VOAL

VOAL

Kurti: Do ta përgatisim padinë për gjenocid ndaj Serbisë

May 7, 2021

Komentet

Prishja e ndërtimeve pa leje- Tensione në Theth! Goditen me molotov fadromat e IKMT, policia në ndjekje të autorëve

Tensionet në zonën e Tethit vijojnë të përshkallëzohen ndërsa Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) po çon përpara aksionin për shembjen e ndërtimeve pa leje.

Raportohet se ditën e sotme disa persona të paidentifikuar kanë qëlluar me molotov fadroma të IKMT‑së si edhe urën kryesore të lagjes “Gjelaj”.

Menjëherë pas incidentit, forcat e rendit rrethuan zonën dhe kanë nisur kërkimet për autorët e dyshuar.

Po ashtu raportohet se forca nga FNSH janë nisur drejt Thethit nga kryeqyteti për të ndihmuar autoritetet. bw

Trumpi: Armët amerikane do të dërgohen në Ukrainë përmes NATO-s

Radio Evropa e Lirë

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë më 10 korrik se Shtetet e Bashkuara janë duke dërguar armë në Ukrainë përmes NATO-s, një javë pasi Pentagoni ka bërë të ditur që do të ndalojë së dërguari disa armë në këtë shtet të goditur nga lufta e Rusisë.

Trump ka thënë se do të bëjë një “deklarim të madh” për Rusinë më 14 korrik. Ai nuk ka dhënë më shumë hollësi në këtë aspekt, mirëpo ka folur për dërgimin e armëve.

“Po i dërgojmë armë NATO-s, dhe NATO-ja po paguan për këto armë 100%. Pra, çfarë po bëjmë është se armët që po nisen, po shkojnë në NATO, dhe më pas NATO-ja do t’i dorëzojë këto armë në Ukrainë dhe NATO-ja do të paguajë për këto armë”, ka thënë Trump në një intervistë për transmetuesin amerikan NBC.

Më herët gjatë javës, Trump ka thënë se do të kërkojë nisjen e disa armëve për mbrojtje për Ukrainën, pas komenteve negative të disa anëtarëve të Kongresit rreth njoftimit të Pentagonit, më 2 korrik, që disa armë nuk do të dërgohen, pas shqetësimeve se rezervat amerikane kanë rënë në mënyrë të konsiderueshme.

Trump duket se e ka përmbysur këtë vendim më 8 korrik, kur ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë armë për mbrojtje të Ukrainës, teksa intensifikohen sulmet ruse.

Ai, gjithashtu, është shprehur i zemëruar me presidentin rus, Vladimir Putin, duke thënë se po e shqyrton mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja ndaj Moskës.

Trump ka thënë se është duke e studiuar propozimin e senatorëve Lindsey Graham dhe Richard Blumenthal për vendosjen e sanksioneve dhe tarifave ndaj shteteve që mbështesin luftën e Rusisë, dhe masa tjera ndëshkuese për sistemin bankar të Rusisë.

“Besoj se do të bëj një deklarim të madh për Rusinë të hënën”, ka thënë Trump gjatë intervistës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje aleatëve që t’i përdorin “asetet ruse” për rindërtim të Ukrainës dhe ka kërkuar më shumë armë, investime dhe prodhim të përbashkët të armëve për mbrojtje.

Më 10 korrik, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka thënë se ia ka përsëritur homologut të tij rus, Sergei Lavrov se Moska duhet të jetë më fleksibile.

Dy diplomatët janë takuar në margjina të një samiti në Malajzi.

“Na duhet një plan veprimi për të ecur përpara për zgjidhje të këtij konflikti”, ka thënë Rubio, duke shtuar se administrata Trump është angazhuar me Senatin amerikan rreth asaj se si mund të duken sanksionet e reja ndaj Rusisë.

“Patëm bisedë të sinqertë. Ishte e rëndësishme”, ka thënë Rubio pas takimit në Kuala Lampur.

Ministria e Jashtme ruse ka thënë se Rubio dhe Lavrov kanë pasur “këmbim të sinqertë dhe substantial të pikëpamjeve të tyre”.

Rubio ka thënë se njoftimi i Pentagonit për dërgimin e armëve në Ukrainë është keqkuptuar, dhe që shumica e ndihmës amerikane nuk është ndalur kurrë për Ukrainën.

Ai e ka pranuar që Ukraina ka nevojë për më shumë sisteme Patriot dhe që disa janë “të qasshme në shumë shtete në Evropë, por askush nuk dëshirojë t’i ndajë me ta”, prandaj ka thënë se beson që situata do të ndryshojë.

Ai ka thënë se Rusia i ka humbur 100.000 ushtarë prej janarit, dhe që ata janë vrarë, nuk janë vetëm të plagosur.

Ukraina, sipas tij, ka humbur më pak ushtarë përgjatë asaj periudhe.

“Ndonëse shifra është më e vogël, megjithatë është e konsiderueshme”, ka deklaruar mes tjerash Rubio.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Osmani diskuton me zëvendëssekretarin Landau për bashkëpunimin ekonomik Kosovë – SHBA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau.

 

Radio Evropa e Lirë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar më 10 korrik me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau në Uashington për t’i diskutuar fushat potenciale për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve në të ardhmen.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Tammy Bruce, ka thënë se palët kanë shprehur bindje që “prosperiteti ekonomik dhe bashkëpunimi do t’i ndihmojnë Ballkanit Perëndimor që të largohet nga ndasitë e së kaluarës dhe të promovojë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajon”.

Osmani ka thënë përmes një postimi në Facebook se “Kosova qëndron krah për krah me Shtetet e Bashkuara për të ndërtuar kapituj të rinj të bashkëpunimit strategjik, në përputhje me vizionin e fortë të Presidentit Trump”.

Më 9 korrik, Osmani është takuar edhe me zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan, i cili pritet të vizitojë Kosovën në ditët në vijim.

Përmes një postimi tjetër në Facebook, Osmani ka thënë se bashkë me diplomatin amerikan kanë diskutuar për “thellimin e partneritetit strategjik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”.

“Kosova është e gatshme ta avancojë bashkëpunimin me SHBA-të në fusha kyç si mbrojtja, ekonomia, si dhe investimet strategjike me interes të ndërsjellë”.

Në kuadër të vizitës së saj në Uashington, Osmani ka mbajtur edhe një ligjëratë në një institut, përgjatë së cilës ka thënë se ka “informacione të besueshme” se presidenti amerikan, Donald Trump, ka parandaluar së voni mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.

“Ai (Trump) është shumë i qartë në deklaratën e tij se po flet për javët e fundit”, ka thënë presidentja Osmani, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për zhvillime të vitit 2023 apo 2020, por “për zhvillime shumë, shumë të vona”.

“Ndaj, nuk duhet ta mohojmë mundësinë, sepse ka ndodhur më parë”, ka thënë Osmani, duke iu referuar sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit më 2023, kur një grup serbësh patën sulmuar Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në fjalën e saj, presidentja Osmani paralajmëroi se rreziqet nga Serbia janë të vazhdueshme dhe se ato nuk duhen nënvlerësuar.

Sipas saj, presidenti Trump ka bërë gjithçka që është në fuqinë e tij deri tani, për të siguruar ruajtjen e paqes në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Duke folur për takimet që po zhvillon në SHBA dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, Osmani ka thënë se administrata e presidentit Trump ka ide të reja për t’i forcuar më tej ato.

“Ne duam të ulemi me partnerët në këtë administratë për t’u shpjeguar se si Kosova ka këtë potencial. Kjo, natyrisht, është në interes të popullit tonë, në interes të vendit tonë dhe në interes të rajonit tonë. Por, në të njëjtën kohë, kjo përputhet me prioritetet e administratës Trump për ta bërë Amerikën më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë”.

Sipas saj në takime me zyrtarët amerikanë, nuk është diskutuar për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë – “për herë të parë pas shumë vitesh”.

“Kemi folur për Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara. Për herë të parë, nuk kemi folur për Serbinë. Perfekt. Ishin biseda perfekte”, ka deklaruar Osmani, pa hyrë në shumë detaje.

Shtetet e Bashkuara kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën prej vitit 1998.

Udhëheqës shtetërorë kosovarë e përsërisin shpesh që Amerika është partnerja më e rëndësishme e Kosovës dhe se mbështetja e saj është jetike.

UGSHPD: EDHE AEROPORT DO TË SHTRONTE RAMA NË THETH,  NË QOFTË SE PRONA PRIVATE NUK DO TË ISHTE ATY PREJ BREZASH

 
 
Më 30 Qershor, 2024 kryeministri Rama vizitoi Thethin nga ku ndau 200 tituj pronësie dhe 90 të tjerë i la në proces plotësimi.
Kuptuar shkurt ishin 290 familje. Pa e dhënë përbërjen numerike më të vogël të secilës familje, pa frikë shifra mund të rrumbullakoset në mbi 1000 malësore dhe malësorë të Thethit.
Por ajo që ndodhi nga llogaritë e mbrapshta të rilindësve socialistë gati një vit para zgjedhjeve të 11 Majit, 2025  dhe  andej nga u shty e u fry gjatë 2024-ës me propagandë në çdo turne takimi me shqiptarët në emigracion për të rrëmbyer interesimin e votës së diasporës, në vëmendje ishte euro (€), ishte thithja e investimeve nga diaspora shqiptare në vendlindje. 
 
Tonet me patos patriotik të kryeministrit në se ju kujtohen ishin mburrja dhe “garancia” se ai kishte bërë shtet. Dhe me të vërtetë shtetin e samiteve Rama e ka bërë por edhe administratën shtetërore që u shit ngado në diasporë mes emigrantëve shqiptarë ai e kishte me vete. Fatkeqësisht punëtorë dhe kursimtarë njëkohësisht bashkatdhetarët e diasporës kanë llogari bankare nëpër botë dhe stoku i kursimeve të diasporës në kontinentin Evropian përllogaritet nga 19-20 miliardë €. Kur flitet për investime në turizëm nga vendasit si  p.sh ajo e Thethit, sipërmarrja e shtetit dhe futja mes interesave ngjan me një skemë piramidale të zhvatjes e cila do të përkeqësojë gjithshka në qoftë se nuk gjindet vullneti, mjetet dhe rrugët për të ndërhyrë. Sot jemi përpara faktit që qeveria mashtroi për interesa politike duke i premtuar shqiptarëve në diasporë se kishte ardhur koha “të investonin në tokën e të parëve” në këmbim të votës.
Vetëm me këtë këndvështrim ne mund ta analizojmë shkatërrimin e pronës në Theth, ku gjatë tre ditëve zhvillohet të një aksioni të IKMT-s me urdhër të kryeministrit Rama dhe ku po ndodh shkatërrimi i objekteve të ndërtuara, por jo ende transparenca mbi titujt e pronësisë dhe kritereve të lejuara për zonat e mbrojtura të arkitekturës apo edhe se çfarë lëndësh materiale mund të shpëtoheshin vetë thjeshtë për rrugën dhe koston e shpenzimeve të transportit për të arritur deri në ato gjerësi gjeografike.
Njohja, parandalimi dhe komunikimi paraprak për strukturat ndërtimore të lejuara në zonat e mbrojtura duket se nuk është ndjekur që prej 30 Qershorit, 2024 kur vetë Rama ishte në Theth dhe ndau  jo vetëm 200+90 tituj pronësie, por foli për  falje gjobash, turizëm elitar dhe plot mbikëqyrje dhe përgjegjësi që shteti do të kishte çdo ditë.
 
Dredhia me informacionin historik, kulturor dhe të traditësishte mënyra për të ardhur tek  shitja e “Paketës” (Paketës së maleve), si koncepti i zhvillimit të qendrueshëm dhe në harmoni me natyrën, malësoreve dhe malësorëve në Theth ku atyre ju treguan nga rilindësit socialistë fillimisht vlerat shekullore të trashëgimisë se sa mikpritës ata janë dhe se sa i mirë do të jetë zhvillimi i turizmit jo vetëm aty, por në të gjithë Veriun e Shqipërisë ku ndodhen Alpet.
Këtë e thanë kryeministri Rama, kryetari i bashkisë Shkodër Beci, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Kumbaro dhe arkitektja Fiona Mali nga Commonsense Studio.
Përse i duhet mëshuar kësaj?
I duhet mëshuar për kujtesën dhe për faktet kur pikërisht qeverisja dhe projektet duan të flasin si në rastin e arkitektes Fiona:-” …për ekuilibrin e natyrës dhe komunitetit përmes ekspertizave shumë disiplinore dhe njohurive të mbledhura në vite”.*
Benet Beci kryetari i bashkisë Shkodër tregonte mbi një vit më parë se:-Nga këndvështrimi i bashkisë Shkodër desha me nda me ju se një pjesëz të zhvillimit rajonal. Gjithë Shkodra në tërësinë e saj është si një mozaik ku gurët e çmuar të pjesës së Shkodrës duhet të vijnë të gjitha bashkë dhe të gjitha bashkë të japin produkt turistik për gjithë rajonin e Shkodrës siç është Thethi dhe se si kemi ndërhyrë në Theth me gjithë ato investime shumë të menduara duke nisur që nga rruga e Dukagjinit, duke u nisur nga infrastruktura e brendshme, pronat, janë pjesë e një pakete te mirëmenduar e cila nuk rrin vetëm brenda Thethit, kjo është e lidhur me gjithë pjesët e tjera të Shkodrës. Sepse interesi jonë është që ta bëjmë produktin turistik të madh”. *
Se sa të mëdha janë interesat dhe sa i madh është produkti turistik, kjo duhej vlerësuar nga fjala e ministres Kumbaro kur pronarëve që sapo morën tapitë u tregon se:-Nuk është vetëm Thethi, Shkodra por shkojmë deri në Tropojë duke dyfishuar hapësirën e Parkut Kombëtar. Qeveria pak muaj më parë bëri një rishikim falë kërkesës që vinte nga kryebashkiakët, deputetët e rishikuan LZM* për të krijuar mundësi të tjera zhvillimi. Atë që e quajmë zhvillimi i qendrueshëm. Thethi ndoshta në mënyrë intuitive falë traditës dhe talentit falë edhe çfarë trashëgimie ju kanë lënë të parët filluan ta bëjnë. Tani puna është që ta bëjmë me rregulla. Prandaj ZM të cilat patjetër duhet t’i mbrojmë, nuk e kemi justifikimin të ndërtojmë pa leje, por në komunikim të përbashkët të bëjmë më të mirën, që shtëpia dhe turizmi të respektojnë malet, natyrën, lumin. Vetëm kështu ne mund të krijojmë një atraksion turistik siç ka filluar tashmë. dhe shumë shpejtë do të rishikojmë bashkë me studimin që do të bëjë bashkia edhe gjithë ZM për të parë në mënyrë shumë të qartë: “Ku mund të bëhet çfarë” dhe me KKMT çdo projekt dhe ëndërr e juaja për ta kthyer shtëpinë në një pikë turistike do të kthehet në një projekt real. Të gjitha ecin në një projekt të përbashkët: marrja e titujve të pronësive, respektimi i rregullave se si të respektojmë malet bashkë me shtëpitë se si të përmirësojmë mundësinë për të pritur turistë dhe ndoshta ajo që nuk u tha dhe më lejoni ta them se duke marrë certifikatat e pronësisë do të merrni kategorizimin për bujtinat. Duke marrë kategorizimin për bujtinat TVSH-ja që shkon normalisht 20% ju shkon në 6%. Duke marrë certifikatën për agro-turizëm taksat shkojnë në 5% dhe 0%. Këto mundësi janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe vetëm ky zinxhir që qeveria e ndërton nga pushteti vendor, tek agjencitë dhe te ju si investitorë bën atë që Thethi për 4-5 vjet  do t’ia kalojë nuk po them Gjirokastrës. Por do të jetë një pol fantastik si të gjithë polet e tjera fantastike turistike të Shqipërisë. Faleminderit për besimin dhe bashkëpunimin!”.*
Pra atë që “qeveria pak muaj më parë bëri një rishikim falë kërkesës që vinte nga kryebashkiakët, deputetët e rishikuan LZM për të krijuar mundësi të tjera zhvillimi”
pronarët me gjithë premtimin e zbutjes së taksave nxituan për të gjetur brenda një viti burime financiare dhe investuan e ndërtuan me mirëbesim pasi vetë kryeministri Rama u tha atyre se:-“…ashtu sikundër tani prezantuam këtë vizion, nuk është një projekt i përfunduar dhe dua ta falënderoj Fionën. Fiona është zëri që dëgjuat i arkitektes, e cila punon ngushtësisht bashkë me ekipin e saj me Benetin në Bashkinë e Shkodrës. Kanë bërë një projekt shumë të bukur për Zdralen në Shkodër. Ky është një tjetër projekt dhe ndërkohë është koha që ne t’i vendosim gjithë këtij territori, jo vetëm Thethit mbi kokë një arkitekt që të ndjekë punët, të monitorojë sesi zhvillohen gjërat, të bashkëpunojë me ju, të bashkëpunojë me studiot e ndryshme që ju merrni për të bërë projektet në mënyrë që gjërat të bëhen sa më mirë”. *
Pra që dikush do të mbikqyrte zhvillimin, individ, agjenci, institucione etj., pra kjo garanci e vetë kryeministrit e shprehur në këtë mënyrë janë prova dhe fakti që banorët pronarë të Thethit të mos i godiste papritur fadroma.
Dikush mund të justifikohet edhe me atë që pushteti vendor dhe qendror apo agjencitë janë shprehur qartë, por banorët e Thethit nuk e kanë kuptuar. Ndaj për atë pjesë të opinionit shoqëror që e mendojnë të tillë raportin e shtetit me pronën private e ta lëmë edhe kështu.
Por për një pjesë tjetër që tregojnë me gisht nga shteti, institucionet, organizatat mjedisore, mediat etj. faktet dhe realiteti në këto 12 vite korrupsioni prej qeverisjes flasin ndryshe.
Një shembull sqarues. Në qoftë se gjeografia dhe historia nuk mësohet si dhe sa duhet në shkolla për nxënësit, kjo padituri nuk mund të luhet me malësorët dhe malësoret trashëgues të drejtpërdrejtë të pronave. Nuk mund t’ua marrësh atyre mendjen me informacione enciklopedike apo edhe me inflacionin e një fjalori thellësisht politik e propagandë, sepse janë ata të cilët janë lidhur ngushtë me tokën, pronën, pyjet, blegtorinë dhe gjithshka nga puna e tyre mund të jetë kujdes edhe për turizmin si një tjetër veprimtari që ata mund ta zhvillojnë më tej pronën dhe rrisin mirëqenien pa imponimin e shtetit.
Ndërsa e konceptuar si një ide e kryeministrit-shtet e vetëm si një projekt mbi territor dhe mbi një popullsi autoktone që do ta ketë peshën e industrisë së  turizmit me gjithë pasojat që ajo sjell, jeta e malësisë pavarësisht se shteti e lehtëson në dukje me përmirësimin e infrastrukturës dhe të burimeve të energjisë ajo nuk mund të jetë e mjaftueshme në thelb për vendasit e lidhur me pronën.  Janë  pikërisht vendasit ata që janë të interesuar për zhvillimin dhe po ashtu për trashëgiminë. Jeta malësorëve dhe malësoreve të Thethit nuk është zbatim idesh prej nga shpiken projekte dhe ku lehtësisht gjinden fonde e bëhen eksperimente mbi popullsinë.
Në qoftë se sot sheh nga partia shtet një interesim ndryshe, kjo ka të bëjë me burimet e pashfrytëzuara të përfitimeve në Shqipëri që vuan nga mungesa e një sistemi demokratik dhe shteti ligjor me institucione të pavarura. Në qoftë se do të shkonim vetëm 35-40 vite më parë në kushtet e një sistemi socialist që po rrënohej nga e keqja e ideologjisë, rilindësit e sotëm socialistë janë ajo elitë nepotike që majat e alpeve të Shqipërisë, fshatrat e largëta dhe zonat e thella dikur i nën çmonin duke i quajtur si gjerësi gjeografike të territorit shqiptar, atje “ku harta varej në gozhdë”.  Ose ajo kohë e diktaturës komuniste kur edhe peizazhi i natyrës filtrohej politikisht dhe Thethi mund të ishte një kartolinë, por pa Kishën dhe Shkollën bashkë të malësisë ku meshoi At Shtjefën Gjeçovi. Pra në kohën kur kryeqyteti apo edhe ndonjë qytet sezonal pushimesh qoftë i klimës malore apo bregdetare ashtu sikurse e gjithë Shqipëria e izoluar nga bota ishte e mbërthyer nga një krizë ekonomike e skajshme dhe me një varfëri ushqimore ku gjithshka ishte e racionuar (me tallon). Në atë kohë Thethi dhe alpet ishin mrekullitë e paarritshme për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe shërbimeve. E megjithatë, malësorët dhe malësoret jetonin në trojet e të parëve me pronën e munguar 40-50 vjeçare, duruan atë diktaturë sikurse përcollën edhe 35 vite të tranzicionit, por këtë koritje (turpërim/fyerje), nga marrëdhënia me shtetin nuk e kanë pritur kurrë.
E parë në tërësi, fushatat politike të ngritura mbi premtime dhe transaksione trojesh dhe pronash në një kohë kur shkalla e shpopullimit dhe mplakja e popullsisë janë theksuar ndjeshëm, atëherë ardhmëria e një kombi është në rrezik. 
Aq në kohë ishte kjo parapërgatitje që filloi me Thethin, sa që propaganda dhe zhurma mediatike nuk i la  fare rradhë njerëzve të interesuar të kuptonin se  Paketa e Maleve” nuk do të ishte ai muri që rrëzohej natën si në legjendën e Rozafës për kalanë e Shkodrës. Ai nuk do të ishte as shembja e piramidave të interesit monetar dhe shkëmbimit të vlerave materiale dhe të punës mes banorëve në malësi. Por më e rënda do të ndodhte, shembja forcërisht e objekteve të ndërtimit mbi pronë, që të rrënon ekonomikisht për të mos e marrë më veten dhe që më keq në qoftë se do të kërkosh të vazhdosh të jesh i lidhur me pronën dhe i pa neveritur ende se çfarë ke pësuar do të kuptosh se je produkti narko-ekonomik i formës së qeverisjes dhe i një shteti që ka dalë nga vota e dhunuar.
Më 26 Mars, 2025 “të investosh në tokën e të parëve”* ose “Paketa e Maleve” u bë e njohur si një nismë dhe një thirrje nga kryeministri Rama, ministri i ekonomisë, kulturës dhe inovacionit, Blendi Gonxhe, ministri e shtetit për pushtetin vendor, Arbjan Mazniku, kryetari i bashkisë së Shkodrës Benet Beci dhe kryetarët e bashkive të zonave veriore të vendit mes sipërmarrës biznesi. Në harkun e nëntë muajve kupton qartë se ligjet klienteliste janë në gjendje të zbulojnë atë që në zhargonin e grabitjes së zonave të mbrojtura quhet “njolla ekzistuese”. Më pas “njollat ekzistuese” krijojnë VKM-t dhe partia politike narko-ekonomike vepron fillimisht duke goditur traditën e pronës private dhe popullsinë autoktone. 
Kuptuar përmes një shembulli, pavarësisht thepisjes dhe terrenit malor në qoftë se  Thethi do të kishte një pistë avionësh, njollë ekzistuese pronë të shtetit aty me kohë do të ishte ngritur një aeroport dhe qytezë mini Davos për samitet ndërkombëtare globaliste të Ramës.
Ajo që po ndodh më pas me parti-shtetin pas zgjedhjeve të 11 Majit është se veprimtaritë e biznesit të vogël në linjën e turizmit me anë të presionit të pushtetit shkojnë drejt të kooperativizimit, drejt ofertës së PPP-ve duke rrënuar vlerën dhe çmimin e pronës.  Dhe së fundmi me kamuflazhin “lirimi i Hapësirave Publike” dhe “Tokë e xanum” sikurse koncepti fashist i dhunshëm janë një infeksion që shpie në kriminalizimin dhe shkatërrimin e asaj harmonie të marrëdhënies qindravjeçare të vendosur nga banorët malësisë.
Kjo ndërhyrje e shtetit është taktikisht faza e parë e shtetëzimeve që drejtpërdrejt prishin normat, traditat dhe vetë miqësitë ndër njerëzit në zonat që ata mund ta zhvillojnë turizmin.
___________________
Theth-30 Qershor, 2024 Jo vetëm tituj pronësie, po edhe një projekt i ri për Thethin e së nesërmes
Fiona Mali – arkitekte- Commonsense Studio
Benet Beci – kryetari i bashkisë Shkodër Benet Beci
*Mirela Kumbaro – ministre e Turizmit dhe Mjedisit 
*Edvin Rama – kryeministër
*Kalaja Rozafës-Shkodër, 26 Mars, 2025 “të investosh në tokën e të parëve” 
10 Korrik, 2025
 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Gjermania e gatshme të paguajë për sistemet amerikane Patriot për Ukrainën

Ushtarë gjermanë të caktuar në Flotën e Mbrojtjes Ajrore dhe Raketore të Sipërfaqes Nr. 1 qëllojnë me sistemin e armëve Patriot në Instalacionin e Qitjes me Raketa të NATO-s, në Hania, Greqi, më 8 nëntor 2017.

 

Radio Evropa e Lirë

Gjermania synon të blejë sisteme të mbrojtjes ajrore, Patriot, të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara, për t’ia dërguar Ukrainës, tha të enjten kancelari gjerman, Friedrich Merz.

Ukraina po kërkon me ngulm dhe nguti mbrojtje më të fortë ajrore përballë sulmeve të shpeshtuara dhe rritura nga Rusia me raketa dhe dronë.

“Bisedova për këtë me presidentin [Donald] Trump të enjten e kaluar dhe gjithashtu i kërkova atij ta furnizojë [Ukrainën] këto sisteme”, tha Merz gjatë një konference në Romë për rindërtimin e Ukrainës.

Ministrat e mbrojtjes të të dyja vendeve po bisedojnë për një marrëveshje të mundshme, por ende nuk është marrë ndonjë vendim përfundimtar, tha Merz.

Merz theksoi se SHBA-ja ka nevojë për disa nga sistemet Patriot për mbrojtjen e vet ajrore, pa treguar se sa sisteme Patriot saktësisht synon t’i blejë Berlini.

Megjithatë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tregoi më vonë se Gjermania është pajtuar të paguajë për dy sisteme Patriot.

“Gjermania është e gatshme të paguajë për dy prej tyre, tashmë ka një marrëveshje”, tha Zelensky në Romë.

Sipas tij, edhe Norvegjia është zotuar të blejë një tjetër sistem Patriot dhe ta dërgojë në Ukrainë.

Këtë javë, Trump, duke shprehur pakënaqësinë e tij me mungesën e vullnetit nga presidenti rus, Vladimir Putin, për t’u përfshirë seriozisht në bisedime për paqe, tha se kishte miratuar një furnizim me armë mbrojtëse për Ukrainën.

Ai shtoi më pas se kërkesa e Ukrainës për sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore Patriot do të shqyrtohet.

Gjermania, e cila gjithashtu përdor sistemet Patriot, ka furnizuar Ukrainën me disa sisteme të mbrojtjes ajrore, por Patriotët konsiderohen si më modernët dhe më efektivët.

Patrioti është i aftë të shkatërrojë avionë, raketa balistike dhe raketa lundruese në një largësi rreth 100 kilometra dhe në një lartësi deri në 30 kilometra.

Më herët, Merz premtoi mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën gjatë takimit dyditor në Romë, i cili kishte për qëllim diskutimin e mënyrave për të financuar rindërtimin ndërkohë që sulmet ruse vazhdojnë.

“Mbështetja jonë për vendin tuaj është e palëkundur”, i tha Merz Zelenskyt, i cili gjithashtu mori pjesë në mbledhjen e aleatëve të Kievit në kryeqytetin italian.

Duke iu drejtuar Putinit, udhëheqësi gjerman deklaroi: “Nuk do të dorëzohemi”.

Osmani në SHBA: Trump parandaloi një përshkallëzim të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë

Radio Evropa e Lirë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ka “informacione të besueshme” se presidenti amerikan, Donald Trump, ka parandaluar së voni mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.

Osmani theksoi se kjo ka ndodhur “së voni”, përkatësisht këtë vit, por nuk dha më shumë detaje.

“Nuk po flasim për vitin 2023”, tha ajo, duke iu referuar kohës kur ka ndodhur sulmi i armatosur në Banjskë pranë Zveçanit.

“Meqë ka ndodhur më parë, parandalimi është kyç”, tha Osmani gjatë në ligjërate në Uashington.

“Nuk mund ta mohojmë mundësinë, sepse ka ndodhur më parë”, shtoi ajo.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka përmendur disa herë ndërmjetësimin e tij në raportet mes Kosovës dhe Serbisë si shembull të rolit të SHBA-së në parandalimin e konflikteve.

Kosova dhe Serbia, gjatë mandatit të parë të presidentit Trump, në shtator të vitit 2020, nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë Marrëveshjen e Uashingtonit për normalizim ekonomik, në praninë e tij.

Kjo marrëveshje, e cila përfshinte edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar në tërësi.

Lajmi po përditësohet…

Amarildo është 13 vjeç Nga Osman Stafa

Amarildo është 13-vjeç.

Ai e ka nisur punën 9-vjeç.

Ai shet kalli misri të pjekur në plazh.

Kjo është vera e katërt që ai punon.

“Punoj të mbaj familjen”, me tha.

“Lodhem, është shumë vapë, por ama duhet të punoj verës për të mbajtur familjen. Jam nga Dibra, por jetoj në Manzë. Jam i punësuar. Për çdo kalli misri që shes, fitoj 3 qind lekë (të vjetra). Ndërsa kalliri është 2 mijë lekë.

Ty të kam parë në tik tok, ti mbledh tapa për të ndihmuar njerëz. Ti je gazetar apo jo?”.

I drejtohem me të qeshur.

“Boo, po mendoja se duke qëndruar pa kapele në plazh, s’do më njihnin, por qënka mision i pamundur”. 😅

Unë: A je i kënaqur me pagesën?, e pyes.

Ai: “Mirë. Fitoj më shumë në fundjavë. Kështu 10-15 mijë lekë dita më del. Dhe këto para janë shumë të rëndësishme për familjen time. Nuk ia dalim dot ndryshe”.

Unë: Por t’i s’po jeton fëmijëri në verë, të shkosh në plazh, të kënaqesh. A nuk mërzitesh kështu.

Ai: E vërtetë, por a ka lumturi më të madhe sesa t”i bëhesh krah familjes? Ndoshta s’bëj pushime gjatë verës si bashkëmoshatarët e mi, por ama rrobat në shtator, i blej me lekët e mi. Ndoshta djersij, e bëhem qull nga djersët, por mendoj sakrificën e prindërve të mi, dhe nuk ndjej më gjë.

VIDEO- Përplasja me forcat e policisë – Gruas në Theth i bie të fikët, policët ngelizhojnë t’i japin ndihmë…

Në Theth, fadromat vijojnë aksionin për shembjen e objekteve të ndërtuara pa leje nga banorët. Mirëpo, që nga dita e djeshme forcat e IKMT dhe Policisë janë ndeshur me kundërshtinë e banorëve të zonës.

Në një video të siguruar nga SYRI nga ndërhyrja e kësaj të enjteje, shihet një banore e cila kundërshton shembjen e objektit në pronësi të pas.

 

E penguar nga forcat e policisë, ajo u kërkon këtyre të fundit të mos e prekin…

Pak sekonda më pas, gruaja bie pa ndjenja në tokë. Mirëpo, ajo që bie në sy është neglizhenca e punonjësve të policisë, të cilët edhe pse pranë saj ngurojnë t’i japin ndihëm e parë.

Pranë gruas afrohen banorë e familjarë të saj, të cilët nxitojnë për t’i dhënë ndihëm.

Kujtojmë që prej pak ditësh, në THETH kanë mësyrë fadromat e IKMT, pas urdhrit të dhënë nga Rama për shembjen e objekteve që janë ndërtuar në shërbim të turizmin.

BIRN: Parlamenti Evropian kundër Aeroportit të Vlorës dhe HEC-it në Skavicë: Projekte që dëmtojnë mjedisin

Rezoluta e Parlamentit Europian për procesin e zgjerimit thekson nevojën për tërheqjen e ligjeve dhe projekteve kontroverse që cënojnë mjedisin dhe biodiversitetin në Shqipëri.

Rezoluta më e fundit e Parlamentit Europian lidhur me procesin e zgjerimit – specifikisht mbi progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor – dërgoi një sinjal të qartë lidhur me masat për mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit në Shqipëri, të cilat sipas BE-së janë të panegociueshme kur bëhet fjalë për procesin e integrimit.

Sipas eurodeputetëve, Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të mbrojtur trashëgiminë natyrore, duke përfshirë edhe qytetarët në vendimarrjen mjedisore, sipas detyrimit për t’ju përmbajtur konventave ndërkombëtare të Aarhus dhe Espoo.

“Teksa negociatat intensifikohen, progresi në mbrojtjen e mjedisit duhet të vendoset në qendër të reformave të këtyre vendeve,” u shpreh Viktor Berishaj, oficer i politikave në organizatën mjedisore gjermane EuroNatur.

Në vitet e fundit, organizatat mjedisore kanë kritikuar ashpër ndryshimet ligjore që prekin zonat e mbrojtura në Shqipëri, si edhe projektet kontroverse si Aeroporti i Vlorës në peizazhin e mbrojtur Vjosë-Nartë apo planet e hidrocentraleve në Vjosë dhe Skavicë.

Edhe pse përshëndeti vendimin e shpalljes së Vjosës Park Kombëtar, Parlamenti Europian i bëri thirrje Shqipërisë të tërheqë ligjet dhe projektet kontroverse që rrezikojnë mjedisin.

Rezoluta e Parlamentit Europian shpreh shqetësime lidhur me ndryshimet e fundit ligjore përsa i përket Ligjit për Zonat e Mbrojtura në Shqipëri, që sipas tyre i hap rrugën infrastrukturave të mëdha turistike në zona të ndjeshme ekologjike.

“Deputet e PE bënë thirrje që këto ndryshime ligjore të tërhiqen menjëherë në mënyrë që të sigurohet një përputhje me standardet mjesdisore të BE-së”, shkruhet në një përmbledhje të rezolutës të publikuar nga organizata EuroNatur.

“U bëhet gjithashtu thirrje autoriteteve shqiptare të menaxhojnë habitetet për speciet e rrezikuara, në vecanti Rreqebullin e Ballkanit, dhe të heqin dorë nga planet për hidrocentralin e Skavicës mbi lumin Drin, që do kishte pasoja të mëdha ekologjike dhe sociale sipas tyre”, citohet më tej në përmbledhjen e rezolutës lidhur me mjedisin.

Dokumenti vë në pah gjithashtu shqetësimin lidhur me ndërtimin e Aeroportit te Vlorës në peisazhin e mbrojtur Vjosë-Nartë.

Gabriel Schwaderer, drejtues ekzekutiv i organizatës mjedisore EuroNatur u shpreh se është pikërisht koha që qeveria shqiptare të tregojë sa seriozisht e ka marrë anëtarësimin në Bashkimin Europian, duke marrë parasysh kërkesat për mbrojtjen e mjedisit.

“Ne mbështesim fuqimisht mesazhin e Parlamentit Europian për Shqipërinë. Qeveria duhet të tregojë seriozitetin lidhur me anëtarësimin në BE, duke ndaluar projektet që shkelin ligjet e mbrojtjes dhe që dobësojnë ruajtjen e zonave të mbrojtura”, tha Schwaderer.

“Progresi në negociata është i mundur vetëm nëpërmjet progresit konkret në mbrojtjen e natyrës”, vijoi ai.

Rezoluta thekson se mbi të gjitha këto masa kanë si qëllim mbrojtjen e trashëgimisë natyrore të vendit, dhe jo sakrifikimin e saj për zhvillime të përkohshme./Reporter.al

Shqipëria po plaket, grup-mosha mbi 60 vjeç zuri një të tretën e popullsisë më 2024

Trendet demografike po përkeqësohen nga viti në vit, me rënie të fortë të popullsisë së re në moshe dhe rritje të numrit të pensionistëve.

Të dhënat më të fundit nga INSTAT për vitin 2024 tregojnë një rritje të konsiderueshme të numrit të qytetarëve mbi moshën 60 vjeç, ndërkohë që numri i përgjithshëm i popullsisë është me rënie.

Grup-mosha mbi 60 vjeç ka arritur në 691,788 persona, ose 30% e popullsisë totale prej 2.36 milionësh më 2024. Vetëm një vit më parë, në vitin 2023, kjo përqindje ishte 28.15%, ndërsa popullsia mbi 60 vjeç përbëhej nga 673,037 persona. Në vitin 2011 popullsia mbi 60 vjeç ishte sa 15% e totalit të popullsisë.

Në grup- moshën 65–69 vjeç, janë shtuar me mbi 5,800 persona në vitin 2024 në krahasim me 2023. Në grup-moshën 75–79 vjeç, ka rritje prej më shumë se 7,300 personash.

Grup-mosha mbi 85 është rritur nga 36,840 mijë në 2023 në 39,996 mijë, një tregues i rritjes së jetëgjatësisë.

Në të kundërt, popullsia e përgjithshme u tkurr me mbi 27 mijë banorë në vetëm një vit, nga 2,390,942 në 2,363,314 me rënie 1.2 %, ndërsa grup-mosha 0-29 vjeç u tkurr tre herë më shumë me 30 mijë persona ose mbi 4%.

Me një numër më të madh pensionistësh dhe një numër potencialisht më të ulët kontribuesish (për shkak të emigrimit dhe rënies së lindshmërisë), qëndrueshmëria financiare e skemave të pensioneve është në pikëpyetje, ndërsa sistemi shëndetësor do të përballet me ngarkesë.

Ekspertët paralajmërojnë se në mungesë të politikave të qarta për përballimin e plakjes, Shqipëria mund të përballet me pasoja të pakthyeshme në zhvillimin e saj ekonomik dhe social. Ndër masat që rekomandohen janë nxitja e lindshmërisë përmes mbështetjes për familjet, kthimi i emigrantëve të rinj dhe investime në teknologji dhe kujdes për të moshuarit.

Shqipëria është tashmë në fazën e tranzicionit demografik drejt një shoqërie me përqindje të lartë të të moshuarve. Politikat publike duhet të përshtaten me këtë realitet të ri, duke garantuar mbrojtje sociale për të moshuarit dhe një sistem ekonomik që e përballon këtë tranzicion./ Monitor

UGSHPD: ME JU QESHËM,NDAJ JU DESHËM (Farsa e premtimeve të rilindësve)

 
 

Qytetarja e Vlorës Katina Thanasi ka qenë 70 vjeçe kur Rama u bë kryeministër dhe ringjalli tek  vlonjatët edhe Ismail Bej Qemalin, thuhej në bisedat që ushqenin ndryshimin dhe zhvillimin e qytetit jugor të Shqipërisë.

Tani pas tre mandateve zonja Thanasi 82 vjeçare dhe gati 22 vite diferencë me kryeministrin, rend në sheshin thuajse bosh përpara Bashkisë duke thirrur “Edi…Edi… Mos ik Edi…”.
Thirrje me gulçe shkaktuar nga  shtyrja e truprojave, pasi në atë pik-vape të mesditës me grykën e tharë nga mungesa e ujit dhe tymi ne atmosfere i plehrave qe Vlora djeg çdo behar, ajo duhej të vraponte e të thërriste njëkohësisht për t’i tërhequr vëmendjen kreut të qeverisë se mbase po ta dëgjonte do t’ia kish zgjidhur disi shqetësimin që kishte mbi dy vite që ajo ankohej.
Falë YouTube-it dhe jo edicioneve të lajmeve duke e rikthyer shikimin e ngjarjes, dinamika e zhvillimit të skenave në më pak se 100 metra të krijonte mospërfilljen dypalëshe.
I pari ishte ai qe kryeministri as shihte dhe as dëgjonte për interesin e tij, por edhe qytetarja Thanasi që nuk ishte e vetme në atë lloj zgjidhje situate për t’u dëgjuar nga ana kryeministrit.
Truprojat dhe punonjës të administratës u bënë pengues edhe për dy qytetare të tjera të moshuara që i kishin zënë “pusi” kryeministrit. Ishte ndoshta kjo shmangie dhe shtytje që e bënë 82 vjeçaren të thërriste e në atë mënyrë dhe të bëhej e dëgjueshme nga distanca për kryeministrin.
“Çfarë ke ?! çfarë ke… çfarë ke që bërtet”- ishte reagimi I kreut te shteti.
Për një qytetare diku tjetër nga ekrani përgjigja u kuptua.
Ky njeri ka nisur “Fushatën e re te lirimit të hapësirave publike”, me aksionin politiko administrativ që ka ndërmarrë pas zgjedhjeve që ende nuk e kanë dhënë rezultatin përfundimtar. Kjo gjithnjë e më shpesh po i bashkëngjitet pandershmërisë së garës dhe farsës* zgjedhore duke prodhuar pas tyre një shtet mashtrues dhe komik, një shtet absurd i cili i bën veprimet hapur dhe nuk arrin të mbulohet dot as nga mediat pranë qeverisë.
Farsa si zhanër i teatrit ka dalë vetë me gjithë përmbajtjen në rrugë.
Ka nisur prej sheshit të Vlorës, aty ku pak më tutje ndodhet edhe muralja e “Parodistëve të Vlorës” me diçiturën; “Me ju qeshëm Ndaj ju deshëm”.
Një farsë që po Vazhdon me Fierin, Durrësin dhe ka mbërritur në Theth si shfaqje politike e stinës dhe e turizmit.
______________
*Farsa – është një punim artistik një zhanër i dramës komike, i satirës, i situatave absurde, i humorit me gjeste fizike, ku personazhet ekzagjerohen natyrshëm nga përmbajta që përfaqësojnë. Herë-herë edhe një marrëzi argëtuese me realitet të hidhur që mund të përshkruajë gjithashtu veç absurditetit, boshllëkun dhe pasinqeritetin.

7 Korrik, 2025

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Para zgjedhjeve Rama u premtoi falje gjobash banorëve të Thethit, pas zgjedhjeve u dërgoi fadromat

Banorët e Thethit, të cilëve sot po u shembet me fadroma mundi i një jete, janë jo vetëm të gënjyer, por edhe të tradhtuar nga kryeministri Edi Rama. Pak kohë para zgjedhjeve, Rama shkoi pikërisht në këtë zonë, duke u premtuar banorëve se do t’u falte gjobat për ndërtimet pa leje, pasi ata kishin ndërtuar në tokën e tyre. Por sapo kaluan zgjedhjet, jo vetëm që nuk ua fali, por u dërgoi policinë dhe IKMT-në për t’ua shembur.

SYRI TV

Sot banorët e Thethit po përballen me forcën e policisë dhe fadromat që po u groposin të gjitha kursimet e jetës së tyre — siç iu kërkoi kryeministri Edi Rama në dy vitet e fundit: të mos iknin në emigracion, por të investonin në zonat e tyre.

Sot këta banorë nuk janë vetëm të gënjyer, por edhe të tradhtuar nga vetë Edi Rama, i cili para fushatës elektorale shkoi në zonën e Thethit, duke u premtuar banorëve parajsën. Gjatë vizitës në Theth, Rama u premtoi banorëve se do t’u falte çdo gjobë për ndërtimet që kishin bërë, pasi kishin ndërtuar në tokën e tyre, madje fajësonte shtetin dhe bashkinë që nuk u kishin krijuar kushtet për të marrë pronësinë.

Por jo vetëm kaq — Rama u kërkoi që të vijonin të investonin edhe më shumë, sepse do t’i favorizonte me faljen e taksave dhe madje duke u krijuar edhe infrastrukturën.

Por sot, pasi mori mandatin e katërt, Edi Rama, ndryshe nga sa u premtoi, u dërgoi fadromat, duke e kthyer në ferr këtë zonë dhe duke u shkatërruar investimet e gjithë jetës. sn


Send this to a friend