VOAL

VOAL

Kreshnik Spahiu: Edi Rama kërkon të burgos Ilir Metën

February 22, 2017

Komentet

Trump: Disa raketa kundërajrore Patriot janë tashmë rrugës për në Ukrainë

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se disa raketa kundërajrore për sistemin mbrojtës, Patriot, janë tashmë rrugës për në Ukrainë, një ditë pasi njoftoi se vendet anëtare të NATO-s do të dërgonin armë në Ukrainë.

Trumpi e ndryshoi qëndrimin e tij rishtazi, pasi më herët ishte kundër dërgimit të armëve amerikane në vendin e përfshirë nga lufta.

“Ato po vijnë nga Gjermania”, u tha Trump gazetarëve mbrëmjen e së martës, pa dhënë më shumë hollësi.

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, tha se janë duke u bërë përgatitje për t’ia dorëzuar Ukrainës dy sisteme Patriot.

Gjermania do të paguajë për dërgimin e tyre, por hollësitë përfundimtare teknike, logjistike dhe financiare ende nuk janë qartësuar, tha Pistorius të hënën, pas takimit me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, në Pentagon.

Hollësitë “duken të zgjidhshme për të dyja palët, kështu që do të fillojmë punën shpejt”, shtoi Pistorius, duke theksuar se Ukrainës i nevojiten urgjentisht sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore.

Dronë rusë Shahed sulmuan qytetin e Harkivit në mbrëmjen e së martës, duke plagosur dy njerëz, raportuan autoritetet vendëse. Guvernatori rajonal, Oleh Synyehubov, tha se të paktën 17 shpërthime u dëgjuan në qytet brenda 20 minutash.

Trump tha se nuk ka folur me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, që nga dita e hënë, kur njoftoi se i kishte thënë afat prej 50 ditësh Rusisë ta pranojë një marrëveshje armëpushimi për ta shmangur vendosjen e sanksioneve ndaj vendeve që bëjnë tregti me Rusinë.

Trump nuk tha nëse janë planifikuar bisedime për të arritur një marrëveshje, por mbrojti afatin kohor.

“Në fund të 50 ditëve, nëse nuk kemi një marrëveshje, do të jetë shumë keq”, tha Trump. Por, ai gjithashtu shtoi se mund të mos nevojiten 50 ditë për të arritur një marrëveshje.

Trump u pyet gjithashtu për një raport të gazetës The Financial Times, sipas të cilit ai e kishte nxitur privatisht Ukrainën t’i intensifikonte sulmet në thellësi të Rusisë.

Duke cituar burime të informuara mbi diskutimet, gazeta tha se Trump e kishte pyetur presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nëse ushtria ukrainase mund ta godiste Moskën nëse SHBA-ja do t’i jepte armë me rreze të gjatë veprimi.

“Jo, ai nuk duhet ta sulmojë Moskën”, tha Trump për gazetarët të martën, kur u pyet nëse Zelensky duhet të urdhërojë sulm mbi kryeqytetin rus.

Zyrtarët evropianë po punojnë për t’u siguruar që Ukraina do t’i marrë armët që i nevojiten, ndërsa Bashkimi Evropian po përpiqet të arrijë një marrëveshje për një rund të ri sanksionesh kundër Rusisë, pasi Sllovakia sërish bllokoi paketën e fundit.

“Jam vërtet e mërzitur që nuk e arritëm këtë marrëveshje sot”, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, të martën.

“Por, ende shpresoj se do ta marrim vendimin nesër”, shtoi ajo.

Rundi i ri i sanksioneve është bllokuar prej javësh për shkak të një mosmarrëveshjeje me Sllovakinë mbi planet e veçanta për t’i ndërprerë importet e gazit rus.

Kryeministri sllovak, Robert Fico, tha se ka nevojë për garanci të mëtejshme nga Brukseli lidhur me planet për t’i ndërprerë importet e gazit rus deri në fund të vitit 2027.

Sllovakia mbetet e varur nga importet e gazit rus dhe përfiton të ardhura nga tarifat e transitit për furnizimet që kalojnë përmes territorit të saj.

UGSHPD: RIPËRTYPJA E PROPAGANDËS

 


Një skicë nga LD-NY25 me diçiturën “El Matador”, autori ndjek paqëndrueshmërinë e ligjeve dhe institucioneve që ka prodhuar pushteti i kryeministrit Rama. Dy javë më parë tërësisht mediat pranë qeverisë dhe drejtpërdrejtë ATSH nënvizuan zemërimin e Ramës me AKU-n (Agjencinë Kombëtare të Ushqimit), dhe titulli goditës fliste për masa të rrepta dhe shkrirjen e institucionit të AKU-së me cilësimin:- “Të pezullohet urgjentisht, më shumë bën dëm se punë!”.

Konkretisht jemi dy muaj pas zgjedhjeve dhe procesi i zgjatur pa rezultat zyrtar të shpallur nga KQZ, ka “bajatosur”* sloganet e fushatës zgjedhore të Rilindjes Socialiste aq sa vetë shkarkimet nga detyra e punonjësve të administratës vendore dhe deri mbyllja e institucioneve shtetërore flasin për gjendjen e vështirë të Ramës për të tërhequr vëmendjen. Janë mbjellja e pasigurisë dhe e frikës për shumicën dhe më të dobëtit ato që karakterizojnë zhvillimet e fundit. Pushteti po kërcënon popullsinë me konfiskime produkti, gjoba kryesisht industrinë agroushqimore duke goditur pronën, prodhimin dhe përfitimet që rrjedhin nga puna dhe energjitë që japin njerëzit. Së fundi dëgjohet shpesh një term i ri për të ndjekur cilësinë e dobët në produktet ushqimore të prodhuesve vendas dhe sasive të skaduara nga  importi që quhet gjurmueshmëri. Të mendosh se në tre mandate një nga drejtimet e ekonomisë siç është bujqësia dhe blegtoria veç përfitimit të miliona fondeve nga BE-ja, arrijnë të shkëputen nga hallkat e përgjegjësive shtetërore dhe specialistë dhe institucione të vetëshkarkohen dhe të mbyllen, kjo tregon qartë se kriza institucionale vjen nga mungesa e përgjegjësive dhe korrupsioni.
Të arrish që për shkak të krizës dhe prej keq qeverisjes të ekzekutosh vendime të papritura si “Të pezullohet urgjentisht, më shumë bën dëm se punë!”, të justifikuara këto si reforma pas zgjedhore kjo në vetvete përbën thelbin e VKM-ve të padobishme që kabinetet e Ramës kanë krijuar gjatë tre mandateve dhe janë përligjur përmes forcës së kartonit në Kuvendin e Shqipërisë. Në këtë situatë të re tejet të acaruar dhe larg realitetit, kur e vërteta fshihet e njerëzit nuk përballen për ta sjellur ndryshimin, ripërtypja e propagandës është nënshtrimi që i mban larg shqiptarët dhe Shqipërinë nga bota e qytetëruar.
___________
*bajat/bajatosur – jo i freskët, e përsëritur shpesh, e dalë boje
15 Korrik, 2025

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Emisarë të Perëndimit zbarkojnë në Kosovë, kërkohet urgjentisht formimi i institucioneve

 

Më shumë se pesë muaj kanë kaluar që nga mbajtja e zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe krijimi i institucioneve të reja në Kosovë është bllokuar për shkak të mosarritjes së konstituimit të Kuvendit nga vetë deputetët.

Ky rast i paprecedentë e gjeti Kosovën pa një ambasador amerikan në Prishtinë dhe me një vëmendje të munguar nga ndërkombëtarët për të shtyrë drejt daljes nga ngërçi kastën politike kosovare. Vizitat e zyrtarëve të lartë të huaj munguan qe një kohë, por së fundi u kthyen me ftesa për liderët politikë në rezidencat e tyre diplomatike në Prishtinë.

Fituesi i zgjedhjeve dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të shtunën u ftua në rezidencën e ambasadës amerikane në Kosovë për t’u takuar me zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Europiane, Brendan Hanrahan, i cili erdhi në Kosovë në kuadër të një vizite zyrtare në disa nga vendet e rajonit.

Vizita e tij ishte e para në Kosovë prej një zyrtari të lartë që kur erdhi në pushtet Administrata Trump.

Për takimin me të, Zyra e Kryeministrit lëshoi një deklaratë në të cilën shumë pak u përmend kriza politike në vend, ndërsa Kurti kishte folur si një kryeministër me legjitimitet të plotë.

“Gjatë darkës, u diskutua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë në fushën e investimeve, të diplomacisë e të mbrojtjes, si dhe progresin e Republikës së Kosovës në integrimin e saj euro-atlantik. Kryeministri Kurti shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e Qeverisë për thellimin dhe forcimin e mëtejmë të raporteve dypalëshe”, u tha në komunikatën e ZKM-së.

Ndërkaq, ngërçi në Kuvend u përmblodh si “zhvillimet aktuale politike”, pa dhënë asnjë detaj tjetër rreth bisedës së zhvilluar për këtë çështje.

“Zhvillimet aktuale politike, bashkëpunimi rajonal dhe raportet me Serbinë, ishin po ashtu pjesë e diskutimit në takim”.

Në darkën e shtruar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, Kurti shkoi bashkë me ministrat në detyrë, Artane Rizvanolli dhe Nenad Rashiq.

Amerikanët në njoftimin për media ku e bënë përmbledhjen e vizitës thansë se Hanrahan pati takime konstruktive me qeveritarët dhe opozitarët.

Dy ditë pas, Kurtit iu desh të shkojë edhe në rezidencën e ambasadës britanike në Kosovë.

Aty u shtrua një darkë pune meqë për vizitë kishte ardhur e Dërguara e Posaçme e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce, e cila po e viziton Kosovën për të dytën herë.

Pierce la mesazh të qartë – kërkoi formimin urgjent të qeverisë dhe përmbushjen e premtimit për një shtet shumetnik bashkë me angazhumin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Zyra e Kryeministrit ndoqi të njëjtin diskurs në kumtimin për takimin e tyre, por këtë herë duke mos e përmendur fare nëse është diskutuar tema për bllokadën në Kuvend.

“Kryeministri Kurti dhe emisarja Pierce diskutuan së bashku mbi marrëdhëniet mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe mundësitë për zgjerim të bashkëpunimit duke përfshirë fusha të ndryshme, nga industria kreative dhe diplomacia deri te mbrojtja e siguria. Në përgatitjet për mbajtjen e Samitit të ardhshëm të Procesit të Berlinit i cili do të zhvillohet në tetorin e këtij viti në Londër, kryeministri theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura dhe rëndësinë e njohjes reciproke të diplomave dhe lëvizjes së lirë, si jetike për suksesin e Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Planin e Rritjes”, tha ZKM.

Dy zyrtarët e lartë nga SHBA e Mbretëria e Bashkuar takuan edhe krerët e partive të tjera.

Amerikani Hanrahan të gjitha takimet i organizoi në ambasadë.

Në komunikatat e lëshuara nga këta liderë për diskutimet e takimeve ngërçi i Kuvendit ishte më prezent.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se ka theksuar zotimin e partisë së tij për funksionalitet institucional, ndërsa SHBA-në e quajti “aleati ynë më i fuqishëm dhe më i rëndësishëm”.

“Diskutova për zhvillimet aktuale në vend dhe në rajon. Ritheksova përkushtimin e Partisë Demokratike të Kosovës për bashkëpunim politik, funksionalitet institucional dhe zgjidhje që i shërbejnë qytetarëve. Kosova ka nevojë për stabilitet të qëndrueshëm, ekonomi të fortë dhe zhvillim në çdo fushë”.

Nga LDK në ambasadën amerikane kishte shkuar nënkryetarja e kësaj partie Hykmete Bajrami, e cila tha se në takim ka ndarë shqetësimin për “krizën e thellë institucionale që po e paralizon vendin”.

“Shpreha qëndrimin e LDK-së se Kosova ka nevojë për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, kushtetuese dhe demokratike, jo për tentime të njëanshme nga një parti që nuk ka shumicë. Theksova se LDK nuk i bashkohet rrugëve që e çojnë vendin në qeverisje të papërgjegjshme dhe të dëmshme për raportet tona ndërkombëtare. LDK qëndron në anën e zgjidhjeve që forcojnë institucionet, ruajnë demokracinë dhe mbi të gjitha i shërbejnë interesit shtetëror. Ndava propozimin e LDK-së për një qeveri kalimtare, që do të mundësonte tejkalimin e bllokadës dhe kthimin e vendit në normalitet institucional deri në zgjedhjen e presidentit në mars të vitit 2026, si dhe shpreha gatishmërinë e LDK-së për të diskutuar edhe modele të tjera gjithëpërfshirëse që sjellin stabilitet”.

Ndërkaq, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, në takim me Hanrahan tha se e ka theksuar rëndësinë strategjike të forcimit të marrëdhënieve bilaterale të Republikës së Kosovës me SHBA-në, si dhe nevojën për të thelluar partneritetin në fushën e sigurisë.

“Kosova mbetet e përkushtuar për anëtarësim të plotë në NATO, dhe mbështetja e SHBA-së është tepër e rëndësishme për këtë rrugë. Aleanca jonë më Amerikën është e përjetshme dhe e pathyeshme, ndërsa përkushtimi ynë si vend është i palëkundur për ta forcuar këtë aleancë çdo ditë”.

Ndryshe nga amerikane, emisarja britanike te partitë tjera vendosi të shkojë te zyrat e tyre ku foli për ngërçin.

Krasniqi i PDK-së tha se fokus të veçantë i kushtoi krizës institucionale “që po e dëmton vendin, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar”.

“E njoftova me qëndrimet dhe përkushtimin e Partisë Demokratike të Kosovës për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate, përmes respektimit të Kushtetutës”.

Në LDK britaniken e priti vetë kreu i partisë, Lumir Abdixhiku, i cili po ashtu tha se theks të veçantë i dha krizës institucionale që “po e pengon funksionalizimin e institucioneve të Kosovës”.

“Nënvizova domosdoshmërinë urgjente për krijimin e institucioneve legjitime dhe funksionale, duke theksuar se zvarritja e këtij procesi po ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve tanë”.

Ngjashëm tha se foli me Pierce edhe Haradinaj.

“Sot, në takim me të dërguarën e posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce, diskutuam për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe nevojën urgjente të konsolidimit të institucioneve demokratike, si dhe për integrimin euroatlantik”.

E bashkëpartiaku i Haradinajt, Bekë Berisha, ditë më parë për seancën konstituive që s’po përfundon kishte dhënë tezën se mungesa e vëmendjes së ndërkombëtareve ishte arsyeja pse politikanët kosovarë s’po përafronin qëndrimet e tyre për themelim të institucioneve.

“Siç duket neve na kanë nejtë gati qeto ambasada, sepse ne si politikanë nuk kemi mujtë me iu dhanë orientim momenteve politike, por veç na kanë nejtë gati”.

Fried pas deklaratave të Osmanit: Vlerësimi për administratën Trump është taktikë e mirë

Valona Tela

Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Fried, thotë se, edhe nëse administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, nuk është plotësisht e fokusuar te Kosova tani, është e rëndësishme të vazhdohet dialogu dhe të kërkohen aleatë brenda saj.

“Është e dobishme të fillosh të krijosh kontakte dhe zakone komunikimi për kur të vijë momenti”, thotë ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Fried e shoqëroi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në disa takime që zhvilloi javën e kaluar në SHBA.

I pyetur të komentojë deklaratat e saj se Trump ka parandaluar së voni një përshkallëzim të situatës nga Serbia në Kosovë, Fried thotë se nuk i di detajet.

“…por është gjithmonë e mirë si taktikë t’ia atribuosh meritat administratës Trump”, thotë ai.

Në intervistën dhënë REL-it, Fried flet edhe për ngërçin në Kuvendin e Kosovës, zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe SHBA-së e të tjera.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Fried, do të doja ta filloja këtë intervistë duke ju pyetur për krizën politike që po vazhdon në Kosovë. Tash e tre muaj, vendi është pa Kuvend funksional. Partia fituese në zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje, këmbëngul në kandidaten e saj për kryeparlamentare dhe në votim të fshehtë. Partitë që ishin në opozitë, kundërshtojnë.

Si e shihni këtë ngërç politik në aspektin e funksionimit demokratik dhe të përgjegjësisë institucionale?

Daniel Fried: Si amerikan, nuk jam në pozitë të filloj t’i kritikoj kosovarët për vështirësitë dhe mosfunksionimin politik. Mjafton ta shikoni Uashingtonin këto ditë…

Unë mendoj se Kosova ka nevojë për një qeveri funksionale, por i duhet edhe aftësi për t’u përballur me sfidat e saj në mënyrë të qëndrueshme dhe energjike.

Ngërçi i zgjatur politik nuk është problem në vetvete, për aq kohë sa zgjidhet me formimin e një qeverie që mund ta bëjë punën e vet.

Pra, nuk jam i alarmuar nga problemet aktuale, por Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të jetë e aftë të bashkëpunojë me SHBA-në, Bashkimin Evropian dhe të përballet me sfidat e brendshme – përtej problemeve që ka me Serbinë.

Ngërçi politik s’është problem, nëse formohet një qeveri funksionale

Radio Evropa e Lirë: Në një ngërç kaq të zgjatur institucional, si do të dukej një kompromis i përgjegjshëm?

Daniel Fried: Unë jam amerikan, jam i huaj. Nuk kam besuar kurrë se të huajt duhet t’u diktojnë aktorëve politikë në Kosovë se çfarë duhet të bëjnë.

Këtë qëndrim e kam jo vetëm për Kosovën, por më përgjithësisht për vendet e rajonit.

Si amerikanë, ne duhet vetëm të kërkojmë që të respektohen rregullat dhe të respektohet demokracia. Qeveria që do të formohet nga ky proces, duhet të jetë funksionale dhe e aftë të marrë vendime.

Unë nuk do t’u them politikanëve të Kosovës se çfarë duhet të bëjnë. Ajo që ka rëndësi, është që në fund të këtij procesi të dalë një qeveri që mund të funksionojë – kjo është thelbësore për mua.

Radio Evropa e Lirë: Tani që presidenti amerikan, Donald Trump, është në mandatin e tij të dytë, si do ta vlerësonit nivelin e interesimit dhe angazhimit të administratës së tij në Ballkanin Perëndimor, dhe veçanërisht ndaj Kosovës?

Daniel Fried: Administrata Trump ka një vëmendje të kufizuar ndaj çështjeve të jashtme në përgjithësi, sepse shumë pozita të rëndësishme në Departamentin e Shtetit dhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, thjesht nuk janë të plotësuara.

Ajo është aktive në Ukrainë, për shembull. Ndaj, është e pamundshme për të – për shkak të mungesës së burimeve dhe personelit të mjaftueshëm – të merret me çështje si Kosova, ose përkeqësimi i demokracisë në Gjeorgji.

Administrata Trump po merret edhe me çështjen e tarifave dhe luftërat e mundshme tregtare, ndërsa çështjet në Ballkanin Perëndimor, fatkeqësisht, marrin vëmendje të herëpashershme.

Dhe, mos harroni, në rrethin e Trumpit kishte njerëz që dukeshin të interesuar për marrëdhëniet dhe biznesin me Serbinë, në mënyra shqetësuese për mua.

Ideja e ndërtimit të hoteleve apo diçka e tillë më ka shqetësuar, sepse tregonte për një interes komercial afatshkurtër, në vend të një interesi strategjik afatgjatë.

Në këtë aspekt, ndoshta është më mirë që administrata Trump të mos jetë shumë e angazhuar në Ballkanin Perëndimor, sepse nuk do të donim që kjo përpjekje të shkonte në drejtim të gabuar. Mendoj se e kuptoni saktësisht se për çfarë po flas.

Interesat strategjike në Ballkan nuk duhet të zëvendësohen me përfitime personale

Radio Evropa e Lirë: A mund të na shpjegoni më shumë për lexuesit tanë?

Daniel Fried: Ka pasur raporte se disa persona të lidhur me Trumpin dhe familjen e tij ishin të interesuar për një projekt hotelier në Beograd.

Nuk ka asgjë të keqe në projektet e hoteleve në Beograd, por është shumë problematike nëse interesi për këto projekte i bën Shtetet e Bashkuara t’i harrojnë interesat strategjike në Ballkanin Perëndimor dhe të bëjnë ndonjë marrëveshje të dyshimtë me Serbinë.

Kjo do ta pengonte qëllimin tonë strategjik: që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të ecin drejt Evropës dhe anëtarësimit në komunitetin evropian dhe transatlantik, dhe të mos mbeten të ngujuara në një nostalgji për perandoritë e humbura, që nuk do të kthehen më – ashtu si nuk do të kthehen as gjyshërit e tyre të ndjerë.

Radio Evropa e Lirë: Pra, mendoni se është më mirë të mos angazhohen sesa të angazhohen në drejtim të gabuar – siç thatë…

Daniel Fried: Po, por më së miri është të angazhohen në drejtim të duhur. Edhe ky ishte mesazhi i presidentes [së Kosovës, Vjosa] Osmani – së paku mesazhi që unë nxora nga disa prej takimeve të saj në Uashington.

Mendoj se ajo bëri një thirrje të fuqishme që Shtetet e Bashkuara të angazhohen në rrugën e duhur. Ajo është një personalitet i fortë dhe një folëse bindëse me shumë ndikim.

Radio Evropa e Lirë: A besoni se [ky angazhim më i madh i SHBA-së] është i mundshëm ose i nevojshëm në këtë fazë?

Daniel Fried: Mendoj se është gjithmonë ide e mirë që Shtetet e Bashkuara ta dinë se çfarë duan, dhe më bëri përshtypje të dëgjoj një mesazh me qartësi strategjike nga presidentja Osmani.

Nuk dua të hyj në detaje, por ajo e paraqet shumë mirë çështjen. Nuk e di se si kanë shkuar takimet e saj me administratën, por ajo është një person i fortë, udhëheqëse bindëse dhe sigurisht di se si t’u flasë amerikanëve.

Dialogu me SHBA-në është kyç për Kosovën

Radio Evropa e Lirë: Gjatë vizitës së saj në Uashington, presidentja Osmani tha se presidenti Trump ka parandaluar së voni një përshkallëzim të situatës nga Serbia në Kosovë. I dërguari i Trumpit për misione speciale, Richard Grenell, e kundërshtoi publikisht këtë pretendim. Si e interpretoni ju këtë shkëmbim deklaratash?

Daniel Fried: Nuk dua të hyj në detaje, por mendoj se është gjithmonë një ide e mirë të angazhohesh me administratën e Trumpit. Të vazhdosh të bisedosh me të, të kërkosh aleatë dhe miq, edhe nëse administrata e Trumpit – siç e thashë më herët – nuk është ende gati t’i kushtojë shumë energji Kosovës në këtë moment.

Është e dobishme të fillosh të krijosh kontakte dhe zakone komunikimi për kur të vijë momenti.

Radio Evropa e Lirë: Pra, nuk do të ndani detaje rreth deklaratave për parandalimin e një përshkallëzimi midis Serbisë dhe Kosovës…

Daniel Fried: Nuk i di detajet, por është gjithmonë e mirë si taktikë t’ia atribuosh meritat administratës Trump.

“Momenti i së vërtetës” për Serbinë

Radio Evropa e Lirë: Të kalojmë te një çështje tjetër. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha së voni se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është i mundur, por vetëm nëse SHBA-ja dhe aktorë të tjerë ushtrojnë më shumë presion ndaj Serbisë për t’i zbatuar marrëveshjet e vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve. A mendoni se Uashingtoni duhet ta ndryshojë qasjen dhe të ushtrojë presion më të drejtpërdrejtë ndaj Beogradit?

Daniel Fried: Nuk dua të jap shumë këshilla të drejtpërdrejta, sepse nuk e kam ndjekur në shumë detaje. Por, si një rregull i përgjithshëm, SHBA-ja dhe Evropa do të duhet ta kenë atë që ne e quajmë “moment i së vërtetës” me udhëheqjen serbe. Me fjalë të tjera, një bisedë serioze, për t’i thënë se nuk mund të bëjë dy gjëra njëkohësisht: të pretendojë se është në rrugën e integrimit në Evropë dhe, ndërkohë, të përpiqet ta rikthejë Kosovën.

Ideja që do të veprojë për të avancuar interesat e Rusisë, është e rrezikshme dhe shkatërruese.

Tani, nuk jam i sigurt nëse ky është momenti i duhur për këtë bisedë, por, në përgjithësi, mendoj se po.

[Presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq po përballet me presion nga protestat dhe nga perceptimi i gjerë për korrupsion dhe dështim në udhëheqjen e tij në Serbi.

Edhe pse politika e brendshme serbe nuk është puna jonë, ne e kemi duruar për shumë vite qasjen e dyfishtë të Vuçiqit, dhe kjo duhet të marrë fund.

Bashkëpunimi ekonomik me SHBA-në s’duhet të presë zgjidhjen e çështjeve politike

Radio Evropa e Lirë: Dua t’i rikthehem prapë vizitës së Osmanit në SHBA. Marrë parasysh deklaratat e saj për të forcuar lidhjet ekonomike me Shtetet e Bashkuara, a mendoni se Kosova po përpiqet të ndërtojë një lloj të ri marrëdhënieje me SHBA-në, që bazohet më shumë në interesat ekonomike?

Daniel Fried: Është gjithmonë mirë të forcohen marrëdhëniet ekonomike. Për këtë, nevojitet një qeveri që merr vendime, është e hapur ndaj biznesit dhe e lehtë për investitorët që të bashkëpunojnë me të. Kjo është një gjë e mirë.

Sa më shumë zhvillim të ketë Kosova, aq më mirë; sa më shumë bashkëpunim ekonomik me SHBA-në, aq më mirë.

Dhe natyrisht, Kosova do të bashkohet me Evropën, jo me Shtetet e Bashkuara, por një qeveri që mund të punojë me bizneset dhe investitorët e huaj amerikanë, mund të punojë gjithashtu edhe me evropianët.

Bashkëpunimi ekonomik me Shtetet e Bashkuara nuk duhet të presë derisa të zgjidhen të gjitha çështjet me Serbinë. Duhet të nisë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Radio Evropa e Lirë: Kosova po tregon gatishmëri për investime amerikane, por a ka ajo vërtet diçka që SHBA-ja do apo kërkon?

Daniel Fried: Nuk e njoh biznesin, nuk di për burimet minerale apo për mundësitë e investimeve, por e di që, si rregull i përgjithshëm, investitorët që kanë një vizion dhe hyjnë herët në një treg, mund të përfitojnë shumë.

Radio Evropa e Lirë: Por, pse kjo dëshirë për bashkëpunim ekonomik tani? Mos është përpjekje për t’u përshtatur me politikat e Trumpit?

Daniel Fried: Ndoshta, dhe nuk mendoj se kjo është një gjë e keqe. Trump dëshiron të dijë se cili është interesi i biznesit amerikan, ndaj është mirë që të fokusohet biseda në terma të tillë.

Së dyti, edhe nëse Qeveria dhe presidentja e Kosovës po përpiqen për më shumë përparim në marrëdhëniet me Serbinë, është mirë që të mos bllokohet gjithçka duke pritur për atë përparim, por të veprohet në sa më shumë fusha njëkohësisht dhe të arrihet sa më shumë progres. Pra, të mos pritet për zgjidhjen e çështjeve politike.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të duhej të ndodhte që Uashingtoni ta merrte seriozisht Kosovën si partnere ekonomike, në këtë epokë të re të diplomacisë transaksionale?

Daniel Fried: Nuk e di se çfarë marrëveshjesh biznesi mund të ketë, por mendoj se një qasje agresive nga ana e Kosovës për zhvillimin e mundësive të biznesit, mund të funksionojë. Dhe, pastaj, kur ke disa rezultate, i promovon ato dhe tregon se Kosova është një vend i mirë për të bërë biznes.

Osmani: Serbia përpiqet vazhdimisht ta destabilizojë Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Rigë, 15 korrik 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi Serbinë se po vepron si dorë e zgjatur e përpjekjeve të Rusisë për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor, por nuk e përsëriti deklaratën e mëparshme për rolin e pretenduar të presidentit amerikan, Donald Trump, në parandalimin e një përshkallëzimi të situatës nga Serbia në Kosovë.

Duke folur të martën në Rigë të Letonisë, përkrah presidentit letonez, Edgars Rinkeviç, Osmani e hodhi poshtë nocionin e “tensioneve” mes Kosovës dhe Serbisë, duke e paraqitur situatën si agresion nga njëra palë dhe vetëmbrojtje nga tjetra.

“Unë nuk do t’i quaja tensione mes Kosovës dhe Serbisë, sepse ne përpiqemi të mos biem në kurthin e barazimit të të dyja palëve”, tha Osmani, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari se cili është roli i Rusisë në tensionet dhe përshkallëzimet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne nuk duhet ta fusim kurrë agresorin dhe viktimën në të njëjtin thes. Serbia përpiqet vazhdimisht ta destabilizojë vendin tonë, përfshirë përmes akteve të agresionit, ndërsa ne mbrohemi vazhdimisht,” tha Osmani.

“Ne kurrë nuk kemi pushtuar ose sulmuar, madje as edhe një centimetër të territorit të ndonjë fqinji. Ajo çfarë kemi bërë gjithmonë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, është ta mbrojmë pavarësinë tonë, ta mbrojmë integritetin tonë territorial, ta mbrojmë paqen dhe lirinë, që janë fituar me shumë sakrificë”, tha presidentja e Kosovës.

Ditëve të fundit, ajo foli në disa raste për përshkallëzimin e mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.

Gjatë një ligjërate në Uashington më 10 korrik, Osmani tha se presidenti amerikan, Donald Trump, ka parandaluar së voni mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.

Ajo tha se ka “informacione të besueshme” se bëhet fjalë “për zhvillime shumë, shumë të vona”.

Kjo deklaratë shkaktoi kritika nga Richard Grenell, i dërguari i Trumpit për misione speciale.

Ai e akuzoi Osmanin për “manipulim” të fjalëve të Trumpit.

“Donald Trump është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për punën e tij për paqe dhe normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë në vitet 2019 dhe 2020, përmes Marrëveshjes së Uashingtonit. Osmani nuk ka qenë pjesë e asaj marrëveshjeje. Pretendimi se ka ndodhur diçka e re është absurd,” shkroi Grenell në X.

Çfarë tha Trump?

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shkroi në rrjetin Social Truth më 15 qershor se gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Kosova dhe Serbia po “shkonin drejt një konflikti serioz” dhe se lufta ishte në prag të shpërthimit, por se ai e ndaloi atë.

Pastaj, në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë më 29 qershor, ai tha se, në muajt e fundit, SHBA-ja ka ndaluar ose parandaluar konflikte midis disa palëve, përfshirë Serbinë dhe Kosovën.

“Serbia, e dini, po përgatitej për luftë, me një grup që as nuk do ta përmend, sepse nuk ndodhi”, tha Trump, duke shtuar se kërcënimi për pezullimin e tregtisë kishte funksionuar në parandalimin e saj.

Pastaj, më 9 korrik, ai përsëriti: “Kam arritur të zgjidh shumë situata, si ajo me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë. Thashë: a do të luftoni? Ne nuk do të bëjmë tregti. Dhe, duket se kjo ka qenë mjaft e suksesshme”.

Trump e përmendi rastin e Kosovës dhe Serbisë edhe gjatë një takimi me shefin e NATO-s, Mark Rutte, më 14 korrik në Shtëpinë e Bardhë.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi Shtëpinë e Bardhë për sqarime shtesë, por nuk mori përgjigje.

Pyetjeve të REL-it se për çfarë lloj përshkallëzimi të situatës bëhej fjalë, nuk iu përgjigj as Qeveria në detyrë e Kosovës e as Ministria në detyrë e Punëve të Brendshme.

I pyetur nga gazetarët për këtë çështje më 15 korrik, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha shkurtimisht: “Ne jemi jashtëzakonisht falënderues për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përgjatë gjithë historisë së Republikës së Kosovës”.

Përshkallëzimi i fundit i madh në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – ndodhi në shtator të vitit 2023, kur një grup i serbëve të armatosur, i udhëhequr nga Millan Radoiçiq, sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, duke vrarë një polic.

Prishtina e cilësoi atë si sulm terrorist të orkestruar nga Serbia – një akuzë që Beogradi e mohoi.

Pas komenteve të Grenellit, ekipi i Osmanit paralajmëroi se presidentja do të mbajë një konferencë për shtyp, pasi të kthehet nga udhëtimi.

Duke folur në Rigë, Osmani po ashtu tha se ndikimi i Rusisë në Kosovë “është zero”.

“Fatkeqësisht, nuk mund ta them të njëjtën gjë për shtetin tonë fqinj, sepse Serbia është shndërruar në një shtet nën ndikimin e Rusisë – qoftë në aspektin politik, ekonomik apo ushtarak. Përmes këtij ndikimi në Serbi, Rusia përpiqet të shkaktojë pasoja destabilizuese edhe më gjerë në rajon, sepse sa më shumë të destabilizohet Evropa, aq më shumë u shërben interesave të Rusisë”, tha Osmani.

Ajo theksoi se Kosova do të punojë ngushtë me aleatët në Bashkimin Evropian dhe në NATO, përmes masave të frenimit dhe parandalimit, me qëllim që asnjë nga taktikat destabilizuese të Rusisë, të cilat kryhen përmes Serbisë, të mos ketë sukses.

 

 

Banorët ngujohen në godinë, policia i nxjerr me forcë, shembet mes kaosit ndërtesa e fundit në Theth

Prishja e godinës së fundit pa leje në Theth është shoqëruar me skena të tensionuara dhe përplasje të forta mes banorëve dhe autoriteteve.

Fadroma e IKMT-së mbërriti në objektin e fundit të listuar për shembje, por u përball me rezistencën e fortë të banorëve, të cilët kërkuan një vendim gjykate që të justifikonte ndërhyrjen.

Banorët u ulën në rrugë, duke bllokuar kalimin e mjeteve të IKMT-së dhe duke e kthyer terrenin në një skenë proteste. Ndërsa situata përshkallëzohej, forcat e policisë ndërhynë fuqishëm, duke krijuar një kordon sigurie dhe më pas duke hyrë me forcë në banesë. Banorët, u nxorën me dhunë nga shtëpia që përpiqeshin të mbronin.

Pavarësisht rezistencës së tyre, pas disa orësh tension dhe përballje, godina u shemb. Banorët e tronditur paralajmërojnë për hapa ligjorë dhe nuk përjashtojnë protesta të reja kundër veprimeve të cilësuara prej tyre si të padrejta dhe brutale. sn

“Ukraina do të marrë sasi masive armatimesh”, Rutte sjell detaje nga marrëveshja me Trumpin: Evropa paguan, SHBA prodhon

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka sjellë detaje të reja për marrëveshjen e shpallur nga Donald Trump, duke theksuar se ajo do t’i sigurojë Ukrainës sasi të mëdha pajisjesh ushtarake, përfshirë mbrojtje ajrore, raketa dhe municione.

“Kjo është diçka vërtet e madhe,” ka deklaruar Rutte gjatë takimit me presidentin amerikan në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se Trump e kishte telefonuar të enjten dhe i kishte thënë se donte që Ukraina të merrte gjithçka që i nevojitet – me kusht që shtetet evropiane të mbulonin koston.

Rutte ka theksuar gjithashtu se shumë shtete janë të gatshme të marrin pjesë në këtë iniciativë, duke përmendur Finlandën, Danimarkën, Suedinë, Norvegjinë, Britaninë e Madhe, Holandën dhe Kanadanë, ndërsa ka paralajmëruar se “kjo është vetëm vala e parë, do të ketë edhe të tjera.”bw

Mehmeti: Shembjet në Theth janë katastrofë, duhet të ndalen dhe të shpallet gjendja e jashtëzakonshme…

Ish-kandidatja për deputete e PD në Shkodër, Senada Mehmeti, ka reaguar ndaj aksionit të IKMT-së dhe Policisë së Shtetit në Theth, ku po shemben dhjetëra ndërtesa gjatë kulmit të sezonit turistik.

Në intervistën e dhënë për SYRI TV, Mehmeti e cilësoi situatën si një “katastrofë” dhe kërkoi ndalimin urgjent të shembjeve, hetim të menjëhershëm për vendimet që kanë çuar në këtë situatë, si dhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në zonë. Sipas saj, banorët e Thethit po ndëshkohen padrejtësisht ndërkohë që ndërtime të tjera në vend janë toleruar nga institucionet.

Senada Mehmeti: Që në momentet e para kam qenë dhe kam parë se çfarë po ndodh këtu. Kjo është një katastrofë. Do ti bëj thirrje organeve kompetente, të ndalojnë menjëherë prishjen. 80% e tyre janë prishur por të shpëtojmë ato që kanë mbetur. Të ndalohet menjëherë shembja dhe shkatërrimi që po bëhet në zonën e Thethit.

Gjithashtu, do i bëja edhe thirrje organeve hetuese, të hetojnë se çfarë po ndodh në Theth dhe të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Pasi, të hetohet kush i ka dhënë këto leje. Kush i ka mbikëqyrur, kush i mbikëqyr ndërtimet.

Si ka mundësi që të gjitha këto ndërtime janë bërë nën hundën e pushtetit lokal dhe vendor dhe tani po shkatërrohen. Dhe mbi të gjitha, kush e ka dhënë urdhrin për shembjen dhe ku është ai urdhër. E kam kërkuar për ditë të tëra urdhrin e shembjeve dhe në të vërtetë nuk ka dalë asnjë urdhër zyrtar dhe banorëve nuk iu është vënë nën dispozicion asnjë urdhër, se nga buron ky urdhër dhe a janë zbatuar të gjitha procedurat ligjore për shembjen.

Dua të theksoj se Thethi nuk ka asnjë lidhje me zonat e tjera të Shqipërisë. Është një zonë u banorët janë autoktonë këtu. Banorët po ndërtojnë biznese familjare, shtëpizat e tyre familjare, të gjitha ekologjike dhe prej druri pa beton. Po iu prishen në mes të sezonit turistik pa asnjë paralajmërim.

Banorëve këtu duhet t’u vihet këtu me doemos një lloj rregulli, një lloj ligji sesi ata të aplikojnë në mënyrë ligjore që mos të përballen më me këtë ndërhyrje që nuk e di nëse është ligjore apo jo. Një pjesë e tyre e kanë apeluar vendimin në gjykata dhe iu është shembur ndërtimi pa dalë ende vendimi gjyqësore. Kemi një lloj kakofonie mes institucioneve dhe mendoj që edhe aksioni do të dalë antiligjor.

“Kullat i kemi mbrojtur me gjak”, mblidhet Kuvendi i burrave në Theth: Duam dialog me qeverinë

Në ditën e 7-të të aksionit të nisur nga qeveria për shembjen e ndërtimeve pa leje, banorët e Thethit organizuan një tubim para kishës së fshatit, ku kërkuan ndalimin e aksionit dhe nisjen e një dialogu të drejtpërdrejtë me autoritetet.

 

Në këtë tubim mori pjesë edhe Zef Vladi, banor i Shalës, i cili foli për rëndësinë historike dhe kulturore të kullave të Thethit, duke theksuar se ato janë të ndërtuara me djersë dhe mbrojtur me gjak.

Ai e cilësoi të paarsyeshme shembjen e këtyre objekteve, duke kërkuar që të hapet një dialog dhe jo shkatërrim.

“I kam bërë thirrje qeverisë që të ndalojë aksionin, sepse nuk është e arsyeshme. Ne e dimë që disa ndërtime kanë pasur gabime dhe nuk duhej të ishin lejuar, por ato janë ndërtuar me mundin dhe sakrificat tona.

Këto shtëpi janë më shumë se thjesht objekte, ato janë pjesë e historisë sonë, të mbrojtura me djersë e gjak”, tha Vladi, duke theksuar se pas kësaj proteste, kërkohet vetëm një mundësi për dialog dhe marrëveshje.

Në fjalën e tij, ai theksoi solidaritetin e banorëve të Thethit me ata nga Dajti, Puka dhe Dukagjini, të cilët kanë shprehur mbështetje për ta dhe kanë kërkuar respektimin e të drejtave të tyre.

Zef Vladi e krahasoi këtë situatë me periudhën e luftës në Kosovë, duke përmendur faktin se edhe kur shqiptarët janë përballur me sfida të mëdha, ata kanë mbrojtur me çdo kusht tokën dhe kulturën e tyre.

“Ne jemi ata që kemi mbrojtur këtë tokë. Ata janë bërë me djersë dhe mbrojtur me gjak. Nuk është e arsyeshme që tani dikush të hyjë dhe të shkatërrojë. Duhet të ulemi dhe të bisedojmë. Jemi vëllezër, duhet të gjejmë një zgjidhje paqësore”, shtoi ai.

Banorët e Thethit kërkuan që të hapet një dialog konstruktiv me Qeverinë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme, duke theksuar se ata janë të gatshëm për të bashkëpunuar, por jo për të lejuar shkatërrimin e pasurisë dhe identitetit të tyre kulturor. bw

Thirrja nga Bajraku i Shalës: Thethi nuk është për t’u rrënuar, por për t’u ruajtur!

 

Përfaqësuesi i Bajrakut të Shalës, Zef Sokol Vladaj ka kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve të larta të vendit për të ndalur aksionin e prishjes së ndërtimeve në zonën e Thethit.

Në një letër publike, ai shkruan se këto ndërhyrje po prekin prona të trashëguara prej shekujsh, duke shkatërruar dinjitetin e banorëve dhe duke dëmtuar imazhin e një prej bukurive natyrore më të rralla të Shqipërisë, në mes të sezonit turistik.

Me një thirrje për dialog, Vladaj i bën apel Kryeministrit dhe drejtuesve lokalë që të reflektojnë mbi pasojat  në këtë zonë të ndjeshme. sn

 

 

 

Kurti pas takimit me diplomatin amerikan Hanrahan: Kosova, partnere e besueshme e SHBA-së

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti me zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan.

 

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është takuar në mbrëmjen e së shtunës me zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan në Prishtinë, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet biletarale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Kryeministria, palët kanë diskutuar në një darkë pune edhe për zhvillimet aktuale politike, bashkëpunimin rajonal dhe raportet me Serbinë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat i palëkundur për vendin tonë dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre”, është cituar të ketë thënë Kurti sipas komunikatës.

Takimi është zhvilluar në rezidencën e të ngarkuarës me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati.

Pjesë e takimit kanë qenë edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri në detyrë për Komunitete dhe kthim, Nenad Rashiq.

Para vizitës në Kosovë, Hanrahan ka realizuar vizita në Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë, dhe është zyrtari më i lartë që ka vizituar rajonin e Ballkanit prej administratës së re amerikane.

Kurti është zyrtari i dytë i lartë nga Kosova që ka takuar Hanrahanin, pasi ditë më parë ai ka realizuar takime edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Uashington.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se bashkë me zyrtarin amerikan kanë diskutuar për “thellimin e partneritetit strategjik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”.

Në Serbi, Hanrahan është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Përmes një postimi në Facebook, presidenti serb ka thënë se bashkëpunimi ekonomik produktiv mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara duhet të jetë baza e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“E theksova që Serbia mbetet e vendosur për ruajtje të paqes dhe stabilitetit, dhe që dialogun e shohim mënyrën e vetme për zgjidhje të çështjeve të hapura dhe për respektim të ligjit ndërkombëtar”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në Facebook, duke përmendur se me diplomatin amerikan ka diskutuar edhe për situatën në Ballkan.

Në nisje të vizitës, vetë Hanrahan ka thënë se pret me padurim përforcimin e lidhjeve në mes të Shteteve të Bashkuara dhe shteteve të rajonit të Ballkanit.

VIDEO – Turistët e huaj në Theth: Shembjet, kurrsesi në këtë periudhë. Erdhëm për qetësinë këtu…

Sulmi i dhunshëm dhe brutal i strukturave shtetërore të urdhëruara direkt nga Edi Rama për të prishur e shkatërruar gjithçka në Theth ka rënë në sy edhe të turistëve të shumtë që ndërkohë kishin porositur apo ishin akomoduar në shtëpitë mikpritëse në këtë perlë të natyrës shqiptare.

Ata deklarojnë për kamerat e medieve se shembjet nuk duhej kurrsesi të ndodhnin, sidomos në këtë periudhë.

Ne thonë ata, erdhëm për qetësinë këtu dhe jo për policinë.

VIDEON KETU

Deklarimet e turistëve i ka ndarë në faqen e tij në facebook edhe lideri i opozitës Sali Berisha.

“Turistët shpërthejë kundër urryesit pushtues Ramoduro!”, shkruan kreu demokrat. sn


Send this to a friend