo nxitonin të ulnin sytë, duke mos u bërë ballë dy rruzujve të vegjël të zinj në kafe të cilët, përmes xhamave të trashë optikë, dukeshin edhe më të frikshëm, më sugjestionues, më shpues, si të të depërtonin mespërmes, e për këtë shkak krejt të papërballueshëm.

I kishin futur brenda në sallë një orë më parë, kurse nëpunësi i shërbimit konsullor, Bepja, sapo qe ulur dhe qe rehatuar në vendin e zakonshëm të pritjes së vizëkërkuesve. Një xham panevojshmërisht i trashë, për më tepër i blinduar, e ndante prej tyre. E vetmja hapësirë e drejtpërdrejtë komunikimi ishte një e çarë e ulët në trajtën e një gjysmërrethi, që mezi lejonte futjen e dorës së një fëmije. Një Zot e di ç’i bënte të trembeshin aq shumë, thua se prisnin që nga çasti në çast dikush t’u fuste në atë boshllëk ndonjë send shpërthyes. Sa për bashkëbisedimin me vizëkërkuesit, ai realizohej nëpërmjet një sistemi modern mikrofonash e altoparlantësh gati të padukshëm, kaq të vegjël e të maskuar me kujdes ishin.

Si çdo mëngjes, zoti Bepe nuk po nxitohej të fillonte punë. Po bënte atë që në terminologjinë sportive quhet nxehje, përshtatje, pra përgatitej shpirtërisht. Sipas kuptimit që ai i jepte kësaj gjendjeje krejt të veçantë të fizikut të vet, duhej doemos të çshpirtërohej, të bëhej i ftohtë akull, të mos ligështohej e të mos jepej as edhe përpara hallit më të madh njerëzor, të mos vuante e të mos torturohej së brendshmi, të mos mëshironte, të mos dorëzohej në asnjë rrethanë, sado e rëndë dhe trishtuese të ishte, thjesht të anesteziohej, të bëhej i pazemër, i pashpirt.

Si tufa e shndritshme e një fanari që kërkon majtas-djathtas nëpër errësirë, vështrimi i vëmendshëm e i përqendruar i zotit Bepe vërvitej pareshtur dhe pa u lodhur nëpër sallën A. I shëmbëllenin të gjithë me qen të rrahur, i dukeshin të terrorizuar, mosbesues, dyshues, pushtuar nga stresi, në ankth. Kishte lloj-lloj aty brenda: qytetarë, katundarë, malësorë, burra, gra, vajza e djem të rinj, biznesmenë e bankierë, mjekë e mësues, profesorë e akademikë, pensionistë e invalidë, madje edhe të ulur në karrocën dyrrotëshe, nëna me fëmijë në gji, trafikantë, rrugaçë, vjedhës xhepash e prostituta të rëndomta, lyer e zhgërryer me tepri si dordolecë.

“Ah, ja, përsëri Genci Snojli! Oh, Zot, ç’tip i bezdisshëm!” Vështrimi i Bepes, i zymtë, qortues, u ndal në një djalosh rreth të tridhjetepestave, të hequr në fytyrë e të zbehtë si të vuante nga anemia. “Do ta dalloja lehtë edhe midis një mijë të tjerëve. Sa herë ka ardhur këtu, përpara këtij sporteli? Gjithmonë më thotë të njëjtën gjë. Se vajza i është rënduar shumë, se po i vdes, se do ta shohë për herë të fundit. Të jetë e vërtetë? Ç’përmasa, vallë, mund të ketë dhembja shpirtërore e një prindi, fëmija i të cilit lëngon në një shtrat spitali, diku jashtë, e ai s’mund ta shohë, ta dëgjojë, ta prekë, ta puthë, ta përkëdhelë, t’i fshijë ballin e djersitur, t’i shtrëngojë gishtërinjtë e vegjël, t’i japë të pijë, ta ushqejë…? Oh, perëndi!”

I erdhën ndër mend dy fëmijët e vet dhe gruaja, tani mijëra kilometra larg, shqetësimi i tyre i madh si prindër sa herë ftoheshin pakëz e teshtinin, kur temperatura u ngrihej paksa mbi tridhjetë e shtatë, netët që gdhinin mbi kryet e tyre dhe ankthi i tmerrshëm. Ndjeu, si për dreq, të mallëngjehej, të ligështohej, të prekej. Erdhi në vete si i trembur, u përmend. Ah, jo kështu Bepe, iu drejtua vetes. Sot s’para je shumë në formë. Nuk po e bën nxehjen si duhet. Gati i mbushe sytë. Për Bepen, kjo qe aq e rëndë dhe e papranueshme sa për një tjetër mbushja e të mbathurave. Hajde, mblidhe veten. Mjaft të mendosh kë ke përpara. Pa shih, shih! Vështroji mirë cilët janë, ç’mall, ç’plehra janë. Hëm, pa shih si rrinë, si shtiren. Si qengja të urtë, si engjëj. Njerëz në hall të madh. Pa asnjë dyshim, vetëm duken, bëjnë sikur. Aktorë të lindur. Pas këtyre mureve të larta, ata janë krejt ndryshe, të egër, të ligj, të pabesë, hipokritë, servilë, vrasës të pashpirt. Për një parkim të gabuar, për një gërvishtje makine, thyerje pasqyre, pluhurosje ose baltosje të saj, për një shikim, për një fjalë, këta të ngulin thikën, të shkrehin një karikator të tërë automatiku, pa u menduar shumë. Gjakmarrës të pamëshirshëm. Për një plakush, vrarë në pusi, këtu e gjashtëdhjetë vjet më parë, sot u marrin jetën grave, fëmijëve, pa bërë dallim. O perëndi, ç’popull!

Nëpunësi i shërbimit konsullor, Bepja, shfryn më në fund i lehtësuar. Vetëm tani është plotësisht gati për të pritur vizëkërkuesit. E ndien shpirtin e vet të anesteziuar, si të kishin pulverizuar mbi të një shtresë të hollë lidokaine. Dhe, ashtu si kirurgu, para se të nisë operacionin, me prerje të vogla e të sipërfaqshme, incizon lëkurën e pastaj, njëra pas tjetrës, shtresa më të thella, për të provuar shkallën e anestezisë, Bepja vendos të provojë padhembshmërinë e shpirtit të vet.

Nëpunësi i vjetër i shërbimit konsullor hap më në fund sistemin e komunikimit zanor, kruan fytin prej një gëlbaze të vockël që ia gërvisht pakëz zërin dhe thërret, gati solemnisht, emrin e parë.

– Genti Snojli! – thotë me zë të lartë, ndërsa kërkon me sy nëpër sallë.

Numri 1 – Genti Snojli

Drejt sportelit, si me përtesë, me çapa të ngadalshëm, të lodhur, dyshues, mosbesues, si i detyruar vetëm të plotësojë një rit, afrohet një djalë rreth të tridhjetepestave. Duket edhe më i zbehtë, i tërhequr në fytyrë, me një lëkurë si në mavi poshtë kapakëve të syrit, pa asnjë dyshim shenjë e pagjumësisë disamujore.

– Prapë ju? – bën të paditurin Bepja.

– Zoti Bepe, tani s’ka më asnjë shpresë. As edhe një. Vajza do të më vdesë. Ju lutem, vini dorën në zemër. Më jepni vizën që jua kërkoj prej disa muajsh. Dua ta shoh për herë të fundit.

– Dëgjoni, djalë, – i drejtohet gati me qortim Bepja. – Ashtu është. Keni disa muaj që më përsëritni deri në mërzi të njëjtin argument. Do të më vdesë sot, do të më vdesë nesër, ama deri tani s’ka ndodhur gjësend. Sikur t’ju kisha besuar, sot do të ishit në vendet e Shengenit, duke kërkuar gjithë të drejtat e një azilkërkuesi. Jo, djalë, jo, s’është mirë kështu. Natyrisht që s’është.

Djali psherëtin thellë plot dëshpërim. E vështron turbull drejt e në sy, pa ditur çfarë të thotë.

– Shpresonim, zoti Bepe. Besonim t’ia hidhte, – shton pas pak, – por tani, mjerisht, mjekët tuaj nuk japin më asnjë shpresë. Janë ditët, ndoshta orët e fundit.

Djali gati përlotet.

– E ëma është atje, apo jo? Ne i dhamë vizë, kështu? – bën enkas Bepja pyetjen asgjësuese.

– Po, zotëri! I keni dhënë…

– Atëherë? – luan të habiturin Bepja. – Atëherë, çfarë? A nuk mjafton kaq? Për çfarë duheni? Për çfarë nevojiteni ju atje?

– Zoti Bepe, dua ta shoh ende të gjallë, ta shoh para se të mbyllë përgjithnjë sytë. T’ia dëgjoj edhe një herë zërin, ta prek, ta përkëdhel, ta shtrëngoj në krahë.

Bepja përmendet si i trembur. Gati sa nuk mallëngjehet, gati sa nuk dorëzohet, por në çast shpirti i anesteziuar s’e qas, s’e pranon përfytyrimin e dhembshëm të fëmijës që qan, rënkon, lutet e përgjërohet t’i sjellin afër të atin në shtratin e reanimacionit.

– Ju s’keni fëmijë tjetër, apo jo? – pyet Bepja.

– Jo, zotëri, nuk kam.

– Sa mirë të kishit pasur. Do të shërbente si një subjekt i sigurt garancie. Përndryshe, rasti juaj klasifikohet në grupin e parë të të dyshuarve për moskthim dhe qëndrim klandestin.

– Zotëri! Ç’po thoni kështu? As që na shkon ndër mend! Jua kemi përsëritur shumë herë. Nëse do të kishim pasur atë mendje, qëndronim në Angli. Ime shoqe ka mbaruar atje universitetin më në zë në fushën e ekonomisë, London School of Economics. Madje, ka pasur edhe oferta për të punuar atje…

– Ah, kështu?! D.m.th., vendin tonë s’para e pëlqyekeni? Vlerësuakeni më shumë të tjerët? Nga ana tjetër, shpëtimin e jetës së fëmijës e kërkoni pikërisht në vendin tonë.

– Nuk thashë këtë. Do ta kishim pasur shumë më të lehtë të jetonim në Angli. Fëmija ka lindur në atë vend.

– Më vjen keq, shumë keq, por s’duhet të humbasim më kohë së bashku. Më duhet të pres shumë njerëz sot. B. P., – thërret Bepja emrin e akademikut të njohur pa ia hedhur sytë Genc Snojlit, si të mos ishte aty, përballë tij, mbështetur krejt i këputur në sportel e t’i zinte kështu tërë fushën e pamjes.

Sinjali i Bepes është i qartë. Djali duhet të lërë sportelin e të largohet.

– Zotëri, a keni fëmijë? A keni zemër, zotëri?

– B. P., – përsërit thirrjen Bepja, edhe pse e ka vënë re akademikun të jetë ngritur diku nga fundi i sallës e të ketë marrë drejtimin për nga sporteli. Është e qartë. Ftesa për B. P. s’ka të bëjë fare me akademikun, por është një thirrje e përsëritur për prindin fatkeq që të lërë sportelin e të hapë vend për të tjerë vizëkërkues.

Bepja, përmes hapësirës së ngushtë që lë zbuluar prindi i fëmijës së sëmurë, s’ia ndan sytë akademikut B. P. Vështrimi i tij si i humbur pasqyron një sërë ndjenjash të përziera e të kundërta me njëra-tjetrën, që e bëjnë mimikën e tij të duket si e shpërvarur dhe e lëshuar. Po të mundej një psikanalist të rrëmonte në të kaluarën e largët të zotit Bepe, do t’i jepte një shpjegim të arsyetuar mirë gjendjes psikologjike komplekse e disi të rënduar të tij gjithnjë në kontaktet me intelektualë të laureuar. Dhe ja përse…

Bepja ka një peng të madh në jetë. Në vitet e studimeve universitare në Fakultetin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, dega e diplomacisë, ai s’u shqua kurrë, për të mos thënë se llogaritej si një ndër më të dobëtit studentë të kursit. Mesatarja e ulët nuk u dha ndonjëherë mundësinë miqve të fuqishëm të familjes së vjetër kryeqytetase që ta emëronin në një nga ambasadat e Europës së Bashkuar. Kështu që Bepes iu la në dorë të zgjidhte midis një vendi të humbur afrikan, një tjetri po aq të humbur, në mos më shumë, aziatik dhe Shqipërisë. Bepja zgjodhi vendin e vogël ballkanik dhe nuk gaboi.

Po e kalonte më së miri këtu. Para me bollëk, si vend gjoja i kategorisë së tretë, vajza të bukura që s’i mungonin kurrë dhe një biznes i vogël plaçkurinash, kinse “Armani”, shumë prej të cilave imitime të rëndomta, që prodhoheshin enkas për të në Lindjen e Largët, aq sa tani, pas gjashtë vjetësh shërbimi në këtë vend të “mizeries”, ai s’e këmbente as edhe me Amerikën e ëndrrave.

Nga ana tjetër, së jashtmi, Bepja duket një njeri i qetë e i lumtur. Porse, së brendshmi, e mundon prej kohësh një kompleks i dhembshëm inferioriteti, smire, xhelozie, armiqësie e, gati-gati, urrejtjeje e agresiviteti të përmbajtur ndaj gjithë atyre që mbajnë një gradë a titull shkencor. Ideja fikse se ai vetë nuk ka për të pasur kurrë në jetë një laurë të tillë thuajse e çmend dhe e mundon së shumti. Në një rrethanë të tillë psikologjike të rënduar, mjerë ata profesorë, doktorë shkencash, docentë – aq më keq të kenë qëlluar të jenë akademikë, si B. P. – që, për të ngjallur respekt, simpati, besim e siguri te vizëlëshuesi, përpara se të thonë emrin e mbiemrin e tyre, prezantohen me titujt a gradat shkencore që mbajnë.

Ngjarje e vërtetë.

Numri 2 – Akademiku B. P.

– Mirëdita! – përshëndet burri i moshuar porsa është afruar në sportel. – Jam akademiku B. P. Besoj ju kujtohem?

– Jo, zotëri! As që më vini ndër mend. Çdo mëngjes këtu më kalojnë përpara syve dhjetëra vizëkërkues.

– Ju kërkoj të falur! Pandeha se më mbanit mend, ngaqë është e treta herë që vij te ju. Por, këtë radhë, shpresoj t’i kem plotësuar të gjitha kërkesat që më keni bërë, – thotë akademiku i moshuar, ndërsa fut një sërë dokumentesh në të çarën gjysmërrethore të xhamit të blinduar.

Bepe Heimlich Vandersen zgjat dorën si me përtesë për t’i tërhequr.

– Pa t’i shohim, – thotë, duke i marrë me majë të gishtërinjve.

Nis t’i shfletojë i shkujdesur, një nga një, ndonëse planin e vet djallëzor e ka të gatshëm në mendje që më parë. Pas tri takimeve të shkuara, Bepja është i sigurt se s’ka ç’të gjejë ndonjë mangësi të re. Ai ndalet gjatë mbi një dokument. Është ftesa e akademisë së huaj simotër për B. P.-në. Bën sikur kërkon një të dhënë të rëndësishme. Psherëtin thellë, si njeriu i ndodhur në vështirësi. Mendja diabolike dhe finoke e nëpunësit të vjetër të vizave vlerëson se është tamam çasti të lëshojë drejt akademikut predhën asgjësuese e poshtëruese.

– Dakord! Dakord! Jeni i ftuar të diskutoni në kongresin ndërkombëtar për Alzheimerin. Bukur, zoti akademik. Ndërkohë, ku do të qëndroni, zoti B. P.? Ku do të vendoseni? Ku do të flini? Në cilin hotel? Gjithnjë, në raste të tilla, u kërkojmë të ftuarve të dhëna për akomodimin. Nëse shkoni me shpenzimet tuaja, jemi të detyruar t’ju kërkojmë që më parë rezervimin e një hoteli. Përndryshe…

Sikur t’i kishin plasur një bombë mu përpara fytyrës, akademiku shtanget, ngrin i tëri. Njëra çehre i vjen e tjetra i shkon. Dhjetëra përgjigje të rënda e revoltuese i rrotullohen nëpër kokë, dhjetëra qëndrime që duhet të mbajë, njëri më i ashpër se tjetri.

– Zotëri, si guxoni të fyeni në këtë mënyrë një shkencëtar, një akademik? E, megjithatë, hapini sytë! Lexoni me kujdes! Akomodimi është i palës pritëse. Jepen të dhëna edhe për hotelin. Në mos gaboj, Grand Hotel. Por, le ta zëmë se do të mungonte një akomodim i tillë, a mund të detyrohet një akademik, një njeri i moshës sime, të paraqesë një dokument të tillë absurd? Zotëri! Unë jam njeri i lirë, unë…

Instinkti mbrojtës i nëpunësit të regjur të vizave i kujton Bepes se pasi ka dhënë goditjen poshtëruese, është çasti për t’u tërhequr me zgjuarsi.

– Ah, po. Keni të drejtë. Është kështu, siç po thoni. Organizatorët paskan zgjedhur një hotel të shkëlqyer me pesë yje në ishullin vullkanik. Ç’është edhe më e bukur, buzë detit. Shkëmbinj të zinj, formuar nga llava, gjelbërim tropikal si në xhungël, fikuse… Eh, Fladia, Fladia!

Akademiku, të cilit ende s’i kanë rënë xhindet, vetëm sa e sheh vetullngrysur dhe paksa i hutuar. Në të vërtetë, nuk di ç’qëndrim të mbajë me zyrtarin kameleon. Të zbusë tonet, duke e vlerësuar gjithçka si një keqkuptim tragjik, apo t’i qëndrojë fort dhe me dinjitet deri në fund.

– Bukur, – thotë Bepja papritur, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Do të vini pasnesër, në datën dy dhjetor, në orën 15.00, për të tërhequr vizën.

Akademiku ngryset edhe më shumë. Është fare i pakënaqur.

– Më falni, zotëri. Ju kujtoj se pikërisht pasnesër është dita e parë e punimeve të kongresit. Në mbrëmjen e kësaj dite është planifikuar të mbaj referatin tim për Alzheimerin në Shqipëri.

Si një mjeshtër i aktrimit, Bepe hap duart, me pamjen e njeriut të dëshpëruar e të zënë ngushtë, që s’ka nga ia mban.

– Është e pamundur. Krejt e pamundur, zoti akademik. Një procedurë normale do të kërkonte minimumi një javë. Në fakt, po ju favorizoj. Duhet të na kuptoni. Janë dhjetëra viza të tjera që ne si ambasadë lëshojmë në një ditë, ndërkohë që personeli ynë është mjaft i kufizuar.

Ndërsa justifikohet, Bepja s’ia ndan sytë si të nepërkës akademikut B. P. Me kënaqësinë e një sadisti, për torturat që sapo i ka bërë viktimës së vet, vë re se e ka dërrmuar, e ka rrënuar, gati e ka vrarë shkencëtarin e njohur. Ka mbërritur çasti që Bepja t’i bëjë një lëshim zbutës presë së vet.

– Megjithatë, zoti akademik (me ironi), dukuni një herë nesër pasdite. Mbase jua përgatisim. Do të bëjmë të pamundurën.

I deprimuar, i shpërvarur, vrarë në shpirt, B. P. e vështron si ndër ethe, i përçartur, i hutuar, në konfuzion të plotë. Me një llogari të thjeshtë, edhe sikur ta marrë vizën ditën e premtuar, i del se është e pamundur të mbërrijë në kohë. Me zvarritjet e enkasta dhe kërkesat, njëra më absurde se tjetra, Bepe ka hedhur në erë, ka bërë pluhur e hi gjithçka. Tani, pjesëmarrja në kongres është një mision i pamundur. I pamundur.

– Nuk mund ta marr vizën nesër në mëngjes? Vetëm kështu mund të mbërrij seancën e mbrëmjes të diskutimit tim, zotëri.

Bepja mbyllet sërish brenda guaskës së vet të nëpunësit burokrat. Sikur nuk ishte ai që minuta më parë i ligjëroi me patosin e një aktori të vërtetë për hotelin pesëyjsh, ishullin vullkanik, gjelbërimin ekzotik, shkëmbinjtë e zinj llavorë… Fladia! Fladia!

Është radha e goditjes së dytë rrënimtare. Bepja as që ia hedh më sytë. Si të mos ndodhej aty, përballë tij dhe me trupin e bëshëm t’i zinte thuajse tërë pamjen e sallës A, nëpunësi i vjetër i shërbimit konsullor, ndërsa vështron në një pikë çfarëdo, gjithnjë jashtë dhe përtej siluetës së akademikut B. P., afron gojën pranë mikrofonit dhe kërkon numrin tre.

Akademikut s’i mbetet tjetër gjë veçse të shkojë. Habitet tek e sheh veten jashtë në rrugë. Si një somnambul ka përshkuar korridorin e ngushtë dalës, ka marrë celularin si ndër ethe prej rojës civile shqiptare të ambasadës, është përshëndetur si i përçartur me oficerin e huaj te porta e madhe e hekurt dhe thuajse s’i kujtohet asgjë. Hëm, ndërsa tund lehtësisht kokën, B. P. nënqesh me hidhërim. Një gjendje e vërtetë konfuzionale, thotë me vete, por mund ta pësosh edhe më keq B. P. Shumë më keq. Ndaj mblidhe veten. Mblidhe. S’u përmbys bota. Ndryshe ike, B. P. Ike. Je shtatëdhjetë vjeç. Mos harro.

Autosugjestioni, të cilin ai si psikiatër e zotëron mirë, e përmbledh, e qetëson disi. Por s’e ka të lehtë gjithsesi të shkëputet nga trauma e freskët e disa minutave më parë. Akademik të thënçin, i drejtohet vetes me përçmim. Mos qofsh, përderisa një nëpunës krejt i zakonshëm ambasade të sfidon, të përqesh e tallet me ty. Pfu! I neveritur pështyn në trotuar. Hedh një vështrim të shqetësuar përreth se mos e kanë vënë re. Nxiton hapat, edhe pse i drobitur, i rënë shpirtërisht dhe i ligështuar, të largohet sa më shpejt prej asaj qendre të ferrit të zjarrtë me emrin sugjestiv – ambasadë.

Sipas rrëfimit të B. P., personalitet i shquar shkencor me famë europiane.

Numri 3 – Një çift të moshuarish

Numri 3, i thirrur nga Bepja, është një çift të moshuarish, burrë e grua, rreth të shtatëdhjetave. Me stres të dukshëm, që u lexohet qartë në tiparet e fishkura të fytyrës, i afrohen pakëz me mundim sportelit të vizave, sepse për shkakun e një koksartroze gruaja e vjetër mezi ecën. Një arsye më shumë për Bepen për ta skualifikuar paraprakisht. Një plakë dhe gati invalide, s’është veçse një barrë për vendin, interesat e të cilit ai përfaqëson dhe duhet të mbrojë.

Pa thënë asnjë fjalë, nëpunësi i shërbimit konsullor zgjat dorën boshe drejt së çarës gjysmërrethore, duke u dhënë të kuptojnë të moshuarve të dorëzojnë shkresurinat. Megjithatë, Bepja s’ua hedh sytë dokumenteve. Falë përvojës së gjatë, është i bindur se çiftit pensionist, si shumë të tjerëve më parë, i mungon dokumenti më i rëndësishëm.

– Për llojin e vizës që kërkoni, pra për një vizë turistike, duhet të paraqisni një dokument bankar, ku të vërtetohet qartë që secili nga ju të dy të ketë depozituar veçmas, në llogaritë personale, jo më pak se 5000 euro.

– 5000 euro?! – thërret burri i vjetër si i trembur, pa u besuar veshëve. – E kush nga pensionistët i ka aq para, zotëri? Marrim a nuk marrim 50 euro në muaj.

– Ky është problemi juaj. Prerazi, ligji ynë këtë kërkon. Pa një garanci bankare, e përsëris, prej 5000 eurosh, as që bëhet fjalë të merrni një vizë turistike, siç po kërkoni.

– Ne nuk shkojmë për turizëm, more zotëri. Djemtë na kanë bërë garancitë e do të qëndrojmë në shtëpitë e tyre. S’i bëhemi barrë kujt.

Siç ka bërë më parë me Snojlin dhe akademikun, papritur Bepja vendos të ndërpresë komunikimin. Afron mikrofonin te goja dhe thërret për numrin katër, duke e lënë çiftin e pensionistëve në një gjendje për të ardhur keq.

Numri 4 – Vajza joshëse

Diku nga mesi i sallës, ngrihet tërë gjallëri e shkathtësi një vajzë e re rreth të njëzetepestave. Është e bëshme në trup dhe mjaft tërheqëse. Bepja, i habitur që s’e ka vënë re më parë, gati sa nuk thërret:

– Zana, ti? Vërtet ti apo më bëjnë sytë?

– Po, po, Zana, dora vetë. Mos u habisni kaq shumë, zoti Bepe, – thotë ajo, tek i afrohet sportelit, si t’i përgjigjej fizionomisë së çuditur dhe mosbesuese të nëpunësit konsullor.

– Sa e bukur qenke bërë sot. Sa seksi, – thërret i ngazëllyer Bepe, duke e përpirë me sy.

E mësuar me komplimente të këtij lloji, vajza vetëm sa vë buzën në gaz.

– I dashur, më dëgjo me vëmendje. Është shumë, shumë urgjente. Duhet të shkoj sonte, me doemos. Po, po, sonte. Mos u habit. Në mbrëmje, rreth orës dhjetë, niset avioni i fundit, të cilin nuk duhet ta humbas kurrsesi.

I vënë në pozicion të vështirë, Bepe kruan kokën.

– Dakord, – thotë, më në fund. – Dakord. Po me çfarë do të ma shpërblesh? Se ti e kupton. Je vajzë e zgjuar. Rrezikoj shumë.

– Me një të puthur, Bepe. Besoj se të mjafton? – thotë vajza, duke përdredhur zërin dhe belin si një koketë e vërtetë.

– Shumë pak, e dashur. Shumë pak. Askush në këtë vend nuk mund të marrë në pak orë një vizë Shengen. Askush.

– Dakord. Pranoj, – thotë vajza e zënë ngushtë dhe që nuk kërkon të rrezikojë.

– Atëherë, në pesë fiks, te “Sheratoni”, – hidhet në sulm Bepja, përshkuar nga dallgë të rrëqethurash drithëruese tek përfytyron skena posedimi të trupit të bëshëm, të njomë dhe seksi të vajzës mjaft të re. Nuk është larg prej këtej. Dakord? – pyet edhe një herë Bepja, si të sigurohet.

– Hë-hë, – përgjigjet e dorëzuar vajza, krejt pa dëshirë të përfundojë në shtrat me një shëmtirë e shëndetlig si ai, të paktën me tridhjetë vjet më shumë mbi supe se ajo. – Me një kusht, Bepe! Vizë njëvjeçare dhe me shumë hyrje e dalje.

Bepja vetëm sa mbledh buzët e, teksa shfryn thellë, pohon në heshtje me kokë. Vajza, në shenjë pakti të arritur, fut nën hapësirën gjysmërrethore dorën e saj të vockël e njomëzake, që ai nxiton ta shtrëngojë fort, shumë fort, duke i dhënë qysh tani sinjale të forta të përgjigjes seksuale të mashkullit, që i është premtuar një marrëdhënie intime ëndërrore.

– O Zot, – thotë me vete ai, teksa ndjek me sy largimin e lehtë si një flutur të vajzës joshëse, – të falem për postin brilant që më ke dhënë, përndryshe, kjo vajzë e re dhe e bukur as edhe qurrat s’kishte për të më hedhur. Pesëdhjetë vjeç burrë, miop, pa flokë, me dhëmbë të vënë, oh Zot, ç’shëmtim dhe ky engjëll do të më jepet vetëm pas disa orësh. Do të të jepet për një vizë Shengen, Bepe. Një vizë.

Numri 5 – Një burrë i zakonshëm

– Pesa, – përsërit Bepja, duke afruar edhe më shumë mikrofonin drejt gojës.

Një burrë, në moshë të pjekur, me një tufë dokumentesh të futura brenda një celofani, i është drejtuar qetësisht, pa u nxituar, sportelit. Ndryshe nga shumë të tjerë në atë sallë, burri duket krejt i shpenguar, pa ndonjë stres të lexueshëm, madje me plot besim e siguri në vetvete. Bepja s’ia ndan sytë përtej syzeve të miopit rënë mbi hundë. Siguria e burrit dhe besimi i tij në vete e ngacmojnë.

More kokorosh, kaq i bindur, kaq i sigurt je se sot s’të refuzoj? Është e vërtetë se të kam kthyer plot katër herë dhe në çdo rast i ke plotësuar me korrektësi dokumentet, siç të kam udhëzuar, por kjo, more zotëri, nuk do të thotë të më vish kaq i ngrehur si… (ai e krahasoi paturpësisht me penisin e tij), kaq i fryrë e mospërfillës, sepse unë, Bepja, nëpunësi i shërbimit konsullor, jam zoti yt. Është krejt në dorën time të të pranoj ose të të kthej mbrapsht, sa herë të dua.

Burri përshëndetet me mirësjellje dhe fut brenda hapësirës në formë gjysmërrethi dokumentet e kërkuara që më parë nga Bepja.

– Në rregull, shumë në rregull, – thotë Bepja, duke u hedhur një sy kalimthi.

– Faleminderit shumë, zoti Bepe, – thotë burri me përulësi, sikur ta kishin lehtësuar prej një barre të rëndë që, gjer në atë kohë, e kishte mbajtur me shumë mund mbi shpinë.

– Dale, mos u nxitoni, – thotë Bepja, duke ia prerë hovin e falënderimeve burrit. – Ka mbetur detyrimi më i fundit për t’u plotësuar.

Burri pritet në fytyrë. Vështrimi tërë ankth mbërthehet te Bepja. Ç’dreq tjetër do t’i kërkojë më në fund nëpunësi i vjetër i shërbimit konsullor?

– Nuk i jeni përgjigjur pyetjes së fundit, zotëri. Me ç’mjet do të udhëtoni? Me avion, me traget, me makinë apo me çfarë?

“Jo po me raketë!” – i përgjigjet me mendje e me ironi burri. Pastaj i drejtohet Bepes me tonalitet të ngritur, të gjallë e pothuajse gazmor:

– Domosdo, zoti Bepe, që me njërën nga ato që sapo thatë. Vër kë të duash, se më këmbë nuk shkohet dot. Është deti në mes.

– Lërini komentet. Aq më shumë ironitë, – bën sikur revoltohet ai. – Dua të më sillni doemos biletën e udhëtimit. Mos harroni, të jetë me çdo kusht vajtje-ardhje. Pra, jo vetëm vajtje, – thekson tërë seriozitet dhe gjithnjë shumë kërkues Bepja.

– Si urdhëroni, zoti Bepe. Besoj s’kam për të pasur më probleme, apo jo? Pas gjithë këtyre, – përballë nëpunësit të shërbimit konsullor, burri ngurron t’i quajë sorollatje a çfarëdo tjetër ecejaket e shumta kapitëse, – a do të ma jepni më në fund vizën, se, t’ju them të drejtën, jam lodhur sa s’ka më, lodhur e stresuar sa s’jua përshkruaj dot.

– Doemos që do t’jua japim. Sillni biletën vajtje-ardhje dhe vizën do ta merrni brenda ditës, – shton Bepja, i cili, si gjithnjë, di të tërhiqet pa e shpënë punën deri në konflikte të forta me vizëkërkuesit, ndonjëherë nervozë, kokëshkëmb dhe problematikë. – Tjetri, – thotë ai, duke e mbyllur si me të gjithë krejt papritur komunikimin. – Radha, – përsërit Bepja, këtë herë me zë më të lartë. – Gjashta. Numri gjashtë, – ngulmon, ndërsa hedh një vështrim të papërqendruar prej njeriu të lodhur diku, në mes të turmës.

Numri 6 – Trafikanti

Një djalë i ri, me trup të bëshëm prej billderi, me shpatulla të gjera e kraharor të fryrë muskuloz, i qethur shkurt, me një vragë të thellë në faqen e majtë, shkaktuar prej një mjeti prerës, a ndoshta në ndonjë zënkë horrash, rëndë-rëndë, krenar, me çape të ngadalta e të sigurta, i drejtohet sportelit të zotit Bepe.

– Oh, oh, cili na qenka! – thuajse thërret Bepja kur gangoja qaset fare pranë sportelit. – Si nuk të vura re më parë? Tani mbërrite?

– Hë, Bepe, ç’kemi? Ç’thonë punët? Ç’thonë hallet? – pyet i ngrehur dhe gjithnjë i fryrë gangoja, ndërsa fut brenda së çarës gjysmërrethore pasaportën.

– Mirë. Shumë mirë. Po nga ti, ç’kemi? Prapë me ndonjë mision? – pyet Bepja, ndërsa pa e ngritur kokën shfleton faqe të ndryshme të pasaportës. Një çast ndalon së kontrolluari dhe e vështron nga poshtë-lart, drejt në sy, si ta psikologjiste. Vë lehtë buzën në gaz, ndërsa tund kokën, si t’i thoshte: “Hajde, sa i shkathët që je, more burrë!”

– Më thuaj, të lutem, Sandër, e sata pasaportë është kjo? I sati emër? Dhe, gjithnjë, e njëjta fotografi, sigurisht. Jotja. Kaq miq të fortë paske në polici?

– Çne mik, i dashuri im Bepe. Ky është miku më i mirë. Mik mbi mik, – shpjegohet djali, ndërsa fërkon gishtin e madh me atë tregues, për t’i lënë të kuptojë paratë e numëruara. Sa duhen këtë radhë? – pyet djali, duke u bërë papritur serioz e hijerëndë, si t’i kërcënohej me atë pamje të zymtë e të ngrysur Bepes, në një lloj pazari të parakuptuar prej të dyve.

– Sa vjen dhe bëhet më e rrezikshme, Sandër. E përsëris, është e katërta pasaportë që paraqet për vizë brenda pak muajve. Katër pasaporta me katër emra të ndryshëm dhe gjithnjë, e njëjta fotografi, d.m.th. jotja. Ç’është më keq, lëshuar në çdo rast nga i njëjti person, d.m.th. prej meje.

– Sa? Fol, Bepe! Ne i kuptojmë rreziqet. Thuaj një çmim.

– 4000 euro, është një çmim i arsyeshëm, – thotë Bepja me gjysmë zëri.

– 5000. Me kusht, ta marr nesër në drekë, – thotë prerazi gangoja.

– Është shumë e vështirë. Shumë e rrezikshme, por do të përpiqem. Shuma që premtove të bën me krahë. E ke parë atë reklamën e famshme të Redbullit? E kush do t’i rezistonte një çmimi të tillë? Kush?

Të dy ia krisin së qeshurës, megjithatë, të kujdesshëm, për të mos tërhequr vëmendjen e për të mos rënë në sy të kolegëve aty pranë.

Numri 7 – Plaku

Pasi mezi kishte dëgjuar numrin e thirrur në mënyrë të përsëritur nga Bepja, për shkak të dëgjimit të dobësuar, plaku u ngrit me mundim nga karrigia ku qe ulur e, dalëngadalë, mbështetur mbi shkop, mori drejtimin te sporteli i frikshëm. Buzënxirë, teksa mezi po mbushej me frymë, më në fund, i moshuari, mbërriti.

Gjatë gjithë kohës që plaku mezi përshkonte ata pak metra, Bepja s’ia kishte ndarë vështrimin kureshtar. S’i kishte ndodhur më parë të takohej me një njeri më të moçëm se ai. I ligsht në trup, paksa i kërrusur, me një gungë të vogël në shpinë, të mezidukshme, ballin e gjerë dhe flokët e bardhë në pjesë të tëmthave, fytyrëzbehtë e i tërhequr, i shëmbëlleu me një njeri të porsadalë nga burgu. Duhet të ketë hequr shumë në jetë, mendoi teksa mezi ia ktheu përshëndetjen plakut që, me siguri, nga përvoja e gjatë e nëpunësit të vizave, kishte për të qenë i lodhshëm e i bezdisshëm, si çdo burrë në atë moshë të stërthyer.

– Jam pjesëz e pakonsiderueshme e këtij populli të mjerë që për gjashtëdhjetë vjet, por edhe sot, ua pati zilinë peshqve dhe zogjve, që lirshëm e pa asnjë pengesë shtegtonin dhe shkonin ku t’u dëshironte zemra, natyrisht pa u kërkuar kush letërnjoftim për këtë. Të isha zog. Peshk të isha. Re qielli të isha. Kështu thoshin të shkretët, me shikimin e trishtë ngulur në perëndim të muzgut.

Bepja s’po ia ndante sytë. Njeriun e ditur, filozofin, poetin, shkrimtarin apo një skizofren kishte përballë? Pyetja e mundimshme lodronte dukshëm në sytë e tij. Megjithatë, sido që të ishte, drutë duheshin prerë shkurt me plakun. Veçanërisht atë pasdite, ai s’kishte kohë për të humbur.

– Më thoni, ju lutem, cili është problemi juaj? – pyeti Bepja prerazi, për ta dekurajuar të moshuarin në filozofimet e tij të tepërta, të nxitura nga mosha.

– I nderuar zotëri, në vitin 1936 mbarova Fakultetin e Filozofisë në vendin tuaj dhe që nga viti 1940 nuk munda të kthehem më atje. Lufta e Dytë Botërore, burgu, pastaj internimi i gjatë, rrethimi i hekurt, sëmundjet, nuk më lanë. Oh, Zot, sa shumë e kam dashur atë vend. Sa miq, shokë e të dashur kam lënë atje. Për të madhen dashuri fatkeqe, zotëri, bëra mbi tridhjetë vjet burg. Më akuzuan për agjitacion e propagandë.

Bepja psherëtiu thellë, i mërzitur. Siç e kishte nisur, me atë detajizim patologjik të moshës a psikopatisë, plaku do të mbaronte së rrëfyeri kushedi kur.

– Pra, shkurt, ju kërkoni një vizë për në vendin tonë, kështu? – e ndërpreu Bepja, duke ia zbehur hovin plakut për një shpjegim të hollësishëm, të frymëzuar e të tejzgjatur.

– Si urdhëroni, zotëri! Vizë dua. Ka për të qenë e para dhe e fundit që do të më jepet. Sapo kam mbushur nëntëdhjetë e tre vjeç dhe vdekjen e kam fare pranë.

– Ju lutem, dokumentet, – iu drejtua Bepja prerazi.

– Ah, po. Ja tani, – foli plaku me një frymë, duke besuar në mrekullinë si në përralla, teksa nxitoi të nxjerrë nga xhepi i pasmë i pantallonave të vjetra pasaportën që, si për dreq, me cepat e mprehtë të saj qe ngatërruar e kishte ngecur në cohën e astarit.

“Oh, Zot! Ç’ma shpifi! Ç’m’u sajua ky plak matuf pikërisht sot, kur më shumë se në çdo ditë tjetër më duhet të përfundoj të gjitha punët në kohë”, – shfreu Bepja, duke e humbur durimin.

Më në fund, plaku e nxori pasaportën dhe me gishtërinjtë që i dridheshin, me siguri nga mosha, por ndoshta edhe nga sëmundja, u përpoq ta fusë në të çarën e harkuar të xhamtë. Bepja as që mori mundimin ta tërheqë dhe pasaporta ngeli në mes të së çarës, në një distancë thuajse të barabartë midis atij dhe plakut.

– Tjetër. Dokument tjetër, – ngulmoi Bepja.

– Nuk kam tjetër. Vetëm këtë kam. Pasaportën.

Bepja gati sa nuk vuri ulërimën për t’i thënë: “More plak i mjerë! Si guxon e të shkon në mend të marrësh vizë thjesht me një pasaportë të zakonshme shqiptare, të pavlerë?” Por u përmbajt. Vetëm sa nënqeshi hidhur, me sarkazëm.

– Pa shih mirë, në xhepa. Mos ke ndonjë dokument tjetër, le të themi, ndonjë garanci shokësh a miqsh, ose mbase një ftesë të mundshme.

I moshuari mohoi me kokë, krejt i sigurt.

– Jo, zotëri, veç pasaportës, s’kam gjësend tjetër. Jo. Nuk kam.

Bepja hapi duart, si të shprehte një keqardhje të thellë, kinse të sinqertë.

– Atëherë, zotëri i nderuar, më vjen keq, shumë keq më vjen. Deri më sot, nuk ka ndodhur kurrë të merret vizë për në vendin tonë vetëm me një pasaportë. Jo, jo. Nuk ka ndodhur dhe as që mund të ndodhë.

– Jam nëntëdhjetë e tre vjeç, zotëri. Nuk e kuptoj, ç’e keqe mund t’i vijë vendit tuaj të madh nga një i moshuar si unë që, të më falni, as edhe të pjerdhë s’ka fuqi? Ç’u bë që, pa zbritur nga vapori, se për më shumë s’kam fuqi e takat, të shoh edhe një herë portin e vjetër, farin gri e të lartë, shtëpitë e ulëta, të bardha, pulëbardhat, qiellin blu si askund tjetër, kodrinën e pishave rrumbullake, orën zvicerane të qytetit, katedralen e artë, të gjitha nga larg e, pastaj, të kthehem e le të vdes. Kam kujtime, shumë kujtime, zotëri, – thuajse klithi plaku me shpirt të vrarë poeti.

– Zbret apo nuk zbret në port, kjo është një çështje juaja. Unë s’u kontrolloj dot. Ama, vure këmbë në traget, duhet medoemos një vizë hyrëse. Përndryshe…

– Përndryshe, ç’u bë? Kiameti? More zotëri, në kohën e të lëvduarit mbretit Zog, sa herë më ngrihej, po, po, sa herë më ngrihej, nuk qe një lapsus, isha njëzet e dy vjeç atëherë, shkoja në portin e Durrësit, më vinin në çast vulën në pasaportë, pa më thënë një fjalë, e mund të udhëtoja në fund të botës, po të doja. Kurse sot, në vitin 2007, në Europën e lirë e të bashkuar, të marrin shpirtin derisa të të japin një vizë të qelbur për tri a katër javë dhe me detyrimin absurd, të kthehesh ditë më ditë, orë më orë.

– Qenë kohëra të tjera, zotëri i nderuar. S’kishte drogë atëherë, s’kishte rrëmbime njerëzish, trafik mishi të bardhë dhe fëmijësh, vjedhje, vrasje… Bota është bërë më e keqe.

– Diktatura e gjatë, që ju europianët patët fatin e madh të mos e provonit, ku edhe një fjalë mund të të kushtonte vite të tëra burgimi, ashtu si mua, izolimi i madh, e egërsuan dhe e prishën popullin, more zotëri. Nuk kemi qenë kështu, jo. Edhe besimin në perëndi na e vranë. E kur komunizmi ra, ende pa mbërritur mirë liria, na ngritën shpejt e shpejt, brenda natës, një mur goxha të lartë, si ai i Kinës dhe i vunë një emër kinez, gjithashtu. Shan Gai o Shen Gen. Po, po, Shen Gen, kështu më duket e pagëzuan e, gjer më sot, populli i thjeshtë, ama i thjeshti e jo horrat, kriminelët, vrasësit, hajdutët, kontrabandistët, trafikantët e prostitutat, s’po munden që s’po munden ta kapërcejnë dot lirshëm.

Bepja, për një çast, hodhi një vështrim të shpejtë mbi orën e dorës. Gati sa nuk i ra ballit me pëllëmbë. Oh, Zot, sa kohë kishte humbur me plakun. Kështu rrezikonte takimin e shumëpritur të pasdites me vajzën e re e të bukur.

– Zotëri, të më ndjeni. Ka ende shumë njerëz në pritje dhe më duhet të punoj intensivisht. Siguroni ndonjë ftesë nga universiteti juaj i vjetër ose garanci nga miqtë tuaj që, sikurse thatë, nuk ju mungojnë dhe ejani përsëri. Ju siguroj që do t’jua japim menjëherë vizën që kërkoni, – i tha Bepja me një frymë plakut dhe ngriu në çast, sikur dikush t’ia kishte prerë befas fillin e një energjie të padukshme që gjer atë kohë e mbante lidhur me të moshuarin. Taktikë e suksesshme e Bepes.

Ashtu si të tjerët më parë, edhe plaku e kuptoi se ishte çasti të linte sallën përpara se ta urdhëronin për këtë. Teksa psherëtin thellë e dridhet pareshtur, nis të dalë i mbështetur mbi shkopin me fund të gomuar. Kur kishte bërë më shumë se gjysmën e udhës dhe ende s’e kishte lënë sallën, Bepja vuri re se plaku kishte harruar të marrë pasaportën, e cila kishte mbetur gjithnjë atje, në hapësirën gjysmërrethore të sportelit.

– Zotëri, harruat të merrni pasaportën, – i thirri Bepja me zë të lartë nëpërmjet mikrofonit.

– Gjysh, pasaportën, – i bënë zë disa nga vizëkërkuesit e ulur në radhët e para.

Një vajzë adoleshente nxitoi drejt sportelit dhe mori në duar pasaportën.

– Gjysh, merreni. E harruat në sportel, – i tha vajza me një frymë, duke ia zgjatur plakut.

Plaku ndaloi së ecuri, u kthye paksa nga vajza, ofshau thellë si të mos ngopej mirë me ajër dhe mohoi me kokë, ndërsa nënqeshte hidhur dhe plot trishtim.

– Lëre atje, në sportel, o vajzë e mirë, se nuk më nevojitet. Nëse një pasaportë nuk vlen as sa për një vizë, dije, o bijë e gjyshit, se ajo nuk vlen për asgjë. Dhe, m’i thuaj atij zotërisë te sporteli se, sikurse u rrëzua Muri i Berlinit, edhe ky muri i madh kinez në mes të Europës, me emrin Shen Gen o Shan Gai, do të bjerë se s’bën një ditë. Kështu ndodh gjithnjë. Në fillim njerëzit përpiqen t’i kapërcejnë e t’i kalojnë muret e larta, pastaj vetëm t’i rrëzojnë e t’i sheshojnë. O bijë e gjyshit, ti dhe shokët e shoqet e tua do t’i rrëzoni të gjitha muret e ndarjes së madhe e pastaj të lumturit ju. Si unë dikur, do të shkoni lirshëm në porte e aeroporte dhe do t’u vënë vetëm një vulë të thjeshtë, një vulë për të gjithë botën. S’do të ketë më Shen Gen. Jo. Nuk ka për të pasur.

Post Scriptum

Tregimi “Shen Gen” natyrisht që do ta mërzisë, do ta shqetësojë dhe do ta indinjojë zotin Bepe. Nëpunësi burokrat dhe i korruptuar do të lusë rastin “fatlum” që autori të trokasë një ditë në sportelin e frikshëm të vizave që ai ta linçojë, ta terrorizojë e ta torturojë. Me siguri edhe më rëndë se akademikun B. P.

Për këtë shkak serioz, deri në momentin e shumëndërruar të liberalizimit të vizave nga BE-ja, autori preferon të mbetet anonim e të prezantohet thjesht me iniciale.

Juaji F.R.T.
Janar 2007
Marrë nga botimi i dytë i librit me tregime dhe novela
“Një natë jetë” (Onufri 2024).


Send this to a friend